• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DRITA LUSHI SJELL “SIFONINE E YJEVE” NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

April 11, 2014 by dgreca

DRITA LUSHI/

   Simfonia e yjeve/Cikël poetik/

Ta dish…/

Mbrëmjeve,/

se ç’më përshpërit ca fjalë magjike,/

e me yjet, shpesh bën edhe ujdi,/

qetsisht më bën që të besoj,/

se mi këndojnë ata ninullat , dhe jo ti./

Mëngjeseve,

kur endé gjumi si pushtues mbi sy më rri,

Vjen më lë mbi supe, ca puthje prilli

e ikën, bën si i paditur,

hutueshëm më thua: “ti paska lënë dielli”

Ta dish,

po të betohem, që ndonjë natë,

s’do flé nga fjalë, as nga ninulla,

tërë natën zgjuar do të rrija,

veç sytë si shejtankë, kot do ti mbyllja.

Hah…

E qepallat, rrufeshëm një çast do t’i hap,

Kur  lehtë të më qasesh ti me hapa fryme.

e s’ke ku shkon pastaj, s’ka lojra më,

rob do të ngelesh brenda tyre.

2014

Adresa ime

Adresa ime këmbësore janë hapat e mij të përditshëm!

Adresa e tyre është: punë, shtëpi dhe anasjelltas;
ndonjë çaj kamomili (pa sheqer) pasditeve në qytet,
ose taksitë dhe rrugët, që bëj me to në kryeqytet

atje, ku vizatohet jeta ime e thjeshtë.

Adresat e mia janë te pakta, gjenden lehtë

aq sa, dhe symbyllur të vish drejt meje, mund të më gjesh;

ndonjë poezi “çast” e shkruar shpejt e shpejt,

një takim me mësuesen e vajzës në orën pesë;

ndonjë blerje në supermarket,

dhe darka në shtëpinë e ngrohtë, me një gotë verë.

Jeta ime është e thjeshtë,

adresa: i vogli dhe i madhi im qytet

2013

 Simfonia e yjeve.

Se dija që edhe nata, me qetësinë e saj

Prodhonte këta tinguj kaq të rrallë.

Pa mbani vesh…

Mbani vesh si unë;

Veç bulktheve ketë natë pranvere,

Dëgjohet një muzikë, e rrjedh edhe një lumë.

Një harmonikë në buzët e natës,

Më kujton që dhe yjet bëkan zhumë.

Shohin njëri tjetrin, përballen, shtyhen,

Pastaj, hënën shohin ballazi, e rrethojnë,

dhe duan t’i tërheqin vëmendjen.

Si djelmosha luajnë vallen e qiellit ,

Kercasin me ritme të ndritshme këmbët,

Krejt si valltarë t’ kahershëm,

Që lindën nga barku i bing-bengut.

Se dija që nata ishte kaq e zhurmëshme, se dija…

Sonte, pashë e dëgjova simfoninë e yjeve….

E hëna,  dirigjonte me fytyrë gruaje.

2014

 Marsi ,unë dhe Deti

Unë ecja në fustanin e brishtë të pranverës,

E shihja, si zogjtë qeshnin,

Kur marsi dhe deti

ziheshin e grindeshin;

Deti kërkonte të më vishte me blu dallgësh

Marsi të më zbukuronte me frymë lulesh e fjalësh;

Ata, me dallgë e lule më donin e më shihnin në sy;

Ndërsa unë qeshja dhe i doja të dy.

2014

 Sot

Nesër, s’ka të sotme.

Ajo lind dhe mbaron,

çel dhe vyshket në 24 (trëndafil’)orë,

që veç një ditë të dhuron

Nesër, s’ka më sot.

Më kot përpiqesh të gjesh ,

minutin, puthjen, buzëgazin

që sot, s’e dhe, s’tu dha.

Sot, s’ka më nesër.

Ka vetëm ditë, që vrapojnë tutje

e na marrin me vete,

pa pyetje…me ngutje…

2014

 Meditim

 Kurrë, nuk thashë – ”kurrë”;

As krahët s’i ktheva, si gunë
ndaj erërave gjithëngjyrëshe,
që frynë e frynë – furtunë.
Shpinën rrallë, ma panë miqtë,
por dhe ”armiqtë”, veç ballin më panë.
S’vij nga ndonjë tjetër planet,
veç Tokës, i qëndroj stoike në jetë.
S’u fsheha skutave,
as nga sytë- këmbët, kurrë nuk ika
përballë inateve, intrigave
mërive dhe zilive.

Jam Njeri, po po, Njeri!
Dhe zemrën, s’e kam gur,
por dua të vërtetën para dyshimit;
dashuroj guximin, para frikësimit
e zilisë, s’i trembem
as iki, me frikë.

Kush
ziliqar bëri hajër
pa thyer turinjtë?
Dashurinë s’e pashë
kurrë me dyshim,
as lotë s’derdha për të.
Kush dashuron,
gëzim duhet  t’i burojë nga sytë
e jo lot.

Nuk vij nga tjetër planet,
stoike jam e do të jem në këtë Tokë
e vdekjen time,

Ajo do ta ketë pronë…

2013

 As Ne…

 As ditë, as natë.

Mu(z)g.

As orët, s’u bënë minuta

As minutat, s’u puthën në orë.

(Mos)Kohë…

As dielli lindi yje,

As yjet s’u ngjizën në diell.

(Tis) Gri

Veriu qëndroi aty.

E jugu ( s) lëvizi qerpik.

Dhe ne…

Shpinëkthyer …

Ngujuar në pole…

2014

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Drita Lushi, Sifonina e Yjeve, Sofra e Diellit

Ligji i Luftës Greqi – Shqipëri – Itali i vitit 1940

April 11, 2014 by dgreca

Shkruan: Isuf B.BAJRAMI/

Ligji i Luftës që Greqia i shpalli Shqipërisë dhe Italisë, i cili ende nuk është shfuqizuar vazhdon t’i ruajë efektet e tij mbi ndëshkimin ndaj shqiptarëve. I vetmi shkak për të cilën është penalizuar Shqipëria në këtë sanksion të gjendjes së jashtëzakonshme është fakti që nëpërmjet territorit Shtetit shqiptar marshuan në vitin ‘40 ushtarët fashistë – italianë për të pushtuar Greqinë!

Në këtë ligj përshkruhen me hollësi sasia e pronave dhe pasurive, që bllokohen si efekt dëmshpërblimi. Ndërkohë nëpërmjet neneve të tij, pasqyrohet rruga gati e pamundur për t’i rikthye ato prona me komisione shtetërore, që do të duhet të mblidhen për secilën prej tyre, me praninë e ministrave dhe ekspertëve të zyrave të shumta, të cilët është krejt e pamundur për t’i ulur në një tavolinë.

Në këtë akt ligjor të Athinës ka sanksione edhe për pronat apo pasuritë italiane, që sipas Traktatit të Paqes së Parisit në 1946, u sekuestruan përfundimisht dhe kaluan në dorë të palës greke, si pjesë e dëmshpërblimeve që italianët si vend sulmues duhet t’ia paguanin Greqisë.

Çështja e pronave të bllokuara të shqiptarëve vazhdon të mbetet një proces i ngrirë si vetë procedura me këtë Ligj. Për më tepër që ky Ligj është bazamenti juridik edhe i disa ligjeve dhe akteve të tjera juridike e normative që ka marrëAthina për çështjen e pronave të shtetëzuara dhunshëm të shqiptarëve që në fillimin e viteve ‘40.

Kjo procedurë që është ripërsëritur kohë pas kohe, madje deri në vitin 2006 ka pasur si synim bllokimin e kësaj pasurie që arrin në miliarda dollarë.

GAZETA QEVERITARE E MBRETËRISË SË GREQISË

Athinë, më 10 nëntor 1940

Pjesa e Parë
Numër botimi 379
Përmbajtja
Ligje detyruese
Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike.
Rreth ndryshimeve dhe plotësimeve të dispozitave të organizimit sigurues të rreziqeve të luftës dhe ligjeve detyruese.

Dekret
Rreth përcaktimit të shteteve armike sipas kuptimit të ligjit detyrues nr. 1636/1940 të Italisë dhe Shqipërisë dhe zbatimit në lidhje me këto shtete, të dispozitave të këtyre ligjeve.

LIGJE DETYRUESE – RAPORT MOTIVUES

Rreth planit të ligjit Detyrues, “rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike”.
Drejtuar Lartmadhërisë së tij, mbretit
Lartmadhëri
Rëndësi që kanë të gjitha burimet ekonomike të shtetasve të palëve ndërluftuese, gjatë zhvillimit të luftës bashkëkohore, u duk nga lufta e fundit botërore, ku të gjitha shtetet ndërluftuese dekretuan ligje me të cilat bëhet e pamundur shfrytëzimi i burimeve të shtetasve të armikut, të prejardhura nga pasuri që ndodhen në territorin kombëtar dhe ndalohet çdo lloj akti juridik në favor të shteteve armike ose të shtetasve të tyre. Kjo masë u mor edhe gjatë luftës së tanishme, pavarësisht nga shtetet që morën pjesë në të. Me paraqitjen e këtij plani “Për ligjin detyrues”, dekretohet një gjë e tillë edhe për ne. Dispozita e planit në një pjesë të madhe janë përsëritje e ligjit 1073 të vitit 1917, por të plotësuara me rrjedhimet që kanë ardhur si rezultat i zbatimit të këtij ligji, me qëllim që të përjashtohet çdo veprimtari ekonomike direkte ose indirekte e shtetasve armike në shtetin tonë gjatë kohës së luftës. Gjatë hartimit të këtij plani u morën gjithashtu parasysh edhe ligjet që miratuan palët e tjera ndërluftuese. Dispozitat e ligjit bëhen dispozita definitive dhe çdonjëra prej tyre vihet në zbatim me dekretet mbretërore të botuara mbi bazën e propozimit të kryetarit të qeverisë dhe të ministrit të Financave. Plani i paraqitur synon në realizimin e qëllimeve të lartpërmendura, prandaj lutemi të keni mirësinë që ai të gëzojë miratimin tuaj.
Athinë, më 08 nëntor, 1940

Shtetas të devotshëm të Lartmadhërisë Suaj
Ministrat
i Drejtësisë
i Financave
Ajis Tabakopullos
Andhr. Apostolidhis

Ligji i Forcës Nr. 2636 1940
“Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike”
Jeorjios B’
Mbret i Grekëve
Mbi bazën e propozimit të Këshillit tonë të Ministrave, vendosëm dhe urdhërojmë:

Kapitulli A’

Neni 1
Armiq

Armiq sipas kuptimit të këtij neni, konsiderohen:
a. Shtetet, kryetarët e këtyre shteteve dhe personat juridike të juridiksionit shtetëror të tyre, të cilat përcaktohen secili në veçanti si armik nëpërmjet Dekreteve Mbretërore të botuara me propozim të Kryetarit të Qeverisë, të Ministrit të Punëve të Jashtme, Ministrit të Financave, sipas kuptimit të këtij Ligji.
b. Persona fizikë, të cilat kanë shtetësinë e shteteve armike, sipas rastit a), ose ata që kanë banesë, ose banim të përhershëm në to.
c. Personat juridikë të juridiksionit privat dhe çdo bashkim personash, ose pasurish, përderisa kanë qendrën drejtuese të tyre në shtetet armike, sipas rastit, ose janë nën influencën ligjore, ose ekonomike të armiqve, sipas këtij neni.
2. Nuk janë armiq, sipas kuptimit të këtij ligji, personat fizikë, të cilat kanë fituar nënshtetësinë e shtetit armik, por janë me kombësi greke dhe banojnë në shtete të huaja, ose shtet aleat.
3. Në rast se ekzistojnë dyshime në lidhje me karakterizimin si armik të cilitdo personi ose bashkimi, sipas paragrafit 1, vendoset pas mendimit të komitetit, sipas nenit 19, të Ministrave të Financave dhe të Ekonomisë Kombëtare, me vendim të përbashkët të tyre.

Neni 2
Ndalimi i shkëmbimeve

1. Ndalohet dhe është i pavlefshëm çdo shkëmbim tregtar dhe çdo marrëveshje midis personave, pavarësisht nga shtetësia, që banojnë në Greqi, dhe armiqve, si dhe çdo akt i administratës, ose akt i njëanshëm i personave që banojnë në Greqi, përderisa për të nëpërmjet saj, fitojnë të drejta, ose përfitojnë armiqtë.
2. Aktet që lidhen një gjashtëmujor para vënies në zbatim të këtij ligji, mund të shpallen të pavlefshme me rrugë gjyqësore, pas padisë së ushtruar, nga shteti, pas mendimit të komitetit sipas numrit 19.

Neni 3
Ndalimi i kryerjes së veprimeve ligjore

Përmbushja në Greqi e çdo veprimi ligjor dhe përmbushja e çdo detyrimi kundrejt armiqve, për cilindo arsye, ose përderisa nga përmbushja e tyre përfitojnë armiqtë bëhet me gjobë pavlefshmërie kundrejt administratorit, sipas nenit 12, dhe në qoftë se ai nuk ekziston në Arkën e Depozitimeve dhe Huave dhe ndalohet kryerja me cilindo mënyrë direkte të huadhënësit e armiqve.

Neni 4
Persona të familjes

Ndalimet në nenet 2 dhe 3 kanë fuqi edhe për personat e familjes.

Neni 5
Përjashtime

Me vendim të Ministrit të Financave dhe pas mendimit të Komitetit, sipas nenit 19, për raste të veçanta, mund të bëhen përjashtime nga dispozitat e neneve 2, 3 dhe 4, përderisa një gjë të tillë e imponojnë arsye të veçanta dhe vetë nevoja e mbajtjes se personave dhe familjeve, sipas nenit 1, b.

Kapitulli B’
Pasuritë armike

Neni 6
Sekuestrimi

Pasuritë armike në Greqi me hyrjen në fuqi të këtij ligji ndalohen dhe është i pavlefshëm disponimi i këtyre pasurive tek armiqtë, ose në shkelje të dispozitave të këtij ligji.

Neni 7
Pasuri armike në Greqi

Si pasuri armike në Greqi konsiderohen elementet pasurore të mëposhtme, përderisa u takojnë ligjërisht ose ekonomikisht armiqve, sipas kuptimit të nenit 1:Elemente të patundshme dhe të tundshme të ndodhura në Greqi.
Letra me vlerë dhe tituj të tjerë të çdo lloji të ndodhura në Greqi, obligacione të shtetit grek, të firmave, të organizmave me selinë administrative të tyre, ose qendrën e tyre në Greqi, akoma edhe titujt përkatës të ndodhura jashtë shtetit.
Para dhe lloje të tjera pagese të ndodhura në Greqi.
Aksione të firmave, të cilat kanë selinë administrative të tyre ose qendrën e shfrytëzimit në Greqi, pavarësisht nga fakti nëse këto aksione janë të mishëruara në letra me vlerë, ose jo, dhe në qoftë se këto mishërime ndodhen në Greqi, ose jashtë shtetit.
Kërkesa ndaj debitorit me banesë, ose me banim të përhershëm në Greqi, ose kërkesa të prejardhura nga shkëmbimet të firmës tregtare në Greqi.
Të drejta të pasurisë industriale dhe intelektuale, të cilat mbrohen në Greqi.
Të drejta mbi elementet pasurore të përshkruara në pikat a-f.
Të drejta nga marrëveshjet rreth elementeve pasurore të pikave a-f.
Çdo element tjetër pasuror i ndodhur në Greqi.
2. Përjashtohen nga dispozita e paragrafit të mësipërm elementet pasurore, të cilat u përkasin shtetasve grekë me banesë, ose banim në shtete armike.

Neni 8
Sekuestrimi i përkohshëm.

Me ligj, konsiderohen nën sekuestrim të përkohshëm, të gjithë ata që gjatë zbatimit të këtij ligji janë pronarë me cilëndo arsye të pasurive armike, sipas nenit 7, si dhe drejtuesit, administruesit, sekuestruesit, këshilltarët ose cilitdo kujdestarë ose debitorë të elementeve pasurore të tyre, përderisa këta zotërues të pasurive armike janë pronarë të këtyre elementëve pasurore.

Neni 9
Marrëdhëniet rreth pasurive përkohësisht të sekuestruara.

Në lidhje me marrëdhëniet rreth pasurive përkohësisht të sekuestruara zbatohen përkatësisht, me rezervimet e dispozitave të këtij ligji, dispozitat e procedurës civile për konfiskimin konservator, në emër të debitorit sipas nenit 8 të sekuestrimit të përkohshëm që ka vendin e tretë dhe të administratorit sipas nenit 12, që ka vendin e kreditorit.

Neni 10
Të drejtat e të të tretëve jo armiq.

1. Sekuestrimi nuk pengon të tretë jo armiq, të ushtrojnë të drejtat e tyre kundër pronarit, pasuria e të cilit është në sekuestrim dhe të kërkojnë plotësimin e tyre, sipas ligjeve analoge, kjo me rezervimet e dispozitës së paragrafit 2 të nenit 2. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, tjetërsimet, regjistrimet në librat e Hipotekës ose në regjistrat themeltarë të anijeve, ose të parashënimet kanë fuqi vetëm për sa kohë që bëhen mbi bazën e një titulli me vendim gjyqësor, ose me dëshirën personale të mëparshme nga zbatimi i këtij ligji dhe bazuar në dokumente shtetërore ose private me datë të saktë, me rezervimet e paragrafit 2 të nenit 2.

Neni 11
Deklaratat e pasurive armike

1. Të detyruar për deklaratë të pasurive armike në sekuestrim janë:
Pronari i pasurisë armike. Cilido qoftë sipas nenit 8 është sekuestrues provizor i pasurisë armike.
2. Ata që sipas paragrafit 1 janë të detyruar të bëjnë deklaratë, duhet që brenda një muaji nga hyrja në zbatim e këtij ligji, të paraqesin te nëpunësi i Shërbimit Ekonomik Shtetëror deklaratë të hollësishme në dy kopje, për të gjitha elementët pasurore armike, ose të debitorëve të tyre. Për këtë deklaratë, nuk paguhet asnjë lloj takse.
3. Afati i paraqitjes së deklaratës mund të shtyhet me një akt të Ministrit të Financave të botuar në Gazetën Qeveritare.
4. Ata që paraqesin elementet e pasurisë armike pas përfundimit të afatit, përderisa nuk janë të detyruar të bëjnë deklaratë, sipas dispozitave të këtij neni kanë të drejtën e pagesës deri në tre për qind të vlerës së tyre të përcaktuar kundrejt këtyre elementëve me vendim të Ministrit të Financave.

Neni 12
Administruesit

1. Administruesit e pasurive armike nën sekuestrim janë nëpunësit e Shërbimit Ekonomik Shtetëror të vendit ku ndodhet çdo element pasuror.
2. Aty ku janë shumë nëpunës të Shërbimit Ekonomik Shtetëror, administrator emërohet njëri prej tyre, me vendim të Ministrit të Financave.
3. Me vendim të të njëjtit ministër, lejohet të emërohen administratorë në vend të nëpunësit të Shërbimit Ekonomik Shtetëror, nëpunës të tjerë shtetërorë ose privatë në qoftë se ushtrimi i administrimit nga nëpunësi Ekonomik Shtetëror, nuk është ai që duhet.

Neni13
Detyrat dhe pushteti i administratorëve.

1. Administratorët kanë për detyrë gjetjen, regjistrimin, mirëmbajtjen dhe sipas destinacionit të zakonshëm, shfrytëzimin e pasurive të sekuestruara, duke marrë për këtë qëllim gjithmonë masat e duhura, kanë për detyrë të synojnë në kënaqjen e kërkesave të sekuestruara, si edhe kënaqjen e të drejtave të të tretëve, kundër pronarit të pasurisë së sekuestruar. Administratorët fillojnë nga puna, me hyrjen në zbatimi të këtij ligji, ose me përcaktimin e pronësisë të pasurisë armike të sekuestruar.
2. Administratorët përfaqësojnë në mënyrë të plotë, në rrugë gjyqësore dhe jashtëgjyqësore, pronarin e pasurisë së sekuestruar brenda kufijve të detyrave, të përshkruara në paragrafin 1 dhe tek ata dhe vetëm tek ata, publikohen detyrimisht gjithnjë dokumentet gjyqësore ose jashtëgjyqësore të çdo natyre, që kanë të bëjnë mepasurinë e pronarit.
3. Çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e pasurive nën sekuestrim, mendime të Ministrit të Financave, të botuara në Gazetën Qeveritare. Me të njëjtat vendime rregullohen çështjet e funksionimit të Shërbimit Qendror, në zbatimin e këtij ligji.
4. Pagesa e administratorëve përcaktohet nga Ministri i Financave, pas dhënies së mendimit të komitetit të përshkruar nga neni 19.

Neni 14
Vazhdimi i funksionimit të ndërmarrjeve

Përderisa nuk bëhet fjalë për firma të kategorive të veçanta, me vendim të Ministrit të Financave, të Ekonomisë Kombëtare dhe të Ministrit kompetent sipas natyrës së ndërmarrjes, mund të lejohet vazhdimi i funksionimit të ndërmarrjeve tregtare ose industriale që janë nën sekuestrim, me të njëjtin titull ose me titull të ndryshëm dhe me cilado burime të tjera. Si administratorë të këtyre ndërmarrjeve, mund të jenë po ata drejtues që ishin, përderisa nuk janë armiq, ose të emërohen si administratorë mevendime të përbashkëta të ministrave të lartpërmendur, persona të ndryshëm, nëpunës shtetërorë ose privatë, me kushte që përcaktohen me vendim, lidhur me vazhdimin funksionimit të ndërmarrjes.

Neni 15
Detyrimi i informimit.

Çdo pronar dokumentesh, librash ose të dhënash, të cilat janë të nevojshme për gjetjen, përcaktimin, ose administrimin e pasurive armike në sekuestrim, sipas nenit 6, është i detyruar t’i vërë ato në dispozicion të administratorëve, në qoftë se ato kërkohen.

Neni 16
Akte urgjente.

Deri në botimin e vendimeve sipas nenit 13, paragrafi 3, lejohet jepja me qira e pasurisë civile, ose bujqësore, ose shitja e detyruar e objekteve, që ndodhen në rrezik degradimi, ose nënvleftësimi me ankand të shpejtë, ose edhe pa të, nga sekuestruesi provizor, ose nga administratori, pas miratimit të Ministrit të Financave dhe pas mendimit të Komitetit sipas nenit 19.

Kapitulli C’
Dispozita të përgjithshme.

Nga dispozitat e këtij ligji mund të bëhen përjashtime me kushte, ose pa kushte, me vendime të përbashkëta të Ministrit të Financave dhe të Ekonomisë Kombëtare të botuara në Gazetën Qeveritare, në lidhje me disa kategori aktesh, në lidhje me disa persona ose disa akte.

Neni 18
Dispozita penale.

1. Kushdo që shkel dispozitat e neneve 2, 3, 4, dhe 6, dënohet me burgim deri në dy vjet, ose me gjobë deri në pesëqind mijë dhrahmi, ose me të dy këto dënime, në qoftë se këto akte nuk dënohen me dënim më të rëndë, sipas dispozitave të ligjeve penale të përafërta.
2. Trupi gjykues bashkë, me dënimin, mund të urdhërojë edhe konfiskimin e elementeve pasurore, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen.
3. Kushdo që shkel dispozitat e neneve 11 dhe 15 dënohet me burgim deri në gjashtë muaj, deri në njëqind mijë dhrahmi, ose me të dy këto dënime, në qoftë se aktet nuk dënohen me dënim më të rëndë, sipas dispozitave të ligjeve penale të përafërta.

Neni 19
Komiteti i zbatimit të ligjit dhe llogaritjes së sekuestrimit të pasurive armike.

1. Për ndjekjen e zbatimit të këtij ligji, për kontrollin e administratorëve dhe dhënien e mendimit për çdo çështje që mund të rezultojë nga zbatimi i këtij ligji, krijohet një komitet i përbërë nga një Këshilltar i Shtetit, ose Gjykatës i Shkallës së Lartë, të Gjykatës së Apelit, si kryetar dhe një prej Profesori ose Docenti ose i së drejtës private, shtetërore ose i së drejtës ndërkombëtare të Universitetit, ose i ndonjë shkolle të lartë, të cilët emërohen nga plotësuesit e Ministrit të Drejtësisë, prej një punonjësi të lartë të Ministrisë së Jashtme, një punonjësi të lartë të Ministrisë së Financave dhe një punonjësi të lartë të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, të emëruar nga Ministrat kompetentë bashkë me plotësuesit e tyre. Sekretar komiteti emërohet një punonjës i Ministrisë së Financave, megradë të paktën të klasit a’ dhe me vendim të Ministrit të Financave. Me vendim të këtij Ministri mund të emërohet në komitet një punonjës i kësaj Ministrie dhe një referues pa të drejtë vote. Tek anëtarët e komitetit dhe tek referuesi jepen për seancë dyqind e pesëdhjetë dhrahmi dhe te sekretari njëqind e pesëdhjetë dhrahmi.
2. Gjithnjë të ardhurat kesh nga administrimi i pasurive të sekuestruara, depozitohen në një llogari të veçantë, që ruhet në bankën e Greqisë me titullin “Llogari sekuestrimi i pasurive armike” dhe e cila lëviz me urdhër të Ministrit të Financave, me autorizim nga kryetari i komitetit, sipas nenit 1 të këtij ligji. Nga kjo llogari paguhen të gjitha shpenzimet për zbatimin e këtij ligji
3. Deri në fazën e grumbullimit të një sasie të mjaftueshme, për përballimin nga shtetit dhe nga kredi të shënuara në bilancin e shpenzimeve të Ministrisë së Financave, të cilat jepen nga llogaria e përshkruar në paragrafin më lart.

Neni 20
Zbatimi i ligjit

Me dekrete Mbretërore të botuara pas propozimit të Ministrit të Financave rregullohet çdo çështje, që ka lidhje me zbatimin e këtij ligji.

Neni 21
Fuqia dhe zbatimi

1. Ky ligj hyn në fuqi më datën 28 tetor 1940.
2. Dispozitat e këtij ligji hyjnë në zbatim plotësisht, ose pjesërisht me dekret mbretëror, i cili botohet mbi propozimin e Kryetarit të Qeverisë, të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Ministrit të Financave, nga dita e botimit të dekretit, ose edhe me fuqi prapavepruese. Në të njëjtën mënyrë përcaktohet, ose plotësisht, ose pjesërisht përfundimi i zbatimit të këtyre dispozitave.

Athinë, më 10 nëntor 1940.
Jeorjis B’
Këshilli i Ministrave
Kryetari
Metaksas
Anëtarët:
Ajis Tabakopullos; I. Dhurendis; A. Apostolidhis; I. Arvanitis;A. Ikonomu;S. Polizogopullos;N. Papadhimas;I. Spenxas;S. Papavasiliu;P. Ikonomakos;K. Burbulis;H. Lis;H. Alivizatos;Th. Nikoludhis; J. Zafiropullos;K.Manjadhaqis;A. Xifos;M. Qiriakopullos;K. Koxias.
U verifikua dhe u vu vula e madhe e shtetit
Athinë, më 10 nëntor 1940
Ministri i Drejtësisë
Ajis Tabakopullos
Ligjet detyruese nr. 2637. 1940
Rreth modifikimit dhe plotësimit të dispozitave në lidhje me Organizmin Sigurues të Rreziqeve të Luftës dhe Ligjeve Detyruese.

Jeorjios B’
Mbreti i Grekëve
Mbi bazën e propozimit të Këshillit tonë të Ministrave, vendosim dhe urdhërojmë:

Neni 1

Pjesët a dhe b, të paragrafit 1, të nenit 18 të ligjit Detyrues 2116/1939, ashtu siç u modifikua nëpërmjet nenit 3, të ligjit Detyrues të 2355/1940 dhe nëpërmjet nenit 6, të ligjit Detyrues 2557/1930 zëvendësohen si më poshtë:
Të trupave (anijeve dhe mekanizmave), të anijeve tregtare. Të çdo mjeti transportues, nëpërmjet detit ose tokës, që transporton çdo lloj ngarkese pavarësisht nga destinacioni dhe nga vlera e saj.

Neni 2

Në fund të paragrafit 7, të nenit të ligjit Detyrues 2116/1939, ashtu siç u plotësua nga ligji i Forcës 2557/1940, shtohen paragrafët 8 dhe 9 si më poshtë:
8. Në rast se bëhet fjalë për punëtorë deti të huaj për llogaritjen e dëmshpërblimeve të lartpërmendura, merret parasysh rroga bazë e zakonshme e punëtorëve vendas, e specialiteteve respektive, dhe jo rroga e punëtorit të huaj, për të cilën është lidhur marrëveshje, për çdo rast konkret.
9. Në dëmshpërblimin për arsye papunësie të nenit 4004, shtohen edhe shpenzimet e mbajtjes në shtet të huaj të personave, që kanë shpëtuar nga mbytja e anijes, deri në ditën që do të rikthehen në atdhe, dhe shpenzimet për gjetjen e tyre, punë në lundrime të tjera, por për çdo rast, për një kohë jo më të madhe se dy muaj nga mbytja e anijes, përveç se në raste të jashtëzakonshme me vendim të posaçëm të Ministrit të Flotës Tregtare Detare, të botuar pas mendimit të Këshillit Drejtues të Organizimit Sigurues të Rreziqeve të Luftës përcaktohet ndryshe.
Athinë, më 09 nëntor 1940

Jeorjios B’
Këshilli i Ministrave
Kryetari
Metaksas

Anëtarë:
A.Tabakopullos; I. Dhurendis; A. Apostolidhis; I. Arvanitis; J. Nikolaidhis; N. Papadhimas; I. Papavasiliu; P. Ikonomakos; K. Burbulis; Th. Nikoludhis; K. Majnafhaqis; A. Xifos; M. Qiriakopullos.
U verifikua dhe u vu vula e madhe e shtetit
Athinë, më 10 nëntor, 1940
Ministri i Drejtësisë
Ajis Tabakopullos
Rreth përcaktimit, si armike të shteteve sipas kuptimit të ligjit detyrues nr. 2636/1940 të Italisë dhe Shqipërisë dhe vënies në zbatim në lidhje me këto shtete të dispozitave të këtij ligji.

Jeprjios B’
Mbret i Grekëve

Duke marrë parasysh dispozitat 1 dhe 21, të Ligjit Detyrues nr. 2636/1940 “rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike”, mbi bazën e propozimit të Kryetarit të Qeverisë sonë, të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Ministrit tonë të Financave, vendosim dhe urdhërojmë: Përcaktojnë si shtet armik, sipas kuptimit të ligjit detyrues 2636/1940, Italinë, pas marrjes prej saj të tokave perandorake dhe kolonive të saj, si dhe Shqipërinë.
Vëmë në zbatim plotësisht dispozitat e ligjit të mësipërm në lidhje me këto shtete prej datës 28 tetor 1940.
U ngarkojmë Ministrave tanë të Punëve të Jashtme dhe të Financave detyrën e botimit dhe vënies në zbatim të këtij dekreti.
Athinë, më 09 nëntor 1940
Jeorjios B’
Këshilli i Ministrave
Kryetari
Metaksas
Ministri i Financave
Andreas Apostolidhis

 

Filed Under: Analiza Tagged With: i vitit 1940, Isuf Bajrami, Ligji i Luftës Greqi – Shqipëri – Itali

A ISHTE ENVER HOXHA “ATEIST”?!

April 11, 2014 by dgreca

Opinion nga Fritz RADOVANI/

Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, (1980) në faqe 68 shenohet: “Ateist – Ai që mohon qenien e çfarëdo perëndije, ai që është kundër çdo besimi fetar, pasues i ateizmit. Ateist i bindur (i flaktë). Bëhem ateist.            Ateist – Që mohon qenien e çfarëdo perëndie, që është kundër çdo besimi fetar; që ka të bëjë me ateizmin, që mbështetet tek ateizmi; që i shërben luftës kundër fesë. Botkuptim ateist. Bindje ateiste. Literaturë (propagandë) ateiste. Edukim ateist.”           

Vetë fjala “ateist”, shpjegohet “pa Zot”… Njeri, doktrinë, shoqni etj…

            Atëherë, diktatori Enver Hoxha, a ishte ateist?!

            Në vitin 1967, unë kam lexue disa nga veprat e Enver Hoxhës, per me vertetue se: “Ky perbindsh diktator asht ateist apo fanatik?” Sigurisht, dyshimi rreth tij shoqnohej me mendimet e diskutimet që per këte çeshtje, unë i kisha ba me profesorë, filozofë, teologë dhe historianë të mirfilltë si: Don Mark Hasi, At Pjeter Mëshkalla, Don Nikollë Mazrreku, Prof. Petro Fundo, Dr. Pavli Gushi, etj., që e kanë njoh Enverin personalisht.

            Në vepren e tij nr. 3, E. Hoxha shkruen: “Në Shqipëri feja muslimane drejtohet nga hoxhallarë të pashkollë, të padijtur, të cilët nuk na sjellin ndonjë rrezik per shoqërinë tonë socialiste. Ndersa, meqenëse katoliçizmi shqiptar dhe në veçansi kleri ishin pengesa më e madhe për triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata.” (E. H, Selected Works, Vëll. I-rë, fq. 438, Tiranë 1974)

            Në vepren nr. 19, ai del haptas kunder Katoliçizmit dhe Klerit Katolik Shqiptar! Ajo veper lidhet direkt me “Revolucionin Ideologjik e Kultural” të vitit 1967, i cili ka provue në mënyrë të pakundershtueshme dhe me prova se Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, kanë krye Gjenocid kunder Klerit Katolik Shqiptar, tue torturue, vra, zhdukë, burgosë dhe shfarosë jo vetem fizikisht Klerin Katolik, po të gjitha objektet e kultit të Tyne, ku duhet theksue edhe Kisha Monumentale e Shek XIII, ku asht kunorzue Gjergj Kastrioti, po edhe Gjuha Gegnishte, e ashtuquejtuna nga servilet e tij “Gjuha e Krishtit”, letersia, veprat historike, fetare dhe çdo thesar i ndodhun nder muzeume dhe bibliotekat e Tyne, deri tek “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, një nga veprat e njohuna Europjane, vetem se, ishte permbledhë nga At Shtjefen Gjeçovi, edhe Ky Atdhetar i vramë pabesisht nga serbët, perzgjedhësit e diktatorëve tanë.

Ndersa, në qender të Tiranës, nuk prekë as Xhaminë e Et’hem Beut, e ruejtun vetem pse aty thërriste Haxhi Qamili: “Duam babën!”, ndertue në 1831, plot 470 vjet mbas Kishës Monumentale të Vaut të Dejës e vitit 1361 …Ku u kunorzue Gjergj Kastrioti.

            Mbas vitit 1994 biseda rreth tij si “ateist” kam pasë me At Konrrad Gjolaj dhe At Dioniz Maken, që kishin provue hetuesitë, torturat dhe burgjet komuniste shqiptare. Ndersa, z. Tony Freeman, që ishte Nënsekretar i Shtetit në USA, me datën 18 Korrik 1991, kur jemi takue bashkë me Ferdinand Temalin në hotel Dajti, i kam shpjegue  me fakte, që diktatori Enver Hoxha dhe pasuesi i tij Ramiz Alia, “nuk ishin ateistë, po fanatikë antikatolikë, me pikpamje anadollake”…, gja që u provue ma vonë me 2 Dhjetor 1992, kur Shqipnia u kuadrue në “Konferencen Islamike”.

            Çka e kuadron Shqipninë Europjane sot në “Konferencën Islamike”?! Pikrisht, Atdheun e Gjergj Kastriotit, Dedë Gjo’ Lulit, At Mati Prennushit, Ismail Qemalit, Don Nikollë Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit, Gjin Pervizit, At Gjergj Fishtës, Mustafa Krujës, Imzot Luigj Bumçit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Nanë Terezes dhe të mija Atdhetarëve Shqiptarë, sot në “Konferencën Islamike”?!

 

“Shënime për Lindjen e Mesme”, 1958-1983…janë 545 faqe…nga ditari politik Enver Hoxha. Publikue me 8 nandor 1984…në Tiranë…

 

            Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985) shenohet per Librin “Shënime për Lindjen e Mesme”: “Enver Hoxha në këtë vepër u gris maskën miqëve të rremë të popujve arabë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik, dhe nxjerrë fytyrën e vërtetë…”

“Të VETEN”, pikrisht, kjo që duhej shenue në fjalor del nga teksti i shkruem nga ai vetë…e që asht edhe “Amaneti” i sulltan Enver Hoxhës, per fshimjen nga harta shekullore Europës së Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, ku porositë: “…Të bie shehadet per veprat që ka bërë në jetë kundër Allahut! Këte e ka dhe Kur’ani, që është shumë më i përparuar dhe më njerëzor se Bibla, dhe si përfundim: Shqiptarët duhet t’i pershtatën atij.” (E.Hoxha, “Shënime për Lindjen e Mesme” 1958 – 1983. Botue Tiranë, 1984)

            Kjo “porosi” kryesisht pengon pasuesit e sotem të tij, mos me shqyrtue dhe mos me dënue krimet e Gjenocidit të diktatorit Enver Hoxha me pasues, nga viti 1944 – 1991.

            Melbourne, 2014.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: “ATEIST”?!, A ISHTE ENVER HOXHA, Fritz radovani

SHAQIR SALIHU, njëri nga ata që na mbajti gjallë me zërin e shpresës

April 11, 2014 by dgreca

Nga  Beqir Sina /

WASHINGTON D.C : Ka qenë 70 vjetori i Zërit të Amerikës, i cili përkoi për koicidencë edhe me 70 vjetorin e ditëlindjes së njërit prej gazetarëve më të “vjetër” të Shërbimit Shqip, të cilin vetëm pensioni mundi t’a largojë nga Zëri i Amerikës, se “gjë tjetër” ska mundur t’a largojë atë nga Zëri i Amerikës, shqip. Ai doli në pension pas një kariere të larmishme dhe 30 vjeçare. Ai është Shaqir Salihu, i cili filloi punën në Zërin e Amerikës në fillim të viteve 80, pasi kishte ardhur në Amerikë si refugjat politik nga Kosova.Kur Shaqiri erdhi të punojë për Zërin e Amerikës në Uashington, Shqipëria ishte e izoluar, ndërsa në Kosovë vazhdonte shtypja dhe diskriminimi ndaj popullatës shqiptare, thuhej në një koment të kësaj radio kushtuar gazetarit të njohur të Zërit të Amerikës Shaqir Saliu.

Por , ai ende nuk ka “ikur” nga Zëri i Amerikës sepse trashgimtari i tij – Ilir Salihu, punon prej disa vitesh në departamentin e teknikës të Zërit të Amerikës dhe shpesh i takon të punojë edhe për programin Ditari, ku Shaqiri i ri dhe i vogël është producent, është pjesë e Zërit të Amerikës.

Zëri i tij :”Ju flet Zëri i Amerikës nga Uashingtoni! në programin e mbrëmjes i cili i binte në orën 6 të darkës me orën e Shqipërisë dhe në orën 21 sipas orës në Shqipëri, ishte ai zë që vinte nga larg ashtu si lind një mëngjes i bukur, i një dite të bukur.

Nuk mund ta numërojë sesa herë e dëgjoja zërin e tij “unë Shaqir Salihu dhe kolegu im ……” teksa na përcillnin emisionin e radhës që transmetonte në Radioprogramin e Zërit të Amerikës seksioni i gjuhës shqip, në barangat e errta mes skamjes dhe frikës se po na dëgjonin dhe muret, teksa isha i “mbuluar me jorgan ose ndonjë batanie të vjetër. Dy emisonet e Zërit të Amerikës, për atë kohë ishin e vetmja shpresë dhe nga i mbanim syt unë dhe ata mijëra bashkëvuajtësit e mi në kampet e interrnimit.

Në mëngjes kur bëhesh apeli (leximi i emrave të të interrnuarve), nuk kishte ditë që të mos përhapej “vesh më veshë” lajmi se regjimi i Enver Hoxhës së bashku me regjimet e tjera komuniste po binin, era e lirisë po fryente në Kosovë qysh me demostratat e 1981. Nuk kishte ditë që të interrnuarit të mos merrnin ndonjë lajmë, që u hapte zemrat e lirisë , sepse Zëri i Amerikës për shtresën tonë, ishte e vetmija liri dhe ëndërr që kishim ne ndërkohë që lajmet e saj ishin oksigjeni dhe ushqimi i përditëshëm jo vetëm i imi por dhe i atyre mijërave bashkëvuajtësve të mi – fatkeq.

Kur flasim për Zërin e Amerikës ku Shaqir Salihu ka shërbyer me profesionalizëm, vullnet dhe ndershmëri do të kujtojë se isha vetëm 6 vjeç kur nga Zëri i Amerikës , xhaxhai i ndjer mori lajmin se të premten më 22 nëntor 1963 u vra Presidenti i SHBA John Kennedy dhe ai erdhi e na tha se “koministët” Rusë e vranë Presidentin e Amerikës. Dhe isha vetëm 15 vjeç kur plasi skandali i “Watergate” dhe Presidenti Richard Nixon dha dorëheqjen dhe ne të presekutuarve sikur na “vdiqen” shpresat mbas asaj vizite historike të të parit Sekretar Shteti në Kinën komuniste të Henry Kissinger.

Këtij shqiptari që na mbajti gjallë me zërin e tij të shpresës, lirisë e demokracisë për aq vite sa ai shërbeu “Shtëpisë së Lirisë dhe Demokracisë” nga Uashingtoni zotit Shaqir Salihu( ose Shaqes i i thërrisin shpesh herë kolegët e ti) i urojë nga zemra të ketë vite më bukura, më të lumtura dhe më të begatë, me gjithë familje, ndërkohë që trashgëmtarit të tij, dhe kolegëve të tij në Zërin e Amerikës, u urojë që ta ngrenë më lartë Zërin e këtij programi dhe emrin e kësaj “shtëpie” informacionesh të besueshme dhe që është bërë e vetmja shpresë e lirisë dhe demokracisë në botë, për popujt anembanë botës dhe që janë ende në thundrat e regjimeve komuniste.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: i zerit te Amerikes, njeriu, Shaqir Salihu

Shembje bustesh e idhujsh

April 11, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/Me 11 prill 1985 – Shqipëria në zi – ne Tiranë vdiq Enver Hoxha, 76 vjeç; “humbje e thellë” do ta quante shtypi nën kontrollin e tij në Shqipëri; “vdiq diktatori më mizor” do të njoftonin mediat në botë; “….ka pak arsye për keqardhje…vdekja e tij shënon zhdukjen përfundimtare të një brezi tiranësh stalinistë” (The Times, 12 prill 1985).

Nuk kishte rast që Hoxha të mos pritej me brohoritje nga audienca; dhe ai i pranonte ato; në fund u thoshte se duatrokitjet i takojnë Partise (e cila ishte e vetja). Ndërsa në shumë vende të Evropes Lindore, çdo shtetas ishte edhe anëtar partie, Hoxha e hapi PPSH-në vetëm për të përzgjedhurit me tepër kujdes, më të besuarit; gjithë të tjerët (populli) ishin thjesht të dyshimtë (fajtorë derisa të gjendeshin të pafajshëm). Por Hoxha nuk kurseu asnjërën palë; Partia-Shtet vrau, burgosi, internoi, përndoqi terririzoi qindra mijëra; prej vitit 1976 (prishja me Kinën), vendin e izoloi plotësisht dhe u tha njerëzve të hanin bar.

Homazhe të shumta, koreografi masive, u bënë para arkivolit. Ramiz Alia, pasardhësi i tij, nuk lejoi që në pllakën e varrit të vihej data e vdekjes, duke thënë se për Enverin ka vetëm ditëlindje.”Fatkeqësisht për Shqipërinë, Alia duket se kishte të drejtë. Shqipëria vazhdon të jetojë me trashëgiminë e Hoxhës, dhe do të vazhdojë deri për një fare kohe”. (Balkan Strongmen, Bernard J. Fisher, London – 2006).

Hoxha pati edhe arritje; në arsim, mjekësi, industri; por urrejtja dhe zemërimi grumbulluar ndaj tij ishte shumë më i madh dhe u shpreh me rrënime të shkollave, spitaleve, fabrikave, uzinave, çdo gjëje që simbolizonte pushtetin e tij, në fillim të viteve 1990, kur shtatoret, bustet dhe dikatura ranë të gjitha njëherësh. Më 1992, trupi i Enver Hoxhës do të hiqej nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. De-jure, Enver Hoxha vazhdon të jetë “Hero i Popullit”.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Shembje bustesh e idhujsh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4697
  • 4698
  • 4699
  • 4700
  • 4701
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT