• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRI ME… JANULLATOS NË GJI…

February 9, 2014 by dgreca

Shkruan: Rasim BEBO/ Cikago/

   Gjatë dy luftërave botërore, në shekullin e kaluar, kanë ardhur këtu pushtues të ndryshëm, por nuk na kanë prekur në dinjitetin e kombit dhe të gjuhës.Një shëmbull:  Koloneli francez De Skoin, nxori  një shpallje publike më 10 dhjetor 1916 që i njihte pavarësinë prefekturës së Korçës, si “Provinca Autonome Shqiptare e Korçës” dhe ngriti flamurin kombëtar shqiptar. Gjithashtu ai emëroi si prefekt luftëtarin patriot Themistokli Gërmenji, heroin e vendit. I cili ndërmjet të tjerave, realizoi si administrator i zoti  hapjen e shkollave shqipe në të gjitha fshatrat e zonës, kurse shkollat greke dhe turke i mbylli bashkë me zyrat e tyre.

Kurse paraardhësit e Janullatosit të kohës, përdorën “armën e intrigës së famshme greke” siç thotë Konica. E arrestuan Themistokli Gërmenjin dhe e pushkatuan më 7 nëntor 1917. (E. J. “Shqiptarët”, f. 401-402).

Nuk mjaftoi me kaq, por në kohën e vetë Janullatosit, u hodh në erë natën  “Shtëpia e kulturës dhe e Flamurit” në Korçë, e Themistokli Gërmenjit , e cila gjet gurë mbi gurë në mëngjesin 11-gushtit 2012.  Atëherë ishte kryetar bashkie në Korçë Niko Peleshi , të cilin sot e ka zv/kryeministër Edi Rama. Ky pra, është Janullatosi që ndërton për rrënjën e helenizimit dhe shkatëron me agjentët e tij natën djepin e kulturës shqiptare.

Nën parullën  e antinacionalizmit enverian, krimineli  Ramiz Alia lejoi pushtimin e kishës  ortodokse fanoliane prej Janullatosit, pararojë e shovenizmit grekokaragjoz në Shqipëri . ( E. Ymeri)

Kohën e fundit është bërë më e theksuar dhe e kristalizuar përplasja ndërmjet e nacionalistëve Kombëtarë dhe aty Antikombëtarë, për këtë po shtrojmë këtë artikull, për t’i zgjuar paksa nga tulatja shqiptarët e Shqipërisë londineze.

 

KUNDËRSHTIMET NË ÇASTIN E MARRJES SË FRONIT NGA JANULLATOSI

            Më 2 gusht 1992, eksarku u shpall kryepeshkop i KOASH-it, dhe mori miratimin e shtetit shqiptar. Vidio e fronëzimit të Tij, vazhdon të qarkullojë në internet, ku shquhet dhe një flamur grek gjatë asaj ceremonie. Qartazi dëgjohen në kor zërat e ortodoksëve patriotë, që thërrasin emrat e martirëve ortodoksë shqiptarë, si Papa Kristo Negovani dhe Petro Nini Luarasi, të masakruar nga Kisha Greke, dhe “besnikët” që brohorasin për Janullatosin. Më pas dëgjohen dhe këngë patriotike” Për Mëmëdhenë!”… Kjo është fshehur deri tani nga përkrahësit e Janullatosit dhe nuk është komentuar as nga fanatikët e tij.

Ramzi Alia dhe ata që erdhën pas tij, e nënvleftësuan, ose e harruan të djeshmen e marrëdhënieve të Kishës Ortodokse greke me Kishën Ortodokse Shqiptare. Kisha Ortodokse shqiptare në fakt e shpalli autoqefalinë në luftë me kishën Greke! Kjo është ironia, që në krye të Autoqefalisë të risjellin pikërisht një grek!

Tani mësoni se si e përhap rrënjosjen e helenizmit në Shqipëri, Janullatosi.

Prof. Dr. Flori Bruqi shkruan: “… Ngriti K.A.SH. me 400 famulli, Themeloi Akademinë Theollogjike “Ngjallja e Krishtit’ në Durrës 1992 dhe dy lice kishtare, shkolloi dhe dorëzoi 150 klerikë. Themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme. Bëri të mundfur ndërtimin e 145 kishave të reja. (të stilit grek shën. Im), u riparuan 160 kisha ekzistuese, si dhe 70 qendra kishtare të tjera. (Po të stilit grek shën im.), ndërtesa, mitropolite, shkolla, qendra mjekësore, shtëpi pritje, kampe rinore etj. Themeloi kolegjin “AKSARIO” në Sauk (shën. im) ku ndërtoi 425 ndërtesa. Themeloi qendra mjekësore diagnostike me 24 specialitete, dy institute të formimit profesional. Themeloi një gazete të përmuajshme dhe tri revista, një stacion radiofonik. Themeloi  katër qendra  mjekësore, dy institute të formimit profesional, një lice profesional, dy shkolla fillore, shkolla për vajza dhe konvikte, 17 kopshte fëmijësh etj…” (marrë nga interneti  27-1-201.  http:// Floripress). Të gjitha këto janë arterie që Janullatosi përhapi helenizimin nëpërmjet gjuhës greke, nën hundën e qeverisë shqiptare dhe të Akademisë së Shkencave.

Janullatosi ka deklaruar në gazetën greke “Katemirini”:  “Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve, që feja e shqiptarit është Shqiptaria. Këtë tezë do ta luftojmë, duke dalë hapur kundër Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.  Pra, kaq duhet për të ditur se kush janë atdhetarët Shqiptare që mbështesin pushtuesin ose uzurpatorin e Shqipërisë, Kryepeshkopin grek  Janullatios. Ky prift përhapi kudo rrënjët e helenizimit dhe po i përhap ato në drejtim të Shkollës  greke, të kishës greke, të gjuhës greke, po i çimenton me Kryqe në Shqipërinë e Jugut, me varreza dhe memoriale në nderim të ushtarëve kriminelë greke. Çfarë çmendurie është kjo, kur Janullatosi të merr për leshko e budalla, gjoja se kërkon kufomat e ushtarëve grekë  pas 73 vjetëve të lënë harcave, kodrave e maleve që aluvionet i kanë përfunduar në lumë dhe në dete. Në vend të kufomave të ushtarëve grekë, u bënë zhvarroje të shqiptarëve, për të mbushur sarkofagët me gjoja grekë. Vallë a ka tallje dhe sakrilegj më madh se kaq, kjo që i bën kombit tonë ky pushtues me veladon fetar?…

Agolli thotë: “…Të ngrihesh për të nxjerrë eshtrat, është si ajo puna e fantazmave që kemi lexuar nëpër romane, të cilat nuk i besojmë se ekzistojnë. Po ja që këto fantazma u ngritën e shetisin në këmbë në Kosinë në shekullin XXI… një veprim i turpshëm, i frikshëm e i padenjë për asnjeri…Është një veprim që më shtyn edhe mua frikën. Tani që jam 75 vjeç dhe shqetësohem  se mos na i shesin kockat.

Janullatosi, prezantohet në Europë dhe në Amerikë, si kreu grek i kishës ortodokse “greke” dhe i besimtarëve ortodokës “grekë” të Shqipërisë. (thotë Xhufi “ILLYRI”,  6-6-2006,   f. 30.)

            Sot të dy partitë mercenare PD dhe PS janë bashkuar me pushtuesin grek dhe veprojnë në dëm të kombit shqiptare, siç i përcakton Mit’hat Frashëri: “Rrëmbejnë kazmën  e i bien themelit për të shkatërruar këtë ndërtesë që mezi e ngritën Rilindasit”.

            Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri,lexojmë: “Janullatosin Shqipëria e ka dhuratë nga Partia Socialiste e Shqipërisë, kur kishte Fatos Nanon në krye.

Dëshiroj t’i kujtoj mbarë popullit shqiptar dhe veçanërisht rinisë shqiptare të Shqipërisë Londineze, Shoqatës Kulturore dhe Atdhetare “Labëria”, Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe personalisht zotit dhe zonjës Dio Guardi se historiani grek Nikolas Stavros ka deklaruar:

            “Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”. Kjo deklaratë e historianit grek, tingëllon tepër poshtëruese për nderin dhe për dinjitetin e Republikës së Shqipërisë, të cilën e ka nëpërkëmbur Greqia shoviniste, përmes lëshimeve që Partia Socialiste, me Kushtetutën e vitit 1998, i bëri për pushtimin e kishës ortodokse fanoliane prej Janullatosit, i cili e ka kthyer atë në një filial të kishës shoviniste greke.

“Dekorimi i Janullatosit me titullin “Peace of Honor” nga presidenti i Fordham University në Nju Jork, zoti Joseph M. Mc Shane S.J. është një provokim i hapur për ndjenjat tona kombëtare, sepse është i pamerituar. Shoqata “Kombi” e Forcester, Massaçusetts, nënvizon se kjo ceremoni në Nju Jork, në metropolin e Lirisë Amerikane, shënohet pikërisht në prag të 100-vjetorit të masakrave greke në Shqipërinë e Jugut më 1914, kur qeveria dhe ushtria greke martirizuan për vdekje me torturat më çnjerëzore kanibaliste kishat në Hormovë, Kuqar, Peshtan, Odriçan, Panarit e Grabockë, dogjën vendin në emër të fantazmës Vorio Epir, për të cilin punon hapur edhe kreu i Kishës Ortodokse sot”.

            Asnjë shoqatë e Shqipërisë Londineze nuk u ngrit peshë më këmbë dhe të protestonte kundër Presidentit Topi, i cili, i zhveshur tërësisht nga ndjenjat e dinjitetit kombëtar, me rastin e 80-vjetorit të tij, e dekoroi shovinistin Janullatos me urdhrin e lartë të Skënderbeut, duke na fyer

rëndë edhe figurën e heroit tonë kombëtar. Kërkesën për anullimin e këtij urdhri e bëri vetëm “Aleanca Kuq e Zi”.

PROTESTA ZHVILLOHET SONTE, 28 JANAR 2014, NË ORËN 5 e 30 /

PROESTËS IU BASHKËNGJITËN SHOQATA ÇAMËRIA, LIGA QYETATARE SHQIPATRO- AMERIKANE, PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT, FONDACIONI I PLAVË- GUCISË, ANA E MALIT, BASHKIMI KOMBËTAR, SHKOLLA SHQIPE, LËVIZJA PUSH… ETJ.  “Ky nuk është nderim, por provokim”, tha Sali Bollati, një aktivist i njohur në komunitet dhe i mbijetuar i tragjedisë çame…

January 29, 2014

KUSH THA SE NË PROTESTË NUK  KISHTE ORTODOKSË? NUK I PATË?

            Po aty ishin: Imzot Noli, Kristo Kirka, Kristo Dako, Kristo Floqi, Kolë Tromara, Kolë Rodhja, ishte edhe i pavdekshmi Petro Nini Luarasi, shpirti i të cilit ende thërret: ”Vramëni, po mblidhmani gjakun se do t’u duhet fëmijëve të shkruajnë gjuhën shqipe”!- aty ishte Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melani dhe Papa Llambri Ballamaçi, aty ishte… aty ishin të gjithë martirët e helmuar nga Kisha Greke (Lum martirët, na mëson Ungjilli)….

JA KUSH JANË KOMBËTARËT: ”E gjithë kryesia e Vatrës dhe një pjesë e Këshillit ishte në protestë, me përjashtim të kryetarit, që nuk ndodhej në New York, por dy vajzat e tij ishin aty mes demonstruesëve; nëkryetari Asllan Bushati kishte ardhur me gjithë familjen, zv/Kryetari Agim Rexhaj me gjithë zonjën, sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu me origjinë nga Çamëria, e shoqëruar nga Majlinda Deli, Besa Belliu e Kamila Veliu, Marjan Cubi, Sejdi Hysenaj, Zef Balaj me gjithe djalin Josephin, Mithat Gashi, Bashkim Musabelliu, Halit Shpuza, Besim Malota, Nick Markola, Danny Blloshmi, Ahmet Hoti, Çezar Ndreu, Naser Çobaj e të tjerë. Ka ardhur nga Buffalo kandidati për Kongresin amerikan Edie Egriu e shumë të tjerë.

Me protestën ishin solidarizuar, përveç rrënjëve Shqiptare, që u përfaqësuan aty edhe  degët e Çikagos dhe Teksasit, Federatës Vatra, Lëvizja e Legalitetit për Amerikën, Shoqata Çamëria, Liga Shqiptaro-Amerikane, Oragnizata “Djemtë e Gjirokastrës, Përmetit dhe Sarandës”, Shoqata Ana e Malit, Kombi, Plavë-Guci, Uskana në Illinois, Bashkimi Kombëtar, Grupi i studentëve shqiptarë në Fordham University, Shqiptaro-Amerikanët e Çikagos e të tjerë.

Përplasja ndërmjet shqiptarëve me antishqiptarët  28 janar 2014, ora 5:30

Takimi u organizua në zyrat e ansambleistit të shtetit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj. Në takim kishin ardhë, MOHUESIT E KOMBIT SHQIPTARË  tëjanullatosit:  Bishop Nikoni, Mitropoliti i Korçës Joan Pelushi, Jim Liolin, Lu Fundos, Tom Beno etj.

            *Marko Kepi për DIELLIN shkruan: Ne protestojmë duke kërkuar që në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të vijë një Kryepeshkop si Joan Pelushi, me gjak, gjuhë, nënshtetësi e Kombësi Shqiptare! Uroj që kjo ditë të vijë shpejt!

PROTESTA ZHVILLOHET SONTE, 28 JANAR 2014, NE OREN 5 e 30 /

Nga Dalip GRECA: “Të hënën në mbrëmje të datës 27 Janar 2014, u bë një takim në zyrën e asambleistit të shtetit të Nju Jorkut z. Mark Gjonaj me përfaqësuesit e Kryepeshkopit Janullatos. Ky takim ishte propozuar nga z. L Fundos gjatë takimit të së shtunës të zhvilluar në Shtëpinë e Vatrës. Kishte ardhë në këtë takim Bishop Nikoni, Mitropoliti i Korcës bishop Joan Pelushi si dhe shoqëruesit e tyre. Drejtues i këtij takimi ishte asambleisti Mark Gjonaj, i cili prezantoi disa nga shqetësimet e komunitetit shqiptar dhe protestën e tyre.Takimi vazhdoi qetë me pyetje dhe përgjigje nga të dy palët. Bishop Nikoni bëri një ekspoze të Kishës Orthodokse shqiptare dhe punët lavdëruese që ka bërë Kryepeshkopi Janullatos në ngritjen e Kishës ortodokse shqiptare. Ai argumentoi se Hirësia e Tij është tashmë i pranuar nga besimtarët ortodoksë të gjithë Shqipërisë dhe këtu nga Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës dhe ortodokësit shqiptarë. Hirësia është një personalitet i njohur që ka bërë shumë për Kishën Ortodokse shqiptare dhe është i vlerësuar në botë. Ai tha se e shihte të pavend protesën që bëjnë shqiptarët e Nju Jorkut dhe kërkoi të dinte arsyen: Përse po protestoni?- pyeti ai. Nuk na nderoni kështu! Ja unë që përfaqësoj ortodoksët shqiptarë të Amerikës jam këtu. Atëhere në emër të kujt protestoni ju? Të ortodoksëve jo. Ai këshilloi që të hiqnin dorë nga kjo pretestë sepse bëhet në kohë të papërshtatshme dhe në vend të gabuar.

Presidenti i Shoqatës Rinore”Rrënjët Shqiptare” Marko Kepi, parashtroi shqetësimet që i kanë detyruar disa nga organizatat t’i bashkohen kësaj proteste. Ai renditi probleme të tilla si: Fortulumturia e tij erdhi si eksark për riorganizimin e Kishës ortodokse, jo për të qëndruar përjetësisht në fronin e kryepeshkopit, ndërkohë që Statuti i kishës Autoqefale të Shqipërisë e kërkon të parin e Kishës me nënshtetësi, gjuhë e Kombësi shqiptare. Po ashtu ai ngriti problemin e ndryshimit të arkitekturës së Kishave të ndërtuara nën drejtimin e Kryepeshkopit, krejtësisht me stilin e kishave greke, kritikoi qëndrimin e Hirësisë për kundërshtimin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, për mospërkrahjen e popullsisë çame dhe refuzimin e Lutjes për viktimat; se nuk njeh genocidin grek mbi Çamërinë etj.

Puna që ka bërë Hirësia e Tij Janullatos është e jashtëzakonshme, tha Mitropoliti. Pse po protestoni? – shfaqi ai habinë e tij dhe shtoi: Aty do të ngrihet flamuri shqiptar, ai amerikan dhe i Universitetit Fordham. Ju jeni kundër? Pse?

Zef Balaj shfaqi opinionin e tij dhe argumentoi pse janë të pakënaqur shqiptarët me Janullatosin në Krye të Kishës Autoqefale Shqiptare.Ai përmendi Kombësinë e Kryepeshkopit, përkohshmërinë e misionit të Tij dhe të tjera shqetësime që janë objekt i protestës.

Nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati, tha se Vatra e mbështet protestën. Pasi vlerësoi kontributin e Kishës Ortodokse krahas besimeve të tjera, ai shfaqi rezervat e Vatrës për qëndrimin e Fortlumturisë së Tij në krye të Kishës Autoqefale. Kur statuti e kërkon prerazi se në krye, duhet të jetë një Kryepeshkop me gjuhë, nënshtetësi e Kombësi shqiptare, ai duhej të kishte kryer misionin që mori përsipër në ringritjen e kishës dhe të shkonte. Edhe mënyra se si e mori e fronin me kundërshtime gjatë ceremonisë, Vatra mendon se ishte një arsye e fortë që ai nuk duhej të bëhej Krypeshkop, përderisa kishte zëra kundërshtues. Vidioja me pamje nga marrja e fronit vazhdon e qarkullon në internet. Hirësia e Tij ka bërë pak për përgatitjen e kuadrit drejtues të Kishës. Janë 22 vjet dhe Kisha Ortodokse mbanë sërish në krye një njeri që nuk është me Kombësi shqiptare. Ai erdhi nga Kisha Greke, ku kisha dhe shteti janë bashkë, ndërsa në Shqipëri jo. Përderisa ka mospajtime të Kishës Greke me atë shqiptare dhe e djeshmja e tyre ka qenë një luftë e ashpër, në fronin e Kishës shqiptare duhej të ishte një shqiptar. Nuk pati kohë Hirësia të përgatiste një pasues shqiptar?… Ishte ironike e tallëse përgjigja e tij për përkohshmërinë e Misionit: Ne të gjithë jemi të përkohshëm në këtë Botë?- See more at: (https://gazetadielli.com/ perfundoi-takimi-mes-organizatoreve-te-protestes-me-perfaqesuesit-e-kryepeshkopit-janullatos/#sthash.5h8rMkcf.dpuf)

January 29, 2014

Anastas Janullatos, ky uzurpator i mbështetur nga klane shoviniste dhe antishqiptare, është duke bërë planet e tij për pasardhesin po grek në krye të kishës ortodokse shqiptare.Pasi ndrroi statutin e Fan nolit dhe të dekretuar nga mbreti zog, statut që përcakton qartë se krepeshkopi, peshkopët, priftërinjtë etj, janë prej gjaku gjuhe dhe kombësi shqiptare, statut i njohur nga patriarkana e stambollit si i përjetshëm.

“Statuti i ri lejon që kryepeshkopi mund të jetë dhe një nënshtetas i huaj. Por nuk është e vërtetë. IGNATI është nje grek shovinist, kunder shqiperisë dhe Vorio Epirit. Po te ishte arvanitas, nuk do të rrinte indiferent ndaj çështjes çame. Duke zgjedhur IGNATIN, peshkopin e Beratit, kërkon t’i japë një goditje pikërisht qendres ku u hodhën themelet e pavarsisë së kishës kombëtare ortodokse shqiptare, si dhe u themeluan ligjet kanonike ortodokse shqiptare. IGNATI përgatitet nga kisha greke, qeveria fantazmë e Vorio Epirit dhe partia neo naziste ”Agimi i artë” në Greqi.

Nuk e kuptoj pse at Artur Liolin vlerësoi punën e Janullatosit. Çfar e detyroi? Lobi grek në SHBA? Apo ndonjë perfitim biznesi nga Janullatos? Si duket ky prift e ka harruar Fan Nolin dhe nuk e njeh realitetit e Shqipërise. At Artur Liolin do të bënte mirë të ndihmonte drejtpërdrejtë në shqiperi dhe jo nga kisha e luksit në Boston.

Po ashtu dhe veprimtaria e Ilia Ketrit, është e dyshimtë, për sa kohë shoqëron Janullatosin. Do të vijë dita, që financimet e Janullatosit do te quhen kisha të Vorio Epirit dhe atëherë do të jetë shume vonë.

IGNATI, peshkopi i Gjirokastrës dhe janullatos orgonizojnë çvarrimet, krijojne eshtra te paqena të ushtrise greke në jug të Shqiperisë, problemet me Himaren si dhe ngjarjet e turpshme dhe aspak kishtare të Permetit.

Ne jemi të gatshem të organizojmë një kuvend kombëtar me ortodoksët, për të vendosur në vend vepren e Fan Nolit. (At Marku, “Projekt antikishë…”, gazeta “Dielli”, 30 janar 2014)

Pra, nga sa thamë më lart, del se Shqipëria është sot një zonjë e madhe, me kancerin Janullatos në gji, që lëshon metastaza të rrezikshme çdo ditë e muaj që kalon. Duhet patjetër një ndërhyrje kirurgjikale e shpejtë.

Rasim  Bebo  Addison Çikago  shkurt  2014

Filed Under: Analiza Tagged With: rasim bebo, Shqiperia me Kancerin Janullatosin

MESAZH POSTMORTEM NGA VAÇJA PER EDIN

February 9, 2014 by dgreca

Edi,/

Që kur ndërrova jetë kam vënë re disa herë keni aluduar se ndoshta do të kisha qenë më me fat të kisha lindur diku tjetër.
Nuk e di se si e keni hallin ju liderat e mëdhenj të Shqipërisë së ‘parëndësishme’, po unë jam krenare që linda shqiptare. Jemi nje komb i vjetër sa lashtësia, me një botë shpirtërore sa gjithësia, por të mallkuar të çqeverisemi akoma nga makutëria.
Do të jetë mirë që shteti të përkujdesej për artistë si unë kur jemi gjallë.
Edhe diçka tjetër. Nuk më erdhi mirë kur thatë sot se ke pyetur veten se si do ta këndoja, sikur të isha më me fat, këngën “I will always love you.”
Unë isha me fat që këndova në gjuhën time, Edi, dhe qielli i Shqipërisë më mjafton.
Më bëj një favour, të kam rizha, dhe në seancën e parë të Kuvendit, kur të lodheni duke sharrë njëri tjetrin, dëgjoni origjinalin shqip të Whitney Houston, ”Malli për Mëmëdhenë”. Arti bën çudira…(G Alpion)

http://www.youtube.com/watch?v=EawnRiBlCco

Filed Under: ESSE

ROZI THEOHARI:“SYNIMI YNË ËSHTË RUAJTJA DHE FORCIMI I IDENTITETIT TONË KOMBËTAR”

February 9, 2014 by dgreca

Bisedë me shkrimtaren, poeten e publicisten Rozi Theohari, Boston-Amerikë/

Bisedoi: Prof. Murat Gecaj/

 -Më fal, kolege e mike Rozi, se është bërë diçka e  natyrshme, që bisedën po e nisim me një pyetje, pothuajse,  “standarde”. Pra, dëshirojmë të na tregosh diçka, sigurisht shkurt, për jetën tënde…

-Nuk ka gjë…Së pari, të falënderoj përzemërsisht,  prof. Murati, që po shkëmbejmë bashkë mendime dhe më jepet rasti të flas për jetën time!

U linda në prill të vitit 1939, në Dardhë të rrethit Korçë, një fshat me vlera të gjithanshme: natyrore, atdhetare, morale e njerëzore. Ashtu siç dihet, është pjesë e bukur e Atdheut tonë, me tradita të njohura kulturore, qytetërimi e fisnikërie, të lidhura brez pas brezi edhe me plagën e dhimbshme të kurbetit, si pjesë e pandarë e jetës së dardharëve. Hodha hapat e parë në tokën e robëruar nga fashistët italianë; u mëkëmba e u rrita nën kujdesin dhe dashurinë e nënës e të gjyshes, sepse babai e gjyshi kishin emigruar në Amerikë, së toku me burrat e djemtë e fshatit.

Si të thuash, ne ishim “fëmijët e luftës”…Duke u rritur, belbëzuam fjalët e para, nën frikën e vazhdueshme të plumbave,  bombardimeve dhe kambanave e sirenave të alarmit, me pikëpyetjen e madhe mbi kokë: “Vallë, a do të na gjejë gjallë e nesërmja?” Megjithatë, ne mbijetuam…U rritëm e u edukuam nga nënat e gjyshet, nga përrallat që na tregonin e nga këngët popullore dardhare, që na këndonin. Njëra nga ato i kushtohej plagës së dhimbshme të kurbetit:  “Ameriqi, o moj e shkretë, Ameriqi,/të raftë zjarri e të bëftë hi!…”. Bashkë me ceremonitë festive tradicionale,  ajo kohë la vragë të thella në kujtesën dhe vetëdijen time. Shkollën fillore e kreva në vendlindje, më 1949. Na mungonin abetaret, fletoret dhe librat e tjerë. Mësuesi na diktonte mësimet.

Më tej, 7-vjeçaren e përfundova në qytetin e Korçës, në vitin 1952. Ai qytet i bukur dhe plot tradita, luajti rol të ndjeshëm për zgjerimin e horizontit tim mendor dhe kulturor. Pamja dhe institucionet e tij, pa i përmendur këtu, ndikuan fuqishëm në shkrimet e mia të mëvonshme. Dy vitet e para të shkollës së mesme i kreva aty, në Gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, kurse dy vitet e tjera në Tiranë, në Gjimnazin “Qemal Stafa”, më 1956.  Mësuesit tanë të letërsisë, Mark Gurakuqi e prof. Nasho Jorgaqi, na edukuan me dashurinë për librin dhe na nxitën për të shkruar prozat dhe vjershat e para.Ne, brezin që u rrit pas Luftës së Dytë Botërore, na ndoqi një fat i vështirë, duke provuar jo vetëm varfërinë sfilitëse, por edhe vuajtjen nga presioni psikologjik e fizik i regjimit të kuq. Pa u ndalur gjatë këtu, kam përjetuar kufizime të ndryshme për shkak të “biografisë së keqe”, për  babain tim  “kapitalist”, pse kishte një restaurant në qytetin amerikan, Detroit.

Prej vitit 1956 e deri 1960m ndoqa e përfundova Fakultetin Ekonomik dhe prej vitit 1972 e  deri më 1974, mbarova me korrespondencë degën e gjuhës e letërsisë shqipe, në Universitetin e Tiranës. Më pas, kam shërbyer në institucione të ndryshme të kryeqytetit. Po, për t’u shënuar është koha, kur isha redaktore e revistës “Shëndeti”.

Ngjarje kthese e jetës  ishte viti 1994, kur edhe unë emigrova në Amerikë, me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Në vitet 1995-2000, kreva studimet në “North Shore Community College”, të Massaçusetts, ku u diplomova  në degën “Artet Liberale”.

-Kur dhe si e nise krijimtarinë publicistike e letrare?

-Në qendrat e punës  të Tiranës, ku kam shërbyer ndër vite, më ishte ngarkuar detyrë të kujdesesha për “gazetën e murit”, e cila ishte në modën e kohës. Aty vendosja edhe ndonjë vjershë timen humoristike, me karakter shoqëror, si  për emancipimin e gruas etj. Një herë, publicisti e shkrimtari i njohur, Vath Koreshi më këshilloi ta dërgoja vjershën time në revistën “Hosteni”. Ashtu veprova  dhe bashkëpunimin e vijova më tej. Një vit më vonë, u bëra anëtare e kolegjumit të asaj reviste, së bashku me shkrimtarët e nderuar Petro Marko, Dritëro Agolli, Aleksandër Banushi e të tjerë. Në vitet ’60-të, të shekullit të kaluar, botova vjersha dhe proza të mijat, në gazeta e revista të ndryshme, si “Drita”, “Hosteni”, Shqiptarja e re”, “Fatosi” etj. Më vonë, u pranova anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve dhe atje u njoha më nga afër me Kadarenë, Agollin, Arapin, Koreshin e të tjerë.

 -Me sa kam dijeni, ti ke shkruar disa libra…Pra, pa u ndalur posaçërisht në secilin prej tyre, shkurt, çfarë mund t’u tregosh lexuesve, për ata?

-Librat e mi të parë shqip, janë në gjininë e humorit dhe për fëmijët. Në prozë, kam shkruar roman, novela  e tregime. Më vonë kam vijuar me libra publicistikë, ndërsa në poezi edhe në gjuhën angleze. Tematika e tyre është e larmishme, pra trajtojnë dukuri të ndryshme të jetës shqiptare. Deri tani, gjithësej, kam shkruar e botuar 14 libra në gjuhën shqipe dhe 5 në gjuhë të huaj. Kujtoj këtu, se libri im i parë ka qenë ai, me titullin “Telashe nga emancipimi”(Tiranë, 1969). Ndër librat me tematikë atdhetare, janë: “Mbi thinja fryn erë”, “Jehona Skënderbegiane”, “Kur çelin magnoliet në Boston” , përmbajtja e të cilëve shtrihet në një hapësirë që mbulon dy kontinente: Europën Juglindore dhe Amerikën e Veriut, me një kohëzgjatje gati shekullore. Aty përshkruaj jetët e mjaft shqiptarëve emigrantë, të vjetër e të rinj, në kontinentin amerikan, me historira të panjohura, por që ia vlen të njihen, pasi ato mbajnë vulën e shqiptarizmit, se dëshmojnë për ndjenjat e tyre atdhetare…

Ndër librat e mi, që sigurisht e kam përzemër, është edhe ai jetëshkrimor, “Më shumë se një jetë” (Tiranë, 2008). Gjashtë libra të mi, ndodhen në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, në Uashington, DC. Në librin me poezi, anglisht, “Do leave out my right hand”(Dorën e djathtë ma lini jashtë), flitet për baladën dhe vuajtjet e Rozafës, që muroset dhe lutet, që gjysma e trupit të saj të vazhdojë të kujdeset për të birin e vogël. Kjo poemë e gjatë është vlerësuar dhe diskutuar me studentë të kolegjit, nga disa pedagogë amerikanë. Më tej, libri vazhdon me poezi të tjera, po anglisht, me tematikë jetën dhe përvojën time në SHBA.

-Nuk besoj që krijimtaria jote mbaron me kaq apo jo?

-Po, është e vërtetë. Që në janar 2014, kam gati për botim librin e 19-të,  “Potpuri dardhare”. Është një vepër memoralistike, me mbi 600 faqe. Edhe më tej, kam ndërmend të shkruaj në këtë gjini. Kam të gatshëm për botim tre libra poetikë për fëmijë,  në anglisht. Gjithashtu, shpresoj të përgatis një libër tjetër me poezi, për të rritur, po anglisht. Por më pëlqen edhe publicistika. Tash 20 vjet në Amerikë, kam botuar mbi 500 artikuj: portrete, reportazhe, intervista, tregime etj., si në organet e shtypit shqiptar, amerikan dhe gjetkë. Ndër shkrimet e mia të rëndësishme janë edhe intervistat me poetin rus Aleksandër Esenin, birin e Sergei Eseninit të famshëm. Arrita t’ia incizoja zërin, gjatë recitimit të një poezie, shkruar nga ai gjysmë shekulli më parë. Intervista me poetin Esenin më ka prekur dhe emocionuar. Këto intervista janë pëlqyer e vlerësuar nga shkrimtarë, intelektualë dhe lexues të tjerë shqiptarë.

-Po për jetën e përditëshme, çfarë dëshiron të na tregosh? 

-Pjesëmarrja ime në veprimtaritë kulturore të shtetit të Massaçusettsit, është një përvojë e vyer. Poezitë i botoj çdo muaj në gazetat “Pennon” dhe “Nahant Harbor Revieu”. Jam anëtare e Klubit të shkrimtarëve të Veriut të Bostonit, ku takohem me shkrimtarë e poetë të ndryshëm amerikanë. Më ka lënë mbresa, gjithashtu, takimi me shkrimtaren e njohur amerikane, me origjinë shqiptare, Loretta Çase (Çekani), e cila banon në Uster, pranë Bostonit.

Jetojmë e krijojmë larg vendlindjes, me mallin e pashuar për Shqipërinë. Kënaqësi të veçantë ndiejmë, çdo 28 nëntor, kur e shohim dhe i gezohemi valëvitjes së Flamurit tonë kuqezi, në një shtizë të lartë, në qendër të Bostonit, jo shumë larg varrit të Fan Nolit. Pra, kjo ditë është e shenjtë për ne. Aq më tepër lumturohem, kur vijnë e më marrin në shtëpinë time dy familje shqiptare kosovare, me fëmijët e tyre, veshur me kostume kombëtare.

Në hapësirën e gjeografisë letrare, këtej dhe andej Atlantikut, tashmë, shkrimtarët shqiptaro-amerikanë kanë krijuar përvojën e tyre, për ta pasuruar krijimtarinë letrare me vepra të denja për lexuesin. Synimi ynë është ruajtja dhe forcimi i identitetit tonë kombëtar, për ta ruajtur pasurinë e gjuhës sonë amtare dhe për t’i zhvilluar më tej aftësitë e saj shprehëse.

Le të shpresojmë se, dita-ditës dhe vit pas viti, krahas rritjes së suksesshme të Komunitetit tonë shqiptaro-amerikan, do ta shtojmë e zhvillojmë më tej brezin e talenteve të reja, si në art e në kulturë. Kështu do t’i paraprijmë së ardhmes sonë, qoftë këtu në diasporë, në vendlindje dhe në mbarë trojet etnike.

-Të falënderojmë nga zemra, Rozi, për përgjigjet e tua interesante! Kishim kënaqësi të veçantë, kur u njohëm,  shkurtimisht,  me jetën dhe krijimtarinë tënde të pasur letrare e publicistike, mbushur me ndjenja të atdhedashurisë së zjarrtë për popullin shqiptar dhe mbarë Kombin tonë të stërlashtë!

Tiranë-Boston, 9 shkurt 2014

 

Filed Under: Featured

Për një humanizëm të ri

February 9, 2014 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Si gjithmonë pjesëmarrja në takimet e ndryshme, konferencat shkencore ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit, është një prej detyrave më të domosdoshme të një studiuesi, për më tepër shqiptar, nëse ai do të jetë në këtë pozicion, në se dëshiron që ta bashkojë zërin me studiuesit e shumtë në botë. Të mjaftohesh me një apo dy konferenca sa për formë, është një prej problemeve që Ministria jonë e Arsimit duhet ta shohë me shumë seriozitet. Tre konferencat e para të këtij viti midis Tiranës dhe Romës kanë qënë një skenë e jashtëzakonshme dhe me shumë dobi, të paktëm për mua, pasi njihesh me kumte dinjitoze tepër shkencore të kolegëve tanë italianë, si të Barit, ashtu dhe të La Sapienza-s. Prandja ftesës së zonjës Ana Mana për të qënë mes tyre në Romë, iu përgjigja me shumë entusiazëm dhe vërtet nuk ishte nxitim apo thjesht për hobi. Kishte edhe motive të tjera që lidhet me letërsinë dhe që farë lehtë mund të gjenin zgjidhje tjetër.

Njerëzimi sot më shumë se kurrë ndodhet përballë problemeve të shumta që e kanë përfshirë të gjithë globin. Jo se më parë këto probleme nuk kanë ekzistuar, por ka përmasa më të mëdha sidomos për shkak të krizës që përfshiu vendet e mëdha të zhvilluara dhe fuqitë e djeshme dhe të sotme. Nëse problemet do të kishin vetëm karakter ekonomik, ndoshta do të ishte më e lehtë të rimëkëmbeshim, po e futim edhe veten tonë si vend që synon të futet në një ekonomi europiane, këtë po ta marrim të bashkuar, e dyta në botë për nga fuqia, atëherë do të ishte gjysma e së keqes. Por kriza reflektohet dhe bie edhe mbi drejtime të tjera dhe kultura është e para që paguan gabimet e planifikimeve ekonomike të bëra të rregullta ose jo në fillim të çdo programi qeveritar kur vijnë në pushtet. Në të gjithë këtë vorbull që të duket e pazgjidhëshme në plan të parë përfshihen edhe shumë drejtime të tjera vendimatre ose jo për shoqërinë. Në qendër të saj sado të hiqemi anti, është përsëri ai, i urryeri dhe i dashuri, ai që i rregullon apo prish disa plane qiellore apo tokësore, njeriu. Bota tashmë e ka kuptuar që gjërat siç janë, nuk janë mirë, do të duhet ndonjë rregullim tjetër asesti që krizat të mos bëhen cikle dëshpërimi për pjesën më të madhe të shoqërisë. Njeriu mund të jetë sa human, po aq kafshë në situata të ndryshme në të cilat gjendet bota. Dhe teksa shohim se katastrofat ndeshen menjëherë me përgjigjen e faktorit njeri, humanizmin e vet, si shenja tipike dalluese e tij në një komunitet, në kriza ekonomike, ai transformohet në antin e vet. Pra duket se kjo natyrë e tillë e dyfishtë ka ngecur në vend prej kohësh dhe me dashje apo jo, nuk po shfaq një anë tjetër pozitive, që edhe ata që e pësojnë nga kriza, të mund të dalin me dinjitet prej saj, për veten, familjen dhe shoqërinë. Po t’i referohemi pak historisë së shkuar, Humanizmi i ndritur, ishte një lëvizje ideologjike dhe kulturore, të tilla bota ka patur dhe do të ketë përherë, duhet kuptuar se kur një lëvizje triumfon, dhe që në qendër kishte dinjitetin e njeriut, rizbulimin e tij, përmes studimeve dhe letërsisë klasike, pas një Mesjete tepër të errët. Pra NJERIU ishte objekti i lëvizjes atëherë, NJERIU është objekt edhe tani. NJERIU do të jetë gjithmonë nismëtari dhe realizuesi i të gjitha lëvizjeve në të mirë të vetë atij. Filozofia është mëse e qartë, jeta, njeriu, epoka më të cilën po jeton dhe e ardhmja. Sa më pak probleme të ketë një shoqëri, aq më mirë për të, do ta ketë më shumë vëmendjen të drejtuar nga komoditetet për të gjithë dhe jo për disa. Këtë ide kanë patur në mendje edhe organizatorët e konferencës me temë, A kemi nevojë për një humanizëm të ri?, që u mbajt në selinë italiane të Parlamentit Europian në Romë më datën 31 janar 2014, me pjesëmarrjen e profesorëve të Universitetit La Sapienza, të studiuesve të tjerë edhe nga Europa, të njerëzve të kulturës e të tjerë. Poeti Elio Pekora në kumtin e vet theksoi se e shkruara ia kthen lexuesit atë që autori percepton, por duhet gjetur lexuesi, i cili duket se po humb në këtë konfuzion botëror. Humanizmi nuk mund të kuptohet ndryshe, kërkon nga shoqëria fuqi dhe cilësi që të ngrihet në normë për të gjithë. Botën e ndryshojnë fjalët, mjafton të përmendim emra të shquar të së shkuarës. Njeriu nuk duhet të jetë detyrimisht në qendër të botës. Koha e sotme shtron para të gjithëve të formohet gjithçka, jo nga koka, por nga poshtë.

Prof. Gabriela Sika në fjalën e vet vuri në dukje se sot njeriu në Europën që synojmë ta bëjmë më të madhe është i fshehur, i arratisur diku, që nuk shfaqet më, prandja duhet t’i drejtohemi përsëri atij në këto situata, si i vetmi që mund ta ndryshojë atë. Nëse njëriu është i arratisur, atëherë edhe arti është i tillë dhe poezia në harresë.

Por këto fenomene kërkojnë një shpjegim shkencor se ku po shkon shoqëria dhe cila është rrugëdalja dhe disa shkenca që sot po kërkojnë më forcë që t’i zhdukin, na flasin qartë për faktorin njeri dhe mundësitë e tij. Sociologia Mariza Okionero i bëri një analizë tepër të hollësishme situatës në Perëndimin demokratik ku po shfaqen shtysa antikulturore për njeriun në lidhje me lirinë dhe atë që kërkon. Sipas Veberit ka një etikë e përgjegjësisë që të respektohet liria e të tjerëve. Individi beson se është i gjithëfuqishëm dhe ka etje për liri, aspiron të jetë aktor i rëndësishëm në sferat e politikës, fesë, familjes. Por problemet e sotme ekonomike pjellin destabilizim që më pas kërkojnë transformim, por në këtë proces elita politike mbetet e përherëshme dhe nuk është e drejtë. Goditje kanë marrë raportet intelektuale janë bërë sipërfaqësore, të varfëra, zakonet shoqërore janë bërë më barbare, prandaj një humanizëm i ri është detyrë e kohës, por që të shkojë në rrugën e duhur.

Dekani i Fakultteit të shkencave ripërsëriti edhe një herë një thënie tepër fyese për kulturën se ajo nuk të jep bukë që doli disa kohë më parë nga goja e një ministri për të thënë se fjalët kanë forcë mbi ne dhe janë mjet mistifikimi. Gjithçka matet me njeriun është motoja që vazhdon të ketë jehonë edhe sot. Klasicizëm në vetvete do të përjashtim, pra kemi një klasë të parë autorësh dhe të gjithë të tjetër të aneksuar. Shoqëria duket se ka hequr dorë nga edukimi bazë, por shkolla duhet të transmettojë kompetencat e duhura, si mjet për edukim. Sipas Sokratit i bëhet thirrje njeirut që të mos bëhet peshë për të tjerët. Për rreth 2400 vjet mjet kanë qënë tekstet letrare, ndërsa pas Luftës së Dytë është teknologjia dhe teknika që po përdorebn si mjet edukimi.

Fabio Shalpi që në fillim iu drejtua thënies së filozofit të madh në kërkim të njeriut, sepse sot kemi një njeri të mabruar në një pafundësi. Është folur shumë për dritën nga lart, por nuk po shfaqet. Njeriu brenda meje – është hyjnori i çdo njeriu, i pafundësisë, brenda dhe jashte nesh, drita që ndriçon shoqërinë.

Në fjalën time theksova se kultura ka qënë, është dhe do të jetë, përderisa edhe vetë shoqëria do të ekzistojë. Janë dy motra binjake të pandashme dhe që pa njëra-tjetrën nuk do të kishin më kuptim. Kultura është pema që mund të përparojë dhe lulëzojë vetëm prej saj, por nëse shoqëria është e fortë, kultura do të zhvillohet dhe pasurohet, ndërsa nëse shoqëria është e dobët, kultura do të thahet. Shembulli shqiptar është një nyjë në koshiencën e politikës së sotme. Siç thotë dhe Nobelisti Llosa kultura nuk duhet të jetë një zbavitje e thjeshtë, pasi do të humbë shpirtin kritik. Kultura italiane dhe Italia është drita që ka magjepsur botën, edhe vetë shqiptarë, prandaj edhe sot ajo mbetet një dritë për ne.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, per humanizem, te ri

Pushtetarët po e mbysin kinematografinë

February 9, 2014 by dgreca

Kinematografia shqiptare dhe kineastët nuk vuajnë nga shterpësia kreative as nga mungesa e temave e ideve, por është burokracia kulturore e pushtetarët ata të cilët ia kanë zënë frymëmarrjen, duke i dhënë aq pak para se nuk mjaftojnë gati për asgjë.

Gani MEHMETAJ /

Kinematografia shqiptare asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë se sa në mileniumin e tretë. Kineastët shqiptar kurrë nuk ishin më të braktisur se sa në kohën kur filmi në botë ka arritur majat e zhvillimit teknologjik. E braktisur nga shoqëria, e nënçmuar nga shteti, filmi shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë vegjeton sot për nesër, në përpëlitje të shuhet fare. Dy qendra kinematografike shqiptare shtihen kinse po financojnë filma, ndërsa kineastët e frustruar, të cilët marrin ca para nga shteti, po ashtu shtihen kinse po bëjnë filma. Në fakt regjisorët e producentët më ekipin e aktorëve në një varfëri të skajshme buxhetore po bëjnë përpjekje titanike të sfidojnë vetën e shtetin që i përbuz. Entuziazmi e dashuria për artin, është ajo që i mban, por kjo nuk mjafton, sepse filmi  kërkon mjete të mëdha financiare. Pa para s’ka vepër artistike, por sidomos pa para të shumta s’ka projekte kinematografike.   

Ndërrimi i qeverive po e thellon krizën e filmit!

Me një film në vjet (Tiranë), apo edhe më keq më gjysmë filmi në tre vjet (Prishtinë), nuk mund të quhet kinematografi, as mund të konkurroj asgjëkund, sepse kjo prodhimtari manifakture nuk quhet industri filmike, pavarësisht nga gjuha “moderne” e ca zyrtarëve të cilët flasin për industrinë kinematografike shqiptare që vetëm sa të nxit në qeshje sarkastike. Ndërkaq, xhirohen aq pak filma sa të mos thuhet se u shkëput vazhdimësia, por jo mjaftueshëm sa të thuhet që po ikim nga pika e fillimit. Çdo dhjetëvjetësh sikur e nisim nga e para. Gjendja nuk ndryshoi as me ndryshimin e qeverive, përkundrazi kriza kinematografike sa vjen e thellohet, sepse garniturat e reja i trashëgojnë vështirësitë e vjetra,  ku e ku pastaj e thellojnë krizën, duke e kopjuar qeverinë pararendëse në shpërfilljen ndaj filmit.

Asnjë qeveri nuk paraqiti asnjë vizion për dalje nga kriza, asnjë grup punues nuk paraqet ndonjë koncept, i cili do të hapte rrugë dhe, do të ndihmonte që filmi të mos vendnumëroj, ndërsa regjisorët të mos i përsërisnin ankesat e përvitshme. Ndërsa kriza është pasojë e buxhetit të pakët nga shteti, asnjëherë nuk përfillet mendimi i kineastëve, asnjëherë nuk ftohen ata të bëjnë strategji për kinematografi. Në vend të shtohet buxheti, dalin ca zyrtarë ministrie “të gjithëdijshëm” apo nga QKK-të e klaneve, të cilat lexojnë diçka nga notesi i tyre, që më shumë është lojë fjalësh a fjalime boshe, pastaj kinse dëgjojnë ankesat e kineastëve dhe ia mbathin për të mos u dukur kurrë më para publikut.

Buxheti për kinematografinë përsëritet me të njëjta shifra nga viti n vit. Sivjet s’ka para fare për film në Tiranë, sepse duhet të shlyhen borxhet e vjetra! Ministria Shqiptare e Kulturës nuk e shkon nëpër mend të jep mjete shtesë, ka përparësi tjera! Në kopjimin e të shëmtuarës të dy ministrit i ngjajnë njëra-tjetrës. Vetëm se në Prishtinë zyrtarët e Ministrisë së kulturës janë edhe më primitiv e të paarsimuar.

Që nga vitet e nëntëdhjetë filmi në mënyrë të pafalshme është trajtuar si vrima e fundit e kavallit. Janë gjetur vrima e gropa ku janë hedhur paratë e taksapaguesve, janë shpikur projekte e përparësi financimi, kurse për kinematografinë asnjëherë nuk pati para që do të stimulonte prodhimin.

Asnjë kinematografi kombëtare në rajon (me të vetmit që mund të mateshin dikur) nuk është më keq dhe më e zhvlerësuar se sa kinematografia shqiptare. Asnjë shtet në rajon nuk prodhon më pak filma se sa Shqipëria e Kosova, asnjë shtet në rajon nuk jep më pak buxhet për filmin se sa që jepen në Tiranë, apo në Prishtinë. Shtetet fqinje i kanë dyfishuar numrin e filmave të prodhuar, shqiptarët e kanë zvogëlua numrin e filmave të prodhuar. Derisa bie fjala në Serbi xhirohen dhjetë filma në vjet, kryekëput më buxhet të shtetit, apo në bashkëprodhim me televizionet kombëtare, ashtu sikurse në Kroaci ku bëhen tetë filma, në Maqedoni deri në tre filma me katër milion euro buxhet, të ne është shpikur një përqindje e çoroditur buxhetore, e cila nuk mjafton gati për asgjë. Nuk kuptohet ky qëndrim i pafalshëm dorështrënguar i dy shteteve shqiptare ndaj kulturës në përgjithësi e filmit në veçanti. Nuk doli asnjë kryeministër të thotë se filmin e trajtuam sikur ta kishim thjeshtër, nga sot do ta trajtojmë si fëmijën tonë. Vazhdojnë ta shpërfillin. Me një milion dollarë në Tiranë, apo 350 mijë euro në Prishtinë, s’mbahet kurrë kinematografia, sikurse që me individë apo shtëpi filmik sot për nesër, s’do të ecën kurrë filmi tutje.

Sigurisht kriza në film është edhe pasoj e mënyrës së caktimit të ministrave dhe zyrtarëve kryesor të kulturës. Nuk e di për Tiranën, por në  Prishtinë tre ministrat e fundit të kulturës ishin gjysmë analfabetë (njëri me mejtep për hoxhë, tjetri mezi e kishte mbaruar një shkollë të mesme me ndërhyrje, ndërsa i treti është “reper” rrugësh). Kështu qeveritarët tanë të të gjitha ngjyrave janë tallur e po tallën me kulturën, ashtu sikurse po tallën me artistët.

Me shuarjen e kinostudios, po shuhet edhe kinematografia

Kinematografia shqiptare dikur ishte në gjendje të mirë prodhimtarie (xhironte deri në 13 filma artistik).  Kishte shumë shtrëngesa e censurë, por filma bënin. Kishte shtëpi filmike, ku realizohej e tërë prodhimtaria (Kinostudioja). Më rënien e komunizmit filloi përpëlitja e kinematografisë shqiptare, megjithëse do të duhej të ishte ndryshe. Filmit iu përgjysmua buxheti, u shua kinostudioja. Terrorin e  censurës e zëvendësoi terrori i mospasjes. Në mungesë të filmave brezi i ri i regjisorëve po realizohen më vështirësi, brezi i vjetër që i dhanë aq shumë filmit shqiptar, rrinë e presin ndonjë ditë më të mirë.

Ka dhjetë vjet që nuk bëri film Kujtim Çashku, gati aq vjet nuk e kemi parë në ekran  Dhimitër Anagnostin, më shumë se pesë vjet nuk bën filma Saimir Kumbaro, ndonëse ka disa skenar, na mori malli për Mevlan Shanajn, Rikard Ljajrjen, Piro Milkanin, Esat Mysliun, regjisorë e aktorë të tjerë me nam. Shumica prej tyre kanë energji e ide kreative që të punojnë, por askush nuk ua ofron një mundësi të tillë. Regjisorët në Perëndim punojnë edhe pas moshës 83 vjeçare, ne i pensionojmë ende pa i mbushur 60 vjet. Ndërkaq, ata më përvojën e dijen e tyre kanë mundësi të thonë aq shumë…

E njëjta situatë është edhe në Prishtinë. Shëmtitë përsëriten në qëndrimin ndaj kinematografisë dhe ndaj institucioneve të filmit. Kështu derisa kinostudioja u shua, ndërsa ka propozime që sërish të aktivizohet dhe të filloj nga puna si më parë,  Kosovafilmin është në fazën e shuarjes, sepse ashtu duan burokracia gjysmanalfabete e arrogante e kulturës.

Regjisorët, kameramanët, montazherët e aktorët, dikur e kishin komoditetin e punës normale, nga ta kërkohej vetëm të bënin punën e vet, ndërsa sot ata regjisorë shqiptar që kanë fatin të punojnë, duhet ta bëjnë edhe punën e organizatorit, producentit, madje i duhet të merret me dërgimin apo pranimin e kopjeve nëpër festivale. Në mungesë të një shtëpie filmike me kritere dhe më standarde të përcaktuara, që është prapa një projekti kinematografik, ditët e xhirimit zvogëlohen, në dëm të cilësisë së filmit. Po ashtu, në mungesë të shtëpisë filmike që do të ndërmjetësonte në shitjen e filmave jashtë shtetit, këtë e bënë regjisori i filmit apo ndonjë producent i rastit. Ka improvizime xhirimesh,  për të shkurtuar shpenzimet, ka improvizime në të gjitha fazat e realizmit të një filmi, sepse mungon ekipi profesional që e kishte dikur kinostudioja apo Kosovafilmi.

Duke i shikuar filmat shqiptar në Prishtinë dhe në Tiranë heton që u mungojnë profesionistët: producenti, drejtori i filmit, drejtori i organizmit, organizatori i xhirimit etj. Vëren se regjisori ka harruar detyrën parësore- regjinë e filmit, shpesh është bërë tregtar duke e dëmtuar veprën e vet me ndonjë reklamë marroqe brenda filmit.

Kineastët janë shpërndarë si zogjtë e klloçkës pa shtëpi filmike e pa katandi. Atë që e patën e prishën, duke shpresua që po bëjnë mirë, ndërsa në fakt vepruan keq. Kinematografia shqiptare duhet të ndryshojnë strategji, kineastët të kërkojnë që shteti të mos u jep ndihma varfanjakësh, por buxhet të mirëfilltë që do ta kalonte shumën prej katër milion eurosh në Tiranë dhe së paku dy milion euro në Prishtinë. Ata duhet të këmbëngulin që donatorët të cilët do ta mbështesnin filmin të lirohen nga tatimi në fitim, ndërsa filmi që nga faza e parë e xhirimit e deri në fund ët lirohet nga tatimi, sepse filmi të ne nuk është as mall dhe as industri, ashtu sikurse që nuk është as teatri.

Kinematografia duhet ta ketë edhe një shtëpi filmike me sektor të veçantë, që do të merrej me shitjen e filmave, sepse kështu sikurse shitet filmi brenda e jashtë, nuk dallon nga shitja e patateve në treg.

Prandaj, kinematografia shqiptare dhe kineastët nuk vuajnë nga shterpësia kreative as nga mungesa e temave e ideve, por është burokracia kulturore e pushtetarët ata të cilët ia kanë zënë frymëmarrjen kinematografisë, duke i dhënë aq pak para se nuk mjafton gati për asgjë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, mbysin kinematografine, pushtetaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4880
  • 4881
  • 4882
  • 4883
  • 4884
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT