• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prona e shqiptareve mes Berishes dhe Rames

July 23, 2013 by dgreca

Shkruan Loro STAJKA/ SHBA/

Në vijim të diskutimit për  problemin e pronës që e trajtuan të gjithë kryetarët e partive gjatë periudhes së fushatës elektorale para zgjedhjeve të 23 Qershorit, tani mebtet detyrë kruesisht e z. Edi Rama. Por dëshiroj të shtoj se z. Sali Berisha duhet të pranojë gabimet e tij dhe të ndihmojë për korigjimin e tyre ndërsa Edi Rama të kryej detyrat për të bërë realitet funksionimin e shtetit ligjor dhe zbatimit besnik të detyrimeve kushtetuese. Prona do të ishte zgjidhur shumë mirë, që në vitin 1991-92 nga z. Sali Berisha dhe z. Fatos Nano, nese ata do të kishin ndershmërinë, patriotizmin, integritetin moral dhe formimin e duhur për të zbatuar parimet bazë të demokracisë. Sot pas 23 vjetësh kuptohet qartë ata i dhanë Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste karakterin e klanit dhe të grupimit që për 23 vjet luftoi dhe zbatoi  me fanatizëm parimet e Katovicës dhe këshillat e Ramiz Alisë. Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani që është njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe garantuesi për zbatimin e Kushtetutës, nuk duhet të ndihet i qetë në karriken e presidentit përderisa kushtetuta shkelet dhe prona e trashëguar që përbën themelin e lirive dhe të drejtave të njeriut vazhdon të dhunohet për të mbushur xhepat e politikanëve. Eshtë shumë e qartë se derisa nuk ka pefunduar kthimi fizik, procedurat e kompensimit dhe legalizimit janë vjedhje e pronës. Jam i mendimit se jo vetëm gazeta Telegraf, që po e kryen shumë mirë detyrën e një shtypi të lirë dhe të pavaruar, por të gjitha gazetat e tjera dhe stacionet televizive duhet të mos heshtin derisa prona të kthehet tek i zoti dhe të zhduken pasojat e Ramiz Alisë.  Nëse kjo është berishizmi i të djathtës që reflektoi edhe në të majtën, kjo është politika antishqiptare të cilës duhet ti japi fund Kryeministri i ri z. Edi Rama, përndryshe edhe ai do jetë vazhdimësi e politikës  antikombëtare. Do të ishte me interes për demokracinë një përgjigje në media e zotit Berisha për çka ka gabuar dhe e zotit Edi Rama se si e mendon shkëputjen nga gabimet e gjetura.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Berisha, Loro Stajka, prona, Rama

LULZIM BASHA , KRYETAR I PD ME ME SHUME SE 80 PERQIND TE VOTAVE

July 23, 2013 by dgreca

Sokol Olldashi:Procesi i deformuar- Berisha:Basha, histori e vertete suksesi-Topalli:Basha te na coje ne fitore!/

Lulzim Basha zgjidhet kryetari i ri i Partisë Demokratike. Pas numërimit të të gjitha kutive të votimit rezultoi se Basha ka fituar 80.38 përqind të votave të anëtarësisë së PD-së ndërsa vetëm 19.61 % të votave kanë shkuar në favor të kandidatit tjetër Sokol Olldashi.Vetëm pak momente pas mbylljes së numërimit, nga i cili rezultoi me një fitore të thellë përballë rivalit të tij në garën për kreun e PD-së Sokol Olldashi, Basha ka zhvilluar një takim me kryeministrin Sali Berisha.Në fjalën e tij të parë si kreu i PD-së, Basha falenderoi të gjithë mbështetesit për besimin e madh që i kanë dhënë, duke e zgjedhur në krye të Partisë Demokratike si dhe rivalin e tij në garë Sokol Olldashi.

“Falenderoj anetarët, strukturat dhe drejtuesit për vlerat e larta qyetare me të cilët u angazhuan në këtë proces. Ne këtë garë të parën të vërtetë, ne demokratet ju dëshmuam qytetarëve se jemi përfaqesuesit më të denjë të lirisë, demokracisë e dinjitetit. Falenderoj Sokol Olldashin, në këtë garë, gjë që tregoi vlerat e patjetërsueshme dhe unike të PD. Ishin dy kandidatë që shpalosëm vizionet para gjithë demokratëve. Ne nuk harrojmë, që jemi të gjithë demokratë, anëtarë të një familjeje, më të vendosur dhe më të bashkuar se kurrë” tha Basha.

Ai ka theksuar se në projektin e fillimit të ri PD do mbështet te palca e saj, anëtarët e militantët e përkushtuar në vite duke dëgjuar dhe respektuar zërin e çdo anëtari dhe do lartësojë gjithëpërfshirjen.

“Në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri do të jap gjithçka me vendosmëri absolute dhe përgjegjësinë më të lartë ndaj jush, anëtarëve dhe militantëve të PD. Do mbështetem te vizioni i themeluesve, Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, te energjia e pamatë e militantëve dhe anëtarëve, te përvoja e drejtuesve sot e ndër vite, te pasuria e vlerave të lidershipit historik, Sali Berishës. Do punoj që PD e lindur nga ëndrrat e të rinjve të jetë forca e ëndrrave të tyre, gjeneratës së lirisë, bashkë me ta kemi fituar bashkë me ta do i japim krahë fitoreve të ardhshme” tha Basha.

Ai ka theksuar se PD-ja do të ndërtojë një opozitë të fortë, ballore dhe alternative ku shqiptarët do mund të gjejnë përkrahje.

“Detyrat që na presin nuk janë të lehta, sfidat janë të mëdha. Gjatë rrugës tonë kemi treguar se sa herë kemi qenë të bashkuar, të vendosur, jemi përballuar me sukses dhe kemi fituar. Ne do të ndërtojmë një opozitë të fortë, ballore dhe alternative. Për çdo problem, në çdo sektor shqiptarët do shohin zgjidhjen tonë. Do jemi çdo ditë kudo, me të përndjekurit, pronarët, botën akademike, gratë shqiptare, rininë, të moshuarit, pakicat, në krah të çdo qytetari që ndihet i përndjekur nga pushteti i votave të vjedhura. Ne jemi partia e taksave të ulëta dhe konkurrencës së ndershme.Ta nisim rrugëtimin tonë së bashku, me ballin lart për vlerat tona, për të shkuarën, misionin tonë dhe t’u japim shqiptarëve jo vetëm një opozitë të fortë. Ta kthejmë PD në udhëheqje të projektit tonë. Zoti na ndihmoftë! Bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!” shtoi Basha.
I pari që ka uruar Bashën ka qenë Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë Genc Pollo, ndërkohë nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” , Berisha ka uruar pasardhësin e tij për fitoren plebishitare ndaj kandidatit tjetër, Sokol Olldashi.
Rreth 41 mijë anëtarë të PD-së morën pjesë në votimin e një dite më parë për zgjedhjen e lidershipit të ri. Në garë për postin e kreut të PD-së, morën pjesë dy kandidatët Lulzim Basha dhe ministri aktual i Transporteve, Sokol Olldashi, të cilët për rreth 19 ditë zhvilluan takime në të gjithë Shqipërinë për prezantimin e platformës së tyre, pasi lideri historik i saj, Sali Berisha, dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

REZULTATI
 

Lulzim Basha 32371 vota, Sokol Olldashi 7896 vota
Në përqindje – Basha 80.39%, Sokol Olldashi 19.61%

BASHA: OPOZITË BALLORE NË CDO FUSHË, FALËNDEROJ OLLDASHIN PËR GARËN

 
           Kreu i ri i PD-së, Lulzim Basha në fjalën e tij të parë pas zgjedhjes falënderoi rivalin e tij për këtë post, Sokol Olldashin si dhe cdo demokrat që i dha besimin për drejtimin e Partisë Demokratike.
“Ju falenderoj nga zemra për besimin që më dhatë për të marrë drejtimin e PD, partinë e vlerave dhe idealeve më të larta, forcës së shembjes se komunizmit dhe të implementimit të lirisë. Jam i vëtëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që ka drejtimi i partisë së themeluar në vitet 1990 dhe të udhëhequr nga Sali Berisha, dhe ka pasur në krye elitën e mendjes dhe shpirtin e kurajos për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Në këtë garë të parën e parimit ‘1 anëtarë 1 votë’, iu vërtetuam qytetarëve se jemi përfaqësuesit më të denjë të dinjitetit njerëzor. Falenderoj Olldashin për kontributin e tij, që dëshmoi vlerat unike të PD. Në këtë garë ishin dy kandidatë para mijëra anëtarëve, por në fillim gjatë dhe fund të kësaj gare nuk harrojmë se jemi të gjithë demokratë krenarë për trashëgiminë politike më të vendosur dhe bashkuar se kurrë”, u shpreh Basha në konferencën për shtyp në selinë blu.
Basha ritheksoi se në mandatin e tij në krye të PD do të mbështetet tek përvoja e themeluesve të partisë dhe e cdo militanti partie. Si drejtues i PD, Basha paralajmëroi një opozitë të fortë dhe ballorë.
“Do ndërtojmë opozitë krijuese të fortë ballore dhe alternative, do kemi përballje për cdo situatë. Shqiptarët do shohim projektet dhe zgjedhjet tona për to”, tha Basha.

  KUSH ESHTE LULZIM BASHA?
Lindur në Tiranë më 12 qershor 1974, Lulzim Basha mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën 8-vjeçare “Skënder Çaçi”, si dhe shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë.
Lulzim Basha u angazhua që në dhjetorin e 1990 bashkë me të rinj të tjerë gjimnazistë të Tiranës përkrah studentëve dhe Partisë Demokratike të sapothemeluar. Pjesëmarrës aktiv në protestat para dhe pas zgjedhjeve të Marsit 1991, gjatë zgjedhjeve të 1992 ai ishte vëzhgues i Partisë Demokratike në KQZ.
Në vitin 1993, Basha nisi studimet në Universitetin e Utrechtit në Hollandë, ku u diplomua në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare Publike.
Në vitin 1999, Lulzim Basha u bë pjesë e skuadrës që përgatiti akt-akuzën për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi. Ai më pas shërbeu në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ku ndihmoi në krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë.
Në korrik 2005, Lulzim Basha u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë si një nga përfaqësuesit e qytetit të Tiranës. Fitores së një prej zonave të vështira elektorale për Partinë Demokratike në Tiranë i parapriu angazhimi i Bashës si Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave, Zëdhënës i Fushatës 2005 dhe pjesmarrja e tij në dhjetëra debate televizive përballë përfaqësuesve të mazhorancës socialiste.
Në qeverinë e re të Kryeministrit Berisha, Bashës iu besua fillimisht detyra e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në këtë detyrë ai nisi punimet për ndërtimin e Rrugës së Kombit, autostradës Durrës-Kukës-Morinë, vepra më e madhe infrastrukturore e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri e cila bashkoi Shqipërinë me Kosovën.
Në maj 2007, Basha u zgjodh Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në një kohë kur për herë të parë Shqipërinë e vizitoi një President në detyrë i SHBA-së, Xhorxh W. Bush. Gjatë drejtimit të diplomacisë nga Lulzim Basha, Shqipëria mori ftesën dhe një vit më pas u antarësua në NATO, hapi negociatat për liberalizimin e vizave me zonën Shengen, iu pranua aplikimi zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kosova u shpall e pavarur.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Lulzim Basha kryesoi fushatën elektorale në Qarkun e Elbasanit ku Partia Demokratike shënoi një rezultat historik duke marrë 7 nga 14 mandate në krahasim me 2 mandate në vitin 2005.
Në qeverinë e re Bashës iu besua portofoli i Ministrit të Brendshëm. Nën drejtimin e tij u përmbushën të gjitha kriteret teknike për liberalizimin e vizave në zonën Schengen, si dhe u arritën standarte të reja në luftën kundër krimit, aseteve kriminale dhe bashkëpunimit në fushën e rendit dhe sigurisë. Këto hapa bënë të mundur vendimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë në dhjetor 2010. Në vitin 2011, Lulzim Basha kandidoi kundër kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Fushata e Tiranës u konsiderua fushata më e mirë që Partia Demokratike kishte zhvilluar ndonjëherë. Fitorja e Bashës riktheu Partinë Demokratike në pushtet në Bashkinë e Tiranës pas 11 vitesh.
Gjatë më pak se dy viteve në drejtim të Bashkisë Tiranë, kryebashkiaku Basha ka udhëhequr një proces transformimi të kryeqytetit shqiptar. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, permirësimi i cilësisë së jetës për qytetarët e Tiranës dhe zbatimi i një numri projektesh strategjike për ta shndërruar Tiranën në një qytet modern dhe Europian janë shtyllat kryesore të këtij transformimi të përditshëm dhe të prekshëm për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë vizitorët e kryeqytetit shqiptar.
Në qershor 2012 Basha u zgjodh Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

 

OLLDASHI: PROCESI I ZGJEDHJES SË KRYETARIT I DEFORMUAR, POR NUK LARGOHEM NGA PARTIA

Sokol Olldashi, kandidati i cili humbi përballë Lulzim Bashës për postin e kreut të PD-së pas shpalljes së rezultati shprehu pakënaqësinë ndaj procesit teksa e cilësoi të deformuar. Në një konferencë për shtyp, Olldashi tha theksoi se para garës atij ishte premtuar se nuk do kishte ndikime nga jashtë, por në realitet pati.
“Përzgjedhja e kreut te ri te PD u bë përmes një procesi të deformuar. Nuk u qartësua transparenca e listave dhe nuk u vunë ne dispozicionin ti. Ditën e votimit mijëra demokratë nuk gjeten emrin në lista. Procesi që mu premtua se do ishte jashtë ndikimeve, nuk ishte i tillë. Frika u krye me fletët e votimit qe ishte e identifikueshme”, u shpreh Olldashi.
Olldashi denoncoi përfshirjen në mënryë të njëanshme të krerëve lokalë, teksa shtoi se ai gjatë fushatës së tij kishte identifikuar faktin se PD duhet të korrigjonte gabimet duke uruar që të jetë në gjendje ta bëjë të ardhmen.
“Kjo ishte një energji e tepërt brenda nesh që duhej harxhuar në 23 qershor. Unë gjatë fushatës time kam evidentuar faktin se PD duhej të ngrihej mbi gabimet, shpresoj se do jetën inteligjencën ta bëjë”, tha Olldashi.
Olldashi u shpreh i bindur se pavarësisht hatër mbetjeve dhe prishjes së rregullave brenda familjes së PD-së do të qëndrojë krah militantëve në misionin opozitar.
Ftoj demokratët që PD është ndërtuar si shtëpi e madhe dhe mund të prishen dhe rregullat, por ne mbetemi anëtarë të PD. Mbetem i vendosur të përfaqësoj militantët e PD në misionin e tij opozitar”, tha Olldashi i cili tha se nuk pendohet se ka kandiduar për kreun e PD.

TOPALLI: UROJ QË BASHA TË NA COJË DREJT FITORES

 

Jozefina Topalli ka uruar zgjedhjen e Luzim Bashës në krye të PD-së. “Në një moment të vështirë të Partisë Demokratike, demokratët u ngritën për t’i dalë zot partisë së tyre! Me pjesëmarrjen e tyre në çdo takim, gjatë dy javëve të fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, me qytetarinë dhe emancipimin e tyre, demokratët dëshmuan shpirtin e idealeve, mbi të cilat u lind dhe punoi kjo parti. Të vetëdijshëm për nevojën e ringritjes, të vendosur për t’i dalë zot asaj, në ditë të vështira, të bindur se Partia Demokratike kishte nevojë më shumë se kurrë për anëtarësinë e saj, demokratët e bënë garën një proçes emancipues, të veçantë, të civilizuar dhe demokratik. Sot, Partia Demokratike ka një kryetar të ri dhe uroj që ai t’i çojë sa më shpejt demokratët drejt fitores! Mirënjohje të thellë anëtarëve dhe antareve të Partisë Demokratike për shpirtin e tyre të paepur, zemrën e tyre të madhe, besimin dhe vullnetin e fortë për t’u ringritur!”, shkruan Topalli në “Facebook”.

BERISHA: BASHA, HISTORI E VËRTETË SUKSESI, FILLIM I RI I FUQISHËM PËR PD

 

Kreu i PD-së në detyrë njëherësh lideri historik i së djathtës Sali Berisha nga selia blu në një konferencë për shtyp, ka uruar pasardhësin e tij teksa e ka vlerësuar arritjen e tij si histori suksesi të një të riu në liri.
“Kryetari i ri u zgjodh në një votë plebishitare të anëtarësisë së PD-së në votimin e djeshëm një anëtar një votë. Z.Lulzim Basha përfaqëson suksesin e të riut shqiptar, i cili në një moshë shumë të re, gjimnazist do të meritonte të përfaqësonte në KQZ partinë e tij, PD-në, në zgjedhjet e para pluraliste të vendit. Më pas si qindra të rinj shqiptar që dolën në liri, studioi në një nga universitetet më të njohura të Europës”, deklaroi Berisha
Duke i bërë edhe një rezume jetës politike gjatë këtyre viteve, Berisha tha se Lulzim Basha është historia e vërtetë e suksesit të vërtetë të shkëlqyer të PD-së. Berisha theksoi ndër të tjera fitoren e Bashës ne krye të Bashkise se Tiranes, ndaj rivalit Edi Ram.
Ai përmbushi me një vendosmëri, aftësi dhe përkushtim të madh çdo mision që iu ngarkua. Së pari, Rrugën e Kombit, u emërua Ministër për atë mision dhe e realizoi në mënyrë të shkëlqyer. U emërua në krye të diplomacisë shqiptare kur vendi po bënte çdo përpjekje për anëtarësim në NATO, fitoli simpatinë, respekti dhe dashurinë e kolegëve të tij dhe u shndërrua në një promotor të vërtetë të këtij procesi. U emërua në krye të Ministrisë së Brendshme për të përmbushur një premtim elektoral konkret të heqjes së vizave me BE-në. Është ministri dhe personaliteti që së bashku me shumë të rinjtë shqiptarë mbërritën në Bruksel si maratonomak i heqjes së vizave për shqiptarët.U caktua nga PD për të garuar për Bashkinë e Tiranës, mundi Kryetarin e PS-së dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe drejton sot Bashkinë e Tiranës”, theksoi ai.
Më tej, ne fjalën e tij, Berisha vlerësoi edhe procesin e votimit për kreun e ri të PD-së, duke shtuar se ai ishte një provë që demokratët e kaluan në mënyrë të shkëlqyer.
“Partia Demokratike është parti e vlerave, parimeve, më të shkëlqyera, më të larta dhe ajo jo se ka pasur shkop magjik, por se ka pasur një program me vlera dhe parime. PD-ja ka arritur të shënojë në biografinë e saj suksese dhe arritje të mëdha. PD-ja ka mbetur në Europën ish-komuniste forca e themeluar në vitet 90 më e fuqishme. PD-ja faktoi dje para shqiptarëve se është një forcë e vlerave. Dje votuan mbi 41 mijë anëtarë duke befasuar, duke dëshmuar që pavarësisht nga rezultati i 23 qershorit demokratët mbeten të pathyeshëm. Ndaj dhe unë do të shpreh edhe mirënjohjen time më të thellë ndaj tyre”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu Berisha, vlerësoi edhe ministrin aktual të Transporteve, Sokol Oldashin për rolin e tij në këtë garë.
“Roli i Olldashit është shumë i madh.Olldashi është deputet i PD-së dhe çdo deputet i PD-së, ka një rol shumë të madh në parlamentin shqiptar.Beteja e fillimit të ri, kërkon një mbështetje të fuqishme, një opozitë më të fuqishm në parlamentin shqiptarë”, përfundoi Berisha.

Filed Under: Kronike Tagged With: kryetar i ri i PD, Lulzim Basha

Bashkim Muhedini: Porta e futbollit u bë dera e jetës sime, ajo ishte dhe drama ime plot ankth…

July 22, 2013 by dgreca

Ne Foto: FK PARTIZANI-Suvorov Seferi, Bujar Cani, Lin Shllaku, Loro Borici, Bashkim Muhedini, Safet Berisha (i 12-ti ) poshte majtas Astrit Ziu; Vladimir Balluku, Gjergj Thaka, Agim Janku, Sabah Bizi, PANAJOT PANO. Foto nga Gezim Mimi Imeri./

 Nga Dalip Greca/

Bashkim Muhedini  jeton në Nju Jork. Ne fundjave takohemi shpesh tek Portofino-Café. Si shumë shqiptarë të tjerë, fati dhe hallet e hodhën përkëtej Atlantikut edhe Bashkim Muhedinin,  njëri prej portierëve të shquar të Partizanit dhe të Kombëtares, njëri prej trainerëve që në 10-vjeçarin e fundit tw karrierws tregoi vlera në drejtimin e ekipit të futbollit të Përmetit dhe të ekipeve zinxhirë të moshave të vogla të ”Partizanit”. Emri i portierit të talentuar është përjetësuar në kronikat e shtypit të kohës dhe në statistikat e librave të futbollit. Si shkoi Bashkimi tek porta e ekipit të shquar “Partizani”? Ku u end fëmijëria e tij, kur dhe si nisi karriera sportive, si kaloi nga pasioni për lojërat me dorë tek futbolli, si hyri rastësisht  portier në spartakiadën e Durrësit? Cilët janë portierët e shquar që admiroi ai? Përse e larguan nga porta në moshën 29 vjeçare dhe e degdisën në Zall-Bastar ish portierin e kombëtares? Si u takua me portierin e shquar rus Lev Jashin? Si u ndëshkua Overati për një “mëkat” që bëri ndaj Muhedinit në ndeshjen në Karlsruhe?

Këto e të tjera pyetje do të marrin përgjigje përmes bisedës që zhvilluam me Muhedinin këto ditë në Bronx-Nju Jork, në lokalin ”Joni Blu”.

-Ju kujtohen fillimet e para, kur dhe si zutë vend në portë?

-Po më ktheni në vitet më të bukura të jetës sime me këtë pyetje. Banoja tek “Shallvaret”. Banesa ime rrethohej nga terrene të shumta sportive. Pranë kisha terrenet sportive të  shkollës “20 Vjetori”, më tej parku i njohur i tenisit, në verilindje shtrihej Parku ”Rinia”, në vazhdim vinte Pallati i Pionierëve; në Jug-Lindje ndodheshin terrenet e shkollës “11 Janari”. I përmenda të gjitha këto sepse nëpër ato terrene u end fëmijëria ime. Aty u grimëzua bota ime sportive, aty u trupëzua formimi im sportiv. Isha një fëmijë çamarrok kur shikoja ekipin e Tiranës në stërvitje në fushën e punës. Aty pashë dhe Panon e madh  për herë të parë  dhe më dukej çudi se si mund të isha aq afër tij. Kënaqesha kur kapja topat pas portës dhe i ktheja në fushë ku luanin të mëdhenjtë e futbollit. Lëre pastaj se ç’ndodhte kur më afronin të zija vend në portë kur mungonte ndokush, bëhesha me krahë, i gatshëm të fluturoja…

Më pas Bashkimi tregon se është ushtruar edhe në lojërat me dorë. Në Pallatin e Pionierëve, Petrit Qendro e kishte zgjedhur në ekipin e basketbollit. Ai  nuk e quan kohë të humbur marrjen me basketboll. Basketbolli më fali shtatgjatësinë dhe shkathtësinë e përdorimit të duarëve në kapjen e topave, thotë Bashkimi. Por nuk ishte vetëm basketbolli dashuria e parë sportive e Bashkim Muhedinit. Ai tregon se i ka pëlqyer dhe e ka ushtruar për një kohë edhe volejbollin. Loja e volejebollit i pëlqente dhe iu kthye në një dëshirë që jetoi gjatë me të për arsyen e thjeshtë se traineri i mrekullueshëm Vangjel Koja, atëherë mësues i Bashkimit tek shkolla”11 Janari”, kishte aftësinë që të bënte për vete.

”Ai punonte me djemtë njësoj siç punon një skulptor me daltën e tij për të gdhendur figurën artistike”, tregon me admirim Bashkimi.

-Atje i kam fillimet e para sportive, tek shkolla”11 Janari”. Atje  kanë mbetur gjurmët e fillimeve të para sportive; në oborrin e saj, në fushat sportive të pluhurosura nga qymyri kanë mbetur gëzimet e fitoreve , klithjet, rendjet me top, – thotë Bashkimi tek kthehet në kohën e largët të fëmijërisë. Pastaj shton: aty  ndesheshim edhe me ekipet e shkollës ”Emin Duraku”, e cila kishte në gjirin e saj emra  që do të bëheshin të njohur në sportin shqiptar, si: A.Jankun, F.Sejdinin, M.Çobanin, B.Beliun e të tjerë.

Po si shkoi Bashkim Muhedini tek porta e “Partizani-t”? Pyetjes sime ai i përgjigjet në mënyrë poetike:- Ishte viti 1961. Kujtimet vijnë e bien si gjethet, por çuditërisht nuk zverdhen nga koha, edhe pse kanë kaluar dimra të egër mbi Shqipërinë tonë. Shkonim në Spartakiadën Kombëtare në Durrës. Ekipi ynë nuk kishte portier. Traineri, Hyqmet Meçe më  propozon të futem në portë. U futa për të qëndruar gjatë.Porta u bë dera e jetës sime për shumë kohë. Ajo ishte dhe drama ime plot ankth. Porta u bë gjithçka për mua. Luajta mirë atë ditë, duke e ruajtur si një gardian i rreptë portën që më besuan. Arrita të pres dhe penalltinë. Ah ajo pritje… E prita nga njëra anë, por u zgjat nga ana tjetër…Nejse ende isha mes pasionesh e dëshirash të shpërndara.Ende i doja shumë basketbollin dhe volejbollin.

Por ç’ndodhi më tej me portierin e Partizanit dhe Kombëtares shqiptare?

Befas u gjend në shkollën ushtarake”Skënderbej” i veshur me uniformë. Në terrenet e asaj shkolle u njoh me trainerin Bejkush Birçe, i cili pasi pa cilësitë e tij intuitive, pasi pa reflekset, punoi që ta përgatiste për portën. Gjuante vetë Birçja dhe Bashkimi priste. Më 1965 në një kampionat brenda shkollës bëri figurë të mirë. Prej aty rrëshqet tek ekipi i  të rinjve të Partizanit. Por edhe aty aventura nuk do të zgjaste shumë. Emri i portierit të talentuar kishte rënë në sy të ekipeve të kryeqytetit. E priste ekipi i të rriturve të atij ekipi që atëhere lulëzonte me emra të mëdhenj,”Partizani”. Bashkimi kujton se e ndjente veten të emocionuar përballë emrave të  bujshëm të ekipit. Ai është krenar që ka luajtur përkrah emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar si: Lin Shllaku, Robert Jashari, Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Mihal Gjika e të tjerë.

Kur i kërkoj t’më përmend më shumë emra të kohës së tij ai ndjell kujtimet…”Kohë e nxehtë në kujtimet e mia. E artë ajo kohë…E tejdukshme. Shumë emra në kujtesë… Pranë meje M. Janku, T.Jozja, F.Lela, F.Ismaili, J. Kaçi, A.Hoxha. Më pas, si përtej horizontit do të ravijëzohen portretet e A.Lekbellos, të bujshmit P.Musta, Tani Konomi,i cili pati udhë të shkurtër nga që ia mbyllën shtigjet me ato grackat e politikës”.

E pyes Muhedinin nëse ka patur ndonjë model portieri që e ka adhuruar dhe nëse ka imituar ndonjë prej tyre.

Ai veçon Lev Jashinin. E kam adhuruar atë, thotë ai. Fati e dha që Bashkimi të takohej me të dikur në Bullgari. Ekipi i “Partizanit” do të luante në Sofje me ekipin e njohur “CSKA”. Atë kohë Jashini i famshëm ishte traineri i ekipit “Dinamo” të Kievit, i cili po kthehej nga Greqia, ku kishte zhvilluar ndeshje.

– Nuk e di se si e ndjeva veten,-  kujton Bashkimi.- E kisha ndjekur gjithmonë nga larg, ndërsa ato çaste isha përballë  portierit të madh që kishte bërë botën sportive të drithërohej.

Në shenjë kujtimi, Jashini i dhuroi një palë doreza, që Bashkimi i ruajti gjatë si kujtim. Ndërsa pjesës tjetër të pyetjes, nëse ka patur ndonjë model imitimi në portë, Bashkimi i përgjigjet prerë:Në portë nuk mund të imitosh, por duhet t’i besosh vetëm vetes, intuitës dhe reflekseve të tua, ndryshe ndëshkohesh.

Nga portierët shqiptarë ai veçon Sulejman Maliqatin, i cili në lojërat e Laipcigut u cilësua nga tifozët gjermanë si ”Macja e zezë”.

Për Bashkimin, “Macja e zezë” , mbetet një model i pakrahasueshëm i futbollit shqiptar, një figurë brilante, e paarritshme. Ndër më të mirët e portës ai radhit edhe të madhin Qemal Vogli. Edhe ai i pakrahasueshëm si nga fama, ashtu edhe nga fati. I dënuar, i persekutuar prej shumë kohësh, gati i harruar pas famës. Ndër portierët e shquar Bashkimi përmend edhe Paulin Ndojën, i talentuari i “Vllaznisë” që e përndoqi gjatë të gjithë kohës gogoli i biografisë. Dhe ai portier i talentuar iu desh ta ndrydhte dhuntinë refleksive brenda shpirtit të dërmuar. Biografia politike ia përzhiste gishtrinjtë në momentin e kapjes së topit dhe ia përcëllonte të ardhmen që shpalosej e kufizuar përtej përmasave të topit të futbollit. Tani Paulini punon si trainer i portierëve të Vllaznisë, por ç’e do, rinia u vra e shpirti i mbeti plot plagë, që ende i rrjedhin.

Po cila është ndeshja që ka mbetur në kujtesën e Muhedinit?

E ka të vështirë të rikthehet e të ndalet vetëm tek njëra prej tyre. Secili takim ka mbresat dhe emocionet e veta. Pastaj veçon një takim të ekipit  të “Partizanit” me atë të “17 Nëntorit”. Ky ishte takimi që do të zyrtarizonte mbetjen e Muhedinit tek ekipi i “Partizanit”. Gjatë të gjithë kohës, kujton ai, kishte pranë dhe Mikel Jankun, i cili me përvojën e vet, me bujarinë e tij, i ofroi mbështetje të pakufishme. Më pas kujton një takim tjetër, atë  me “Apolloninë” e Fierit . Takimi zhvillohej për Kupën e “Republikës” në vitin 1968. Ishin takimet e para të atij aktiviteti dhe “Partizani” nuk e vlerësoi seriozisht ”Apolloninë”. Ekipi luante si i mpirë.

– E parandjeva humbjen në pjesën e parë, – rikujton Muhedini. – Pësuam jo pak, por 4 gola duke mos shënuar asnjë. Prisja që traineri Refik Resmja t’më ndërronte.Vërtetë nuk luajta keq, por ç’rëndësi kishte, pësova 4 gola. Rezultati më gjykonte mua të parin. Refiku i thotë Spiro Gjikës, qendërmbrojtësi i atëhershëm, që të qëndronte më afër portës:

– Ndihmoje Bashkimin, është djalë i ri,-i tha ai.

Pjesa e dytë foli për “Partizanin”. Panajot Pano dhe A. Janku e barazuan rezultatin 4:4. Pas ndeshjes e ndjeva veten të lehtë pendë. Besimi i trainerit nuk kishte shkuar kot.

Në  radhën e ndeshjeve që flenë në kujtesë për shumë kohë  Bashkimi fut  takimin me gjermanët. Në vitin 1971 Kombëtarja Shqiptare do të luante me ekipin gjerman në Karlsruher, qytet i vogël në kufi me Francën. Ekipi i atëhershëm që drejtonte traineri madh Shen, të trembte me emrat e mëdhenj: Bekenbauer, Majer, Overat, Netxer, Vogst, Grabovski, Myler…Në Tiranë Kombëtarja jonë zhvilloi një takim historik. Ndeshja u humb me dinjitet 1:0.Ka qenë takimi më i komentuar në shtypin sportiv botëror.Një gol i anulluar për shqiptarët!…Shqiptarët kishin tronditur superfuqinë botërore të futbollit. Në Tiranë Bashkimi nuk luajti. Nuk e lejoi Loro Boriçi ngaqë ishte me temperaturë të lartë. Në vend të tij luajti Koço Dinella, i cili zhvilloi ndoshta takimin më të mirë të jetës së vet. Një ruajtës i madh i portës në atë ndeshje historike që ka hyrë në kronikat sportive të kohës.

Tek kujton takimin e Gjermanisë, Bashkimi thotë se ai qe një takim shumë më i vështirë se ai i Tiranës. Ngarkesa psikologjike ishte më  me tension. Gjermanët që u “shushatën”, e u “trullosën” në Tiranë do të përpiqeshin që të rikthenin nderin e humbur në Tiranë. Mbaj mend se  u stërvitëm shumë. Madje traineri tjetër i kombëtares, Ilia Shuke, zhvilloi seanca  të veçanta stërvitore me portierin Muhedini. Madje edhe para takimit në Karlsruhe u zhvillua një 45 minutësh special. Vlerësimi i takimit ishte maksimal. Gjermanët e kishin ngritur moralin sepse sapo kishin mundur thellë Rusinë me rezultat 4:0. Prisnin një fitore të thellë edhe me shqiptarët që i kishim ”turpëruar” në Tiranë. Takimi qe i ashpër. Secili ekip përpiqej të sfidonte tjetrin. Gjermania kërkonte gol që në minutat e para. Por edhe shqiptarët e kishin moralin e ndeshjes së parë.Për ta gjermanët ishin çmitizuar. Gati i gjithë ekipi gjerman mësynte drejt portës sonë dhe në hapësirën që harronte bosh gjendeshin sulmuesit e shpejtë shqiptarë, edhe pse në portë vigjëlonte Majeri i pamposhtur, i cili përcolli me vështirësi jashtë një gjuajtje të rreptë të Sejdinit. Ekipi ynë përpiqej të luante si i barabartë me superfuqinë botërore të futbollit. Por, fatalisht vjen goli i parë. M’u duk se faji qe krejtësisht imi. Më duket se goli u shënua në minutën e 17. Ishte Netzer që më ndëshkoi. Me dhimbje e ndoqën topin që u përplas në rrjetë Ziu,Ragami, Balluku…Mbaj mend që Overat u hodh nga gëzimi duke thirrur fort…U bëra nervoz. Më vinte inat me veten. Boriçi më thërriste:- Më i qetë djal, më i qetë! Më pas  erdhi dhe goli i dytë…Pra 2:0 pjesa e parë për të zotët e shtëpisë.

Kujton Bashkimi: – Në pushim, Loroja i madh më tha:- Muhedin, luaj si në pjesën e parë.Veç tregohu më i qetë…! Dhe ashtu ndodhi. Unë u qetësova. Nuk e lashë rrjetën të prekej më. Pjesa e dytë iku shpejt, pa gola. Nuk harroj emocionet që më krijuan tifozët gjermanë në momentin kur Overat më provokoi duke më nxjerrë takat në dyluftimin ajror…

Pas reagimit të Muhedinit tifozëria gjermane shpërtheu në fishkëllima e thirrje kundër Overatit të madh. Ndërhyri menjëherë traineri gjerman Shen, i cili e çoi në stol mbrojtësin e vet, një nga pikat e forta të ekipit..

Shtypi gjerman shkroi me simpati për portierin shqiptar pas ndeshjes. Që të mbrohej porta shqiptare në ndeshjen e sfidës duhej një portier me nerva të çelikta.

– Tek Partizani, – thotë Bashkimi, – e ndjeja veten të sigurtë pasi kisha në ndihmë një repart të kualifikuar mbrojtësish shtatlartë si: Safet Berisha, Bujar Cani, Astrit Ziu, Londo etj…

Si sulmuesin më të mirë të Shqipërisë ai veçon Panajot Panon.

-Cili nga sulmuesit kundërshtarë të ka bezdisur më shumë?-është pyetja që i drejtoj Muhedinit për të nxitur bisedën.

Ai qesh dhe përgjigjet; – Jo se më bezdisnin, por  sidoqoftë ishin të  aftë të tundnin edhe rrjetën që mbroja unë.

Dhe rëndit më të shquarit e sulmit kundërshtar: Zhega, Pernaska, Dibra, Xhambazi, Leshteni, S. Braho, M. Haxhiu, Zile, Duçka, Lleshi, Ibërshimi… Bashkimi e ndjen veten ende pjesë të Partizanit dhe përgëzon arritjet e tanishme të ekipit dhe të presidentit Albert Xhani, që ka krijuar kushte  për ekipin. Veçon trainerin Neptun Bajko, i cili është për të një nga trainerët më të aftë të Shqipërisë dhe një kandidat i pashfrytëzuar sa duhet për ekipin kombëtar. Muhedini është ca skeptik për trainerët e huaj, të cilët nuk njohin mentalitetin e futbollit shqiptar dhe aq më pak njohin psikologjinë e lojtarëve tanë. Shqipëria ka shkollën e vet të përvojës. Pse kaq shpejt u harrua shkolla jonë e trainerëve të mëdhenj si: Loro Boriçi, M. Alla, Z. Konçi, S.Dedja, Sh Reli, M.Ndini e të tjerë. Ka prej atyre që dolën nga shkolla e mjeshtrave shqiptarë që tani drejtojnë ekipe të kategorive të ndryshme nëpër vende të Ballkanit e në Europë. Bashkimi mendon se shkollat sportive duhet të rihapen dhe të kultivohen talentet e reja. Ish portieri i kombëtares mendon se lojtarët shqiptarë që luajnë nëpër Evropë, që nuk janë pak por rreth 30 të tillë, kanë për ta pasuruar ekipin kombëtar, por një pjesë prej tyre nuk e japin kapacitetin që zotërojnë dhe i shohin si superiorë futbollistët që luajnë në vend. Megjithatë, ekipi ynë kombëtar ka dhënë lojëra me nivel. Dhe ai sjell si shembull fitoren me ekipin kombëtar të  Greqisë, ose barazimin me Zvicrën për të  zbehur shkëlqimin e përkohshëm me humbjen e thellë në Rusi.

Bashkim Muhedini ka  krijuar përvojën e vet si trainer. Duke qenë se ka punuar për disa vjet trainer i ekipit të Përmetit dhe para se të vinte këtu trainer i të vegjëlve të Partizanit, ai gjykon se është në të mirë të  sportit shqiptar që të vihet në baza të organizuara përgatitja e trainerëve . Pasuksesin e kohëve të fundit të trainerëve ai e sheh si ndikim të një kompleksi faktorësh. Ka shumë faktorë që ndikojnë, por mbi të gjitha mungon shkrirja e trainerit me ekipin, njësimi i tij me futbollistët e ekipit, njohja e psikologjisë e secilit pjesëtarë të ekipieve.

Për pak çaste duket se Bashkimi mediton: Kur kthen kokën pas – ravijëzohet e kaluara. Aty është pozicioni yt, udha jote. Ajo mbetet ashtu siç u përshkua prej teje, prej meje, prej gjithkujt. Nuk gjykohet më. Nuk ndryshohet. Nuk afrohet. E ngurtë dhe po aq e ngrohtë.Por…Vite të tëra në murimin e  sportit. Një jetë me futbollin sportin më popullor në Shqipëri, gati i vetmi argëtim masiv i shqiptarëve që mezi prisnin fundjavët e futbollit. Atë ditë në stadium ata tjetërsoheshin, harronin andrallat e jetës dhe bëheshin si me krahë. Dhe ai kthehet për një çast në paskohë: Vite të tëra, dëshira, ëndërra, realizime, dështime, djersë, punë, lodhje, dyshime…Pastaj sikur të zgjohet nga një ëndërr, Bashkim Muhedini tregon për zhgjëndërrën.

– Kisha ende shumë për të dhënë. Isha ende refleksiv e intuitiv. Por, si për të gjithë, edhe për mua “fati” ma kishte përgatitur një ”kurth”. Ishte viti 1976, kur kuçedra politike do të zgjaste një nga kokat e saj dhe do t’më hiqte nga porta, jo vetëm nga porta…Më largojnë nga sporti, me të cilin kisha lidhur jetën, të cilit i kisha dhënë shpirtin, rininë time, gjithçka që kisha. Urdhëri ishte i rreptë dhe kishte hijen e prangave:Ik, largohu!, – kujton Bashkimi.

Ishte prishur biografia…, thotë Bashkimi. Nuk e di, nëse e ke ndjerë ndonjëherë dhimbjen e shpirtit të vrarë nga një çast fatal, nuk e di se ku është përbindëshi që të ka turbulluar jetën, nuk di ku ta kërkosh…Nuk di se si të shpëtosh. Ke ecur ndonjëherë në errësirë? Ke ndjerë pasigurinë e hedhjes së hapit në buzëgreminë? Dhimbja merr formën e mjegullës, ndërsa e drejta fshihet gjëkundi ku ti nuk je i zoti të depërtosh. Dhe ti, i pazoti për të kundërshtuar përbindëshin i kthehesh vetes…Asnjë ekip nuk më hapi më dyert…Gjithçka u harrua. Edhe pse kishte  më shumë se 50 ndeshje ndërkombëtare në statistikë dhe qindra ndeshje me Partizanin, me ekipin Olimpik, me Shpresën etj., askush nuk kishte kurajon të ndalte kuçedrën. Më pas Bashkimi gjeti qetësinë fshatrave, edhe pse atje ia pruri në majë të hundës kryetari i këshillit. Luante me fshatarët dhe me nxënësit  e vet në Zall-Bastar. Dashuria e nxënësve dhe respekti i fshatarëve shërbyen si ballsam për shpirtin e tij të vrarë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Bashkim Muhedini, dalip greca, porta e futbollit

Kate, Dukesha e Kembrixhit ka lindë Mbretin e Britanisë

July 22, 2013 by dgreca

Duka dhe Dukesha e Kembrixhit në Angli janë bërë prindërit e një djali të shëndetshëm. E gjithë Britania e Madhe ka nisur të festojë lindjen e mbretit të ardhshëm. Fëmija e çiftit peshonte 3.8 kilogram, 42 centimetra i gjate,  dhe lindi në një spital privat. Ai është trashëgimtari i tretë në radhë për kurorën e Mbretërisë së Bashkuar.Babai i bebes ishte në krah të Kate për të pritur lindjen. Familja mbretërore bëri të ditur se fëmija dhe nëna janë mirë.Pritja për lindjen e fëmijës mbretëror në Angli ka shkaktuar jo pak ironi. Një faqe e vogël dhe simpatike i jepte përgjigje pyetjes më të rëndësishme të ditës: A ka lindur akoma foshnja mbretërore në Angli? Përgjigja është JO, ndërkohë që përdoruesit e faqes ftohen që të vazhdojnë më tej.

Qëllimi është që ata të bëjnë një koment me shpoti në lidhje me këtë ngjarje, siç tregon kjo përmbledhje e shkurtër. Komiku Travon Free shkruan se për të nuk ka rëndësi se si do të quhet bebja. “Thjesht shpresoj që të jetë i zi”.

Komiku Jack Moore thotë se mbretëresha e Anglisë do ishte një stërgjyshe normale, përveç faktit se është e frikshme dhe nuk di të dojë askënd. Ai shton se i pëlqen fakti që dikush që di vetëm të qajë dhe të ankohet i ka zënë radhën në fron princit Harry. Dikush shkruan se babai William nuk duhet të ankohet më. “Njësoj do jetë, bebja ka më shumë flokë se ti”.

Komiku Ricky Gervais i jep prindërve një këshillë: “Nëse do isha si Will dhe Kate, do e quaja beben Adolf, thjesht për t’u prishur punë bastexhinjve”.

Gazetari Andrew Mueller bën ironi: “Sky News ka lajmëruar se një ekip me mjekët më të mirë do kujdesen për dukeshën. Kjo na qetëson pak sepse kishim menduar se do ishin disa shimpanze me cilindra”.

Korrespondenti i ARD, Stefan Niemann shkruan: “Ka lindur foshnja mbretërore: burimi është një informacion i rrjedhur nga NSA prej llogarisë në Facebook të finjës së ish- të dashurit të një mamie”.

Një përdorues thotë se është ironike se si ca njerëz janë më të rëndësishëm së të tjerët”./spiegel

 

Filed Under: Kronike Tagged With: e Britanise, Kate, lind pasardhesin

Jahjaga e Nikolliq në samitin e Bërdos

July 22, 2013 by dgreca

Ljubjana dhe Zagrebi zyrtar ftojnë presidentët e Kosovës dhe Serbisë që të marrin pjesë në samitin e Procesit të Bërdos, në Slloveni./

Nga Fatmir Aliu/
Me nismë të presidentëve Borut Pahor dhe Ivo Josipoviq, presidentja e Republikës Atifete Jahjaga dhe ai i Serbisë Tomisllav Nikolliq, pritet të marrin pjesë të enjten në këtë konferencë, e cila mbledh tetë presidentë të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu.
“Me ftesë të presidentëve të Sllovenisë [Borut] Pahor dhe të Kroacisë [Ivo] Josipoviq, presidentja Jahjaga do të marrë pjesë në takimin e presidentëve të vendeve të rajonit të Ballkanit, i cili do të mbahet në Bërdo të Sllovenisë”, i tha Vllahiu Radios Evropa e Lirë.
Në takimin e 25 korrikut praninë e tij e ka konfirmuar edhe presidenti i Francës François Hollande, i cili do t’iu drejtohet të pranishmëve me një fjalim.
Presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, shihen si promoter të zgjerimit të mëtejmë të Bashkimit Evropian dhe të raporteve të mira ndërfqinjësore në rajon.
Konferenca e Bërdos në Kranj, shihet si një forum i nivelit të lartë që do të forcojë bashkëpunimin ndërshtetëror mes vendeve të rajonit, e që është edhe kriter bazë për integrimin evropian të këtyre shteteve.
“Presidentja [Atifete Jahjaga], si edhe të gjithë presidentët e tjerë pjesëmarrës në takim do të mbajë një fjalë rasti, në takimin e inicuar nga presidenti sloven dhe ai kroat, si nismë për të ndihmuar integrimin e ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha të hënën për Radion Evropa e Lirë, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës Arbër Vllahiu.
Radio Evropa e Lire merr vesh se në takim, përveç presdientit francez Hollande, ka mundësi të marrë pjesë edhe Perfaqesuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme e siguri Catherine Ashton.
Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikolliq janë takuar disa herë gjatë këtij viti.
Fillimisht me nismën e baroneshës Catherine Ashton, në kuadër të dialog të lartë politikë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
Por takimet në nivel presidentësh në samite ndërmjet dy presidentëve Jahjaga dhe Nikolliq, kanë vazhduar gjatë muajve të ardhshëm.
Ata u takuan në Sllovaki në Samitin e Presidentëve të Evropës Lindore dhe Jug-Lindore, dhe së fundi në Kroaci në fund të qershorit, dhe fillim të korrikut, pas hyrjes së Kroacisë në Bashkimin Evropian.
Samiti i Bërdos vjen pas dështimit të një konference të njëjtë të nivelit të presidentëve, që është dashur të zhvillohet në muajin qershor në Ohër, nën organizimin e kryetarit të Maqedonisë.
Por Samiti i Ohrit, nuk u mbajt për shkak se organizatorët nuk e ftuan edhe presidentën e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Disa nga presidentët e vendeve të ftuara, si ai i Kroacisë, Shqipërisë dhe Sllovenisë, e anuluan pjesëmarrjen në shenjë kundërshtimi të mospjesëmarrjes dhe mos-ftimit të Kosovës në Samit.
Samiti i Bërdos është i pari i këtij lloji, që mbledh presidentët e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, nën organizimin e dy vendeve anëtare të BE-së, dikur pjesë e ish-Jugosllavisë.
Besohet se samiti i këtillë do të vazhdojë të mbahet dhe presidentët e shteteve të Ballkanit, si dhe organizatorët mund të merren vesh për vazhdimin e konferencave të tilla, duke përcaktuar edhe modalitetet e takimeve.(Kortezi:Fatmir Aliu)

Filed Under: Rajon Tagged With: do takohen, e Berdos, Jahjaga dhe Nikoliq, ne samitin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5317
  • 5318
  • 5319
  • 5320
  • 5321
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT