• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Amerikë o vend i bekuar , prite prite ”Skënderbenë ”!…

March 13, 2014 by dgreca

”Sot e perfundova së lexuari ” Kryqtari i fundit – Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Virgjil Kule. Ç´të them ? Duhet te jemi të lumtur qe i kemi të ngriturit si Virgjili e që e shkruajnë historine ashtu si duhet, e nuk mvaremi nga përdredhjet e qëllimta të të huajve. Te lumt Virgjil , që na e dhe knaqesinë e te qenurit pasardhës të Skënderbeut .( fxh)

***

Nga Fahri XHARRA/

”Kur janë mbushur 544 vjet nga vdekja e një prej figurave me te rëndësishme te historisë shqiptare, Skënderbeut, gazetari Virgjil Kule sjell një botim te ri për jetën e heroit tone kombëtar. Edhe pse tashme janë shkruar rreth 600 botime për Gjergj Kastriot Skënderbeun, gazetari Kule ne emisionin “Intervista” thekson se libri “Kryqtari i fundit” synon ti japë një dimension te ri te kësaj figure, jo vetëm si luftëtar, por veçanërisht si politikan e diplomat. Gazetari Kule i cilëson te neveritshme debatet qe zhvillohen rreth figurës se Skënderbeut, e veçanërisht ato qe lidhen me kombësinë e tij, debate qe sipas Kules, i prodhojnë njerëzit e ceket. Skënderbeu vdiq ne 17 janarin e vitin 1468 dhe libri i Virgjil Kules synon te hedhe drite mbi aspekte te jetës se tij, duke filluar nga arsimi ne Turqi, tek kthimi ne Shqipëri, martesa ne moshën 46-vjeçare e deri tek momenti i vdekjes. (Tv “intervista”)

Sa tmerruese është kur nga vetë goja e t`tanëve dalin fjalë që s`i kanë hije një kombi të civilizuar ,për emblemën e shqiptarisë , Skënderbeun. Të pa matur , qëllim keqinj , vetëmohues mundohen të çpikin të pa qena për te , vetëm e vetëm të na zhbëjnë si komb, dhe me një dëshirë të kemi një histori pa heronj . Populli pa histori ,nuk është popull , por është i destinuar që të zhduket. E jo!

Gazetari Virgjil Kule vjen për publikun me botimin e tij të parë “Kryqtari i Fundit”, një libër historik kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. (”Shqip”)  ku sipas tij ” është përpjekur të shpjegojë disa nga domethëniet e veprimeve të Skënderbeut”

”Përderisa ka ende hapësira veprimi për të ashtuquajturit “çmitizues”, mendoj se ende nuk është shkruar mjaftueshëm për Skënderbeun. Mbi të gjitha nuk janë prekur ende sa duhet “indet e buta”, pikërisht ato që i japin zhdërvjelltësi skeletit të njeriut. Ato ndodhen në shumë zona të trupit, por unë jam përpjekur të prek diçka nga truri, nga mekanizmi që prodhonte idetë, planet dhe strategjitë e Gjergj Kastriotit.” thot Virgjili. Ne jemi krenar që ; “Bashkë me ambicjet, aftësitë, talentet dhe, ndoshta, imperfeksionet e veta si qenie njerëzore, Skënderbeu kishte aftësinë jo vetëm për të parë më larg se të tjerët, por edhe për t’i dëshiruar gjërat më fortse të tjerët. Ai nuk synoi të devijonte rrjedhën natyrale të ngjarjeve, por, me veprimtarinë e tij, u bë një interpretues i ndërgjegjshëm pikërisht i asaj rrjedhe natyrale, duke gjetur brenda saj një rol për faktorin arbëror. Ai do t’i vinte të gjitha, si pjesën e vet njerëzore të zakonshme (ambicie, ëndrra etj.), ashtu edhe pjesën e jashtëzakonshme, atë gjeniale (vizion, qëllim, objektiv) në shërbim të nevojave të shoqërisë europiane (ku bënte pjesë edhe populli arbëror) për t’i rezistuar dyndjes osmane. Në këtë proces tejet të mundimshëm Skënderbeu do të kryente aktin madhor të legalizimit në histori të së drejtës së popullit shqiptar për të qenë pjesë e familjes europiane.”

Pikërisht Virgjil Kule në kët libër na i përshkruan vramendjet e Skënderbeut për mënyrën e zbatimit të këtij procesi.Virgjili na e spjegon që “Ka të bëjë me ndërtimin e historisë mbi bazë njësish horizontale kronotopike (kohoro-hapësinore). Si në një skaner që lexon shtresa me trashësi të ndryshme, edhe unë kam bërë prerje të realitetit mbi bazë njësish me “trashësi e shtrirje” vjetore. Pra, duke pasur në qendër të vëmendjes Skënderbeun, kam bërë një prerje horizontale të kohës dhe hapësirës së çdo viti të veprimtarisë së tij, duke lexuar aty, si në sipërfaqen e prerë të një peme të trashë, kompleksitetin e ngjarjeve, lidhjet midis tyre, fenomenet shkak-pasojë, aktorët dhe faktorët etj. Njësia kohoro-hapësinore “vit” përbën kështu hallkën e një zinxhiri me 25 të tillë. Çdo hallkë pastaj qëndron në vendin që i takon, duke i pasur sa më të plota ngjarjet e veta, rolin e Skënderbeut në to, rolet e bashkëkohësve dhe ndërveprimet midis tyre. Kemi të bëjmë me 25 libra më të vegjël (ditarë vjetorë) që nuk mund të radhiten kurrsesi ndryshe. Pra kemi një Skënderbe ngushtësisht kronologjik. Në rast se duam një zinxhir të fortë të historisë është më e frytshme të ndërtojmë hallka të veçanta gjithnjë e më të forta dhe jo thjesht të bashkojmë dy a më shumë zinxhirë të tjerë. E tëra në vetvete është gjithmonë më e përsosur se sa shuma aritmetike e pjesëve të veçanta të saj. ”

Skënderbeu ishte politolog, gjeopolitolog , poliglot , strateg dhe mbi të gjitha Arbër .”Libri më shumë se për ngjarje flet për proçese. Në qendër të tij është një politikan, diplomat, burrë shteti e strateg ushtarak i nivelit shumë të lartë që i drejton këto proçese. Pra nuk janë ngjarjet, por proçeset ato që i flasin të sotmes. Në rrethana historike nga më të ndërlikuarat dhe më të pafavorëshmet për trojet shqiptare, Gjergj Kastrioti hartoi dhe zbatoi një projekt politik të guximshëm, nëpërmjet të cilit i dha mundësi popullit shqiptar që të bënte një kërcim spektakolar në histori dhe të ri-legjitimonte të drejtën e tij për të qenë i pavarur dhe vetvendosës.”( Virgjil Kule ne intervisten dhënë  Muharrem Sfarqës )

Ai për të cilin duhet ngritur një institut studimor më vete dhe duhet gërmuar pafundësisht në dokumentacion – krenaria e vërtetë e kombit tonë, jo thjesht në kuptimin simbolik, por edhe në kuptimin e krijuesit të bazave të një shkolle kombëtare për të ndërtuar respektin ndaj vetes si shqiptarë dhe për t’ia imponuar atë të tjerëve. Në çdo kohë i janë nevojitur shqiptarëve lidera si Skënderbeu, por mjerisht ata kanë qenë shumë të rallë, madje edhe të pakrahasueshëm me figurën komplekse te Skënderbeut.

“Ka popuj në kufijtë e botës së qytetëruar që janë të njohur në përgjithësi në publik vetëm nëpërmjet emrit, por që e meritojnë të njihen më gjerësisht, bazuar në fatet, të bëmat dhe cilësitë që shfaqin.” e këte po e bënë Virgjil Kule

PS: (Virgjil Kule me Skënderbeun e tij do të jete  me :15 mars – Cleveland, 16 mars – TroyMichigan, 21 mars – Filadelfia, 22 mars New York.)

Filed Under: ESSE Tagged With: Fahri Xharra, Kryqtari i fundit, Virgjil Kule

SI KRISI PUSHKA E PARË MË 14 MARS 2001 NË KALANË E TETOVËS

March 13, 2014 by dgreca

Nga Teuta Kamberi-Llalla*/

Ishte 13 Marsi i vitit 2001, kur tre grupe të U.Ç.Kombëtare me nga 11-12 veta u ngjitën rreth kalasë së Tetovës e cila është një pikë strategjike. Kjo Kala e ndërtuar nga Ilirët, stërgjyshërit tanë ka shërbyer si një qëndresë e pamposhtur gjatë sulmeve të pushtuesve.  Grupi i parë i luftëtarëve u vendos brenda në Kala dhe udhëhiqej nga Izair Samiu. Ndërsa grupi që udhëhiqej nga Daut Rexhepi-Leka, u pozicionua në krahun e majtë të Kalasë, në vendin e quajtur Stermoll. Grupi tjetër i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare i udhëhequr nga Hasim Bajrami u përqendrua në fshatin Gajre, që i bie të jetë krahu i djathtë mbrojtës i Kalasë Ilire të Tetovës. Po atë ditë në fshatin Sellcë u instalua njësiti i parë i Logjistikës së UÇK, që do të luante një rol të rëndësishëm. Këta tre grupe me nga 11-12 bijë të kombit shqiptar do të krisnin pushkën e parë paraditen e 14 Marsi 2001. Ajo pushkë nuk do të trondiste vetëm Tetovën, por të gjithë Maqedoninë. Jehona e kësaj krisme do të dëgjohej deri në Evropë. Atë paradite të 14 Marsit 2001, do të luftohej rreth 60 minuta kundër forcave ushtarake dhe policore sllavo-maqedonase të cilët lanë pas 15 makina të djegura, midis tyre edhe një kombi-bus. Të tmerruar nga dëmet e mëdha dhe humbjet në njerëz dhe mjete ushtarake vetëm në një orë luftime forcat ushtarake-policore pasdite filluan granatimet duke qëlluar nga distanca e largëta, nga qyteti i Tetovës. Frika e madhe që kaptoj radhët armike bëri që të mos qëllonin nga afërsia Kalanë, por nga qyteti duke shfrytëzuar si mur të gjallë shqiptarët. Këto luftime të ashpra të rifilluara pasdite zgjatën deri vonë në mesnatë. Jehona e luftimeve bëri që trimave të Kalasë siç njihen ata 30 burra që nisën luftën më 14 Marsit tu bashkëngjiten dhjetëra djem e vajza shqiptare duke veshur uniformën e UÇK për bashkimin kombëtar me mëmën Shqipëri. Në zemrat dhe mendjet e tyre ekzistonte vetëm një dëshirë, një mendim, luftë kundër pushtuesve të tokave shqiptare, për të çliruar njëherë e përgjithmonë, për tu bashkuar me trungun amë.

Në të gdhirë të 15 Marsit filluan luftime shumë të ashpra, forcave armike u kishin ardhur në ndihmë mijëra ushtarë dhe policë nga anë të ndryshme të Maqedonisë. I gjithë arsenali ushtarak-policorë i Republikës FYROM ishte përqendruar në Tetovë dhe rrethinat e saj. Qëllimi dhe urdhri që kishin marrë këto forca me armatim të rëndë ishte që me çdo kusht të merrej Kalaja e Tetovës, por djemtë e shqipes krenare kishin vendosur që mos të dorëzoheshin. Ata ishin betuar se do të vdisnin në emër të Flamurit Shqiptar, në emër të Bashkimit Kombëtar. Atë ditë, kur dielli kishte dalë mbi mal dhe hëna ishte fshehur mbi re, ra heroikisht dëshmori i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Servet Ferati nga fshati Llacë. Djali që ju përgjigj thirrjes për liri do të mbetet përgjithmonë në Kalanë e Tetovës si simboli i mbrojtjes së tokës arbërore. Trupi i tij u varros me nderime ushtarake nga pjesëtarët e UÇK.

Për 6 muaj në pjesën më të madhe të Maqedonisë që banohen nga shqiptarët etnik pati luftime ndërmjet UÇK dhe ushtrisë së Republikës së FYROM-it. Në të njëjtën kohë politikanët evropian dhe amerikan ishin vënë në lëvizje për të arritur një kompromis paqësor midis palëve, pasi shqiptarët që tashmë kishin ushtrinë e tyre po i tregonin botës se të bashkuar, bashkë si një trup i vetëm, për të mbrojtur çdo gjë kombëtare duke sakrifikuar edhe jetën e tyre. Nuk kishte ushtri kundërshtare që mund tu bënte ballë.

Pas shumë kohë bisedimesh palët u ulën në tryezë më 13 Gusht 2001, nënshkruan Marrëveshjen Paqësore të Ohrit ku shqiptarët e Maqedonisë do të gëzonin të drejta të barabarta me sllavo-maqedonasit. Por, edhe pas kaq vitesh që nga nënshkrimi i marrëveshjes asnjë e drejtë nuk është realizuar. Sot gjuha shqipe nuk gjen përdorimin e gjerë dhe vendin që i takon, flamuri kombëtar ndalohet të përdoret, injorohen figurat kombëtare, mirëpo më e keqja është se qindra ish-ushtarë të UÇK janë të burgosur pa faj duke ju montuar akuza të pabaza. Për fat të keq shumica e ish-drejtuesve të UÇK që sot kanë veshur kostumin e politikanit dhe të qeveritarit heshtin para keqtrajtimeve që po ju bëhen ish-bashkëluftëtarëve të tyre. Familjet e dëshmorëve janë katandisur në një mjerim të plotë, pa asnjë ndihmë humanitare dhe përkrahje sociale si nga ana e pushtetit republikan ashtu edhe nga ana morale që mund tu ofronin ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK. Në të njëjtën kohë pala kundërshtare e konfliktit të 2001, ish-branitellat kanë vite që janë rehabilituar duke gëzuar çdo privilegj si punësim, pension e deri në diplomimin e tyre në Universitetin Shtetëror të Tetovës pa paguar asnjë detyrim në të holla.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes paqësore të Ohrit shqiptarëve ju shtuan edhe më shumë keqtrajtimet dhe vrasjet nga ana e strukturave shtetërore siç janë rasti i Sopotit, rasti i Kondovës, vrasja e një studenti shqiptar më 2005 në dhomën e tij nga policia në Tetovë, Brodeci, vrasjet enigme të Harun Aliut dhe Shaban Zenun, rasti Mostra, rrahjet e nxënësve shqiptar nëpër autobusë, helmimi i nxënësve shqiptar në Gostivar etj.

Ish-luftëtare e UÇK, 2001.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: me 14 Mars 2001, ne Kalane e Tetoves, si nisi lufta, Teuta Kamberi

Respekt Nënave e Mësueseve tona të mira

March 13, 2014 by dgreca

*Shoqata e grave Shqiptaro Amerikane “Motrat Qiriazi” nderoi Meri Kirken si “Gruaja e Vitit”, dhe Drita Gjongecaj “Mesuesja e Vitit”/

* Televizioni”Kultura Shqiptare” shfaqi dokumentarin kushtuar kengetares se madhes Vace Zela/

Nga Ariana Elezaj/

“” Dolëm në lëndina ,brodhëm nëpër faqe ,mblodhëm trëndelina edhe manushaqe.Për ju o nënëza të mira ,gojëëmbla e zemërdlira “. Më kujtohen këto vargje nga fëmijëria sa herë që vjen pranvera e shumëpritur pas një dimri të gjatë e të ashpër.Kjo stinë e bukur  me blerimin,gjallërimin e saj ,gonxhet e mimozave  e cicërimat e zogjve sjell edhe dy festa kuptimplote për kulturën shqiptare. Ditën e mësuesve tanë të respektuar që me durim e pasion na drejtuan në rrugën e bukur të dijes edhe ditën e nënave ,heroinave e zemërbardhave tona. Si përher mundi e përkushtimi I tyre nuk lihet pa u vlerësuar . Shoqata e grave Shqiptaro Amerikane “Motrat Qiriazi” si çdo vit edhe sivjet organizoi aktivitete në nderim të ketyre festave. Siparin e aktiviteteve e hapi takimi dhe prezantimi njohës e informues që kjo organizatë në bashkëpumin me Asembleistin e respektuar ,nderin e krenarinë e shqiptarëve kudo ku janë, të nderuarin Mark Gjonaj organizoi  ditën e Shtunë në 8 Mars në Bronx House.Tema kryesore ishte: “Dallimi i hershëm i Kancerit të gjirit tek gratë edhe masat parandaluese të tij”,cili u paraqit me shumë elokuencë e njohuri  nga Eva Burnazi ,radiokimiste pranë Memorial Hospital .Mbas tij e kishte radhën kënga e vallja ,gëzimi e hareja për të festuar e nderuar së bashku të zgjedhurat e veçanta të këtij viti , Meri Kirka edhe Drita Gjongecaj  e pse jo edhe të madhen e të paarritshmen,nderin e kultures sonë e të kombit Vaçe Zela që u nda nga ne së fundmi.  Dokumentari I shkurtër ,tribute e  nderim për Vaçen I përgatitur me mjeshtëri nga Adem Belliu edhe stafi I emisionit Kultura shqiptare hapi programin . Moj e bukura Arbëri, Valësi I lumturisë, shtëpia jonë e lemza nën tingujt e bukur të muzikës dhe zërit melodioz të Fitore Mamaqit e prunë të gjallë kujtimin e saj në sallë . E pastaj Dr.Anna Kohen president e AAWO u uroi mirëseardhjen të pranishmëve si edhe prezantoi Gruan e vitit  Meri Kirka .

Meri ,e cila siç thuhet edhe në biografinëe e saj të shkurtër është njè grua e mençur ,e zgjuar me karakter të fortë , e sinqert dhe e ndershme në çdo fjalë që thotë e veprim që ndërmerr .Një grua e rrallë me cilësi të veçanta morale e qytetare për tu admiruar.Bijë e një familjeje të respektuar Durrësake e  karakterizuar nga ndershmëria edhe dashuria për punën edhe njerëzit. Meri provoi eksperiencën e hidhur të persekutimit gjatë  regjimit komunist. Martesa me Niko Kirkën ,një demokrat në shpirt dhe bir I Kristo Kirkës ish kryetar I bashkisë së Korçës në kohën e Zogut  e vuri në spovë karakterin e saj. Ajo me devotshmërin edhe kurajon që e karakterizonte u bëri ballë gjithë vështirësive që e  sprovoi  jeta edhe u bë një shembull frymëzimi për familjen, të afërmit si edhe për gjithë komunitetin.”Me humanizmin e saj Meri I ka dhënë më shumë jetë , dashuri e kuptim jetës.”Mjafton të takohesh me Merin dhe të bisedosh me të do të mbetet në mendje fisnikëria edhe fjala e saj e ëmbël e inkurajuese e cila është burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.

Beti Beno nënkryetare e shoqatës së grave shqiptaro-amerikane “ Motrat Qiriazi” pati nderin tu paraqiste pjesëmarrsve Drita Gjongecaj, mësuesen e vitit. Drita e lindur në Tropojë edhe e edukuar në vendlindje edhe në Amerikë është një shembull I shkëlqyer I grave intelektuale që me arsim e punë të palodhur arrijnë majat e suksesit . Drita është aktualisht nëndrejtoreshë e shkollës “ Theodore Schonfeld “ në New York. Por gjatë gjithë jetës së saj që nga fillimet si mësuese e gjuhës e letërsisë shqipe ,e më vonë si drejtuese e Bibliotekës shkencore pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës në vendlindje Drita është dalluar për nivelet e saj të larta edukative e drejtuese. Jeta në Amerikë nuk mund të ishte ndryshe. Edhe pse në fillim e detyruar të bënte çdo lloj pune të për të përballuar shpenzimet e familjes për tu ambientuar në vendin e ri nuk e ndalën Dritën të vazhdonte studimet dhe  të gjente vendin e merituar në shoqërinë  e re. Drita punon me devotshmëri  dhe pasion duke inkurajuar studentët e saj duke bërë ndryshime në jetën  e tyre. Gjatë gjithë jetës së saj si edukuese e drejtuese Drita ka prekuar qidra zemra e ka drejtuar në rrugën e suksesit shumë të tjera . Ajo në të njëjtën kohë  është një bashkëshorte e shkëlqyer një nënë e gjyshe e mrekullueshme e një djali të vogël .

Mbrëmjen  e përshëndeti edhe asembleisti i distriktit 80 në Bronx Mark Gjonaj i cili shprehu respektin dhe vlerësimin e tij për punën e palodhur të shoqatës”Motrat Qiriazi”  në shërbim të grave shqiptare si edhe shprehu gatishmërin se dera I zyrës së tij është gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar në të mirë të komunitetit . Kështu në datën 30 Mars  AAWO me mbështetjen e Shoqatës Italiano-Amerikane për kancerin dhe në bashkëpunim me zyrën e Mark Gjonajt do të organizojnë mamografi falas për të gjitha gratë e interesuara. Kushdo që dëshiron janë të mirëpritur. Regjistrimi paraprak është I nevojshëm.Për regjistrime dhe më shumë informata mund të  drejtoheni tek AAWO në 212-244-8440o e tek Zyra e Asembleistit Mark Gjonaj  347-810-0910.

Filed Under: Reportazh

SHOQËRIA NË KRIZË VRET – NËNAT NUK VRASIN!

March 13, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Opinioni shqiptar dhe ai italian vazhdon të jetë i shokuar nga tragjedia e ndodhur në Lecco, ku një nënë shqiptare në një krizë të thellë dëshpërimi i jep fund jetës të tri vajzave të saj.
Lajmi u përhap në mëngjesin e së hënës përmes një deklarate të papërgjegjëshme të Ministrit të Brëndshëm të Italisë Angelino Alfano, i cili betohej se vrasësi i vajzave do të dënohej me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane. Pastaj Alfano bëri korigjimet e duhura, por deklarimi i tij kishte mjaftuar që ksenofilizmi shqiptar të prodhonte steriotipin e tij klishe në formën e gjyqësi të vërtetë për gruan e shkretë.
Kush e viziton faqen e Facebook-ut të Edlira Dobrushit, thjeshtë Edës, e cila në rrjetin social identifikohej nën emrin Eda Copa, do të kuptojë se gjithë bota e saj prej nëne dhe gruaje përbëhej prej atyre tri vajzave, prej Simonës, Kejsit dhe Sindit. Ato ishin arsyeja e saj për të jetuar dhe duket antiarsyeja për t’i dhënë fund në mënyrën më të tmerrëshme të mundëshme. E tillë ka qenë në atë çast gjendja e saj shpirtërore dhe mendore. Tragjedi të tilla kanë ndodhur por është akti më i papranueshëm nga psika njerëzore, sepse nëna vetëm jepë jetë.
Justicionalistët e Shqipërisë, të njërit prej vendeve me drejtësinë më të korruptuar të planetit, filluan menjëherë ta anatemojnë të mjerën nënë, si një kriminele që u hakmorr ndaj bashkëshortit 45 vjeçar që e braktisi atë bashkë me tri vajzat dhe shkoi pas një 25 vjeçareje!
Justicionalistët e Shqipërisë, kur deshën të ishin modernë, por gjithnjë të pacipë, e akuzuan gruan e mjerë si një Medea të kohëve tona. Meqë Jasoni shkoi me një grua tjetër dhe e tradhtoi, Medea, bashkëshortja e tradhëtuar, për t’u hakmarrë, i vret të dy bijtë. Me këtë logjikë, sipas justicionalistëve, veproi edhe Eda, e cila momentalisht ndodhet në një gjendje kritike për jetën e shtruar në spitalin e Lecco-s, e operuar me plagë të rënda në bark dhe duar.
Në vend të refleksionit, për të zbuluar shkaqet që e bënë këtë nënë të ndërmerrte aktin më të paimagjinushëm për mëmësinë, po vazhdon rutina për t’iu ikur analizave.
Kjo tragjedi ka si shkak nismëtar shkatërrimin e familjes. Familja, bërthama fondamentale,si forma më e lartë e organizimit të shoqërisë njerëzore, që e ka shpëtuar njerëzimin nga periudhat parake të promiskuitetit dhe barbarisë, po përjeton krizën më të thellë, e cila prodhon drama dhe tragjedi njerëzore. Por peshku duket se është qelbur nga koka. Burrat kërkojnë të imitojnë tipin e ish-kryeministrit të Italisë Silvio Berlusconi dhe, nëse nuk ia arrijnë dot, të paktën atë të François Hollande, Presidentit aktual të Francës, i cili, me pamje të maskuar me kaskë motori, e lë një mantenutë në Elysée dhe rend pas një mantenute tjetër nëpër Paris.
Edhe femra në vend që të ketë modelin për të imituar, duhet të jetë ose miss, modele, në mos dashnore apo eskorte biznesmenësh apo politikanësh!
Një hybrid të këtij modeli zgjodhi edhe ish-bashkëshorti i Edës. Ai fejohet me një femër 20 vjeç më të re, duke lënë në mes të katër rrugëve katër femra të familjes së tij, gruan dhe tri vajzat.
Në këtë situatë, Eda, edhe kjo një grua e re 37 vjeçare, e humb fillin dhe lebetitet,e vetme,me një shoqëri rreth saj, antihumane, e gatëshme për ta masakruar, me të njëjtën mënyrë si ajo kur në gjendje ankthi ekstrem ndërmerori aktin makabër.
Ajo kishte ëndërruar që bashkëshorti i saj të ishte një baba fantastik si Will Smith tek filmi i Gabriele Mucciono- s the The Pursuit of Happyness, por ai doli një sharllatan si shumë të tjerë, nga ata, por edhe ato që e çojnë familjen drejt e në divorc, statistikat e të cilave në Shqipëri kanë arritur shifra të frikëshme.
Në fakt, Eda Dobrushi alias Eda Copa nuk ishte as Medea dhe as një nga ato femrat e sotme që ofron formati shqiptar i Big Brother, ku prostitucioni paraqitet si modernitet. Eda Dobrushi ishte një nënë si gati të gjitha nënat dhe një grua si gati të gjitha gratë, të cilat iu thurin hymn dhe i dedikojnë jetën bashkëshortit,fëmijëve dhe familjes. Pra Eda Copa nuk ishte një femër sipas modelit që kërkon sot shoqëria e sëmurë shqiptare,e cila e masakroi të gjorën nënë me cinizimin brutto, sikur të mos ketë mjaftuar gjëma që e ka gjetur.
Gazetarët në Itali kanë filluar e të gërmojnë arsyet, shkaqet që e çuan gruan e mjerë në këtë raptus të frikshëm. Eda Copa posa kishte humbur një fëmijë, gjatë një shtatzanie të ndërprerë pa dashjen e saj. Dhe zakonisht dihet se si është gjendja e gruas pas kësaj. Por në vend që të kishte pranë të shoqin,ai e braktis,ndërsa Eda mbetet e vetme me tre vajzat me një gjendje ekonomike të vështirë,ku ajo tani ka frikë nëse do të jetë në gjendje që t’u sigurojë vajzave të saj një jetë me dinjitet apo ato nuk do të kenë të ardhme tjetër veç prostituimit.
Ndofta gabohej gruaja e mjerë, por lodhja, drama familjare dhe kriza ekonomike kishte bërë që ajo të humbiste ekuilibrin. Për Eda Copa-n edhe shpresa që vdes e fundit kishte vdekur. Dhe ajo e mbetur në mëshirën e askujt, i dha fund jetës së tri vajzave të saj dhe njëkohësisht edhe jetës së saj. Sepse Nëna është Zoti i zbritur në tokë, është fuqia e plotfuqishme e Tokës që e bën jetën të vazhdojë. Dhe kur një Nënë vret jetën, mos e gjykoni atë të zezë, por merreni këtë gjëmë si një Kambanë Alarmi të Qiellit! Ndryshoni shoqërinë, ktheheni në shinat e vlerave dhe moralit, sepse antimorali do të kthehet si një Vezuv jo vetëm për Neronët për të gjithë ne që bëjmë sikur nuk i vemë re plagët e shoqërisë, të cilat këlthasin si britmat e atyre tre vogëlusheve jetëfikura nga ajo që i deshi sublimisht.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, nenat nuk mund te vrasin, Shoqeria ne krize

Në nderim të mikut tim, Luto Zyka

March 12, 2014 by dgreca

Eshref Ymeri/Santa Barbara, Kaliforni/

E humba një mik, një mik fort të mirë,/

Ndaj kam një boshllëk, ndihem si i mpirë./

Ishte mik mbi miq, quhej Luto Zyka,/

Ndaj kur e kujtoj, lëmsh më mblidhet gryka./

Eh, kjo vdekje e shkretë, vdekje e mallkuar,/

S’dihet kur të vjen, fare pa kuptuar./

Te rrug’ e Kavajës, kur merrja një kthesë,/

Drejt lokalit t’Lutos, kur ecja serbes,/

Fort më ngrohej shpirti, më ndizej përbrenda,/

Ta takoja Luton sa ma kishte ënda./

Në lokal të Lutos plot biftek’ e verë,/

Më priste te dera, i qeshur përherë./

Kish zemër të madhe, zemër plot humor,

Kur rrëfente shtruar dhe të ndizte horë.

Ish artist i lindur, mikpritës i parë,

Iku aq papritur, më la zemërvrarë.

Rrugës pranë lokalit më unë nuk shkoj dot,

Se kujtimet rendin dhe më dalin lot.

Më nuk i flas dot: dil, Luto, nga dera,

Ta kthejm’ nga një gotë,  si herët e tjera.

Se tani e di që s’më përgjigjet kush,

Ndaj dhe zemërshkreta po më digjet prush.

Dhe mes pikëllimit pyetjen po nis:
Ku ësht’, moj ti Xhem, moj Mon’, moj Eris?

Përgjigjja që marr plagën ma cing’ris:

“Luton e ke lart, në gji të Hyjnisë”.

 Këto vargje më buruan nga thellësia e shpirtit, në nderim të mikut tim të vjetër dhe shumë të respektuar Luto Zyka. Bashkë, në vite ’50,  kemi qenë nxënës në Shkollën 7-vjeçare në fshatin Ramicë të Smokthinës. Ai ishte nga fshati Bashaj i Smokthinës. Shkollën e mesme e kreu në Vlorë, kurse arsimin e lartë e përfundoi në Institutin e Lartë të Arteve (më pas Akademia e Arteve dhe tani Universiteti i Arteve), në degën e dramaturgjisë. Ka punuar si aktor dhe si regjisor, duke filluar nga Teatri i Gjirokastrës deri regjisor në ish-Shkollën e Bashkuar të oficerëve në Tiranë. Me vendosjen e pluralizmit në vendin tonë, u tërhoq në jetën personale, duke u marrë fillimisht me biznes dhe më pas, në njërin nga mjediset e shtëpisë së tij që ndodhet në Rrugën “Naim Frashëri”, afër Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, çeli një rostiçeri, të cilën e mbajti të hapur për shumë vite me radhë. Dallohej për mikpritjen e tij proverbiale dhe për humorin e tij të papërsëritshëm.

Miqësia jonë u forcua edhe më shumë pas martesës së tij me ish-studenten time shumë të talentuar, zonjën Xhemile Lika (sot me titullin shkencor prof. as), nga Zagora e Shkodrës, të motrën e shkrimtarit Ramiz Lika, nga një familje me tradita atdhetarie. Pas përfundimit të studimeve, zonja Xhemile ka punuar pedagoge në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe më pas në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe, gjatë disa vjetëve, kemi qenë kolegë në Departamentin e Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike, derisa unë dola në pension më 01 shtator të vitit 2003. Mona është bija e tyre, e cila, po ashtu, i ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega e greqishtes. Edhe vajza e Madhe, Erisa, studimet e larta i përfundoi po në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në degën e frëngjishes. Mandej ajo vazhdoi studimet pasuniversitare për gazetari në Bruksel dhe sot, si një gazetare e pjekur dhe e talentuar tashmë, po në Bruksel, punon si gazetare-korrespondente e kanalit të mirënjohur televiziv kombëtar “Klan”.

Mikut tim Luto Zyka, në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që kaloi, i patën lindur probleme serioze me zemrën, prandaj iu desh t’i nënshtrohej një operacioni të vështirë, i cili u përballua me sukses në një klinikë të specializuar kardiokirurgjike në Sofje. Por me kalimin e viteve shëndeti erdhi duke iu rënduar edhe për shkak të mbipeshës së theksuar. Kjo qe edhe arsyeja që zemra nuk arriti ta përballojë dot këtë mbipeshë, derisa më 19 gusht të vitit që kaloi ajo pushoi së rrahuri në njërën nga klinikat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku e pata takuar për herë të fundit, para se të largohej drejt jetës së amshuar.

Santa Barbara, Kaliforni/12 mars 2014

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Eshref Imeri, Luto Zyko, ne kujtim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4780
  • 4781
  • 4782
  • 4783
  • 4784
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT