Nga Marjana Bulku/ New York/
Sportet,këto tribuna të solidaritetit dhe rivalitetit njerëzor që shpalosen në arenën ku shikuesit,përloten, duartrokasin, thërrasin, ndërsa protagonistët shkarkojnë të gjitha energjitë e tyre ,forcë apo agresivitet dhe në fund shtrijnë duart edhe pse rivaliteti i ndante caste më parë,por vetëm si lojë . Përtej ringut, emocioneve të ndeshjes, ata ecin si triumfatorë të kualiteteve që ua fali natyra,por edhe vullneti i kultivimit.
Sportet janë ndoshta rasti më i përkryer nga ku politika, feja dhe njerëzimi në përgjithësi ka rastin fatlum të mësojë se Njeriu ka atributet më njerëzore në këtë realitet ku humanizmi ndeshet gjithmonë e më pak dhe fryma humane pothuajse nuk ndjehet.
Na ndodh jo pak herë që heronjtë ti kërkojmë nëpër romane, filma, studime të thelluara , histori me apo pa fantazi dhe harrojmë se në të shumtën e rasteve është realiteti ai që e ushqen fantazinë dhe jo fantazia realitetin.
Jo rastësisht takova tre heronj,(i kam dibranë) edhe pse kisha lexuar dhe degjuar për ta,shtypi, media, jeta e vështirë ndonjëherë takohen, ndaj them jo rastësisht. Por kur bisedova vetë me protagonistët kuptova se shtypi,media, realiteti ,duhet të jetë përditë e më shumë pranë këtyre shembujve të humanizmit që shkon deri në sakrificë. Janë njerëz që frymëzojnë!!!! E për më tepër në ditët kur ndodh që dëgjon lajme që nuk do doje, sheh se si njerëzit vrasin njëri- tjetrin, pastaj qajnë dhe hedhin lule hipokrizie, pastaj të bëjnë hero…
Jo ,jo …heronjtë e mij janë të gjallë (nxitoj ti quaj kështu, shpresoj të më kuptoni dhe të më jepni të drejtë).
Janë tre heronj të gjallë, të tre kampionë: Dy edhe me trup dhe fizik që udhëtojnë me ëndrrën fëmijënore për tu bërë ”Herkulë” ndërsa tjetra është e brishtë, sëmundja e ka lodhur ,por nuk e ka mposhtur, sëmundja e ka bërë ta dojë më shumë jetën ,të luftojë për të.
Ismail dhe Xhetan Keta ,dy kampionët e Kick Boxit dhe Ambra Meda, vajza që po i mbijeton sëmundjes së rëndë pas ndërhyrjes kirurgjikale të kushtueshme financiarisht që u mundësua nga dy kampionët e ringut të cilët më shumë sesa fitues të trofeut dhe parave, janë shpëtimtarë të një jete njerëzore, asaj të bukurës ,në lulëzimin që edhe mund të ndërpritej, jetës së Ambres. Mjekët, apararaturat e fundit, teknologjia e lartë, ndodh që edhe nuk funksionon pa një shpirt të madh dhe human. Ky ishte thelbi i asaj që më bën të kuptoj nga gjithë kjo histori reale me tri protagonistet KAMPIONE :dy që luftojnë në ring dhe njërës qe luftoi me vdekjen.
Janë tre kampionë që më bëjnë të kuptoj se arti, sporti, jeta merr më shumë kuptim kur dhuron .Dhe ti dhurosh jetës jetë është sa njerëzore aq edhe hyjnore. Unë e adhuroj sportin, ndoshta tani që njoha më nga afër historinë e tri kampionëve, ndoshta fjalët e Ismail Ketës qartësojnë më së miri thelbin që mbart antagonizmi në sport ” gjatë lojës shkarkohet nervozizmi, violenca,egërsia, xhelozia, inati ,nervi ,,,, që përtej saj të ndjehemi dhe të jetojmë si NJEREZ”!
Unë i njoha dy kampionët dhe sportin e tyre kur ata i thanë PO jetës, kur ata dhe Ambra luftuan vdekjen , kur dibra dhe dibranët ndjehen bashkë edhe në botën globale, kur shqiptarët edhe në Gjermani ,a gjetkë dëshmojnë solidaritet, dashuri dhe përkujdesje për jetën që e lind Njeriun e ky i fundit ka për detyrë ta mbrojë.
New York,Qershor 2014