• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DJALI YNË SHKËLZEN RAÇA

February 27, 2014 by dgreca

NGA  KRISTO  ZHARKALLIU /Athinë/

Shumë herë përpiqemi të kalojmë dhimbjen duke i u kthyer kujtimeve. 25 shkurti ishte një ditë e rëndë, një ditë që na shkaktoi dhimbje të thellë nga vdekja e papritur e  “djalit” tone, historianit të njohur Shkëlzen Raça. Lajmin e zi nga Prishtina e mësova nëpërmjet internetit (si zakonisht, vitet e fundit, askush nuk u kujtua të më lajmëronte mua!)- se historian i shquar vdiq në moshon 62 vjeç. Është e natyrëshme dhe e kuptueshme që ndokush të pyesë: Pse duhej të të lajmëronin ty? Ç’lidhje mund të kishe ti me historianin dhe  punonjësin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, kur banon më shumë se gjysmë shekulli në Athinë?  Por kjo pak rëndësi ka. Humbja ishte e njëllojtë, e madhe. Shkëlzeni na braktisi në kulm të krijimtarisë së tij, kur kishte grumbulluar materiale të çmuara për historinë e Kombit Arbëror, duke mos arritur t’i nxjerrë të gjitha në dritë. Megjithatë ai na la botime të çmuara historike, sidomos për marrëdhëniet, lidhjet, bashkëvuajtjet dhe bashkëluftimet të shqiptarëve dhe grekëve. Ai rrëmoi dhe zbuloi arkiva dhe ngjarje historike të panjohura deri tani, për të cilat do të flasim më poshtë.

Shkëlzen Raçën e njoha  aty nga fillimi i vitit 1981. Një mbasdite më trokit në derë dhe ,kur e hapa më tha, këshu thjesht, me dialektin e tij kosovar të asaj kohe: Jam student nga Prishtina dhe nuk di aspak greqisht. Më dërgoi tek ju arvanitasi Jani Profis i cili më tha se jeni i vetmi shqiptar që ai ka njohur në Athinë” Pa thënë asgjë pak i hutuar-jo se nuk isha mësuar të më vizitonin shqiptarë se aso kohe çdo shqiptar që do të kalonte nga Athina do të kërkonte të takohej me mua, (madje, si për të qeshur ca miq grekë më kishin ngjitur nofkën “ambassador shqiptar në Greqi” shumë më pare se të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike të të dy vendeve), por për faktin se ishte student dhe  nga Prishtina, gjë që nuk kishte ngjarë më pare.Ishte djal i ri aso kohe Shkëlzeni. Gjëja e pare që më bëri përshtypje tek ai ishte thjeshtësia dhe ai afrim i pa shtirur duke menduar se ishte i sigurtë se ndodhej në një shtëpi miqësore, në një shtëpi ku kishte të drejtë të hynte, ndonse nuk dinte shumë gjëra për mua. Më informoi se kishte fituar një burse studimore në Institutin e Gadishullit  të Ballkanit në Athinë që drejtohej nga albanologu i njohur grek Titos Johallas dhe se nuk njihte asnjë njeri në Greqi dhe se Janis Profisin e kishte takuar në aeroport dhe i kishte kërkuar ndihmë. Profis ishte arvanitas dhe dinte disa fjalë shqip-gjë që ndihmoi shumë Shkëlzenin- dhe kur pa se studenti nga Prishtina nuk dinte nga t’ja mbante e mori në shtëpi në Koropi dhe  atje i kishte rekomanduar të më drejtohej mua për ndihmë duke i dhënë si telefonin tim ashtu dhe adresën e shtëpisë. Ai nuk mori telefon duke menduar se ishte më mire të më paraqitej përpara që të më befasonte gjë që ja arriti si jo më mire.Më hyri në zëmër ai njeri që në çastet e para. E inkurajova dhe  i thashë se e njihja Tito Johallën si të vetmin albanolog të vërtetë në Greqi. Ai  hapi çantën dhe më dha disa kopje të botimeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës gjë që për mua në atë kohë ishin një dhuratë e çmuar…

Miqësia jonë u bë e vazhdueshme vitet që do të vinin. Lidhjet e mia me Kosovën që kishin nisur aty nga fundi viteve 60 kur kisha takuar një familje kosovare në Llavrio (deri atëhere shumë pak që të mos themi aspak – gjëra njihja për Kosovën dhe kosovarët) që më la mbresa të pashlyera duke më bërë të betohem me veten times se do t’i kushtohesha plotësisht në të ardhmen “çështjes kosovare”.Prandaj  ardhja e Shkëlzenit ishte një dhuratë e çmuar për mua, sikur po më binte nga qielli…Prej tij do të mësoja gjëra që nuk kisha mundur as të imagjinoja më pare për shqiptarët e Jugosllavisë së atëherëshme. Nga ana tjetër brënda atij vitit do të zhvilloheshin trazirat studentore në Prishtinë ku kishin filluar reprezaljet e egra të sërbomëdhenjve. Fatmirisht kjo nuk ndikoi në bursën e dhënë Shkëlzenit, i cili, përderisa  ndodhej në Athinë nuk mund të akuzohej për pjesmarrës në trazirat kosovare.Ndërkohë mundëm të krijonim nëpërmjet tij dhe disa shokëve të emigracionit lidhje të vazhdueshme me Prishtinën dhe me trevat e tjera të banuara  me shqiptarë në Jugosllavi. Sigurisht se  çështja e Kosovës ishte në plan të pare të shqiptarëve të emigracionit që, pothuajse kishin harruar sistemin komunist të Tiranës. Ishte e natyrëshme. Në brëndësi të shtetit sllav shqiptarët shtypeshin e terrorizoheshin nga pushtuesit e huaj, nga armiqtë shekullorë të shqiptarizmit që ishin shovinistët e egër fashisto-komunistë sërbomëdhenj. Ndërkohë dhe unë të gjitha shkrimet e mëpastajshme do të kishin objekt të vetëm: luftën për çlirim të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëherëshme, e cila akoma ishte vendi i përkëdhelur i perëndimasve .Dikush kishte thënë: Shthurja e shtetit jugosllav ka filluar në Kosoavë dhe atje do të mbarojë. Sa të drejtë kishte pasur!..

Ndërkohë Shkëlzeni punonte papushim që të mësonte gjuhën greke dhe krahas me studimet në Institutin e Tito Johallës, nisi të  bënte kërkime në arkivat e shumta të Athinës, duke filluar nga ato muzeale. Duke mos njohur akoma mire gjuhën  greke, vazhdimisht kërkonte ndihmën time duke m’u lutur shumë here t’i përktheja materialet e zbuluara në arkivat greke.Me nxitjen time gjeti shkrimet më të herëshmne të Fan Nolit të botuara në revistën greke “NOUMAS” me pseudonimin Mavromatis. Këto shkrime filozofike-shoqërore ja përktheva dhe ai i botoi në Prishtinë (më vonë do të botoheshin dhe në Tiranë, pa përmendur sigurisht emrin e përkthyesit!!!) Ndërkohë ai udhëtoi në Trakë ku takoi motrën e Nolit, Sulltanën e cila rronte akoma. Ai bënte një veprimtari të dendur si në Athinë ashtu dhe në Prishtinë ku herë pas herë botonte në revista dhe gazeta studimet dhe zbulimet e tij historike nga arkivat e pasura dhe të pacënuara greke. Mund të themi plot goje se ishte studjuesi i pare shqiptar që mundi të hynte në arkiva e “mbyllura” të Ministrisë së Jashtëme greke, ku zbuloi dhe botoi dokumenta të panjohura të shtetit grek që kishin të bënin me të ashtuquajturën “Çështje Shqiptare”. Nga kjo punë intensive erdhi dhe libri parë i tij:  “MARRËDHËNIET SHQIPTARO –GREKE (1829-1881) Prishtinë 1990. Instituti Albanologjik. Ky botim para se të  jipet për botim e kishim shoshitur të dy me hollësi. Madje, për këtë ai më kishte sjellë që në vitin 1987 desertacionin për diplomim- doktoratën që kishte të njëjtin titull në të cilin unë i bëra mjaft vërjetje të cilat ai i mori seriozisht parasysh. Pas kësaj ai e hapi rrugën vetë- edhe më pare materialet i zbulonte vetë dhe dua të theksoj se ndihma ime ishte më tepër  morale, ose e pjesëshme përsa i përket gjuhës greke. Me kalimin e kohës ai bëri dhe miq të tjerë grekë dhe arvanitas në Greqi ku shpesh udhëtonte për takime dhe kërkime të materialeve. Në një nga udhëtimet tona  nga Athina nç Korfuz duke kaluar në luginën e famëshme të Margëllëçit, ai më pyeti se si quhej më parë një fshat (shumica e fshatrave në atë zone kanë ndërruar emra) I thashë se quhej Laurat. Pas një viti kur I lindi djali ai i vuri emrin…LAURAT! Si rrjedhojë nënjëfarë mënyre jam emërvënësi i djalit të tij të cilin shpresoj diku ta takoj dhe ta ngushëlloj….

Në vitin 2004 ai botoi librin e dytë historik: “Shtegëtimet dhe Ngulimet e shqiptarëve në Greqi në shekujt XIII-XIV”   Prishtinë 2004. Libri i tij i fundit që më ra në dorë është: “GJURMË  NË HISTORINË SHQIPTARE” dhe shumë artikuj  përkatës të botuara në gazeta dhe revista të ndryshme akoma dhe në ato greke. Ndërkohë takimet tona po rralloheshin- ai ishte larguar nga Athina  dhe punonte në Prishtinë. Sa here udhëtoi në Athinë me grupe pune ai më lajmëronte të takoheshim ndonse në përgjithësi ai më vinte në shtëpi dhe  ne e konsideronim si djalin tone. Madje na hyri në zëmër dhe e shoqja, Remzia të cilën e kujtojmë me dashuri. Kisha shpresë se pas  fitores kundër sërbomëdhenjve dhe pas shpalljes së pavarësisë do të kisha dhe unë fatin të udhëtoja në “Kosovën time” për të cilën kaq kisha “luftuar” e shpresuar. Mjerisht u “harrova”plotësisht në një kohë ku herëpasherë organizoheshin mbledhje”seminare” takime me shqiptarët e Greqisë (domethënë emigrantët e ardhur pas  shëmbjes së komunizmit në Shqipëri) të cilët i quanin…diasporë. Nëpërmjet tyre dhe veçanërisht nga gazetari i njohur Abdurahim Ashikut, i cili ka udhëtuar në Prishtinë disa here me këto grupe të ftuara, mësoja të rejat e Kosovës dhe për miqt e mi atje, sidomos për Shkëlzenin tone. Herën e fundit, në vjeshtë e kaluar, më tha se nuk kishte mundur të takohej me Shkëlzenin se kishte qënë pak i sëmurë. Kjo më shqetësoi shumë dhe, duke mos pasur mënyrë tjetër komunikimi i dërgova një e mail. M’u përgjigj se nuk ishte gjë serioze, por më vonë më tha se do të udhëtonte në Stamboll për një ndëhyrje kirirurgikale.  i u përgjigja duke i u lutur të më lajmëronte nga Stambolli, ose si të kthehej në Prishtinë se isha shumë i shqetësuar…

Mesazhin e fundit e mora prej tij më 4 janar 2014. Më thoshte se shkonte mire…Dhe lajmi i kobëshëm më erdhi nëpërmjet internetit në shtypin kosovar…Shkëlzeni na “tradhtoi”! Ai na mori radhën duke harruar se ne e konsideronim “djalë” akoma. Dhe ishte vetëm 62 vjeç!! U nxitua së tepërmi Shkëlzeni ynë…nuk i kishim ne faj që të na lëndojë, të na japë kaq dhimbje kur ndërsa unë prisja që ai dikur  të kujtohej të shkruante për mua, detyrohem unë të  shkruaj kujtimet për të. Jeta është shumë e padrejtë,ç’të bëjmë?

QOFTË I PËJETËSHËM KUJTIMI YT I DASHUR SHKËLZEN! NJERËZIT E TU TË RROJNË DHE TË TË KUJTOJNË!

Kristo Zharkalli, 27 shkurt 2014, Athinë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: DJALI YNË, KRISTO ZHARKALLIU, SHKËLZEN RAÇA

….E PASKE BËRË LIBRIN

February 27, 2014 by dgreca

-Bisedë me Sadulla Zendeli-Daja në prag të botimit të fjalorit shqip-suedisht/

 Nga    Sokol Demaku /

          Çdo shqiptar që ta pyesesh diçka, ai ka një poezi të veten. Edhe unë kam një poezi timen, ishte një poezi e dhimbjes dhe titulli i librit është ”Ditari i dhimbjeve” edhe ai libër është kur unë kam shkruar kur kam qenë i vogël diku 10 vjeç, pra ishte viti 1945.

Fjalori ka vlerë shumë të madhe. Numrohet që të jetë ndër fjalorët më voluminoz – ka rreth 35 mijë fjalë, është në 1.600 faqe, por presim se ketë punë do e vazhdojnë edhe gjeneratat tona të ardhshme. Fjalori i ri u ngjanë Fjalorëve të Mëdhenj te Akademisë se Shkencave në Suedi.

          Jemi këtu në Muzeun Kombëtar Historik në Tiranë në Republikën e Shqipërisë, ku mysafir kemi Sadulla Zendelin  -Dajën për një intërvistë rreth punës së tij këto ditë këtu në Tiranë lidhur me shtypjen  e Fjalorit Shqip-Suedisht në Shtëpinë Botuese ”Toena” në Tiranë dhe deri ku ka arritë Daja me këtë projekt madhor të tij.

Dajë, sa kohë ka që jeni në Tiranë?

Profesor mr.fil. sci. Sadullah Zendeli – Daja (Daja): Ka afërsisht dy javë!

Si jeni akomoduar këtu në Tiranë?

Ishte fjala që Fjalori im të shypet dhe të kemi në dorë me promovimin e librit tash më datën 13-të. Ishin disa punë që unë kisha, sidomos me z. Rami Memushaj, që ishte redaktori i fundit këtu në Tiranë dhe më atë u takuam. Pastaj ndërmjet kohës kam edhe një libër me poezi, e cila edhe ajo redaktoheshe nga profesori shumë i nderuar z. Kujtim Dashi, dhe unë erdha këtu të shoh se çfarë kanë bërë. Pak jemi vonuar, mirëpo, nuk është fatkeqësi ajo, sespe është bërë punë e madhe. Fjalori, sa unë kam menduar, ai duhej të është nja 1.200 faqe,  mirëpo, kur u redaktua nga e respektuara Lavdie Cenëmurati, dual se Fjalori do t’i ketë 1.600 faqe dhe Shtypëshkronja ”Toena” vendosi që Fjalori të shypet jashtë Shqipërisë, do  të thotë të shypet në Greqi ose diku tjetër. Dhe, kështu me shpresë se do e kemi fjalorin, se do e shohi dritën tani në Panairin e Librit, por nuk u bë, sepse nuk do arrijnë me lidhjen e Fjalorit, atëherë do të prezantoj vetëm librin me poezi, i cili libër është shumë  i mirë, ka disa vjersha satirike, sipas meje janë vetëm një këshillë, nuk janë kritike, vetëm se një këshillë se si të ecën populli, njeriu apo mërgimtari kudoqoftë shqiptari në jetën e vet, se ashtu né jemi popull dinamik, popull shumë i fortë, jemi popull shumë i mirë edhe ké femrat tona edhe ké mëshkujt tonë që historia i ka vërtetuar vet, kur femra shqiptare ka dalë me pushkë në dorë për ta mbrojtuar atdheun e dashur, si në Drenicë e kudoqoftë…

Daja, ky është Fajlori i katërt dhe nuk është suedisht-shqip, por është SHQIP-SUEDISHT. Të tre fjalorët e parë janë suedisht – shqip, e ky fjalori i katërt është në katër gjuhë. Është interesant pak për dëgjuesin të na thuani për këtë Fjalorin e katërt, është Fjalor me njëmijë fjalë, me njëmijë fotografi në katër gjuhë, cilat janë ato gjuhë?

Ky Fjalor është një Projekt i bërë nga një grup ekspertësh nga Milano e Italisë dhe këtë Projekt, është përkthye në Suedi dhe Licencën e atij fjalori e ka blerë Shytpëshkronja ”Toena” në Tiranë, e cila Shtypëshkronjë  përafërsisht të gjitha librat e m’i i ka botuar dhe Drejtoresha znj. Toçi , e cila ka bërë shumë për mua,  e cila më ka stimulua që unë të shkruaj.  Dhe këta ma dhanë mua që ta përkthej fjalorin në Suedisht, kështu që Fjalori është në Anglisht-Italisht-Shqip dhe Suedisht. Secila gjuhë e ka Fjalorin e vet, sidomos për fëmijë, se kanë fjalorin aty, por edhe për të rritur që mund të mësojnë edhe gjuhën Angleze, me lehtësira të mëdha – përmes fotografive.

Ju keni bërë punë të madhe për shqiptarët në Skandinavi. Po Fjalori i ri në Shqip-Suedisht, çfarë vlere ka?

Fjalori ka vlerë shumë të madhe. Numrohet që të jetë ndër fjalorët më voluminoz – ka rreth 35 mijë fjalë, është në 1.600 faqe, por presim se ketë punë do e vazhdojnë edhe gjeneratat tona të ardhshme. Fjalori i ri u ngjanë Fjalorëve të Mëdhenj te Akademisë se Shkencave në Suedi. Pra, kuptohet, është Fjalor i Madh, është Fjalor shumë  mirë i punuar. Në të kanë punuar katër redaktorë, ndër të cilët profesori i nderuar Xhevat Lloshi, pastaj kemi prof.dr. Shefkije Islamaj, që është nga Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe profesoreshë univërsiteti, e cila ka qenë një stimulans shumë e madhe ndaj meje. Secilën shkronjë qe ajo ka parë ka thënë: ”Dajë, shumë mirë, Dajë shumë mirë…!” E pas këtyre fjalëve më ka ardhë ajo forca e  dhënë nga një shkencëtare që e kemi në Kosovë. Pastaj u gjend se ishin bërë shumë lëshime, ndër të cilat të shumtat ishin lëshime të mia, por edhe lëshime të vogla dhe këto bërën që Shtypëshkronja ”Toena” të angazhoj edhe redaktor të tjerë. Kështu që redakturën e bëri profesori shumë i  respektuar i dëgjueshmi prof Rami Memushaj, i cili ishte shkencëtar shumë i madh, kështu që Fjalori im do të ketë tre emra të tre njerëzve të mëdhenj që e kanë redaktuar, e këta janë: 1.Xhevat Lloshi, 2. Prof.dr. Shefkije Islamaj dhe 3. Rami Memushaj, pra ka tre emna me peshë të leksikografisë shqiptare. Këta të tre shkencëtarë kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Të them të vërtetën se edhe unë kam punuar gjashtë (6) vite, duke shfrytëzuar përvojën time të madhe me  Fjalorin e Parë, të Dytin, të Tretin…dhe m’u duk se unë mund të punojë, se jam i gatshëm  për Fjalorin e Ri, Fjalorin e Madh dhe ia dola që ta bëjë të njejtin, i cili do jetë një Fjalor i Madh shumë…Nuk do e krahasoi me ”Mus’hafin, Kur’anin” apo me ”Biblen” si dy Libra të shenjtë, por po them se vërtetë duhet të jetë si një nga Librat e Shenjtë veçanërisht për shqiptarët në mergim apo kudo qofshin shqiptarët.

Dajë, ju thatë se Leksikologjia ështëe  lëmia e juaj, lëmi të cilën e keni kultivuar me vite. Mirëpo, si duket, kohëve të fundit Daja ka kalua në një lëmi jtetër letrare, ka fillua ta kulitvojë edhe poezinë. Sa di unë, ky është libri i dytë me poezi. Cili ishte libri i parë dhe ku e keni botuar, kush e redaktoi librin e parë?

Librin e parë e redaktoi i ndjeri Skënder Hasko, i cili ka qenë një çudi! Unë atë libër e shkruajta herën e parë, unë nuk jam poet dhe më thënë se jam poet atëherë nuk do ishte mirë. Interesant, poezia qenka ke çdo shqiptar?! Çdo shqiptar që ta pyesesh diçka, ai ka një poezi të veten. Edhe unë kam një poezi timen, ishte një poezi e dhimbjes dhe titulli i librit është ”Ditari i dhimbjeve” edhe ai libër është kur unë kam shkruar kur kam qenë i vogël diku 10 vjeç, pra ishte viti 1945. T’hjekat (vuatjet) e mia që i patëm né prej armikut që na okupoj, pra prej sllavëve, atëherë u mblidhen tek unë si pëngesë, sepse u shkruajten ato vjersha u hudhen, u lanë në një vend edhe para mërgimit dhe kur dola në mërgim. Ka qenë situata e Xhemë Gostivarit kur unë kam qenë vetëm 10 vjeçar, kur nga Shkupi e kanë sjellur kokën e Xhemë Gostivarit dhe ia kanë tregua njerëzimit (publikut) spektatorëve që: ”…né e kemi vrá një antijugosllav, apo s’di çka…!”  dhe ka qenë një gjë shumë e çuditshme! Të gjithë brohoritnin ata, më në fund nuk kishte asnjë brohoritje, dhe filluan të brohorasin shqiptarët e kjo brohoritje e shqiptarëve ishte shumë e çuditshme – kështu brohoritnin shqiptarët: ” Urra, urra, këtu e kemi, urra-urra ky është i joni…!” dhe do pëngesa më vonë… e unë duke u rritur e duke parë, vendosa ta shkruaj këtë libër.  E kam marrë dhe ua kam treguar disa poetëve, por me marre/turp se thoja se s’kisha bërë asgjë…kisha deshirë t’i shkruaja diku ato fjalë…ua tregova dhe thuaja se ata nuk më dhanë rrugë mua, më thanë shkruaj si do te jetë ose jepja dikujt! Edhe unë atëherë do të vija në Shqipëri, e mora materialin, e rregullova bukur, e pata shkruar bukur dhe erdha të shtypëshkronja ”Toena” dhe jam ulur me të nderuaren Irena Toçi e i them: ” Irena, unë vetëm me ju do të bisedoj, jo me Fatmirin    Pse Daja, a ka ndonjë fshehtësi, po na jemi një ( kupto me Fatmirin)!? – më pyeti e unë i thashë: ” Jo, jo nuk ka asnjë fshehtësi, po më mirë ju do ma mbani sekret këtë material, të cilin dua dikush ta shohi, ta shoh ndonjë poet!”? – e ajo më thotë: ”Ké shkruajt poezi? – më pyeti. ”Po e nderuar!” iu përgjigja! E ajo ma bëri: ”Dajo, pa e parë atë materialin tënd, ti je poet edhe kur fol, o Dajë!” – kështu ma bëri z. Irena Toçi, e unë i thashë: ”Mos të lutëm se shumë lavdata është shumë keq!” Irena me mua shkojmë të Fatmiri e po i thotë: ”- Ore Fatmir, ky ka shkruar një poezi, por ka droje se…? e duhet né ta shohim!?- i tha Irena. Z. Fatmiri ma bëri: ”Kështu ka nisë poezia të çdonjëri nga né, kështu edhe njerëzit e mëdhenj që janë, kështu edhe ata kanë filluar, edhe né do të thirrim  profesorin e nderuar (tani të ndjerin) Skënder Hasko e ai do ta shoh atë material!? Ma bëri Fatmiri, dhe Skënder Hasko erdhi menjëherë. Kur e shiqova, Skënder Hasko ishte ”burrë i vogël”. Unë kur e pashë atë se ishte ”burrë i vogël” – se kam pasë disa komplekse në jetën time, e i bleja kundrat me taka pak më të gjata, si të ”rritëm”pak – dhe thashë: ”Shyqyr Zotit qe pashë një burrë që është më e i vogël se unë – jo me diturinë e tij, po me veshjen e tij, unë isha më i rregulluar- me krevatë e kështu…! E ai Skënder Hasko) do ta marri materialin e do ta lexojë, por kisha deshirë që vetëm unë e ai të gjëndeshim në sallë, në dhomë, e askush tjetër. Mirëpo, aty erdh i gjithë personeli i ”Toenës”… dhe ai (Skënderi) kishte aty afër një shportë, e unë mora një letër A/4 e theva në dysh dhe e hudha dhe i thashë: ”- Profesor, hudhe materialin tim në shport pa problem hudhe!?” Ai qeshi e s’më tha sgjë! Ai e mori materialin (pasi e lexoj) e theu në katërsh, e futi në xhep. Ai ishte materiali im, por pasi futi në xhep më tha: ”Më duhet nja një muaj, se kam shumë punë të tjera, se  ky qenka një material shumë interesant, material i qëlluar,një material shumë interesant!” Veç më tha ashtu, e ata të gjithë fillua me duartrokitje dhe ma uruan duke me thënë se ”…e paske bërë librin!” dhe… duel ajo poezi. Kur e bëra këtë Fjalorin e ri, të madh, kisha disa idé dhe ato idé më çlodhnin sa herë kisha ato idé, u tërhiqesha nga Fjalori dhe pushoja, ato idé më pushonin, u ulesha në një ”kolltuk” aty dhe bëja disa vjersha, kur zgjohesha i shiqoja i kontroloja dhe thoja:” Të mira janë!” Dhe fillova të shkruaj edhe do vjersha dashurie, disi nuk dija të hyja n’ato rrugë por shoh që kishin shkruar shumë nga të tjerët dhe vjersha shumë të mira. Ngadalë! – thashë, çfarë do të bëja të tjera, do i kompletoj të gjitha letrat që i kisha marrë nga bashkëatdhetarët– edhe ato për Fjalorin  me 28.500 fjalë, që u botua dhe që u promovua në Ambasadën e Shqipërisë në Stockohlm të Suedisë, me të nderuarin Ambasadorin z. Shaban Muratin, edhe ashtu ndodhi, të gjitha ato letra i grumbullova, disa letra që nuk i kisha, i thirra me telefon të mi dërgojnë dhe i grumbullova ato letra, i kompletova dhe  kjo do ishte ajo që, të gjitha këto letra që i kompletova, jam mundua që t’i shpreh ndërmend ato, i kam shprehur, jo kundër ndokujt, por i kam shprehur për atë se kam menduar se ndokush do i lexojë!?

Dajë, krejt në fund, një pyetje: Kur pritet të dal inga shtypi ky libri me poezi?

Po, ky libri me poezi, tani sa ka dalë!

 

 

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Fjalori sqhip-Suedisht, Sadulla Zendeli0daja, Sokol Demaku

Elegji per vellain tim, Vladimir Curre

February 27, 2014 by dgreca

Nga  Bukurosh Curre*/

Deshiroj qe me shpirt ti Ladi te ishe ai qe shkruan Elegji per mua Roshin!
Sot jemi mbledhur per ti dhene lamtumiren e fundit vellait, prindit, bashkshortit, shokut dhe mikut me te dashur tonit Ladit…ai u nda nga jeta shume shpejt, ai kishte shume gjera te programuara ne mendjen dhe shpirtin e tij per te plotesuar, se bashku me te gjithe ne; por semundja e pa meshireshme dhe e rende e ndau nga jeta…dhe eshte shume e hidhur qe ai nuk eshte me ne,megjithate,ne sot jemi mbledhur jo per te qare ,por per te folur per jeten e tije….Vellai im Ladi, ishte vetem dy vjet me i vogel nga mua ,ai ishte me shume shok se sa vella ,ai ishte njeri i shkelqyer me veyrtyte te veçanta…Ai e jetoi jeten te plote ne te gjitha drejtimet , dhe ndaj ai do te donte qe ne sot te kremtonim aritjet e tije….
Ladi lindi ne 12 Mars te vitit 1960 ( e shikoni ne te gjithe se bashku po kremtojme ditlindjen e tije…) dhe se bashku me ne pese vellezer e motrat e tjera u ritem ne bukurite natyrore te veriut te Shqiperise…kaluam atje femijerine tone…mbidhnim lule benim kurora…hanim manaferra…Ladit  i pelqente te nxinte mustaqet me manaferra dhe me thoshte…e shikon ngjaj tamam si gjysh…dhe un qeshja… atje mbaruam shkollat fillore dhe tetevjeçare .Ladi ishte shume punetor ne pushimet verore punonim dhe benim gara, ai shpesh ma kalonte dhe pse un isha me imadh.. ai asnjehere nuk ankohej …Ladi ishte shume inteligjent dhe ambicioz ,kerkonte gjithmone te arrinte ate çka ishte me e persosur…mbaroi shkelqyer shkollen e mesme dhe  ishte i talentuar ne vizatimin teknik ,deshironte te behej inxhinier…kishte talent te veçante ne pikture ( I pikturonte persosour femrat, dukeshin si te gjalla) por sistemi i asaj kohe si per te gjithe e vendoste talentin pas valixhes se planifikimit dhe e detyroi te shkonte ne shkolle ushtarake nga ku edhe pse pa deshiren e tij,mbaroi me rezultatet me te larta dhe u emrua ne qytetin e Korçes…gjate gjithe kohes eshte shquar per pune te shkelqyer dhe per kontribut dhe ndihme ndaj kolegeve te tije…Ladi kishte nje aftesi te veçante per ti afruar njerzit , i bente te gjithe per vete kur ishte ne rrethe shoqerore ,fjala e tij kishte pushtet, fliste me garanci dhe kompetence ,ndaj kur ai fliste kishte vetem heshtje dhe te gjithe degjonin, ai dinte te komunikonte me kedo ,per ate ishin te gjithe shoke e miq ,ishin te gjithe te barabarte nuk kishin te rreshtur njerzit qe vinin dhe e vizitonin ne spital…kur un rrija me ate ne spital me thoshte ndjehem shume veshtire qe nuk kam mundesi te ngrihem dhe te bisedoj me keta njerez kaq te mire dhe te mbrekullueshem qe harxhojne kohen,vijne per te vizituar mua dhe un rri shtrire …kur un postova ne FB kete lajm te kobshem , nuk kishin te rreshtur klikimet dhe komentet per keqardhjen dhe ngushellimet e drejtuara nga shoket dhe te njohurit e Ladit per ate vete dhe te gjithe ne qe na rrethon kjo dhimbje….
Ladi ishte nje bashkshort i dedikuar dhe prind i shkelqyer ai fliste me shume respekt  dhe dashuri per familjen e tij dhe i  donte ata me shume se cdo gje ne jete , ai fliste me shume dashuri dhe respekt per bashkshorten Eden…I mbeti shume mirenjohes qendrimit te saj deri ne momentet e fundit prane tije .Fliste me dashuri dhe pasion per dy vajzat e tije ,Ketlin dhe Kristel ,ishte krenar me rezultatet qe ato arrijne ne shkolle…dhe sot ato i premtojne qe do ta mbajne fjalen ,do te dalin me rezultate te shkelqyera ashtu si ai nuk rreshte se enderruari…ate e solli ne jete prekja e duarve te njoma te nipit te tije Eros..dhe lotet i rrodhen ne faqe edhe pse kishte ore te tera qe nuk permendej…
Le te qendrojme te gjithe te bashkuar ashtu sikurse ladi na donte…ai eshte ketu midis nesh dhe ne kemi kujtime nga me te bukurat me te…le te ndajme keto kujtime dhe te jemi te gezuar te qeshur ashtu si ai na donte te ishim gjithmone…tani un po ju them fjalet e tij : Mos harroni te qeshni… gezohuni gjithmone mos u ndjeni fajtor “sepse u dashka te qani per mua sot ne kete ndarjen time fizike nga ju” po qeshet dhe u gezuat un do jem per here me ju……qeshni se un po ju degjoj…qeshni qe un te ndjehem I gjalle !
Le te jene kujtimet per Ladin ato qe sjellin Pranveren tek ne .Jo me kot Ladi lindi ne muajin Mars, muajin kur çelin manushaqet, kur buzeqeshin zambaket ,kur gjelberon bari e çelin  lulet e pemeve…ai do te mbetet pranvere ne zemrat tona, ne shpirtin tone…dhe kur per pak kohe ne do te na godase guri i ftohte i loteve…mos ta zgjasim shum po te qeshim ,te qeshim qe ti bejme vend Ladit ne shpirtin tone keshtu qe per Ladin sot nuk eshte nje lamtumire por eshte nje lloj i veçante pershendetje TUNGJATJETE!!!
E perjeteshme qofte dashuria dhe kujtimi  jot Vella Ladi!

*Bukurosh Curre eshte anetar i Kryesise se deges se vatres ne Jacksonville, FL. Federata “Vatra” dhe Gazeta “Dielli” i shprehin ngushellimet me te thella per humbjen e vellait!

Filed Under: Featured Tagged With: Bukurosh Curre, Elegji per vellain, Vladimir Curre

A KA NDRYSHUAR SHOQËRIA JONË NË PËRCAKTIMIN E SHIJEVE DHE VLERAVE?

February 27, 2014 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

Në biseda të ndryshme shpesh herë dëgjojmë shprehjen, se ajo që është e bukur për ty, nuk është për mua, ose atë që ti quan të mirë, unë jo, por për ta konkretizuar këtë edhe më mirë , le të japim nja dy shëmbulla;Kur del zakonisht në qarkullim një libër i ri dhe nuk kemi për të informacion, përpara se ta blejmë e ta lexojmë, fillimisht shohim autorin se kush e ka shkruar dhe nëqoftëse prej tij kemi lexuar edhe libra të tjerë të cilat na kanë pëlqyer, është ky një orientim, që mund të merret në konsideratë, por nëqoftëse dikush do na thotë, se e kam lexuar dhe ishte i bukur, si do vepronim dhe kur do e merrnim parasysh rekomandimin e tij! Jemi përpara kinemasë dhe duam të shohim filmin që është afishuar dhe në atë moment nga dera dalin ata, që sapo e kanë parë, por a do bindeshim duke pyetur një person të pa njohur, në se ishte i mirë ai film apo jo? Pra,  shijet, vlera dhe e bukura, sigurisht që nuk mund të konceptohen njësoj, por përveç mentalitetit, kjo varet edhe nga kushtet, ambentit dhe shoqërisë ku secili jeton.

Dhe tani të flasim konkretisht për popullin shqiptar, shijet e tyre, si kanë ndryshuar ato në vite apo dekada dhe arësyen përse.Si komb në përgjithësi jemi me shije të mira dhe këtë e konstatojmë tek veshjet tona tradicionale si të burrave ashtu edhe të grave të punuara dhe qëndisur me aq kujdes dhe gusto; Tek vallet dhe këngët folklorike me lëvizje të hijshme dhe gjithë gjallëri, Tek dasmat me zakone fisnike e të tjera, por për situatat jo të favorshmme historike që herë pas here kemi patur, shpesh ato edhe janë deformuar apo zbehur, por nëqoftëse nuk janë zhdukur, kjo është falë patriotëve tanë, brënda apo jashtë atëdheut, të cilët jo vetëm i kanë ruajtur, por janë interesuar gjithashtu edhe për t’i përhapur. Kështu qysh herët kanë vepruar Arbëreshët e Italisë me De Radën, Gavrill Darën, Zef Seremben e të tjerë, me Rilindasit në shekujt e më  vonë, ashtu dhe mbas pavarësisë dhe sidomos gjatë periudhës së Mbrett Zog, ku zhvillim morën jo vetëm zakonet e ndryshme apo folklori popullor, por në Shqipëri filloi që të hyjë  gjithashtu edhe kultura moderne perëndimore, që ndikoi ndjeshëm në civilizimin dhe ngritjen e nivelit të shoqërisë, në rritjen e kërkesave të saj për një jetë më të mirë dhe cilësore, por rrjedhimisht edhe për një perceptim apo zgjedhje më të saktë dhe të kualifikuar për të bukurën, shijen dhe vlerat.

E kundërta ndodhi mbas ardhjes së komunizmit, ku modelet për ato që përmëndëm, nuk merreshin dhe kopjoheshin më nga intelektualët apo elita e kombit, por nga baza, aq sa edhe herojtë apo personazhet kryesorë të librave, të këngëve apo filmave që dilnin në qarkullim, o ishin kooperativistë të dalluar, o një traktorist që zgjohej që me natë, ose një ushtar vigjilent që ruante kufirin dhe kjo propogandë bëhej, sepse diktatura e ka urrentë atë shtresë, jo vetëm si kundërshtarë politikë, por edhe nga që ndjehesh ndaj tyre inferior si në arësim, kulturë  dhe aq më tepër në patriotizëm, tre komponentë këto që ajo ideollogji nuk i pranonte dhe mllëfin e grumbulluar për ta, e çfryu me atë barbarizëm shtazarak që edhe një pushtues i huaj nuk do bënte dhe për të zhdukur çdo vlerë apo kontribut të tyre, deformoi edhe historinë.

Le të kujtojmë përshëmbull rezistencën më shtatë Prill tridhjet e nëntë kundër pushtimit të Italisë Fashiste dhe Abaz Kupin që ishte organizatori, drejuesi dhe komandant i asaj lëvizje, regjimi asnjëherë nuk u përmëndi dhe vetëm ushtarit të thjeshtë, Mujo Ulqinakut, i bënë monument dhe e shpallën hero. Por edhe të tjera ngjarje si këto të ndodhura para vitit dyzet e katër, diktatura nuk kishte dëshirë që t’i kujtonte dhe duke mos u shkruar në asnjë libër apo tekst shkollor, ato mbetën në harresë, por jo vetëm herojtë, por dhe historia apo periudha të ndritura, që kishin lidhje me ta, të cilat çdo popull i kulturuar, i ruan me kujdes dhe i mban si thesar.

Duke u futur gjithashtu edhe në jetën intime apo private të secilit, komunizmi edhe perceptimin individual të vlerave, e quajti mentalitet borgjez dhe e bëri për të gjithë njësoj. Pra, u kolektivizuan shijet, perceptimet e të mirës, të bukurës, e mjaft ndjesive të tjera që ishin personale, por ky aksion shkaktoi një fenomen sa të dhimbshëm, aq edhe qesharak, sepse duke kopjuar nga njëri tjetri, filluam që edhe veprimet apo paraqitjen e jashtëme, ta bënim njësoj, Kështu visheshim njësoj, flisnim njësoj kryesisht për sportin, hanim, por dhe mendonim njësoj, por bashkë me to u unifikua gjithashtu edhe mënyra e të sjelljurit apo të komunikuarit, dukuri këto më shumë negative, që i hasje në të gjitha institucionet shtetërore, bile edhe tek një shitëse e thjeshtë zarzavatesh, që të shikonte shtrëmbër, sa futeshe në dyqan.

Por nëqoftëse për atë periudhë, këto edhe justifikohen, sepse donim apo s’donim, na a diktua dhe ishim të detyruruar t’i pranonim, sot mbas njëzet e tre vitesh demokraci, duhej që sadopak të ishim përmirësuar, por që realisht kjo gje ende s’po ndodh, tregon se rrënjët e atyre ndryshimeve, qënkan futur thellë në karakterin tonë dhe janë bërë pjesë e tij.

Por edhe një tjetër fenomen, që ndodhi mbas viteve nëntëdhjetë, nëntëdhjet e shtatë e më mbas, mendoj se influencoi po aq negativisht për situatën që aktualisht jemi. Me emigrimin masiv të atyre një milion e ca shqiptarëve, midis tyre pati edhe kontigjentë që shoqërisë shqiptare, demokracisë dhe vëndit në përgjithësi, do i duheshin; Shtresa e persekutuar përshëmbull, të cilës, siç thamë, regjimi komunist, u mundua t’ua shpërbënte dinjitetin dhe vlerat, në sytë e shoqërisë dhe në opinion, ata mbetën megjithatë simbol ndershmërije dhe i fisnikërisë. Pjesa tjetër ishin gjithashtu nga shtresa e artit apo kulturës, shkrimtarë, kineastë, gazetarë, instrumentistë e deri mësuesë e pedagogë, të cilët vërtet i shërbyen atij regjimi, disa, për fat të keq edhe dëmtuan, por duke qenë intektualë, në krahasim me shtresën fshatare, besoj se do e kishin më kollaj, të përshtateshin edhe me sistemin e ri që filloi të ndërtohej, por me ikjen e tyre, vakiumi si në qytetet kryesore dhe sidomos në Tiranë, u mbush pikërisht nga pjesa që përmëndëm, të cilët duke qënë edhe në numur i madh, zaptuan edhe mjaft institucione të rëndësishme, që kishin të bënin direkt me edukimin e brezit të ri dhe jo vetëm nëpër shkolla, por edhe në mjaft qëndra të ndryshme arti apo kulture, kanale televizioni, grupe teatrale, humoristike e të tjera, të cilat si private e të pavarura që u bënë,  rëndësi më shumë i vunë biznesit, por jo programeve pa cilësi dhe me nivel të dobët që transmetonin dhe në këtë rast dëmet që u shkaktuan gjeneratave të reja, ishin ndofta po aq, sa ç’bëri edhe komunizmi dhe fakti që sot ky kontigjent, sigurisht i rritur, nuk është në gjëndje të dallojë vlerat, të bukurën nga e shëmtuara apo të moralëshmen nga e pa moralëshmja, krijon probleme, që shpesh shoqërisë i kushton. Mjafton të përmëndim periudhat e zgjedhjeve, momente këto aq të rëndësishme në demokraci, kur si elektorat, jo vetëm që nuk e vlerësojnë, por dhe votën, simbolin e saj, e shesin apo e blejnë, sikur të qe ndonjë biletë kinemaje; Po ashtu edhe si publik, që nuk mungon çdo natë të mbushi sallat e çfaqjeve, por që duartroket nxehtësisht edhe për ndonjë përfomancë të dobët, apo kur fjalori që aty përdoret, le për të dëshiruar. Këto e të tjera të bëjnë shqetësohesh, që edhe bustin e diktatorit Enver Hoxha, që njëzet e tre vjet më parë populli shqiptar e rrëzoi, të ngrihet përsëri.

Tranzicion do të thotë që ta kapërxesh atë histori kriminale dhe të mbrapshtë që na la komunizmin, por, siç shihet, opinionet dhe vlerësimet, janë ende të pa sakta dhe këtë dyshim e ka gjithashtu edhe Europa, e cila, si duket, u lodh me neve dhe po e humbet durimin.

Filed Under: Opinion Tagged With: a ka ndryshuar Shoqeria, Hasan Kostreci, jone

KUJDES BALLKANIN!

February 27, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Zona e Ballkanit Përendimor dhe vendet  e atij rajoni janë si fëmija që nevojitë të mbahet gjithmonë për dore ashtuqë mos të rrëxohet nga pakujdesi.  Zhvillimet e përgjakshme të kohëve të fundit në Ukrainë  duhet të jenë një kambanë për elitat politike  të  vendeve të Ballkanit si dhe për Bashkimin Europian dhe për Shtetet e Bashkuara që kësaj zone t’i kushtohet një vëmendje më e madhe para se të jetë vonë.   Protestat me dhunë anë e mbanë Bosnje Hercegovinës të kohëve të fundit, papunësia, që në shumicën e këtyre vendeve arrinë në 30 për qind ose më shumë,  si dhe një numër çështjesh të pazgjidhura në rajonin e Ballkanit Përendimor, pothuaj 15 vjetë pas përfundimit të luftërave atje, janë arsye për shqetësime serioze për kët rajon.   

Kuptohet se situata në të cilën gjënden vendet e Ballkanit Përendimor është kryesisht përgjegjësi e elitave politike të këtyre vendeve, pasi kuptohet se demokracia nuk mund të imponohet nga jashtë,  por komuniteti ndërkombëtar –Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara — kanë gjithashtu përgjegjësitë e tyre në këtë mes.  Procesi për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian pothuajse është në vend numëro për më shumë se një decade tashti, gjë që pasqyron kryesisht mos aftësinë ose mos vullnetin e klasës politike të këtyre vendeve që të adaptojnë standardet europiane të integrimit — një klasë politike kjo që në shumicën e vendeve të rajonit konsiderohet si grabitqare e pasurisë, duke përdorur mjetet ligjore dhe jo ligjore që ka në dispozicion, për veten dhe mbështetsit e tyre politikë.  Por gjithashtu kjo gjendje stagnante, reflekton gjithashtu edhe mungesën e një  vullneti më serioz politik dhe diplomatik të vendeve të Bashkimit Europian (BE) që  shtetet e kësaj zone të integrohen në organizmat euro-atlantike.  Është e  vërtetë se Europa me të drejtë insiston në zbatimin e standardeve të saja për vendet që dëshirojnë t’i bashkohen atij klubi — dhe si përfundim as Bashkimi Europian as Washingtoni nuk mund dhe nuk duhet që këtyre vendeve  t’u imponojnë rregullat e demokracisë dhe të ekonomisë së lirë.   Kjo është detyra dhe përgjegjësia e nomenklaturave politike të vendeve, anë e mbanë këtij rajoni, nëqoftse me të vërtetë dëshirojnë vlerat e demokracisë dhe integrimin europian të vendeve të tyre.

Siç duket, të shqetësuar nga mungesa e përparimit të këtyre vendeve ndaj zbatimit të standardeve për integrimin në BE-në, por edhe nga zhvillimet e fundit në Ukrainë, kohët e fundit, po vihet re një interesim më i madh nga Washingtoni dhe nga Bashkimi Europian për ato që po ndodhin ose nuk po ndhodhin në Ballkanin Përendimor.  Shpeshëherë, interesimet ose shqetsimet e Washingtonit zyrtar mbi zhvillimet në Ballkan, ose kudo tjetër, shprehen publikisht nepërmjet seancave që thirren nga Kongresi amerikan.  Siç duket ,të shqetësuar mbi mungesën e prëparimit në shumë fushë të vendeve të këtij rajoni,  disa ditë më parë,  Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara — i cili përbëhet nga 9 anëtarë të Senatit dhe 9 anëtarë të Dhomës së Përfaqsuesve, si dhe nga një përfaqsues i Departmantit Amerikan të Shtetit dhe të Pentagonit — njoftoi mbajtjen e një seance të posaçme javën që vjen, me 5 Mars, për të diskutuar  zhvillimet e fundit në Ballkanin Përendimor si dhe për të konsideruar marrjen e masave politike në përgjigje të situatës së krijuar.  Komisioni amerikan i Helsinkit njofton se të ftuar për të dhënë dëshmi para Komisionit janë, Hojt Jee, Zëvëndës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Punët Europiane dhe Euro-Aziatike, Tanja Fajon, anëtare e Parlamentit Europian nga Sllovenia dhe Kurt Volker, Drejtori Ekzekutiv i Institutit McCain.  Në njoftimin për mabjtjen e seancës mbi Ballkanin thuhet se, “Vendet e rajonit të Ballkanit Përendimor në Europë –Shqipëria, Bosna-Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia — e kanë filluar vitin 2014 me një numër sfidash, pritjesh dhe shpresash.  Zgjedhjet, dialogu dhe bërja e reformave do të përcaktohen nga shpresat për të hedhur hapat e duhur drejtë integrimit europian dhe euro-atlantik, me kuptimin se secili vend gjëndet në një periudhë të ndryshme gatishmërie të këtij procesi, por të gjitha ndajnë të njëjtin interesim për avancimin e stabilitetit në mbarë rajonin.”   Në njoftim thuhet se gjatë seancës, përveçse do të pasqyrohen pikëpamjet zyrtare dhe qëndrimet politike të Shteteve të Bashkuara karshi vendeve të Ballkanit Përendimor, do të ketë edhe analiza të ekspertëve nga të dy anët e oqeanit.

Njoftimi për mbajtjen e seancës dëgjimore në Kongresin amerikan u bë, ndërkohë që në Londër u mbajtë disa ditë më parë Konferenca e Bankës Europiane për Rindërtim dhe  Zhvillim, ku morën pjesë Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Përendimor, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.  Objektivi i kësaj konference, në të cilën mori pjesë edhe Komisioneri për Zgjërimin e Bashkimit Europian, Stefan Fyle, ishte sipas Bankës Europiane,  për të, “nënvijuar potencialet dhe mundësitë për investime në rajon dhe për të promovuar investime të huaja si dhe projekte të përbashkëta investimesh.”

Në serinë e këtyre takimeve dhe konferencave mbi Ballkanin Përendimor mund të përmendet edhe mbledhja në Tiranë në fillim të javës e përfaqsuesve të parlamenteve të rajonit  ku u diskutua rreth forcimit të bashkëpunimit në kuadër të Kartës së Adriatikut, një nismë kjo që është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar anëtarësimin e këtyre vendeve në Nato.   Në Tiranë gjithashtu javën që vjen, do të bëjë vizitën e tij Komisioneri Stefan Fyle, ku do të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë  mbi procesin e zhvillimit të reformave që nevojiten në rrugën e këtij vendi, drejtë integrimit europian.

Të gjitha këto aktivitete dhe nisma duket se po bëhen me qëllim që të parandalohen rreziqet e mundshme për një këthim mbrapa në zhvillimet e këtij rajoni në marrëdhënjet midis tyre dhe më gjërë me pjesën tjetër të Europës.  Problemet ekonomike të rajonit janë tepër të mëdha, siç u vu në dukje në mbledhjen e Bankës Europiane në Londër, por pa zgjidhjen e problemeve politike të mbrendshme dhe të jashtme të vendeve të rajonit ballkanik, është vështirë të flitet për një rimkëmbje ekonomike dhe sigurimin e investimeve të huaja në vendet e Ballkanit Përendimor.  Nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik as për standarde drejtë integrimit europian pa një pajtim ndërmjet kombeve dhe pa një kërkim faljeje për krimet e Serbisë në Kosovë dhe anë e mbanë ish-Jugosllavisë gjatë luftërave në 15 më pare në atë rajon.  Atje ndasitë historike midis grupeve etnike janë tepër të theksuara gjithnjë.  Megjithëse bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë për normalizimin e marrëdhënjeve midis dy vendeve, Beogradi vazhdon të këmbëngulë se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Republikës së Kosovës.  Një frymë e tillë armiqësie ndaj Kosovës nga ana e Serbisë, nuk krijon një atmosferë të volitshme për bashkjetesë paqësore as nuk mund të nxitë investimet e huaja në atë rajon dhe as nuk duhet të lehtësojë procesin e Serbisë drejtë integrimti europian.  Qëndrimet fanatiko-nacionaliste të Serbisë ndaj mos njohjes së Kosovës, mbajnë hapur dyertë e konfliktit dhe të mos stabilitetit në rajon.

Prandaj, mesazhi nga Bashkimi Europian si dhe nga seanca e Kongresit Amerikan, javën që vjen mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, duhet të jetë  se Washingtoni dhe Brukseli nuk do të tolerojnë  përjetësimin e një situate ku siguria dhe paqa në Ballkan të mbeten peng i politikës nacionaliste serbe e përkrahur nga Rusia, e cila gjithmonë përpiqet të peshkojë në ujëra të turbullta.  Edhe ”janukoviçëve”  të atij rajoni duhet t’u jepet mesazhi se ata nuk do të kenë përkrahjen e vet popujve të tyre, por as të komunitetit ndërkombëtar.   Zhvillimet e fundit në Ukrainë duhet të jenë një kambanë për të gjithë ata që janë të interesuar për një Europë të tërë, të lirë, të bashkuar dhe në paqë, e cila nuk mund të realizohet pa zgjidhjen e problemeve serioze ekonomike dhe politike të mbrendshme të secilit vend, dhe pa një  stabilitet të qëndrueshëm për të gjithë  rajonin e Ballkanit Përendimor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, KUJDES BALLKANIN!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4821
  • 4822
  • 4823
  • 4824
  • 4825
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT