• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUSH ËSHTË MË (ANTI) ENVERISTI?

February 25, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

”Unë do të isha shumë i interesuar, që duke u bazuar në fakte, të zgjidhë disa situata bazë ekzistenciale të jetës së njeriut — për tu përballur jo vetëm me frikën që kemi për të ardhmen, dhe frikën që ndiejmë ndaj lirisë si një fenomen i ri, por tani duhet të vendosim se si të merremi  edhe me frikën që kemi nga e kaluara.”  (Vaclav Havel 1991)

Problemet e tranzicionit në Shqipëri nga diktatura komuniste në demokraci vazhdojnë.   Jo vetëm në çdo përvjetor të rrëximit të monumentit të Enver Hoxhës, siç ndodhi edhe javën e kaluar, por pothuaj në çdo debat publik — përfshirë edhe seancat e parlamentit shqiptar — gjatë këtyre dy dekadave të tranzicionit politik, ka mbizotëruar një atmosferë që të bindë se edhe i vdekur, Enver Hoxha edhe sot e luan rolin e tij shkatërrues në jetën e shqiptarëve.  Hija e turbulltë e Enver Hoxhës  fatkeqsisht vazhdon të pengojë ato që duhet të ishin rrezet e një transformimi dhe të  një dekomunistizimi të vërtetë të vendit dhe të shoqërisë, ashtu siç ka ndodhur dekada më parë në  shumicën e vendeve të tjera ish-komuniste.  Kjo hije e zezë e ka zënë dritën e zhvillimit të një demokracie të vërtetë, të përparimit të një shoqërie që dëshiron integrimet europiane dhe euro-atlantike — aty ku shqiptarët gjithmonë e kanë pasur vendin.  Por fatkeqsisht, duket sikurë kjo klasë politike është e pa-aftë të heqë dorë, njëherë e mirë, nga trashëgimia e një sistemi që ka lënë rrënjë të thella në psikikën e shoqërisë dhe të politikës shqiptare.  Nga ky debat, është shumë e vështirë të dallohet se kush është “enveristi” dhe kush është “anti-enveristi”.

Ëndërrat  shekullore të 23 viteve më parë për krijimin, e një shoqërie shqiptare të lirë dhe me vlera demokratike, janë këthyer gjatë dy dekadave të fundit në një zhgënjim dhe jo siç pritej, në një demokraci funksionale, për të cilën ka qenë dhe është aspirata e të gjithë shqiptarëve kudo.  Në vend të një shkëputjeje përgjithmonë nga ai sistem, edhe kohët e fundit vihet re një nostalgji për ish-diktatorin dhe regjimin e tij që fatkeqsisht vazhdon të frymëzojë dhe të drejtojë jetën politike të vendit. Ishte ky një sistem që dallohej nga mos tolerance dhe I cili bazohej në zhdukjen e kundërshtarit politik me çdo mjet.   23 vjetë pas rënjes së atij regjimi, lufta për vlerat e vërteta të demokracisë është zëvëndësuar me një luftë të re politike të klasave, për të siguruar interesat personale dhe partiake, kryesisht të një natyre materiale.

 

Pothuaj në asnjë vend tjetër ish-komunist nuk ndodhë që 20- e sa vjetë pas rënjës së komunizmit, debatet politike në parlament dhe në media të mbizotërohen nga akuzat dhe kundër-akuzat se kush ishte më shumë ose më pak mbështetës i atij regjimi dhe idhullit të tij, sikurë vendi nuk ka probleme të tjera serioze.  Në përgjithësi, ky debat pothuaj ka marrë fund anë e mbanë Europës ish-komuniste, pasi në shumicën e këtyre vendeve, gjatë kësaj periudhe, ishin zgjedhur disidentë dhe kundërshtarë të regjimit komunist për president dhe detyra të larta qeveritare dhe shtetërore. Andaj debate të tilla, sidomos në parlamentin e kombit, nuk i bëjnë nder shqiptarëve dhe duken më tepër si një përbuzje dhe nënçmim i parlamentarizmit demokratik dhe rregullave të tij, se sa një forum i përfaqsuesve të popullit, ku duhen debatuar zgjidhjet e problemeve të vjetëra e të reja të vendit, përfshirë edhe dekomunistizimin e politikës.
Andaj duhet më shumë se kujtimi i një përvjetori që të zhduket hija dhe trashëgimia e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij të errët.  Por, nëqoftse me të vërtetë urrehet aq shumë figura e Enver e Hoxhës, siç u përpoqën të tregonin anti-enverizmin e vet në debatet e parlamentit shqiptar javën që shkoi pozita dhe opozita,  atëherë ky mund të jetë momenti historik që të dy palët, me përpjekje të përbashkëta, të tregojnë seriozitetin  dhe gatishmërinë e tyre për tu marrë me këtë çështje dhe  të ulen në një tryezë e të miratojnë ligje për de-komunistizimin e vendit, bazuar në ligjet dhe në përvojën e vendeve të tjera ish-komuniste, si dhe në një numër rezolutash të Këshillit të Europës dhe të Parlamentit europian.  Ky duhej të ishte debati i vërtetë që duhet të bëhet aty në tempullin e demokracisë, në parlament duke ulur poshtë gishtin akuzues, për lidhjet me ish regjimin e Enverit, ndaj njëri tjetrit dhe të drejtonin akuzat dhe të dënonjnë hijen e atij regjimi që ende mbizotëron politikën dhe jetën shoqërore.  Ekziston nevoja për një marrveshje  mbi standardet morale dhe cilësi jetese ekonomike dhe shoqërore europiane, nëqoftse klasa politike shqiptare, me të vërtetë, dëshiron t’i bashkohet Europës.  Është shënjë e mirë që shoqëria shqiptare ka elementë që megjithëse të zhgënjyer nga periudha e tranzicionit, ata nuk pushojnë t’i bëjnë thirrje klasës politike, që të dalë nga ky qorrsokak e të shkëputet nga kjo e kaluar.  Ndër këta zëra u dalluan thirrjet e përfaqsuesve të Lëvizjes Studentore të vitit 1991. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa! nuk janë realizuar nga bartësit e pushtetit politik në të dy krahët politikë”, tha për median Ilir Dizdari, Kryetar i Lëvizjes Studentore.  Ndërsa Blendi Gonxhe, një tjetër ish-student i asaj Lëvizjeje deklaroi javën e kaluar duke i bërë thirrje   shoqërisë shqiptare se, “Duhet t’i themi të gjithë ndal kësaj lufte klasore që vazhdon për 23 vite, ku njëra palë del dhe konteston palën tjetër dhe pas një paqeje 4-mujore jemi përsëri në prag të një lufte dhe përsëri në prag të një mohimi total të gjithçkaje dhe pastaj gjithë shoqëria gjendet përballë këtyre dy krahëve që sa herë përplasen, krijojnë këtë lloj stanjacioni ku ndodhemi gjithmonë”.   Edhe deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, gjithashtu pjesëmarrëse në Lëvizjen Studentore të vitit 1991, e konsideron gjëndjen në të cilën ndodhet vendi, si pasojë e mbizotërimit të filozofisë komuniste në jetën politike të Shqipërisë dhe i kërkon, “Të gjithë spektrit politik shqiptar që të distancohen nga krimi politik i 45 viteve të shkuara dhe nga mentaliteti i kohës”, që sipas saj ”është nj mentalitet që po na mban të mbërthyer të gjithë krahët e politikës shqiptare.”

Veç këtyre, javën e kaluar u dëgjuan edhe zëra të tjerë, përfshirë edhe grupet dhe zëdhënsit e të përndjekurve të regjimit komunist, të cilët bënë thirrje për dekomunitizimin e shoqërisë shqiptare për hapjen e dosjeve tani të famëshme.  Por ndërkaq, disa të tjerë bënë thirrje për rivlersimin pozitiv të veprës dhe jetës së Enver Hoxhës, madje shkojnë aq larg sa e fusin ish-diktatorin në të njëjtin thes me Nënë Terezën dhe Gjergj Kastriotin Skënderbe, si njërin ndër figurat kombëtare që po fyhen këto kohët e fundit.  Është kjo një përpjekje e këtyre revizionistëve të historisë – në mungesë të një shprehjeje më të përshtatshme — që të konfuzojnë brezin e ri duke fshehur faktet dhe traumat e tiranisë komuniste.   Një konfuzion i vërtetë moral!  Është e vështirë të merret me mend se cilat, sipas këtyre njerëzve, janë vlerat morale dhe njerëzore që Enver Hoxha ndanë me Nënë Terezen dhe me Gjergj Kastriotin -Skendërbe!
Nëqoftse kjo klasë politike dhe jo vetëm klasa politike, nuk ballafaqohet me të kaluarën komuniste, atëherë sipas shkrimtarit gjerman Jurgen Fuchs i cili ka folur nga përvoja gjermane, hija e asaj historie do të ndjekë përgjithmonë ata vet dhe vendin e tyre, me pasoja të dëmshme dhe afatgjatë për politikën shqiptare.   Ka qenë dhe është detyra e qeverive të këtyre 20- viteve të fundit që të përpilonin një strategji — ashtu siç ka ndodhur në vende të tjera — për t’u ballafaquar me atë histori, në mënyrë të drejtë dhe të balancuar, dhe për të vendosur përgjegjësitë — pa hakmarrje — për krimet dhe abuzimet sistemike dhe sistematike kundër të drejtave të njeriut.  Ky është një obligim moral për çdo qeveri!   Vendosja e drejtësisë, madje edhe në nivelin  simbolik, do të ndihmonte në procesin e pajtimit kombëtar,  në ndërtimin dhe në zhvillimin e një shoqërie morale, të një shteti përgjegjës dhe llogari -dhënës dhe njëkohësisht do të shërbente si mjet frenues për abuzime të tilla në të ardhmen.

Përballimi me të kaluarën, përveç zbulimit të fakteve dhe të së vërtetës, nevojitë edhe kujtesa të përherëshme siç janë monumentet, muzeumet  dhe të përcaktohen me ligj ditë përkujtimi për viktimat  e tiranisë komuniste dhe të abuzimeve të të drejtave të njeriut, ashtu siç ka bërë e gjithë Europa.

Viktimat e komunizmit janë vrarë e kanë vdekur, ndërsa shumë prej tyre as varrezat nuk u dihen dhe si të tillë nuk kërkojnë dëmshpërblime as nuk kërcënojnë pozitat politike të asnjë njeriu. Andaj, enveristët e dikurshëm dhe anti-enveristët e sotëm, si hap të parë, nëqoftse janë serioz për  dekomunistizimin e vendit të propozojnë:  Një minutë heshtje, njëherë në vit në Kuvendin shqiptar për viktimat e komunizmit si dhe të caktojnë me ligj një ditë kushtuar viktimave të atij regjimi. Një propozim i tillë, do të ishte — të pakën simbolikisht — një hap përpara në këtë drejtim.   Një gjë e tillë, nuk nevojitë as fonde as debate maratone, por vetëm kurajo morale për të bërë atë që është e drejtë.  Kjo është rruga që është ndjekur nga shumica e vendeve ish-komuniste të Europës Lindore.   Mos kini frikë nga e kaluara!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: (anti) Enverist, Frank shkreli, kush eshte

Të kërkosh njerëzoren në çmendurinë e orgjive

February 25, 2014 by dgreca

Esse-analizë rreth romanit “Orgji në famullinë e at Ludovikut”, të shkrimtarit Leonard VEIZI/

nga Raimonda MOISIU /

“Orgji në famullinë e at Ludovikut” titullohet romani më i fundit i shkrimtarit e publicistit Leonard Veizi, dalë nga shtëpia botuese OMSCA-1, Tiranë. Është një libër i ri, bashkëkohor dhe modern, i mirëkonceptuar, frymëzues e letrar, krejtësisht intelektual, që përfshin shumë mistere të thella, metafora e ide të fshehura, të shprehura mes thrillerit e ndjeshmërisë psikologjike të realitetit e surrealitetit në jetën e përditshme. Autori Veizi me finesë dhe magjepsje intensive depërton në thellësi të Famullisë së qytetit dhe historisë së saj, hedh vështrimin te ndodhitë e të shkuarës, mite e legjenda, që vazhdojnë ende të trazojnë të tashmen. Rrëfenjat për Famullinë dhe raportet e krijuara mes personazheve, konfliktet dhe tensionet e tyre brenda e jashtë saj dhe që lidhen me to, e autorizojnë autorin të kërkojë risitë dhe hapësira të reja në kufijtë e së zakonshmes e të pazakonshmes, me të cilat autori Veizi ka krijuar boshtin themelor simbolik letrar-artistik të romanit. Kjo është mëse karakteristike, e thjeshtë dhe strukturë narrative e detajuar, me një stil për t’u admiruar në nivel artistik, psikik dhe filozofik, në kufijtë e hyjnores e njerëzores. Autori ndan personazhet e rrëfenjës dhe imazhet në dy botë kontradiktore; ajo e dritës dhe errësirës, engjëjt e djajtë. Pothuajse çdo detaj në roman pasqyron historinë, një botë apo tjetër të përshkruara me kalvarin e vuajtjeve dhe sakrificave, dëshmi mes vdekjes e jetës, mes dobësisë e forcës, mes dhimbjes e ndjeshmërisë, dashurisë e tragjikes, ide të shkëlqyera këto, që simbolizojnë dualitetin rrëfyes të mëkateve, orgjive dhe krimeve, së bashku me botën e engjëjve, histori magjepsëse konspiracioni, bindëse, inteligjente dhe prekëse në dukje më të mëdha dhe më të fuqishme, që kërkojnë njerëzoren në çmendurinë e tyre dhe japin një goditje jashtëzakonisht të fuqishme emocionale në zemrën e lexuesit. Rrëfimin e mëkateve dhe orgjive nën optikën e dritës së qiririt që ndriçon dhomëzën e at Ludovikut, nga errësira e jashtme, por që afron distancat e tyre dhe i bën mëkatarët, njerëzit e thjeshtë, të çlirojnë shpirtin prej tyre dhe të besojnë se e nesërmja do të jetë më ndryshe. Në jetë ka vështirësi, lumturi, diskriminim, lindje e vdekje. Përvojat e saj janë të zeza e të bardha, ngushëlluese e të tmerrshme, të egra e të mëshirshme, kurajoze e të frikësuara, me të metat dhe defektet e psikologjikes, njerëzores. Adhurojnë e urrejnë nga naiviteti dhe pafajësia e ekzaltimit moral të shoqërisë. Këto janë të gjitha gjërat që ne fatkeqësisht nuk mund t’i shmangim, sepse janë thjesht pjesë të jetës. Rrëfimi na tregon situata realiste, që përfshijnë ndodhi të ndryshme të jetës dhe dualitetin e imazhit modern dhe degradimin e vlerave morale. Personazhe, që mund ta kalojnë tërë jetën pa e kuptuar se çfarë ata kërkojnë në jetë. Ata janë vetë-tolerues e të vetë-mashtruar nga të dyja anët e natyrës me shpresat dhe fatet njerëzore individuale. Policët dhe kriminelët, të pasurit e të varfrit, të fuqishëm e të pafuqishëm, të gjitha, të përcaktuara në një mënyrë apo tjetër nga roli i tyre në shoqëri dhe krizave të ndryshme, që ndeshen brenda e jashtë komunitetit ku jetojnë. Me ashpërsinë e butësinë e të vërtetës, e grotesken e kohës së pakohë, që të gjithë janë viktima dhe që të gjithë janë fajtorë për këtë realitet të hirtë. Ndonjëherë, po ata ngrihen mbi të, edhe pse asnjëherë nuk është kaq e thjeshtë. Impulset e tyre negative mund të jenë të pavetëdijshme, ndërsa impulset e tyre pozitive mund të jenë të rrezikshme, dhe kush e di se çfarë tjetër mund të jenë duke menduar, personazhe të zakonshëm e të thjeshtë, jetët e të cilëve bëhen të ngatërruara, në një mënyrë apo tjetër me botën e tyre grishëse, që autori Veizi është ndalur, për të na i rrëfyer me mjeshtëri artistike e intuitë filozofike, mes modernes e postmodernes, në kohë e hapësirë. Romani “Orgji në famullinë e at Ludovikut” presupozon që shumica e njerëzve, mendojnë e paragjykojnë stereotipet, për të kuptuar strukturën sociale të shoqërisë, kush janë personazhet dhe se si ata veprojnë, prej nga ku rrjedhin edhe pasojat e ndjenjave të tyre të lënduara apo të paragjykuara. Sipas mendimit tim, komponenti më i fuqishëm i këtij romani është forca narrative dhe mënyra në të cilën autori Veizi jep dualitetin simbolik të ndërthurjes së personalitetit dhe mentalitetit, injorancës e inteligjencës së personazheve dhe manifestime të të njëjtit personalitet. Mes 47 fragmenteve që përfshihen në këtë libër, famullia dhe at Ludoviku janë përfaqësues të hyjnores e njerëzores, janë protagonistët që falin qetësi e ngushëllim shpirtëror pa dallim moshe dhe shtresave të ndryshme sociale. Temat dhe idetë e lakmisë, laicitetit, kapitalizmi, urrejtja dhe hakmarrja, dashuria dhe dhimbja janë sigurisht të pranishme në këtë roman. Ato theksojnë paaftësinë e arsyes për të luftuar pushtetin e mërzisë, vështirësive, fatkeqësisë dhe dëshpërimit, ngjarjet me plot të papritura dhe personazhet që i shkaktojnë ato, por që nënkuptojnë eksplorimin e gjerë, që në titullin e veprës së Veizit. Janë në antitezë me madhështinë e orgjive e dashurisë së vërtetë, të moralit shpirtëror e vlerave njerëzore. Ngjarjet zhvillohen në një qytet të vogël të largët dhe romani fillon me një skenë krimi: “Famullia, i vetmi objekt kulti në qytet, ishte shkrumbuar nga flakët e një zjarri masiv. Aty-këtu kishte vatra që ende nuk ishin shuar. Policia kishte arritur ta rrethonte vendin me shirita të verdhë, ndërsa dy ekspertë me kostume të zeza u silleshin rrotull mureve të nxira nga tymi, për të mbledhur ato pak fakte, që kishin mundur të shpëtonin…”(fr.nga f.7.) Autori Veizi, që në hyrje me mjeshtëri artistike e filozofike demonstron fuqinë e dy botëve të kundërta – të dritës ende të pashuar të vatrave të zjarrit dhe ato gradualisht fitojnë rezonanca të tjera simbolike ndaj (errësirës) – kostumeve të zeza dhe mureve të nxira nga tymi, të cilat gjithashtu paraqesin jetën e vdekjen dhe nënkuptojnë shpresat e kota të një jete, sugjerojnë homologët e jashtëzakonshëm – qiellin dhe ferrin e tyre: “Duket sikur është bërë luftë”-iu drejtua ai (Edi) policit Eno, fjalë që tingëlluan më shumë se një psherëtimë”(fr.f.9) – në kontrast me vizionin e tmerrshëm të tragjedisë: “Aksident tragjik, të cilin ia kishin përcjellë me gjysma fjalish, ishte më tepër se aq, ndoshta,…nuk ishte aksident…”(fr.f.6), -mbledhjes së fakteve dhe sublimen e asgjëje të përjetshme, që e bindin autorin për një shpjegim më racional. Këto nuk do të mjaftojnë për të shtjelluar ngjarjen, por autori Veizi mjeshtërisht do të përshtatë faktet e jashtme në vazhdim dhe përforcon natyrën në thelb simbolik të rrëfenjës, do të pajisë ngjarjen me rëndësi të mbinatyrshme. Situata narrative e romanit karakterizon në mënyrë të përsëritur dhe të qartë, kontrastin mes hyjnores e njerëzores, qiellor e engjëllor me terma demonike të pranueshme dhe në mënyrë rigoroze. Duke lexuar romanin, rezultati është një magjepsje intensive për të njohur personazhet, cilët janë dhe cila është jeta e tyre, nuk kemi idenë se si do të sillen ata, për shkak se kjo varet nga ngjarjet që do të precipitojnë në vepër. Shumica e ngjarjeve nxjerrin ritualet, autori njeh formën e përmbajtjen e tyre dhe hedh sytë nga variacionet, nga vullneti i lirë i personazheve dhe çdo gjë mund të ndodhë. Autori Veizi është përpjekur ta paraqesë rrëfimin e tij në disa etapa dhe në të njëjtën kohë ai operon në disa linja, duke krijuar kështu lidhjen e fortë mes personazheve kryesorë dhe anësorë. Në këtë esse-në time do të mundohem të paraqes këndvështrimin tim rreth personazheve kryesorë dhe nëpërmjet tyre mesazhin themelor që ka dashur të përcjellë autori Veizi.

 

-Dyzim personazhesh për zbardhje karakteresh….

 

Shkrimtari Leonard Veizi përfshin disa breza personazhesh duke na dhënë qasjet dualiste imagjinare dhe reale. Kemi personazhe që kanë rolin kyç dhe kemi personazhe që kanë role mënjanës, me përshkrimin e gjallë të bukurisë dhe brutalitetit, ironisë e sarkazmës, harmonisë dhe horrorit, tjetërsimit e zhgënjimit, frikës e paqartësisë, dashurisë dhe dhimbjes, mëkateve dhe orgjive, pesimizmit e fajit, dëshpërimit e paranojës, krimit e ndëshkimit – qasje të kundërta këto, por që sintetizojnë efektin dhe ekspresivitetin e fuqishëm të reagimeve emocionale në jetën individuale dhe karakterin e gjithsecilit. Personazhe të pavarura, por që autori Veizi mjeshtër i përdorimit të elementit artistik, narrativ dhe elementit filozofik, u jep idenë e plotësimit me njëri-tjetrin, duke e bërë kauzë të përbashkët dyzimin e personazheve, dyzimin e momenteve fillestare, me momentet që pasojnë në rrëfim, dyzimin e masakrës së masonëve të mbetur legjendë, me masakrën e tragjedisë aktuale në Famullinë e qytetit, pleksje moderne kjo e të kaluarës me të tashmen – me qëllimin e vetëm diskret të autorit – për zbardhjen e karaktereve të tyre.

Personazhet, Edi, Inspektori i policisë dhe Oficeri i krimeve të fshehta janë karaktere komplekse dhe për arsye jo tërësisht të qarta, njërin e emërton me emrin EDI, ndërsa tjetri nuk ka emër, gjetje artistike e filozofike kjo e autorit, që simbolizon jo vetëm rivalitetin mes dy kolegëve, absurditetin e pikës eksiztenciale e njerëzore, por edhe jobesueshmërinë ndaj njëri-tjetrit. “Inspektor Edi po e shihte me dyshim. Megjithatë e mori revistën në duar. -E ke fare të thjeshtë, – foli – mënjanës. – Nëse nuk ke fakte, propozo të arkivohet çështja. Kjo ishte fare e papritur për inspektor Edin. Ai mund të priste çdo sugjerim nga oficeri i shërbimit të fshehtë, por jo propozimin për mbylljen e dosjes. Ky do të ishte dështim i plotë. Dhe ai (Edi) nuk e kishte njohur dështimin deri atëherë. -Je në vete?! – u hodh përpjetë si ta kishin pickuar. – Janë shtatë viktima, kam trysni të llahtarshme për ta zgjidhur çështjen, dhe ti më thua ta arkivoj!” Për të dy, si për inspektorin Edi dhe për oficerin e krimeve të fshehta, është një prani e padëshirueshme, por secili prej tyre kanë shumë nevojë për njëri-tjetrin, për të kuptuar se çfarë shkon mirë apo keq, si palë përgjegjëse për të investiguar më shumë rreth zbulimit të shkaqeve të asaj tragjedie me shumë mistere, – ishte aksidentale apo krim dhe ndëshkim?! Inspektori Edi përpiqet për të parë më thellë në njerëzoren e dosjes e të krimit. Krenaria në aftësitë e tij zbuluese e çon atë të urrejë hipokrizinë e nënvetëdijes të oficerit të shërbimit të fshehtë dhe paaftësisë të atmosferës kolektive (personazhe anësorë si Nora policja dhe kapiteni) që janë përfshirë në mbledhjen e fakteve dhe zgjidhjen e shkaqeve të vërteta të krimit, të cilët inspektor Edi, (polici Eno) nuk mundin t’i ndalojnë në gjetjen e shkaqeve, aq më tepër kur oficeri i shërbimit të fshehtë e shikon dosjen si asgjë me vlerë! Ndjenjë kjo e besimit tmerrësisht të vetmuar. Para së gjithash, gjurmët e krimit i kanë çuar të dy ata në Famullinë e At Ludovikut, krim e ndëshkim bazuar në marrëveshje misterioze e të fuqishme njerëzore, dhe si detektivë bëjnë më të mirën, për të qëndruar në anën e djathtë të ligjit, që nuk e ndryshon dot faktin, se ata duhet të merren me njëri -tjetrin dhe me taktikat e tyre hetimore, për të arritur objektivin bazë – zgjidhjen e misterit. Në fund të fundit, të dy janë detektivë dhe kjo është ajo që bëjnë detektivët. Dy personazhe të mirëvendosur e të parashikueshëm në lëvizjet dhe veprimet e tyre, pavarësisht nga preferencat e partnerëve përkatës, por që autori Veizi ka ditur të krijojë partneritetin e shëndoshë dhe emocional të inspektorit Edit dhe Oficerit të krimeve dhe të zbardhë mjeshtërisht karakteret e personalitetin e tyre.

Eva është një personazh i rëndësishëm në roman. Relativisht e re në moshë dhe tërheqëse, e divorcuar nga një martesë e pakënaqur, dhe pas divorcit, Eva e sjellshme në dukje dhe e komunikueshme në heshtje, jetonte ferrin në një skllavëri shumëfishe me vështrimet e përvjedhura mashkullore dhe marrëdhënieve seksuale disa vjeçare me “hije” dhe anonimë në jetën e saj, perspektiva të pashpresa këto, të cilat jo vetëm kurrë nuk u morën vesh, por edhe për ironi të fatit, Eva do të lindte një fëmijë të jashtëligjshëm, djalin e “vëllanë” e saj – Vikin, i cili fillimisht e dinte që e kishte “motër”. Vonë në shtratin e agonisë, ajo i tregoi sekretin e atij misteri. Një nga komponentët më të fuqishëm të këtij romani, është dualiteti simbolik i këtyre dy personazheve të ndërthurura mjeshtërisht në kohë e hapësirë. Eva vdiq me ndjenjën e dilemës se kush ishte ati i vërtetë i fëmijës së saj, por edhe me ndjenjën se At Ludoviku ishte babai i Vikit, si rezultat i një orgjie në agoninë e dyzuar njerëzore dhe epshndjellëse, që flakëronin nga sytë e saj e të at Ludovikut, në dhomëzën e rrëfimit nën dritën e qirinjve. “Ajo i ishte afruar më shumë nga sa duhej. Gjithçka e saj ishte fare pranë. Mjaftonte që të zgjaste pak dorën dhe… – Më kurorëzo atëherë, – i kishte thënë ajo dhe frymën e saj të ngrohtë e kishte ndier në fytyrë. – Pse të mos vij në shtrat me ty më parë? Eva po e shihte me ca sy joshës. Gjoksi i ngrihej dhe ulej thekshëm nga frymëmarrja. Kurse at Ludoviku ishte turbulluar i tëri.(fr.f.225).” Në atë çast ai nuk ishte më prift, por një mashkull që po tërbohej pas erës së femrës. Ajo po i afrohej atë çast, ishte një mrekulli e pakrahasueshme. Frat Ludoviku nuk e kishte kuptuar se si ishte gjendur midis shalëve të saj. Nuk e kishte kuptuar, se çfarë kishte ngjarë mes tyre në ato çaste të ethshme, nuk e kishte kuptuar, se kush e shtynte të bënte atë veprim krejt të papërgjegjshëm, veçse kishte ndier orgazmën të rrëshqiste ethshëm dhe ai në vend që të ç’tensionohej, ishte tensionuar më tepër.”(f.226)

Padyshim ky monolog provon vlerën e tij në kontekstin seksual, ankthit pëshpëritës dhe mëkatit mbi shpinë të mashkullit, që dominohet nga besimi te perëndia; “-Oh Zot, kjo ishte…..Pse Eva-t janë mëkataret e pandreqshme të kësaj bote?!(f.226),- por edhe nga zgjedhjet dhe vendimet morale të dashurisë njerëzore. Shumica e qenieve njerëzore duket se kanë aftësinë për të gjetur gëzim e kënaqësi jo vetëm nga gjërat e thjeshta, por edhe nga zgjedhjet dhe forca shpirtërore e tyre. Qasje të ndryshme këto, për jetën dhe zgjedhjet që bën gjatë saj, në bazë të pikëpamjeve të tyre morale dhe etike.

Ka një ndryshim thelbësor, se si këta dy personazhe, e shohin botën dhe njerëzit që i rrethojnë. Bota për ta është e ashpër, zbrazëti dhe krizë vlerash, e pamëshirshme.

Autori Veizi mjeshtërisht hyn në thellësi të marrëdhënieve të tensionuara në heshtje të Evës, Vikit dhe at Ludovikut me ambientin familjar dhe njerëzit përreth. Autori menaxhon mrekullisht forcën rrëfyese dhe krijon lidhjen e fortë mes këtyre personazheve. Viki beson thellësisht në fuqinë e misterit se kush është babai i tij, mënyra se si autori e prezanton atë, ato që Viki thotë, premton e bën. Ai nuk e sheh veten, ashtu sikundër të tjerët e shohin atë. Atij i duket sikur ata nuk e shohin drejt, qoftë edhe në situata delikate të jetës së tij, por edhe në ato të gabuarat. Përfundimisht, ai është verbuar nga misteri dhe mënyra si të bëjë para për të jetuar. Ai zgjedh fitimin personal mbi vlerat personale dhe të afërmeve të tij. Nuk është e rastit që Viki ka mentalitetin sundues të korruptimit shpirtëror dhe përfitimit material, nëpërmjet grabitjes, drogës, skllavërisë seksuale, precedentëve penalë e plot vese të tjera, për realitetet e jetës së përditshme. Shpesh, në pamje të parë, ato i duken deklarative, mes hipokrizisë e trysnisë së jetës e mbijetesës, metaforë kjo se krimet e shkeljet janë për njerëzit. Nga ana tjetër, ai kërkon atin e tij, dashurinë e nënës së tij, për të korrigjuar gabimet që “këta prindër të hershëm” kanë shkaktuar ndaj tij. Kështu që dashuria e tij për ta, përmban në vetvete një kontradiktë; përpjekja për t’u kthyer në të kaluarën dhe në përpjekje për ta ndrequr të kaluarën. Jeta e tij tashmë është shkatërruar dhe ai tashmë është aty në Famulli, dëshmitar i asaj orgjie, ngjizjes së deklaruar tashmë triumfalisht.

“Njëzet vjet më parë mamaja ime më ngjizi këtu, në këtë shtëpi të zotit. Dhe me kë do të thoni ju? Jeni kureshtarë ta dini….? Me priftin e kësaj famullie? -Domethënë na qenke djalë prifti!-kishte thënë njëra nga vajzat… -Po, – kishte thënë Viki, – jam djali i priftit dhe për njëzet vjet me radhë nuk e kam ditur. Nëna ma mbante të fshehtë. Jo më larg se dje e mori vesh edhe ai vetë; sot e morët vesh ju, por nesër do ta marrë vesh i gjithë qyteti.”(f.238). Viki beson thellësisht në fuqinë e fjalëve të tij, se at Ludoviku është edhe prift edhe baba. Arroganca e tij në të folur me humor indikativ nënkupton jo vetëm rrugën e mundimshme të tij, por pothuajse “nxjerr në dritë” dëshirat e tij mbi të tjerët. Deklaratat e Vikit janë ironike, dëshmi monumentale të arrogancës së jetës dhe Viki përfundimisht pajtohet me tezën e tij radikale, se nuk ka kthim mbrapa, por ajo mbart në vetvete të pavdekshmen e njerëzoren. Sepse, me kalimin e kohës, ai ndjente më pak keqardhje, për atë që kishte bërë dhe atë çfarë po bënte aty në famulli, si hakmarrje kjo ndaj së kaluarës. Tek emri i at Ludovikut merr kuptim edhe titulli i romanit. Ai jeton në atë mënyrë që tregon respekt dhe dinjitet për të gjitha shtresat e shoqërisë dhe banorët e qytezës. Ai di shumë gjëra e sekrete për shumicën e tyre dhe muret e dhomëzës së rrëfimit mbartin mëkatet e gjithsecilit dhe të at Ludovikut.

“Veçse ishte i lodhur. Mbante mbi vete gjithçka të atij qyteti. Brengën e tij. Ai dukej vërtet i qetë dhe u buzëqeshte qytetarëve, kur rastiste të dilte ndonjë shëtitje të shkurtër nëpër qytet. Ishin po ata që kishin rrëfyer te ai mëkatet e tyre. Të pabesueshmet… ‘Mjaft më! Njerëz të pacipë! Ky vend qelbet erë. Ju të gjithë jeni kurvat e qytetit’. Por nuk mund ta bënte këtë. Ndaj, veç buzëqeshte dhe lutej nën zë”.(f.198-199).

At Ludoviku i ndjek në luftën e jetës dhe lutet për të mbijetuar. I mëshiron, i fal dhe i qetëson në mënyra të ndryshme, pa i treguar askujt. Titulli i plotë “Orgji në Famullinë e at Ludovikut” në kuptimin fjalë për fjalë, nënkupton mëkatin njerëzor të orgjive, që do të thotë, se do të ketë dashuri dhe dhimbje. Kuptimi i dytë është se këto ndodhin në shtëpinë e Zotit mes hyjnores e njerëzores dhe kuptimi i tretë më i rëndësishëm është analogjia e legjendës që flitet e tregohet -orgjia madhështore e masonëve, ku burra të fortë e hamshorë pinin, deheshin e shkonin me gra të bukura, me absurditetin e orgjisë të Vikit, shokëve dhe mikeshave të tyre, nën hundën dhe vëzhgimin e at Ludovikut. Ndërgjegjja e at Ludovikut nis me dilemën filozofike, për shkak të statusit të tij religjioz dhe social-politik, ekonomik, të dramave njerëzore e të realitetit të jetës, në të cilën ai duhet të pyesë besimin dhe moralin e tij. Ai ka besim tek Zoti. Pasi kupton se si do të vazhdojë ta jetojë jetën e paskëtaj nate orgjish, gjendja e tij bëhet një shembull i relativizmit moral, nëse nuk ka të vërteta universale morale. Kthimi mbrapa paraqet dy të kundërtat filozofike e morale, përmasat tragjike që at Ludoviku detyrohet të marrë përgjegjësitë vetë: Djegien e Famullisë! Por më e rëndësishmja është se sa më shumë rrëshqisni nëpër faqet e romanit, ju bën me të vërtetë të mendoni dhe ngrini disa pyetje hipotetike. Ju do të kuptoni se si personazhet përpiqen për të gjetur përgjigjet dhe të pajtohen me to. Çfarë do të bëjnë at Ludoviku, Eva, Viki, Inspektor Edi, Oficeri i krimeve të fshehta, masakra e masonëve me masakrën aktuale, at Engjëlli, gjyshi dhe gjyshja, Nora, polici Eno, Venera, piktori, historiani, arkeologu, e disa personazhe në hije? Sa larg do të shkojnë për të mbrojtur të vërtetën, dashurinë, enigmën, dhimbjen, misterin e reputacionit të tyre në kërkim të njerëzores dhe në çmendurinë e orgjive? Sa egoistë do të jenë? Mendimi i Inspektor Edit që i ofron gazetares Venera për të shkruar një roman, a është ky ngushëllimi i tyre me vlerë më shumë se jeta e njerëzve? Fundi i romanit është e fshehta shumë më e mprehtë, duhet ta lexoni dhe të mësoni “enigmën” që posaçërisht shkaktoi këtë tragjedi, këtë masakër. A është kjo e mjaftueshme për t’i dhënë kuptim njerëzores në çmendurinë e orgjive? Secili nga personazhet dhe ne lexuesit jemi të lindur nga dashuria. Po ashtu, gjithkush ka nevojë për marrëveshjen e madhe të dashurisë njerëzore, për të na bindur se ia vlen të jetosh dhe jeta është e bukur. Pasi kemi marrë e dhënë dashuri, kjo zakonisht zgjat jetën. Por universi, bota reale dhe shoqëria është një vend mjaft i ftohtë me mure socialë, politikë dhe historikë të hirtë. Ajo ç’ka ne duhet të investojmë, janë ndjenjat tona për ta ngrohur e qartësuar atë. Shkrimtari dhe publicisti Leonard Veizi i ka kushtuar një vëmendje jashtëzakonisht të admirueshme strukturës narrative. Dialogu i personazheve është i mrekullueshëm e i mprehtë. Struktura gramatikore, zhargoni gjuhësor, koha e foljeve dhe drejtshkrimi i fjalëve, tregojnë se autori ka njohuri të shkëlqyera e profesionale të gjuhës shqipe, që e bëjnë romanin shumë interesant, me ide dhe mendime të thella e të detajuara, rreth konfliktit shpirtëror, artistik e filozofik, dhe jo vetëm kaq – mesazhi i tyre është mjaft prekës.

Hartford CT USA,Shkurt 2014

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Leonard Veizi, Orgji ne famulline e at Ludovikut, Raimonda Moisiu

Të priftë e mbara Ty dhe “Rilindjen” Z. KRYEMINISTËR!/

February 25, 2014 by dgreca

PO ME ATSH-në ÇFARË PATE Z. KRYEMINISTËR?/

Nga Telnis Skuqi/

GJIROKASTËR – Nuk të kam asnjë borxh unë dhe familja ime të përjetonim një traume psikologjike qysh prej ditës së djeshme.
Besoja se “Rilindja” do të sillte stabilitet, pas një tranzicioni 24 vjeçar.
Ende pa nisur mirë punën “Rilindja”, ti Kryeministër nise të hidhje valle me fatin e shqiptarëve.
Na premtove 300 mijë vende punë përpara 23 qershorit, sot numri i të papunëve është dyfishuar fal kontributit tënd.
Reagimi im nuk është inacor, për shkak se vendi im i punës u “çmontua” fillimjavën e fundit të shkurtit të këtij viti.
Si taksapagues i rregullt i këtij vendi, ti më poshtërove. Jam ndjer i turpëruar përpara dy vajzave të mia, afro 3 e 5 vjeçe. Ato nuk patën mundësi sot të gëzonin fëmijërinë e tyre, pasi kryefamiljari, një rrogëtar shteti, u prek nga “Reforma e Rilindjes”.
Lotët e tyre kanë qenë të sinqerta, më të sinqerta se premtimi yt.
Për herë të parë në jetën time zemra më ka pikëlluar. As shumë më janë dhembshur sa për pak harrova fëmijërinë time.
Në moshën e fëmijëve të mi, unë nuk pata në krah ngrohtësinë e prindërve të mi. Ata më braktisën qysh në ditën e parë të jetës, 39 vite më parë. Ime mëmë më shkatërroj fëmijërinë, siç ti shkatërrove sot fëmijët e mi.
U linda në burgun e Kuçovës dhe ende pa marrë frymë mbërrita “pako postal” në befotrofin e Durrësit.
Në moshën 3 vjeçare më “paketojnë” në Vlorë dhe pas tre vitesh përfundova në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë.
“Rastësisht” ku isha vetëm 13 vjeç, në vitin 1989, edukatoret e institucionit social në këtë qytetin bregdetar më hoqën qafe dhe përfundova me vendim të formës së prerë, me nenin 55 të Kodit Penal, në shkollën e riedukimit në Lezhë ku qëndrova vetëm katër muaj. Më zuri amistia e atëhershme politike.
Gjatë tranzicionit politik u gjeta në Durrës dhe përfundova me sukses 2 e 4 vjeçaren profesionale.
Isha 19 vjeç, një i vetmi mes 19 jetimëve që jetonin në Shkozet të Durrësit, ku unë vendosa të mbyll një faqe të errët të jetës sime dhe të hap një tjetër.
I kisha të gjitha mundësitë të emigroja. Askënd nuk kisha mbi kokë. Vetë zot, vetë shkop. Por jo. Kisha të tjera plane në kokën time, pasi besoja se një ditë Shqipëria do të ishte vend aktraktivë.
Në jetën time, vetëm njëherë i kam rënë në qafë shtetit tim. E dija shumë mirë se vendi im nuk kishte fuqi të më strehonte apo të më siguronte punë, por aman një të drejtë studimi në vitin 1996 ishte e plotësueshme.
Fale aftësive të mia personale, kurrë në jetën time nuk kam vjedhur, vrarë apo grabitur të tjerët, siç ndodh tashmë në Shqipëri.
Gjatë studimeve në Universitetin e Gjirokastrës, u njoha me gazetarin Engjëllush Serjani, njeriu që më ndryshoj totalisht jetën.
Si gjahtar i vërtetë, Serjani më piketoj si e ardhmja e gazetarisë, për shkak të disa cilësive.
Sot ai ndihet krenar. Nuk e turpërova besimin e tij. Si shërblim i solla Serjani dhe Gjirokastrës dy çmime të rëndësishme gazetarie, njëra kombëtare dhe tjetri ndërkombëtare.
Me ATSH-në u lidha në një ditë të vështirë. Ishte 6 maj 2006. Dhëmblani, fshati malor rreth 20 km larg Tepelenës, u tronditë nga një shpërthim. Unë udhëtova si skifter drejt gjëmës. Fatkeqësisht, katër ushtarakë humbën jetën. Atë ditë publiku kërkonte informacion, ndërsa përtej celularit tim, drejtori i atëhershëm i informacionit, Edmond Laci, hidhte në kompjuter raportet e mia, herë të shkurta, herë të gjata.
Qysh prej asaj dite deri më 24 shkurt të këtij viti, jeta ime ishte e lidhur ngushtë me të vetmin agjenci zyrtare të lajmeve.
ATSH-ja ka paguar qimet e kokës për të më bërë reporter, madje më mësoj se si ta shkrepja aparati fotografik.
Tashmë dikush pret që unë të flas keq për institucionin e ATSH-ës. Harrojeni, z. Kryeministër, kurrë nuk do ta bëj një gjë të tillë, pasi është shtëpia ime, u rrita, u edukova, u arsimova, si dhe u bëra baba me këtë profesion.
Prej 24 orësh unë i kam ndërprerë marrëdhënien me ATSH-në, pavarësisht “ngrohtësisë” 3-mujore në formë dëmshpërblimi.
Z. Kryeministër, ti më tradhëtove, më shite si plackë lufte dhe më le mes katër rrugëve, ashtu si çifuti në shkretërirë.
Më 23 qershor 2013, shqiptarët të zgjodhën të qeverisës me njerëz të aftë, jo me militantë partiak.
Kryeministër të bëmë që të na mbrosh, jo të na drejtosh jetët tona.
Kurrë nuk e besoja që rilindja e kishte majën e lapsit të trashë. Brenda një ditë, afro 30 gazetarë të ATSH-ës u fshin si të ishin miza me motivacion “rikonstruktim organik”.
Si kryeministër ti ke fuqi të cënosh përkohësisht buxhetin tim, por kalemin kurrë nuk pa merr nga dora.
Të priftë e mbara Ti dhe “Rilindja”!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ATSH, Rilindja, Telnis Skuqi

Aksioni opozitar, Basha mbledh aleatët, të enjten vendimi për parlamentin

February 25, 2014 by dgreca

Opozita do të vendosë të enjten nëse do të bojkotojë ose jo Parlamentin. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur sot në selinë blu aleatët e djathtë për të diskutuar qëndrimin që do të mbajë opozita.

Pas takimit, kreu i PR-së Fatmir Mediu është shprehur për mediat se përpara nisjes së seancës plenare të Parlamentit do të merret edhe vendimi nëse opozita do të marrë pjesë ose jo në punimet plenare.

“Do të vendosim së bashku të enjten në mëngjes kush do të jetë veprimi. Nuk pranojmë që të jemi pjesë e një Parlamenti që nuk funksionin sipas ligjit” tha Mediu.

Ndërsa kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh se në fokus të bisedimeve ishte aksioni opozitar dhe vendimet antikushtetuese të mazhorancës.

“Ne jemi me qytetarët, me ata që janë në fund të fundit  duke ndjerë ditë për ditë në kurrrizin e tyre, në xhepat e tyre hallet e panumërta që po u vërtit kjo qeveri me papërgjegjshmërinë, paligjshmërinë dhe mungesën totale të ndjeshmërisë, pashpirtësinë e saj në vendimet korruptive dhe mosvendimet sa i përket ekonomisë së vendit, papunësisë dhe varfërisë. Po kordinojmë me aleatët tanë aksionin tonë opozitar sa i përket shkeljes së paprecedentë të Kushtetutës, ligjit, rregullores së Kuvendit. Pra sjelljet antiligj, anti kushtetues dhe në thelb anti europian të kësaj mazhorance e cila rekordit të saj të zi në opozitë si bllokuese  e statusit po i vendos një rekord tjetër të zi tashmë si mazhorancë si faktotre dhe dirigjente e rrezikimit të aspiratës mbarë popullore të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Këto janë çështjet të cilat po diskutojmë dhe në vijimësi do t`ju mbajmë të informuar” tha Basha.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Basha, Opozita, Parlamenti

Bronx Borough president Ruben Diaz Jr.. honored with Proclamation

February 25, 2014 by dgreca

Bronx Borough President Ruben Diaz Jr.. honored with Proclamation several figures of the Albanian national issue : Ali Ibra – Neza, Isuf Gervalla, Musli Mulosmani, Ambasadori Bekim Sejdiu/

Albanian American Society Foundation and Son & Daughters of Albanian American in conjunction with Monroe College cordially held a lecture by world famous Professor Jusuf Buxhovi on February 23, 2014 at 3;00 p.m. at Monroe College’s King Hall. Former New York State Assemblyman and 21 year member of the Board of Directors of the Albanian – American Society Foundation Stephen B. Kaufman emceeing the event, and AASF President Esad A. Rizai and Vice- President Haxhi Berisha introducing Prof Buxhovi.
Prof. Buxhovi is the foremost historian on Kosova, and will be proudly presenting for the first time in English his renowned three part “Kosova Series.” The “Kosova Series” spell out the entire history of Kosoav, from its early history in : “Part 2: The Ottoman Empire” and finally Kosova’s emergence on the world stage in :”Part 3: from Occupation to International Protectorat.”
In the late 1980’s, Prof Buxhovi co founded the Democratic League of Kosova, the first opposition party in Kosova that helped lead and advocate for peaceful resistance against the Serbian occupation. Prof. Buxhovi has written scores of fiction and non fiction titles , including prize winning novellas, drams, literary critique, political commentaries and history book. His Albanian – language works have been translated into other languages world – wide.(Courtesy:Beqir SINA)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Borough president, Ruben Diaz Jr. Honored with Proclamation

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4828
  • 4829
  • 4830
  • 4831
  • 4832
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT