• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shakaxhinjtë e Përparimit….Replikë me një ”historian”

February 12, 2014 by dgreca

Nga Reshat KRIPA*/

Me daten 5 shkurt 2014  lexova në “Gazetën Shqiptare” një shkrim me titull “Masakra e 4 shkurtit, Milo: Të hiqen nga rrugët emrat e kriminelëve Mitrovica e Deva”, kushtuar ceremonisë së kremtimit të 70 vjetorit të të ashtuquajturës “Masakra e 4 shkurtit 1944”. Me indinjoi fjala e “historianit” Paskal Milo në këtë ceremoni, një fjalë denigruese për për disa figura të shquara të nacionalizmit shqiptar, një fjalë nën frymën e propagandës komuniste të sistemit totalitar. Si përfaqësues i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, një shoqatë nacionaliste, bëra një replikë me këtë “historian” të cilin, siç është praktika e replikave, ia dërgova për botim “Gazetës Shqiptare” me shenimin e mëposhtëm për kryeredaktorin:

Po ju dergoj repliken time per deklaraten e zotit Paskal Milo ne ceremonine e 70 vjetorit te te ashtuquajtures “Masakra e 4 shkurtit 1944”, botuar ne gazeten tuaj Nr. 6256, date 5 shkurt 2014. Besoj se kam te drejten e botimit te saj diten e neserme ne gazeten tuaj.  Mbetem ne pritje. Me respekt. (9 shkurt 2014)

          Prita dy ditë, por replica nuk u botua. Atëherë i dërgova një shënim tjetër kryeredaktorit të kësaj gazette:

Para dy ditesh ju kam derguar nje replike per nje shkrimin tuaj te dates 5 shkurt 2014. Kaluan dy dite dhe nuk e shoh repliken te botuar. Arsyen e dini ju vete por une mendoj se  e drejta e botimit te nje  replike per nje shkrim te caktuar dhe ne mungese te saj dergimi i nje pergjigje autorit, eshte norma kryesore e etikes se nje gazete serioze, gje qe ju nuk e bete. Megjithate kjo eshte puna juaj. Sot ne Shqiperi ka plot organe shtypi ku mund te botosh. Me respekt. (11 shkurt 2014)

Por gazeta në fjalë nuk denjoi përsëri ta botojë, madje as të kthente përgjigje për arsyen. Ndaj po jua dërgoj këtë shkrim dhe e lë në gjykimin e lexuesve të shprehen se a është kjo etiketa e një gazette demokratike në një vend demokratik? A duhen hedhur poshtë figura të tilla patriotësh që kanë dhënë një kontribut të paçmuar në krijimin e shtetit shqiptar, qoftë edhe sikur në ndonjë çast të veçantë të kenë gabuar? Ju le juve, të nderuar lexues të gjykoni. Shkrimin ua dërgova edhe tri gazetave të tjera. E botoi vetëm gazeta “55” dhe për këtë e falënderoj. Të tjerat nuk e di si do të veprojnë.

Më poshtë po ju dërgoj replikën time:

“Shakaxhinjtë e përparimit”

 

Kështu i quante Noli të ashtuquajturit demokratë përparimtarë të kohës së tij. Po sot a është e vlefshme kjo sentencë? Klithmat e korbave të zinj vazhdojnë  të dëgjohen, me një mllef të paparë edhe sot, për të ringjallur atë epokë që populli shqiptar e përmbysi njëherë e përgjithmonë në fundin e viteve 90-të. Këto klithma vijnë nga “shakaxhinjtë e rinj të përparimit” dhe flamurin e këtyre klithmave sot e ka marrë një zotni me gradë shkencore “Doktor” dhe dhe titull “Profesor”, një zotni që ka kryer shumë detyra të larta shtetërore si ministër, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryetar apo sekretar komisionesh të kuvendit, një zotni që kryen shumë detyra si përgjegjës katedre, dekan fakulteti, anëtar i shumë këshillave shkencore, një zotni që ligjëron në shumë universitete shqiptare dhe të botës mbarë. E pra ky zotni, kryetar i një partie, që ka gati 20 vjet që është krijuar dhe nuk ka zhvilluar asnjë kuvend por që ka një kryetar dhe asamble të përhershme të zgjedhur nuk e di se nga kush dhe që në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit fitoi vetëm 11.891 vota nga 1.723.295 që ishin gjithsej, baras me 0,69% të tyre, ky zotni na e quaka veten, madje kështu e quajnë edhe të tjerë, “historian”.  Më falni, por unë nuk kam dëgjuar në ndonjë vend të botës, ndoshta edhe  për mungesë informacioni, që një kryetar partie të kryejë edhe profesionin e historianit. Cilën histori do të studiojë dhe do të flasë ai? Atë të botës mbarë, të vendit të tij apo të partisë që drejton? Do t’i sugjeroja “të nderuarit” të mos mbante nën sqetull dy kunguj se nuk do t’ia dilte dot mbanë.

Këtë zotni ditët e fundit po e shohim të bashkohet me korin e korbave që këlthasin për “70 vjetorin e çlirimit” apo “70 vjetorin e masakrës së 4 shkurtit” të rrethuar ngë një grup korbash të thinjur që u ka mbetur ora më 8 nëntor 1941. E shohim këtë interpret të një epoke të përmbysur të deklarojë:

“Në Tiranën e 4 shkurtit, shihje të vrarë, kuislingë, nazistë të Gestapos. Sot, duhet të mbrojmë historinë nga atentatet politike  e pseudohistorianët. Ngjarje si kjo nuk mund të transferohen, as të zhbëhen, pasi ajo nuk qe luftë komunistësh. Ata e drejtuan luftën dhe PK duhet gjykuar për atë që bëri pas luftës.

          Nuk duhet të kemi frikë të përmendim emrin e Enver Hoxhës, as nuk  e mbrojmë,pasi populli ia ka dhënë dënimin për ato që iu ka bërë shqiptarëve”.

          Më poshtë ai vijon:

“Nuk duhet të kemi frikë të përmendim ata që e bënë masakrën e 4 shkurtit: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Bajazit Boletini, Ago Agaj etj.sepse i shërbyen nazizmit, duke menduar se gjermanët  do t’i çlironin nga serbët. Ka sot interpretues të çmendur të historisë e pinjollë të tyre që e bëjnë këtë.     

Dhe në fund përfundon:

“Të hiqen nga rrugët e sheshet, emrat e kriminelëve Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva etj”.          Duke lexuar thënien e mësipërme të “historianit” të krijohet përshtypja se në atë ditë rrugët paskëshin qenë të mbushura me kuislingë, nazistë të gestapos të vrarë dhe  nuk  përmendet

asnjë nga ata që ai i quan viktima të kësaj masakre. Nuk e di  nese  kjo  është   një  lajthitje  e  tij,

megjithse edhe kjo ka të ngjarë të jetë. Nuk është për t’u çuditur. Me atë ngarkesë që ka të gjitha ndodhin. Megjithatë ka edhe një farë të drejte. Në ato ditë të zeza guerilasit partizanë  vranë nipin e Xhafer Devës dhe dy djemtë e Kadri Cakranit. Mos vallë edhe këta ishin kolaboracionist? Një gjë e tillë bëhet e ditur nga një lajm i gazetës “Bashkimi” një vit pas ngjarjes, në shkurt 1945.

Kam parasysh thëniet e tij për diktatorin ku u shpreh se atij iu dashka dhënë merita për ato që paska bërë gjatë luftës. Cilat ishin këto merita? Mos vallë vrasja pas krahëve e shokëve të tij, Hysni Xhindi, Fejzo Gjomema, Mustafa Gjinishi, Ramize Gjebreja, madje edhe e Qemal Stafës, sipas disa të dhënave që qarkullojnë në opinionin publik, e të tjera. Mos vallë për “Luftën e madhe” që ai paska zhvilluar, duke ngrohur vezët në shtëpinë e kunatit të tij Bahri Omari në mes të Tiranës, të cilin sapo mori pushtetin e pushkatoi? Ju lumtë, zoti “historian”, ditkeni mirë t’i çmokeni meritat e tij!

Zoti “historian” na bëka edhe një propozim tjetër, të hiqen emrat e disa patriotëve të shquar nga rrugët dhe sheshet e vendit. Unë nuk e di nëse ka ndonjë rrugë apo shesh me emrat e tyre, pasi deri më sot asnjë nuk e ka pasur këtë vullnet. Por dua ta pyes:  Emrat e cilëve duhen vendosur në vend të tyre?

Le t’i analizojmë. Hap kompjuterin dhe lexoj në faqet e internetit:

“Rexhep Bej Mitrovica lindi në Mitrovicë. Ishte pjesëmarrës në Kongresin e dytë të Manastirit, më 1910, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 1912 dhe në politikë në vitet 1920-1924. Anëtar i Komitetit të Kosovës në degën  e Durrësit. Nga viti 1921 deri më 1923, ministër i arësimit shqiptar. Në vitet 1925-1939 veproi në emigracion. Në shtator 1943, kryetar i KQ të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Nëntor 1943-qershor 1944 Kryeministër i Shqipërisë. Pas kësaj kthehet në Kosovë. Në nëntor 1944 emigron në Austri dhe më pas në Turqi ku edhe ndërroi jetë.”

Vazhdoj shfletimin e faqeve të internetit dhe lexoj për një figurë tjetër:

“Më 2 mars 1914 në Gjirokastër, një i ashtuquajtur kongres nën drejtimin e Mitropolitit Spiridon shpalli edhe një herë -autonominë e Vorio – Epirit-. Nuk vonoi shumë dhe të njejtën gjë bëri edhe renegati  Spiro Milo,  – drejtues politik dhe komandant për Himarën ne qeverine vorio-epirote, në shtatë fshatrat e Himarës.”

Ndërsa në një faqe tjetër lexoj një shkrim të Doc. Odise Çaçit, pedagog në Universitetin e Vlorës:

          “Doktor Jani Rexho, ndonëse kishte studiuar ne Athinë, kishte marrë profesionin e nderuar te mjekut humanist, ai kurrë nuk u përlye nga ndjenja fanariote dhe falangat qe e shoqeronin atë. Ai i ngeli besnik idealeve humane. Me 8 dhjetor 1912 kur gjenerali Spiro Milo, zbarkoi ne Himarë, ky patriot që kishte luftuar mbi 20 vjet kunder perandorisë osmane e fton ne takim dhe pas shume debateve i thotë: “Në qoftëse kini ardhur në Himarë për të nxjerrë mallin e vendlindjes, të urojmë me gjithë zemër mireseardhjen, por nëqoftëse erdhe për të na vënë flakën dhe të na futësh në vëllavrasje, më mirë ngrihu dhe ik nga ke ardhur, me gjithë njerëzit e tu. Ti na solle disa zagarë të hurit dhe të litarit. Ti na prish vëllazërinë, ti kërkon të na vësh nën zgjedhën e moraitëve…Dëgjoje dhe mbaje për gjithë jetën në mëndjen tënde: Himara vetëm qiellin pranon mbi kokë, zgjedha çdo ngjyrë që të ketë, është zgjedhë, qoftë e turkut , qoftë e grekut. Bregdeti që nuk ka pranuar kurrë byk mbi vete , edhe këtë radhë do ta thotë fjalën e tij”.

Nuk e di nëse zoti “historian” kërkon të shuaj emrin e Rexhep Mitrovicës për ta zëvendësuar ndoshta me atë të “heroit” të tij, Spiro Milos. Një tendencë e tillë vihet re për të gjitha figurat e shquara nacionaliste të Kosovës që jetën e tyre e vunë në shërbim të kombit. I tillë ishte Rexhep Mitrovica që përmendëm më sipër, të tillë janë Bajazit Boletini dhe Xhafer Deva. I tillë është edhe ai që kosovarët e thërrisnin “Kosovari nga Vlora’, Ago Agaj.. Por zotnia ruan ende urrejtjen patologjike që kishin të parët e tij për Shqipërinë Etnike dhe shqiptarët. Verbëria politike e tyre bie në sy edhe në idenë e hedhur prej tyre për heqjen e emrit të udhëheqësit të shquar të Kosovës së sotme, Ibrahim Rugovës, nga rruga me të njejtin emërtim, duke tentuar ta rikthejnë në emërtimin e vendosur nga sharlatanët politikë të djeshëm.

Kush ishte kolaboracionist, zoti “historian? Mos vallë Xhafer Deva? Ja se si shkruan studiuesi Nue Oroshi nga Gjermania për të:

“Po pse themi Xhafer Deva burrë i pathyer i kombit shqiptar.Vërtet ishte burrë i pathyer.Ai qëndroi i pathyer edhe atëherë kur vendosi të hyj në politikën shqiptare që të realizojë planin e tij për Shqipërinë Etnike. Ai qëndroi i pathyer edhe atëherë kur ishte ministër i puneve të brendshme, Ai qëndroi i pathyer edhe kur e udhehoqi Lidhjen e Dyte te Prizrenit Ai qëndroi i pathyer edhe kur e akuzuan komunistët pansllavist, si fashist. Madje, pati edhe aso rastesh kur Xhafer Deva qëndroi i pathyer kur atë e akuzuan edhe të huajt siç ishte gjenerali anglez Hill, i cili e përcaktoji Deven si njëri ndër bashkëpunëtorët e Gjermanëve e përgjigjja e të pathyerit, heroit të kombit shqiptar, Xhafer Devës më 25 prill të vitit 1944 në mënyrë publike në nje nga orët më të dëgjuara të mbrëmjes në “Radio Tirana“ ku midis të tjerave i tha Hillit me atë zërin e tij burrëror dhe të pathyeshem: ”Shqiptari Xhafer Deva që ka nderin t‘ju përgjigjet mund t’ju theksoj se nuk është në shërbim të gjermaneve, nuk asht kenë kurrë, dhe nuk do të jetë kurrë, por gjithashtu, nuk asht në shërbim të anglezve, amerikaneve, rusëve. Xhafer Deva ka nderin të jetë në shërbim të popullit shqiptar, dhe sigurisht ky shërbim asht ndera ma e madhe që mund të ketë.”

Ky ishte Xhafer Deva  zoti falsifikator i historisë. Për të dhe shokët e tij në plan të parë ishte atdheu. Ai ishte mbi të gjitha. Me rastin e festës së 28 nëntorit më 1941, për herë të parë në Mitrovicë kremtuan bashkërisht në mënyrë madhështore nxënësit, qytetarët, gratë e veshura bukur të familjeve muslimane e katolike. Në këtë kohë gjermanët urdhëruan që të burgosen çifutët e romët (gabelë e arixhinj) me origjinë nga Egjipti, mirëpo, pas ndërhyrjes së Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës, Ago Agait e Vehbi Frashërit, ky vendim nuk u zbatua, përkundrazi, iu mundësua çifutëve që përmes koridorit të sigurt nëpër Drenicë, të tërhiqen deri në Shqipëri e tutje. Rexhep Mitrovica kishte marrë në dorëzim detyrën e Komandantit të Forcave Vullnetare Shqiptare në trojet e çliruara. Ja si shkruhet në internet për këtë ngjarje:

“Në kohën kur ishte ministër i brendshëm, nazistët i kërkuan zyrtarisht jo vetëm listat, po dhe grumbullimin e gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi. Mbështetur në burimet amerikane, sipas Sarner, dy përfaqësues të bashkësis hebraike në Shqipëri, Rafael Jakohel dhe Mateo Matathia, duke qenë të vetëdijshëm se ky urdhër i nazistëve do të thoshte arrestim dhe shfarosje e të gjithë bashkësisë iu drejtuan Mehdi Frashërit për ndihmë. Ky i fundit i këshilloi ata që të takoheshin me ministrin e brendshëm Xhafer Deva, Ata shkuan ta takonin. Për çudinë e tyre, sedra nacionale e ministrit Deva doli  e fortë Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva ia doli që t’i bindtte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve”  

Po Ago Agaj kush ishte? Ju e quani veten historian dhe duhet ta dini, por bëni sikur nuk e dini. Ndaj po jua them unë:

Ago Agaj, (1897 – 1994) kreu studimet e larta në Vjenë të Austrisë për inxhinieri Agrikulture, mori pjesë në Luftën e Vlorës më 1920, punoi si mësues në Lushnjë, madje dhe në Mitrovicë. Përkrahu qeverinë e Fan S. Nolit më 1924. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u emërua Ministër i Ekonomisë Bujqësore. Ai është autor i mjaft librave historikë si “Lufta e Vlorës”, “Milloshi, heroi i Kosovës”, “Si e njoha Xhafer Devën” dhe dhjetra artikuj të botuar në shtypinj shqiptar dhe botëror. Ja si shkruan për të studiuesi kosovar nga Gjakova Mexhit Yvejsi:

“Z.Ago Agaj ishte një burrë i rrallë, i sjellshëm, i kulturuem, besimtar, atdhetar, i ditur, i ndritur, kishte pak fjalë edhe pse ishte një enciklopedi e gjallë…! Herë pas here shkruente e botonte punime, studime, në revistat e hueja, në veçanti, gjermane, por edhe në shtypin e mërgimit si “Shejzat” e Romës, “Dielli” e Bostonit etj. Përmbajtja e shkrimeve të tij përfshijnë disa lëmi: si studime historike, gjurmime folklorike, kujtime etj. Përveç librit : “Miloshi Heroi i Kosovës” (Legjendë- kronika e përkthime), ka botuar edhe librin përmendore “Lufta e Vlorës”, një enciklopedi e trimërisë, një shembëlltyrë se si shkruhen ngjarjet e historisë…
Ago Agaj ndrroi jetë me 24 dhjetor 1994, në Clearëater të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në moshën 97 vjeçare. Gati një shekull jetë-në shërbim të Shqipnisë së vërtetë…”

Ndërsa vetë Agua shkruan ndjenjat e tij në pragun e shuarjes së jetës:

“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i kombit shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë nga kthetrat e kuçedrës serbe, atëherë do të kemi një komb tetëmilionësh dhe askush nga fqinjtë keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast se Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për kombin, për Shqipërinë, për Vlorën… O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjegj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë”, Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së ti. Po të isha në gjendje të mirë shëndetësore, unë do të isha sot në Kosovë. Jo për të trimëruar kosovarët, se është e njohur trimëria e tyre, as për të ndihmuar intelektualët, se sot Kosova ka nxjerrë intelektualë të shquar si Ibrahim Rugova, Anton Çeta, Zekeria Cana etj. Ata përpiqen për shqiptarizmën dhe unë krenohem me ta. Qëllimi im për të vajtur në Kosovë është që të pushoj pas vdekjes në dheun shqiptar”,

Këta janë shqiptarët e vërtetë të Shqipërisë që ju, zoti ”historian” kërkoni t’i përlyeni, por nuk do të mundeni më. Zërat tuaj tashmë janë ngjirur dhe kërasin si zëra korbash. Atëherë përse nuk quani kolaboracionist edhe Ismail Qemalin? A nuk ishte ai Kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë më 1868. Guvernator i Varnës dhe Danubit të Poshtëm më 1870. Anëtar i komisionit të kushtetutës turke më 1876. Guvernator i Tripolit dhe vali në Siri në vitin 1897. Deputet në parlamentin turk në vitet 1908-1912. Përse nuk quani kolaboracionist Abdyl Frashërin që ka qënë dhjetë vjet deputet i parlamentit turk, ndërsa vëllai tij Samiu një figurë e njohur që turqit e kanë një nga figurat më të shquara të historisë së tyre, madje edhe një stadiumi i kanë venë emrin e tij për kujtim. Përse nuk quani kolaboracionis Vaso Pashë Shkodranin që ka qenë Administrator në Ederne në vitin1879. Atje merr titullin Pasha. Guvernator në Liban në vitin 1883. Qënia në këto detyra nuk i pengoi këta të mendonin dhe të punonin për Shqipërinë. A nuk ishte edhe Turqia pushtuese? Atëhere, përse këta quhen patriot dhe intelektualët tanë kolaboracionist?

Edhe një shembull tjetër të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Emrush Myftari, një i ri komunist kosovar, pjesmarrës i luftës së Spanjës përkrah brigadave internacionale, shokë me Xhemal Kadën, Petro Markon, Skënder Luarasin, edhe këta luftëtarë të Spanjës, me fitoren e forcave të Frankos kthehet në qytetin e tij të lindjes, në Pejë. Atje vazhdon luftën kundër okupatorëve jugosllavë. Më 17 prill 1941 Jugosllavia kapitulloi përpara ofensivës gjermane. Emrushi së bashku me një grup shumë të madh pejanësh pret ardhjen e çlirimtarëve gjermanë, siç i quante ai, ndërsa një grup serbësh ishin ngujuar në bashkinë e qytetit për ta pritur “okupatorin” me armë. Me mbërritjen e tanksit të parë gjerman, një vajzë e re i dhuron komandantit të tij një kurorë me lule të freskëta. Emrushi hipën në tanks dhe së bashku me turmën e madhe i drejtohen vendit ku ishin serbët. Fillon përplasja. Nga ana kosovare vriten dymbëdhjetë trima. Së fundi serbët detyrohen të dorëzohen. Për këtë veprim, Emrushi u dënua me vdekje nga komunistët, vendim që mundi të zbatohej në vitin 1945. Mos vallë edhe këtë do ta quani kolaboracionist?

Do të doja të bëja edhe disa pyetje të tjera: Lidhjen e komunistëve me armikun e përhershëm të vendit tonë, Jugosllavinë, si do ta konsideroni? A nuk ishin brigadat partizane, të udhëhequra nga diktatori Ramiz Alia dhe të tjerë lakej që shkuan në jugosllavi për t’ua dorëzuar atyre Kosovën martire? A nuk ishin komunistët shqiptarë që u bënë bashkëpuntorë të jugosllavëve në masakrën e tmerrshme të Tivarit? A nuk ishte Bashkimi Sovjetik që, me fillimin e Luftës së Dytë Botëroire, filloi të pushtojë vendet balltike dhe Poloninë, njësoj si okupatori gjerman dhe më vonë, në fundin e luftës u shtri në të gjithë lindjen. Atëhere, përse nënshtrimi i krerëve komunistë ndaj Jugosllavisë dhe  Bashkimit   Sovjetik  qenka vepër  patriotike?

Sipas kritereve të demokracive perëndimore nuk është provuar se Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Ago Agaj apo ndonjë nacionalist tjetër shqiptar të ketë qenë kolaboracionistë. Në vendet ku regjimet e tyre shquheshin për demokraci të mirëfilltë, ata u pritën ngrohtë, u rrethuan me nderimin e njerëzve dhe kryen punë mjaft me përgjegjësi. Po të ishte provuar se ata kishin qenë kolaboracionistë, përkrahës të fashizmit etj, atëherë asnjërit nuk do t’i lejohej qëndrimi për asnjë çast në vendet më demokratike të botës.

Kjo është e vërteta që , për turpin tuaj, ju mundoheni ta errësoni. Por ideologjia e juaj perëndoi një herë e përgjithmonë. Sot  kudo në botë sundon ideologjia e jonë për të cilën sakrifikuam jetët tona. Ndaj heshtni!

* Reshat   Kripa/Kryetar i Shoqatës Antikomuniste/të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Paskal Milo, reshat kripa, shakaxhinjte e perparimit

YJE TE SKENES DERI NE VITET ’90-TE ZAKONSHEM PASTAJ…

February 12, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia

1.

Shuheshin,diku binin yje nga kashta e kumtrit,por yllësia e Vaces ,ndriste nëpër udhë të hënës. Mërgimi i përhershëm i Vaces drejt qiellit është një rrugë e detyrueshme që kryhet e do të kryhet nga njerëzimi me dhimbje e trishtim. Përse e detyrueshme: Përgjigje  sepse orbitalja  ngrehur e jetës një ditë  përfundon mision e kësaj jete

:” Të Zotit janë Lindja dhe Perëndimi edhe ngado,që kthehemi aty është ana e Zotit .” Kuptueshëm, besoj.

Për Vace Zelën  ka mbetur i shkruar slogani:”këngëtare e madhe”.Në përndritjen të magjisë së zërit të saj shkëlqente bukuria e pazakontë . Vacja kishte zë të çuditshëm kristal,të qelibartë,të kthjelltë .Nëse  skalitësi i thellësive,Sokrati me thënien :..bërjen e shpirtit sa më të mirë,të ishte e mundur”,për Vacen duhet thënë”:bërjen e zërit sa më të mirë të ishte e mundur”.Kështu epoka e Vaces u përmbyll me shtegëtimin e shpirtit,drejt qiejve të Zotit.

Gjuhë poetësh është kjo:Po shpirti,që s’vdes/S’ma mbrëm’ e mëngjes/ku ka fluturuar/Se vdekja s’e zë dot…

2.

Kur më thanë disa  të rinj se çfarë po lexonja në forumet online,u thashë :U shkëputë nga jeta  shpirti i Vace Zelës…..Habia e tyre sikundër edhe krejt brezit të sotëm ishte :Kush është kjo Vace Zela, kaq e dëgjuar qenka, ndërkohë  që këngët e saj si kishin dëgjuar,ose kujt rryme muzikore  i përket Vacja etj ,etj.

Në të vërtetë koha kur Vacja arriti të ngjit  lartësitë e këngës i përket një regjimi tjetër. Pyetja e këtyre nëse regjimi do të ishte tjetër soji, a do të bëhej Vacja  dhe a do të marshonte nëpër gjithë ato brerore për të arritur në atë farë maje, e quaj piedestal kënge. Edhe Vacja si të gjithë shqiptarët u ngjiz në këtë tokë dhe u rrit në këtë tokë ,jetoi e këndoi në këtë tokë pra ajo ,ishte një nga shqiptarët që regjimi nuk e hodhi në pluhur të harresës. Kishte zërin,sigurisht që kishte edhe të tjerë që kishin zë dhe vesh muzike, por nga një festival kënge në vitet ‘ 70 ,ikën nga kjo pjesë shumë artistë ,fotot e tyre u fshinë nga shtypi i kohës,këngët e tyre i fshinë, shiritat i dogjën,emrat e tyre ua hoqën nga festivalet dhe ndokush bëri edhe  burg për një këngë a diçka tjetër.

Në atë kohë kishte edhe ndriçime të tjera të cilët ikën për në asgjëkund ose i hoqën përdhunshëm. Mirëpo  si Vacja edhe Ema,Liljana,Luani, ashtu si Kadare,Agolli, në letra  mbijetuan falë fatit dhe regjimit. Ne brezi i asaj kohe pëlqenin këngët që këndonte Liljana, Ema,Irma,Luani,Kozmai,Anita të cilët shpesh merrnin vendet dytë,tretë, dhe Vacja mbante vendin  e parë. Por në mëndje kam të skalitur një këngë të Zija Saracit.Për detin më dukej quhej kënga  e cila shoqërohej nga një tekst i shkëlqyer që thoshte:”gjithmonë për detin kam qenë kureshtar … dhe një zë melodioz të afronte me këngën të bënte njishë me të.Shprehjet:”Thuhet se muzika është melhem për shpirtin!kështu shkruhet te këngë për meditim . Duke vijuar:Dhe vërtetë, provat e dokumentuara tregojnë se magjia e tingujve të bashkërenduar e në harmoni, jo vetëm që krijon ndjesi të këndshëm shpirtërore dhe balancon ritmin psiko-fizik, por është e preferuar edhe si terapi tejet e suksesshme në shërimin e shumë sëmundjeve si dhe mjet mjaft efikas e ndikues në forcimin dhe zhvillimin e imagjinatës kreative.Ndikimi i tingujve muzikore tek qenia njeri, është një dukuri e njohur që nga lashtësia. Pothuajse nga të gjitha kulturat e lashta njihet mënyra e të provokuarit të ndjenjave të caktuara por edhe të klimës së mirë shpirtërore, e shëruese përmes ritmeve të lloj-llojshme.

Nga Vacja ruaj në kujtesë kthjelltësinë e zërit të saj te :”Valsi i lumturisë” si një nga këngët e ardhur prej zërit të saj të paharrueshëm.

3.

Sa dete i duhen pëllumbave  me përshkua për të ardhë  drejt e në tokën e shpirtit tonë?Ndonëse fëmijë atëherë ishte festivali i këngës ,festivali i 11, e dëgjonin në radio,ndërsa fytyrat e tyre i ndiqnim  tek revista.

-Ç’u bë me Sherif Merdanin dhe këngën e Nënës, që nuk e harrojmë dot. Pse u zhduk Alida Hisku? Një zhbirim me kujdes,nxjerr në sipërfaqe plasaritjet e kohës. E mbani mëndë A.Hiskun tek :”Buka e duarve tona”,çfarë performance, drita jote në errësirë ishte reale dhe ti pagove efektet e saj.

-Çfarë bëri Alida, përveç bukurisë që i dha skenës, …shpirtin e saj  i ka dhënë këngës. Kur ndriçimi i atij vegimi që solli Alida,befasisht muzgu mbërtheu udhëheqjen.

Errësira,fillon atje ku drita ka përfunduar. Errësira nuk guxon të shfaqet përpara dritës. Errësira,simbolikisht ka lindje emrin : perëndimi. Kurrsesi perëndimin e diellit tonë.

-Ç’u bë Alida,pyesnin të rinj, të tunduar nga ajo bukuri që shprehej në atë skenë të zymtë?Alida pavarësisht ngjarjeve, që u sajuan apo u përjetuan  iku dhe u thye përgjithmonë. Alida iku sepse ishte një  jehonë në shkretëtirë. Alida iku nga kënga, por jeton diku jashtë vendit,në mos gaboj në Gjermani e martuar. Ndërsa Vacja iku por jeton në atë brezë që e njohu dhe adhuroj.

4.

Një pyetje më gërryen  përbrenda:”Si shpjegohet që yjet shqiptarë të para viteve ’90 të cilët nuk linin skenë,fshatë,qytet, ,shtet pa gjezdisur çuditërisht humbën nga sytë e publikut,kur liria u dha me pashë. Kështu ngjau me Vacen me Alidën dhe me të tjera artistë shqiptarë. A mos vallë ishte regjimi ai,që ua ndërtoi karrierën madje ditën kur u hap liria ato firuan?Vacja ishte rreth 50 vjeç në vitet ‘90 Alida  shumë më pak ,Luani,Liljana,Ema gjithashtu,Bashkimi, etj nuk bënë më karriere tek tuk ndonjë koncert si zë i vetëm në shkretëtirë,sigurisht ata mbetën me repertorët çfarë kishin  koleksionuar para viteve ’90.i  gëzoheshin asaj kohe sepse kjo kohë ishte e vështirë që të siguronte të ardhura,karrierë,famë ngase aso kohe sistemi vet,  ti sillte një herësh të gjitha,madje brenda natës. Për të mos u paragjykuar shkrova lartë vlerësimin tim për Vacen prandaj në këtë vijueshmëri po shtroj problemin se sistemi,  që të mat vlerat  është ekonomia  e tregut sa i aftë je të jetosh me këngën tënde,mjaftë këngëtare shqiptare sot kanë në llogarit e tyre bankare, miliona të arkëtuara nga koncertet  brenda dhe jashtë vendit ,ato jetojnë ,bëjnë karriere me këngën edhe ushtrojnë pasionin e tyre por edhe jetojnë  jetën me të ardhurat që u sjell muzika etj,janë bërë të dashura për publikun ,këngët e tyre kërkohen,pëlqehen dhe adhurohen nga mijëra shqiptarë. Nuk po flasim për muzikën turbofolk, por për këngëtarë të vërtetë. A nuk ishte Bujar Qamili që këndoi edhe në atë sistem edhe në këtë kohë ai është ndër më të kërkuarit, këngëtar i muzikës qytetare shkodrane?Nuk po rri të numërojë këngëtarët e sotëm por po them se nëse arrin të  të ushqej letërsia,merru me letërsi,nëse të ushqen muzika merru me muzikë,nëse të ushqen piktura merru me pikturë e kështu me radhë sepse koha është e tillë që nuk të jep kohë për të bërë një punë tjetër dhe për tu marrë ndërkaq me një pasionin tënd. Ekonomia tregut të mat me spango,thonë lebërit ,që do të thotë të tregon sa vlen në të vërtetë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gezim Llojdia, Yjete skenes

PËRCILLET PËR NË VENDLINDJE ME LUTJE DHE POEZI TAHIR HYSA

February 12, 2014 by dgreca

Për dy netë, të Hënën dhe të Martën, janë bërë homazhe pranë arkivolit të të ndjerit Tahir Hysa, i cili ndërroi jetë fundjavën që shkoi nga një sëmundje e rëndë. Shumë bashkadhetarë  ngushëlluan bashkëshorten, vajzën , të afërmit miqtë e të ndjerit.

Edhe mbrëmjen e së Martës salla e Qendrës Islame Shqiptare në Queens ka qenë për tre orë e mbushur plot me bashkadhetarë. Nën drejtimin e Imam Edin Gjoni janë përcjellë Lutje Fetare për Shpirtin e poetit Tahir Hysa.

Një ndër miqtë e të ndjerit, Ahmet Hoti, pasi ka ngushëlluar familjen, i ka bërë një përcjellje të vecantë shpirtit të poetit, duke lexuar poezi nga libri i Tahir Hysës ”Shqip-Shqipëri”, libër i botuar në vitin 2005. Poezi të tilla si “Kam ardhë në Këtë jetë”, “Cmallje”,”Tek Ty nënë Shqipëri”, e të tjera krijuan një atmosferë përlotjeje.

Tahir Hysa pat lindur me 31 tetor 1948. Ai emigroi në ShBA për një jetë më të mirë. Ishte aktiv në komunitetin shqiptar dhe poezitë e tij ishin bërë pjesë e këtyre veprimtarive.

Në përcjelljen e fundit që i dha mbrëmjen e së martës komuniteti shqiptar i Nju Jorkut të ndjerit Tahir Hysa, ishte e vecantë; ia bëri të gjitha nderimet. Trupi i tij udhëton sot, e mërkurë, drejtë Atdheut, duke cuar në vend amanetin e tij.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, Tahir Hysa, u percoll per ne atdhe

6 VJET PËR 6 SHEKUJ

February 11, 2014 by dgreca

REFLEKSIONE NË PËRVJETORIN E PAVARËSISË TË KOSOVËS/
Nga Azgan HAKLAJ/
Nga beteja e largët e Fushë-Kosovës e vitit 1389, betejë e cila ndryshoi kahjen historike të shteteve të Ballkanit, shqiptarët e Kosovës kanë udhëtuar për 6 shekuj me ëndrrën e lirisë. Ata kanë përcjellë stafetën e saj, si një amanet të shenjtë brez pas brezi. Me përpjekje titanike, me vendosmëri të pashoqe e duke i thirrur fort kujtesës së tyre historike, ata i mbijetuan Perandorisë Otomane, Mbretërisë Serbe e Federatës Socialiste Jugosllave. Ata qëndruan stoik përballë shpërnguljeve masive të qindra mijëra shqiptarëve dhe projekteve kolonizuese e shfarosëse të Çubriolloviçit, Qosiqit, Andriçit e akademive e ideologjive shoveniste serbe.
6 shekuj me rradhë toka e Kosovës u bë epiqendra e kryengritjeve shqiptare për liri dhe pavarësi. Jo rastësisht, në Kosovë e nën udhëheqjen e prijësve të tyre: Ymer Prizreni, Iljaz Pashë Dibra, Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Ali Pashë Gucia, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri, Naxhip Draga, Bedri Pejani, u krijua Lidhja e Prizrenit e vitit 1878, Lidhja e Pejës e vitit 1900.
U mblodhen kuvendet e mëdha të Verrave të Llukës, Junikut, Ferizajt, Shkupit, të cilët organizuan kryengritjet 1909-1910-1911. Në këto kuvende u hartua Platforma për Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 për Shpalljen e Pavarësisë dhe bashkimin e trojeve Shqiptare në një shtet të vetëm.
Konferenca e Londrës e vitit 1912 me vendimet e saj legjitimoj ripushtimin e Kosovës nga Serbo-Malazezët e shkëputjen e saj nga trupi i Shqipërisë. Ato lanë pjesën më të shëndetshme e vitale të atdheut të vetme në betejën për mbijetesë.
Beteja politike e diplomatike e Shtetit Shqiptar 1920-1928 e më vonë e Mbretërisë Shqiptare në vitet 1928-1939 pranë Lidhjes së Kombeve e Fuqive të Mëdha ishte një fitore si e Pirros. Kjo për faktin se nuk arriti të ndalë zbatimin e Marrëveshjes Turko-Jugosllave të vitit 1937, e cila solli dëbimin e 25.0000 Shqiptarëve nga trojet e tyre. Ata u zëvendësuan me kolonë serbë, malazezë e boshnjakë.
Intelektualët e rinia studentore e Kosovës, me demostratat e mëdha të viteve 1981-1989 e tronditën nga themelet Federatën Socialiste Jugosllave dhe deligjitimuan pushtetin e tyre në Kosovë.
Krijimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kushtetuta e Kaçanikut dhe vizjoni gjenial i liderit Ibrahim Rugova me konstruktivitetin e Pavarësisë e të shtetit demokratik të Kosovës e kthyen çështjen e saj në rend të ditës të SHBA-së e fuqive perëndimore.
Luftë guerile e bërthamës së UÇK-së, ku spikatën aksionet e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Masakra e Reçakut, epopeja e Adem Jasharit, jetësuan ndërhyrjen e NATO-s. Kjo ndërhyrje u gershetua me mbështetjen e qindra mijëra luftëtarëve të lirisë. Beteja fitimtare e Koshares, e udhëhequr nga Agim Ramadani, Sali Çekaj, Rrustem Berisha shembi piramiden e kufirit Shqipëri-Kosovë.
Kryefjala e qëndresës u bë Rrafshi i Dukagjinit, i prirë nga strategu Ramush Haradinaj. Ai udhëhoqi si gjeneral De Goli dikur Francën ndaj gjermanëve. Asnjëherë nuk iu shmang përballjes e betejave me milicinë ushtarake serbe. Heroizmi i Luan e Shkëlzen Haradinajt, Fehmi e Xheve Lladrovsit, Adrian Krasniqit, Bedri Shalës e Bekim Berishës, Tahir Sinanit dhe Mujë Krasniqit, Njazi Azemit, Agron Ramës janë monumente të mëdha në panteonin e lirisë të Kosovës, përkrah Zhuj Selmanit dhe Sefë Koshares.
Fitorja e NATO-s dhe e luftëtarëve të lirisë së Kosovës ndaj Serbisë jetësoi Konferencen e Rambujesë, ku natyrisht veçojmë elegancen politike të Hashim Thaçit. Vendimet e saj u çertifikuan nga Marrëveshja e Kumanovës që do të çonte në vendosjen e Protektariatit Ndërkombëtar në Kosovë.
6 vjet nga shpallja Shtet i Pavarur, Kosova, ka arritur atë që iu mohua për 600 vjet, krijimin e shtetit të pavarur e demokratik, njohjen ndërkombëtare e krijimin e institucineve legjitime të shtetit të saj. Sot Kosova është pjesë e institucioneve prestigjoze ndërkombëtare, e njohur nga vendet më të fuqishme e demokratike të botës, e vendosur në rrugën e vet si pjesë e pandarë e BE-së dhe NATO-s. Reformat e mëdha në arsim, shëndetësi ,ekonomi, në autonominë e qeverisjes vendore, lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, integrimi i minoriteteve e beteja ndaj papunësisë e varfërisë janë sfidat kryesore në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Në këto 6 vjet Kosova ka demostruar aftësi shtetformuese e pjekuri politike përmes zhvillimit të zgjedhjeve të lira e demokratike. Ajo ka arritur progres në respektimin e lirive e të drejtave të njeriut. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të jenë një shtytje e fuqishme e proceseve demokratike e reformave dhe e përgjegjësisë të Qeverisë ndaj qytetarëve të saj dhe aleatëve të mëdhenj, me të cilët është i lidhur fati dhe e ardhmja.
Meqënëse jemi në vit elektoral e Kosova do t’i drejtohet për pak muaj kutive të votimit, mendoj se qytetarët e saj janë ndërgjegjësuar dhe me votën e tyre do të mbështesin masivisht De Golin shqiptar, Ramush Haradinajn.

Filed Under: Opinion Tagged With: 6 vjet, Azgan haklaj, sa per 6 shekuj

Fiziologjia e hormonit urocortin nga Skënder Murtezani

February 11, 2014 by dgreca

Nga Flora Nikolla/

Dita e Skënder Murtezanit si mjek në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nis me kujdesin për pacientët në Flushing Queens të Nju Jorkut. Zyra e dytë e tij është në Douglaston NY, ku punon prej pesë vitesh dhe përkujdeset për klerikë në pension të kishës katolike. Thotë se ndihet i nderuar të përkujdeset për pesë peshkop, shumë monsinjor dhe priftërinj, me të cilët ka jo vetëm një marrëdhënie profesionale, por edhe një miqësi të sinqertë. Një ditë zbuloi se Peshkop Catanello Ignatius dhe Monsinjor Gradillon Thomas ishin me prejardhje arbëreshe. Dr. Skënder Murtezani punon edhe si doktor privat në spitalin NYHQ (New York Hospital Queens). Puna e tij përfshin pato/fiziologjinë e hormoneve të stresit që prodhohen në hipotalamus. Ai është i specializuar në hulumtimet shkencore të fushës së endokrinologjisë, më saktë neuroendokrinologjisë dhe gjithë këtë eksperiencë kërkon  ta ndaj edhe me mjekët dhe studentët këtu në Shqipëri. Ndaj edhe iu përgjigj pa mëdyshje ftesës së Kryeministrit Edi Rama për takimin e organizuar në 22 nëntor në Tiranë me mjekë shqiptarë, të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës. Në atë takim, dr.Murtezani tregon se ka hedhur propozime konkrete për një sistem shëndetësor, pse jo të përkryer në Shqipëri, ndërsa ka ofruar edhe ndihmën e tij falas në fushën e pedagogjisë.

Mungesën e degës së radiologjisë intervencionale në Shqipëri, e quan të papapranueshme, ndërsa mendon se nëse një ditë Shqipëria do të adoptonte një model shëndetor, më i miri është “sistemi universal Japonez”.

Prej vitit 1992, Dr.Skëndër Murtezani, një shqiptar i Tetovës, është angazhuar në studimin e fiziologjisë së hormonit urocortin, geni i të cilit u zbulua në vitin 1997. Në vitin 2006 u emërua instruktor klinik dhe në vitin 2008 asistent profesor i mjekësisë klinike pranë Universitetit Cornell, pozicion që vazhdon ta mbaj edhe sot me pretendimin për të marrë titullin profesor i asociuar.

Dr.Murtezani, ju erdhët në Tiranë në nëntor të vitit të kaluar, së bashku me një grup mjekësh shqiptarë në botë, të ftuar nga Kryeministri Rama për një mision të përbashkët, për të ndihmuar mjekësinë shqiptare. Cili ishte impakti i parë kur ju morët këtë ftesë?

Ftesa më entuziasmoi shumë, sepse mendimet e mia dhe bisedat me pacientët dhe kolegët në Amerikë për problemet e shëndetësisë në Shqipëri morën formë me këtë takim. Tani të gjithë bashkë mund të veprojmë, të ndërtojmë një model të sistemit shëndetësor, të krahasueshëm me qendrat e suksesshme shëndetësore në Amerike e kudo. Së pari duhet të ndërtojmë një model të shëndetësisë terciare në Tiranë, që do të jetë qendër e shëndetësisë në të mirë për gjithë shqiptarët dhe rajonin. Ky model do të transferohet në qendrat shëndetësore të fakulteteve të mjekësisë në Prishtinë dhe Tetovë.  Ideja dhe angazhimi i mjekëve të SHBA-së për këtë iniciativë, na mobilizoi të ndërtojmë një program solid që do të jetë i pranueshëm për tre entitetet; shëndëtësor, ekonomik dhe politik. Takimi në Tiranë ishte historik, së pari sepse na mblodhi të gjithë së bashku në një vend, në një sofër, me një qëllim:  T’i themi “po” Shqipërisë. Me rëndësi do të veçoja edhe faktin se ky takim na mundësoi të njihemi me gjendjen në të cilën ndodhet sot sistemi shëndëtësor shqiptar. Pra, ky takim na dhuroi ne mjekëve jashtë Shqipërisë mjetet e punës, me të cilat do t’i japim kahje energjisë sonë profesionale.

Sa optimist jeni në realizimin  e ideve që u hodhën gjatë forumit të organizuar në Tiranë?

Tani “topi është në fushën” tonë. Po të veprojmë si një skuadër do të jemi të suksesshëm në ndërtimin e një sistemi të përkryer shëndetësor. Duhet patjeter që idetë t’i jetësojmë në krijimin e një sistemi shëndetësor, pse jo, të përkryer në Shqipëri.

Angazhimi juaj personal në këtë iniciativë?

Personalisht mendoj se ndihma ime do të ishte në trajnimin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë dhe më e rëndësishme në trajnimin e specializantëve të Mjekësisë Interne. Propozova që eksperiencën time profesionale ta ndaj me studentët e vitit të fundit të mjekësisë dhe specializantët duke ardhur në Tiranë, çdo semestër, me shpenzimet e mia. Të këtij mendimi ishin edhe shumë kolegë të mi shqiptar, të cilët praktikojnë mjekësinë në SHBA. I shpreh falenderimet dr. Mihal Tase, shef i shërbimit të mjekësisë interne në QSUT dhe prof.dr Margarita Resuli, për pritjen e ngrohtë që na rezervuan në repartin e Mjekësisë Interne. Në këtë takim dy orësh mësova shumë për sukseset në trajtimin e hipertensionit dhe për programin mësimor që aplikohet në Shqipëri. Gjatë vizitës në QSUT, mësova se në Shqipëri nuk është hapur ende dega e radiologjisë intervencionale. Kjo situatë është e papranueshme, pasi mungesa e specialistëve të tillë rëndon edhe më shumë në shëndetin e pacientëve të diagnostikuar me kancer. Kam realizuar një studim të sistemeve shëndetësore në botë dhe mendoj se për Shqipërinë siguria shëndetësore universale është më e përshtatshme. Nga gjithë modelet që hulumtova, sistemi universal japonez me duket më i pranueshëm, kuptohet me modifikimet e nevojshme për kushtet në Shqipëri. Ky sistem ka një rrafsh horizontal në shpenzimet mjekësore dhe nuk lejon kompeticion. Ai është i njëjtë si në sistemin publik dhe atë privat, pra nuk lejon abuzime.

Dr.Murtezani, si mjek në SHBA ju jeni i angazhuar në disa drejtime. Mund t’i përshkruani shkurtimisht ato?

E para është kujdesi për pacientët e mi në Flushing Queens të Nju Jorkut, numri i të cilëve rritet nga ditë në ditë. Zyra e dytë është në Douglaston NY ku punoj prej pesë vitesh dhe përkujdesem për klerikë në pension të kishës katolike. Jam i nderuar të përkujdesem për pesë peshkop, shumë monsinjor dhe priftërinj, me të cilët kam jo vetëm një marrëdhënie profesionale, por edhe një miqësi të sinqertë. Ndihem i nderuar që ata janë të kënaqur me kujdesin dhe profesonalizmin tim. Këtu zbulova se Peshkop Catanello Ignatius dhe Monsinjor Gradillon Thomas janë me prejardhje arbëreshe. Gjithashtu punoj si doktor privat/attending physician në spitalin NYHQ (New York Hospital Queens) me privilegje të plota, pra kontrolloj pranimin e pacientit tim duke filluar nga urgjenca, në spital, njësitë intensive dhe daljen nga spitali. Njëkohësisht përcaktoj se cili specialist, apo kirurg, mund të marr pjesë në trajtimin e pacientit tim. Jam asistent profesor i mjekësisë klinike pranë Universitetit Cornell dhe pjesëmarrës në programin Global Health, ku një student i vitit të parë të shkollës së mjekësisë kalon një ditë në javë në zyrën time për të mësuar mbi diversitetin e pacientëve dhe dallimet kulturore në bindjet shëndetësore. Në semestrin e pranverës jam mentor i klasës prej 10 studentësh, në programin e imunologjisë, i quajtur Host Defense. Gjithashtu jam pjesë e programit të Magjistraturës për kuadrin akademik të shkollave Columbia, NYU, Cornell dhe spitalit botëror të kancerit Memorial Sloan kattering dhe Hospital for special surgery, me qëllim identifikimin e problemeve spitalore dhe metodave hulumtuese më të përshtatshme për të zgjidhur problemet aktuale. Programin tashmë e kam përfunduar, ndërsa priten dy publikimet e mia për pranimin e tezës shkencore.

 

Doktor Murtezani, keni filluar studimet në mjekësi vite më parë, por ende sot vazhdoni të trajnoheni në shkollat më të mira amerikane. Si nisi karriera juaj në këtë fushë?

Shkollën fillore dhe gjimnazin në Tetovë e kam përfunduar shkëlqyeshëm dhe kësisoj u pranova pa konkurs në fakultetin e mjekësisë në Shkup. Pas diplomimit punova për dy vite në fshatrat e Shkupit dhe më pas emigrova në Amerikë, ku fillova punë në një laborator të spitalit Cabrini ne Manhatan. Aty, dr.Poretsky, drejtor i endokrinoligjisë, më drejtoi tek dr. Leon Bradlow dhe Jon Michnovicz të cilët më besuan të jem pjesë e studimit për parandalimin e kancerit të gjirit. Për shkak të kufizimit të fondeve s’pata fatin të vazhdoj hulumtimet në lëmin e endokrinologjisë si postdoctoral research fellow, për tri vite, në projektet e dr. Hollander në Qendrën Mjekësore Universitare të Nju Jorkut, ku ai ishte drejtor i endokrinologjisë dhe drejtor i CRC (clinical research center). Në vitin 1997, bashkë me dr.Hollander, i transferuam punimet shkencore në një nivel tjetër, në patentimin e hormonit që do të parandalonte proceset negative të shkaktuara nga stresi kronik. Në vitin 2001 fillova specializimin në mjekësinë interne, në programin NYHQ-Weill Cornell medical college në mbikqyrjen e dr.Terrence Brady dhe pas përfundimit me sukses aty kreva edhe praktikën. Në vitin 2006 u emërova instruktor klinik dhe në vitin 2008 asistent profesor i mjekësisë klinike pranë Universitetit Cornell, pozicion që vazhdoj ta mbaj dhe sot me pretendimin se vitin e ardhshëm do të fitoj titullin profesor i asociuar. Për magjistraturën (master of science in clinical epidemiology and health services research) fola më sipër. Mund të them se ky angazhim më ndihmon në avancimin akademik, por edhe vazhdimin e punës së pavarur hulumtuese.

Ju jeni specializuar në endokrinologji. Si do ta përkufizonit këtë degë të mjekësisë?

Jam specializuar në hulumtimet shkencore të fushës së endokrinologjisë, më saktë neuroendokrinologjisë. Puna ime përfshin pato/fiziologjinë e hormoneve të stresit që prodhohen në hipotalamus. Prej vitit 1992 pata fatin të studioj fiziologjinë e hormonit urocortin, geni i të cilit u zbulua në vitin 1997. Vitet që vijnë do të prezentojmë edhe më shumë hormone të paidentifikuara deri më sot. Ata notojnë në lëngjet trupore si peptide. Zbulimi i fiziologjisë dhe identifikimi i tyre gjenetik është esencial në familjarizimin dhe njohjen e patologjive të ndryshme, si proceset e inflamacionit, kancerit, sëmundjeve autoimune.

Ju jetoni prej vitesh në SHBA. Tani pas kaq vitesh dhe pas një karriere të suksesshme si e kujtoni impaktin e parë me këtë vend?

Ditët e para në SHBA ishin emocionuese. Isha pa fjalë, me respekt përulës. U shndërrova në një shpuzë që thithte të gjitha mrekullitë që ky popull ka bërë për vete dhe gjithë botën e lirë.

Si arrin një mjek dhe hulumtues si ju të menaxhoj jetën profesionale me atë familjare?

Mirëkuptimi nga ana e bashkëshortes është vendimtar në sukseset profesionale dhe sukseset brenda familjes. Nëse nuk gjendet një balancë punët mund të ngecin në të dyja drejtimet.

Keni pasur reagime nga pacientët apo kolegët kur kanë mësuar se jeni shqiptar?

Gjithë pacientët e dinë se jam shqiptar, jo vetëm ata por edhe kolegët në spital, në universitet, në lagjen ku jetoj. E dinë se mburrem me historinë time, me gjuhën, për optimizmin që kam për të ardhmen e shqipes dhe Shqipërisë.

Komuniteti shqiptar në Nju Jork është një nga më të organizuarit në SHBA. A jeni pjesë aktive e këtij komuniteti?

Jam anëtar i Vatrës nga viti 1991, kur kryetar ishte Arshi Pipa. Kam qënë një ndër nismëtarët e shoqatës së intelektualëve shqiptarë, në vitin 1992 dhe jam anëtar i shoqatës së punëtorëve shqiptarë në institucionet shëndetësore të Amerikës (AAMS).

Në Nju Jork ndiheni më shumë amerikan, shqiptar, apo qytetar i botës?

Gjithmonë, së pari, shqiptar, por jeta dhe informacionet e perceptuara në SHBA më japin mesazhin se ndikimi i kulturës amerikane është i pashmangshëm. Edhe pse flas shqip, veprat dhe të menduarit anojnë nga ana amerikane. Këtë e shoh si diçka pozitive. Çdo njujorkez është njëkohësisht qytetar i botës. Ne mburremi me Kombet e Bashkuara.

Na përshkruani shkurtimisht një ditë nga jeta juaj?

Dita fillon me një vrap, në orën 06:00, në parkun që ndodhet pranë detit në College Point. Më pas mëngjesi, zakonisht mediterian, që më jep energji për të nisur ditën në zyrën time dhe që zakonisht dal prej saj në orën 16:00. Një orë e shpenzoj me kompletimin e notave dhe në orën 17:00 filloj vizitat e pacientëve në spital. Mbrëmjen e kaloj me familjen, shokë apo kolegë, por nuk mungojnë edhe telefonatat nga pacientë, farmacistë etj. Ndonjëherë detyrohem të kthehem në spital apo në zyrë…

Zgjidhni tre fjalë për të përshkruar veten?

Punëtor i palodhur besnik, praktik.

E keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë? Kush është vendi juaj i preferuar?

Për herë të parë isha vitin e kaluar. Saranda dhe Himara më mahnitën!

Si e shihni sot Shqipërinë?

Shqipëria është në përparim e sipër. Shqipërinë e shoh si avangarde të zhvillimit mbarëkombëtar. Gjakmarrja është një sociopatologji që kërkon ndërhyrje urgjente. Një pjesë e vogël e popullatës vepron me një hipokrizi të pafalshme. Kjo pjesë e kombit, fatmirësisht e vogël në numër, e kalon një pjesë të ditës në shekullin e XVII dhe pjesën tjetër në shekullin XXI. Kjo e shëmton fotografinë e shumicës.

Ju jeni lindur dhe rritur në Tetovë. Si e kujtoni vendlindjen?

Kam fatin që jam lindur dhe rritur në Tetovë, ku kanë jetuar rreth gjashtëmbëdhjetë gjenerata të trungut të familjes sime. Shkollën patriotike e mbarova në familje. Prindërit na shkolluan duke sakrifikuar të gjitha kënaqësitë dhe mundësitë e kohës. Pastaj babi më la porosinë më të shtrenjtë, që më hapi dyert e suksesit: “Punën e sotme mos e lërë për nesër”. Më kujtohen tregimet e xha Memetit, vëllait të madh të babait. “Më e rëndësishme është dy orë të ruash kufijtë e mëmëdheut se të falesh pesë herë në ditë…”. Shembull i pashoq i patriotit të kulluar, i cili nuk u pajtua kurrë me padrejtësinë që iu bë qeverisë së Ismail Qemal Beut. Në vitin 1940 dyqanit tonë ia ndërroi emrin në Farkatarija Vlora, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore u emërua arsimtar në fshatin Nerasht dhe shkollës ia dha emrin Ismail Qemal Vlora. Vëllezërit e mi, Naimi dhe Arbeni, të cilët u rritën me shembuj të pakrahasueshëm të intelektit dhe qytetërimit, më ndihmuan t’i tejkaloj momentet më të vështira. Më kujtohet përkrahja e pashoq e trajnerit tim të pingpongut, z. Steve Zakovski, i cili me durim më ndihmoi të fitoj të gjithë titujt e kampionatit kombëtar në këtë lloj sporti. Tetova më njeh jo vetëm si student i shkëlqyer, por edhe si sportist. Disa herë jam nderuar si sportist i dalluar i qytetit.

Çfarë mendoni për situatën e shqiptarëve në Maqedoni?

Shqiptarët nuk kanë parti politike me shtyllë kurrizore të qëndrueshme. Dy partitë më të mëdha janë ngritur në formë të piramidës ku kreu urdhëron anëtarët e partisë, popullin. Kjo majë e piramidës merr këshilla direkte nga partitë maqedonase që janë shumë më të përgatitura për qeverisje. Pse janë më të përgatitura? Arsyeja e vetme është se ata vazhdojnë të angazhojnë nëpër pozicione të ndryshme ish-titistët e zgjedhur nga filtrat e UDB-së së vjetër dhe të re. Ata janë të trajnuar të dëgjojnë urdhërat dhe të përgatitur në frenimin e avancimit shqiptar. Fryma evropiane në Maqedoni duhet të mbillet sa më shpejt, duhe të shuhet kompleksi i pabazë i superioritetit sllav, të vendoset një themel i të drejtave kombëtare dhe mbi të ndërtohen marrëdhënie të mira dhe kreative në dobi të të gjithë qytetarëve. Sipas mendimit tim kjo mund të arrihet me përshtatjen e sistemit belg në qeverisjen e Maqedonisë.

Keni menduar ndonjëherë të riktheheni në vendlindje?

Sigurisht. Për pak vite, dëshiroj të angazhohem në një prej fakulteteve të mjekësisë.

Si e konsideroni nismën e Albanian Excellence?

Ky projekt i mirëmenduar do të ketë efekt pozitiv si brenda botës shqiptare ashtu edhe jashtë saj. Ne që jetojmë jashtë atdheut, me punën tonë, duhet të jemi në çdo mënyre ambasadorë të vërtetë të botës shqiptare dhe dijen duhet ta prezantojmë në vendlindje. Ky projekt i shkëlqyer hap rrugën e njohjes dhe kompetencës pozitive. U uroj suksese të gjithë atyre që u angazhuan në këtë projekt të mirëpritur.(Marre nga Agjensia Telegrafike Shqiptare)

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Ata, dielli, Dr. Skender Murtezani, Flora Nikolla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4874
  • 4875
  • 4876
  • 4877
  • 4878
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT