• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBLEDHJA E 14 PRILLIT 1912 I PRIU THEMELIMIT TË FEDERATËS VATRA

April 16, 2014 by dgreca

Dr. K. Kota, si delegat i shoqërisë “Mirëbërëse” të Syracuse-it nuk u ndodh dot në këtë mbledhje sepse ishte thirrë në Southbridge, ku atdhetarët e atjeshëm, i kishin besuar atij celjen e shkollës shqipe. Ndërsa Editorit të Diellit, Kristo Floqit, i duhej të mblidhte ndihma për Diellin nëpër Koloni/
Në këtë mbledhje që i parapriu mbledhjes themeluse, Komisioni dhe delegatët u mblodhën, dhe sic përshkruhet në Rekordin VIII, në mbledhjen e 14 Prillit 1912, arritën që;
1- Të votohej në tërësi Kanunorja e Federatës VATRA
2- – U porositën të gjithë delegatët që të sillnin në mbledhjen tjetër një raport të plotë në të cilin të rrëfeheshin:
a- Numëri dhe emrat e anëtarëve të Shoqërisë që përfaqësonin
B- Kapitali i thatë që kishte cdo shoqëri
C- Plackat dhe plenget e tjera të cdo shoqate që përfaqësonin
3- Mbledhja tjetër, që do të shënonte edhe themelimin e Federatës Vatra, do të bëhej më 28 Prill 1912. Vendi i takimit do të ishte salla e Kishës së Shën Gjergjit, që aso kohe ndodhej në adresën 227 Tremont Street, Boston.
4- Në mbledhjen e 28 Prillit do të zgjidhej Komisioni i përkohshëm i Federatës, i cili do të vepronte derisa të organizoheshin plotësisht degët e Vatrës.

Komisioni i Bashkimit
AT FAN NOLI
PASKAL ALEKSI
FAIK KONITZA
KRISTO FLOQI

DELEGATËT
ELIA TROMARA
KOSTA VASIL
KRISTO KIRKA
KOSTA KOTA
LAMBI CHIKOZI
NE FOTO: KOMISIONI THEMELUES I VATRES, 28 Prill 2012

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: MBLEDHJA E 14 PRILLIT 1912 I PRIU THEMELIMIT, TË FEDERATËS, Vatra

GRENADIRËT E NAPOLEONIT, PERKTHYER NGA FAN S NOLI

April 16, 2014 by dgreca

Një përkthim i Nolit/
GRENADIRËT E NAPOLEONIT/
Heinrich Heine/
(1797-1856)/

Për Franc’ u nisnë të dy grenadirët;/
Na ishin zënë robër në Rusi,/
Dhe në kufi të Nemces kur arrinë/
Kokën e varn’ e zunë vaj e zi./

Dëgjuan lajmën q’u pikoj në xhan/
Që Franca ish e humbur plotërisht,/
Q’ asqer i Math ish mundur, mor aman,/
Dhe Mbreti or Mbreti na u-zu jesir./

Ahere qanë hidhur grenadirët
Kur muarnë mandatën për vajtim;
Dhe njëri tha: “Ajme, zëmra më çiret,
Më ther një plag’ e vjetër pa shërim!”

Dhe tjatri tha: “Havazi mori funt!
Njëlloj të vdes me ty dhe unë dua,
Po kam foshnj’ e grua në katunt
Dhe do të mbeten udhëve pa mua.”

“Or mall s’të kam për foshnj’ e grua plakë,
kam një dëshirë më të lart’, o bir;
ngordhçin të gjithë rrugës liparakë,
kur Mbreti or Mbreti na u-zu jesir.

“Këtë dëshirë m’a mbaro, or vlla,
nëqoftëse tani të le shëndet:
trupin m’a shpjerë në Francë, në vatan,
në Francë më mbulo me salltanet,

“Kryqin kordhelë-kuq, nishanin tim,
m’a var, të lutem, përmbi zëmrën time,
dhe në të djathtën nem dyfekun tim,
edhe në brezin ngjish-më shpatën time.

“Kështu pra, do të shtrihem, do të pres
në varr si në kaushin gardian
gjer ditën kur topi gjëmon, kërcet,
dhe kali hingëllin mbi çdo dushman.

“Ahere Mbreti më kalon mbi varrin,
këllçet, vetëtijn’ edhe kërcasin;
dhe unë i armatosur dal nga varri
dhe Mbretn or Mbretn’ e mpronj të mos m’a ngasin.”

(Shënim: Kur u-botua kjo vjershë për herën e parë, kundrështarët e akuzuan vjershëtorin si monarkist e tradhëtor. Akuza ish e pathemeltë. Vjershëtori e adhuronte Napoleonin si liberator ndërkombëtar, dhe kishte shoke me ato ndjenja në tërë botën Evropiane.
Këtë vjershë elegjiake të mallëngjyer e pavdekësoi si këngë me muzikë Robert Schuman-i, kompozitor Gjerman. E përktheu shqip nga gjermanishtja Namik Namazi, më 1 Qërshor 1963).
Vjersha u botua në “Dielli”, më 19 qershor 1963.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: GRENADIRËT E NAPOLEONIT, Hajne, perktheu Noli

Genocidi i poezisë shqipe

April 16, 2014 by dgreca

Poetëve dhe shkrimtarëve të vendit tim, viktima të pafajshme të terrorit komunist/
Nga Gezim Hajdari*/
Historia e poezisë shqipe është më tragjikja në Evropë. I ashtuquajturi “realizëm socialist”
(manifesti i artit partiak) si në asnjë vend tjetër të botës, ka shterpëzuar dhe vrarë gjysmë shekulli të kulturës sonë kombëtare. Kundër letrarëve shqiptarë është ushtruar një masakër e programuar dhe e padëgjuar ndonjëherë.
Në asnjë tjetër vend evropian nuk janë vrarë kaq poetë sa në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Numri i intelektualëve shqiptarë të masakruar mizorisht e tejkalon atë të Rumanisë, Polonisë dhe ish-Çekosllovakisë të marra sëbashku. Për këtë “holokaust” s’është folur
kurrë deri sot përtej kufi jve të Shqipërisë, përkundrazi, është bërë ç’është e mundur për ta fshehur. Madje edhe gazetarë, shkrimtarë e politikanë perëndimorë u kanë servirur një realitet të rremë popujve të tyre. Artikujt dhe reportazhet që ata kanë shkruar e kanë fshehur të vërtetën e hidhur. Adhuruesit e Revolucionit Kulturor kinez nuk ishin vetëm të majtët evropianë, por edhe eksponentët politikë të moderuar e liberalë. Valéry Giscard d’Estaing, në atë kohë President i Republikës Franceze, e ka quajtur (marrëzinë e mësipërme) “një fener i mendimit njerëzor…”1
Mund të thuhet pa ngurrim se opozitarët e parë të kastës gjakësore të Enver Hoxhës ishin pikërisht poetët.
Ata u përleshën heroikisht, pa kursyer as jetën, kundër terrorit të kuq. Diktatori i frikësohej tejet zërit të poetëve, ndaj vendosi të përdorte grushtin e hekurt, duke ndërsyer kundër tyre Sigurimin e Shtetit. Shpesh, dënoheshin jo vetëm poetët dhe shkrimtarët, por edhe veprat e tyre, madje përdhoseshin edhe varret ku preheshin eshtrat e martirëve. Kush zinte në gojë emrat e “poetëve reaksionarë” kryente një herezi të madhe e mund të përfundonte në biruca, pa gjyq. Inkuizicioni shtetëror ishte i dhunshëm, i tmerrshëm dhe rrëqethës. Vendi u kthye në një qimiter të llahtarshëm. Lista e këngëtarëve të pushkatuar nga regjimi është e gjatë dhe i përngjan një gojëdhëne të pabesueshme, mjaft on të përmendim emrat: Mark Çuni, Ndre Zadeja, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi e Genc Leka, Havzi Nela. Vdiqën në burgje Vinçenc Prennushi, Et’hem. Haxhiademi, Bernardin Palaj, Qemal Draçini.
Dënimi kapital shpesh i linte vendin vrasjes apo burgimit të përjetshëm. Në fund të fundit, ishte po e njëjta gjë. Mbyllur në qelitë e kobshme, Kudret Kokoshi, Kasem Trebeshina,
Frederik Reshpja, Musine Kokalari, Lazër Radi, Mark Ndoja, Petro Marko, Ylber Merdanì, lanë nëpër birucat e Spaçit e të Burrelit, vitet më të bukura të jetës, duke u kthyer në shtëpi me kockat e mplakjes dhe vragat e torturave mizore.
Shumë prej tyre s’arritën ta gëzonin as agimin e vonë të lirisë.
Me qindra studiues dhe artistë vdiqën në kampe internimi, të sëmurë, pa mundur të mjekoheshin.
Trupat e tyre u hodhën në hone si ushqim për derrat e egër dhe ujqërit. Kasaphana e inkuizicionit të Enver Hoxhës praktikonte mij ëra forma për të dërrmuar “armiqtë e kombit” e të komunizmit, duke detyruar shumë artistë dhe njerëz të kulturës t’i nënshtroheshin punës së krahut për “riedukim ideologjik” në kolkozet komuniste, si Faslli Haliti e Sadik Bejko. Mjaft poetë u dënuan me heshtje të detyruar për gjysmë shekulli, si Lasgush Poradeci, Sejfulla Malëshova, Lek Previzi, Primo Shllaku. Në harkun e këtyre viteve këta autorë nuk botuan kurrgjë. Por kalvari i armiqve të diktaturës nuk kishte fund. Poetët “tradhtarë të popullit”, sapo liroheshin nga qelitë e burgjeve, i detyronin të nënshkruanin si bashkëpunëtorë të Sigurimit. Pas kësaj, dërgoheshin në kampe internimi, të privuar nga të drejtat qytetare për gjithë jetën. Të njëjtin ndëshkim pësonin edhe bij të e “armiqve të kauzës”, këta të fundit duhej të lindnin dhe të vdisnin në lager, duke u mohuar edhe të drejtën e të shkruarit. Jozef Radi e Ferdinand Laholli mundën t’i botonin vëllimet e tyre vetëm pas rrëzimit të regjimit të kuq.
Përballë një terrori të tillë, nisin përpjekjet për ta braktisur tokën njerkë.
Të paktit poetë që mundën të arratiseshin, duke kaluar telat me gjemba të kufi rit, ishin: Arshi Pipa, Isuf Luzaj, Martin Camaj, Havzi Nela, Bilal Xhaferri e Gjek Marinaj. Persekutimi nuk kufi zohej vetëm në territorin shqiptar, por hij a e Sigurimit famëkeq i përndiqte kudo thjeshtrit, që kishin pranuar të bashkëpunonin me djallin e Perëndimit kapitalist. Në romanin “Mërgata e
Qyqeve”, Nasho Jorgaqi, i paraqet shkrimtarët e arratisur si qyqe të vetmuara e groteske, armiq dhe kriminelë.
Në krahasim me vendet e tjera totalitare të Lindjes, ku intelektualët edhe mundnin ta linin atdheun e tyre për t’u strehuar në Evropën Perëndimore apo në SHBA, kontrolli policor mbi poetët dhe shkrimtarët, nuk mund të shmangej aq lehtë në një komb të rrëgjuar si Shqipëria.
Izolimi i plotë nga bota, mungesa e kontakteve me përvojat historike të letërsisë moderne evropiane, bënë që marksizmi të ishte i vetmi parim estetik i artit dhe i poezisë. Kjo strategji ishte pjesë e politikës kulturore të teorizuar nga Lenini në Rusi, helmuar nga ideologjia, e
cila kishte si qëllim krij imin e një letërsie kombëtare të vendeve të Lindjes, në kundërshtim me idenë e Gëtes për një letërsi universale, ku imazhi i poetit duhet të rrijë përmbi ideologjitë dhe kornizat. Intelektuali, për Enver Hoxhën, ishte ndihmës i Partisë për edukimin e njerëzve,
krahu i djathtë i pushtetit të diktaturës së proletariatit, pra levë në duart e partisë komuniste. Ndoshta krimi më i tmerrshëm i regjimit ka qenë pikërisht shtypja e poetëve, vrasja e tyre. Përballë një tragjedie të tillë, bënte përshtypje heshtja e Evropës. Në të vërtetë, asnjë vend
perëndimor nuk e ngriti zërin kundër shfarosjes së poetëve e shkrimtarëve në Shqipëri.
Nën pretekstin e një bote të re – të diktaturës së proletariatit – synohej shkatërrimi i traditës së pasur kulturore të së kaluarës, nëpërmjet dënimit dhe zhdukjes fi zike të autorëve dhe veprave përkatëse.
Sigurimi projektoi gjahun e shtrigave. Gjithë poetët dhe intelektualët e viteve ‘30, që nuk e pranuan kursin e ri politik të Enver Hoxhës, u pushkatuan pa gjyq, nën akuzën: “kolaboracionistë të fashizmit”, “reaksionarë”, “borgjezë” o “kundërrevolucionarë”.
Qëllimi ishte asgjësimi i trashëgimisë letrare të së kaluarës dhe shkëputja e Shqipërisë nga Evropa. Madje, ai censuroi deri edhe babanë e romanticizmit shqiptar.
Vargjet mistike të Naim Frashërit (1846-1900), i cili i përkiste vëllazërisë së bektashinjve, s’e panë kurrë dritën e botimit.
“Realizmi socialist” njohu vetëm krij imtarinë patriotike të autorit. “Shpata e Demokleut” ra rrufeshëm edhe mbi trashëgiminë letrare “reaksionare” të mjaft prift ërinjve katolikë dhe myslimanë. Regjimi dekretoi mbylljen e dhjetëra revistave dhe gazetave, shoqatave kulturore,
shtëpive botuese e tipografi ve. Gjithë krij imtaria letrare e poetëve, që ktheheshin nga Evropa “borgjeze” e “reaksionare” u vunë nën kontrollin e rreptë të censures shtetërore. Tash e tutje, jo çdo njeri mund të shkruante e të botonte, për çfarëdolloj krij imi letrar vendoste kritika
proletare, e cila merrte urdhër nga Komiteti Qendror i Partisë.
Lista e librave të ndaluar zgjatej nga viti në vit. Ata që vinin nga familje të padëshiruara për partinë e komunistëve nuk duhej të guxonin t’i afroheshin të vetmes shtëpi botuese “Naim Frashëri”. Ndaj përmbledhja poetike e të riut Izet Shehu përfundoi në karton. Të njëjtin fat pësuan edhe ish të burgosurit.
Vëllimet e poetëve: Pano Taçi, Zef Zorba, Jorgo Bllaci,Visar Zhiti, Maks Velo e dhjetëra poetëve të tjerë mundën të shpërndaheshin nëpër libraritë vetëm pas rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha.
Shqipëria, ashtu si Medea shqyente bij të e saj! Periudha e parë nis me brezin e viteve ’30.
Vitet ’30 do të mbesin në historinë e letërsisë e të kulturës shqiptare si vite madhore. Rrugëtimi për të ardhur deri këtu s’ka qenë aq i lehtë, por i tërthortë e tejet i mundimshëm. Siç dihet, gjatë pesë shekujsh pushtimi dhe obskurantizmi, vendi ynë njohu veçse rrënim e prapambetje; gjuha, kultura dhe spiritualiteti shqiptar ishin të ndaluara me ligj nga Porta Sublime e Sulltanëve
të Stambollit. Ndërsa kombi vuante nën mantelin shtypës të perandorisë osmane, memoria shqiptare ruhej e trashëgohej nga brezi në brez nga arbëreshët, shqiptarët e Italisë, të cilët, për t’i shpëtuar mizorisë turke, pas vdekjes të Skënderbeut, u vendosën në Siçili,Kalabri, Molise, Bazilikatë e në Marke. Në fakt, pionierët e poezisë kombëtare, si De Rada, Gavril Dara i Riu e Zef Serembe, nuk kursyen as jetën për t’u shërbyer gjuhës dhe kulturës së të parëve. Të vetmit letrarë, që thurnin vargje gjatë pushtimit turk ishin poetët popullorë, të cilët jetonin në Shqipërinë qendrore. Ndërkohë, jashtë kufi jve të vendit zhvillohej një veprimtari e dendur letrare e
patriotike, e cila kishte si synim parësor kundërshtimin e politikës antishqiptare të fuqive evropiane. Kajro, Sofj a, Bukureshti, Brukseli e qytetet Boston e Çikago në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vatra të fl akta ku jetonin e shkruanin poetët e Rilindjes shqiptare.
Veprat e poetëve P. Vasa, N. Mjeda, N. Frashëri, Çajupi,Asdreni, Noli zgjuan në ndërgjegjen e popullit ndjenjën e identitetit dhe të pavarësisë kombëtare. Gazetat dhe shoqatat e intelektualëve shqiptarë në azil luajtën një rol mjaft të rëndësishëm në pasqyrimin e këtyre ngjarjeve.
Në fund të viteve ’20, dhe në fi llim të viteve ’30, kryeqyteti i kulturës shqiptare u bë Shkodra. Botimi i revistave nga kleri katolik dhe forcat laike i dhanë një shtytje të re jetës kulturore të vendit. Në faqet e revistave: “Hylli Dritës”, “Albania”, “Leka”, “Përpjekja”, “Minerva”, “A.B.C.”, “Arbëria”, Shtypi, Flaga shkruajnë intelektualë, poetë, shkrimtarë, fi lozofë dhe politikanë, si Gj. Fishta, L. Shantoja, V. Prennushi, G. Pali, E. Koliqi, L. Radi, E. Çabej, Dh. Shuteriqi, A. Varfi , N. Bulka, P. Marko, Migjeni, B. Merxhani, V. Koça, F. Konica, A. Kuçi.
Shembulli i Shkodrës zgjon adhurim në mbarë vendin, në Korçë shohin dritën e botimit “Gazeta e Korçës” e “Zëri i Korçës”, ndërsa në Elbasan, “Kopshti letrar”, “Shkumbini”, “Ura e Shkumbinit”. Në 1932, N. Bulka boton artikullin Horizonte të reja të letërsisë kombëtare dhe
Për një letërsi të re, që mund të quhen si pre-manifeste të “realizmit socialist” në Shqipëri. Në Shkodër nisin të qarkullojnë ide iluministe e përparimtare, mendimi filozofi k evropian dhe jehona e revolucionit Bolshevik mbërrij në deri në brigjet e Adriatikut. Ndërkohë, krij ohen
dy kahe: kultura dhe mendimi klerikalo-borgjez dhe nga ana tjetër mendimi i shkrimtarëve të rinj “demokratë”.
Polemikat mbi ideologjitë, historinë dhe kulturën, të pasqyruara në shtypin e kohës, ngjallën mjaft interes.
Lloji letrar, që spikat më shumë gjatë këtyre viteve është poezia, por nuk mungojnë edhe romani e dramaturgjia.
Tema kryesore që karakterizon prodhimtarinë letrare është sensi kritik kundrejt shoqërisë dhe regjimit feudal shqiptar. Tashmë në mbarë Shqipërinë qarkullonin ide revolucionare. Shtypi përparimtar boton romanin Nëna të Gorkit në fashikuj. Poeti Lazër Radi, në esenë
e tij të mrekullueshme Shqipëria në vitet ’30, shkruan se gjatë atyre viteve rinia studentore lexonte Dostojevskin, Tolstojin, Çehovin, Servantesin, Gëten, Shilerin, Shekspirin, Cvajgun, Balzakun, Bodlerin, Verlenin, Malarmenë, Barbysin, Zhidin. Revistat “Përpjekja
Shqiptare” dhe “Illyria” recensojnë Shopenhaurin,Platonin, Niçen, Sokratin, Frojdin, Dekartin.
Një klimë e tillë e përfl akur nuk zgjati shumë. Me ardhjen në pushtet, si kryeministër më 1924, Ahmet Zogu urdhëroi mbylljen e gjithë organizatave demokratike, ndërsa mbi shtypin mbretëron një censurë e rreptë. Në veprim tinzar hidhet edhe Partia e Legalitetit, e cila nis likuidimin e kundërshtarëve politikë. Ata, që mundin të shpëtojnë, arratisen jashtë, në Itali, Francë, Austri e në Amerikë, ku ndërmarrin sërish veprimtarinë politike e letrare të lënë përgjysmë. Por masat ndrydhëse të Zogut nuk ndalen me kaq, shkëlqesia e tij urdhëron mbylljen e të gjitha shoqatave dhe teatrove, që kishin shfaqur në skenat e tyre komeditë e Molierit, Goldonit dhe dramat
e Shilerit. Ngjarjet rendin në mënyrë marramendëse. Më 1 shator 1928, Shqipëria shpallet mbretëri dhe Ahmet Zogu vetëshpallet mbret i shqiptarëve.
Brezi i këtyre viteve përfaqësohet nga poetë të shquar, si Fishta, Migjeni, Shantoja, Prennushi, Palaj, Noli, Migjeni, Poradeci, Koliqi, Haxhiademi, Kokoshi, Pali, L. Radi e Pali. Pjesa më e madhe vinin nga Shkodra, e cila qe djep i kulturës kombëtare. Këta poetë përuruan një stinë të re për gjuhën dhe fj alën poetike shqipe, veç kësaj rivendosen kontaktet e lashta midis brigjeve.
Dikur Katuli e quante Durrësin taverna e Adriatikut ndërsa Horaci i këndonte kopshteve të bukura të Vlorës. Prift ërinjtë mendjendritur shkodranë dhe mistikët bektashi të traditës islamike u bënë mbartës të papërsëritshëm të kulturave evropiane më të begata në Shqipëri. Shumica kishin studiuar në universitetet më në zë të Evropës. Duhej të ishin themelet e kulturës
së kombit dhe shtetit demokratik shqiptar, ndërsa u varrosen të gjallë nga xhelatët injorantë dhe analfabetë të faraonit të kuq, të akuzuar si “armiq të popullit”.
1. Federico Rampini, Rivoluzione culturale, Mao, il mito di carta da Moravia
a Parise, La Repubblica 22 gennaio 2006.
Shënim: (Poeti, studusi, gazetari Gëzim Hajdari është nga antikomunistët që u ngritën me guxim kundër sistemit komunist në Shqipëri. Ai eshte nder krijuesit e deges se PR per Lushnjen dhe celjes se gazetes se pare antikomuniste ne kete qytet”Ora e Fjales”.Që prej vitit 1992 ai jeton në Itali dhe është nga poetët dhe studuesit më në zë. Shkruan në dy gjuhë, italisht dhe shqip. Përzgjodhëm këtë fragment nga libri i tij i ri, që ai pati mirësinë të na e dërgoje. Libri ka 313 faqe dhe eshte shkruar nga vitet 2002 deri në 2009. Ka dale nga shtypi në 2010. (Dielli-Arkiv)

Filed Under: Analiza Tagged With: Genocidi i poezisë shqipe, Gezim Hajdari

HYMNI I VATRES

April 16, 2014 by dgreca

HYMNI I VATRES/

Vëllezër u dërmua/
Errësirë e skllavërisë/
Lindi me dirsë nderi/
Një djell plot gëzim./

VATRA kështjell’ e dashur/
E mëmë Shqipërisë/
Me dashuri na mblodhi/
Rreth shkabës në mërgim./

Për dashuri dhe për bashkim
Rreth VATRES të pandarë
Bashkojuni me një qëllim
Si burra Shqipëtarë.

Muzika Ajdin Asllani
Poezi: Refo Capari

Filed Under: Vatra

Dimensioni kombëtar i politikës vatrane

April 16, 2014 by dgreca

Për hovin marramendës të rritjes së “Vatrës” në vitet e para të jetës së saj, Qerim Panariti, biografi i parë i Nolit, ka shkruar: “Përparimi i Vatrës i detyrohet barbarizmave Greke në Toskëri. Gjatë vjetëve 1912 dhe gjer më 1915 mijëra Shqipëtarë emigruan n’Amerikë për të shpëtuar nga masakrat greke. I tërë emigracioni i ri shpejtoj të përqafojë Vatrën si të vetëmen armë për të shpëtuar nga skllavërimi i fqinjëve.”
Shqipëria, edhe pse e krijuar përgjysmë, qe gjithnjë në rrezik të zhdukej nga faqja e dheut. Fatet e saj gjithnjë shkuan rrokopujë. Nuk patën të mbaruar qëllimet skllavëruese të fqinjëve.Atëherë e sot nuk është realizuar ideali vatran për një Shqipëri etnike të lirë e të pavarur, të begatë e demokratike, të qytetëruar – ideal që e ka lindur dhe e ka mbajtur gjallë “Vatrën”.
Për hir të këtij ideali, “Vatra” u bë një gjenerator i lëvizjes kombëtare; në periudha të caktuara edhe promotori i saj, dhe gjithnjë një mekanizëm i fuqishëm që ka sajuar ide, ka përvijuar organizma e institucione, i ka ndërtuar ato dhe i ka vënë në lëvizje.
Diku kam lexuar se “Vatra” e nxori politikën nga dera dhe ajo i hyri nga dritarja. Nuk është e vërtetë. “Vatra” e kishte politikën brenda. “Vatra” ishte me kokë e këmbë brenda politikës.
Në Kanunoren e “Vatrës”, në një kapitull të veçantë, të emërtuar në mënyrë kuptimplote “Fryma e Federatës” ka vetën një “nyjë” dhe kjo nyjë është: “Vatra nuk duhet të merret me politikë”, që në logjikën formale do të emërtohej një gjykim mohues absolut; pra një “antifrymë”, antifryma e Federatës!
Natyrshëm, ka “politikë” politika: kjo nyjë qe thjesht për të siguruar pranimin e Federatës nga organet përkatëse amerikane. Në atë Kanunore të shenjtë, që u zbatua gjithnjë me një rigorozitet kategorik, në kapitullin “Qëllimet e Federatës”, ndër të tjera thuhet: Federata ka për qëllim “të rritë në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës, dhe me anën e tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës në mes tyre dhe të dashurisë për kombësin’ e tyre.”
Paskëshin qenë burra të urtë idealesh të pastra e veprimesh fisnike Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Kirka, Paskal Aleksi, Llambi Çikozi, Elia Tromara, Kosta Vasili dhe një vargan burrash të tjerë, që na lënë trashëgim madhështinë e veprimeve të tyre të shkëlqyera, që na vërbojnë edhe sot me shkëlqimin e idealit dhe na trondisin në shpirt me forcën e dashurisë për Atdheun!
Një nga punët më rëndësore që bënë këta burra dhe të tjerët që erdhën pas tyre qe ‘t’i vënin pikën mbi i”, siç i thonë një fjale, politikës vatrane. Dhe “kjo pikë mbi i” qe dimensioni kombëtar i saj. Sepse ka dhe do të ketë politikë kombëtare dhe politikë partiake dhe bile edhe politikë individësh, siç po luhet sot përgjithësisht në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri – ajo lloj politike që më së shumti është politikë karrigash, a politikë pasurimi, a politikë e kotësisë për t’u dukur e për t’u dalluar mbi të tjerët, a politikë dukurish të tjera shpirtërore të mbrapshta – mjerisht aq të përhapura tek ne – dhe që shartojnë veç grindje e përçarje. Është pikërisht kjo mostër politike partiake e individësh që “Vatra” është përpjekur ta nxjerrë nga dera dhe jo rrallë i është futur nga dritarja; por me gjithë luhatjet, lajthitjet, grindjet e përçarjet, ideali kombëtar i politikës vatrane e pati sfiduar themelisht ambicien për pushtet, gjakimin për pasuri, kotësinë e mburrjes dhe rrangallat e tjera të psikologjisë individuale të shqiptarit.
Më se e vërtetë: vatranët përvetësuan dijen e kombësisë për t’ja mësuar atë bashkatdhetarëve, ashtu siç ia patën vënë vetes për detyrë; ata gjithnjë rrezatuan dritën e zjarrit të dashurisë së tyre për të ndriçuar dhe për të ngrohur atdheun, ata varfëruan veten për të pasuruar kombin. Kjo ka qenë politika vatrane, tri kahet e së cilës qenë e mbetën nacionalizmi, demokracia dhe qytetërimi perëndimor. Kaluan nëntë dekada dhe jetësimi i këtyre dimensioneve është ende gjysmak: troje të pushtuara, demokraci e sëmurë, qytetërim ndërdyshas. Për të qeshur dhe për t’u qarë!
Në emër të fjalës së fundit të qytetërimit modern, në emër të ndërtimit të një bote evropiane me ideale mbinacionale, sot përbuzet nacionalizmi. Të veprosh me idetë a dëshirat përtej fakteve dhe të kushtëzosh me to veprimtarinë politike është e lehtë, por jo e drejtë. Në Ballkan, integrimi evropian vështirë të ecë ne rrugët e praktikave të tilla politike. Për hir të luftës kundër nacionalizmit, na jepen këshilla kundër patriotizmit – ndjenja më e natyrshme dhe më e fuqishme e njerëzimit.
Nacionalizmi ynë, në hullinë shpirtërore, janë trojet tona – ideal i nëpërkëmbur, ëndërr e parealizuar, plagë e hapur, zemër që dhemb e kullon gjak. Nacionalizmi ynë, në hullinë e tij doktrinare dhe në sendërtimin praktik të kësaj doktrine, janë marrëdhëniet miqësore të ndershme me fqinjtë-në kundërvënie me shovinizmin e tyre-, dëshira e vullneti për paqen, bashkëpunimi dhe harmonia me Evropën dhe gjithë njerëzimin, gjakimi për integrim. Nacionalizmi shqiptar nuk ka pse të trazojë “paqen aristokratike evropiane”, siç ësht shprehur një studiues, dhe as të kërcënojë rehatinë shtinjake të Gadishullit.
Do të vijë koha kur edhe Ballkani do të zhvishet nga nacionalizmi,por sot e kësaj dite, në qiellin ende me re të përgjakura të këtij gadishulli fanitën, si stihi keqbërëse, synimet shoviniste dhe qëndrimet ksenofobike ndaj shqiptarëve, që aty-këtu përhijohen edhe nëpër Evropë. Bile në këtë gadishull veprojnë edhe organizata, si ajo Pan-Epirote, që punojnë pikërisht për të vërtetuar shkakun kryesor që e mbajti gjallë “Vatrën”. Për fat të keq, ka edhe struktura qeveritare e partiake në atdheun tonë që i shërbejnë me përkushtim e poshtërim politikës së tyre.
Dimensioni politik demokrat ka përcaktuar orientimin politik të qëndrimeve dhe veprimtarisë së “Vatrës”. Ajo nuk e ka njohur dhe nuk mund ta njihte një qeveri të dalë nga një dhunë e çmendur përgjakjeje, siç qe ajo e pranverës së çoroditur të vitit të nëmur të ’97-ës. “Vatra”do të pranonte edhe një qeveri demonësh, sado satanike të ishte, por mjafton të dilte nga vullneti i popullit.
Në Kanunoren e “Vatrës” është gdhendur një tjetër nyjë – nyja e tetë: “Në Vatër nuk pranohen revolucionarët”. E thënë thjesht dhe pa mëdyshje: dëshmi se vatranët kishin bërë të veten kuintesencën e parimësisë demokratike. Ky është një nga mësimet më të vyera që “Vatra” ka përvetësuar nga demokracia amerikane dhe që sot duhet të përpiqet ta përvetësojë më mirë dhe tua trashëgojë breznive të ardhshme.
Dimensioni i tretë kombëtar i politikës vatrane është ai i qytetërimit perëndimor.Vatranët janë të bindur se kombi shqiptar ka vetëm një rrugë qytetërimi dhe kjo është rruga e integrimit evropian në të gjitha drejtimet, në lëmin ekonomik, politik e kulturor.
Le të shpresojmë që idealet vatrane nuk do të mbetën shkrumb i një vatre të shuar!(Dielli-Arkiv- Shkurt 2002, Editor Anton Cefa)

Filed Under: Editorial Tagged With: Anton Cefa, dielli, Dimensioni kombëtar, i politikës vatrane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4684
  • 4685
  • 4686
  • 4687
  • 4688
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT