• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ka nisë festivali i skulpturave të akullit në Prizren/

February 15, 2014 by dgreca

 Edicioni i tretë i festivalit të skulpturës “Sculp Fest” nga sot nis shkrirjen e barrierave…! Kubat e akullit, të krijuara nga ngrirja e ujit, janë në pritje të mjeteve “magjike” të artistëve mysafirë për të krijuar kësisoj vepra arti.

Sikurse vitin e kaluar, edhe ky edicion i tretë do të zhvillohet në Prizren, nga 15-17 shkurt, me pjesëmarrjen e skulptorëve që kanë pasion punën në akull.

Skulptori José Carlos Cabello Millán, me origjinë nga Spanja, vjen në Sculp Fest pas një muaji të plotë pune në“Hotelin e Akullit” në Suedi. Eksperienca e tij me skulptura akulli dëshmohet edhe me pjesëmarrjen për 4 vite me radhë në atelietë e “Hotelit të Akullit” në Kirune të Suedisë, që njihet edhe si qyteti më i afërt me polin verior.

Skulptorja Elisabeth Kristensen nga Norvegjia vjen nga viset ku punohet më së shumti me akull. Ajo pothuajse çdo vit merr pjesë në festivalet e akullit, të organizuara në vende të ndryshme të botës. Nga viti 2005 merret me krijimin e skulpturave prej akulli dhe rërës së detit. Njëkohësisht është organizatore e simpoziumit të skulpturave nga rëra e detit.

Artistët tjerë si Benard Lekgegaj nga Shqipëria, Alban Bylykbashi dhe Mirëdita Sejdiaj nga Kosova, si dhe skulptori nga Turqia, Tolga Yurtozveri vijnë nga vise më të ngrohta dhe eksperienca e tyre nuk bazohet shumë në akull, por në materiale të ndryshme si guri, mermeri, druri, hekuri, etj. Ata janë përzgjedhur si pjesëmarrës me qëllim që të marrin përvoja nga skulptorët skandinav.

Një tjetër skulptor që do të jetë i pranishëm në Sculp Ice është artisti nga Serbia Viktor Kiss, i pari artist nga ky vend që merr pjesë në këtë festival. Kiss, pas punës kreative në akull, do të ketë një prezantim bashkë me skulptorët nga Skandinavia.

Duke i dhënë akullit formë artistike, festivali synon të promovojë skulpturën dhe angazhohet për krijimin e hapësirës së nevojshme për shprehjen e talentit artistik të të rinjve.

Sipas organizatorëve edicioni i tretë i Sculp Ice do të realizohet rreth konceptit të “Shkrirjes se Barrierave”. Shkrirja do të tematizojë të gjitha seksionet e festivalit, duke shërbyer si emërues i përbashkët dhe moto e këtij edicioni.

Në veçanti, Sculp Ice është një përpjekje për të promovuar shtetin e Kosovës në rrafshin global dhe paralelisht një thirrje për promovimin e artistëve të skulpturës nga vendi e rajoni. Ceremonia e hapjes së edicionit të tretë të Sculp Ice nis në orën 20:00 në “Sheshin e Lidhjes” në Prizren. Hapjes zyrtare do t’i paraprijë debati mbi rëndësinë e diplomacisë kulturore në promovimin e shtetit të Kosovës.(Kortezi ATSH)

Filed Under: Kulture Tagged With: Festivali i Skulpturave, ne Prizren

Emrat ilirë të zbuluar në Durrës , dëshmi emblematike

February 15, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Kabashi/-Emrat ilirë të zbuluar në Durrës përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjithë emrave vetjakë ilirë të njohur deri tani në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre janë zbuluar në mbishkrimet e gurëve sepulkralë, të nxjerrë në dritë gjatë gërmimeve arkeologjike në vitet 1950-1960 në zonat kodrinore e fushore të nekropolit të Durrësit.

Emrat janë botuar për herë të parë në vitin 1964 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, i cili shkruante se “emrat ilirë të Dyrrahit paraqesin një rëndësi të veçantë, pasi dëshmojnë vazhdimësinë e tyre me emrat e viseve të tjera të Ilirisë. “Adamat, Bryg, Dazaj, Epikad, Eptan, Lydra, Pita, Anula, Batuna, Teuta e Vokonia janë vetëm disa prej thuajse 300 emrave të zbuluar nga arkeologët durrsakë 50 vjet më parë”. Shumë prej emrave ilirë të zbuluar në atë kohë në Durrës u trashëguan nga fëmijë shqiptarë, që u lindën pikërisht në atë periudhë.

Numri i madh dhe thjeshtësia e gurëve funerarë, mbi të cilët janë shkruar, na lënë të kuptojmë se në Durrësin e lashtë banonin më shumicë Ilirët, pranë të cilëve ishin vendosur helenët dhe më vonë, të tjerë banorë të ardhur nga Italia-shkruan Vangjel Toçi, në gusht të vitit 1964, duke bërë të njohur për publikun këto zbulime.

Disa emra të zbuluar 50 vjet më parë, si Teuta, Gent, Plator apo Epikad  na kujtojnë figura të shquara mbretërish apo prijësish ilirë. Emrat që përdornin ilirët e Dyrrahit dhe ata të vendit tonë në përgjithësi ishin përgjithësisht të thjeshtë e të shkurtër-nënvizonte Mjeshtri i Madh i Punës, Vangjel Toçi, (1920 – 1999).

Dalja në dritë e emrave vetjakë ilirë në Durrës, përveç evidentimit të elementit vendas, shënon edhe një kontribut për onomastikën ilire dhe trashëgiminë kulturore shqiptare në përgjithësi.(Ne foto: G Kabashi:bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi)

Filed Under: Kulture Tagged With: emrat ilire, te zbuluar ne Durres

KOLEC TRABOINI: TRI FESTA, NË NJË DITË…

February 14, 2014 by dgreca

Kur përuroi librat, “E kam Atdheun te porta” e “Dashuri”/

Ne Foto: Nga e djathta: K.Traboini, F.Kulli e M.Gecaj/

Nga MURAT GECAJ/

Nuk ishte hera e parë, që salla kryesore e Ministrisë së Kulturës mblodhi poetë, shkrimtarë e artistë, të cilët ishin nga Tirana, por dhe nga Durrësi. Kësaj here, mikpritësi ishte poeti, shkrimtari e kineasti Kolec Palok Traboini. Në vijim të botimeve të shumta e cilësore të mëparshme, në ditën e shënuar të ShënValentinit, ai solli para të ftuarëve, kolegë, miq e dashamirë, dy libra të rinj poetikë, “E kam Atdheun te porta” e “Dashuri”. Sigurisht, kjo ishte një kanaqësi e veçantë për atë, por dhe për të gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari përuruese, që u la atyre mbresa të pashlyera. Po, njëkohësisht, suprizë e bukur ishte njoftimi, që bënë organizatorët se, autori K.Traboini kishte dhe festën e ditëlindjes së tij.

I pari e çeli siparin e kësaj veprimtarie Pandeli Koçi, kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Letërsisë për Fëmijë dhe të Rinj. Pastaj “fjalën e mori” poeti Kolec Traboini, i cili u paraqit me zërin e tij kumbues, përmes ekranit të sallës, duke recituar vetë disa nga krijimet e tij më të zgjedhura, shoqëruar me pamje filmike. Poezi të tilla ishin: “Kohë pa sens”, “Jemi ngapak donkishotë”, “Zemër mbi dallgë”, “Akuarel”, “Gjethe vjeshte” e “Zemra”.

Në vazhdimësi, dolën në foltore disa poetë, shkrimtarë e studiues, të cilët nënvizuan shpirtin e butë, por dhe “rebel” të këtij autori. Pas studiuesit Behar Gjoka, u shpreh me dashamirësi për krijimtarinë e K.Traboinit poetja Fatime Kulli. Traditat atdhetare e arsimore të familjes së vet malësore, ai  i ka shprehur me mjeshtëri në krijimtarinë shumëplanëshe, të pasur dhe të bukur të tij.

Në pamundësi ardhjeje, nga Tuzi, Anton Gjojçaj kishte dërguar mesazh përshëndetjeje. Përmes tij, shprehej për disa vlera të krijimtarisë letrare të K.Traboinit, duke theksuar që këtë udhë autori në fjalë  e nisi në prozë dhe e vijoi me vëllime poetike, ku mbisundon motivi i dashurisë, në të gjitha pamjet e saj. Në fjalën e tij, P.Koçi e quajti poet qytetar, i cili me vargjet e tij shqetësohet për fatet e bashkëkohësve dhe jep mesazhe për më shumë optimizëm e dashuri njerëzore. Për lidhjet e poezive të poetit Traboini me lexuesin, me traditat atdhetare etj., u dal posaçërisht Ilia Dede.

Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, Nikolla Spathari e përshëndeti dhe e përgëzoi autorin e dy librave të rinj, që u përuruan dhe tha se krijimtarinë e K.Traboinit e ka ndjekur e gjithnjë në rritje, që nga vitet ’60-të të shekullit të kaluar. Ndërsa prof.dr. Klara Kodra u bëri analizë profesionale jo vetëm këtyre dy librave, por dhe në përgjithesi krijmtarisë së këtij autori, i cili tashmë ka hyrë natyrshëm në letrat shqipe. Kështu, ndër të tjera, dëshmoi se ai i ka poezitë të çiltëra, të ëmbla e me bazë dashurinë, duke spikatur me individalitetin e vet. Poetja e kineastja Vllasova Musta lexoi temën e saj, “Portreti i poetit K.Traboini, përmes vargjeve të tij”. Në vazhdim, me dashamirësi diskutuan për krijimtarinë e këtij autori, piktorja e poetja Flutura Maçi dhe krijuesi Agim Pipa.

Ndjesi të bukura sollën te të pranishmit, në këtë veprimtari përuruese, edhe recitimet e frymëzuara të disa poezive të K.Traboinit, nga Agim Xheka, Xhelal Luca e Fatime Kulli.

Në mbyllje të këtij tubimi, mikpritësi i tri festave të përbashkëta, Kolec Traboini i falënderoi nga zemra, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit. Gjatë bisedave të ngrohta, në koktejin e shtruar me këtë rast, me kënaqësi nënshkroi  librat e tij, për kolegë, miq e dashamirë. Këta e uruan  sinqerisht dhe shprehën besimin se, përsëri, ai do t’i mbledhë në ngjarje të tilla të gëzuara.

Tiranë, 14 shkurt 2014

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Kolec Traboini, Murat Gecaj, tri festa ne nje dite

SHBA urojnë Kosovën për Ditën e Pavarësisë

February 14, 2014 by dgreca

Në një deklaratë për shtyp, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se në emër të Presidentit Obama dhe të popullit amerikan uron popullin e Republikës së Kosovës me rastin e 17 shkurtit, 6-vjetorit të pavarësisë.

SHBA, thuhet në deklaratë, mbeten vendosmërisht të përkushtuara ndaj një Kosove të pavarur, sovrane dhe shumetnike.
Deklarata përmend ato që i quan “arritje historike të vitit të kaluar”, duke përfshirë marrëveshjen e prillit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe përparimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Në deklaratën e Sekretarit të Shtetit thuhet se SHBA i kanë drejtuar sytë tek puna e rëndësishme për ndërtimin e një Kosove të begatë, të integruar në institucionet evropiane dhe ato euro-atlantike.
“SHBA qëndrojnë me ju si një partner dhe mik i palëkundur”, thuhet në deklaratë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: John Kerry, Kosoven per pavaresine, ShBA uron

Iku Gjokë Beci, Bardi i bjeshkëve

February 14, 2014 by dgreca

Kur ikën një poet, muzat e ulin flamurin në gjysmështizë/

Nga Ndue LAZRI/(Ne Foto: Gjoke Beci)/

Vërejta që edhe miq e kolegë të tjerë përpara meje, duke folur për ikjen e dhimbshme të poetit Gjok Beci, e kanë bërë natyrshëm lidhjen edhe me dy emra të tjerë të mëdhenj të artit e muzikës shqiptare, Vaçe Zelën dhe Feim Ibrahimin. I mbajmë mend të bashkuar në këngën “Rrjedh në këngë e ligjërime”, interpretuar në Festivalin e 19-të të Këngës në Radiotelevizion, e cila ishte një himn i vërtetë lirik kushtuar Shqipërisë, ku rridhnin aq bukur e shkriheshin në një gurgullimë të vetme fjala e poetit Gjokë Beci, muzika e kompozitorit Feim Ibrahimi dhe zëri i këngëtares Vaçe Zela.Dhe ja, pas kaq vitesh, ata tani janë sërish të tre bashkë, por tashmë në botën e pavdekësisë. I pari iku para disa vitesh Feim Ibrahimi, duke lënë një boshllëk të madh në skenën e muzikës shqiptare, por edhe një trashëgimi të madhe artistike në muzikën e lehtë e sinfonike shqiptare. Para një jave iku Vaçe Zela, duke lënë një boshllëk tjetër të madh, por edhe zërin e saj që nuk shuhet kurrë. E ja, sot ikën edhe Gjokë Beci, mjeshtri i fjalës poetike. Zgjodhi ditën e të dashuruarve për të ikur, sepse ishte këngëtar i hollë edhe i ndjenjës së dashurisë. Edhe ai lë një boshllëk të madh në artin e fjalës së shkruar. Duhen zhvendosur tre male për të mbuluar atë boshllëk që lënë këta tre artistë të mëdhenj.

Gjokë Beci ishte më shumë se poet. Ishte bardi i bjeshkëve, sepse fjala e tij ishte edhe muzikë, rapsodi epike. Isha nxënës në gjimnazin e Rrëshenit kur morëm në dorë librin e tij të parë me poezi “Kur zgjohen bjeshkët”. Ishte kuptimplotë ai titull, sepse ai kishte lindur në Zajs të Selitës, pikërisht aty ku dielli ngre vetullën mbi Malin e Kunorës dhe e hedh vështrimin ledhatues mbi tërë territorin gjeografik të Mirditës, duke përshëndetur drejtpërdrejt Cukalin dhe Taraboshin e Shkodrës në perëndim. Këtyre bjeshkëve ai do u kushtonte dashurinë e tij më të madhe dhe vargjet e tij brilante, që, si në kohën e eposit, do kalonin gojë më gojë e do këndoheshin mal më mal. Kush nuk e kujton këngën “Xhamadani i trimërisë” apo siç njihej më mirë “Xhamadani i Mic Sokolit”, që tundi jo vetëm skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar në vitin 1978, por edhe vetë Malin e Gjerë dhe kalldrëmet e qytetit të gurtë. Ajo këngë ishte sinjali i parë që paralajmëronte atë uragan folklorik me perla të rralla që do të zbriste në vitet e mëvonshme në fesativale e skena kombëtare e ndërkombëtare Ansambli Artistik “Mirdita” me grupin legjendar të burrave. Nga telat e çiftelive fjalët poetike të Gjokë Becit fluturonin me bardhësinë e pëllumbit dhe me shpejtësinë e forcën e plumbit. “Dasma e Kamber Loshit” është e atyre përmasave që mund të krahasohet me tragjeditë greke, figurën poetike “përmbi shkëmb ta ngul opingën” do ta kishte zili edhe Akili me dobësinë në thembër, “plisi në Luvër” është qeleshja e bardhë, (amaneti i lënë mirditorëve nga çdo shekull), ku duket sikur vetë Mali i Kunorës, i zbardhur nga dëbora, ka zbritur të bëjë një vizitë në kryeqytetin francez.

Gjokë Beci i lë artit shqiptar mbi 10 vëllime me poezi e qindra këngë. Ai ishte i madh në artin e tij e po aq i madh në thjeshtësinë e tij. Kam patur fatin, si shumë krijues të tjerë mirditorë, të rritem pranë tij e krijimet e para të hedhura në fletore të ledhatohen pikërisht nga sytë e tij. Breza të tërë krijuesish të nxjerrë nga dora e tij. Që sot përkulemi me dhimbje e me mirënjohje të pakufishme përpara kujtimit të tij.

Trashëgimia e tij artistike është e barazvlershshme me qytete të tëra, madje me vargmale. E, megjithatë, poeti brilant jetoi në një varfëri të skajshme. Nuk u gjend dot një shtëpi e denjë për të. Një varg i tij vlente më shumë se një shtëpi. Po, pushtetarët tepër të angazhuar për të ngritur vila e pasuri brenda e jashtë shtetit për vehte me lekët e popullit, nuk u kujtuan të shikonin se ku banonte poeti i madh. Sot, ata, me hipokrizinë vrasëse, do ta qajnë poetin, nuk do ia kursejnë fjalët e mëdha. Se natyrisht, streha e tij e fundit është dy metra dhe e nuk do u kërkojë investime.

Po, poeti ikën duke marrë madhështinë me vehte e duke ua lënë atyre turpin në derë. Pas pak vitesh, poeti do kujtohet akoma më me forcë e këngët e tij do jehojnë mal më mal, kurse ata do jenë mbuluar nga pluhuri i përjetshëm i harresës.

Filed Under: Featured Tagged With: Bardi i Bjeshkeve, Iku Gjoke Beci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4863
  • 4864
  • 4865
  • 4866
  • 4867
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT