• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shoqëria shqiptare ka kusuret e veta në formimin e adoleshentëve “

December 5, 2013 by dgreca

…mbasi lexova lajmin e dhimbshëm: Gjimnazisti vret shokun e klasës  në orën e mësimit, & “ rreth ngacmimeve (“bullying at school”)….”/

 Opinion nga Raimonda MOISIU*/

Një nga temat dhe objektivat kryesore në një shoqëri të shëndoshë përkatësisht demokratike, është edukimi i brezit të ardhshëm, kontrolli dhe ndikimi që duhet ushtruar ndaj tyre me startin e adoleshencës, jo vetëm nga prindërit por edhe shoqëria. Kur them shoqëria nënkuptoj, ” mposhtjen e kulturës së dhunës psikologjike dhe për  rizbuluar fuqinë e karakterit dhe ndjeshmërisë”  rreth ngacmimeve (“bullying at school”), që na japin  paraqitjen  në incidente e ndodhi, deri në krime tragjike të tilla si “Gjimnazisti vret shokun e klasës  në orën e mësimit…..” Gjë e trishtuar, tragjike tejet i dhimbshme është ky rast. Problemi është që duhet  kërkuar më thellë në  bashkërendimin e aktivitetit edukues e disiplinor të prindërve me shkollën e mësonjësit e tyre, veçanërisht kur ata janë në shkollën e mesme, dallueshėm për paragjykime kur është fjala për çdo histori me pasoja tragjike e kriminale. Është mosha më delikate që mund të bjerë pre e drogës, krimit, vjedhjes, prostitucionit, jetës së shthurur e fenomeneve të tjera, që ekzistojnë në shoqëritë përgjithësisht të shëndosha demokratike, por që janë të theksuara, të prekshme e të dhimbshme në shoqëritë e brishta të tranzicionit të kalimit nga një sistem në tjetrin, i gjatë e i ngadalshëm, ku ka pabarazi, padrejtësi, ligësi, injorancë, përçmim e indiferencë, dhe ata bëjnë ç’është e mundur për të mbijetuar. Shkolla e mesme është një mikrokozmos, botë e vogël, ku adoleshentët formulojnë vetëkopjen miniaturë të shoqërisë. Duke imituar botën e të rriturve, që së shpejti do të hyjnë, ata mësojnë se sa kritike janë marrëdhëniet ndërvetjake dhe ushtrojnë aftësinë për të ruajtur qëndrueshmërinë sociale. Një problemi i madh qëndron me këtë bashkësi informale, me mungesën e rregullave definitive, por për të shmangur kaosin social, adoleshentët kanë krijuar profilin e tyre. Këto rregulla ndryshojnë nga njëri grupim te tjetri dhe mbështeten nga anëtarët e saj, paçka se mund të jetë disi më i madh në numër nga njëri tjetri, apo një klasë më lart. Adoleshentët shfrytëzojnë çdo gjë, deri te edhe të gjitha llojet e presioneve fizike, simbolike dhe verbale, i detyrojnë bashkëmoshatarët e tyre në përputhje me identitetin e grupit, mbështesin forma të pazhvilluara të organizimit social brenda mureve të shkollave të mesme. Ndikimi mes bashkëmoshatarëve siguron strukturën sociale, formalitet që justifikon mungesën e rregullave, veçanërisht i përhapur në mesin e grupimeve naivë brenda llojit – adoleshentë të cilët kanë kapacitet të pranojnë e njohin nuancat e humorit delikat. Ata janë ekzekutorë fantastikë të dhunës, për shkak se ata kanë formimin dhe intelektin minimal për të krijuar një botë funksionale sociale. Gjithashtu, në anën tjetër, adoleshentët nuk kanë kapacitetin mendor, t’i kushtojnë vëmendje abstraksioneve, mbi të cilat marrëdhëniet ndërvetjake, mbështeten rëndom, ndërsa të rriturit të vetëdijshëm e kuptojnë se konformiteti nuk është esencial për lumturinë e tyre. Të rriturit bëjnë përpjekje të kujdesshme e të matura për të zvogëluar adhurimin që ata dikur kanë pasur për bashkëmoshatarët e tyre të inkriminuar. Natyrisht të gjitha grupmoshat influencojnë dhe janë të ndikuar nga moshatarët e tyre, por papjekuria e adoleshentëve mbetet gjithmonë e shoqëruar më ndërgjegjësimin e tyre akut dhe në varësi ekstreme të lidhjeve shoqërore, fisnore e gjaku, të cilat sigurojnë një “recetë të përsosur”, të një dhune të shfrenuar të grupmoshave, brenda llojit. Ndikimi i shokëve manifestohet në forma të shumta e të ndryshme; inkurajim, kompliment apo edhe më keq duke përdorur dhunën verbale, terrorin psikologjik komplimentues, delire madhështie, duke u hequr si miq që i duan të mirën njëri-tjetrit, forma të tilla bindëse; të ndezin cigare duhani apo hashashi, mënyra si e thithin e nxjerrin tymin, si ndjehen, të shijojnë alkolin apo drogën, duke u shndërruar në autorë të krimeve të ndryshme,deri edhe në vrasës me pagesë, largohen nga shkolla vend e pavend, hajdutë të dhunshëm deri sa edhe vrasin për sherre banale, komplekse këto të karakterit formues dhe trashëgues, fenomen që në shoqërinë shqiptare ka marrë përpjesëtime të frikshme e të dhimbshme. A nuk ishin adoleshentë ata, që në bashkëpunim dhe të mbështetur nga disa më të rritur se ata, vranë taksistin korçar Fredi Tarelli?? A nuk ishte adoleshent ai, që vrau rojen e shkollës së mesme me kaçavidë?? A nuk ishin adoleshentë ata që vranë nënën dhe motrën paradokohësh? A nuk ishte adoleshent, Aldo Hoxha, që vrau Fatbardha Tafën, për një varëse??  Për fat të keq edhe shembujt pozitivë, adoleshentë të edukuar e të sjellshëm, mund të kenë efekte të pafavorshme, veçanërisht ata që kanë një status të caktuar, i bën ata të jenë të nderuar dhe qëndrojnë larg tyre me qëllim për ta ruajtur atë statut. Implikimet e adoleshentit janë në varësi të situatës së krijuar, po ashtu si edhe personalitetit i miku/mikes të ngushtë. Kur adoleshencës i afrohet fundi, atyre u duhet të vendosin se si do të reagojnë më pas, për të dalë nga kjo kohë të paprekur dhe pa shenja. Disa prej tyre heqin dorë përfundimisht e fitojnë individualitetin, duke u bërë pjesë e grupit në identitetin e llojit të tyre. Në fakt duke u bërë pjesë e atij grupi, nuk nënkupton domosdoshmërinë në përputhje me kulturën e përgjithshme adoleshente. Megjithatë, së bashku me të mirat e adoleshentëve, shoqëria përballet me pasojat, luhatjet e vetërespektimit në bazë të pranimit në grup dhe ndjeshmërisë së lartë në sjelljet e tyre të dëmshme e të paligjshme, në të cilën ata do të angazhohen për të ruajtur gjendjen e tyre sociale. Gjithsesi duhet theksuar se veprimtaritë e dobishme për individin dhe shoqërinë, të tilla si; duke fituar rezultate të larta në mësime, apo në baza vullnetare, mund të jenë edhe rezultat i ndikimit pozitiv të bashkëmoshatarëve të tyre. Disa njerëz ndikojnë më lehtë te të tjerët. Adoleshentët i japin rëndësi jetës së tyre shoqërore, sepse marrëdhëniet mes tyre janë pjesa integrale dhe kryesore, duke mos përmendur këtu epërsinë e fatit të tyre. Miqtë janë bota e tyre, në thelb, dhe papranuar identitetin e tyre, ata janë të humbur. Adoleshentët formojnë identitetin e tyre mbi formën e miqësisë, të cilat arrijnë nivelet e intimitetit të pashembullt dhe jo paralel, nga ato të formuara gjatë një faze tjetër të jetës, dhe për këtë arsye janë çështje të ndjeshme dhe tejet delikate. Njerëzit që vuajnë nga formimi i ulët, grinden e urrejnë vetveten, mungesa adekuate e ngrohtësisë familjare, prindërve, kërkojnë miratimin dhe integrimin në mesin e këtyre grupeve të shoqërisë. Ky fenomen ka një shpjegim, pse ata tregojnë më shumë dashuri për miqtë e shokët se sa për familjen e tyre, ndërsa shokët e tyre më të rritur këtë nuk e bëjnë. Megjithë shkallën e ndikimit, padyshim shokët influencojnë ndaj njëri-tjetrit, dhe janë të rëndësishme në zhvillimin e identiteteve të tyre. Kjo është mënyra e evolucionit që fëmijët e shohin atë si një lidhje me njëri –tjetrin, të aftë që të mbijetojnë. Identifikimi me grupin e shokëve që ata i përkasin dhe jo me identifikimin e prindërve të tyre është çelësi për mbijetesën e tyre. Kjo perspektivë shkencore hedh dritë të re mbi idenë e gabuar se psikologjia e individit është faktori kryesor në lojë dhe mund të interpretohet si mbështetje për fenomenin, d.m.th. ndikimin e palëve në grup. Individualizmi dhe mospërshtatja është e keqja më e madhe e presionit të grupit, qëllimi i të cilit është pajtimi universal, pengon marrëveshjen e vet në idenë e utopisë adoleshente, e ngjashme ose të paktën e paparashikueshme, pasi ata janë vendosur në rolet e tyre sociale. Të jashtmit, – adoleshentët që janë jashtë shkollave të mesme, kërcënojnë rendin shoqëror, me vetëdije përballen me ndëshkimin dhe izolimin e tyre, shndërrohen viktima të flakura nga shoqëria, mbajnë personalitetin e tyre të vërtetë dhe mësojnë të nxitur nga momentet kritike, fitojnë pavarësinë nga autonomia e llojit brenda grupit, vetëmbështetjen, dy cilësi këto; maturohen dhe rriten para kohe. Kur adoleshentët largohen nga sfera e shkollës së mesme, ata i varin shpresat në udhëzimet e shokëve të tyre, për të ndrequr sjelljen e tyre në shoqëri. Komunikimi lirishëm me fjalë e nofka banale, replikat verbale, janë mënyrat kryesore që përcjellin miratimin apo refuzimin, aprovimin apo kundërshtimin, që qëndrojnë jashtë kontestit origjinal të kuptimit të tyre, por bëhen pjesë e kulturës së tyre brenda grupi. Një prej këtyre fjalëve apo shprehjeve është “Vari…..etj”, që nënkupton apatinë dhe indiferencën, dhe adoleshentët i përdorin ato në favor të tyre gjatë konteksteve të veçanta. ”Vari…etj”, apo “varja” është ndërhyrja indirekte dhe padëshirë ndaj argumentit e për pavlefshmërinë e argumentit të tij/saj dhe se i duhet dhënë fund diskutimit. Biles adoleshentët duke kopjuar nga më të rriturit arrijnë deri aty sa t’i thërrasin njëri tjetrit me nofka, me ngjyresa të rënda p.sh. emrat e organeve gjenitale, -duke e përjashtuar përdorimin e tyre origjinal. Më duhet të  theksoj se në shoqërinë tonë ngacmimi (bullying) i parë   vjen  me zhargonin banal, “e shara”  me libër shtëpie,  vecmas  për motrën apo nënën,  si një e lëshuar në majë  të gjuhës, në rrugë, ambiente publike, shkollë apo ambiente familjare, që padyshim vuajnë nga një kompleks inferioriteti. Mund të ketë shpjegime por jo justifikime. Janë llojet e pohimeve dramatike  që e cojnë  drejt aktit  dramatik, është sulmi  fizik, është akti që shkakton  lëndime fizike, deri  në vrasje .Fjalë të tilla nxitin dhunë verbale te bashkëmoshatarët brenda llojit. Ata mendojnë së duke e thirrur shokun apo shoqen me epitete të tilla, mendojnë se shprehin dashuri, përzemërsi, afrimitet. Por këto dërdëllisje shërbejnë për të demonstruar pajtueshmërinë gjuhësore në qarqet e duhura sociale dhe për t’i treguar se po sillet çuditshëm e pamend. Prindërit dhe mësonjësit në këtë aspekt duhet t’u tërheqin vëmendjen për të ndryshuar, tu paraqiten argumentet e pasojat, si deri në largim nga shkolla apo izolim. Ajo ç’ka unë dua të theksoj, edhe shoqëria shqiptare ka kusuret e veta në formimin e adoleshentëve. Ngacmimi (Bullying) cfaqet në forma nga më të rafinuarat, deri në më të frikëshmet, që përmendëm më lart. Cfaqet pra, edhe duke buzëqeshur, sic shfaqen në mes të rrugës lypsarët.Cfaqet në fytyrën e atij politikani, që për hir të kolltukut, të egos për pushtet, kapërdin fyerjet dhe poshtërimet prej bajraktari të shefit të tij, apo anasjelltas.Cfaqet në gjuhën e urrejtjes së politikanëve, teksa flasin nga ekranet TV-ve. Emisionet televizive politike, por edhe institucionet shtetërore sikundër Kuvendi i Shqipërisë është bërë disa herë  arenë e gjuhës së urrejtjes , zhargonit bulevardesk  dhe  në gjendje të alkolizuar, duke u shprehur pa etikë respekti e kulture, vecmas  deputët mes vedit. Por ky është një problem më i komplikuar se kaq, është  ndikimi negativ i gjuhës së urrejtjes, natyra e saj abstrakte; është çrrënjosja e harmonisë, mirësisë, tolerancës e dashurisë, se si ata i drejtojmë në rrugën e adoleshencës, duke lënë vragën e urrejtjes në formimin e tyre, pasojë që do të ndjehet kur ata të rriten.Është koha për të lëvizur nga grija në të zezë dhe të bardhë , e drejtë dhe e gabuar . Të përpiqemi , t’ju  mësojmë dhe edukojmë  fëmijëve tanë ndjeshmërinë, respektin dhe përgjegjësinë për veprimet e tyre. T’i bindim ata se  janë përgjegjës për to. Busulla  morale dhe edukimi i adoleshentëve  duhet   të përballet me pasojat , që ata të mos mendojnë  se askush nuk kujdeset sa duhet për të ndaluar aktivitetin e tyre ,- është akti dhe qëllimi që penalizohet  nga ligji.Për ta materializuar këtë mendim, sot më shumë se kurrë shoqëria shqiptare duhet të ndikojë pozitivisht, të reduktojë zhargonin bulevardesk, gjuhën e urrejtjes në sallat e Kuvendit, në studiot televizive, në fushata elektorale, të heqin dorë nga kjo “luftë klasash” e tipi (bullying) tejet e vështirë por e papranueshme për një shoqëri demokratike, të gjejnë forma dhe metodat verbale dhe gjuhën simbolike të mirëkuptimit njerëzor e jetësor, t’i bëjnë të prekshme, për promovimin e produktivitetit e moralit njerëzor e social, të jemi shembulli model që të mos e “vrasim” të ardhmen e atdheut e mos të na mallkojë historia.

Raimonda MOISIU

Shkrimtare & Publiciste

SHBA 

Filed Under: Opinion Tagged With: adoleshentet, Raimonda Moisiu, shoqeria shqiptare

Tema e dosjeve dhe patrioti i Serbisë Esat Pashë Toptani

December 5, 2013 by dgreca

Shkruan: Skender BLAKAJ/

Kërkesa e logjikshme e Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, zotit Barack Obama, për mendim të shërbimeve inteligjente për kandidatët për titullarë shteti a nuk na kthen te historia e qeverive tona që nga Vlora e deri në ditët e tashme, dhe te tema e dosjeve, e pëshpëritur dhe e bërtitur aq shpesh, por e ngelur në vend. Në mos nga frika e vetë krerëve të shtetit që të futen nëpër rëntgen të tillë. Ndërtimi i institucioneve shtetërore të pandikuara nga njerëz të agjenturave të huaja, është kërkesë elementare. Ose shteti bëhet si kali që e ushqejmë vetë dhe i hipin të tjerët. Shembulli më tipik në historinë tonë sigurisht që është Esat Pashë Toptani, i cilësuar gjithnjë si sinonim i tradhtarit të kombit të vet, por që aq shpesh ishte ministër, dyfish ministër e guvernator Shqipërie, i pranuar edhe nga forcat e huaja. Këto ditë lexova shkrimin e gjatë të një historiani serb për Esat Pashën, bazuar në dokumente me burim nga qeveritë serbe me të cilat ishte aq i lidhur pashai toptanas. Normalisht që shkrimi tenton ta nxjerrë pashain si njeri me vizion, i cili e ka preferuar më shumë bashkëpunimin me Serbinë, qoftë edhe duke bërë “disa” lëshime territoriale, që gjoja shteti i tij të mos ishte instrument i huaj, sidomos i Austro-Hungarisë. Komandant në Shkodër, mbas rrethimit serbo-malazez, dhe përkundër mbrojtjes heroike të banorëve dhe të garnizonit të gjeneralit turk Hasan Riza Pasha, E. P. Toptani e vret pashain turk, e dorëzon qytetin e Shkodrës dhe me ushtarët e vet tërhiqet prej aty. Kjo ishte tradhti aq e gjykuar ashpër në opinionin shqiptar, por njësoj, ky në shtator të vitit 1913, në Durrës, shpallet guvernator i Shqipërisë. Lidhjet me Serbinë i forcon edhe më shumë përmes diplomatit të saj në Durrës. Në fillim të vitit tjetër imponohet në krye të delegacionit që ia dorëzon kurorën e Shqipërisë princ Vidit në Gjermani. Në qeverinë e Vidit, figura qendrore, ministër i Ushtrisë dhe ministër i Brendshëm, bëhet pikërisht vegla e Serbisë, E.P. Toptani. Në marrëveshjen me Nikolla Pashiqin në Nish, kishte pranuar dogana, ushtri,  institucione e deri edhe union të përbashkët me Serbinë, me kusht që ushtria serbe ta mbrojë personin e tij sa herë t’i rrezikohet pozita politike në vend. E kishte marrë obligim edhe mbrojtjen e “Serbisë” së zgjeruar, nga “rebelët”  shqiptarë. Kur ndodhin lëvizjet kryengritëse antiserbe në veri të Shqipërisë, Esat Pasha shpejt e njofton qeverinë serbe se po niset me forcat e veta kundër fiseve katolike, se do ta mposhtë Shkodrën dhe se do t’i burgosë krerët e Kosovës, Isa Boletinin, Bajram Currin e Hasan Prishtinën, që të mos i bëjnë telashe Serbisë në ato vise. Gjatë luftërave ballkanike, Serbia e merr veriun dhe Shqipërinë e mesme dhe e mbron “sundimin” e Esat Pashës në Durrës e rrethinë. Plasja e Luftës së Parë Botërore e përmbys situatën. Kur Austro-Hungaria i vërsulet Serbisë, mbasi serbët vrasin Franc Ferdinandin, qeveria serbe, përfshirë edhe mbretin, tërhiqen nëpër Shqipëri drejt detit tek anijet e aleatëve. Në dimrin e 1915/16, në këtë rrugë nisen 220.000 ushtarë dhe në Korfuz arrijnë nja 139.750, kurse nga turma prej nja 200.000 të ikurish serbë para ushtrisë A/H, arrijnë vetëm nja 60.000. Çfarë kishin pësuar shqiptarët nga kjo turmë e egër dhe e uritur, vështirë të përmblidhet këtu. Autori serb thotë që humbjet do të ishin shumë më të mëdha sikur të mos i mbronte e të mos i ndihmonte gjatë rrugës E. P. Toptani me njësitë e tij. Kur ushtria serbe kalon në frontin e Selanikut edhe ky i bashkëngjitet me 1000 ushtarë dhe mbas bisedave me mbretin serb aty dhe me N. Pashiqin në Nish, merr obligimet për vete, po edhe premtimet e tyre për postin e tij pas luftës. Ndër obligimet ishte edhe përzierja e ushtarëve të tij me ushtrinë e me uniformat serbe në luftë kundër “rebelëve” shqiptarë në Kosovë. Në prag të Konferencës së Paqes në Paris, i shkruan kryetarit të SHBA-së, Vudrou Uillson se vetëm shteti jugosllav mund ta garantojë integritetin dhe pavarësinë e vendit të tij, Shqipërisë. Delegacionin e jugosllavëve në Paris e kryesonte N.Pashiqi, dhe Esati “ynë” kishte vajtur pranë padronit të vet “të mbronte” Shqipërinë si e donin serbët. Më 13 qershor të vitit 1920, studenti dhe patrioti shqiptar Avni Rrustemi e vret para hotelit “Kontinental”. Interesant është po ashtu përfundimi i këtij shkrimi: me nderimet më të larta ushtarake, Esat Pasha u varros në varrezat “Tje” afër Parisit, bashkë me ushtarët serbë.

Ku e la E. P. Toptani lidhjen me Beogradin, e vazhdoi Ahmet Beg Zogu, dhe nga luksi i hoteleve të atjeshme, serbët e instaluan në pushtet në Tiranë më 1924. Nolin e ithtarët e tij Zogu i dëboi e i vrau ku i gjeti.

Pjesa më e tmerrshme e këtij rrëfimi është vazhdimi i marrëdhënieve edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore e mbas saj, pothuajse me të njëjtin nënshtrim shqiptar e me të njëjtat kërkesa jugosllave. Beogradi ndërron taktikë, dërgon mugoshët e popoviqët që ta instruktojnë një parti e një ushtri e jo vetëm ndonjë toptan a zogoll. Partizanët e Shqipërisë, bashkë me ata të Kosovës e të Serbisë, mbi bazën e premtimeve vëllazëruese, dhe të konfederatës ballkanike, egërsisht bënë spastrimin e nacionalistëve dhe të antikomunistëve shqiptarë në Kosovë. Pastaj vazhduan sundimin e gjatë komunist, këndej e andej kufirit. Viktimat e atij sundimi ishin me mijëra. Në viset shqiptare në Jugosllavi ndodhën në kohën e miqësisë më të madhe të Tiranës me Beogradin, të Enverit me Titon. Prijës të lëvizjes antikomuniste e antiserbe, të NDSH-së sidomos, u dënuan e likuiduan barbarisht. Një numër, shpëtimin e kërkonin kryesisht nëpër Greqi. Që Shqipëria të mos bëhej leckë në prapanicën e Beogradit, e shpëtoi prishja Tito-Stalin. Shqiptarët mbetën robër të ideologjisë andej e robër të dyfishtë në Jugosllavi, me një grusht veglash qorre të Beogradit. Pas skëterrës njëqindvjeçare nën Serbinë, Kosova doli, u bë shtet dhe krerët e saj e prishen gjumin dhe duhet ta mbrojnë Kosoven shtet. Komunistët e egjër tash mund të jenë vetëm dëshmitarë të thinjur të krimeve, po dishepujt e tyre vetëm hapja e plotë e dosjeve mund t’i nxjerrë toptan si minjtë nga talla e pushtetit ku po struken.

Filed Under: Analiza Tagged With: Esat toptani, patrioti i Serbise, Skender Blakaj, tema e dosjeve

BASHKOHUNI ME NE – JO NË AMBASADA E KONSULLATA NJERËZ ME LIDHJE ME DIKTATURËN

December 4, 2013 by dgreca

(Lista është në përditësim të vazhdueshëm)/

Nëse jeni pro, ju lutem, bashkohuni me ne/

Pas Letrës të Hapur drejtuar Presidentit të Republikës, po i drejtohem të gjithë shqiptarëve kudo ku frymojnë, në shtetin amë, diasporë dhe gjithë hapësirën kombëtare që të refuzojmë sjelljen në përfaqësitë diplomatike, Ambasadat dhe konsullatat e Shqipërisë në Europë dhe botë figura me lidhje gjaku me nomenklaturën diktatoriale.

Nëse jeni pro, ju lutem, bashkohuni me ne.

Deri tani kanë pranuar:

Elida Buçpapaj, poeteshë, botuese
Skënder Buçpapaj, shkrimtar, botues
Edlira Dedja, artiste, pedagoge, politikane, Zvicër
Rita Saliu, Humaniste, poete, veprimtare e të drejtave të njeriut, SHBA-Kosovë
Prof.Dr. Romeo Gurakuqi, Europian University of Tirana, Tiranë, Shqipëri
Isabela Çoçoli, gazetare pranë Zërit të Amerikës, Washington D.C.
Shenida Bilalli, regjizore televizive, dokumentariste, gazetare në Televizionin publik të Kroacisë
Rezart Jasa, gazetar, Paris, Francë
Domenika Dodaj,kordinatore për projektin Leonardo da Vinci në bashkpunim me Universitetin e Bielefeldit, Gjermani
Agim Gashi, poet, këngëtar, veprimtar, Gjermani-Kosovë
Mimoza Nazarko, Artiste, Zvicër
Shpresa Toptani, Vjenë, Austri
Jeronim Cetta, Zvicër
Fahri Xharra, historian, publicist, Kosovë
Sabit Gecaj, poet, gazetar, Zvicër
Suzana Arbnori, mësuese, bashkëshortja e Pjetër Arbnorit, Tiranë
Aishe Mulliqi Gashi, Shqipëri
Sandra Papa, inxhiniere, Boston, Amerikë
Eri Koliqi Gajtani, artiste, piktore, Tiranë
Eneida Koraqe, artiste, balerinë, Itali
Zamir Faja, Berlin, Gjermani
Dritan Gani, Turqi
Eduarard M.Dilo, SHBA
Robert Qafzezi, Artist, Paris, Francë
Lekë Zef Pepkolaj, Shqipëri
Dasha Gusho, Shqipëri
Rezarta Gina Kastrati
Fatmire Nallbani, Zvicër
Ajtanga Lubonja, gazetare dhe e përndjekur politike
Lumturi Aliaj, SHBA
Nimete Vokopola, Gjermani
Futura I. Kola, Shqipëri
Mirjan Daci, Strasburg, Francë
Arif Molliqi, shkrimtar, Kosovë, Gjermani
Merita Bajraktari – McCormack, gazetare, veprimtare e Vatrës, Virxhina, SHBA
Xhesika Malo, Vlorë, Shqipëri
Zamira Bushati, Tiranë
Mariza Xoxa, Tiranë
Semiha Bruci Gorenca, Tiranë
Hyra Hasangjekaj, Gilan, Kosovë
Emil Asdurian, neurokirug, Nju Jork, SHBA
Artur Vrekaj, poet, publicist, SHBA
Petrit Kuçana, gazetar, Britani
Dr. Gjon Bucaj-Kryetar i Vatres= New York, Dalip Greca, publicist, botues i Diellit, SHBA
Feim Kurhasani, gazetar, Kosovë
Raimonda Moisiu, gazetare, publiciste, SHBA
Shpresa Demolli, veprimtare, Zvicër
Brikena Smajli
Fetah Salihu
Qemal Rexha
Veronika Dedushi
Myrvete Rudi
Leon Mirakaj
Përparim Mulosmani
Ardi Rasha
Hyra Hasangjekaj
Musa Osmani, Zvicër
Reshat Murati, Pejë, Kosovë
Afrim Ademi, Kosovë, Suedi
Flutura Zavalina, president “NEW LIFE” JETA E RE, AACO NY, USA PUBLISHER IN OUR WORD NY,USA
Arjan Kalaja, Tiranë, Shqipëri
Sinan Kërpaçi, poet, përkthyes, Tiranë, Shqipëri
Alisetar Ramadani, Zvicër
Laureta Petoshati, shkrimtare, Vlorë, Shqipëri
Simon Mirakaj, i përndjekur politik, Tiranë, Shqipëri
Viktor Martini, i përndjekur politik, SHBA
Arjan Kalaja, Avokat, Shkodër, Shqipëri
SAKO SATKA, Ohio, SHBA
Jozefina Traboini, juriste, Shkodër, Shqipëri
Prof.Dr. Vlera Ejupi, Ligjëruese në UEJL, Tetovë, Maqedoni
Syle Dobroshi, veprimtar, Kosovë-Gjermani
Violeta Gjoka, gazetare
Marjan Dodaj, Kosovë
Prof.Shaban Topalli, Salzburg, Austri
Donika Vokopola-Pojani, Tennessee, SHBA
Elmira Muja, gazetare, Nju Jork
Ilir Seci, gazetar, Nju Jork
Marie Gusho, e bija e poetit të shquar Lasgush Poradeci
Rexh Kelmendi, albanolog, Universiteti Iliria, Prishtinë
Besire Cena, ligjëruese, Universiteti i Prishtinës
Bardha S. Azari, gazetare, Gjermani
Doloresa Kroi, mësuese, Ontario, Kanada
Eva Idrizllari, moderatore televizioni, gazetare, Tiranë, Shqipëri
Mentor Thaqi, shkrimtar, Gjermani
Dibran Idriz Gashi, inxhinier elektrik, Prishtinë
Engjëllushe Papa, Greqi
Çerçiz Loloçi, shkrimtar, gazetar, Tiranë, Shqipëri
Riza Ademi, Shkodër, Shqipëri
Berat Shaqiri, mësues, Kosovë
Naser Rugova, politikan, Kosovë
Ermira Zyrakja, pianiste, Gjenevë, Zvicër
Rexhep Shahu, shkrimtar, Tiranë
Rubena Maçi, studente, Itali
Dode Progni, Tiranë, Shqipëri
Man Hoti, Zvicër
Fedra Blido, pianiste, drejtore shkolle muzike, Gjermani
Merita Trimçev, ekonomiste, Tiranë, Shqipëri, Tonin Mirakaj- Ish N/Kryetar i Vatres,  ish Kryetar i Kshillit te Kishes Zoja e Shkodres,ne N.Y., Viktor Daragjati-SHBA,

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Elida Buçpapaj, Letra per Nishanin

PROTESTUESIT UKRAINAS: PO EUROPËS, JO RUSISË

December 4, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Për disa javë tani me mijëra demonstrues në kryeqytetin Kiev të Ukrainës dhe në qytete të tjera të atij vendi, po protestojnë kundër vendimit të qeverisë së tyre për të mos nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme ekonomiko-tregtare me Bashkimin Europian (BE).  Demonstruesit valvitin flamujt të Ukrainës dhe hedhin parulla pro-perëndimore, duke treguar haptas mbështetjen e tyre për një bashkim më të ngushtë të vedit të tyre me Europën.   Ndonëse refuzimi i qeverisë ukrainase për të nënshkruar marrveshjen me BE-në është një goditje e rëndë ndaj shanseve të kësaj republike ish-sovjetike për të bërë anëtare e BE-së, protestuesit tani kërkojnë edhe dorëheqjen e qeverisë, sepse sipas tyre, ajo iu nënshtrua presionit politik dhe ekonomik të ushtruar nga Rusia, për të mos nënshkruar marrveshjen me Bashkimin Europian.  Ndërkohë, qeveria e Kievit ka njoftuar se ka rifilluar bisedimet me Bjellorusinë dhe Kazakstanin për një marrveshje tregtare me to, vende këto që janë anëtare të një tregu ekonomik e tregtar që kryesohet nga Rusia, ashtu siç janë edhe disa vende të tjera ish-sovjetike.  Ky bashkim tregtar, midis Moskës dhe ish-republikave sovjetike, në të vërtetë, i përngjanë deri diku një ”bashkimi europian” të lindjes nën kontrollin e Moskës.   Analistët thonë se presioni i Moskës ndaj Ukrainës për të mos nënshkruar marrveshjen me Bashkimin Europian, është një përpjekje e presidentit rus Vladimir Putin, për të rikrijuar ish-Bashkimin Sovjetik, gjeografikisht, politikisht dhe ekonomikisht — gjë që mund të përfundonte në një luftë të ftohtë të re.  Në mos në një luftë të ftohtë, atëherë një një luftë të re ekonomike, që mund të përfundonte në një ndarje të re të Europës, midis lindjes dhe perëndimit.

Si ish-agjent i policisë së fshehtë sovjetike KGB, Putini e shikon Ukrainën si edhe të gjitha shtetet që dikur ishin pjesë e perandorisë komuniste sovjetike, si copa territoresh të perandorisë së vjetër ruse që i takojnë asaj dhe pa të cilat Kremlini nuk mund të vazhdojë së funksionuari.  Është e qartë se Ukraina gjëndet në prak të vendimeve historike për të ardhmen e saj, por njëkohsisht mund të thuhet se edhe mund të ketë ndikim të dukshëm edhe për të ardhmen e Europës.  Bashkimi Europian i ofron Ukrainës, e cila vuan nga një ekonomi e shkatërruar post-komuniste, tregje të pasura si dhe fonde financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që edhe Rusia i ofron asaj përfitime të njëjta.  Putini i bën presion Kievit haptas për të mos iu bashkuar Europës, pasi Ukraina ka një popullësi të madhe ruse, në radhët e të cilëve Kremlini gëzon përkrahje dhe ushtron influence të konsiderueshme.  Por analistët perëndimorë janë dakort se nëqoftse Ukraina nuk bëhet anëtare e Bashkimit Europian, ajo gradualisht do humbasë pavarësinë dhe sovranitetin e politik dhe ekonomik dhe do të jetë në mëshirën e regjimit të Vladimir Putinit.

Republikat e ish-Bashkimit Sovjetik, për më shumë se dy dekada tani, kanë gëzuar pavarësinë dhe sovranitetin shtetëror duke zhvilluar  marrëdhënje politike dhe ekonomike bazuar në interesat e tyre kombëtare me vende të ndryshme të botës, por Kremlini nën udhëheqjen e Putinit ka bërë ç’mos për t’i penguar këto vende që të integrohen në Europë, madje duke përdorur edhe kërcënime e shantazhe ekonomike dhe ushtarake, siç është kërcënimi për të prerë furnizimet ruse me gas për ngrohje gjatë stinës së dimërit.

Ndërkohë që vihet re një intensifikim i protestave dhe si rrjedhim edhe i dhunës së egër policore kundër demonstruesve paqësorë, zyrtarët amerikanë dhe euorpianë i kanë bërë thirrje qeverisë së Ukrainës, që sipas Sekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kerri, të “dëgjojë zërat e popullit ukrainas, i cili dëshiron të jetojë në liri, me mundësi ekonomike dhe në begati”.  Por edhe në mbështetje të kërkesave të protestuesve anë e mbanë Ukrainës, kryediplomati amerikan u shpreh  për gazetarët në Bruksel se, “ne qendrojmë pranë shumicës dërmuese të ukrainasve, të cilët e shohin të ardhmen e vendit të tyre në Bashkimin Europian”. Në këtë ndërkohë  ministrat e jashtëm të Natos nepërmjet një deklarate, dënuan përdorimin e forcës së tepruar nga forcat policore të Ukrainës.  Ndërsa Kryetari i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso tha në fillim të javës se Bashkimi Europian është gati të nënshkruaj marrveshjen me Ukrainën.

I shpejtë ishte edhe reagimi i Kongresit amerikan ndaj  dhunës së përdorur nga policia ukrainase kundër demonstruesve paqësorë. Nepërmjet një deklarate të Komisionit të Helsinkit të Kongresit të Mërkurën,  kryetari i këtj Komisioni, Senatori Benjamin Cardin, i shtetit Mariland, u shpreh se ishte shumë i shqetësuar për dhunën e ditëve të fundit në rrugët dhe sheshet e Kievit. “Brutaliteti i përdorur nga policia për të shpërndarë protestuesit paqësorë dhe rrahja e dyzina gazetarëve, përbëjnë shkelje serioze nga Ukraina, të angazhimeve të saj në mbështetje të lirisë së fjalës dhe të tubimeve paqësore.”  Senatori Cardin shprehu gjithashtu shqetësimin e tij në lidhje me lajmet që flasin për zhdukjen e më shumë se një     dyzinë protestsuesish, fati i të cilëve nuk dihet.

Cili do të jetë vendimi eventual i Ukrainës për antarësim dhe integrim në Europë, dhe sido që ta shikosh këtë vendim — pro-ose kundër — i një vendi prej 45-milionë banorësh do të jetë një pikëkëthesë për agjenën integruese të Bashkimit Europian, për marrëdhënjet e Europës dhe të Perëndimit në përgjithësi me Rusinë, si dhe për zhvillimin politik dhe ekonomik të vendeve të rajonit, por edhe të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të tyre kombëtar.

Ukraina, si dhe çdo shtet tjetër, përfshirë edhe ish-republikat e tjera sovjetike, kanë të drejtën e vet që të zgjedhin dhe të përacktojnë rrugën e vet të zhvillimit dhe të asociimit me cilindo shtet ose grup shtetesh, pa presion dhe ndërhyrje nga jashtë, të llojit të luftës së ftohtë të periudhës komuniste.  Siç ka thënë para pak kohe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, “Lufta e Ftohtë duhej të kishte marrë fund për të gjithë”, por jo siç duket për ish-agjentin e KGB-së sovjetike, presidentin rus, Vladimir Putin.

Ne Foto: Protestues ukrainas në Kiev duke kërkuar afarimin e vendit të tyre me Europën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Jo Rusise, Po Europes, Protestat ne Ukraine

“Jetë të Riciklueshme” fitoi çmimin Dokumentari Më i Mirë në New York

December 4, 2013 by dgreca

Nga: Ermira Babamusta, New York/

Filmi i shkurtër “Jetë të Riciklueshme” me natyrë artistike portret – dokumentar realizuar nga Blerina Goce u shfaq në festivalin “Young Albanian Filmmakers Festival” në New York. Festivali, organizuar me sukses nga Bujar Alimani u mbajt në Manhattan, tek Producers Club në datat 29 nëntor – 1 dhjetor. Dokumentari cek temë sociale dhe rrezikun me të cilin përballet një familje dhe lagje në Shqipëri nga ndotja dhe mbeturinat në ambient.

“Shqipëria, është para një momenti të madh që hap sipas meje një epokë të re në historinë tonë, atë të europianizimit. Filmi dokumentar normalisht ka shumë për të reflektuar dhe adresuar këto probleme të zhvillimit. Shpresoj që institucionet e filmit në Shqipëri të zgjohen dhe të jenë në një hap me kinemanë shqiptare. Në fund të fundit shpresoj që të gjithë të kemi mundësinë dhe mbështetjen për të bërë filma qoftë dhe duke ngjallur debatin publik për çështje që shqetësojnë realisht shoqërinë tonë,” u shpreh Blerina Goce.

 “Shoqëria shqiptare  vitet e fundit po përballet me problemet mjedisore që sa vijnë e bëhen më të mprehta. Prej kohësh po kerkoja të gjeja mjetin më të mirë për të shprehur pikërisht disa shqetësime të miat dhe jo vetëm. Mundësia mu krijua me uorkshopin për kineastë të rinj të organizuar nga Akademia “Varaan” dhe Televizioni Francez Arte, në ambientet e Akademisë “Marubi” me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Unë, pasi fitova konkursin dhe m’u miratua projekti, m’u desh të përballesha jo vetëm me vështirësitë e natyrshme të trajtimit të kësaj teme, por edhe me pengesa të shumta per të cilat mu desh t’i drejtohem për mbrojtje Zyrës së Të Drejtave të Autorit. Ndoshta kjo është rrjedha normale e filmave dokumentarë, që atakojnë interesa të caktura,” shtoi ajo.

Në natën finale, juria e përbërë nga Arta Kallaba (kryetare), Ermira Babamusta dhe Violeta Mirakaj shpalli listën fituese të filmave të përzgjedhur të festivalit. Filmi “Jetë të Riciklueshme” me regji të Blerina Goce fitoi çmimin “Best Documentary” (Dokumentari më i mirë).Filmi ishte një nga filmat më të pëlqyer dhe diskutuar nga pjesëmarrësit gjatë Q&A pas shfaqjes së filmave dhe u fol shumë për temën reale dhe të guximshme të trajtuar nga Blerina Goce.

“Së pari dua të falenderoj regjisorin Bujar Alimani dhe Alfred Tollja si nismëtarë të këtij aktiviteti, të cilëve ju ka pëlqyer filmi im që në momentin e parë që e kanë parë. Gjithashtu falenderoj dhe të gjithë selektorët që përzgjodhën për të qenë pjesë e festivalit. Pas një rruge të vështirë jam e lumtur që filmi më në fund pati premierën në Nju Jork dhe që në shfaqjen e tij të parë nderohet me çmimin Dokumentari më i mirë. Për më tepër më kënaq diskutimi i gjerë që ka hapur filmi midis bashkëkombësve tanë në SHBA.

Për mua është shumë e rëndësishme që një “erë e re” po fryn në kinemanë shqiptare dhe është për tu vlerësuar që filmat e autorëve shqiptarë tashmë mund të shfaqen në Nju Jork apo kudo tjetër në botë, madje edhe përpara se të kenë premierën në Shqipëri.  Më gëzon fakti që ndër filmat e paraqitur, shumica kishin si autorë regjisore femra, si dhe fakti që janë vlerësuar nga një juri femërore. Mendoj se edhe në Shqipëri po lind një gjeneratë e re kineastesh femra , ashtu si edhe në Kosovë, e që si këto të fundit, do të mund të sjellin një kinema tjetër, që do të vlerësohet edhe jashtë kufijve shqiptarë,” tha regjizorja Blerina Goce.

Ne Foto: Violeta Mirakaj, Bujar Alimani, Arta Kallaba-Ermira-Babamusta-dhe-Lola-Luma-Nata-e-ndarjes-se-cmimeve-ne-festivalin-YAFF

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ermira Babamusta, filmi me i mire-dokumentar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5032
  • 5033
  • 5034
  • 5035
  • 5036
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT