• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NAAC,udhëheqësit shqiptarë në darkë festive

September 28, 2013 by dgreca

Nga Ilir IKONOMI/

Një numër udhëheqësish shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia morën pjesë mbrëmë në darkën e përvitshme të shtruar në Nju Jork nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë që nxit paqen dhe zhvillimin ekonomik në Ballkan. Organizata nderoi me çmime Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker dhe nobelistin e paqes, Muhammad Yunus. Të ndjekim materialin e përgatitur nga kolegu Ilir Ikonomi.
Çdo vjeshtë, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan mbledh në një sallë udhëheqës dhe personalitete të ndryshme shqiptare nga Ballkani, të cilët vijnë në Nju York për të përfituar nga fakti që këtu mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Ky është viti i 17 që Këshilli nderon njerëz të cilët kanë kontribuar në favor të shqiptarëve kudo që ndodhen. Mes atyre që janë nderuar në të kaluarën kanë qenë ish-Presidenti Bill Clinton dhe ish-kryeministri Tony Blair.

Ish-sekretarja e shtetit Hillary Clinton, e cila kishte njoftuar se do të merrte pjesë, tha se një konflikt në programin e saj e kishte detyruar të ndryshonte planet.
Në darkë ishin Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, kryebashkiakja e Tetovës, Teuta Arifi dhe kryetari i Bashkisë së Preshevës, Ragmi Mustafa.
Jashtë sallës, një grup shqiptarësh të ardhur nga Miçigani, që përfaqësonin Malësinë, thanë se protestonin kundër pjesëmarrjes në darkë të Kryeministrit malazez Milo Gjukanoviç. Një përfaqësues i Këshillit Shqiptaro-Amerikan i tha Zërit të Amerikës se nuk ishte e vërtetë që zoti Gjukanoviç ishte ftuar.
Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, u nderua me çmimin “Duart e Shpresës”. Ai tha në fjalimin e tij se brenda këtij viti, u pa qartë se një e ardhme euroatlantike është e mundur për të gjithë.
“Kroacia hyri në Bashkimin Evropian më 1 korrik, Mali i Zi ka bërë përparime në këtë rrugë dhe më 19 prill të këtij viti, Kosova dhe Serbia arritën një sukses historik dhe tani po zbatojnë marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve. Në Shqipëri, zgjedhjet e fundit u zhvilluan mirë dhe ne, qeveria amerikane jemi veçanërisht të kënaqur që parlamenti i ri, si qeveria e kryesuar nga Zoti Rama, ashtu edhe opozita, janë mjaft të angazhuar për ta çuar përpara Shqipërinë si një aleate e shquar e NATO-s në rrugën evropiane. Dhe, siç e kam zakon t’u kujtoj miqve të mij, më shumë Evropë nuk do të thotë më pak Shtete të Bashkuara,” tha ambasadori Reeker.
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, tha se arritjet e shqiptarëve do të kishin qenë të vështira pa ndihmën e miqve dhe aleatëve:
“Pa dyshim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku dhe aleati ynë më i madh. Ato kanë qenë të pranishme në momentet më kritike të fatit tone dhe gjatë arritjeve historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve,” tha zoti Nishani.
Kryeministri Edi Rama tha se sukseset e shqiptarëve të Amerikës janë një shembull i qartë se sa e suksesshme mund të jetë Shqipëria në rrugën e saj për t’u bërë një demokraci e zhvilluar. Ai tha se përulet me admirim përpara komunitetit shqiptaro-amerikan që është një thesar kombëtar:
“Do të doja të ritheksoja gatishmërinë dhe dëshirën time të plotë për t’ju angazhuar juve që të ecim së bashku me një frymë të re bashkëpunimi në këtë fillim të ri të qindvjeçarit të dytë të Shqipërisë së pavarur,” tha Kryeministri Rama.
Ai u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve për të kontribuar, sipas fjalëve të tij, “për shpëtimin e ekonomisë së Shqipërisë, që është në një gjendje shumë të vështirë.”
Kryeministri Hashim Thaçi falenderoi zyrtarët amerikanë për njohjet e reja që ka marrë Kosova dhe që e kanë çuar numrin e përgjithshëm në 104.
“Unë vij nga një vend ku pothuajse 100 përqind e popullatës mbështet Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jam krenar për këtë. E kam për  detyrim dhe për nder që t’ju falenderoj të gjithë juve për suksesin e përbashkët në Republikën e Kosovës,” tha Kryeministri Thaçi.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova ka nevojë sidomos për njohjen edhe nga 5 vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur dhe mënyra më e efektshme është duke e bërë Kosovën një vend më të mirë.
“Kjo do të thotë në radhë të parë luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe duke e bërë Kosovën një vend të sigurtë për investime private,” tha zoti Haradinaj.
Profesor Mohammed Yunus, laureat i çmimit Nobel të Paqes për vitin 2006, foli me shembuj konkretë se si funksionon programi i tij për t’u dhënë kredi të vogla të varfërve.
Në komentet për Zërin e Amerikës, Profesor Yunus tha se programi në Shqipëri sapo ka filluar dhe ai është optimist:
“Nuk shikojmë ndonjë vështirësi. Kemi disa kufizime në financim, por një interesim të jashtëzakonshëm për këtë lloj biznesi social.”
Njerëzit, sidomos të rinjtë janë të interesuar për biznesin social. Shikojmë një entusiazëm shumë të madh, tha profesor Yunus.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: darke festive, Ilir Ikonomi, NAAC, Philip Reeker

Kryeministri Rama në OKB: Vizioni për Shqipërinë

September 28, 2013 by dgreca

Në Nju Jork, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara po vazhdon sesionin e 68-të, ku po marrin pjesë udhëheqës nga mbarë bota.  Kryeministri  i Shqipërisë Edi Rama iu drejtua asamblesë para disa orësh. Kryeministri shqiptar u ndal tek imazhi i vendit të tij dhe problemet kryesore si korrupsioni. Ai tha se kjo ndikon tek investimet dhe përparimet e vendit të tij.
Korrupsioni mund dhe duhet të mundet nëse ne kërkojmë të ndërtojmë ekonominë dhe sundimin e ligjit për të cilat kemi nevojë, për investimet dhe nxitjen e turizmit. Zoti Rama shprehu angazhimin në luftën kundër korrupsionit.Kryeministri shqiptar u ndal po ashtu edhe tek aspiratat e vendit të tij drejt Bashkimit Evropian.
Zoti Rama shprehu bindjen se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë ka shënuar fillimin e një epokë të re në rajon.  Dialogu Prishtinë-Beograd është një akt kuraje dhe mençurie si nga Kosova dhe Serbia dhe sfidon vendet e rajonit për të mobilizuar përpjekjet për mënyra të reja bashkëpunimi që i sherbejnë ripërtëritjes ekonomike të Ballkanit drejt rrugës për në Bashkimin Evropian.
Zoti Rama shprehu angazhimin e vendit të tij për paqen dhe begatinë në rajon. Zoti Rama u bëri thirrje vendeve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin atë. Vizioni im për Shqipërinë, përfundoi zoti Rama, është po ashtu një vizion bashkëpunimi në Ballkan, duke sfiduar të kaluarën historike të luftrave dhe konflikteve(VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Fjalimi, Rama ne Okb

VATRA I PROPOZOI PRESIDENTIT DEKORIMIN E THEMELUESËVE DHE TË VATRANËVE TË DËNUAR NGA DIKTATURA KOMUNISTE

September 28, 2013 by dgreca

Të Shtunën, me 28 shtator, një përfaqësi e Vatrës është takuar me presidentin Nishani në Hotelin Lexinton. Presidenti shoqërohej në takim nga ambasadori Gilbert Galanxhi dhe Konsulli i Përgjithshëm Dritan Mishto. Përfaqësia e Vatrës përbëhej nga Kryetari dr. Gjon Buçaj, sekretarja e Vatrës,  Nazo Veliu dhe editori i Diellit, Dalip Greca.

Presidenti Nishani falenderoi Vatrën për pritjen e ngrohtë gjatë vizitës së Tij në Shtëpinë e Vatrës dhe gjatë darkës, që organizoi Vatra dhe bashkësia shqiptare me 24 shtator. Ndër dhjetra takime që presidenti ka organizuar me komunitetin shqiptar në të gjithë Amerikën, veçoi atë me Vatrën, për shkak të historisë që Vatra mbanë mbi shpinë si dhe të veprimtarive të saj në shërbim të Kombit.Vatra, tha presidenti, më shumë se kushdo tjetër, është kontribuesja më e madhe e ruajtjes së identitetit shqiptar këtu në Amerikë për më shumë se 100 vite, është një urë e fuqishme miqësie mes Amerikës dhe Shqipërisë.

Puna e Vatrës është e lidhur fort me çështjen kombëtare, tha presidenti.Ajo ka përcjellë dhe vazhdon të përcjellë mesazhe bashkimi shpirtëror, kulturor  për  popullin shqiptar në trojet e veta etnike. Më pas Presidenti foli për sfidat që e presin Shqipërinë për  të ardhmen e saj Europiane, marrjen e ftesës për në BE, realizimin e reformave, ruajtjen e standarteve demokratike, foli për sfidat që e presin Kosovën, për forcimin e shtetit, për rritjen e njohjeve ndërkombëtare, ku ka kontributin e vet edhe Shqipëria, edhe Diaspora, foli për sfidat e shqiptarëve në Maqedoni, për Marrëveshjen e Ohrit, për sfidat e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe  në Malin e Zi. Për këtë të fundit ai tha se ia ka përcjellë presidentit malazes dy kërkesat kryesore të popullsisë shqiptare për Komunën e Pavarur të Tuzit dhe  hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe. Nuk ka asnjë argument kundër, dhe për pasojë të dyja janë të realizueshme.

Më pas presidenti u ndal edhe në çështjen çame. Tani kjo çështje  nuk është më tabu; për të flitet hapur në Parlament, madje ka dhe një Rezolutë të Parlamentit Shqiptar dhe Presidenti shtoi se gjatë vizitës që do të bëjë në Tiranë presidenti grek, ai do t’ia shtrojë edhe çështjen çame. Nuk bëhet fjalë për ndryshim kufijsh, sqaroi ai, por për probleme të trashëgimisë së pronave dhe shtëpive të popullsisë çame.

Diaspora shqiptare në Amerikë, tha presidenti, kërkon edhe mbështetjen dhe koordinimin me vendlindjen për t’i rritur kontributet në Washington.

Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti tha se diaspora shqiptare, Vatra, të gjithë e kanë të hapur derën e presidencës për bashkëpunim dhe punë të përbashkëta për çështjen Kombëtare.

Dr. Gjon Buçaj, kryetar  i Vatrës, e falenderoi presidentin Nishani për fjalët vlerësuese të adresuara Vatrës dhe vatranëve si dhe në adresë të diasporës në përgjithësi. Vatra, tha ai, natyrisht nuk ka pushtet egzekutiv, por ajo ka 101 vjet që i shërben çështjes Kombëtare dhe po kështu do të vazhdojnë brezat e ardhshëm.

Z. Buçaj, shprehu besimin se institucioni i presidencës do të ushtroje autoritetin e  vet për të ndikuar në thellimin e reformave, duke ruajtur standartet demokratike, me qëllim që Shqipëria me dinjitet të shkojë në BE. Në mesazhin e tij, dr. Buçaj përcolli idenë se krahas integrimit në BE Shqipëria dhe Kosova si dy shtete shqiptare të ndikojën pozitivisht që të unifikohet faktori shqipatr në Ballkan për të ruajtur arritjet e deritanishme dhe për t’i çuar ato më tej. Faktori shqiptar duhet të jetë i përgatitur dhe të punojë fort për bashkimin dhe jo për ndarjen, pavarësisht ngjyrave politike.Urojmë që infrastruktura rrugore t’i lidhë të gjitha trojet, deri edhe në skajet më të largëta.

Dr. Buçaj, shprehu shqetësimin se ndërrimi i pushtetit, nuk duhet të kthehet në revansh dhe të shkatërrojë investimin e bërë në adminsitratë. Dr. Buçaj e quajti të nxituar veprimin e fitusëve të zgjdhjeve duke hequr nga zyrat e shtetit  fotografinë e kryetarit të shtetit. Ai përmendi edhe pushimet pa kriter nga funksionet, siç ka ndodhë me Konsullin e  Shqipërisë në New York, z. Dritan Mishto, i cili e ka mandatin  edhe për një vit. Konsulli Mishto ka qenë shumë i lidhur me komunitetin shqiptar, pavarësisht orientimve politike.

Duke shtruar shqetësimet e Vatrës për zhvillimet në Shqipëri, kryetari Buçaj shfaqi brengën për uzurpimin real që i ka bërë autoqefalisë së Kishës ortodokse shqiptare Kryepeshkopi Janullatos.

Një problem tjetër, që shtroi para presidentit të Shqipërisë , kryetari i Vatrës, ishte edhe ai për vlerësimin e figurave të baltosura nga diktatura komuniste, që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot në demokraci. Ka figura të periudhës së Mbretit Zog dhe të kohës së okupimit, që kanë bashkëpunuar për t’i shërbyer sa të mundnin Kombit. Duhet parë me vështrim të kthjellët kontributi i Ernest Koliqit dhe bashkëpunëtorëve. A duhet vlerësuar  hapja e shkollave shqipe në Kosvë?

Në fund të bisedës kryetari Buçaj i paraqiti presidentit propozimin e Vatrës për dekorimin e themeluesëve të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA si dhe të vatranëve atdhetarë të pushkatuar, të burgosur, të mbeturit pa varre nga diktatura komuniste.

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, Gjon Bucaj, Nazo veliu, Perfaqesia en Vatres, presidenti

Jo gjithmonë replikat e kundërreplikat janë kaq miqësore!

September 28, 2013 by dgreca

Zotit Reshat Kripa!/

Nga Pellumb KULLA/

Pasi lexova replikën tuaj, vazhdova të lexoja me shqetësim në pjesën e komentatorëve që pasonte shkrimin…

I dashur miku im, ne që marrim përsipër të dalim në publik duhet të bindemi të durojmë reagimet që janë pa përgjegjësi, që janë tërësisht pasionalë, të anshëm dhe kryesisht të pasjellshëm. E duke qenë në një gazetë që mundohet me shumë vështirësi të mos anojë nga e majta, natyrisht rrebeshi dhe fyerjet e lexuesve të saj ndaj teje, miku im, ishin më të shumta. Dhe ndjej një farë përgjegjësie sikur vijnë edhe ca për shkakun tim, ndaj trishtohem. Këto radhë desha t’i shkruaja edhe unë në mes komenteve, natyrisht me emrin tim të plotë, por m’u duk më me vend ta bëj edhe më publike duke shkruar normalisht, pasi unë radhitem ndër bashkëpuntorët e kësaj gazete gjë që e kam për nder, kur kemi parasysh një gazetë që ka edhe ajo një meritë shumë të madhe në fitoren e demokracisë shqiptare më 23 të qershorit.

Zoti Reshat! Në shkrimin tim të para ca ditëve, unë nuk kisha fërkime me letrën tuaj, dhe ju duhet ta dini fare mirë se ishin plot të tjerë që e mbushnin dhe e derdhnin kupën. Bile unë nga droja se më keqkuptoni ju, citova nga letra juaj një frazë të qytetëruar dhe jo ato pjesë ku mund të mos isha dakord me ju.

Nga ana tjetër stili bardhezi I perceptimit të botës nga bashkëkombasit tanë, shkrimin tim e kanë parë si një rreshtim të verbër pas Ramës dhe asnjëri nga komentuesit e shumtë që pasuan publikimin e tij, nuk u ndal tek fraza ime finale “e dua Ramën por kurrë sa e kam dashur Berishën në agimin e viteve ‘90” që është në fakt dhe thelbi i shkrimit tim dhe që tregon se njeriun e paprovuar në udhëheqje të vendit e urojmë dhe e duam se presim. Presim!

Dhe juve miku im i vuajtur, ju them që ne kemi nevojë që të mësohemi të duam udhën më shumë se udhëheqësat. Por, mjerisht në Shqipëri, Kosovë apo diasporë, ne po shohim të kundërtën. Kam parë dyqane që shesin filxhana me fytyrën e Sali Berishës, Enver Hoxhës, artistë që akoma bëjnë dhe këndojnë këngë për ta.

Sot mora vesh me kënaqësi, se këtu në Nju Jork ka ndodhur një ngjarje e madhe një kapërcim cilësor, që tash 20 vjet që jam unë këtej nuk pat ndodhur. Një përfaqësi e Vatrës ka bërë një takim me kryeministrin e ri Rama. Është një gjë që unë e përshëndes me gëzim të madh. Përgëzoj për këtë tërë kryesinë e Vatrës, por vecan kryetarin e saj aktual Dr. Gjon Bucaj I cili duket që ka thyer një tabu në një ambient ku parrulla e ditës tash 20 vjet ka qenë “I kemi dhënë besën Berishës!” një postulat anakronik që u ka tamam hije malësorëve të Alpeve me mustaqe dhe qostekë. Ata nuk e dijnë se ka shumë burra të zamanit që venë dorën mbi ungjill në një kishë të madhe ku u bekon martesat prifti, betohen për besnikëri të përjtëshme dhe pastaj nuk hezitojnë të divorcohen sapo e ndjejnë veten të tradhëtuar ndyraz.

Dhe tradhëtia e idealeve të shfajëson nga tërë besat dhe besnikëritë.

Kjo ngjarje e mirë do ta verë dhe mërgatën shqiptare në një rrugë me atë të kombeve të tjerë që nuk i ndjekin aq me zjarr fushatat në atdhe, e thuajse janë gati indiferentë se kush e merr pushtetin në atje. Në konventat e përvitshme të grekëve dhe italianëve psh vjen vazhdimisht i ftuar Presidenti amerikan, kurse shqiptarët jo vetëm nuk bëjnë dot një konventë si ato, por në festat e flamurit as kryetarët e Bashkive të qyteteve amerikanë nuk dijnë cilës ftese t’i përgjigjen, pasi po atë natë për flamurin me dy krerë, janë organizuar tri darka shqiptarësh në çdo qytet. Dhe kjo përçarje është “meritë” e Sigurimit enverian dhe e udhëheqësit që sapo u përmbys.

Por përpara gjestit të Vatrës, unë më duhet të evidencoj veprën e madhe të shqiptarëve të 23 qershorit, edhe ky një kapërcim cilësor në jetën e të persekutuarve shqiptarë: refuzimin e votës për Berishën! Këtë fakt nuk e përmend njeri (që nuk kanë përmendur as edhe një shkak tjetër, veç gjoja arrogances së ministrave Jo të Kryes, port ë ministrave!!!). Humbja e kësaj mbështetje të të gjymtuarve të Enverit, jam i sigurtë që ishte një shkak madhor. Dhe kur them këtë mos mbështetje nuk llogaris e mbështetën apo jo Sali Berishën  kryesitë e shoqatave të të përndjekurve demokratë, të të përndjekurve legalistë, apo të përndjekurve socilademokratë e demokristianë.

Megjithëse i shfajësuar disi nga largësia dhe mungesa e informacionit, ju kërkoj ndjesë dhe ju përgëzoj për ato që citoni në replikën tuaj. Vetëm vepra juaj teatrale që më dërguat dhe që më pëlqeu pa masë, më siguron se në shumë gjëra ne të dy jemi në sintoni të plotë. (Dhe ju premtoj se çka është në dorën time, unë do të ndikoj fort që ajo të realizohet në skenë). Shkaku pse nuk u ngjit në skenë deri tani, se mos dogëndiste ndonjë të madh nuk qëndron më pas 23 qershorit!). Pra mua më pëlqen sintonia me ju.

Avantazhi im mbase është edhe për faktin që unë kam luksin dhe shpengimet që të jem më i patërthortë se sa jeni ju, që duhet të ruani ca ekuilibra politikë. Nxitoj të them që kam informacion qind për qind të sigurtë që këstin e dytë nuk e kanë marrë të gjithë, në kundërshtim me atë që konfirmoni ju. Nxitoj gjithashtu të nënvizoj, se nuk mund të mos trishtohem kur për grevën e urisë që përfundoi me djegje bashkëvuajtësish të dëgjoj “qëllimet e organizatorëve” që janë shprehje tipike berishiane. Ca ish të burgosur përdorin edhe shprehje më të sofistikuara, deri dhe qesharake për demostratën dhe përgjakjen e 21 janarit ’11, kur venë shënjat e barazimit mes revoltës dhe shtypjes, dhe thonë “mirë mirë, po kush i shpuri demostruesit para grykave të zjarrit?!” Sikur ato gryka nxjerrin zjarr tërë kohën! Kurkush nuk ish njoftuar se që nga dritaret kryeministria grykat e armëve lëshojnë zjarr të pandërprerë, se po të dihej kjo, që do vriteshin e plagoseshin njerëz, demostrata as do të bëhej hiç. Por nga dritaret e godinës së qeverisë nuk villet zjarr, as pas atyre  vrasjeve. Unë vetë në këta dy vjet, kam kaluar sypatrembur disa herë para kryeministrisë, por asnjëherë nuk e kam ulur kokën që të mos më kosisin breshëritë e grykave permanente të zjarrit! Bile kam patur rast që kam provokuar paturpësisht edhe më shumë: kam kaluar me duar në xhepa!..)  Pra, i dashur miku im, vetvetiu nuk më pëlqen, që në letrat e të përndjekurve nuk pashë të zihet në gojë hetimi i plotë, as i Gërdecit dhe as i 21 janarit, për të mos thënë thyerjet e embargos dhe zinxhirin e mëkateve që unë i shoh dhe ata nuk i shohin.

Në mbyllje të shkrimit unë nuk mund të mos nënvizoj pas eventit të 23 qershorit edhe shkrimin tuaj fisnik edhe takimin e kryetarit të Vatrës me kryeministrin e ri, në vizitën e parë në Nju Jork, që janë me një vlerë të madhe. Që të dyja këto ngjarje dëshmojnë dështimin politik të kreut demokratikas. Teorisë së shpifur berishiste “të ardhjes së bllokmenëve të rinj” nuk I merr më luga ujë!

I nderuari miku im Reshat Kripa, me respektin më të madh për figurën tuaj, ju uroj një pleqëri të bardhë, ju uroj një penë edhe më të mprehur për çështjet ende të pazgjidhura që më apelojnë t’ju bashkohem edhe unë, dhe në një farë mase kërkoj ndjesë për shqetësimin që ju kam sjellë dhe ju kam bërë të merakoseni më shumë seç duhet!

Filed Under: Featured Tagged With: kunderreplikat, Lellumb Kulla, reshat kripa

Një sqarim për mikun tim Pullumb Kulla

September 28, 2013 by dgreca

Nga Reshta KRIPA/

Po ju shkruaj me vonesë, pasi vetëm mbrëmë lexova në internet letrën e hapur që ju i drejtonit zotit Sali Berisha. Për këtë letër më njoftuan disa miq të mi që e kishin lexuar në gazetën “Dita”. U bëra kurioz, hapa internetin, gjeta shkrimin dhe e lexova. Natyrisht, sot në sistemin demokratik, kushdo ka të drejtë t’i shpreh mendimet e tij hapur dhe pa pasur frike, si dikur, se mos e persekutojnë. Unë, gjithashtu, mendoj se nuk ka te drejtë askush të kundërshtojë mendimin e tjetrit, për sa shkruan ai për një individ çfardo, kushdo qoftë ai. Ndaj unë nuk do të shfaq asnjë opinion për të gjitha ato që shkruani për Sali Berishën, qofshin merita apo dështime. Ato janë e drejta juaj personale t’i paraqisni sipas mendimit që ju keni për të. Kjo është e drejta juaj ekskluzive. Mua mund të mos më duken të gjitha të drejta, por nuk është detyra ime të ndërroj opinionin tuaj. Por unë do të përqëndrohem në disa çështje që dalin nga shkrimi juaj dhe që më përkasin personalisht mua dhe shoqatës që përfaqësoj. Lidhur me këtë mendoj se një gjë e tillë ka ndodhur pasi ju, për vetë faktin që ndodheni larg atdheut, keni mungesë informacioni lidhur me aktivitetin tim dhe të shoqatës tonë. Për sa më sipër dua të bëj sqarimet e mëposhtme.

Në artikullin tuaj ju shkruani: Ju i kërkoni qeverisë së re “Komuniste” që të shlyejë brenda dy vjetësh detyrimet financiare ndaj të përndjekurve. Nuk ia kërkuat kështu qeverisë “antikomuniste” të “premtimeve të mbajtura” që ju dha solemnisht zotimin se do t’i shlyente brenda tetë vjetëve.”

Një kërkesë e tillë nga ana e ime, i dashur Pullumb, nuk është një ultimatum që unë i drejtoj atij. Ajo është një kujtesë që unë i bëj për premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale prej tij dhe grupit të punës së ngritur për këtë qëllim me përfaqësues të të përndjekurve politikë. Unë mendoj se premtimet në një fushatë elektorale nuk duhet të jenë “Flluska sapuni” të hedhur në erë, por  të bazuara në një realitet të prekshëm. Madje unë e përgëzoj për këtë “nismë” të tij në favor të shtresës që përfaqësoj. Por, për të thënë të vërtetën, dyshoj në realizimin e këtyre premtimeve. Kjo ka arsyet e veta. Ai ka aluduar se me ardhjen në pushtet do të amendoj ligjin për dëmshpërblimin financiar me një nen që përcakton se çdo i përndjekur duhet t’i drejtohet gjykatës për përfitimin e dëmshpërblimit. Me pak fjalë ne, ish të dënuarit nga regjimi komunist, duhet të endkemi përsëri dyerve të gjykatave.

Nuk dua të flas për periudhën 1997-2005 kur qeveria socialiste drejtohej nga Nano. Majko dhe Meta. Gjatë tetë vjetve të sundimit të tyre nuk vrejtëm asnjë shenjë se kishin dëshirë të bënin diçka të mirë për këtë shtresë. Madje edhe një ligj dëmshpërblimi që miratuan ishte një tallje pasi na jepte, për mëshirë, një kafe 50 lekshe në ditë dëmshpërblim, ligj që, me të drejtë, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Por do t’ju kujtoj periudhën 2005-2013. Është e vërtetë që qeveria demokratike dhe aleanca e drejtuar prej saj nuk i mbajtën të gjitha premtimet e bëra. Kështu për shembull ligji për dëmshpërblimin financiar u zbatua vetëm për dy këste kur duhej të ishin shlyer katër. Përveç miratimit të ligjit të dëmshpërblimit dhe ngritjes së Institutit për Hetimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist, nuk u zbatua asnjë prej pikave të tjera të Rezolutës së Kuvendit të Shipërisë për dënimin e krimeve të kryera nga ai regjim. Këto dhe të tjera tregojnë se predispozicioni i kësaj qeverie nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Por shumë herë më negativ ka qenë qëndrimi i opozitës socialiste kundrejt nesh dhe kjo opozitë drejtohej nga zoti Edi Rama. Kjo vërtetohet me nxjerrjen nga salla të deputetëve socialistë sa herë miratoheshin ligje në favor të shtresës tonë. Pikërisht për këto raste kam shkruar në shkrimin e mëparshëm. Ndaj atje i kërkoja Ramës të kërkonte ndjesë për këto veprime që, në një farë mase, do t’i quaja kundra interesave të kësaj shtrese, për të mos thënë armiqësore, gati gati si qëndrimi i dikurshëm ndaj saj.

Në artikullin tuaj shkruani se përse këto gjëra nuk ia paskemi kërkuar edhe Qeverisë Demokratike apo Sali Berishës. Edhe këtu gaboheni dhe unë jam i sigurtë se edhe kjo vjen nga mungesa e informacionit. Më lejoni t’ju rendis disa artikuj të mi lidhur me këtë çështje:

Më datën 22 shkurt 2007, lidhur me humbjen e shumë kryetarve demokratë të bashkive të mëdha në zgjedhjet lokale të zhvilluara atë vit,  në gazetën “Telegraf” kam botuar artikullin “Fitimtarët e pakicës” ku midis të tjerave shkruaja:

 

“Por së fundi dua t’i drejtohem edhe Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë ku bëjë pjesë dhe në mënyrë të sinqertë t’i shpreh mendimin tim për këto çështje. E çmoj së tepërmi kontributin tuaj në drejtimin e Partisë Demokratike dhe të qeverisë, por dua të shtoj se  përgjegjësinë kryesore në këtë humbje e keni ju. Pushteti i gjatë i konsumon njerëzit. Nuk e di se si do të veprojnë vartësit tuaj, ajo është e drejta e tyre,  por mendoj se është në nderin tuaj të tregoni fisnikërinë që ju ka karakterizuar. Bëni xhestin që ju takon burrave të shquar të politikës botërore. Jepni dorëheqjen. Partia Demokratike ka plot burra të tjerë të ndershëm dhe të zotë që mund  ta drejtojnë atë.”

Më datën 3 korrik 2007 kam botuar përsëri një letër të hapur drejtuar Kryeministrit Sali Berisha ku, midis të tjerave, theksoja: “Një miku im para disa ditësh më tha se kjo është rezultat i politikës së Katovicës që po ndiqet në vendin tonë. Natyrisht unë nuk dua ta besoj një gjë të tillë. Por nuk gjej as argumenta për ta kundërshtuar. Çdo ditë ndeshem me miqtë e mi bashkëvuajtës që e venë theksin në këtë çështje. Ata më flasin për miratimin e një ligji dinjitoz për dëmshpërblimin material të tyre,  për të vrarët nga rregjimi që akoma nuk kanë një varr ku të afërmit  e tyre të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule, për rishikimin e legjislacionit për ta bërë atë të pajtueshëm me rekomandimet e Këshillit të Europës, për hapjen e dosjeve për të gjithë ata që pretendojnë të futen në politikë, për largimin nga administrata shtetërore të gjithë ish sigurimsave dhe njerëzve të tjerë të këtij  kallëpi,   për rishikimin e teksteve shkollore që akoma vazhdojnë të jenë shkruar nën frymën e ideologjisë komuniste, për rivlerësimin e figurave të shquara të rezistencës antikomuniste dhe ngritjen e memorialeve per ngjarje të shënuara të kësaj rezistence, për hapjen e muzeumeve nëpër vendet ku është ushtruar më shumë dhunë, për barazimin të paktën të statusit të tyre me atë të veteranëve të luftës në mënyrë që të mos ketë diferencim në trajtimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiprtare dhe së fundi për thirrjen e një konference me pjesmarrjen e përfaqësuesve të Presidencës, Qeverisë, Parlamentit, partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë, mediave dhe shoqërisë civile e cila do të shqyrtojë mundësinë e ngritjes së një komiteti me ekspertë të pavarur për shqyrtimin e krimeve të kryera nga sistemi komunist në Shqipëri.”

Le  t’i  hedhim  një  vështrim  shkrimit  tjetër me   titull “ A po zbatohet Katovica?”

botuar në gazetën “Metropol” datë 14 qershor 2012:Një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë, qysh në marsin e vitit 2010, të dënonte krimet e komunizmit. Po për këtë qëllim, më 14 dhjetor 2010, gjashtë ministra të jashtëm, ata të Lituanisë, Letonisë, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Bullgarisë i kërkuan Sekretares së Përgjithshme për Drejtësinë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zonjës Vivian Reding,  dënimin e këtyre krimeve por që, për fat të keq, kjo kërkesë nuk u përkrah nga Ministri ynë i jashtëm.”

E pra Ministër i Jashtëm ishte pikërisht zoti Ilir Meta, për të cilin ju shkruani se qenka një nga “njerëzit e paparashikuar në kornizat hoxhisto-ramiziste”.

Tani dua të flas lidhur me grevën e urisë të shpallur nga një grup të përndjekurish politikë, nga të cilët një pjesë ishin me të vërtetë të tillë. Megjithëse për këtë grevë unë kam rezervat e mia që nuk ia vlen t’i shpreh tani, po ju paraqes një fragment nga shkrimi im, botuar në gazetën “Metropol” datë 29  tetor 2012 me titull: “Greva e urise, media dhe të përndjekurit politikë” që bën fjalë pikërisht për qëndrimin e qeverisë për këtë çështje:

“Le të flasim  për menaxhimin që i bëri qeveria kësaj greve. Mendoj se ai nuk ishte i drejtë. Ajo ra në grackën e përgatitur nga organizatorët e grevës dhe zëdhënësit e saj dhe u kthye në një shkëmbim batutash jokorrekte midis tyre. Ditët e fundit Kryeministri deklaroi se ligji do të zbatohej një për një, se dëmshpërblimi do të përfundonte pikërisht në vitin 2017, se në ligj do të bëheshin edhe përmirësime dhe shtesa të tjera. Kjo është një gjë e mirë të cilën shoqata e jonë e ka kërkuar prej kohësh.  A nuk do të kishte qenë më mirë që këto deklarata t’u ishin bërë të ditura grevistëve qysh në ditët e para të saj? A nuk do të kishte qenë më mirë që një përfaqësues, për  shembull, i Ministrisë së Financave, t’u kishte bërë të ditur atyre të dhënat mbi përfitimet në privatizime e të tjera, që më vonë  u publikuan nëpërmjet organeve të medias?”

E pra këto janë vetëm një pjesë e shkrimeve të shkruara nga unë lidhur me çështjet që u përkasin të përndjekurve politikë dhe dua t’ju siguroj se asnjë nga shkrimet e mia nuk është hartuar në “kancelaritë e kryeministrit të përmbysur”, siç shkruani juve. Shkrimet e mësipërme flasin vetë për të kundërtën. Por ne jemi një shoqatë e të përndjekurve politikë dhe nuk mund të heshtim kur kryhen veprime që bien erë komunizëm nga cilido krah qofshin.

Ne kemi konstatuar dhe konstatojme ende se të dy krahët e politikës vazhdojnë të mbështeten në elementë, dosjet e të cilëve sikur të ishin hapur, nuk do të guxonte njeri t’i emëronte në detyra kyçe të pushtetit. Fjalën këtu e kam më tepër për ish punonjës të Sigurimit të Shtetit, prokurorive, hetuesive dhe gjykatave të regjimit komunist. Ne nuk kemi heshtur dhe nuk do të heshtim asnjë herë për këto raste. Jemi i vetmi vend i Europës Lindore ku individë të këtij kallëpi i gjen në majat e politikës shqiptare. Ndaj iu drejtova zotit Rama për emërimin në postin e këshilltarit të një agjenti të njohur të UDB-së dhe për këtë janë vetë kosovarët që flasin.

Para disa muajve ju dërgova për vlerësim,  një monodramë me temë sipas romanit tim “Shkallët e Ferrit”, botuar në vitin 2008. Monodrama bën fjalë pikërisht për penetrimin e këtyre tipave të cituar më sipër në postet më të larta të administratës së sotme. Ia kisha dërguar më parë disa aktorëve,  regjizorëve, dramaturgëve  të njohur të teatrit dhe kinematografisë, por asnjë nuk mori përsipër vënien e saj në skenë. Përse? Ndoshta nga frika se do t’u dogëndiste disave prej të mëdhenjve të vendit. Jua kërkova edhe juve një gjë të tillë. Pasi e vlerësuat më premtuat se kur të vini këtu në tetor do ta bisedojmë. Unë jam në pritje, por kam frikë se, përsëri tani, që u ndërrua pushteti, monodrama do t’u dogëndisë disa drejtuesve të rinj të këtij pushteti.

Këto ditë bënë një vizitë në SHBA, me ftesaë të ish Presidentit Klinton dy përfaqësues të pushtetit në Shqipëri, Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama. Ndërsa i pari, përveç pjesëmarrjes në ceremoninë në të cilën ishte ftuar, u takua edhe me përfaqësuesit e mërgatës shqiptare në Amerikë dhe zhvilloi një bisedë miqësore me ta. Ndërsa i dyti, harroi se në Amerikë jetojnë një bashkësi e madhe bashkëqytetarësh, të vjetër dhe të rinj dhe preferoi më mirë të merrte pjesë në ceremoninë e dasmës së një miliarderi ultra të majtë. Mendoj se ky krahasim nuk ka nevojë për koment.

Filozofi Friedrich Nietzsche shkruante në librin e pambaruar “Vullneti për pushtet” qysh në vitin 1906:

“Kam fatin që kam gjetur, pas mijra vjetësh aberacioni dhe konfuzioni, rrugën që të çon te një “jo” dhe te një “po”.

Unë ju mësoj që ti thoni “jo” gjithçkaje që ju bën të dobët, që ju ezauron.

Unë ju mësoj që t’i thoni “po”çdo gjëje që të jep forcë, që grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës.”

Unë kam zgjedhur këtë të dytën, miku im. I përkas krahut të djathtë të politikës shqiptare dhe do të vazhdoj të jem i tillë deri në fund. Për mua nuk kanë rëndësi individët që drejtojnë forcat politike. Për mua kanë rëndësi programet e tyre. Jam me atë që është më afër nesh.

Ju përshëndes dhe ju uroj gjithë të mirat!

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Nje sqarim, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5164
  • 5165
  • 5166
  • 5167
  • 5168
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT