Nga Fadil LUSHI/Disa ditë më parë vizitova pjesën oksidentale të Stambollit për të takuar Motrën e madhe, atë heroinën fatkeqe të gjeneratës së saj. Më rastisi të takoj edhe ca shqiptarë më të moshuar se unë të cilët shumë kohë më parë, ashtu pavullnetshëm, kishin braktisur vatanin për t’u degdisur në një cep të Dardaneleve…, për një jetë, ndoshta, më të mirë. Tek ata vërejta se u mungonte kujtesa pamore; ajo dëgjimore – po, mbase edhe ajo mekanike a logjike, hiq mënjanë atë kujtesën emocionale, prej së cilës nuk kishte mbetur dot gjë. Më gostitën në një ndejë “haramash”. Atë që “para kohe bëhej tapë gjegjësisht atë që çorientohej në kohë dhe hapësirë” si dhe ata që e “fëlliqnin fjalorin” i largonin dhe i dërgonin në shtëpi. Matanë ndejës ku më “sistemuan” përkohësisht kishte një tjetër “mexhlis (veror) besimtarësh” që kishin për “obligim” të bënin duatë për shiun e munguar. Këta të fundit i konceptonin si “gjynahqarë”, sepse kishin shkelur mbi parimet e librit të shenjtë, gjegjësisht mbi disa kapituj të Kuranit famëlartë. Moralin e “mexhliseve” në fjalë e kishin ndërtuar “kryepleqtë” e tyre. Përkundër dyshimit tim, më duhej të vij në një përfundim pragmatik: të dy “mexhliset ishin hileqare dhe mbase gjynahqare” pavarësisht se frekuentuesit e këtij të dytit ishin “namusqarë” dhe besimtarë të devotshëm!
Axha Abdullah (një ish-kundërshtar i papajtueshëm dhe i përbetuar i njëmendjesisë dhe një njeri goxha i moshuar), duke e vërejtur “dalldisjen” time të skajshme, m’u drejtua me dy pyetje. E para: “Ti arnavut, a mos vallë e fillove shkrimin e radhës”!? Po, ia ktheva. Por, ama, do ta përfundoj në Tetovë, respektivisht atje ku asnjëherë nuk përfundojnë thashethemet mes vëllezër shqiptarë. Fatkeqësisht, ca mendime a ca “fiqire” më ikën dhe më “mbetën” në varrezat e Erenkoy (aty ku prehen eshtrat e Shemsettin beut, ideologut kryesor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare) dhe në qytezën e Ibrik Tepes (aty ku lindi Fani, ai eruditi mendjefemër). Pyetja e dytë e tij ishte: “Në çfarë organizimi politik jetojnë shqiptarët e Republikës së Maqedonisë”!? Përgjigja ime ishte: “në DEMAGOGJI”!? Mendimet që më “mbetën” te lapidari i Samiut dhe te vendlindja e Nolit, por që i duhen këtij shkrimi, do t’i zëvendësoj me një paragraf të huazuar nga shtypi ditor i Tiranës, që llafos një retorikë shumë të rrallë dhe “tejet të çuditshëm dhe mosbesues” të kryeministrit të Shqipërisë në detyrë, ku, përveç të tjerash, thuhet: “Kryeministri Rama tha në fjalën e tij se pavarësisht konflikteve politike, kur vjen puna për çështjen e Kosovës, shqiptarët janë bashkë. Ai shprehu mirënjohje për ish-kryeministrin Berisha dhe mbështetjen e tij për Kosovën gjatë qeverisjes së të djathtës… Shpreh mirënjohje dhe për Sali Berishën e PD, kur ishte në qeverisje, si pjesë e përbashkët shqiptare për pavarësinë e Kosovës dhe për të arritur në këto ditë. Nëse e kthejmë në çështje politike, ne ngatërrohemi edhe sa është ora, apo është mars a prill, por fatmirësisht nuk ndahemi te çështja e madhe që deri dje mbante emrin çështja e Kosovës, por sot natyrshëm ka emrin çështja e shqiptarëve”. Se kjo retorikë a kjo e thanë e kryeministrit nga kryeqendra e shqiptarëve u tha me “tamam” a jo, unë nuk e kam “takatin politik ta konfirmoj”, por ama se është demagogji pa dyshim se është e tillë.
Sot ka shumë njerëz që në kohë të gabuara frekuentojnë “ambiente” të gabuara (siç e bëra unë me shumë “qejf” një të tillë). Të thuash se ato hapësira vërtet janë të tilla, nuk mund të thuash, nga fakti se për këtë duhet të parashtrosh fakte a argumente. Këto hapësira a ambiente të gabuara, logjikisht duhet të jenë përjashtuese për njerëzit me mendje të shëndetshme, aty ka vend vetëm për njerëz me moral të dyfishtë respektivisht për ata të cilët përjashtojnë fjalën humane dhe atë emancipuese. Lukman El Hakim (i urti Lukman), i njohur si mbledhës fjalësh nga goja e popullit, në përmbledhjen e tij kishte përfshirë edhe këtë thënie: “Dy gjëra duhet harruar në këtë botë: një të mirë që ia ke bërë dikujt dhe një sharje a fyerje që ta kanë bërë ty”! Thonë se kjo e para disi mund të harrohet, por e dyta, shumë vështirë mund të kapërdihet a të falet, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarë kokëkrisur. Parashtrohet pyetja se cili është morali i këtij proverbi, është vetëm një i tillë a mbase i dyfishtë dhe, a mos vallë kjo sot, është bërë një kryefjalë në komunikimin e bastarduar te shqiptarët, në veçanti tek ata që profesionalisht merren me politikë. Lëre që kjo e para do të përmendet, po aq edhe do të keqpërdoret.
Nëse morali i parë (i këtij proverbi popullor) është racional, atëherë i dyti mbetet të jetë irracional. Kjo e para pak po duket në përditshmërinë tonë. Në këtë të fundit (në atë irracionalen) kanë “hise” njerëzit të cilët mëtojnë të tallen në vazhdimësi me “frikën tënde”, me varfërinë mendore si dhe me atë materiale, të tallen me njerëzit të cilët jetojnë me “shqetësimet e vatanit”, me ato të fëmijëve dhe me ato personalet…, me njerëzit të cilët dikur “shkonin për gjah dhe vetë u bënë për gjah”, me njerëzit që u janë shterur mendja e takati…, t’i ofendojnë me atë thënien ”kështu i do mushka drutë”…, me njerëzit që aq shumë janë frikësuar, saqë “pordha u shkon deri në zemër!” e të tjera. Çfarë ishte dikur kodi moral i organizimit dhe komunikimit politik këtej në Republikën e Maqedonisë?! Thonë se ky kod nuk ishte i ndërtuar sipas vullnetit të shumicës, përkundrazi ai ishte produkt i ideatorëve të saj. Ky moral i sistemit njëpartiak, ndonëse irracional, në vijimësi “mbikëqyrej, kontrollohej dhe, në instancë të fundit, ata që e shtrembëronin edhe ndëshkoheshin”…, ky moral u interesonte vetëm kryeparëve, të tjerëve nuk u hynte në punë për arsye se aty nuk mund të ndryshoin gjë, dhe e kundërta, sot partitë politike kanë kodin moral të tyre, por kjo gjë nuk u intereson lidershipëve të tyre, kjo i përket atij që jep votën, thjesht, me këtë moral nuk merret lidershipi, përkundrazi kjo i takon elektoratit…, i cili “detyrohet” të pajtohet a ta “aminojë” fjalimin retorik të lidershipit, një retorikë që kur nuk “lekturohet dhe nuk redaktohet”, atëherë ajo shndërrohet apo kalon në retorizëm të rëndë dhe fyes…, kalon në retorikë të sajuar, të denigruar, pa parime e standarde dhe madje edhe me mendjelehtësi a mendjeligësi politike.
Nëse nuk më “gënjen mbamendja”, më duket se axhës Abdullah i thash se këtë shkrim do ta përfundoj në Tetovë!? Si duket e gënjeva pa qëllim. Nuk do ta “përfundoj” pasi që ende nuk kanë përfunduar inatet homerike dhe thashethemet ndër vëllezërit shqiptarë. Dikur moti qehallarët, respektivisht kujdestarët e pasurisë së beut, e tridhnin dashin që ruante delet!? Pse e bënin këtë, unë nuk e di.
KU BANOJNË ENGJËJT
Nga Vjollca Tiku Pasku/
Në heshtje ndjej zhurmën karakteristike të dheut që bie sipër trupit tim, teksa kam ndjesinë e zhurmës së zogut brenda në vezë, që thyen koracën për të fluturuar i lire drejtë jetës së re. Kështu u ndjeva dhe unë, një qenie e lire që fluturon pa krahë në hapësirë, kur theva lëvozhgën e botës. Vuajtja dhe dëshpërimi dukeshin sikur i ndante honi i botëve. Në këtë gjendje si eksploratore e re, vëreja se shpirti im ishte si qiell dhe qielli si shpirt. Në tokë veshja e ajrit i referohej gjendjeve të natyrës, ndërsa këtu hapësira veshur me dritë, qesh me flatra gëzimi. Yjet vijnë përpara vështrimit tim. Planete të fildishta me valët e frymëzimit të ëndrrave. Brenda në to ishte guximi , forca , kuraja, për të ecur përpara. Ndërsa pigmenti i shpresës ishte i lidhur me një burim të lartë hyjnor. Sa më shumë këmbëngulte njeriu aq më shumë rritej ylli i tij. Disa njerëz i preknin në jetë, ndaj edhe këta njerëz quheshin yje. Por jo çdo yll toke ishte kuqëlim i qiellit…Koha është pa kalendar. Dje, sot, nesër, është një. Kujtesa ime është sikur çdo ngjarje e jetës ndodh tani. Çdo buzëqeshje,apo gëzim në jetë vishte çastet me jelekët e imazheve., ndërsa të gjitha dhimbjet ishin bërë hi dhe shndërruar në pluhur të artë hëne. Shikimi im kap Diellin e nxehtë nga fryma e të dashuruarve të tokës dhe hënën që shkëlqen argjendin e retinave të tyre. Ulem në harkun e horizontit dhe mbledh të gjitha vështrimet largpamëse njerëzore që depërtojnë si farat e mendimeve që dikur do bëhen projektet më të bukura në tokë. Një imazh engjëllor ma bën me shenjë të shoh në krahun e kundërt ku isha ulur. Ishte si të ishin dy skena, e mendimeve dhe e realizimeve. Pikat e djersës ishin si pika magjike në ritmikën e shpikjeve , ndërsa këmbëngulja ishte si një flurudhë deri në udhën e suksesit.`Megjithëse ndjesitë e mia ishte si të fluturoja mbi oqeanin e lotëve të gëzimit, në velat e petaleve të lule zemrës me erë lumturie, dashuria për tokën më tërheq tek planeti i vogël, ku mbizotëronin drita e bardhë , gjelbërimi dhe kaltërsia. Dita ruan pavdekësinë e emrit plot dritë,ndërsa nata fshin emrat që nuk e fitojnë këtë rezidencë parajsore… Këtu pranë ndodhet olimpi i engjëjve. Mbi të gjithë shquhej një engjëll që sa herë buzëqeshte me sy, drita e tij përhapej mbi tokë, quhet engjëll Agimi…Për ata vërtet nuk ka kufi hapësira e tyre tokë-qiell. Mendova se në ç’pjesë të tokës do gjendeshim. ” Shpejtësi engjëjsh”. -Oh, e qara e një foshnje të porsalindur ndezi një dritë jete. Sytë e engjëllit shtrojnë velin e dashurisë në shtrojën e krevatit. Nuk e dija se kur lind një foshnjë, së pari puthet nga një engjëll. Ndoshta është shpresë e tokës. Gjuha e engjëjve është qetësia shumëngjyrëshe, ku ndizeshin dhe rindizeshin mendimet e bukura. Engjëlli i pranverës luante muzikën e gëzimit. Çdo prekje çelte lule toke, dhe pranvera ndizte ngjyrat dhe nuancat e saj. Ndaj ku ka muzikë,ka gëzim, ka pranverë. Një engjëll tjetër ishte i bardhë, por pa dritë, sepse drita e tij shuhej vazhdimisht nga lotët e njerëzve. E qara e tij ishte si e qara e detit, ku një pikëz lot ngrinte një dallgë të madhe dhe përthithej po nga deti. Ai shkonte menjëherë pranë zemrave që vuanin dhe inkurajonte të tjerë të ndodheshin sa më pranë njeriut të rrëzuar. Ndaj në vuajtjet e mëdha askush nuk është vetëm, përherë ka një engjëll të padukshëm…i cili ndez qiririn e shpresës. Shpirti im ndihej i stolisur . Sapo kishin filluar të më dilnin krahët e engjëllit. Thua të bëhem engjëll?!… Nuk e di, është më e vështirë të jesh njeri apo… engjëll…? Shpesh ngremë sytë nga qielli dhe mendojmë se parajsa ndodhet atje… kur në të vërtetë engjëjt e parajsës janë gjithmonë këtu në tokë.
KOMISIONI PARLAMENTAR I REFORMES DHE SIPËRFAQJA E SHQIPËRISË LONDINEZE
NË KOMISIONIN PARLAMENTAR TË POSAÇËM PËR REFORMËN ADMINISTRATIVE-TERRITORIALE ZVOGLOHET ME MBI 1.500 KM KATËRORE
SIPËRFAQJA E SHQIPËRISË LONDINEZE/
Nga Ramiz Lushaj/
Hartës gjeopolitike të Shqipërisë Londineze prej 2 majit 2014 i mungojnë mbi 1.540 km2 të sipërfaqes së saj territoriale (!) Pothuaj sa rrethi i sotëm i Vlorës së Flamurit. Përndryshe: sa rrethet Gjirokastër e Krujë sëbashku. Kjo “zgrapsje” apo “çkymje” ka ndodh në Kuvendin e Shqipërisë, në ligjvenësin shqiptar. Pikërisht në Komisionin e Posaçëm për “Reformën Administrative-Territoriale”, në seancën dëgjimore të tij. Në një nga projektet e paraqitura para këtij Komisioni, në Projektin “Shtetweb” del se Shqipëria e ka 27.207 km2 sipërfaqen e saj. Të satin copëtim të Shqipërisë Iliriane duhet ta quajmë këtë rast zyrtar e të paprecent të ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë?!
Në çdo shtet të botës do të mbahej qëndrim përballës deri në ekstremitet, kurse në Shqipëri, në Komisionin Parlamentar e njëherash të Posaçëm, në kit’ Komision që merret direkt e tërësisht me sipërfaqen e çdo komune, bashkie, rrethi e qarku u kalua me një heshtje të pajustifikueshme. Asnjë qëndrim i parlamentarëve shqiptarë gjatë seancës dëgjimore publike në televizione e media të elektronikës e letrës. Ende nuk është zbardh proçes-verbali i kësaj seance në uebsajtin e Kuvendit të Shqipërisë, sikurse janë publikue proçes-verbalet e seancave të 7 shkurtit dhe 28 prillit 2014. Projekti i paraqitur “Shtetweb” gjendet në tavolinën e punës të Komisionit Parlamentar të Posaçëm. Aty e kanë, e shohin çdo ditë, e heshtin deri më sot. Pritet edhe qëndrimi i kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, që shpeshtas mban qëndrim kombëtar në raste të tilla, po kësaj here e ka ma obliguese se vakia ka ndodh në institucionin e tij/tonë. Presidenti i Republikës, edhe ky me rrënjë e degë kombëtare, nuk duhet të jesin pa e shfaq interesimin e tij (jo)publik. Opozita le të mbetet në pavëmendjen e heshtjen e saj se kësisoj populli opozitar po mësohet me pushtetin politik, po keqmësohet me pranimin e qeverisë së tij si një e keqe e (pa)nevojshme.
Çështja e zvogëlimit të territorit të Shqipërisë Londineze me 1.540 km2 nuk është çështje e vogël. Pse e themi njikështu? E para, se nuk jemi shteti ishullor i Islandës që të mos kemi probleme kufitare me fqinjtë. E dyta, kjo vaki zyrtare e publike vendndodhi në Kuvendin e Shqipërisë. E treta, Projekti “Shtetweb” u paraqit nga një personalitet shqiptar i njohur, dr. Ylli Bufi, ish kryeministër, ish nënkryetar i Kuvendit, bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar të Reformës të Qeverisjes Vendore në vitin 2003, etj. E katërta, Projekti ka pasë konsulentë dy ish kryeministra (i të djathtës, i të majtës), tre zv/kryeministra (dy të PD, një i PS), ish ministra nga të gjithë krahët politik, (ish)deputetë, kryebashkiak, kryekomunar, etj. nga të gjitha qarqet e vendit. E pesta, ky Projekt ka partner institucione prestigjioze europiane si Fondacioni Friedrich Erbert, Fondacioni Konrad Adenauer, Zyra e Bashkëpunimit Zviceran. E gjashta, ndryshimi i sipërfaqes territoriale të Shqipërisë Londineze ende mbetet publikim zyrtar në uebsajtin “Shtetweb”.
Askënd nuk po e akuzojmë për tradhëti kombëtare. E dijmë se kush e mbart tagrin e vendimmarrjes ligjore të këtij rangu (ndër)kombëtar. Po mendojeni për një çast të vetëm sikur një rast i tillë si ky i “Shtetweb” e i keqndodhur në Kuvendin e Shqipërisë të ketë gjasa në Amerikën e presidentit Obama, në Gjermaninë e kancelares Merkel e në Japoninë e perandorit Akihito, se si do të ishin qëndrimet e veprimet e shtetarëve e të qytetarëve të tyre. Japonezët e kanë një thanie hyjnore: “Tokë, më fal që të shkel me kambë”.
Sidoqoftë ky Projekt, në mos koft gabim njerëzor i çastit zvogëlimi territorial i Shqipërisë Londineze, ndoshtaky fakt dëshmon paraprakisht se do të futemi në thelluta të ndonjë “skandali” të kahershëm apo të pritshëm. A mos kemi të bajmë me rastin e kohës së E.Hoxhës kur iu dha një territor ujor RSFJ sa sipërfaqja e Mallakastrës?! A mos kemi të bajmë me lëvizje të vonshme të kufinit të Shqipërisë Londineze me shtetet fqinjë Mali i Zi e Kosova?! Etj.
Faktikisht duke kërkue për vendlindjen time, Tropojën (Malësi e Gjakovës), për vendin e ndryshimet e saj në Reformën Administrative-Territoriale pashë se i ishte zvogëlue sipërfaqja me 166 km2. E kaq nuk janë pak. E kush janë ata që duan të bajnë prerje të tilla…? A mos kemi të bëjmë me ndryshime kufijsh se Tropoja ka vijë kufitare me Malin e Zi e me Kosovën?! Etj. Shifrat më çuan tek zvogëlimi i krejt sipërfaqes së Shqipërisë.
Në përmbyllje, dy fjalë për Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Administrative-Territoriale me kryetar Bashkim Finon, ish kryeministër e ministër i Pushtetit Lokal etj.
Fjala e parë: projekte të tilla si ky “Shtetweb” e tre të tjerë të paraqitur e në proçes, të kryera edhe me interesim ndërkombëtar euro-atlantik, po i shërbejnë këtij Komisioni Parlamentar e të Posaçëm thjesht për propogandë e dekor publik e politik. Nëse antarët e Komisionit e ekspertët e tij do ta kishin kqyr realisht e thellësisht Projektin “Shtetweb” do të kishim ndryshimin përkatës të sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë në uebsajtin përkatës. Ose, përndryshe: t’iu lamë udhë fqinjëve sllavë e helenë ta ngrejnë problematikë deri në OKB kufirin e sipërfaqen e Shqipërisë, etj. . E në kryerjen e angazhimeve të tilla shovinistëve balkanik iu vjen në ndihmë për sot e nesër edhe ndarja e Shqipërisë Londineze në rajone?!
Fjala e dytë, ky rasti “Shtetweb” me zvogëlimin e territorit shtetëror të Shqipërisë Londineze dëshmon për një fakt të pakundërshtueshëm: Komisioni Parlamentar i Posaçëm nuk është ngrit për Reformën Administrative-Territoriale, por për interesa politike, elektorale, ekonomike, etj. të sa majtës në qeverisjen e vendit, në Qeveri e në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo projekt i paraqitur nga OJQ shqiptare, nga gjithata ekspertë ndërkombëtar, nga Opozita e djathtë do të kalojnë në arkiv dhe nga sirtarët e vet partiak politik do të nxjerrin “Projektin “ e vet, që iu duhet ta miratojnë sa ma shpejt për ta pasë si mundësi reale për të fituar zgjedhjet lokale të Elektoriadës 2015. Gjithçka duket qartë. Gjithësesi lexohet lehtë.
In Memoriam: T. Scarlett Epstein
Nga Mal Berisha*/
Prolog/
Profesoresha T. Scarlett Epstein ndërroi jetë me datën 27 Prill 2014, në moshën 92- vjeçare duke lënë pas kujtime shumë të vyera ndër të cilat nga më interesantet ato për Shqipërinë.
LONDER : NEW YORK :E njoha atë në ditët e para të punës time në Londër, kur kolegia ime diplomate, zonja Teuta Starova më njoftoi se Prof. Epstein dëshironte të më takonte dhe të njihej me mua. Kështu ndodhi. Ajo ishte një zonjë hebreje austriake, e lindur dhe e rritur në Vjenë deri në moshën 16- vjeçe dhe e shpëtuar në Shqipëri ne vitet 1938 – 1939. I prirur për të ditur sa më shumë rreth historisë së hebrenjve, e prita me shumë kënaqësi. Me pas, me Prof. Epsteinin na lidhi një miqësi e fortë. Ajo ishte një zonjë shumë e dashur për Shqipërinë dhe shqiptarët. Me modestinë e njeriut të madh ajo më “mori për dore” në një udhëtim rrëfimtar të një jete që vërtetë impresionon çdokend që ka sado pak ndjesi njerëzore dhe dëshirë për të njohur e mësuar. Ajo kishte një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore si ekonomiste dhe antropologe, autore e 14 librave, shume artikujve dhe filmave dokumentarë. Ajo ishte nderuar me shumë çmime e tituj mes të cilëve titulli OBE (Urdhri i Perandorisë Britanike) akorduar në vitin 2004. Takimi i fundit me të në Shkurt 2014 në Shtëpinë e Pleqve në Brighton mbetet i paharruar.
“Të notosh kundër rrjedhës”
Një ditë ajo më dhuroi një libër që kishte botuar rreth jetës së vet me titull: “Të notosh kundër rrjedhës”. Ky libër gjendet në bibliotekën time, dhe mban një përkushtim të shkruar me dorë nga autorja: “Shenjë e vogël e një admirimi të madh. Scarlett”.
Rrëfimi i saj në atë libër të le pa frymë pothuajse në çdo faqe të tij. Dhe, unë mendova se bazuar në atë rrëfim të sinqertë e dramatik të të bëja të njohur historinë e saj që është e lidhur me ne shqiptarët, pikërisht kur ajo u nda nga jeta. Ky libër i botuar në gjuhën angleze në vitin 2005 në Londër përmban historinë e një jete të vështirë dhe përcjell një mesazh të fortë: ”Unë jam gjallë falë bujarisë shqiptare”!
Prof. T. Scarlett Epstein jetoi 92 vjet. Krejt e thinjur, timide, trupvogël ajo banonte në qytetin bregdetar Brighton të Britanisë së Madhe. Ajo gjendej përherë e pranishme mes nesh sa herë që bëheshin veprimtari të Ambasadës shqiptare në Londër. Atë e gjeje aty ku flitej për Shqipërinë, aty ku tregohej historia e hebrejve dhe Holokaustit dhe mbrojtja që atyre iu kanë bërë shqiptarët në ditët më të vështira të historisë së tyre. E gjeje në shkolla, në universitete, në biblioteka, festivale filmi, takime të rëndësishme ndërkombëtare apo sinagoga. E gjeje në Uashington DC apo Nju Jork në mes shqiptarëve, në Universitetin e Vjenës apo në Parlamentin Evropian në Bruksel, në Kembrixh apo Oksford, por edhe në Tiranë. Dhe, kudo, ajo përcillte këtë mesazh: ”Unë jam gjallë falë bujarisë shqiptare”!
Historia e saj është një histori tejet e dhimbshme, si shumë të tilla për hebrenjtë, por me një fund të lumtur. Ajo ngjet me historinë e thuajse tremijë hebrenjve që shpëtuan në Shqipëri.
Anschluss-Vjenë-Zagreb
Prof. T. Scarlett Epstein ishte lindur në korrik të vitit 1922 me emrin Trude Grünwald. Ajo bashkë me prindërit dhe vëllezërit e saj u vu në shënjestër të nazistëve në atë periudhë të njohur si Anschluss ose aneksim i Austrisë prej Gjermanisë naziste, i cili ndodhi me 12 mars 1938,. Përndjekjet ndaj tyre ishin të përafërta me ato që zbatoheshin ndaj hebrenjve në Gjermani. Kështu, si shumë familjeve të tjera, edhe familjes Epstein, tani më me emra të ndërruar, iu desh të linte Vjenën drejt një vendi më të sigurt. Vajza e re 16 -vjeçare, e cila vazhdonte gjimnazin me plot ëndrra për të ardhmen, u ballafaqua me alternativën: jetë a vdekje. Kështu, ajo e mori në dorë jo vetëm fatin e vet, por edhe të prindërve të saj. Ajo arriti të siguronte viza hyrje në Jugosllavi dhe me ndihmën e xhaxhait që ishte një industrialist i madh, ata u vendosën në Zagreb. Por, pas tre muajsh vizat e tyre skadonin dhe duhej të largoheshin nga Jugosllavia ose të dëboheshin me dhunë drejt vendit të origjinës. E vetmja rrugëdalje ishte të sigurohej ndonjë vizë për ndonjë vend jashtë influencës së gjermanëve. Ky vend doli të ishte Shqipëria.
Mbreti Zog dhe hebrenjtë
Vajza e re troket në dyert e shumë konsullatave të cilat gjendeshin në atë kohë në Zagreb, por të gjitha i mbyllen me forcë përpara syve sapo ajo tregonte pasaportën e saj me germën “J” të damkosur në të nga nazistët. Në këto rrethana, xhaxhai i saj i thotë se ka një shpëtim: është Shqipëria. Një hebre tjetër i cili bënte tregti me Shqipërinë i kishte thënë atij se Shqipëria kishte një agjenci tregtare në Zagreb e cila kryente edhe veprime konsullore dhe i priste hebrenjtë bujarisht. Sipas xhaxhait, Shqipëria festonte një përvjetor të saj dhe Mbreti Zog kishte dhënë urdhër që të jepeshin viza hyrje turistike, madje edhe për hebrenjtë. Krejt çfarë dinte ajo vajzë nga mësimet e gjeografisë dhe historisë për Shqipërinë ishte se ishte një vend i cili shtrihej në vijën bregdetare të Adriatikut dhe kufizohej me Jugosllavinë dhe Greqinë.
Tani familja hebraike kishte tre zgjidhje: të fshihej nëpër Jugosllavi dhe të priste fatin e zi të dëbimit në Austri; të kthehej në Austri dhe të përfundonte në ndonjë kamp përqendrimi nazist, ose të shkonte në një vend të panjohur, në Shqipëri. Ajo arriti t’i bindte prindërit dhe vetëm tre ditë para skadimit të vizës trokiti në dyert e asaj zyre shqiptare. Konsulli shqiptar e priti atë me respekt dhe i pajisi me viza. Ata menjëherë morën rrugën për në Split, prej ku zunë një anije që do t’i zbarkonte në Durrës. Në nisje ata u përcillen prej shumë hebrenjve të cilët ishin zënë në kurthin e tmerrit nazist. Me ata njerëz ajo nuk do të shihej më kurrë, pasi nuk i mbijetuan terrorit nazist.
Durrës, 20 nëntor 1938
Në këtë datë ata arrijnë në Durrës. Pasi zbarkojnë, priten nga dy hebrenj gjermanë të cilët e kishin gjetur që më parë Shqipërinë si strehën e tyre mbrojtëse dhe jetonin në qytet. Ata i shoqërojnë dhe i vendosin në hotelin Metropol afër portit detar. Përshkrimi i saj rreth gjendjes së këtij hoteli nuk lë vend për ndonjë kënaqësi, por pritja e shqiptarëve ndaj kësaj familjeje në dëshpërim të plotë të bën të ndjehesh krenar. Ajo e përshkruan Durrësin e asaj kohe si një qytet me popullsi të përzier myslimane dhe ortodokse, që jetonin në paqe.
Pas disa javësh qëndrim në hotelin Metropol, familjes i ofrohet mundësia të qëndronte në një farë kompleksi i cili ishte dhënë nga bashkia. Aty gjendeshin hebrenj me shtetësi të ndryshme të cilët tmerri nazist i kishte bashkuar në fatin e tyre. Ky kompleks banimi financohej nga Komiteti Ndërkombëtar Amerikan Hebraik i Ndihmave, natyrisht me pëlqimin e qeverisë së Mbretërisë Shqiptare.
Jeta në Durrës, nëntor 1938 – 20 prill 1939
Nevoja për të mbijetuar e mëson njeriun më shumë se gjithçka tjetër në jetë, sepse vlera e jetës dyfishohet pikërisht atëherë kur ajo bëhet e pasigurt. Kështu Scarlett Epstein fillon të kërkojë punë dhe arrin të gjejë nxënës që dëshironin të mësonin gjermanisht. Ndër to ishin dy vajza, bijat e familjes Dovana, një nga familjet më të njohura në Durrës. Me këtë familje ajo krijon një lidhje të fortë miqësore që ka vazhduar deri kur ka vdekur.
Sipas ligjit shqiptar, refugjatët nuk lejoheshin të punonin. Megjithatë, falë miqësisë së menjëhershme që ndërton me shqiptarët, ia del të bëhet mësuese edhe pse ishte ende aq re. Familja e saj trajtohet me një dashuri të veçantë jo vetëm nga banorët e thjeshtë të qytetit, por edhe nga prefekti i Durrësit. Episodet e jetës së Scarlett Epsteinit në Durrës janë të gjitha aq piktoreske dhe interesante, por ajo çfarë mbetet në kujtesën e njeriut është se sa herë ajo i rrëfente qoftë në audienca, qoftë në biseda private apo edhe në librin e saj, është dashuria që ajo përjetoi në atë qytet, për të cilën ishte aq mirënjohëse.
“Shqipëria më shpëtoi jetën”, ishte kryefjala e çdo rrëfimi të saj. Megjithatë, ky nuk mund të ishte një vend me një të ardhme për hebrenjtë e mësuar me tregti dhe profesione të tjera. Me dy vëllezër në Britani, Oton dhe Kurtin, ajo vendos të përpiqet të bashkojë familjen pikërisht atje. Kështu arrin të sigurojë viza për vete dhe nënën e saj, por jo dhe për babanë. Vizat do të skadonin me datën 30 prill 1939.
Largimi nga Shqipëria
Kur rrjedhja e ngjarjeve mori drejtim tjetër, Scarlett Epsteinit nuk i mbetej gjë tjetër veçse të përdorte vizën angleze të cilën ia kishin siguruar vëllezërit. Kështu, me datën 20 prill 1939, bashkë me nënën e saj niset për një udhëtim tejet të rrezikshëm deri në Itali me anije e më pas me avion nëpër Berlin, Köln, Amsterdam, Londër. Vitet e mëtejshme të jetës së kësaj zonjë janë të mbushura plot e përplot me ngjarje, por historitë plot vuajtje dhe rrezik u skalitën në kujtesën e saj duke memorizuar të shkuarën dhe duke ecur përpara udhëve plot të papritura të jetës. Megjithëse jetën si emigrante në Angli e fillon me sakrifica, duke qepur uniforma për ushtarët anglezë të Luftës së Dytë Botërore, falë forcës e vullnetit të saj ajo arrin të vazhdojë studimet universitare, të bëjë doktoraturën e të bëhet profesoreshë dhe një ndër antropologet më të njohura në Britaninë e Madhe.
Miqësia me Scarlett Epstein
Me Prof. Epstein na lidhi një miqësi e fortë, e sinqertë dhe e bazuar në ndjenjat e bukura të mirënjohjes, mikpritjes dhe Besës shqiptare. Ajo ka lënë dy vajza, Debby dhe Michelle, por në fakt edhe një tjetër, një zonjë shqiptare, ish Ministre Këshilltare e Ambasadës shqiptare në Londër, një pedagoge e nderuar dhe diplomate e shkëlqyer, Dr. Teuta Starova që i ishte bërë vajza e saj e tretë. Ditë e netë të tëra ajo i kalonte ose duke biseduar, lëvizur, shkuar nëpër universitete, sinagoga, shkolla për të folur për shqiptarët ose në telefonata të gjata duke bërë plane se si ta propagandonin vlerën shqiptare të Besës dhe mikpritjes në mjediset angleze.
Në vitin 2012, në Viener Library në Londër, u organizua një takim kushtuar Prof. Scarlett Epstein në prani të bashkësisë hebraike dhe shqiptare të Londrës. Atë veprimtari e nderoi edhe ambasadori i Izraelit në Britaninë e Madhe, Sh.T. z. Daniel Taub. Aty ajo u nderua me simbolin e qytetit të Tiranës. Po ashtu kishte ardhur edhe zonja Ingrid Strati, një intelektuale e njohur shqiptare nga Durrësi, me qëndrim në Itali, pasardhëse e familjes së shquar patriote të Dovanave. Me atë familje Scarlett kishte rivendosur kontaktet vetëm pak kohë më parë me ndihmën e një tjetër diplomateje të Ambasadës shqiptare, zonjës Xhoana Papakostandini, që fati kishte dashur që jo vetëm të ishte nga Durrësi, por edhe që familja e saj të kishte miqësi me familjen Dovana.
Dukej se edhe pas 74 vjetësh buka e Dovanajave nuk ishte harruar nga Epstein dhe as mirënjohja për ta dhe për Durrësin nuk ishte shuar. Kështu, në pranverën e vitit 2012 ajo udhëtoi në Durrës, për të rishkelur përsëri mbi ato rrugë të memories ku pulsonin kujtime të vjetra dhe për të xhiruar një dokumentar mbi historinë e saj në atë qytet.
Po në vitin 2012, Scarlett Epstein udhëtoi për në Uashington DC për të marrë pjesë në përkujtimin e përpjekjeve të shqiptarëve për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Hollokaustit. Më pas, e ftuar nga Vatra festuam bashkë me të 100 -vjetorin e pavarësisë, të ftuar nga shqiptarët e Nju Jorkut. Në vitin 2014, pas një sërë aktivitetesh mbi Shqipërinë ajo mbajti një fjalim të gjatë në Parlamentin Evropian për Besën shqiptare e cila u prit me një admirim të jashtëzakonshëm.
Epilog
Respekti për këtë zonjë është i pafund dhe rrjedh në të njëjtin shtrat kujtimesh, përpjekjesh, vështirësish që ravijëzuan tek ajo gruan e fortë, mirënjohëse përjetësisht ndaj shqiptarëve. Vërtetë që shqiptarët kanë bërë për këtë zonjë atë që bëjnë për çdo njeri që iu troket në derë, por edhe ajo ua shpërbleu me aq shumë punë, për ta bërë të njohur këtë histori kudo, atje ku shqiptarët kanë nevojë për njohje, përkrahje dhe ngrohtësi.
Pak kohë para se të vdiste i bëmë një vizitë. Takimet e bisedat me të ishin jo vetëm të një kënaqësie të veçantë, por edhe një detyrim moral ndaj një lidhje historike midis shqiptarëve dhe hebrenjve, dy popuj që e kanë siguruar lirinë me aq mundime vuajtje e përpjekje.
* Mal Berisha : I lindur në vitin 1952, në Tropojë , ka kryer studimet e mesme në Gjimnazin “Ismail Qemali” në Laç, të Kurbinit. Ёshtë diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, Dega e Kulturës dhe më pas në shkollën e Diplomacisë në Universitetin, Hacetepe në Ankara. Nga qershori 2013- është Ambassador of the Republic of Albania to the United Kingdom.
LDK-ja E ISA MUSTAFËS FITON ME DONIKA GËRVALLËN
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Përpara dy ditësh në Grenchen të Zvicrës, unë dhe Skënderi bashkë me një grup zviceranësh u anëtarësuam në LDK-në e Zvicrës. Gjesti ynë ishte si një gjest i jashtëzakonshëm në një moment të jashtëzakonshëm. Sepse s’kemi qenë asnjëherë anëtarë të asnjë partie politike. Si gazetarë dhe intelektualë me pikpamje centriste e liberale, e kemi mbështetur gjithmonë LDK-në, sepse garantin për këtë parti që e nisi rrugëtimin si lëvizje kombëtare me vizion kombëtar dhe euro-atlantist e kishim nga dy faktorë – i pari Ibrahim Rugova, i dyti – populli i Kosovës, elektorati rugovian, i cili e kërkonte Kosovën dje të lirë e shtet të pavarur, sot që të ketë formatin e një shteti europian.
Ne e kemi mbështetur LDK-në në kohët më kritike, por ndërkohë pas vdekjes të Rugovës e kemi kritikuar ashpër. Në një parti të tipit rugovian, ku toleranca është rruga për të ecur përpara, kritika duhet të jetë gjenerator lëvizës.
U anëtarësuam në LDK-në e Zvicrës, që ka kontribute për çerek shekulli, sepse Kosova ndodhet në një moment shumë kritik, ku shteti i së drejtës rrezikohet nga antishteti, krimi dhe korrupsioni dhe në këtë udhëkryq të madh, mendojmë se Kosova e qeverisur nga LDK-ja ka shanse të bëhet shtet me të gjitha prerogativat që kanë shtetet në Perëndim.
Ne jemi të vetëdijshëm për rrezikun që Kosovës i qëndron mbi kokë si Shpata e Damokleut dhe mendojmë se LDK ka mundësi ta shpëtojë vendin nga tatëpjeta.
LDK ka mundësi ta bëjë këtë sepse sot Kosova ka aleatë SHBA,Perëndimin dhe rruga që do të përshkojë është e qartë si drita e diellit. Këtë rrugë duhet ta përshkojë me një lidërship me integritet, me politikanë me integritet, me politikë me integritet. Do të vijë në pushtet jo për interesa partiake, jo për interesa individësh, klanesh apo bajraqesh, por për interesa të Kosovës dhe të gjithë banorëve të saj pa dallim idesh, etnish apo besimi fetar.
Ka ardhur koha që LDK të ngrihet. Zgjedhjet janë në prag të derës. Prandaj angazhimi duhet të jetë maksimal. Lideri I LDK-së Prof.Dr. Isa Mustafa ka shumë shanse të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Por që ta fitojë këtë mandat i duhet një imazh i pastër dhe brilant, që do të reflektojë pastërtinë e popullit të Kosovës dhe të politikanit, si përmbajtje e kësaj partie politike.
Prandaj them se LDK-ja e Isa Mustafës fiton me Donika Gërvallën. Kjo është Kosova. Djepi i mrekullisë njerëzore, sepse nga gjiri i saj lind gjithmonë figura që e nderojnë, që e bëjnë të krenohet dhe t’u besojë, figura që i japin Kosovës pa e patur në mendje përfitimin personal. Pikërisht si thotë John F.Kennedy “Ask not what your country can do for you; ask what you can do for your country.” – “Mos pyet se çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet çfarë mund të bësh ti për vendin tënd”.
Sepse Kosova sot është në rrezik. Luftua u fitua, por vendi rrezikon të pushtohet nga armiku varfëri – prodhuar nga korrupsioni, mafia, informaliteti.
Dhe LDK-ja e Isa Mustafës ka mundësi ta shpëtojë vendin duke patur në krah Donika Gërvallën.
LDK-ja prej vdekjes të Rugovës i ka provuar të gjitha llojet e humbjeve. Po të krahasosh elektroratin e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2001, 2004 me atë të 2010, LDK-ja ka humbur gjysmën e tij, ndërkohë që në zgjedhjet e 2010, abstenimi në votime ishte 55 %. Pra më tepër se gjysma e popullit të Kosovës nuk kanë dalë në votime. Sepse e kanë humbur besimin tek politika. Statistikat janë shumë eklatante. Flasin vetë. Nuk duan koment. Por ky elektorat është aty. Që duhet të shkojë patjetër në votime, sepse me votën e tij Sovrani vendos fatin e tij.
Me imazhin e Donika Gërvallës LDK-ja e Isa Mustafës mund ta rifitojë zemrën elekoratit rugovian, elektoratit që ka abstenuar. Për t’i treguar popullit të Kosovës, se LDK-ja ka reflektuar për gabimet e saj, të cilat i kanë kushtuar asaj dhe popullit të Kosovës. Dhe pas tatëpjetës, ka ardhur koha e ngritjes.
LDK-ja e Isa Mustafës fiton me Donika Gërvallën, e cila e ka fituar zemrën e Kosovës. Si e bija e Isuf Gërvallës dhe vijuese e familjes Gërvalla, me formimin e saj në Perëndim, me integritetin e saj të pastër, me përkushtimin e saj dhe me guximin për t’i shqiptuar të vërtetat.
Vetëm kështu do të fitojë LDK-ja. Vetëm kështu do të fitojë Kosova. Fitorja e LDK-së nuk do të jetë fitore partiake, por fitore kombëtare, për të ndryshuar Kosovën, për t’i ndalur rënien, tatëpjetën, me qëllim ngritjen, dhe integrimin në Europë.
Mjaft më Kosova si Lager në zemër të Europës. Kosovës i duhet shteti i së drejtës, sepse vetëm kështu do të integrohet në Europë. Si demokraci e tipit Perëndimor. Dhe LDK-ja i ka të gjitha mundësitë, sepse është themeluar nga një lider europianist dhe ka burime njerëzore. LDK-ja e Isa Mustafës me Donika Gërvallën e fitojnë zemrën e sovranit për ta shpëtuar dhe ngritur Kosovën.