• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LEKE PREVIZI: JU RREFEJ FERRIN E VUAJTJEVE NE DIKTATURE…

March 5, 2014 by dgreca

Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi/

   Z.Lek Pervizi është një ndër intelektualët e shquar të Kombit, që provoi ferrin komunist, kalvarin e vuajtjeve, si i burgosur, internuar, me 16 viktima në familjen e tij, varret e te cilëva akoma nuk dihen, pëvecse të nënës dhe të vëllait të tij Gencit. Janë mijëra viktima të pafajshme që pësuan këtë fat tragjik!

Kultura e tij e gjerë, por mbi të gjitha një bashkëshort shembullor, bënte që të gjente dhe castet romantike në internim me gruan e tij Beben, emër që ja pagëzuan të internuarit, pasi ishte fëmija i paktë që i shpëtoi vdekjes në kampin e internimit.

…Bebes i kërkuan që të plotësonte një formular ku pranonte me shkue me t’amën e vllaznit në Mal të Zi. Ajo e mori formularin dhe e grisi para syve të çuditun të oficerit të degës duke i thënë: “E kam zgjedhur fatin tim, do të rri me Lekën”.
Sot në moshën 79 vjecare ai jeton i lirë, dhe bën një jetë aktive në Bruksel.  Eshtë botuesi i revistës “Kuq e Zi” ku për 15 vjet rresht në këtë revistë janë pasqyruar ngjarjet më të rëndësishme të Kombit, figurat e shquara të letërsisë dhe artit!

Ju keni jetuar ferrin komunist, cili ishte shkaku i dënimit dhe për sa kohë ndenjët në burg dhe të internuar?

  Shkaku kryesor i dënimeve që më përfshinë me gjithë familjen e fisin, ishte prindi im Gjeneral Prenk Pervizi, i cili, sa ishte në Shqipëri  i ishte kundërvenë regjimit komunist deri me 1946, kur u arratis jashtë shtetit. Si rrjedhim filloi persekutimi, i cili nisi me djegien e shtëpive në Laç e në Skuraj, si ne kohën e mesjetës, katër kulla gjithsejt, që ishin djegur dhe dy herë të tjera prej taborrëve turke,  bombarduar prej gjermanëve e që së fundi  më 1944-1945  u dogjën nga hordhitë barbare komuniste të ashtuquejtura “çlirimtare”, që nuk lanë  gjë pa bërë mbi popullin e tyre, më keq se një ushtri e huaj pushtuese. Emërtimi “çlirimtar” ishte një gënjeshtër e madhe, që servirej për të mashtruar vendin e popullin.

Na konfiskuan pronat e grabitën pasuritë, bashkë me një shtëpi tjetër në Tiranë, te blloku, rruga Vaso Pasha 19, që akoma nuk na është kthyer. Na dëbuan nga shtëpia, në të cilën këshilli popullor futi disa partizanë që akoma e pushtojnë atë. Banesa ishte konfiskue me dekret qeveritar e me dekret duhej të kthehej, por kjo nuk u bë, dhe kemi 15 vjet me gjyqe pa kuptim. U internuam, së pari mama e gjyshja. Vëllai i madh Valentini, oficer akademist,  ishte arrestuar e burgosur që më dhjetor 1944 në Shkodër, edhe vëllai i dytë Genci, aviator,  ishte dënuar 10 vjet. Unë si më i vogli shpëtova 5 vjetët e parë e pastaj më 1950, përfundova drejt e në kalanë mesjetare të Porto Palermos, me gjithë vëllanë Valentin. Aty na pllakosën në guvat mesjetare të kalasë ku do të kishim lënë kockat bashkë me shumë të tjerë.  Flinim mbi shtresën prej kalldrëmi gjithë lagështirë. Kthinat ngjanin si shpella ciklopësh. Ushqimi ishte për faqe të zezë dhe i pamjaftueshëm. Buka e qullosun. Filluen sëmundjet; kryesisht dizanteria.  U bë sebep një nëndetese greke  që qarkulloi aty së pari, e nje barkë transporti italiane që u kap, që na hoqën  e na çuen në Tepelenë.

Internimet në Shqiperi nisën që më 1945, fillimisht në Berat, për familjet Veriore dhe në Krujë për familjet Jugore. Por u hap një fjalë se po i grumbullonin për t’i degdisun në Siberi, sipas planit sovjetiko-shqiptar.  A e vërtetë apo thashetheme, të internuarve ju hyri frika. Në vend të Siberisë më 1948 u krijua kampi famëkeq i Tepelenës ku  u mbyllën  në rrethim me tela me gjëmba për gjashtë vjet me mijera qënje njerëzore shqiptare tëpafajshme, pleq e plaka, burra e gra, nana me fëmijë djepi, ku pati edhe lindje. Në atë kamp mizor vdiqën shumë fëmijë ( 33 fëmijë vdiqen vetëm në një natë ) e pleq. Ajo gjëndje nuk kurseu as burra as gra.  Të aftit për pune, i nështroheshin mundimeve skllevërore. Aty vdiq ghyshja 90 vjeçe, dy kushërinj e dy kushërira me fëmijet e tyre, përsa i përket rrethit tonë familjar e fisnor.  Sigurisht se edhe familje të tjera i humbën të dashurit e tyre në ato kondita shtazarake. Më e keqja e makabre ishte se të vdekurve ua ndërruan tri herë varret, kastile për të humbur gjurmët e varrezave të shumta që kishin mbuluar vendin rreth kampit. Atyne varreve nuk u gjëndet më gjurma.  Në ato kushte skëterrore më erdhi frymëzimi për të  përshkruar tmerrin që po përjetonin ato mijëra viktima të pafajshme. Kisha bërë edhe disa vizatime. Por nga një kontroll i rreptë që do bahej (më njoftoi një njeri besnik ) u detyrova t’i djeg të tana. Në fakt i mori nana ime dhe i dogji në zjarret që ndiznin gratë për larjen e rrobave të fëmijëve. Në disa raste ato zjarre shkaktuan plasjen e bombave të luftës italo-greke të mbetura nën dhe, dhe pati të internuar që u vranë. Edhe kjo një pasojë e atij kampi.  Prej asaj dite  fillova t’i ngulis vargjet në mendje. Për t’u stërvitur  e mos humbur aftësinë e vargut poetik, u mora me përkthimin e Ferrit të Dantes, nga një libër i “Komedisë Hyjnore” që ma dha një oficer italian i iternuar aty me ne.  Ishte dhe një anë justifikuese po të kërkonin se ç’shkruaja. Dante studiohej në shkollat shqiptare, pra njihej.  Letra nuk ekzistonte, dhe unë mblidhja letrat e kaushëve të duhanit të pleqve, te cilët i ruanin kastile për mua. Pasi mësoja vjershat e mija përmendsh letrat i digjnja. Kështu munda me ruejtë përmendsh mjaft poezi. Pata mbledhë edhe vjersha rapsodike të krijuara nga vetë të internuarit, të cilat kam arritë t’i rindërtoj e t’i botoj në një vëllim “Lahutari Shqiptar”.

Cilat janë disa nga poezitë, krijimet dhe pikturat tuaja që u krijuan gjatë kohës së izolimit, dhe si u bë e mundur ruajtja e tyre?

Poezitë arrita t’i radhis e t’rindërtoj kur fitova lirinë në Belgjikë, në sajë të kujtesës së fortë që më ka karakterizuar gjithë jetën.  Poezinë e parë e kam krijuar përmendsh në një birucë të burgut të vjetër ku më kishin izoluar në maj 1950, ku u arrestova.

Ajo poezi mban titullin, “Tinguj të Kobshëm”, e fillon me vargjet: – Pushuen tashma kangët e rinisë…- shpejt filloi në zemrën time brenga   –   tinguj të kobshëm të nxjerrë prej lahutës… Kjo poezi qendron në ballë të librit, si një “prelud” ndaj tragjedisë së mëtejshme që do të shtjellohej  në librin e poezive me titullin: “Ankimi i Zanave”. E përdora këtë titull simbas traditës së kangëve lëgjendare shqiptare, ku Zanat marrin pjesë në trimëritë e vuejtjet e heronjëve të tyre, ju këndojnë trimeritë por edhe kjajnë për vuejtjet e vdekjen e tyre.

Më 1954 kampi i Tepelenës u mbyll, nga presioni ndërkombëtar, dhe u krijuan kampet e punës së detyruar, në fushat e Myzeqesë, ku të internuarit u kthyen në bujk-robër. Por disa prej nesh u izoluan përsëri, në kampin e të burgosurve në Shtyllaz, duke hapur një kanal faraonik. E prej aty na degdisën në Kuç të Kurveleshit të Vlorës deri më 1958 në izolim total.  Nuk ishim shumë, nja 100 vetë, por prej tyre 70-të ishin intelektualë me tituj të lartë, që i kishin shpëtuar ekzekutimit, e shumta shkodranë, ish ministra, diplomatë, profesorë, muzikantë, piktorë, fetarë, inxhinierë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, oficerë madhorë, agronomë, juristë, gjuhëtarë, përkthyes, etj, të cilët i kishin kryer studimet në shkolla e universitete europiane. Pra një elitë e terë e aftë me drejtue Akademi e Universitete.  Kështu kampi i Kuçit pati fatin të kthehet në një universitet dhe akademi e katakombave, me një elitë të tillë të zgjedhur itelektualësh të lartë, si: Kardinal Mikel Koliqi, Dr. Ali Erebara, Dr. Mykerrem Janina, Prof. Ali Cungu, Prof. Guljelm Deda, Dr. Izedin Beshiraj, shkrimari Dr. Mitat Araniti, oficerët akademistë Lin Deda,  Luigj Berisha, Isa Kokalari, Ded Jakova, Valentin Pervizi, Zef Pali, vllaznit juristë Baldasar e Zef Benusi, Dr. Sabri Quku, Prof. Dr. Lazer Radi, agronomët Kadri Borshi, Faik Selenica,  Jakov Milaj. Inxh. Estref Frasheri, Dr. Ibrahim Sokoli, Dr.Mark Temali, Dr.Sami Hysi, Dr.Mihal Sherko, Dr.Nedim Kokona, ish ministri i arsimit  Zef Shiroka – (vellai i doktor Shirokës), diplomatët ambasadorë  Pandeli Nase e Remzi Çela, Dr.Dilaver Tartari, gazetari Fiqri Llagami, Dr.Karlo Çoba, etj. etj. i përmenda gjithë këto emna, për të treguar, se si diktatura, pasi i kishte pushkatuar shumicën e intelektualëve, ata që mbetën i degdisi burgjeve e kampeve për t’i shuar fare. Në këto kondita ne të rinjtë përfitonim nga dituritë e këtyre figurave  të shquara të kulturës shqiptare. Të rinjtë me të cilët ndaja shoqërinë në atë kamp ishin Fatbardh Kupi, Viktor e Ernest Dosti, Musa e Tomorr Maçi, Tomorr Dine, Thabit Rusi, Ylber Starova, etj.

Unë vazhdoja me poezitë e mija, gjithmonë me metodën e fiksimit të tyre në memorie. Këtu pata vizatuar disa portrete  të atyre personaliteteve, skica në letra dosido, prej të cilëve me kanë shpëtuar disa, nja 10-15 copë. Eshte gruaja ime që ka meritën  për shpëtimin e tyre. Ajo pothuajse lindi në internim, ku përfundoi me t’amën që në moshën e njomë katër muajshe më 1948, prej t’atit të arratisur jashte shtetit, Nikoll Malaj nga Vermoshi. Përjetoi gjashtë vjet të Tepelenës, e shpëtoi kot nga shfarosja e fëmijëve, dhe i ngeli emri Beba , si një bebe qe kishte shpëtuar dhe në atë konfuzion mortor i ishte  ngatërruar edhe emri. Ajo quhet Gjuliana, por gjithë të internuarit e shoqeria e njohin për Beba. Me këtë emër ajo u bë lëgjenda e kampeve.

Cilët miq dhe bashkëvuajtesit tuaj kanë qenë më pranë jush në kohën e burgut dhe të internimit dhe a komunikonit me ta për pikëpamjet tuaja?

Për kohën e vuajtjeve, miqtë e dashamirët ishin pothuaj të gjithë të dënuarit. Por me që pyetja kërkon një përgjgje konkrete, mund të them, se një ndër bashkëvuejtësit  mik e shkuar mikut, ka qenë Prof. Guljelm Deda, që ne e thirrnim Lemi. Ky intelektual i lartë arriti të përkthejë në kondita aq të vështira të internimit, kryeveprën epiko heroike kalorsiake “Orlando Furioso” (Orlandi i çmendur)  të poetit të madh italian Lodoviko Ariosto prej 40 vargjesh me rimë, në 17 vjet punë të kurajshme. Ishte një punë për të mbajtë të gjallë aftësinë e tij prej letrari e intelektuali të shquar Një punë prej murgu. Ai konsultohej me mua, që megjithëse  i ri, kisha lexuar të gjitha poemet e asaj kohe të Rilindjes së hershme italiane, me Dante, Petrarka, Bocaccio, Ariosto, Tasso, Bojardo, Pulci , etj. Kështu që kisha një përvojë të forte mbi letërsinë e gjuhën italiane, edhe atë të vjetrën.  Lemi kishte kaluar 45 vjet dënim ndër burgje e kampe internimi, prej të cilëve 10 vjet bashkë me ne.  Miqësi të ngushtë kisha edhe me Mitat Aranitin, shkrimtar e gjuhëtar, përkthyes në shumë gjuhë, me një kulture poliedrike. Pastaj dua të permend prof. Lazër Radin me të cilin kisha punuar gati 20 vjet si marangoz e dizenjator, si edhe Ibrahim Sokolin, Dom Mikel Koliqi, Dom Nikoll Mazrreku, Ali Erebara, Ali Cungu. Patjetër se komunikonim mes nesh lirshëm, sa që zhvillonim edhe biseda pa asnjë rezervë, që quheshin të rrezikshme. Ishte një shoqëri e fortë dhe e vendosur ku njerëzit ruenin cilësitë e virtytet më të mira të shqiptarit.

Me këto njerëz  ishte kultura që zinte vendin e nderit në çdo bisedë. Sigurisht se për  të rinjtë si unë me shokë, ky kontakt me të tille intelektuale, vlente sa një auditor universitar ose akademik. Nje gjë më kujtohet mire, se e gjithë tema e bisedave ishte se si do të vepronim në lirine e fituar, kur të na lejohej shprehja e fjalës dhe e mendimit dhe Liria e qarkullimit në botën perëndimore. Flisnim për revista e gazeta që do të botonim, si dhe për ekzpozitat e pikturave që do të hapnim,  për botimin e librave.

Një perspektive në dukje e paarritshme, e supozuar, por që edhe mund të realizohej. Siç e shihni, në ato katakomba vlonte shpirti i qëndresës në forma të ndryshme. Kjo na jepte kurajo me shty ditët, deri sa të arrinte dita e shpëtimit. Kjo e gjitha.

Cilët shkrimtarë disidentë janë për ju shkrimtarë bashkëkohorë dhe a janë vlerësuar ata si duhet nga kritika e Letërsisë shqiptare?

 Eshtë një pyetje shumë e zorshme. Disidenca në ato kondita të terrorit më t’egër që mund të mendohet, nuk mund të zhvillohej, as mund të guxonte  të bente sikur gjoja  zhvillohej.As edhe një shkrimtar shqiptar nuk mund të pretendojë që të ketë qenë disident apo të jetë i përfolur për i tillë. Të mos harrojmë se si u shpreh shkrimtari arbëresho-argjentinas Sabato, kur erdhi në Shqipëri pas diktaturës : “I urrej ato shkrimtarë që kanë bashkëpunuar  me diktaturën.” E kishte fjalën me disa shkrimtarë shqiptarë që e mbanin veten si “disidentë” të padeklaruar, sepse po të deklarohëshin përfundonin, ose u pritej koka ose plakoseshin në skëterrën e burgjeve e kampeve.Flitet për disidence pa e kuptuar mire atë veprimtari që në një regjim totalitar duhej të zhvillohej që të merrte një emertim të tillë, siç ndodhi me Havelin apo Pasternakun e Solgjenicinin. Po a kishte mundësi kjo në ato kushte të diktaturës totalitare komuniste shqiptare, ku vetëm me një shikim të diktatorit të shkonte koka për fiq? E jo ma të  merrte formë  një disidence sa do embrionale? Them embrionale, sepse ajo që quhej vigjilenca e organeve te sigurimit e te partisë ishte aq e organizuar, sa që edhe fluturimi i  një mize kontrollohej, e jo ma që dikush të shpaloste shkrime e libra ose te fliste apo llomotiste sipas qejfit e në kundërshtim me vijen e partise e te qeverise.

Nuk po permend emra, por sipas mendimit tim, duhen vlerësuar më tepër ata shkrimtarë dhe artistë, që qendruan kundësrshtarë të regjimit dhe u dënuan. E megjithese u dënuan, mbajtën një qëndrim të pamposhtun, duke iu kushtuar një krijimtarie  të fshehur e mendore, që në rast se zbulohej ose spiunohej, u kushtonte dhe jetën, siç ndodhi me dy poetët e rinj, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka dhe së fundi me poetin Avzi Nela.   Ose si Astrit Delvina, që dihej botnisht se shkruente, por jo për lavdinë e partisë e të shokut merhum. Astriti përfundoi edhe në burg. Nga vuajtjet e torturat u sëmur aty. Mori kancerin e vdiq sapo  u lirua më 1990. Ku futet ky shkrimtar, a nuk qenka i përshtatshëm që të quhet disident ? Aq edhe më mirë të quhet kundështar. Ka më nder. Kemi të tjere si Nikoll Mazrrekun (me të cilin ndava Tepelenën e Lushnjën), i cili ka shkruar libra në gjendje burgu. Dorëshkrimin e tij i nxorën të burgosurit me marifete të pamendueshme, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, po të zbuloheshin.  Ku janë ato dorëshkrime e pse nuk botohen? A nuk qenka disidencë kjo të krijosh e të shkruajsh në gjendje burgu e internimi? Dikush më kërkonte  të më shpjegonte, se disidente quhen vetëm ata shkrimtarë e intelektualë komunistë, që kundërshtojnë partinë e sitemin e tyre dhe i kundërvihen me vepra shkrimore apo artistike. Po si qenka e mundur që nën diktaturën komuniste në Shqipëri t’i lehohej ketij far lloj disidenti komunist “ndaj partisë e sitsemit ” që te shkruaj e të botojë vepra që nuk ndjekin vijen e realizmit socialist?  Pra kalojmë në një gjendje absurditeti. Kurse te tjerët që u mbyllën në burgje e kampe, duhet të quhen shkrimtarë kundërshtarë. Sepse nuk janë disidentë ndaj partisë e regjimit, por e kundërshtojnë atë e prandaj janë dënuar. Këto janë dokrra që krijohen enkas për te krijue konfuzion dhe për të nënvleftësuar ata që bajtën peshën e rëndë te kryqit mbi shpatullat e tyne, njëkohësisht për t’ju njohur ish shkrimtarëve komunistë të drejtën për të çuar përpara letërsinë e kulturën shqiptare, siç po ndodh.

Përfundimisht unë personalisht nuk e kam dalluar as nuk e dalloj një disidencë të mirëfilltë, bile as edhe një pseudodisidencë që të meritueshme me u quejtë ashtu. Do t’ishte mirë që vëmendja e kritikëve dhe shkrimtarëve që merren me studimin e letërsisë të përqëndrohej mbi këtë kategori shkrimtarësh të dënuar e të masakruar. Kaq kisha me thanë.

Cilët shkrimtarë shqiptarë do të vlerësoni në kohën e diktaturës dhe post diktatoriale?

 Që një shkrimtar të vlerësohet duhet që vepra e tij të pasqyrojë anën e mire të shoqërisë, dhe të dënojë anën e keqe të saj. Në kuptimin që të ruaj ato vlera të mirëfillta që shprehin lirinë e mendimit e të fjalës, të veshur me art, të dyja këto në shënjestrën e censurës së një sistemi diktatorial.Unë nga ana ime mbaj mend ( e them për krahasim) kur vazhdoja studimet ne Itali, në Romë, që nën regjimin fashist kishte lindë e zhvillohej nje linjë letrare, zëdhënëse e asaj diktature,(siç ndodhi tek ne)  që nuk honepsej nga lexuesit, të mësuar me lexue vepra të pa angazhueme me ideologji, ku liria e fjalës dhe e mendimit shprehej nepërmjet talentit dhe aftësive letrare te shkrimtarëve. Kështu, lexuesi italian, lexonte kryesisht veprat e përkthyera nga vendet e tjera perëndimore, ku përparësi kishin shkrimtarët anglezë e amerikanë, si Kronin, Shteinbek,  Lewis, Mitchell, Galsworthy, Walpoole, Mann, etj. E për çudi edhe Shollohovi me Donin e Qetë, disa shkrimarë hungarezë, si Foldi, Zilahy, Kölmendi, Herzog,etj. Gjermanët si Fallada, Rilke, Remarku, etj.  Preferoheshin romane, ku stili letrar ishte i përsosur dhe i lidhur me formën e përmbajtjen e lire.  Aq të shpëlarë  ishin librat e autorëve konformistë të fashizmit plot lëvdata e propaganda për sistemin, sa që nuk  i blinte as i lexonte kush, dhe unë nga ana ime nuk mbaj mend që të kem lexue ndonjë të tillë. Aq neveritës ishin, siç ishin neveritës dengjet e romaneve të epokës së diktaturës, fund e krye propagandë komuniste. Nga ana tjetër propaganda fashiste i ngrinte në qiell si shkrimtarë të mëdhej (siç ndodhte tek ne në Shqiperi). Tani ato kanë përfunduar në koshin e plehrave  e nuk ua di kush as emrin, as përmenden gjëkundi në ndonjë bisedë letrare. U është vënë viza. Nuk vlenin sepse i kishin shërbyer një sistemi diktatorial të urryer.

Tek ne po ndodh e kundërta. Orvaten që me çdo kusht të vlerësohen po ata shkrimtarë e krijues të tjerë ish komunistë, që veprat e tyre i kanë kthyer në atë propagandë të partisë në fuqi e të diktatorit sundues, me justifikimin se pasqyrojnë atë epokë.

Prandaj një letërsi e kushtëzuar ideologjikisht e në shërbim të një sistemi që ka shtypur e terrorizuar popullin e tij, nuk ka si të marrë kunorën e lavdisë. Une për vete time nuk mund t’i radhis në radhën e shkrimtarëve të mirëfilltë, që veprat e tyre ua kanë kushtuar subjekteve të lira dhe i kanë trajtuar me aftësi profesionale e me  frymëzim të lire. Shkrimtarët e kohës së diktaturës nuk kanë si të vlerësohen as nuk mund të vlerësohen, përveçse negativisht, si konformistë dhë në shërbim të atij sistemi, si përçues të ideologjisë dhe të parimeve të imponuara të komunizmit. Çdo vepër e tyre ka vepruar si gryka e automatikut që ka vrarë shkrimtarë, poetë, artiste e intelektualë me vlerë shqiptare, vëllezër të tyre. Ajo letërsi mund të quhet letërsia e mohimit, sepse mohoi kryesisht lirinë dhe të drejtat e njeriut. Mohoi popullin e tij dhe gjithë kulturën e mirëfilltë shqiptare.

Tani, pas komunizmit, jemi në një fazë kërkuese, prove, orvajtjesh. Nuk ka dalë akoma  shkrimtari i madh që të pasqyroje epopenë  tragjike të një populli të terë. Aftësia e shkrimtarëve të mëdhej, eshtë që të pasqyrojnë ato vlera të mëdha të një populli,  që në rastin tone, janë qëndresa vetëmohuese e bijve më të denjë të tij, në luftën  e së mires kundër se keqes, e lirisë dhe e demokracisë kunder diktaturës.

Kthehemi gjithmonë te Iliada e Homerit, te Lufta e Trojës, që mishëron të gjithë luftnat, por që merr kuptimin e paraqitjes së botës së vjetër me gjithë mjedisin e saj e personazhet, që u përjetësuan nga ai poet i madh. Ajo mbetet kryevepra e përhershme e qytetërimit botëror, që frymëzoi e frymëzon të tanë shkrimtarët pasardhës. Por  të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, janë përfaqësues te kohëve që jetuan. Homeri, Virgjili, Dante, Ariosto, Firdusi, Shekspiri, Omar Kajami, Cervantes, Goethe, Hugo, Balzak, etj. na dhanë epokat e tyne  me nivel të lartë artistik. Na dhanë jetën, medimin, traditat, botëkuptimet,  njerëzit e thjeshtë e të shquar, pra botën e tyre shpirtërore e materiale, me të cilën ne njihemi e marri mësim. Në këtë kontekst edhe  Gjergj Fishta  quhet poeti  i madh  kombëtar, pse na dha atë botë shqiptare, shpirtërore, materiale, njerëzore, në  nivelin e një epopeje epiko heroike të një kohë  që nuk përsëritet më. Lahuta e Malcisë përbën një fakt unikal, ku u pasqyrua e u vulos bota e traditave, luftërave, zakoneve, dokeve e kanuneve, heroizmi, krenaria, vetëmohimi, trimnia, besa e burrnia, bukuria e karakteri i femrës shqiptare, etj, veti e virtyte që nuk janë më. Na dha personazhe te nivelit heroik si herojt e Iliadës. Dolën figura të përmasave homerike, si Oso Kuka, Mic Sokoli, Marash Uci, Ali Pasha i Gucisë, Tringa, etj. jo më kot u quejt “Homeri Shqiptar” Dostojevski i anatemuar zuri vendin e vet në podiumin e nderit. Prandaj neve na duhet një Bjelinsk shqiptar, ose disa Bjelinskë, për të venë rregull në letërsinë tone.

Do të thoni, pse kaq skeptik dhe kundërvenës ndaj shkrimtarëve që i shërbyen regjimit dhe atyre të postdiktatures. Si mos te jem i tillë? Kam njohur talente të verteta,  që mund të ishin berë shkrimtarë, poetë  e artiste të nivelit të lartë. Por sistemi i degdisi me hap kanale, me tha këneta, me prashit misër e lakra. Njoh një të ri të talentuar, piktor, të cilin “lufta e klasave” ja mohonte meritat dhe e çoi me gërrye arat e parcelat e bujqësisë, pa asnjë të drejtë studimi artistik.  Më 1990 ai kalon në botën perëndimore, dhe pranohet menjëherë e pa konkurs, në një akademi arti prestigjoze, ku shkëlqen e dipllomohet me notat më të larta, e çmim të pare në pikture. Tani është piktor i afirmuar, bile ka hyrë në enciklopedinë e artistëve të atij vendi. Shqipëria vazhdon të mos e njohë, sepse i përkiste asaj shtrese që ishte persekutuar. Ato talente që hynin në radhën e të deklasuarve e të dënuarve, kosa e diktaturës nuk i kurseu, i zhduku nga faqja e dheut e u mori jetën më aktive. Sot, ata që nuk vdiqën, mund të jenë pleq që mezi ecin e mezi shohin, ose që u dridhet dora, ajo dorë që në liri do të kishte qëndisë vepra të bukura. Prandaj është e zorshme të japësh mendime  kur shapi është përzier me sheqerin. A thue do të dali dikush i aftë që ta bejë atë punë ?

Po e përfundoj me një dëshmi të rrallë, nga një mik i imi profesor e shkrimtar, bashkëvuajtës, që pasi e kishin dënuar disa vjet dhe liruar, nuk kaloi shumë dhe e arrestuan përsëri dhe u gjet para shefit të degës të qytetit të tij. Shiko i tha shefi, t’i njohim e ti vlerësojmë aftësitë, prandaj partia ka menduar me të dhënë dorën. Do të emërohësh profesor dhe do të keshë mundësi të shkruash e të botosh libra. Me një konditë: të pranosh bashkëpunimin me sigurimin e me institucionet e partisë. Që tani je i lirë të japësh mësim si profesor e të tregosh aftësitë e tua letrare, po qe se firmos këtë dokument. Miku im u përgjigj se nuk e pranonte asesi atë lloj propozimi të turpshëm. Paç veten në qafë, i tha shefi. Te pret ose  pushkatimi ose do të kalbësh gjithë jetën në burgje e kampe internimi. Ja ku më keni, më vrisni që tani, ose më dënoni sa të doni, po atë turp nuk ja lejoi vetes. Nuk e pushkatuen por gjithë jeta i kaloi në burgje e internime ku u semur rëndë dhe pas ngjarjeve të 90-s vdiq.  Pra kishte nga ato burra qe nuk u bënte ferr syri para terrorit të diktaturës.

Ju keni 15 vjet që drejtoni revistën “Kuq e Zi”, cili është kontributi i kësaj reviste në Diasporë, dhe cilat janë temat që zënë një vend të gjerë aty?

 Koha kalon shumë shpejt në botën e lirë, dhe 15 vjetët e revistës me duken si 15 ditë.Ideja e një reviste, siç e kam thënë, kishte lindur qysh në atë kohë të dënimeve, ku shpresa për një lirim të plotë, nuk ishte shue kurrë, dhe ja që e fituem lirinë e dolëm në atë vend, në Belgjikë, ku shqiptarët kishin gjetur strehim politik qysh me kohën e Faik Konicës, e ku kishte pa dritën revista “Albania”, nga 1897 deri 1903, e cila vazhdoi të dalë në Londër deri më 1909. Pra qysh nga koha e asaj reviste kishin kaluar 100 vjet, e një tjetër shtyp shqiptar i atij lloj nuk ishte dukur gjëkundi as si një fletë e vetme letre.  Ne erdhëm në Belgjikë, më tetor 1990, dhe nuk m’u desh shumë kohë për të kuptue mangësinë e shtypit shqiptar. Fillimisht isha i zanun me redaktimin e poezive të mija të kohës së burgjeve e kampeve, që arrita t’i mbledh në një liberth: “Ankimi i Zanave” tëcilin e përktheva në dy gjuhë të tjera që zotëroja, frëngjisht e italisht. Pastaj iu vura punës për të krijuar revistën. Punë që e mora përsipër vetë, mbasi isha mjaft i prirun e praktik për të tilla gjëra, dhe njëkohësisht si piktor, e më lehtësohej detyra. Kështu, më tetor – nëntor 1993 doli numri i parë, sigurisht me pakicë, që i shpërndava ndër shokët e tjerë tëvuejtjeve, si Gulljelm Dedan Mark Dema, Mikel Koliqi, Lazer Radi, Ded Gjomarkaj, Eugjen Merlika, Nush Radovani, Gjosho Vasija, Injac zamputi, At Zef Pllumi, Hans-Joachim Lanksch, e të tjerë, që më uruen për këtë nismë. Po ashtu i dhurova dhe bibliotekës kombëtare e bibliotekave të tjera,  dhe disa figurave tënjohura të diaporës, si Prof. Arshi Pipa, Nermin Vlora, Sali Toptani, Dervish Duma,Ton Koka, etj. Të gjithë sa përmenda derisa qenë gjallë, u banë anëtarë nderi e bashkëpunetorë, dhe ky është njënder i madh qëi mbetet revistës.

Revista mori përsipër të zhvillojë një kulturë të shëndoshë të bazuar mbi parimet e Rilindasve, si një tribunë e vërtetë shqiptarizmi. Ajo trajton tema tëndryshme, kulturore, letrare, historike, gjuhësore, dokumentare, e të tjera fusha tëkulturës shqiptare e botërore, por kryesisht ato çështje që u përkasin shqiptarëve. Botohet pa qëllime perfitimi, dhe gjithë ata që punojnë për të e bëjnë falas. Një rast unikal për të cilin krenohemi.
Pra rëndësia e revistës, qëndron në faktin që ajo në një farë mënyre vazhdoi në gjurmët e Konicës, dhe me këmbëngulje u botua kaq vjet rresht dhe mendon se do të vazhdojë edhe për shumë kohë.

Në 15 vjetorin e saj, revista gjen rastin nëpërmjet jush, t’ju urojë bashkatdhetarve kudo janë, mbarësi ne familje e jetë, e suksese në detyrë, në punë dhe në veprimtarinë e tyre intelektuale në dobi të Kombit Shqiptar.

Në prag të festës kombëtare,  Gezuar festën e Flamurit e të 28 Nëntorit.

Cilat janë librat tuaja të botuara dhe a keni gati ndonjë për botim?

Mbasi mori udhë botimi i revistës u përqëndrova në shkrimet e mija e më dolën shumë variante e detyra: Së pari duhej shkruar për atë kohë dhe për atë pjesë të historisë shqiptare që ishte mbuluar me harresën deformuar e sakatuar, duke qenë vetë dëshmitar i shumë fakteve, nëpërmjet prindit tim, Gjeneral Prenk Pervizi, një figure prestigjoze ushtarake që kishte përcjellë gjithë historinë e re shqiptare, nga 1918 deri kur vdiq më 1977 në Belgjikë, ku kishte gjetëstrehim politik, si rrjedhim duhej shkruar edhe biografia e tij e plotë. Duhej shkruar për denimet, burgje e kampet, për kujtimet e mija, për vllaznit e familjen nëtërësi, por ja që liria të jep shumë mundësi dhe të hap të gjitha dritaret e dyertë e mundshme të bibliotekave e të arshivave. I dhanun edhe pas historisë, e pas figurës kombëtare  të Gjergj Kastriot Skaderbeut, përkrah të cilit kishin luftuar të parët e mij, ja që më bie në dorë vepra origjinale e Dhimitër Frangut, këshilltarit e shoqëruesit të Skanderbeut, qëi kishte ndenjur pranë gjithë kohën  e luftrave dhe të veprimtarisë sëPrincit të madh krutan. Menjëherë e përktheva dhe e botova në Shqipëri, si një dokument faktik i jetës dhe veprave të Skanderbeut, për të hedhë poshtë gjithë trillimet dhe hamendjet për të, që filluan të përhapin paturpërisht disa individë pseudohistorianë,  fatkeqësisht shqiptarë, sepse të huajt edhe mund ta bënin atë punë, por për çudi nuk e kanë berë e në të kundërtën i kanë thurur lavde. Akademia dhe Instituti i Historisë me historianët e njihnin veprën e Frangut, por nuk i kishin dhënë rëndësi duke ngritur në qiell si ‘bible” veprën e Barletit. Ndersa Barleti vet e kishte marrë (vjedhur) veprën latinisht të Frangut, duke ndërtuar veprën e tij mbi të, e duke i shtue rrëfime absurde e fantastike dhe fjalime të pavend tëSkanderbeut.

Për këtë përkthim pata një vlerësim dhe Unioni Kombëtar i Artistëve më dekoroi me një çmim.  Historianët dhe akademikët mbetën gojë mbyllur, sepse kishin shkelur të drejtën eskluzive tëAt Dhimiter Frangut, si shkrimtari i parë që shkruejti veprën e parë, jetën e veprat e Skanderbeut, që më vonë kur u përkthye italisht, njohu botime të shumta,

17 vetëm në Venecia, si dhe të tjera në vende të ndryshme europiane. Kjo nuk i heq asgjë veprës së Barletit, por është mirë që haka të vejë tek i zoti.
Përkthimi u realizua nga italishtja e vjetër, ku isha mjaft i thelluar duke pas lexuar pothuejse të gjithë librat e asaj kohe, nga Dante e më vonë.  Kështu më doli prap punë me përkthye një autor e historian italian tërilindjes, 1531, që dhe ky kishte përvetësuar librin latinisht të Frangut dhe e kishte përkthyer e botuar si të vetin. Ky ishte Paolo Jovio, peshkop i Noçeres dhe koleksionist i madh veprash artistike, portretet e njerëzve të shquar, ku figuronte dhe portreti i Skanderbeut, që quhet më i sakti dhe që është ai që ruhet në “Galeria degli  Uffizi në Firenze.
Kjo valë përkthimesh më shtyri tëpërkthej nga frëngjishtja një libër mbi pellazget e  pasardhësit e tyre, qe simbas autorit, Eduard Shnaider, ishin Shqiptaret. Libri ishte botuar ne Paris me 1894. Duke qenë se e ndjek fillin historik të prejardhjes së shqiptarëve  nga Pellasget, e përktheva dhe është gati për botim, vitin e ardhshëm. Edhe libri i Paolo Jovios është për t’u botuar. Gjithashtu për botim kam një libër mbi babain tim  sipas relacioneve të tija origjinale për luftën e Abisinise 1935-36, ku ai përfaqësonte Shqipërinë në Komisionin e Vëzhguesve Ndërkombetarë dhe manovrat e Mëdha. Kam dhe librin “Lahutari Shqiptar”, një përmbledhje kangësh rapsodike popullore të krijuara nga të burgosur e të internuar nën diktaturën. Një libër me rëndësi unike, sepse aty shprehet fjala e mendimi i popullit. Një tjetër vepër origjinale imja për botim,  është një libër mbi historinë e shqiptarëve, nga origjina deri më sot, sipas një teorie të re. Këtë libër e kam çuar për botim frëngjisht në Paris, sepse atë e kam shkruar fillimisht frëngjisht, duke parë se historia e  Shqipërisë nuk njihet fare nëvendet e huaja, me titull “Albanie, pays à connaître” (Shqiperia vend për t’u njohur). Kam në shkrim e sipër, një përmbledhje poezish të krijuara në kushtet e reja të lirisë, si dhe të tjera lidhur me familjen, si një poemë familjare në tingellimë njëmbëdhjetë rrokshe. Monografitë e vllazënve të mij, Valentin e Genci, të dy të vdekur, njeni, Genci, ne kampin e Gradishtes, pas 42 vjet burgje e kampe, e tjeri, Valentini, që pas 47 vjet burgjesh e kampesh, u bashkua në Itali me te shoqen italiane,  e ku vdiq me 1999 në Bologna.

Ju keni qenë një jetë të tërë burgjeve, internimeve, cfarë tmerresh do të kujtonit më së shumti për atë kohe?

 Kjo pyetje e ka përgjigjen direkte. Tmerri që nuk mund të hiqet nga kujtimi është terrori që u ushtrua mbi intelektualët shqiptarë që u zhdukën nëpërmjet pushkatimeve me e pa gjyqe, dhe u burgosën masivisht duke iu nënështrue punës së detyrueshme shumë të rëndë, sa që ato kampe pune u quejtën kampe shfarosjeje. Tmerri i kampit të Tepelenës që u be sinonim i terrorit qe ushtrohej mbi qenje njerezore krejtesisht te pafajshme, si pleq e plaka, nëna e fëmijë, burra e gra, familje të tëra,  nga të gjitha anët e Shqipërisë, pa dallim.

Por tmerri më i rëndë është ai personal, ku të dashurit tanë vdiqën në ato kushte mizore : gjyshja, quhej nënë vogla, që vdiq në kampin e Tepelenës 90 vjeçe. A ka më akuzë të rëndë për kriminelët ? Sa pleq të tjerë si ajo humbën jetën, e varret nuk u gjenden ? Mama, edhe ajo e internuar me 1945 njohu vetëm kampe internimi nga Berati, ne Tepelene, Portopalermo, Gradishtë e Plug të Lushnjes, ku vdiq më 1977 në moshn 77 vjeçe pas 32 vjet internim. Vellai Genci, i cili vdiq në Gradishte të Lushnjës më 1989, pas 42 vjet burg – internim. Me vdekjen e pjesëtarëv të familjes  dhe të kushërinjve në Tepelenë, me të vrare e tëpushkatuar, e të vdekur në burgje e kampe familja jonë e pagoi me 16 viktima : 12 burra, dy gra e dy fëmijë, varri i të cilëve, përveç të mamës e të Gencit, nuk dihen ku janë. Këtyre, t’u shtohet eliminimi i  njerezve, besnikëve e miqve tanë. Janë me dhjetra që u pushkatuan. Ndër ta shume intelektualë, të cilët u zhdukën pa lënë gjurmë, ku disa prej atyre figurave  të shquara vinin në shtëpinë tonë: si Gjeneralët Aqif Përmeti e Gustav Mirdashi, Patër Anton Harapi, Pater Lek Luli, Dom Shtjefën Kurti, Cen Elez Ndreu, Patër Klement Miraj, Mark e Llesh Gjomarakaj, Dom Ndue (Anton) Zogaj, të gjithe të pushkatuar.

 Si e pritët vdekjen e Enver Hoxhës, dhe ku ishit në atë kohë?

Ishte një lajm i papritur që sillte një lehtësim shpirtëror.  Diktatori i hiqej qafet shqiptarëve, mbi të cilët kishte ushtruar terror të paparë gjatë 40 vjetëve. Ngjallej shpresa e një ndryshimi që ta çonte Shqipërinë në drejtimin e saj të natyrshëm, drejt Europës . Një e  keqe e madhe i hiqej Shqipërisë. Njerëzit nuk e përmbanin në vetvete atë ndjenjë lehtësuese që ishte një shpresë  e gëzim për një shpëtimi t’ardhshëm. Të gjithë, dhe vetëkomunistët, pa çka se derdhnin lot krokodili, edhe ata e ndjenin  shpëtimin nga hija e tij e rëndë që peshonte si shpata e Demokleut edhe mbi ta, e që kishte qërue hesapet edhe me shumë prej tyre.

Unë gjendesha në shtëpi me gjithë gruen e djalin e vogël, 9 vjeç. Lajmin e morëm nga radio. Nuk lëvizëm fare nga shtëpia. Por pak më përpara kisha një punëtë zyrat e sektorit, dhe vërejta që ato të zyrave më shikonin sikur nuk më kishin njohur kurrë. Ato e paskëshin ditë dhe kërkonin të kuptonin në se unë dija gjë, e në qofte se dija, çfarë shprehje kisha të gezuar apo …hiq gjë. Ec e merre vesh se ku iu shkonte mendja!

Të nesermen në mengjes herët, unë kisha dalë para zyrave ku më bëhej apeli. Isha i vetmi që bëja apel dy tri herë në ditë aty në Plug. Bënte ftohtë dhe kisha veshë pallton. Prit e prit, kryetari i Këshillit nuk po dukej. Kur dëgjoj një zë, ai kishte dalë në dritaren e pallatit kundruell ku banonte  e ma bënte me dorë që të shkoja.
Të nesërmen në brigadat mbajtën mbledhje ku u tha se Lek Pervizi, ndërsa bëhej ceremonia mortore, shetiste si kapadai, poshtë e lartë sektorit nga gëzimi. Ndërsa për gruan time kishin folë se ajo ia kishte marrë këngës duke kënduar arie operash në fushë. Çështja ime u mbyll, sepse ishte kryetari i këshillit që e dinte se unë isha duke prit apelin pa luajtur vendit. Kurse për gruan u bë problem. Erdhi operativi, i cili thirri ato vajzat që kishin nxjerrë llafin e këngëve e që punonin në një brigadë me gruan time, për të bërë një proces verbal për incidentin. Me atë proces verbal gruaja mund të arrestohej e dënohej. Operativi u kërkoi vajzave të tregonin të vërteten sepse përndryshe e çonin shoqen e tyre në burg. Ishte sekretarja e partisë së sektorit që e kishte kurdisë atë punë. Kur operativi i pyeti vajzat, se a kishte kënduar Beba atë ditë në fushë, ato i thanë se Beba këndonte gjithmone në fushë, e atë ditë ajo nuk kishte qenë në punë. Doli problemi pse nuk kishte shkue në punë. Shyqyr që brigadieri pohoi se e kishte lënë gruen pushim dy ditë sepse ajo kishte punuar dy të djela.  Edhe ajo çështje u mbyll e lindi tjetra. Doli  problemi i djalit tim 9 vjeç, që i paskej thënë një shoku të tij 5 vjeç, kur po luenin, se aty po më rreh mua se ka vdek Enveri.  U mblodh shkolla. Erdhën operativi e sekretarja e partisë e cila e mbante në prehër fëmijën 5 vjeçe, duke i kërkuar të thoshte se ç’kishte thënë Aureli, djali im. Aureli përgjigjej që nuk kishte  thënë asgjë. Një komedi e sajuar nga sekretarja, për të goditur mua e familjen. Të nesërmen kur Aureli shkoi në shkollë, e sulmojnë fëmijët e tjerë dhe e rrahin, e njeri e kërcënon me një kacavidë që të pranonte se kishte thënë: “aty po më rreh mua se ka vdekur Enveri”. Në fushë qarkullonte fjala e partisë, se duhet të  shikoni se kush janë armiqtë e popullit. Djali i Lek Pervizit, kështu ka thënë, e i ati Leka shetit nëpër sektor si kapadai, ditën e varrimit, e shoqja këndon opera në fushë, për tëshprehur gëzimin për vdekjen e udhëheqësit tonë të ndritur. etj. etj. Në fakt vdekja e diktatorit ishte një shpëtim për të gjithë. Për ata që kanë ndjekur televizionin shqiptar, sa ishte gjallë  Enveri, kohët e fundit, gjithë anëtarët e Byrosë politike ishin tharë e bërë si ceraga të tymosura e nuk u qeshte fytyra. Ata e ndienin shpatën që u rrinte e varur mbi kokë. Pas një muaji  nga vdekja e diktatorit, ata e kishin marrë veten. Dukeshin të ripërtërirë e të shendoshur  e gjithë shend e verë, sikur kishin shpëtuar nga një rrezik i madh. Kur ata? Po populli ? edhe populli, po e ndiente afrimin e paevitueshëm të ndryshimit për më mirë, që ishte shëmbja e diktaturës.

C’ndjeu Lek Pervizi kur u rrëzua busti i Enverit dhe a kishit shpresë se po vinte demokracia e vërtetë?

 Isha në Bruksel në shtëpi duke ndjekur lajmet televizive, ku pa pritur doli pamja e shëmbjes së monumentit të diktatorit me turmën e madhe të popullit në eufori festive. Diktatura komuniste kishte marrë fund. Ishte një ndjenjë gëzimi që na pushtoi, e gjithëfamilja, gruaja dhe tre djemtë u grumbulluan aty për të parë atë ngjarje të madhe historike, që u shfaq gjithë atë ditë dhe ditë të tjera. Populli shqiptar po i jepte fund me guxim, njeherë e përgjithmonë, sistemit të urryer komunist, ku me shëmbjen e statujës së Enver Hoxhës mbyllej  epoka më e  errët e më e përgjakur e historisë sonë. Patjetër se ajo ngjarje hapte rrugën e Shqipërisë, drejt lirisë e demokracisë. Shqiptarët duhej të kuptonin e të kuptojnë se vendi ndodhej si para një tërmeti shkatërrues, ku paraqitej nevoja që të rindërtohej bashkarisht. Pra duhej punë e mirëkuptim nga një anë, por duhej edhe vendosmëri nga ana tjetër, ku ata që kanë qenë shkaktarë krimesh e persekutimesh, tëlargohen në shtëpitë e tyre e të gëzojnë atë pension që u jepet. Të lozin domino e të shëtisin ku ta kenë qejfin, por të mos fusin përsëri turinjtë  aty ku nuk duhet e ku nuk kanë të drejtë të përziehen. Pas shëmbjes së bustit patjetër se lindën  shpresat për vendosjen e demokracisë edhe në Shqipëri. Sipas meje, pavarësisht nga disa probleme tëbrendshme, Shqipëria do ta gjejë vendin e vet kur të hyjë në Europë, atëhere është më se e sigurtë se demokracia do të vendoset e të lulezojë në Shqipëri si në vendet e tjera europiane.

Si u njohët me bashkëshorten tuaj, të quajtur ndryshe bebe,  si ishte martesa juaj, castet romantike në internim, dhe mund të më flisni dhe për femijët tuaj?

 Edhe çastet romantike nuk kanë munguar nëatë errësirë skëterrore, si rreze dielli mes stuhisë. Kështu e mendoj unë njohjen e martesën  me shoqen time të jetës. Ajo quhej Gjuliana Malaj, e bija e Nikoll Malajt, i cili ishte arratisur në korrik 1948, kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë. Gjuliana katër muajshe, me t’amen Zorka, me origjinë malazeze, u intenuan menjëherë dhe i degdisën në Berat në korrik 1948, dhe pastaj nëTepelenë, ku ajo u rrit e u bë gjashtë vjeçe e aty fitoi emrin “Beba”, sepse ishte një nga fëmijët e paktë, dhe më i vogli, që i shpëtoi vdekjes masive të fëmijëve.

Kështu Beba erdhi në Plug të Lushnjës ku u rrit e u bë një vajzë e bukur që tërhiqte vëmëndjen e të rinjve që i vinin rrotull, por më kot. Ajo i kishte bërë planet e veta dhe e kishte fiksuar mendjen aty ku nuk i shkonte mendja askujt, aq ma pak të interesuarit, që e shoqëronte dhe e respektonte me sinqeritet e me shpirt kalorsiak si një vajzë e kampit. Kjo kishte në një farë mënyre një ngjasim me filmin me Zhan Marene, i cili rriti vajzën që ia kishte lënë amanet i jati i vrarë, dhe më në fund kur vajza u rrit u dashurua dhe u martua me të. Kjo pak a shumë është historia sentimentale që na bashkoi neve, qëprej 43 vjet, me tre djem.  Në Tepelenë, ku kisha nanën time, e ama e Bebes, që shkonte në punë, ia linte vajzën asaj dhe mua, që asokohe isha i sëmurë rëndë e nuk më nxirrnin në punë. Kështu që Beba u rrit pothuajse me ne. Dhe erdhën ditët e mëvonshme, kur ajo u rrit dhe zgjodhi të bashkohet me mua, bile të rrijë, sepse s’amës i doli leja me u kthye të prindët në Mal të Zi, me tre kalamajtë e tjerë të mitur. Bebes i kërkuan që të plotësonte një formular ku ajo pranonte me shkue me t’amen e vllaznit. Ajo e mori formularin dhe e grisi para syve të çuditun të oficerit të degës që ia kishte dhënë: “E kam zgjedhur fatin tim, do të rri me Lekën”. Operativi kishte tundur kokën si me thënë, a e di se me kë je bashkuar ? Me të birin e Gjeneralit. E armikut nr.1 të popullit.  Zi e më zi ka me të shkue jeta.
E kështu ndejti me mua për të shijuar jetën e internimit e të punës në fushat e  parcelat e bujqësisë nga mëngjesi deri në darkë, pa pushuar një ditë.  Ishte fati yne që u shemb diktatura e dolëm në Belgjikë, për të harruar ate të kaluar tëkobshme dhe shijuar pakëz jetë të lirë nga koha që na ka mbetur për të jetuar.

U preka shumë që ju midis personaliteteve që keni pasur kontakt direkt, përmendni dhe intelektualin erudit prej Prizreni, z.Lazër Radi, me të cilin kam pasur një miqësi familjare disavjecare, deri sa na ndau viti i mbrapshtë i 97-es, c’mund të kujtoni nga bisedat intelektuale me të, dhe si ndihej ai për Kosovën, por që ishte burgosur dhe internuar tërë jetën në tokën amë?

Emnin dhe shkrimet e jueja znj.Zylo i kam ndjekur, e më vjen mirë që i perkisni asaj shtrese intelektualësh që e kanë të qartë se diktatura komuniste e katandisi Shqipërinë si një vathë bagëtish, ku kasapi zgjedh berret që do të theri. Ndryshe nuk mund të mendohet ajo e kaluar që bani kërdinë kryesisht mbi shtresën intelektuale të formuar në shkollat më të mira të Europës .

Me  Lazër Radin jam njohur për pamje në Savër më 1954. Kam kaluar 20 vjet me të në kondita të ndryshme.  Së pari na mbyllën në kampin e Shtyllazit e të Radostinës (Fier) me nja 90 të internuar të tjerë ngjitur me kampin e të burgosurve, që hapnin një kanal vaditës, ku na kishin futur dhe neve për të punuar. Pastaj na hoqën e na çuen nëKuç të Kurveleshit ku ndejtëm të izoluar tre vjet, 1955-1958. Këtu u njohëm më mirë dhe zumë miqësi, ai kishte njohur edhe babanë tim dhe kështu miqësia u forcua.
Siç e kam thënë, aty në Kuç ishte mbledhë ajka e intelektualëve që i kishin shpëtuar pushkatimit, por jo burgjeve e internimeve. Lazri ishte një intelektual i mirë dhe shumë i përgatitur, nga ana kulturore vlerësohej nga të gjithë. Bisedat tona, në atë mjedis i përkisnin më tepër letërsisë, sepse kishim disa profesorë dhe shkrimtarë që ngjallnin këto biseda. Nga Kuçi na çuen në Lushnje, e këtu na caktuan me punue si marangoza dhe si dizenjatora për fermën “29 Nëntori”. Nga viti 1958 e dri 1978, plot njëzet vjet punova me Lazrin, dhe veçanërisht në punë si disenjatorë e piktorë, kishim kohë me u prrallisë e bisedat tona gjthmonë rrihnin mbi kulturën, letërsine, poezinë, librat, të ardhmen etj. Kur të shkojme në Itali e gjetkë, më thoshte  Lazri ndër të tjera, ti do të merresh me pikturë, dhe unë do të bëhem menaxheri yt, sepse ti si piktor nuk merresh dot me punën e organizimit të ekzpozitave e të porosive që mund të vijnë. Lazri më konsideronte si një piktor të madh, të cilit ia kishte pre rriskun diktatura, por do të vinte ajo kohë që të fitonim lirinë dhe talenti im do të afirmohej. Kjo ndër të tjera një lloj bisede. Flisnim dhe për shkrime. Ai diçka merrej me shkrime, por më shumë kujdes, pa ra në sy. Me mua bisedonte çdo gjë, edhe nga ato bisedat më komprometuese e të rrezikshme. Por gjithçka mbetej brenda nesh. Edhe për perspektivën e botimit të një reviste kulturore flisnim, se si mund të botohej jashtë shtetit, si Konica.  Pra ishin biseda frymëzuese për t’ardhmen, në kuptimin se edhe në konditat pa rrugëdalje, na mbante shpresa e shpëtimit.
Për Kosovën ai kishte  nostalgji të madhe. Emocionohej kur kujtonte fëmininë.

Familje jo e pasur. Mbante mend  e dëshpërohej për keqtrajtimin nga ana e serbëve, që donin me kolonizue vendin dhe i detyruen me e braktis Kosovën e me kërkue shpëtim në Shqipëri.  Kur erdhën në Shqipëri në kohën e Zogut, patën vështirësi. Ai e ndoqi dhe e mbaroi shkollën në Shkodër , me bursë shteti. Por u dallua shumë në mësime e doli shkëlqyeshëm në maturë.  Fitoi bursën për në Itali, ku zgjodhi drejtësinë, dhe në mbrojtjen e dipllomës, mori komentin dhe analizën e Kanunit të Lek Dukagjinit, duke befasuar komisionin dhe duke u dipllomuar me notat më të larta 30 me lode. U mor me gazetari e artikuj të ndryshëm edhe me temë letrare, si poezi e të tjera shkrime.  Nga ana politike, ai kishte besim se Kosova do ta fitojë Pavarësinë dhe se nuk do të shkojë vonë e do të bashkohej me Shqipërinë në një shtet të vetëm. Për atë ishte një arritje e pashmangshme, sepse kohët kishin ndryshuar dhe forca e Serbisë sa vinte  dobësohej. Serbia do të dorëzohej pa shpresë ndaj fitimit të pavarësisë së Kosovës, dhe të bashkimit të saj me shtetin amë. Kur u shëmb diktatura desh me shkrue çka kishte blue në mendje gjithë kohën e dënimeve, dhe botoi disa libra, sa me ndie kënaqësinë intelektuale për të cilën ishte i prirun. Por ishte tepër vonë. Mosha dhe vuajtjet e pësuara, ia prenë edhe atë pak jetë që i kishte mbetur. Me ’97 m’i dergoi me një mik, të gjithë librat e tij me këto fjale: “ Po ti çoj ti ruejsh, se po kthehet prapë komunizmi, nabarë të shpëtojnë këto pak vepra sa mos me mu harrue emni”. Ai kishte besim te madh tek une. Por edhe unë nuk mund të bëja mrekullira, pavarësisht se e kisha natyrën e tillë, të organizimit e të vendosmërisë si dhe të kapacitetit krijues. Por si thonë, trimi i mirë me shokë shumë, ndërsa  kisha mbetur vetëm dhe në dhe të huaj. Ato shokë  nuk  ishin më, mua nuk më mbetej veçse me percjell amanetin e tyre për të mos mbetur të harruar.

Ju faleminderit për mundësinë që më dhatë për të shprehur disa mendime vetjake.

Të pakta, por të sakta.

Ishte kënaqësia jonë z.Pervizi t’ju intervistonim për publikun e gjerë dhe për ta njohur atë më nga afër me vuajtjet dhe tmerret tuaja nga sistemi diktatorial!

Ju urojmë jetë të gjate ju dhe znj.Bebe, shëndet dhe lumturi në familjen tuaj!

 

 Bisedoi:Nga Këze Kozeta Zylo

 

Filed Under: Featured Tagged With: ju tregoj ferrin, leke Previzi

Intervistë nga Çikago me z. Izet Mexhitin

March 5, 2014 by dgreca

Mexhiti : Fitorja e deputetit nga Amerika e institucionalizon zyrtarisht  faktorin shqiptarë nga diaspora në Parlamentin e Maqedonisë/

CHICAGO : Bashkë me nënkryetarin e BDI-së, zotëri Izet Mexhiti, Kryetar i Komunës së Çairit në Shkup, i autorizuar si përgjegjës për diasporën në këto zgjedhje, për vizitë erdhën në Çikago Qëndrën Kulturore Shqiptare, edhe krerët e dy komunave të cilat dihet se kan edhe numërin më të madh të mërgimtarëve shqiptarë në Amerikë, atë të Kërçovës dhe Dibrës, zotin Fatmir Dehari dhe zotin Ruzhdi Lata. Vizita e tyre ishte e lidhur me emrin e kandidatit të diasporës shqiptare nga SHBA dhe Kanadaja, që do të garojë në zgjedhjet e radhës parlamentare në Republikën e Maqedonisë. Vendimi është unifikuar nga përfaqësuesit që morën pjesë në takimin në Qendrën Kulturore Shqiptare ne Çikago, ku u vendosë që për njësinë numër 8 që përfshinë SHBA dhe Kanadanë, të jetë zotëri Tefik Abdullahu,një mërgimtar nga Prespa që ka disa vjetë që jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Pas zgjedhjes së Abdullahut, gazetari ynë në SHBA , Beqir Sina bisedojë me të autorizuarin si përgjegjës për diasporën në këto zgjedhje, nga partia më e madhe shqiptare në Maqedoni BDI,nënkryetarin e BDI-së, zotëri Izet Mexhiti, i cili njëhereshit është dhe Kryetar i Komunës së Çairit në Shkup.

Mexhiti tha se : “Megjithëse, dihet se cilat parti politike fitojnë, ne këtu jemi për faktorizimin e faktorit shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Natyrisht që kështu “lufta’ do të jetë në mes BDI-së, dhe VMRO-DMPN -së, edhe në Maqedoni por edhe në disaporë, Europë, Australi dhe SHBA. Por, edhe në formatimin e qeverisë së ardhëshme.”

Beqir Sina “Çfarë do të thotë për ju zgjedhje të parakoheshme ? mbasi ju jeni në qeveri apo jo !

Mexhiti : Këto zgjedhje të parakohshme nuk janë zgjedhje që do të përcaktojnë se do të fitojë pozita apo opozita, pasi disponimi i opinionit është i qartë, por janë zgjedhje që do përcaktojnë se kush do të faktorizohet më shumë në qeverinë e ardhshme, BDI-ja apo VMRO DPMNE-ja

Beqir Sina : Cili është qëllimi i vizitës suaj ?

Mexhiti : Në Maqedoni, ka zgjedhje të parakohëshme paralamenatre. Në këto zgjedhje edhe sipas anketave dhe te gjitha gjasave – ose prognozave politike, nuk ka dilem se kush do të fitojë .Çka do të thotë edhe në anën Maqedonase edhe atë Shqiptarë në Maqedoni. Megjithëse, dihet se cilat parti politike fitojnë, ne këtu jemi për faktorizimin e faktorit shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Natyrisht që kështu “lufta’ do të jetë në mes BDI-së, dhe VMRO-DMPN -së, edhe në Maqedoni por edhe në disaporë, Europë, Australi dhe SHBA. Por, edhe në formatimin e qeverisë së ardhëshme.

Ne kemi pasur një përvëojë të hidhur në vitin 2011 ku në diasporë fituan 3 kandidatët maqadonas. Kundrjet kësaj tani kemi një qasje krejt tjetër,  dhe vimë me euforinë e zgjedhje lokale, ku shëmbulli i Kërçovës, ne bindëshëm e fituam me kandidatin tonë, atje, dhe për herë të parë kemi një kryetar shqiptar atje zotin Fatmir Dehari, ndërkohë, që në Strugë u betonua fituesi shqiptar, dhe tash vijmë me një qasje tejet serioze dhe pretendim që do të thotë edhe në diasporë do të korrim fitore me kandidatët shqiptarë.

Dhe për këtë jemi këtu në funksion të unitetit të diasporës, që të mos përçahen votat  posaqërisht në SHBA ku ka një rëndësis shumë të madhe për ne atje por edhe për shqiptarët e Amerikës. Ngaqë, për shkak se një numër i madh i diasporës, nuk posedojnë dokumentacionin ligjor zgjedhor të rregullt , andaj mendojë se nuk kemi kohë për eksperimente të tilla më. Shqiptarët duhet të dalin të unifikuar gjithësesi në këto zgjidhje në diasporë për t’ja arritur edhe qëllimit tonë, që në SHBA të kemi deputetin shqiptarë ashtu si edhe në Europë, por edhe të sfidojmë edhe Australinë.

Beqir Sina : A keni të përcaktuar ndonjë lloj kriteri për zgjedhjen e kandidatit nga diaspora – apo do të shkohet nga ajo që vetëm e vetëm të jetë shqiptarë i mirë ?

Mexhiti : Duke parë kohën që kemi në dispozicion dhe duke parë atë se çfarë ndodhi me zgjedhjet e vitit 2011 ku ne i humbëm zgjedhjet në diasporë, nuk kemi vendosur asnjë llojë kriteri kësaj rradhe. Të kuptohemi ju çdokush mund të vendos të jetë kandidat dhe të lëjë Amerikën dhe të përkushtohet atje në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë. Megjithëse, kësaj radhe ne jemi pak më liberal rreth kritereve sepse jemi të bindur se do t’a sfidojmë kundërshtarin tonë maqedonas, duke e “thyer akullin” në diasporë. Ndërsa, ju sigurojë se herën tjetër, do të kemi kritere të përcaktuara mirë për këtë çështje që këron pak punë në përcaktimin e saj. Për të krijuar me të vërtet një garë të kualiteteve dhe kritereve që duhen përcaktuar mirë në diasporë. Por tash për tash në këtë sfidë jemi të përkushtuar si e thashë edhe më sipër vetëm drejt unitetit i cili natyrisht si shihet është i vetmi kriter, i cili “do të këtë përkrahjen e unanime të të gjitha subjekteve politike dhe shoqërorë që gravitojnë në mesin e shoqatave shqiptare nga Maqedonia në diasporë”.

Beqir Sina : Ju flisni gjithmonë për një unitet në këto zgjedhje, për një deputet shqiptar nga Amerika. Faktikisht, këtu kemi tre kryetar nga i njëjti subjekt politik , si e shpjegoni ju këtë ? a kemi një cënim të unitetit apo jo !

Mexhiti : E kuptoj drejt pyetjen tuaj – por, duhet te keni parasyshë se BDI -ja prej themelimit të saj  2002 -2014,  në mënyrë plebishitare do të thoja, është ajo që fiton në votën e shqiptarëve në Maqedoni deri në 70 për qind të elektoratit shqiptarë dhe duhet të ketë parasyshë se në diasporë ka dy subjekte, që më së shumti pretendojnë  të sfidojnë njëra tjetrën . Pra, është VMRO – DPMNE-ja  cila ka strukturat e veta në disaporë me komunitetin maqedonas  dhe për shqiptarët është Bashkimi Demokratik për Integrim që rrjedh nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare  dhe që ka strukturat e saj në diasporë.

Kjo pra është arsyeja që ne jemi tre kryetar të të njëjtit subjekt politik, i cili po bën thirrje diasporës shqiptare, së pari të regjistrohet dhe dalë masivisht në votimet , të mos dalim me kandidat partiak, të jemi të unifikuar, dhe jo kandidat të përcaktuar nga ne, por nga ata që do të zgjedhin shoqatat e organizatat e komunitetit shqiptarë të cilat gravitojnë në SHBA. Pra, kemi një projekt kombëtar në diasporë që duhet të fitojnë këta kandidatë shqiptarë, sikurse ne garën politike, e kemi brenda në Republikën e Maqedonisë.

Beqir Sina : Në se do të bënit një konkluzion të qëndrimit tuaj në SHBA, rreth këtij qëllimi të cilin e përmendet më lartë, cili do të ishte ai ?

Mexhiti :  Ndaj edhe jemi këtu, për të faktorizuar vullnetin shqiptar!”,  Mendojë se jemi shumë afër qëllimit tonë, duke shkuar drejt unifikimit të faktorit gjithë shqiptarë në këtë proces,  do të dalim me një kandidatë  i cili mendojmë se do të ketë përkrahjen unanime të kësaj diaspore, pjesës dërrmuese të shoqatave shqiptare nga Maqedonia, në të gjitha vendbanimet në SHBA, dhe në Kanada. Sepse,  kjo është e vtmja mënyrë për të korrur një fitore të sigurtë dhe t’ja ia arrijmë qëllimit në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni – ku shqiptarët e Amerikës nga Maqedonia do të kenë përfaqësuesin e tyre zërin e tyre institucional në Parlamentin e Maqedonisë.

Intervistojë Beqir Sina

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Beqir Sina, Cikago, Interviste, izet Mexhiti

PIKTORI I POPULLIT SKENDER KAMBERI

March 5, 2014 by dgreca

1700 VEPRA ARTI –NE 75 VJETORIN E DITELINDJES /

Nga Luan Çipi/

Piktori i Popullit Skënder Kamberi e festoi 75 vjetorin e lindjes me madhështi, ashtu si e meritonte, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në prezencë të qindra miqve e shokëve të tij artistë e njerëz të thjeshtë; ardhur nga të katër anët e vendit, e deri deputet e burra shteti. U shfaq një film dokumentar i bukur i krijuar posaçërisht nga studiuesi Ylli Drishti, që paraqiti jetën dhe krijimtarinë e tij më të spikatur, si dhe u ekspozuan 54 nga veprat e tij të shquara.

Ne, Vlonjatët, kemi të drejtë krenohemi për Skënder Kamberin. Ai, lindi në vitin 1939 në qytetin e Vlorës dhe tani i takon gjithë Shqipërisë, mandej i ka kaluar dukshëm kufijtë e vendit, si rrallë kush, deri ne Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikë. Më shumë se gjysmë shekulli me penelin e tij të artë, artisti i njohur ka merituar  vend nderi në artin shqiptar, me 1700  kompozime, portrete dhe pejsazhe, ndërsa fama e krijimtarisë së tij artistike, nëpërmjet ekspozitave të shumta, është vlerësuar në shumë shtete të botës, si në Itali, Gjermani, Francë, Greqi, Turqi, Austri, Rumani, Egjypt, Algjeri e deri në Kinë e Amerikë, ku ende admirohen mbi 300 vepra dinjitose të tij. Piktori i Popullit Shqiptar dhe Qytetari i Nderit i Qytetit të Vlorës Skënder Kamberi,  në vitin 2000 u shpall dhe nga  Qendra Biografike e Kembrixhit, ”Njeriu Ndërkombëtar i Pëlqyer në Fushën e Artit”.

Skënder Kamberi, pasi përfundoi me sukses mësimet në Liceun Artistik dhe në Akademinë e Arteve në Tiranë, u emërua në qytetin e tij të lindjes, ku u krijua ajo bashkësi e traditë, që u quajt “Shkolla Vlonjate e Pikturës”, në të cilën u renditën suksesshëm Nestor Jonuzi, Petrit Ceno, Rakip Shabani, Ilmi Bani, Agron Dine, Sabaudin Xhaferi, Agim Sulo dhe dhjetëra piktorë tepër të talentuar.

Piktura e Skënder Kamberit dallohet nga larg, se e ka të stamposur talentin e tij të rrallë dhe shquhet për koloritin e zgjedhur dhe idetë e përmbajtjen e shëndoshë artistike, që nis me përjetimin e traditave historike dhe të mbresave e fakteve nga jeta e përditshme: Skënderbeu, Vrana Konti, Kapedan Sali Vranishti, Naimi, Vaso Pasha, Dora Distria,  Kosova, Bukuria e Duarve Tona dhe deri te vajzat e bukura të Shqipërisë.

Piktori i Popullit Nestor Jonuzi, që gjatë gjithë jetës s tij artistike ka qenë i pandarë me të, me të drejtë tha në fjalën e hapjes së ekspozitës, se” Skënder Kamberi, ligjëroi me ngjyrën, kur të tjerët ende belbëzonin me të”.

Piktura e artistit vlonjat Skënder Kamberi është gjithnjë e freskët, produkt i lojës me ngjyrat. Veprat e tij janë sa historike, aq origjinale dhe moderne e bashkëkohore, besnike të natyrës  dhe  fantazisë, gjithnjë dinamike dhe ekspresive dhe shpesh impresioniste dhe ekspresioniste. Ato janë krijuar të inspiruar nga bukuritë e pa reshtura që natyra pajisi me tepri qytetin e Vlorës, të stolisur midis detit dhe malit dhe të rrethuar me gjelbërimin e përhershëm të ullinjve e portokalleve. Ai debuton lirshëm në të gjitha gjinitë me fakte direkt dhe nëntekste dhe me personazhet e deri me mjediset artistike, nëpërmjet shpërthimit dhe këngës melodioze të ngjyrave. Punët e tij më të mira, të vendosura në Galerinë Kombëtare të Arteve (40), në sallat e koleksionistëve Fatmir Braka, Arjan Salati, Bujar Leskaj etj., në studion e tij si dhe jashtë vendit, të duken sikur qajnë e qeshin, heshtin dhe gjallojnë, të befasojnë e të çlodhin, të revoltojnë e të kënaqin dhe të bëjnë që të të nguliten në ndërgjegje e deri thellë në kujtesë, për mos t’u ndarë lehtë nga vetja për shumë kohë. Ai ka analizuar e studiuar gjatë paraprakisht krijimin dhe e ka ndjerë e përjetuar vet çdo detal dhe e ka vendosur si koncentrat, në vendin e natyrshëm, të zgjedhur artistikisht.

Piktura e Skënder Kamberit është pasqyrim identik i personalitetit të tij njerëzor superior dhe fin.

Unë e kam njohur mirë atë qysh fëmijë dhe them se kështu ka qenë qysh herët: I mençur, i thjeshtë, i ndjeshëm, shoqëror, human, i dashur dhe i respektuar me shokë e miq të shumtë, familjar i mirë, i çiltër dhe i sinqertë, guximtar si ai dhe mbi të gjitha sa i talentuar aq dhe punëtor i palodhur.

Më lejoni që në mbyllje të rendis tre strofa, që kam veçuar për Skënder Kamberin dhe për shkollën vlonjate të pikturës.

SKËNDER KAMBERI

DHE SHKOLLA VLONJATE E PIKTURËS

Ju pyes, dijetarë, e shpjegoni dot,

Është fenomen apo rastësi:

Pse dhjetëra piktorë ka kjo Vlora sot,

Një ndodhi e rastit, apo ligjësi?

Secili me vlera, kushdo me një stil

Ku  Skënder Kamberi, dallohet në ballë:

Me dorën të artë, me shkëlqim si yll

Mjeshtër në ngjyrime, në tablo i rrallë.

-Ku  është  e veçanta, ku qëndron sekreti

Pse kjo Vlora jonë, nxjerr kaq shumë piktorë?

-Portokaj, ullinj, mali, kodrat, deti…,

Ngjyrat, veç t’i prekësh dhe i ke në dorë.

Tiranë, 05.02.2014

 

Filed Under: Featured Tagged With: 75 vjetori, Luan Cipi, Skender Kamberi

FLAKET…

March 5, 2014 by dgreca

Mehmet Bislimi/

 Flakët/

(lexo me zë!)/

1.

sonte/

në Prekaz/

flakët e lirisë/

Komandantin përkujtojnë/

me shkëlqimin e flakës/

lirisë njerëzishëm ia hapwm derën/

më në fund, erdhën lulet/

se bashku me pranverën/

sakrificë e paparë/

e padëgjuar ndwr shekuj/

shqiptarët qëndruan të pathyer/

kurrë nuk e mohuan rrënjën e vet/

o botë e madhe a dëgjon/

këngën tonë të fuqishme

që luftëtarët e lirisë e kënduan

një shekull rrugëtim

deri me sot

sot në agim

një shekull rrugëtim i këngës sonë

për t’u kënduar sonte

tek Jasharët

me gojën tonë

tek të pavdekshmit

tek të gjallët

tek Jasharët

2.

Adem

sonte pa ty

këngët e lirisë nuk do të kishin kuptim

pa ty

pranvera nuk do të sillte lulet e lirisë

pa ty

marsi do të ishte muaj i rëndomtë

pa ty

nuk do të kishin harmoni notat e melodisë

Adem

ylli i hyjnisë

Adem

frymëzim i djalërisë

Adem

palca e shqiptarisë

 

Adem

sonte do thërrasim deri në kupë të qiellit

në Prekaz

aty ku ka lindur s’pari rrezja e diellit

3.

Adem

po

me ty erdhi pranvera

me ty

krenarinë kombëtare madhështojmë

me ty

të kaluarën e lavdishme nderojmë

në flakën e zjarrit që sonte për ty ndizet

u dogj robëria e gjatë

në Prekaz

në arenën legjendare

ku kanë rënë si me le burrat dhe gratë

atje ku themeli i lirisë është i lashtë

atje ku loza jote sonte shkëlqen flakë

atje ku lirisë i këndohet gjatë

atje ku burrat e dheut flasin pak

atje ku krisma e mitralozit të lirisë

ndihet larg

atje ku flakë do të ndezim prapë

e prapë do ringjallesh ti

për Plavë e Guci

Preshevë, Medvegjë e Çamëri

për Bujanoc Tetovë e shqiptari

atje në Prekaz

ku po linden përditë

Adema të ri

atje ku ngrihemi dhe biem me emrin Shqipëri

atje ku ëndrrat i shohim shqip

atje ku ti ke vënë këmbën mbi dhe

atje ku kemi shumë shokë e miq

atje ku trimërisht këngën e the

për liri

për atdhe

për besë e dhe

Adem flakë e rrufe

4.

sonte

zjarret do ndezim

sonte do qajmë e do qeshim

sonte do vallëzojmë deri në mëngjes

sonte lot do qesim

nga malli e mallëngjimi

për ju nëna

për ty nënëmadhja Zahide

nënë e të gjitha nënave

nënë e Mic Sokolave

nënë e zanave arbërore

sonte në gjunjë do biem për ty

lokemadhja Zahide

nusja e Shaban Plakut

motra e bacë Osmanit

nderi i konakut

nëna e Ademit djalit

nënë e Hamzës

nëna e shqipeve të malit

nëna e Zarifës e Hidajetës

nëna e Igballit e Valdetës

nëna e Igballës e Feridës

nëna e Afetës e Besimit

nëna e Selvetës e Blerimit

nëna e Fatimës e Blerinës

nëna e Adilës e Fitimit

nëna e Kushtrimit dhe Lirisë

nëna jonë

nëna e madhe e shqiptarisë

nëna e lirisë

Lavdia e Shqipnisë

5.

sonte do kujtojmë

motrat

nuset

fëmijët

baballarët

bacë Shabanin

Ademin

Hamzën

 

do kujtojmë djalërinë kryengritëse

Prekazin legjendar

pushkët e lirisë

kushtrimin shqiptar

pushkën e parë

Komandantin Legjendar

6.

në ballë të atdheut kush po prin

si gjithmonë luftë në Prekaz

bacë Shabani me martinë

po ia vret Serbisë ushtrinë

 

o ta puthsha çarkun e pushkës

mustaqen e bardhë

shallin me qeleshe

e kalin me shalë

njëherë ka lindur burri

dragua në këtë konak

ku flakët sonte prekin qiellin

për çdo yll bajrak

flamur përjetësie

mbi varr të bacë Shabanit

brezat shohin diellin

nën qiellin e përflakur

mbi këtë tokë të gjakut

të biem në gjunjë në shenjë nderimi

me respekt ta puthim

muranën e Shaban plakut

shqipen e bajrakut

e s’do i dalim hakut

rreke lumi i gjakut

gjak lirie

të lumtë ne që të kemi

ty o burrë Shqipnie

7.

sonte në Prekaz

nata është ndezë flakë

troket në ndërgjegjen tonë fort

të kujtohemi pak

për ata që ranë

për ata që gjymtyrët e trupit

peng lirie

në gjoks të atdheut

si medaljon i falën

 

i lanë

dëshmi të një kohe

testament pavarësie

flamur mbi kullë të Jasharëve

pranverë mbi tokën tonë

 

në zemër të shqiptarëve

fole dashurie bënë

ata

kurrë nuk u penduan

asgjë nuk kërkuan

kurrë nuk u hamendwn

kurrë nuk u lëkundën

respekt nga ne

respekt për këtë dhe

respekt për jetë

për duart e këmbë shkëputur të luftëtarëve

për liri të atdheut

8.

sonte t’i kujtojmë

edhe ata që nuk kanë kulm mbi kokë

edhe ata që nuk kanë sa duhet për të ngrënë

edhe ata që dita e nesërme nuk i gëzon

edhe ata që nuk kanë natën ku ta bëjnë

edhe ata që “koha” po i harron

edhe ata që skamja po i sfidon

edhe ata që në heshtje digjen zjarr

dhe gjoksi tym u lëshon

mos harroni amanetin

bacë Shabani pati thënë

lirinë të gjithë së bashku do ta ndajmë

të robëruar toka s’na pranon

sofrën thatë për askënd

mos me e lënë

ta nderojmë secilin luftëtar

të lirisë

së cilin bir të denjë të shqiptarisë

9.

sonte

dikush si hije përfton

pas hijeve të flakëve do fshihet

nata e zezë fytyrën ia mbulon

sonte dikë

flaka e lirisë e përcëllon

para bote e tall

shenjë i vë në ballë

a ka gjë më rëndë

për ata që ikin nga flaka e lirisë

për ata që mohojnë se janë bijtë e Shqipërisë

për ata që vetëdijshëm i bëjnë gropën lirisë

për ata që vrasin idealin e djalërisë

për ata që i bënë dredhi lirisë

 

10.

sonte edhe ju

pa përbuzje do ju shohim

në flakën e kuqe të kandilit

pa vrasje ndërgjegje

pa skuqje

kuqësinë tuaj do e djegim sheshazi

sonte do të takohemi

për të ia thënë njeri-tjetrit të gjitha

në sy

sonte mund edhe të mos puqemi

sonte mund edhe të skuqemi

nga gjithë kjo flakë që atdheun po e ndriçon

sonte në këtë natë zjarresh

a mbet ndonjë fjalë pa u thënë

a do të ketë lum që të ligjtë i lanë

a do të ketë flakë që ata i thanë

a do të ketë kush i qanë

 

 

11.

sonte festoni

sonte kujtoni

gjymtyrët e këputura të trupit tonë

Çamerinë

Preshevën

Medvegjën

Bujanocin

Shkupin

Tetovën

Plavën

Gucinë

Ulqinin

Peshterin

atje

ku flaka e lirisë pret të ndizet

atje

ku zjarri i robërisë po djeg liridashësit

atje

ku plaga e vjetër e atdheut tonë

peng e ndërgjegjes mbet

atje ku ajo që kërkohet nga ne

 

nuk jemi duke e dhënë

atje ku rrugët e lirisë

gjak po kullojnë

atje ku yjet vranësirat po luftojnë

atje ku një ditë mbi të ligat

do të fitojmë

përfundimisht

shqiptarisht

 

 

12.

sonte

flaka e lirisë nuk shuhet dot

e ndezi Komandanti

e ndezën Jasharajt

e ndezi Ushtria  Çlirimtare

e tokës shqiptare

sonte ushtarët e vërtetë

me flakën e lirisë në gjoks

krenarw festojnë

ata

kujtojnë ditët e mira

kur u mobilizua djalëria

kujtojnë ditët e liga

kur toka shqiptare po digjej

kur dikush po piqej

kur dikush po hiqej

kur dikush po krihej

kur dikush po zgërdhihej

kur dikush po qëndronte

kur dikush po marshonte

kur dikush po shante

kur dikush po ikte

kur dikush po dhunohej

kur dikush po masakrohej

kur dikush po vendnumëronte

kur dikush në anën e armikut shkonte

kur dikush po meditonte

kur dikush po mohonte

bijtë e atdheut

13.

sonte ata festojnë qetë

modestë e të çiltër

si gjithmonë

me shpirtin e tyre të dëlirë

zhveshur nga ligësitë

të shikojnë pa ndrojtje në sy

të vërtetën e madhe

e kanë thënë me vepra

jo me fjalë

të nderuar e të respektuar

kudo në Shqipëri

bijtë tanë më të mirë

me zjarrin e lirisë në gji

14.

si dje

edhe sot

të heshtur e njerëzorw

njerëz të tokës modestw

pjesë të historisë

të mbuluar me petkun e lavdisë

pa e tepruar sonte festojnë

të vetëdijshëm për peshën mbi supe që kanë

 

sonte ata shkëlqejnë

sonte ata nuk rrëmbehen

sonte ata flakën s’e ndalin

sonte ata mallëngjehen për më të dashurit

që shqiptarisë ia falën

me shpirtin e madh

me zemrën e kuqe si flaka

sonte ata janë nder ne

me burra

me gra

fëmijë

djem

me pleq e me plaka

me tokën

me dhe

sonte ata janë

krenaria jonë kombëtare

nëse kjo mjafton

ata

për jetë do të mbesin

dinjiteti ynë

15.

sonte

rreth kësaj flake

dikush gëzon e këndon

dikush qanë e kujton

dikush skuqet e fshihet

dikush paturpësisht zgërdhihet

dikush nëpër poret e pushtetit përbirohet

dikush hiqet si zot e nuk durohet

dikush ul kokën e turpërohet

dikush nuk digjet nga skuqja

dikë skuqja e djeg

 

dikush po ha ulur

dikush po ha në këmbë

dikush kafshon buzën

dikush zë gjuhën me dhëmbë

dikë s’e zë turpi

dikush turpin me bukë e han

dikush krenar e ballëlartë

dikush me dhimbje në asht

16.

sonte do t’i këndojmë lirisë

për një çast

s’do t’i sjellim nëpër mend

kujtimet e hidhura

 

nesër

të përpiqemi për ditë më të mira

të kujtojmë të pabërat

të gjykojmë të paburrat

të shpëtojmë atdheun nga skuqja

nga vuajtja

nga nëpërkëmbja

nga përbaltja

 

të ecim krah botës me hallet tona

si të gjithë të tjerët

të jetojmë të lirë

në atdheun tonë të shtrenjtë

të mirë

17.

sonte

ndizet flaka e madhe

në shenjë kujtimi

porosi për brezat

mos luani me fatin e atdheut

se kjo flakë ju djeg

mos luani se atdheu nuk është lojë

mos luani se për të keq

përjetësisht do t’ju kujtojmë

atdheut shërbim

atdheut nderim

mos ta shajmë atdheun

atdheun mos ta mohojmë

mos e keqpërdorin atdheun

se toka brenda

nuk do të na le

 

tunduni

fjalë e madhe është

ATDHE

18

edhe sonte

jetë e mot

flakën e lirisë do ndezim në Prekaz

në vatrën e lirisë

në kërthizën e shqiptarisë

 

sonte e përgjithmonë

do kujtojmë me dinjitet

Komandantin tonë

legjendarin

atë që ndezi flakët e lirisë

në zemër të kombit

në Prekaz

në zemër të shqiptarisë

Komandantin

Adem Jasharin do e kujtojmë

si sonte

për jetë e mot

emri i tij qoftë lavdue

për të populli ka me këndue

sa të jetë jeta me jetue…..

(pjesë nga balada në dorëshkrim- autor Mehmet BISLIMI) 

mars, 2014

 

 

Filed Under: Featured, Sofra Poetike Tagged With: Adem Jashari, Flaket, Mehmet Bislimi

SALIH MYFTIJA, KLERIKU I SHQUAR NACIONALIST

March 5, 2014 by dgreca

Imam Salih Myftija (1891-1978) veprimtarë i shquar për fe e atdhe/

Nga Leonora Laçi/

Të shkruash për teologun, atdhetarin, nacionalistin e intelektualin shkodranë Imam Salih Myftinë nuk është detyrë e lehtë kjo sepse veprimaria e tij i kalon kufijtë e Shqipërisë Natyrale dhe arrinë deri përtej Atlantiku të largët.      Veprimtaria e tij ka nevojë për studime të hollësishme prandaj nuk dua të pretendoj me pa të drejtë që i kam thënë të gjitha. Për figura të tilla ka gjithmonë diçka për të shtuar e plotësuar.                                                                                     

Kush ishte Salih Myftija ?!

I lindur në shekullin e trazirave e përpjekjeve për autonomi, në vitin e largët 1891, bashkëkohës i ngjarjeve më rëndësi kombëtare, siq ishte Pavarësia e Shqipërisë, që u skalitë me shkronja të arta në Historinë tonë, apo dhe ngjarjeve të dhimbshme për mbarë botën e qytetëruar siq ishin dy Luftrat Botërore.                Duke rrjedhur nga një familje Shkodrane që ka qënë dhe është përherë kontribuese në çështjet me karakter fetar apo kombëtar, që ka nxjerr lider të hershëm të komunitetit mysliman aty. Salihi mesimet e para do i merrte në një shkollë turke në Shkodër në vitet 1898-1904, por krahas mesimeve fetare do ketë zell dhe për çështjën kombëtare që po kristalizohej në fillim të shek XX, që në moshë të re do të jetë partizan që në shkollat shqipe të mesohej me germa  latine, ishte njohës i gjuhës turke të vjetër e arabishtes. Asnjëhere nuk do i humb shpresat që atdheun ta shihte të përparuar e zhvilluar,  kjo shihet në nismën për pavarsimin e xhamisë Shqiptare nga ajo turke, ku për këtë do mbahet Kongresi I Mysliman me 24 shkurt 1923 në Tiranë.Po ashtu dhe do jetë inisiator për përkthimin e Kur’anit në shqip për ta bërë lehtësisht të kuptueshem për shqiptarët mysliman. Salih Myftija përveç mesimeve fetare do nxiste dhe dashurinë për atdheun. Në vitin 1927 do caktohet myfti në Krujë, e më vonë Kryemyfti i prefekturës së Shkodrës e Kosovës me vendim të posaçëm të Këshillit të Naltë të Sheriatit. Shërbimin e tij si kryemyfti do ta bëj mëse miri, kultura e diapazoni i tij i  gjërë do reflektohej tek besimtarët ku armë më të mirë kishte  “Tolerancën, besimin në Zot(Allah) e flamur”.

    Imam Salih Myftija asnjëherë nuk u pajtua me pushtuesin fashistë, për këtë ai do internohet në Gjirokastër për afro dy vite dhe duke u shkarkuar nga detyra e Kryemyftiut me dekret të Vittorio Emanuelit III.

Cili ishte qëndrimi i Imamit karshi pushtuesit e komunistëve?!

Pas kaptiullimit të Italisë në shtator të 1943 do vihet sërisht në rradhët e nacionalistëve e kryesisht si simpatizues i grupit të Legalitetit por sërisht si i pakompromis. Këtë e thotë i biri Dr. Fuad Myftija në kujtimet e tij : “ Babai ishte figurë në lëvizjen Kombëtare, ka qënë ndër të parët nacionalistë e asnjëherë nuk ka bërë kompromis, as me fashistët e as me nazistët. Ngritëm grupe ilegale dhe çetat kundër gjermanëve…”( shkëputur nga intervista marr nga Dalip Greca Dr.Fuad Myftis, shkurt 20,2007)Ajo që vihet re në këtë kohë delikate për Shqipërinë është se tashme armiku i nacionalistëve nuk ishte vetëm i jashtëm (gjermanët) por dhe i brëndshëm(komunisët).

Me gjithë përqarjet mes klerit katolik e atij mysliman, pra do ndikoi rreziku i përbashkët që i kërcenohej nga LNCL, e harruan këtë grindje dhe u bënë miq e bashkëpunëtorë të ngushtë.( shkëputur nga kumtesa e Nexhmi Bushatit mbajtur në sesionin shkencor të X të Shoqatës Trojet e Arbërit, fq 545)Bashkëpunimi do të vij pas zhvillimeve të Mbledhjes së Mukjes ku përsonalitete si: Salih Myftija , Hafiz Ali Kraja, Mons.Thaçi, P.Anton Harapi, Sulço Begu etj vendosën që të krijonin frontin antikomunistë.Ku u krijuan varg disa besëlidhje krahinore sin ë Shkodër, Pukë, Lezhe etj. Të cilat kërkuan me ngulm zbarkimin e anglo amerikanëve.  Dr.Fuadi vazhdon me detaje të tjera të asaj kohe kur atdheu u pushtua nga nazistët, ku kishte marr malet sëbashku me të atin, ku Imami bashkëpunoi me Nik Sokolin nga Nikaj-Mertur që kishte krijuar Çetën e vet. Takimi u bë në Gruemirë, Nik Sokoli u shpreh i indinjuar ngaqë anglo –amerikanët po i ofronin ndihmë vetëm komunistëve.

Aty erdh dhe kapedan Xhemal Laçi i cili kishte udhëtuar me një grupë të madh zogistësh nga Puka, aty erdhën dhe nga Vlora Sadik Shaska me familjen e të tjerë, të gjithë qëndronin në kazerma. Çeta e Nik Sokolit dhe ajo e Jup Kazazit hasi në një autokolon gjermane dhe e qëlluan por nuk pati dëmë dhe Gjermanët vazhduan rrugën, megjithëse kjo mund të kishte përfundur me pasoja. Xhemali si ushtarak i propozoi atyre që të ndërronin vend sepse ndoshta gjermanët do kërkonin përforcime. Qëndrimi në Shqipëri po bëhëj gjithnjë e më i vështirë për nacionalistët, të cilët udhtonin nga jugu në veri për të gjetur rrugëdalje. Shtëpia e Imam Salih Myftisë ishte bërë pikëtakim për nacionalistët ku u takuan,u pritën e përcollën ngrohtësishtë nga i Zoti i shtëpisë, me urtinë që e karakterizonte.

Dr. Fuadi vazhdon “ Në këtë kohë kishte ardhur Mid’hat Frashëri me Baba Rexhepin e me Zef Palin. Të gjithë krerët ishin mbledhur në Shkodër.”  Imam Salih Myftia sëbashku me atdhetarët e tjerë, si: Fuad Myftin, Kolonel Xhemal Laçi Teki Xhindi,Hysen Prishtina e dhjetra të tjere, u larguan nga vendi drejt Tivarit.

Pikërishtë me 21 nantor 1944 (Gazeta “Atdheu” mars-prill 1988) por pas pengesave, që i solli policia malazeze, për faktin se ishin të armatosur, ata u detyruan të lundrojnë me një barkë të vjetër në drejtim të Detit Adriatik, duke mbërritur në qytetin bregdetar të Brindizit të Italisë. Ata më pas  u dorëzuan në komandën ushtarake të aleatëve, të cilët më vonë i vendosën në Kampet  e njohura të Italisë.

Në kampet e Grumos me robërit e luftës.                                                                    Siq shpreh Dr.Fuadi, ky vënd ishte i skuqur gjithandej me flamujt Rus e yll të kuq, drapër e çekan. Kampet ishin në gjëndje të mjeruar , Shqiptarët ishin të palarë, pis, e pse vinin nga malet. Rregullat e disiplina ishin të rrepta, përveç se trajtoheshin keq dhe hetoheshin.

Imami Salih Myftija shquhej për urtinë e tij madje shpesh herë shuante konfliktet mes zogistëve e ballistëve. Kushtet e këqija të kampit nuk e mposhtën dhe as e përkulën gjakëftohtësine e largpamësine e këtij njeriu paqëdashës ku me besimin në Zot ja dilte mbanë të kontrollonte qetësishtë shumë situata, që shqiptarët e tjerë e kishin humbur durimin. Salih Myftija ja ushqeu dashurinë për arsimin të birit që ishte njëherësh mik e bashkëudhëtar në rrugët e vështira të emigrimit të padëshiruar, pasi qëndrimi në Shqipëri nuk ishte i mundur në një situatë të tillë të disfavorshme për nacionalistët, Fuadi do arsimohej e diplomohej në Itali.                    Konsiderat për Salihin kishte përveç Mbretit Zog ku e bëri dhe këshilltar të tij, si dhe  u zgjodh në krye të komisionit që udhëtoi drejtë Egjyptit për një takim me Mbretin e merguar, ku do mblidhen të gjitha grupet politike. Konsideratë për të patën dhe anglo-amerikanët pasi miqësinë Imami nuk e ndërtonte mbi pikëpamje politike apo bindje fetare, prandaj justifikohet pse ata e mbajtën afër.                                                                                  

Para ca vitesh është botuar një dokument që mban vitin 1945 dhe përmbanë:“Në Janar të vitit 1945, dy politikanë shqiptarë, ndonse të internuar në një kamp transit në Bari, i mirënjohuni Mit’hat Frashëri që ishte kreu i Ballit Kombëtarë dhe një klerik nga Shkodra Salih Myftija, ky i dyti në emër të organizatës”Legaliteti” i kanë kërkuar Sekretarit Amerikanë të Shtetit në detryë , të mos ndërmerrej asnjë nismë për njohjën e qeverisë komuniste të krijuar para çlirimit të vendit.( ky dokument është bërë publikuar nga anglezët ne një website” Investigim” viti 2000).

Nga Egjipti Imami do udhëtoi në Siri e Liban e së fundmi do vendosët në ShBA në vitin 1965, ku si vend i parimeve të lirisë së shprehjes e besimit fetar  dhe  vend i demokracisë, ai vazhdoi pa problem aktivitetin e tij kombëtar e fetarë. Krijimi i Qendrës Islamike Shqiptaro-Amerikane si vatër e ngrohtë e Shqiptarëve.Teologu, atdhetari, intelektuali ku Atdheun asnjëhere nuk e harroi por u mundua ti shërbej dhe pse nga largë Imami Salih Myftija kontriboi në ngritjen e qëndrës fetare, atdhetare, shoqërore, arsimore, edukative e kulturore. Meritë për këtë kanë dhe bashkëpunimi i Imam Vehbi Ismaili e Imam Isa Hoxhës. Nevoja për një Qendër që të shërbej si vendtakimi mes shqiptarëve u rrit me rritjen e numrit të shqiptarëve myslimanë ne ShBA.Mbledhja e 16 majit 1966, nën udhëheqjen e Salih Efendi Myftisë të kësaj qëndre Islamike Shqiptaro-Amerikane ku arriti në përfundime që të themelohet një Xhami ku të shërbej për forcimin e moralit, si dhe të përhapjes së mesimeve fetare e dashurisë për atdheun mes besimtarëve. Me 12 nëntor 1972 Salih Myftija pas shumë përpjekjeve e punës së palodhur e përkushtuese do të pres shiritin e Xhamisë në Brooklyn të NY, ku u përshëndet nga mjaftë përsonalitete si dhe shtypi vëndas Amerikan e shtypi Shqiptarë i Amerikës.Vlen të përmendet dhe miqësia e ngushtë me Monsinjor Zef Oroshin(1912-1989) udhëheqësin e themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në  ShBA. U nda nga jeta me 19 maj 1978 në moshën 87 vjeçare, në ceremonin mortore morën pjesë përfaqësues nga tre besimet fetare, një figure e shquar si Salih Myftija e meritonte që lamtumira e fundit ti jepej në menyrë të denjë ashtu siq ishte dhe veprimtaria e tij e admirueshme  në rrafshin kombëtar e fetarë.

Dekorimet pas vdekjes

Imam Salih Myftija dekorohet pas vdekjes me motivacion: “ Për kontributin e dhënë në krijimin e institucioneve fetare të emigrantëve Shqiptar në ShBA, në mbështetjen e tolerancës fetare dhe të bashkëpunimit në dobi të interesave kombëtare”- dhënë nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi. Si dhe i është akorduar titulli “ Qytetar Nderi” pas vdekjes. Me 6 mars 2011.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kleriku i shquar, Leonora Laci, nacionalist, Salih Myftia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4804
  • 4805
  • 4806
  • 4807
  • 4808
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT