Nga Dalip Greca/
Turneu vjetor i Golfit, që u organizua në mes të qershorit, për të gjashtën herë radhazi, nga Anton Raja me bashkëpunëtorët e tij, Elmi Berisha, Palokë Rudaj, Simon Qafa, Leon Gjoni e të tjerë, ishte një manifestim i shkëlqyer i vëllazërimit ndërshqiptar nga të gjithë trojet etnike, ishte bashkim ndërfetar dhe shprehje e bujarisë së njohur shqiptare…
…Kemi udhëtuar përmes rrugëve që gjarpërojnë ndër pyje dhe kemi arritur në kompleksin e fushave të golfit”Blue Hill Golf Course”, që përfshijnë një sipërfaqe të paanë, sa që zor se mund ta shëtisësh për një ditë në këmbë. Fushat e golfit në prehër të kodrave të veshura me pyje, të lagura përfund nga Liqeni Tappan në Pearl River, në periferi të qytezës Orangtown, shpalosin një bukuri përrallore. Pamjet e magjishme të natyrës, edhe nëse nuk je, të bëjnë romatik në shpirt. Isha nën shoqërimin e Telvizionit Kultura Shqiptare, së bashku me Adem Belliun dhe vajzën e tij, Vera, që tashmë është pjesë e pandarë e këtij ekipi telviziv, si intervistuse, në kamer apo në montazh, e çertifikuar edhe nga Bronx Net;- ajo ndjehet tepër e pasionuar në këtë shërbim që i bënë komunitetit, edhe pse si studente është tepër e zënë me studimet. Vera ndjehet e lumtur që i ati, Ademi, e ka marrë në këtë aktivitet. Përpiqet që të rrokë me kamera gjithë bukuritë e gjelbërta dhe çdo fragment të aktivitetit.
Majëkodre na pret Anton Raja, i cili është krijuesi dhe kryesuesi i këtij turneu, që për të gjashtin vit, jep kontribute të rëndësishme për Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë. Ky turne merr rëndësi, jo vetëm pse grumbullon ndihma, por me këtë veprimtari, ai bashkon komunitetin, pa dallim feje e krahine. Antoni na pret me fjalë mirëseardhjeje dhe me bujari. Na pyet nëse kemi nevojë për gjësend. Turneu kishte filluar pak më herët, kështu që do të duhej shoqërues për të na përcjellë tek njëri prej grupeve, të cilët lëviznin me turne, duke zëvendësuar njëri grup tjetrin, duke lëvizur nga njëra pjesë e fushës në tjetrën, dhe udhëtimi nuk mund të bëhej në këmbë, madje as kalimi i plotësimit të ciklit të 18 pjesëve. Aktualisht grupi që kërkonim ne, ndodhej në “Par 4”, pra kishte ndërruar tri pjesë të fushës së golfit, dhe ndodhej tek e katërta, ata kishin ende dhe 14 ndërrime të tjera, për të kryer ciklin e plotë të tetëmbëdhjetë pjesëve. Këtë ma shpjegoi Luka tek manovronte shkathët në timon…(lexoje te plote ne Diellin e printuar)
Aktivitet përkujtimor në Vjenë:”Çamëri moj Çamëri,70 vjet lot në sy
Homazhe simbolike viktimave çame nga masakrat greke. P.Begzati:”Masakra ndaj çamëve ka vetëm një emër:gjenocid e pastrim etnik…Koha që Qeveria Shqiptare t’i jep fund qëndrimit pasiv nda çështjes çame.. Deklaratë apeli nga 14 Shoqata iu dërgua BE-së, OSBE-së etj./
Hazir MEHMETI, Vjenë*/
Këshilli Koordinues i Shoqatave Kulturore në Vjenë organizoj manifestimin në përkujtim të tragjedisë së përgjakshëm të popullsisë çame nga forcat greke. Ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ambasada e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës. Mysafir rasti ishte z.TahirMuhedini, deputet përfaqësues në parlamentin shqiptar të shqiptarëve të Çamërisë. Kishin ardhur bashkëkombës nga e gjithë Austria, mes tyre shkrimtarë, artistë, krijues e veprimtarë.
Vjetët 1944-45 ishin vjet kur u krye tragjeditë më e rënda shfarosëse ndaj popullsisë çame. Gati paralelisht ndodhi masakra tjetër tragjike ndaj shqiptarëve nga forcat komuniste jugosllave tëpërkrahura nga komunistet shqiptarë brenda Shqipërisë dhe jashtë saj, Masakra e Tivarit. Mosvlerësimi dhe harresa e dy masakrave gjenocide nga shteti diktatorial komunist dhe shërbyesit e pushtuesit sllav, është një tjetër krim brenda vet kombit shqiptar, i ndarë ideologjikisht dhe në shërbim të shkatërrimit kombëtar.
Tani pas gjithë këtyre ndryshimeve progresive ndaj errësirës ideologjike komuniste dhe lirisë së trevave etnike shqiptare, krijohen mundësi të trajtimit, vlerësimit e përkujtimit për të parën herë masakrën e Çamërisë. Formimi i Këshillit Koordinues i disa shoqatave kulturore në Vjenë nga aktivistët e veprimtarët e njohur të çështjes kombëtare, hapi shtigje të reja aktivitetesh. Salla e bukur ishte përplot me mërgimtarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare, mes tyre edhe nga Çamëria. Dita e 27 qershorit është shpallur si “Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmin grek”. Forcat armike greke në këtë datë ushtruan terror masiv me përmasa gjenocidi, ku u masakruan mijëra çamë dhe mbi 35 mijë prej tyre u dëbuan nga vatrat e tyre duke iu aneksuar toka e pasuria dhe u pamundësohet kthimi i tyre edhe pas 70 vjetëve. Tubimin e hapi Dr.Dr.Ilir Çaushi nga Instituti i Kulturës Shqiptare “Aleksandër Moissi” në Vjenë. Kurse vështrimin rreth masakrës greke ndaj Çamërisë e mbajti z.Petrit Begati (Kasemi): “Padrejtësisht krahina shqiptare e Çamërisë u shkëput nga Kongresi i Ambasadorëve të Londrës prej tërësisë së truallit etnik shqiptarë me 11 gusht të vitit 1913 duke iu aneksuar Greqisë. Popullata e Çamërisë iu nënshtrua represionit grek gjithmonë me propagandën e greke sikur po sillnin barazinë, qytetërimin e respektimin e të drejtave njerëzore. Kjo fasadë propagandistike shoqëronte nënshtrimin e Çamërisë dhe çamëve, jo vetëm që ka mashtruar dhe vazhdon ta mashtroj opinionin e gjerë por pësoi një nga fatkeqësitë më të mëdha që nga koha antike e këtij populli. Ky pushtim solli shkatërrimin e vlerave, vrasje masive duke përfshirë këtu edhe vrasjet fëmijëve. Çamëve iu mohuan të drejtat e tyre në shkollim në gjuhën shqipe të lashtë stërgjyshore që nga pellazgjishtja duke vazhduar me gjenocid ndaj tyre në vitet 1944 e 1945. Ky represion me përmasa gjenocidi u përcoll më shpërnguljet masive të çamëve, veçan atyre të religjionit mysliman. Ishte ky një plan i përgatitur e studiuar shumë vjet më parë duke kujtuar këtu dy projekte famëkeqe që ka njohur Ballkani: “Naqertania” serbe dhe “Legalites” greke për shfarosjen e shqiptarëve dhe dëbimin e tyre nga territoret autoktone. Që nga aneksimi i Çamërisë greket kanë organizuar vrasje masive të planifikuara…. Sipas Marrëveshjes së Llozanos të vitit 1943/44 mes autoriteteve greke dhe aktorët ndërkombëtarë, u dëbuan nga territoret çame mijëra familje shqiptare, pothuaj se u boshatisën Parga dhe rrethina e saj, Kosturi, Konica, Janina etj. pra një spastrim etnik i formës së veçantë. Në vitet dyzetë, pak para pushtimit të atyre viseve nga fashistët gjerman, grekët organizuan burgosjen dhe internimin e meshkujve shqiptarë në ishujt e Mesdheut që nga mosha 16 vjeçare e tutje, duke lënë vetëm gra e fëmijë të pa mbrojtur të cilët iu nënshtruan plaçkitjeve, dhunimeve, shkatërrimeve të vazhdueshme nga bandat kriminale greke. Ishin këto kampe internimi të tipit të fashistëve të Mauthausenit për shfarosje masive. Ishte realitet i shpëtimit të kësaj popullate nga burgjet e internimit dhe shfarosjes prej forcave gjermane që pushtuan këto vise. Ata u liruan dhe u vendosen në shtëpitë e tyre në Çamëri dhe duke i shpëtuar kështu shfarosjen e tërë meshkujve. Atyre iu lejua shkolla, gjuha, kultura. Tani ironia e fatit, ushtria fashiste identifikohet si çlirimtare. Kjo në sytë e çamëve u krijua si pikëpamje, se grekët ishin pushtuesit kurse gjermanët të mos shikoheshin si pushtues por si çlirimtarë, pasi këta po u njihnin të drejtat e tyre të mohuara nga pushtuesit grek në vazhdimësi. Çamët për herë të parë realizuan të drejtat e tyre kombëtare, mbajtjes së flamurit, shkollimin në gjuhën amtare. Në ngjarjet tragjike që pësuan më vonë çarqet greke duke propaganduar, se gjoja çamët bashkëpunuan me gjermanët dhe rrethanat e krijuar gjatë luftës, favorizimet e saj, realizoi aktin e fundit gjenocid ndaj popullsisë myslimane çame i filluar më 27 qershor të vitit 1944 dhe i përfunduar më masakrën e fundit të Varnanit me 13 mars 19945 kur s’kishte asnjë forcë gjermane në Çamëri…. Vetëm brenda 27 qershor 1944, ditë e martë, u ekzekutuan mbi 600 shqiptarë çamë nga EDES-i grek nën komandën e famëkeqit Napoleon Zerva…. Kjo mbetet një nga ditët më të zeza të kombit shqiptar…. Mbi 10% e popullatës çame e vrarë dhe e masakruar nga të cilët 2900 të moshuar dhe të rinj, gra të dhunuar dhe mbi 35 mijë të shpërngulur nga trojet e tyre. I vetmi faj i tyre ishte pse ishin shqiptarë dhe jo grekë… Tragjedia çame dhe vepra armiqësore greke ndaj shqiptarëve të Çamërisë ka vetëm një emër: gjenocid e spastrim etnik… Ka ardhur koha që shteti shqiptarë t’i japi fund qëndrimit të tij pasiv nda çamëve e Çamërisë”. Në emër të shqiptarëve të Çamërisë përshëndeti deputeti zoti TahirMuhedini, i cili falënderoi të pranishmit për respektin që po tregonin në përkujtim të tragjedisë së vëllezërve të tyre çam. Gjatë këtij aktiviteti u shfaqën filma dokumentarë që risjellin në kujtesë ngjarjet e hidhura që kanë kaluar shqiptarët e Çamërisë si dhe dëshmi nga të mbijetuarit e masakrave. AbdullahAbdullahu, përfaqësues i Shoqatave lexoi deklaratën ku bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të tregojë një interesim dhe kujdes edhe ndaj kësaj pjese të braktisur të Evropës dhe të kujtoj se dhe fëmijët e shqiptarëve të Çamërisë kanë të drejtën natyrale dhe historike për vatrat e tyre stërgjyshore.
Ishte një ambiente i rrallë përplot emocione, ku nuk mungonin lotët. Dhimbja në shpirt trazonte secilin, veçan kur takoj mik e mikeshë çame. Para të vinte pamja e vendlindjes e cila të pret me gjithë bukuritë e vuajtjet e saj. Vërtetë, “Çamëri, na mbeti loti në sy” dhe Arvanitasit, nipat e mbesat e Marko Boçarit edhe sot me shpresë këndojnë: Sa të jetë Shqipëria, Nuk ka mortje Çamëria.
* Hazir Mehmeti eshte korerspondent i Diellit ne Vjene
Tre Kampionët e HUMANIZMIT
Nga Marjana Bulku/ New York/
Sportet,këto tribuna të solidaritetit dhe rivalitetit njerëzor që shpalosen në arenën ku shikuesit,përloten, duartrokasin, thërrasin, ndërsa protagonistët shkarkojnë të gjitha energjitë e tyre ,forcë apo agresivitet dhe në fund shtrijnë duart edhe pse rivaliteti i ndante caste më parë,por vetëm si lojë . Përtej ringut, emocioneve të ndeshjes, ata ecin si triumfatorë të kualiteteve që ua fali natyra,por edhe vullneti i kultivimit.
Sportet janë ndoshta rasti më i përkryer nga ku politika, feja dhe njerëzimi në përgjithësi ka rastin fatlum të mësojë se Njeriu ka atributet më njerëzore në këtë realitet ku humanizmi ndeshet gjithmonë e më pak dhe fryma humane pothuajse nuk ndjehet.
Na ndodh jo pak herë që heronjtë ti kërkojmë nëpër romane, filma, studime të thelluara , histori me apo pa fantazi dhe harrojmë se në të shumtën e rasteve është realiteti ai që e ushqen fantazinë dhe jo fantazia realitetin.
Jo rastësisht takova tre heronj,(i kam dibranë) edhe pse kisha lexuar dhe degjuar për ta,shtypi, media, jeta e vështirë ndonjëherë takohen, ndaj them jo rastësisht. Por kur bisedova vetë me protagonistët kuptova se shtypi,media, realiteti ,duhet të jetë përditë e më shumë pranë këtyre shembujve të humanizmit që shkon deri në sakrificë. Janë njerëz që frymëzojnë!!!! E për më tepër në ditët kur ndodh që dëgjon lajme që nuk do doje, sheh se si njerëzit vrasin njëri- tjetrin, pastaj qajnë dhe hedhin lule hipokrizie, pastaj të bëjnë hero…
Jo ,jo …heronjtë e mij janë të gjallë (nxitoj ti quaj kështu, shpresoj të më kuptoni dhe të më jepni të drejtë).
Janë tre heronj të gjallë, të tre kampionë: Dy edhe me trup dhe fizik që udhëtojnë me ëndrrën fëmijënore për tu bërë ”Herkulë” ndërsa tjetra është e brishtë, sëmundja e ka lodhur ,por nuk e ka mposhtur, sëmundja e ka bërë ta dojë më shumë jetën ,të luftojë për të.
Ismail dhe Xhetan Keta ,dy kampionët e Kick Boxit dhe Ambra Meda, vajza që po i mbijeton sëmundjes së rëndë pas ndërhyrjes kirurgjikale të kushtueshme financiarisht që u mundësua nga dy kampionët e ringut të cilët më shumë sesa fitues të trofeut dhe parave, janë shpëtimtarë të një jete njerëzore, asaj të bukurës ,në lulëzimin që edhe mund të ndërpritej, jetës së Ambres. Mjekët, apararaturat e fundit, teknologjia e lartë, ndodh që edhe nuk funksionon pa një shpirt të madh dhe human. Ky ishte thelbi i asaj që më bën të kuptoj nga gjithë kjo histori reale me tri protagonistet KAMPIONE :dy që luftojnë në ring dhe njërës qe luftoi me vdekjen.
Janë tre kampionë që më bëjnë të kuptoj se arti, sporti, jeta merr më shumë kuptim kur dhuron .Dhe ti dhurosh jetës jetë është sa njerëzore aq edhe hyjnore. Unë e adhuroj sportin, ndoshta tani që njoha më nga afër historinë e tri kampionëve, ndoshta fjalët e Ismail Ketës qartësojnë më së miri thelbin që mbart antagonizmi në sport ” gjatë lojës shkarkohet nervozizmi, violenca,egërsia, xhelozia, inati ,nervi ,,,, që përtej saj të ndjehemi dhe të jetojmë si NJEREZ”!
Unë i njoha dy kampionët dhe sportin e tyre kur ata i thanë PO jetës, kur ata dhe Ambra luftuan vdekjen , kur dibra dhe dibranët ndjehen bashkë edhe në botën globale, kur shqiptarët edhe në Gjermani ,a gjetkë dëshmojnë solidaritet, dashuri dhe përkujdesje për jetën që e lind Njeriun e ky i fundit ka për detyrë ta mbrojë.
New York,Qershor 2014
KLASA POLITIKE PËRGJEGJËSE PËR VRASJEN E ARTAN SANTOS NGA MAFIA
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Kur u mor vesh vrasja mafioze e Artan Santos – ishte fillimisht heshtja që e mbuloi këtë akt terrorist – e cila të jepte mundësi të kuptoje menjëherë degradimin e klasës politike shqiptare.
Në parlamentin e Shqipërisë u vazhduan punimet sikur të mos kishte ngjarë asgjë. Vetëm Ben Blushi e prishi heshtjen. Më vonë do të fillonin të dilnin deklarimet e para zyrtare – një pjesë e mirë në Facebook.
Opinioni publik, i shokuar, pa se si killerat u lanë të lëvizin të lirë. Shteti me të gjitha kapacitetet e tij, u tregua qyqan përpara dy vrasësve të paguar të cilët u fokusuan nga kamerat tek bridhnin të zinj me skafandra, duke e lënë të vrarë njeriun më të rëndësishëm të financave shqiptare të dergjej i pajetë, i vetmuar. Mafia tregoi dhëmbët për të friksuar popullin i cili është po aq i vetmuar sa Artan Santo.
Ne kemi klasë politike prej 23 vitesh post diktaturë por nuk kemi shtet. Ne kemi klasë politike dhe në vend të shtetit kemi mafie, që do të thotë se kjo klasë politike është në krah të mafies dhe jo të popullit, ashtu si nuk ishte as në krahun e Artan Santos që e la në mëshirën e terrorit.
Artan Santo mund të ishte kryeministri që i duhej Shqipërisë, njeri i financave, njeri i sistemit dhe tregut të lirë që krijon vlera me punë të ndershme e djersë të ballit, që nuk pasurohet brenda natës, brenda mandatit të deputetit.
Artan Santon e njihnin të gjithë, të majtë e të djathtë, ish-kryeministra e kryeministra, ish-kryeparlamentarë e kryeparlamentarë, ish presidentë e presidentë, ish-deputetë e deputetë, e njihte bota e biznesit, njerëzit e artit, bota mediale.
Artan Santo ishte njeriu më i rëndësishëm i sistemit. Themelues i Bankës së parë shqiptare, pas tragjedisë të piramidave mafioze, ishte themelues i sistemit që promovoi lirinë e tregut, themelues i kapitalizmit shqiptar të pastër dmth në luftë të hapur me informalitetin dhe mafien.
Prandaj e vrau mafia Artan Santon, killerat e paguar nga kupola e Tiranës. Kështu tha Avokat Ngjela.
E gjithë klasa politike aktuale është fajtore për këtë tranzicion mafioz që e vrau Artan Santon, ashtu si vret çdo ditë biznesmenë, në një vend ku rendi mund të merret nën kontroll shumë lehtë nga shteti nëse funksionon.
Artan Santo simbolizonte kapitalizmin shqiptar në antitezë të plotë me sistemin e korruptuar, me votat e prodhuara nga shit-blerja, në antitezë të plotë me sistemin që rrezikon të dështojë nga trafiku, nga republika e hashashit, ku drejtësia mban anën e krimit, ku drejtësia trimëron kriminelët, killerat e paguar që ta eleminojnë përfundimisht sistemin.
Jozefina Topalli tha se vrasja e Artan Santos është e përmasave të vrasjes së Azem Hajdarit. Azem Hajdari njihet si simboli i rrëzimit të diktaturës, Artan Santo si simboli i sistemit kapitalist, i lirisë së tregut dhe lirisë të individit, ku shteti është shërbëtor i sovranit dhe jo i gjunjëzuari nga mafia.
Artan Santo u vra kur shteti sapo bëri demonstrimin e parë në Lazarat për t’i marrë pushtetin mafies dhe kur BE i ndizi dritën jeshile Shqipërisë.
Vrasja e Artan Santos ishte një reagim i drejtpërdrejtë i mafies e cila është e inkurajuar nga mungesa e shtetit ligjor ne Shqipëri.
Mafia që vrau Artan Santon është e inkurajuar nga lufta politike në Parlamentin e Shqipërisë, ku deputetët shajnë me fjalë të ulta njeri-tjetrin, në vend që të kryejnë detyrimin ligjor që kanë ndaj Kushtetutës të vendit për të aprovuar ligje dhe ndertuar shtetin e së drejtës.
Opozita dje mungoi në Parlamentin që heshti kur mafia vrau Artan Santon, në Parlamentin që i vazhdoi punimet sikur në zemër të Tiranës të mos kishte ngjarë asgjë, sikur të kishte qenë një ditë e zakonshme, sikur jo 100 metra larg nga selia e premierit të Shqipërisë, në dritën për diell, mafia përmes killerave të paguar bashkë me Artan Santon,të mos kishte qëlluar në zemër edhe shtetin edhe sistemin dhe demokracinë.
Është klasa politike e Shqipërisë, fajtorja e këtij tranzicioni kriminal, që po e shpërqendron vemendjen e opinionit publik gjetiu, sikur populli shqiptar të jetë një popull primitiv, kur në fakt kjo klasë politike është përgjegjësja kryesore edhe për ikjen nga kjo botë të njeriut i cili ia kushtoi jetën ndërtimit të një shoqërie të lirë, të vlerave dhe lirisë të tregut, e cila e konsideron armike pa kushte mafien që e vrau Artan Santon.
Festivali i Shkollave Shqipe në Nju Jork, manifestim i shkëlqyer i kulturës dhe gjuhës shqipe në mërgim
Nga Dalip Greca/
Festivali i Shkollave shqipe i organizuar më 15 qershor, me nismën e Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës në Nju Jork, ambasador Bekim Sejdiut me bashkëpunëtorë, i mbështetur edhe nga Konsullata e Shqipërisë në Nju Jork, ishte hapi kulmor i veprimtarive shkollore të këtij viti. E bërë për të parën herë dhe realizuar bukur, organizatorët meritojnë përgëzime, ndërsa fëmijët duartrokitje e përkrahje. Thirrjes së organizatorëve i ishin përgjigjur me pjesmarrje shkollat shqipe në Bronx, Fondi i Përbashkët Shqiptar në Patterson-NJ, Shkolla Shqipe”Alba Life” në Staten Island dhe Brooklyn, mysafire ishin shkolla Shqipe”Gjuha Jonë” në Filadelfia dhe Ansambli i valltareve të Ansamblit “Rozafat” të Qendrës Kulturore “Zoja e Shkodrës” nën drejtimin e koreografes Angjelina Nika.Festivali është prezantuar nga Klodiana Zylo Halsted dhe Ariot Myrtaj.
Të pranishëm ishin ambasadori Bekim Sejdiu me personelin e konsullatës së Kosovës(Konsujt Korab Mushkolaj dhe Ylber Kryeziu), Konsullja e Shqipërisë Irena Dai, ansambleisti i shtetit të Nju Jork-ut, Mark Gjonaj, si dhe një grup biznesmenësh dhe veprimtarësh të komunitetit shqiptar në Nju Jork dhe Teksas.
Kongresmeni demokrat Elitot Engel, i njohur si mik i shqiptarëve, u ka drejtuar një përshëndetje festivalistëve të vegjël dhe të gjithë organizatorëve e pjesmarrsve në këtë festival, duke i përgëzuar që promovojnë dhe kultivojnë traditat dhe kulturën shqiptare në Amerikë.
Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, ambasador Bekim Sejdiu, në emër të organizatorëve, u ka uruar mirëseardhjen pjesmarërsve dhe të ftuarëve, dhe ka përgëzuar shkollat shqipe për seriozitetin e përgatitjeve dhe u ka uruar sukses festivalistëve të vegjël.
Fjalën përshëndetëse e ka mbajtë konsullja e Shqipërisë Irena Dai. Mes të tjerash, Konsullja tha se:Kam kënaqësinë dhe privilegjin të adresoj përgëzimet dhe përshëndetjet më të sinqerta dhe të përzemërta për këtë festë të shpalosjes së gjuhës së bukur shqipe. Kam bindjen se shqipja jonë, një nga gjuhët më të rralla e të lashta në Europë, është sot ura më e fuqishme e bashkimit të shqiptarisë, është formësim i qenies sonë shqiptare, është thesari që e trashëguam nga paraardhësit tanë, mbi të gjitha-është sakrifica dhe lufta e rilindasve për t’i dhënë ekzistencialitet Kombit Shqiptar, të cilët me vargjet e tyre rrëqethëse, aq bukur i kënduan Shqipes tonë dhe quajtën me të drejtë “Gjuhë Perëndie”…(Lexoje te plote ne Diellin e printuar)