• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kalaja në Porto-Palermo në 15 destinacionet e pazbuluara europiane

April 9, 2014 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/   1./9 prill 2014 ,Huffpost travel sjell 15 destinacionet e pazbuluara europiane. Kur është fjala për destinacionet shumë të mira evropiane, më i madh nuk do të thotë gjithmonë  më e mira. Ndërsa udhëtarët zakonisht shkojnë  në drejtim të  qyteteve të   mëdha si në: Londër dhe Paris, disa nga sekretet më të dobishme dhe më të mirë-mbajtur të rajonit janë të vendosur si alternativë e mirë jashtë tyre. Nga një qytet të vogël shkëmb shqiptar me pamjet mahnitëse malore, në një fshat malor zviceran i njohur për birrë e saj dhe djathëin, kjo është edhe vlerë në përpjekje shtesë për të marrë një  nga 15 zgjedh tona për destinacionet më të mira evropiane të pazbuluara.Strehim ndër kodrina kodra e gjelbër vetëm në jug të qytetit të Himarës është Porto Palermo. Ky fshat shqiptar mban një profil , por përmban një kështjellë  të shekullit të 18-të që mbikëqyr një gji detar. Vizitorët mund të eksplorojnë bazë  e saj të mirë-ruajtur, dhe të marrë në peizazh piktoresk  të vijës bregdetare.

2. Nga objektet arkeologjike sipas informatave të fillim vitit ‘ 91  në brigjet shqiptare të detit Jon, nga Kepi i Gjuhëzës gjer në Kapoqefal të Sarandës, janë zbuluar 20 fortifikime pre-historike. Qarku Vlore është i përberë prej rretheve:Vlore, Sarande, Delvine. Shtrihet ne pjesën jugperëndimore të vendit dhe laget nga deti Adriatik dhe deti Jon. Qendër e Qarkut është qyteti i Vlores, e cila është qendër tregtare, industriale dhe e ndërlidhjeve te shumta.Himara .Ne krahinën e Himarë bëjnë pjese qyteti  i Himares se bashku me fshatrat Palas, Gjilek, Dhermi, Iliaz, Vuno, Qeparo, Kudhes, Piluri. Krahina e Himares shtrihet përgjatë bregdetit te detit Jon, duke filluar nga veriu ne Llogora e deri ne lumen e Borshit ne Jug. Nga veri- lindja, lindja dhe jug-lindja rrethohet nga vargmali  i Akroceraunit me majën me te larte atë te Çikës me lartësi 2045m mbi nivelin e detit. Ne krahinën e Himarës rrjedhin përrenjtë e Ksarrollakos, të Polopotamo, të Gjipes,të Vishes dhe të Qeparoit, të cilët në periudha shume të nxehta te vitit mund dhe te shterojnë. Gjiret kryesore ne det janë ato te Spilese dhe te Panormit (Porto-Palermos). Pasuritë kulturore, historike dhe artistike prezentë. Në territorin e Bashkise Himarë objektet kryesore te cilat përbejnë pasuri kulturore, historike dhe artistike janë Ne Panormi: Kalaja e Porto-Palermos dhe Kisha e Vasilikes (gruas se Ali Pashes). Kjo kala thërritet ndryshe edhe Kalaja Pashe Tepelenës, ndodhet ne afërsi te Himarë, ne gjirin me te njëjtin emër. Kjo kala u projektua nga një inxhinier francezne formën e një pesekendeshi. Porta e hyrjes ndodhet nga ana e lindjes. Muret janë te trashe 1.6m. Në shënimet e tij konsulli francez Pukevil shënon se me 1806 ali Pashe Tepelena, i rezervoi atij një pritje ne kalanë e Kastrise, Himarë. Sipas studiuesve te quajtur te bregdetit Janko Palit, ne ballin e portës te kësaj kalaje jene te gdhendura me germa greke ne stilin bizantin.

3.-Në ballin e portikut të kështjellës së Ali Pashait,në Porto Palermo,në jug të gdhendura gjenden në një stil,ndoshta në atë  bizantin, vargjet nga mënyra e të kënduarit duken që janë të bejtexhinjve të oborrit:”Ktheni ploret o detarë…afrohuni pa frikë,inati  i erës dhe dallgët janë frikë…Ky është varianti i parë që unë gjeta dhe ne fund do tju paraqese variantin e dyte  te mesuesit Janko Pali nga Qeparoi.Çfarë do të kuptojë ky rapsod oborri i Ali Pashait me fjalët,ktheni ploret o detarë…,Flitet për anijet detare, që të ankorohen aty buzë vendit ku prehej pashai. Një ditë do të kthehem tek ju i ka thënë edhe  Pukevil  ,i cili ka shkruar për këtë takim dhe ka përmendur vitin 1806,kohë këtë cilin Ali Pasha e mirëpriti në kalanë pesë këndesh e projektuar nga një inxhinier bashkëkombës i Pukevilit, po francez. Afrohuni pa frikë besoj shqyrton,aty për ku je nisur,po të them në gjuhën vendase  ”Mirëardhësh ! Në një sterre,dallgët të krijojnë ndenjën e madhe të frikës,zhurma e tyre,shkrumbëzimi,përplasjet,lartësia e tyre e matur në disa ballë,dhe kësisoj inati i erës,nuk mund të përballohen përveçse tu thuash hapu ,janë goditje që ndryshojnë format e shkëmbinjve .Ktheni ploret o detar… në qiellin e kthjelltë nëpër natë,nuk ka ndonjë formulë të fshehtë mikpritje,për të kthyer anijet në gjirin e kështjellës ku qëndronte pashai plak i menduar,që ishte  e rebeluar me perandorin.

Frynë jug erë e fortë, që ndihet më tepër në jug ,por sidomos në këtë pjesë jugore. Kalaja është në vendin më të bukur,një ishull deti e rrethon më tre pjesët me ujë,ndërsa përkarshi është rruga që mbrinj deri atje. Duken muret e kalasë, frëngjitë e vogla të mbuluara me rrasa guri. Murre,portik, frëngji .Kalaja është mirëmbajtur mirë. Brenda ka dhoma,puset  e ujit. Dhoma të errtë si biruca. Koridorre dhe mjedise të tjera. Punuar me gurë. Një ndër specialistët e monumenteve të kulturës në rrethin e Vlorë, N .B shprehet se ka një ide interesante. Duke parë se në ishullin e Janinës,   kanë krijuar një muze për Ali Pashën,përse ndoshta në të ardhmen mund të projektohet dhe të ndërtohet një muze për Ali  Pashën.  Aty mund të përmblidhen të gjitha të dhënat si dhe dokumentet,reliktet dhe foto për sundimtarin Ali Pasha. Duhet thënë se pas Skënderbeut,është Ali Pasha ,sundimtari që sundoi jugun e vendit duke e taposur pushtimin osman. Duke bashkëvepruar më bektashinjtë për një aleancë të vetme të dy palët kishin një kundërshtar,shteti i Ali Pashës është i njohur duke ekzistuar ,ku Ali ishte sundimtari një lloj kryeministri shqiptar .Dhe është e kuptueshme koha e tij,por është pak e njohur si kohë e qëndrimit te ekzistencës së shtetit shqiptar karshi  osmanllinjëve . Në muzeun e Ali Pashës mund të vendosen dokumente origjinale që gjenden në shtetin turk,por edhe në ishullorin e Janinës .A duhet menduar sa për fillim duhet thënë se është një ide e mirë për ti hapur udhë realizimit të më vonshëm. Kjo edhe nga fakti sepse sivjet kalaja në Porto Palermo pati vizitorë të shumë,turistë tëhuaj që interesoheshin për Ali Pashën dhe kalanë e tij,kohën e sundimit,rreth dy shekuj më parë. Kalaja e Ali Pashës mbart një tregim të moçëm. Ali Pashai e ndërtoi këtë kala për gruan e tij Vasiliqinë. Thuhet se thesari i saj është zhytur në katakombet e saj dhe pas mërgimit të pashit dhe gruas së tij ,thesari nuk u gjet,duke treguar se legjenda ishte më tepër një sajim popullor.

Kështjella -Kështjella në jug, e Ali Pashës mësuar me gjuhën e fjalëve të patregueshme,ku të shfaqet  Vasiliqia ,që e parandien ardhjen e orëve te territ,në dyert e saj nga shenjat pluskuese i solli koha. Ti hënëz e plotë,në flokë!O pishës e ndezur në muzg!Sa shikime janë ngurosur përmbi ty:” C’pret moj e gjorë,Aliu s’është më i gjallë…

Kjo kala me shkruante një ish i burgosur aty ka shërbyer si burg, Ata shkruan aty vite te rinise.Thuhet se në Himarë kalonte trakti i Egnatias jugore, që përshkonte Aulonën, Llogora, Himarë, Finiq. Himara e ka plazhin në Spile më të mirin. Ajo,që mund të tërheq kureshtar është shpella e Odisesë në Spile. Si i shpëtoi Ciklopit varur në leshin e deleve. Në Porto Palermo,kështjella e Ali Pashait ka formë pesëkëndëshe. Muret janë të trashë 1.6 m .Në ballinë gjenden vargje poetësh,gdhendur me stilin bizantin. Ndërtuar poetika e tyre me kaq ëmbëlsi me detin:Mbishkrimi i dyte na e ka dërguar nga USA Pertaq Pali ibiri i Janko Palit.

Mbishkrim ne deren e forteses se Palermos te ngritur me 1806 nga ALI PASHA, Vezir i Janines.

Stripste tis pllores afova thallasopori kseni
S’tin thallasa tu Panormu, thimos vjeni !
Q’eme pu tora vlepete s’ton urano san astro
Ime tis niqis tropeo astrapovollo Kastro !
Nifadhes Himarjotises m’ektisane me zillo
Afillo pros tus afillus qe pros tus fillus fillo !
M’ezilepse o Faethondas m’ihe nakari o Pirros
ALIS o protos me krati Tepelenjotis iros !
Afendis plireksusios s’tis Ipiros ta meri
Qe stratighoa Asirios me ta spathi s’to heri !
Pende mirjadhes stratevma Krata s’ton orismo tu
Afovos penda q’atromos anandja s’ton enthrotu !
S’ta Janin’ ahapavete t’atromito londari
Tis Athinas to jenima q’anathrema tu Ari !

Ngritur ne kopje ne vend me 1932 nga Arsimtar Janko Pali

Ktheni plloret o detare,hyni ne liman rehat
Këtu ne Panormen deti s’trembet erës me inat
Edhe mua qe shikoni lart ne qiell qe çaj rete
Jam e fitores trofe fortes’ qe shkrep rrufete !
Nuset e Himarjoteve me ngritën me kujdes
Armike për armiqtë, për miq mike me bese !
Me pati zili Fatheondi dhe Pirro me pat nakar
I Tepelenës me sundoi heroi Aliu i par
I plotfuqishem është sot ne ç’mban Epiri vende
Dhe gjeneral Asirian me shpat’ e me mende !
Pese dekada mijëra ka n’urdher ushtare
Pa frike e pa u tutur u ben armiqve balle
Tani Janine prehet luani pa frike
Nga Athinaja lindur , qe Marsi vete ka rrite !

Përkthyer dhe përshtatur ne shqip nga arsimtar Janko Pali ne vitin 1932 (shkruar me makine shkrimi mare nga origjinali i vitit 1932 dhe ne dy ½ flete, formati ) .Qeparo me 29. XI. 1979

*Mr.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

 

Filed Under: Featured Tagged With: 15 destinacione, Kalaja ne Porto Palermo, Nga Gezim Llojdia

Qëndrimi i Ahmet Zogut kundër pushtimit fashist të Shqipërisë

April 9, 2014 by dgreca

Nga Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu/

 Stabiliteti politik i shtetit shqiptar në vitet ’20-’30 të shek. XX ishte kusht i domosdoshëm për prosperitetin e mëtejshëm të vendit në një proces historik normal të zhvillimit të tij. Ky proces historik është i lidhur me Mbretin Ahmet Zogu “një prej figurave më të rëndësishme politike në historinë e Shqipërisë moderne”[1].

          Agresioni fashist italian i 7 prillit 1939, për fat të keq, e ndërpreu në mënyrë arbitrare këtë proces historik normal të ecjes së Shqipërisë. Kjo ngjarje tronditi thellë pozitën politike të Mbretit Ahmet Zogu dhe të sensit të marrëdhënieve italo-shqiptare.          Edhe pse gjatë marrëdhënieve italo-shqiptare, në vitet ’30-të, Ahmet Zogu ndoqi një politikë koncesionesh ndaj Italisë, ai nuk pranoi koncesione të atilla që cenonin apo rrezikonin sovranitetin dhe pavarësinë e vendit. Qëndrimi i Ahmet Zogut dëshmonte jo vetëm vullnetin e tij për të ekzistuar politikisht, por edhe për një shkallë të lartë patriotizmi të tij.

Duke parë vendosmërinë e Zogut ndaj Italisë, për të mos lejuar që ajo të kontrollonte krejtësisht Shqipërinë, Italia shfrytëzoi mjetin e fundit, agresionin, për pushtimin e saj. Mbështetur në këtë fakt historik, të pushtimit ushtarak të Shqipërisë, njëherësh kjo një provë e suksesit politik të Ahmet Zogut, në mbrojtje të sovranitetit të vendit, kuptohet absurditeti i historiografisë së mëparshme shqiptare që, pushtimin fashist të Shqipërisë, e ka cilësuar “si përfundim logjik të politikës antikombëtare dhe antipopullore të Ahmet Zogut”[2].

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste ishte rezultat i planeve strategjike të fashizmit për sundim botëror. Me anë të dhunës, fashizmi do të vinte në pozita ekzili jo vetëm Mbretin Zog në Shqipëri, por dhe figura të tjera të larta politike.

Vetë qëndresa politiko-diplomatike e Ahmet Zogut dhe qeverisë së tij, për të mos pranuar ultimatumin italian të fillimprillit 1939, për vendosjen e protektoratit italian mbi Shqipërinë, ishte një rezistencë politike në mbrojtje të integritetit të shtetit dhe të pavarësisë së Shqipërisë.

Përballë një raporti disproporcional të forcave shqiptare me ato të pushtuesit italian, pa asnjë mbështetje të fqinjëve dhe të fuqive evropiane, Zogu u bind se, pushtimi i Shqipërisë ishte i pashmangshëm. Organizimi total i bashkatdhetarëve në një konflikt të përgjakshëm, pa asnjë mundësi reale për fitore, ishte veçse një aventurë. Veç kësaj, prania e tij në këtë pushtim të pashmangshëm, do të kompromentonte legjitimitetin e sovranitetit të shtetit shqiptar. A.Zogu nuk preferoi të mbetej një kukull në duart e italianëve, duke pranuar humbjen e pavarësisë së vendit. Ai u pozicionua, që në fillim dhe deri në fund të luftës, si një kundërshtar i pushtimit italian, në mbrojtje të pavarësisë së vendit. Që më 8 prill 1939 u kërkua nga qeveria shqiptare që Këshilli i Lidhjes së Kombeve të merrte qëndrim për pavarësinë e Shqipërisë, mbështetur në nenet 10, 11 dhe 17 të Traktatit të saj[3]. Ahmet Zogu rezervoi gadishmërinë për veprim në jetën politike shqiptare, për rifitimin e pavarësisë në kushtet e reja të Luftës Botërore.

Duhet thënë se, qëndrimi i A.Zogut, pas pushtimit fashist të vendit, duke kaluar në ekzil politik, u përcaktua dhe nga rrethana të tjera, të disfavorshme për qëndrimin e tij në Shqipëri.

“Politika e mosndërhyrjes” që ndoqën Fuqitë e Mëdha i lanë dorë të lirë fashizmit italian të sulmonte Shqipërinë. Kryeministri britanik, Çambërlen, më 6 prill 1939, deklaronte se Britania e Madhe nuk ka interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri”[4]. Ndërsa, më 8 prill 1939, qeveria britanike arrinte në përfundimin se Shqipëria duhej të sakrifikohej “për hir të paqes evropiane”[5].

Ky qëndrim i qeverisë britanike ndaj agresionit italian në Shqipëri do të reflektohej edhe në qëndrimin e saj ndaj Mbretit Zog, gjatë azilit në Angli. Ahmet Zogut iu dha përgjigje pozitive për strehim në Angli “si person i shquar privat”, por, nuk iu njoh statusi i mbretit, që të gëzonte “imunitetin e sovranit” të shtetit shqiptar.

Qëndrimi i diplomacisë dhe i politikës britanike ndaj Mbretit Zog, duke i vënë kusht që të mos merrej me politikë, do të reflektonte në fakt qëndrimin britanik ndaj statusit të ardhshëm të Shqipërisë. Sipas politikës britanike, “konsiderohej gabim nxjerrja në pah e emrit të Zogut, si figurë e rifitimit të pavarësisë së Shqipërisë, duke mos e angazhuar veten për statusin e ardhshëm të Shqipërisë”[6]. Sipas kësaj politike, deklarohej se “ne nuk do të angazhohemi ndaj rikonstruktimit të një Shqipërie të pavarur, mbasi “Statusi i ardhshëm i Shqipërisë është një çështje që do të zgjidhet në Konferencën e Paqes”[7].

Megjithë këtë pozitë të pafavorshme politike, Ahmet Zogu nuk rreshti përpjekjet, për të luajtur rol aktiv në interes të Shqipërisë. Madje, në letrën drejtuar presidentit amerikan, Rusvelt duke iu referuar Deklaratës së Atlantikut, të janarit 1942, i kërkonte mbështetjen, që Ahmet Zogu të njihej si përfaqësues legal i Shqipërisë[8]. “As morali ndërkombëtar, as të drejtat e njeriut, as oportuniteti politik i çastit… – thuhej, ndër të tjera, në letër – nuk mund të justifikojnë një trajtim të ndryshëm për Shqipërinë nga ana e Fuqive të Mëdha Aleate”. Dhe më tej vazhdonte: “Zbatimi i parimeve të pranuara për gjithë kombet e robëruar, pa bërë një përjashtim për Shqipërinë, do t’i heqë një armë të fuqishme propagandës së armikut”. Kështu, ai, me këtë qëndrim, e rreshtonte veten dhe Shqipërinë në anën e Kombeve të Bashkuara, në luftën kundër armikut të përbashkët të demokracisë.

Edhe pse, Ahmet Zogu ishte pozicionuar qartë në krahun antifashist të luftës, politika britanike evitonte çdo angazhim të saj për njohjen e Mbretit Zog me statusin e tij apo çdo angazhim për të ardhmen e Shqipërisë. Dukej qartë se, politika britanike ndaj Shqipërisë u ndikua nga interesat politike greke, duke iu përmbajtur postulatit, sipas të cilit, asnjë veprim nuk do të ndërmerrej në Shqipëri pa marrë pëlqimin e qeverisë greke ose të paktën pa diskutuar me të[9]. Vetë ministri i Jashtëm britanik, A. Eden ishte shprehur se “grekët dhe jugosllavët kishin synime (ndaj Shqipërisë – M.D.) që i kanë shprehur me forcë dhe që ne duhet t’i marrim parasysh, në momentin dhe mënyrën e duhur”[10]. Qëllimi i qeverisë greke ishte, që, duke shpërfillur autoritetin e A. Zogut, si vazhdues i ruajtjes së legjitimitetit të shtetit shqiptar, të vepronte me duar të lira për aneksimin e Shqipërisë së Jugut pas luftës. Kjo ishte arsyeja që Greqia mbajti një qëndrim refraktar ndaj të gjitha ofertave që i bëri A.Zogu, për të jetësuar bashkëpunimin e dy vendeve në luftën kundër fashizmit[11]. Këtë qëndrim të Greqisë e adaptoi dhe politika britanike, me arsyetimin se, “në mbarim të luftës mund të jetë e vështirë të gjendet për grekët një kompensim tjetër territorial, përveç krahinave shqiptare[12].

Këmbëngulja e Ahmet Zogut për njohjen e vazhdimësisë së legjitimitetit të shtetit shqiptar gjatë luftës dhe për rivendosjen e sovranitetit të shtetit të paraluftës, u shpërfill jo vetëm nga faktorë të jashtëm, por edhe nga forcat politike shqiptare që vepronin në Shqipëri. Këta të fundit, duke shpërfillur legjitimitetin e shtetit shqiptar, të përfaqësuar nga mbreti i përzënë me dhunën e armëve të pushtuesit, vunë në diskutim jo vetëm formën politike të shtetit shqiptar të pasluftës, por edhe vetë pavarësinë e Shqipërisë.

Me këtë qëndrim përjashtues ndaj Mbretit, forcat politike shqiptare në mënyrë të tërthortë ishin në një linjë qëndrimi politik e propagandistik me atë të pushtuesit në qëndrimin ndaj Mbretit shqiptar. Në programin e forcave politike u shpall si detyrë strategjike përveç luftës kundër pushtuesit, edhe shkatërrimi i shtetit të vjetër shqiptar dhe vendosja e organeve të reja të pushtetit. Me fjalë të tjera, propaganda dhe programet e këtyre forcave politike, për bashkim të gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim, mbetej një refren propagandistik, duke përjashtuar nga ky bashkëpunim një krah të fuqishëm, të rezistencës shqiptare, Mbretin shqiptar, dhe përkrahësit e tij me peshë të madhe për mobilizimin e shqiptarëve në luftë kundër fashizmit. Mosbashkëpunimi i faktorit të brendshëm politik shqiptar me faktorin e jashtëm, me Mbretin shqiptar, minoi organizimin e një fronti të bashkuar të shqiptarëve, brenda e jashtë vendit, të cilët duhet të kishin si mision zgjidhjen e një detyre të përbashkët strategjike – rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë së paraluftës. Duke nënvlerësuar mbështetjen e faktorit të jashtëm shqiptar, qoftë edhe në planin politiko-diplomatik, forcat politike në Shqipëri e cenuan rëndë detyrën e përbashkët strategjike për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë të paraluftës.

Shkaku i këtij mosbashkëpunimi duhet kërkuar në faktin se forcat politike në Shqipëri, në verë të vitit 1943, konsideruan si detyrë prioritare çështjen e marrjes së pushtetit. Pikërisht për këtë, “në vjeshtë të vitit 1943 lufta për çlirim kombëtar u shkri me luftën civile, që mori karakter të përgjithshëm”[13].

Lufta civile në Shqipëri, në kushtet e luftës për çlirim kombëtar, minoi dhe përçau, në përmasa kombëtare bashkimin e të gjithë shqiptarëve, duke rrezikuar seriozisht rivendosjen e pavarësisë.

Krejt ndryshe, nga lufta politike për pushtet që zhvillohej në Shqipëri nga forcat e brendshme politike, Ahmet Zogu, edhe në kushtet e kufizimit për veprimtari politike, u vendos qartë, për një politikë bashkëpunimi, me të gjithë rrymat e emigracionit politik shqiptar, për të gjetur rrugën më të mirë të rivendosjes së pavarësisë së Shqipërisë në fund të luftës. Përballë rrezikut që i kanosej Shqipërisë nga fqinjët, emigracioni politik shqiptar kërkoi të krijohej një unitet kombëtar shqiptar. Figurë qendrore e këtij uniteti ishte Ahmet Zogu. Noli dhe F.Konica shprehën qëndrimin e tyre me një deklaratë, në të cilën thuhej: “Mbreti Zog është më i shquari personalitet shqiptar i gjallë dhe përjashtimi i tij do t’i hiqte fuqinë lëvizjes që propozohet të bëhet”[14].

I bindur për këtë rol politik qendror, që duhej të luante Ahmet Zogu, Fan Noli e kushtëzonte vlerën e Deklaratave të dhjetorit 1942, të Fuqive të Mëdha, për pavarësinë e Shqipërisë, “me njohjen zyrtare të mbretit Zog si kryetar legjitim dhe logjik i qeverisë shqiptare në mërgim, së cilës t’i garantohej dhe një vend në Konferencën e Paqes”[15]. Noli për bindjen e ndonjë emigranti, kundërshtar të Mbretit, se, “Në rrethanat e tanishme ata që janë kundër Mbretit Zog, po luajnë pa dyshim lojën e armiqve të Shqipërisë”[16].

Për hir të bashkimit kombëtar, në përpjekjet për krijimin e qeverisë shqiptare në mërgim, F. Nolit iu ofrua posti i kryeministrit. Ndërsa, A. Zogu nga ana e tij, po për këtë qëllim, deklaronte se, forma e qeverimit do t’i nënshtrohej verdiktit të popullit.

Kapërcimi i divergjencave politike midis dy kundërshtarëve politikë, për hir të interesave kombëtare, përbënte një shembull ideal për forcat politike shqiptare, se si duheshin kapërcyer të gjitha ndasitë, në shërbim të kombit, për rivendosjen e sovranitetit të shtetit të paraluftës.

Ahmet Zogu dhe Fan Noli, si përfaqësues të dy rrymave të opinionit shqiptar, konsideroheshin nga shqiptarët si simbole të bashkimit të tyre. Me bashkimin e tyre mendohej se, “asnjë nuk do të mund të pretendojë se shqiptarët janë të përçarë”[17].

Qeveria britanike ngurroi dhe nuk e përkrahu idenë e krijimit të qeverisë Shqiptare, sepse, në bazën e politikës së saj, kishte shqetësimet për të zgjidhur pretendimet e Greqisë dhe të Jugosllavisë në drejtim të Shqipërisë.

Madje, Greqia shfrytëzoi dhe situatën ndërkombëtare të pasluftës, për të shpalosur në forume ndërkombëtare pretendimet për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, duke përdorur si “argument”, tezën e preferuar të saj, sipas së cilës, “mbreti Zog kishte qenë një instrument i penetrimit italian në Ballkan”. Ish-ministri britanik në Shqipëri, Robert Hodgson, e hidhte poshtë këtë tezë, duke vënë në dukje se, “grekët kishin harruar faktin esencial, që ky sulm u krye pikërisht se Mbreti Zog nuk pranoi të jetë një instrument i tillë”[18].

Qëndrimi i Ahmet Zogut, kundër pushtimit fashit të Shqipërisë, u minua si nga faktorët ndërkombëtarë ashtu dhe nga faktorë të brendshëm. Secili prej këtyre faktorëve vepronte për interesin e vet dhe aspak për interesat kombëtare të Shqipërisë. Rezultante e veprimit të përbashkët të faktorëve që goditën përfundimisht pozitën politike të Ahmet Zogut në arealin e politikës shqiptare, në fund të luftës, ishte Kongresi i Përmetit (24 maj 1944).

Vendimi i tij, për të ndaluar ardhjen e Zogut në Shqipëri, si dhe vendime të tjera që lidheshin me të, ishin një goditje vendimtare kundër legjitimitetit të shtetit shqiptar të paraluftës. Ai Kongres spekuloi, për këtë problem, me slloganin “vullnet i popullit”, i cili nuk mund të shprehej lirisht në kushtet e një partie të vetme që kishte në dorë pushtetin.

Pushteti i dalë nga Kongresi i Përmetit, përbënte një diktaturë të një partie të vetme, ardhur në fuqi me dhunën e armëve, kundër të gjithë kundërshtarëve politikë të saj, përfshirë dhe zogistët. Në se më 1939, Mbreti Zog u detyrua të largohej nga Shqipëria me dhunën e armëve të një fuqie pushtuese të huaj, në vitin 1944, ishte dhuna e pushtetit komunist, që u vendos në Shqipëri, që i dha goditjen përfundimtare pozitës politike të Mbretit Zog në fund të Luftës Botërore. Në këtë rezultat historik kishte ndikuar tërthorazi edhe politika e aleatëve, të cilët duke u bazuar vetëm në interesat e tyre ushtarake, kishin furnizuar forcat partizane me armë, të cilat u përdorën në mënyrë efektive që PKSH të mposhtte rivalet e saj politike. Pa dyshim në këtë ndërmarrje kanë pjesën e përgjegjësisë dhe aleatët që ndihmuan me armë për ardhjen e komunistëve në pushtet. Patriotët shqiptarë, dhe mbështetës të A. Zogut, do të reagonin ndaj aleatëve se “ishte një veprim prej qorri dhënia e armëve në duart e atyre, (komunistëve – M.D.) që do t’i përdornin për të asgjësuar të gjithë ata që drejtojnë sytë nga perëndimi[19]. Departamenti Jugor i Forin Offisit britanik do të bindej, për A. Zogun, vetëm në fund të vitit 1944, që “Nuk ka arsye të dyshojmë për bindjet e tij proangleze dhe ndikimi ynë në Shqipëri do të ishte shumë i fuqishëm me atë si mbret se sa me një qeveri të Frontit Nacionalçlirimtar (Komunist)”[20]. Britanikët u bindën për qëndrimin proanglez të Ahmet Zogut, por ishte tepër vonë për ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve.

 



[1] Bernd J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Tiranë, 1996, f. 320.

[2] Historia e Shqipërisë, III, Tiranë: 1984, f. 446.

[3] Ufficio Storico, Ministero Affari Esteri Italiano, Affari Politici (më tej: US, MAEI, AP) (Albania), B.90, fasc. 1, Telespresso 2175/ 5 i Konsullatës së Përgjithshme të Italisë për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Gjenevë, 24 maj 1939.

[4] Arkivi i Institutit të Historisë (më tej: AIH), Dokumente britanike PRO-FO 371, Albania 1939, File nr. 23712.

[5] Po aty. Procesverbali i mbledhjes së posaçme të qeverisë Britanike mbi qëndrimin e saj kundër “aksionit italian” në Shqipëri.

[6] Foreign Office (më tej: FO) 371/ 24866/ 7677. Telegram i P.Dixon, 18 shtator 1940.

[7] Po aty, 23 nëntor 1940.

[8] Oxhaku famëmadh Zogu, Tiranë: SHB “Dardania”, 1995, f. 22.

[9] Beqir Meta, Tensioni greko-shqiptar (1939-1949), Tiranë: 2002, f. 416.

[10] FO 371/ 29711. Relacion i A.Edenit për kryeministrin Çërçill, 31 tetor 1941.

[11] Elisabeth Barker, British Policy in South-East Europe in the Second World War, f. 50; FO 371/ 24868/ 6586/ 90. Bisedë e Rajanit me Zogun, 8 nëntor 1940. A. Zogu i bëri ofertë Greqisë për të hapur një front lufte kundër Italisë në Selanik, ku ai të vihej në krye të 14.000 shqiptarëve.

[12] FO 371/ 24868/ 8783. Protokolli i takimit midis zyrtarëve të FO dhe SOE, 2 dhjetor 1940.

[13] Ndreçi Plasari, “Disa tipare themelore të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve fashistë…”, në: Konferenca e parë e Studimeve Albanologjike (Tiranë 15-21 nëntor 1962), Tiranë, 1965, f. 617-625.

[14] Gazeta Dielli, Boston, nr. 5550, 28 nëntor 1942.

[15] AIH. Dokumente britanike A.V.139, 70.371/ 37136. Telegram i Nolit drejtuar Anton Logorecit.

[16] Po aty.

[17] Mehdi Manç Bushati, “Pse nuk u krijua Qeveria Shqiptare në mërgim”, në përmbledhjen: 100 vjetori i lindjes së Mbretit Zog I, Tiranë, 1995, f. 65.

[18] FO 371/ 43569. Letër e R. Hodgson dërguar botuesit të gazetës “Chicago Sun”, shtator 1944.

[19] AIH. Dokumente diplomatike, viti 1944, vëll.III (Marrëdhëniet e Jashtme të SHBA). Tel. i Kirk, Këshilltar politik pranë Komandës së Forcave Aleate, në Kazerta, drejtuar ministrit të Jashtëm të SHBA, 13 nëntor 1944.

[20] Elisabeth Barker, Politika britanike në Europën Juglindore gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesa: “Shqipëria, Britania dhe rezistenca”, f. 173.

Filed Under: Histori Tagged With: Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, pushtimi i fashist, Qendrimi i Ahmet Zogu

Putini po ecën në gjurmët e Stalinit

April 9, 2014 by dgreca

Shkruan: Prof.dr. Eshref Ymeri/ Santa Barbara, Kaliforni/

Para pak ditësh, gazeta franceze “Le Figaro” botoi një analizë, kushtuar ngjarjeve pas pushtimit dhe aneksimit të Krimesë prej Federatës Ruse, pas një referendumi që u zhvillua atje me një nguti të habitshme. Me këtë rast, gazeta citon një fjalë të urtë që e përmend ish-i burgosuri i GULAG-ut, disidenti sovjetik Sergej Kovalov (1930), pjesëmarrës i lëvizjes në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Bashkimin Sovjetik dhe në Rusinë passovjetike, personalitet politik dhe shoqëror rus, ish-deputet i tri legjislaturave të parlamentit rus (1993-2003).

Duke pasur parasysh synimet ekspansioniste të Putinit në qëndrimin ndaj ish-republikave sovjetike, Kovalovi thotë se “oreksi vjen duke ngrënë”. Me këtë fjalë të urtë, Kovalovi ka parasysh qëndrimin e Putinit ndaj Gjeorgjisë, së cilës, në vitin 2008 i gllabëroi Osetinë e Jugut dhe Abhazinë. Siç del nga zhvillimi i ngjarjeve, Putini, me sa duket, mbrojtjen e rusëve që jetojnë përtej kufijve të Rusisë, e ka vënë në qendër të politikës së vet ekspansioniste. Dhe kjo me pretekstin se atyre “po u shkelen të drejtat”.

Në të vërtetë, në Ukrainë nuk ishin vënë re kurrfarë shkeljesh të të drejtave të rusëve. Të ashtuquajturat të drejta të shkelura të rusëve në Krime ishin thjesht inskenime të Kremlinit, të orkestruara drejtpërsëdrejti nga Putini. Prandaj edhe rusë të Krimesë dilnin me pankarta në duar, në të cilat bëhej thirrje “për t’i shpëtuar” atdheu-mëmë.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, rreth 25 milionë rusë mbetën në ish-republikat sovjetike. Duke përdorur si vjegë gjoja mbrojtjen e tyre se “po u shkelen” të drejtat, Putini i është kthyer politikës ekspansioniste të carizmit për pushtime territoresh të huaja. Në këtë mënyrë, ai po mundohet të vërë në jetë politikën e shovinizmit rusomadh, përmes së cilës kërkon të ringjallë ish-Bashkimin Sovjetik. Se jo më kot ai pati deklaruar dikur se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik na paskej qenë tragjedia më e madhe e shek. XX!

Kësisoj Putini është duke nxitur një reaksion zinxhir: fill pas aneksimit të Krimesë, në Pridnjestria, (ish-pjesë e territorit të ish-Republikës Sovjetike të Moldavisë), të cilën trupat ruse vazhdojnë të mbajnë të okupuar që prej viteve ’90 të shekullit të kaluar, kanë filluar të dëgjohen thirrje për të hyrë në përbërjen e Federatës Ruse.

Në ish-republikat sovjetike të Azisë së mesme, rusët përbëjnë afërsisht 10% të popullsisë. Por në Kazikstan, me një popullsi prej rreth 17 milionë banorësh, rusët përbëjnë rreth 27% të saj. Prandaj presidenti (i përjetshëm) Nazarbajev i Kazakistanit, në kushtet pas aneksimit të Krimesë prej Kremlinit, tani ndodhet në një pozitë me të vërtetë delikate. Por pas aneksimit të Krimesë, edhe presidenti Lukashenko i Bjellorusisë nuk e ndien veten fort rehat. Seç ka një shqetësim që po e bluan përbrenda.

Pakicat nacionale ruse nuk janë të pakta edhe në ish-republikat sovjetike të Priballtikut, sidomos në Estoni. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Kremlini, përmes këtyre pakicave kombëtare, bëri ç’është e mundur për të penguar hyrjen e tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por nuk mundi t’i pengonte dot. Gjithsesi, tre shtetet e Priballtikut e ndiejnë veten të mbrojtur nga aleanca e NATO-s, në krahasim me Ukrainën, e cila ka mbetur e zbuluar para epsheve shoviniste të Putinit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Bush, pikërisht në pranverën e vitit 2008, pati propozuar që Gjeorgjia dhe Ukraina të përfshiheshin në programin e përgatitjes për të hyrë në NATO. Por Franca dhe Gjermania nuk pranuan.

“Ky hap i Parisit dhe i Berlinit, – nënvizon gazeta “Le Figaro”, – duhej të kishte shërbyer si një gjest paqtimi në marrëdhëniet me Moskën. Por Vladimir Putini e vlerësoi atë si një shenjë dobësie… Që asokohe kanë kaluar gjashtë vjet dhe Perëndimi aneksimin e Krimesë e quan po aq të papranueshëm, sa edhe copëtimin e Gjeorgjisë. Ai, me shumë të drejtë, heq dorë nga përdorimi i forcës, por a i ka vallë mjetet dhe mundësitë për t’ia disiplinuar në njëfarë mënyre orekset presidentit të Rusisë? (Citohet sipas: “Le Figaro: Hapat e Perëndimit për pajtim, Putini i merr për dobësi”. Marrë nga faqja e internetit “charter97.org”. 26 mars 2014).

Para pak kohësh, udhëheqësi i tatarëve të Krimesë, ish-udhëheqësi i Kuvendit Kombëtar (Mexhlisit) të Krimesë, Mustafa Xhemilev, zhvilloi një bisedë me Putinin, në të cilën theksoi rëndësinë e ruajtjes së tërësisë territoriale të Ukrainës, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar më 1994 prej vendeve garantuese: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Rusisë. Dhe cili ishte reagimi i Putinit, sipas Xhemilevit?

“Për këtë temë, Putini preku një të tillë çështje, sipas së cilës vetëshpallja e Ukrainës si vend i pavarur, nuk përputhej krejtësisht me normat sovjetike që parashikojnë procedurën e daljes nga përbërja e Bashkimit Sovjetik. Ja ky ishte qëndrimi i tij” (Citohet sipas: Udhëheqësi i tatarëve të Krimesë rrëfen për bisedën me Putinin”. Marrë nga faqja e internetit “utro.ru”. 12 mars 2014).

Duket fare sheshit që Putini ka dalë me një deklaratë paradoksale në qëndrimin ndaj Ukrainës. Normat sovjetike për daljen nga përbërja e Bashkimit Sovjetik kishin fuqi ligjore për aq kohë sa Bashkimi Sovjetik ishte më këmbë si një strukturë shtetërore unike. Por asokohe cila nga republikat mund të kuturiste të bënte kërkesë për të dalë nga përbërja e Bashkimit Sovjetik? Asnjëra, se Kremlini do ta mbyste në gjak. Por kur ngrehina sovjetike u shkërmoq, atëherë për çfarë normash sovjetike e ka fjalën Putini, për të cilat kërkuaka që t’i respektojë Ukraina? Epshet shoviniste ndaj Ukrainës, Putinin e kanë verbuar keq, prandaj ai arrin të nxjerrë nga goja edhe deklarata të pamatura, si kjo që u përmend më lart.

Në qëndrimin ndaj Ukrainës, Putini udhëhiqet nga mendësia hegjemoniste e Bashkimit Sovjetik, i cili shfaqjet e nacionalizmit nëpër republika, i vlerësonte si tendenca për minimin e ngrehinës sovjetike. Në këtë aspekt, ai është duke ndjekur gjurmët e Stalinit, i cili nacionalizmin ukrainas e kishte halë në sy. Madje ndjenjat nacionaliste nëpër republikat sovjetike duhej të çrrënjoseshin tërësisht dhe në mbarë Bashkimin Sovjetik, domosdo, duhej të lulëzonte vetëm nacionalizmi rus. Po çfarë deklaronte Stalini konkretisht?

          “Jo, ne po veprojmë drejt që po i ndëshkojmë kaq rreptë nacionalistët e të gjitha kallëpeve dhe ngjyrave. Ata janë ndihmësit më të mirë të armiqve tanë dhe armiqtë më të tërbuar të popujve të vet. Se me ëndrrën e vet të përhershme, nacionalistët kanë për qëllim ta shkërmoqin Bashkimin Sovjetik në shtete të veçanta “kombëtare” dhe atëherë ai do të bëhet kollaj pre e armiqve. Kurse popujt që banojnë në Bashkimin Sovjetik, në shumicën e tyre, do të shfarosen fizikisht, kurse ata që do të mbeten do të shndërrohen në skllevër të pagojë dhe mjeranë. Jo rastësisht tradhtarët e përbuzur të popullit ukrainas, udhëheqësit e nacionalistëve ukrainas, të gjithë këta melnikët, konovallët, banderat, kanë marrë tashmë detyra nga zbulimi gjerman për të ndezur mes ukrainasve, që janë po ashtu rusë, urrejtje për rusët dhe të arrijnë ta shkëpusin Ukrainën nga Bashkimi Sovjetik… Prandaj ata duhen mbajtur nën fre, të mos lejohen t’i vënë minat unitetit të Bashkimit Sovjetik” (Citohet sipas: J.V. Stalin. Vepra të plota. Vëll. 15. Bisedë me A.S. Jakovlevin. 26 mars 1941, f. 17. Marrë nga faqja e internetit “Mësimet e harruara të historisë. Stalini për nacionalizmin ukrainas”,“ahtubinskpilot.ru”. 28 shkurt 2014).

Zhvillimi i ngjarjeve pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, vërtetoi në praktikë se deklarata e Stalinit kundër nacionalistëve nëpër republikat sovjetike dhe sidomos në Ukrainë, rezultoi se kishte qenë thjeshtë një demagogji e pastër që kishte për qëllim vetëm lartësimin e nacionalizmit rus dhe justifikimin e tendencave ekspansioniste të shovinizmit rusomadh në kurriz të popujve jorusë. Republikat u pavarësuan pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe askush nga vendet perëndimore nuk e vuri në rrezik tërësinë e tyre territoriale dhe sovranitetin kombëtar. Përkundrazi, integritetin tokësor dhe sovranitetin e tyre kombëtar e ka cënuar dhe po vazhdon ta cënojë pikërisht shovinizmi rusomadh, si në rastin e Moldavisë, të Gjeorgjisë dhe të Ukrainës.

Ish-republikat sovjetike, fill pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, u larguan marramenthi nga tutela e Moskës sepse gjatë shtatëdhjetë vjetëve, ajo kishte arritur t’i nënshtronte plotësisht. Madje qe përpjekur që të ndryshonte ca nga ca edhe përbërjen demografike të tyre përmes rusifikimit të shkallëshkallshëm. Se po të kishte ndodhur e kundërta, domethënë nëse Moska do t’i kishte trajtuar republikat me të drejta të barabarta, nëse do t’u lejonte sa më shumë pavarësi, sa më shumë të drejta për vetëqeverisje, për vetëzhvillim dhe për ngritje të nivelit të mirëqenies, ato me siguri që nuk do të shkëputeshin nga Moska me aq shpejtësi.

Të gjitha konfliktet që kanë lindur me Moldavinë, me Gjeorgjinë dhe me Ukrainën dhe që nesër pasnesër mund të lindin edhe me shtete të tjera fqinje, ish-republika sovjetike ose, si fjala vjen, me Finlandën, e kanë burimin jo vetëm te shpërfillja dhe përbuzja që shovinizmi rusomadh ushqen ndaj tyre në vazhdimësi, i kapluar keq nga ndjenja e madhështisë, por edhe te ringjallja e stalinizmit, i cili, pas ardhjes në pushtet të Putinit, është rehabilituar në një mënyrë të pabesueshme. Një shpërfillje dhe një përbuzje të tillë e ushqejnë jo vetëm politikanët por edhe populli rus, siç del qartë nga burimi i mëposhtëm:

“Vladimir Putini i ka propozuar Bjellorusisë të hyjë në përbërjen e Rusisë me krahina. Shembuj të tillë të një qëndrimi përbuzës jo vetëm nga ana e politikanëve, por edhe nga ana e rusëve të thjeshtë ndaj Bjellorusisë dhe ndaj Kazakistanit, mund të gjesh me shumicë. Duke i vlerësua këto qëndrime në tërësi, ne arrijmë në një përfundim të thjeshtë: Bjellorusia, përgjithësisht, nuk është kurrfarë shteti, kurse në përbërjen e Kazakistanit ka shumë krahina “ruse”. Nëse Putini do të arrijë ta copëzojë Ukrainën, atëherë për Kazakistanin dhe për Bjellorusinë do të nënshkruhet dënimi me vdekje” (Сitohet sipas: Valerij Portnjikov. “Agresori i vetëm Putin”.  Marrë nga faqja e internetit “glavred.info”. 04 mars 2014).

Qëndrimi përbuzës që Putini ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë ndaj Ukrainës, është me të vërtetë i përmasave skandaloze. Këtë të vërtetë tragjike e pranon zonja Lilia Shevcova (1949), politologe ruse, doktor i shkencave historike, profesore e Katedrës së Politologjisë Krahasuese të Institutit Shtetëror Rus të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, bashkëpunëtore shkencore përgjegjëse e Qendrës Karnegi të Moskës.

Ajo deklaron:

“Ukraina është, së pari, një projekt personal i Putinit që prej vitit 2004. Udhëheqja politike e Rusisë e konsideron Ukrainën si një vend që s’ka arritur të bëhet shtet, si dikë që s’ka arritur  të bëhet njeri, si një bashkësi që nuk ka komb, që nuk ka identitet. Prandaj jo më kot Putini i deklaroi Bushit në vitin 2008: “Xhorxh,  çfarë po thua për Ukrainën, se ajo, përgjithësisht, nuk është shtet dhe i tillë s’ka për t’u bërë kurrë”. Përveç  gjithë të tjerave, Ukraina, për shumë njerëz në Rusi, konsiderohet si kryenëna e shtetit rus, pikërisht si puna e Kosovës për serbët. Dhe madje më shumë” (Citohet sipas: Lilia Shevcova. “Ukraina është një dackë për elitën politike ruse”. Marrë nga faqja e internetit “LB.ua”. 02 mars 2014).

Pas shpalljes të së ashtuquajturës “Republika Popullore e Donjeckut” më 07 prill 2014, sipas të gjitha gjasave, Putini do t’i zgjerojë kufijtë e Federatës Ruse me të tjera “republika popullore”, me të vetmin qëllim që ta shndërrojë Ukrainën në një “bashkësi pa komb dhe pa identitet”. Domosdo, përderisa Ukraina është katandisur në një vend pa zot. Se gjatë 22 viteve nuk qe në gjendje të nxirrte në krye një klasë politike me dinjitet kombëtar.

Ky qëndrim prej shovinisti të kulluar i Putinit ndaj Ukrainës, nuk mund të vlerësohet ndryshe, veçse si një stalinizëm i pastër në ndërtimin e raporteve me ish-republikat sovjetike.

Shkrimtari, publicisti dhe veprimtari politik Aleksandër Prohanov (1938), në një konferencë shtypi, të zhvilluar para disa vjetësh në qytetin e Ekaterinburgut, ka deklaruar:

“Pothuajse 60% e banorëve të Rusisë janë stalinistë të bindur… Josif Visarionoviçi po rend nëpër hapësirat e vendit me shpejtësinë e dritës. Duhet kuptuar mrekullia e stalinizmit” (Citohet sipas: “Ditari i Eduard Volkovit”. Marrë nga faqja e internetit “liveinternet.ru”. 15 prill 2010).

Nënkuptohet që merita kryesore për ringjalljen e stalinizmit në Rusi, i takon Putinit, i cili është dashuruar keq pas një pushteti autokratik. Në bazë të orientimeve të tij të drejtpërdrejta, fryma e stalinizmit po injektohet me shumë kujdes në radhët e brezit të ri. Nga një sondazh i kryer kohët e fundit, kanë rezultuar të dhëna me të vërtetë befasuese:

“Në një mënyrë të çuditshme, pikërisht brezat e rinj, të cilët s’e kanë jetuar kurrë periudhën e stalinizmit, janë duke përjetuar nostalgjinë më të madhe për të kaluarën. Por në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, sepse kjo valë e kthimit të nostalgjisë për stalinizmin e ka burimin në arsimimin shkollor dhe universitar, përmes programeve të “historisë politike”, të frymëzuara prej Vladimir Putinit” [Citohet sipas: “Rusia: kthimi i stalinizmit”.  Marrë nga faqja e internetit “inosmir.ru”. 23 mars 2014].

Duke ndjekur gjurmët e Stalinit, Putini e ka armiqësuar keq Ukrainën me politikën e Kremlinit. Në këtë mes, siç thotë Xhejms Bruk, ish-gazetar i “Zërit të Amerikës” në Moskë, “Rusia e ka humbur betejën me Perëndimin në përpjekjet për të fituar zemrat dhe mendjet e ukrainasve. Këta nuk i kthen më dot prapa. Duke e pranuar këtë fakt, Putini kërkon të hedhë në veprim një variant rezervë: ta destabilizojë Ukrainën, duke ndezur përçarje gjuhësore dhe ndëretnike” (Citohet sipas: Xhejms Bruk. “Rusia me sytë e një amerikani. Vladimir Putin ka të drejtë: Perëndimi ndikoi mbi zgjedhjen që bëri Ukraina”. Marrë nga faqja e internetit “voanews.com”. 16 mars 2014).

Ёshtë e qartë se Putini nuk mund të veprojë dot ndryshe, sepse nuk mund ta braktisë dot psikologjinë e Kremlinit, sipas së cilës Rusisë i intereson që shtetet rreth e rrotull saj të jenë shtete të mekura që i bluajnë vazhdimisht konfliktet e brendshme. Prandaj edhe Ukraina, megjithëse kanë kaluar më shumë se 22 vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe pavarësimit të saj, vazhdon të mbetet ekonomikisht dhe politikisht një shtet me sovranitet të dyshimtë. Pra, gjendja e tanishme e Ukrainës është pasojë e drejtpërdrejtë e politikës hileqare të Kremlinit ndaj saj, çka ka gjetur pasqyrim në korrupsionin skanadaloz të elitës së saj politike dhe në tradhtimin prej saj të interesave kombëtare të popullit ukrainas.

Në këtë aspekt, politika e Kremlinit ndaj Ukrainës është vite drite larg politikës amerikane ndaj dy shteteve fqinje: Kanadasë dhe Meksikës. Duke bërë krahasimin mes këtyre dy politikave, gazetari Xhejms Bruk ka shumë të drejtë në gjykimin e vet kur deklaron:

“Po të bëjmë një krahasim mes bëmave të Rusisë në Krime dhe qëndrimit të kontinentit amerikanoverior, atëherë do të dukej sikur gjoja Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vendosnin ta përçanin dhe ta dobësonin Kanadanë, duke nxitur tendenca separatiste në Kuebekun kanadez, ose të fillonin të financonin ndonjë kryengritje në Meksikë. Në vend të një politike të tillë, populli amerikan dhe politikanët e tij besojnë dhe janë të bindur se zhvillimi i suksesshëm i Kanadasë dhe i Meksikës është në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj edhe qe nënshkruar dhe vazhdon të respektohet Marrëveshja Amerikanoveriore për Tregtinë e Lirë, një asociacion vullnetar ky i shteteve demokratike, si puna e Bashkimit Evropian, i leverdishëm për të gjithë anëtarët e vet” (po aty).

Kremlini, fatkeqësisht, është shumë larg një mendësie të tillë politike në marrëdhëniet me Ukrainën. Dhe gjasat janë se zor se mund të çlirohet ndonjëherë nga një psikologji e tillë, përderisa Putini përdor autoritarizmin në ushtrimin e pushtetit. Kjo ka bërë që ai, si një figurë e dalë jo nga radhët e inteligjencies së kultivuar ruse, por nga radhët e KGB-së, t’i kthehet stalinizmit, çka do të thotë që ai, jo vetëm brenda vendit, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, parapëlqen të komunikojë me gjuhën e forcës. Prandaj edhe Vashingtoni, edhe Brukseli duhet ta kenë parasysh faktin që edhe Putini gjuhën e forcës e kupton më mirë. Sepse vetëm kështu mund të vihen në zap epshet e tij ekspansioniste.

Santa Barbara, Kaliforni

08 prill 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. Dr. Eshref Ymeraj, Putini po ecën në gjurmët e Stalinit

DASHURITË E JOSIFIT: POEZIA, MUZIKA DHE KITARA

April 9, 2014 by dgreca

Realitetet themelore të ekzistencës njerëzore i hedh në vargje ashtu sikundër i ndjen brenda psikikes, shpirtërores dhe filozofikes. Poezitë e Josif Gegpriftit përshkruajnë situata të zakonëshme të njeriut me kompleksitetin e jetës dhe shoqërisë në të cilën jetojmë, dhe rolin e marrëdhënieve të tyre në kërkim të identitetit poetik. Vargjet lirike të poetit e kitaristit Josif Gegprifti  janë shprehje e zjarrtë e një shpirt shumë të ndjeshëm, që është gjithmonë në kërkim të dashurisë së pastër dhe intensive pa ndonjë kufizim.  Josif Gegprifti është nga ata poetë,  që  përshkruan realitetet bashkëkohore me humor të athët dhe shquhet  për aftësinë e tij për t’i hedhur në vargje, ndjeshmëritë poetike të dashurisë, mallit, brengës, dhimbjes, gëzimit, jetës e vdekjes. Ndjeshmëri poetike këto, që prekin metafiziken, janë shprehje e filozofisë së jetës dhe mendimeve mistike, ashtu sikundër është edhe origjina e poetit,-nga treva e Enkelejve, e Lasgushit të Madh dhe Kutelit të Papërsëritshëm. Poezia e Gegpriftit është e këndshme dhe e kënaqëshme, në lëvizje e frymëzuese, me aftësi të shkëlqyera për poezi lirike. Në këtë intervistë poeti e prozatori pogradecar Josif Gegprifti, na rrëfen dashuritë e tij, që janë :Poezia, Muzika e Kitara.  

Bisedoi:Raimonda MOISIU /

-Kam lexuar recencën tepër speciale dhe domethënese të Hyqmet Haskos, për poezinë tuaj. Si jeni ndjerë për këtë recencë kaq dinjitoze e profesionale. 

Ka qënë një ditë jashtëzakonisht e bukur për mua. Teksa mbaja gazetën në dorë, më dukej se vështrimi i të gjithëvë ishte përqëndruar tek unë. Ndihesha, sikur kisha arritur pranë finishit për t’u quajtur poet. E pa besueshme dhe emocionuese kanë qenë telefonatat e shumta, që më vinin nga miqtë e miket e mia, kryesisht nga Pogradeci e Tirana. Është një ditë  nga ditët e mija, që mund ta quaj se kam jetuar, se kam marrë frym, se kam ndjer, që jetoj, që kam një emër e në shpirt, ndjenjë e ëmbël të kënaqësisë dhe kurajos për më tej.

-Cilat kanë qënë përfytyrimet më të herëshme se një ditë do të bëheshit poet ?  Kush ka qënë dashuria tuaj e parë e  lidhja tuaj me artin e poezisë?

Më lejoni  të bëj pak histori e biografi nga jeta ime. Nuk dua t’u lodh, ndaj dhe nuk do zgjatem. Unë jam Josif Pasko Gegprifti. Me shumë sinqeritet shkruaj e përgjigjem, se kurrë në jetën time, nuk e kisha menduar, se do të bëhesha poet! (Buqzëqesh) Mos e teprova që deklamova se jam poet? Kam shkruar një poezi “ Unë nuk jam poet”, e kam shkruar me ngrohtësinë e  sinqeritet dhe aty tregoj se jam i apasionuar pas poezisë, se e shkruaj atë si të mundem, me ndjenjën e shpirtit tim, por kjo nuk më bën mua Josifin ta quaj veten poet. Këtë ja kam lënë në dorë lexuesit, ai është “kritiku më i mirëfilltë” që të quan poet.  Pra asnjëherë nuk e kisha menduar këtë.Edhe pse kam qenë, qysh gjimnazist i lidhur me letërsinë, me vargun, me muzikën dhe ëndërroja fillimisht të bëhesha kompozitor. Talenti im për muzikën u pat rënë në sy  edhe mësuesve  të  mij  të muzikës në Pogradec, pasi unë  edhe pse nuk kisha studiuar për   muzikë, kisha arritur me punën time autodidakte dhe me ndihmën e mësuesve të mij, në shtëpinë e pionierit apo në shtëpinë e kulturës, të njihja mirë pentagramin e të luaja  disa vegla muzikore. Gjithashtu, kam qene edhe anëtar i Orkestrës Frymore të qytetit të lindjes. Kam punuar në katër vitet e gjimnazit, muajve të beharit, kur ishin pushimet, me kitarë në orkestrën e Hotel Turizmit e të  lulishtes “ 1 Maj” në Pogradec.

Por jeta nuk erdhi ashtu si dëshiroja. Për kushtet ekonomike të familjes, u detyrova të shkoja në shkolln ushtarake. Pra brenda shpirtit im, përplasen ndjenjat e muzikës, me dashurinë dhe disiplinën ushtarake. Falenderoj Zotin, që duke qenë me shpirtin e muzikantit e të muzës poetike, i tillë kam qëndruar edhe në jetë e në profesionin e vështirë të ushtarakut.

-Cfarë ju ka pëlqyer të lexonit  në adoleshencën tuaj?

…Mbaj mend se në fëmijërinë time, lexohej shumë libri “Cufua dhe Bubi kaçurel”.

Më pëlqente të lexoja përralla, apo t’i dëgjoja me vëmendje, kur m’i tregonin gjyshërit. Më pas, në adoleshencë filluan romanet, që asnjëherë nuk jam shkëputur prej tyre.Theksoj se kam qenë i apasionuar edhe mbas gjuhëve të huaja. Në mënyrë autodidakte, kam studiuar anglishten, italishten e gjermanishten, deri sa mbarova shkollën.Dëshiroj të theksoj se me mbarimin e shkollës dhe daljen në punë,  tepër të vështirë, u shkëputa nga studimi i gjuhëve të huaja. Kjo edhe për faktin e ambientit ku jetoja e punoja.Duke mos e folur apo lexuar gjuha e huaj harrohet.Kjo ka ndodhur edhe me mua. Më është dashur në vitin 2000, t’i rikthehem anglishtes, dhe dhashë provim në Universitetin e Tiranës.

– Ju gjithashtu merreni edhe me muzikë, kitarë. Më tregoni dicka për  “udhëtimin tuaj krijues ” me muzikë dhe poezi.

Po është e vërtetë, që në rininë tim, kam qenë i apasionuar pas muzikës dhe i dashuruar me kitarën. Mësimet e para për kitarë,  i kam marrë nga i ndjeri i talentuari Agim Darova, -një nga pesë vëllezërit orkestrantë me emër, në Pogradec. Kur fillova të ndihem i lidhur dhe i dashuruar me letërsinë, fillova të shkruaj tekste këngësh e t’i kompozoj ato vetë. Kështu janë disa këngë që i këndonim me shoqet e shokët e gjimnazit. Kujtoj,  nëherë, ish e dashura ime, pasi dëgjon një këngë nga goja e shoqes së saj e pyet:-Ku e ke mësuar këtë këngë, dhe tekstin kush e ka shkruar? Ajo i përgjigjet se këtë këngë e kemi mësuar nga Josifi, ai e këndonte, për tekstin nuk di gjë. Dhe ish mikja ime e mirë, tepër e xhelozuar, -në atë kohë kemi qenë pak të larguar- më afrohet e më thotë: -Kush ta  ka dhënë të drejtën të kompozosh vargjet, që kam shkruar unë? Pasi vura re se fliste shumë e nervozuar, me qetësi i thashë, se nuk është faji im, por i dashurisë që kam për një vajzë. Eh, nga ta dij unë se vargjet I ke shkruar ti? Ajo u qetësua dhe me  vështrimin e zjarrtë, ku ndihej dashuria e parë por edhe e munguar te të dy,  u largua duke lënë pas  “portën e dashurise hapur…”

-Cilat janë shprehitë tuaja kur meditoni apo  shkruani . Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi?

Nuk kam të përcaktuar kushte për të shkruar poezinë. Vargjet e mia kryesisht kur jam në shtëpi, më pëlqen të dëgjoj muzikë të qetë, të lehte e romantike, por unë shkruaj kudo që ndodhem, edhe në kafene, edhe kur eci rrugës,  poezinë e krijoj në mendje. Këto janë vërtet caste, që herë më trishtojnë, më shqetësojnë, dhe herë më bëjnë tëqesh e të sillem si një fëmijë që gëzon, kur merr në duar dicka që i pëlqen.Vitet e fundit kam konstatuar se në qytetin tim të Pogradecit, më pëlqen të ngrihem herët nga gjumi, të shëtis buzëgjolit e të pres rrezet e para të dielli. Aty gjej një frymëzim,  që më jep mundësinë të krijoj ëmbël vargun, më pëlqen në  “sy” valn e liqenit dhe  shklqimin e saj, të argjendëruar nga rrezet e diellit.

-Cfarë është një “muzë”. Është aftësi gjenetike sipas mendimit tuaj?

Muza  është ushqim për çdo njeri të apasionuar me letërsinë, sidomos me vargun e poezisë. Mendoj, se kjo është ndjenjë shpirtërore, që tek poetët është më e zhvilluar, se te njerëzit e thjeshtë. Nuk mund të them, se është  tërësisht gjenetike, pa përjashtuar, se edhe e tillë është.

-Zhanrin e poezisë  “e bëtë ju që të vinte te ju” apo është preferenca tuaj? Cilat janë elementët thelbësorë të tij?

Mendoj, se poezia tek unë,  ka ardhur ashtu si unë kam shkuar tek ajo. Pa e kuptuar,  e gjetëm njëri tjetrin pranë dhe u dashuruam bashkë. Unë e ndjej se e dashuroj shumë, por nuk di nëse me dashuron Poezia? Duke qenë se bashkë kemi gati 40 vjet që jetojmë, mendojmë, lotojmë, dashurojmë e frymojmë në një akord, duhet të jetë edhe preferencë e imja. Nuk do dëshiroja, të vija në plan të dytë muzikën, të shkruarit tregime, prozë apo roman, të cilat presin rradhën të shkojnë drejt botimeve.

-Cila është sfida për të shkruar një poezi?

Dua, që vargu im të jetë i lirë, të fluturoj kaltërsive qiellore e përsëri të kthehet në veshin ngacmues, si një melodi. Unë kur lexoj vargun tim, më duket sikur dëgjoj një ujvarë, që shpërndaj tinguj të magjishëm.

-Poezitë  tuaja janë të një kalibri  artistik dhe vargje lirike  të admirueshëme. E ndjeni reagimin e lexuesve dhe ç’farë sekreti ka Josifi, që e ka bërë te ketë një audiencë të gjerë lexuesish e dashamirës të poezisë?

Po është disi e vërtetë kjo që më pyesni. Unë sa herë hedh në Facebook vargjet e mia, nuk di pse ndjej ankth e dridhem në shpirt, deri sa vijnë klikimet e para. Të them të drejtën, në fillimet e mia në Facebook, ashtu si edhe krijueë të tjerë bënim “tag”, për miket e miqtë adhurues të vargut, por me kalimin e kohës, mendova se do ishte më mirë, që vargjet e mia t’i hidhja në faqen kryesore dhe kjo ishte liri për lexuesin të lexonte, të komentonte. Konstatimi është se adhuruesit janë njësoj.

Krysore në vargjet që shkruaj, është fakti, se unë shkruaj thjesht, me gjuhën e lirë të vëndit tim, ndoshta edhe më e kufizuar, atë pogradecare. Në vendlindje mëndoj unë, që vargjet kanë mbështetësit e shumtë, se vargu e përcjell ndjenjën drejt e tek zemrat e njerëzve, në mënyrën më të lehtë.

-Poezia juaj të cilën për hir  të së  vërtetës e lexoj me kënaqësi, vetëm si një këngë serrenatë  dhimbjeje, por pasqyrohet me një larmishmëri gjendjesh poetike, jetësore, ku meditimi dhe imazhet poetik krijojnë struktura emocionale. Përvec talentit që është merita tuaj, kujt ia dedikoni arritjet?

Vargjet e mia në  tërësi i drejtohen  dashurisë së parë, sikur shkruhen, për një mikeshë e sikur i dashuruari në vargje, jam vetë unë autori. Dua të sqaroj se vërtet dashuria ka ndikimet e saja, kur shkruaj, por unë përpiqem e mundohem që të gjej fjalë, histori, të sjell ato ndjenja, që i dëgjojme në jetën tonëë që i jetojmë edhe vetë, por që në tërësi, ato janë krijime artistike, janë edhe fantazi e mendjes. Unë qoftë edhe nga jeta ime, kap dicka të bukur dhe e përshtas për jetën e gjerë të lexuesit. Dua, që ajo të prekë e të mbetet në mendjen e lexuesit. Mendoj se edhe këtu diçka kam arritur.

-Sa ju ndihmon angazhimi profesional në kultivimin e pasionit tuaj për letërsinë?

Nuk themse jam profesionist në këtë drejtim. Ju tashmë e dini që profesioni im ka qënë ushtarak. Por duke qënë se kam lexuar gjithë jetën kryesisht romane, poezinë ,prozën, kam mundur të rris nivelin tim në këtë drejtim dhe të këm njohuritë e duhura për të shhkruar.Mundohem edhe sot e kësaj dite, që të mësoj, sa më shumë nga puna dhe jeta e autorëve të dëgjuar, të mbaj kontakte me miqtë e mij, që shkruajnë e të mësoj prej tyre.

-Ju i keni kushtuar vargje të larmishme dhimbjes, dashurisë, mallit brengës,  natyrës,  njerësve, vendlindjes, traditave dhe raporteve njerëzore të së përditëshmes, të përmbledhura në dy vëllime poetike. Cili është “çelësi sekret” që ju mbartni në muzën tuaj?

Nuk mund të them se ka ndonjë “çelës sekret” apo ndonjë rrugë që nuk njihet nga të tjerët. Unë mendoj se në këtë drejtim, është jetëgjatësia e vargut, që kam shkruar. Siç e thashë edhe më lart, janë gati 40 vjet që unë shkruaj. Nuk e kisha menduar ndonjëhereë, se do vinte një ditë që shkrimet e vargjet e mia do botoheshin. Nxitës i kësaj pune është miku im i nderuar, shkrimtari, poeti e dramaturgu Sulejman Mato, i cili pasi lexoi disa nga poezitë e mia në Facebook, më kërkoi takim dhe pas një bisede të këndshme me të, më kërkoi poezitë,  për t’i redaktuar e pastaj t’i botonim. Mendimi i tij është se poezia ime është e veçantë, ka brenda saj ciltërsi e dashuri, është e ëmbël dhe e lexueshme, është lasgushiane.Kjo vjen se edhe unë vetë kam  natyrë romantike, melankolike, kam shpirt të ndjeshëm,  prekem shume shpejt, qaj si fëmijë,  qesh me lot dhe gjithë jetën time në punë, në jetë e shoqëri, dashamirës me shpirt bujar dhe masovik. Jam i thjeshtë e di të qëndroj,  të komunikoj  me njerëzit fare të thjeshtë, di të ulem e të pi verën e rakinë deri edhe të dehje, më pëlqen të udhëtoj shumë, të qëndroj deri ne orët e vona të natës. Duke qenë, se kam punuar gati 15 vjet fshatrave,  e njoh jetën e fshatit. Ashtu sikundër njoh jetën në qytet dhe kontekstet e shumta me njerëz të ndryshëm, që janë  faktorë jetësorë, që unë shkruaj me dashuri, me dhimbje, me brengë, për njerëzit, për natyrën, vendlindjen e traditat. Këtu mendoj se është edhe “ Celësi sekret “.

-A e keni provuar të shkruani në gjininë e prozës?

Po, kam disa tregime që së shpejti do t’i botoj me temë nga jeta në fshat, për marrëdhëniet midis njerëzve, tregime rozë, kun ë qendër të sargumentit është romantikja, lirikja.

Jeni lindur dhe e keni kaluar fëmininë në Pogradec, që është edhe vendlindja e dy korifejve të letrave shqipe, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit.. A ka ndikuar  kjo në krijimtarinë tuaj?

Shtëpia ku kam kaluar fëmijërine time, ka qenë pranë shtëpisë së poetit të madh Lasgushit. Me vajzën e tij të madhe Kostandinën, kemi  qenë shoqe klase në gjimnaz, ndërsa vajza tjetër Maria, është dy vjet më e vogël se unë.Në bahcen e Lasgushit, ne fëmijët e lagjes luanim vazhdimisht me lodrat tona, bënim shumë zhurmë, gjë që e shqetësonte shumë poetin dhe ai shpeshherë na fliste për t’u larguar. Kujtoj në dimër, kur i vinin drutë Lasgushit, ai na thërriste ne fëmijëve dhe e ndihmonim atë. Ai na recitonte vargje dhe ne ngjisnim drutë në katin e dytë. Janë kujtime të pashlyeshme të fëmijërisë time. Eh,  sa kujtime kam aty me Lasgushin apo xhaxhi Llazarin,  si e thërrisnim ne fëmijët. Pogradeci, sigurisht me bukurinë e tij të magjishme, gjolin,  përgjithësisht të kaltëruar, sepse ai i ndërron ngjyrat e tij vazhdimisht, me Drilonin, kalanë dhe kodrat e gjelbëruara përreth,  me një rini të dhënë mbas artit kryesisht muzikës, ka ndikuar në krijimin e personit tim si muzikant e më vonë në drejtim të të shkruarit të vargjeve poetike.

-Cilat janë projektet tuaj në të ardhmen?

Tashmë unë kam hyrë në këtë udhëtim të bukur shpirtëror e letrar.  Po mundohem që të nxjerr në dritë gjithçka nga puna ime prej vitesh. Janë gati edhe 3 libra me poezi, një roman e një libër me tregime.

-Kur ktheni kokën pas ndër vite si e shikoni krijimtrainë tuaj gjatë viteve? Cilat janë drejtimet dhe objektivat interesante për të ardhmen?

Eh,kur kthej kokën mbrapa në shkrimet e vjetra, të them të drejtën, ka momente, që shtangem, mbërthehem keq tek vargu dhe them me vehte; -si është e mundur, që kam shkruar me kaq zjarr dashurie. Por ka edhe momente, që më bëjnë të qesh   me vargun tim, -sa fëminor paskam qenë!

Për të ardhmen siç e shkruajta edhe më lart,  dëshira ime është të botoj romanin. Jam shumë I përkushtuar dhe në ankth derisa ta botoj. Dua ta lexojnë para botimit, dy tre nga miqtë e mij të mirënjohur, pastaj me një redaktor dashamirës ta përfundojmë e botojmë. Them dashamirës sepse, është tepër e dhimbëshme, kur shikon gërshërën pa vend të redaktorëve në shkrimet e tua. Unë kur dorëzoj një libër për redaktim, më dhemb shpirti dhe jam në ankth deri sa ta shoh punën e redaktuesit. Me duket sikur dorëzoj fëmijën në cerdhe tek një edukatore dhe pastaj pres orarin për ta marrë.

-C’farë dëshiron të ndash me kolegët dhe audiencën e lexuesve, që janë duke e lexuar këtë  intervistë?

Mirënjohjen e tyre, respektin dhe shpirtin bujar.

-Mesazh tuaj për botën e artit?

Mesazhi im është shkruani pahezitim, por sa më shkurt,  sa më të lexueshëm e të kuptueshëm. Kur shkruani për dashurinë, kam mendimin se nuk duhet zhveshur. Një ndjenjë e fshehtë, shpirtërore dhe e vetme në dashuri është e mrekullueshme e plot  ëmbëlsi e jetë!

 

Filed Under: Interviste Tagged With: DASHURITË E JOSIFIT: POEZIA, DHE KITARA, MUZIKA, Raimonda Moisiu

7 Prilli 1939 – Kujtime e Shqetesime

April 8, 2014 by dgreca

    Nga Prof.Sami  Repishti/

Shtatedhjete e pese vjet ma pare, Shqiperia, mbas nji jete 27 vjeçare ne pavaresi te brishte, u sulmue ushtarakisht nga Italia fashiste. Qendresa shqiptare ne brigjet e Adriatikut ka qene e shkurte dhe e paorganizueme. Tue pase parasyshe vullnetin popullor me kundershtue sulmin brigantesk te Italise, dhe pa-aftesine ushtarake te sulmuesit, nji dobesi qe u vertetue 18 muej ma vone ne luften kunder Greqise, sot mund te themi se Shqiperia humbi rastin historik me i tregue botes frymen e vet liridashese dhe me demaskue dobesine e fashizmit italian, – nji monster tete miljone bajonetesh me kambe argjili.

Fashizmi italian e kuptonte qe shqiptaret nuk pranojshin okupimin, dhe ndermorri korruptimin e figurave kryesore qeveritare e jo-qeveritare ne Shqiperi, qe fatkeqsisht nuk ishin te paketa. Sot, emnat e tyne jane te njohun dhe te perbuzun  “…individe te dalluem vetem per nivelin e servilizmit tyne ndaj italianeve” (B.Fischer,Albania,36) Megjithate, ndjesite e thella patriotike te popullsise shperthyen ne demonstata anti-italiane, thelbi i te cilave ishte qendrimi burrenor i rinise shqiptare, breznia e pare e rritun dhe e edukueme ne nji Shqiperi te lire.

Akti agresiv i 7 prillit 1939, nuk ishte nji gjest i veçuem; ai ishte perfundimi logjik i nji politike shumevjeçare qe solli vendin tone ne gremine. Me Traktatet skllaveruese te lidhuna me Italine fashiste ne 1926, 1927 dhe nenshtrimin ekonomik dhe financiar te vendit, u ba i mundun 7 prilli. Gjesti i “Mbretnise Shqiptare” ne 1935, si vendi i vetem ne bote qe aprovoi okupimin e Ethiopise nga Italia fashiste, dhe dalja nga Lidhja e Kombeve, nji organizate qe kishte sigurue me sukses pavaresine e Shqiperise qe ne vitin 1920, i tregoi botes se Shqiperia ishte tashma nji satelit i Italise fashiste pa peshe nderkombetare.  Kjo spjegon indiferencen e plote te Fuqive te Medha ndaj protestave shqiptare. Grushti i fundit u dha nga vendet fqinje, Jugosllavia dhe Greqia, qe shpejtuen me deklarue se pushtimi italian i Shqiperise nuk prekte miqesine “tradicionale ne mes te dy vendeve”(Metaxas per Mussolinin)

Ne Washington,D,C, me 7 prill 1939, Presidenti F.D.Roosevelt dhe Sekretari i Shtetit C.Hull vendosen:” …te mos njohin pushtimin (e Shqiperise)siç nuk kishin njohur as aneksimin e Ethiopise nga Mussolini ne 1936. Rane gjithashtu dakord qe DoS te vazhdonte njohjen e Faik Konices si perfaqesues te vendit tij”(I.Konomi.Faik Konica,194). Nje qendrim te ketill treguen edhe Turqia e Egjipti, dy shtete qe mbajten legatat shqiptare te hapuna gjate L2B. Me 8 prill 1939, Sekretari i Shtetit C,Hull lexoi nje deklarate ku thuhej: ‘Pushtimi me force dhe i dhuneshem i Shqiperise eshte padyshim nje kercenim tjeter ndaj paqes ne bote. Do te ishte driteshkurtesi qe te mos mbahej shenim ky zhvillim i metejshem…”(I.Konomi. idem)

Shume ashte thane dhe shkrue per 7 prillin 1939, dhe “rezistencen”. Ma shume folklor! Pak te dhana jane te sakta. Njihen vetem emnat e deshmorit Mujo Ulqinaku dhe komandantit  te Gjindarmerise, Abaz Kupi. Ne kujtimet e tia, Kolonel Sami Koka, i Shtabit te Ushtrise Shqiptare, deshmitar okular, shkruen:

“…Me njoftuan se me kishte kerkuar Mbreti. E gjeta Mbretin ne shtepine e Xhelalit ( te vellait) te shqetesuar si asnje here me pare, i nervozuar por bente gajret me zor…’Duhet te shkosh e te takohesh me Guzzonin, dhe kete here ke per te qene vetem…’ me tha. U nisa per Durres. Nga porti dukeshin ne det te hapur kryqezoret italiane dhe benzinatat qe venin e vinin….Ne tentativat e para te italianeve per te shkelur ne bregun tone pati te vrare e te plagosur nga te dy anet. Italianet me ane te Kryqit te Kuq terhiqnin te plagosurit e tyre e te vraret per ne kryqezor; po ate gje benim edhe ne me tonet, por me mjete primitive, dhe me zemer te madhe… U nisa drejt kryqezorit ku qe Guzzoni dhe shtabi. Prapa tij rrinin gjithe keshilltaret ushtarake qe kishin qene tek ne, dhe i njihja te gjithe, e qeshnin…

Ne gjendje nervoziteti kur shikonte te vraret qe ktheheshin ne anije, Guzzoni ne kembe, filloi te diktoje kerkesat e tij ne emer te Mussolinit. Sipas tyre, Italia kerkonte qe Mbreti te pranonte ate qe u be me vone, bashkimin me Italine, dhe Zogu perkohesisht te qendronte ne krye si Beu i Marokut. Ata kerkonin  qe Zogun ta zinin ne befasi ne Tirane, dhe ta detyronin te firmoste nenshtrimin…

‘Z. Gjeneral, i thashe, kjo qe propozoni eshte jashte kompetencave te mia…. Megjithate une do t’ia referoj Mbretit dhe do t’u dergoj pergjigje me radio…’

U ktheva…Trupat italiane ishin tani ne kodrat e Shkozetit…Ne Tirane gjeta trazira, revolta te nxenesve te shkollave. Sa per te tjeret, memzi pritshin qe te thrisnin Duce–Ciano…Kerkova Mbretin…..I raportova gjithçka qe biseduam me Guzzonin dhe prisja te me jepte urdhrin qe te hapnim frontin.

Por Zogu kishte ndrruar mendje…dhe me tha: ‘S’mund te luftojme!’Keshtu qe u detyruam te merrnim arratine drejt Greqise, qe hapi lufirin per te gjithe ne ato dite”.

Numri i viktimave nuk dihet akoma me siguri. Burime amerikane raportojne se”…ka mundesi qe afer dyqind italiane jane vra vetem ne Durres; numri i pergjithshem mund te arrije ne shtateqind… Viktimat shqiptare mund te kene qene edhe ma te medha “(B.Fischer, 22). Shifrat fillestare duken te ekzagjerueme! Ne shtator 1943, Kolonel Koka, si kryetar i Gjindarmerise zbuloi emrat e 13 deshmoreve te 7 prillit dhe u siguroi familjeve te tyne pensionin nga Shteti Shqiptar.

Kjo paqartesi qe vazhdon edhe sot, ka dy spjegime:

a) italianet (qe pranojne vetem 12 italiane te vrame) nuk ishin te interesuem me verifikue numrin  e vertete; dhe,

b) rregjimi komunist, me synimet e tia totalitariste qe “gjithçka fillon me 8 nentor 1941” qellimisht ka lane mbas dore fakte te ketilla. Si rrjedhim, patriotet shqiptare qe dhane jetene e tyne ne lufte kunder agresionit fashist italian nuk njihen akoma -75 vjet ma vone- dhe nuk gezojne respektin qe meritojne. Ky ashte nji turp kolektiv qe vret ndergjegjen e çdo shqiptari, e qe duhet shlye sa ma pare!

***

Student 14 vjeçar i Liceut “A.Gjergj Fishta”, Shkoder, kam perjetue agresionin italian me nji tronditje te forte emocionale. Kam deshmue shume akte e shprehje qe perfaqesojshin te dy anet e medaljes: bashkepunimin dhe rezistencen. Prefekti na siguronte se lajmet e invazionit ishin propagande anmiqsore. Gjindarmet, qe na pengojshin, justifikoheshin se “qeveria ka marre te gjitha masat” Rreth e rrotull nesh silleshin turma te zemrueme qe kerkojshin arme. Nji absurditet in vivo!

Mbas demonstratave te 4,5,dhe 6 prillit, kryesisht studenteske, diten e zbarkimit italian ne brigjet tona ra nji heshtje mbi Shkodren. Gjate dites, grupe fshataresh, kryesisht nga Postriba, te armatosun e te pa-armatosun, u drejtuen  drejt kodrave ne hymje te qytetit nga Tirana. Arme te gjata, disa te lidhuna me gjalm, rrypa fishekesh e nji traste buke…!. Disa luteshin me za te nalte.”Jemi nise me luftue!” perseritshin. Ne mbramje te 7 prillit, keto grupe vullnetaresh u kthyen, koke-ulun, te deshpruem e “si te mundun”. Reparte ushtarake me oficere dezertues i kercenuen me arme: “mos luftoni kunder trupave italiane”….!

Te nesermen 8 prill, per afer gjysem ore, u ndigjue krisma e armeve ne hymje te qytetit. Mandej heshtje. Te rij kurioz u nisem kah vendi i ngjarjes. Ne kete ane te ures ishte nji grumull gezhojash mitralozi. Ka qene nji kapter qe refuzoi urdhenin e terheqjes, dhe mbajti frontin vetem. Sot,  ai ashte akoma i panjohun!

Kaluem uren gjysem te prishun. Nji kompani ushtaresh italiane ne levizje na shikonte me dyshim. Ne furren e lagjes ishin dy kufoma te mbulueme me flamur Italian: nji toger dhe nji ushtar. Prane, nji kamp i improvizuem spitalor, me nji numer te plagosunish nen kujdesin e personelit mjeksor. Pamja e gjakut me tronditi. Koke-ulun u ktheva ne qytet. Ishte takimi i pare me vdekjen qe solli lufta.

Pikerisht aty ku kapteri guximtar kishte krye detyren e vet, pashe te papritunen: nji grusht elementesh anti-zogiste nga “paria e qytetit”, ishin rreshtue ne pritje te nji personaliteti. Pa shume vonese, nji grup fashistesh italiane u afrue me thirrje:”No Zogu! No Zogu!” U pershendeten  me “mikpritesit”, dhe se bashku u larguen per ne qytet.

Ne qytet, gjeta te papritunen e dyte. Mbi ndertesen e Bankes Kombetare valonte flamuri italian. Disa kalimtare e nderojshin me pershendetjen fashiste- nji pamje emocionalisht dermuese! Katermbedhjete vjet elozhe per “aleatin tone te madh Italine fashiste” perfunduen me humbjen e pavaresise kombetare….!

Me rifillimin e mesimeve ne lice, u pa qarte se atmosfera kishte ndryshue pa shprese kthimi. Programet per “italianizim” te shkolles shqiptare ishin kambengules. Po aq kambengulese ishte edhe vendosmenia e jone mos me pranue nenshtrimin. Ishim te rij, pa pervoje politike, te pa-afte me kuptue rrjedhimet e gjendjes se krijueme.

Reagimi i jone ishte emocional; duhej nji reagim racional, nji justifikim sistematik i reagimit. Ne nji konfuzion te plote, te gjithe flitshim “kunder okupatorit” Te gjithe çmojshim profesoret me qendrim anti-italian. Por kishte nga ata qe besojshin se Italia do te hap horizonte te reja zhvillimi. Tregu shqiptar filloi te ngjallej, nga prania e trupave italiane  me konsumin e tyne te prodhimeve vendese.

Por na ishim te rij “idealiste” per te cilet ideja e pushtimit te huej ishte e papranueshme. Ka qene pikerisht ne mesin e ketij konfuzioni mendor qe u çfaqen “teori” te çuditshme per ne: ardhja e Italise sjelle industrializimin e vendit; linde klasa punetore, zhvillohet, dhe perfundimisht luen rolin e vet historik: permbysjen e rendit borgjez dhe fitoren e proletariatit. Nuk kuptojshe nga kjo propaganda qe kishte mobilizue disa shoke te mi.

Gjashte muej ma vone, me traktatin gjermano-sovjetik (gusht 1939) ky grup i indoktrinuem  pershendeti aleancen ne mes te dy diktaturave si “aleanca e klases punetore kunder  plutokracise franko-angleze”, “U bashkue puna kunder kapitalit”, nji proçes i parapame nga Karl Marksi. Emna, ide, akte e grupime te reja per ne.      Ishte preludi i fazes se ardhme. Mbas sukseseve ushtarake te hitlerizmit ne Europe, shpresa e vetme per ne mbeti rezistenca heroike e Britanise se Madhe, dhe udheheqsi i saj Winston Churchill. Akoma me tingellon ne vesh deklarata e tij ne BBC: “We shall not surrender!” (Nuk do te dorezohemi!)

Ne qershor 1941, me sulmin hitlerian kunder Bashkimit Sovjetik, qendrimi i “shokeve” tone ndryshoi. “Gjermania hitleriane ka sulmue atdheun e proletariatit botenor”.”Detyra te reja dalin para nesh: me ndihmue Bashkimin Sovietik e luften e tij kunder fashizmit”. Paraqitjet e para te pa kristalizueme, moren formen e tyne te plote mbas nandorit 1941 me formimin e Partise Komuniste Shqiptare. “Rezistenca kunder okupatorit italian” u zevendsue me “luften anti-fashiste”. Aspekti “kombetar” i rezistences u zevendsue nga aspekti “ideologjik” i saj. Nji orietim i ketill e vuni Shqiperine ne orbiten e levizjes komuniste, krijoi perçamjen e forcave te rezistences –edhe ne rradhet tona- dhe perfundoi ne “lufte civile”, shkaterrimtare. Format revolucionare te ”forces se re” u çfaqen ne dy aspekte: gjestet heroike te elementit komunist “idealist”, dhe aktet terroriste te elementeve me prirje kriminale, arriviste, por pragmatike. Efektet e nji “organizimi rigoroz” dhe te nji “konspiracioni te rrepte”, dhane frytet e tyne. Forcat e  reja u perhapen ne te gjithe vendin, sidomos ne rradhet e rinise idealiste, kryesisht studenteske.

Konfuzioni i rinise, qofte nga efekti i okupacionit, qofte nga mungesa e nji udheheqje qe gezonte besim ne luften kunder okupatorit e
“ne kohen e duhun”, krijoi nji boshllek qe u mbush me aftesi nga propaganda komuniste. Metodat tradicionale te “rezistences nga nalt” pa pjesemarrjen aktive te masave te gjana popullore qe jane materiali i paperpunuem i revolucionit u treguen te paafta me mobilizue popullin ne nji levizje te fuqishme. Kohet kishin  ndryshue. Thanja se nuk fitohen betejet e reja me arme te vjetra u tregue e vertete!. Per fatin tone te keq, prodhimi i ketij orientimi qe premtonte ““te nesermet plot kange” rezultoi te jete uluritja e kampeve dhe burgjeve te kudo-pranishme, dhe dnesat e mijera e mijera familjeve shqiptare te debueme me internim per “fajin” e prinderve dhe te gjyshave “reaksionare”. “Me ushtaret e ferrit nuk ndertohet parrizi!” (Kim Mehmeti) Nji çmenduni e institucionalizueme!

Dokumentet britanike te luftes tregojne se 90 perqind e ndihmave ushtarake nga aleatet anglo-amerikane gjate L2B jane perdorue kunder “anmiqve te brendshem”, forcave te rezistences anti-komuniste, me nji qellim te caktuem, marrjen e pushtetit. Direktivat e PKSH-se tregojne haptas se i gjithe pushteti duhej te mbetej ne duert e PKSH, dhe se kundershtaret duhet te “eliminohen pa meshire”. Ashtu ngjau, megjithese”lufta anti-fashiste….per te cilen u derdh gjak nga nje pjese e madhe njerezish te gjithe besimeve, te majte e te djathte, (ndaj) nuk mund te shperdorohet me vendime qe ngjajne te bukura ne siperfaqe dhe te  boshta ne brendi”.(Ben Andoni) Na shtojme: te gjithe ata qe luftuen me arme ne dore pushtuesit italo-gjermane, kane ba detyren e tyne dhe gezojne mirenjohjen dhe respektin tone ma te thelle. Po ata nuk kane fitue asnji “privilegj”, aq ma pak “te drejten”(sic!) me ndertue diktaturen dhe me persekutue nji popullsi te tane per 45 vjet me rradhe….!

Ne 29 nandor 1944, Shqiperia ra ne duert e nji legjoni fanatikesh, pa eksperience qeveritare, dhe te prirun me ndertue, “me vrull revolucionar Shqiperine e re socialiste”. Per kete u konfiskuen te gjitha pasunite e klases tregetare (nji pjese e mire kaloi ne Jugosllavi!), u shpronesuen toket, çifliqet, dyqanet, u centralizue ekonomia, me plane skllaveruese ekonomike te perbashketa me Jugosllavine, u ba parifikimi i monedhes, u mbush administrata qendrore, ushtria e sidomos Sigurimi me “keshilltare jugosllave”,u eliminuen brutalisht elementet pro-perendimor, si dhe hierarkia fetare, sidomos ajo katolike, fortese  e patriotizmit shqiptar.  Me masat e pa shkolle- ma vone edhe pa buke!-  “pushteti popullor” manovroi pa veshtiresi !

Nga aspekti i jashtem, Shqiperia e lidhun mbas qerreve jugosllave dhe sovietike politikisht dhe ekonomikisht, u vete-izolue. Praktikisht, ajo doli jashte nga historia, ku kishte hy me gjak e sakrifica gjate L2B.  Per dekada me rradhe, ajo u ba nji sub-satelit jugoslav, nji satelit sovjetik, dhe nji aleate “e vogel” e Kines maoiste, dhe perfundoi ne krahet e paevitueshem te  vorfenise dhe izolimit hermetik. “Pa Jugosllavine e Titos nuk mund te kete Shqiperi te lire!”(E.Hoxha).

Ne fakt, u trathetue gjaku i 2516 deshmoreve qe rane per liri! Sikur gjendja te kishte ndryshue ne vitin 1948 ose 1961, sot do te flitshim jo per “çlirim”, por per “okupacionin jugosllav te Shqiperise” dhe  “okupacionin sovjetik te Shqiperise”, dhe per “qeverite kuislinge shqiptare”….!Akoma sot mbetet nji enigme fakti pse ata qe luftuen okupatorin italo-gjerman i dorezuen “shokeve” jugosllave dhe sovjetike,  pavaresine dhe fatin e Shqiperise! Keshtu, 29 nandori 1944 perfundoi si 7 prilli i dyte, “7 prilli i kuq”…! Bashkepunimi ushtarak serbo-shqiptar ne masakrat e vellazenve dhe motrave shqiptare te Kosoves e transformoi “çlirimin e 29 Nandorit” ne nji tragjedi mbarekombetare! (Ne burgun e Burrelit, ku edhe vdiq, Profesor Gjergj Kokoshi, minister i arsimit ne qeverine e pare te E.Hoxhes perseriste: ”E çliruem Shqiperine me gjak dhe ia dorezuem Titos si dhurate”!)

Ma ne fund, komunizmi ne Shqiperi u transformue ne nji ideologji me karakter ushtarak, ku “pergatitja per lufte”(sic!) mori epersine mbi nevojet elementare te popullsise: bunkera e armatime para ushqimit, qumshtit te femijve, vendbanimit etj.

Perse? “Rreziku amerikan” imagjinar per Shqiperine. Ky “rrezik” nuk ka ekzistue asnji here; ajo qe frikesoi xhelatet komuniste ka qene mundesia e humbjes se pushtetit diktatorial, jo e Shqiperise. Sa e vertete? Nji dokument:

“Departmenti i Shtetit  (Sekret)  1 shkurt 1962

Memorandum per Presidentin (Kennedy)

Subjekt: Rekomandime per nji qendrim politik ne lidhje me gjendjen ne Shqiperi.

“…………

i) me qene te pergatitun, ne baze urgjente, te adoptimit te masave qe do te bajshin te mundun dorezimin tek shqiptaret, -me ndermjetsine e nji pale te trete, jo direkt- nga ana e Shteteve te Bashkueme te materialeve te ndryshme per mbijetese, ne rast se Pekini tregon nji mungese vullneti me dhane mbeshtetjen e pershtatshme, dhe ne rast te nji krize serioze qe kercenon Shqiperine.

j) Keshillime te vazhdueshme me qeverite greke, italiane dhe jugosllave ne lidhje me situaten ne Shqiperi, dhe gjate keshillimeve me ba te qarte per te gjithe,  shqetesimin me te cilin Shtetet e Bashkueme do te shikojshin çdo perpjekje nga ana e tyne per mosrespektim te politikes “duart larg” nga Shqiperia…. (Firmue: George Ball, Zev. Sekretari i Shtetit)”.(Ma vone, pavaresia se Kosoves (2008) dhe ndihma per anetarsim te Shqiperise ne NATO (2009) konfirmuen kete politike miqsore)

Ne vitet 1989, dhe 1990, sistemi komunist ne te gjithe Europen lindore u shemb si nji keshtjell prej karte. Me levizjen heroike te studenteve te 8 dhetorit 1990, Shqiperia theu zinxhiret e rregjimit te terrorit komunist; ajo u “çlirue!”. Ashte kjo rini heroike qe ktheu Shqiperine ne rrjedhet e historise, e perceptueme si marshimi triumfal i njerezimit drejt lirise se plote. Nji rini e edukueme ngrihet e revoltueme dhe shemb ndertesen e genjeshtres se madhe .“Nga revolta e studenteve kuptova se sistemi socialist tek ne ka deshtuar”(R.Alia). Rruga per bashkim me “boten e lire” ishte tashma e hapun. Mbetej vetem vullneti i pergjithshem per plotesimin e kesaj deshire. “Deshire” qe fatkeqsisht, edhe sot mbas 24 vitesh, mbetet vetem nji “deshire”.

Ka njiq            ind opinione perse vendi yne nuk ka gjete akoma rolin e vet ne kete “bote te lire”; dhe te gjitha keto opinione permbajne nji te vertete pjesore.  Por, e verteta e plote mbetet akoma e parevelueme ndershmenisht, kryesisht per arsye te mbeturinave toksike te indoktrinimeve politike te se kaluemes, te konfrontimeve irracionale te se tashmes, si dhe te nji etje te pashueme per “pushtet” -me çdo kusht!

Krijohet pershtypja se klasa e sotme politike ashte e pasherueshme nga “murtaja” e se kaluemes. Nomenklatura e komprometueme rande gjate viteve te “diktatures se proletariatit”, prirja me  vjedhe pa turp dhe me iu adaptue atmosferes se korrupsionit te pakufi, ne saj te nji stili sundues diktatorial ku ligji shkelet me urdhen te sundimtarit, ashte akoma e gjalle. Aty ku ligji shuhet linde tirania. E kaluemja komuniste faktikisht nuk ka kalue!

Logjikisht mbetet me shpresue ne nji brezni te re, te rij dhe te reja, te pergatitun ne kondita te favorshme -mbrenda dhe jashte vendit-, brezni qe ka pervetesue idealet fisnike te lirise, drejtesise dhe ligjeshmenise, frymes se vellaznimit, dhe barazise per te gjithe pa dallim dhe pa perjashtim. Ketu due te theksoj perfshimjen e te rijvet e te rejavet te prindve ish-komuniste qe perbuzin te kaluemen tragjike; sepse denimi i femijve per fajin e prindeve ashte nji qendrim primitiv qe duhet shkelmue si mbeturine e diktatures (qendrim qe dermoi edhe familjen time!)

Sot, Shqiperia pa burgje dhe pa kampe internimi ashte atdheu i te gjitheve, jo ajo e genjeshtres, urrejtjes klasore, e terrorit te E.Hoxhes  qe“…mbajti peng Shqiperine per 50 vjet, duke e perçare per te sunduar”(E. Rama) Dhashte Zoti, qe breznia e re, te rij dhe te reja shqiptare, te vendos pjesemarrjen koshiente ne ndertimin e Shqiperise.  Situata e sotme kerkon kthesen e madhe!

Ajo qe na duhet sot ashte ndergjegjsimi i individeve vullnetmire qe nuk kerkojne fillimin e nji karriere, por dedikimin per nji kauze fisnike: sherbim per Shqiperi!

Ajo qe na duhet sot ashte nji levizje e gjane mbareqytetare sa ma koshiente e detyres saj, nji levizje individesh te dedikuem qe pranojne pergjegjsine qytetare si mision te jetes se tyne ne “shtet”, dhe premtojne ndertimin e nji “shteti” qe gezon respektin e te gjithe qytetareve. Larg nga ideologjite e hueja; larg nga imitimet e verbeta; larg nga udheheqjet karizmatike…. !

Ajo qe na duhet sot ashte ndryshimi i tonit moral te shoqenise shqiptare ne tranzicion, ku sjellja civile e çdo qytetari si individ i lire, dhe e shoqenise qe rilinde, ashte berthama e  rindertimit moral, e ringjalljes politike, ekonomike, kulturore e shoqenore te vendit tone. Kjo berthame mund te jete vetem breznia e re, te rij e te reja shqiptare, te edukueme me fryme europiane, dhe koshiente  te pergjegjsise  para popullit shqiptar, dhe para botes qe na rrethon.…!Mendje te hapuna ne nji Shqiperi te lire!

Jemi ne prak te hymjes ne Bashkimin Europian. Europa ashte shtepia e jone. Nji brezni e ketill do te siguronte  nji hymje te meritueme.

City University of New York

7 prill 2014

————————————————————————————————————-

Filed Under: Analiza Tagged With: 7 Prilli 1939, Kujtime e shqetesime, Sami repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4701
  • 4702
  • 4703
  • 4704
  • 4705
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT