A duhet të jetë Shqipëria “ Made in USA”?
Nga Zaim Kuçi /
Herët në fillimet e demokracisë shqiptare, kudo e tek të gjithë ishte dëshira për të kapur atë kohë të humbur nga sistemi komunist, apo të shumëmenduarën parajsën e munguar, e cila pritej nga ata të përtej detit – amerikanët. Ishte kjo ndjenjë amerikane që ngrohte shqiptarët për diçka më të mirë dhe vetvetiu ne lozën me slloganin “ta duam Shqipërinë si shqiptarët duan Amerikën”.
A thua se shqiptarët e kanë ditur që vetë presidenti Washington thuhet ta ketë lënë një letër-amanet për mbrojtjen e shqiptarëve nga Amerika në çdo kohë dhe në çdo mënyrë. U krijua një atmosferë optimizmi nga të gjithë aq sa regjimi i asaj kohe u shkërmoq (në fakt ndërroi ngjyrë) shpejt, qetësisht dhe ishim të gjithë në shpresën për të kapur lugën e florinjtë.
U nisëm drejt ëndrrës perëndimore me një thes hallesh mbi shpinë që edhe pse kanë kaluar shumë vite jo vetëm nuk kemi mundur ta zbresim nga kurrizi i tejpërkulur por e kemi shtuar më shumë. Ato janë të thella, të shkaktuara dhe i shkaktuam në gjerësin e gjithfarë llojeve, nga ekonomike e deri në kriza të thella në familje dhe në shoqëri. U lodhëm duke pritur perendimoret të na lehtësonin hallet, dhe nuk munguan leksionet se si të “flisnim” gjuhën tonë shqipen, duke moskuptuar se ne nuk vinim nga stepat afrikane…
Kjo është Shqiperia, e shumë përfolura, e shumë shkruara, e shumë keqpërdorura e shumë e shumë të tjera….por unë në këtë shkrim disi ndryshe do rrëfehem për disa mbresa, opinione të përzjera me një fenomen real, të ndodhura, disi dhe bizarre por që realisht plotësojnë të përditshmen shqiptare…
Një vit më parë, në dosjen e mësimit të dorës për të shkruar shqip, gjeta një kartolinë të çuditshme shkruar nga dora e një Kaltrine 6vjecare. Më konkretisht, përmbajtja e kësaj kartoline prekëse aspak të sajuar dhe të mësuar nga dikush tjetër mbante diçidurën: të lutem o vit i ri 2013, dua një babagjysh që të më sjell dhurata, po “babagjush amerikan aman…”.
*E dhimbshme…Por nuk ndalet këtu kjo kërkesë e dëshirueshme shqiptare. Në kohë dhe në rrethana të ndryshme më janë ngulitur si gozhdë në memorie, copëza revolte shqiptare. Një ditë u ndesha me një dialog me dialekt verior në një institucion shtetëror për problem tapie a kush e di se çfare. I rrevoltuar del nga një zyrë një burrë i shkurtër, i shkuar në moshë, i ndjekur nga djali i tij me fjalët dëgjo ti bir: nuk zgjidhet kjo punë, e kam menduar, do t’i shkruajmë Arvizusë, hajde shpejt ti dërgojmë një letër. Djali me një fare ndrojtje nga autoriteti i të atit i thotë: nuk bëhet kjo punë, do takojmë filanin.. Berishën tonë…Jo mo jo Arvizun, vazhdonte i revoltuar personi i pakënaqur. U afrova dhe i them : me fal po kush është ky Arvizu? Drejtori i Përgjithshëm ? se edhe unë kam të njëjtën problem më duket si ju. Më drejtohet, ti tallesh, si nuk e njeh, është amerikan, vetëm ai të zgjidh problemet. Ku jeton ti more, mos u tall se po më digjet koka. Jo po, nese të zgjidh problemin unë mund të ndihmojë për ta shkruar në anglisht se jam mësues anglishte, për ta zbutur vijova lojën, ta përkthej pa lekë. I qetësuar më thotë: të gjithë kur kanë halle i drejtohen atij. Ke parë ti që vet Sala i drejtohet atij kur ka problem me Ramën. Edhe Bamiri kur ishte president, Ina kur ishte prokurore e pergjithshme, edhe Rama vet kur iu vodhën votat. Të gjithë atje shkojnë. E përshendes dhe i them, keni të drejtë dhe largohem…
E vijojnë historira të çuditshme shqiptare. Po kështu wekiliksi zbuloi që edhe gjeneralët e mi atje paskan zbrazur thesin e “padrejtësive” dhe janë rrëfyer sikur të ishin në dhomën e Konfesionit të katedrales « Mont Martre ». Po, pa fshehur edhe unë një ndjenjë lehtësimi per t’u takuar, kohë kur endesha rrugës i papunë.
Shumë të huaj, analistë, historinë, të mençuar dhe idiot, të mirë dhe të këqij na kanë vlerësuar në të kaluarën dhe të tashmen në mënyrën e tyre, vendin tone, ku shumatorja e këtyre vlerësimeve është vërtet e keqe. Ata na nofkuan si të paditur, të pandreqshëm e kush e di se çfarë. Së fundmi keqinformimi i myslimanizmit shqiptar duke harruar se ne u konvertuam pesë shekuj më parë në islam nga perandoria turke. Vijuam fenomenin konvertim nga diktatura në – Ateist; duke vazhduar sistemin e rikonvertimit, që përsëri shqiptarët të sakrifikohen jo vetëm për tkurjen për zgjerim të Europës por dhe për fenomenin e ri klasik “Islam” të sajuar në kontinentin evropian.
Në vitet pasuese të trazicionit ne mbijetuam duke sakrifikuar gjithçka. Shqipëria, edhe pse në nevojë, ndjehet e lënë pasdore nga Europa, nga ana tjetër dukshëm vlerësohen serioze nga ana e saj lëvizjet politike të Serbisë apo lëkundjet e fundit financiare me prapaskenë “gjeopolitikë” të Greqisë apo ajo Qipriote që e tronditën atë duke toleruar politikën dhe zbrazur xhepat me miliarda $ ndihmë.
Në BE ndjehet, apo është krijuar një çarje në vet shtetet e saj duke krijuar edhe blloqe: interesa të vendeve anglosaksone, ndarja e shteteve elitë nga shtetet evropiane në nevojë dhe frika nga një gjeopolitike e re gjithnjë në rritje e Rusisë, por dhe shumë dyshime për rritjen ekonomike të Kinës apo Turqisë, kjo e fundit dhe për një zgjerim të saj drejt vendeve ballkanike të quajtura islamike. Në këtë pamje gjeopolitike evropiane, a do të ketë hezitim evropian dhe se, RSH do të sakrifikohet përsëri për të forcuar sado pak unitetin e vet BE?
Në këto dilema të BE, …për të papranueshmen “Jo” europiane, e shumëlodhura Shqipëri, a do të reflektojë dhe do të kthehet përfundimisht tek superfuqia e botës, SHBA?…ndoshta RSH përfundimisht do të fshijë të kaluarën lëkundëse historike europiane dhe do të realizojë ëndrrën e shqiptareve të pas viteve 90-të, duke hequr dorë nga politika, me shumë aleatë strategjikë. A do të kuptohet nga vendet e BE dhe nga vet SHBA se, toka e RSH është më idealja në rajonin e Ballkanit për SHBA?
Në retorikën e tejzgjatur të plehrave siriane, do doja të “ripërfol” të “zëmëruarën”, aleatin strategjik- SHBA duke kujtur se, shqiptarët dinë mirë të sakrifikohen për aleatin e tyre në se kërkesa do të ishte për interesa kombëtare të SHBA dhe jo ato globale, pasi këllqet shqiptare për të mbartur këtë operacion luftarak ishin qesharake…
Së fundmi, do t’i uroja Kryeministrit që të mos imitojë paraardhësin e tij për “bumet” ekonomike, por të kthejë drejtësinë në vend që të mos referojmë zgjidhjet më tek “Arvizuja”, as ata që rriten nën hallet e prinderve të tyre, as dhe mësuesit, profesorët, ushtarakët…, të mirat i teston populli. Përherë të kujtojë për të mosgabuar, atë që presidenti Obama iu drejtua amerikanëve pas rizgjedhjes: Më e mira nuk ka ardhur ende, kështu dhe Kaltrinat e vogla nuk do të kërkojnë më kartolina me babagjysh amerikan.