Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në prag të zgjedhjeve të 8 qershorit, Skënderi dhe unë, ndërmorëm një akt simbolik, duke aderuar në LDK në Zvicër. Ashtu si ne, vepruan edhe figura të njohura. Jo se frynte era e pushtetit, por sepse frynte era e rrezikut, e Kosova rrezikohet nga mafia.
Kemi të paktën çerek shekulli, që si intelektualë e gazetarë e kemi ndjekur fatin e kësaj lëvizje politike kombëtare, e cila lindi e inicuar nga ajka e inteligjencies shqiptare në Kosovë dhe u udhëhoq nga lideri europianist Ibrahim Rugova.
E kemi përcjellë LDK-në, në çdo kohë, në ditë të mira e të liga, në ditë të trishta e të lumtura, në ditë ngrice e akullnajash. E kemi mbështetur LDK-në kur na këcënonin me jetë, edhe kur është treguar me ne e ashpër. Asnjëherë si homo politicus apo si homo sentimentalis, por si homo per la patrias. Nga pozita thellësisht të civilizuara dhe europiane. Nga pozita ku integriteti ynë është i pastër dhe i pacënuar. Si profesionistë, si krijues dhe si shqiptarë.
Kemi qenë vazhdimisht kritikë. Qëndrimi ynë kritik është bërë shumë i mprehtë kur Fatmir Sejdiu, për hire klanore, degjeneroi demokracinë brenda partisë dhe e shpartalloi trashëgiminë e Rugovës. Dhe, për këtë, në zgjedhjet e 2007, LDK humbi dy të tretat e elektoratit. Jo për fajin tonë. Por Sejdiut kjo nuk i prishi punë. Ai fitoi postin e presidentit dhe gjënë e parë që bëri sa erdhi në pushtet me Hashim Thaçin, ndikoi tek pronari i gazetës Bota Sot që pas dhjetë vitesh sakrificash dhe mundi, që nisën në 2008, në prag të masakrës të familjes të Adem Jasharit deri 2008, në prag të pavarësisë të Kosovës, të largonte nga gazeta kryeredaktorin dhe një nga editorialistet kryesore, që ishim Skënderi dhe unë. Merrni dhe botojini editorialet tona të përditshme gjatë këtyre dhjetë viteve, për të parë se sa libra bëhen, si dëshmi e historisë dhe punës tonë të ndershme. Gjatë këtyre dhjetë viteve prej 1998-2008, Bota Sot, u kthye në një institucion të fjalës të lirë. Nuk shkonte gjithçka perfekt, sepse po kalohej në ndryshime epokash, dhe ndikimi i një krahu të politikës në Prishtinë ishte destruktiv, por pikërisht në këtë periudhë, kjo gazetë arriti një shitje të paparë, që përbën rekord në historinë 100 e sa vjeçare të shtypit shqiptar, ku vetëm më Perëndim shitja ka arritur nga 120 mijë deri 200 mijë kopje tirazhi në ditë, në Kosovë 50 mijë kopje, në Maqedoni 20 mijë kopje e kështu me radhë. Për herë të parë gazetarët paguheshin për punën që bënin dhe gazeta mbijetonte me punën e vet. Në atë kohë gazeta kishte disa redaksi në Europë, SHBA, Shkup, Tiranë, ndërsa në redaksinë e Prishtinës ishin të punësuar të paktën 200 vetë. Rrënimi i gazetës nisi me largimin tonë. Gazetaria hulumtuese mund t’i vejë shumë mirë pikat mbi “i”.
E mbështetëm Isa Mustafën në prag të zgjedhjeve të 2010, me shpresë se ardhja e tij, do ta shpëtonte këtë parti nga kapja prej klanit më të egër që formohet prej emrave, të cilat elektorati i LDK-së në Kosovë nuk i do dhe i sheh si shkaktarë të humbjeve.
E kritikuam Isa Mustafën kur hyri në zgjedhjet e 2010 pa asnjë aleancë dhe duke ia lënë varur në qafë partisë figura që me gjithçka e kthyen LDK-në në mjet për arrivizëm dhe pushtet personal.
Qëndrimet tona kanë paralajmëruar pikë për pikë atë që ngjau në LDK, e cila ka patur çmim jo vetëm për partinë, por edhe për Kosovën. Paralajmërimet tona bënë që plehnajat, ata që LDK-së ia larguan elektoratin e Kosovës, të na shpallin «armiq».
Por ne vazhduam rrugën tonë. Dhe sot i kthyem sytë nga LDK në Zvicër, për hir të shpresës dhe të ardhmes së Kosovës. Si kemi vepruar gjithë jetën tonë. E bëmë këtë, sepse LDK-ja në Zvicër vetëm i ka dhënë Kosovës pa i kërkuar çmim për këtë, pa i kërkuar tendera dhe karrige deputetësh apo ministrash, i ka dhënë Kosovës që kur Kosova dukej krejt si e pashpresë, sipas asaj thënies së njohur të John F.Kennedyt: «Mos pyet se çfarë ka bërë vendi yt për ty, por pyet se çfarë ke bërë për vendin tënd.» Sigurisht diaspora ka të drejtë përfaqësimi në institucionet e dala nga vota e lirë, por kjo është një temë tjetër.
Iu kthyem LDK-së në Zvicër me një gjest simbolik, sepse ne jemi gazetarë e krijues, me statusin tonë të pavarur, për të dhënë ndikimin tonë sa mundim për ringjalljen e saj në Zvicër, duke e parë si një domosdoshmëri riorganizuese, unifikuese, sepse LDK-ja në Zvicër ka qenë gjithmonë shembull i tolerancës dhe frymës unifikuese. Iu kthyem LDK-së në Zvicër në kohë alarmi. Sepse ka patur burime njerëzore të mrekullushme dhe ka burime të tilla, sepse ka kontribute të jashtëzakonshme dhe ka energji të jashtëzakonshme për progres. Ndërkohë i bëjmë thirrje që t’i kthehet kohës së saj më të mirë, të gjithë bashkë, por larg sharlatanëve që vetëm e çidentifikojnë dhe e depersonalizojnë lëvizjen më të madhe në historinë moderne të shqiptarëve, e cila në rradhët e saj në kohët më dramatike i përfshiu 95% të shqiptarëve, përfshi këtu edhe krahun e luftës, sepse drejtohej nga elita e inteligjencies.
Prandaj LDK-ja është LDK, sepse është lëvizje që në gjenezë e intelektualëve, pasi shtetin e formësojnë intelektualët, të cilët e kanë fituar lirinë e mendimit të parët, dhe i kanë thyer vargojtë e robërisë të parët.
Duke i hedhur një vështrim retrospektiv rrugës që kemi lënë pas, rrugëtimit tonë gati çerek shekullor prej hapjes pas rrëzimit të Murit të Berlinit e diktaturës, në këtë rrugëtim, ne iu kemi ndejtur larg formacionioneve partiake, të cilat rezultojnë sot se e kanë shkatërruar LDK-në, sepse aty janë bërë vetëm pazare. Marrëdhëniet tona bashkëpunuese dhe komunikuese janë mjaftuar me Ibrahim Rugovën.
Ndërkohë, ca zagarë gjoja militantë, sepse s’kanë tjetër asnjë atribut, veç injorancës, qarkullojnë thashethemnaja se ne paskëshim patur lidhje me Bujar Bukoshin. Këta zagarë analfabetë nuk kanë asnjë provë dhe lehin, sepse dikush në LDK, pikërisht ata që e shkatërruan LDK-në dhe e çuan në dizastër, i kanë urryer Buçpapajt. Pikërisht klani më famëkeq i LDK-së. Prej të cilit është imperative që LDK të largohet. Dhe kemi besim se do ta bëjë këtë në zgjedhjet e 8 qershorit.
Sa për sqarim publik, me Bujar Bukoshin jemi takuar vetëm një herë a dy herë, kur Skënderi ishte drejtor i RTSH, në lidhje me projektin e televizionit satelitor, të cilin e projektoi Ibrahim Rugova, ndërsa qeveria e Kosovë në mërgim e mbështeti financiarisht. Unë e kam intervistuar Bujar Buloshin kur ishte kryeministër në egzil, si korrepondente e Zërit të Amerikës, ashtu si kam bërë me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, sidomos me Ibrahim Rugovën, me të cilin kam të paktën tri intervista të botuara në shtypin e Tiranës dhe SHBA, ndërsa Skënderi i ka marrë intervistën e parë që Rugova ka dhënë në Shqipëri.
Kur e mora në intervistë Bukoshin, nuk kisha diktofon dhe intervistën e bëra me shkrim. Në këtë gjendje ishin edhe gazetarët e RTSH në fillimet e demokracisë, ishte viti 1992. Prandaj qeveria e Kosovës u dhuroi disa mjete pune gazetarëve. Midis tyre edhe mua një diktofon të vogël gazetarësh. Kaq është e gjitha. Dhe nëse dikush do të guxojë të hedhë ndonjë fishekzjarre tjetër artizanal,primitiv, ta dijë se me atë fishekzjarre do të djegë veten, sepse shpifjet qarkullojnë në periudha inkuzicioni, mesjete, tribalizmi, në diktaturë, por jo në një shoqëri të mileniumit të tretë. Dhe aq më pak në Zvicër.
Por fakti i vetëm që e kemi mbështetur Rugovën, kur këtij nuk i jepeshin mjete për të lëvizur në Europë dhe SHBA, kur Rugovën e kapnin si peng lufte dhe kur ne e merrnim në mbrojtje ndërsa të gjithë e sulmomin, është dëshmia më eksplicite për integritetin tonë intelektual dhe profesional. Aq më tepër kur Rugova dhe Bukoshi ndaheshin me një vijë demarkacioni midis. Njëri kishte ideale dhe mbështetjen popullore, ndërsa tjetri kishte mjete financimi.
Për 25 vjet mbështetje, nga LDK nuk kemi marrë kurrë asnjë cent. Bile nuk kemi marrë asnjë mirënjohje. Prandaj e kemi patur gojën e hapur dhe mendjen e kthjellët që, si përfaqësues të pushtetit të katërt, të kritikojmë kush e meriton.
Por megjithatë, ne jemi gazetarë që kemi jetuar me punën dhe djersën e ballit. Nuk kemi akumuluar pasuri, nuk jemi shitur në këmbim të pasurive, nuk iu kemi shërbyer politikanëve, asnjërit në emër të interesave personale. Ne jemi të pasur me idé, pasuria jonë është profesionalizmi dhe integriteti, të domosdoshme këto që gazetarët ta jetojnë jetën me punën që bëjnë. Ndërsa në shoqërinë shqiptare, gazetaria, shtypi dhe mediat sot janë total nën kontroll dhe peng i politikës dhe oligarkëve. Prandaj i bëjmë thirrje LDK-së në Zvicër, se ka ardhur koha të mendojë për organizimin e komunitetit të shqiptarëve këtu, si subjekti që mbështet frymën e tolerancës dhe ushqehet nga fryma rugoviste, i cili iu afrua LDK-së që në ngjizje pavarësisht se kjo ishte në kontradiktë me personalitetin e intelektualit, por për hir të një ideali të madh siç është ideali i lirisë. Dhe për ta mbajtur gjallë këtë ideal dhe për ta kthyer në një realitet të prekshëm, që është shteti i së drejtës, duhet fjala të lirë dhe gazetarë të lirë e me integritet që të guxojnë e ta shprehin të vërtetën.
REVOLUCIONI ME VOTË – KOHA E KOSOVËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Zgjedhjet e sivjetme parlamentare të Republikës së Kosovës bien përafërsisht një vit pas atyre që u mbajtën në Republikën e Shqipërisë. Thuajse e pamundur, pra, të mos e vëresh konotacionin midis këtyre dy datave – 23 qershorit 2013 dhe 8 qershorit 2014, midis këtyre dy zhvillimeve të rëndësishme shqiptare e më gjerë.
Një nga karakterizimet më të qëndrueshme ndaj zgjedhjeve parlamentare të vjetme, nisur – në radhë të parë – nga rezultati, ishte se ato ishin një revolucion me votë. Më metaforik ishte karakterizimi – sinonimik gjithsesi, ngaqë u shpreh me votë – se ai ishte një revolucion i heshtur.
Revolucioni i heshtur, revolucioni me votë ishte zhvillimi më i mirëpritshëm, më i duhur, më i përshtatshëm për realitetin në Republikën e Shqipërisë. Ishte, ndërkaq, zgjidhja më e mençur, më e saktë dhe më komode e gjetur nga uni kolektiv i zgjedhësit. Ishte edhe akti më i përgjegjshëm, më qytetar, më shembullor e njëherësh më detyrues ndaj të zgjedhurve që do të dilnin nga vota popullore, si ndaj atyre që do të vinin në pushtet, si ndaj atyre që do të linin pushtetin.
I pandërlikuar, i qashtër në vetvete, i tejpashëm në shpalosjen e tij, revolucioni me votë i 23 qershorit 2013 është kollaj – tejet kollaj – i interpretueshëm dhe vështirë – tejet vështirë – i ngatërrueshëm në interpretimin e mesazhit të tij, pra të porosisë së tij – njëkohësisht për qeverisjen e re dhe për opozitën e re.
Ky revolucion u mundësua vetëm e thjesht falë pjesëmarrjes masive të votuesit, çka ishte e papritura e madhe brenda së papriturës tjetër – asaj të fitores së thellë të koalicionit PS-LSI dhe humbjes së thellë të PD-së. Në një çast të parë, madje edhe në një kohë të pacaktuar më vonë, është i saktë interpretimi që humbja e PD-së ishte e merituar, ishte më se e merituar.
Nisemi prej këtu, tek pjesëmarrja sa më masive – që do të ishte përmasa e domosdoshme e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 në Republikën e Kosovës. E pikërisht këtu do vënë gjithnjë e më tepër theksi nga të gjithë faktorët e interesuar për një shndërrim të madh, për një transformim të madh në politikën e Prishtinës dhe në jetën e Kosovës pas kësaj date. Pjesëmarrja e lartë, mundësisht sa më e lartë, aktivizimi sot sa më i madh do t’i kursente elektoratit të Kosovës dhe të gjithë vendit energji kolosale të cilat nesër do të shpenzohen për një hop të ri të gjithanshëm dhe nuk do të shpenzohen kundër një vazhdimi të padrejtë të qeverisjes së deritashme.
Populli i Kosovës vetëdijshëm nuk pajtohet se nuk ka si të pajtohet me qeverisjen të cilën e ka pasur këto vite. Nuk pajtohet me një lidership i cili, nga pozita superiore, është i kompleksuar ndaj popullit të tij, nuk pajtohet me një lidership i cili, nga pozita inferiore, është i kompleksuar ndaj bashkësisë ndërkombëtare, nuk pajtohet me një lidership të kompleksuar, nga pozita inferiore, ndaj fqinjve, sidomos ndaj Serbisë. Kompleksi që e pengon lidershipin që po e qeveris Kosovën këto vite është lehtësisht i lexueshëm – ky lidership është i korruptuar në çdo qelizë, këtij lidershipi i lexohet korrupsioni, keqbërja, keqqeverisja në çdo sjellje, në çdo paraqitje, në çdo veprim.
Largimi i kësaj qeverisjeje nga pushteti në mënyrë vendimtare është plotësisht i mundshëm pikërisht nëpërmjet votës masive të elektoratit të Kosovës, nëpërmjet rizgjimit të asaj pjese të elektoratit që ka rënë në letargji këto vite. E përsëris, prandaj, faktorëve të interesuar për shndërrime të mëdha, për shndërrime rrënjësore në politikën dhe jetën e Kosovës, iu takon sot të bëjnë maksimalen e tyre për të nxitur, frymëzuar e trimëruar një pjesëmarrje sa më masive të Kosovës në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.
Një argument i përdorur nga abstenuesit dhe i sponsorizuar tërthor nga pushtetarët e sotëm është se hedhja e votës në kuti është e kotë, pasi atë e vjedhin, e blejnë, e transformojnë ata që e kanë bërë këtë gjë përgjatë këtyre viteve. Këtë teori fataliste e përdorën, pas 23 qershorit në Tiranë, humbësit e këtyre zgjedhjeve. Pjesëmarrja e lartë, sa më e lartë të jetë – aq më shumë i tut, i step, i ndal në veprën e tyre hajnat e qeverisjes së deritashme, hajnat e deritashëm të votës.
Me slloganin “Pushtetarë hajna, larg duart nga kutitë e votimit”, me vendosmërinë për fitore sa më të thellë kundër qeveritarëve aktualë, Kosova, vetëm me një pjesëmarrje sa më bindëse do të sjellë një humbje bindëse për humbësit dhe një fitore bindëse për fituesit. Ashtu, vetëm ashtu Kosova do të jetë fituesja e vërtetë e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014. Askush nuk do të guxonte ta cënonte vendimin e shprehur nga populli i Kosovës nëpërmjet votës së tij sa më masive.
E mira dhe e keqja vijnë nga ti dhe unë
Shkruan: Uk Lushi/
Një popull nuk është më (i) mirë apo më (i) keq se sa pjesëtarët e tij. Lidhja përmes gjakut, lindjes apo dheut e një grupi njerëzor nuk është më e rëndësishme se sa uniteti i qëllimit rreth idealeve të lirisë, drejtësisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e atij grupi. Qytetar në plotëkuptimin e fjalës është individi që balancon të drejtat dhe përgjegjësitë e tij apo saj kundrejt vetvetes, familjes, fqinjëve, shtetit dhe kombit. Një bashkësi njerëzish përfundimisht nuk mund të arrijë këto qëllime parësore dhe fisnike në dy situata. E para, nëse ajo bie nën sundimin e një apo më shumë bashkësive tjera, dhe e dyta, nëse një pakicë individësh (apo një grupacion nga brenda bashkësisë) shfrytëzon vetëm të drejtat, por jo edhe obligimet qytetare, dhe kështu prish baraspeshën e përgjithshme në favor të vetin. Si situata e parë si e dyta ndodhin si pasojë e mossyçeltësisë dhe mospërmbushjes së përgjegjësive të shumicës dërmuese të individëve të një shoqërie.
Në rastin e popullit tonë, deri më tani, ne kemi përjetuar kryesisht situatën e parë gjegjësisht dominimin nga të tjerët. Mund të thuhet pa drojë që, në masë të madhe, historia jonë ka qenë ashtu siç është, ngase shumica e individëve parardhës tonët nuk kanë bërë krejt çfarë është dashur apo kanë mundur të bëjnë si qytetarë. Fatmirësisht, në dekadat e fundit, falë zgjimit dhe veprimeve të duhura të shumë individëve, ne kemi pasur disa suksese thelbësore dhe më nuk gjendemi nën zgjedhën direkte të të tjerëve. Por, qytetaria nuk arrihet dhe as nuk ruhet pa sakrifica, mundime dhe angazhim të secilit pjesëtar të një populli. Në fakt, në qoftë se në të kaluarën, pengesa e ilimunimit të individit ka qenë zaptimi i shqiptarëve nga grupe tjera, sot rreziku më i madh i përparimit tonë dhe krijimit të një individi si duhet, duket të jenë individë dhe grupacione plangprishëse nga njerëz të llojit tonë.
Nëpër shqiptari vërehet një hazdisje dhe shalakalamendje e çuditshme ndaj përgjegjësisë dhe nevojës së individit të jetë (pro)aktiv. Individi shqiptar pranon nënrenditjen— dhe bile nënshtrimin— ndaj individëve karagjoz, kastave dhe klaneve. Individi ynë ndihet i pafuqishëm; është i painteresuar dhe dorëzues; vajton si kukuvajkë; nuk do të përdor logjikën, reflektimin e arsyeshëm bazuar në soditje dhe analizë studioze; nuk ndërmerr asgjë të informohet përtej çfarë i servohet nga makineria, që, ngadalë, po e shndërron në vidhë të një sistemi të pamëshirshëm dhe jonjerëzor; nuk provon të mendojë me skepticizëm për çfarë e kujton si të vërtetë të ngurtë apo çfarë i thonë të tjerët; dhe, më e keqja, individi shqiptar, shpesh, nuk do të mësojë dhe kuptojë si fuksionon bota moderne dhe si ajo është e mpleksur në një rrjet gjigant të balancave të brishta të interesave të shteteve dhe kombeve.
Njeriu e has këtë zallamahi dhe shkujdesi kudo: në deklarata të udhëheqësve më të lartë shtetëror; në kolumnet e opinionistëve me emër; në TV-të e mbushura me fjalamani dhe spektakël; në shkollat dhe fakultetet ku cak nuk janë dija dhe studimi kritik, por shitja e diplomave. Sot, ndër ne, ka individë që janë të korruptuar deri në fyt të cilët guxojnë të pretendojnë se janë ata ose ato që do të luftojnë korrupsionin; ka individë që i zë në rrenë të inçizuar në kamerë apo diktafon dhe, në vend se të kërkojnë falje apo ulin kokën nën shpatën e dënimit juridik, të këpusin një rrenë tjetër para syve; ka individë që kanë kryer dhe ende vazhdojnë të kryejnë krime që, pa ju bërë syri tërr, quajnë kriminelë ata ose ato që i sfidojnë me fakte dhe llogaridhënie; dhe, më e llahtrashmja akoma, ka ish-bashkëpunëtorë të diktaturave dhe pushtuesve tonë, pra tradhëtarë, që të shiten si patriotë para të cilëve Adem Jashari del një xhuxhmaxhuxh.
Mirëpo cili është shkaku i kësaj rrëmuje? Kush është fajtor për këtë katrahurë? Si u katandisëm kështu? Pse piramida e vlerave është kthyer me maje teposhtë? Arsyet gjithsesi janë të shumta, por një arsye e madhe je ti—individi shqiptar. Ti— që ngurron të fillosh revolucionin e ndryshimit të popullit tonë nga vetvetja. Ti pra… dhe unë. Secili nga ne veç e veç, e personalisht.
Sëkëndejmi, hapi më i rëndësishëm është ndërrimi i perspektivës dhe pranimi i realitetit. Shqiptari individual, përpara ankimit dhe lebetitjes për të tjerët, duhet të pyes vetën: po unë ç’kam bërë, ç’po bëj dhe ç’do të bëj për popullin tim? Kur secili nga ne të jetë përgjigjur sinqerisht në këtë pyetje, pastaj mund të shohim te tjetri dhe te të tjerët. Është lehtë të llomotitet, por vështirë të kontribuohet. Vetëbesimi i popullit shqiptar mund të kthehet vetëm kur individi fillon e beson në vetvete; kur e respekton autoritetin, por nuk e lejon atë t’ ia nëpërkëmbë dinjitetin personal; kur e dëgjon joshqiptarin dhe nuk i përulet thuase ai apo ajo janë mbinjerëzor, por e konsideron të huajin të barabartë si çdo qenie tjetër njerëzore; kur në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Ulqin apo Preshevë, shqiptari nuk pranon të korruptohet sado i madh përfitimi apo sado i vogël tundimi; kur fillon të informohet mbi çdo çështje që e ndikon mirëqenien e tij apo saj dhe njerëzve përreth; kur merr pjesë në procesin demokratik energjikisht dhe nuk ja jep votën atyre që shkelin besimin e zgjedhësve; kur e respekton dhe zbaton ligjin me përpikëri; kur i sheh të drejtat, besimin dhe opinionet e shqiptarëve të tjerë me të njëjtin sy si të vetat; kur paguan taksat me rregull ndërsa kërkon përgjegjësi për secilën qindarkë publike si është shpenzuar; dhe kur tregon gatishmëri të mbrojë atdheun edhe me jetë, nëse paraqitet nevoja.
Individualiteti është qëllimi i lirisë dhe pa individë të pavarur, pastër dhe punëtorë nuk mund të ketë as institucione dhe as popull që realizojnë tërë potencialin dhe aftësinë për të krijuar një civilizim me vlera. E keqja dhe e mira vijnë nga ti… dhe unë. Për të ndryshuar botën gjithmonë duhet filluar nga vetja— një maksimë sa e vjetër, po aq edhe universale, të cilën, më në fund, duhet të fillojmë ta zbatojmë në praktikë edhe ne shqiptarët.
ulushi@msn.com
FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS VATRA I KËRKON QEVERISË TË ZGJIDHË KËRKESAT E GREVISTËVE TË URISË
DEKLARATË/
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA po e ndjek me vëmendje grevën e urisë që po zhvillojnë 17 përfaqësuesit e 7000 mijë të pushuarëve nga puna në Tiranë.
Nisur nga informacionet që jep media, Vatra, duke iu shmangur politizimit të grevës, i kërkon Qeverisë Shqiptare, që të dialogojë me grevistët dhe të zgjidhë problemet dhe shqetësimet që i kanë detyruar ata të hyjnë në sakrifica sublime duke rrezikuar shëndetin. Humanizmi dhe drejtësia, duhet të jenë motivet e dialogimit dhe të gjenden zgjidhjet.
Greva na sjell kujtimin e grevës tragike të vitit 2012. Shqiptarët në këto kohëra nuk duhet të kenë arsye të shkojnë drejt vdekjes në grevë urie për të mbrojtur të drejtat e tyre!
Duke pasur parasyshë se një pjesë prej të pushuarëve nga puna janë arsimuar në Perëndim, Vatra mendon se shkarkimet masive nga puna, ndikojnë negativisht tek masa e rinisë që po arsimohen në Amerikë apo në Europë dhe synojnë këthimin në Atdhe për t’i shërbyer vendit. Pushime të tilla e trembin dhe e frenojnë rininë të këthehet të Atdhe.
Vatra gjykon se duhen rishikuar kriteret militante të shkarkimeve dhe të bëhet zëvendësimi i tyre, jo me të besuar politikë, por të marrin përparësi kriteret profesionale.
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra sygjeron që qeveria të hyjë sa ma parë në bisedime me grevesitët për një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë; humanizmi dhe drejtësia duhet të jenë motivet e dialogimi për një zgjidhje të pranueshme. Padrejtesitë, nxitjet grindëse dhe korrupsioni nuk e çojne Shqipërinë në Europë.
Festë në Shtëpinë e Vatrës
Rrustem Gecaj, biznesmeni që ndihmon këdo kreu edhe rinovimin e Shtëpisë së Vatrës, duke e bërë atë me një pamje të re.
Nga Beqir SINA/
BRONX NEW YORK : Duke përuruar Sallën qendrore të Shtëpisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të shtunën në mesditë, në Bronx – Nju Jork, u nderua me këtë rast me një pllakë bronzi, ku është gëdhendur motivacioni: “The Renovationof these Premises Donated by Mr. Rustem Gecaj – April 2014” – veprimtari i dalluar i komunitetit Rrustem Gecaj. Në këtë veprimtari morën pjesë, udhëheqësit e Vatrës dhe dhjetra aktivistë e veprimtarë të komunitetit, si dhe shumë personalitete të shquara.
Me këtë rast shoqata Vatra shtroi edhe një koktejl I pasur me pije dhe ushqime tradicionale.
Kryetari i Vatrës, Dr Gjon Buçaj, duke ju uruar mirëseardhjen, të pranishëmeve, për t’u bërë së bashku për të nderuar me nji shenjë – mirënjohjeje, zotin Rrustem Gecaj, për punën dhe kontributin e tij personal, që ka bër në shtëpin e VATRËS, e faleminderojë, atë, duke e vlersuar lart ndihmën e tij dhe të gjithë vatranëve të tjerë.
“Nuk ka shumë kohë, kur Rrustemi , tha kreu i Vatranëve, Dr Buçaj, erdhi këtu dhe na nderoi, duke na dorëzuar, çelsat e rinjë të zyrës dhe të sallës, të cilën ai e rinovoi me punëtorët e tij, dhe e bëri, këtë sallë të madhe, kaq funksionale dhe kaq të bukur – Pikërishtë, kështu si po i shofim sot, me shumë gëzim dhe me krenari, për gjestin e tij bujar. Prej, tani, ne Vatranët, shtoi kryetari, ne do të presim vizitorë dhe të gjithë miqt e Vatrës, që të vijnë me shumë dëshirë, me pa “Shtëpin e Re” të kësaj organizate, famëmadhe kombëtare, e cila ka brenda saj edhe arkivin historik dhe koleksionin e gazetës “DIELLI”, gazetës, më të vjetër shqiptare, që është ende në duart e lexuesve shqiptarë”. Më pasë Dr. Buçaj, i dhurojë zotit Rrustem Gecaj, në emër të Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, një korrnizë Mirënjohje, ndërsa në murin e sallës së madhe, zbuloi një pllakë bronzi, me emrin e kontribuesit Rrustem Gecaj, e cila është e vendosur në faqen e murit hyrës, dhe që simbolizon vlerësimin dhe mirënjohjen e Vatrës, për punën e bukur dhe bujare, të tij.
Për këtë gjest të Gecajt, foli edhe nën/kryetari i Vatrës, zoti Agim Rexhaj, i cili e faleminderojë, përzemërsisht, zotin Gecaj – për këtë kontribut, të cilin ai e quajti edhe një medalje, tjetër në gjoksin e Rrustem Gecajt, si kontribues i madh i çështjes kombëtare.
“Ai ka treguar, tha Rexhaj, se sa më shumë të kontribojmë për këtë komunitet, aq më të fortë bëhemi ne të gjithë. Dhe, natyrisht, kur flasim për kontributin,e Gecaj i cili është natyrisht i madh dhe i vlersuar, gjejmë rast, dhe më shumë vend për të faleminderuar, dhe, shprehur mirënjohjen tonë të thellë edhe për kontributin e tyre, të madh, në Vatër, prej të ndjerit Antoni Athanas, ish kryetarit zotit Agim Karagjozi( të cilit, i urojmë shëndet të plotë), Vatrani që gjeti shtëpin e Vatrës, mëpastaj; vatranët e vjetër, kontribues si zotin Sejdi Husenaj, dy vëllezërit Bytyçi, zotin Ibrahim Kolari, z. Jonuz Ndreu, Marijan Cubi, Ahmet Hoti, Zef Bala, dhe z. Hajdar Tonuzi,”
Kurse, zonja, Nazo Veliu, Sekretare e Vatrës, duke faliminderuar zotin Rrustem Gecaj, tha se :”Dashuria dhe mënçuria e shqiptarëve në diasporë, ka bërë që Vatra, të jetë shoqata më jetëgjatë dhe kjo falë asaj shqiptarizmës, të, të gjithë atyre shqiptarëve, në breza që dhanë dhe kontribuan që Vatra të rrojë deri në ditët tona, duke përcjell “zjarrin e saj” tek gjithë shqiptarët e Amerikës, por edhe për tej oqeanit, në Shqipëri, Kosovë, Çamëri dhe të gjitha trojet shqiptare, “.
Të gjitha falenderimet dhe mirënjohjet erdhën nga Vatranët!
Edhe, nënkryetari i Vatrës, zoti Asllan Bushati, u shprehu në emër të Vatrës, me një mirënjohje dhe respekt të veçantë për Rrustem Gecaj, dhe veprimtarin Harry Bajraktari. Ai duke u përqëndruar në fjalën e tij – tek ato kontributet e tyre madhore për çështjen shqiptare, duke iu bashkëngjitur edhe shumë veprimtarëve të tjerë të komunitetit tha se :” Gecaj, ka qenë modeli i kontributit të tij, edhe në Kosovë, ku mund të veçojë krahas asaj në fushën e biznesit, Kantinën e Verës, por edhe një shtëpi të ndërtuar prej tij, e cila është një Kullë- model, ku janë të gërshetuara , tradita e vjetër shqiptare, e atyre anëve me të renë, dashuria dhe krenaria për familjen dhe historinë, e kësaj familje”.
Veprimtari i njohur i komunitetit, dhe një nga kontribuesit e Vatrës, Harry Bajraktari, duke folur në këtë veprimtari, e quajti këtë kohë si më të artën për shqiptarët, dhe këtë ai ia faturojë, gjithë popullit shqiptarë, duke veçuar me këtë rast rolin dhe kontributin e shqiptarëve të Amerikës, prej nga klubet dhe kolonit e para dhe deri në ditën e sotme.
“Ne jemi me fatë të përjetojmë këto ndryshime të mëdha, dhe arritje që kurr nuk i kishim parë, më parë tha zoti Bajraktari, duke vënë në pah edhe rolin dhe kontributin e shqiptarëve të Amerikës, gjatë gjithë këtyre viteve, për të drejtat e shqiptarëve nën ish Jugosllavi, demokratizimin e Shqipërisë, rënjen e komunizmit, Shqipërinë në NATO, lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, më shumë të drejta për shqiptarët në trojet e tyre, në Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës”.
Ndërsa, duke folur për kontributin e mikut të tij Rrustem Gecaj, dhe bashkëatdhetarëve të tjerë, Bajraktari, e quajti atë si një “borxh”, që duhet kthyer kësaj shoqate, të bekuar, shoqatës së parë dhe më të vjetër të shqiptarëve të Amerikës, Vatrës, nga çdo shqiptarë, për atë që ka bërë Federata Vatra, e cila ka shkruar një histori, që nuk e ka asnjë organizat, apo shoqat tjetër, jo vetëm në botën shqiptare, por nga të gjitha komunitetet e botës, dhe që do t’ja kishin zili e gjithë bota.
Për, Bajraktarin ” Federata PanShqiptare VATRA, është një pasuri e madhe kombëtare në diasporë, e cila duhet të ketë edhe mbështetjen e të dy shteteve, tona, sugjeroi ai – Kosovës dhe Shqipërisë, dhe të gjithë ne shqiptarëve, sidomos këtu në SHBA, për të gjetur rrugët sesi t’a forcojmë dhe t’a ngremë, edhe më lart Vatrën, dhe se si t’a ruajmë atë dhe zgjerojmë për brezat e ardhshëm – Ai shtoi se këtë pasuri kaq të vlëfëshme kombëtare, për të gjithë ne shqiptarët, kudo që jemi – ka ardhur koha që çdo shqiptar duhet t’a ndihej veten sadopak Vatranë, duke kontribuar sadopak”
Anëtari i vjetër vatranë, Zef Përndocaj, duke faleminderuar Gecajn, vuri në dukje se të gjitha faleminderimet dhe mirënjohjet, shkojnë në fillim këtë ditë edhe për Presidentin e Nderit të Vatrës, zotin Agim Karagjozi, zotin Jonuz Ndreu, Hajdar Tonuzi, dhe të gjithë atyre vatranëve që për arsye moshe apo shëndetësore, mungojnë sot, pran nesh, por kan qenë gjithmon me ne dhe me Vatrën.
Në fjalën e tij ish ambasadori i Shqipërisë në OKB, avokati Adrian Neritani, nënvizojë faktin që ende ka njerëz të cilët e mbajnë dhe e ruajn Vatrën, janë dhe do të jenë me Vatrën. “Fakti, që njëqindë vjet kan kaluar dhe Vatra mbijeton , pavarësisht, moshës së saj, vështërsive dhe kohës dhe rrethanave, që ka kaluar, Vatra me ndryshimet e mëdha, tash mendohet në 100 vjet e ardhëshme – ku ajo ka edhe një sfidë jo të lehtë për të përballuar- Mbasi, edhe mundësit e mëdha vijnë edhe me përgjegjësit e mëdha – për të përballuar realitetin e ri shqiptarë, dhe kjo na përket ne të gjithëve si Vatran dhe si komunitet shqiptarë”.
Kjo, sugjeroi avokati Neritani, duhet parë në aspektin sesi duhet ta përjetojnë rolin e Vatrës në Amerikë, nga shqiptarët, në përshtatje me zhvillimet rajonale, bëhet fjalë. “Ku, për mendimin tim, u shpreh ai ajo është një proces i cili ka filluar dhe duhet çuar më përpara – por varet se si do të organizohemi ne, shqiptarët në këtë fazë, që na takon ne të gjithëve”.
Me këtë rast, foli dhe zoti Elmi Berisha, kryetar i degës së Vatrës së Qarkut Hudson Valley, i cili u shpreh se “Vatra, u përket të gjithë shqiptarëve, dhe do të shtrijë aktivitetin e saj – sipas mundësisve në të gjithë diasporën, duke iu përmbajtur gjithmon principeve të saj prej se kur u krijua ajo, duke marrë me vete ndihmën dhe kontributin e të gjithë ne shqiptarëve”.
Ndërkohë, në cilësinë e kryetarit të degës së Qarkut Hudson Valley, zoti Elmi Berisha, në fillim të fjalës së tij, falemnderojë, Rrustem Gecajn dhe të gjithë vatranët si dhe dashimrët të Vatrës, që të bëjnë edhe më shumë punë për vendin tonë, dhe për veten tonë, duke mendur dhe pak me ndryshe:” Të mendojmë dhe të përkushtohemi me të gjitha energjitë tona – se si t’i integrojmë fëmijët tanë dhe familjet tona në ato që ne kemi bërë me vite ose çfarë bënë burrat e mëdhënjë të kombit tonë, sidomos, këtu në mërgim vite të shkuara, për kombin tonë”
Më pasë zoti Elmi Berisha, informojë pjesmarrësit edhe për takimet e suksesshëme në Kosovë mes biznesmenve dhe afaristëve shqiptarë të diasporës – “Rrjetizimin e bizneseve të diasporës”, të cilët si tha ai janë si bërthamë e rrjetëzimit të bizneseve shqiptare në, Europë, Australi, dhe Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, dhe kan marrë një shtrirje të madhe.
Në fund përshëndetën këtë veprimtari dhe falenderuan zotin Rrustem Gecaj, dhe të gjithë vatranët për kontributin e tyre në vite,: editori i Diellit, Dalip Greca, Mithat Gashi, vatranët e tjerë, Mehmet Kadrija , avokati Ylber Dauti, Musli Mulosmani, Ahmet Hoti,Ndrec Gjergji, Marijan Cubi, Simon Qafa, Bashkim Musabelliu, gazetarët Halil Mula, dhe Adem Belliu dhe të tjerë.