• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FILMI, “WALESA:NJERIU I SHPRESËS”

December 13, 2013 by dgreca

 “Pa Zërin e Amerikës unë nuk do të isha njeriu që jam sot” (Lech Valesa)/

Nga Frank Shkreli/

 Thuhet se çdo brez dhe çdo shekull i ka njerëzit e vet të cilët me jetën, me veprat dhe shpesh edhe me vuajtjet e tyre ndryshojnë shoqërinë në të cilën jetojnë, ndërkohë që jehona e veprave të  tyre ndryshon edhe botën.  Njëri prej tyre, Nelson Mandela, që u cilësua si “një gjigand i historisë”, ndërroi jetë ditët e fundit dhe do varroset këtë fund jave.   Një tjetër personalitet i historisë së shekullit të kaluar, vepra dhe guximi i të cilit ndryshuan jo vetëm vendin e tij, Poloninë,  Europën, dhe mund të thuhet edhe mbarë botën — është Lech Walesa, ish-elektricisti polak, themeluesi i sindikatës polake Solidarnost,  njeriu që tundi sistemin komunist anë e mbanë Europës dhe në ish Bashkimin Sovjetik, para se të zgjidhej, më në fund me vota të lira, presidenti i parë  i Polonisë, në vitin1990.  Si fitues i Çmimit Nobel të paqës për rolin paqësor që ai luajti gjatë asaj periudhe, së bashku me një patriot tjetër polak, Papa Gjon Palin e  dytë në rrëzimin e komunizmit në vendin e tij — historia e Lech Walesës njihet mirë tanimë në e mbanë botës.

Lech Walesa, Ronald Reagan dhe Papa Gjon Pali i dytë e kishin kuptuar mirë etjen e njerëzve për liri.  Secili në mënyrë të vet dhe me ardhjen në fuqi të Mikhail Gorbaçovit në Bashkimin Sovjetik, të gjithë së bashku përfshirë protagonistë të tjerë, ndihmuan në shkundjen e themeleve të diktaturës komuniste në Europë, me besimin se në këtë botë ekzistojnë disa të vërteta morale dhe të drejta bazë të cilat bashkojnë të gjithë njerëzit. Ata vepruan me bindjen se të gjithë njerëzit — secili prej nesh –gëzon të drejta të barabarta e themelore të njeriut, të drejta të cilat na i ka falur Perëndia.  Dhe se këto të drejta nuk janë pronë e ndonjë qeverie apo pushteti civil, ushtarak ose të ndonjë diktatori të kësaj bote, për t’u mohuar ose për t’u shkelur sipas rastit e dëshirës, por ato janë, sipas Kushtetutës amerikane, të pamohueshme dhe të patjetërsueshme për të gjithë njerëzit kudo dhe për të gjitha kohërat. Mbrojtja e këtyre të drejtave ka ndihmuar që raca njerëzore të mbijetojë duke i mbështetur ato kundër diktaturave të llojllojshme politike, ideologjike dhe ushtarake të këtij shekulli, përfshirë komunizmin, përball rreziqeve të mëdha.  Lech Walesa, si një elektricist i thjeshtë por i guximshëm gjatë viteve 1980, u përballua me komunizmin e egër ndërkombëtar, i cili i mohonte dhe i shtypte këto të drejta të njeriut popullit të tij, ndërkohë që ai ishte i bindur se këto të drejta themelore bazë për të gjithë njerëzit, përbënin parimet e nevojshme për një jetesë të përbashkët me të drejta të barabarta, në një shoqëri të lirë dhe në një botë të lirë, për të gjithë.

Bota më në fund njohu guximin dhe kurajon e Lech Walesës, ndërkohë që në vitin 1983 i akordohet Çmimi Nobel për Paqë, për përpjekjet e tija në favor të të drejtave dhe lirive njerëzore.  Ndonëse ai nuk shkoi në Oslo për të marrë çmimin Nobel nga frika se autoritetet komuniste polake nuk do e lejonin të këthehej në atdhe, ai dërgon  në vend të tij bashkshorten Danuta e cila lexoi fjalimin në emër të Ualesës, duke përmbledhur filozofinë e tij të thjeshtë në favor të drejtësisë dhe solidaritetit njerëzor dhe kundër shtypjes, duke thënë: “Ne dëshirojmë paqë — dhe kjo është arsyeja që ne nuk kemi përdorur kurrë dhunën fizike.  Ne dëshirojmë megjithë shpirt drejtësinë — dhe kjo është arsyeja se pse ne jemi të vendosur në luftën tonë në mbështetje të të drejtave tona.  Ne kërkojmë lirinë për bindjet dhe mendimet tona, dhe kjo është arsyeja që ne nuk jemi përpjekur kurrë të skllavërojmë ndërgjegjen e njeriut.  Ne respektojmë dinjitetin dhe të drejtat e çdo personi dhe të çdo kombi.  Objektivi për një të ardhme më të mirë për botën, duhet të arrihet nepërmjet një pajtimi të ndershëm të interesave të kundërta e konflitkuale dhe jo nepërmjet urrejtjes dhe gjakderdhjes.  Për të ndjekur këtë rrugë, është e nevojshme pasja e fuqisë morale dhe mbështetja e solidaritetit njerëzor.”   Eventualisht, këmbëngulja ndaj kërkesave të tija dhe të lëvizjes Solidarnost si dhe të disidentëve të tjerë, çoi më në fund në  mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Poloni dhe në vitin 1990, kur ai zgjidhet president i Polonisë me një mandat 5-vjeçar.

Për jetën dhe veprimtarinë e Lech Walesës, janë shkruar shumë libra dhe në gjuhë të ndryshme, përfshirë edhe autobiografinë e tij, “Lufta dhe Triumfi”, por tani regjisori polak i filmave Andrzej Vajda, sipas tij “në përpjekje për të dëshmuar të vërtetën”, i paraqet botës  historinë e Lech Walesës dhe  të Lëvizjes Solidranost me filmin, “Walesa: Njeriu i Shpresës”, që u shfaq javën e kaluar në Uashington,  ku morën pjesë edhe një numër kongresmenësh dhe senatorësh amerikanë.   Filmi, që tani është emëruar për kategorinë e filmit të huaj më të mirë, mbulon një periudhë prej dy dekadash të historisë polake, duke filluar nga trazirat e vitit 1970 në qytetin bregdetar Gdansk, e deri në rrëximin e komunizmit më 1989.  Filmi, “Walesa: Njeriu i Shpresës”, i cili po shfaqet në Europë dhe në Amerikë, përmban edhe pjesë dokumentare origjinale nga jeta e udhëheqsit të Solidarnostit dhe nga ngjarjet e ndryshme ashtu siç kanë ndodhur në Poloni gjatë asaj periudhe.

Filmi paraqet të mirat dhe të këqiat  nga jeta e Lech Walesës, dhe kritikët në përgjithësi janë dakort se, Lech Walesa paraqitet si një individ i cili, megjithë të metat e tij, u përpoq të bënte atë që kishte mundësi si person, përballë jo vetëm vështirsishë të mëdha, por edhe përballë rreziqesh të pa-imagjinueshme për jetën e tij dhe të shokëve të tij.  Vet Lech Walesa, megjithëse sipas medias jo krejt i kënaqur me filmin, ka thenë se regjisori Vajda ka bërë përgjithësisht një punë të mirë, duke i thënë Zërit të Amerikës — me rastin e prezantimit, të filmit “Lech Walesa: Njeriu i Shpresës” në Uashington, se ndonëse regjisori ka bërë një punë të mirë duke e paraqitur atë si një “sindikalist dhe revolucionar të thjeshtë”, ai shtoi se filmi i ri mbi jetën dhe veprimtarinë e tij, në të vërtetë nuk përfshinë disa aspekte të rëndësishme nga jeta e tij. Por, “Jeta ime” shtoi ai, “është plot me ngjarje të ndryshme, dhe si e tillë është e pamundur që të përfshihen të gjitha në një film prej dy orësh.”

Në një intervistë të shkurtër javën e kaluar në Uashington me korrespondenten Vivian Çakarian të Zërit të Amerikës në anglisht, Lech Walesa, presidenti i parë i Polonisë që u zgjodh me vota të lira pas rënjes së komunizimit, theksoi rolin jetik, që sipas tij, ka luajtur Zëri i Amerikës në informimin e popujve nën thundrën e komunizmit gjatë luftës së ftohtë.  Duke pohuar se gjatë asaj periudhe, ai dëgjonte shpesh Zërin e Amerikës, u shpreh se, “Pa Zërin e Amerikës, unë nuk do të isha njeriu që jam sot”, ndërkohë që shtoi se, “Një e treta e fitores tonë i detyrohet Zërit të Amerikës.”

Filed Under: Kulture Tagged With: film, Frank shkreli, njeriu i shpreses, Walesa

VERA QË MARTOHET NË DIMËR

December 12, 2013 by dgreca

-Ose, -SA KUJTIME MË ZGJOI KJO DASËM/

 Vila Barone, 8 dhjetor 2013- Mund të bëhen video shumë interesante edhe per këtë dasëm por këto që kujtoj unë janë vetem në “videon” e ndergjegjes, ose më thjeshtë akoma, janë në kujtesen e dekadave të shkuara që po nuk i shkruam, një ditë (bashk me ne autoret) edhe mund të harrohen! At’herë nuk kishim video por i kishim mendët në kokë, e tash në prag pleqërie, kur fillojne e rrallohen ngapak edhe mendët e kokës regjistrojmë perditë edhe video .(Hahaha… Në dasëm jemi, le të bejmë edhe ndonjë shaka edhe per faktin se fjala e shkruar dhe fotoja nuk konkurohen lehtë. Në fund të fundit,mua me lejohet qe tua mbaj pak anen njerzve të mi dhe zanatit tim/

Nga Zeqir Lushaj/

Nusja Vera Grosh Matoshi, po martohet në dimer por na vjen ashtu siç e ka emrin Verë.Në Vila Barone Manor 737 Ihrogs Neck Expressivay Bronx, New York, ishim në dasmen e kusherires sime, vajzes se Groshit e te Shemsies, zonjes se nderuar Vera Matoshi e cila u martua me djaloshin tiranas Dritanin, djalin e Hamdi e Nadire Memaçi. Dasma si dasma, e aq me shumë në midis të NY, në USA. Ndaj unë krahas per dasmen e cila ishte e nivelit të lartë, dua të percjell tek lexuesit e ZSh-së edhe disa kujtime që më zgjoi kjo dasëm. Mund të bëhen video shumë interesante edhe per këtë dasëm por këto që kujtoj unë janë vetem në “videon” e ndergjegjes, ose më thjeshtë akoma, janë në kujtesen e dekadave të shkuara që po nuk i shkruam, një ditë (bashk me ne autoret) edhe mund të harrohen! At’herë nuk kishim video por i kishim mendët në kokë, e tash në prag pleqërie, kur fillojne e rrallohen ngapak edhe mendët e kokës regjistrojmë perditë edhe video.( Hahaha…E kam fjalen per vete dhe brezin tim. Në dasëm jemi, le të bejmë edhe ndonjë shaka edhe per faktin se fjala e shkruar dhe fotoja nuk konkurohen edhe lehtë. Ne fund të fundit, mua me lejohet qe tua mbaj pak anen njerëzve të mi dhe zanatit tim-

Ah, vallet tona , pambarimisht te bukura e shumë festive…

Çifti i ri, Vera e Dritan Memaçi në ketë vallëzim, si kujtim i papersëritshëm i jetës.

Ne dasem kercejne te gjithe, por ama, kercimi i çiftit eshte me i mireprituri edhe … edhe pse e mbushë dyshemene me dollarë…! Çifti i ri, Vera e Dritan Memaçi në ketë vallëzim, si kujtim i papersëritshëm i jetës.

Te shoqruar me kenget e te mirenjohurit Gezim Nika dhe orkestra e tij tradicionale edhe me tupan, joshem të kercejme edhe ne që nuk ia kemi fort zanat asaj pune.

…Te gjitha rruget te çojnë tek torta. Çifti, (per here të parë publikisht, ushqejne njeri-tjetrin jo veçse me embelsire, plor edhe me pirunin e doren e bashkshortit… Hajde, ju qofte per hajr, – urojnë të gjithë.

Dashuri e embëlsirë e paçi gjithë jeten…

…Sonte po martohet Vera, por ajo nuk e din se ketu e rreth 50 vjetesh më parë une kam qene deveri i nanes se saj, Shemsies (dever quhej ai qe merrte per dore kalin e nuses). E ku pa? Prej në Dragobi e në Gri. Në një ditë vjeshte të vonë, që nuk pushoi shiu gjate gjithe rruges. Por shiu ishte “bereqet’ dhe nusja na erdhi jo veç e mirë por edhe me bereqet. Lindi e rriti me Grosh Matoshin djem e vajza nga ma te miret qe njef fshati i Grise dhe me tej. Vertetë që at’here nuk kishim limuzina por Doria (kali) i shalës i Halil Shiqerit ishte me emer në krejt Krasniqe. Sot djali i Halilit, Zenuni, punon ketu ne USA me limuzinë moderne e merr shume para, por emërin e ka pas me te madh i ati, vellai i Groshit e Sherfiti, Halil Matoshi.

…Mbaj mend shume gjera te bukura nga ajo dasëm e prinderve te Veres qe po martohet sonte, e ku kafet e piqte Ramë Selmani e kapuça kam luajtur deri vone në mes-nate me Avdi Rexhen e me Agë Imerin. Kengetar i dasmes ka qene talenti i asaj kohe Hasan Avdia. At’herë une isha nxenes ne pedagogjiken e Shkodres dhe more leje veç per ate dasem per te cilen Groshi me dergoi telegram, bile te vertetuar nga keshilli popullor i fshatit. E sot, në dasmen e Veres, jam 64 vjeçar, ne prag-pensioni e kam ardhur ketu ne NY, jo fort nga larg, nga NJ-fqinjë.

Si lidhen kujtimet, si lidhen ngjarjet me emrin Jetë!…

Vallet tropojane nuk kane te sosur. E dua te theksoj se kesaj familje i shkojne kaq shumë vallet. Vet Groshi që marton sot vajzen por më shumë edhe vellai i tij Sherifi i paharruar e kanë dashur fort kengen e vallen, fyellin e çifteline dhe kane qene te preferuar ne familjet griçore ne shume gëzime e festa. E po, jane nipat e të famshmit kengetar të Gashit, Murat Alisë se paharruar laurat i disa festivaleve Kombetare të Gjirokastres. Ne kete familje ku jeta ka çarë me veshtiresit e kohes jo pa vuajtje e halle, ashtu si edhe per shume e shume te tjerë, kane munguar shume here e shume gjera deri edhe te domosdoshmet, ama kurr nuk ka mungue çiftelia e fyelli, defi e tupani. Pra, kurr nuk ka munguar hareja e gezimi. Me Groshin e me motren tjeter Zhujen kam edhe aq kujtime te bukura nga vitet e rinise kur kullosnim bagetit ne bjeshken tonë të dashur, në shpellat e Agës në Shtyllë të Grisë.

…Djali i Sherifit bashkë me dy hallat, sot e ndjekin dasmen e kusherires nga Grija, nga kullat e Matosheve poshte plantacionit gjigand të geshtenjave, ballperballë e në kufi me Qytezen e lashtë të Rasujës. Koha e re ka krijuar mundesi te medha komunikimi e nderlidhjeje qe deri vone ishin as te menduara as të para në enderr sidomos në malet tona.

…Per ne emigrantet keto dasma jane edhe me shume se gëzim i zakonshem se po takohemi, shiheni e shmallemi edhe me njeri-tjetrin, me shokë e miq që na kane ndarë jo veç vite por edhe dekada. E lidhjen mes koheve na e bëjnë edhe me mirë sidomos brezi i vjeter i emigranteve qe kane hequr edhe me shume larg atdheut e ne kushtet e informacionit thuajse te pamundur per familjet e te afermit e tyre. Dhe nje shembull tipik eshte edhe vet motra e Groshit, motra Pulë Shiqerja me te cilen kam kenaqesi te ju percjell edhe kete foto më poshtë.

 

Pulë Shiqerja, ma e madhja bijë e familjes së Matosh Lushës

 

Kur u arratis motra Pulë nga Shqipëria në vitin 1949, në Gri linda unë (Z. L.)

Është më e vjetra bijë e Matoshëve të Grisë në USA. At’here motra Pule u arratis, ndersa sot Vera qe po behet nuse eshte shtetase amerikane me krejt familjen e Grosh Matoshit mbi 20 veta djem e vajza, nipa e mbesa. Kohet e reja hapen rrugë e mundesi të reja. Dhe kjo familje jane nje nder shembujt me te mire se si duhet te shfrytezohen keto mundesi me pune te ndershme e sjellje shembullore. Pulë Shiqerja, ma e madhja bijë e krejt familjes së Matosh Lushës. Si per koinçidencë por më pelqen të shkruaj poshtë kesaj fotoje-kujtim se; -Kur u arratis motra Pulë nga Shqipëria në vitin 1949, në Gri linda unë (Z. L.)

…Duke parë Pulen sot, kujtoj edhe motrat e saj te dashura ne Gri qe mosha i ka lodhur jo pak, Zhujen e Fatimen, çikat e nderuara te Shiqer Izlamit. Sot te dyja jane kthyer ne trojet e babes per te ndihmuar njera tjetren e per te qene afer njera tjetrës. Eshte e dalluar kjo familje per dashurine ndaj gjakut te vet, per dashurine ndaj njerezve ne çdo kohe e situate. Jane modeli i mirensjelljes e korrektesisë tash sa breza në katundin e Grisë.

Babai i Pules dhe i Groshit si dhe axha i tyre, Shiqer e Sadri Izlami permenden edhe sot ne krejt zonen per fisnikeri e dashuri njerezore, per unitet familjar e ndershmeri. Atë ju urojme edhe ketyre kusherinjeve, djem e vajza, nipa e mbesa…Te duam njeri tjetrin. Te shkojme mire e te mbajme gjalle shprehjen qe perdoret jo veç ne Gri kur eshte fjala per unitetin e dashurine vellazerore: “Si Sadria e Shiqeri”. E aq me teper kjo lypset sot qe jemi ne dhe’ te huaj, udheve të botes në kerkim të një jete pak më të mirë.

…Sot, 8 Dhjetor eshte rradha e festimeve tek dhenderri, por une si i krahut te bijes (nuses), urimin me kete reportazh modest e nisa heret per revisten ZemraShqiptare ne Londer, pra flas nga dasma e percjelljes se Vera Matoshit… Dhe ndoshta ju mbajta pak si mbrapa ne kohë me kete paralelizem kujtimesh rreth gjysemshekullore por pa ato kohe, ato vuajtje dhe arritje nuk kishim ardhur si duhet deri tek kjo dasem e hareshme e Veres ne NY-USA.

…!

Faleminderit Kushja ime Vera Matoshi (sot e mbrapa Memaçi), që më ftove në dasem, që na kenaqe me një dasem të mrekullueshme, por, faleminderit sidomos qe me zgjove keto kujtime qe shkrova me lart e qe them se e zbukurojne e pasurojne edhe kujtimin tuaj (e neser te femijeve tuaj), per vet jeten e te parve tu e martesen e sotme per te cilen urojme perseri e perseri: “qoftë jetëgjatë”, ose siç thone andej nga Toska “u trashëgofshi per fare!”.

Ndersa ne revisten ZSh, mbetet ky shkrim kujtim si kesaj dasme, ne kompjuterin e kusherires Vera e te familjes Matoshi ne USA, them se do mbetet ky kujtim i derguar ne adrsen e tyre, dje me 7 dhjetor 2013, nga NJ, USA:

URIM PER MARTESË

E DASHUR KUSHE, VERA GROSH MATOSHI

-Të trashëgoheni në lumturi!

-Zoti ju dhashtë shëndet e fat në jetë!

-NJ, USA, 7 Dhjetor 2013-

-Fotot nga: Gëzim Ramë Ymaj-

-Per Gazeten DIELLI, 11  dhjetor 2013-

Filed Under: Komunitet Tagged With: vera qe martohet ne dimer, Zeqir lushaj

Gjuha shqipe në Shqipëri

December 12, 2013 by dgreca

Shkruan: Prof. Dr. Agron F. Fico/Tirane/*

Titulli i shkrimit  dikujt, ndofta, do t’i duket i habitshëm ose edhe i panatyrshëm, por dëshiroj të shpreh thjesht një shqetësim qytetar, një alarm dhe mbi të gjitha një ndërgjegjësim të domosdoshëm për gjendjen e çoroditur të gjuhës shqipe në ditët tona.

 “Mirëseerdhët”, pra me një shqipe të cunguar, shkruar mbi qemerin e portës së hyrjes kryesore të qendrës së re moderne tregtare “Concord Center”, vizitori hyn në sallat plot njerëz dhe mallra nga më të ndryshmet. Ishte dita e dytë dhe tek hyrja kishte radhë, duhej të prisje; kështu gjeta mundësi të flisnim me rojet për këtë gabim drejtshkrimor. Atyre iu duk i pakuptimtë, në mes asaj zallahie të turmës ky meraku ynë i vockël. Hymë brenda dhe, si vizituam disa sektorë mallrash, u ulëm dhe rufisëm nga një filxhan kafe në mes të shtëllungave të tymit. (Ligji për ndalimin e duhanit në mjediset publike është futur në arkivat e buriokracisë administrative). Duke rufisur kafe e duke dialoguar me gruan, edhe ajo është një mësuese e pasionuar e gjuhës shqipe, se cili do të ishte shkrimi i saktë i fjalës në qemerin e ndërtesës, shkrova në një skedë variantet e saktë: Mirë se erdhët!, Mirë se vini! (Shih: “Drejtshkrimi i Gjuhës shqipe”, 1973, f.132, parag.67 B, f). Në dalje të ndërtesës skedën ia dhashë njërit nga rojet. Ai qeshi dhe, si e palosi skedën, e futi në xhepin e pasmë të pantallonave.

Ai ishte në të drejtën e tij, se shkolla nuk ia kishte mësuar drejt dhe saktë rregullat e drejtshkrimit. Ky lokucion pasthirrmor ishte shkruar jo saktë, ashtu siç janë me dhjetëra e dhjetëra tabela institucionesh e dyqanesh, emra rrugësh etj. me gabime gjuhësore. Po edhe këto nuk janë aq shqetësuese para masakrës gjuhësore, që bëhet në seancat e ndryshme të Parlamentit shqiptar. Aty do të dëgjosh  jo vetëm  dialektet dhe nëndialektet e shqipes,por edhe të folmet  e fshatrave dhe lagjeve  të ndryshme  nga qytete  dhe rrethet e Shqipërisë.

Në fjalimet, replikat, dialogjet e mjaft deputetëve kolltullofagë do të dëgjosh, në gojën e tyre të çthurrur e plot broçkolla, se si përlyhet dhe njolloset gjuha e bukur shqipe.

Këta parlamentarë shqip-prishës janë po ata që përdorin edhe më shumë fjalë, ndërtime dhe shprehje gjuhësore të huaja.

 

Masmedia, qoftë ajo e shkruar ose e folur, është më e papërgjegjshmja për thesarin gjuhësor. Gjen ose dëgjon ndërtime, fjalë dhe shprehje larg standartit të gjuhës letrare. Përgjithësisht ka një varfëri të leksikut dhe, rallë tepër rallë, gjen përdorimin e mënyrave habitore, dëshirore, që i japin ngjyrimin shqiptar frazës së shkruar ose të dëgjuar. Mungon dora e redaktorit gjuhësor nëpër gazeta ose programet televizive.

Më e pakëndshme është gjuha shqipe në librat e përkthyer. Edhe pse janë përkthyer e përkthehen shumë tituj nga letërsia e popujve të ndryshëm të botës e ke vështirë të gjesh ndonjë përkthyes të përkushtuar. Dihet se përkthimi është krijim/ punë krijuese. Ne kemi  tradita të pasura në lëmin e përkthimit dhe kemi pasur përkthyes të shquar me Fan Nolin në krye. Po përmendim pak prej tyre si: Skënder Luarasi, Vedat Kokona, Sotir Caci, Enver Fico, Rober Shvarc, etj. Përkthimi i dobët, cilësia e ulët ka qenë dhe është edhe një ndër faktorët e rënies së interesit për librin e huaj dhe shitjes së tij.

 “Gjuha shqipe, ka shkruar gjuhëtari i madh Eqrem Çabej, është tabani i tabaneve të kombit”. Këtej buron edhe nevoja e ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe institucioneve të saj për të mbrojtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe në standartin e shoqërisë demokratike e europiane që po kërkojmë të ndërtojmë. Rol parësor dhe kryesor ka institucioni i shkollës. Është për të ardhur keq që gjuha shqipe është hequr nga plani mësimor i shkollave të mesme. Pra brezi i ri shkollor e shkëputet mjaft herët nga mësimi i gjuhës shqipe. Kjo ndihet qartë edhe në vitet e univeristetit. Është viti i dytë që jap anglisht në Fakultetin e Mjekësisë dhe studentët në fillim të semestrit të parë shfaqin dobësi dhe mungesa në gjuhën shqipe, prandaj u them se “kam ardhur t’ju mësoj gjuhën shqipe, se kështu do ta keni më lehtë të përvetësoni gjuhën e huaj, anglishten.” Përfundimet janë të dukshme në fund të vitiiti mësimor.

Ministria e Arsimit duhet ta rishikojë seriozisht vënien e gjuhës shqipe në shkollat e mesme, të nxisë hartimin e teksteve seriozë dhe të qëndrueshëm për gjuhën shqipe me bashkëpunimin e specialistëve të njohur të gjuhësisë e me mësues me përvojë të ciklit të shkollës së mesme.

Ministria  e Arsimit dhe Sporteve, si dhe shoqëria civile , duhet të alarmohen nga shiftat tronditëse të  rritjes së analfabetizmit. Të mendohet me përgjegjësi dhe në mënyrë krijuese.Krahas masave dhe progrmave shtetërore  mund te kerkohej edhe ndihmesa e arsimtartëve tane, atdhetarë dhe të përkushtuar.

Është ogur i mbarë për gjuhën shqipe që qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorti, që në ditët e para të saj vendosi detyrën e redaktorit gjuhësor në institucionet kryesore. Madje vetë Kryminstri  Edi Rama, ka një përkushtim  e kujdes të veçantë  për gjuhën shqipe.Kjo u pa dhe  ra në sy, siç e vri  në dukje edhe  masmedia,   në  fjalimin dramatik për amët kimike siriane. Dilema hamletiane “Të pranohet apo të mos pranohen armët kimike siriane”, që ishte thelbi i dalogut midis qeverisë, popullit, kombit shqiptar dhe kryemikut, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u shtjellua në një stilistikë gjuhësore në të cilën gërshetohej stili nolian me përdorimin e mënyrës kushtore të së ardhmes dhe sarkazma therëse e Konicës. Qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe bashkëkombasit tanë, kudo që janë, bashkë me vendimin e mundimshëm, por të drejtë e historik, shijuan edhe pamfletin e bukur gjuhësor.

Në fund një sqarim, që të mos shqetësohen si dashamirësit e shkrimit edhe ata jodashamirës. Esenë e shkrova thjesht si qytetar, ose më saktë me përgjegjësinë time qytetare për gjuhën e shtrenjtë dhe të shenjtë shqip e jo si profesionist. Për më tepër, larg qoftë, të hyjë në sferën e Akademisë sonë të Shkencave ose Qendrës së Studimeve Albanologjike, të cilat të lodhura nga heshtja “akademike” rrinë larg sfidave madhore dhe detyrimeve ndaj taksapaguesve shqiptarë. Nuk thanë asnjë fjalë, madje as gjysmë fjale për armët kimike siriane (shih shkrimin tim “Letargjia e Akademisë së Shkencave” tek “Shekulli”, 23 nëntor 2013, f.9). Ndërsa për gjuhën shqipe, një ndër kulmet e diskutimeve të tyre është përcaktimi se cilat fjalë të gjuhës shqipe duhet duhet të shkruhen me “ë” me dy pika dhe cilat fjalë me shronjë të madhe!

Me  më shumë dashuri dhe përkushtim për “gjuhën tonë” shqipe, i dashur lexues, dhe të frymëzuar nga filozofia e Rilindasit të madh, poetit Naim Frashëri për gjuhën shqipe si “gjuhë e mirë, e ëmbël… e bukur e plot vlerë”, dhe ajo do të krenohet me folësit e saj.

Tiranë,  dhjetor 2013

*Falenderojme autorin qe e dergoi artikullin per Diellin

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: gjuha shqipe, ne Shqiperi

Parlamenti Europian voton “Pro” statusit te Shqiperise

December 12, 2013 by dgreca

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur mbështetjen që Parlamenti Europian i dha vendimit të Komisionit Europian per ti dhene Shqiperise statusin e vendit kandidat per anetar te Bashkimit Europian.

Berisha vlerëson se vota e sotme historike në Strasburg ,eshte nje vleresim i madh per suksesin e reformave te medha e te gjithanshme te ndermarra nga Shqiperia vitet e fundit.

“Ky vendim, qe u bllokua vjet nga Edvin Rama duke mos votuar tre ligjet per te cilat ishte rene dakord, deshmon gjithashtu se ky neobllokmen vertete arriti ta bllokoje perkohesisht statusin e vendit kandidat, te shtyje me nje vit kete votim historik, por nuk arriti ta bllokoje ate perfundimisht” shkruan Berisha në fb.

Lideri i demokratëve ka shprehur mirënjohjen edheper grupin e deputetëve të PPE për votimin e rezolutës per Shqiperine. Dhe në fund ai e mbyll me një urim:

“Le te urojme ne se bashku qe me dt 17 dhjetor Keshilli i Ministrave te BE te miratoje statusin e vendit kandidat per Shqiperine!”

PD: Votimi i rezolutës nga PE, vlerësim për përpjekjet tona për integrim

Edhe Partia Demokratike përmes ish-Ministres së Integrimit Majlinda Bregu ka përshëndetur votimin e rezolutës në mbështetje të dhënies së stasusit kandidat për Shqipërinë. Në deklaratën për mediat Bregu tha se Partia Demokratike e konsideron këtë akt të Parlamentit Europian një gur kilometrik në aspiratën tonë kombëtare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane

“Parlamenti Europian me një votim historik i tha po rezolutës që mbështet Shqipërinë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Parlamenti Europian me këtë rezolutë ka njohur përpjekjet e kombit shqiptar, të shoqërisë sonë, të politikës dhe veçanërisht të qeverisjes së 8 viteve të fundit, për arritjen e rezultateve të kërkuara në rrugën jo të lehtë të integrimit europian, duke plotësuar detyrimet e kërkuara nga Komisioni Europian për marrjen e statusit europian në drejtim të 12 prioriteteve në reformimin e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Në rezolutën e miratuar vlerësohet standardi i lartë i zgjedhjeve të fundit dhe tranzicioni i butë politik i realizuar nga Partia Demokratike. Po ashtu, theksohet roli i rëndësishëm që ka dhe duhet të ketë opozita në rrugën e mëtejshme të integrimit evropian të vendit.Partia Demokratike e konsideron këtë akt të Parlamentit Europian një gur kilometrik në aspiratën tonë kombëtare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane.Partia Demokratike falenderon Komisionin Europian për nxitjen që i ka dhënë integrimit të vendit dhe punën e madhe të bërë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare, sidomos në 8 vitet e qeverisjes së PD.Partia Demokratike falenderon europarlamentarët e të gjithë kaheve politike, për impulsin dhe energjinë që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.Rezoluta e Parlamentit europian është një inkurajim për vendin tonë që të ecë më shumë në rrugën e integrimit, dhe është një lajm i mirë për stabilitetin dhe progresin në rajon.Kjo rezolutë është edhe një detyrim i ri për të gjithë ne, veçanërisht për qeverinë shqiptare, që të rrisë përgjegjshmërinë dhe efikasitetin në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe që kërkohen për negociatat, në përputhje edhe me Rezolutën e miratuar unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë” tha Bregu.

Bregu vlerësoi se është një rastësi e bukur që kjo rezolutë miratohet pikërisht sot, me 12 dhjetor, ditëlindjen e Partisë Demokratike, që është në fakt partia e integrimit evropian të Shqipërisë.

Parlamenti Europian “pro” statusit, rezoluta kalon me shumicën e votave në sallë

Parlamenti Europian, i mbledhur në seancë plenare në Strasburg, votoi pro rezolutës për Shqipërinë megjithëse rrëzoi disa amendamente. Rezoluta mbështet dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqiperinë pa humbur kohë.

Në rezolutë vlerësohet progresi i vendit për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, tranzicioni i pushtetit.

Rezoluta bën thirrje për një bashkëpunim të qëndrueshëm midis mazhorancës dhe opozitës, rezultate konkrete të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërtimin e një administrate publike efikase dhe të pavarur dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Votimi i sotëm në Parlamentin Europian është mbështetja e dytë e fortë pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian që i drejtohet Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për akordimin e statusit të kandidatit Shqipërisë në 17 dhjetor.

Filed Under: Featured Tagged With: Parlamenti Europian, Pro sttausit, te Shqiperise

PD mbush 23 vjeç

December 12, 2013 by dgreca

Pas 8 vitesh në pushtet, Partia Demokratike ka festuar 23 vjetorin e themelimit në opozitë dhe pas shumë vitesh me një kryetar të ri.Ditëlindja e demokracisë dhe pluralizmit shqiptar ka mbledhur shumë miq, themelues dhe anëtarë të rinj të PD-së. Nuk mungonin as diplomatë e drejtues të lartë të politikës si ambasadorë të SHBA e BE-së por edhe ish-partnerë e kundërshtarë politikë si Ilir Meta.Ka munguar kreu i qeverisë Rama i cili këtë herë ka qënë i justifikuar me vizitën e tij të njëkohëshme në Itali.

Ndërkohë mbërritja në sallë e ish kreut të Partisë Demokratike , Sali Berisha, është pritur me ovacione nga të pranishmit

Pas një dokumentari të rrugëtimit 23-vjeçar të PD-së, Lulzim Basha, lideri i ri i partisë që solli demokracinë premtoi të ardhme të sigurtë për demokratët. Një parti më të madhe e të hapur për tu rikthyer në vendin që i takon kësaj force.

“PD lindi dhe do të mbetet përjetë forca e lirive dhe e të drejtave të njeriut, forca e zhvillimit dhe e integrimit, ppartia e interesit kombëtar, forca e shpresës dhe integrimit Europian të Shqipërisë. Në vitin e 23 të kësaj partie, kam nderin të kryesoj këtë kremtim, nder të cilin e përjetoj si përgjegjësi dhe të uroj të gjithë anëtarët e PD-së kudo që ndodhen për ditëlindjen e partisë sonë.

Kjo është një ditë për të kujtuar, për të nderuar, për të respektuar themelimin dhe themeluesit, shikojmë përpara dhe përshëndesim të ardhmen.  Duke kaluar përpara syve të mendjes Dhjetorin e përmbysjes së madhe të vitit 1990, me flamurin kombëtar pa yll në duart e njerëzve të çliruar nga robëria, me himnin e plotë kombëtar në koret e gjokseve të tyre, me dy gishtat e fitores ngritur lart, dhe me thirrjet për herë të parë në gjuhën shqipe Liri-Demokraci. Nderimi dhe mirënjohja ime ju drejtohet të gjithë demokratëve, nga i pari tek i fundit, nga më i vjetri tek më i riu”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së nuk ka lënë pa përmendur gjithashtu edhe disa pjestarë të familjes politike të Partisë Demokratike, të cilët janë ndarë nga jeta gjatë kësaj kohe. Basha kujtoi me mirënjohje Azem Hajdarin, prijësin dhe heroin e Lëvizjes studentore, Gramoz Pashkon, liberal-demokratin pa rekselansë dhe themeluesin e orëve të para të PD-së, Pjetër Arbnorin, “Mandelën” e Shqipërisë, simbolin e kurajos dhe urtësisë, Sokol Olldashin, nismëtarin, drejtuesin, deputetin, qeveritarin dhe opozitarin e spikatur.

Por kreu i Partisë Demokratike nuk ka lënë pa përmendur gjithashtu edhe paraardhësin e tij, Ish kreun e PD-së, Sali Berisha, të cilin e ka cilësuar si liderin historik të demokratëve.

“Demokracia shqiptare dhe Sali Berisha janë një binom i pakrahasueshem, demokratët janë krenarë për Berishën që kanë patur një lider të këtyre përmasave.”- theksoi Basha.

Kreu i PD-së, Basha tha se sfida për të hapur një kapitull të ri dhe një histori suksesi të re në PD, është e madhe, por theksoi ai, është sfida e re e PD-së.

“Kjo është sfida jonë e re, për fillimin e ri, ringritjen, ribashkimin, rikthimin si shumicë, dhe në qeverisje me ide të reja. Për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë zonjë mes vendeve si motra.”- tha Basha, duke shtuar se kjo sfidë e re, po merr një përmasë të re, me çesjen e një Kuvendimi të madh të të gjithë anëtarësisë, për çfarë kemi bërë mirë, çfarë nuk kemi bërë mirë, dhe çafrë duhet të bëjmë me hapjen e fuqishmë të PD ndaj brezit të ri.

Ky 23 vjetor e ka gjetur PD në opozitë dhe para sfidave të mëdha përsa i përket riorganizimit të brendshëm të saj pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 23 qershorit.

 

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5014
  • 5015
  • 5016
  • 5017
  • 5018
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT