• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRIDIMENSIONALITETI I DHIMBJES NE VARGUN E DISIDENTIT SADRI AHMETI

October 10, 2013 by dgreca

NGA DR. YLLKA FILIPI/

Korpusi letrar i veprës së krijuar prej poetit Sadri Ahmeti hedh dritë mbi misteret dhe të panjohurat e individit dhe me gjerë kombit, në dekadat e errëta të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve para viteve’90. Në të gjitha ngjyrat dhe trajtat substanciale spikat dhimbja. Gjuha ezopike, zhdërvjelltësia e imazhit dhe monologut poetik, spektakolariteti i bërthamave strukturore të vargjeve, e bëjnë korpusin e veprës së tij tejet ngacmues për horizontin e pritjes.

Lindi në Vuthaj të Plavës, Mal i Zi, më 1939. Shkollën e mesme e kreu në Pejë të Kosovës. Pak kohë pasi kishte emigruar në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1957, arrestohet si student i Institutit të Lartë të Arteve. Dënohet në minierat e Spaçit më 3-vjet heqje lirie dhe dëbohet për 20-vjet me punë të detyruar në kantierert e Elbasanit. Kreu studimet e mbetura në Akademinë e Arteve. Shkrimet poetike i nisi që në bankat e shkollës në moshë të re, por drita e botimit të veprave iu ndez vetëm, pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Pas viteve’90 poeti botoi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij poetike të cilën po e shpalosim sipas një vështrimi panoramik: Një e qeshur harbon nëpër errësirë, Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, Masakra e Tivarit, Ajsbergu i preludit të katastrofës, Vallja e katrahurave, Kalëroj rreth botës mbi re, Loz era me gjethet e vjeshtës sime, A do të mund të takohemi nesër?, Rrëfenja në prozë në gjuhën angleze. Ka marrë pjesë gjithashtu në 4-ekspozita pikture kolektive, ka hapur 6-ekspozita vetjake brenda vendit dhe po kaq jashtë vendit.

Çastet e inspirimit poetik autori më së shumti i vjel nga jeta reale, e cila bëhet edhe udhërrëfyesja e  brengave të  tij. Sipas një këndvështimi të hollësishëm polidimensional do përpiqemi të ndriçojmë rrafshet enigmatike të të gjithë filozofisë së jetës njerëzore, nëpërmjet zbërthimit të simbolikës së dhimbjes e cila ngërthen në vetvete realen dhe virtualen, në imazhet poetike. Nëse arrijmë të depërtojmë në kolonat qëndrore të strukturës së vargjeve do të vemë re se platformat shpirtërore poetike konvergojnë hiperbolikisht me motivet vizuale të realitetit të para viteve’90 në Shqipëri. Persiatjet konvencionale janë pika strategjike të thellësive të shpirtit njerëzor, aty ku zë fill dhimbja e arratiset gjumi. Konotacionet me të cilat autori vesh me tul idetë, japin nuancat e egra të trysnisë së kohës e cila ushtron presion të jashtëm mbi individin duke i turbulluar e rënduar shpirtin. Implementimi i lirisë shpirtërore e ka zanafillën në forcën që i jep poetit observimi filozofik i ideve mbi jetën, të cilat zbardhen vetëm duke arritur të depërtojmë në subkoshiencën artistike gjatë aktit krijues. Për këtë na vjen në ndihmë teksti si pjesë thelbësore e bërthamave poetike nga e cila kanë marrë formë dhe trajtë principet më vitale të jetës .

Poeti krijon rezonancë të fuqishme shpirtërore me dritën dhe i këndon asaj nga dëshira për të harruar dhimbjen dhe terrin i cili ishte bërë tashmë pjesë integrale e njeriut, në realitetin e atyre viteve. Përthyerjet e imazheve polidimensionale, japin dorë të lirë mbi zbërthimin e enigmave substanciale të vuajtjes. Autori gjithnjë ka dalë kundër formave dhe stileve të diktuara nga trysnia shtypëse e realitetit të jashtëm, duke u kacafytur me të e duke mos e lejuar që forca ta shndërrojë apo ta thërrmojë.

Pavarësisht se qenia nuk e ka prekur dot kurrë statusin e imunizimit ndaj metamorfozave të brendshme e të jashtme, ajo rrezikon, në varësi të forcës së trysnisë që ushtrohet mbi të, ose të përshtatet, pra të rimodelohet negativisht si rezultat i energjisë negative që  derdhet mbi të, në trup e në shpirt, (duke e humbur përgjithmonë “identitetin e parë” natyral), ose alternativa e dytë dhe e fundit mbetet, zhdukja, si një iluzion që e gëlltit harrimi  pakthyeshmërisht, pa mundur dot ta shtrembërojë, as ta krisë, as ta mbulojë me dhe. Ai shumë shumë mund ta vrasë, për ta kthyer nga vdekja edhe më të lavdishëm.

Guri që ndërtuesit e kanë hedhur poshtë, u bë guri i qoshes. Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet.                                                                                                         (Lluka, 20: 17,18)

          Brenda këtij kaosi pa trajtë, autori krijon autoportretin e dhimbjes, duke ju kundërvënë territ, në përpjekje për të vënë pak rregull mbi botën objektive. Terri nuk ekziston, atë e kanë krijuar artificialisht dhunuesit e lirisë, (sipas autorit) për të prishur rendin e lëndës jetësore. Poeti i ndien gjer në palcë kafshimet, por kurrë nuk gjen asnjë pikëtakimi me të, ndërkohë që mijëra enigma në të njëjtën kohë i brejnë trurin. Krijohet kështu një realitet i dytë, jashtë atij real, si një kurth ndaj shpërfytyrimit të pashmangshëm. Autori e ruan megjithatë balancën midis ndëshkimit dhe një koke të turbullt që dhemb gjithnjë e që di të arratiset në hemisfera të tjera, përgjatë aktit krijues, duke ruajtur të paprekur, me të gjitha fuqitë, lirinë e brendshme shpirtërore.

Duke bërë një prerje vertikale të kolonave qendrore që veshin me palcë tekstin poetik, parë kjo në rrafsh sintagmatik, dhimbja rezulton triadike, pra e shtrirë komvencionalisht në tri rrafshe: Dhimbja e kripës (limfa), dhimbja e lirisë  (gjaku) dhe dhimbja e vetmisë (shpirti). I marrim në shqyrtim me radhë, sipas hapësirave dhe mundësive që ofron teksti:

 

Dhimbja e Kripës

       Sa herë që lexon poemën brenda vëllimit poetik Një e qeshur harbon në errësirë, me të cilën autori është marrë pothuajse 20-vjet (1973-1993), duke e latuar kohë pas kohe për t’i dhënë formën përfundimtare që ka sot, ravijëzohet hipotetikisht një analogji me kripën e Detit të Vdekur apo shkatërrimin dhe zhdukjen e popullit te Lutit (Ajeti 82 në suren, Hud: 82), pranë tij.

Kështu, kur u erdhi urdhri Ynë, Ne i kthyem përmbys (vendbanimet e Sodomit) dhe derdhëm mbi ta pa reshtur gurë prej balte të pjekur. (Ajeti 82 në suren, Hud: 82)

Arkeologu gjerman Werner Keller shkruan: Ndoshta ujërat vërshues të Detit të Vdekur i përfshinë ato pas një tërmeti.1 Cilët janë ato? Sa popuj janë zhdukur nga këto dukuri? Vunë dorë zotat e universit? A kanë lidhje shpirtërore diktatorët me ta? Trungjet dhe rrënjët në ujin e gjelbër janë shumë të të moçme, si dëshmi e vdekjes, shkatërrimit të një kombi. Sasia jashtëzakonisht e madhe e kripës së Detit të Vdekur i ka ruajtur akoma, si dëshmi të katastrofës. Ashtu sikundër ruhen ende dëshmitë e tmerreve të diktaturave, shekuj më pas.

Sa e vjetër është kripa? Kush e zbuloi? A është vërtet kripa më e rëndë se mermeri, siç thotë poeti? Shkëmbimi i mallrave, a ka pasur lidhje me shkëmbimin e përjetimeve shpirtërore mes kombeve në kohët e hershme? A është kripa dhimbje? A është kripa bukë? A ka jetë në kokrrizën e kripës? A është kripa diktaturë? A është kripa përjetësi? A është kripa shkatërrim, fund? Këto pyetje pafund e kanë gërryer kureshtjen poetike të autorit i cili përpiqet të japë shpjegim:

Sa të pacipa ligjet e natyrës!/…Unë i ndërtuar prej kripërash/ dhe i puthur nga dielli i dashurisë/ jam mbytur në gjelbërim…/Ku më shumë e ku më pak/ shtati im i gjymtuar kullon gjak.2                                                                (Pak parashtesë, po aty, fq.1-3)

Poeti ravijëzon kështu konturet e një autoportreti gjithkohor. Baza materiale e mishtë është kripa e cila vjen në formë rrezesh (nur-i). Kripa (shkaku)-deti (pasoja):

Grafist!/ Më hidh dritë mbi gungat e ballit./ Më derdh nur kripe mbi fytyrë./ Hidhmë diell ndër sy…                        (po aty, fq.5)                                                            

Tri dete në një puthje të vetme…/hidhu e kridhu, ndër këto dallgë…                                                                          (po aty, fq.7)

          Një monument kristalor kripe! I naltuar e i gdhendur prej daltës poetike të autorit. Martiri i fjalës:

O martir i një fjale dhe i fjalë së pathënë/…/me ç’lëndë të ta naltoj monumentin?/ Kripa ka peshë më të madhe se mermeri/ bronxi shkëlqen një ditë,/ kripa përjetë shkëlqen./ Sa pak kristale kripe në fjalën tonë,/ edhe më pak në gjak…        (po aty, fq.9)   

Sy që trazojnë kripën e gjakut: Nga gjymtyrë kështjellash të rrënuara,/ e ndiej që më vështrojnë një palë sy/…/nga bisku i parë i lisit,/ me kripën e gjakut,- gurin e zjarrit/ eshkën e rreshkut ma kallin.                                                           (po aty, fq.11)        

Konstatim dramatik. Brenda llojit ka një ndarje fatale në   dritë edhe errësirë! Kripa merr shijen e dhimbjes:

Njerëz!/ E kam fjalën për ju që dikoni dritë/ që rendni të grisni futat e errësirës/…/po ju pres, me duart e mbushura me kripë./ Mbrojtësve të territ ju kallë krupë/…/ Kripë!/ Qofsh në trajtë të kristaltë,/ e bluar,/

apo, e tretur/ Ti ke shijen e dhimbjes së shuar,/ midis dhembjeve që s’na ndahen.                                                                                                                (po aty, fq.13)

Ndiej shijen e kripës, kur me majën/ aq të ndjeshme të fjalës,/ …rrasem në llavën e zemrës…                                 (po aty, fq.14)

A mund të griset drita me thonj, a mund të përgjaket? Thërrmohu,/ shpërbëhu, në bulëza shkumëze, ndër këto dallgë/…/ në mjedisin që dritën me thonj e gris,/ e mësuar me errësirën pis.                                                             (po aty, fq.15)

        Poeti sjell dritëhijet konotative të këtij embrioni të shëndetshëm poetik në të gjitha përthyerjet e dimensionet: që nga nxjerrja e mundimshme e saj për njeriun, shkëmbimet tregtare e kulturore midis popujve, në Mesjetë, (koha kur, kripa dhe hekuri ishin të barasvlefshme me arin) e deri tek urimet, mallkimet, betimet. Kripa është dëshmi e pakontestueshme e dhimbjes:

Të paepur,/ që përbuzin vdekjen në shtretër, të bukëkripës e, të besës/…/ A e shihni atë sofër të shtruar/…/ me të shenjtin emër: bukë, kripë e zemër?                                                                                                                                                     (po aty, fq.17)

Drejt n’oxhak, u hodh një fjalë e për-/ dredhur/ e lidhur dy herë nyje;/ një sofër burra u mpi e u drodh…/…/dhe, kobi vërshoi,/ na shkretoi./…/… se një fjalë e pakripë,/ shtjerr e shtyp!                                                                                                 (fq.19-20)

Pse loti është i njelmë?-pyet poeti dhe aludon se mijëra vjet më parë, nga dy sy tejet të kaltër, një në Vuthaj (vendlindja e poetit) dhe tjetri në Valbonë, rrjedhin, pa shterur kurrë, lot tepër të kthjellët. Një djalë i hijshëm vuthjan që zbuste bishat, tek pinte krojet e mëkohej me mjaltë nga një bletë e arratisur, buzë një ujëvare shkumëbardhë, dashurohet me një zanë e cila për të hutuar poetin, shndërrohet menjëherë në dhi të egër mali, më pas në drenushë dhe,  pasi djaloshi e arrin, ajo bëhet nimfë…I vendos një kusht të rëndë:

Ra në dashuri, me të vetmin kusht:/ më dhuro ç’ke më të shtrenjtë!/ Ai kish më të shtrenjtë kripën/ ndaj i solli një grusht./ ajo ja hodhi syve;/ ndaj i dogjën si prush…/ …buroi dhimbje në pikat e lotit…/ përjetësisht e njelmë…                                  (fq.22)

O malësor me shtat atleti!/ Ç’e ke atë dhimbje të gdhendur në shtegball?/… ta shoh zemrën: dyersh e dritaresh/ hapur krah më krah,/ duke dikuar dritë…                                                                                                                                                   (fq.23)

Fjala pëlcet si kripa: Hidheni fjalën time në zjarr/ dhe po nuk lëshoi rrëshirë e flakë…/dhe po nuk krisi si gur rrufeje…/ po s’pëlciti, si kripa në prush/…/ le të mos i mbetet as hiri!                                                                                                (fq.24)

Poeti e ka kripën të shenjtë, aq sa thur be mbi të: Kripë!/  Aq e shenjtë dhe aq e shtrenjtë, ndër këto male!                                             (fq.29)

Asnjë kokrrizë të mos bjerë përdhe/ aq hyjneshë: sa për të janë thurë gjthë ato be,/ gjithato mallkime…/ më vraftë kripa, nëse ju gënjej!                                                                                                                                                                                 (fq.30)

E hyjnizon duke e vendosur shumë lart, pranë dritës, i jep frymë, e bën të lexueshme, i ndryshon trajtë, thur urime në emër të saj, i kujton djepin, e shndërron në dashuri, zanafillë të jetës, në kujtim, në mallkim, betohet në emër të saj, e rikthen në mysafirin më të shtrenjtë, atë që të hyn në gjak:

Kripë! Eja në fjalën time…/ përjetësisht e lëngët, poshtë qerpikësh… Ti, dritë e lëngëzuar pranë burimit të dritës…/ kur denden e dynden retë…                                                                                                                                                     (fq.40-41)

Ti ke zënë vendin tënd / dhe peshon… / në miklimet dhe mallkimet e nënave të dëshpëruara…                                          (fq.43)

Ti lexohesh…/ në të gjitha gjuhët…/ ti m’i vjel dhimbjet,/ mallin dhe pikëllimet…/Ndër poezi, mos më eja në trajtë lotësh…/…/ bëhu breshër mes tronditjesh…                                                                                                                                            (fq.43)

Edhe ti, paç kripë në fjalën tënde të ngrohtë!…/…/ të shoh që dukesh e sakaq tek zhdukesh,/ I rrëmbyer nga dallgë e nëntë. (fq.45)

 Ti nuk ke rënë, si kometë nga qielli/ Djepin e ke këtu!/ je bimëz e këtij planeti të sajuar;/ me kockat e yjeve të shuar/ e sajuar enkas për mua…/ …hedhurinë e ligjeve të gjithësisë…                                                                                                        (fq.46)

… I la kripën si kujtim, apo si mallkim/…për ndëshkim                                                                                                               (fq.46)

Kripë!- Dashuria e kulluar! … Nga ty fillon vetë jeta…                                                                                                       (fq.47)

… t’u betova në kripë, se sa të dua/ dhe ti më besove…!                                                                                                        (fq.47)

Thërrmijëz e rrallë/ ke rry në gjakun tim/ si më i rralli mysafir…                                                                                                               (fq.47)

Edhe vetë Atdheu, sipas poetit është prej kripe; ekziston edhe një njeri kriporeje që vështron ftohtë, e shtrëngon grushtet (vegim alla-migjenian), kockë e lëkurë mbi kripë të grirë, kuluvarur mbi një pikëpyetje. Është një plak atje tej, që e mban atë kokërr kripë si një kokërr shpresë mbi shuplakë të shekullit: A është kripa vallë hiri i perëndisë? E shtrenjta që shitet aq lirë, melhelmi i plagëve?

Rrezëllijnë pirgjet e bardha të kripës/ ndër kriporet, tej Ulqinit/ si mikropiramida faraonësh,/ të ardhur nga verilindja,/ piramida e shpresave prej rëre,/ pranë muzeut të një shkretëtire…/…/ nëpër bashtinat e Aga Ymerit…                                        (fq.49)

Njeriu i kripores picërron sytë e përcëlluar/ e më vështron/ më vështron ftohtë, e më peshon nga larg/ me peshoren e jetës së tij…./ të mjerë…/…/ Dhembja e dyfishtë, nëpër kyçe i bredh,/ dhe deri në palcë i ther./ Rrezja e rremë e zenithit, e vret/… mollëzat eshtake,- dy grushta të shtrënguar,/ kam kërcënue nga vojtja- të kërcyer, / e të fyer! / dy pëllëmbë më tej, çpalosen /harbojnë/ dallgët dhe pulëbardhat./ O ironi irrituese…                                                                                                       (fq.50)

I kolovarë mbi një lopatë faqeshpëlarë/ me tehun që shkëlqen, kripë e grirë,/ kockë e lëkurë…/ me lulen e kripës në buzë,/ me lulen e dhimbjes në ballë/ kufomë e gjallë./ Ai ka ngrirë si obelisk prej bronxi,/ nën qiellin e nartë/ duke matë me një vështrim të përhumbur/ hijen e vet…/ si një shigjetë e zezë…/ drejt qytetit, me sy të uritur./…/ Në piskun e diellit, kripa dhe ai./ Ai dhe sholli i këmbëve mbi prushin që përvëlon,/ ai dhe dhembja…/ ai dhe pikëpyetja ku është kuluvarë/ Nën ison e dallgëve nuk e di, nëse këndon/ apo mallkon.                                                                                                                                                (fq.51)

Mbi shuplakën gjithë vija të kryqëzuara/ mbi putrën e atij shekullori/ që dridhet nga presa e tronditjeve/ si sitë elektrike,/ plaku ka vënë një kokërr të madhe kripe…me sy të vagëlluar/ duke dyshuar se mos kripa është hiri i perëndisë.             (fq.59)

Kripë! Bukuri e ëmbël!… e renduar kah dritës dhe lirisë… flijesë e pashtershme/ në përbuzjen ndaj vdekjes/ në buzën e çarë të etjes/ dhe në gojën e hapur të urisë./ Mos je më e rralla? Po sikur të jesh me e kërkuara? Duke qenë aq e shtrenjte/ shitesh aq lirë…/melhelm mbi plagën e lënduar…                                                                                                                             (fq.61)

Poeti pagëzohet në kripë e mallkon të pakripët, me gjuhën e kripur, demaskon dhunën, tmerrin:

Në kripën time jam regjur/ nga të pakripër gjymtuar./ I ndryshkur/gojëlidhur/ kam gëlltitë kafshatën më të hidhur/(po aty, fq.65)

Kam dëgjuar dhe dëgjoj klithma/ që barin thajnë/ dhe ngjajnë/ si dy fije floku/ Makronisi/ dhe Goli Otok-u/ Ndaj duke shungëlluar, zemëruar po i rrah me gjoks këta shkëmbinj dhe po thërras me gjuhën time të kripur/ të krijuar nga limfa dhe lotët e hidhur/ tek veshët e shurdhët të dhunës/ pa asnjë rrugicë shprese/ ditë e natë po thërras, çirrem në vijat erës…Nëpër tmerre të shoh…                                                                                   ( Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, Zëri i baticës, fq.26)       Poeti zhgënjehet nga mos-epja e kripës:  Mungesa e saj është dramë për poetin:

Edhe dielli…./ në pagjumësi të pëprjetshme/ rend duke të kërkuar./ kur ti, e paepura…/ duke e mashtruar/ vetëm avuj kon/

Kështu dhe me mua/ që të ftoj e s’më vjen në vargun tim/ …pa kripë,/ vargu jetim                                                     (po aty, fq.61)

Brenda vargjeve për kripën, autori shpalos gjithë shpirtin e tij të tronditur në sytë e lexuesit. Kripa është për të si një strehë dhimbjeje:

Laurence përshkruan atë ç’bën poezia: njerëzit nuk pushojnë së fabrikuari tendën nën të cilën strehohen (…), por poeti, artisti, kryen një çarje në ombrellë, madje gris të vërtetën hyjnore për të lënë pak rrymë kaosi të lirë, si edhe për të vënë brenda një drite të rrëmbyer vegimin, që shfaqet përmes çarjes.3

Errësira është e pakripë!/ Asaj veç thurësit e ferreve i kanë kënduar…                                ( Një e qeshur harbon nëpër errësirë, fq.27)

Ai e ndien në shpirt, e ka në trup, është gatuar prej saj, e ka mbijetuar falë shijes dhe forcës që ka marrë prej saj, në ditët e vështira të izolimit:

Në kripën time jam gatuar/ në shëllirën e saj jam kulluar/ duke mbijetuar!                                                                (po aty, fq.65)

Tek pij mushtin e një kroi malor/dhe kur lëpij kristalin e ëmbël të kripës/ shuaj nga fushë e kujtesës njëmijë dhimbje.

                                                                                                                                                   (Loz e ra me gjethet e vjeshtës sime, fq.35)

Hidhnim aq kripë, për t’u ngjesh pastaj me ujë/ dhe kishte aq shije/ sa ç’kishte në vargjet tona shi dashurie.

                                                                                                                                                                    (Vallja e katrahurave, fq.46)

 

Dhimbja e Lirisë

         Më lini të bëj me veten time çfarë dua!4  Jehon kjo klithmë proteste e individit të izoluar që kërkon terren dhe hapësirë të shtrijë mendimet, idetë e tij, por që para vetes has barrikada aq të forta dhe mure aq të pakapërcyeshme, saqë e ka të pamundur lirinë. Atë liri për të cilin kanë luftuar ndër shekuj të parët e vet me të cilët krenohet, e që tashmë mungon aq shumë:

Dhjetëmijë pëllëmbë mbi faqen e detit/ çatia e visit tim/ me trarë pishe e tjegulla guri,/ te djepi i kreshnikëve/ në vekun e legjendave/…/ ku vështrojnë nënat…/ I këndohet lirisë në mungesë…/…/ në melodinë që ruajnë grykat që prej Ilirie5              (fq.3)             Poeti e kërkon lirinë kudo, por e gjen vetëm në bujarinë e vargjeve që mbijnë nga dashuria e rrjedhin si llavë, me fjalë zjarri:

Ti vrapon nga zemra, në zemër/ si rruazë përvëluese duke vezulluar/ me liri dhe dashuri ngarkuar./ Nënë poezi!/ …/ Midis rrudhave t’u bëfsha varg!                                                                                (Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, poezia, fq.4)

Mos m’i lidhni gishtat./ Hidhni sytë deri në horizont: E gjithë hapësira/ janë duart e  mia të shtrira/ janë duart e mia të lira.     (Duart dhe kallëzat, po aty, fq.6)

        Kemi një lloj rebelimi migjenian, kur poeti shtrëngon grushtin, brenda të cilit gjendet liria:

Të kam pasë thënë/ se lirinë e ke të fshehur te gishti,/se lirinë e ke përgjumshëm tek grushti./ ndaj të kam thënë/ se një nga gishtat mban zjarr…                                                                                                                                (A të kujtohet?, po aty, fq.14)

        Tmerret e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit të nomenklaturës, përshkruhen hollësisht në poemën alegorike Goli Otok, një lloj kampi përqëndrimi në një ishull guri, në Jugosllavi, por që poeti i jep përmasa universale, duke përfshirë realitetin shqiptar në përiudhën e komunizmit dhe më gjerë:

Ç’baticë e solli ferrin në këta krepa të dhëmbëzuar/ në këta krepa të shurdhët e të vetmuar! Brenda një dite sikur mbinë nga varri  këto gurishta/ mijëra gjysmëkufoma fytyrash të trishta.                                          (Poemë për pëllumbat e pabindur, po aty, fq.23)

Plotësohet panorama e zymtë e Goli Otok-ut pa kufij shtetërorë, gjeografikë, politikë e shpirtërorë midis kombeve:

Dhe në fshehtësinë më të paimagjinueshme/ u ngritën mbi këtë rrashtë ngrehina pa dritare/ mure të betonuar plot me krina grerëzash/ me frëngji qepallash hekuri/ ku do të dergjej kurmi i çdo gjysmë të vdekuri…                                        (po aty, fq.23)

Cila këmbë e hequr zvarrë/shkeli këtu për herë të parë?/ Cili qe dasmori i parë që ju ngjeth mishtë/ kur këtu derdhi vështrimin? ( Po aty, fq.23)

Ç’është ky mysafir i venitur si një krisht/ me gjoksin rreshtdalë e kaq të gjerë?/ Ky vigan i rrethuar nga tufa e qenve me turizë/ duke murmuritë me zë të mbytur (klithmë danteske)- Vallë,/ nga kjo skëterrë e humbur a do të dal i gjallë?/ një shkëndijëz i pafullin ndër sy/ dhe një dritë i ndrin në ballë.                                                                                                              (po aty, fq.24)                                            

Një dramë e thellë shpirtërore shpaloset në zërin e zbaticës. Poeti herë bëhet baticë e herë zbaticë për  të nxjerrë mllefin kundër dhunës ndaj fjalës së lirë. Konstatim tragjik, shpëtim nuk ka!

Në gjirin tim të kaltër tërheq një kufomë që i ka ngrirë/ trishtimi… në sytë aq të lënduar/ është një i burgosur tashmë i liruar/ dhe i tretur, vetëm asht e lëkurë./ Xhaketa e tij është e lerosur me njolla të kafta gjaku…                                          (po aty, fq.28)

E gjetën dhe e degdisën sërish në kthetrat e skëterrës/ duke e ndëshkuar me nenin e arratisë/ për t’u kallë datën bashkëqytetarëve…/këtu as i vdekuri nuk gjen dot shpëtim.                                                                                       (po aty, fq.29)

Zërat e verbër të erës bëhen pro e kundër tmerreve te Goli Otok-ut universal. Prapaskenat, raportimet fals:

Zëri i parë: Ti, qen, ke vjell vrer e mllef kundër frymës sonë,/ na thuaj, me cilët, sa s’është vonë?/ ndryshe brinjët do t’i përsheshim, o i mallkuar/ ndërsa dhëmbët do të t’i japim në duar!

Zëri i dytë (poeti):

S’kam derdh mllef, por gjak/ dhe jo pak./ ja, plagët që dëshmojnë/ kam qarë hallet e luftës me shokët e rënë/ tani ata gjithë ëndrra/ të qetë ndër varre flenë.

Zëri i tretë:

Vdiq i poshtri, na shpëtoi/ sa shpejt i ku shpirti!

Zëri i katërt:

Ik e laji ato duar të lyrshme/ e raportoje si një vdekje të natyrshme.                                                                      (po aty fq.30-31)

Të vjen ndër mend kur dëgjon këta zëra terri, skena e duarve të përgjakura makbethiane. Një paralelizëm i përbotshëm për makbethët e kohërave moderne. Zërat i përngjajnë njëkohësisht polifonisë së një kori makabër që rrjedh që nga thellësitë e antikitetit.

Poeti kërkon të arratiset, me zërin e pulëbardhave. I jep kurajo shokëve: Eja të ikim nga këto vise të mallkuara!…/ka kohë që bregdetasit këndojnë vetëm këmgë të trishtuara                                                                   (po aty, fq.36)

… në këtë ishull eshtëror…/ …/ u hap një varrezë…/ dhe u mboll aty, e para ëndërr e shuar/ hallka e parë e një vargani të gjallë/… që s’do të ketë të sosur                                                                                                                       (Varreza, po aty, fq. 37)

Mbahu shok!/… në Goli Otok/ nuk kanë të mbaruar këto varre ferri/…/ shi arteriesh, gjak…                          ( Mall, po aty,  fq.39)

Autori bëhet zëdhënës i tmerreve që pa me sy, i 40-mijë skeleteve të stërmunduara sizifiane, i vëllezërve të panumërt bashkëvuajtës, si edhe “qytetarëve të lirë”:

Jam Sizifi më i ri i neneve të pashkruara/ në olimpet trekatëshe me shkallë prej mermeri/ jemi skelete që bartim gurë të rëndë/…/përmes kamxhikut, drurit dhe gurit/ dyzet mijë skelete duhet të zhvishen nga fosfori                               (po aty, fq.,40)

      Zgjerohet panorama e dhimbjes jo vetëm prapa mureve të ftohta të qelive, por edhe jashtë tyre. Ashtu si tek personazhi kafkian, Jozef K., kur më datë 31 dhjetor (fundviti-fundjete), i shfaqen papritur dy “tenorë me pardesy” tek dera dhe më pas, shumë natyrshëm, ia rrasin kokën mbi një gur duke ju drejtuar njeri-tjetrit gjithë mirësjellje se kush duhet ta ngrinte sëpatën i pari në qafën e të dënuart me vdekje.:

Edhe në qoftë se ndodhesh jashtë kësaj torturishteje/ njeri i rëndomtë/ i mbështjellë kutullaç…/ nuk mund të bësh kurrsesi dy net radhazi gjumë të qetë!/…/ Vdekjen mbështjellë rreth qafës e mban/ kokën dhe fytin të futur në savan/…/ duke jetuar ankthin kur po troket dera/… e të shfaqen dy hije me pardesy gri…                                                              (Kudo që të ndodhesh,po aty, fq.41)

       Realiteti behet aq i prekshëm a thua se është qenie e gjallë që avitet: Zvarriten kolonat si balle të plagosura/…/ Në çdo fytyrë, tek cilido shoh një kafkë të mertisur                                              (Kolonat dhe shushunjat, po aty, fq.46)

Poeti sërish shpreson:

…në trojet tona/ përjetësisht të ndëshkuara/…/ patëm thënë dikur: Nuk do të ketë më natë.             (Patëm thënë dikur, po aty, fq.47)

Poeti, si Mesia i këndon ringjalljes: Ç’lojë therëse, më poshtë:

Njëmijë herë kam vdekur nëpër thonj/ nëpër kthetra nenesh të pashkruara/…/njëmijë herë… në zgrip të varrit pastaj duke më ridënuar/ me nenin më të pamëshirë/ të më kthejnë në jetë/ nga frika se vdekja do të ishte nje fund i qetë./ Njëmijë herë kam dëshiruar të vdes…/ dikush i ka dhënë nënës besën/ dhe ai s’ka për të vdekur/ dhe po vdiq i varrosur në gropë kolektive/ do të ringjallet…                                                                                                                                  (Kënga e ringjalljes, po aty, fq.51)

       Po t’i referohemi Sokratit: – Pra, vdekja është ose një gjumë i amshuar pa ëndrra, ose një udhëtim në vise të lashta, mes shpirtrash të ndryshëm, të mbushur me drejtësi6, – ekzekutuesit paskan patur të drejtë! Ç’ironi makabre!

Më tej: në të vërtetë mund të thuhet se  çdo shpirt ronit shumë trupa, (nëse supozojmë se gjatë kohës që njeriu jeton, trupi është një lloj fluksi që rrjedh, mbaron, përkundrazi shpirti e përtërin vazhdimisht atë që konsumohet.(…) Pasi vdes shpirti, atëherë trupi shfaq gjithë brishtësinë e vet, dhe shpërbëhet i gjithi. 7  Sa e sa flukse rrjedhash trupore u ndërprenënë ato vite të zymta:

Ishim tetë dhe kthehemi shtatë/ duke e lënë të tetin në gjumin e gjatë/ me kokën e mbështetur mbi një gur…/ shoh qiellin e murrmë tek mbushet me mllef/…/ duke u rrekë: gjakun e gurores ta shpëlajë/ U lava në atë shi, vallëzova në drithma…(Kënga e fundit e Radës, po aty, fq.56)

Dhe shtrydhu shtrungë e diellit/…/dhe shkrumbo ndër koritat e drunjta të Rugovës/…/ndër buzët e plasaritura të Kosovës/ harbo qetave… /ndër Bjeshkët e Nemuna./…/shtrydhmuni ndër duar/ ju gjinj të dhamë të lirisë.            (Kënga e Aliut, po aty, fq.66)

         Dhimbja e lirisë merr përmasa ndërkombëtare dhe poeti, rebelohet për ndarjen e dikurshme të trojeve:

Mizeritë e bërësve të botës/ u bënë zotër në krye të sofrës/ duke endë pëlhurën e historisë së hidhur/…/ në emër të lirisë… / Breshër bie  mbi trëndafila.                                                                                                              (Në emër të lirisë, po aty, fq.69-70)

Vëllimi Masakra e Tivarit, merr përmasa tejet globale, poeti aludon për dhimbjen në polidimensionalitetin e saj. Ironia bëhet therëse:

Kam përtypë dhe ripërtypë dhimbjet 8                                                                                                                                                                                                 (fq.7)

Hallakatem i harlisur në vallen e hienave të hirta/…/ në pusin e terrinës/…/ dhe betohem sipër vorrave të braktisura/ skeletesh me duar të lidhura/prangash…                                                                                                      (Masakra e Tivarit, fq.9)

Në pritje të diellit/ I hedh vështrimin qiellit të mesnatës/ që s’di të të mbarojë së sterri.                                                      (po aty, fq.10)

Luaj vallen e një orrli/ tek vizaton rrathë në një pëllëmbë qiell                                                                                   (po aty, fq.13)

Dy breshërinj trandën luginën/ rrapllima i dha grykës kumtin e një gjëme…Kujt ja qëndisën sonte rrasën e kraharorit?/…n’emën të lirisë?…                                                                                                                                 (po aty, fq.14)

Imazhet e mëposhtme nuk janë iluzionare, ato kanë brenda vërtetësinë e tmerreve të të gjitha tiranive, në çdo epokë, për çdo komb. Ku është drejtësia? Ç’rol luan shteti?

Po t’i referohemi Platonit: drejtësia bën që shpirti substancor të ketë realitet, prandaj ai shpreh natyrën e këtij realiteti. Drejtësia në intimitetin e saj, ndërkall konceptin se njeriu i drejtë ekziston vetëm si pjesëtar i shtetit.9  Kështu duhej të ishte, dhe jo si vijon:

Fytyra të qëndisura me bluna dhune/ eshtën të shtypur morsetash, të krisur apo të thyer/ thonj të shqitur me pinca/ apo të shpuar me biza/ kortar gjymtuar cakorresh/ kafka të çara dysh/ apo sy të nxjerrë nga foletë…                                           (po aty,fq.19)

Vijojmë:

Puse me të mbytur/ dikush atje poshtë ndjehet ende gjallë/ me thonj të mbërthyer në gur…                                               (po aty, fq.20)

Liria jote kopërcatet e dhunuar/ në shtretër të huaj/dhe thahesh etje ndër duna shkretëtirash shpirt përvëluar          (po aty, fq.21)

Tmerri i skëterrës vazhdon: Shteti përskuq kraharorët e shtetasve të vet:

I ndiej si galenë valëthithëse/ shakullimat e ortiqeve/ dhe tytave që farkëtohen larg/ tek kanibalët e kuq/ për t’u shkreh këtu, mbi rrasën e gjoksit tim…                                                                                                                                             (po aty, fq.29)

Shteti ynë do të jetë i mençur dhe i këshilluar mirë, (…) për dijen e prijësve dhe të qeveritarëve, e cila ka si pikësynim gjithçkanë, njeh universalin, kujdeset në mënyrë më të mirë për shtetin, qoftë për brenda, qoftë në marrëdhënie me shtete të tjera. Kjo urti, ka realitetin e saj në klasën e këshilltarëve, (qeveritarëve.) (Republika, IV, 428B-429A)10

Poeti,  sfinksi që i bën ballë egërsisë, si bjeshkë e gdhendur,  i falet përjetësisë:

Dhe bie! Shembem mbi hijen e tij/ për t’i thënë me gjuhën e rrapëllimës/ përkohësinë e tij/ dhe përjetësinë time.   (po aty, fq.41)

Dhimbja nga individuale bëhet universale nëpërmjet këtij aliteracioni befasues: Terr e trysni iu turrën trollit tragjik të trimave…                                                                                                                                                                                  (po aty, fq.42)

Liria për poetin është edhe më e shenjtë se librat e shenjtë:

Dy fjalë për ungjillin, tri për kuranin/ Dhe katër për lirinë…                                                                                                           (po aty, fq.46)

Ulje-ngritjet e amplitudave të dhimbjes bëhen më të forta:

Tani të janë tretë buzët, dhe me ata dhëmbë/ të fildishtë i fal nëntokës/ së “mallkuar”/ të qeshurën e përjetësisë.     (po aty, fq.50)

Liri, ti shkëlqim i shenjtë/ I flijimit aq të shtrenjtë/ ti fjala pa kursim, mundësitë e mia…                                                       (po aty, fq.70)

Dëshpërimi poetik ngërthen në vetvete tragjizmin e reales tokësore, atij realiteti makabër që shkurtoi e la përgjysmë mijëra ëndrra: poeti konstaton, por nuk bie pre e pesimizmit, pavarësisht përmasave bardhë e zi të dhimbjes:

Plagët tona përsëriten/ pa gjetë kurrë shërim,/ sepse dhimbja është shkaku/ pinin dhe pinë ujë në të njëjtin burim.  (po aty, fq.71)

I njoh nga afër ata që kafshuan/  frutet e lirisë sime 11                                                                                                                                                                 (fq.10)

Nëpërmjet lirisë shpirtërore poeti e shndërron errësirën në qumësht drite:

Jam vetë liria e vehtes, dimensionesh pambarim                                                                      (Loz e ra me gjethet e vjeshtës sime, fq.14)

Liria ime e brendshme është përjetësisht e paprekshme/ asnjë drapër i huaj s’mund të korrë…                                      (po aty, fq.15)

Mbi lirinë e tjetrit mos u shtrini!                                                                                                                                  (po aty, fq.15)

        Hegeli tek Leksione mbi Platonin, shprehet:

E drejta është ekzistenca e lirisë… E drejta është Qenia-brenda-vetes-dhe –pranë-vetes shpirtërore, e cila dëshiron të ketë ekzistencë aktive. E drejta është liria që i jep vetes ekzistencën. (…) Shpirti nga është nga njëra anë njohës, nga ana tjetër i vullnetshëm, domethënë do t’i japë realitet vetes. Dhe realiteti… është shteti. Në fakt mënyra, në të cilën vullneti i lirë racional përcaktohet përbën ligjet e lirisë… Ligjet nuk janë thjesht etho-s, por duhet të jenë edhe pushteti kundër arbitraritetit…12

Ku janë individët kozmohistorikë? Ku është shpirti universal superior? Ç farë thelbi ka epoka në të cilën jetojnë? Kush lejon që të torturohen e vriten poetët? Po, a mund të vritet fjala?

Nëse trupi është i mishtë, e vdes, fjala është e fildishtë dhe mbijeton. Ja, detajet nga piramida e dhimbjeve:

Në kacafytje me terrinën rend/ për plazmën e lëngëzuar të lirisë/ si frut i pavjelë, në ikje,                                       ( po aty, fq.38)

Ti atje tej, që çirresh/ duke trembë vetveten/ me gishtin tregues drejt shtëpisë sime…/ po më uron varrin,/ ndërsa shtëpisë zjarrin/…/ dhe turmave të verbra u thërret…                                                                           (Një e qeshur harbon nëpër errësirë, fq.24)

Askush s’i njeh mirë bjeshkët e mia,/ as ai që i yshti ndër gjakra,/ as ai që na rralloi me masakra/ as dëbimi/ as pushkatimi/ as varfëria; / ato mund t’i njohë vetëm liria.                                                                                                                                                            (fq.25)

Në një sqetull shkëmbi/ në fytin e një shpelle/ në një mesnatë dimri/ me një brez dëborë,/ pa bukë dhe pa zjarr:/ kishin ngri/…/ një dorë kripë/…/ unori, eshka/ dhe guri i strallit,/ e një ëndërr e shuar/ në lule të ballit…                                                              ( fq.31)

Një herë në dy ditë,/ një ditë terr, të dytën ferr/ Oh, sa e gëzuar ishte ajo ditën e dytë…                   ( po aty, Vizitorja e torturishtes, fq.34)

Përplasej nën rrymë/ nga muri në mur,/ nga tortura në torturë,/ na kthehej e murrme/ e plot njolla me gjak,/ se nuk rrëfente: ku i strehohej/ bashkëshorti kaçak…/ nën këngët e hidhura e të njelme të djepit…                                                    (po aty, fq.34)

Në udhëkryqet e erërave të dhunës,/ …/ hedh vallen e hidhur,/ buzë e duar lidhur,/ liria ime!                                             ( fq.42)

Eja, m’u bëj gjumë/ në netët e gjata të qelisë,/ (kësaj nate kaq të gjatë)…/…/ eja më thith lagështirën e mykut të gjelbër, të dritares me hekur…/njelmore e bardhë/ me këmishë të kaltër/ ndë më gjen të lodhur, eja m’u bëj gjumë!/ Eja m’u thur thellë qerpikëve në një ëndërr…/…/ kullo e mbledhur në bulëza mbi ballë…                                                                      ( po aty, fq.44)

Shumë rendin, dhe kanë rendë kurdoherë/ të ma mbyllin derën e fjalës/ me lecka shpifjesh…/para meje heshtin mijëra të pagojë e të pashpresë…/ dhe shoh prapa mijëra të tjerë,/ gojëkyçur/ që zvarriten …                                                                   ( fq.45-46)

Kokrrizë e dashur!/ Mos je hiri i dritës së djegur?/ Mos je e qeshur e Hënës së nemitur,/ që më sheh, si një e ve, e burrit të pushkatuar/ pa gjyq/ dhe pa varr?                                                                                                                                          (fq.46)

Si askush/ nën breshër e mbi prush./…/ ndër efaga merimangash,/…/në rrfana prangash,/ …dhe mbijetoj!                     (fq.48)

Mos lakmoni të dëgjoni këngët e vrerit/ dhe mllefit./ Ai u këndon duarve/ dhe prangave të tejpashme…                                (fq.51)

…por tanku i llahtarisur i  dhunës,/ la rrugën dhe u rras në kopshtin tonë/ të trandafijve./ Na i thërrmoi gishtat e thurur:/ bisqet e bilurtë të dritës./ Rrotat e dhunës  ekzekutuan  treqind mijë dashuri,/ duke bluar gjithë vegjetacionin/ e shumë pranverave,/ për të sajuar…/ një shkretëtirë njerëzore,/ duke sajuar hordhi duartrokitësish,/ dhe gjakpirësish/ dhe kokallash për skeletin e madh të piramidës./

 O! Ç’është ky tumor…/ mbi një treve të hijshme si shtatorja e Afërditës?/ Një lëngatë kobndjellëse, mbi një djep kaq të lashtë…Gjunjëzon e tjetërson fisin e lisave që mundi katër erërat/ duke u vetskllavëruar/ vetkafshuar/ e shformuar.( po aty, fq.54)

Të vijnë ndër mend zullutë e Konicës në vargun më poshtë, porse në invers:

Turmat: qarje  kanë këngën dhe iso rënkimin                                                                           (Loz e ra me gjethet e vjeshtës sime, fq.43)

 Vijon tmerri: Nga larg dallohet nata tragjike e lirisë/ së shpërdoruar/ jashtë shtigjeve dhe ligjeve                       (po aty, fq.48)

300 netë i gjallë në një varrezë betoni/ pa gjuhë në gojë/ nga sy i saj me qerpik të ndryshkur/ një krunde drite më vinte/ më vinte në lojë…                                                                                                                                                                     (Kalëroj rreth botës mbi re, fq. 17)

Mos më fyeni me mirëmëngjesin,/ kur s’ka asnjë shenjë se do agojë.                                                                                               (po aty, fq.18)

Sërish poeti gjen forcë e shpëtim tek liria:

Në fytyrën që shoh ballas pikëllimi ka ngulë ganxhat/… e dhe mua m’u qep dikur…./ Liria ime e brendshme e përzuri (po aty, fq.46)

Mjaftojnë vetëm këto dy vargje për të kuptuar realitetin funebër të atyre dekadave:

Ne të dy-ishim  protesta të gjalla, gojëshqyera/ si dy shpella që rrëfenim lemerinë/ që mbështolli si me magji një turmë të tërë. (A do mund të takohemi nesër?, fq.16)

Atmosfera që përcjellin vargjet në vijim sa vjen e bëhet edhe më e llahtarshme:

Jemi shkrumbuar etje, kur fjala e parë hynte në qeli/ e dyta shkonte në plumb,/ dhe e treta në litar.                                 (po aty, fq.20)

Poeti përgjithëson: Brezi im u mbyt/ me fjalën e zënë në fyt/ ndaj, priteshin trazira                                      (po aty, fq.20)

Dhimbja arrin kulmin, por poeti sheh larg në ardhmërinë e shpresave të bëra realitet: po përpëlitet fëmija kërthi/ prej farkëtuesve të ferrit/ thonë se do t’i gjendet një shteg shpëtimi në raportet e dritës me errësirën           (po aty, fq.45)

…/dhe asaj nate s’pati as hënë, as shihej, nëpër errësirëvranësire lëviznin hije të kërkuara nga prokuroria./ Stinë prangash po vinin. Krimet merrnin jetët./ndaj ofshajnë poetët!                                                                                                  (po aty, fq.56)

Njerëz! T’hollojeni errësirën tuaj/tjetri për ty nuk është kaq i huaj                                                                              (po aty, fq.58)

Poeti, survejimin e fjalës së lirë, e sheh si dramë kolektive dhe jo thjesht si individuale: Ai kërkon drejtësi.Të ekzistojë i lirë, të zotërojë dhe shijojë përditshmërinë. Hegel shprehet:

Veçantia e një individi duhet të kultivohet dhe të mprehet, duhet të arrijë në të drejtën e vet, në ekzistencë; Drejtësia, sipas konceptit të saj të vërtëtë, do të thotë për ne liri, në kuptimin subjektiv (…) E drejta e lirisë për të ekzistuar është universale. Prandaj Platoni e ve drejtësinë në majë, si përcaktim të së Tërës dhe e kupton lirinë në sensin e lirisë racionale ekzistuese nëpërmjet organizmit shtetëror, një ekzistencë e nevojshme, një modalitet natyror13

Si është e mundur, pra, që instikti këmbëngulës i racionalitetit i ka tërhequr të lashtët drejt së vërtetës dhe  të sotmit drejt tiranisë dhe arbitraritetit?

I gjithë ajri është i mbarsur me yusht kthetrash/ era e ngarkuar me lajme të lemeritshme/…/ bien këmbanat e dramës kolektive (po aty, fq.59)

I ujis shkretëtirat e kafkës me verë/ duke e ditur,/ se papritur/ një ditë do të mbushet me dhe/ Në prani të diellit gjalloj zvarrë nëpër terr e hije/ pema ime me dyzet rrathë skllavërie14                                                                                                                                      (fq.12)

Kush guzoi të luftojë të drejtën e mohuar të fjalës së lirë dhe ia doli pa u lagur?

Kufomat e mëdha të librave u shndërruan në kufoma të mëdha shkrimtarësh plot plagë që rridhnin ende gjak.15

Netëve të thëllimta të dimrave/ kur shteti ju sul fjalës së thjeshtë ai ngjitej… aty ku detrat putheshin/ dhe ua zbrazte dallgëve të krisura dufin./…/Dosja qe ntrash me gjith’ ato të dhëna/ do kenë denoncuar edhe retë, deri edhe hëna               (po aty, fq.24)

Eja të rrëkëllejmë nga një gotë brenge/ mbi këtë tryezë me mbulesë të grisur                                                              (po aty, fq.47)

 

Dhimbja e Vetmisë

Vetmia në vargun e Sadri Ahmetit nuk është thjesht melankoli e romantikëve, për mungesën e dikujt aq të dashur për të, as vetëizolim i kohërave moderne. Ajo është vetmi e dhimbjes e shkaktuar nga trysnia  shtypëse e regjimit e cila e tkurrte individin duke e nxjerë jashtë hemisferave reale të ekzistencës.

Goli Otok! Goli Otok!/…/ vampirët të morën me të mirë/…/  të thanë  se kurrë më s’do të përkundësh vetminë/…/për pëllumbat e egër e të pabindur…/ ku do të vuajnë ndëshkimin/…/… të përkëdheli xhelati gjithë djallëzi/ dhe zunë të sillnin pandalë bujtës të rinj…                                                                                                              ( Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, fq.24-25)

Zëri i zbaticës ofron strehë për vetminë dhe dëshpërimin e poetit:

Do ta kthej me fytyrë nga hëna e plotë/ duke e ngushëlluar,/ mbasi ajo i ngjan aq shumë nënës së tij të trishtuar/…/gruas së mjerë që po qëndis me arna larushe/ fundin e saj…                                                                                                (po aty, fq.28-29)

Në gjirim tim lëkundej i burgosuri/ kthyer me fytyrë nga hëna/… në netët me klithje kukuvajke…                                    (po aty, fq.29)

Zëri i zbaticës ofron ngushëllim për vetminë dhe dhimbjen e poetit: Kudo që të jesh…/ mbështetu tek unë!            (po aty, fq.29)

Përjetësisht në eklips/ unë dhe ti/, duke na brejtë vetmia/ e… duke përtypë vetminë…/O! Kur do të shpëtojmë! (po aty, fq.34-35)

… në pritje të një pranvere/ që s’u duk asnjëherë/…/ nëpër brinjët e tua si përmes një gardhi të thatë, të rralluar/ përshkojnë rryma ethendjellëse/ ti mërdhin dhe tkurresh në ngushtësinë tënde të vajtueshme                            (Ngado që të kthehesh, po aty,fq.43)

         Vetmia e poetit bëhet më e thekshme, kur e kanë braktisur (nga frika e survejimeve), edhe njerëzit më të shtrenjtë. Ai ndjehet  dyfish më i vetmuar:

Lemza na zë rrallë:/ nga të shtrenjtët, a na kujton, a na përmend kush vallë? A ju shkon ndër mend, se jemi diku gjallë/ apo kemi vdekur?…/…                                                                                                                                  (Patëm thënë dikur, po aty, fq.47)

Më thellë më theri dhimbja jote/ sesa dhimbja ime…/më thellë në palcë më theri klithma jote/ se sa dhembja ime./ Kërcitën çelësat, shuli dhe ty të morën…/ kërcitën çelësat. Ty të morën./ Më fale një vetmi që kurrë s’e kisha jetuar (Kënga e qelisë, po aty, fq.54)

Por shpesh, autori gjen forcë dhe e mposht vetminë, qoftë edhe virtualisht:

Këputini zinxhirët duke u bashkuar në një zinxhir,/ mos u mbytni në turbullirën tuajtë vetmisë,/ veneroni duke mbijetuar në një livadh të krijuar…                                                                                                                                         (Ekstazë, po aty, fq.55)

Dhimbja bëhet therëse dhe poeti fajëson ekzistencën. A thua do ishte më mirë të mos kishte lindur? Kush i ka fajet? Hëna apo nëna?

U kam thënë xhelatëve: Fajet i ka hëna,/ fajet i ka hëna me katërmbëdhjetë fytyra/ Jo! Thonë zhelatët,-fajet i ka nëna./ Kam lindë në një natë me hënë…                                                                                                                                          (Kënga e Peros, po aty, fq.59)

         Dhimbja arrin kulmin. Poeti, si një ishull i vetmuar, i shkretë, lut vdekjen që ta marrë, por vdekja nuk duket askund. Kush e paska vjedhur?

Jam ishull i gjallë në një ishull të shurdhë/ po rreshkem buzës për një pikëz ujë (antitezë e fuqishme alla-noliane!) Kush ma ka vjedhë vdekjen/ le të marrë mundimin të ma kthejë sërish/ Vdekje e ëmbël! Oh!, sa të kam kërkuar me qiri dhe me pishë. (të vjen ndërmend poezia: Një natë pa gjumë e Migjenit, poetit të dëshpërimit, me simbolikën e fuqishme të qiririt dhe të pishës:) Vdekje, që kush do të përbuzë/ me buzët shpuzë/ pse s’po më përfill?   (Kënga e Bozhidarit, po aty, fq.60)

         Nuk vonojnë pasojat, jo vetëm shpirtërore, por edhe fizike, skajshmërisht, në netët pa gjumë, në netët e mbushura me vetmi, ku i dënuari numëron brinjet, e shtyn orët e jetës së vet të trishtë:

Numëroj në pagjumësi brinjët e mia/ si thuprat e një gardhi të thatë:/ herë më dalin tetë, herë më dalin shtatë  (Kënga e pagjumësisë, po aty, fq.64)

Harboi i lirë ndër këto buqetëza krizantemash,/…/të kripës së kristaltë, përthurur në varg/…/Merre këtë buqetë thinjash deti të trazuar/…/janë eshtrat e gjymtyrëve të detit,/ të hallkave të halleve./ Prushi i dhimbjeve…(Një e qeshur harbon nëpër errësirë, fq.8)        

Edhe ju që  e doni detin, kudo që ndodheni/ shiheni këtë det kristalesh /që fle mbi vijat e fatit tim./…./ në mos paça vdekur qëkur dhe gjendem si hije mes turmave hije…                                                                                                            (po  aty, fq.10)

Ka kripë kushdo që përbuz vetminë….                                                                                                                                                                     (fq.13)                      

Askush si unë…/ kur braktisa djepin…/e, dridhesha si gjethe/ në të pambarimtat ethe…                                                                      (fq.33)

Kur shtati im dergjej/ thirra, duke u shpurdhë/ po, askush s’më gjegjej/ veç shkëmbit…                                                                  (fq.39)

Ulqinak!/ Kur të kthehesh para muzgut, nga oxhaqet e kripores,/ jam ulë e po të pres ndanë rrugës/ ta dredhim./ Me letra gazetash që vjellin gënjeshtra/ eja këtu pranë meje,/ çlodhu pak/…/mos i hiq këmbët zhak!                                      (po aty, fq.51)

Poeti e gjen ngushëllimin nga vetmia edhe tek thërrmijëzat kristalore të kripës:

Ti m’i vure ato bisqe të brishtë/ mbi gishta të lënduar/ duke m’i shëruar./ Më mbërtheve me duart e dashurisë,/ si me dy pjergulla dhembshurie,/ më fale nga jeta, kur ajo ishte duke m’u shuar…                                                                                 ( po aty, fq.54)

Më shfaqesh e thërrmuar/ ndër thyerje dritash/…/ në çdo kometë,/ që shqitet nga degëzat e bie/ krifëzjarrtë.             (po aty, fq.55)

Të putha nëpër ëndrra/ në mëngjes më gjumtuan./ Dhe ndërkaq/ e shtrenjta përpirje/ ndër ëndrra/ mos m’u shfaq!/ mos u fshih nën ombrellë,/…/kacavirru…                                                                                                                               ( po aty, fq.55)

Po të pres, kudo e kurdoherë/ me duar të shtrira,/ të ndërthuremi ndër simbroza…                                                                 ( po aty, fq.55)

Eja më mbush me ty./ dhe mbushu me mua!/ Ti je graviteti im tek me thith më shumë/ se magma e dheut,/ tek ndiej se marr peshë tek të përmend/…                                                                                                                                                                                   ( po aty, fq.56)

Çdo përpjekje buzësh, emrin tënd piptin,/ duke dëbuar atë mug që sjell mungesa jote,/ ndaj ngre batica…                ( po aty, fq.57)

Para se të ikësh gjëkund/më gdhend një mozaik/ me një kafshim/ në palën e muskujve, midis qafës dhe krahut!      (po aty, fq.57)

Mungesa sjell mallin, malli zgjon dashurinë dhe dashuria ofron perëndeshën e saj për ngushëllim:

Afërditë!/ O vashë e tejbukur, si një gënjeshtër gjahtari/ Ç’më thua me atë gjuhë formash/ tek më sheh nga tejlargësitë? (Masakra e Tivarit, fq.62)

Poeti arratiset nga vetmia, tek hëna:

Edhe ti hënë, frymëzuese e poezisë së trishtimit,/ drejt letrave i ke zgjat gishtat e brishtë,/ me muskuj të fildishtë/ të përmallimit./…/ Ti ke strehë të gjerë/ kur unë nuk gëzoj një pëllëmbe shtëpi/ ke pushtuar një qiell të tërë/… të lëngëzuar/ Ti fle e qetë…/ midis kaosit dhe mistereve/ midis rrymave që s’dihet si lindin dhe si sosin/ ku kanë lënë kockat, ndër kohëra/ mijëra anije:/ të grisura/ të thyera/ apo të kullufitura nga shqota/…/ nëpër harrime/ të zhdukur, tok me dhimbjet,/ klidhjet, / e kujtimet…                                                                                                                                                                                                               (po aty,  fq.61)

I vrarë është poeti nga vetmia, dhe i vetmi ngushëllim janë shkrimi i poezive të trishta:

As egërsirat nuk i tret uria, sa vetmia!!!

(Ai ja pat falë një pjesë të jetës së vet vetmisë,/kur u gjet I përbuzur)                                                                                           (po aty, fq.25)

Vetmia e shtyn poetin të struket pranë një gëmushe tek sodit kurmin e vashës si kërcyell të brishtë:

Atë natë kishe dhimbje koke dhe ju luta fallxhshës të të kurojë:/ lahu me skopështit në mësnatë nën rrezet e hënës / së plotë!/…/ të tria herët qeshë i  fshehur në prani/ dhe je larë edhe në currilat e syve të mi.                                                        (po aty, fq.29)

Prapë poeti gjen shpëtim:

Më në fund shpëtova nga një vdekje e ngadalshme/… u rimbështolla me zhelet e fatit tim të ripërtërirë                  (po aty, fq.30)

Lart shoh diellin që digjet për dikë në një vetmi të përjetshme/ duke i falur hapësirës gjithë mallin 16                                                 (fq.50)

Dyzet mijë fjalët e fjalorit jetojnë vetminë,/…/sepse vetmia është tejet e shurdhër/ pa gjak dhe gjymtyrë…(Kalëroj rreth botës mbi re, fq.58)

Shpirti, sipas poetit është vrunduj trysnish dhe reagimesh, e për rrjedhojë bjerret, sidomos kur është nën efektin e vetmisë. Përfytyroni një qytetërim pa njerëz… Qëkur njeriu u shndërrua në gërmadhë/ shteroi gurrën qytetërimi17                                                                                                                                                                      (fq.5)

O kokrrizë dheu!/A mos je mishi, apo shpirti i një dielli të dikurshëm, i një hapësire pa emër/ që vdiq nga vetmia në emigrim? /…/Askush nuk shpoi aq thellë, sa t’i hynte dheut në qendër/ thonë se e ka zemrën kaq të zjarrtë/ kush e di se me kë është akoma i dashuruar?                                                                                                                         (A do mund të takohemi nesër?, fq.8)

Përse toka u dëbua/ e dënuar të vallëzojë në një vetmi të pambarimtë/ e shtrydhur dhembjesh, u gjet e mbyllur në lotët e veta/ u mpiks në akull?                                                                                                                                                            (po aty, fq.21)

 O ti, i vetmuar, si ishull mes lumit njerëzor/…/e shoh që je ndalë në harkun e parë të një ure, për diku:/ nuk e di,/ me fytyrë apo me kurriz nga e nesërmja?                                                                                                                                     (po aty, fq.34)

Poeti gjen ngushëllim tek poeti, shokë të fatkeqësisë:

Hanin a s’hanim një pjatë në ditë/ ndaj ishim aq të pasur me uri/…/Bilali sytë mbi Tumenisht, Sadriu mbi Albulenë/…/ndanë Urës së Zezë/ në jetën blozë/ dy miq poetë, në një simbiozë.                                                                                                              (po aty, fq.46)

Sërish në vetminë e natës së gjatë, i brengosur, i përlotur:

…/ dhe gjithë natën duke lidhë plagë drurësh/ u ngashëreva në shiun e reve të mia                                                    (po aty, fq.48)

Shfaqet Ajo: Ajo më mbyste me shiun e pyetjeve:/ në këto humbella/ a jemi rilindje/ pjella/ apo vjella?                    (po aty, fq.50)

Poeti aludon mbi të përkohshmen njerëzore: Aq gërryese është vetmia, saqë ai nuk ka frikë nga vdekja, por frigohet vetëm prej saj.

Jemi aq pak të përkohshëm, / si spore myqesh/ në një hapësirë të dyshimtë/ të dalë nga vezë qyqesh                        (po aty, fq.52)

Po rend të mbrohem nga shpellat e frikshme të vetmisë!                                                                                                                         (fq.55)

Frojdi konstaton: Fjalia kumbuese: -Çdo frikë në fakt është frikë vdekjeje, thuajse nuk ka kuptim, për çdo rast nuk mund të justifikohet…sepse vdekja  është një nocion abstrakt me përmbajtje negative 18

 

 

Gjuha

Piktor apo poet? Të qenurit njëherësh, piktor edhe poet i jep dorë të lirë autorit t’i kapërcejë kufijtë e imagjinares me destinacionin  drejt një absurdi shpirtëror të paskajshëm. Poet-piktor, apo piktor-poet? Te Sadri Ahmeti piktura gjendet në poezi dhe poezia në pikturë. Imagjinata e shfrenuar poetike shpërthen kapërcyejt e të prekshmes, reales dhe niset kah qiellorja. Krijohen kështu metafora që të lenë pa mend, simbolika bëhet e fuqishme, fantazia shfrenohet. Poeti struket në gjirin e reve, vështrimet e njerëzve i duken yjësi, gjuhët e liga e bluajnë nëpër dhëmbët e tyre…dhe askush nuk ja vjedh dot lirinë shpirtërore, as dhuna, as qelia, as shteti, as njeriu. Siç e pamë edhe nga shembujt e mësipërm, rrallë ndodh në poezinë shqipe të deritanishme, të kemi një figuracion kaq të bollshëm dhe tejet organik, pa sforco. Ai rrjedh natyrshëm, si limfë në dejet e vargjeve të poetit. Gjuha e tij ka jo vetëm sharm, fuqi magjike të veçantë, por edhe nji bukuri, muzikalitet dhe ekspresivitet të rrallë. Varg elastik, me tonus, e simbolikë të fortë, shpesh eliptizmi dhe bërthamat konotative marrin nuancat e universales mbi dukuritë më ekzistenciale të qenies që vërtitet nëpër skutat dhe qoshet e verbra ku angullin errësira si e marrë. Imazhe të gjalla të plazmës embrionale, lëvizin nëpër galeritë e nëndheshme të shpirtit poetik, në fundoqeanet shpirtërore, aty, ku ruhen të fshehtat më të thella, të mbështjella me luspa, aty ku fle misteri dhe bën rojë dhimbja.

Gjuha e tij karakterizohet nga ngjyrime specifike substanciale. Drita ështe për poetin një bërthamë e fortë strukturore poetike, vetëekspozim i shpirtit të munduar në tempullin e përjetësisë. Po të shkëputej nga trungu i veprës së tij kjo dukuri, magjia e vargjeve do të zhbëhej, si një pjatë absurdi me xhama të thyer. Ruhuni nga njeriu- errësirë!- klith poeti, si për t’ju kundërvënë syve të terrinës që gëlltisin yjet e pranvërës së autorit. (Vallja e katrahurave, fq.57)

Poeti luan me tingëllimat, krijon neologjizma në lojën figurative me aliteracionet dhe kjo duket veçanërisht në strukturimin e brendshëm poetik të vëllimit Masakra e Tivarit. Vargu është projeksion i një psikoze sociale ku emocionet, ndjeshmëria e tepërt, variojnë që nga tematika e deri tek imazhi, duke çuar në një unifikim estetik idesh dhe mesazhesh shpirtërore. Ai reflekton së pari, në dramën e individit, jetën apo vdekjen në mungesë të lirisë, duke vizatuar rrathë në qiellin e dritarezës së qelisë, për t’i dhënë më pas trajtën e lumturisë dhe shpresës.

Tejet i guximshëm, rebel në art dhe në jetë, Sadri Ahmeti krijoi  vargun e tij, shkretëtirën e vet poetike, strofullën, folezën, brenda së cilës ndjehej i qetë, si brenda  një realiteti të dytë, ndryshe.

Të shkruash, si konia që hap koliben e vet, si miu që rrëmon llagëmin e vet… Dhe për t’ia arritur kësaj, duhet të gjesh pikën tënde të moszhvillimit, të folmen tënde të veçantë, botën tënde të tretë, shkretëtirën tënde.19

Vargje të thyera, ritëm i brendshëm i harmonizuar me një muzikalitet original dhe larushëri ngjyrash të cilat ja zgjon edhe fantazia e tij prej mjeshtri të akuarelit në galaktikën e penelit të tij e cila gërshetohet me strukturën moderne të vargut të lirë në ide, mendim dhe formë. Në një botë e cila sa vjen dhe po njëjtësohet, në një letërsi globale, vargu i poetit, pavarësisht dhimbjes së skajshme e cila tjerr terrin me gishtat e mugëtirës, do të mbetet gjithnjë ekzotik dhe befasues për lexuesin e gjerë. Atë natë m’u sulën të më puthin njëherësh tri dhembje:                                                                                                  (A do mund të takohemi nesër? fq.39)

Ende nuk ka recensione të mirëfillta shkencore që horizontitit të pritjes  t’i ofrojnë tiparet specifike të opusit  letrar të Sadri Ahmetit. Vargu polisemantik i tij ofron shumë për studiuesit, qofshin këta me përvojë ose të rinj. Shkrimet e rralla që dalin herë mbas here në periodik nuk e plotësojnë rolin themeltar të kritikës së mirëfilltë letrare mbi veprën e autorit. Në dukje si libërtha xhepi, e gjithë vepra e Sadri Ahmetit, paraqet një lëndë tejet të ngjeshur e fibroze, koncentrat mendimi filozofik mbi ekzistencën e individëve dhe kombeve në universalizimin e dhimbjes, e cila të fton në zbërthimin e pjesës së nëndheshme, sipas një leximi në rrafshe vertikale të mesazheve që përcjell në suspancën e dramës së vet.

Dhimbje kjo, e cila ja shkurtoi jetën, në një moshë që nuk e pranon ashti i gjakut të fisit të tij. Gjithë filozofia e asaj jete të munduar në vargonjtë e diktaturës së egër, zbërthehet në vargun: Unë nuk rend të jetoj gjatë, por të shtrihem gjerë!                                                                                                                        (Vallja e katrahurave, fq.42)

Në format dhe  imazhet meditative, ngërthehen monologje poetike të gjalla si një prurje origjinale me nivel të lartë artistik e estetik në poetikën shqiptare. Shpesh ironia kalon në një sarkazëm therëse dhe i jep forcë poetit për të shpresuar, një të ardhmeje drite lidhur me identitetin, historinë, dashurisë për atdheun, lirinë, paqen dhe humanizmin mbarë.

Miqtë e dritës janë të brishtë/ për të mos rënë në pranga terri./ – Eja të ngremë një gotë me musht drite/ oh! kush na e paska holluar?!…(Loz era me gjethet e vjeshtës sime, fq.60)

Drita është filigrani me të cilin autori qëndis idetë dhe vesh emocionalisht vuajtjet shpirtërore me lëndë mishtore. Dashuria, më jep me pi dritë/…/ dhe soje ndjehem përjetësisht i  dehur…(Masakra e Tivarit, fq.53) Njësoj si në parabolën biblike: Gjersa keni dritë, besoni në dritë/ që të bëheni bij të dritës.                                             (Gjoni, 12:36)

Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë.                                        (Gjoni, 12:46)

      Tashmë që kanë mbetur pas më se tre vjet nga vdekja e autorit, e ritakojnë për t’u çmallur me shpirtin e tij që baret përmes vargjeve, familjarët, të njohurit, miqtë, poetët, bashkëvuajtësit e dhimbjeve. Në raft të librave kërkomë,- si një lloj ringjalljeje alla-agolliane.

Poezia e Sadri Ahmetit ka tjerrë trupin e atdheut, fytyrën e dritës dhe shpirtin e dhimbjes. Në dukje, i rëndë në dëshpërimin e vet gjithëkohor, por tejet fisnik dhe original, vargu mjeshtëror i Sadri Ahmetit, përbën një  kortezh dramash e fatesh, njerëzish e kohësh, një funeral madhështor virtual dhimbjeje, ashtu siç i ka hije vetëm penës së poetëve, që nëpërmjet krijimeve dhe artit të tyre e bëjnë jetën më të bukur. Në rastin konkret  e degdisin dhimbjen në harresë. Siç thotë Virgjili:

Inventas vitam juvat excoluisse per artes! (VI, 663 )20                                             (Krijimet përmirësojnë jetën që është e zbukuruar përmes artit!)

 

 

 

 

 

 

 

Dr. Yllka FILIPI

Tetor 2013,  New York

 

Referenca shkencore:

________________________________________________________________________________

1 G. Ernest Wright, “Bringing Old Testament Times to Life”, N.G, Vol.112, Dhjetor 1957, fq. 833

2  Sadri Ahmeti, Një  e qeshur harbon në errësirë, Gjergj Fishta, Tiranë, 1993 (Gjithë vargjet në vijim janë shkëputur aty.)

3 Gilles Deleuze, Feliks Guattari, Zenit, 2008, fq.256-257

4Andre Bercoff, Manuel d’instruction civique pour temps ingouvernables, Grasset, 1985, fq.86

5  Sadri Ahmeti,Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, Iliria,1991, fq.3 (Gjithë citimet e tjera janë marrë aty.)

6 Platoni, Apologjia e Sokratit, Iliria, Tiranë, 1997, fq.21

7 Platoni, Apologjia e Sokratit, po aty, fq.106-107

8 Sadri Ahmeti, Masakra e Tivarit, Marin Barleti, Tiranë, 1996 (Gjithë citimet e tjera janë marrë po aty.)

9 Georg Vilhelm Fridrih Hegel, Esenca dhe artikulimi i etikës në shtetin platonik, Platoni, Dritan, Tiranë, 2004, fq. 188

10 Georg Vilhelm Fridrih Hegel, Katër virtytet, Leksione mbi Platonin, Dritan, Tiranë, 2004, fq.191

11 Sadri Ahmeti, Vallja e katrahurave, Albin, Tiranë 2000 (Gjithë citimet e tjera janë marrë po aty.)

12 Georg Vilhelm Fridrih Hegel, Filozofia e shpirtit, Platoni, Dritan, Tiranë, 2004, fq.178

13 Georg Vilhelm Fridrih Hegel, Katër virtytet, Leksione mbi Platonin, Dritan, Tiranë, 2004, fq.195

14 Sadri Ahmeti, Loz e ra me gjethet e vjeshtës sime, Koha, Tiranë 2000 Gjithë citimet e tjera janë marrë po aty.)

15 Visar Zhiti, Ferri i çarë, Omsca-i, Tiranë, fq.15

16 Sadri Ahmeti, Kalëroj rreth botës mbi re, Koha, Tiranë 2001 (Gjithë citimet e tjera janë marrë po aty.)

17 Sadri Ahmeti, A do mund të takohemi nesër, Koha, Tiranë 2000 (Gjithë citimet e tjera janë marrë po aty.)

18 Zigmund Frojd, Uni dhe esi, Fan Noli, Tiranë, 1991, fq.165

19 Deleuze-Guattori, Kafka, Editions de minuit, 1975, fq.33

20 Virgjili, Eneida, kënga VI, vargu 663

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: disidenca e vargut, dr. Yllka Filipi, Sadri Ahmeti

MJESHTRJA E TREGIMIT TË SHKURTËR, KANADEZJA ALICE MUNRO FITON NOBELIN NË LETËRSI

October 10, 2013 by dgreca

Munro është mjeshtre e rrëfimit të përditshmërisë. Historitë që  ajo përshkruan zhvillohen shpesh në mjedise të një qyteti të vogël, të kontesë së saj, ku lufta për egzistencë përshkohet nga konflikte të forta morale, përplasjet e gjeneratave.Konfliktet që përshkruan Munro shpesh rezultojnë që të vijnë nga marrdhëniet e tendosura  dhe konfliktet morale/

Çmimin Nobel për lertërsinë këtë vit e mori mjeshtrja e tregimeve te shkurtra, kanadezja Alice Munro, së cilës gëzimi i madh i trokiti në moshën 82 vjecare. Akedemia Suedeze Mbretërore e Arteve e shoqëroi çmimin me motivacionin “mjeshtre e tregimeve të shkurtëra me temë bashkëkohore”.Komisioni që i akordoi cmimin Nobel kanadezes, e krahasoi Munro me mjeshtrin e tregimit te shkurter te  Shekullit XIX, rusin Anton Cehov.

Për habi, kanadezja nuk u ndodh e gatshme për ta marrë lajmin drejtëpërdrejtë nga Juria, e cila në njoftimin e shpërndarë tha se nuk mundi ta takonte as në Tëeeter, kështu që lajmi i madh iu la asaj si mesazh.

Munro është mjeshtre e rrëfimit të përditshmërisë. Historitë që  ajo përshkruan zhvillohen shpesh në mjedise të një qyteti të vogël, të kontesë së saj, ku lufta për egzistencë përshkohet nga konflikte të forta morale. Konfliktet që përshkruan Munro shpesh rezultojnë që të vijnë nga marrdhëniet e tendosura  dhe konfliktet morale. Temat që Munro trajton rrjedhin në shtratin e marrdhënieve të përditshmërisë,që vijnë nga diferencat e breznive , nga konfliktualiteti i gjeneratave. Alice Munro është njëkohësisht edhe fituese e çmimit Man Booker Prize në vitin 2009.
Shumë prej librave të Munro përqendrohen në vendlindjen e saj, kontene Huron të Ontarios, në Kanada, dhe sipas Jurisë së Nobelit, por edhe sipas kritikës, fokusimi i saj rajonal është një prej aspekteve kryesore të rrëfimeve.

Nobelistja filloi të shkruajë tregime në vitet e saj të adoleshencës dhe në vitin 1968 botoi vëllimin me tregime që tërhoqi vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës. Munro përvec vlerësimit me cmimin më të lartë moral e profesional, merr të plotë pagesën që shoqëron çmimin Nobel, 1, 25 milionë dollarë.(DIELLI)

 

Nobelit në kimi ndahet në tresh

Çmimin Nobel për Kiminë këtë vit e morën tre shkencëtarë: Martin Karplus, Michael Levitt, dhe Arieh Ëarshel.

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vlerësoi punën e tyre kërkimore në fushën e modeleve të elementeve me veti të shumëfishta të sistemeve komplekse kimike.
Çmimi me vlerën e 1,25 milionë dollarëve i ndahet në mënyrë të barabartë tre fituesve. Ata janë shkencëtari nga Austria  Martin Karplus, i cili mban titullin e profesorit në Universitetin e  Strasbourg-ut dhe në atë Harvardit në Shtetet e Bashkuara; jugafrikani Michael Levitt, i cili gjithashtu e zhvillon punën e tij shkencore në Universitetin e Stanfordit dhe shkencëtari nga Izraeli  Arieh Ëarshel, i cili punon në  Universitin e Kalifornisë Jugore, në Los Angeles.
Çmimet për arritje në fushat e shkencës, letërsisë dhe paqes u dhanë për herë të parë në vitin 1901, sipas amanetit që la zbuluesi të dinamitit dhe bisnezmeni suedez Alfred Nobel.(VOA)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Alice Munro, fiton Cmimin Nobel

Për Një Të Djathtë Të Vërtetë

October 9, 2013 by dgreca

NGA NIKO KIRKA/

          Nga vitet tetëdhjet të shekullit të kaluar gara e armatimeve midis dy blloqeve ushtarakë-politikë kundërshtarë, NATO, kryesuar nga USA dhe “Perandoria e së keqes”, kryesuar nga URSS, po merrte përmasa të jashtëzakonshme.Barra e shpenzimeve ushtarake po e rëndonte çdo ditë e mëshumë ekonominë e vëndeve pjesmarëse në atë garë. Edhe për ekonominë shumë të shëndoshë amerikane, ajo po bëhej e papërballuëshme, kështu që Presidenti Eisenhauer iu drejtua edhe shteteve të tjerë për të marë pjesë në programin e “Luftës së Yjeve”.Ndërsa për Bashkimin Sovjetik situata ishte tepër e vështirë. Në pamundësi që të gjente burime veç atyre që dispononte vetë dhe duke kufizuar jashtëmase shpenzimet civile për nevojat jetike të popullsisë, udhëheqja sovjetike filloi të shihte se i ishte futur një rruge pa krye.Por këto mëdyshje nuk dilnin në shesh.Në dukje çdo gjë ishte solide, zhvillimi e përparimi vazhdonin në bllokun sovjetik, jeta ishte e lumtur, bash ashtu si dinte ta zbukuronte mjeshtërisht propaganda komuniste.

Megjithatë diçka filloi të ndjehej. Në fund të 1984-ës një delegacion i parlamentit sovjetik bëri një vizitë në Britani. Kryetari i delegacionit, Gorbaçovi, dukej se mbante tjetër qëndrim, sillej ndryshe, fliste ndryshe. Nuk ishte qëndrimi i ngurtë, i ashpër dhe gjuha e vrazhdë, e drunjtë që shfaqnin zakonisht gjerarkët komunistë. Filluan të përdoren fjalë të reja si “gllasnost” e “perestrojka”. Deklarata e Thatcherit se ai po mundohej ta bënte të funksiononte më mirë sistemin e tyre nuk vonoi. Vetë udhëheqja sovjetike pat lënë të kuptohej se regjimi komunist nuk po ecte, pra kish dështuar!

Të gjithë jemi dëshmitarë se si rodhën me shpejtësi ngjarjet deri sa arritëm që edhe në Shqipërinë tonë të mbyllur, Ramiz Alia të bënte ndryshimet e duhura, ndonëse me një vit vonesë që iu desh për të bërë pregatitjet e duhura. Në euforinë e përgjithëshme populli i ngazëllyer që po merrte frymë lirisht, ne të dënuarit e të mallkuarit e regjimit që po dilnim nga zgafellat ku na patën futur, si të vdekur të ringjallur, harruam diçka që ishte fatale dhe është edhe sot për vëndin tone: mashtrimin e tyre të pasosur. Kështu që për të ruajtur sundimin e tyre ishte shumë e lehtë për ta, pa ndonjë brerje ndërgjegjeje, pa asnjë sforcim, brënda natës, ndryshimi nga komunistë në antikomunistë, nga mallkues të sistemit kapitalist në hymnizues të tij, nga përçmues të demokracisë borgjeze në lavdërime të pluralizmit politik, nga mallkues të imperializmit amerikan në b-lëpirës të tij, e kështu me radhë. Dhe për t’i bërë sa më të besueshëm këta antikomunistë të thekur , caktuan një pjesë të tyre, gjoja si nostalgjikë të ideologjisë së tyre, që do të ishin si kundërshtarë politikë të të parëve dhe do të plotësonin kështu skenën politike të demokracisë shqiptare. Kështu do të vazhdonte jeta në vëndin tonë, të sunduar po nga ajo kastë kriminelësh, grabitqarësh dhe hajdutësh, por në kushte të reja.

 Por për të qënë më të sigurt për sundimin e tyre në të ardhmen, u përgatitën shumë djallëzisht se si do të vepronin në atë që do të quhej krahu i djathtë i politikës.Duke qënë se pasardhësit e klasës që para 1944-ës drejtonte jetën politike, ekonomike e shoqërore në Shqipëri, ishin thellësisht të atij krahu, sigurisht nuk mund të pranonin bashkëpunimin me ish komunistët të kthyer në antikomunistë. Atëhere u paraqit teza djallëzoree “së keqes më të vogël” dhe u zbatua mashtrimi i madh historic: lëvizja studentore dhe Partia Demokratike që do të përfaqësonin krahun e djathtë politik në vëndin tonë. Në këtë grackë ranë në fillim disa ish të burgosur politikë, mjaft të arsimuar që nuk vinin nga ish kasta e komunizmit shqiptar dhe shumë të tjerë që sinqerisht besuan te parullat antikomuniste që po shpaloste “e djathta” parti demokratike! Megjithse të gjithë jemi dëshmitarë se si u zhvillua jeta politike dhe si rodhën ngjarjet në këta njëzet e ca vjet, mendoj se është e domosdoshme të rikujtojmë dhe të shqyrtojmë më me kujdes disa qëndrime dhe disa akte që detyrimisht të detyrojnë të shtrosh pyetjen: a ka qenë ndonjëherë antikomuniste dhe e djathtë kjo Partia Demokratike?

Qëndrimi që ka mbajtur PD-ja ndaj krimeve të regjimit komunist dhe kriminelëve të atij regjimi është guri i provës. Në vizitën e parë që bëri në Strasburg komunisti-antikomunist  Sali Berisha deklaroi se nuk do të bëheshin gjyqe politikë dhe nuk do të krijoheshin gjykata special. Kështu që jo vetëm nuk u dënua asnjë kriminel i atij regjimi me gjithë barbaritë që patën bërë, por nuk iu bë as në tërësi gjyqi politik atij regjimi. Përkundrazi sot ke shumë nga ata në pozita ekonomike e politike që në atë dimrin e 90-91-së as nuk do të guxonin t’i shihnin në ëndër! Pra antikomunizmi i PD-së ishte mashtrim!

Si parti e djathtë ose e qendrës së djathtë, duhet të dilte në mbrojtje të interesave kombëtare sidomos kundër  gjallërimit agresiv të shovinizmit grek. Por u bë krejt e kundërta.U pranua gjoja si parti shqiptare partia greke PDNJ që u shpërnda në gjithë Shqipërinë. U lejua çelja e shkollave greke, gjoja për nevojat e minoritetit grek edhe në Korçë, kur dihet historikisht që në prefekturën e Korçës që nga Mesi Urave, në Leskovik dhe deri në Qafën e Thanës nuk ka pasur kurrë asnjë minoritar vëndas. U lejua ngritja e varrezave për ushtarët grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke 1940-41, që bëri të mundur të vijnë çdo vit emisarët e shovinizmit grek për të kremtuar festat e tyre! A ka fyerje më të madhe që mund t’i bëhet  ndjenjës kombëtare të shqiptarëve?! A mund t’i bënte këto një parti e pozicionuar djathtas, që duhet të ketë në programin e qëllimin e saj mbrojtjen e zhvillimin e vlerave kombëtare?

Me një mëndjelehtësi skandaloze, që pa hezitim mund ta quash tradhëti kombëtare, u negociua dhe u nënshkrua marëveshja për kufirin detar me Greqinë. Aq e pabesueshme ishte pranimi i kërkesave greke, sa ministrja greke Bakojanis e cilësoi këtë akt “një fitore strategjike”! A mund  ta bënte këtë një parti e djathtë që një ndër synimet kryesore ka mbrojtjen e interesave kombëtare?! Të mos flasim pastaj për lëshimet e fshehta dhe të hapura bërë sërbëve të Milloshevicit, ku furnizimi me naftë në shkelje të embargos ishte më skandalozi e pastaj favorizimi i bizneseve të tyre në dëm të Kosovës. Kombëtarizëm I thonë këtij?!

Duke marë parasysh përbërjen e popullit shqiptar me besime të ndryshme fetare, rilindasit tanë nxitën e filluan të rrënjosin ndjenjën e tolerancës dhe mirëkuptimit midis komuniteteve të ndryshme fetare. Dhe një faktor shumë i rëndësishëm në këtë drejtim ka qënë Kisha Ortodokse Autoqefale. Autoqefalia ka qenë gur themeli për pavarësinë e Shqipërisë! Dhe këtë thesar të çmuar që na lanë rilindasit, Sali Berisha, në postin e presidentit të vëndit, me një injorancë të pabesueshme të zhvillimeve historike të vëndit të vet, e nëpërkëmbi dhe e dëmtoi rëndë duke ia dorëzuar një të huaji dhe ca më shumë, një emisari të shovinizmit grek që aq shumë e pat luftuar Kishën tonë, duke ia përgjakur rrugën e saj me shumë klerikë martirë. Dhe meqënëse Saliu është njëjsuar me PD-në, lind pyetja e përsëritur: a ka qënë kjo biçim parti e djathtë, mbrojtës e interesave kombëtare?!

Në euforinë e përgjithshme të dimrit 90-91 më të shpresë lindurit ishin ata që mishëronin pjesën më energjike, më të shkathët dhe më të dobishme për vëndin, pra shtresa e të shpronësuar nga regjimi i parazitëve enveristë. Pronarët prisnin që të vihej drejtësia në vënd nga PD-ja si parti e djathtë. Por zhgënjimi erdhi menjëherë. Në vënd që ta abrogonin me të ardhur në pushtet, ata filluan zbatimin e ligjit ramizist mbi tokën të ngritur mbi parimin leninist “toka i takon atij që e punon” dhe ndahet sipas frymëve! Dhe djallëzisht filluan mashtrimin se abrogimi i atij ligji, do ta shtynte fshatarësinë të mos votonte për ta. Dhe këtë e thonin kur kishin fituar tashmë zgjedhjet, në mënyrë plebishitare, bile! Dhe si çekiç, godet pyetja: një parti e djathtë pse synon të fitojë zgjedhjet, të vijë në pushtet dhe të mos zbatojë një program të djathtë?! Përse e kërkon atëhere pushtetin?! Po zhgënjimi do të vazhdonte edhe më tej: nga fundi i prillit 1993 më në fund doli ligji për kthimin e kompensimin e pronave, një ligj keqtrajtues që në titull me cilësimin “ish-pronarët”! I ndërtuar në mënyrë tepër djallëzore synonte ta ndërlikonte për ta bërë të pazgjidhshëm çështjen e pronës. I ndarë nëdy momente “njohja” dhe “kthimi”, mashtronte e tallej me pronarin, sepse ia njihte pronën, por me pretekste të ndryshme nuk ia kthente! Duke shpërndarë disa thërrime aty-këtu, filluan me lloj-lloj truke ligjore duke përvetësuar pronën e pronarëve të ligjshëm me dy synime: të mos lejonin fuqizimin ekonomik e rrjedhimisht politik të asaj shtrese për vokacion e tradicionalisht të djathtë dhe nga ana tjetër të fuqizoheshin vetë ekonomikisht për të mbajtur pushtetin politik. Nuk u ngopën me aq kurrsesi! Mbas 90-ës nxitën një zhvendosje masive të popullatës drejt zonave fushore që grabiti tokat e bashkatdhetarëve të tyre e krijoi qëndra banimi që janë shndruar në zona krimesh e konfliktesh. Dhe kryetari Sali Berisha deklaronte se “jemi krenarë që ata nuk ndërtojnë bidonvila me kartonë e dërrasa, po ndërtime me blloqe betoni”! Mburej ky komunist fanatik me ata banditë që me kosore në dorë erdhën e zaptuan gjënë e tjetrit! Nuk mendojnë se kanë krijuar një armiqësi midis shqiptarësh që do të vazhdojë shumë gjatë, sepse çdokush do tua lërë amanet me shkrim pasardhësve të tij, se sa dhe kush ua ka zaptuar mallin e gjënë. Edhe sot mbas 23 vjetësh ka shumë e shumë pronarë që nuk kanë përfituar asnjë qindarkë nga pasuria stërgjyshore! Pra, duke zbatuar një politikë të tillë, a mund të quhet parti e krahut të djathtë PD-ja?!

Në 90-tën shtresa shoqërore që, në mënyrë natyrale, me të drejtën morale, njerëzore e hyjnore, u ndje e lumturuar, ishte shtresa e ish të burgosurve e të përndjekurve politikë. Të vrarë, të cfilitur, të nëpërkëmbur, të dënuar të jetonin në mjerim, ata po dilnin nga zgafellat, ku i patën futur dhe po e ndjenin se po ringjalleshin. Të bindur se me qëndresën e tyre, duke mos u thyer nga dhuna, pra edhe me kundërshtimin pasiv ndaj diktaturës, ata kishin mbajtur të ndezur atë flakëzë shumë të vogël nga e cila shpërtheu ai flakadan i madh i shpresa të mëdha.  Ata besuan sinqerisht dhe mbështetën plotësisht liderat që ua vunë përpara për të udhëhequr rrëzimin e komunizmit dhe vendosjen e regjimit të bazuar mbi lirinë dhe drejtësinë. Po mashtrimi mizor që iu bë atyre, tradhëtia e ndyrë ndaj besimit që ata patën, është një nga qëndrimet më të errëta, më të pabesa, më të neveritshme që kanë ndodhur ndonjëherë në këtë mëmëdhenë tonë. Me ndonjë lëmoshë në dy-tre vitet e para, “komunistët-antikomunistë” i nxorën kthetrat dhe i hodhën tutje ata që vinin nga kjo shtresë. Në vënd të një ndihme morale e politike për t’iu afruar kushteve të barazisë në garën e lirë të ekonomisë së tregut, ata u mënjanuan e u keqtrajtuan dhe për më tepër u përtallën. Po, po! Ndërsa nga partia e vazhdimësisë bolshevike ndjenim të vinte vala e urrejtjes, nga partia e komunistëve demokratë ndjemë hidhësinë e talljes! Kurse kulmin e sjelljes përçmuese ndaj nesh e përjetuam me dëmshpërblimin që i jepet një ish të burgosuri për kohën që ka kaluar nëpër qelira, edhepse ka qënë i pafajshëm. Megjithëse i parashikuar në Kodin Penal, përgatitja e këtij ligji që djallëzisht iu ngarkua ta pregatitnin pinjollë të ish gjerarkëve komunistë, jo vetëm që parashikonte një kalvar të gjatë për gjetjen e dokumentave, por u zgjat shumë në kohë duke synuar ta shfrytëzonin për qëllime propagandistikë për përfitime elektoralë. Pabesisht u suallën pastaj duke ndryshuar fshehurazi ligjin! Në fillim parashikohej ndarja në tetë këste, nga një për vit, kurse më vonë u tha që do të shlyhej në fund të 2017-ës, ndërsa për tetë vjet në pushtet dhanë vetëm dy këste për rreth pesëmijë dosje nga përmbi 22 mijë! Dhe vetvetiu bëhet e lodhshme pyetja: a ka qënë ndonjëherë e djathtë kjo parti që mban një qëndrim të tillë armiqësor ndaj shtresës më të vendosur e më besnike ndaj një programi politiko-shoqëror vërtet të djathtë?

Përfundimisht, PD-ja nuk ka qenë kurrë as antikomuniste dhe as e djathë! PD-ja ka qenë e mbetet një gënjeshtër, ka qenë e mbetet një mashtrim historik! Sot, mbas më shumë se dy dekadash, kemi parë lojën e ndyrë gjoja midis dy blloqesh me filozofi të ndryshme politike, kurse në të vërtetë ka qenë vetëm një tufë banditësh e ndarë në dy tarafe që kanë luftuar egërsisht kundra njëri-tjetrit se kush do të zhvaste copën më të madhe nga kjo Shqipëria jonë e pocaqisur. Kjo katrahurë nuk mund të vazhdojë më dhe nuk duhet të vazhdojë.

Si pasardhës i një familjeje me veprimtari të theksuar nacionaliste, si një ish i burgosur politik që nga viti i largët 1946, me të drejtën e  moshës së avancuar, e ndjej si shtysë të brendëshme, si detyrim të ndërgjegjes sime, këtë parashtrim publik të bindjeve e të këndvështrimit tim se si mund të ecet në gjëndjen e krijuar. Si një i djathtë, i bindur që filozofia politike e së djathës në zbatimin e saj, është në interes të vendit, do të flas vetëm për të. Për sa i përket krahut tjetër, kur ata të zhvishen nga trashëgimia duke dënuar të kaluarën kriminale, do t’i konsideroja si kundërshtarë politikë. Duke vënë këto piketa, le të vazhdojmë.Me gjëndjen e krijuar mbas zgjedhjeve të 23 qershorit, me daljen hapur të kundërshtive brënda kryesisë së PD-së, ka ardhur koha që të djathtët e vërtetë që kanë ngelur në PD të shkunden, të mbajnë qëndrimin e duhur e të formojnë grupin e tyre parlamentar. Këtë mund ta bëjnë dhe duhet ta bëjnë ata që nuk e kanë prejardhjen familjare nga kasta komuniste, pra nuk kanë mëndësinë e botëkuptimin e banditit grabitqar. Po e konkretizoj mendimin: Deputetët e Durrësit, Gent Strazimiri e Igëll Cara, ata të Tiranës Dashamir Shehi, Halim Kosova e Florian Mima, deputeti i Shkodrës Nard Noka mund të gjejnë edhe një tjetër që plotëson kushtet e le të formojnë grupin. Ky grup parlamentar do të gjejë mbështetjë e bashkëpunim me Mark Markun, Visar Zhitin, Gilman Bakallin, Shefqet Deliallisin, Genc Jukën e të tjerë që nuk më kujtohen tani. Nuk njoh asnjërin personalisht, por mendoj që këta e kanë brumin dhe hirin për të bërë këtë veprim. Edhe le të marin kontakt me figurat dinjitoze të FRD-së që me qëndrimin që mbajtën me zgjedhjet e 23 qershorit treguan vizion të qartë politik, vendosmëri, integritet, forcë karakteri dhe sëbashku le të krijojnë të djathtën e vërtetë, atë që në formën e saj të mirëfilltë s’ka egzistuar asnjëherë tek ne por për të cilën atdheu ynë ka aq shumë nevojë. E di që do të ngrihen zëra të shumtë që nuk do të lenë gjë pa thënë për personat e lartpërmëndur e për FRD-në. E di, gjithashtu, që të gjithë ata që kanë kaluar nëpër baltovinën politike të PD-së të mos kenë ca stërkala balte mbi kurriz. Por jam i bindur gjithashtu që zhytja me zemër të hapur në ujrat shkumbëzuese të dlirta të Shqiptarizmës, pastron çdo stërkalë që mund të kesh pasur mbi shpinë. Jam i ndërgjegjshëm që ka vështirësi, që ka inate, hatërmbetje, keqkuptime të shkaktuara nga thashethemet të zakonshme për ne, por kemi një gjë të madhe që nuk duhet ta harrojmë, kemi shëmbullin e shkëlqyer të të parëvë tanë, kemi amanetin e madh të tyre dhe duhet të tregojmë që mëndësia 70 vjeçaree banditizmit komunist na ka dëmtuar shumë po nuk ka mundur të na e ndryshojë ADN-në stërgjyshore.

Një parti e tillë e djathtë, pa asnjë lidhje me të infiltruar nga kasta komuniste, me një grup parlamentar në Kuvënd, do të ketë një peshë të mirë në skenën politike të vendit. Baza shoqërore e saj do të jenë shtresa e pronarëve të shpronësuar dhe ish të burgosurit e të përndjekurit politikë. Po sa janë këta? Në gjoja-garën për kryetar të PD-së Basha i quajti ata “palca e partisë”, kurse Olldashi i saktësoi si 11.8 % të elektoratit. Sipas shifrave të deklaruara të Agjensisë së Kthimit të Pronave, janë dorëzuar 80 mijë kërkesa për kthim prone. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, janë mbi 22 mijë kërkesa për dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Për të rrumbullakosur shifrën po i bëjmë tok 100 mijë. Pa llogarira të zellshme bëhen rreth 300 mijë votues që mund të dërgojnë në Kuvend 30 deputetë!

Realizimi I kësaj çështjeje do te ketë shumë vështirësi dhe do të kërkoje kohe. Po kryesisht kërkon durim, vendosmëri, bindje të thella, forcë karakteri. Mbi të gjitha kërkon përkushtim dhe ata që do të luftojnë për ta sendërtuar ta konsiderojnë vehten jo politikanë të zakonshëm, por luftëtarë misionarë. Misioni i tyre ka në thelb një kumt amanet që vjen nga thellësia e kohës: Shqipëria do të bëhet, kur të bëhen shqiptarët dhe shqiptarët do të bëhen kur ata të formojnë e të zhvillojnë ndërgjegjen kombëtare! Gjithmonë kam besuar në këtë kauzë e vazhdoj të besoj. Shpresoj ta shoh të fillojë të ecë përpara para se unë të kapërcej pragun që e shoh se po i afrohem. Besoj dhe lutem: Zoti na bekoftë!

Nju Jork  7  Tetor 2013

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Niko Kirka, per nje te Djathte, te vertete

ZËRI I VATRËS THËRRET: JO KLLASA, POR KOMBI!

October 9, 2013 by dgreca

URIMI ME KUSHT I VATRËS PËR QEVERINË E RE TË SHQIPËERISË/

NGA HEKTOR ZOTO-Dega e Vatrës në Washington DC/

 Takimi i përfaqësisë së Vatrës me Kryetarin e Qeverisë së re të Shqipërisë , dëshmon se ajo edhe pas 100 vjetësh është në duar të sigurta Kombëtare. Kryetari dr. Gjon Buçaj me shoqëruesit e tij gjeti mënyrën për të thënë me dinjitet, publikisht e zyrtarisht, qëndrimin e Vatrës: “Ju të njihen direkt me qëndrimet e Vatrës dhe me kërkesat që dëshirojnë vatranët të shohin të realizuara në Shqipëri.”- i tha kryetari i Vatrës Kryeministrit.Kryetari i Vatrës bëri karakteristikën pa asnjë rezervë për qëndrimin e Opozitës në vitet e saj para ardhjes në pushtet. Ia numëroi të gjitha: Për zgjedhjet në 2009, për veprimet e dhunshme, për pengesat parlamentare në dëm të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në organizmat Europiane, si dhe vështirësitë e krijuara në fushat e jetës në Shqipëri e teprimet shumë të dëmshme. Ai tërhoqi vëmendjen për gjestet jo Kombëtare  lidhur me varrezat e okupatorëve të viteve të historisë, luftrave antishqiptare.Mesazhi i Vatrës ishte i qartë: “Bëj për Kombin që të të respektoj!”

-Hidhe, Flake tej Komunizmin, shkaktarin e të këqiave katastrofike të Kombit në të gjithë egzistencën e tij.

  -Zbato drejtësinë njerëzore për të gjithë shqiptarët, duke dënuar krimin që është  ushtruar deri edhe mbi një shqiptar të vetëm.

-Ktheji sot dhe jo mot, atë që ka pasur të tij ”PRONËN”, që iu konfiskua me dhunë e u dënua me burg.

-Paguaj paranë e papaguar atyre që qenë në burgje e në internime, jo thjesht dëmshpërblimin për vitet e burgut, por për punën e bërë në fakt: me norma të matura e të regjistruar, për vagonat e nxjerra nga galeritë e mineraleve, qymyreve e zifteve, që po të mos plotësohej nga i burgosuri, vihej si në Spaç, tek “Shtylla e Turpit” me orë të tëra, dhe ky ndëshkim ishte në të gjitha minierat-burgje të Shqipërisë, ku komandonte partia.

-Paguaj paranë e papaguar për volumet e dheut në kanalet për tharjen e kënetave të mëdha të Maliqit, të Myzeqesë, të Kakariqit e kudo tjetër. Për volumet e dheut në bërjen e taraçave në Lukovë, Sarandë, Ksamil,  e në vende të tjera.

   -Burgu ngrihej mbi objektin që do ndërtohej.”Burgu i Sigurisë së lartë”, si burgu tipik i ndërtimit të Pallateve Agimi në qendër të Kryeqytetit ngjitur me famkeqin”Blloku i Udhëheqjes”,  apo burgu i Uzinës së madhe-Superfosfati i Laçit.

   Të gjitha veprat e mëdha industriale, blloqet e mëdha massive të ndërtesave në qytete e qendra të tjera , veprat tharëse e vaditëse, fabrikat ushtarake të prodhimit të armëve, tunelet nënujore për Flotën Detare-Ushtarake në Porto-Palermo e nën Himarë, strehimet sekrete- Shkëmbore e tunelet e nëndheshme ”Për Byronë”, për kohën e “Sulmit Atomik”,  në Malin e Dajtit e Poliçanit, ndërtimete bunkerëve në të gjithë Shqipërinë, janë bërë nga të burgosurit dhe bijtë e tyre të inkuadruar në brigada pune në ushtri. E ato, Qendrat më sekrete, nga persona të burgosur jo shumë të njohur të dënuar me vdekje, që ekzekutoheshin pasi mbaronte vepra –si rasti i Osman Ryçit nga Larushku i Fushë-Krujës. Volumi i veprave me investime nga të burgosurit është më i madh nga e gjithë puna e bërë nga “Klasa punëtore e fshatarësia punonjëse” në vitet e partisë.Kjo është “Puna e Papaguar”-është “Hua Shtetërore” tipike , e pa kthyer nga shteti kriminel komunist. Vendi këtë ia ka borxh  punëbërësëve-të burgosurëve dhe të internuarëve. Të rikonstruktohen financat dhe Ekonomai e Shtetit për të shlyer borxhin, huanë shtetërore , zgjidhje tjetër nuk ka.

Le të varfërohet vendi për ca kohë. Gjermania edhe sot paguan reperacione lufte. Të ndërtojë edhe vendi ynë blloqe pallatesh për strehimin e të burgosurve. Ua ka borxh! Të barazohet disi jeta e pastaj të hyhet në Bashkimin Europian.

Të burgosurit nuk kanë nevojë për para-mëshire. Ata duan Pronën –Paranë-Strehimin, që i kanë të tyre, që i kanë ndërtuar me duart e tyre, jashtë burgut dhe në burg.Ata nuk e duan, dhe nuk e pranojnë, faljen e kriminelëve-komunistë dhe lëpirësve të tyre. Ata e ndjejnë veten heronj, ashtu si dhe të internuarit, dhe ata janë vërtetë heronj; janë heronj të rezistencës, antikomunsite, heronj të luftës brenda vendit me okupatorët e vendit.Qeveria e mëparshme bëri sa mundi, pati kritika , bile dhe përplasje. Por ajo bëri dhe vepra të rëndësishme të gjithanshme, që vendi i gëzon sot, e bashkë me të dhe të burgosurit politik.Po ju, qeveritarë të rinj të etërve të vjetër, do të bëni përpara, në vendnumëro, apo PRAPA, TEK KUSHTRIMI I TË PARËVE?

Mosbërja, shkakton akumulime , maisje, që çojnë në shtërzime e shpërthime të mëdha që i kushtojnë vendit dhe Kombit.Është koha që t’i hapet rruga dinjitetit të tyre që mbahet akoma bllokuar me anë të urrejtjes së Luftës së Klasave, që ende vazhdon.

Martin Luterking ka thënë:”Një shuplakë e dhënë edhe mbi një individ , ashtë një shuplakë për të gjithë njerëzimin.”

   Komunizmi nuk dha “një shuplakë” në Shqipëri. Ai bëri shumë e shumë krime. Ai bëri krime  masive ndaj një klase ndaj një klase të tërë – që e quajti”reaksionare”, “pronare” , “tregtare”, “intelektualë borgjezë të arsimuar në Perëndim”, “tradhëtarë”, “deviatorë”, “agjentë”, “puçistë”,”mikroborgjezë”, “kapitalistë”, “me lakra në kokë”, “me çfaqje të huaja”, “art e artistë dekadentë”…Kur vetë komunizmi me ”ndryshimin e kushteve historike”!!! i ka hyrë kësaj jete në vrullin e tij karakteristik revolucionar , duke u arsimuar vetë në Perëndim, duke lakmuar edhe Master degree’”,  tituj shkencor të trashëguar ”pronarë”, “tregtarë”, “bankierë”, “Monopole Biznese” me lidhje Kombëtare e Ndërkombëtare, me “kapitale të mëdha”,  me “art dekadent”, me çfaqje të huaja në veshje, paraqitje e jetë mondane, me jetë të çfrenuar, me arrogancë e prepotencë….Në emër të të cilave po Ky Komunizëm Bëri KRIMIN e madh në 50 Vjet-Ai mbetet i “Kllasës” edhe sot, e këtë e pretendon hapur me urrejtje për Klasën tjetër:

– JO kurrë pajtim të shqiptarëve me”Kllasa” – siç e la KOMUNIZMI!

–         Zëri i VATRËS thërret:- JO-KLLASA,- por KOMBI!

                     ***

Është një plus i madh të kesh model Abraham Linkolnin, por emblema e tij është “Shpëtimtari i Kombit” amerikan.

-Po ti?- Kombi nuk bashkohet vetëm me Klube sportive, e grupe folklorike. Ai ka nevojë për “Zë të Fortë”, për Bashkimin e tërë territoreve tona-territoreve shqiptare në një të vetëm, siç thotë figura e shquar e Vatrës Peter Prifti në studimin për Kombin.

  Linkolni i shpalli luftë skllavërisë me shtetasit e tij dhe e hoqi atë me gjak e sakrifica të mëdha.

–         Po Ti?- Skllavëria e Kuqe në Shqipëri, skllavëria e Klasave, 100 vjet më vonë  qe shumë më e tmerrshme se ajo e racës së bardhë karshi racës së zezë. Kuklusklani i paligjshëm vriste të ziun apo të zezën, kurse skllavopronarët komunistë, zhduknin gjenerata deri në katër breza, deri edhe për martesat e pëlqyera prej tyre.

Është plus i madh të kesh për model Tony Blair-por ai- goditi ushtarakisht genocidin e një Kombi kundër një Kombi tjetër, atë Serb kundër atij Shqiptar.

–         Po ti?- Genocidin brenda kombit në Shqipëri e godet apo e përkëdhel?

–         Në ç’pozicion qëndron Qeveria e re me genocidin dhe me pjesën Viktimë të Kombit?

Tony Blair dhe Presidentët e fundit të SHBA i shëtrnguan dorën si burri i shtetit- burrit të shtetit Ibrahim Rugovës e Azem Hajdarit.

PO TI?

Që në shenjat e para Kombi të pyet:- Për ku je nisur, o Kapedan? Ule tonin,-thyeje shkopin-Vërtet, vërtet, vërtetë beson tek ajo thënia popullore ”Bëmë baba të të ngjaj”?

            ***

   Epokën e “mendjeve të ndritura” dhe e “trimave të fortë”  të mbrojtur nga radhë tankesh , Perëndimi e mbylli në vitin 1945-e nisi  epokë të re, ”Epokën e Njeriut të Mirë”.

PO NE?

Ne goditën në fillim të viteve ’90, por nuk e shkundëm plotësisht atë, po valë-valë e me hope.

       ***           

Të lashtët tanë kalin e mbathnin tek Hani apo n’udhë e sipër ku t’i zinte hera.

Atë bëri edhe VATRA në takim me Kryeministrin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hektor Zoto, i Vatres, Kryeminstri Rama, urimi me kusht

VIZITË NË KUKËS, QYTETIN- LEGJENDË, KANDIDAT PËR CMIMIN “NOBEL”

October 9, 2013 by dgreca

Kukesi:” Qyteti i legjendave që strehoi gjysmë milon shqiptarë nga Kosova dhe u zgjua nga rruga Durrës-Kukës, dhe unaza verilindore”/

 Nga Kukesi, BEQIR SINA/

KUKES: Kuksianët thuhet se  janë popull inteligjent, autoironik. Popull, që  nuk ankohen apo të qahen, përdorin shprehje të të urtëve  për të nënkuptuar situatën në të cilën ndodhen. Janë banorë të një qyteti shumë të rëndësishëm që neve  na ndriçon, por varfëria e prekshme  ngado, i ka lënë në terr dhe mund ta vreshë atë sidomos kur  ti je një visitor i thjeshtë  dhe banon jashtë tij. Dikur banorët e saj thonë  se “nuk e shmangie dot këtë qytet për të kaluar përtej kufirit, (kuptohet se atëhere ishin vetëm ish familjet e qeveritarëve ose fëmijët e tyre, ose kalonte tek tukë ndonjë grup artistik, apo sportivë , ndonjë grup“turistësh” i thënshin, i kufirit shqiptaro 0 shqiptarë  për  të dalë në Kosovë,) ndërsa sot, Kukësin me Prizerin mund t’a kalosh si kaloje dikur Tiranën me Durrësin megjithëse ai ka mbetur në fund të një rruge qorre, përbri Rrugës së Kombit. Mirëpo, unë nuk kam shkuar  në Kukës, për të zbuluar atë qytet si Kristofor Kolombi Amerikën, por për të parë këtë qytet që 25 vjet më parë ishte i ndaluar për mua dhe ndoshta për mijëra dhe mijëra shqiptarë të tjetrë që rregjimi na shikonte si “armiqët” e popullit, dhe na frikësohej se mos “arratiseshim” një alibi kjo që ngjallte frikën e ish pushtetarëve.dhe tonën, 

Ndërkaq, vizitova këto ditë udhëtimi nëpër Shqipëri dhe trojet etnike shqiptare , në pjesën verilindore të Iliriadës edhe Kukësin, për të parë një qytet që lidhet  me  një pjesë të hsitorisë së vyer  kombëtare apo vërtetësinë e një legjende  ndër vite, që sot është kthyer  në realitet dhe në thesarin ose pasurinë  e historisë tonë kombëtare.

     Një qytet i cili 5 vite më parë  në cilësinë e jetesës në bazë të një sondazhi të zhvilluar nga Programi i USAID për Qeverisjen Vendore(LGPA), në dhjetë bashki të përzgjedhura,rezulton se banorët e Kukësit jetonin në një standard jetese më të mirë, se më parë. Pothuajse në të gjithë pyetësorët, banorët e kësaj zone veriore kanë shprehur optimizmin për një përmirësim të jetesës dhe zhvillim më të mirë ekonomik, tregonte ky sondazh mjaft interesant.

        Kurse , duhet të veçojë se ky është udhëtimi i parë  i  im në Kukës, nëpërmjet rrugës Peshkopi – Kukës, dhe më pastaj Rrugën e Kombit dy veprat  monumentale të qeverisë demokratike , dhe ish Kryeministrit Berisha, ose siç do t’a quaja unë “Rosveltin e Shqipërisë”, e me thënë të vërtetën e meriton të quhet e tillë sepse  ishte ai që “çau malet” bashkoi Shqipërinë me Kosovën duke ndërtuar një super rrugë, që për më pak se tre orë lidhë Tiranën më Prishtinën.

    Sot, nga Kukësi, për dy orë je në kryeqytet në Tiranë. Tuneli i gjatë 5.8 kilometra që ka çarë malin përtej, nuk ka asgjë më pak, se ato të ndërtuara kudo në Evropë apo tunelet në Shtetet e Bashkuara.

     Në këtë mes  vjeshtë , rruga që kalon përmes luginave  të  bukura dhe maleve të thepisuara e cila lidhë  Peshkopin me Kukësin, për një orë, dhe është  me dy kalime,  një rrugë e standarteve bashkëkohore,  rruga që përshkrova për të vizituar Kukësin, nga Kalaja e Dodës më solli një befasi të veçantë, duke mu dukur vetja sikur kaloi nëpër rrugët malorë te Kolorados .

Kjo rrugë ka një gjatësi 64 km me investim prej 42 milione euro. Ajo lidh Kukësin me Peshkopinë, nxjerrë nga izolimi dhe u shërben 44 mije banorëve të 12 komunave të Kukësit dhe Peshkopisë që shtrihen në luginën e Drinit. Ajo shkurton rreth tre herë distancën e këtyre komunave me Tiranën. Rruga bën të mundur shfrytëzimin e potencialit turistik të jashtëzakonshëm të Korabit dhe vargmaleve të Kukësit dhe Peshkopisë. Rruga gjithashtu është pjesë e unazës veri – lindore që fillon në Valbonë dhe përfundon në Librazhd për të vazhduar me unazën jug-lindore të vendit, është ndërtuar nga qeverisaj e partisë demokratike në dy mandatet e fundit prej ish kryeministrit Berisha nën moton :”” Ne mbajmë premtimet tona!”

  Një udhëtim që të lë “pa frymë” dhe është i paharruheshëm është ai që kalon nëpër autostradën Durrës-Kukës-Morinë (A1, apo edhe “Rruga e Kombit”) i cili është projekti më  madhor rrugor shqiptar në tërë historinë e kombit tonë.

     Rruga u lëshua në përdorim në qershor të vitit 2009 nga ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha. Kjo autostradë e lidh Durrësin me vendkalimin kufitar me Kosovën në Morinë ndërsa kalon nëpër Milot, Rrëshen, Reps, Thirrë, Kalimash e Kukës ndër të tjera. Ajo ka një gjerësi 25-31 metra, gjatësi prej 170 kilometra dhe në të zhvillohet shpejtësi 80–120 km/h. Nga kufiri në Morinë deri në Durrës, rruga ekzistuese 180 kilometërshe që përshkohej për 6 deri 7 orë, është kthyer në një rrugë të shpejtë që të mund të kalohet për vetëm 2,5 orë. Autostrada afron Kosovën me Shqipërinë dhe bregdetin e Adriatikut duke u lidhur edhe me një projekt të ngjashëm në Kosovë,autostradën Merdare-Vërmicë, momentalisht në zhvillim e sipër.Fillimisht e hedhur se ide nga presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 1999, me ish kryeministrin Majko projekti filloi të realizohet në vitin 2003, kur Banka Botërore financoi studimin e fizibilitetit që përshkon kjo autostradë tani.

      Në një kryqëzim mes këtyre dy rrugëve , para të  shfaqet qyteti më i ri në Shqipëri, Kukësi 34 vjeçar. Pallatet uniforme të realizmit socialist, thyhen tek tuk nga ndonjë godinë e lartë e xhamtë. Qendra është një hapësirë e madhe ku në skajet rreth saj janë të ndërtuara Bashkia, Pallati i Kulturës, Qarku, Kulla e Qëndresës symbol i asaj pritjes së të larguarve nga Kosova dhe Gjykata e Rrethit. Në një kënd, është busti i Skënderbeut, bust i cili në këtë hapësirë të madhe duket në miniaturë. Në cepin e gjykatës shtrihet shëtitorja e Kukësit, një ndër shëtitoret më të mëdha. Nga njëra anë sheh liqenin e Fierzës, nga tjetra pallatet standarde, me hapësira të lira për qytetarët e kënde lojërash publike për të vegjlit.

     Sipas një reportazhi të gazetës shqiptare te  gazetares   Rezarta Delisula thuhet se :”Kukësi është qytet unik në Shqipëri sepse është tredimensional. Në këtë zonë janë tre Kukësa; Kukësi i vjetër i përmbytur në vitin 1978, Kukësi i ri apo ky aktual i banuar në vitin 1978 dhe Kukësi i nëntokës, një qytet i ndërtuar paralelisht me qytetin e ri në vitin 1978. Frika nga ndonjë sulm i mundshëm i jugosllavëve e detyroi shtetin komunist të Enver Hoxhës, të ndërtonte paralelisht me Kukësin e ri, këtë qytet të nëndheshëm që rrallëkush e di se ekziston. Qyteti i nëndheshëm është 2.4 kilometra, aq sa është edhe shtrirja e qytetit sipër, pa zgjerimet e viteve post ’90, në formën e tuneleve që lidhen me pikat kyçe të qytetit dhe 7 lagjet e tij. Ka disa hyrje të vendosura në lagje dhe në qendër ku janë institucionet, e në momentet e një alarmi për sulm, i gjithë Kukësi do të kishte mundësi të mbrohej nga qyteti i nëndheshëm, i tëri i kredhur në beton”. Për këtë  sipas saj kryetari i bashkisë së qytetit zoti Hasan Halilaj ka shpjeguar se ai ishte ndërtuar për të përmbushur nevojat elementare të një qyteti. “Në Kukësin e nëntokës, poshtë këmbëve  të qytetarëve të saj  shtrihen, spitali, materniteti, shtypshkronja, ujësjellësi, komiteti ekzekutiv, ai i partisë, sallë e madhe për mitingje apo takime me popullin, burgu, hetuesia si dhe komiteti i partisë. Çdo lagje e qytetit ka një tunel që e bashkon me qendrën”, thotë Hasan Halilaj. Ai shprehet se si kuksian, e dinte që kishte tunele nën tokë në formën e vendstrehimeve, por kurrë se kishte besuar një dublim të tillë të një qyteti të tërë, mbi tokë me nëntokë. 

       Ndërkohë, sipas Dielsulës, thuhet se edhe Bukurosh Onuzi, punonjës i UNDP ka thënë  se para dy vitesh në Kukës erdhi një ekspert ndërkombëtar i turizmit, e pasi pa qytetin e nëndheshëm, u mrekullua. “Ai na propozoi që ky qytet i nëndheshëm të kthehet pikë të vizitueshme nga turistët. Ai kishte qenë më parë në Vietnam, por tha se Kukësi nën tokë as nuk krahasohej me atë që kish gjetur në Azi. Edhe unë kam parë një qytet të ngjashëm në Ballkan por i pakrahasueshëm me këtë poshtë nesh. Ky i ka të gjitha strukturat për të pasur formën e një qyteti të mirëfilltë”, thotë Onuzi. Deri në vitin 1991 qyteti i nëndheshëm është ruajtur dhe mirëmbajtur nga strukturat shtetërore, ndërsa pas saj nisi degradimi. Aktualisht në qytetin e nëntokës mungon ndriçimi e ka dëme të konsiderueshme, megjithatë me pak investim mund të rikthehet si më parë.

 Kulla e përkujtimit të “Eksodit ’99”’ në Kukës

Kulla e përkujtimit të dëbimit masiv të popullatës shqiptare nga Kosova në vitin 1999 nga ish-regjimi i diktatorit Sllobodan Millosheviq, e cila është ngritur në shenjë të falënderimit popullit të Shqipërisë e madhështon bukurinë dhe krenarinë e Kukësit.Kulla e përkujtimit të dëbimit masiv të popullatës shqiptare nga Kosova në vitin 1999 nga ish-regjimi i diktatorit Sllobodan Millosheviq, e cila është ngritur në shenjë të falënderimit popullit të Shqipërisë për strehim dhe mikpritje të treguar më se 460.000 kosovarëve, është e vendosur rrëzë një kodre buzë liqenit të Kukësit, shumë afrë me Hotel Amerika. Kulla e Eksodit në Kukës, është e ndërtuar aty ku popullata kosovare ishte strehuar në çadra masive, është e gjatë 23.5 metra.Kulla përkujtimore e “Eksodit ’99”, ka për qëllim që të ruhet moto “Mos ta harrojmë të kaluarën”, që qytetarët e Kosovës të bëjnë vizita miqësore, të vizitojnë vendet ku qëndruan gjatë ditëve më të vështira, që të vizitojnë nikoqirët e tyre, që të vizitojnë varrezat e atyre që mbetën në Shqipëri si pasojë e dëbimit dhe vuajtjeve gjatë rrugës. Data e fillimit të përkujtimit është marrë 15 prilli, për shkak se nga shtëpitë e tyre, brenda vetëm një dite në aksionin famëkeq “Patkoi”, i organizuar nga ish-regjimi i Millosheviqit, u dëbuan më se 100.000 qytetarë të Mitrovicës dhe atyre nga Shala dhe Drenica të cilët strehimin e përkohshëm e gjetën në Mitrovicë.

 Ekipi i Kukësit ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar, duke kaluar edhe fazën e tretë të Europa League. Jehona madhe e këtij suksesi, kalo edhe përtej oqeanit Atlantik, deri në Amerikë, ku shqiptarët e Amerikës nëpërmjet ekrantit të televizorit ndoqën si asnjëherë ndeshjet e skuadrës së Kukësit që bëri histori.

Mbasi ky është një sukses i paprecedent në historinë e futbollit shqiptar.

 Kukësi është e para skuadër shqiptare dhe e vetme që ka luajëtur në play- off të Ligës së Europës. Kështuqë edhe e ashtuquajtura :”Ëndrra e verës e kuksianëve ka entuziazmuar shumë shqiptarët kudo që janë, duke shtuar shpresat se edhe kombëtarja jonë nën sheblullin kukësian në të ardhmen do arrijë një sukses të madh, e pse jo  kualifikimin në botëror apo atë europian.”

Kukësi është ndërtuar i ri dhe në 1976, kur Kukësi i vjetër u mbyt në ujërat e Liqenit të Fierzës u popullua nga banorët e qytetit të vjetër e nga të ardhur nga zona përreth.Kukësi i Ri është ndërtuar një një rrafshnaltë që rrethohet në trë anë nga liqeni e në një krah nga Mali i Gjallicës që ngrihet i vetmuar dhe i zhveshur (në pjesën që shesh nga qyteti) nga 400 deri në mbi 2500 metra mbi nivelin e detit. Sapo hyn në Kukës bie në sy ndërtesa e ish – Turizmit, një ndërtesë madhështore sipër urës së Drinit të zi që lidh Kukësin me pjesën tjetër të Shqipërisë, më pas pasi kalon një lagje popullore periferike hyn në qytet. Qyteti ka një Bulevard kryesor që shkon nga Sheshi Skënderbej ku është qendra e qytetit dhe shumica e institucioeve dhe ku në krye të bulevardit bie në sy ndërtesa e Radio Kukësit, Sheshi i gjerë dhe monumenti në kujtim të viktimave të 1999-ës. Por zhurma bëhet e gjitha në anën tjetër të qytetit. Nisë nga axhensia, aty ku nisesh për në juglindje, (Bicaj, Bushtricë, Peshkopi), duke vazhdar më tej te stacioni i veriut (Bardhoc, Morinë, Prizren), më tej të stacioni që nisen drejt verilindje (Zapod, Topojan, Shishtavec), duke dale te pazari ku bëhet edhe kambizmi e deri te Shota (monumeti i Shote Galicës) ku nisesh për në veri perëndim e jug perëndim (Shëmri, Has, Tropojë) duket sikur e gjithë jeta e qytetit është e përqendruar aty.

   Qyteti vetë funksionon si qendër pazari për të gjithë malësorët e zonës, ndaj është normale që ti shohësh të mbledhur të gjithë aty, duke ardhë më furgonët që i zbresin në 7 dhe i marrin përsëri për në malësi në ora 13. më pas qyteti shpërqendrohet në Bulevard.

Në kafenetë e rrugës kryesore.

 Kukësi si qytet është shumë i ri. Krahina e Lumës ka patur disa qendra të sajat që shpesh kanë qenë më të rëndësishme se edhe vetë qyteti, si Bicajt, Zhuri apo Kalaja e Dodës. Por Zhuri u pre jashtë kufirit shtetëror duke e humbur rëndësinë që kishte për Lumën, Kalaja e Dodës iu kalua Dibrës në juridiksion dhe në pjesën që mbeti u formua qyteti i Kukësit që do të shërbente si qendër e Lumës, Hasit, Gorës dhe Malziut.  

     Varret ilire të zbuluar në luginën e Drinit në Kënetë dhe në Kolsh flasin për një jetë në këto anë të paktën që para 4000 vitesh. Por Kukësi ka qenë gjithnjë pjesë e Prizrenit dhe në hijë të Prizrenit. Dhe në histori nuk përmendet thuajse askund. Sepse përmendet si prizrenas. Në Lumë është zhvilluar një nga betejat më të harrura të kombit shqiptar,ajo e zhvilluar në 1912 kur Perandoria Osamane po binte dhe oreksi i fqinjëve ishte shtuar. Në Qafë të Kolesjanit sot ka një monument të lënë pas dore që përkujton këtë ngjarje. Monumenti tjetër në Sheshin Skëndërbej dëshmon për një ngajrje tjetër që ka shënuar jetën e kësaj zone si rrallë kund në botë. Në vitin 1999 mbi 500 000 mijë shqiptarë nga Kosova kaluan nëpër apo u ndalën në Kukës dhe për këtë gjë Kukësi u bë qyteti i parë dhe i vetmi në botë i emëruar ndonjëherë për çmimin Nobel.

    Kukësi nga qytet i lënë në harresë, është kthyer në vëmëndjen e publikut me ngjarjet e fundit. Që nga 1999 e këtëj ai rri si elemnet i rëndësishëm i debatit. U debatua shumë për aeroportin e Kukësit (4 km nga qyteti në Shtiqën) i cili është ndërtuar dhe ende nuk po vihet në funksion, u debatua edhe më shumë për autostradën Durrës–Milot–Kukës, e cila mund të jetë çelësi i zhvillimit i këtyre zonave.

    Kukësi ka një pasuri nëntokësore shumë të madhe e cila shfrytëzohej me minierat e Kalimashit, Gjegjanit, Lojmes etj., dhe që pritet të vihet në punë së shpejti.

     Kohët e fundit është ndërtuar nëj punishte për përpunimin e patates, që është produkti kryesor i bujqësisë së kësaj zone.
Të famshëm në Kukës janë edhe sixhadet dhe qilimat që prodhohen në mënyrë artizanale me tezgjah, por që dikur prodhoheshin nga një punishte industriale si dhe kostumet e ndryshme popullore.

    Malësorët e zonës së Çajës, Bushtricës e Topojanit janë të njohur si barinj në të gjithë Shqipërinë të cilët kanë arritur të mbarështojnë rracën e tyre të deles dhe të qenit të stanit. (Lumjanët, delja lumjane, qeni i Lumës).

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, Cmimi Nobel, kandidat, Kukesi, qyteti Legjende

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5144
  • 5145
  • 5146
  • 5147
  • 5148
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT