• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Platini garantoi mbështjen e UEFA- për stadiumin e ri ne Shqiperi

February 19, 2014 by dgreca

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, qendroi sot per nje vizite ne Tirane. Kreu i qeverisë së futbollit europian ka mbërritur në Rinas në orën 09:10 dhe vetëm një orë më pas ka pasur një takim zyrtar në FSHF me presidentin Armand Duka. Në takim ka marrë pjesë edhe sekretari i federatës, Ilir Shulku, si dhe delegacioni i UEFA-s.Platini i shoqëruar nga një delegacion i nivelit të lartë të UEFA-s, kryesisht ekspertë në fushën e futbollit masiv dhe infrastruktures, rreth orës 10:30 ka zhvilluar një takim zyrtar me kryeministrin Edi Rama dhe zv.ministrin e Sporteve.

Në këtë takim është diskutuar në radhë të parë për projektin e qeverisë për masivizimin e futbollit edhe në shkolla, projekt i cili sponsorizohet edhe nga UEFA. Kjo e fundit i ofron Shqipërisë bazë materiale (topa, uniforma etj), si dhe ka marrë përsipër që të trajnojë disa specialistë, që do merren specifikisht me klasat sportive.

Mësohet se ky projekt fillimisht do të bëhet në disa shkolla të vendit dhe më pas do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Por, ky projekt duket se ishte vetem “sebepi” i kësaj vizite dhe takimit me kryeministrin Rama, pasi çështja më e prekshme dhe e rëndësishme  ishte ajo lidhur me stadiumin e ri, “Qemal Stafa”.

Kryeministri Rama informoi presidentin e UEFA-s, Mishel Platini se stadiumi ‘Qemal Stafa’ nuk përmbush kushtet për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare dhe për këtë arsye, shtoi ai, në muajin shtator do të fillojnë punimet për të ndërtuar stadiumin e ri.

“Është kënaqësi e dyfishtë pasi fati ka dashur që për shkak të detyrës ta njoh Mishel Platini prej kohësh dhe ta konsideroj mik, është një mik që është vazhdimisht i vëmendshëm për mbarëvajtjen e futbollit në Shqipëri. Sot ne u takuam dhe diskutuanm për përgatitjet për sezonin e ardhshëm të skuadrës kombëtare. E informova me kënaqësi se jemi të angazhuar dhe jemi të bindur se në shtator do ti dhurojmë skuadrës tonë kombëtare, por edhe për pjesën tonë te kompeticionit, një stadium që do jetë në lartësinë e imazhit që duam për Shqipërinë në Elbasan. Në bashkëpunim me FSHF, qeveria do të financojë këtë operacion, ndërkohë folëm dhe për të ardhmen e stadiumit kombëtar që fatkeqësisht është jashtë standardeve sot për të mirëpritur një ndeshje ndërkombëtare. Ndamë po ashtu pikëpamjen e njëjtë se ajo çfarë s’duhet të harrojmë asnjëherë, eshte fakti se futbolli në radhë të parë eshte një sport i fëmijëve dhe të rinjve, mbi të gjitha një instrument i pazëvendësueshëm social” tha Rama gjatë konferencës së përbashkët për mediat.

Nderkaq Platini garantoi mbështjen e UEFA- për stadiumin e ri.

“Jemi të ndërgjegjshëm që futbolli është në duart të sigurta mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Duka, bëhet fjalë për dy persona që e duan futbollin dhe njihen prej kohësh. E di se çfarë kërkon të bëjë dhe atë që mund dhe nuk mund të bëjë, pasi nuk është shumë e lehtë të bësh gjëra të mira. Bëhet fjalë edhe për stadiumin e ri që do të kryhet kur të krijohen mundësitë financiare. Po bëhet stadium i ri në Elbasan, që është i rëndësihsëm për kombëtaren, por dhe vizionin e përgjithshëm të futbollit në Shqipëri. Duke nisur nga shtatori të gjitha ndeshjet shqiptare do të përcillen në të gjithë botën për sistemin e ri të lojës. Një gjë tjetër që është bërë edhe me bekimin e UEFA-s është dhe marrëveshja mes Kryeministrit dhe Presidentit të FSHF-së për zhvillimin e sportit në shkolla.Kryeministri do të ndihmojë, por dhe ne do ndihmojmë përmes ekspertëve për të zhvilluar futbollin në Shqipëri. Pas kësaj janë çështjet tuaja për tu bërë kampionë të mëdhenj, për këtë s’mund të bëjmë gjë ne dhe që fëmijët duhet të argëtohen duke luajtur futboll, pse jo për të pasur një Mesi dhe këtu në Shqipëri” u shpreh Platini.

Kjo është hera e katërt që Platini vjen në Tiranë në një vizitë zyrtare (dy herë edhe si anëtar i KE së FIFA-s). Hera e fundit ka qenë në 2010-ën, me rastin e 80- vjetorit të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në vijim të vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, eshte takuar edhe me ministren Lindita Nikolla, ndërsa bashkëbisedimi ka vijuar edhe më shtruar me drejtuesit e futbollit shqiptar në FSHF.

Filed Under: Sport Tagged With: garanton, Platini, stadium te ri

NATO mbështet zhvillimin e FSK-së

February 19, 2014 by dgreca

Nga B.Jashari/.-Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se nëse mandati dhe misioni i FSK-së ndryshon, kjo pritet të ndodhë pasi që Këshilli Veri-Atlantik ta shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s. Këtë e bën të ditur media kosovare, e cila përkujton se duke shpalosur elementin kryesor të dalë nga rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, kryeministri Hashim Thaçi ka bërë publike se Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), e cila sipas tij, do t’i ketë tërë tiparet e një ushtrie.

“Ne jemi në dijeni për deklaratën e z. Thaçi. Kjo është një çështje e brendshme e cila përfshin institucionet lokale. Siç e kemi përmendur edhe në përgjigjet e mëparshme, NATO aktualisht mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të misionit dhe mandatit të saj fillestar, përmes Zyrës Ndërlidhëse të sapo themeluar të NATO-s dhe Grupit Këshillues”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të NATO-s për Radio Kosovën.
“Në lidhje me pyetjen tuaj rreth së ardhmes së statusit të FSK-së kjo është hipotetike dhe nuk është diskutuar në NATO. Nëse mandati dhe misioni i FSK-së do të ndryshoj, ne presim që Këshilli Veri-Atlantik ta shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s”, thuhet në këtë përgjigje të Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të NATO-s, sipas RTK-s

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: FSK, NATO

Kosova kërkon anëtarësimin në SEECP

February 19, 2014 by dgreca

-Ministri I jashtem Enver Hoxhaj: Bashkëpunimi rajonal pa Kosovën është i pakompletuar-/

Nga B.Jashari/.-Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, mori pjesë sot në punimet e takimit të dytë jo formal të Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
Nga Bukureshti, MPJ kosovare në njoftimin e dërguar bën të ditur se, para ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të kësaj organizate të rëndësishme, ministri Hoxhaj ka folur për relevancen e SEECP-s për rajonin si dhe argumentet pse Kosova duhet të anëtarësohet në këtë organizatë.
Ministri Hoxhaj tha se ky takim është një mundësi e mirë për të diskutuar perspektivat dhe shqetësimet lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, duke shtuar se prezantimi kredibël në këtë takim dëshmon se SEECP do të mbetet një platformë serioze e avancimit të bashkëpunimit në rajon.
“Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje se projekti evropian është i bazuar në bashkëpunim, si një mjet për  fuqizimin e pajtimit, zhvillimit ekonomik dhe progresit të mëtejshëm. Prandaj, angazhimi për bashkëpunim rajonal është në të njëjtë kohë nevojë dhe instrument efektiv për integrime evropiane”, tha Hoxhaj, duke shtuar se SEECP-ja mund të jetë një forum serioz në fuqizimin e bashkëpunimit dhe axhendës integruese.
Hoxhaj shpreh përkushtimin e Kosovës për të punuar bashkërisht për të shmangur perceptimin e Ballkanit si një model i ndarjes, dezintegrimit dhe dhunës. “Përpjekjet tona të përbashkëta mund të transformojnë Ballkanin në një rajon që gjeneron paqe, stabilitet dhe prosperitet”, tha ai.
Lidhur me përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat rajonale, ministri Hoxhaj tha se në gjashtë vjetët e fundit Kosova ka pasur dy fokuse kryesore, shtetndërtimi i brendshëm, ku ne arritëm të ndërtojmë një shtet multietnik, demokratik dhe sekular, dhe fokusi i dytë ishte fuqizimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Që nga viti 2008, Kosova i ka provuar bashkësisë ndërkombëtare se është një faktor i sigurisë dhe stabilitetit në rajon, dhe kemi dëshmuar vullnetin për të fuqizuar bashkëpunimin me të gjithë fqinjët dhe vendet e rajonit.
Duke iu referuar edhe marrëveshjes së arritur në mars 2012 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë lidhur me përfaqësimin dhe pjesëmarrjen rajonale, për këtë çështje dhe sfidave me të cilat është ballafaquar Kosova që atëherë për anëtarësimin në këto organizata, Hoxhaj theksoi rezultatet që janë arritur si dhe pengesat që janë hasur në këtë drejtim si pasojë e politikave përjashtuese dhe pozitave bllokuese të Serbisë.
“Bashkëpunimi rajonal pa Kosovën është i pakompletuar”, tha Hoxhaj, duke shprehur përkushtimin e plotë të Kosovës për të qenë pjesë e të gjitha institucioneve dhe organizatave në rajon.

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Enver Hoxhaj, kerkon SEECP, kosova

“Shell” dhe “Petromanas Albania”, kërkime për naftë e gaz në një pus të ri në Shpirag

February 19, 2014 by dgreca

Nga Nini Mano/- Në zonën hidrokarbure Molisht-Shpirag, kompanitë “Royall Dutch Shell” dhe “Petromanas Albania”, kanë nisur kërkimet për naftë dhe gaz në pusin Molishti 1, me një investim prej 200 milionë usd.

Shpimet për këtë pus të ri parashikohet të arrijnë në 4000 metra thellësi, bëjnë të ditur burimet nga “Petromanas Albania”.
Zona Molisht-Shpirag përbëjnë bllokun e kërkimit 2-3 në kërkimin për hidrokarbure në bazë të Marrëveshjes Hidrokarbure që kompanitë kanë me AKBN.
Në fazën e parë përfundoi shpimi i pusit Shpiragu-2 në nëntor 2013, ku pas testimeve, rezultoi zbulimi i naftës dhe gazit jo vetëm në sasi të konsiderueshme, por për cilësinë e lartë të një nafte të lehtë, ndryshe nga zonat e tjera naftëmbajtëse. Kjo lloj nafte, thonë ekspertët, është më e kërkuara në tregjet botërore për cilësinë shumë të lartë energjitike.
Kërkimet në këtë zonë në rrethin e beratit nisën në vitin 2001, kur me shpimin e pusit Shpiragu-1, u vërtetua prania e naftës dhe gazit në strukturën e Shpiragut.
Të dy kompanitë ”Royall Dutch Shell” dhe “Petromanas Albania” janë kompani të listuara në bursat ndërkombëtare për naftë dhe gaz

Filed Under: Sociale Tagged With: Kerkmime, per nafte e gaz, pus i ri, Shpirag

“Dorëzimi i armëve” i Kel Marubit, në 500 fotot më të mira të botës

February 19, 2014 by dgreca

Nga Harilla Koçi/.- Në galerinë e jashtëzakonshme të veprave të Kel Marubit përfshihet edhe fotografia “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës”, realizuar në vitin 1922. Pak e njohur në Shqipëri kjo foto e rrallë që fikson plot 11 personazhe është pjesë e 500 fotove më të mira të botës.

E modifikuar me titullin “Dorëzimi i armëve” nga studiuesi Qerim Vrioni, Kel Marubi ka fiksuar në këtë foto një moment të rëndësishëm të Shqipërisë së 90 viteve më parë, atë të kalimit nga koha e bajraktarëve dhe kapedanëve në të respektimit të institucioneve dhe ndërtimit të shtetit.
“Fotografia e Kel Marubit është tashmë pjesë e albumit The Photo Book, Londër 2000, publikuar nga shtëpia botuese prestigjioze “Phaidon”. Në këtë album, janë riprodhuar 500 foto të zgjedhura nga 59 vende të ndryshme të botës dhe që janë realizuar gjatë 150 viteve të historisë së artit fotografik”, tregon për ATSH-në studiuesi vlonjat Vrioni, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Referuar shënimeve që shoqërojnë foton e Kel Marubit, Vrioni thotë se autorët ndërmjet të tjerash shkruajnë se “në foto nuk kuptohet qartë se çfarë ndodh…” (The Photo Book- LONDON, 2000-fq 302).
Të njëjtin përfundim për këtë foto, sipas studiuesit shqiptar të fotografisë, jep edhe albumi “Albania. Volto dei Balcani, scritti di luce dei fotografi Marubi, Torino, 1996(3)”, ku krahas disa mangësive të tjera për subjektin e fotos jepen disa hamendësime, të gjitha të pezullta dhe në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Në këtë mënyrë, përpara studiuesit shqiptar të fotografisë, Qerim Vrioni, dilte një detyrim i madh, që lidhej me studimin analitik të fotos, e cila për të huajt ishte një vlerë e çmuar e trashëgimisë shqiptare. Kësisoj, ai i hyri punës për të saktësuar gjithçka që ka të bëjë me përmbajtjen e fotos, për të evidentuar të gjitha vlerat e saj, përmes një procesi që nis nga argumenti vizual në atë dokumentar.
Sot, ne kemi të qartë atë që disponon dhe përcjell fotografia “Kapiteni Marka Raka dhe Bajraktari i Shalës”, saktësuar dhe modifikuar në emërtim, “Dorëzimi i armëve….”, nga studiuesi Qerim Vrioni. Janë të qarta dhe të identifikuara të gjitha personazhet e kësaj fotografie, të cilët vijnë nga ajo periudhë e largët e vitit 1922, si produkt i punës së jashtëzakonshme studimore të Qerim Vrionit.

-Interpretimi, përmes një analize me arkivat-

Për të arritur këtu, Qerim Vrionit, iu desh të hynte në arkiva, të studionte e të përgjithësonte, të bënte analiza e krahasime, të interpretonte e të fokusohej tek çdo element që në pamje të parë dukej si pa rëndësi. Janë rreth 28 objekte dokumentare, studime e përgjithësime të autorëve shqiptarë e të huaj, që u shfrytëzuan për të dimensionuar të plotë fotografinë, që zë një vend dinjitoz mes 500 simotrave të saj më të mira të kohrave, por që fatkeqësisht ne shqiptarët nuk e njohim mirë. Përmes një procesi studimor shumëplanësh, Vrioni hyn në atmosferën e kohës.
Elementin që lidhet me datën e realizimit të fotografisë, ai e shfrytëzon fare mirë për ta përdorur si një argument bazë në procesin e eksplorimit, si një çelës të zbërthimit të saj. “Çelësi i zbërthimit të subjektit të kësaj fotografie është viti 1922, kur ajo u realizua. Në këtë vit, në bazë të një ligji të miratuar nga Këshilli Kombëtar (Parlamenti i asaj kohe), popullsia civile detyrohej t’i dorëzonte armët shtetit, pra është bërë çarmatimi i atyre që nuk duhej t’i kishin ato”, shkruan Vrioni, për të cilin tashmë ka një bazë orientimi për të arritur objektivin.
Në rrjedhën e ngjarjeve ku ishte përfshirë Shqipëria e atyre viteve, perspektiva e saj vihej përballlë shumë pikëpyetjeve. A duhej të futej në rrjedhën e zhvillimit, duke patur si model profilin perëndimor, apo duhej të mbahej dhe të mbetej peng i realiteteve të të shkuarës së afërt dhe të largët. Shqipëria ishte ende e brishtë. Mbizotëronte një situatë e paqëndrueshme me plot probleme në fushën e rendit e të qetësisë, çka shtronte domosdoshmërinë e një vendimmarrjeje të qartë që të garantonte të ardhmen e vendit dhe të qytetarëve. Një ndër këto ishte edhe miratimi i ligjit për çarmatimin e popullsisë civile, e cila rezultonte e armatosur për shumë faktorë dhe arsye, që lidheshin me mentalitetin dhe ngjarjet historike nëpër të cilat kishte kaluar vendi. Më e fundit, ishte Lufta Botërore. Në 5 prill të vitit 1921 ishin zhvilluar zgjedhjet për Këshillin Kombëtar (Parlamenti i asaj kohe), me 75 deputetë. Më pak se një vit më pas, në 6 shkurt të vitit 1922, miratohet ligji për çarmatimin e popullsisë. Klasa politike e kohës e vlerësoi këtë si një akt të domosdoshëm në rrugën drejt progresit, i cili do të niste të zbatohej shumë shpejt, pavarësisht se Këshilli Kombëtar, për shkak të paqëndrueshmërisë politike, do të shpërndahej për atë legjislaturë vetëm 3 javë më pas.
Këtë ngjarje madhore do të fiksonte Marubi i famshëm me aparatin e vet, duke zgjedhur, sipas Vrionit, një nga krahinat më në zë në historinë e vendit, atë të Shalës në Shkodër. Gjatë atij procesi, do të mblidheshin 34140 armë të cilat, duke iu referuar numrit të popullsisë, përbënin një potencial të jashtëzakonshëm. Në këtë këndvështrim, për studiuesin shqiptar të fotografisë, Qerim Vrioni, kjo vepër e Marubit vjen jo vetëm me vlerat e veta artistike, por po aq e ndoshta më shumë edhe për ato historike e dokumentare, me mesazhe të fuqishme që mbeten mjaft aktuale edhe sot në një dimension shumëplanësh.

-Fotografia “Dorëzimi i armëve”, konceptuale-

Fotografia “Dorëzimi i armëve….”, është konceptuale, çka do të thotë se autori e kishte fare të qartë atë që do të bënte; thotë Vrioni. Prandaj ai nuk nxiton. I vendos personazhet e veta sipas projektidesë së konceptuar në mendjen dhe fantazinë e tij, kërkon që gjithçka të jetë e përkryer, asgjë të mos jetë e tepërt dhe aq më tepër të shkojë në rrjedhën e kundërt të asaj që ka në mendjen e vet. Marubi, si artist shumëplanësh, kujdeset që vepra e tij të përmbajë të gjitha elementet, ku edhe mënyra e qëndrimit dhe veprimit të secilit personazh përfaqëson jo thjesht një gjendje të momentit, por një psikologji, një mentalitet, një pikëpyetje, një besim, apo mosbesim. Çdokush prej personazheve ka një rol të caktuar në këtë foto dhe të gjithë bashkë i shërbejnë një qëllimi. Prandaj dhe Vrioni ndalet në secilin prej tyre, analizon çdo qëndrim, çdo gjest që flet shumë, çdo moment që nevojitet për të arritur objektivin. Pushka e kthyer mbrapsht (kështu realizohej dorëzimi i saj, sipas Vrionit), që zbret gradualisht nga dora ende e palëshuar mirë e Bajraktarit të Shalës (Lush Prelës), tek të dy duart e kapiten Mark Rakës… Ky është momenti i duhur, për fiksimin e të cilit nevojiten aftësi profesionale, përqëndrim e vullnet. Jo çdokush mund ta realizojë atë. Në këtë çast ndalet studiuesi Qerim Vrioni, për të bërë një analizë të detajuar dhe për të nxjerrë përfundime. “Fotografimi i malësorit e aq më tepër bajraktar duke dorëzuar armën nuk duhet të ketë qenë më i lehtë se dorëzimi faktik i saj”, shkruan Vrioni, sipas të cilit po fiksohej heqja e “gjymtyrës së pestë” të shqiptarit, gjë që do të shoqërohej doemos me dhimbje si çdo operacion.

Prandaj, sipas studiuesit, për të bindur malësorin plak që të fotografohej Marubit i ka shërbyer emri shumë i mirë si atdhetar, fotograf e njeri i ndershëm si dhe aftësitë e tij komunikuese dhe respekti që gëzonte në Shkodër dhe në krahinat e saj.
Në këtë kontekst, ngarkesa dhe sjellja psikologjike në çastin e fotografimit, nga ana e çdo personazhi, përbën një plan të veçantë për studiuesin Vrioni, në nxjerrjen e përfundimeve dhe pikësimin e objektivit të tij përfundimtar.
Për të, fotografia “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës” nuk është e atypëratyshme. Fotografi e ka kuadruar mire e bukur gjithçka do të fiksonte në pllakë xhami, çka bën që në foton e stampuar ka fare pak sipërfaqe parazitare.
“Ajo është e studiuar dhe e kompozuar si një çast skene në teatër ku zhvillohet një dramë. Po ashtu na kujton edhe bocetet e piktorëve të filmave kinematografikë, që përmbledh në një pamje të vetme dramacitetin e një akti të tërë, duke shpalosur kështu aftësitë e mjeshtrit fotograf si një regjizor dhe skenograf”, vlerëson studiuesi i fotos së Marubit. Sipas tij, qendra e rëndesës problemore e fotos përfshin treshen që përbëhet nga civili me kostum të zi që lexon dhe dorëzon letrën e Qeverisë, bajraktarit të Shalës që merr letrën dhe dorëzon armën dhe kapiten Mark Raka, i cili po merr me të dy duart pushken. Të tre këta personazhe janë vendosur në një marrëdhënie jo vetëm artistike, por edhe institucionale.
Bajraktari merr vlera të veçanta në këtë moment teksa shtrihet simbolikisht në dy plane veprimi dhe psikologjikë. Me një dorë ai merr letrën zyrtare që i dorëzohet nga përfaqësuesi i shtetit, ndërkohë që me tjetrën dorëzon armën. Plaku reflekton një dyzim, gjithsesi të justfikueshëm, që ka të bëjë me të shkuarën e që përfaqësohet nga pushka që ai dorëzon dhe të ardhmen që i garantohet nga qeveria, ku ai ka besim, prandaj edhe pranon të kryejë atë veprim.
Ndërkohë, sikurse shpjegon Vrioni, malësori vërtet po dorëzon pushkën e krahut, siç parashikon ligji, por në brez ai ka një nagant çka e bën atë po aq dinjitoz. Ndërkohë në raport me kapiten Mark Rakën e ulur ai ka edhe një epërsi, ndonëse të përkohshme, një element ky gjithsesi i justfikueshëm duke iu referuar kontekstit të kohës, mentalitetit dhe psikologjisë.
-Analiza e fotografisë, si një piramidë idesh dhe përgjithësimesh-

Merita e madhe e Qerim Vrionit në këtë analizë-studimore nuk qëndron thjesht dhe vetëm tek zbërthimi i fotografisë së Marubit në çdo element të saj, por në konstruktimin dhe ngritjen e një piramide të konsoliduar idesh dhe përgjithësimesh. Ai ka hyrë në psikologjinë e Marubit, në perceptimin e tij për produktin që përgatitej të realizonte. Sepse qëllimi i tij nuk ishte thjesht të editonte një fotografi, qoftë edhe duke fiksuar një moment mjaft të rëndësishëm në udhëkryqin e zhvillimeve në Shqipërinë e fillimeve të shekullit XX. Kjo vepër e tij duhej t’i qëndronte kohës, të lexohej dhe të përcillte mesazhe, të kishte vlera edhe në brezat e ardhshëm. Por, për të bërë këtë nevojitej perfeksioni, perfeksion lëvizjeje, idesh e qëndrimesh, perfeksion artistik e psikologjik. Për Vrionin, këto elemente janë ndërthurrur në një kompozim të përkryer ku ka rëndësi çdo detaj, qoftë edhe ajo e një mënge të bardhë të vendosur në dorën që mban pushkën që dorëzohet, si një simbolikë e dorëzimit pas një beteje ku fiton e ardhmja, apo në mënyrën sesi janë fiksuar dhe në çfarë raportesh qëndrojnë dy personazhet në dy akset e kundërta të fotos, në këmbë dhe plot dinjitet. Shqiptari po i dorëzon armën shtetit. Ky është një çast solemn që duhet respektuar. “Fotografia të mban gjatë të fiksuar para saj. Ka një qetësi solemne, po ashtu edhe përzemërsi që duket edhe nga afërsia fizike e personave si dhe nga duart e hedhura mbi supet e njëri- tjetrit”, shprehet Vrioni, duke reflektuar edhe vetë atë optimizëm që ai percepton dhe zbërthen tek autori që e ka ngërthyer atë 90 vjet më parë, teksa qëndronte përballë 11 personazheve të tij, duke i bërë ata të pavdekshëm përmes objektivit në një çast solemn.
Në funksion të kësaj është edhe teknika e fotografimit. Sipas Vrionit, Marubi e ka realizuar fotografinë në një mjedis me dritë natyrore të shpërndarë që u bie personazheve nga krahu i djathtë. Ajo nuk krijon hije të forta dhe të theksuara, por është e mjaftueshme për të ndriçuar fytyrat e pothuajse të gjithë pjesmarrësve në mënyrë të atillë që të pasqyrojë qëndrimin e tyre ndjesor për atë që po ndodh. “Fokusimi i pamjes, diafragma e aparatit dhe koha e ekspozimit janë ndërthurrur nga mjeshtri fotograf në kufijtë e persosmërisë duke na dhënë një foto mjaft të pastër teknikisht”, shprehet ai ndërsa e vijon më tej argumentin duke cituar se kjo shihet edhe në një riprodhim me përmasa 2 x 4.5 metra që ndodhet në një nga hollet e Ministrisë së Kulturës, e cila ka një qartësi të konsiderueshme sidomos po të kemi parasysh se negativi në pllakë xhami është bërë mbi 80 vite më parë.
Më tej studiuesi zbret tek ai element që paraqet një interes të veçantë. Cilët janë këto personazhe që janë fiksuar nga Marubi në një nga fotot më të realizuara anëembanë globit në më shumë se 150 vjet të historisë së fotografisë.

-Kush janë personazhet?-

Dy personazhet kryesore të fotografisë janë kapiteni Mark Raka, oficeri i fiksuar ulur në qendër të fotos, teksa merr armën, dhe kryetari i fisit të Shalës ose barajktari i Shalës, i cili në vitin 1922 ishte Lush Prela, plaku me veshje malësori që dorëzon armën, pinjoll i një familjeje me emër dhe me kontribute në lëvizjen atdhetare në veri të vendit, nipi i Mark Lules, përfaqësues i Shalës së Dukagjinit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, i shquar në luftrat për pavarësinë e vendit ….
Prela u vra nga shërbimet sekrete serbe në tokat shqiptare në Malin e Zi, në vjeshtën e vitit 1925, bashkë me dy djemtë e tij. Kapiteni Mark Raka, i formuar si ushtarak në Austri dhe Itali, pjesëmarrës në Revolucion Demokratik të Qershorit, u eleminua nga qarqet shoviniste antishqiptare në kryeqytetin e Malit të Zi, në vitin 1926. Më 1993 Kuvendi i Shqipërisë e dekoroi (pas vdekjes) me “Urdhërin për veprimtarinë patriotike“ të klasit të parë. Në foto përfshihen edhe personazhe të tjerë, Gaspër Pali, Serafin Mazreku, i martuar me motrën e Luigj Gurakuqit dhe baba i Anton Mazrekut, Mul Deliu, Gjysh Deda, Gaspër Mosi, Kol Çamuku.
Të gjithë këta personazhe, që kanë jetuar në realitetin e Shqipërisë së asaj kohe, të njohur në Shkodër dhe në krahinën e Shalës, por edhe më gjerë, përbëjnë skenën e fotos së Marubit “Dorëzimi i Armëve”, e zbërthyer nga studiuesi Qerim Vrioni.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Dorezimi i armeve, Kel Marubi, Qerim Vrioni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4848
  • 4849
  • 4850
  • 4851
  • 4852
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT