• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PIKËTAKIMI ME SHQIPTARËT NË TOKËN E SHENJTË

August 23, 2013 by dgreca

Krahët të më thahen po të harrova ty Shqipëri!»- Jocef Jakoel/

Shkruan: Nga Luan Rama*/

“Hebrejtë, – shkruan një ndër poetët më të mëdhenj izraelit Jehuda Amishai, – janë si një rezervat i përjetshëm pylli, ku drurët rrinë ngjitur njëri me tjetrin, madje dhe të vdekurit. Nuk kanë vënd për tu shtrirë. Ata qëndrojnë drejt, mbështetur tek të gjallët.”… Pikërisht këtë simbiozë të të vdekurve dhe të gjallëve, të historisë së lashtë të krijimit të botës dhe modernitetit të fillimit të këtij mijëvjeçari, simbiozën e pikëtakimit të historisë së Shenjtë me njeriun e sotëm, duket se ndjen çdo vizitor kur shkel për herë të parë në Izrael. Një vënd padyshim mitik, pasi kryeqëndra e tij, Jeruzalemi është një referencë identitare jo vetëm për hebrenjtë, por dhe për kristianët dhe muslimanët. Tri fetë më të mëdha monoteiste të botës, judaizmi, kristianizmi dhe muslimanizmi i kanë kthyer sytë nga Jeruzalemi, pasi ky qytet, si asnjë qytet tjetër i botës është tri herë i shenjtë : aty janë varrezat më të lashta hebraike të botës dhe rrënojat e tempujve të Davidit e të Solomonit ; aty është varri i shenjtë i Krishtit ; dhe po aty është vëndi ku në kodrinën e shenjtë, në rrënojat e xhamisë El-Aksa, siç thotë Kurani, Profeti Muhamet u ngjit në qiell. Mitologjia, këngët e vjetra, luftrat, pushtimet, masakrat dhe djegjet e herëpasherëshme të këtij qyteti që rilindëte sërrish si feniksi, ritet, jetët dhe vdekjet, janë mpleksur në atë vënd në një lidhje të pazgjidhëshme.

Kur udhëton në Izrael e Palestinë, afërsia e dy popujve është e prekëshme dhe e përherëshme dhe së pari në gjuhën që flasin njerëzit që ndesh. “Selam alekum” thonë arabët, “shalom ala hem” thonë hebrenjtë. Ulliri quhet “zait” në hebraisht dhe “zeit” në arabisht. Emrat muslimanë si Ibrahim, Ismail apo Jusuf janë për hebrejtë Abraham, Ishael, Jocef. Edhe arabët muslimanë, edhe hebrejtë, të vdekurit i mbështjellin me qefin. Fëmijët e të dy popujve bëhen synet që të vegjël. Rite të ngjashme dhe afërsi kulturash mjaft të dukëshme. Të dy popujt agjërojnë: “Ramadani” dhe “Kipuri”. Ismaili dhe Isaku ishin vëllezër, thonë të vjetrit. Bijtë e Ismailit u bënë muslimanë tregon historia e vjetër e kësaj toke të lashtë. Bashkë i përjetuan dyndjet e ardhura nga larg, romakët, kryqëtarët, kryqëzatat. Tek udhëton, nga një rrugë në tjetrën, përshëndetjet që dëgjon ndryshojnë veç shqiptimin e tyre: ”shalom” apo “selam alekum”. Eshtë një potpuri e habitshme, e cila që dymijë vjet më parë ka qënë tepër e natyrshme dhe shumë e afërt. Jo rrallë buzë rrugës, ku shfaqet një fshat hebre, sheh nga ana tjetër dhe minarenë e një fshati palestinez. Nëpër rrugë njerëzit mpleksen pa arritur të kuptosh në se është arab apo hebre, nëse është druz (një sekt musliman, me rite krejt të tjera), beduin apo maronit i krishterë. Karmieli në kodër ka përballë një fshat palestinez ; në Bushhalam, hrebrenjtë banojnë në një fshat me palestinezët, në Nazaret po ashtu, ekështu me rradhë kur kalon nga një portë e Izraelit në tjerën apo kur del nga ky qytet për të shkuar drejt Detit të Vdekur.

SHQIPTARO-HEBRENJTË NË TOKËN E PREMTUAR

Miqtë e mij shqiptaro-hebrenj janë në Haifa dhe Tel-Aviv. Pikëtakimin e parë doja ta bëja me mikun tim të mirë e të mënçur Jocef Jakoel, që kurrë nuk e harroi Shqipërinë e që jetonte gjithnjë me shpresën se një ditë do të kthehej dhe ai në Tokën e Premtuar, në atdheun e Davidit dhe të Solomonit. Dhe dita erdhi në fillimin e viteve 90-të, kur rrugët shqiptare u hapën dhe komuniteti hebre mori rrugën e kthimit drejt Tokës së Shenjtë. Dhe Jocefi u kthye me lot në sy, duke parë për herë të fundit Shqipërinë dhe duke pëshpëritur : “Krahët të më thahen po të harrova ty Shqipëri ». Jocefi kishte vdekur, bashkë me gruan e tij Aliqi. Të dy pranë e pranë në atë varrezë të thjeshtë me gurë të mëdhenj, vullkanikë, ku prehej paqja, në cep të qytetit. «Cefi», siç e quaja unë, ishte kryetari i shoqatës së parë Shqipëri-Izrael, dhe i pari që u ul të shkruante kujtimet e tij për komunitetin hebre veçanërisht në kohën e luftës, atëhere kur ky komunitet rrezikohej të shuhej në kampet e përqëndrimit të nazistëve si miliona hebrenj të tjerë në vënde të ndryshme të Europës. Cefi kishte shumë plagë në shpirt. Plagët ishin njerëzit e tij të zhdukur gjatë luftës në Greqi, motra, fëmijët e saj dhe i shoqi, ashtu si dhe të afërm të tjerë kishin përfunduar në kampet e përqëndrimit nga nuk u kthyen më. Cefi mbylli sytë një ditë të paqtë, pasi ishte ngopur me detin e Izraelit, vdiq në prehërin e Abrahamit dhe me imazhin e asaj toke të largët, Shqipërisë që e kishte rritur dhe mbrojtur si bij të saj. Vite kanë kaluar dhe në atë varrezë, gjithnjë e më shumë sheh të shtohen emrat e hebrenjve-shqiptarë të moshuar, ata që përjetuan epokën e holokaustit ku humbën njerëzit më të dashur që ishin nëpër Europë. Por megjithatë, kujtimi për Shqipërinë do te jetonte gjithnjë në shtëpitë e tyre, në vizitat dhe letrat që shkëmbeheshin, në gjuhën shqipe që vazhdon të flitet edhe sot. Familjet hebre Matathia, Mandili, Levi, Menehem, Kohen, Solomoni, Kantozi, Arditi, Ruben e shumë të tjerë, e mbajnë ende të pashuar përkushtimin e shqiptarëve  në qytetet e Vlorës, Beratit, Durrësit, Shkodrës, Kavajës e Tiranës…

Qyteti i Karmelit është një qytet i ri dhe i bardhë që i ngjitet një kodrine të gjelbëruar. Aty jetojnë nja 30 familje shqiptarësh, mes të cilëve dhe familja Shvarts (e motra e përkthyesit të famshëm Robert Shvarts). Janë vila të reja me oborre të vogla, aty këtu me pemë të sapo mbjella, mollë apo dardha, në çatitë e të cilave ngrihen parabolat që të mund të kapin stacionet shqiptare. Në këtë mënyrë, Shqipëria është e pranishme çdo mbrëmje dhe në Karmel apo gjetkë nëpër Izrael. Aty janë dhe hareja e moderniteti shqiptar, dhe zallahitë e politikës që vijnë nga Shqipëria. Hebrejtë-shqiptarë nuk janë të shumtë në Izrael, megjithëse kur i takon në Tel-Aviv apo Haifa, në Karmiel, Ashdov, Bersheva apo Hedera, madje dhe kosovarët në Jeruzalem, të ardhur gjatë luftës së Kosovës, jeta e tyre të gëzon, pasi të gjithë janë mirë dhe të gjithë kanë mall. Disa janë biznesmenë që punojnë madje dhe me Shqipërinë, të tjerë inxhinjerë, imobilierë, agjentë të turizmit, mjekë apo mësues. Por Shqipërinë në Izrael mund ta takosh gjithashtu dhe në pemët e mbjellura në kopshtin e Jad Washem, kopështin me pemët në kujtim të atyre që mbrojtën hebrenjtë gjatë luftës së Dytë Botërore . Në këmbë të këtyre pemëve janë shkruar emrat e “fisnikëve” shqiptarë, siç u thonë këtu atyre që i kanë mbrojtur ata nga holokausti (“Fisnikë të Kombeve”). Emrat e mbi dyzet familjeve shqiptare janë shkruar tashmë në memorialin e madh të historisë tragjike në muzeun e holokaustit « Jad Washem »: Veseli, Kristidhi, Kadiu, Lito, Buhali, Myrto e Toptani, Uli, dhe Zenuni, Sheko e dhjetra të tjerë.

Familja e Ksenia Efimovskit është vendosur në Bialik, një qytezë apo lagje e Haifas, qyteti i tretë i Izraelit. I shoqi i saj, Aleksandri, një rus i « bardhë », i lindur në Tiranë, është një inxhinjer që e njohu « mirë » epokën totalitare të Shqipërisë, kur pse kishte të atin në burg duhej të transportonte për vite me rradhë thasë çmentoje mbi kurriz. Kur dalim për të shkuar në Ako, nuk habitesh të dëgjosh shpesh nëpër rrugë njerëz që flasin gjuhën ruse. « Janë hebrenjtë e Rusisë, – më thotë Aleksandri dhe përshëndetet me disa prej tyre. Shu%e prej tyre janë instrumentistët virtuozë që mund ti gjesh ngado, madje dhe në rrugë. Çdo parti politike ka interes ta bëjë për vete këtë elektorat që i kalon të 1 milion e gjysëm banorë ». Ksenia është violiniste si formacion por dhe një poliglote e vërtetë, me një eksperiencë të pasur në fushën e turizmit dhe të historisë dhe me një kulturë të veçantë. Duke ecur nëpër Bialik ajo më kujton duke qeshur se ky qytet ka marrë emrin e poetit Bialik, i cili thoshte se « Izraeli..

Feliçeta Jakoel është sot kryetare e Shoqatës së Miqësisë Izrael-Shqipëri. Eshtë një mikeshë e vjetër e familjes sime dhe nga të parat që zbarkoi në Izrael. Ajo është vendosur tashmë në Tel-Aviv, bashkë me familjen e saj. Juda, i shoqi, një ekonomist mjaft elokuent është bërë si një shqiptar i vërtetë, pasi pasioni për Shqipërinë tek ai është i jashtëzakonshëm. Madje mund të flasësh dhe shqip me të, ashtu si dhe me Shirlin, vajzën e saj…Feliçeta punon në Muzeun e Pavarësisë në qëndër të Tel-Avivit, në qëndrën historike të këtij qyteti, në atë ndërtesë britanike të para një shekulli buzë Bulevardit Rotschildt. E habitëshme ta dëgjosh tek u flet një grupi turistësh në hebraisht, një tjetri në anglisht, një grupi tjetër në italisht, në greqisht, në frëngjisht, spanjisht e kështu me rradhë…Në Muzeun e Pavarësisë, ajo më tregon për atë natë të vitit 1948, kur komuniteti hebre i Tel-Avivit, me Ben Gurionin dhe Golda Meyer në krye, pikërisht ditën që u larguan britanikët, shpallën shtetin e tyre. Ata e dinin se të nesërmen do të fillonte lufta, por në emër të të gjitha atyre vuajtjeve të luftës dhe të ekzodit mijëvjeçar, ata vendosën krijimin e shtetit të tyre. Tel-Avivi (i cili e ka marre emrin nga vepra e ideatorit te shtetit të Izraelit, Teodor Herzl “Tokë e vjetër dhe e re”) sot është një qytet perëndimor e dinamik që nxiton drejt zhvillimit, një qytet i ngrohtë, këmbët e të cilit lagen në ujrat e Mesdheut. Por ai është dhe një qytet i njohur i spektaklit dhe i kulturës, i artit, letërsisë dhe muzikës, ku mesazhet pikturale biblike te Shagallit gjejnë kuptimin e tyre më të thellë. “Tel-Avivi është zëmra e Izraelit të sotëm, ndërsa Jeruzalemi është shpirti i tij”. Në fakt nuk mund ta kuptosh Izraelin pa historine e tij, pa njerëzit e tij të mëdhenj, pa një Anjshtanj, Rotschildt, Adorno, Benjamin e Marcuse, pa nobelistët e Paqes Rabin dhe Perez, pa nobelistët Agnon dhe Bashevi Singer, veprat e të cilëve janë përkthyer dhe në shqip. Hebrenjtë dhe historia, hebrejtë dhe fqinjët e tyre arabë… Nismat për një bashkëjetesë të paqtë nuk mungojnë, as këngët e përbashkëta të paqes kënduar nga hebrenj dhe palestinezë, por sa herë « hapet koha » dhe shpresohet paqja, përsëri do të ndodhë të afrohet një « rrebesh i madh »…

RASHELA

Bashkë me Feliçeta Jakoel ne shkuam dhe në periferi te Tel-Avivit për të takuar gjyshen e Judës, Rashelën. Nën një diell të bukur, ajo grua 94 vjeçare qëndronte ende e ulur në oborrin e shtëpisë ku kishte lindur, duke murmuritur copra këngësh të vjetra. Kur na pa me dy sy që ende shkëlqenin, na përshëndeti me dashuri dhe nxorri një psherëtimë si të përshëndeste së fundmi botën e të gjallëve. Rashela kishte qënë jetime që fëmijë, kur ishte dhjetë vjeç. Atëhere Palestina po pushtohej nga britanikët dhe për ti shpëtuar luftës turko-britanike, ajo dhe e motra i a kishin mbathur në Egjipt, siç kishin ikur dy mijë vjet më parë hebrenjtë pas revoltës së tyre dhe masakrimit, në kohën e eksodit. Disa vjet më vonë, dy motrat ishin kthyer nëpër shkretëtirë, më së shumti me këmbë duke e gjetur shtëpinë e tyre të zbrazët dhe të shkatërruar. Më 1948, kur u shpall shteti i Izraelit dhe lufta shpërtheu sërrish, kësaj rradhe midis arabëve dhe hebrenjve, Rashela nuk deshi të lëvizë më nga shtëpia. Le të vdes, mendoi ajo, por këndej nuk shkulem. Ky është vëndi i të parëve të mij ! Arabët dhe hebrenjtë i a mbathën, por në fund të luftës hebrenjtë u kthyen ndërsa arabët e Xhafo-s, jo.

Në jetën e saj, Rashela do të shihte shumë luftra, dhe atë të 1967, dhe atë të 1973… Gjithë jeta i kaloi me ngjarje tronditëse, por ajo nuk e humbi shpresën se një ditë hebrenjtë dhe arabët do të jetonin përsëri bashkë, si mijra vjet më parë. Atë ditë që e pashë në oborrin e saj, nën diell, Rashela dukej se po largohej e paqtë. A thua Paqja po afronte vërtet në tokën e përbashkët të palestinezëve dhe izraelitëve ? Ajo kurrë nuk i kishte urryer arabët, madje fliste si ta gjuhën e tyre. Ajo e dinte se në mugëtirën e historisë, populli i tyre kishte qënë një: ashtu siç Isaku dhe Ismaili kishin qënë bijtë e Abrahamit. Të njëjtën gjë shkruante dhe shkrimtari i njohur izraelit Amos Oz, pretendent për çmimin Nobel, në librin e fundit të tij “Midis të Drejtës dhe të Drejtës,,: “Konflikti izraelo-palestinez, nuk është një lloj filmi Far-west, nuk është një luftë mes së mirës dhe së keqes. Në fakt është një tragjedi, dhe në kuptimin më të lashtë të fjalës është një përplasje midis të Drejtës dhe së Drejtës, midis një kërkese të fuqishme, të thellë dhe bindëse dhe një kërkese tjetër jo më pak bindëse, të fuqishme e humane. Palestinezët janë në Palestinë sepse Palestina është atdheu i tyre i vetëm. Hebrejtë janë në Izrael sepse nuk ka një vënd tjetër në botë që ata mund ta quajnë mëmëdhe.”

MBECË MORE SHOKË MBECË/PËRTEJ URËS SË QABESË…

Habija më e madhe për një shqiptar që shkel në udhët e Tokës së Shenjtë është kur ai dëgjon për bëma dhe histori të vjetra të shqiptarëve, të atyre nizamëve, gjeneralëve dhe pashallarëve shqiptarë që u vendosën në këto vënde nga Perandoria Osmane. Xhafo (Jafo) dhe Ako janë dy qytete historike të Izraelit, ngritur buzë Detit Mesdhe dhe që konsiderohen si ndër portet më të vjetra të botës. Mijra vjet më parë Xhafo ishte porta e Palestinës dhe Jeruzalemit. Këtej kaluan dyndjet egjiptiane, romakët, kryqtarë, teutonë e pashallarë të perandorisë osmane. Në Xhafo janë ndeshur legjionarët e Rikard Zëmër Luanit me luftëtarët e shpejtë të Saladinit. Legjenda thotë se ka qënë Jafe, një nga tri djemtë e Noes, i cili e ka themeluar këtë qytet pas përmbytjes e kataklizmës, duke i dhënë emrin e tij. Grekët do ta quanin më pas Jope, romakët Jopa, marinarët Xhafo (e  bukur), kryqtarët kristianë, Jafe. Shqiptarët u dëgjuan në këtë qytet-port në vitet 1807-1820, kur një pasha shqiptar me emrin Mehmet “Abu Nabut” do ti jepte nje impuls të jashtëzakonshëm këtij qyteti bregdetar, edhe pse ishte mjaft i ashpër dhe shpata i priste si shumë. Ai nuk e përjetoi masakrën e madhe të Napoleonit, kur më 1799, gjenerali korsikan u nis nga Egjipti dhe pushtoi Palestinën, Jeruzalemin dhe bombardoi për muaj me rradhë Xhafon gjersa e pushtoi.  Nga viti 1831 gjer në vitet 1840 Xhafon do ta pushtonte dhe drejtonte një tjetër shqiptar shumë më i famshëm: vetë biri i Mehmet Ali Pashës, strategu i madh luftarak Ibrahim Pasha që u kalli frikën otomanëve. Siç shkruajnë historianët, Ibrahimi kërkoi ta lulëzonte këtë qytet, i frymëzuar nga Europa. Tolerant ndaj feve, ai i trajtonte njëlloj si besimtarët e tij, shqiptarët, që i kishte në ushtri, ashtu dhe egjiptianët, hebrejtë, druzët, maronitët e krishterë apo kristianët e Jeruzalemit e të Sinait. Ja pse në kohën e tij, hebrejtë dhe kristianët praktikonin lirisht fenë e tyre. Në këtë kohë, në Xhafo do të ngriheshin ndërtesa të arkitekturave të ndryshme : franceze, gjermane, skoceze, etj, të cilat u shtoheshin ndërtimeve hijerënda të kohës së tempullarëve të krishterë. Xhafo sot të tërheq jo vetëm për monumentet e saj historike, por dhe për të kaluarën më të afërt apo të sotmen, ku mbi gërmadhat e luftës së vitit 1948, është ngritur lagja e “artistëve” ose ndryshe siç e quajnë këtu të rinjtë lagja pariziane “Montmartre”. Tutje në det, shquhet shkëmbi i Andromedës, ku sipas legjendës greke, për hir të lirisë së qytetit ajo duhej të sakrifikohej tek përbindëshi i detit.

Duke i u ngjitur rrugës së bregdetit, drejt veriut dhe Libanit, befasohesh njëkohësisht nga Ako, një qytet-port prej 80 mijë banorësh, po aq historik dhe me bëma historike, ku gjurmët e historisë flasin për shumë luftra, përplasje qytetërimesh, nga koha e romakëve, tek kryqëzatat. Aty janë gjurmët e ndërtimeve të Republikave italiane si ajo e Gjenovas, e Venecias apo e Pizës, duke lënë pas largimit të tyre shekuj më vonë emra si “Sheshi i Venecies”, etj, të cilat të risjellin kohën e shkëmbimeve të mëdha midis Europë dhe Orientt. Ako priste në gjirin e saj anijet që vinin nga Marseja, Barcelona, Algjeri, Gjenova, Amsterdami, Londra e Anversa. Siç shkruhet në librat e historisë, pikërisht në fillim të viteve 1800, ardhja këtu e shqiptarit  Xhezair, (El Xhezar) bëri që Ako të jetojë një pranverë të re: ai ndërtoi pazarin, akuadukun për furnizimin me ujë të qytetit apo hamamin e madh të qytetit. Me projektin e një arkitekti hebre ai ndërtoi xhaminë e re e më të madhe sot në Izrael, një xhami në ngjyrë jeshile, që mban sot brënda vetes varrin e tij dhe të birit të tij. Ishte ai që restauroi kështjellën dhe fortesën për të mbrojtur qytetin, duke ngritur dhe një mur të dytë që do të quhej vite më vonë “muri i Xhezairit”. Pikërisht këtu, tri mijë shqiptarë mbronin qytetin, siç do të shkruhet edhe në librin e Gilbert Sinoue, ne biografinë e tij për Mehmet Ali Pasha “Perandori i fundit”. Tri mijë shqiptarët e tij, luftëtarë të sprovuar,  mbanin qetësinë gjer në Tripoli e Damask. Janë këto bëma shqiptarësh nëpër histori dhe në kufijtë e perandorive të largëta. Bëma tragjike dhe heroike. Një nga betejat më legjendare të Xhezairit ishte mbrojtja e Akos nga ushtria e Napoleon Bonapartit, i cili kur pushtoi Jeruzalemin e Xhafo-n, i u drejtua Ako-s për të shkuar gjer në Damask dhe pastaj në Kostandinopojë. Edhe pse bombardimi i Napoleonit ishte i tmerrshëm, ai nuk do ta pushtonte dot Ako-n. Më së fundi, ai u detyrua të kthehet në Egjipt e pastaj në Francë. Por ai që do ta pushtonte Ako-n do të ishte për ironi të fatit, po një shqiptar, akoma më i lavdishëm, vetë gjenerali i famshëm Ibrahim Pasha. Tashmë Xhezairi kishte vdekur dhe në vënd të tij printe Abdullahu. Shqiptarë që luftonin kundër shqiptarëve në tokat e lashta të hebrenjve dhe arabëve, beteja që të kujtojnë shkretëtirat dhe duhitë e erës e padyshim këngën e vjetër e të trishtë të popullit, atë të Qabesë…”Mbeçë more shokë mbeçë / përtej urës së Qabesë…”

JERUZALEMI, TRI HERË I SHENJTË

Jeruzalemi është ndoshta qyteti me historinë më dramatike të historisë botërore, sepse ndër shekuj perandori të shumta që kaluan mbi të veç dogjën e plaçkitën duke e bërë shkrumb e hi atë vënd. E megjithatë ky qytet i ngjante feniksit, pasi ai përsëri rilindëte në sajë të shpirtit të njerëzve që prisnin ardhjen e Mesisë. Në mugëtirën e kohrave, Jeruzalemi quhej « Yeruselaim », ndërsa perandori romak Hadrien në vitin 130 e quajti atë me emrin latin « Aelia Capitolina ». Dostojevski shkruante dikur për Jeruzalemin se « çdo kush që i ngjitet Jeruzalemit pushtohet nga një ndjenjë misterioze dhe e thellë e një bote të panjohur ». Dhe vërtet, kështu ndodh, pasi në çdo pëllëmbë që hedh, këtu rrethohesh nga historia, tragjedia, shpërnguljet e mëdha dhe ritet e një qytetërimi shumë të vjetër. Ai që viziton për herë të parë këtë qytet ka kureshtjen e pikëtakimit me historinë dhe heronjtë e saj, me heronjtë e Biblës hebraike apo Testamentit të Vjetër, dhe së pari me Abrahamin, Isakun e Jakovin e më pas mbretin David e Solomonin për të ardhur më pas, shekuj më vonë tek Jezu Krishti dhe apostujt e tij. Pikërisht këtu kanë kaluar ushtri të panumurta, nga armatat e persëve dhe të Aleksandrit të Madh, e më vonë të perandorëve të ndryshëm romakë, gjer kur Saladini do ta pushtonte Jeruzalemin.

Duhet ti ngjitesh atij shpat mali që të mund të hysh në zëmër të qytetit të vjetër, atij qyteti të bardhë e të gurtë, i cili, qëndron disi i shkëputur nga qyteti i ri i ndërtuar pas luftës së dytë botërore. Kureshtja më e madhe është padyshim ajo qëndër e vjetër e qytetit me një perimetër fare të vogël e cila rrethohet nga mure të vjetër të ndërtuar në kohën e sulltanit të famshëm Sulejmani i Madhërishëm më 1532-1536. Ky qytet i vjetër e i habitshëm rrethohet nga shtatë porta të mëdha e të gurta, të ndërtuara shekuj më parë dhe që kanë emra të ndryshme në hebraisht apo në arabisht, si Porta e Xhafos, Porta e Sionit, Porta Detritus, Porta e Luanit, Porta e Damaskut, Porta e Herodit (në kujtim të perandorit romak) dhe Porta e Re. Por kur vizitori shkon drejt « Murit të Lotëve », që nga sheshi mund të pikasë dhe « Portën e Ndritur », apo siç quhet ndryshe nga hebrenjtë « Porta e Mesisë », e cila prej shekujsh është mbyllur nga muslimanët. Hapja e saj për hebrenjtë do të simbolizonte « fundin e kohrave ». Miqtë e mij shqiptaro-hebre që më shoqërojnë më tregojnë në krah të saj “Malin e ullinjve” në gjirin e të cilit shtrihen varrezat e vjetra dhe më të mëdhatë në botë të hebrejve, dhe kjo për shkak se sipas librit të tyre të shenjtë “ata që varroseshin këtu, ringjalleshin”.

Ecën në qytet dhe të duket se hyn brënda një mozaiku popujsh e gjuhësh që përzihen në këtë qytezë ku nga një rrugë në tjetrën pikëtakohesh me besimtarë të feve të ndryshme : muslimanë, hebrenj, armenë, ortodoksë grekë, françeskanë, kristianë koptë (të krishterët e Afrikës) apo të krishterë të Etiopisë. Qyteti i vjetër ndahet në katër lagje kryesore si ajo e muslimanëve, e kristianëve, e hebrenjve dhe e armenëve. Të gjithë kanë vëndet e tyre të kultit : xhamitë, sinagogat, kishat e shapelat. Në krah të varrezave të vjetra është « Kodrina e Tempullit » hebraik i cili është njëkohësisht dhe sheshi i xhamisë së famëshme El-Aksa, vëndi i shenjtë për muslimanët e Palestinës dhe të gjithë botës muslimane. Librat e shenjtë muslimanë flasin për një kalë që u shfaq, i cili e mori Muhametin dhe e çoi në Perëndim (në Jeruzalem), ku ndaloi në Gurin e Botës (ku sot ngrihet xhamia El-Aksa e ngritur nga sulltani Sulejmani i Mrekullueshëm më 1530), pikërisht mbi varrin e mbretit David. Për muslimanët, Jeruzalemi eshtë qyteti i tretë i shenjtë pas Mekës dhe Medinës (ku profeti dëgjoi misionin e Allahut nga engjëlli Gabriel). Testamenti i Vjetër dhe librat e shenjtë hebraikë flasin gjatë për Jeruzalemin. Tempulli i parë që konsiderohej si « shtëpia e Zotit » u ngrit pikërisht mbi atë shkëmb të lartë të qytetit dhe sipas kronikave të vjetra ishte 30 metra i gjatë dhe i 15 i lartë. Por në vitin 587 p.e.s. kur Jeruzalemi u pushtua, ai dhe gjithë qyteti u bë shkrumb e hi. Pas vdekjes së mbretit David, Jeruzalemin e udhëhoqi biri i tij, Solomon, në vitin 539 p.e.s. i cili do të ndërtojë përsëri tempullin. Mbreti pers Cyrus i lejoi çifutët të ktheheshin nga Babilonia në vendin e Judas. Në vitin 19 p.e.s. Herodi romak e ktheu tempullin në një ndërtesë mermeri por kur çifutët u revoltuan në vitin 70-të kundër romakëve, tempulli u dogj sërrish dhe Jeruzalemi u shkatërrua. Vetëm « Muri i lotëve » do të mbetej si dëshmitar i atyre kohrave të përgjakëshme.

MURI I LOTËVE DHE VARRI I SHENJTË I RISHTIT

Muri i lotëve është padyshim një nga muret më të rrallë dhe më të çuditshëm të botës për vetë simbolikën që ka. Eshtë muri që mbeti në këmbë pas shkatërrimit të Jeruzalemit. Thuhet se kur romaku Titus e shkaktërroi Jeruzalemin, çifutët që u kthyen erdhën të qanin dhe të faleshin pikërisht në murin e Tempullit të Davidit. Që atëhere, për shekuj me rradhë ata do të paguanin florinj, vetëm e vetëm që të mund të lejoheshin që të luteshin e të qanin në vëndin e shenjtë. Kështu, shpirti i tyre lehtësohej duke pëshpëritur të njëjtën lutje, me shpresën e rikthimit. Para murit hijerëndë dhe me gurë qiklopikë shtrihet një shesh i madh që në raste festash fetare, të cilat janë të shumta gjatë vitit, nxin nga rabinët e veshur me të zeza dhe kapelet e tyre të mëdha. Të tjerë nxitojnë me buklet e tyre që u varen jashtë kapeleve. Të gjithë vijnë të falen e luten para murit, në rradhë, me librat e tyre në duar, dhe ku shumë prej tyre i afrohen murit aq shumë sa që duket se i pëshpërisin vetë perëndisë. Një mur i çuditshëm dhe për letrat e panumurta që të palosura e të ngjeshura, futur në të çarat e murit dhe ku besimtarët i çojnë mesazh Zotit Jahve që të mund ti lexojë. Edhe Papa Vojtila kur erdhi në « Murin e Lotëve » la në një nga të plasariturat e hapura një letër të tillë.

Atë ditë që zbrisnim drejt atij sheshi mitik rrugët nxinin nga rabinët. Mes tyre kishte dhe hebrenj të sekteve të tjerë,  ithtarë të hasidizmit, sektit radikal të judaizmit që nuk pranojnë të bëjnë ushtrinë, që nuk pijnë duhan dhe nuk fotografohen, e që ende besojnë në ardhjen një ditë të afërt të Mesisë. Jo larg Murit të Lotëve, duke marrë një rrugë të ngushtë, pas 200 metrave do të gjëndesh në të njëjtën rrugë dhe të njëjtin itinerar që bëri Jezuja ditën e kryqëzimit: në « via Dolorosa ». Eshtë rruga që të çon drejt varrit të tij. Dhe kuptohet, për atë që njeh jetën e Krishtit, gjërat marrin përmasa të tjera në këto kalldrëme, ku shumë shpejt imagjinata të risjell imazhet e filmave që janë bërë për Krishtin, gjer tek i fundit « Pasioni i Krishtit » i Mel Gibson. Eshtë një ditë e ngrohtë, me diell dhe një qiell të kaltërt, ndoshta si atë ditë kur 2000 vjet më parë, sipas Biblës, Jezuja me kryqin e rëndë në krah merrte udhën e kalvarit, Golgotës, udhën mes britmave të ushtarëve romakë, i ndjekur nga sytë e përgjëruar të nënës së tij, Shën Marisë. Brënda në kishën ortodokse, ku vargu i gjatë i njerëzve nuk rresht, mijra duar zgjaten të prekin atë pllakë mermeri në ngjyrë të kuqerremtë ku mendohet se është varrosur Jezu-ja. Brënda dhe jashtë asaj kishe, gjithshka është mitike, biblike, pasi Jeruzalemi është i mbushur me histori e ngjarje tepër të lashta, me sinagoga e xhami, kisha greke e ruse, jemenite (te hebrenjve të Jemenit), abisinase (te hebrenjve të Etiopisë), vende kulti të radikalëve hebrenj hasidistë….Jeta e këtij qyteti nis tri mijë vjet para erës sonë dhe në historinë e tij pikëtakon revoltat e hebrejve, tempujt e Solomonit dhe të Herodit, legjionet  romake të Titus-it i cili e dogji Jeruzalemin në vitin 67. Pikërisht atëhere ndodhi dhe eksodi i dytë i hebrejve. Gjatë njëmbëdhjetë shekujve, nga kalifi Omar i persëve, tek Saladini e sulltanët e perandorisë osmane, ky qytet do të mbetej nën pushtetin e muslimanëve. Ndërsa sot, hebrejtë, muslimanët, kristianët dhe ateistët mpleksen çdo ditë në rrugët e këtij qyteti të hapët të cilin Papa dëshironte ta kthente në “qytet të shenjtë”, në qytet të paqes, qytet i gjithë botës. Duke ecur buzë mureve të Hadrianit, katakombeve romake, afreskeve bizantine dhe të Aleksandrit të madh, portave perse e arabe, e ndjen menjëherë se këtu HISTORIA është shkruar me gërma të mëdha.

PËRGJATË LUMIT JORDAN

Pasi lëmë pllajat me mollë të Golanit dhe gjurmët prehistorike në Gamla, në zbritje e sipër anashkalojmë brigjet e liqenit të Tiberiadës apo Galileut (212 m nën nivelin e detit), për të cilën shkruhet aq shumë në librat e shenjtë të Biblës. Në fund, ndalojmë në burojën e lumit Jordan, ujet e të cilit vjen nga fakt nga mali Hermonit (2814m) që ende ka dëborë. Njerëz nga e gjithë bota vijnë të pagëzohen në një ceremonial mjaft prekës e shpesh në mes të lotëve: turmat e besimtarëve kristianë, të ardhur nga Australia apo Amerika, Argjentina apo Indonezia e India, nga Afrika e Jugut apo Europa, ë futen në ujë dhe pas një “aleluje” që këndohet e kumbon në ajër, dalin dhe përqafohen me njëri tjtrin: perëndia i ka bekuar! Siç shkruhet në Bibël, këtu kishte ardhur dhe Jezu-ja, dy mijë vjet më parë. Ai kishte zbritur nga Nazareti, ku banonte me familjen e tij. Erdhi në burojat e Jordanit ku Gjon Pagëzori do ta pagëzonte. Kur Jezu-ja kishte dalë nga ujët, Bibla shkruan se Perëndia, në formën e një pëllumbi të bardhë ishte ulur tek ai dhe i kishte pëshpëritur: “Ti më pëlqeve. Je ti ai që kam zgjedhur !…”

Liqeni i Tiberiadës është një liqen historik, i mbushur nga shumë tempuj e kisha të vjetra, dëshmi të historisë së Jezusë dhe apostujve të tjerë, me kishën e Shën Pjetrit, krijuesit të vërtetë të kristianizmit apo kishën e Kryqit të Shenjtë, ndërtuar nga Helena, nëna e perandorit bizantinas Kostandin, e cila kur erdhi këtu dhe i treguan pemën e prerë për drurin e kryqit ku kryqëzuan Jezunë, vendosi të ngrejë kishën për kujtim të tij. Më tuje, Kisha e “beatitudine”-ve, (“Tetë lavdeve”) të Jezusë i cili do tu thoshte pasuesve të tij: – “Qofshin të lumtur të persekutuarit që luftojnë për Drejtësi, se mbretëria e qiejve është për ta!” “Qofshin të lumtur artizanët e Paqes sepse ata do të quhen bijtë e Zotit!”…

Duke lënë pas ujët e Tiberiadës dhe fshatin historik të Maigdala-s, të Maria Madalenës, prostitutës që i u përkushtua Krishtit, ( ajo që dhe e pa kur u ngjit në qiell) rruga na çon drejt Nazaretit ku poshtë janë arabët dhe sipër, arabët e krishterë dhe hebrejtë. Gjithshka është sugjestionuese: midis vendeve të ndryshme të kultit dhe kisha e nënës së Krishtit, Shën Marisë ku vinë pelerinët nga e gjithë bota…

UDHËTIMI I FUNDIT I RASHELËS

Kur u ktheva nga Toka e Shenjtë, Feliçeta Jakoel më mori në telefon dhe më tha se Rashela kishte vdekur. Kishte nisur udhëtimin e saj duke ecur mbi Detin e Vdekur në një udhëtim të përmotshëm. Megjithatë ajo më tha se ajo kishte ikur e gëzuar nga kjo botë, duke marrë me vete mesazhe paqeje për tu a çuar të vdekurve, atyre që gjithë jetën përjetuan veçse tragjedi. Mendova një çast për Rashelën, e imagjinova atë tek shkonte dhe lexova përsëri rradhët e shkruara nga shkrimtari izraelit Amos Oz: “Konflikti izraelo-palestinez është një përplasje mes së Drejtës dhe së Drejtës, midis dy kërkesave të fuqishme mbi të njëjtin vënd të vogël. Nuk është një luftë fetare, një luftë mes dy kulturash të ndryshme, një mospajtim mes dy feve, por thjesht një debat i zjarrtë për pronësinë e patundëshme të kësaj toke, se e kujt është kjo shtëpi. Dhe unë besoj se kjo mund të zgjidhet…”(*Artikulli botohet me plëqimin e autorit)

 

Filed Under: Histori Tagged With: Luan Rama, ne token e shenjte, piktakimi me shqiptaret

KUSH ISHIN SHQIPTARET QE EMIGRUAN NE SHBA NE VITIN 1961 PERMES KOMITETIT SHQIPERIA E LIRE?

August 23, 2013 by dgreca

Lista e plotë e refugjatëve shqiptarë që u ishin plotësuar dokumentet dhe priteshin të vinin në Amerikë në dy muajët e fundit të vitit 1960 dhe qe mberriten ne Amerike gjate vitit 1961?/

Nuri Dalajani nga Korça

Riza Jakubovski nga Bela Crkva

Loro Stajka me familje nga Shkodra

Qamil Fakja nga Shkodra

Gjelosh Kola nga Tropoja

Gjin Nikolla nga Kashnjeti

Abdula Zhuta me familje nga Veleshti

Selim Shazi

Mehdi Veliu

Ibrahim Beqiri nga Kukësi

Riza Vaka nga Mati

Ligor Behari nga Kavaja

Llazar Anastas nag Shkodra

Llesh Koraçi me familje nga Kukësi

Aki Maliqi nga Prishtina

Ndue Doda nga Puka

Abas Kaboci nga Kukësi

Ismet Sallku nga Fieri

Rexhep Hyka nga Shkodra

Nexhdet Zero nga Bilishti, Korçë

Muhamet Selim nga Pogradeci

Bajo Saliu nga Gjirokastra

Ruben Kuçi nga Peshkëpi, Vlorë

Leven Bobi nga Lazari, Gjirokastër

Nezir Cane nga Bilishti,Korçë

Lek Përlika nga Mirdita

Julian Çefa nga Shkodra

Deti Cakovski nga Shkodra

Xhemil Siqeca nga Kurjani,Fier

Feta Kuçi nga Peshkëpia

Nexhat Hoshafi nga Blaca

Selfo Këndezi nga Erseka

Halil Tërnaku, nga Borovija, Peshkopi

Myrteza Nazari me familje nga Peshkopia

Shaban Xhani nga Shkodra

Qemal Boriçi nga Tirana

Rifat Lina nga Shkodra

Fran Matusha nga Shkodra

Shaban Pranvaku nga Shkodra

Veis Hoxha me familje, gruan dhe katër fëmijë nga Markat, Delvinë

Gjok Tusha me familje, gruan dhe një fëmijë nga Fushë Arrësi, Pukë

Idriz Broja nga Mitrovica

Llesh Nokaj nga Laçi, Krujë

Musa Çoku nga Lushnja

Fejzi Dërguti nga Shkodra

Daut Vathi nga Tirana

Nevruz Selimi nga Basmesh, Korçë

Xhaferr Butka, Korçë

Inxhinier Ernest Gjeçi, Shkodër

Leon Dukagjini nga Tirana

Mark Dukagjini nga Tirana

Asaf Hoxha nga Tirana

Muslija Osmanaj nga Lubovec

Isa Vranica nga Prizreni

Ramadan Sala nga Mborja, Korçë

Luan Sadiku nga Starova, Ersek-Korçë

Thoma Leko nga Shtika, Korçë

Avdia Burlovic nga Kepenik, Kukës

Bardhyl Babo nga Korça

Skënder Mukaj nga Fratar, Fier

Tahir Kërnaja nga Tropoja

Huzri Muda nga Peshkopia

Demira Asan me gruan dhe një vajzë nga Pogradeci

Nazmi Islami nga Ostreni, Peshkopi

Nikolla Noka nga Laç, Krujë

Xhevat Hoxha nga Bicaj, Kukës

Islam Deda nga Ulmisht, Kukës

Shefqet Vata me gruan dhe djalin nga Burreli

Sulejman Arifi nga Tetova

Jakup Avdiu me familjen prej 10 vetash

Ragip Lohja nga Shkodra

Adem Doçi nga Shkodra

Ismail Rukaj

Ibish Nela nga Kolovosh, Kukës

Besim Stafa nga Tirana

Rrahman Nela nga Kolovash, Kukës

Xhevat Neziri nga Obok, Peshkopi

Hidajet Musaraj nga Vlora

Zaim Murati nga Shishtovaci

Pjetër Marashi nga Gruda

Haki Kaloshi nga Kinder, Peshkopi

Hazis Jonuzi nga Tirana

Musafer Dibra nga Shkodra

Ahmet Vodulla nga Shenovlash, Durrës

Ibrahim Muhadri nga Vlahen Kukës

Mirvet Muça nga Blati

Marash Mirakaj nga Iballë, Pukë

Hasan Mema nga Ujmisat, Kukës

Qerim Muhadri nga Vlahen, Kukës

Sulejman Likaj nga Vasije, Kukës

Isa Gusija nga Shkodra

Nezir Demusaj nga Geghysenaj, Tropojë

Feim Çela nga Velican, Mokër

Qazim Mahmuti me zonjën nga Bicaj, Kukës

Jak Mirakaj me gruan, Pukë

Tonin Mirakaj me familjen, nga Puka

Komiteti për Shqipërinë e lirë në këtë numër të gazetës shpreh keqardhjen se zoti dhe zonja Hasan Kartaxhi dhe Muharrem Morina , megjiëthse të regjistruar për emigrim, nuk e përfituan ardhjen në Amerikë për shkak të ligjit të ri të emigracionit, por ky Komitet shpreh shpresë se ndoshta Komisioni i lartë për refugjatët i Kombeve të Bashkuara mund t’i kualifikojë pas ankesës. Po ashtu Komiteti kishte mësuar nga informatat e marra se zoti dhe zonja Bek Grimci dhe Haki Avdi Panca, për të cilët Komiteti Shqipëria e Lirë u kish mbushur garancitë, u ishte shtyrë udhëtimi për shkaqe shëndetësore.

Po në atë numër gazete Komiteti Shqipëria e lirë njoftonte emigarntët që ishin nëpër kampe dhe ende nuk ishin kompletuar me dokumente për emigrim duhej t’u drejtoheshin organizatave të Kishave duke dhënë emrin e Komitetit Shqipëria e Lirë, si garant i tyre dhe Komiteti premtonte solemnsiht set ë gjitha garancitë do të plotësoheshin shumë shpejt.Do të njihemi në numrat e ardhshëm me ngjarjet pasuese si dhe me lsitat e atyre viteve.(Përgatiti: Dalip Greca)

 

Filed Under: Histori Tagged With: ne vitin 1961, Shqiptaret qe erdhe ne SHBA

MESAZH I EDITORIT

August 23, 2013 by dgreca

BASHKËPUNONI ME GAZETEN DIELLIN!

Bashkëpunoni me Gazetën Dielli, më e vjetra në botim e botës Shqiptare. Le ta shkruajmë së bashku në Faqet e Diellit kronikën jetësore të shqiptarëve të Amerikës. Keni një gëzim familjar, një fejesë, një dasëm, graduim, nje njoftim mortor?- përcillni informacionin dhe fotografitë në emailin e Diellit dhe ne i përcjellim në botën shqiptare. Emaili i Diellit: gazetadielli@gmail.com

Do të bëhesh bashkëpunëtor i Diellit na shkruaj në emailin e mësipërm.

Degët e Vatrës nëpër shtete të ndryshme mund të caktojnë një korrespondent për Diellin dhe ai të përcjellë jo vetëm aktivitetet e degës, por edhe jetën e shqiptarëve në qytetin apo shtetin ku e zhvillon veprimtarinë dega. Keni pranë dikë që ka histori interesante, që ka arritur sukses në Amerikë, një student i shkëlqyer apo një sportist, na shkruani në DIELLI, Gazeta qe ka shkruar për 104 vjetë historinë e shqiptarëve të Amerikës.K

Ne mund të na ndiqni në internet duke marrë lajme të përditshme, histori apo analiza e komente për jetën në SHBA apo në trojet amtare. Websiti i Diellit www.gazetadielli.com

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, mesdazh i editorit

AMERIKA PO ANALIZON GJENDJEN NE SIRI

August 23, 2013 by dgreca

Presidenti Barack Obama thotë se mundësia që Siria ka përdorur armë kimike kundër popullit të vet ka përshpejtuar procesin e kristalizimit të një përgjigjeje amerikane. Presidenti përballet me një numër të kufizuar opsionesh:
Në një intervistë të enjten për rrjetin CNN, presidenti u shpreh se nëse regjimi sirian ka përdorur armë kimike, kjo do të përbënte një incident tepër shqetësues:
“Ne ende po mbledhim informata për këtë incident specifik, që është tepër shqetësues”.
Zoti Obama tha se situata kërkon vëmendjen e Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar. Por ai shtoi se Amerika duhet ta mendojë thellësisht këtë përgjigje, duke paralajmëruar se ngutja drejt vendimeve të shpejtuara nuk jep përfundime pozitive:
“Duhet ta analizojmë situatën në mënyrë strategjike për të marrë vendime që u shërbejnë interesave tona afat-gjata”.
Zoti Obama tha se do të kërkonte mbështetje ndërkombëtare para se të merreshin masa të rëndësishme. Presidenti është bërë objekt kritikash se nuk është treguar më i vendosur pasi ishte shprehur më parë se përdorimi i armëve kimike do të përbënte kapërcimin e një caku të patolerueshëm. Zoti Obama u zotua kohët e fundit të ndihmojë opozitën siriane, por deri tani nuk janë dërguar ende ndihma.
Leila Hilal, drejtoreshë e Grupit të Punës për Lindjen e Mesme pranë Fondacionit Amerika e Re thotë se mbështetja e opozitës mund të jetë e efektshme në luftën kundër qeverisë. Por ajo shton se ndihmat nuk arrijnë të ndalin përdorimin e armëve kimike.
Zonja Hilal thotë se një tjetër opsion ushtarak do të ishte ndërmarrja e sulmeve me raketa nga jashtë Sirisë. Ajo thotë se edhe ky opsion shoqërohet me rreziqe.
“Sulmet mund të godasin depozita të armëve kimike, fabrika dhe magazine të këtyre materialeve, pyetja është nëse këto masa do të shkaktonin dëme të tjera për sa u përket viktimave civile”.
Zonja Hilal thotë se ndër opsionet më të mira të mundshme është ringjallja e mundësisë për një zgjidhje politike. Ajo beson se përkrahësit e regjimit sirian, si për shembull Irani, mund të ndikojnë pozitivisht për të bindur qeverinë të ulet në negociata.
“Regjimi i Asadit duket se e konsideron në avantazh të tij vazhdimin e konfliktit dhe për momentin nuk do t’ia dijë për avantazhet e procesit politik. Por kjo nuk nënkupton se njerëzit që e përkrahin Asadin nuk e mbështesin idenë e procesit politik”.
Rusia, e cila mbështet qeverinë e Asadit, bashkoi zërin me anëtarët e tjerë në Kombet e Bashkuara, duke bërë thirrje për qasje të pakufizuar për ekipin e OKB-së që ndodhet aktualisht në Siri.
Qeveria siriane ka hedhur poshtë akuzat se ka përdorur armë kimike.(Kortezi: Kent Klein, VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Amerika dhe Siria, lendet Kimike, Presidenti Obama

PO ME SHTATOREN E NËNË TEREZËS Ç’PATËN?

August 23, 2013 by dgreca

Kryesia e PSHDK-së  i ka dhënë mbështetje të plotë deklaratës së Bashkësisë së Degëve të PSHDK-së në Klinë, lidhur me tendencën e rrezikshme për zhvendosjen e shtatores së Nënë Terezës në Klinë. Ajo shfaq  shqetësimin e thellë me tendencat e kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, që pa ndonjë motiv të qartë të zhvendosë shtatoren e Nënë Terezës nga vendi ku është, në një vend që nuk dihet as në pronësi të kujt është.

Përmes një kumtese për opinion PSHDK-ja deklaron shqetësimin me frymën anti Tereze të disa segmenteve të kësaj qeverie, që filluan me Ministrin e Kulturës, Memli Krasniqi, i cili që në ditën e parë në postin e ministrit  e hoqi figurën e Nënë Terezës nga Ministria e Kulturës. Po ashtu, gjatë këtyre viteve janë dëgjuar shumë zëra ogurzi, që hedhin baltë mbi figurën më të madhe të shqiptarëve dhe të botës, mbi Nënë Terezën, ndërkaq na shqetëson tej mase fakti se institucionet tona, Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi heshtin përballë këtyre përbaltjeve, që ndonjëherë vijnë edhe nga segmente brenda qeveritare.

Kosova nuk duhet të harrojë që ishte pikërisht Shoqata “Nënë Tereza” e cila gjatë viteve të rënda të okupimit u bë burim i ekzistencës për shqiptarët. Kjo shoqatë, nën emrin e nobelistes shqiptare, nuk e la asnjë shqiptar të përkulet para regjimit të Millosheviqit, vazhdon komunikata.

Loja me shtatoren e Nënë Terezës në Klinë, pikërisht në kohën para fushatës zgjedhore, është një gjunjëzim i institucioneve tona para rrymave dhe elementeve radikale në vend, që nuk e duan Nënë Terezën në atë vend dhe që kultivojnë një frymë anti Tereze brenda kombit shqiptar. Pikërisht për këtë, PSHDK-ja kundërshton ashpër zhvendosjen e shtatores së Nënë Terezës në këtë kohë fushate dhe pa asnjë sqarim të pranueshëm për qytetarët e Klinës.

Zhvendosja e shtatores së Nënë Terezës nga ai vend nuk bëhet me asnjë motiv tjetër, përpos për të plotësuar aspiratat e ndonjë grupi ekstremist që s’e do atë në atë vend.

Kryesia e PSHDK rikujton se Nënë Tereza gjatë jetës dhe veprimtarisë së saj ishte dhe mbetet shembull i mirësisë dhe bashkimit në gjithë botën. Ajo ka bashkuar popuj, kultura e fe dhe ka shuar dallime të shumta, nën flamurin e mirësisë dhe bashkimit. Ajo duhet të jetë edhe simboli i bashkimit dhe unitetit të shqiptarëve dhe jo i dallimeve, thuhet në kumtesë.

PSHDK-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve qendrore dhe lokale, që të kenë kujdes me këto segmente të cilat po kultivojnë një frymë kundër Nënë Terezës në vend. Këto segmente, kështu siç po veprojnë, po i bëjnë një shërbim të keq vendit tonë dhe të ardhmes së tij, përfundon kumtesa(Deklarate e PSHDK)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: c'paten, e Nene Terezes, Po me shtatoren

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5244
  • 5245
  • 5246
  • 5247
  • 5248
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT