• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

3 SHTATOR 1920, DITA E RISHPALLJES SË PAVARËSISË KOMBËTARE

September 15, 2013 by dgreca

3 shtator 1920 – 2013; 93 vjetorit të Luftës heroike të Vlorës/

 Intervistë me studjuesin Enver Memishaj – Lepenica/

-Zoti Lepenica ! Ju keni botuar dy vepra për udhëheqësit e Luftës së Vlorës, 1920: “Emblema e një epopeje” dhe “Major Ahmet Lepenica…” Si janë vlerësuar këto vepra?

E. Memishaj: “Emblema e një epopeje”, flet për 12 anëtarët e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” dhe 2 komandantët e luftës. Recenca është bërë nga Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu në  Institutin e Historisë dhe Prof. Dr. Uran Asllani, vlerësime që janë botuar në hyrje të librit, si dhe janë shkruar e botuar shumë artikuj në shtypin e përditshëm.

“Major Ahmet Lepenica … “, është monografi për Komandantin e Përgjithshëm të Luftës së Vlorës, 1920. Vepra është vlerësuar nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh dhe është promovuar nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Mbrojtjes, si dhe janë shkruar shumë artikuj në shtypin e përditshëm.

Pra të dy veprat janë vlerësuar si punime të mirëfillta shkencore.

– Pse duhet vlerësuar Lufta e Vlorës, cilat janë të veçantat e kësaj lufte?

E. Memisha: Për për të kuptuar, veçorinë dhe rëndësinë që ajo luftë ka në historinë e tonë, duhet të kthehemi pak pas. Më 17 dhjetor 1912, Konferenca e Ambasadorëve njohu Shqipërinë autonome, nën sovranitetin e Sulltanit dhe nën garancinë dhe kontrollin Fuqive të Mëdha.

Më 29 korrik 1913, Shqipëria u shpall principatë autonome, sovrane e trashëgueshme, çdo lidhje me Turqinë pritej, shpallej asnjanëse nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha.

Mbi bazën e këtij vendimi më 7 mars 1914, arriti në Durrës, princi Vilhelm fon Vidi, dhe më 17 mars 1914, formoi qeverinë nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, që filloi më 4 gusht 1914, në krah të Antantës  (Anglisë, Francës dhe Rusisë), u radhit edhe Italia, së cilës më 26 prill 1915, i dhanë si shpëblim territoret shqiptare dhe i kërkuan që ajo nuk do të kundërshtonte dëshirën e Antantës, për t`i dhënë Serbisë e Malit të Zi zonat veriore, ndërsa Greqisë zonat jugore të Shqipërisë, kështu që Shteti shqiptar mbetej vetëm Shqipëria e Mesme nën protektoriatin italian.

Më 18 janar 1919, filloi punimet në Paris, Konferenca e Paqes e cila e trajtoti Shqipërinë, megjithëse asnjanëse, më keq se shtetet që humbën luftën, pra çështja shqiptare do të zgjidhej sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 1915.

Në vazhdim të punimeve të Konferencës, Italia dhe Greqia, më 29 korrik 1919, nënshkruan një marrëveshje, sipas së cilës Italia do të mbështeste Greqinë për të aneksuar Korçën e Gjirokastrën, ndërsa Greqia do të përkrahte aneksimin e Vlorës dhe mandatin mbi pjesën e mbetur të shtetit shqiptar.

Para, sipas këtyre marrëveshjeve, Lufta e Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes e kishte përmbysuar Pavarësinë Kombëtare, Shqipëria ishte coptuar ndërmjet fqinjëve dhe shteti shqiptar nuk ekzistonte më.

Patriotët shqiptar vendosën t`i dilnin vet zot vendit të tyre prandaj më 21 janar 1920, mbajtën  Kongresin e Lushnjës, i cili për herë të parë në historinë e Shqipërisë e shpalli vendin të pavarur, dhe që nuk i njihte marrëveshjet e Fuqive të Mëdha.

Por, pavarësisht vendimeve të këtij kongresi Shqipëria vazhdonte të ishte e pushtuar: në Jug nga Greqia, në Veri nga Serbia dhe Vlora, Tepelena dhe Gjirokastra nga Italia, pra vendimet e Kongresit, ishin formale dhe  mbeteshin në letër.

Në këto rrethana vlonjatët rrëmbyen armët dhe bënë Luftën e Vlorës, fitorja e së cilës, vulosi me gjakun e 400 dëshmorëve vendimet e Kongresit të Lushnjës dhe hodhi poshtë planet armiqësore të Fuqive të Mëdha dhe të fqinjëve grabitqar, për coptimin e tretë të Shqipërisë.

-Cilët ishin udhëheqësit kryesorë dhe nga kush u mbështet kjo luftë?

E.Memisha: Ideja e çlirimit të Vlorës nga pushtuesi italian dhe bashkimi sajë me qeverinë e Sulejman Delvinës lindi në Vlorë nga elita e patriotëve vlonjatë dhe u mbështet nga gjithë populli shqiptar dhe në  fshehtësi nga qeveria e Sulejman Delvinës.

Vlonjat, që nga dita e pushtimit italian, më 25 dhjetor 1914, në përpjekjet e pandërprera për liri, arritën që më 29 maj 1920 të formonin Komtetin e “Mbrojtjes Kombëtare” që do të organizonte dhe udhëhiqte luftën çlirimtareme të Vlorës.

Në krye të Komitetit u zgjodh patriota i shquar Osmën Haxhiu( 1885 – 1937) dhe anëtarë: Sali Bedini (1850 – 1938), Hamit Selmani (1844 – 1923), Duro Shaska (1859 – 1924), Hazbi Canua (1860 – 1931), Beqir Agalliu (1886 – 1944), Ali Velça (1868 – 1943), Alem Mehmet (1869 – 1926), Hysni Shehu (1880 – 1938), Qazim Kokoshi (1882 – 1947), Murat Miftar (1881 – 1948) dhe Myqerem Hamzaraj  (1895 – 1946).

Komiteti shpalli mobilizimin e popullit për luftë, duke zgjedhur edhe Shtabin e Luftës, në krye të të cilit u emërua patrioti i shquar, major Ahmet Lepenica.

Në Shtabin e Luftës u zgjodhën ish oficerë të shkëlqyer të Perandorisë Osmane: Ibrahim Abdullahu (1880-1955), major Ismail Haki Kuç (1866-1920), major Ismail Haki Libohova (1873-1928), kapiten Qazim Koculi (1883-1943), kapiten Ahmet Muka (1885-1947), toger Halil Kajo (1880-1921), toger Aziz Çami (1893-1943), toger Abdurrahman Çiraku (1887-1967), toger Elmas Ademi ( ?  )

Udhëheqësit e Luftës së Vlorës duhen vlerësuar jo vetëm se ideuan, organizuan dhe udhëhoqën në fitore një nga betejat më të rëndësishme të historisë sonë, dhe rishpallën Pavarësinë Kombëtare, por edhe për një veçori tjetër: ata e filluan dhe e mbajtën luftën me pasurinë e tyre nga data 5 deri në 10 qershor 1920.

Peshën kryesore të kësaj lufte e mbajti Vlora me forca të gjalla, me armatim, me municion, me barna dhe me ushqime, se vetëm në 10 qershor 1920, arritën në Vlora ndihmat e para nga ana e Beratit.

-Sa zgjati Lufta e Vlorës ?

E.Memishaj:  Lufta filloi më 5 qershor 1920, dhe brenda një natë e një dite ranë të gjitha garnizonet italianë të dislokuara jashtë qytetit të Vlorës. Kryengritësit e rrethuan Vlorën dhe e mbajtën në një darë të hekurt.Vlora u sulmua më 10 qershor, kryengritësit përballuan kundërsulmin armik më 18 qershor dhe sulmuan përsëri 22 korrik 1920. Pas fitoreve të shqiptarëve dhe dy sulmeve mbi Vlorë, Italia u detyrua të nënshkruaj më 2 gusht 1920 njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe tërheqien nga tokat shqiptare.

Më 3 shtator 1920, nëVlorë, u festua me madhështi, nga i gjithë kombi shqiptar, rishpallja e Pavarësisë Kombëtare që ishte rrjedhojë e fitores së Luftës së Vlorës. Nga ai vit 3 shtatori, ka qënë për vlonjatët një festë kombëtare që çmohej e vlerësohej si 28 nëntori i vitit 1912. Kështu festohej kjo festë deri më 29 nëntor 1944. Pas kësaj date komunistët e harruan dhe nuk e festuan më 3 shtatorin sepse atë lufte e kishin udhëhequr bejlerët dhe agallarët që ishin gjakpirës të popullit!

-Si u arrit fitorja e luftës ndaj një Mbretërie 40 milionëshe?

 

E. Memishaj: Shqipëtarët kishin të drejtë ta sulmonin Italinë befasisht sikundër ajo pabesisht e kishte pushtuar vendin, por ata që drejtonin luftën ishin burra të shquar me një qartësi dhe largpamësi të admirueshme. Ata i dërguan Komandës Italiane një ultimatum sepse: duhet të tregonin se ishin shtet, se do të luftonin, ballë për ballë dhe kjo luftë duhej të dihej e të njihej nga Europa që e kishta coptuar Shqipërinë.

Ultimatumi thoshte: Hiquni nga Vlora ose do të kemi luftë! Pra një grusht shqiptarësh i shpallte luftë një mbretërie 40 milionshe, nga më të fuqishmet e kohës, që kishte dalë fitimtare nga Lufta e Parë Botërore.

Fitorja u arrit sepse shqiptarët bënin një luftë të drejtë, për liri.Në një luftë të tillë, shpërthen patriotizmi dhe vetmohimi ashtu siç ndodhi edhe në Vlorë në vitin 1920. Kryengritësit ishin betuar se do të luftonin deri në shuarje të njerës palë, thuhej në ultimatumin e dërguar pushtuesit. Pra luftëtarët do të  ktheheshin në shtëpi me fitore ose të vdekur. Për këtë arsye çetat u ndanë për të luftuar larg vendlindjes, kështu psh: çeta e Dukatit kalonte malin e lartë dhe vinte të luftonte në Gjorm, çeta e Gjormit dhe e Lepenicës kalonte malin dhe shkonte të luftonte në Llogora të Dukatit e kështu me radhë.

Lufta e Vlorës u përballua nga i gjith populli të pasur e të varfër, burra e gra fëmijë dhe pleq me një solidaritet që nuk ishte parë më parë.

Një rol të veçantë në këtë luftë pati patriotizmi i gruas vlonjate, që shkuan në luftë në krah të burrave si Rubie Hosi, Hanko Merte, Sartë Rrokaj, Sado Koshena Zakine Krasta, Safë Musai etj.

Në fitoren e luftës, një rol të rëndësishëm luajti vendosmëria, mbështetja dhe ndihma e qeverisë së Sulejman Delvinës, e cila nuk doli haptas pasi do të konsiderohej se i shpallte luftë Italisë, luftë të cilën nuk mund ta përballonte dot, kështu që qeveria la të kuptohej se ishte një kryengritje popullore që qeveria nuk kishte gisht në të.

Qeveria e Sulejman Delvinës, duke qënë e bindur se nga fati i Vlorës varej fati i Shqipërisë,  ishte e vendosur ta çlironte Vlorën me çdo sakrificë.

Shtypi ndikoi në zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, veçanërisht gazeta “Drita”, që botohej në Gjirokastër nga Veli Hashrova.

Në fitoren e luftës influencoi edhe faktori jashtëm. Lufta u përkrah nga të gjitha kolonitë shqiptare, nga Amerika erdhën vullnetarë për të luftuar.

Proletariati italian,i lodhur nga katër vjet të Luftës Parë Botërore u ngrit në greva e demonstrata të fuqishme dhe nuk lejuan t`i dërgoheshin ndihma ushtrisë italiane në Vlorë. Në Parlament, Partia Socialiste punoi shumë kundër luftës, duke kërkuar tërheqien e trupave nga Vlora.

Fitorja e Luftës së Vlorës, ishte kurorëzim i përpjekjeve të popullit tonë, për ta parë atdheun e tij përsëri të lirë dhe të pavarur. Vlonjatët dhe gjithë populli shqiptar, me fitoren e Luftës së Vlorës, bënë pluhur e hi planet armiqësore të fqinjëve dhe të Fuqive të Mëdha; Anglisë, Francës, Italisë dhe Rusisë, për coptimin e Shqipërisë dhe për zhdukjen e saj nga harta politike e Europës si shtet i pavarur dhe sovran.

Lufta e Vlorës qe vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Si luftë çlirimtare zë një vënd të rëndësishëm në historinë e vëndit tonë. Këtej e tutje nuk mund të mendohej më për coptimin e

Shqipërisë gjë që edhe u vërtetua në fakt.

 

– Cili është mendimi i studiusve dhe historianëve, për rëndësinë e kësaj lufte?

 

E. Memishaj: Për këtë ngjarje historike ka pasur dhe ka një mirëkuptim të plotë ndërmjet studiusve dhe  historianëve: Lufta e Vlorës më 1920, rishpalli Pavarësinë Kombëtare, të përmbysur e harruar nga Lufta e Parë Botërore. Pa u zgjatur shumë le të citojmë dy nga autoritetet e shquara të historisë sonë.

Prof. Dr. Muin Çami e përkufizon rëndësinë e kësaj lufte me këto fjalë: “Vendimet e Kongresit të Lushnjës për të mbrojtur me çdo kusht pavarësinë dhe tërësinë territoriale të vendit, i vuri në jetë Lufta e armatosur e Vlorës… Me fitoren e Luftës së Vlorës, populli shqiptar shpëtoi vëndin nga një fund tepër tragjik, nga coptimi i tretë i trojeve shqiptare… E drejta e kësaj krenarie i takon në radhë të parë popullit të Vlorës dhe të krahinës… Faktori i brëndshëm luajti rolin vendimtar në rifitimin e pavarësisë të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes të integritetit të tij territorial.”

(Muin Çami “Shqipëria në marrdhëniet ndërkombëtare 1914-1918”, Tiranë 1987, f. 331)

Prof. Dr. Arben Puto thotë se: “Lufta e Vlorës përbën një ndër faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë së pavarur… Nga pikëpamja e rëndësisë dhe e pasojave, si Kongresi i Lushnjës ashtu edhe Lufta e Vlorës, mund të barazohen me shpalljen e Pavarësisë në nëtor të vitit 1912”.

(Arben Puto “Shqipëria politike 1912 – 1939”, Toena, tiranë 2009, f. 273)

–  Si është vlerësuar kjo luftë në  regjimin komunist ?

E.Memishaj: Lufta e Vlorës dhe udhëheqësit e sajë nuk u vlerësuan në regjimin komunist, sepse sipas komunistëve atë luftë e kishin bërë bejlerët dhe agallarët që ishin gjakpirës të popullit !?

Lufta u falsifikua, sikur gjoja ishte organizuar dhe udhëhequr nga fshatarët e varfër edhe sot më ndonjë rast përmënden si udhëheqës fshatarët e varfër që ranë  dëshmor në këtë luftë dhe para tyre duhet të përulemi me nderim, por ata nuk qenë udhëheqës dhe nuk mund të ishin të tillë.

Jo vetëm që lufta u falsifikua por udhëheqësit e asaj luftë heroike, familjet dhe të afërmit u persekutuan egërsisht. Kështu ndodhi me familjen e Osmën Haxhiut, Sali Bedinit, Hamit Selmanit. Djali vetëm i Duro Shaskës, Sadiku për t`i shpëtuar ndëshkimit komunist në nëntor të vitit 1944 u arratis jashtë shtetit së bashku me 3 kushërinj të tij, 4 nipa të tjerë që mbetën në Shqipëri u burgosën. Kujtimi djali i  Ali Beqirit var në litar në vitin 1946.

Alem Mehmetit i grabitën pasurinë, i dogjën shtëpinë dhe djali vetëm Mehmeti u arratis jashtë shtetit. Tre djemtë e Hysni Shehut: Temua, Suloua dhe Raufi vdiqën në burgjet komunite. Qazim Kokoshi vdiq në burgun e Vlorës dhe gjithë të afërmit e tij kaluan nëpër burgjet e zeza komuniste.Ventigjari djali  Myqerem Hamzarajt u dënuan me 20 vjet burg.

Po këtë persekucion barbar pësoi edhe Shtabi i Luftës. Qazim Koculi u vra nga mercenarët dibranë në janar të vitit 1943, djali dhe vajza e tij vuajtën burgun. Aziz Çami u vra me atentat më 15 dhjetor 1943, nga komunistët, e kështu me radhë.

Vetëm në vitin 1962, në 5O vjetorin e Pavarësisë Kombëtare u vlerësuan dëshmorët dhe disa udhëheqës të kësaj luftë por jo sipas meritave.(Intervistoi: Intervistoi: Albert Zholi)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Xholi, Enver Memishaj, Interviste

SHQIPËRINË NË EUROPË E ÇOJNË VEPRAT E JO FJALËT

September 15, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto:Monumenti i Lirisë në Uashington, kushtuar, “lartë nga 100-milionë viktimave të komunizmit dhe të gjithë atyre që duan lirinë”./

Të hënën, Kryeminsitri i ri i Shqipërisë, Z. Edi Rama fillon një vizitë dy ditëshe në Bruksel, për takime me udhëhqsit e komunitetit europian.  Ndërsa, javën që kaloi, u mblodh kuvendi i ri i Shqipërisë  në seancën e tij të parë.  Ndër deklaratat e para pozicionuese nga të dy palët kryesore në kuvend — Partisë Socialiste që do udhëheqë vendin për katër vitet e ardhëshëm dhe Partisë Demokratike në opozitë — u theksua  dëshira nga të dy forcat kryesore politike të vendit, për të shpejtuar procesin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.  Kryeministri i ardhëshëm i Shqipërisë, Z. Edi Rama u citua të ketë thënë se inaugurimi i qeverisë së tij të re, “Është një moment jashtzakonisht i rëndësishëm — është momenti për të mos lënë që treni i Europës të vazhdojë të largohet prej nesh, por për ta kapur atë një orë e më parë…” u prononcua, Z. Rama, madje duke bërë integrimin europian të vendit, pikën e parë të programit të qeverisë së re, si një objektiv që, sipas tij, i shërben demokratizimit të shoqërisë shqiptare, bazuar në “vlerat europiane”.

Edhe udhëheqsi i ri i Partisë Demokratike,  Z. Lulzim Basha u shpreh se, “në opozitë do të japim të gjithë mbështetjen për proceset e integrimit europian, dhe jo duke e bllokuar atë siç bëri e majta”, tha kryetari i ri i demokratëve.  Në mesazhin e parë si kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Ilir Meta gjithashtu u shpreh se, “Synimi ynë është që të arrijmë integrimin e vendit në Bashkimin Europian”.

Kësaj fryme entuziazmi të pro-integrimit europian të Shqipërisë, nga zyrtarët më të lartë të vendit, ndonëse i kanë dëgjuar këto premtime edhe më parë nga politikanët shqiptarë, iu bashkuan edhe përfaqsuesit më të rëndësishëm perëndimorë në Tiranë, ambasadori amerikan, Z. Aleksandër Arvizu dhe përfaqsuesi i Bashkimit Europian, Z. Ettore Sequi.   Të dy këta i bënë thirrje –për të njëqintën herë — klasës politike shqiptare që të përqendrohet seriozisht tek integrimi i Shqipërisë në Europë.  Madje, përfaqsuesi i lartë europian Sequi, me të drejtë e cilësoi integrimin europian të Shqipërisë, “një përparësi kombëtare”.

Të gjithë flasin me ngulm që sa më parë të hipin në ”trenin” e Evropës, në të vërtetë flitet kështu për 20-vjetë tani, nga të gjitha palët dhe nga të gjitha qeveritë e dy dekadave të fundit.  E duam Shqipërinë si Evropa, thuhej dikurë.  Por për të hipur në trenin e Europës, duhet paguar bileta.   Pjesë e kësaj “bilete”, ndër të tjera, është ndarja e vlerave të përbashkëta  dhe rregullave të lojës me Europën.  Një prej këtyre vlerave të Europës është edhe ballafaqimi me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, duke kujtuar viktimat e regjimit komunist.  Ndryshe nga Shqipëria, shumica e vendeve ish-komuniste europiane, tani anëtare të Bashkimit Europian dhe NATO-s, kanë treguar gatishmërinë e tyre duke marrë masa konkrete për t’u përballur me trashëgiminë tragjike të historisë së vet komuniste të shekullit të kaluar, dhe njëkohsisht kanë dënuar masakrat e regjimit komunist dhe në emër të shtetit u kanë kërkuar falje viktimave dhe familjeve të tyre.  Shqipëria, fatkeqsisht, megjithëse kishte regjimin më të egër komunist në Europë, falë interpretimeve të kundërta të kësaj historie, nuk ka treguar kurrë ndonjë vullnet për t’u përballur seriozisht me këtë histori.   Shqipëria mund të jetë i vetmi vend europian,  ku shteti dhe qeveritë e ndryshme shqiptare të të dy palëve, nuk kanë kërkuar asnjëherë falje për krimet monstruoze të komunizmit.  Për më tepër, klasa e përndjekur nga komunizmi, disa nga anëtarët e së cilës janë ende gjallë, por duke u shuar dita ditës falë moshës dhe vuajtjeve, nuk janë trajtuar aspak mirë nga qeveritë dhe parlamentet e mëparshme shqiptare.  Madje ata janë denigruar dhe janë cilësuar, si “plehra” dhe si “mbeturina”, nga disa politikanë shqiptarë. Megjithëse Europa e konsideron dhe e kërkon si një detyrim moral përballimin e saj me të kaluarën komuniste dhe fashiste, qeveritë e një pas njëshme shqiptare kurrë nuk dënuan krimet, dhunën dhe torturat e regjimit komunist ndaj shqiptarëve.  Duket sikurë politika shqiptare ka rënë në një kllapi morale, megjithëse temperaturat e kësaj kllapie vazhdojnë të jenë në një nivel të lartë, me pasoja të dëmshme për zhvillimin dhe përparimin e demokratizimit të shoqërisë, bazuar në standardet dhe vlerat europiane.

Bota Përendimore, të cilës klasa politike shqiptare pretendon se dëshiron t’i bashkohet, kurrë nuk pushon së kërkuari të vërtetën historike duke vazhduar të hedhë dritë mbi  vërtetën,  duke kujtuar publikisht viktimat e krimeve të nacizmit dhe të komunizmit.  Zbulimi i së vërtetës është një proces të cilit kurrë nuk i skadon afati.  Dy raste të kohëve të fundit më tërhoqën vëmendjen.  Gjatë vizitës para disa ditësh në Rusi, Presidenti amerikan Barak Obama, në takimet e tija me zyrtarët rusë, u interesua për fatin e diplomatit suedez, Raoul Wallenberg, fati i të cilit nuk dihet ende, ndonëse në vitin 1944, ai ishte arrestuar nga forcat sovjetike në Hungari, pasi shpëtoi dhjetëra mijëra hebrejë nga nazistët duke u dhënë atyre pasaporta për tu larguar nga vendi.  Rusët kurrë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të kënaqshme ndaj arrestimit dhe zhdukjes së këtij heroi, por këjo nuk i pengon udhëheqsit amerikanë, që edhe pas 70-vjetësh të përpiqen të zbulojnë të vërtetën duke kërkuar gjithnjë shpjegime nga Moska.  Zbulimi  i së vërtetës mbi fatin e këtij heroi, sipas Presidentit Obama, është e nevojshme jo vetëm për të kujtuar një dëshmi humbje jete të një heroi, por edhe si një angazhim, që raste të tilla të mos përsëriten më.  Rasti tjetër i kohëve të fundit, ishte ai në Gjermani, ku prokurorët gjermanë, 70-vjetë pas mbarimit të Luftës së dytë Botërore njoftuan javën e kaluar se ata do të ndjekin penalisht një numër ish rojesh që janë ende gjallë në Gjermani dhe gjetkë, e të cilët dyshohen se kanë shërbyer në kampet e vdekjes në Auschwitz.  Gjermania, në të vërtetë, është shembëll për të gjithë botën, si vendi që është përballur dhe vazhdon të përballet me historinë e saj naziste dhe komuniste, si një proces i vazhdueshëm pajtimi me veten dhe me të tjerët.

Në të vërtetë, Gjermania dhe e gjithë Europa kanë caktuar 23 Gushtin si ditën zyrtare për të përkujtuar anë e mbanë kontinentit europian, viktimat e deportimeve, masakrave dhe burgjeve, si dhe të kampeve të përqendrimit të komunizmit dhe të nazismit.  Parlamenti europian i ka cilësuar krimet e komunizmit dhe të nazismit si “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Për më tepër, Parlamenti europian me një rezolutë tjetër mbi “Ndërgjegjën Europiane dhe Totalitarizmin” të  vitit 2009, ka dënuar krimet e regjimeve totalitare komuniste dhe naziste të Europës Lindore duke u bërë thirrje vendeve të kontinentit europain që të njohin  dhe të pranojnë, “trashëgiminë e përbashkët historike të komunizmit dhe nazismit” dhe njëherazi parlamentarët europianë kërkojnë që në çdo vend të zhvillohet “një debat i ndershëm dhe i gjithanshëm, mbi të gjitha krimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar.”  Njëkohësisht, rezoluta u bën thirrje vendeve anëtare që të marrin masa për të informuar vazhdimisht publikun dhe për ta bërë atë të vetdijshëm mbi krimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar në Europë.  Një gjë e tillë,  sipas rezolutës së Parlamentit Europian, është e nevojshme për të treguar respekt për të gjitha viktimat e regjimeve komuniste në Europë,  duke theksuar, “rëndësinë për të ruajtur të gjallë kujtimet e së kaluarës pasi, sipas rezolutës europiane, “nuk mund të ketë pajtim shoqëror pa zbulimin e së vërtetës dhe pa kujtuar viktimat”, e komunizmit.   Rezoluta e Parlamentit Europian gjithashtu rithekson qëndrimin e përbashkët kundër çdo regjimi totalitar dhe njëkohësisht u “shpreh viktimave të këtyre krimeve dhe familjeve të tyre, simpatinë, mirëkuptimin dhe njohjen e vuajtjeve të tyre.”

Europa e ka deklaruar disa herë seriozitetin e saj ndaj nevojës për dënimin e krimeve të komunizmit përfshirë edhe Deklaratën e Vilnius-it, të vendeve anëtare të OSBE-së të vitit 2009, e cila ndër të tjera dënon gjithashtu, edhe “glorifikimin e regjimeve totalitare”.

Europa pra, të cilës Shqipëria – si objektiv kombëtar — dëshiron t’i bashkohet, si kontinent por edhe vendet e anëtare të saj, individualisht, e kanë thënë me kohë fjalën e tyre duke dënuar dhe duke kërkuar falje për krimet e komunizmit dhe nazismit, si një shprehje e vullnetit  të fortë që ato krime kundër njerëzimit të mos përsëriten më.  Po Shqipëria?

Për të mirë të Shqipërisë, kryeministrit të ri dhe qeverisë së tij, i duhet uruar sukses në punën që e pret. Kryeministri Rama ka thënë, me të drejtë, se Shqipëria  meriton më shumë, pasi sipas tij, ajo ka vuajtur, “kryekreje prej pushtetesh që kanë ndërruar ngjyrë e jo natyrë, radhë e jo zakon, vend e jo model.”

Këtë nuk e meriton Shqipëria!  Madje si asnjë vend tjetër, kur të merren parasyshë vuajtjet e shqiptarëve.  Por nuk mund të fshehi  skepticizmin që kam unë, por edhe shumë të tjerë që ia duan të mirën Shqipërisë dhe kombit shqiptar, se si Zoti Rama do të ndërtojë, “Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër” me gjeneratën e vjetër.

Unë bashkohem me Profesor Sami Repishtin, i cili në një letër të botuar  kohët e fundit, drejtuar Kryeministrit të ri Z. Rama,  shkruan se që Shqipëria me të vërtetë të rilindë, Profesori i nderuar dhe i ish-burgosuri i regjimit komunist hoxhist, me të drejtë thotë se në Shqipëri,  “Duhet ndërtue nji shoqëni shqiptare bashkëjetese harmonike dhe vlerash e parimesh të gjithëpranueme!  Nji lumë gjaku, nji moçal çnjerëzimi, nji mal vuejtjesh të pameritueme, e nji frymë e thellë hakmarrjeje akoma ndanë Atdheun tonë dhe gozhdon në vend përparimin e frymën e qytetnueme të shoqënisë shqiptare.  Duhet shtri dora e pajtimit, duhet kultivue fryma e pendimit për fajin dhe falja e fajit, duhet përqafue bashkëpunimi për të mirën e përbashkët.  E kundërta do të sjellë mallkimin e nji popullsie të pafajshme për ju…dhe për të gjithë ata që sot heshtin!”, përfundon ish i burgosuri Profesor Sami Repishti letrën e tij drejtuar Kryeministrit të ri të Shqipërisë, Z. Edi Rama.

Mos heshtni, pushtetarë të ri dhe të vjetër, pozitë dhe opozitë.  Por mbani gjallë kujtesën, çoni zërin lartë në mbrojtje të së vërtetës historike dhe dinjitetit njerëzor për viktimat e komunizmit.  Këjo është vlerë europiane!  Por mbi të gjitha duhet të jetë edhe vlerë kombëtare.  Nëqoftse integrimi i shqiptarëve në Europë, është çështje numër një në programin e qeverisë së re, atëherë le të trajtohet si e tillë.  Drejtë Europës shkohet me vepra dhe jo me fjalë, se fjalëve u doli boja tash 20-e sa vjetë.  Nuk ka rrugë tjetër drejtë Europës!  Shqipëria e ndarë dhe e përçarë politikisht nuk do të pranohet kurrë si e tillë në Europën e bashkuar.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Shqiperia ne europe, veprat jo fjalet

Cirkusi Halligali dhe disfata për veriun

September 15, 2013 by dgreca

Mjerë ai vend qe ka nevojë për heronj, ndërsa lumë ai vend që ka heronj!/

nga Bekim Rexhepi/

Tashmë duhet pranuar faktin që Serbia për 10 vite e më shumë ka jetuar nga plaçkitja që i ka bërë Kosovës gjatë luftës. Për ti ardhë vërdallë këti argumenti mbase duhet shtuar apo plotësuar edhe këtë fakt të fundit ku serbet dhe një pjesë e vet Serbisë, akoma edhe me gjatë do të mund të jetojnë nga marrëveshja e fundit me Kosovën që u zhvilluan për veriun e saj. Veriu i Kosovës tashmë është një konjukturë serbe, definitifisht jashtë juridiksionit shtetëror të Kosovës sepse kjo tashmë u bë me anë të marrëveshjes Thaçi – Daqiq. Përfundimisht krahu politik i “luftës” u devalvuar nga vlerat e saja nacionale, ata qe nga pas lufta bënë koncesione të shumta për të përfituar deklarativisht daljen e pakicës serbe në zgjidhjet e 3 nëntorit, që pritet të mbahen.

Kaq e dhimbshme për ta pohuar, por edhe me e dhimbshme për të mos e pranuar. Kaq dhurata për asgjë!. Kështu mund të cilësohet disi kasta politike e Kosovës, e cila para se të zhvillonte interesin shtetëror ka zgjedhur të finalizoj interesin e saj personal. Në pritjet e mëdha për gjasa dhe shpresa, duket se kemi pasur ngushëllime dhe humbje kohe, ky ka qenë virtyti i politikës aktuale, qe në emër të shtetit të zhvillohet interesi i tyre dhe përfundimisht ne emër të shtetit vranë më shumë vet shtetin. Perëndimi ka dështuar në Kosovë sepse ka besuar në vullnetin politik dhe është ndrojtur para kërcënimeve të ashtuquajturat të shefi të qeverisë aktuale se do ta prishi stabilitetin në veri!…

Por, më keq ka qenë dështimi i vet shqiptarëve, madje me vetën e tyre, sepse vullneti për të qartësuar shtetin ligjor e kushtetues, dhe të gjitha tentativat për kaq vite ka rënë nga provimi, madje me asgjë nuk kemi treguar se baza e shtetit është funksionimi i ligjit kushtetues.

E as me kërcënimet e ashtuquajtur për marrje të veriut me dhunë, nuk nxorën ndonjë dobi. Ndërsa nga prova e dështuar e hyrjes në veri të forcave të Kosovës, ka përfunduar sepse tashmë atje janë bërë koncesione të dhimbshme të cilat nuk mund të kompensohen gjatë dhe më.

Ky ka qenë cirku i politikës aktuale ne lidhje me atë politikën shtetërore e nacionale të Kosovës.

Disfata për veriun është evidente, shqiptarët u kanë dhënë gjithçka kriminelëve të hallakatur në veri të Kosovës. Madje tash edhe pas futjes së MUP-it serb në veri – finalizohet deri diku rezoluta 1244-er, e cila jo në këtë përmasë të tanishme, por në esencën e saj shihej edhe kthimi i strukturave ushtarako-policore serbe në Kosovë.

Ne mund ti shërbejmë iluzionit dhe retorikës sonë politik për një veri me juridiksion të Kosovës, ndërsa realiteti i gjërave në veri, ka diksion tjetër, pakica serbe e ka bërë të vetën dhe pak kush beson në sensacione politike. Veriu është certifikuar ndërkombëtarishtë në marrëveshje se do të jetë njëfarë juridiksion më vete, neutral me Kosovën dhe i “ndaluar”( nga misionet ndërkombëtare) të bashkohet me Serbin.

Pyetjeve tona: A u fal? A u shit veriu i Kosovës, për pesë pare? Si përgjigjeje në vete nuk u del më briri. Gjithçka po shihet në diell e përditë.

Në fillim të javës së ardhshme fillon ‘CIRCUS HALLIGALLI’, dhe mysafir në studio është Peer Steinbrück, një politikan gjerman, i cili që nga 2002 e deri 2005 ishte Ministerpresident i landit të Nordrhein-Westfalen, ndërsa nga 2005 e deri në 2009 ministër i financave dhe udhëheqës i SPD-së. Në ‘CIRCUS HALLIGALLI’, është bërë e qartë tashmë për opinionin publik se temë e këti debati do të jetë; “Nga proçka tek proçka”…

Nga proçka tek proçka, ndodhet edhe populli shqiptar i Kosovës, i cili është i shkolitur me gjendjen e vetë të rëndë, është bërë imun i vetvetes dhe nuk po kërkon ndryshime, madje sikur ndryshimet nuk i duhen apo se ka nevojë të pashtershme për të konsumuar akoma edhe më shumë proçka – politike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Rexhepi, cirkusi halligali, disfata per veriun

NE KUJTIM TE ÇAMES FISNIKE, KADRIJE PRONJO

September 15, 2013 by dgreca

Në përkujtim për të ndjerën Kadrije Pronjo, e lindur në Çameri, e cila ndërroi jetë, më 14 shtator, 2013, po risjellë një intervistë që i kam marrë para pak vitesh në shtëpinë e saj, në Staten Island.  Ajo që më ka bërë përshtypje gjatë intervistës apo takimeve ka qenë kthjelltësia e mendimeve të saj edhe pse në moshë të madhe, ruajtja e gluhës së bukur çame dhe mbi të gjitha besimi se një ditë çështja ÇAME do të fitojë.  TV Alba Life ka qenë i pranishëm dhe ka transmetuar intervistën me të ndjerën Pronjo.  I japim ngushëllimet tona familjes së saj të shtrenjtë Bules dhe Saliut si dhe dy mbesave të saj Betullës dhe Albës që i donte aq shumë.  Iu prehtë shpirti në Paqe!

Nga Këze Kozeta Zylo /

Bisedë me Znj. Kadrije Pronjo/

Çamja fisnike në moshën 86 vjeçare Znj.Kadrije Pronjo rrëfen me lot në  sy tmerret që pa nga genocidi grek.

Nga ai mallkim nuk mbeti pa u ndëshkuar as plaku, as i riu, as gruaja, as fëmija.

 Ju keni lindur ne Çamëri, sot në vitet e pleqërisë, c’mund të kujtoni nga jeta për atë kohë në qytetin tuaj të lindjes dhe në gjithë Çamërinë?

  Po e filloj me qytetin tim të lindjes që quhet Paramithi  që në shekujt e mëparshëm quhej Ajdonat.  Është një Qytet i vendosur në shpatin e Malit Kurilla, mbrapa të cilit shtrihet edhe pjesa tjetër shqiptare, ajo e Sulit. E vlen të kujtoj se bejlerët Çamë veçanërisht Pronjatë ku isha martuar, mbanin gjithmonë miqësi me Suliotët.

Që në kohën e Ali Pashait ata ishin bërë vllamë me Suliotët dhe i kanë ndihmuar vazhdimisht ata.

Kjo është dhe arsyeja, që mbesa e Ali Pashait, u martua në Pronjatët, e cila ishte një zonjë e vërtetë, ndaj dhe njerëzit e respektonin dhe e donin për dashurinë dhe mëncurinë që ajo shfaqte në komunikim me ta.

Në majë të malit janë ende rrënojat e  Kështjellës së Ajdonatit prej nga duket qartë madhështia dhe bukuria e qytetit. Shtëpitë e bardha me dy ose tre kate, të  ndërtuara me gure dhe me oxhaqe të larta  tregojnë fisnikerine e banoreve te saj.

Në shumë nga ato shtepi kishte pjesë që quheshin sellamllëqe. Aty strehoheshin fshatarët që vinin për të bërë pazarin.

Ata gjenin aty mikpritje e ngrohtëesi, bile kishte raste që i zoti i konakut as nuk i njihte se kush hynte e dilte në ato selamllëqe. Oborret e shtëpive ishin të shtruara me pllaka guri anash dhe të lyera me qëlqere të cilat ishin mbushur me vazo lulesh me aromë që edhe sot nuk më hiqet nga mendja. Shpesh në to mbilleshin lule tipike të krahinës sonë si Manxurana dhe Vasilikoja. Rrugët e shtruara me kalldrëme nuk mbanin as shi as borë dhe gjithmonë shkëlqenin nga pastërtia

Ato rrugë dhe ato shtëpi  llamburisnin si brenda dhe jashtë nga nikoqiret çame, unë kështu e mbaj mend atë qytet si 25 vjecare kur jam dëbuar me dhunë nga Genocidi Grek!

Kur u larguat nga Çamëria dhe cila ishte arsyeja?

Ah, si erdhi ajo kohë e mallkuar e vitit 1944 që rrënoi ëndrrat  dhe shpresat e një krahine të tërë shqiptare. Nga ai mallkim nuk mbeti pa u ndëshkuar as plaku, as i riu, as gruaja, as femija.Ishte luftë në gjithë botën, por jo tek ne, lufta bëhej larg atë e bënin të mëdhenjtë Gjermani, Inglizi, Rusi dhe jo ne.  Ne me të krishterët  ishim në vëllazëri, bile një nga ne i ndjeri A. Pronjo ishte i martuar me një të fesë së tyre. Kanë lënë edhe dy fëmijëe.

Por kisha greke së bashku me qeveritarë na kishin  halë në sy.Ata përveç rrëmbimit të pronave tona  mijëera vjeçare mbanin gjithmonë të ndezur  urrejtjen dhe mezi pritën rastin e luftës për të na dëbuar nga shtëpiat e pronat tona.

Cilat jane disa nga pamjet më tmerruese që i keni akoma para sysh në ato vite të Genocidit Grek?

 Nuk më hiqet nga mendja ndarja me Zonjën Asije Hanëmin, vjehrrën time.

Duke më përqafuar e shtrëguar qante me lot dhe më këshillonte që të shpëtonja vajzën disa muajshe Makbulen duke më thënë nuse në xhenet do piqemi.

Mu rrënqeth mishi dhe i gjithë trupi më dridhej, ndërsa vajza qante me dënesë.

Me vajzën në krahë dhe një bohce ndërresash  për të, vrapova tek babai, shtëpitë ishin prane.

Babait i kishte rënë nje tis i verdhë, ishte bërë si meit, mezi qëndronte në këmbë, kërkoi t’i marr pak erë kokës leshverdhë  të mbesës së tij.

Tmerr i pa harruar është kur djalit 4 vjeçar të kunatit tim, Z. J.Pronjos  zervistat deshën t’i prisnin kokën. Por për fat komshiu ynë Nikolla Sotiri, një njeri shumë I nderuar e shpëtoi, megjithëse deri vonëi mbeti shenja e thikës në fyt.

Po një tmerr që ështe vështirë të përshkruhet, megjithëse nuk mund të harrohet, i ndodhi komshijes Znj.Heteme, ishte e ere , andartet e zerves, mbasi  ja shqyen rrobat me bajonetë dhe e bënë lakuriq sic e kishte bërë nëna, e morën me vehte dhe mbas disa orësh e nxorrën jashtë për ta vrarë.

Këtu del komshia e saj, e shoqja e Cavos dhe ua shkëputi nga dora duke u thënë, ma lìni mua se do ta marr nuse për djalin tim Mitron.

A keni pasur të vrarë, të masakruar nga familja juaj, apo miqtë tuaj?

 Babain tim të shkretë Avdon., një burrë i mencur e trim e vranë duke e qëlluar mbas shpine në oborrin e shtëpise dhe bashkë me të edhe tezen time Hadife.

Vjehrren time, kur morën vesh se ishte  Pronjate, nje familje fisnike shumë e nderuar që i ka dhënë Çamërisë shqiptarë trima e udhëheqës të njohur si Mustafa e Islam Pronjon,

(në Gjirokastër përmendet një shprehje për Pronjatet: “Ua mos u mbaj aq larte, sikur je nga Pronjatë.”) duke e goditur me tyta pushkësh në kokë i kërkonin se ku ishin fshehur florinjtë e shumtë.

Mbas vuajtjesh të pa pëshkruara së bashku me vajzën e saj Fatimen vdiq në burgun e Paramithisë.

 Kush ju strehoi kur erdhët në Shqipëri dhe cilat ishin momentet e para të takimit?

Mbas udhëtimeve natën  mbërritëm në periferi të Korçës së bashku me familje të tjera Çame.

Në burime freskoheshim , pinim ujë dhe piqnim ndonjë misër nga arrat e pakorrura . Në Korçë gjetëm një shtëpi me qira ku u strehuam tre familje.

Qyteti ishte i pastër, shumë mikpritës dhe i kamur, aty gjetëm çfarë na duhej për të jetuar. Njerëzit ishin shumë të sjelleshëm, na ndihmonin e na trajtonin si miq te vërtetë.

Mbasi morëm vesh se Anglezet, kishin shpëtuar mbas shumë muajsh vuajtje në burgun e Paramithisë shumë gra e fëmijë, burri im me shumë mundime, bashke me çamë të tjerë, kaluan rrugë pa rrugë për të takuar njerëzit e tyre që mund të kishin shpëtuar nga  tmerri shovinist.

Por fatkeqësisht nëna dhe motra e tij nuk ishin më ndër të gjallët.

Ai në kushtet e dimrit u sëmur rëndë dhe mbas spitalit në Vlorë e sollën në atë të Tiranës. Me gjithë kujdesin e treguar, nga mungesa e ilaçeve por edhe e ushqimeve ai nuk rezistoi, dhe vdiq ne moshen 33 vjecare.

Kështu që mbeta  e ve me vajzën time disa muajshe .

Pra jeta ime u nxi nga shovinistët grekë dhe u detyrova së bashku me vëllezërit e mij të punoj për të jetuar.

Vite shumë të vështira në kalvarin komunist që e kemi kaluar së bashku me gjithë vëllezërit shqiptar.

Ju keni toka, shtëpi e varret e prindërve në Çamëri, a keni pasur mundësi t’i vizitoni ato?

Atje kam një pasuri të pafund, kam varret e të parëve te mij; por fatekeqësisht, me gjithë dëshirën nuk më është lejuar asnjëherë per t’i vizituar më, as mua as ndonjë çami tjetër. Kjo bëhet nga grekët, per t’i treguar botës se atje nuk ka më shqiptarë.

Vetëm kështu ata mund të kërkojnë pretendime të padrejta për atë pakicë  minoritarësh që i kemi mbajtur me bukë për të na punuar çifliqet tona.

Por dua të ndalem pak në këtë pikë.

Mbasi erdhi demokracia në Shqipëri, aty nga viti 1992, nje diëe për çudi, më vinë për vizitë në shtëpi disa gra të krishtera nga Paramithia.

Ishte  Popi, vajza e H.Paskos bashkë me dy shoqe të tjera te vajzërisë sime të hershme.

U bë një takim shumë i përmallshëm, kaluam së bashku një ditë duke kujtuar fëmijërinë dhe rininë tonë, këmbyem dhurata dhe u ndamë si mikesha të vërteta që ishim.

Pronat e Pronjatëve si vreshta, ullishte, livadhe janë të shumta, bile para disa vitesh kur vajza ime ishte për turnė në Europe, në British Museum te Londrës, gjeti të ekspozuara disa statuja bronxi me shumë vlerë “të zbuluara më 1792,

nga fshatarë shqiptarë pranë Paramithisë në vendin e quajtur Gropë” edhe kjo pronë e tyre.

Ju në një moshë madhore patë me sytë tuaj një emigrim të dytë kur erdhët në Amerikë; c’ju detyroi që emigruat përsëri, dhe cili është ndryshimi midis emigrimeve që keni kaluar?

 Ah, ju lutem mos ma quani kete emigrim, këtu gjeta një atdhe tjetër të vërtetë.

U largova nga Shqipëria sepse atje filogrekët nuk duan dëshmitarë okularë të spastrimit etnik që bënë me ne në Çamërinë tonë Shqiptare.

Nga ato pak gjëra që marr vesh, grekërit duan të marrin edhe Shqipërine e Jugut.

Këtu e kanë qëllimin e mohimit të Çamërisë sonë.

Dhe për turpin e tyre, heshtje për problemin Çam mbajnë dhe qeveritarët që janë vendosur me ndihmën e grekëve.

Si po e kaloni kohën këtu në Amerikë, dhe cila është rutina e përditshme?

Ju thashe edhe më parë, këtu gjeta një atdhe të vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Megjithse në Shqipëri punova afro 30 vjet më japin nje pension afro 100 $ në muaj (faktikisht ato ja kam lënë nipit në Tiranë), këtu me pensionin që më japin mund të ha e të vesh çfarë të dua e të gjezdis ku të mundem.

Pra nuk më mungon absolutisht asnjë gjë. Për këtë i falem Amerikës per natë.

Është vend me të vërtetë i bekuar nga Zoti madh..

Për këtë duhet ta falënderojne gjithë shqiptarët. Me sa ndigjoj

Amerikanët po ndihmojnë vëllezërit tanë të Kosovës, inshallah një ditë të ndihmojnë edhe ne Çamët për të drejtat tona. Inshallah!.

Për mbesat e mia Betullën dhe Albën, do të them vetëm që janë shumë te mira dhe në jetë shumë të suksesshme. Stërnipi im , Lisi dhe stërmbesa Dea, që janëe lindur këtu, flasin gjuhën tonë shumë bukur dhe recitojnë vjersha në shqip.

Ata do të bëhen njerëz të mirë dhe do ta duan si Amerikën ashtu edhe Shqiperinë e vertete!

Ju urojmë pleqëri të bardhë dhe ju faleminderit për intervistën!

Staten Island, New York

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Intervista, Kadrije Pronjo, keze, nderroi jete

ZOTI RAMA, SI KRYEMINISTER MOS KERKO BEKIMIN E ANASTAS JANULLATOSIT

September 14, 2013 by dgreca

NGA ATE NIKOLLE MARKU/

Zgjedhjet parlamentare mbaruan. Ne do t’ju kemi juve kryeminister te Shqiperise  zoti Edi Rama. Ju uroj mbaresi dhe paqe ne punen tuaj, qe do te filloje se shpejti.

Fushata juaj e fundit ne Shkoder  duke permendur shume nga njerezit historike te Rilindjes, me lindi nje deshire per t’ju shkruar ne shtyp. Besoj se cdo kush ne kete komb qe quhet kombi shqiptar, do te bindej per papajtushmerine e kontributit te rilindasve ne dobi te kombit shqiptar, krahasuar me misionin anti shqiptar te Anastas Janullatos.

Deshiren tuaj per ti dhene titullin qytetar nderi i kryeqytetit, kur ishit kryebashkiak, po e anashkalojme si nje mungese informacioni ose si nje gabim politik, qe fare mire mund ta korigjoni ne te arthmen. Qendrimet tuaja per disa ceshtje teper delikate si, ujrat detare etj, te lene te kuptosh se ju po beheni koherent me ate cka ndodh nen rrogoz ne dem te Shqiperise. Une besoj se, ju nuk do te perserisni gabimin historik ndaj Janollatosit ,duke i afruar nje agjenti te asfalise greke dhe nazisteve greke respekt si kryeminister i Shqiperise.

E ndiej si detyre ndaj kauzes te ortodoksise pavarur, por dhe si njeri i thjeshte, te mbroj kombin shqiptar nga cdo sulm apo deshire per ta zhdukur dhe tjetersuar historine e vertet. Pikerishte, per kete arsye madhore, po ju kujtoj dhe njehere se cfar demi po ndodh ndaj kombit shqiptar nga Anastas Janullatos, ky gozhde Nastradini, me nje mision kunder jugut te Shqiperise dhe ne teresi ndaj kombit shqiptar.

Zoti Rama. Ju e dini shume mire se Shqiperia nuk ka vetem rilindas nder shekuj por ka dhe martire, qe per ceshje jetike te atdheut dhe kombit, jane sakrifikuar me jeten e tyre, kisha ortodokse Shqiptare ka nje statistike te gjate martiresh. Si mund te lutem perpara altarit te kishes per  Kristo Negovanin, Dhaskal Todhrin, Petro Luarasin, Fan Nolin, Visarjon Xhuvanin etj, kur ne krye te kishes ortodokse Shqiptare qendron Anastas Janullatos, nipi i atyre qe gatuan helm dhe gjak kunder martireve ortodokse shqiptare, martire qe endrra e tyre ishte qe kisha te ishte e pavarur dhe te meshohej Shqip.

Ne fjalen tuaj ne Shkoder, ju permendet priftin legjendar dom Simon Jubanin. Dikur ne fillimet e demokracise, ju keni patur mardhenie politike te nje niveli shume pozitiv me priftin Simon Jubani. Le ti bejme nje pyetje vetes sone. Po te ishte gjalle dom Simon Jubani, cfar qendrimi do te mbante ndaj Janullatosit? Shume te burgosur politike qe kane jetuar me te ne burg, kane nje konsiderate te larte per shkak se, ky prift i pamposhtur ishte nje atdhetar i pakompromis.

Zoti Rama. Besoj se, kur behet fjale per varreza te ushtrise Greke(varreze memorial), nuk eshte problemi per te respektuar djem nenash qe kane humbur jeten per atdheun e tyre por, per interpretime te deshmoreve ne Vorio-epir. Nje politike e mirfillte me eshtra njerezish, nuk njihet ne historine e njerzimit pervec  Janullatosit qe frymzon dhe mbeshtet plane fantazmash.  Ishte pikerisht Janullatos qe nuk organizoi asgje per  njeqind vjetorin e pavarsise sepse, per te nuk ka Shqiperi te pavarur, por ka vetem Vorio-epir dhe Serbi. Besoj se, ju e kuptoni se cfar kuptimi ka kur kreu i kishes ortodokse shqiptare meshon greqisht dhe aq me teper ne institucione nderkombetare flet greqisht, nenkuptimi eshte i qarte.

Financimi dhe ndima qe jep per ndertim kishash, nje dite do ti paguajme shtrenjte sepse, pothuaj asgje ne kete bote nuk behet per hir te Zotit, te pakten nga ky person. Janullatos ka treguar qe pas financimeve vjen gjuha greke me imponim, ndryshimi i emrit, ndryshimi i kombesise, percaktimi i territorit, aty ku nuk ka greke etnik sic nuk jane etnik dhe greket ne disa fshatra te Shqiperise.

Zoti Rama. Anastas Janullatos, asnjehere nuk ka ndihmuar kur kane ndodhur spastrime te refugjateve shqiptare nga Greqia. Ai kurre nuk bisedoi me kishen Serbe  qe ajo te heqe dore nga spastrimet etnike dhe konfliktet artificiale, qe mbjell ne Mitrovice e gjetke dhe aq me teper te lutet per shqiptaret e zhdukur ne Kosoven martire . Ju kerkua nje meshe per viktimat e genocidit grek ndaj shqiptareve etnike te Camerise dhe Janullatos nuk e mbajti. Per cfar eshte ky njeri ne Shqiperi? Per  te na ndihmuar? Veprimtaria e tije eshte tregues i qarte i misionit Vorio-epir.  Sigurisht qe e mbeshtet organizata agjenture  Omonia dhe politikani me kulture dhe i edukuar me thike pas shpine Vangjel Dule.

Zoti Rama. Jam koshient per pergjegjesine tuaj ndaj ketyre emrave, si dhe per ekuilibrat qe ti dikton koha, ekuilibra qe kerkojne  ti ruash dhe ti mbash per nje Ballkan ne paqe dhe harmoni. Anastas Janullatos ka pas vetes shtetin Grek, shtet kaq te perkedhelur nga Anglo-Sanksonet. Nje mushkonje ta piskoje ne Shqiperi Janullatosin dhe shteti Grek e kthen ne predhe kunder lirise e brockullave hipokrite qe perdorin kunder vendit tone.

Zoti  Rama,injorojeni prezencen e Janullatosit si klerik i fese. Janullatos vetem njollos veprimtarite e shtetit dhe institucioneve shqiptare me prezencen e tije. Aty ku ndodhet ai, eshte prezente asfalia Greke dhe kriminelet e Vorio-epirit.

Mos pranoni bekim nga Anastas Janullatos sepse, do te njollosni amanetin e heronjve te kombit shqiptar por sidomos atyre ortodokse qe per nje kishe te pavarur kontribuan gjithe jeten, mos harroni se ata ishin rilindas. Mos pranoni bekimin e tije sepse  do ti vini qeverise tuaj te ardhshme nje dyshim negativ per orientimin e saje qeverises. Thjeshte zoti Rama injorojeni Janullatosin si njeri qe misionit te tije anti shqiptar dhe aspak fetar, i ka dale boja perfundimisht.

KISHA ORTODOKSE PAVARUR KOMBETARE SHQIPTARE SHEN MARIA ELBASAN

ATE NIKOLLA MARKU

Filed Under: Komente Tagged With: Ate Nikolle Marku, Edi Rama, Janullatos

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5188
  • 5189
  • 5190
  • 5191
  • 5192
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT