• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ëndrrat e parealizuara

September 22, 2013 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

Sot po afrohem te tetëdhjetat. Flokët janë zbardhur. Protezat kanë zëvendësuar dhëmbët.  Hedh vështrimin larg, shumë larg, në rininë time. Ishin vite të vështira. Nuk e di nëse mund ta quash rini atë tonën. Rini e rritur nën hijen e pleqërisë. Mjegulla e kohës që sundonte në vend, e kishte mbuluar. Donim të studjonim, por nuk na linin për të studjuar. Donim të punonim, por nuk na linin për të punuar. Donim të jetonim, por nuk na linin as për të jetuar. Këto mund t’ju duken si mendime abstrakte por, në atë kohë, jetohej në një botë abstrakte

Jetoja në botën e ëndrrave. Vetëm ëndrrat nuk mund të m’i ndalonte njeri. Mbi të gjitha, ëndrra më e bukur, ishte ajo për një botë më të mirë. Kjo ishte ëndrra e fëminisë time. Por edhe këtë ma ndërprenë. Shpata e Damokleut ma ndërpreu në mes. Më përplasën në rrethin e nëntë të ferrit, ku mbizotëronin tri gojët e Luçiferit. E përse do të thoni ju? Do t’ju duket e pabesueshme, por vetëm e vetëm sepse shkruaja nëpër mure: “Rroftë Shqipëria?”

Kështu filluan për mua, aventurat e tmerrshme të Sigurimit të Shtetit, burgut të Vlorës, kampeve të punës së detyruar të Urës Vajgurore, Vlashukut, Shtyllasit dhe Bulqizës. Ëndërroja të studioja dhe të dilja jurist, inxhinier, mjek, artist apo shkrimtar. Por kjo ëndërr nuk u realizua. Mbarova shkollën e vuajtjeve, shkollën e urisë, shkollën e torturave. Megjithatë pata fatin që mbeta njeri dhe kjo për hir të atyre burrave të shquar që munda të takoj në atë skëterrë, që më hodhën dorën dhe nuk më lanë të bija në greminë. Ata u bënë për mua prind, mik edhe shokë.  Ata u bënë mësuesit e mi.

Së fundi u ktheva përsëri në gjirin e familjes.Kisha një dëshirë. Kisha një ëndërr. Të shkruaja poezi, tregime dhe romane. Por druhesha se a do të më botoheshin vallë? Viti 1957. Vazhdoja vitin e parë të gjimnazit të mbrëmjes. Ora e hartimit. Profesor Milo Duni na dha temën. Ishte një temë e lirë mbi fillimin e vitit të ri shkollor. Shkruajta një prozë poetike të titulluar: “Dalçë faqebardhë!”

Erdhi ora e korigjimit të hartimeve. Mora fletoren dhe vura re se profesori i nderuar nuk kishte vënë notë. Në vend të saj kishte shkruar me laps blu:

 

Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime…

 

Ndërsa më poshtë vazhdonte me laps të kuq, të vendosur në thonjëza:

 

“Po të kesh kohë të lirë”.

 

I nxitur nga ky shënim shkruajta një tregim mbi jetën e një jetimi, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e luftës, Në fund të tregimit, jetimi gjendet i vdekur në mes të një pylli. E dërgova për botim në një gazetë letrare të kohës. Prita përgjigjen, por ajo nuk erdhi kurrë. Atëherë u binda se për mua do të mbeteshin të mbyllura për gjithnjë dyert e botimit. Edhe kjo ëndërr e imja mbeti e parealizuar.Vendosa të mos shkruaja më. Nuk e di, nëse bëra mirë apo keq, por kështu e mendova. U mbylla në veten time.  U bëra njeri i heshtur që vetëm ëndërronte. Sikur të jetonte Erih Maria Remarku do të më kishte quajtur “ I fundmi i romantikëve”, si heroin e romanit të tij.

Vitet kaluan. Kuçedra ra së fundi nga piedestali ku qëndronte prej  vitesh.  Një  botë  e  re

filloi të lulëzonte. Mendova se kishte ardhur koha që të filloja përsëri karrierën time letrare. Ishin ditët e eksodeve të mëdha të vitit 1991. Flitej për të vrarë dhe shkrehje armësh. Flitej për të plagosur, madje edhe për të humbur. Vetëm televizioni shtetëror heshte.  Shkruajta një artikull me këtë temë që e titullova “Quo vadis R.T.SH.?” E dërgova për botim në të vetmen gazetë të djathtë që botohej atëherë. Kësaj here përgjigja erdhi negative. Kryeredaktori më njoftonte se nuk mund ta botonte pasi, gjoja, nuk mund të bënte polemikë me televizionin dhe se për eksodin na paskëshin qenë shkruar mjaft deri atëherë. Në të vërteë, për këto tema, gazeta vazhdoi të shkruante edhe për shumë kohë. Madje, edhe sot, vazhdohet të shkruhet.

Një gjë e tillë më habiti jashtë mase. Nuk i jepja dot shpjegim. Fillova të mendoj me veten time:

– Mirë deri dje që nuk na lejonin, pasi i përkisnim kampit kundërshtar, po sot, në demokraci, ende do të vazhdojë çensura e shtypit?

Megjithatë, kësaj here, nuk veprova si disa vite më parë. Fillova përsëri të shkruaj dhe t’i botojë nëpër organe të ndryshme të shtypit, madje edhe në atë gazetë që ma refuzoi shkrimin e parë. Kam shkruar një mori artikujsh qysh atëherë. Shkruajta edhe një libër me tregime dhe një me kujtimet e fëminisë të cilat i botova me ndihmën e fëmijve të mi. Botova edhe dy romane për të cilat më sponsorizuan dy miq. Tani kam gati për botim një libër me përmbledhjen e publicistikës së viteve 1991-2012, një përmbledhje me poezi modeste dhe dy romane. Gjendja ime financiare është e tillë që nuk kam mundësi të përballojë botimin e tyre. Kisha dëshirë të botoja së pari përmbledhjen publicistike. Kërkova ndihmën e Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, shoqatë në cilën bëj pjesë edhe vetë. Ajo u tregua e gatshme të më ndihmojë.

Me shkresën Nr. 484 protokolli, datë 31.07.2012, shoqata iu  drejtua Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, për sponsorizimin e botimit të librit tim. Pas një periudhe prej dhjetë muajsh, më në fund njoftohem se bordi i kësaj qendre kishte miratuar sponsorizimin e botimit dhe, në mbështetje të këtij vendimi, me shkreësën Nr. 343 protokolli, datë 21.05.2013 lidha kontratën-tip me këtë qendër, që u nënshkrua nga unë dhe Kryetari i Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës. Mora takim edhe me kryetarin dhe sqaruam disa pika të ndryshme të librit në fjalë.

Në pikën “A” të nenit 3 të kontratës thuhet:

 

“ 40% të shumës së akorduar subjekti e përfiton menjëherë me lidhjen  e  kontratës tip.

20% të shumës së akorduar, e  përfiton  pas  realizimit  dhe  përfundimit  të  projektit.

40% të shumës së akorduar e përfiton pas dorëzimit të gjithë dokumentëve  origjinalë                      justifikuese të projektit.

 

Qysh nga ajo datë kanë kaluar gati katër muaj dhe unë nuk kam marrë ende 40% e parë nga qendra. Jam interesuar pranë zyrave të saj por nuk më kanë dhënë asnjë arsye. Kam kërkuar të takojë kryetarin, por deri më sot ka qenë e pamundur. Më datën 16.08.2013 i kam dërguar një letër por, çuditërisht, edhe ai nuk më është përgjigjur. Heshtja e tij më kujtoi një thënie të luftëtarit të madh për të drejtat e njeriut, Doktor Martin Luter Kingut:

 

“Ajo që është më e rrezikshme nuk është vetëm njeriu i keq, por dhe heshtja e njerëzve të mirë.”

 

Është pikërisht kjo heshtje që më vret më tepër. Nuk mund të imagjinoj që një nëpunës i një institucioni demokratik të heshtë përpara kërkesave të qytetarëve, aq më tepër, kur një kërkesë e tillë është bërë nga një shoqatë si ajo e të përndjekurve politikë, shtresës më të përvuajtur nga rregjimi komunist.

Ëndrrat e mia të parealizuara vazhdojnë. Tani, kur kthehem në shtëpi, hap kompjuterin dhe shkruaj diçka. Këto ua dërgoj organeve të shtypit, të cilat e botojnë ose jo, sipas orientimit të tyre. Unë vazhdoj të shkruaj, pamvarësisht nëse botohen ose jo. Fëmijtë e mi, kur të kenë mundësinë, le t’i botojnë. Në të kundërt le të qëndrojnë aty. Koha do të bëjë të vetën. Tani po punoj për një roman të ri.. Kapitujt e tij i lexoj dhe i rilexoj. Më duken si “Kangët e pakëndueme” të Migjenit.

Dhe në ato çaste më kujtohen vargjet e tij:

 

“O kangët që fleni, reliket e mia,

Q’ende s’keni prekun asnji zemën t’huej,

Vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija,

Unë djepi juej, ndoshta vorri juej!”

Filed Under: Kulture Tagged With: endrrat e parealizuara, reshat kripa

Bisede per Marie Logorecin, ikonen e pavdekshme te skenes dhe ekranit shqiptar

September 21, 2013 by dgreca

Intervistë e bashkëpunëtorit të Diellit ne Jacksonville-Florida, Lek Gjoka me të birin e Marie Logorecit, Pjerin Logoreci, qe ndodhet keto dite ne Florida/

Maria lindi në Shkodër më 23 Shtator 1920. I jati Palok Çurçia ishte zejtar kurse e ëma Roza, shtëpiake. Paloka ishte një nga themeluesit e “Shoqërisë punëtore” një shoqëri sindikaliste.  Që në vegjëli Marien e thirrën me përkëdheli Tushi. Ajo ndoqi shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, ne Shkoder, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative.

Në gjimnaz filluan të duken prirjet e para, Maria vizaton bukur, këndon dhe më vonë fillon t’a shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e Besimit. Por kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Ne Arkivin Privat Logoreci ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe në të cilat dëshmojne një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent.

Brenda një kohe të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut. Njohja dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Marien. Të jatit kur i thonin se Tushi është e shkathët si djalë, bisedon me të rriturit këndon dhe i bie mandolinës shumë mirë, ai përgjigjej: – “Po, por nuk është djalë!” …Kujtonte kështu fëmijën e parë, djalin që I kishte vdekur.

Duke shfletuar ne Arkiv fletoren e hartimet e shkollës së kësaj periudhe ndeshim një me titull: “Dje në Tiranë…sot në Shkodër…”

Më 27 të Nandorit shkova në Tiranë me e pritë kremtjen e flamurit. Atje ndeja edhe do dit të tjera me e pa ma mirë kryeqytetin,… – dhe pasi përshkruan bukuritë e Tiranes, vazhdon – Mbasi e njofta mirë, ktheva në Shkodër e u kujtova se më kishte marrë malli për njato pak dit që ndenja atje.

Mandej thashë: dje në Tiranë sot në Shkodër, ma mirë sot se dje, se si i thonë një fjalës: Vendin e huej ta lëvdoshin, por mbrendë mos i shkosh.

Por nuk kaluan as 6 vjet dhe Maria shkoi përgjithmonë në Tiranë. Ajo u largua nga Shkodra në vitin 1937. Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi. Pranë “Miqve të muzikës” kishte ndjekur për pesë vjet mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën. Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhërit të Skënderbeut”. Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit) një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me bisedat e Matisë me Fishtën, Koliqin, Çabejin, Xhuvanin dhe me kujtimet për Luigj Gurakuqin, e Mjedën qe sapo kishte vdekur të cilin Matia e kishte djalë halle.

Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.

Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme.Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.

Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien dhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, duke e ndihmuar që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj. Kështu në Nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor.

Rruga e saj skenike kaloi me perpjekje, por me kënaqësinë, e përmbushjes së pasionit dhe suksesit.Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errta, tek rolet Alisa Lengton, ne “Rrënjët e thella”, Kristina Padera, ne “Komplloti i të dënuarve”, Gertruda, tek “Hamleti”, Fatimja, te “Halili dhe Hajria”.

Bernarda Alba, tek :Shtepia e Bernarda Albes , Lady Milford ne “Intrige e dashuri” Gjela tek “Permbytja e madhe” etj.

Kush e ka parë, nuk u emocionua e nuk fshiu një lot të fshehtë nga interpretimi i Maries në Loken te “Toka jonë”.

Kështu në veprat e Shekspirit, Molierit, Lorkës, Gorkit etj., si dhe në veprat kombëtare të Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës etj.,

Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, :Femijet e saj dhe në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën.

Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj duke mbetur per artdashesin simboli I nenes shqiptare Lokja.

Rolet më të suksesshëm të saj sipas kritikes janë: Xhesi te “Çeshtja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te “Toka jonë”, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, Nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”, Mara te “Përkolgjinajt”, Plaka te “Çatia e të gjithëve”, Nëna te “Cuca e maleve”, Gjela te “Përmbytja e madhe” etj.Marie Logoreci eshte vleresuar disa here per punen e saj artistike. Ajo mban titullin me te larte artistik “Artiste e Popullit”.Perfitova nga rasti qe keto dite Pjerini eshte ketu ne Florida per ta takuar dhe per te bere nje bisede me te ne lidhje me kete pervjetor te Marie Logorecit.

Me 23 shtator eshte 93 vjetoi i lindjes se Marie Logorecit. Si e perjetoni dhe si festonit kur ishte gjalle?

Sigurisht qe nuk eshte nje dite e zakoneshme, zakonisht shkojne disa dite perpara qe ne cdo rast pergatis dicka ne lidhje me Marien qe se bashku me materialet e pergatitur nga gazetaret apo koleget e saj perbejne ate qe po e quaj tufa e luleve ne kujtim te Maries. Fatkeqesisht duhet te them te verteten se mendoj qe tani i kushtojme me teper kohe ditelindjes se saj se sa kur ishte gjalle. Edhe ajo vete nuk i kushtonte shume rendesi. Sigurisht qe shpesh pervec nesh, dmth. familjes vinte edhe ndokush tjeter dhe kaq. Perkundrazi e madhe behej ne ate kohe ditelindja ime.

A mund te na thoni disa fjale per familjen Logoreci, cilet jane njerezit e saj te permendur?

Po them fillimisht se Maria mbiemrin e saj e kishte Çurçia, nje familje qe vazhdon te jetoje ne Shkoder e Tirane, ne Itali, ne Mal te Zi dhe Serbi. Te njohur nga kjo familje jane Arqipeshkvi Luigj Curcia, Gasper Curcia, trombisti dhe drejtuesi i orkestres se muzikes se lehte ne RTV. Ne familjen Logoreci Maria shkoi nuse.  Logorecet kane pasur dhe kane njerez te njohur, Arqipeshkvi Andrea Logoreci,  Mati
Logoreci gjuhetar (nipi I Andreas) Kole Logoreci economist (I biri I Matise), Anton Logoreci gazetar (I nipi I matise), sot eshte Susan Logoreci Ilustratore (stermbesa e Matise)

Cila ishte jeta ne familjen e Maries?

Ka qene nje jete normale e intelektualeve te asaj periudhe, ku kryesisht familja merrej me preokupimet e mbarevajtjes se shfaqeve. Bisedat kryesore ishin gjithashtu te lidhura me artin. Shpesh babai I binte violins kryesisht valseve te Shtrausit. Shume me rralle Maria I binte mandolines. Ajo gjithnje e me teper lexonte, degjonte muzike . Une meqe punoja ne Radio Tirana (ne ate kohe) kujdesesha qe te regjistroja per magnetofonin muziken qe ajo donte, qe ishin vepra klasike simfonike dhe operistike.

Me pak fjale Jeten e Maries shoket e saj e kane percaktuar keshtu. Cohej shpejt ushqente qente, macet, pellumbat, gatuante dhe nisej vone per ne pune. Sander prosi thoshte “Maria niset nga shtepia ne oren 9 dhe do te arrije ne pune ne 9 pa pese”

Mbasditja gjithashtu ishte e ngarkuar edhe kur nuk kishte shfaqe, sepse kishte deshire ti ushqente vete breshkat qe mbante, te lagte lulet, dhe ne fund ulej te lexonte. Autoret e saj te preferuar, ishin Shekspiri, Cehovi, Balzaku, Dostojevski…

A do te kete ndonje organizim me rastin e ketij pervjetori?

Jo, zakonisht organizojme dicka ne pervjetore te plote te lindjes apo edhe te vdekjes. Ky eshte 93 vjetori, keshtuqe do te kete dicka me te madhe me rastin e 95 vjetorit. Ne kete pervjetor mbaron ripunimi I faqes se internetit www.marielogoreci.com, u publikua ne Apple ibook dhe apple iTunes ne 51 shtete libri elektronik Marie Logoreci ne tre gjuhe, anglisht, italisht dhe shqip per perdoruesit e celulareve iphone dhe tableteve te apple. Dhe keto dite po ky liber, gjithmone pa pagese do te publikohet ne google books dhe google play, per celularet dhe tabletet qe perdorin android.

Faleminderit Pjerin

Ju faleminderit Juve Lek!

Filed Under: Kulture Tagged With: Interviste, Lek Gjoka, Marie Logoreci, Pierin Logoreci

VAZHDIMËSI APO NDRYSHIM ?

September 21, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika /

Gjatë pothuaj një viti të fushatës zgjedhore P.S. dhe kryetari i saj shpalosën, në të gjitha shfaqjet e saj, idenë e ndryshimit që do të sendërtohej në jetën e Shqipërisë, mbas vendimit të “sovranit”, të shprehur më 23 qershor 2013.

U deshën më shumë se dyzet ditë që ky vendim të bëhej zyrtar. Kjo qe anomalia e parë e këtij proçesi zgjedhor, për të cilin entuziazmi i politikës, i mediave, madje dhe i të huajve shkoi në qiell, një tregues i hapur i një bindjeje, tashmë të rrënjosur thellë në të gjithë opinionet, se akti i votimeve, veprimi më i thjeshtë, më i natyrshëm e, njëkohësisht, më i rëndësishëm në jetën e një demokracie, në Shqipëri nuk mund të jetë kurrë në kufijtë e së zakonshmes. 23 qershori 2013 duket se, deri diku, e hodhi poshtë këtë postulat, të krijuar në më shumë se dy dhjetëvjeçarë të kalesës, mbasi, fatmirësisht, pala humbëse pranoi përfundimin, mjaft i prekshëm, për të mos lënë shumë shtigje për kundërshtime, ankimime apo shfaqje të tjera të vërtetuara në vitet e shkuara. Megjithatë afati i pritjes së shpalljes së përfundimeve tregon mbrapambetjen e theksuar të administratës dhe legjislacionit shqiptar në mbarështimin e proçesit kyç të jetës demokratike. Si ka mundësi që Vende të tjera, me dhjetra miliona votues, janë në gjëndje që, brënda 12 orëve të shpallin rezultatet, ndërsa ne na duhet një muaj e gjysëm për të numuruar më pak se dy milionë skeda zgjedhore ?

Një tjetër motiv i diskutueshëm është prirja mohuese e politikës shqiptare, për të hapur, realisht, proçesin zgjedhor ndaj shqiptarëve të mërguar. Prej vitesh politika, në të dy krahët e saj, ka spekulluar mbi këtë argument pa e kanalizuar asnjëherë atë në hullinë e një vendimi zyrtar të Kuvendit, që do t’i jepte mundësinë qindra mijra shqiptarëve të mërguar të thonë fjalën e tyre, në përcaktimin e barazpeshave të jetës politike të Atdheut të largët. Është një praktikë e zbatuar në shumë Vende të botës dhe krejtësisht e mundëshme të sendërtohet, pa organizuar karvanë autobuzësh apo makinash nga Greqia, apo premtime të pambajtura për pagesa biletash aeroplanësh nga Italia ose Vëndet e tjera. Nuk dekretohet votimi në qendrat konsullore apo nëpërmjet internetit, nuk dihet se pse…. Është një lloj frike apo mospranimi që i bëhet opinionit të atyre që kanë lënë Shqipërinë duke ruajtur lidhjet me të, sepse ajo i la ata pa asnjë mundësi dinjitoze jetese apo t’ardhmeje, por që, në këta dy dhjetëvjeçarë të kalesës, kanë dhënë një ndihmesë të çmuar, jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për qëndrueshmërinë financiare të vetë Shtetit shqiptar. Ky i fundit, si shpërblim, shfaq mospërfilljen….

Nga përfundimi i zgjedhjeve, deri në formimin e hyrjen në fuqi të Qeverisë së re, kaluan gati tre muaj. Ky është një tjetër paradoks i legjislacionit tonë, nuk di a ka ndonjë rast tjetër të tillë në botë. Në absurditetin e saj kjo gjëndje prodhon ato dukuri si kontrata, dhënie sipërmarrjesh, emërime etj., të cilat sot kundërshtohen fuqishëm e  kërcënohen me pezullime dhe asgjësime, duke vënë në lojë humbje financiare e, akoma më shumë   besueshmërinë dhe seriozitetin e vetë Shtetit dhe përfaqësuesve të tij.

Kryeministri i ri, Edi Rama, në daljet e tij në publik e në skenën ndërkombëtare, ka shpalosur ide e synime që meritojnë vëmëndje. Shumë e dobishme ideja për të vënë në sitën e ndonjë institucioni të njohur ndërkombëtar gjëndjen financiare të Vendit, që ka nevojë për një diagnozë të saktë n’atë drejtim. Vëmëndja ndaj Kosovës e bashkërendimi i veprimtarive të dy qeverive është me shumë interes, nëse do të ketë si synim strategjik jo interesa kastash por ata kombëtarë.

Takimet me përfaqësues të lartë të institucioneve të B.E. e të NATO-s, veç ritualit të zakonshëm të paraqitjes së një qeverie të re , lënë të shpresohet në një tjetër mendësi, që i hap rrugën një shpejtimi të proçesit të integrimit evropian të Shqipërisë, për të cilin duket se ka një prirje të përgjithëshme miratuese. Kryeministri shqiptar vlerësoi zyrtarisht punën e paraardhësve të tij para autoriteteve të Brukselit, duke theksuar edhe shumë detyra të tjera që mbeten për t’u kryer. Nuk i përcolli në tryezën e dëshëruar për të qenë i ftuar, akuzat e ndërsjellta e të pafund që kanë shoqëruar, në gjithë këta vite, përfytyresën e politikës shqiptare. Edhe se është në kuadrin e një etike, do të thosha të domosdoshme në një jetë politike normale, meriton vlerësim  nëse mbajmë parasysh realitetin tonë.

Kryeministri zotohet brënda e jashtë Vendit se do të luftojë me rrënjë korrupsionin, jo thjesht si një kalë beteje të zakonshme, por si një strategji që do t’i sigurojë jetëgjatësi, duke paraqitur ajo dukuri pengesën më të madhe në rrugën e Evropës. Nuk mund të mos jesh i një mëndjeje me të kur ai shpall solemnisht se asnjë zyrë shteti nuk do të bëhet fole prodhuese postesh pune në funksion të interesave vetiake, familiare, të  klanit, të partisë etj. “Shumë e bukur për të qenë e vërtetë” thotë një proverb italian. Sikur të realizohej dhe gjysma e këtij synimi do të ishim të lumtur të konstatonim faktin se kemi bërë një nga kthesat më të rëndësishme në jetën e shoqërisë shqiptare. Por…. ka shumë arsye që bëjnë skeptik edhe optimistin më të zjarrtë të “rilindjes” shqiptare.

Ai mosbesim rrjedh, kryesisht, nga aktorët që do të sendërtojnë këtë “hop” të madh cilësor në Shqipërinë e njëmijë problemeve. Duke mbajtur parasysh faktin e risisë së një pjese të mirë të Qeverisë, që shprehet në moshë e funksione, kursi i ri do të ketë “bekimin” e  rojes së vjetër të trashëgimisë ramiziane, të ngritur në fushën e politikës në vitet e fundit të regjimit e në fillimet e dhjetorit 1991. Çfarë sigurie mund t’i japin këtij kursi të ri drejtues si Gramoz Ruçi, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo e të tjerë si këta ? Vitet e kalesës së pambaruar e të dështuar të sistemit Shqipëri mbajnë vulën e pashlyer të këtij brezi politikanësh që, së bashku me “kundërshtarët” e tyre në PD e kanë monopolizuar në trajta  berluskoniane jetën politike. Jemi i vetmi Vend ish komunist që kemi në drejtimin e Shtetit dhe të politikës të njëjtët njerëz që e përcaktuan atë në 1991. Ky fakt, më shumë se të na bëjë të mendohemi, duhet të na bëjë të skuqemi, sepse provon katërcipërisht paaftësinë tonë për të shkuar përpara, për t’u ripërtërirë politikisht, për të lënë mbas krahëve mallin për socializmin, bëmat dhe idetë e tij, për të pëvehtësuar mendësinë e respektimit të vlerave qytetëruese, që shprehet në forcimin e shtetit ligjor që bëhet pengesë e pakapërcyeshme për ato dukuri që çojnë në paralizat e shoqërisë.

Koha do të tregojë se sa do të jetë në gjëndje ekipi i ri i kryeministrit të vejë në zbatim nevojat e domosdoshme të ripërtëritjes mendësore të politikës shtetërore, se sa do të përfaqësojë ndërrimin brezor, duke e shoqëruar atë me evolucionin e nevojshëm botkuptimor. Sigurisht kthimi në glorifikimin e konferencës së Pezës nuk shkon n’atë drejtim, ashtu siç nuk është një tregues pozitiv fakti që Qeveria merr një vendim të heqë nga zyrat e shtetit portretin e Kryetarit të tij. Edhe duke mbajtur parasysh vlerën e personit, përkatësinë dhe mënyrën e zgjedhjes së tij që, ndoshta për mjaft qytetarë mund të jenë të diskutueshme, nuk do të nguroja t’a quaja atë vendim një shkelje të etikës politike, një veprim të panevojshëm, madje të dëmshëm.

Në shumicën dërmuese të vendeve demokratike portreti i Kryetarit të Shtetit është i pranishëm në të gjitha zyrat qeveritare. Kjo është një praktikë e konsoliduar që mban parasysh çastin real e nuk ka lidhje me të shkuarën dhe historinë.  Ideja për të vënë portretin e firmëtarit të parë të Pavarësisë së Shtetit shqiptar nëpër zyra, në dukje kërkon të ngrejë në piedistal një vlerë madhore historike, në fakt është një mënyrë jo shumë e zgjuar për të asgjësuar de facto autoritetin e Kryetarit aktual të Shtetit, duke e arkivuar si të parëndësishme figurën. Sigurisht Bujar Nishani nuk ka e nuk mund të ketë peshën dhe personalitetin e themeluesit por, që nga çasti i zgjedhjes në funksionin e Presidentit, ai bëhet qytetari i parë i Republikës, simboli i bashkimit të saj e si i tillë respekti për të bëhet i domosdoshëm. Puna dhe veprimtaria e tij mund të jenë objekt kritikash edhe t’ashpra por, përderisa ai mos të ketë kryer ndonjë veprim që, simbas kushtetutës, i jep të drejtë Kuvendit të kërkojë shkarkimin, ai mbetet një figurë ndaj së cilës asnjë lloj qeverie nuk ka të drejtë t’a verë në diskutim.

Zoti Ilir Meta u shpreh se heqja e fotografive të Presidentit është kryer më parë nga paraardhësja e tij në funksion, zonja Topalli. Se sa pak bazë logjike mund të ketë një argument i tillë justifikues është në sytë e të gjithëve. Fatkeqësisht ajo tregon nivelin e ulët të politikës shqiptare në përgjithësi, që është në gjëndje të asgjësojë edhe vlerat më parake të bashkëjetesës institucionale për teka vetiake, për mospërputhje interesash, idesh e konceptesh. Nëse znj. Topalli ishte bërë nismëtare e heqjes nga zyrat e saj të  fotografisë së ish Kryetarit Topi, zoti Meta, si autoriteti i dytë i qeverisë Berisha, duhej të kishte ndërhyrë për t’a kritikuar ashpër atë veprim e jo t’a quante një preçedent për t’u imituar simbas kohës e njerëzve. Veprimi është i dënueshëm në të gjitha rastet e habit fakti që ai, në të shkuarën ka kaluar pa u “vënë re” nga organet e medias e nuk ka patur kundërveprime.

Mendoj se duhet të jëmi të vetëdijshëm se, duke shkelur edhe rregullat më të thjeshta të bashkëjetesës institucionale, do t’i hapim rrugën vetëm mohimit të vlerave shtetformuese, për pasojë anarkisë së koncepteve, dukuri këto që na bëjnë të shkojmë jo drejt Evropës por drejt Haxhi Qamilit. Nëse duam të nderojmë gjithmonë kujtimin e Plakut të Vlorës, mund të miratohet në Kuvend një ligj që e bën të detyrueshëm vendosjen e fotografisë së tij në të gjitha zyrat, krahas asaj të Kryetarit aktual të Shtetit. Të dy mund të qëndrojnë njëkohësisht, njëri simbol i vlerave të përjetëshme të Kombit e tjetri përfaqësues i Shtetit aktual, dëshmi e aftësisë për të fuqizuar institucionet e për t’i respektuar ata. Në të kundërt, nëse pranojmë si të ligjshëm çdo lloj improvizimi politik të çfarëdo partie apo qeverie, rrezikojmë që të kemi, simbas bindjeve e paragjykimeve historike, në zyrat e Shtetit tonë portrete të ndryshme, duke mos përjashtuar edhe ndonjë që e kemi mbajtur për dhjetëvjeçarë pa fund.

U mundova të skicoj përciptas disa aspekte të periudhës pas zgjedhore e fillimit të punës së Qeverisë Rama. Është ende shumë shpejt për të vlerësuar veprimtarinë e saj. I rëndësishëm është që ky vlerësim, sido që të jetë, të shkëputet nga paragjykimet e të përcaktohet vetëm nga faktet, sa e nxisin apo e frenojnë ata përparimin e Vendit e të shoqërisë shqiptare. Do t’ishte edhe ky një hap i madh përpara drejt qytetërimit.

Shtator 2013

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Vazhdimesi apo ndryshim

NE SOFREN E DIELLIT:POEMTH PËR LËVIZJEN E LODHUR

September 21, 2013 by dgreca

KRISTAQ TURTULLI/

E dashur përsëri të thashë:/

Fli, beso te gjumi i qetë i një gruaje./

Me çarçafin e mëndafsh të ëndrrave mbështjellë./

Kokën vendose mbi jastëkun e ëndrrës së parë./

Mbulohu me jorganin e puthjes së parë./

Shkruaj në papirusin e meditimeve të fshehtën  fjalë./

Me qerpikët e gjatë si krahë dallëndyshe./

Fli, së paku dremit, pa andralla./

Të lutem mos mendo gjatë./

E sotmja me zhurmë dhe rrëmujë

Le të shpresojmë se nuk do vijë më.

Qielli ka plot xhepa ku mund të hidhem të lodhurat mendime.

Më the: femra prej natyre nuk ka gjumë të qetë,

Mbi qepallat e saj, përplasen rrufetë.

Fryhen lumenjtë,

bëhen dete.

Çdo femër mbart një botë më vete.

Dhe hapësira ku regëtijnë shkëndijime.

Ku ka mëngjese, mesdita e mbrëmje,

Por sot I i dashur është ndryshe,

Nuk mund të fle.

Më duket sikur kryet i kam mbi re.

I ndej të çmendurat lëvizje.

Në sqetullat tona grinden fishkëllimat e mprehta të erërave.

Shekujt bejne kryengritje.

Flokët me vrull shpupurite,

Vezullime, fushë elektrike.

Mu bë sikur ylberi u pre.

Dhe ngjyrat ranë përdhe.

Ke të drejtë.

As unë nuk mund të fle.

Hipe e pavendosur në mjellmat  e reve.

U krehe me kreherin e ererave

Dhe pëshpërite:

Qyteti është poshtë ne.

Gërmuqet çdo sekondë dhe kurrë nuk fle.

Ndalemi një copë herë,

S’ka ajer e s’ po mbushem dot me frymë.

Toka e paska diellin ka shumë pranë!

Shihe në krah të majtë lëvizi.

Me siklet pelerinën e llavës shkopsiti,

Të nxehtë ka, temperaturë të lartë.

Sikundër dhe ne…

Ja dhe hëna nuk ka qetësi.

Si mace kobashe nëpër në qiell kacavirret.

Shiko si i shkëndijojnë sytë.

Sa e zbehtë!

Nuk ka qime dhe fanellë

Të mbulojë kocka dhe kokalla.

Është lakuriqe.

Iu ronitën, i mbetën cepave të yjeve

Dhe ortekëve të asteroideve.

 

Kur donte të rrëmbente lëndë dhe dritë prej tyre.

Prandaj vidhet ditën dhe del me natë…

Qyteti  dihatën, ashpër merr frymë?

Ditë e natë nxjerr pluhur dhe tym të zi.

Shihe si dridhet, si lëviz, si shtrihet anë e mbanë?

I pangopur, përpin fusha, pyje të lashta.

Nuk ka kohë të fshijë sytë,

E lëbyrura prej dritës së fortë.

Nuk mundet të flejë si kafshë,

Mbi kokallat e vjetra,

Në tokën e shpirtrave

Të shtrojë çarçafë dhe batanije.

Djalli ndryshoi formë dhe përbërje, është bërë i çeliktë,

Me brirë shtyn dhe shfryn lumenjtë e makinave,

Kurdis trurin e çmendur të qiellgërvishtësve.

Me sfurk përzien në kazan gjellën e marrisë

dhe pangopësisë së njerëzve…

Shihe.

Sa njomezak dhe shtazarak duket qyteti, i egri nuk mundet më,

Të mbajë si dikur pizhame, picete dhe benevrekë.

Papion dhe kostum dopiopetë.

Është bërë përbindësh i hekurtë.

S’ ka më gjumë.

Xhindi se lë të flejë.

Vaj e nafte derdh në xhade…

As unë nuk kam gjumë.

Më lër të prehem një copë herë.

Mbi gjinjtë e tu të ngrohtë.

Me dy kokrra qershi binjake.

Ti u shmange dhe më the:

Dhe këto kanë ngjyrë flake.

Kujton se edhe gjinjtë e mi do bëhen të  çelnikët?

E dashur më lër të përvëlohem atje.

Prej kocke dhe mishi jemi ende…

Të kujtohet libri me poezi i ‘Valles së yjeve’,

Të plakut të vjetër me kone?

U zverdh, u harrua mbi komodinë.

S’ka më valle të tilla, as yje.

Plaku i vjetër i fshehu me merak nën vete.

Vazhdon, më thua, vërtet nuk ka më,

Koncerte me  Bethoven dhe Moxartë!

I them, ndoshta nuk ka.

S’ më le të luaja me qershitë.

Prej aty buron jeta.

Ti më thua:

Nudizmi dhe mania

Janë komode në këtë jetë.

Enigmatike shtrihet nesërmja.

Duart vendose mbi gjunjë, e trishtuar pëshpërite:

Mendimet e rënda s’më lënë të fle…

Ju  lutem më jep orën e zanave,

Fëshfërimën e pyjeve.

Zemrën e kreshnikëve,

Tik-takun përgjues të ëndrrave.

Tingujt e ëmbël të kitarave.

Dhe një lule ku është fshehur një puthje.

Përsëri më thua: përse nuk mund të fle…

Zëri i nënës u bë erë dhe vërtitet skajeve.

Fjala e babait u bë gjethe pishe.

Zhurmat, marrëzitë dhe dashuritë,

Strukur janë  në qenien time.

Pëshpëritin, flasin në të njëjtën kohë, gëlojnë,

Të fle s’ më lënë.

Dua të them, e di, dhe unë, bares si somnambul në memorie,

Njëlloj sikur endem nëpër labirinte e monopate.

Atje nuk ka zgjidhje.

Ka veç litarë hijeje.

Lidhje, duan të më tërheqin pas tyre.

Pas është ndehur pëlhura e lashtë e legjendave.

Mos më lodh, eja më zgjidh po munde.

Bëre sikur s’ dëgjove,

S ‘më zgjidhe,

Më vure kryet mbi supe,

Pëshpërite: Lëvizje të çmendura, ikni, na lini të flemë.

Po unë, a mund të fle në lidhje!

Nuk ka gjumë…

Tre orë,

njëqind e tetëdhjetë minuta,

pezull qëndrojnë,

si kopsa te broncta në kapotën e ditës sime.

Sigurisht katër bileta shumë pak janë,

Të përshkosh autostradat e gjëra,

Për të shkuar dhe ardhur nga puna.

Më thua, pa ngjyrime:

Më mirë që nuk ka gjumë.

Të marrët  dhe të paditurit flenë.

Është germa e parë mbi një libër të brymtë.

Se sheh, turmën shtyj me bërryla,

Të hap ty rrugë,

Qenka vërtet vapë.

Djersa mbiu në qerpikë.

Përsëri më thua:

Dielli nuk ka kohë të fshijë sytë.

Është zënë në duel me diejt të tjerë.

Humbas në rrëmujë.

Shtyhu pak më tutje.

Po mbytem prej erës kozmetike.

Pranë meje tualet bën një prostitutë.

Më bën me shenja dhe paturpësisht më shkel synë.

Sa pështirë!

Indiferentizmi ha hamburger dhe flak përdhe thërrime.

Dua ti them më lërë rehat me të.

Kurvëria është e vjetër sa vetë bota.

Zgjidhmë dhe mbanë pranë.

Mos më lër të ngatërrohem me të tjerët dhe me vete,

Prit të thërres taksinë.

Në vend të hyj atje,

Shkel në togun me gjethe vjeshte.

Nuk mund të fle…

Eja shkojmë te pragu i metrosë,

Lypsari Joe veshur me fustanellë hije,

i bie kitarës së thinjave

prej shpellës tinguj pikojnë,

lot fëmije,

dhe thërret merrni prej meje çaste çmendurie.

Gjarpërinjtë trena shkasin mbi shina,

Në shpinën e fushës të mbushur me plehurina.

Dëgjove, u gëlltiten, u ngritën dhe ranë banka,

Si kështjella rëre.

U hodh në ankand një fustan i bardhë nusërie.

Nëpër tunele,

Lëvrijnë minjtë,

Rrëshqasin zvarraniket e metalikë,

Zemra e tokës nuk rreh më, është shterpë.

Më rroke për qafe, më puthe, por nuk më zgjidhe,

Më pëshpërite për të satën herë:

Më përkund pak, të endem për një gjumë.

Doja të bërtisja:

Zgjidhmë.

Dita është bërë plumb nga djersa.

Nuk janë kurrgjë tre orë,

ose katër bileta.

Autobusët e ditëve dhe të netë

Tunden, shkunden në çdo ndalesë

Gjithnjë ata mbajnë mbingarkesë…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kristaq Turtulli, ne sofren e Diellit, poemth

KOMUNITETI SHQIPTAR NË AMERIKË PRITI ME NDERIME ISH KRYEMINISTRIN E KOSOVËS, RAMUSH HARADINAJ

September 21, 2013 by dgreca

      Të dielën në orën 10 paradite, z. Haradinaj do të ketë një takim në Shtëpinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA,ku do të pritet nga kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj dhe Këshilli i Vatrës, për të kaluar më pas në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, ku do të pritet nga famullitari dom Pjetër Popaj,do të takohet me ambasadorin Wizner, do të vizitojë Konsullatën e Republikës së Kosovës,ndërsa në mbrëmje,në orën 7 pm,  ai është i ftuar nga dega e Vatrës Hudson Valley-NY,e cila do të shtrojë një darkë në Fiorino Restaurant në NJ, pronë e bashkadhetarit Sabit Bytyci, një vatran i vjetër,anëtar i Këshillit të Vatrës. Të hënën lideri Kosovar është i ftuar në Columbia University, ndërsa të Martën do të ketë takime në Washington DC./

Ish Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur me nderime nga komuniteti shqiptar në Amerikë. Ai ka udhëtuar me Austria Airline dhe ka zbritur në aeroportin Ndërkombëtar JFK të New Yorkut rreth orës 14.00 të ditës së Shtunë. Heroi i Luftës për liri, i ashtuquajturi” Rambo”, që nuk u kap dot nga serbët, dhe sfidanti i Tribunalit të Hagës, ish kryeministri që dha dorëheqjen më 2005- duke u vetëdorëzuar për t’u gjykuar dhe tashmë i liruar plotësisht nga akuzat, gëzon një popullaritet në rritje, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Diasporë. Haradinaj së bashku me bashkëshorten Anita, janë ndjerë të befasuar sapo janë shfaqur në mjediset e Aeroportit të New Yorkut. Atyre u janë lehtësuar proceduart e kontrollit dhe janë shoqëruar nga shërbimi policor amerikanë, djem të Kosoëvs dhe të Shqipërisë, që punojnë për policinë amerikane dhe Shërbimin Federal.

Cifti Haradinaj është pritur nga shumë shqiptaro-amerikanë, që kanë dalë ta presin me nderime. Biznesmenë dhe veprimatrë të njohur shqiptaro-amerikanë si Harry Bajraktari, Rrustem Gecaj, Elmi Berisha, Anton Raja dhe shumë të tjerë, i urojnë mirëseardhjen Haradinajt dhe bashkëshortes. E bija e Rrustem Gecaj dhuron një buqetë të madhe me lule shumëngjyrëshe. Në mjediset e aeroportit bëhen fotografi, më pas një intervistë e shkurtër nga TV 21 dhe nisja drejt Hotelit, që u është rezervuar.Në mbrëmje për mysafirin e nderuar u shtrua një darkë në Benjamin Steakhouse në Manhattan nga miqpritësit e tij.

Duke filluar nga dita e dielë dhe në vijim ish Kryeministri Ramush Haradinaj do të ketë takime të shumta sipas një kalendari të ngjeshur. Takimet e tij do të përqëndrohen në New York, New Jersey për të vijuar të martën me 24 Shtator në Washington DC.

E diela e 22 shtatorit do të nisë me një Vizitë në Vatër. Z. Haradinaj do të ketë një takim në Shtëpinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA,ku do të pritet nga Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj ne oren 10.00,rreth orës 11 e 30 do të shkojë në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, ku do të takohet me famullitarin e Kishës Shqiptare, dom Pjetër Popaj, më vonë do të takohet me ambasadorin Wizner ndërsa në mbrëmje, në orën 7 pm, ai është i ftuar nga dega e Vatrës Hudson Valley me kryetar z. Elmi Berisha,- darkë që do të shtrohet në Fiorino Restaurant, në Nju Xhersi, pronë e bashkadhetarit Sabit Bytyci.

Të hënën lideri Kosovar është i ftuar në Columbia University, ndërsa të Martën do të ketë takime në Washington DC., ku do të ketë takime të planifikuara me politikanë amerikanë, anëtarë të Kongresit etj.

Zoti dhe zonja Haradinaj do të jenë të pranishëm edhe në darkën vjetore që organizon Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikanë, ku do të nderohet ndihmës sekretari Philip Riker, ndërkohë që do të nderojë me pjesmarrjen e saj edhe ish Sekretarja Amerikane e Shtetit,zonja Hillary Clinton. Në këtë eveniment do të jenë edhe Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kryeminsitri i Kosovës Hashim Thaci, Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë Bushati dhe Hoxhaj i Kosovës. Po ashtu do të jetë i pranishëm edhe personaliteti i njohur politik i Malit të Zi, Milo Gjukanovic.(Dalip Greca)

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Anton raja, Elmi Berisha, Harry Bjaraktari, ne New York, Ramush Haradinaj, Rrustem Gecaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5174
  • 5175
  • 5176
  • 5177
  • 5178
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT