• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rreth “fajit për të shkuarën” të shqiptarëve

April 12, 2014 by dgreca

NGA NELSON ÇABEJ/

Vitet e fundit në median shqiptare ka filluar të trajtohet një temë e re, ajo e “fajit për të shkuarën”, dhe jo teorikisht, por duke folur hapur për një faj kolektiv të shqiptarëve. Pa vënë në dyshim rëndësinë dhe nevojën e këtyre diskutimeve, për mendimin tim, ato vuajnë nga dy të meta thelbësore. Së pari atyre u mungon përmasa kohore, d.m.th nuk përcaktohen kufijtë kohorë brënda të cilëve shqyrtohet (ose duhet të shqyrtohet) faji. Ato janë tepër të përgjithëshme për të kuptuar në se është fjala për kohët moderne, për mesjetën apo për historinë e lashtë të shqiptarëve. Në qoftë se ky mospërcaktim do të nënkuptonte të gjithë historinë mijravjeçare të popujve, duke përfshirë popullin shqiptar, atëhere nga ky afrim do të dilte që çdo popull duhej të pranonte “fajet për shkuarën”, nganjëherë të përsëritura, ndaj shumë popujve të tjerë, t’u kërkonte falje shumë popujve, dhe të falte “fajet e së shkuarës” të shumë popujve të tjerë. Kjo do të ishte absurde. Është e domosdoshme të përcaktohet një terminus post quem, kohë pas së cilës ky faj mund të gjykohet. Duke përdorur një term ligjor, duhet të jepet një “statut i kufizimit”, që përcakton kohën më të largët nga do fillojë të kërkohet “faji”.

Së dyti, diskutimet që flasin haptas për një problem kaq serioz si “faji për të shkuarën” i shqiptarëve, në përgjithësi përmbajnë deklarata retorike për këtë “faj”, pa sjellë të dhënat konkrete nga të cilat do të dilte ai. Pa të dhëna të tilla, ato diskutime janë vetëshvlerësuese.

Vetëm duke përmbushur këto dy kritere të paraqitjes së të dhënave autentike për “fajin” dhe duke i vendosur ato në një kornizë botërisht të pranueshme kohore, idetë rreth “fajit kolektiv i shqiptarëve”, mund të ngrihen mbi nivelin retorik të deklaratave të paprovuara.

Historia e njerëzimit, dhe e Europës posaçërisht, është e tejngopur me luftra për pushtim dhe dhunë ndaj popujve të tjerë. Jo vetëm perandoritë europiane, pa përjashtim, por edhe disa shtete kombëtare në Europë, janë krijuar me zjarr e me hekur, me krime dhe shtypje të egër të popujve, me asimilimin ose dhe zhdukjen e etnive të tëra.

Të parët tanë, ilirët, nuk arritën të krijonin perandori për të sunduar mbi popujt e tjerë e madje shtetet e njohura ilire nuk prodhuan dot forcën e nevojshme për bashkimin e të gjithë fiseve ilire në një shtet të centralizuar. Nga historia unë nuk di sulme të shqiptarëve për të pushtuar vënde të tjera ose për të sunduar mbi popuj të tjerë. Ky popull sot zë vëtëm një copëz të vogël të truallit të madh që zinin paraardhësit e tij në Ballkan.

Është e vërtetë se  edhe shqiptarët dhe parardhësit e tyre kanë luftuar dhe i janë përgjigjur dhunës me dhunë e luftës me luftë. Por të mos bësh dallim midis luftës së tyre për çlirim nga sundimet e huaja dhe luftrave që janë bërë për të përjetësuar ato sundime, do të thotë të biesh në “relativizëm moral”, në mohimin e ekzistencës të “së drejtës” dhe “të padrejtës”, të përligjësh agresionin dhe padrejtësinë në përgjithësi. Unë nuk dua të besoj se në ato diskutime shqiptarëve u rekomandohet të pranojnë ekuivalencën morale të luftës së tyre kundër sundimit të huaj me luftën për t’i mbajtuar ata nën sundim.

Na thuhet, pa përmëndur të dhëna konkrete, se në kohën e perandorisë turke, feudalët shqiptarë kanë luftuar kundër popujve të Ballkanit ose i kanë shërbyer perandorisë. Por këtu nuk ka asgjë të re: feudalët e të gjithë vëndeve të Ballkanit si dhe të çdo vëndi tjetër në mesjetë i kanë shërbyer, e nganjëherë  i kanë rezistuar, pushtetit qëndror.  Ata i kanë shërbyer perandorive për të shtypur lëvizjet popullore për çlirim jo vetëm në 5 shekujt e perandorisë osmane, por edhe 11 shekujt e sundimeve bizantine, bullgare e sërbe. Por, kur flitet për këto, nuk duhet hedhur pas krahave edhe rezistenca e pashëmbullt e feudalëve dhe popullit shqiptar, sidomos ajo që ata bënë për një çerek shekulli nën udhëheqjen e Skënderbeut, kur disa nga popujt fqinjë kishin kohë që paguanin taksa për të mbajtur perandorinë osmane; le të mos harrojmë edhe faktin që dobia e madhe që i solli ajo luftë Europës, pati një kosto jashtëzakonisht të lartë dhe pasoja të rrënuese për demografinë, gjeografinë dhe ekonominë e Shqipërisë. Feudalë shqiptarë si Ali Pashë Tepelena kanë tronditur nga themelet perandorinë turke duke dhënë edhe një kontribut në përpjekjet e popujve për pavarësi në Ballkan e më tej (Egjipt). Kryengritjet fshatare të shqiptarëve nga vitet 30-te të shekullit XIX i dhanë po ashtu një goditje të fortë perandorisë. Në këtë kontekst, nuk është e rastit që shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan të cilin ajo perandori e privoi nga e drejta për të patur shkolla në gjuhën e vet.

Shtypja e popujve të Ballkanit në kohën e perandorisë turke ka vazhduar me të njëjtin intensitet edhe në kohët kur përandoria osmane qeverisej nga kryeministra me prejardhje greke, qipriote, sërbe, bullgare, gjeorgjiane, armene, hungareze, moldaviane, etj. Ka të dhëna historike autentike bizantine se perandori bizantin Androniku III në shekullin XIV, me ndihmën e turqve selxhukë, shtypi kryengritësit e Shqipërisë së jugut. Dhe më përpara akoma, nga fillimi i shekullit XIII grekët nga Thesalia, Peloponezi dhe Konstantinopoli u dyndën në Epir, duke helenizuar pjesërisht ato troje shqiptare. Të gjithë kemi dëgjuar për Thoma Preljuboviçin, të njohur në histori si shqiptarvrasësi (albanoktoni) dhe për perandorin bizantin Vasil Bullgaroktonin (bullgarovrasësin). A di njeri që historia të flasë për ndonjë feudal shqiptar “helenokton” ose “serbokton”?

Të thuash ose edhe të aludosh se “fajet e për shkuarën” të shqiptarëve janë edhe shkaku i humbjes së trojeve shqiptare në 1912-13 është e pasaktë. Sepse po të pranohet kjo, logjikisht do të dilte që pavarësia e Kosovës tregon se Europa dhe Amerika ka pranuar “pafajësinë për të shkuarën” të shqiptarëve. Kufijtë e sotëm të Shqipërisë janë rrjedhim i një kompromisi të mirënjohur interesash gjeopolitike midis fuqive të mëdha që donin një Shqipëri etnike dhe fuqive të Antantës, që pranonin vetëm një “shtet” shqiptar të paqëndrueshëm në trojet e Shqipërisë së mesme. Dhe le të mos harrojmë se Shqipëria nuk është i vetmi vënd që ka humbur trojet e saj në kuadrin e këtij konflikt interesash të fuqive të mëdha për ruajtjen ose rivendosjen e ekuilibrave strategjikë në Europë: Gjermania  humbi rreth një të tretën e trojeve të saj e po kështu humbën pjesë të mëdha të trojeve të tyre Hungaria, Bullgaria dhe Austria.

Një ide tjetër që ka dalë në ato diskutime është se populli shqiptar është fajtor edhe për komunizmin në Shqipëri. Vendosja e komunizmit në Shqipëri ishte kryesisht produkt i konjunkturave ndërkombëtare gjatë luftës së dytë botërore dhe kompromiseve (gabimeve?) që Shtetet e Bashkuara dhe Anglia bënë me Rusinë e Stalinit (moshapja e frontit të dytë në Ballkan, që kërkonte Çërçilli). Shqiptarët kanë qënë viktima të komunizmit dhe t’u kërkohet atyre të pranojnë fajin për vendosjen e komunizmit dhe politikën e shtetit komunist në Shqipëri në atë kohë, do të thotë të kërkosh  nga ky popull më shumë nga ç’mund të pranojë arsyeja e shëndoshë.

Në shkallë ndërkombëtare, “faji për shkuarën” në përgjithësi është kufizuar te faji kolektiv i Gjermanisë dhe Japonisë në luftën e dytë botërore. Në qoftë se ky do të ishte kufiri prej të cilit do të shqyrtohej “faji për të shkuarën” edhe në Ballkan, shqiptarët jo vetëm që nuk kanë kryer absolutisht ndonjë faj, por janë viktimat e dy fushatave çnjerëzore të pastrimit etnik masiv nga trojet e tyre shekullore.

Është folur ndonjëherë edhe për forcën emancipuese të pranimit të fajit kombëtar, duke marrë si shëmbull Gjermaninë. Por kjo nuk qëndron dot përballë faktit që edhe para luftës së dytë botërore ajo ishte qendra më e përparuar e botës nga ana e zhvillimit industrial, teknologjik e shkencor (ajo mirrte pa krahasim më shumë çmime Nobel se sa çdo vend tjetër i botës) dhe faktit që populli japonez, që prej 70 vjetësh refuzon të pranojë fajin për bombardimin e Pearl Harbour-it, ka bërë gjithashtu një mrekulli  ekonomike.

Nuk duhen njohuri të thella në historinë e Europës për të parë ndryshimin dhe epërsinë morale të shqiptarëve nga pikëpamja e “fajit të së shkuarës”. Kështu, unë nuk di, p.sh., që Franca, një vënd “më i emancipuar” se Shqipëria, të ketë pranuar ndonjëherë fajin për luftrat, krimet, shkatërimet dhe plaçkitjet e përmasave kontinentale të kryera anembanë Europës, sidomos në kohën e Napoleonit, as për shfrytëzimin, skllavërinë dhe skllavërimn e popujve anembanë botës, as për krimet e mizoritë e luftës që trupat e saj kryen për 8 vjet në Algjeri,  etj. Cilat janë ato vënde, të mëdha apo të vogla, që u kanë kërkuar falje vëndeve që kanë pushtuar dhe kolonizuar, në shumicën e rasteve duke kryer me të vërtetë “krime kundër njerëzimit”?

Dhe prapë në ato diskutime rekomandohet që populli shqiptar të pranojë faje që nuk dëshmohen në histori. Përse duhet të nxihet edhe kjo faqe e pastër dhe e ndritur e historisë së shqiptarëve?

Është me të vërtetë shumë ironike, por një ironi e idhur dhe sadiste, t’i vihet barra e “fajit kolektiv” popullit shqiptar, një populli që për mbi dymijë vjet ka jetuar nën sundimet e njëpasnjëshme, romane, greko-bizantine, normane, bullgare, sërbe dhe turke.

Ideja e një fajësie  kombëtare të shqiptarëve është aq absurde sa që nuk do t’ia vlente të humbisnim kohën duke u marrë me të, në qoftë se kjo nuk do të lidhej me pasoja serioze politike. Dihet çmimi i madh që pagoi populli gjerman jo vetëm me reparacionet e pashëmbëllta në historinë e njerëzimit, por edhe me humbjen e një pjese të madhe të trojeve gjermanofone.

Problemet e historisë së popujve dhe kombeve, përfshirë këtu edhe shqiptarët, janë shumë serioze dhe komplekse për t’i diskutuar dhe aq më tepër për të arritur në “konkluzione” vetiake për fajësinë e një populli, pa njohur historinë e tij e madje pa bërë dhe botuar studimet përkatëse. Eseja nuk është formë e përshtatshme për të trajtuar “fajet e së shkuarës”.

Ideja “fajit të së shkuarës” të shqiptarëve, në rastin më të mire, dëshmon për mosnjohje të historisë së Shqipërisë e të Ballkanit. Dhe ky është shfajësimi më i mirë për mbartësit e asaj ideje.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ne te shkuaren, Nelson Cabej, rreth fajit, te shqiptareve

ILIAZ KADRIU:DIASPORA SHQIPTARE E AMERIKES DUHET TA DEGOJE DEPUTETIN NE PARLAMENT

April 12, 2014 by dgreca

Intervista me Iljaz Kadriu shefin e shtabit zgjedhor për deputetin e diasporës në Amerikë, Tefik Abdullahu./

Intervistoi: Beqir Sina/

Zoti Kadriu, a jeni të përgatitur seriozisht për një fitore të kandidatit shqiptar Tefik Abdullai ?

-Përgatitjet tekniko-administrative janë bere me një angazhim serioz dhe te përgjegjshëm te Shtabit Zgjedhor sidomos këtu ne territorin qe e mbulon rrethi i Çikagos. Por nëse flasim për parapërgatitjet e këtyre zgjedhjeve si proces demokratike, ajo është pyetje tjetër ku mund te vihet ne pah se makro Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nuk është vene tërësisht ne lëvizje rreth organizimit te këtyre zgjedhjeve. Mendojmë se krijimi i një institucioni te larte shqiptaro-amerikan ne përgjithësi dhe institucione shqiptare te trojeve shqiptare ne Ballkan ne veçanti duhet te krijohen me qellim te angazhimit te tyre ne zgjidhjen e problemeve te përbashkëta dhe te veçanta për secilin veç e veç.
Ne rastin e kandidatit Tefik Abdullai, përgatitjet janë bere dhe janë duke bere ne vazhdimësi. Raundi i pare ishte regjistrimi i votueseve te cilet janë shqiptarë nga Maqedonia me te drejte vote dhe posedojnë pasaporte biometrike valide te Maqedonisë dhe një dokument identifikimi te shtetit ku jetojnë ne Amerike. Kjo pune është bere qe nga data 16 prill gjer me 30 prill ne ora 24:00 kur edhe ishte afati i fundit i regjistrimit.

Ku e bazoni fitoren dhe pse keni kaq shumë besim ?

-Garën e kandidatit tone Tefik Abdullait e bazojmë e aktivitetin e dendur te tij ne fushatën elektorale, ne votuesit shqiptare te cilet ketë e kane marre me seriozitetin me te madh sidomos ne rrethinën ku ai jeton dhe vepron. Secili prej nesh e ka te qarte se ne Shtetet e Bashkuara te Amerikës jeton një numër i madh i shqiptareve sidomos i atyre qe vine nga Maqedonia. Dhe, po te kishte një komunitet shqiptaro-amerikan te institucionalizuar, te lidhur me vendlindjet ne mënyre institucionale dhe administrative, ma merr mendja se jo qe fitorja do te sigurohej pa asnjë problem, por pala tjetër as nuk do te kishte pasur mundësi te garoje me ne. Për informim te përgjithshëm, ua bej me dije se ne pjesën e Nju Jorkut me rrethine kemi Dibrën dhe Strugën e tere, ne Çikago është e tere Kërçova dhe Prespa. Kur këtyre u shtohen pjese tjera te vendit, atëherë na del se shqiptaret janë jo vetëm me shume, por shumice absolute. Prandaj, ketë here do te mundohemi qe kandidati ynë te fitoje me ketë force qe e kemi, por ne t’ardhmen qeveritë dhe institucionet shqiptare ne Ballkan duhet te mendojnë me herët për zgjedhjet parlamentare. Nga ky mosinstitucionalizim i diasporës, herën e kaluar pala maqedone fitoi 3 deputete ne parlamentin e Maqedonisë.
Si po ecën deri tani fushata e Tefik Abdullait në SHBA dhe Kanada?
Sipas informatave qe ne si shtab i posedojmë, fushata ecën mire. Kandidati Tefik Abdullai vjen nga ai terren dhe është i njohur për votuesit e Kanadasë. Ne ketë drejtim ky teren nuk paraqet asnjë problem.  Kandidatin  ne fjale e përkrahin institucionet e komunitetit shqiptar ne Kanada. Ky i fundit, beri një fushate para disa ditësh. Ai vizitoi Toronton dhe rrethinën, kështu qe planifikohet edhe një qëndrim ne Toronto para zgjedhjeve. Kurse ne Shtetet e Bashkuara te Amerikës, Abdullai duhet te beje një vizite ne Dallas dhe menjëherë pas kësaj duhet te beje një fushate ne NY, Nju Xhersi, St. Island dhe Kenetikat, se pari për te faleminderuar aktivistet te cilet u angazhuan rreth procesit te regjistrimit dhe te cilët sigurisht do te qëndrojnë ne krye te detyrës gjate daljes ne votime. Pas raundit te dyte, shqiptaret e regjistruar duhet te dalin te votojnë për kandidatin tone, te votojnë për një shqiptar, i cili me ndihmën tone do te çeli derën gjer me tani te mbyllur te parlamentit te Maqedonisë. Kjo detyre sa është obliguese, aq është edhe kombëtare. Ne ketë drejtim shqiptaret e Maqedonisë duhet te tregohen fleksibil dhe te urte.
A mundeni që në mënyrë të detajuar  të na i zbërtheni fushatën tuaj – në se nuk është sekret ?
Edhe pse mendohet se gjate fushatave ka gjera sekrete, unë mendoj se çdo gjë është ne tavoline. Shqiptaret ne Amerike janë shumice ne krahasim me palën tjetër. Ketë gjë e dine edhe te gjallët edhe te vdekurit. Pse ndodh e kundërta, kjo është për çdo kritike. Cilin duhet kritikuar ? Neve qe nuk kemi një data baze te shqiptareve ne përgjithësi apo te atyre te Maqedonisë ne veçanti ? Apo duhet kritikuar qeveritë tona ne Ballkan te cilat aspak nuk janë marr e as nuk merren me ne? Pra ne një mungese te tille, fushata lindi ad hoc. Pa planifikim dhe protokoll erdhën personalitete te dalluara te BDI-se, te na organizojnë për 3 dite te bëjmë zgjedhje. Me ngutje dhe pa qellim, u anashkalua NY me rrethine dhe linden pakënaqësi te pritura. Le te jete kjo shkolle për te ardhmen. Dashtë Zoti te mësojmë nga gabimet tona.
Prandaj fushata ecën si duhet sidomos ne Çikago dhe Kanada, kurse territori i NY është pjesërisht i mbuluar, fale aktivisteve te cilët dine te falin dhe me urtësi dine te shfrytëzojnë urtësinë se pari te tyre e pastaj edhe te votueseve. Ma merr mendja se fushata nuk do te jete e lehte duke pasur para sysh shpërndarjen e madhe te shqiptareve te Maqedonisë, te cilët vertikalisht dhe horizontalisht e kane zbuluar Amerikën! Përndryshe , besojmë se votuesit do ta shfrytëzojnë ketë rast për te votuar kandidatin e tyre, dhe ne ketë mënyre te krijojnë përvojen e pare historike ne procesin e votimit ne diaspore.
Ku mendoni se jeni më të fortë në cilin komunitetet, dhe pse ?
Rrethanat fillestare treguan se organizimi filloi ndoshta pa nevoje ne Çikago, prandaj edhe ky komunitet u angazhua me se tepërmi dhe momentalisht forca kryesore edhe e organizimit edhe e regjistrimit edhe te gjitha segmenteve ketë komunitet e bëjnë momentalisht me te organizuar. Një gjë tjetër po ashtu nuk duhet harruar: nga ky komunitet ne Çikago, pak me pak se 1000 vete u organizuan dhe vajtën te votojnë për kryetarin e ri shqiptar te Kërçovës, Fatmir Dehari. Mendoj se kjo përvoje dha një ndihmese te madhe ne ketë drejtim. Mundeni ta merrni me mend se 1000 kerçovare i lan punët për 1 jave, paguan bileta nga 1500 dollarë dhe harxhuan edhe aq me tepër, vetëm per ta fituar Kerçoven pas 70 viteve ! Llogaritni këto numra dhe do shihni sa para është harxhuar ?
Ne këtë rast, votuesit duhet te lënë eventualisht punën e ditës se shtune, te shkojnë ne perfaqesine diplomatike te votojnë dhe kurgje me tepër. Dëshiroj qe votuesit e kandidatit Tefik Abdullait te krahasojnë sakrificën e kercovareve me sakrificën e votimit ne diaspore. Koha dhe njerëzit bëjnë histori !
A e keni ndjekur fushatën e kundërshtarit tuaj nga komuniteti Maqedonas dhe ai “trembeni” fitores së tij ?
Normalisht se e ndjekim pasi qe ndjekja e fushatës se tij na angazhon per ndërmarrje tona lidhur me fushatën tone. Por, sido qe te jete, kundërshtari ballafaqohet me probleme te njëjta. Edhe kundërshtari vjen nga një rreth i njohur, edhe ai ka te beje me mosfunksionim dhe joinstitucionalizim te palës tjetër dhe kështu me radhe. Fitorja nuk do te dihet gjer ne shpalljen e rezultateve nga ana e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Por, ne , pa marre para sysh, kundërshtarin, duhet te punojmë vazhdimisht, ti kryejmë detyrat dhe obligimet tona , e normalisht ne fund te presim te fitojmë.
A i besoni ju asaj se maqedonasit kanë tre kandidatë mes tyre – apo është strategji ?
Pala maqedone i ka punët veç. Këtu loja është bardhe e zi. Ne nuk bazohemi përfundimisht ne atë se pala tjetër del me tre kandidate. Pala tjetër i ka te acaruara punët ndërpartiake bile edhe me shume se neve. Por ne këtë ne nuk duhet te mbështetemi. Kjo mund te jete edhe loje e rrezikshme për ne. Prandaj, shqiptaret e regjistruar duhet te dalin te votojnë dhe ne këtë mënyrë ta kryejnë detyrën e tyre kombëtare ne këtë rast dhe ne te njëjtën kohe edhe te drejtën e tyre kushtetuese për te votuar.
Sipas jush cili është probaliteti i këtyre zgjedhjeve në SHBA dhe Kanada?
Probabiliteti është nocion i papërcaktuar. Por unë do t’ju tregoj se nuk do te ishim marre aspak me probabilitet sikur te kishim qene me institucional. Na duhet te fitojmë dhe duhet te jemi optimiste.
Kë grup apo komunitet do të dallonit ? dhe faleminderonit
Një hoxhe do ta kishte filluar ne këtë mënyrë: faleminderimet i takojnë Zotit. Edhe kjo është e vërtetë. Por, ne rastin konkret i faleminderojme te gjithë aktivistet qe pa asnjë shpërblim, vetëm me vullnetin e tyre dhe vetëdijen e larte kombëtare  u angazhuan ne këtë ndërmarrje te komplikuar qe te shpenzojnë kohen dhe paratë e tyre vetëm për fitoren e një beteje tjetër shqiptare. Edhe një here mund ta cek se komuniteti ne Çikago nga filloi edhe iniciativa ishte ai kerçovar , i cili shfrytëzoi përvojën e fitores ne Kërçovë dhe u be promotor ne këto zgjedhje te diasporës. Por, kjo nuk do te thotë se faleminderimi i takon vetëm atij e jo te tjerëve.
Besoj se këtë here zgjedhjet parlamentare ne diaspore na zgjuan pak, kurse në të ardhmen duhet te na gjejnë te ZGJUAR !
A ka pasur mungesa fushata?
S`ka fushate pa mungesa. S1ka veprime pa mangësi. Bile, ne këtë mosorganizim, ne u nisem me mungesa.  Siç thash ne fillim: na mungon institucioni, na mungon komunikimi, na mungon protokolli, na mungon planifikimi. Çka nuk na mungon? Por, mungesat nuk duhej te pengonin regjistrimin masiv dhe daljen ne votime për dy arsye: njëra për fitore , kurse tjetra për fitore BINDESE e cila palën tjetër do ta kishte nokautuar përgjithmonë. Këtë radhë ne nuk e bëmë kështu dhe me këtë duhet te ballafaqohemi radhën tjetër.
A  po bëhet diaspora shqiptare nga Maqedonia faktor vetëm vetëm me këto  zgjedhje?

Diaspora ka qene faktor dhe do te mbetet ashtu. Por, sa do te jete faktor i institucionalizuar ajo mbete te shihet. Per momentin është me rëndësi qe diaspora te hapi derën e mbyllur te parlamentit te Maqedonisë dhe pastaj te faktorizohet dhe institucionalizohet. Depërtimi neper institucione e faktorizon diasporën. Këto zgjedhje do te kryhen, kurse neve na mbetet te sinkronizojmë veprimet tona me institucionet e vendit, te fillojmë komunikimet zyrtare, planifikimet e hershme te secilit aktivitet veç e veç duke u përgatitur edhe për raste tjera.

Deputeti shqiptar a mendon se do të fuqizoi pozitën e diasporës shqiptare nga Maqedonia në Parlamentin e saj ? -Se pari duhet te sqarohet publikisht se ky kandidat është i diasporës shqiptare e jo i BDI-se siç komentohet neper kuluare. Këtë here kandidatin ne fjale e përkrahu fuqimisht BDI-ja, ligjërisht dhe administrativisht, qe do te thotë se do te konkurroje me emblemën e BDI-se qe t’ju shmanget 1000 nënshkrimeve për te qene kandidat i pavarur, procedure e cila është shume e vështire ne kushte dhe rrethana amerikane.Pastaj, lidhur me fuqizimin e pozitës se diasporës ne parlament: unë mendoj se zëri i diasporës si faktor është dashur te dëgjohet. deputeti i diasporës do te këtë rast te shprehi pakënaqësitë, te kërkoje rezoluta, te kërkoje ndryshime, te paraqes propozime rreth organizimit me te mire e shume e shume çështje tjera. Pastaj , pala shqiptare ne parlament do te ketë edhe një vote me tepër.

Së fundi zoti Kadriu cili është mesazhi i juaj ?

Dy mesazhe janë: i pari qe te regjistruarit te dalin te votojnë ditën e 26 prillit kandidatin e tyre, dhe i dyti i cili vlen për te gjithë shqiptaret ne këtë rast te Maqedonisë qe menjëherë pas këtyre votimeve duhet organizuar masovikisht nxjerrja e pasaportave biometrike te cilat do t’jua bëjnë te mundur  regjistrimin dhe daljen ne votime te ardhme. Edhe kjo i takon institucionalizimit te diasporës.

Filed Under: Interviste Tagged With: diaspora, Iliaz Kadriu, Parlamenti, TEFIK ABDULLAI

KRYETARI I VATRES I SHKRUAN Z. ALFONS GRISHAJ

April 12, 2014 by dgreca

10 prill 2014/

Z. Alfons Grishaj/

Kryetar i Keshillit te Deges së VATRËS /

Michigan/

I dashtun Alfons,/

Ju keni përgatitë për nesër mbledhjen vjetore të degës së Vatrës, ku do të kisha pasë deshirë të madhe që t’ishem prezent, me ju urue sukeses, tue ju shtërngue dorën të gjithëvet.

Por, në pamundësi për të plotësue këtë deshirë, me anë të kësaj letre po ju përgëzoj, n’emën tim dhe të antarëve të Kryesisë, për sukseset e deritashme në aktivitetet tueja, si në përmbushjen e obligimevet ndaj organizatës sonë të përbashkët, ashtu edhe në aktivitete me vlerë kombëtare në komunitetin shqiptar në Michigan. Ju keni tregue gjallni në këto dy drejtime, tue ndjekë gjithmonë parimet e Vatrës, dhe tue pasë objektiv përforcimin e kësaj Federate për t’i shërbye sa ma mirë e ma me dobi çashtjes kombëtare.

Jam i sigurtë se mbledhja e juej do të zhvillohet në frymën e bashkëpunimt të sinqertë e konstruktiv, me synim drejt sukseseve të reja në përforcimin dhe zghanimin e Degës, që të losi rrol gjithënji e ma të frytshëm në komunitetin e gjanë shqiptar në atë shtet, si pjesë e kësaj organizate me nji të kalueme të lavdishme dhe me nji të ardhme shumë premtuese.

Po shfrytëzoj këtë rast t’ju njoftoj se asht afrue të bahet realitet hapja e nji dege të Vatrës në Hartford, Connecticut, ku pritet se do të antarësohen shumë shqiptarë të asaj zone, me rastin e nji aktiviteti kulturor këtë të djelë.

Ju uroj përzemërsisht punë të mbarë dhe kohë të kandëshme!

Për Kryesinë,

Gjon Buçaj,

Kryetar

Filed Under: Vatra

Të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi, protesta në Washington

April 11, 2014 by dgreca

Shtypi i Tiranës për protestën e shqiptarëve të Amerikës në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi/

Nga Saimir SULAJ/ Washington/

Ne Foto:Autori i shkrimit me një grup vatranësh, pjesmarrës në demonstratë/

Shqiptarët e Amerikës kanë shërbyer prej vitesh si nxitës për një sërë nismash në trojet e vendit amë. Prej viteve të para të shekullit XX, puna e palodhur e atdhetarëve të shquar, si Noli, Konica apo Çekrezi, ndihmoi në kurorëzimin e Shqipërisë së pavarur. Vepra e kësaj shtrese intelektualësh që e donin dhe e çmonin pamasë vendin e tyre, ndoshta ishte vendimtare në pavarësimin e Shqipërisë dhe ruajtjen e integritetit të saj, së paku, në kufijtë e përcaktuar më 1913-ën. Vit pas viti, ndonëse koha kalonte dhe brezat e shqiptarëve në SHBA ndryshonin, një gjë është e sigurt që nuk ka ndryshuar: Dashuria për tokën amë dhe dëshira për zhvillimin e saj. Dhe këtë nuk e thonë vetëm me fjalë,por e tregojnë me vepra.

Në më shumë se një shekull, kontributi i diasporës shqiptare në Amerikë ka qenë i madh. Nga mbledhja e fondeve deri te kërkimi i të drejtave të shqiptarëve në të gjithë trojet ku ndodheshin dhe që diskriminoheshin nga regjime të ndryshme. Nga takimet në dhoma të vogla, e deri te meshat e Nolit në të famshmen katedrale të “Shën Gjergjit”. Aty ku më shumë se shërbesa fetare, predikohej atdhedashuria. Nga tubimet e vogla, deri te demonstratat madhështore. Të gjitha këto, vetëm me një qëllim: Më shumë të drejta, më shumë liri e demokraci, më shumë begati për shqiptarët. Jo për vete. Jo për fëmijët e tyre këtu në SHBA. Më shumë të drejta për shqiptarët në dheun amë.

E tillë ishte edhe përpjekja më e fundit. Më shumë se 300 persona, të organizuar nga 10 shoqata shqiptare në shtete të ndryshme të SHBA-së, u mblodhën për një manifestim në zemër të kryeqendrës së botës së lirë. Shqiptaro-amerikanë të të gjitha moshave, që nga fëmijët e deri te të moshuarit, u grumbulluan shpejt, që prej agimit të një dite të martë përpara Shtëpisë së Bardhë në Uashington. U bashkuan për një qëllim të madh në jetën e tyre, liritë dhe të drejtat e shqiptarëve.

Demonstrata madhështore janë mbajtur vazhdimisht. Në vitet kur Kosova kërkonte çlirimin nga shtypja jugosllave, shqiptarët dhe ngjyrat kuqezi pushtonin “Capitol Hill”-in dhe sheshin para Shtëpisë së Bardhë në Uashington, si dhe “Times Square”-in në Nju Jork.

Tashmë që Kosova është e lirë dhe e pavarur, sfida vazhdon.

Në Malin e Zi, në një tjetër rajon shqiptarësh, mungojnë ende të drejta themelore. Shqiptarëve në këto krahina nuk u lejohet të flasin shqip; nuk u lejohet të kenë universitetin e tyre; nuk u lejohet të ngrenë lart flamurin kombëtar, madje as të mbajnë shqiponjën dykrenore.

I tillë është edhe rasti i njërit prej tyre, Kolë Dedvukaj, cili bëri tre vjet burg, për një shqiponjë të gdhendur në unazën e artë që mbante në gisht. Dënime morën edhe disa nga të afërmit e tij.

Edhe pse janë qytetarë amerikanë, vizita në Malin e Zi e këtyre aktivistëve të njohur shqiptarë, u konsiderua se kishte qëllime terroriste. Pavarësisht se janë liruar, ata janë në listën e zezë të Malit të Zi dhe nuk mund të vizitojnë vendlindjen, pasi do të arrestoheshin sërish.

Por tashmë, shqiptaro-amerikanë nga Mali i Zi, shqiptaro-amerikanë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Çamëria, kërkojnë që kjo shtypje të marrë fund.

Kur në orët e para të mëngjesit shkojmë para një tempulli të demokracisë, Shtëpisë së Bardhë, shohim se si valëviten në qiell flamuj kuqezi, të mbajtur nga disa njerëz të veshur me kostume popullore e qeleshe malësore. Nuk mungojnë as flamujt amerikanë, në shenjë nderimi e respekti për një komb që ka bërë aq shumë për ne, si dhe për të treguar mirënjohjen për vendin që i mban me punë e me bukë këta shqiptarë.

Janë shqiptarët e ardhur nga Detroiti i shtetit të Miçiganit, një prej komuniteteve më të mëdha shqiptare në SHBA, të cilët kanë udhëtuar gjatë gjithë natës, në më shumë se një mijë kilometra, për të qenë në manifestim.

Por atmosfera gjallërohet edhe më shumë kur mbërrijnë qindra vetë, me autobuzë, nga Nju Jorku, nga Bostoni, nga Nju Xhersi, nga Çikago, Virxhinia, si dhe nga vetë kryeqyteti, Uashingtoni. Mbërritja e tyre përkon edhe me çeljen e motit në qiellin e Uashingtonit.

Nga zymtësia e mëngjesit, qielli merr trajtën e tij natyrale, të kaltër. Dielli nis të shndrijë fort.

Sheshi përpara Shtëpisë së Bardhë ngjyroset kuqezi dhe muzika shqiptare “pushton” zonën.

Një atmosferë që në vendin amë, nuk ndihet as në ditët e shënuara, si 28 Nëntori, as kur është ndoshta më pak e nevojshme, siç janë ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit.

Të gjithë kanë një emërues të përbashkët, dashurinë për atdheun dhe dëshirën që bashkëatdhetarët e tyre të mos jetojnë nën trysninë sllave. Kjo trysni që edhe në vitin 2014 po ndihet në krahinat shqiptare të Malit të Zi.

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç vizitonte Uashingtonin, ku pritej nga zyrtarë të lartë amerikanë. Vizita e tij, zhvillohej në kuadër të takimeve të nivelit të lartë, që Mali i Zi të merrte mbështetjen amerikane për anëtarësimin në NATO, në vjeshtë të këtij viti.

Shqiptarët, nuk janë kundër kësaj, por kërkojnë që anëtarësimi të kushtëzohet me respektimin e të drejtave të shqiptarëve atje.

Këto të drejta u janë premtuar vazhdimisht atyre, që prej 24 vjetësh. Milo Gjukanoviç, njeriu që ka mbizotëruar skenën politike malazeze, shpeshherë është zotuar për ndryshim të situatës,por asgjë konkrete nuk është realizuar.

Në vitin 2006, në referendumin për pavarësinë e Malit të Zi, vota e shqiptare ishte vendimtare për shkëputjen nga Serbia. Por premtimi i Gjukanoviç për të drejtat e tyre, mbeti sërish një fjalë boshe e hedhur në eter.

“Shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë  të drejta të barabarta si të gjitha pakicat e tjera” shpjegon  Pashko Gjokaj, kryetar i shoqatës “Malësia e Madhe” në Detroit.

Don Fran Kolaj, famulltar i Kishës së “Shën Palit” në Detroit, u shpreh se shteti malazez, megjithëse premton liritë nacionale, kur vjen puna te çështja e shqiptarëve ai nuk i praktikon dhe nuk i realizon ato me kushtetutën e vet.

Mark Gjonaj, anëtar i asamblesë së Nju Jorkut, është shqiptari i vetëm që përfaqëson komunitetin në një organ të rëndësishëm si asambleja e shtetit.

“Zemra ime është plot kur shikoj kaq shumë shqiptarë nga të gjitha territoret shqiptare të mbledhur bashkë, nga Kosova, nga Shqipëria, nga Mali i Zi,  nga Çamëria, për të diskutuar çështjet e trajtimit të shqiptarëve në Mal të Zi, nuk ndjej veçse gëzim. Ky bashkim në vetvete dërgon një mesazh të fortë jo vetëm për qeverinë e Malit të Zi, por për të gjithë udhëheqësit shqiptarë, se ne jemi këtu për ata, se do të jemi zëri për gjithë shqiptarët në Mal të Zi dhe në të gjitha territoret shqiptare”, garanton Gjonaj.

Në këtë manifestim madhështor, nuk mund të mungonte as federate panshqiptare “Vatra”, vetë historia e shqiptarëve të Amerikës.

“Ne i bëjmë thirrje Gjukanoviçit, por në të njëjtën kohë dhe Shtëpisë së Bardhë (për dijeni), se në qoftë se Mali i Zi e do paqen e bashkëjetesën normale me shqiptarët në trojet e tyre mijëra vjeçare, atëherë autoritetet në Malin e Zi në çdo segment të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, Kushtetutën dhe ligjet e vendit të tyre, proporcionalitetin në qeverisje, fonde, buxhet, ushtri, polici, shëndetësi, arsim, drejtësi e kudo. Mos të luajnë me dinjitetin, zakonet, traditat, fenë e institucionet e saj, me tokat, pyjet, kullotat, vendet e shenjta e turistike, bregdetin e pasuritë materiale e shpirtërore të shqiptarëve. Mos t’i fryjnë zjarrit të nacionalizmave malazezo-serbe në dëm të interesave të shqiptarëve dhe të mos bëjnë trysni politike diskriminuese e mafioziste për asimilimin e shqiptarëve”, tha nënkryetari i “Vatrës”, Asllan Bushati.

Veç lirive dhe të drejtave, shqiptarët në Malin e Zi kërkojnë edhe liri politike. Ata shprehen se edhe në këto zona nevojitet krijimi i një bashkësie komunash shqiptare, që të ruajnë një vetëqeverisje, por të varur nga Podgorica zyrtare. Një sistem i ngjashëm me atë që synohet të zbatohet në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Por për këtë, ata kërkojnë që të punohet më shumë atje. Vetë shqiptarët e Malit të Zi, e kanë të pamundur ta arrijnë këtë. Kjo për shkak të presionit të autoriteteve malazeze.

Një gjë e tillë u provua edhe nga një protestë e pak ditëve më parë në Tuz, kur jo më shumë se 50 shqiptarë dolën për të drejtat e tyre. Të tjerët nuk guxonin.

Shqiptarët e SHBA-së gjithnjë kanë guxuar. Prej dekadash kanë kërkuar liri dhe të drejta për shqiptarët kudo që ndodhen, edhe për ata në Mal të Zi. Por nismat e tyre, pavarësisht rolit shumë të fortë në sensibilizimin e komunitetit ndërkombëtar, nuk mjaftojnë.

Kësisoj lind nevoja, që shteti shqiptar, trualli amë, të kërkojë më shumë të drejta për bijtë e tij. Tirana zyrtare, duhet t’i dëgjojë këmbanat e alarmit. Tirana zyrtare nuk duhet të heshtë më, siç ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Ka ardhur koha, që të veprojë, ashtu siç bën çdo vend tjetër në botën demokratike, për të kërkuar të drejtat që i takojnë popullit të tij.

Dhe për këtë, mjetet demokratike janë.

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s me të drejta të plota që prej pesë vjetësh. Shqipëria duhet ta kushtëzojë anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën Veriatlantike, me respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në këtë shtet. Shqiptarët e Malit të Zi kanë të drejtën e tyre të plotë për ta ngritur flamurin kombëtar kuqezi.

Në qiellin amerikan, një të martë të bukur pranverore, flamuri i Skënderbeut, me shqiponjën e zezë dykrenore në fushën e kuqe, u valëvit i lirë, në sheshin para Shtëpisë së Bardhë. Askush nuk u tremb nga kjo. Ky flamur duhet të valëvitet lirisht nga shqiptarët, kudo që ata ndodhen.

SHBA-ja nuk u cënua nga flamuri kuqezi. Atëherë, përse shtetet fqinje të Shqipërisë, duhet të tremben?

Kortezi:GAZETA”MAPO”

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: demonstrata e shqiptareve, en Washington, Saimir Sulaj

Artisti Belg Marc Sleen, ekspozon në Shkoder

April 11, 2014 by dgreca

Nga Gaspër MARKU/- Qendra e Informimit e Bashkimit Evropian në Shkodër, Ambasada Belge, Fondacioni “Marc Sleen” dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri kanë organizuan në mjediset e qëndrës së BE-së në Shkodër, hapjen e Ekspozitës “NERO” nga artisti Belg Marc Sleen.

Në hapje të aktivitetit, Mirjan Angoni, kordinatore e Qendrës së Informimit të Bashkimit Evropian në Shkodër dhe Vlorë, bëri të ditur se kjo ekspozitë organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, për tu njohur me aspekte të një pune të jashtëzakonshme nga një narrator i shkëlqyer dhe mjeshtri i artit komik: Marc Sleen. Krahas intelektualëve dhe artdashësve të shumtë shkodranë, të pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishin edhe ShTZ Zj. Anick Van Calster, Ambasadore e Madhërisë së Tij, Mbretit të Belgëve; Z. Clive Rumbold, i Ngarkuari me punë a.i. i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Z. Willem De Graeve, Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Qendrës Belge të Ekspozimit të Karikaturave, etj.

“Kjo është ekspozita e një prej artistëve komikë, apo karikuturistëve komikë më të njohur në Europë, Marc Sleen”, tha Clive Rumbold, duke shtuar se nuk është rastësi, që këtë ekspozitë, këtë vitë e kemi sjellë në qytetin e Shkodrës, sepse Shkodra është një qytet, i cili njihet, jo vetem për disa nga karikaturat më të mira në Shqipëri, por në fakt është një qytet, i cili e ka përqafuar kulturen europiane dhe e ka integruar atë në frymën e vetë. Sipas tij, nëpërmjet këtyre karikaturave komike, të pranishmit kanë mundësi të shikojnë me anë të kësaj dritareje të krijuar prej këtij artisti të madh belg, në punimet e të cilit spikat këndvështrimi europian.

Gjatë fjalës së tij, ai e quajti artin si një element shumë të rëndësishëm, i cili luan një rol shumë të madh në formësimin e të ardhmes europiane të Shqipërisë nëpërmjet arsimit, ku më parë, në Universitetin e Shkodrës ka pasur një seance mësimdhënie, si pjesë e iniciatives belge, që është edhe pjesë e ekspozites në fjalë. “Unë kam besim, vertet besoj që talenti dhe puna e madhe që do të bëjnë të rinjtë shqiptarë, do ta sjellë Shqipërinë, gjithnjë e më afër Europës. Sepse arti në fakt, është një formë të shprehuri dhe po ashtu një gjuhë universale, të cilen ne, në Bashkimin Europian, e vlerësojmë shumë, e ndajmë me njëri tjetrin, dhe po ashtu dëshirojmë që edhe Shqipëria, ta ndajë atë me ne”, theskoi ai.

Ndërkohë, gjatë përshendetjes së saj në hapjen e kësaj ekspozite, ShTZ Zj. Anick Van Calster, Ambasadore e Madhërisë së Tij, Mbretit të Belgëve, duke vlerësuar organizatorët që bënë të mundur organizimin e këtij aktiviteti, tha se iniciativat komike janë pjesë e kulturës tonë, të cilat kanë një rol të rëndësishëm në kulturën e komunitetit. Ndër të tjera, ajo bëri të ditur se në Shkodër, mbërrijnë pas një turi të bërë në disa prej vendeve të rajonit, duke e vlerësuar këtë qytet për kulturën dhe traditen e madhe që ka në fushën e artit.

Punimet e kesaj ekspozite, që janë edhe pjesë edhe e muzeut përkatës në Belgjike, ai i konsideroi si një mjet shumë efikas që i ofron sa më pranë belget me të huajt e tjerë të shteve përkatëse.

Duke folur për vlerat e autorit të ekspozites, Marc Sleen, të cilin e quajti artin më të famshëm dhe më produktiv, ambasadorja belge, tha se ai është pjesë e librit Guines, me 217  albume, të gjitha të dizenjuara nga ai vetë. Në lidhje me ekspoziten në fjalë, ambasadorja belge, tha se ajo është e fokusuar tek kafshët e egra nëëprmjet vizatimeve komike të ekspozuara.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Artisti Belg Marc Sleen, ekspozon, ne shkoder

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4695
  • 4696
  • 4697
  • 4698
  • 4699
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT