• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJE FESTIM NDRYSHE PER PAVARESINE E KOSOVES

February 21, 2014 by dgreca

Në Uashington, pavarësia e Kosovës festohet pak më ndryshe: me flaut, recitime, fakte, fotografi, verë dhe “fli”/

Ne Foto: grupi organizator i festimeve te 6 vjetorit te Pavaresise nga komuniteti shqiptar ne Uashington/

Kur përdoret shprehja standarde se “komuniteti shqiptar i këtij ose atij qyteti të botës festoi pavarësinë e Kosovës”, zakonisht mendja të shkon te një grumbull i gjallë njerëzish që këndojnë, kërcejnë dhe hanë, duke uruar njëri-tjetrin dhe duke marrë poza me gotat plot, fotografi të cilat të nesërmen i shikon rëndom në Facebook.

Disa anëtar nga grupi i profesionistëve shqiptarë të Uashingtonit vendosën ta festojnë ndryshe 6-vjetorin e pavarësisë së Kosovës të mërkurën mbrëma. Muzika nuk mungoi, por kësaj here ishin tingujt e flautit të Klodina Kabashi Morinës (http://www.klodinakabashimorina.com/), që sillte plot finesë në mes të Uashingtonit muzikën e bukur të kompozitorit shqiptar Rauf Dhomi.

Në një kënd tjetër, të pranishmit mund të shijonin në ekran pamje mahnitëse nga Kosova (#InstaKosova) të përpiluara nga Rilind Latifi dhe Behar Xharra, disa nga organizatorët kryesor të aktivitetit “Gëzuar Kosovë!”. Një album i fotografes së talentuar Ferka Shala Rothschild (www.fashphotostudio.com)  ishte mjaft përfaqësues i bukurive kosovare, të shprehura në një mënyrë elegante dhe dinjitoze.

“Suzana Frashëri nga Kuçova, specialiste në fushën e së drejtës që punon për firmën e rekrutimit të avokatëve Arcade Recruitment Company,  recitoi nën tingujt e muzikës “Vargjet e Mia”, poezi nga Mark Krasniqi dhe “Lulebore” të Flora Brovinës, poezi te sygjeruara dhe siguruara nga stafi i bibliotekes ndërkomunale “Ibrahim Rugova” ne Gjakovë.

Alban Pruthi, një ndër organizatorët e tjerë të këtij aktiviteti kulturor tha se ideja ishte e thjeshtë: profesionistet shqipetarë në Uashington deshën t’i tregojnë botës se shtetin e ri të Kosovës duan ta ndërtojnë me kulturë, kreativitet, dije, vepra, profesionalizem, , dhe bashkepunim dhe jo përmes ahengjeve apo koktejeve të zakonshme.

Dhe u takonte. Për ata që nuk e dinë, komuniteti shqiptar i Uashingtonit dhe i rretheve të tij ka një bërthamë profesionistesh shqiptarë mjaft inteligjentë e të kulturuar që punojnë me ajkën e këtij qyteti të rëndësishëm. Me profesionalizmin e tyre, ata u bëjnë nder institucioneve amerikane dhe nderkombetare si Grupi i Bankës Botërore , Fondi Monetar Ndërkombëtar, universiteteve, organizatave dhe firmave të mëdha konsulente, për të cilat kryeqyteti amerikan është i njohur. Në të gjithë qytetet e rëndësishëm të Amerikës ka bërthama të tilla shqiptarësh të talentuar, por jo kudo ata arrijnë të bashkëpunojnë dhe organizohen.

Alban Pruthi, i cili vetë punon për Grupin e Bankës Botërore dhe ka një mijë punë në ngarkesën shtypëse që të imponon kryeqyteti amerikan, thotë se të rinjve shqiptarë nuk u mungon potenciali, por ata kanë nevojë për më shumë energji dhe dedikim që të organizohen në një mënyrë të re, të bashkojnë dijet për të bërë gjëra me të cilat do të ndihmojnë veten dhe vendlindjen e tyre, Kosovën dhe të gjithë rajonin e mbarë botën.

Zakonisht aktivitete kulturore dhe promovuese të këtij lloji organizohen nga ambasadat dhe konsullatat me fonde të qeverisë. Por këta profesionist zgjodhën një rrugë tjetër – ndonëse bashkëpunuan me ambasadën e Kosovës për transportimin e verës kosovare (http://www.stonecastlewine.com/) nga Nju Jorku, sigurimin e flamujve, dhe disa fotografive (#InstaKosova) shpenzimet erdhën nga xhepat e grupit të profesionistve shqipëtarë nga zona e Uashingtonit.

Ju mund ta merrni me mend si ndodh zakonisht në aktivitete festive të komunitetit shqiptar. Disa zyrtarë ngrihen dhe mbajnë fjalime të gjata, të mërzitshme dhe të formatit standard, nga të cilat njeriu nuk mëson asgjë. Në të shumtën e rasteve njerëzit bëjnë zhurmë dhe nuk e kanë mendjen te fjalimi. Shpesh, ne ia hedhim fajin vetes që nuk dimë të respektojmë atë që flet. Në aktivitetin e këtyre profesionisteve të përkrahur nga Fondacioni El-Hibri (http://elhibrifoundation.org/), që ofroi hapsirën elegante në objektin e tyre falas, nuk ndodhi kështu. Ata pak njerëz që folën, e thanë shkurt dhe qartë atë që duhej thënë. Ata folën kryesisht për çka përfaqëson Kosova sot dhe çfarë përpiqet të arrijë shteti i ri. Të gjithë që dëgjonin ishin mjaft të interesuar dhe vemendja ishte plotësisht e përqendruar, sepse ata që flisnin dinin ta shprehnin me kulturë dhe me elegancë idenë që donin të thoshin.

Më pëlqeu sidomos prezantimi me një video të shkurtër i disa fëmijëve nga shkolla “Rrezor” e komunës së Malishevës (http://www.youtube.com/watch?v=9vK-rnBYIDI). Nuk duhet më shumë se një dekadë e gjysmë që këta fëmijë t’i shohim të rritur, njerëz që do të fillojnë të marrin përgjegjësitë e shtetit të ri. Sot ata flasin me drojën e zakonshme të një shtatë-vjeçari, por koha kalon shpejt dhe ne do të duam të shohim te këta të rinj të ardhshëm dritën e kulturës dhe të qytetërimit. Kjo të sjell në mendje se çfarë pune kolosale kemi përpara për të ndihmuar Kosovën tonë, për të ndihmuar që atje të rritet një brez sa më pranë modeleve të përparuar kulturorë që ofron bota dhe sa më larg fanatizmit, dhunës dhe paragjykimeve.

Në aktivitet u prezantua edhe ushqimi i Kosovës i përgatitur nga Valentina Gashi dhe Ferka Shala Rothschild. Çfarë ka të veçantë Kosova? Menjëherë mendja na shkon te “flija”. Duke qenë se në Uashington është e vështirë të bësh “fli”, (me saç jo e jo) kishte nga të pranishmit që nuk e kishin provuar kurrë këtë specialitet të famshëm, ndonëse emrin ia kishin dëgjuar. Nga pak “fli” e shoqëruar me verë cilësore na bëri vërtet të ndjejmë se Kosova ofron ushqim të shijshëm dhe origjinal. Natyrisht askush nuk kishte ardhur për të ngrënë e për të pirë dhe për ta festuar pavarësinë e shtetit të ri me shishen e rakisë deri në mëngjes. Kjo ishte një ngjarje kulturore prandaj “flija”, djathi dhe vera kosovare të prezantuara këtu ishin thjesht për kulturë dhe në masën që e bëjnë njeriun të thotë: shijova pak Kosovë dhe u kënaqa duke mësuar.

Në aktivitet u prezantuan edhe fakte interesante për Kosovën të përgatitura nga disa vullnetarë nga grupi i profesionistëve në Uashington dhe disa bashkëpuntorë nga Kosova. Secilit të ftuar i jepej një zarf, brenda të cilit kishte një kuriozitet për Kosovën që të ngelet në mendje. Për shembull, në zarfin që më ra mua, ishte shkruar: Çarshija e Madhe është perla kulturore e qytetit të Gjakovës, që shërben si një vend për të bërë biznes, për t’u takuar dhe për t’u përzierë me njerëz, duke shijuar një muzeum të gjallë. Meqenëse kam qenë në Gjakovë vetëm kalimthi, jam shumë kureshtar të shkoj të shikoj Çarshinë e Madhe, sepse vërtet duhet të jetë një vend interesant. Këtë fakt nuk do ta kisha ditur po të mos kisha qenë në shoqërinë e këtij grupi të mrekullueshëm të profesionistëveshqiptarë që dinë të festojnë me dinjitet dhe që kanë plane për aktivitete po kaq të bukura për të ardhmen.

Korrespondenti i Diellit /Uashington

 

Filed Under: Kronike Tagged With: i 6 vjetorit te Pavaresise, ne Uashington, Nje festim ndryshe, se Kosoves

LETËR E VEHBI SKËNDERIT NGA PARAJSA PËR 20 SHKURTIN

February 21, 2014 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

do të kisha arritur/
nga fundi i botës/
sot më 20 shkurt/
23 vjet/
pas asaj dite/
kur Zoti kishte zbritur në/
Tiranë për të mbjellë/
tek rinia/
trimërinë dhe/
shpresën/
e jetës/
tonë të vrarë/
për së gjalli
në mënyrat
më të përbindshme
të tokës tonë
që pikon
në vend të shiut
lot

do të kisha marrë
avionin
trenat
do ta kisha kaluar
Adriatikun dhe Jonin
me not
do të kisha zbritur
rendshëm
shkallëve të qiellit
nga fryma
do të isha bërë
rishtas

do të kisha ecur
pa u ndalur
me ditë e muaj
natën e ditën
do t’u kisha hypur
kuajve të stuhisë

do të isha bërë 20 vjeç
si ata djemtë e vajzat
më 20 shkurtin 1991
që sot janë dyzetë
e ca vjeç
të gjithë të zhgënjyer
si unë

do të kisha ardhur
edhe i vdekur
nëse nuk do të më
kishin vrarë
të gjallë
dalë e ngadalë
pronarët e lirisë
sikur liria të ishte
jo shenjtore
por prostitutë

do të isha aty
i pari
me mish e kocka
me kocka e shpirt
nëse
nuk do të më
kishte rivrarë
prapë për së gjalli
diktatura e tranzicionit
duke i zëvendësuar
torturat reale
me plumbat
abstraktë
të indiferencës
shurdh-memece
nën breshëritë
e kryetitujve
ku shfaqej
Mesia
ndërsa mëkatonte
si satanai
pa vrarje ndërgjegjeje

ishte një vrasje e ngadaltë
e pabesë
heshtas
për njëzetë vite rresht
pa plumba
me këngët e sorrave
duke i nxjerrë të tepërt
poetët
nga dheu që i lindi
nga qielli e dielli
që i mbuloi
e u dha frymëzimin
edhe në kohën e kolerës

ju u bëtë shpirti binjak
me persekutorët
që i mbajtët rreth vetes

ju ishit artileria e rëndë
e antilirisë
me skuadrën e pushkatarëve
që i shkrepin karikatoret
e të vrasin me heshtjen
kriminale

unë do të isha aty
i gjallë apo i vdekur
nëse Tirana
do të merrte frymën
që Zoti i dha rinisë
atë 20 shkurt
23 vjet më parë
kur unë u futa mes atij oqeani
shpresash njëzetëvjeçare
i gatshëm të vdisja
nga plumbat
që mezi prisnin urdhërat të shtinin
nga tarracat
tek muzeumi
tek 15 katëshi
tek pallati i kultures

ju e mashtruat rininë
e mashtruat Tiranën
i mashtruat poetët
që besojnë të parët
por që e ndjejnë
po të parët tërmetin e
zhgënjimit
andaj rebelohen
të parët

ju ishit falls
ju shitës
ambulant  sloganësh
ju ishit falls
si paret falls
me të cilat nuk blihet asgjë
aq më pak liria

ishit një iluzion
që shkrumboi
miliona ditë
shqiptarësh

tani i pafuqishëm
të ripërsërisësh skenarin
e dramës që luhet
për 23 vjet
unë që prehem
diku në Zvicër
jam shumë më i fuqishëm se ti

sepse duke i patur të gjitha çelësat
në duar
me to u hapën
zgafellat e urrejtjes
sikur nuk na mjaftoi koha
kur na detyruan
të urreheshim
pa asnjë tjetër
rrugëzgjedhje

rrugët tona tashmë
janë të ndara
një herë
e përgjithmonë
unë do të vazhdoj të rend
si shpirt i lirë
pas rinisë
që nuk njeh kurrë plakje
që nuk njeh kurrë vdekje
që rilind
20 vjeçarë
çdo 20 shkurt

ti s’je ndalur
duke i zvarritur shqiptarët
sa herë ka ardhur 20 shkurti
për 23 vite rresht
nëpër tranzicionin
makabër

shumëzoji
23 vite me 5 milionë shqiptarë
sa milenarë jete bëjnë

tashmë një kapitull
i historisë
është mbyllur
si dështim i përkryer
i poetëve dhe popullit

tani asnjë dhe askush
nuk do të të mundë
të imitojë më
këta 23 vjet tërheqjezvarrë
të gjithë
dishepujt e tranzicionit
majtas apo djathtas
tash e mbas janë
buratinë letre
përpara oqeanit
të rinisë

sa për mua
nëse do të rilindja
nga universi i hirit
apo do të ngrihesha nga varri
i baladave
bashkë me të gjithë
shpirtrat e poetët
që i dhanë shpirtin
këtij vendi
për ta bërë më të mirë
s’do bënim gjë tjetër
veç do t’i bashkoheshim
rinisë
për të përsëritur
20 shkurtin…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, Leter e Vehbi Skenderit, nga Parajsa, per 20 Shkurtin

PYETJE RETORIKE

February 21, 2014 by dgreca

– për t’u arratisur nga e kaluara me Visar Zhitin përballë… /

Nga Eugjen MERLIKA/

 Para pak muajsh, duke lexuar në të përjavëshmen MAPO që boton përgjigjet e pyetësorit të Prustit, nga personazhe të ndryshëm të jetës kulturore të Vendit, ishte rradha e shkrimtarit dhe poetit Visar Zhiti dhe më bëri shumë përshtypje një përgjigje e tij. Pyetjes se çfarë i kishte mbetur peng në jetë, ai iu përgjigj me një fjalë të prerë : “arratisja”.Termi në vetvete më ktheu shumë mbrapa në kohë , në vitet “e ndritura” të regjimit komunist kur shumë shqiptarë rrezikonin jetën e lirinë  e tyre dhe të familjeve të tyre, për të braktisur “parajsën” socialiste e për të kërkuar një tjetër jetë në “botën e kapitalit”.  Me këtë koncept lidheshin edhe dhjetra  fytyra bashkëvuajtësish, që ishin dënuar herë herë me 15 apo 20 vjet burg, qoftë vetëm për “bisedë arratisje”.

Nuk e di nëse i sillte nëpër mend fytyrat e tyre shkrimtari më prodhues e më cilësor i Panteonit të nëndheshëm, kur ka dhënë atë përgjigje, mbasi mendimi i tij atë çast nuk lidhej me atë kohë, por me një të mëvonëshme, atë të tjetërsimit të sistemit. Në këta më shumë se njëzet vite të pluralizmit demokratik, Visar Zhiti, në sajë të talentit e të punës së tij ngulmuese në fushën e krijimit, u bë shkrimtari më përfaqësues i letërsisë shqiptare mbas diktatoriale, duke dhënë vepra të nivelit shumë të lartë artistik e, njëkohësisht, dëshmitë më besnike, krahas veprës së At Zef Pllumbit, të një realiteti të zi që njëjtësohej me një periudhë gati gjysëm shekullore të historisë sonë, me një vështrim disi të përqëndruar në dy dhjetëvjeçarët e fundit të saj.

Por veprimtaria e tij, në këta njëzet vjet kalese, nuk qe vetëm ajo e shkrimtarit e poetit të “rrugëve të ferrit” enverian për të e për shumë të tjerë. Ai qe deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe lajmëtari kulturor i Shqipërisë në rradhët e diplomacisë. Si ministër këshilltar në Romë dha një ndihmesë të çmuar në shpalosjen e vlerave të kulturës shqiptare në Vendin fqinjë. 15 vjet të shkuara, më 4 korrik 1999, një juri italiane ku bënin pjesë personalitete të kulturës italiane si Dacia Maraini, Gian Paolo Cresci, Elisabetta Granzotto apo Enzo Biagi i dha poetit Visar Zhiti  çmimin  ndërkombëtar “Kultura e detit” për poezi për triptikun e tij “Vetëvrasja e Atdheut”.  Ishte njëri nga episodet e vlerësimit ndërkombëtar të poetit në të cilin pata fatin të marr pjesë. Shkrimin që botova n’atë rast e titullova “Krenari dhe dhimbje”. Krenaria ishte e vetvetishme si bashkëqytetar e bashkëvuajtës i poetit që vlerësohej në Vendin simbol të poezisë e dhimbja shkaktohej nga fakti se ai, me urdhër të qeverisë socialiste që kishte fituar zgjedhjet, nuk do të ishte më përfaqësues i kulturës shqiptare në Romë.

Mbas pesëmbëdhjetë vitesh të atij trasferimi, Visar Zhiti, që në fund të qeverisjes demokratike, mbas largimit të LSI-së nga bashkëpunimi me Berishën, u emërua për pak muaj ministër i kulturës, sot përballohet me papunësinë. Do ta quaja një lluks të pashëmbullt të një shoqërie faktin që mund të lerë pa punë një njeri me një vlerë e një ndihmesë aq të madhe në jetën kulturore të kombit të tij. Burokracia e politika shqiptare mund të ndihen shumë të përkëdhelura nga fati që mund t’i lejojnë vetes vendime që nuk do të guxonte t’i merrte asnjë administratë në çdo Vend të botës.

Kur kompromisi i pushtetit PD – LSI, si pasojë e llogarive të së majtës u shkërmoq, nevoja për imazh politik e njerëzor e PD-së bëri që Visar Zhiti të emërohej Ministër i Kulturës. Zgjedhjet e 23 qershorit e arkivuan qeverisjen e demokratëve, bashkë me shkarkimin e përfaqësuesit më në zë të kulturës shqiptare në territorin e republikës. Logjika do të donte që ai të vazhdonte të bënte pjesë në organigramën e përherëshme të PD-së, si i vetmi ish i burgosur politik në nomenklaturën e saj të zyrtarëve të lartë. Për gabim llogarie apo për një projekt të sofistikuar llogaritës ish Ministri i Kulturës u caktua i trembëdhjeti në listën e mbyllur të PD-së për Tiranën. Udhëheqja e saj parapëlqeu të siguronte vëndet në Kuvend për deputetët e PS-së, që nuk ishin në një mëndje me kryetarin e tyre, se sa të kishte n’ata vende shkrimtarin e mirënjohur. Përfundimi është ai i ditëve tona, kur Visar Zhiti është një i papunë i thjeshtë, i lënë mënjanë nga Shteti shqiptar, të cilin ai e kishte përfaqësuar me dinjitet në shumë salla të botës, n’atë fushë të veprimtarisë që është më e mangëta në historinë e në shoqërinë tonë, n’atë të kulturës.

Qeveria e majtë, në shkulmin revolucionar të ndërrimit t’administratës, nuk duhet ta trajtojë Visar Zhitin si një nëpunës të thjeshtë, pa marrë parasysh një detyrim ligjor, se me të drejtë atij i takon, së paku, të kthehet n’atë vend pune që kishte para se të thirrej për të marrë detyrën e Ministrit të Kulturës. Shembujt e Çuk Hagelit apo Bernard Kushnerit, përkatësisht ministra te mbrojtjes e të punëve të jashtëme të SHBA-ës e të Francës, në kabinete kundërshtarësh politikë, duket se nuk i thonë asgjë politikës së majtë shqiptare. Mbase “oshëtima e të parëve” mbetet ende një ngasje e fuqishme.. Kështu, si “për çudi”, Zhiti mbetet i vetmi ministër i qeverisë së fundit, në gjëndje papunësie.

“Demokratura” i bën të paguajë faktin se ai “i theu” rregullat e kodit deontologjik të klasës drejtuese të Ramiz Alisë, që porosiste prerë se asnjë “ish armik” nuk duhet të kishte poste drejtuese n’administratën demokratike të Shqipërisë “evropiane” e antare të NATO-s. Visar Zhiti është një nga shëmbujt e shumtë të zallamahisë shoqërore që kalon sot Shqipëria, ndoshta më emblematiku, sepse bëhet fjalë për një njeri, të cilit shoqëria, shteti, kultura kombëtare i detyrohen shumë për dobinë që kanë patur nga penda e tij. Ja sepse fjala “arratisje”, në pyetësorin e Prustit, merr nuanca e përmasa dramatike, jo vetëm për personin, por edhe për shoqërinë shqiptare. Ajo përkon me një dështim të asaj shoqërie në rrugën e përparimit, mbasi segmentë të fuqishëm të saj i kuptojnë ndryshimet ende me mendësinë e viteve 80-të, kur “reformat” mjaftoheshin me “tufëzat e arëzat” e kujtesës ramiziane e me caktimin e kandidaturave “pluraliste” nga organizatat që, zyrtarisht, quheshin leva të partisë.

Problemi i vendosjes së  rregullave e i zbatimit të tyre mbetet i hapur edhe mbas njëqind vjetësh të shtetit të pavarur, edhe mbas një çerek shekulli të rrëzimit të “Murit të Berlinit”. Këto rregulla duhet të përcaktojnë prerë se administrata shtetërore mund të jetë funksion i ndryshueshëm i përfundimeve zgjedhore dhe i vullnetit të “sovranit” në nivele nga kryetarë degash në ministritë e lart. Për të tjerët, që janë shumica dërmuese e nëpunësve shtetërorë, asnjë qeveri nuk duhet të ketë kompetenca largimesh nga puna apo zëvendësimesh pa kriteret që përcaktohen me ligj e që duhet të jenë ata të meritës e të shtatit moral e juridik. Kështu krijohet shtylla kurrizore e shtetit, që duhet të jetë apolitike dhe e aftë nga ana profesionale, me njerëz të pregatitur e të ndershëm, e jo interpretues  të interesave të partive politike e puthadorë të shefave të tyre. Në këtë mënyrë politika nuk është e plotfuqishme kundrejt jetëve të qytetarëve dhe këta të fundit nuk do të jetonin me ankthin e mbijetesës sa herë bëhen zgjedhjet politike. Ky është parimi themelor i ndërtimit të shtetit demokratik që, për fat të keq, ne akoma nuk e kemi përvetësuar sepse mbetemi bij shpirtërorë të komunizmit.

Një shoqëri që nuk është në gjëndje të vlerësojë pjestarët e saj e një shtet që nuk ka vullnetin t’i besojë meritës funksionet e tij, janë të paracaktuar të mbeten gjithmonë të fundit në garën për mbijetesë në botën e soçme. Një administratë që largon nga rradhët e saj njerëzit e pregatitur e të ndershëm, për t’i zëvendësuar me besnikët e partive që kanë pushtetin, nuk mund të ketë besueshmërinë dhe as rendimentin e duhur në punën e saj. Kjo praktikë, e cila është kthyer në metodë pune e të gjithë jetës politike e administrative të Shqipërisë paskomuniste, është treguesi më negativ, që së bashku me korrupsionin, paragjykojnë ashpërsisht t’ardhmen e saj.          Ku mund t’i varim shpresat se këto metoda të trashëguara, nuk do të jenë bashkudhëtare të përherëshme të rrugës sonë, kur edhe brezi i ri i t’ashtuquajturve politikanë, nuk bën tjetër veçse t’i përsosë ?Deri kur shqiptarët do t’evokojnë termin “arratisje”  për të projektuar jetën e tyre e të fëmijëve të tyre ?

Vlerat e Kombit, të hershme e të vona, nuk duhet të mbeten n’errësirë e kundërvlerat, të shkuara e të sotme, të vihen në piedistal e të kenë privilegjin e sundimit. Pse ndodh dhe kështu?

Janë vetëm disa prej pyetjeve që më vijnë ndërmënd, pa gjetur përgjigje, duke vrojtuar ngjarjet e përditëshme të Vendit tonë.

Shkurt 2014                                                         Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen merlike, Pyetje retorike, Visar Zhiti

Special Invite to Balkan Panel 2 – Feb. 26th at 12pm

February 21, 2014 by dgreca

Special Invite to Balkan Panel 2 – Feb. 26th at 12pm

Kliko mbi poster, ose titull

 

Filed Under: Featured

Associated Press jep të njëjtin lajm që dha për protestën e 13 nëntorit 2013

February 21, 2014 by dgreca

AP bie viktime e raportuesit të saj nga Tirana duke dhënë shifrat që i jep qeveria e Edi Ramës/

Nga BEQIR SINA, New York/

NEW YORK : Të përditshmet amerikane, dhe televizionet më të mëdha në vend megjithë axhensitë prestigjoze të premten në seksionin e lajmeve ndërkombëtare, e kan raportuar duke njnohur publikun amerikan me protestën e zhvilluara dje në Tiranë nga opozita shqiptare. Media amerikane sot ka treguar se një valë opozitare ka shpërthyer në disa zona të “nxehta” të globit, si në Ukrainë, Venezuel, Bosnje, dhe dje “shpertheu” edhe në Tiranë kryeqytetin e Shqipërisë.  Gazetat ditore më të shitura në SHBA, The Wall Street Journal – The New York Times – USA Today – Los Angeles Times – San Jose Mercury –  Daily News New York City – New York Post – The Washington Post – Chicago Sun-Times – The Denver Post – Chicago Tribune – The Dallas Morning – Houston Chronicle – The Star-Ledger – Tampa Bay Times – Philadelphia Inquirer – Star Tribune Minneapolis – The Arizona Republic – The Boston Globe – The Atlanta Journal-Constitution – The Seattle Times – San Francisco Chronicle  , si dhe televizionet kryesore CNN- MNBC, CBS, ABC, Fox-News,NBC, e tjerë, janë unanim në raportimin e tyre duke mbuluar një raport të shkrutër të axhensisë amerikane të lajmeve Associated Press – AP , e cila më perjashtim të “matematikës së gabuar”, që ka bërë rreth numërit të protestuesve, që nuk ishte aspak i sakt, ( po të shihen pamjet filmike), i jep publikut të gjerë amerikanë informacionin e zhvillimit të protestës kundra qeverisë Rama në Tiranë, e cila ishte paqësore.

Axhensia amerikane e lajmeve Associated Press – AP ka dhënë të njëjtin informacion mbi numërin e protestuesve me atë që po kjo axhensi pati përdorur po nga i njëjti korespondet i saj në Tiranë, për protestën që u mbajtë fund-vitin e kaluar(13 Nëntor 2013), kundër shkatërimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri.

Associated Press në raportin e saj të djeshëm e kishte fokusuar me syrin e korespondetiti të saj në Tiranë, në të njëjtën linjë me atë të mediave pro-qeveritare, (dhe informacionit që dha qeverria) atë në minimizimin sa më shumë të numërit të protestuesve. Ky lajmi “kopjuar” dhe i “çensuruar” duket i njëjtë me raportin e dërguar për këtë axhensi po nga ky korespondent. Atë me lajmin me protestën kundër ish- ofrimit të nikoçirllëkut të Tiranës, për të marrë përsipër shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptarë.

Çka rezultoi se ajo protestë që minimizoi korespondeti i AP nga Tirana, ishte aq e madhe dhe e fuqishme se e detyroi Kryeministrin Rama t’i thotë :” Jo shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në terrritorin e Shqipërisë” ndërkohë që ai u kishte dhënë fjalën SHBA se do ti shkatërronte në Shqipëri ato armë kimike.

Sipas AP (November 15, 2013 Ora: 17:27 ) thuhej se kishin qenë rreth 5000 protestues që po kundërshtonin mundësinë që armët të shkatërrohen në Shqipëri, sepse sipas AP protestuesit ishin të shqetësuar se kjo nuk ofronte siguri për vendin e tyre, “në shtigje afatgjate që mund të dëmtin keq turizmin”.

Në një raport të shkurtër dje 20 Shkurt 2014, dhe tepër “entusiast”, duke e filluar të merret në raportim përsëri me numërin e protestuesve, që sipas agjencisë Associated Press, me anë të njëjtit raportues shqiptar nga Tirana, thuhet se ka qenë i njëtë me atë të viti të kaluar.

Lajmi dje i AP thotë :“Më shumë se 5 mijë mbështetës të opozitës marshuan në mënyrë paqësore, përmes kryeqytetit, duke akuzuar qeverinë se ka dështuar në luftën kundër varfërisë dhe papunësisë,” shkruan kjo agjencisë.

Associated Press – AP një axhensi prestigjoze me korespondetë të tillë – nga Tirana, nuk po bënë gjë tjetër përveçse; por duket se po ia ul imazhin e saj informacionit të saj të besueshem dhe të paanëshëm nga Shqipëria, e cila mbetet ende një nga vendet, që ka numërin më të madh të gazetarëve dhe mediave të majta – socialiste( ish komuniste) dhe të kontrolluara nga Kryeministri Edi Rama .
Për ndryshe nga AP njoftoi axhensia Routers e cila raportoi se është mbajtur një protestë kundër korrupsionit qeveritar . Duke nënvizuar se :”Mijëra qytetarë të enjten kanë protestuar kundër një rritje të taksave dhe papunësisë , pesë muaj pasi kryeministri Edi Rama mori pushtetin . Protestuesit sipas saj ishin thirrur nga Partia Demokratike e cila është në opozitë, mbasi humbi pushtetin në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013. ”

Kjo shtoi Routers do të pasohet nga protesta të tjera të fuqishme derisa kryeministri , i cili e ka thyer kontratën e tij me votuesit , të marr përgjegjësitë, dhe të mbajë premtimet ” tha kreu i opozitës shqiptare Lulzim Basha .

Kurse Zëri i Amerikës, njoftoi se :”Mijëra përkrahës të opozitës së djathtë, të ardhur dhe nga qytete të tjera të vendit, iu bashkuan sot thirrjes së partisë demokratike për të protestuar kundër qeverisë në ditën kur vendi kujton, rrëzimin 23 vite më parë të bustit të diktatorit Enver Hoxha në sheshin Skënderbej. Marshimi i opozitës nisi pikërisht nga ky shesh, për t’u ndalur pranë selisë së qeverisë ku që përpara nisjes së marshimit ishte vendosur një kordon me punonjës policie, shumica femra, ndërsa dhjetra makina të policisë ishin stacionuar në zonën përreth.”

Ndërkohë, që edhe një ndër- agjencit e Qeverisë së SHBA e menaxhuar nga Zyra e Sigurisë Diplomatike , e Departamentit Amerikan të Shtetit, njoftoi një ditë më parë protestës në web site – n e saj qytetarët amerikan në Shqipëri të bënin kujdes…!    Duke sugjeruar se :”Partia Demokratike Shqiptare ( PD) po bën thirrje për protesta kundër qeverisë të enjten, më 20 shkurt në orën 1:00 në sheshin Skënderbeu . Protestuesit do të mblidhen në Sheshin Skënderbej dhe do të marshojnë poshtë Blvd. Deshmoret e Kombit drejt sheshin Nënë Tereza.”

Filed Under: Komente Tagged With: AP bie viktime e raportuesit të saj nga Tirana duke dhënë shifrat që i jep, qeveria e Edi Ramës/

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4841
  • 4842
  • 4843
  • 4844
  • 4845
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT