• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria dhe SHBA, ëndërr shekullore

January 14, 2014 by dgreca

A duhet të jetë Shqipëria “ Made in USA”?

Nga Zaim Kuçi /

Herët në fillimet e demokracisë shqiptare, kudo e tek të gjithë ishte dëshira për të kapur atë kohë të humbur nga sistemi komunist, apo të shumëmenduarën parajsën e munguar, e cila pritej nga ata të përtej detit – amerikanët. Ishte kjo ndjenjë amerikane që ngrohte shqiptarët për diçka më të mirë dhe vetvetiu ne lozën me slloganin “ta duam Shqipërinë si shqiptarët duan Amerikën”.

A thua se shqiptarët e kanë ditur që vetë presidenti Washington thuhet ta ketë lënë një letër-amanet për mbrojtjen e shqiptarëve nga Amerika në çdo kohë dhe në çdo mënyrë. U krijua një atmosferë optimizmi nga të gjithë aq sa regjimi i asaj kohe u shkërmoq (në fakt ndërroi ngjyrë) shpejt, qetësisht dhe ishim të gjithë në shpresën për të kapur lugën e florinjtë.

 U nisëm drejt ëndrrës perëndimore me një thes hallesh mbi shpinë që edhe pse kanë kaluar shumë vite jo vetëm nuk kemi mundur ta zbresim nga kurrizi i tejpërkulur por e kemi shtuar më shumë. Ato janë të thella, të shkaktuara dhe i shkaktuam në gjerësin e gjithfarë llojeve, nga ekonomike e deri në kriza të thella në familje dhe në shoqëri. U lodhëm duke pritur perendimoret të na lehtësonin hallet, dhe nuk munguan leksionet se si të “flisnim” gjuhën tonë shqipen, duke moskuptuar se ne nuk vinim nga stepat afrikane…

Kjo është Shqiperia, e shumë përfolura, e shumë shkruara, e shumë keqpërdorura e shumë e shumë të tjera….por unë në këtë shkrim disi ndryshe do rrëfehem për disa mbresa, opinione të përzjera me një fenomen real, të ndodhura, disi dhe bizarre por që realisht plotësojnë të përditshmen shqiptare…

Një vit më parë, në dosjen e mësimit të dorës për të shkruar shqip, gjeta një kartolinë të çuditshme shkruar nga dora e një Kaltrine 6vjecare. Më konkretisht, përmbajtja e kësaj kartoline prekëse aspak të sajuar dhe të mësuar nga dikush tjetër mbante diçidurën: të lutem o vit i ri 2013, dua një babagjysh që të më sjell dhurata, po “babagjush amerikan aman…”. 

*E dhimbshme…Por nuk ndalet këtu kjo kërkesë e dëshirueshme shqiptare. Në kohë dhe në rrethana të ndryshme më janë ngulitur si gozhdë në memorie, copëza revolte shqiptare. Një ditë u ndesha me një dialog me dialekt verior në një institucion shtetëror për problem tapie a kush e di se çfare. I rrevoltuar del nga një zyrë një burrë i shkurtër, i shkuar në moshë, i ndjekur nga djali i tij me fjalët dëgjo ti bir: nuk zgjidhet kjo punë, e kam menduar, do t’i shkruajmë Arvizusë, hajde shpejt ti dërgojmë një letër. Djali me një fare ndrojtje nga autoriteti i të atit i thotë: nuk bëhet kjo punë, do takojmë filanin.. Berishën tonë…Jo mo jo Arvizun, vazhdonte i revoltuar personi i pakënaqur. U afrova dhe i them : me fal po kush është ky Arvizu? Drejtori i Përgjithshëm ? se edhe unë kam të njëjtën problem më duket si ju. Më drejtohet, ti tallesh, si nuk e njeh, është amerikan, vetëm ai të zgjidh problemet. Ku jeton ti more, mos u tall se po më digjet koka. Jo po, nese të zgjidh problemin unë mund të ndihmojë për ta shkruar në anglisht se jam mësues anglishte, për ta zbutur vijova lojën, ta përkthej pa lekë. I qetësuar më thotë: të gjithë kur kanë halle i drejtohen atij. Ke parë ti që vet Sala i drejtohet atij kur ka problem me Ramën. Edhe Bamiri kur ishte president, Ina kur ishte prokurore e pergjithshme, edhe Rama vet kur iu vodhën votat. Të gjithë atje shkojnë. E përshendes dhe i them, keni të drejtë dhe largohem…

E vijojnë historira të çuditshme shqiptare. Po kështu wekiliksi zbuloi që edhe gjeneralët e mi atje paskan zbrazur thesin e “padrejtësive” dhe janë rrëfyer sikur të ishin në dhomën e Konfesionit të katedrales « Mont Martre ». Po, pa fshehur edhe unë një ndjenjë lehtësimi per t’u takuar, kohë kur endesha rrugës i papunë.

Shumë të huaj, analistë, historinë, të mençuar dhe idiot, të mirë dhe të këqij na kanë vlerësuar në të kaluarën dhe të tashmen në mënyrën e tyre, vendin tone,  ku shumatorja e këtyre vlerësimeve është vërtet e keqe. Ata na nofkuan si të paditur, të pandreqshëm e kush e di se çfarë.  Së fundmi keqinformimi i myslimanizmit shqiptar duke harruar se ne u konvertuam pesë shekuj më parë në islam nga perandoria turke. Vijuam fenomenin konvertim nga diktatura në – Ateist; duke vazhduar sistemin e rikonvertimit, që përsëri shqiptarët të sakrifikohen jo vetëm për tkurjen për zgjerim të Europës por dhe për fenomenin e ri klasik “Islam” të sajuar në kontinentin evropian.

Në vitet pasuese të trazicionit ne mbijetuam duke sakrifikuar gjithçka. Shqipëria, edhe pse në nevojë, ndjehet e lënë pasdore nga Europa, nga ana tjetër dukshëm vlerësohen serioze nga ana e saj lëvizjet politike të Serbisë apo lëkundjet e fundit financiare me prapaskenë “gjeopolitikë” të Greqisë apo ajo Qipriote që e tronditën atë duke toleruar politikën dhe zbrazur xhepat me miliarda $ ndihmë.

Në BE ndjehet, apo është krijuar një çarje në vet shtetet e saj duke krijuar edhe blloqe:  interesa të vendeve anglosaksone, ndarja e shteteve elitë nga shtetet evropiane në nevojë dhe frika nga një gjeopolitike e re gjithnjë në rritje e Rusisë, por dhe shumë dyshime për rritjen ekonomike të Kinës apo Turqisë, kjo e fundit dhe për një zgjerim të saj drejt vendeve ballkanike të quajtura islamike. Në këtë pamje gjeopolitike evropiane, a do të ketë hezitim evropian dhe se, RSH do të sakrifikohet përsëri për të forcuar sado pak unitetin e vet BE?

Në këto dilema të BE, …për të papranueshmen “Jo” europiane, e shumëlodhura Shqipëri, a do të reflektojë dhe do të kthehet përfundimisht tek superfuqia e botës, SHBA?…ndoshta RSH përfundimisht do të fshijë të kaluarën lëkundëse historike europiane dhe do të realizojë ëndrrën e shqiptareve të pas viteve 90-të, duke hequr dorë nga politika, me shumë aleatë strategjikë. A do të kuptohet nga vendet e BE dhe nga vet SHBA se, toka e RSH është më idealja në rajonin e Ballkanit për SHBA?

Në retorikën e tejzgjatur të plehrave siriane, do doja të “ripërfol” të “zëmëruarën”, aleatin strategjik- SHBA duke kujtur se, shqiptarët dinë mirë të sakrifikohen për aleatin e tyre në se kërkesa do të ishte për interesa kombëtare të SHBA dhe jo ato globale, pasi këllqet shqiptare për të mbartur këtë operacion luftarak ishin qesharake…

Së fundmi, do t’i uroja Kryeministrit që të mos imitojë paraardhësin e tij për “bumet” ekonomike, por të kthejë drejtësinë në vend që të mos referojmë zgjidhjet më tek “Arvizuja”, as ata që rriten nën hallet e prinderve të tyre, as dhe mësuesit, profesorët, ushtarakët…, të mirat i teston populli. Përherë të kujtojë për të mosgabuar, atë që presidenti Obama iu drejtua amerikanëve pas rizgjedhjes: Më e mira nuk ka ardhur ende, kështu dhe Kaltrinat e vogla nuk do të kërkojnë më kartolina me babagjysh amerikan.

 

Filed Under: Featured

MIRASH IVANAJ FIGURË E NDRITUR E KOMBIT SHQIPTAR

January 14, 2014 by dgreca

Nga Nikë Gashaj , Podgoricë – Mali i Zi/

 Prof. Dr. Mirash Ivanaj, ka lindur me 1891 në Podgoricë, Mali i Zi dhe ka vdekur me 1953 në Tiranë. Mirash Ivanaj është me prejardhje nga Bëkajt e Trieshit, respektivisht nga Malësia. Ka qenë një personalitet i shquar në kohën kur jetoi dhe punoi. Shkollën fillore e ndjeku në Podgoricë, të mesmen në Serbi, ndërsa studimet e larta i ka  kryer në Universitetin e Romës, ku ka mbaruruar dy degë studimore: letërsi-filozofi dhe jurisprudencë dhe ka arrijtur titullin Doktor i shkencave juridike. Po ashtu i ka di i disa gjuhë botërore. Andaj ai ishte në atë kohë një nga intelektualët më të njohur të kombit shqiptar:  profesor, publicist, jurist, filozof, poet dhe politikan.Mirëpo, Mirashi Ivanaj është dallua dhe për cilësitë e karakterit të tij, si njeri me dinitet të lartë, i ndershëm dhe i drejtë, humanist dhe patriot, burr trim e guximtar dhe  i shkëlqyeshmëm në punën e tij në arsim, kulturë dhe politikë. Me 1923 ka ardhur nga Roma në Shkodër, ku ka qenë drejtori i parë i gjimnazit shtetëror deri me 1930. Gjithashtu në Shkodër themeloi Gazetën”Republika”, si një mjet për të shpalosur idetë e lirisë,  demokracisë dhe atdhedshurisë. Pastaj ka punuar si mësimdhënës nëpër shkolla në Tiranë. Puna e tij në arsim dhe kulturë ka pas jehonë të madhe si njeri me dituri, me vizion përparimtar, me moral të kristaltë dhe atdhetar i flakët. Si i tillë me 1933 u bë Ministër i arsimit të Shqipërisë. Si Ministër ka dhënë një kontribut të jashtzakonshëm në reformimin  e arsimit kombëtar. Reforma e tij ishte e afruar me arsimin perendimor, por me një profil tërësisht shqiptar.  Një reformë e tij e arsimit dhe edukimit ka rezultuar në formimin e shëndoshë të brezave të ri,  me çka ka kontibuar në afirmimin dhe përparimin e kombit dhe shtetit shqiptar. Andaj reforma e arsimit kombëtar e Shqipërisë të asaj kohe, është quajtur dhe” Reforma Ivanaj”. Mu për këtë arësye Mirash Ivanaj  duke iu falenderuar meritave të mëdha të tij në arsim e kulturë, ka hyrë si figura më e ndritur në historinë e kombit shqiptar, për çka është dhe fitues i shpërblimeve e dekoratave më  të larta shtetërore dhe kombëtare.  Ndër to po nënvizojmë: në vitin 1929, Mbreti Ahmet Zogu e dekoroj Mirash Ivanaj me Urdhin”Kumandar”i urdhërit të Skënderbegut”; më 1992, Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha i jep Mirash Ivanaj, Medaljen “MARTIR I DEMOKRACISË”, ku thuhet: “Intelektual erudit, drejtues dhe organizator i arsimit kombëtar, i përkushtuar ndaj çështjes si drejtues shoqëror, demokrat dhe atdhetar i shquar, armik i betuar i diktaturës komuniste deri në flijim”; më 1995, Presidenti i  Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, ia jep  Mirash Ivanaj, Titullin: “MËSUES I POPULLIT”ku thuhet: “Reformator dhe njëri nga kollosët e arsimit shqiptar. Dha  kontribit të shquar si drejtor i parë i gjimnazit shtetëror në Shkodër dhe si ministër i arsimit në fillimet e viteve “30”;  me  2003, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, e dekoroi Mirash Ivanaj me Urdhërin”NDERI I KOMBIT”,  me motivacionin”Figurë e shquar e kombit dhe kulturës shqiptare, reformator i madh i arsimit dhe shkollës kombëtare shqiptare, luftar i paperulur i indipedencës, lirisë dhe progresit kombëtar e shoqëror”.

Prandaj, Mirash Ivanaj, si shkencatar dhe atdhetar në gjurma të rilindasve kombëtar dhe të përpjekjeve të mëdha të tij, ka  kryer të ashtuquajturën”Reformën Ivanaj”. Ai vlerësonte se shqiptarëve u duhej një shkollë e përbashkët unike kombëtare e drejtuar nga shteti shqiptar.

  Vizioni i tij  i sistemi arsimor ishte lufta për shkollën kombëtare si përçuese e ndërgjegjes kombëtare dhe  kosolidimi i unitetit kombëtar, pavarësisht nga përkatësia fetare. Sipas Mirash Ivanaj krijimi dhe afirmimi i shkollës kombëtare shqiptare duhet të jetë jo vetëm shqipe nga gjuha, por edhe ilumuniste nga përmbajtja, jo vetëm laike, por edhe masive, e përbashkët për të pasurin e të varfërin, për myslimanë e të krishterë, për djelmë e vajzat, një  shkollë ku të arsimoheshin e edukohshin qytetarë të ndërgjegjshëm, jo vetëm të ditur, por edhe atdhetarë. Kjo ka qenë një platformë arsimore dritëdhënëse për kombin shqiptarë.

Ai  vinte në dyshim çdo mision të të huajve në sektorin e arsimit. Edhe sikur të vinin këtu me qëllime bëmirëse. Ata nuk e njihnin realitetitn e vendit. Problemi i edukimit moral, patriotik e  shoqëror- thoshte Ivanaj, ishte shumë më i rëndësishëm se ai “diturak në Shqipëri”.

Në prill 1933 Parlamenti i Shqipërisë i ndryshoj nenet 206-207 të Statutit që  lëjonin çeljen e shkollave private. Në Nenin 206 u përcaktua: Mësimi dhe edukimi i shtetasve shqiptarë janë një e drejtë e  shtetit. Jepen vetëm ndër shkolla dhe institucione shtetërore shkallash të ndryshme si mbas ligjit…Shkollat private, çdo kategorie qofshin, që kan veprua deri sot, mbyllen. Në nenin 207 thuhet: Shkollat fetare për përgatitjen e klerit, të mbajtura prej Komuniteteve fetare shqiptare, janë të lira dhe rregullohen me ligj…

Arsyet e këtij ndryshimit…shkollat private nuk kanë dhënë frytet që priteshin…personeli i tyre nuk është i zhveshur prej ndjesive në kundërshtim me Statutin e parimit e edukatës kombëtare… pse rrënjosin ndjesi anti bashkimore.

Ligji u dekretua nga mbreti më 22 prill dhe u zbatua me 25 prill 1933. Në fund të prillit 1933, reforma Ivanaj u vu në zbatim   me mbydhjen e të gjitha shkollave private, sikurse ishin: shkolla private jofetare 21, shkolla klerikale myslimane 14, shkolla klerikale katolike 17, shkolla klerikale ortodokse 4, shkolla të huaja për shqiptarë 19, shkolla private të minioritetit grek 10. Gjithsejit 85 shkolla ( Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-1939, Tiranë 2009, fq. 502 ) 

Duhet theksuar se me zbatimin e reformës arsimore, kryesisht u mbyllën shkollat private të drejtuara dhe të finansuara nga tri qendra të jashtme, nga tri kultura të ndryshme, nga tri shtete “mike” të asaj kohe të Shqipërisë: Greqisë, Turqisë dhe Italisë. Shkollat e huaja shikoheshin si përçues të influencave të jashtme dhe një rrezik për unitetin kombëtar. Në shtypin e vendit dhe në qarqet e diasporës shqiptare  ngrihej zëri kundër një gjendjeje të tillë dhe kërkohej një shkollë më e organizuar dhe e drejtuar nga shteti. Shkolla e shtetit duhej të ishte e vetmja vatër e formimit të njëtrajtshëm kombëtar të brezave të ri.

Shkollat private në Shqipëri të asaj kohe në historiografinë shqiptare por dhe nga studjuesit e huaj vlersohen në mënyrë shumë kritike. Për shembull, historiani i njohur amerikan, Edwin Jacques,  shkruan: Qeveria shqiptare me mbylljen e shkollave private u përpoq të eliminonte propagandën shkombëtarizuese, që ishte e pashmangshme në shkollat e agjencive të huaja përçase” ( Edwin Jacques, Studimi:”Historia e Popullit Shqiptar nga  lashtësia deri në ditët e sotme”, SHBA, Carolina, 1995, fq.433 ).

Po ashtu,  profesori i njohur francez i të drejtës ndërkombëtare, Gilber Gidel, është shpehur: “Asnjë shtet në botë nuk mund të  heq dorë nga kujdesi për arsim, prandaj as shteti shqiptar”.

Sipas Statutit monarkik shteti ishte i ndarë nga feja, por kjo nuk do të thoshte që shteti nuk kishte të drejtën e kontrollit të institucioneve fetare për të mënjanuer çdo veprimtari në dëm të kombit dhe ndërhyrjes të huaj në punët e fesë e të vendit. Kjo spjegohej për arësye të përvojës së hidhur të së kaluerës, kur disa klerik të bashkësive të ndryshme fetare u bënë vegla të ndikimeve të huaja në dëm të interesave kombëtare (Historia e Popullit Shqiptar, Tom III , Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2007, fq. 300 ).

Përfundim: Reforma  e Shkollës komëbëtare  e Mirash Ivanaj ka pasur rëndësi substanciale kundra asimilimit të kombit shqiptar, për tejkalimin e pëçarjes fetare dhe zgjimin e ndëgjegjes kombëtare. Ajo ka qenë digë e pengesës së ndikimit politik dhe kulturor të shkollave private të shtetëve të huaja në arsimimin dhe edukimin e shqiptarëve, respektivisht në asimilimin e tyre.  Pikërisht, shkollat e huaja private kanë qenë pengesë në lëvizjen për çlirimin kombëtar të  shqiptarve. Prandaj shkolla kombëtare ka qenë domosdoshmëri historike, me të cilën ishte e lidhur qenia dhe ardhëmeria e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Filed Under: Kulture Tagged With: figure e ndrtitur, Kombetare, Mirash Ivanaj, Nike Grishaj, Podgorice

AFIRMIMI I LETËRSISË SHQIPE NË BOTË- ALI PODRIMJA – POET I MADH I RANGUT EVROPIAN

January 14, 2014 by dgreca

NGA JAN MICHAŁ STUCHLY (POLONI)*/

Poet i madh, melankolik, patriot dhe një njeri i thjeshtë – ky ishte Ali Podrimja, që më mbeti në kujtesën time, poet lirik i rallë i revoltës, i  dhembjes dhe vuajtjes njerëzore, i njohur dhe i çmuar jasht kufijve të atdheut të vet, një poet i papërsëritshëm në artin e vet brilant poetik, që e ngriti poezinë shqipe në majet e poezisë evropiane.

         Poezinë e Ali Podrimjes  pata rastin  ta lexoj për herë të parë në revistën e njohur letrare polake „Literatura na świecie” (Letërsia botërore”) qysh në vitin 1979 në polonisht, të përkthyer nga miku im, poeti dhe përkthyesi i njohur Mazllum Saneja. Ndërkaq, veprën e tij më të plotë poetike e kam hasur më vonë në librin e botuar aq të bukur  te edicionit „Pogranicze” „Flaka e vjedhur”( në përkthim të Mazllum Sanejes dhe të Ewa  Śmietańskes) , të poetit tashmë të njohur në Evropë. Ali Podrimja na paraqet botën paralele, të thjeshtë dhe homogjene, të ndërlikuar dhe komplekse, botën që është një  „planet i mërguar” që „ vetëton”, një botë përplot gjarpërinj dhe luanë, një botë e të vetmuarëve dhe e atyre të kërkuarëve. Poezia – letërsia kërkojnë nga shkrimtari një përkushtim të tërë të flijuar e besnik dhe një vetëdije  të thellë kombëtare. Problemet vetjake madje ato më personale dhe intime bëhen dhe ngriten në çështje të përgjithshme të shoqërisë, gama e të cilave është e gjërë dhe komplekse. E këtillë është poezia e Ali Podrimjes, të cilën e karakterizon një gamë e gjërë e problematikës dhe një shumëllojshmëri e mjetëve shprehëse.

Në poezinë e tij Podrimja nuk shtron vetëm probleme të ekzistencës kombëtare, po vete  edhe më larg, duke shtruar dhe kapur probleme universale të njerëzimit, qofshin ato evropiane , botërore , kozmike, ku luftojnë në mes vete Zoti dhe Djalli, ndonëse nganjëherë nuk dihet se kush është Zot a Djall. Ali Podrimja gjithnjë është ballafaquar duke luftuar në mënyrë të paepur me fatin dhe historinë, gjithnjë ballëlart, me guxim, nder dhe dinjitet, i vetëdishmë  për “mjerimin njerëzor”, duke ditur se mund të jetohet edhe me “litar rreth kokes”.

Ndërkaq, shkruaj këtu edhe për thjeshtësine dhe qartësinë kreative, që është një punë e vështirë në të shkruarit çfarë ndodh me magjistarin e poezisë jo vetëm shqipe Ali Podrimjen, i cili si një magjistar i fjalës poetike krijoi gjuhën moderne poetike në tërë historinë e letërsisë shqipe. Konciziteti, shprehjet lakonike me shkurtime të rrufeshme, kontrapunktet, oksimoronet, personifikimet, ndryshueshmëria e rrëfimit, pikat e befasishme kulmore me ato mendime te bukura, të thella, të cilat gjatë leximit zëmë  t’i njohim si fragmente të mendimeve tona.

Dhe shtrohet pyetja  me cilët poetë ka ngjashmëri Ali Podrimja dhe kush është më i afërt përkah mënyra e të menduarit, me format e përshkrimit etj me poetin e madh shqiptar. Duke lexuar me kujdes dhe kënaqësi veprën e plotë poetike “Flaka e  vjedhur” në polonisht të Podrimjes në një përkthim brilant të Mazllum Sanejës më përfytyrohen poetët e mëdhenj botëror Federico Garcia Lorca, Paul Eluard, Pablo Neruda, Salvatore Quasimodo apo Konstantinos Kawafis si dhe poetët tanë Czeslaw Milosz dhe Zbigniew Herbert.

Si përfundim, mund të theksoj se kjo poezi tronditëse dhe rrëqethëse lexohet si një tragjikë e thellë, e përjetuar e një liriku ekzistencial, që dëshmon fillimin e një epoke të re në zhvillimin e formës dhe gjuhës poetike jo vetëm në letërsinë shqipe…

 Sa keq,  që nuk arrita ta njoh fizikisht poetin Ali Podrimja, i cili më në fund e mbaroi udhëtimin e vet prometeik ne atdheun e artit të poezisë , ashtu fillikat i vetëm.

Do ta përfundoja këtë shkrim për poetin Ali Podrimja me vargjet e një poezie antologjike të poetit të madh polak Zbigniew Herbert, kur ia lë porosinë si një dhiatë heroit të vet Zotit Cogito:

       “ Shko se vetëm kështu do të pranohesh në rrethin e kafkave të ftohta

          Në rrethin e stërgjyshërve të tu: Gilgameshit Hektorit Rolandit

          Mbrojtësve të mbretërisë pa kufij dhe qytetit të hirave

          Bëhu besnik Shko”!

*Jan Michal Stuchly, poet dhe piktor polak – deri me sot ka bere bukur shume per afirmimin e letersise shqipe ne hapesiren kulturore te Polonise, duke botuar panorama te tera ne gazeta dhe revista letrare polake.
* (Përktheu nga polonishtja:Mazllum Saneja, i gjate vitit 2013 perktheu dy libra shqip ne polonisht: librat me poezi te zgjedhura te poeteve te njohur Fatos Arapi (“Me jepni nje emer” dhe  Agim Gjakova (“Saga flurore”, perurimi i te cilit u be ne mes te majit 2013 ne Varshave). Nderkaq, perurimi i librit me poezi te zgjedhura te Fatos Arapit do te behet ne maj te ketij viti. 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Ali Podrimja, Jan Michal Stuchly, Mazllem Seneja, Poloni

Bill de Blasio dhe Kardinali Dolan dëshirojn që Papa Francis të vizitojë qytetin e Nju Jorkut

January 14, 2014 by dgreca

Kryetari i Bashkisë Bill de Blasio u zotua se do të punojë me Kardinalin Timothy Dolan në çështjet si ato të strehimit të përballueshëm gjatë një takimi me dyer të mbyllyra në mes tyre më 13 janar 2014/

NGA BEQIR SINA, New York City/

MIDTOWN NYC – Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio dhe Kardinali Timothy Dolan , Kryepeshkopi i New York-ut , u takua me dyer të mbyllura të hënën për të diskutuar mbi vizionin e tyre të përbashkët për mënyrën se si të punojnë së bashku për çështjet më të ngutshme të qytetit .
De Blasio , i cili u pagëzua katolikë dhe simpatizon teologjinë e majtë me prirje revolucionare( ka pasur lidhje në rininë e tij, me grupet revolucionare në Kubë, Salvador dhe Nikaragua), u zotua për të punuar me Kardinalin Dolan në përpjekje për të sjellë Papën Francis në New York City , në atë që ai e quajti një ” gjë e jashtëzakonshme ” për banorët e metropolit të botës – qytetit të Nju Jorkut.
” Ne kemi peshë të madhe të përbashkët për çështjet e strehimit të përballueshëm , duke ndihmuar ata që janë në nevojë nëpërmjet organizatave bamirëse katolike dhe shumë vepra të tjera të mira që janë bërë nga ana e kishës katolike, në qytetin e Nju Jorkut ” tha de Blasio pas takimit 45 -minuta në banesën private të Kardinalit Dolan -së e cila ndodhet shumë afër me Katedralen St Patrick -së në mes të qytetit – Midtown . ”

Më tej De Blasio shtoi se për këtë qëllim : “Natyrisht që ne kemi një bazë të përbashkët për çështjen themelore të luftuar pabarazinë dhe duke u përpjekur për të ndihmuar ata në nevojë në qytet . ”
Dolan me anë të dekelratës së tij pas takimit me dyer të mbyllyra sipas shtypi njujorkez i bëri jehonë të madhe mesazhit të bashkëpunimit, që solli takimi i tij me kryetarin e Bashkisë zotin de Blasio  i cili siç dihet është pagëzuar katolikë dhe simpatizon teologjinë e majtë me prirje revolucionare(shtypi thekson se ai ka pasur lidhje në rininë e tij, me grupet revolucionare në Kubë, Salvador dhe Nikaragua), .
” Unë vij në këtë konferencë shtypi me ju gazetarët e Nju Jorkut, i frymëzuar nga angazhimi i tij( de Blasios) për shumë nga çështjet që ne jemi të pasionuar për të bërë dhe unë vijë i ngazëllyer për ato që dëgjova për të punuar ngushtë me të , kryetarin e sapo zgjedhur të Bashkisë së New Yorkut, zotin de Blasio ” tha Kardinali Tomothy Dolan .
Mirëpo Kardinali Dolan tha se të dy nuk kan diskutuar diçka mbi fenë e de Blasios dhe bindjet e tij majtiste gjatë takimit , por tregoi se ai do të jetë i lumtur për të mirëpritur de Blasion, përsëri në “Shtëpinë e Zotit” në se ai do të jetë i interesuar.
“Edhe nëse ai nuk dëshiron , përsëri dyert e Kishës sonë janë të hapura” tha Kardinali Timothy Dolan , Kryepeshkopi i New York-ut , pas takimit me dyer të mbyllura me  Kryetarin e ri të Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Bill del Blasio, Kardinal Dolan, Papa Francis

SHBA: Presidenti Nishani, do të marrë pjesë në “Mëngjesin Kombëtarë të Lutjeve”

January 13, 2014 by dgreca

Në këto takime, ftohet edhe Shqipëria rregullisht në 15 vitet e fundit/

 NGA BEQIR SINA, New York/

WASHINGTON D,C: Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama do të enjten e parë të muajit shkurt pra më 6 Shkurt 2014, personalitet nga më shumë se 100 vende të ndryshme të botës, në takimin tradicional që thirret “ Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve – National PrayerBreakfast”.

Mësohet se Komiteti organizatore i ka ftuar si çdo vit edhe përfaqësuesit të shtetit nga Shqipëria dhe shtetit të Kosovës për të marrë pjesë në njërën prej ngjarjeve tradicionale amerikane, e cila ka karakter të një forumi lideresh. “ Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve – National Prayer Breakfast”, është njëra nga ngjarjet tradicionale amerikane, ku në organizim nuk është e përfshirë drejtpërdrejt Shtëpia e Bardhë, por Presidenti amerikan.

Në këto takime, ftohet edhe Shqipëria rregullisht në 15 vitet e fundit. Kësaj rradhe pjesmarrës si përfaqësues i Shqipërisë do të jetë i ftuar Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani, kështu të paktën deklaroi dje në një takim me komunitetin e Wateburyt , ambasadori i R. Shqiperisë në Washington Shkëlqesia e Tij, Gilbert Galanxhi.

Ndërkohë, që thuhet se edhe përfaqësues nga Ministria e Jashtëme e Kosovës do të jenë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve

Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve

Mëngjesi i Parë Kombëtar i Lutjeve është një ngjarje vjetore e mbajtur në Uashington, DC , të enjten e parë të muajit shkurt të çdo viti . Themeluesi i kësaj ngjarje ishte Abraham Vereide . Ngjarja – e cila është në fakt jo vetëm lutje por edhe një vend me një seri takimesh , dreka , dhe darka – ka filluar të mbahet që nga viti 1953 dhe është mbajtur të paktën që nga vitet 1980 në Washington Hilton në Connecticut Avenue NW, jo shumë larg Capitol Hill dhe Shtëpisë së Bardhë .

Gati çdo Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve , që është mbajtur në Ballroom të Hotelit Hilton , është ndjekur nga më shumë se 3,500 të ftuar , duke përfshirë edhe të ftuarit ndërkombëtarë nga mbi 100 vende . Mëngjesi i Parë Kombëtar i Lutjeve është pritur nga anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe është e organizuar në emër të tyre nga The Foundation Fellowship , një organizatë e krishterë konservator i njohur gjerësisht si “Familja ” . I quajtur fillimisht “Mëngjesi i Lutjeve Presidenciale”, emri u ndryshua në vitin 1970 për të thirrur “Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve .
Kjo ngjarje është projektuar të jetë një forum për elitën politike , sociale , dhe të biznesit për të mbledhur dhe për të ndërtuar marrëdhënie nëpërmjet takimeve që realizojnë duke përfituar nga ftesat që ju bëhen. Që nga fillimi i Mëngjesit të Lutjeve , disa shtete dhe qytete dhe vende të tjera të SHBA kanë krijuar ngjarjet e tyre vjetore mëngjes lutje .
Çdo president i SHBA që nga Dwight D. Eisenhower, thuhet se ka marrë pjesë në ngjarjen vjetore Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, ne mengjesin e Lutjeve, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4945
  • 4946
  • 4947
  • 4948
  • 4949
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT