Nga Dalip Greca/*
Titullin e këtij editoriali ia kam marrë borxh At Gjergj Fishtës. Mendoj se nuk ka shprehje më të gjetur se kjo për të shprehur realitetin e shkueshmërisë fetare mes shqipatrëve. Vetë Fishta ishte modeli praktik i asaj harmonie ndërfetare që shqiptarët e kanë fe’ e përmbi f’e. Është shumë dmoethënës akti i priftit franceskan, intelektualit erudit, politikanit kombëtar, letrarit të shkëlqyer-kandidat për çmimin Nobel, At Gjergj Fishta, kur me çlirimin e Shqipërisë nga perandoria Osmane, do të ngrinte Flamurin Kombëtar në Shkodër, dhe në bashkëveprim me myftiun e xhamisë pranë, do të lidhte me konopin ku ishin vendosur dritëza ndriçuse, këmbanoren e kishës me minaren e xhamisë, ndërkohë që në të dyja, edhe në minare, edhe në këmbanore, shpalosej Flamuri Kombëtar. Ka një shekull që ka ndodhur kjo ngjarje dhe ende përcillet ndër breza si mesazh harmonie dhe bashkëjetese ndërfetare.
Kjo harmoni ndërfetare është prezente edhe tek shqiptarët e Amerikës. Nuk është rastësi që në themel të bashkimit më solid të shqiptarëve të Amerikës, Federatës Panshqiptare, Vatra, është pikërisht lidhja e fortë ndërfetare që e bëri atë rezistente të kohës. Po ashtu nuk është rastësi fakti që shqiptarët e kuptuan se “manovrat” dhe kurthet e fqinjëve për të na përçarë me fenë, kërkonin si kundërveprim shpëtues kombëtar- bashkim, dhe vetëm bashkim Kombëtar. Dhe u bashkuan këtu në Amerikë, fillimisht duke krijuar Kishën Orthodokse Autoqefale Shqiptare, e më pas Federatën Vatra, që i ndihu bashkimit Kombëtar. Kur Venizellosi i Greqisë shpallte botërisht se “çdo ortodoks ishte grek”, shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e Vatrës firmosnin peticione se të gjithë ishin ortodoksë,veçse jo grekë, por shqiptarë (madje dhe myslimanët).
Për Federatën Vatra harmonia fetare është e shenjtë dhe e përcjellur ndër breza. Në të 101 vitetet e jetës së saj ajo është udhëhequr nga ky parim. Vatra i ka parë të tre besimet fetare të lidhura ngushtësisht me kombin dhe egzistencën e tij.Peshkop Noli ishte një lis i fortë, rreth të cilit u bashkuan shqiptarët e Amerikës, pavarësisht fesë. Vetë Kisha Ortodokse shqiptare që ai themeloi këtu, u bë një gur prove për shkueshëmrinë fetare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Ai ndërtoi marrdhënie të shkelqyera me udhëheqësit myslimanë, veçanërisht me Imam Vehbi Ismailin, me komunitetin bektashian, Baba Rexhepin dhe me udhëheqësin shpirtëror të katolikëve, Monsinjor Zef Oroshin. Këto marrdhënie edhe në ditët e sotme, mes Vatrës dhe komuniteteve fetare, janë të shkëlqyera.
Vatra e ktheu në traditë njëshekullore bekimin e darkës së Pavarësisë së Shqipërisë, duke aplikuar rregullin e radhës së përvitshme, herë një imam e bekonte darkën,herë një prift katolik apo prift orthodoks. Kjo rregullsi vazhdon deri në ditët e sotme.Natyrisht këto marrdhënie nuk janë formale, por reale dhe bazë për ruajtjen e traditave kombëtare këtu në mërgatë.
Shembulli më i qartë ishte ai i festimit të 100 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, ku i gjithë kleri ndërfetar, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, diaspora, përfshi dhe arbëreshët e Italisë, ishin të përfaqësuar në rangjet më të larta.Mënyra e përcjelljes së mesazheve, qoftë në Konferencën Shkencore”100 vite në shërbim të kombit”, qoftë edhe në darkën festive me më shumë se 1000 të ftuar, ishte emocionuese.
Faktet nuk kanë nevojë për komente, ato flasin në dritën e diellit.Ndonjë koment që përcillet në internet apo kafeneve nuk mund ta trondisë ata ç’ka paraardhësit tanë e kanë ndërtuar me mund e përkushtim.
Por jo gjithëçka shkon sot si në vaj. Tendencat e kohëve të fundit për të futur mes shqipatrëve rryma fetare agresive, ekstremiste, kërkojnë pjekuri dhe reagim kolektiv me qëllim që e keqja të mos hyjë mes nesh dhe të na përçajë. Trysnia radikale e rrymave fetare nuk përputhen me trashëgiminë tonë fetare tradicionale. Veçanërisht fondamentalizmi radikal është i rrezikshëm për kombin tonë, që nuk e ka në natyrën e tij të përqafojë rryma të tilla.
Kombi shqiptar, autokton në trojet e veta, e ka pësuar nga teoritë dhe tezat radikale fetare dhe nuk duhet të bjerë preh e tyre. Kujtesën duhet ta kemi të kthjellët: a nuk u dëbuan nga trojet autoktone myslimanët çamë në fund të Luftës së Dytë Botërore me pretekste fetare? Po rreth treqind mijë muslimanë të Kosovës, a nuk u dëbuan nga trojet e veta nga Jugosllavia duke ua mohuar autoktoninë? Po një milion shqiptarët e Kosovës në agimin e shekullit të ri, a nuk u dëbuan dhunshëm nga racistët e Beogradit?
Ne shqiptarët e sotëm duhet ta ruajmë drejtpeshimin harmonik fetar si një hajmali, ndryshe brezat që vijnë pas nesh do të na gjykojnë rëndë. Ne do të jemi përgjegjës për atë ç’ka trashëguam, nëse nuk e ruajmë.
Natyrisht ne kemi pasë edhe problemet tona në të shkuarën.Siç ka konstatuar edhe shkrimtari ynë Kombëtar, kandidat shumë herë për çmimin Nobel, Ismail Kadare-Historia e harmonisë fetare në Shqipëri nuk është një histori idilike, në thelb ajo ka qenë dhe mbetet dramatike përgjatë historisë,- nuk është fjala këtu vetëm për episode të atilla, si farsa tragjikomike e ndalimit të besimeve nga regjimi komunist, as për mallkimin që në emër të fesë iu bë alfabetit shqiptar, dhe as rebelimit proturk të Haxhi Qamilit , historia ka qenë dramatike sepse ka qenë përherë e mbarsur me rreziqe të mëdha. Edhe tani në demokraci të gjitha rreziqet e kapërcyera, janë prapë të mundshme, sepse ato janë të tilla edhe në botë.
Kombi ynë karakterizohet nga tri fe tradicione dhe secila ka vendin e vet, pa i hyrë në pjesë tjetrës. Kombi nuk mund të identifikohet as me njërën, as me tjetrën më vete, por me të tria bashkë. Kjo përbën thelbin e shkueshmërisë fetare dhe ne duhet të krenohemi me harmoninë tonë fetare. Kjo është pasuria me të cilën trokasim për të hyrë në dyert e Europës. Është fakt se kombi ynë është në Evropë dhe po shkon drejt saj me dy shtete shqiptare. Nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mirë se në këtë shekull, por harmoninë duhet ta ruajmë fort, si pasuri Kombëtare. Ata që veprojnë kundër nuk punojnë për Kombin.
Edhe pse në tërësi kombi ynë është i rreshtuar në krah të Amerikës dhe Europës kundër terrorizmit, fatkeqësisht trojet tona duken të ekspozuar nga rryma fetare radikale që nuk janë karaktersitike për psikologjinë shqiptare. Mjerisht po përzihen shqiptarët në emër të fesë edhe në luftra në vendet arabe, ku ka përplasje ndërfetare, siç është rasti i Sirisë e gjetkë, ku kanë humbur edhe jetën. Kush do t’ua ndriçojë mendjet shqiptarëve se nuk duhet të përzihen në luftra fetare? Sa shpejt e harruam kurthin që na pat ngritur Millosheviçi duke trumbetuar nëpër botën perëndimore se lufta e shqiptarëve të Kosovës, nuk ishte luftë për të drejta njerëzore, por luftë fetare, luftë kundër krishtërimit Seb! Sa mirë që bota nuk e hëngri përrallën e Millosheviçit se nuk ishte fjala për Luftë fetare të myslimanizmit shqiptar kundër krishtërimit Serb, por luftë për të drejta njerëzore. Nëse shqiptarët e Kosovës do të kishin rënë në kurthin e Millosheviçit dhe makinës së tij propagandistike , tragjedia do të kishte përmasat e katastrofës njerëzore.
Për asnjë çast nuk duhet t’i harrojmë aleatët tanë që na shpëtuan nga katastrofa. Nëse ata na thonë sot se duhet të ruhemi nga radikalizmi fetar, duhet t’i bëjmë sytë katër.
Qeveritë e shteteve tona është koha që të bëjnë kujdes që ta kultivojnë më tej drejtpeshimin dhe shkueshëmrinë fetare, duke u udhëhequr nga ligjet dhe toleranca. Krahas lirisë, nuk duhet hequr dorë nga kontrolli i institucioneve fetare, nga shkollat, fondacionet, klerikët shqiptarë dhe të huaj që shërbejnë në to, financimet e brendshme dhe të jashtme.Varfëria ekonomike mund të pranojë çdo urdhërese që vjen në emër të fesë.
Në mbyllje të këtij komenti, po i rikthehem edhe një herë, vlerësimit të Kadaresë, për harmoninë fetare shqiptare:” Shqipëria e re dhe ajo e vjetër karakterizohet nga marrdhënie të mira mes besimeve. Tolerance dhe harmonia fetare është vlera më e madhe e Shqipërisë dhe kjo nuk është vetëm diçka proverbiale. Shqiptarët ditën të përballen me holokaustin. Pas Lufëts së Dytë Botërore, Shqipëria ishte vendi i vetëm, ku numri i hebrejve u rrit gati dhjetëfish. Megjithëse në Shqipëri ekzistojnë tre besime e katër komunitete fetare dhe nuk shquhemi si popull i urtë, nuk i kemi njohur konfliktet fetare. Dy vëllezër, njëri katolik e tjetri musliman kanë jetuar në një pullaz.”
Kjo na bënë që të ndjehemi krenar për ç’ka kemi trashëguar, dhe të mos harrojmë se jemi vëllezër të një gjaku, të një gjuhe, pavarësisht besimit.Të mos e harrojmë thëinien e at Gjergj Fishtës në krye të shkrimit,”Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”!
Editorial I Diellit, Korrik 2013
Mesazhi i Papës drejtuar Romës e Botës për Pashkët 2014
“Christus syrrexit venite et videte!”.
Të dashur vëllezër e motra: për shumë vjet Pashkët!
Jehon në Kishën e përhapur në mbarë botën, kumti që u dha Engjëlli grave: “Ju, mos kini frikë! E di se kërkoni Jezusin, të kryqëzuarin. Nuk është këtu. U ngjall… ejani e shikoni vendin ku ishte vënë” (Mt 28,5-6). Ju, mos kini frikë! Zoti u ngjall!
Ky është kulmi i Ungjillit, është vetë Lajmi i Mirë: Jezusi, i kryqëzuari, u ngjall! Kjo ngjarje është në bazë të fesë sonë e të shpresës sonë: nëse Krishti nuk do të ishte ngjallur, Krishterimi do ta humbiste vlerën e tij; gjithë misionit të Kishës do t’i sosej frymëzimi, sepse prej aty u nis e riniset gjithnjë. Mesazhi, që të krishterët ia përcjellin botës, është ky: Jezusi, Dashuri e mishëruar, vdiq mbi kryq për mëkatet tona, por Hyji Atë e ngjalli dhe e bëri Zot të jetës e të vdekjes. Në Jezusin, Dashuria ngadhënjeu mbi urrejtjen, mëshira mbi mëkatin, e mira mbi të keqen, e vërteta mbi gënjeshtrën, jeta mbi vdekjen.
Prandaj ne të gjithë themi: “Ejani e shikoni!”. Në çdo situatë njerëzore, mbi të cilën rëndon mëkati e brishtësia, Lajmi i Mirë nuk është thjesht fjalë, por dëshmi e dashurisë besnike, pa asnjë shpërblim: është dalje nga vetvetja, për të shkuar e për të takuar tjetrin, është të jesh pranë të plagosurit nga jeta, të ndash gjithçka me njeriun, që i mungojnë gjërat më të nevojshme; t’i rrish pranë të sëmurit, plakut, të braktisurit…“Ejani e shikoni!”: Dashuria është më e fortë, Dashuria jep jetë, Dashuria bën të lulëzojë shpresa në shkretëtirë.
Me këtë siguri të gëzueshme në zemër, sot të drejtohemi ty, o Zot i Ngjallur!
Na ndihmo të të kërkojmë, që të gjithë të mund të të takojmë, duke e ditur se e kemi një Atë, që mund ta takojmë e ta adhurojmë e nuk jemi jetimë.
Na ndihmo ta shërojmë plagën e urisë, rënduar nga konfliktet dhe shpërdorimet e pamasa, për të cilat shpesh jemi fajtorë.
Na bëj të aftë të mbrojmë të pambrojturit, posaçërisht fëmijët, gratë, pleqtë, shpesh objekt i shfrytëzimit e i braktisjes.
Bëj që të mund t’i mjekojmë vëllezërit e goditur nga epidemia e ebolës në Guinea Konakrì, Sierra Leone e Liberi, e edhe të tjerët, të prekur nga sëmundjet, që përhapen edhe për shkak të mungesës së mjekimeve e të varfërisë së plotë.
Ngushëlloi ata, që sot nuk mund t’i kremtojnë Pashkët me të dashurit, sepse të detyruar të shkëputen padrejtësisht nga dashuria e tyre, ashtu edhe njerëzit e tjerë të shumtë, meshtarë e laikë, të rrëmbyer në vende të ndryshme të botës.
Ngushëlloi ata, që janë larguar nga trojet e tyre për të emigruar në vise, ku mund të shpresojnë në një ardhmëri më të mirë, ta jetojnë jetën me dinjitet e shpesh herë, edhe ta praktikojnë lirisht fenë e tyre.
Të lutemi, o Jezus i lumnueshëm, premto të pushojë çdo luftë, çdo armiqësi e madhe a e vogël, e vjetër a e re.
Të lutemi, posaçërisht, për Sirinë, Sirinë e dashur, që ata, të cilët vuajnë pasojat e konfliktit, të mund të marrin ndihmat e nevojshme humanitare e palët në ndeshje të mos e përdorin më forcën për të mbjellë vdekje, posaçërisht kundër popullsive të pambrojtura, por të kenë guximin të bisedojnë për paqen, që pritet tashmë prej shumë kohe.
Të lutemi t’i ngushëllosh viktimat e dhunës vëllavrasëse në Irak e t’i mbështetësh shpresat, që ngjalli rifillimi i bisedimeve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve.
Të lutemi të marrin fund ndeshjet në Republikën Qendrafrikane e të ndalen atentatet e egra terroriste në disa zona të Nigerisë e dhuna në Sudanin e Jugut.
Të lutemi, që shpirtrat të kërkojnë pajtimin e harmoninë vëllazërore në Venezuelë.
Për Ngjalljen tënde, të cilën sivjet e kremtojmë së bashku me Kishat që ndjekin kalendarin julian, të lutemi t’i ndriçosh e t’i frymëzosh nismat e paqëtimit në Ukrainë, që palët e interesuara, të ndihmuara nga Bashkësia Ndërkombëtare, të rifillojnë të gjitha përpjekjet për ta ndaluar dhunën e për të ndërtuar, me shpirtin e unitetit e të dialogut, ardhmërinë e vendit.Për të gjithë popujt e Tokës, të lutemi, o Zot: Ti, që ngadhënjeve mbi vdekjen, na e jep jetën tënde, na e jep paqen tënde!
Obama: Ditët e shenjta na kujtojnë përgjegjësitë ndaj Zotit dhe njëri-tjetrit
Presidenti amerikan Barack Obama foli sot në fjalimin e tij të përjavshëm për kuptimin e Javës së Shenjtë dhe Pashkëve për të krishterët.
Zoti Obama tha sot se ditët e shenjta na kujtojnë për “përgjegjësitë tona ndaj Zotit dhe, si fëmijë të Zotit, për përgjegjësitë ndaj njëri-tjetrit”.
Presidenti tha se ai dhe shumë të krishterë të tjerë, gjatë Javës së Shenjtë dhe Pashkëve, “kujtojnë mirësinë e një Zoti të jashtëzakonshëm, që na deshi aq thellësisht saqë na dhuroi birin e tij”.
Zoti Obama tha se në këtë periudhë të vitit është e udhës të kujtojmë “fillin e përbashkët të njerëzimit që na lidh të gjithëve, jo vetëm të krishterë dhe hebrenj, por edhe myslimanët, hindutë dhe sikët, i cili është përkushtimi ynë i përbashkët për të dashur fqinjët dhe veten”.
Imzot Rrok Mirdita dhe Kryepeshkopi Janullatos Urojnë Pashkët
Imzot Rrok Mirdita dhe Kryepeshkopi Anastas Janullatos,nëpërmjet mesazheve i kanë uruar besimtarët katolikë dhe ata ortodoks të festojnë në paqe e harmoni Pashkët kristiane. Në ditën e rinjgjalljes së Krishtit ata i kanë uruar besimtarëve të udhëhiqen nga drita, të kenë paqe dhe më shumë mirëkuptim në mes tyre. Të festojnë fitoren e Zotit dhe ditën që duhet të na fuqizojë besimin reciprok. Duke i ftuar të besojnë tek Ngjallja e Krishtit, Imzot Rrok Mirdita, Primati i kishës katolike shqiptare, adresoi mesazhin: “Në shoqëritë tona nuk mungojnë dhimbjet, vuajtja e të pafajshmëve, por kujtohuni se i rinjgjalluri thotë sot mos kini frikë.
Festojmë sot fitoren e Zotit. I themi çdo burri dhe çdo gruaje mos kini frikë! Krishti i Ringjallur i mbushtë me shpresë jetët e gjithësecilit”.
Ndërkohë qëKryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos lëshoi këtë mesazh urimi:
” Krishti tha:”Kështu le të ndrisë drita juaj para njerëzve që të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të falënderojnë Atin tuaj në qiell.Kjo dritë paskale e tërëbardhë, me të gjitha ngjyrimet e saj, le të na zgjojë gjatë gjithë periudhës së sivjetshme paskale dhe le të udhëheqë, besimtarë dhe besëpakë, në një përpjekje të re, për më shumë mirëkuptim të ndërsjellë, pajtim, vëllazërim dhe ecuri krijuese…!”
”VETËKLONIMI I MASKËS” I ZYHDI DERVISHIT
ME HIJET DHE RETË E ZYHDI DERVISHIT NË METSTAZAT, UDHECAKET, STUHITE, TORNADOT DHE CUNAMET E KOHËS, NË LIBRINE TIJ ME TE RI ME POEZI ”VETËKLONIMI I MASKËS”
Nga Sokol Demaku/
Një rrugëtim në retrospektiv në buqetën peotike, të Zyhdi Dervishit, ”Vetëklonimi i maskës”, lexuesi bënë një ecje në kohën në të cilën poeti në vite, në rrugëtimin e tij ecanak mundi të shoh, të ndjej dhe të vlerësoj qeshtje themelore të jetës së njeriut, në situata dhe kushte jetese të ndryshme. Në vagun e tij ai ka rezervuar një hapësirë të gjerë, të jetës me baticat dhe zbaticat në skenat e përditshmërisë sonë.
Vëllimin poetik “Vetëklonimi i maskës” autori e qelë me shkrimin: “Tim eti, një mësusi idealist të kësaj bote”, cka na jep me kuptue se autori këtë buqetë poetike ia kushtin babait të tij, mësues gjeneratash, në kohe¨.
Ky vëllim me lirika ku krijimet ndërthuren me ndjenjën e shpirtit për realitetin e kohës në të cilën jeton autori me vargun e tij prej perle zbutë rrokjet dhe tingujtë për të shprehë ndjenjën dhe mrekullin përmes emocioneve që ai ka dhe ndjenë, dashuria ndaj së mirës që autorin e mbanë gjallë dhe dhembja e cila e prekë në sedër, por koha eshtë e pa kohë.
Autori librin ka ndarë në shtatë kapituj por e fillon me poezinë “Ylberi i zgjimit” ku ai me mjaftë mjeshtri përdorë hipërbollën dhe analogjinë për të shprehurë ndjenjën e tij që ai mban në shpirt kur thotë:
Në dy male të lartë u mbështeta
Si në dy këmbë.
Trupi m`u lartësua si llavë e zjarrtë
E shpërthimit vullkanik
Të gjakut e palcës
Së dy këmbëve-male.
Ky rrugëtim poetik i autorit fillon me kapitullin “Përballë cunameve” e që po të e kthejmë në fjalorin tonë këtë si duket ne do kemi huazime të cilat nuk janë pjellë apo pjesë e jona sepse këto rryma të fuqishme, këto lëkundje si një fatkeqësi që rendon mbi supet e njerëzve e këtë autori e ilustron për mrekulli në poezinë e tij “Autodafe” me të cilën dhe e qelë këtër buqetë poetike kur thotë:
Më digjni në furrat e gëlqerës
Ose më bluani të gjallë
Në mokrat që s`bluajtën kurrë
Miell gëzimi.
……..
…se në tokën time
Deri në mpiksjen e mbarme të gjakut
Përjetësisht jam dashuruar.
Hijet dhe retë të cilat janë prezente në vargjet e poetit vijn edhe sa i shtojnë ndjenjat e lexuesit në metastazat dhe udhecaket ku stuhit, cunamet, tornadot shpeshherë rebelohen dhe për herë këto metastaza kanceroxhene shaktërrojnë cdo gjë në këto troje. Këtë e shprehë me një sarakzëm të qiltër autori tek poezia “Metastaza ballkanike” kur thotë:
Në Ballkan
Para barelievit të varreve
Qiparisat nuk përulen
Nga përlotjet e stuhive
Tropikale.
……………………..
Në Ballkan
Stuhitë e tajfunet e tornadot e cunamet
Rebelohen në tela me gjemba
Të nervave të tendosura e të skuqura
Prej mënisë e zmerimit.
Mbi kafkat e ballkanasve
Zgjaten e kërleshen
Metastazat kanceroze
Të vetëshklatrrimit.
Pra poeti është ai i cili përjetoi këto metastaza ballkanike të cilat kanë lënë gjurmë jo vetëm në jetën e tij por edhe tek bashkëkombasit e tij dhe se edhe sot ato ndjehen dhe kanë ndikim. Kjo më së miri përshkruhet tek poezia “31 Dhjetor” kur poeti thotë:
U zvarrit si gaforrja dhe një vit i mbrapshtë
Me mundime, dhimbje e strese.
Poltika-shtigë më shtrigane
Turbulloi edhe cdo pikël vese.
Kapitulli i dytë i kësaj buqete poetike nga autori është titlluar “Retina të plagosura” e ku përmes klithmave e zërave të trazuar të mbretërve të xhunglës jeta ishte mbyturë në nota të ligësisë njerëzore të kompozuara për këtë rast, e ai në poezine e tij “Pentagrami i rrenimit” thotë:
Nuk më tremb hungërima e ujkut
Në xhunglën e fererme të ferrave.
As ulërima e luanit kur më shtërngon
Me morsën e kthetrave
Të uritura të bëbëzisë.
Më gërryen themelt e shpirtit
Mjaullima e maces kompozitor
Me notat më të ndotura të ligësisë.
Jeta vazhdon me peripecitë e saja por edhe me të gjitha ato ligësit të cilat njeriut i rrinë mbi kokë nga ajo re e murrme e cila ka mbuluar kupollën qeillore. Sa bukur e përshkruan poeti këtë me një pesimizëm sarkonik ku si duket se kjo re ka zerë vend këtu dhe se do jetë këtu me vite. Ja si përshkruan poeti këtë tek poezia: “Nën hijen e qiellit” kur thotë:
Një re e murrme
Më rri mbi kokë
Si pelerinë.
Herë ngjeshet si shaptë
Herë mblidhet si kanë
Herë godet si vetëtimë.
Këto ndjenja, këto vuajtje nëpër faqet e historisë sonë sa te hidhura dhe të ashpra prap se parpë njeriun nuk arritën ta stepin por ai me forcën dhe durimin e tij u strehua dhe diti të mbijetoj fatin, i cili ishte shkruar për të. Dhe edhe pse në kushte të vështira mbijetoj të gjitha në strehën e tij të kasollës se varfër shekullore. Kështu e shprehë ndjenjen e tij autori përmes poezisë “Strha ime” kur thotë.
Goditur nga breshëri
Rrebesh trishtimi.
Rrekem të gjejë strehë
Në kasollën mbuluar
Me kashtë të thinjur
Mundimi e stërmundimi.
Por jeta vazhdon me ritmin e saj në faqet e histirsë sonë të zymt në vite, me skenare dhe lojëra te hidhura e ku peti ndjen pezmin dhe pesimizmin e tij në jetë. Këtë ai e shprehë me poezinë e tijn të fundit në këtë cikë me titull: “Kotësi” kur thotë:
Në guvat e qeta të varreve hedhin lule
Petale të rëna nga cikma zie.
Më kot rreken të mbuhsin me lule varret-
Humnera pafund padrejtësie.
Në ciklin e tij të tretë titlluar “Guaska drite dhe gurëzime” poeti na del më optimist për jetën dhe se edhe vargu i tij ndjehet më i butë por prap me ate zjarrin e tij rinor i cili mundohet që jetën ta qoj përpara dhe të ndjej ate cfarë cdo kush e dëshiron, e këtë e ndjen lexuesi përmes vargjeve të peozisë “Sytë e përjetësisë” ku autori thotë:
Një foto drite
Gremiset nga
Maja e qiparisit.
Përmbytete e përmbytet
Por nuk zhbëhet
Në këllirat e gjirizit.
Dhe se optimizmi i poetit vjen dhe bëhet edhe me i zjarrt në poezinë “Lot dhe re” ku ai ndjen dhe sheh se dicka po levizë dhe se edhe natura po e ndjen se do vijnë ditë më të mira, ditë kur bora e kurorave te maleve do shkrihet përgjithmonë dhe ai thotë:
Bora e kurorës së maleve
Në valle rrethanore u shkri
Ndër mijëra mote.
Lotët e maleve rrëke rrodhën
Dhe rrjedhin nën dhe.
Kur njeriu del nga mjegullnaja dhe nga ajo e cila e rendon shpirtine tij, nuk duhet harrua se ai lidhet, tek hyjnitë por edhe përenditë, që të kthejnë buzëqeshjen, sepse dashuria njerëzore është ajo e cila krijon mrekulli në jetë. Sepse tornadot e mëkateve edhe Krishtinv e kryqezojnë e poeti e sheh këtë kështu përmes poezise se tij “Mos” kur thotë:Tornadot e mëkateve/Krishtin e kryqëzojnë dhe rikryqëzojnë/ miliarda herë/ në sekondë/ në kryqin/ e katër horizonteve.
Një fjalë filozofike shqipe thotë:“Njeriu nuk është i përjetshëm, le të përpiqet të jetë e pavdekshme ajo që do tëthotë dhe ajo që do të bëjë”.
Poeti vazhdon rrugëtimin e tij poetik me bargjet në kapitullin vijues “Vargmale ngujimi” një titull sa simbolik për trevat tona e poeti tek poezia “Kockat e dinjitetit” thotë: Të drejtën e shkrirë në qenien e tij/ia përgjakën me dhëmbëzit/ e harkuar të drapërit/.
Kockat e shpirtit iu polarizuan vertikalisht/sipas ligjeve të harruara/ të dinjitetit/.
Zyhdi Dervishi duket si një burim i pashterrshëm frymzimi i atyre lirikave të cilat ai i vargon në kapitullin vijues “Horor vaciu” ku na del një optimizëm prekës kur thotë tek poezia “Një grimë”: Qindra mijëra kilometra/ njerëzit ngjiten mne anije kozmike/në rrathët e qiejve të shumfishuar./A ngihen qoftë edhe një grimë/ mbi veten e zvetënitur?/
Jeta ndertohet me shijen e petaleve të luleve më të bukura që egëzistojnë në tokë e ato së bashku krijojnë kopshtin e lulëzuar që njerëzit ta shijojnë të lumtur, e kur njeriu ushqehet me një aromë të tillë, ai nektar e embëlson jetën dhe ai është një dhuratë e bukur për njeriun.
Zyhdi Dervishi e përfundon rrugëtimine e tij poetik me kapitullin nga i cili mori edhe titullin ky vargëtim “Vetëklonimi i maskave” e ku me poezinë e ketij kapitulli me titul “Vetëngujim gjenetik” poeti ve në pah atë kopsht lulesh që une përmenda më lart por me një sens tjetër dhe me një ide dhe mendim kritik për njeriun kur thotë:
Si barinj në kopshtet e mirazheve
Me alkiminë e tjetërsimit
Njerëzit e kohës sonë
Vetëklonohen 1001 herë.
T¨åe klonuarit e njetë si narcisë
Dashurohen mes veti.
Në retinat e syve
Nuk u gjallojnë më
Silueta njerëzish
Të tjerë.