• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jan Michał Stuchly – Poet i një ndjeshmërie të thellë

January 11, 2014 by dgreca

ESSE NGA MAZLLUM SANEJA*/ Varshavë/

        E nis këtë shkrim për poetin dhe piktorin Jan Michał Stuchly, duke cituar fjalët e dy poetëve të mëdhenj: poetin e madh të romantizmit polak Cyprian Kamil Norwid, i cili me të drejtë shkori se, “e bukura është formë e dashurisë”  dhe, poetin e simbolizmit frëng Mallarme, i cili tha se “synimi i botës, është krjimi i një libri të bukur”.

Megjithatë, edhe në kohën e sotme, këto dy konstatime tingëllojnë si mendime aktuale përsa i përket krijimtarisë të poetit  Jan Michal Stuchly.

“Në përvojën time, poezia  lind nga një gjendje e veçantë, të cilën do ta quaja si një errësirë të brendshme” – shkroi me të drejtë  qysh në vitin 1936 poeti dhe eseisti i njohur polak, Mieczysław Jastrun, apo siç shkroi diku poeti i njohur frëng i simbolizmit Novalis: “Poezia e vërtetë nuk është asgjë tjetër veçse një lidhje shpirtërore”. Njëqind vite më vonë, poeti bashkëkohës frëng Valery kështu shkroi për poezinë:  “përpiqet të krijojë në ne, një gjendje dhe, këtë gjendje të jashtëzakonshme të ngre deri te njohja e përkryer”.

Poeti ka prirjen e të përshkuarit dhe të kuptuarit e botës dhe, në mënyrë të veçantë të vetëdijës së vet çfarë në të është e fshehur. Poezia – tashmë e shkruar, pastaj ia transmeton lexuesit gjendjen e veçantë të njohjes, e begaton në brendësi, natyrisht, me sa mundet të zgjojë në të barabar mbresa të forta.

Vëllimi poetik i fundit i poetit Jan Michał Stuchly dëshmon , se ai gjithnjë më thellë e kupton domosdoshmërinë poetike dhe shoqërore të dialogut të vet. Ai gjithnjë përpiqet, që në krijimtarinë e vet të ngre në kohë, në histori: një botë më të bukur e më të mirë, dhe një botë më favorizuese për njeriun. Ai iu përket atyre poetëve, për të cilët poeti anglez P.B.Shelly thotë me të drejtë se “janë ligjdhënësit e papranueshëm të botës”.

Poeti e vështron peizazhin e vërtetë përmes shprehjës së pikturimit të njeriut, nëpërmes transformimit dhe dukurive të natyrës. Që t’i besojmë poetit, duhet vështruar botën përmes optikës së vështrimit të tij, t’i bindemi vështrimit të tij dhe të mos i frikësohemi  këlthitjes të mahnitjes.

Poetika e poetit Jan Michał Stuchly synon gjithnjë më shumë kah bashkimi, pikë-takimi më i saktë dhe më i rafinuar  i shprehjes së drejtpërdrejtë, të thjeshtësisë të gjuhës, dukshmërisë – me forcën e imazhit konkret, nëpërmes të së cilës shpreh botën e ndjenjave.

Poezia e poetit Jan Michał Stuchly është pa mëdyshje një fenomen i jashtëzakonshëm, si përkah  lloji ashtu edhe përkah tematika. Kjo është një lirikë diskursive-filozofike dhe metafizike. Në qendër të vëmendjes të kësaj poezie gjenden dy momente: ajo në të cilën vetëdija zë të shërbejë me shqisa dhe, ajo me të cilën shqisat e braktisin. Këtu është e gjithë-pranishme barabar  si jeta ashtu dhe vdekja, të cilat pareshtur e shoqërojnë poetin, këmba-këmbës.

Jan Michał Stuchly  është, para së gjithash, poet i dhembjes ekzistenciale, poet i dhembshurisë, i ndjeshëm në mënyrë të veçantë karshi padrejtësive dhe ligësive njerëzore. Poezinë e tij e karakterizon një ndjenjë e thellë dhe frymë shpirtërore dhe, njëherazi një thjeshtësi në mjetet shprehëse.

A thua unë di

e Ti

gjithnjë thua

di

 

Unë nuk di

kush di

e Ti

gjithnjë thua akoma

di

nuk di

kur

e ti

në heshtje qan

pyes

kush je ti

Zot apo Poet

pikërisht dëgjoj

diku jehonën

dhe kjo është

e vërteta

(„ Nuk di”)

 

Thjeshtësia e poezisë e poetit Jan Michał Stuchly është një thjeshtësi kreative, thjeshtësi vazhdimisht e kuptueshme.

Panta rei

une dhe kalimi i kohës

 

kalimi i kohës

dhe jo vetëm koha e papërfytyrueshme

 

unë megjithatë e kaloj kohën

sepse ashtu e deshi Zoti im

duke i dhënë secilit shpresë

 

Ndaj

provoje ta shfrytëzosh

 

 

(“Kalimi i kohës”)

 

*                  *                          *

 

 

Memeci

në çalimin e vet këlthet

të shurdhërit

vetëm qetësia

kokën ia trazon

i verbëri

veç vështrimit

me të gjitha shqisat e tjera

sheh dhe dallon

derisa njeriu i shëndoshë

nuk kupton deri në fund

se sa i lumtur i pasur është

me të gjitha ankesat e shumta të përditshmërisë

 

(“Në mendime”)

 

 

*                                *                                  *

 

nuk di

çfarë di

 

derisa ti

gjithnjë di

 

nuk di

kush

diku

ku

kur

 

dhe ti

prapë di

 

pyes

me druajtje

kush je

e ti

tashmë e di

a thua e di

 

 

 

 

 

Poet

vetëm ty të lejohet

duke mos ditur

di

 

(“Dyshim … siguri “)

 

Është kjo një poezi individuale, që e karakterizon individualitetin e tij prej poeti të veçant, ngase përfytyrimi metafizik i poetit është saktësisht i ndërlidhur me problematikën ekzistenciale dhe të përjetuar thellë në shpirtin e trazuar të poetit.

Poeti Jan Michał Stuchli ndonëse e shikon botën dhe njerëzit me një distancë, ai nuk qëndron indiferent karshi dramës njerëzore.

Jan Michał Stuchly si një poet i pjekur, shpreh mendimet e hidhura mbi shekullin e qytetërimit  të zbulimeve teknike, i cili njëherazi u bë një shekull i shfarosjeve dhe krimeve masive, ku në fund të shekullit XX njeriu u shndërruar në egërsirë. Së këtejmi, ai hidhërimi,dhembja dhe vuajtja e poetit të ndjeshëm, i cili është i vetëdishëm, se përmes artit të vet, nuk e ndryshon dot këtë botë, nuk e shpëton nga gama e së keqes dhe e dhembjes.

Dobësia dhe plogështia karshi indiferencës të qytetërimit të sotëm lind dhe krijon hidhërimin, ndjenjën e zbrazëtirës dhe shqetësimin.

Poezia e tij e afirmon të Mirën, Mirësinë, Dhembshurinë, po, a thua këtë zë diku në një skaj të botës,këlthitjen e mbytur të poetit – sikur “ Këlthitjen” e Frikës të piktorit të njohur Edvard Munchit a thua e dëgjon ndokush? Apo si në poezinë e poetit tonë Jan Michał Stuchly “Këlthitja ime”:

Njeri

Ti i vetmi në mes të qenieve të gjalla

I zoti të bësh zgjedhjen

ndërmjet të mirës e të keqes

Sa bukur për këtë shkruan kritiku dhe eseisti i njohu polak Jerzy Kwiatkowski: “Jetojmë në një epokë të magjepsur me të keqen, në një epokë e cila ka degraduar dhe, është e privuar të përqesh dhe të përbuz nocionet e tilla çfarë janë: E Mira, Mirësia, Dhembshuria, Mëshira …

E keqja, agresioni, vrazhdësia, mizoria vazhdojnë të tërheqin imagjinatën e shkrimtarëve, krijuesve të filmit, regjisorëve, studiuesve të kulturës …”

Është me të vërtetë një ngjarje befasuese se si poeti Jan Michał Stuchly në poezitë e veta, në një mënyrë të veçantë, në vëllimin poetik të fundit ” Licentia Poetica” ka mundur me sukses të mbyll, në mënyrën e vet, vizionin  e vetëm të njerëzimit dhe vizionin e vetëdijes.

Mjafton  të lexojmë këtu me vëmendje poezitë e shkelqyera dhe të mrekullueshme: „A thua”,”Kalimi i kohës”,”Këlthitja ime”,”Kronos”, „Njeriu”, „Nuk di”, „Përditshmëria”, „I kredhur në mendime”, „Dyshimi … siguria”,  „Sekrete të lëna” etj. që përbëjnë një tërësi të shkëlqyer poetike.

Paralelisht me trishtimin, dhembjen dhe vdekjen, në poezinë e poetit Jan Michał Stuchly gjejmë edhe elementin poetik e të kërkuarit – të kërkuarit e shpresës, ringjalljes të jetës,besimit dhe ngritjes të sistemit të vlerave njerëzore. Zatën kjo është kredoja poetike e poetit Jan Michał Stuchly.

Dhe, një ideal i tillë i artit në kohën e sotme, më duket veçanërisht i çmueshëm dhe i bukur.(* Jan Michał Stuchly: „La Grande Reportage” Galeria 2010, Racibórz 2010 )

Varshave, Fillimi i janarit 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Jan Michał Stuchly. poet i ndjeshmerise, Mazllum Seneja, se thelle

Hysni Curri, zëri që thërret prehjen në Atdhe

January 10, 2014 by dgreca

Hazir MEHMETI, Vjenë/*

Gjendja  e rëndë në atdheun e pushtuar detyroj shumë figura historike që të largoheshin në vende tjera me shpresën e riorganizimit të qëndresës për liri, Këtë fat e patën figurat kryesore që udhëhoqën rezistencën kombëtare drejt  shpalljes  së  pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.    Ky fat e përcolli kryetarin e qeverisë së parë të Shqipërisë ,Ismail Qemali, nënkryetarin e saj, Dom Nikollë Kaçorrin, komandantin e ideatorin e rezistencës kombëtare, Hasan Prishtinën, Ministrin e Qeverisë së Parë, Luigj Gurakqi dhe shumë komandant e luftëtarë që nuk u pajtuan me gjendjen e rëndë të kombit të copëtuar e të robëruar nga shtetet fqinj. Njëri nga ata ishte edhe krahu i djathtë i Plakut të Maleve, Hysni Curri.

Familja Curri ishte e njohur në trevat shqiptare për luftën kundër pushtuesve të huaj në përpjekjet për bashkimin kombëtar. Trungu kryesor i kësaj familje madhore ishte Plaku i Maleve –Bajram Curri, i cili tërë jetën e kaloi me pushkë në dorë derisa u vra nga forcat e Ahmet Zogut në Shpellën e Dragobisë. Ai kishte tre nipa bashkëluftëtarë besnik të cilët populli i quajti Krahët e Bajram Currit: Asllan Curri, Abdullah Curri dhe Hysni Curri. Vepra e tyre, sipas disa historianëve mbeti e pa njohur sa duhet dhe  nën hijen e xhaxhait të tyre Bajram Currit. Nga ana tjetër ata vdiqën që të tre të rinj.

Në gazetën “Vëllazënija” që ishte organ i Shoqatës “Dija” me seli në Vjenë, datë  3 prill 1918 gjejmë artikullin nga autori me inicial “M” ku i kushtohet vdekjes së Abdullah bej Curri me titull “Vdekja e Abdullah Bej Currit në Gjakovë”.  Më 28 fruer në mbrëmje u përhap lajmi i zi i të ndrruamit jetë t’atdhetarit të flakët Abdudllah Bej Currit…”   Shkrimi përshkruan jetën e shkurtër e tij ku do veçonim shënimin, se, ai qysh në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare u dallua si luftëtar i shquar. “…për moshën që kishte e habiti gjithkënd  për trimëri të madhe ë tregoj..”  Ai mori pjesë krah për krah me ungjin e tij Bajram Currin që ishte bërë synonim i rezistencës gjithë shqiptare, veçan në pjesën veriore të Shqipërisë. U dallua në luftërat në Orosh, Mat, Shkodër, Velë “ Jetoi së bashku me ungjin e tij Bajram Curri në Gjakovë e Prizren, kurse në Shkupi kishte mbaruar shkollimin. Ai vdiq në Gjakovë në moshën 23 vjeçare me 28 shkurt të vitit 1918.

Nipi tjetër i Plakut të Maleve ishte Asllan Curri. Sipas gazetë La Feeration Balkanique” e datës 30 prill të vitit 1925, Ahmet Zogu e ka ndër mend të shfaros familjen Curri. Me ndihmën e  hijes së tij të zezë Cena Beg Kryeziu, burgoset Asllan Curri dhe vritet bashkë me dy shokë në përcjellje prej Krumës për në Shkodër nga mercenarët e Zogut nën pretekstin “deshi me ik” si kamuflazhe e fshehjes së krimit.

Hysni Curri, nipi i tretë i Bajram Currit, ishte i njohur si luftëtar i vendosur i cili krahas Currëve tjerë. Sipas gazetës “La Federation Balkanique”” e numrit 18-19- të Hisni Curri ishte komandant i ushtrisë shqiptare në Qafën e Prushit në luftën e fundit të ushtrisë shqiptare kundër ushtrisë turke me 7 gusht 1912 pas së cilës  ushtria shqiptare marshoi në Shkup ku e edhe ngritët flamuri kombëtar që me 12 gusht të vitit 1912, duke i pri  ngritjes së flamurit në Vlorë.

Gjatë kohës kur Austro-Hungaria kishte vendos pushtet në pjesë të Shqipërisë ai ishte njeri autoritet krahas figurave tjera që konsideroheshin paria e vendit. Ishte pjesë e delegacionit shqiptarë në vizitë Austrisë më 16 prill 1917. Delegacioni ishte në përbërje të gjerë prej 33 vetash.  Përveç të tjerëve kishte edhe figura historike që lidhën me ngjarje që pasuan më vonë  në Vjenë. Në përbërje të delegacionit jenë edhe figura me qëndrime kontroverse të tyre rreth rrjedhave  brenda kombëtare dhe territorit shqiptar.  Aty ishin edhe Dom Nikollë Kaçorri, si përfaqësues i  arqipeshkëvisë së Durrësit,   Hysni Curri, përfaqësues i Krasniqes. Hasan Prishtina, përfaqësues i Kosovës dhe Ahmet Bej Zogollia (Ahmet Zogu, përfaqësues i rrethit të Matit. Dom Nikollë Kaçorri, nënkryetari i parë Qeverisë së parë të Shqipërisë, i cili do vjen në Austri për shërim nga sëmundja e rëndë dhe vdes me 29 maj 1917 në sanatoriumin Würth të Vjenës.  Eshtrat e tij u bartën në Shqipëri 94 vjet më vonë (janar 2011v).

Major Hysni Curri  ishte aktiv në kryengritjen kundër padrejtësive që u ishin bërë tokave shqiptare. Kosova e robëruar përjetonte çdo ditë masakra nga forcat pushtuese serbe, qeveria shqiptare ndiqte kudo kundërshtarët e saj politik dhe nuk i pengonte as forcat serbe të cilat edhe në territorin shqiptar i ndiqnin figurat patriotike. Ministria e Brendshme e Shqipërisë do pajtohet, me vendimin e saj 9 janar 1923 “N’asht se rebelet futen në zon neutrale, keni leje me i ndjek edhe atje”. Kjo vlente edhe për ndjekjen e Hysni Currit dhe Currëve tjerë të cilët përbënin qendrën e qëndresës kombëtare. Në këto rrethana të vështira veprimi, në Shkodër themelohet “Mbrojtja Kombëtar e Kosovë” që në fakt ishte vazhdim i veprimtarisë së “Komitetit të Fshehtë”.  Kryetar i saj ishte Kadri Prishtina (Hoxhë Kadriu), kurse nënkryetar i saj ishte zgjedhur Hysni Curri. Lëvizja për liri e tri bajraqeve të udhëhequra nga Bajram Curri, Hasan Prishtin dhe Hysni Curri gjenden në një situatë të rënduar nga koordinimi i veprimeve armiqësore të qeverive fqinjë dhe qeverisë shqiptare e cila krerët e lëvizjes çlirimtare i dënon me vdekje, bile disa nga ata për të tretën herë, siç ishte rasti me Hasan Prishtinën.  Represioni i qeverisë zogiste ndaj përkrahësve të figurave kombëtare që synonin lirinë, bëri që përkohësisht të shtyhen aksionet dhe nga vendi largohen disa nga krerët kryesor.

Me shpresën e ringjalljes së aktiviteteve organizative e politike në vendet ku kishte veprimtarë shqiptarë, më 27 gusht 1923 një grup prej 27 veprimtarësh udhëtuan nga Shengjini për në Itali dhe prej andej në Austri.  Bashkë me ta edhe Hasan Prishtina dhe Hysni Curri. Atyre u ishte premtuar edhe përkrahje në armatim nga Austro-Hungaria. Me 2 nëntor 1923 Hasan Prishtina i shkruan Bajram Currit mes tjerash: “Kam marrë premtime për njëzetmijë pushkë dhe 12 topa”. Në Romë dhe në Vjenë kishte refugjatë shqiptarë politik me të cilët do akordohen aksionet për mbrojtjen e trevave shqiptare nga shfarosja që u kërcënohej. Derisa Zogu vriste figurat patriotike dhe ndiqte përkrahësit e tyre, pushtuesit serb në Kosovë kryenin shfarosje masive të shqiptarëve. Vritet Avni Rrustemi, fati i të cilit fatkeqësisht do ta kenë edhe shumë figura tjera historike.

Në “La Federation Balkanique” po të njëjtit numër shkro …Vdiq Hysni Curri”, krahu i djathtë i të Madhit Bajram Curri.” I dëbuem nga Kosova prej ushtarëve të Pashiqit, e i dëbuem nga Shqipnija që quhet e “Lirë”, prap prej mercenarëvet të komanduar prej agentit të tij, prej Zogollit të Matës” Tuberkulozi ishte sëmundje e rëndomtë tek luftëtarët shqiptarë të asaj kohe të cilët jetën e tyre e kalonin të vështirë në male me pushkë në dorë. Kjo gazetë vjenezë e cilëson Hysni Currin si “fytyrat më me zë të lëvizjeve tona kombëtare, një nga patriotët më të vlershëm të Kosovës.” Numri tjetër i kësaj gazete (nr.42) shkruan: Hysni Curri vdiq këtu, larg Atdheut e vatrës një nga ata që dijti të shkrij jetë, pasuri, fëmijë, fis, miq e gjithshka për një ide fisnike.” Jeta e Hysniut në Vjenë ishte jetë aktive. Ai u gjend pranë veprimtarëve që u gjendën në Vjenë duke veçuar këtu Hasan Prishtinën. Ai pati kontakte edhe me figura vendore vjenezë, mes tyre ishte z.Herber Urbani, me të dhe familjen e të cilit kishte miqësi të ngushtë Hasan Prishtina dhe guaja e tij Igballe Prishtina. Ata ruajtën kujtime shumë të mira për Hysniun nga kontaktet që kishin me te. Pikëtakimi i tyre ishte klubi shqiptarë i asaj kohe i vendosur në Becirkun e tetë, rr.Josefstedärstraße. Hysniu banonte në Pansionin për të ardhur aty afër  klubit në rrugën Langeggase 49 , ku edhe vdiq.  Ai u varrosë në Varrezat Qendrore të Vjenës “Zentralfriedhof” me nderime të larta ku marren pjesë personalitet të njohura austriake, përfaqësues të disa organizatave nga vendet ballkanike, figura shqiptare nga radhët e emigrantëve shqiptarë në Vjenë e Austri.

… e meriton dheun e Kosovës

Pas një periudhe kohore të gjatë qëndrimi në mungesë interesimi nga të afërmit apo bashkëkombësit, vendvarrimi jepet nga autoritet për varrimin e të tjerëve, kështu tani mbi varrin e Hysni Currit janë të varrosur dy persona.  Gjurmët e heroit tani po zhdukën gradualisht dhe kjo nuk do duhej lejuar në radhë të parë nga ne mërgimtarët në Austri. Në Vjenë ishte i varrosur edhe Dom Nikollë Kaçorri, eshtrat e të cilit u bartën para dy vjetëve dhe tani prehet në tokën e tij. Ky ishte një gjest sa human aq edhe patriotik i ndërmarrë nga familja, Misioni Katolik Shqiptar dhe veprimtari shkodran z.Pjetër Logoreci.

Çka do bëhet tani me eshtrat e  heroit Hysni Curri, do tretën më tutje në dheun e huaj apo do del dikush dhe të ndihmon në kthimin e tij në dheun e Kosovës. Tani Kosova është e lirë, aty është edhe gjaku i Hysni Currit dhe Currëve tjerë të njohur për të cilën dhanë çdo gjë nga vetja, pasurinë, familjet, kullat, jetën.

Në këto rrethana shpresojmë të ngadhënjejë si gjithnjë veprimi patriotik i njeriut tonë dhe amaneti i prehjes në dheun e vendlindjes t’i plotësohet  heroit të kombit Hysni Curri, E meriton. Liria e Kosovës e ndjenë. Lapidari i Currëve le të shndritë në zemër të Atdheut.

Ne FOTO: 1.Sali Gjuka 2.Bardh Isufi 3.Lal Perolli 4.Isuf Vesesi 5.Sadik Deçani 6.Nexho Haxhisadiku
7.Adush Kastrati 8.Halim Gostivari 9.(…?) 10.Bajram Daklani 11.Tahir Zajmi. Rendi i mesëm:1.Ragip Kajabegolli 2.(….?) 3.Qazim Begolli 4.Hoxhë Kadriu 5.Hysni Curri 6.(…?) 7.(…?) Ulur: 1.Hamdi Zajmi 2.Jahja Prishtina 3.Kahreman Begolli 4.Ibrahim Gjakova 5.Bedri Pejani 6.Sadik Gostivari 7.Nimon Ferizi 8.Rrok Perolli ( foto:Shkodër 1918)

 

Filed Under: Histori Tagged With: Hazir Mehmet, Hysni Curri, zeri per Atdhe

KOKË E PRERË E NJË ZEMRE… RREH EDHE PAS VDEKJES…

January 10, 2014 by dgreca

Refleksione nga libri  “Ditari i kujtimeve të paharruara”, të autorit SADULLA ZENDELI (DAJA)/

Shkruan: ZYBA HYSEN HYSA/

Kur dikush të dhuron një libër nga krijimtaria e tij, për respekt, do gjesh pak kohë që ta shfletosh, të lexosh diçka nga fillimi, diku nga mezi… pak nga fundi. Ky lloj leximi quhet lexim respekti, por në të njëjtën kohë ne dallojmë stilin e shkrimtarit, apo poetit dhe, ashtu siç provojmë me një majë luge gjellën, për të parë se na pëlqen, apo jo, edhe ne kemi provuar shijen e librit që na bën, ose ta mbyllim me kaq, ose të ulemi mirë e ta rinisim nga fillimi për ta lexuar faqe më faqe e rresht më rresht, bile aty – këtu, të ndalojmë për të lexuar edhe në bardhësinë midis rreshtave duke na futur në meditime e ndodh, që më pas të shkruajmë refleksionet tona për çka kemi lexuar.

Kështu më ndodhi, kur rastësisht më ra në dorë libri “Ditari i kujtimeve të paharruara” të autorit Sadulla Zendeli (Daja), ku autorin nuk e njoh fizikisht, por si krijuese që jam, kam veti njohëse përmes krijimtarisë së tij, njëlloj si të shikoj madhësitë e gurëve, deri në guriçka të vogla nën kthjelltësinë e burimeve që gurgullojnë zabeleve të bjeshkëve të Sharrit, se shpesh, lexuesve, apo kritikëve që nuk janë krijues do u duhej të pyesnin, të shfletonin, apo dhe të kontaktojnë edhe me ta për të qenë sa më realë në vlerësimin e tyre.

Në ritualin e përhershëm me libra që më bien në dorë, pa dashje bëra një ndryshim, se më tërhoqi kopertina e ideuar nga Lavdije Cenmurati, ku paraqiteshin fytyra të shformuara, si t’i shikoje nën ujë, si të ikur nga bota reale, për të hapur portat e odave të shpirtit ku rrinë të kyçura kujtimet e paharruara të jetës, por dhe në ato porta ku kanë mbetur në errësirë sythet e dëshirave, të idealeve dhe ideve që kurrë nuk e panë dritën e realizimit të tyre, apo në ato skuta të errëta ku fshihen brengat dhe dhembjet që nuk patën shërim kurrë…

Mbase këto ndryshime nga një odë në tjetrën, e shndërronin portretin në shumëplanësh e shumëdimensional, ku shpesh shihet vetëm një sy, një vesh, një copë ballë, ashtu si kujtimet që koha i ka gdhendur duke i hedhur tej si ashkla të shpërndara që kurrë s’kanë për t’u bërë më një e tërë, por që koha do t’i kthejë në humus që do të ushqejnë kujtimet e reja, apo të atyre kujtimeve që sqepari i kohës nuk mundi t’i ashkëlojë. Dhe ngjyrat ndryshojnë ngjyrë  nga gri e zënë, si një shpirt i drobitur nga brengat e tallazet e pafundme, aty – këtu me zbardhje të grisë, por jo krejt e bardhë e me fasha të zeza nga të zezat e kohës pa kohë të mirë për shqiptarët e, pak, fare pak shigjeta të kuqe dashurie që vijnë e godasin deri në tërmetosje e na lënë të përpëlitemi gjatë si peshku i nxjerrë në zall në mungesën e ujit… e dashje, pa dashje duke zhbiruar kopertinën, kisha hyrë në shpirtin e poetit dhe ndjeva butësinë e vargut poetik të dalë nga një shpirt më i butë se butësia, ndjeva fortësinë e vargut dalë nga një shpirti më i fortë se fortësia, ndjeva bardhësinë e vargut dalë nga një shpirti më të bardhë se bardhësia, preka fisnikërinë e vargut dalë nga një shpirt, më fisnik se fisnikëria dhe me kaq nuk kisha nevojë të bëj ritualin e kapërcimeve të faqeve, por e nisa me qetësi me radhë që në faqen e parë, pa lexuar fjalët e redaktorit, apo dedikimet e ndryshme, gjë që e bëj përherë për të mos u ndikuar në shkrimet e mia.

Kapitulli i parë: “Këngë dashurie” dhe me mend thashë” Qenkemi në një mendje!”. Të gjitha gjallesat frymojnë, ushqehen, shumohen, por nuk janë në gjendje të flasin, të shkruajnë, të krijojnë, të punojnë… dhe motori që i vë në lëvizje këto, mendoj, është dashuria.

Shpesh herë unë me mend kam hedhur poshtë teorinë e Darvinit së prejardhjes të njeriut nga majmuni, se këto veti njerëzore të njeriut nuk janë thjesht veprime mekanike, apo instiktive, por si rezultat i zhvillimeve psikologjike që përcaktojnë shkallën e aftësisë së njeriut për të folur, shkruar, krijuar, punuar… se po ta shikojmë për nga ndërtimi fizik, pak dallojmë nga majmuni, por pse nuk mundëm ta shndërrojmë një majmun në njeri?! Unë mendoj se nuk është materia primare në zhvillimin e njeriut, por llojet dhe sasia e kuanteve në shpirtin e tij që vijnë nga Universi e shkojnë në Univers.

Kur ne pranojmë krijimin e tokës si planet, atëherë pse të mos pranojmë dhe krijimin e njeriut me tiparet e tij fizike, por që me zhvillimet e Universit zhvillohet dhe pasurohet shpirti i tij në varësi nga lloji i kuanteve që përbëjnë shpirtin e secilit dhe aftësia e tyre të veprojnë mbi sistemin nervor për të nxitur mendimin dhe për të ndryshuar mënyrën e jetesës së njeriut sipas dëshirave të tij shpirtërore.

Mendoj, se pikërisht këto grimca rrezatuese që përbëjnë shpirtin njerëzor, kanë aftësitë e të dashurit të vendlindjes, të afërmve, e ajo që i ka zhvilluar proceset e të folurit ka qenë nevoja e brendshme për të shprehur emocionet dhe ndjenjat, se të cilat kanë lindur me lindjen e njeriut. Vetëm Dashuria kuantike bën të mendosh përtej të mirës e të ligës dhe të nxit të prekësh Nirvanën. Kjo lloj dashurie është motori lëvizës i njeriut për të menduar e për të vepruar përtej nevojat e tij biologjike, ngandonjëherë dhe në kundërshtim me to.

Nëse në lashtësi, dashuria i ka nxitur njerëzit të flasin, të luftojnë për lirinë e tyre e cila ekziston tek shpirti qysh në lindje e na shoqëron deri në vdekje, të perfeksionojë veglat e punës për një jetë më të mirë, në kohët moderne ajo i bën njerëzit të bëhen kreativë, për të gjetur mundësi të reja për të arritur atë ç’ka dëshirojnë e kush pushtohet nga zjarri i dashurisë kuantike, pra të bashkimit të kuanteve të dy shpirtrave edhe kur ata janë larg nuk shkëputen dot, atëherë shumë njerëz kanë bërë vepra madhore, deri në kryevepra të shoqërisë njerëzore. Vetëm dashuria e çon shpirtin në vlim duke shkrirë talentet për të na dhënë vepra – kryevepra në të gjitha zhanret e artit dhe letërsisë botërore.

Unë nuk them që libri “Ditari i kujtimeve të paharruara” është një kryevepër, por edhe pse është shkruar thjeshtë, tek unë nxiti të shkruaj, pra me bindje them se është një libër që vlen për lexuesit, por edhe për studiuesit, nga ku mund të merren mesazhe të mëdha të cilat burojnë përmes vargut poetik të dalë nga shpirti i autorit. Në këtë libër të ndarë në 4 kapituj vërej që poezia e tij është më e stërholluar në përdorimin e mjeteve stilistike për të përçuar idetë dhe mesazhet tek shqiptarët pa u dalluar nga armiku (këtu futen poezitë e para viteve ’90 e poezitë që vijnë më pas, vërtet kanë mjete stilistike, por ato janë të thjeshta për t’u kuptuar, kjo si rezultat e ardhjes së demokracisë dhe shkallmimit të diktaturave më të egra që ka njohur shekulli i kaluar nga sundimi serb, sidomos mbi shqiptarët.

Unë shikoj një ngjashmëri të këndvështrimit të këtij autori të dashurisë me autorin Adem Demaci në veprën e tij “Dashuri kuantike”, ku bisedon dhe me të dashurën njëherësh me lirinë, si dy dashuri në një. Kështu në poezinë “Sonte ëndërroja” ai shpalos këto lloj dashurie kuantike për vashën dhe njëkohësisht për Atdheun, si dy dashuri që sa më shumë largohemi, aq më shumë ua ndjemë mungesën dhe aq më shumë na rëndon pesha e mallit. “Mund të dojë kushdo qoftë/ Por Perëndia të ka qëndisur për mua… T’i rrisim zogjtë e mëmëdheut/ Qofshin të mallkuar ata që të shtrënguan/  Ballin tënd të bukur shamia të mbulojë/ Perëndia i vraftë e nëma imë i zëntë/ Shqiptarët të vonuar i keni lënë/ Eja vasha ime, sa të dua/ Lëri kotësirat, moj gocë e bekuar!”

Apo tek poezia “Dashuria ime” ku shprehet: “Dashuria ime thellë më trand…/ Askush nuk e di që dhembja ime je ti…”, apo tek poezia “Jetoj dhe jetoj” Pa ty dielli nuk më ngroh mua/ Yjet errësojnë ndriçimin…” e përsëri e lidh me vendlindjen “Eja, afrohu, me ty të jetoj/ Të gdhijë agimi në vendin tonë/ Simfoni e zogjve të Sharrit/ E të Tomorrit për ne të këndojnë!”

Dashuria për Atdhe lind që me ardhjen tonë në jetë e na shoqëron gjithë jetën si një lidhje e pazgjidhshme e shpirtit tonë me “shpirtin” e tokës ku lindim, se nuk ka se si të shpjegohet ndryshe malli i vendlindjes, thikat që godisnin në zemër, kur vendi rënkon i robëruar e fluturon nga gëzimi, kur dëgjon për begatinë e tij. Ndaj e pse i mërguar vazhdon të jetosh jetën e Atdheut, e pse i mërguar, ëndrrat i sheh në Atdhe dhe dëshirat i lidh përherë me të, se vetëm Atdheu, vetëm dashuria është “diell që ngroh në çdo stinë/ Zemra ime si e zhytur në akull/ Pa ty e pa diellin akull ngrij…/ Të pres te burimet e Vardarit/ Kudoqoftë në Sharr, Tomor, a Pollog…”, thuhet tek poezia “Dielli që ngroh gjithmonë”, ku më fort e thellon mendimin tek poezia tjetër “Nata më mundon”, ku është vështirë të dallosh kufirin midis dashurisë së tij për vashën dhe për lirinë, apo kur flet për vashën, ka parasysh lirinë e vendit, por gjithsesi për të dyja dashuritë mund të thuhet e njëjta gjë: “Pa ty jeta është e zbrazët/ Si në Sharr, Tomorr, apo Pollog…/” Kjo është e keqja me shqiptarin, që as dashurisë, as lirisë nuk ia di vlerën, se pasi i fitojmë ato, nuk kujdesemi dhe autori shprehet “Nuk e çmova aq kur e pata pranë/ Sa s’u çmenda kur më kaloi matanë…/ Me të zeza jetën, në terr ma qiti…” tek poezia  “Ëndërroj”.

Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe humbja e dashurisë dhe e lirisë përveç pakujdesisë dhe “sigurisë” se e kemi fituar përjetësisht (Dashurinë me celebrim në bashki dhe lirinë me Deklaratën e Pavarësisë), por harrojnë se që të dyja janë filiza të sapo mbjellë, që të rriten kërkojnë kujdes të vazhdueshëm.

Po çfarë ndodh me ne, shqiptarët? Pasi të dashurën e bëjnë grua të ligjshme, e burgosin duke e kthyer robinë shtëpie, pa përfillur të drejtat dhe liritë e saj njerëzore, pra lirinë e saj e burgosin burrat në lirinë e tyre, kështu martesa prishet, po  kjo gjë ndodh edhe me lirinë duke e burgosur ne që e fitojmë me gjak, se harrojmë që ajo vaditet me djersë e përkushtim, ne e kthejmë atë në thjesht “grua” për të përfituar prej saj pa i dhënë hapësirë të zhvillohet, ndaj vendi ynë sërish robërohet po nga ata që e lanë me gjak duke kërkuar shpërblim për luftën, pa i dhënë djersë e përkushtim për ta nxjerrë nga prapambetja.

Me dhembje më duhet të pranoj, se kështu ndodhi në Shqipëri në 1944 e po kështu pas viteve ’90 – ës dhe në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, kështu ndodh edhe në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë, që politikanët shqiptarë në vend të përpiqen për të siguruar liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, nuk lënë gjë pa bërë për të siguruar mirëqenien e tyre personale, ndaj ne, shqiptarët, mbetëm duke kërkuar ndër shekuj liri, edhe sot që jemi diçka të pavarur, përsëri kërkojmë liri dhe tek poezia “Ku je?” autori do të shprehet: “Ku je, ku je, o shpirt, afrohu…/ Ku ke humbur në tënden dëshirë/ Se gjaku i martirëve trima/ Nuk u derdh kot!” por këtë gjak që toka piu e shkelën me këmbë ata që morën pushtetin dhe fjala “liri” dhe “pavarësi” ekziston vetëm si nocion për të fshehur dhëmbët vampirë të ngulur në trupin e Shqipërisë, Kosovës, e kudo ka shqiptarë në trojet e veta.

Ku është liria? Ku është pavarësia? Ku është shteti shqiptar që akoma nënat shqiptare lindin bij për të ikur shërbëtorë nëpër botë përherë të malluar për atdhe e përherë porta mbyllur në atdhe?! “Koha bëri të vetën/ Armiku zgjodhi më të keqen/ Na zgjodhëm të vërtetën…/ Po, çfarë fituam e pse “Në gjoksin tënd sytë i mbaja/ Në mërgim sa herë na kapte vaja/ Kokën në gjoksin tënd vendosja/ Për jetë të jetës i thashë vetes/ Kurrë shtëpi pa ty mos të ndërtoja…”

Autori e pse e shkruan në vitin 1967 poezinë” “Sermnova e zemrës”unë do ta quaja aktuale për ditët e sotme në Kosovë, por me një ndryshim, kemi shfrytëzim të dyfishtë! Populli është më i varfër se nën pushtimin serb, më i ikur se asnjëherë…

Një nënë që nuk mund t’i mbledhë bijtë e saj e që nuk di se ku i ka e nga i ka, ndodh veç atëherë kur ajo është veçse e prangosur e për fat të keq, po ata që na gjakosën, por me gardianë që flasin shqip e nënën e kthejnë prostitutë për të marrë fitime marramendëse pa e vrarë mendjen se sa e si e lëndojnë atë, veç të jenë në rregull me krye tutorin antishqiptar dhe të mbushin xhepat e tyre që vetëm thellohen nga shpërblimet e majme që shtohen sa herë rrisin shfrytëzimin e pashpirt ndaj nënës së tyre.

E ashtu vetëtimthi më ven në mend një poezi që kam shkruar në 2012, dhe që është vlerësuar me çmimin të parë në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyci” me titull “Mëmëdheu emigrant”, pra ne që jetojmë në vendin tonë kemi fat emigranti, por do thosha se mos kishim “shpirtin” e tokës kaq pranë, zor se do mbijetonim. Shpeshherë çuditem se si arrijmë të mbijetojmë, por mbijetojmë, marrim frymë, por bijtë asgjë nuk kanë të sigurt për të ardhmen e tyre. Është e dhimbshme, kur bijtë fillojnë universitetin se kanë etje për dije e në të njëjtën kohë mendojnë të marrin rrugët e botës për të pasur mundësi për të krijuar familje. Kush do e zhvillojë kombin, ne pleqtë që mezi marrim frymë?  Ikën rinia e pse është e dashuruar përjetësisht me truallin e trashëguar brez pas brezi, ikën me kokën pas, me dhimbje në gjoks e me sy të përlotur, pa e ditur se çfarë e pret.

E pasi fitojnë pasuri e duan të kthehen për të investuar në Shqipëri, nuk favorizohen nga shteti, bile nxjerrin ligje për të favorizuar të huajt, kjo për të përligjur firma fantazmë dhe për të penguar zhvillimin e vendit nga vetë shqiptarët, si e vetmja rrugë për zhvillim dhe bashkim kombëtar, se boll kemi ëndërruar e thirrur për Kombin, sikur ai të ishte në një planet jashtëtokësor dhe harrojmë që kombi bashkohet kur ne ruajmë dhe zhvillojnë gjuhën shqipe, kur ruajmë dhe zhvillojmë kulturën dhe traditën e vyer shqiptare, kur shkruajmë dhe mësojmë historinë tonë të vërtetë, kur nuk endemi më rrugëve si turma verbuake duke klithur e tundur flamurë, pa ditur se ku shkojmë, kur shumat marramendëse që harxhohen për kongrese e konferenca “shkencore” të shoqëruara me dreka e darka të mos bëhen më vend e pavend, por këto para të investohen për të pastrehët, për shkolla e spitale, se Bashkimi Kombëtar nuk vjen me platforma, as me luftë e gjak, ai vjen me dije, me punë, me bashkim kapitalesh ne një bankë kombëtare e kështu kufijtë shkrihen vetvetiu, se edhe po t’i bashkojmë sot kufijtë, nuk bëjmë gjë tjetër vetëm do pasurojmë më shumë “gardianët” dhe “tutorët”. Të keqen ta kërkojmë tek vetja, duke mos e lejuar të na zaptojë… “Gishti ta ktheni nga vetja…” tha Doris Pak.

Në poezinë  e këtij autori e sheh qartazi se kjo ëndërra për të do të mbetet ëndërr dhe në poezinë “Ëndrra ime”, ai do të shkruante vargjet: “Ëndrra ime gjithmonë po ajo/ Gjumi të më kaplojë/ Dhe i gjallë të zgjohem/ Të kem kohë të shkruaj dy fjalë/ Bashkimi i trojeve shqiptare/ Në Arbërinë tonë të ndarë…” Populli shqiptar ka kërkuar historikisht Bashkimin dhe ka harruar zhvillimin, apo më mirë të themi, nuk e kanë lënë të zhvillohet, ndaj e ardhmja jonë duhet të shihet zhvillimi si bashkim mendjesh, zemrash dhe kapitalesh qw të investohen në trojet tona etnike, ku të punësohen bijtë tanë e cila është më e vështirë se bashkimi i kufijve, por që do sjellë ndryshim të jashtëzakonshëm.

Më kujtohet para disa vitesh, në mos gabofsha, në vitin 2006, isha në Strugë dhe aty kam takuar rastësisht pronarin e lokalit “Paris”, Filizan, më duket e quanin, i cili më ngazëlleu kur tha: “Bashkë me vëllezërit e blemë këtë lokal që të mos na ngulej në mes të Strugës një i huaj…” Ja një shembull, ka dhe tjerë plot, por shumë më shumë të ketë e kështu bëhemi bashkë duke qenë bashkë.

Autori e prek dhe e ndjen vështirësinë dhe pamundësinë që ai tw arrijë ta shohë këtë Bashkim, ndaj shprehet: “Do të shuhem pa e prekur me dorë/ E pa të parë ty, moj me sy/ Edhe në varr do të qaj këtë dashuri…”, po në poezinë “Ëndrra ime”.

Poetin e tremb koha në të cilën jetojmë, siç e tremb varri i zi, se poeti shikon të padukshmen e tmerrohet, ndaj kërkon të ikë larg, ashtu si Buda nëpër shkretëtirë, të kërkojë një dorë për t’i dhënë dorën, të kërkojë filozofinë e së vërtetës sonë, e së drejtës sonë të ligjshme për të mjekuar dhembjet e kombit, dhembje që poetët i shpon që nga mijëra kilometra largësi.”Të shkoj në një shkretëtirë/ Zogjtë të ma hedhin/ Për mëshirë ndonjë thërrimë/ Të mendoj për Shqipërinë/ Të qaj për fëmijët e  mi/ Që i lashë në mërgim të zi/ Do të shuhem duke qarë…/ Atdheun tim e lashë të ndarë…/ Me ëndrrat për shtetin tonë/ Iliri e madhe përgjithmonë.” Shprehet autore me dhembje përtej dhimbjes në poezinë “Të shkoj e mos kthehem kurrë” të shkruar në maj 2013 e këtë titull – dëshirë e shpreh me dufin e dëshirës që nuk u bë realitet, me ankthin e së tashmes dhe mugëtirën e së ardhmes, se shekujt kanë hapur kanale dhe tunele në trupin e kombit tonë që përpijnë dëshirat tona, megjithëse ai shpresën e lë të ndezur si një dritë që do ndriçojë brezat që do të vijnë.

Më duhet të shkruaj, mbase një libër për të hedhur refleksionet e mia gjatë dhe pas leximit të librit “Ditari i kujtimeve të paharruara” të autorit Sandulla Sendeli (Daja), se poezitë e këtij vëllimi poetik janë një vullkan që kurrë nuk e ndal shpërthimin, ashtu si shpirti i tij patriot i pushtuar nga dashuria kuantike për Atdheun e tij, për ardhmërinë dhe bashkimin e Kombit, ndaj për ta mbyllur që të lë radhë për shkrues tjerë që të ndizen nga këto vargje vullkanike për të shkruar me dëshirën e zemrës për të ndjellë lexues të gjithë kategorive për t’i bërë pronë të tyre mesazhet e pavdekshme të kësaj poezie.

Unë do ta mbyll me vargjet e tij shkëputur nga poezia “Miq të përbetuar” ku çdo shqiptar duhet t’i mbajë “vëth në vesh”, siç thotë populli ynë, se koha ecën dhe jeta rrjedh, brezat lënë vendin njëri – tjetrit, ripërtërihen, por kjo ripërtëritje  e popullit tonë ka ardhur përmes sakrificash e gjakderdhjes, përmes fitoresh e rrëmbim fitoresh sërish nga gjakësorët të ndihmuar nga tradhtitë e vjetra e të reja.

“Kokë e prerë e një zemre/ Që rreh edhe pas vdekjes…/ Tradhtia bart kokën t’ua dhurojë/ “Kanibalëve”…

VLORË, më 08.01.2014

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Sadulla Zendeli Daja, Zyba Hysen

FALENDERIM

January 10, 2014 by dgreca

FALENDERIM I FAMILJES DANI/

Une, me gjithe familje, falenderoj nga thelbi i zemres te gjithe miqt, shoket dhe dashamiret e familjes DANI per pjesemarrjen e tyne ne Funeral dhe ne vorrimin e nanes time te dashtun, ATUSH.
Gjithashtu deshiroj me falenderue te gjithe ata qe me telefonuen dhe me derGuen e-mail-a.
Po ashtu folsit Nderim dhe Lolita Kupi dhe Ndrec Gjergji per fjalet te bukura per nanen dhe familjen time.
Lusim Zotin me na dhane rastin qe te gjitheve tua kthejm ne raste gezime dhe hareje.
Sabri Dani Familjarisht(Ne foto: Atush Dani)

Filed Under: Komunitet Tagged With: falenderim, Familaj Dani, Sabri Dani

SEDËRHOLLA E HISTORISË

January 10, 2014 by dgreca

(Prizreni që s’pret/

Shkruan: Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

1.

Një qytet i lashtë ka sedër të hollë. Prekja e saj mallkon. Veçanërisht e rëndë është nëma kur mbi fytyrën e tij ka përftuar shumë lot, gjak e dhimbje njerëzore. Prizreni është njëri prej tyre, qytet i ndjeshmërisë, krenisë e kujtesës   historike. Dhe ai gatitet sërish, si kryehershëm, të presë e ndijojë krerë të epërm shqiptarë. Por, konformohet vallë plotësisht caksynimi i këtyre që vijnë tani (anëtarë qeverish të të dy vëndeve), në madhështinë e historisë që ky qytet e ka për zemër? Apo do mbetet stoli e simbolikës së tij?

Dikur, aty patën zbritur misionarë kombi nga e gjithë hartografia etnike, për të përskajuar mëvehtësinë unike të tokave të Arbërit, ndërkohë që tani pararendësit e tyre latojnë një bashkëpunim mes dy shtetesh (njërit sovran, po të këputur nga bijtë e vet dhe një tjetri të gjysmëndaluar e brejtur nga çdo anë) në hapsinë ende të coptuar nacionale. Është mot tjetër, njëmend, por megjithatë një paralele shpaloset idhshëm mbi rrethnajën dhe protagonistët e saj. Ata kishin sakrificën – kurse këta veç përfitimet, ata kishin çiltërinë dëshmidhënëse – e këta kanë meskinërinë fuqimarrëse, mandej, ndërsa ata shkrinin pasurinë për idealet –  këta shkrijnë idealet e shkërmoqura për pasurinë përrallore, ata jepnin vizion e shpresë – këta ravijëzojnë ëndërr e të ardhme, ata, tutje, nuk agjitonin askurrë fetë – këta, fatmjerisht, i shpërdorin për resurse pushtetare, po, në fakt, religjioni i tyre i vërtetë është religjioni i arrogancës bestiale të parasë, ata, së mbrami, nuk kishin vokacionin negativ të krahinarizmit provincial – e këta janë, përfundimisht, flamurtarë të paemancipuar të feudëve të tyre politikë.

Rrjedhimisht, ka pësuar mort klinik vetë ideja e lirisë. Dekadenca e saj gërryen e gropos themelet e qenies nacionale. Shteti e kultura janë antagonistë. Kur shteti, e pra dhe fuqia  militare, shtohet, aherë zvetnohet kultura e tij. Ndaj, gjemanët janë mërzitur me shpirtin, sepse shteti gllabëron gjithçka të bukur shpirtërore. A ka libra të mirë në Gjermani? Po, Bizmarku, u thoshte Niçe me qesëndi miqëve të penës jashtë Atdheut! Poashtu dhe ndërsjelltas, kur kultura flakëron, shteti tashmë është i tërhequr në bedenat e vet modest. Kështu mendonte ai, por me sa duket, ka dhe një gjëndje të midisme, si në truallin verior të shqiptarëve: kur të dy bashkë, shteti e kultura, katandisen keq!

2.

Natyrisht, konteksti ka konstelacion e shenjëzim të rinuar. Po dhe trashëgimi të vjetër, poashtu. Shqiptarët, vegjëlia e tyre, kanë bërë tutje ndër vite. Kanë zhvilluar prapë luftëra dhe kanë kapur kurora triumfesh. Por, ndonëse lëvizën më shumë drejt interesit jetik shqiptar në fundshekull, janë gjithnjë sallonet e errëta të rezonit shtetëror, që, tash si atëherë, bëjnë të jetë akoma e trishtuar ëndrra e Burrave të shquar të Lidhjes.

A do arrijë, prandaj, ky samit i lartë guvernash të vete përtej shakullimës zhurmore të tij (Fondi i Luginës, që për dallim nga ai serbian për veriun, e ka të pasigurtë legjitimimin ndërkombëtar, pastaj Arsimi, komplementariteti ekonomik…) apo, s’do të begatojë veçse simbolikën e qytetit kujtestar? Për të pasur një paravlerësim, duhet parë se ç’objektiv është vënë përpara në këtë fillimmijëveçar të ri! Bëhet me dije se aty, në përmbyllje, do të dokumentohet një partneritet strategjik mes dy landesh shqiptare. Rëndësore, pa dyshim. Po a ngjan, ndërkaq, i denjë ky fill për ti dhënë atij përmasën e veçanësisë? Pak vështirë! Pse? Sepse strategjike janë cilësuar, pokështu, dhe raportet me shtetet e turkut e grekut. Madje, me tension emfatik e besim ardhmërie. Ku do të qëndronte, që këtej, përveç përbashkësisë plenare, e ndryshmja e relatave strategjike me Kosovën? Do të donim që prapa termit formal të diplomacisë mbarëshqiptare, të drunjtë e ngurruese, të ngjizet një marrëdhënie speciale si embrion vlere paralajmëtare. Porse, i mësuar me zhgënjimet e të vetëve dhe përbetimet e të huajve, Prizreni s’pret shumë. Ndoshta pritja e tij i përket një kohe tjetër. Një kohe që vjen. Me flijim e heronjë të rinj.

 

R.Kasumaj, Berlin, janar 2014

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Histori, Rexhep Kasumaj, sederholla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4953
  • 4954
  • 4955
  • 4956
  • 4957
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT