Sokol Olldashi:Procesi i deformuar- Berisha:Basha, histori e vertete suksesi-Topalli:Basha te na coje ne fitore!/
Lulzim Basha zgjidhet kryetari i ri i Partisë Demokratike. Pas numërimit të të gjitha kutive të votimit rezultoi se Basha ka fituar 80.38 përqind të votave të anëtarësisë së PD-së ndërsa vetëm 19.61 % të votave kanë shkuar në favor të kandidatit tjetër Sokol Olldashi.Vetëm pak momente pas mbylljes së numërimit, nga i cili rezultoi me një fitore të thellë përballë rivalit të tij në garën për kreun e PD-së Sokol Olldashi, Basha ka zhvilluar një takim me kryeministrin Sali Berisha.Në fjalën e tij të parë si kreu i PD-së, Basha falenderoi të gjithë mbështetesit për besimin e madh që i kanë dhënë, duke e zgjedhur në krye të Partisë Demokratike si dhe rivalin e tij në garë Sokol Olldashi.
“Falenderoj anetarët, strukturat dhe drejtuesit për vlerat e larta qyetare me të cilët u angazhuan në këtë proces. Ne këtë garë të parën të vërtetë, ne demokratet ju dëshmuam qytetarëve se jemi përfaqesuesit më të denjë të lirisë, demokracisë e dinjitetit. Falenderoj Sokol Olldashin, në këtë garë, gjë që tregoi vlerat e patjetërsueshme dhe unike të PD. Ishin dy kandidatë që shpalosëm vizionet para gjithë demokratëve. Ne nuk harrojmë, që jemi të gjithë demokratë, anëtarë të një familjeje, më të vendosur dhe më të bashkuar se kurrë” tha Basha.
Ai ka theksuar se në projektin e fillimit të ri PD do mbështet te palca e saj, anëtarët e militantët e përkushtuar në vite duke dëgjuar dhe respektuar zërin e çdo anëtari dhe do lartësojë gjithëpërfshirjen.
“Në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri do të jap gjithçka me vendosmëri absolute dhe përgjegjësinë më të lartë ndaj jush, anëtarëve dhe militantëve të PD. Do mbështetem te vizioni i themeluesve, Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, te energjia e pamatë e militantëve dhe anëtarëve, te përvoja e drejtuesve sot e ndër vite, te pasuria e vlerave të lidershipit historik, Sali Berishës. Do punoj që PD e lindur nga ëndrrat e të rinjve të jetë forca e ëndrrave të tyre, gjeneratës së lirisë, bashkë me ta kemi fituar bashkë me ta do i japim krahë fitoreve të ardhshme” tha Basha.
Ai ka theksuar se PD-ja do të ndërtojë një opozitë të fortë, ballore dhe alternative ku shqiptarët do mund të gjejnë përkrahje.
“Detyrat që na presin nuk janë të lehta, sfidat janë të mëdha. Gjatë rrugës tonë kemi treguar se sa herë kemi qenë të bashkuar, të vendosur, jemi përballuar me sukses dhe kemi fituar. Ne do të ndërtojmë një opozitë të fortë, ballore dhe alternative. Për çdo problem, në çdo sektor shqiptarët do shohin zgjidhjen tonë. Do jemi çdo ditë kudo, me të përndjekurit, pronarët, botën akademike, gratë shqiptare, rininë, të moshuarit, pakicat, në krah të çdo qytetari që ndihet i përndjekur nga pushteti i votave të vjedhura. Ne jemi partia e taksave të ulëta dhe konkurrencës së ndershme.Ta nisim rrugëtimin tonë së bashku, me ballin lart për vlerat tona, për të shkuarën, misionin tonë dhe t’u japim shqiptarëve jo vetëm një opozitë të fortë. Ta kthejmë PD në udhëheqje të projektit tonë. Zoti na ndihmoftë! Bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!” shtoi Basha.
I pari që ka uruar Bashën ka qenë Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë Genc Pollo, ndërkohë nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” , Berisha ka uruar pasardhësin e tij për fitoren plebishitare ndaj kandidatit tjetër, Sokol Olldashi.
Rreth 41 mijë anëtarë të PD-së morën pjesë në votimin e një dite më parë për zgjedhjen e lidershipit të ri. Në garë për postin e kreut të PD-së, morën pjesë dy kandidatët Lulzim Basha dhe ministri aktual i Transporteve, Sokol Olldashi, të cilët për rreth 19 ditë zhvilluan takime në të gjithë Shqipërinë për prezantimin e platformës së tyre, pasi lideri historik i saj, Sali Berisha, dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
REZULTATI
Lulzim Basha 32371 vota, Sokol Olldashi 7896 vota
Në përqindje – Basha 80.39%, Sokol Olldashi 19.61%
BASHA: OPOZITË BALLORE NË CDO FUSHË, FALËNDEROJ OLLDASHIN PËR GARËN
Kreu i ri i PD-së, Lulzim Basha në fjalën e tij të parë pas zgjedhjes falënderoi rivalin e tij për këtë post, Sokol Olldashin si dhe cdo demokrat që i dha besimin për drejtimin e Partisë Demokratike.
“Ju falenderoj nga zemra për besimin që më dhatë për të marrë drejtimin e PD, partinë e vlerave dhe idealeve më të larta, forcës së shembjes se komunizmit dhe të implementimit të lirisë. Jam i vëtëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që ka drejtimi i partisë së themeluar në vitet 1990 dhe të udhëhequr nga Sali Berisha, dhe ka pasur në krye elitën e mendjes dhe shpirtin e kurajos për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Në këtë garë të parën e parimit ‘1 anëtarë 1 votë’, iu vërtetuam qytetarëve se jemi përfaqësuesit më të denjë të dinjitetit njerëzor. Falenderoj Olldashin për kontributin e tij, që dëshmoi vlerat unike të PD. Në këtë garë ishin dy kandidatë para mijëra anëtarëve, por në fillim gjatë dhe fund të kësaj gare nuk harrojmë se jemi të gjithë demokratë krenarë për trashëgiminë politike më të vendosur dhe bashkuar se kurrë”, u shpreh Basha në konferencën për shtyp në selinë blu.
Basha ritheksoi se në mandatin e tij në krye të PD do të mbështetet tek përvoja e themeluesve të partisë dhe e cdo militanti partie. Si drejtues i PD, Basha paralajmëroi një opozitë të fortë dhe ballorë.
“Do ndërtojmë opozitë krijuese të fortë ballore dhe alternative, do kemi përballje për cdo situatë. Shqiptarët do shohim projektet dhe zgjedhjet tona për to”, tha Basha.
KUSH ESHTE LULZIM BASHA?
Lindur në Tiranë më 12 qershor 1974, Lulzim Basha mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën 8-vjeçare “Skënder Çaçi”, si dhe shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë.
Lulzim Basha u angazhua që në dhjetorin e 1990 bashkë me të rinj të tjerë gjimnazistë të Tiranës përkrah studentëve dhe Partisë Demokratike të sapothemeluar. Pjesëmarrës aktiv në protestat para dhe pas zgjedhjeve të Marsit 1991, gjatë zgjedhjeve të 1992 ai ishte vëzhgues i Partisë Demokratike në KQZ.
Në vitin 1993, Basha nisi studimet në Universitetin e Utrechtit në Hollandë, ku u diplomua në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare Publike.
Në vitin 1999, Lulzim Basha u bë pjesë e skuadrës që përgatiti akt-akuzën për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi. Ai më pas shërbeu në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ku ndihmoi në krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë.
Në korrik 2005, Lulzim Basha u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë si një nga përfaqësuesit e qytetit të Tiranës. Fitores së një prej zonave të vështira elektorale për Partinë Demokratike në Tiranë i parapriu angazhimi i Bashës si Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave, Zëdhënës i Fushatës 2005 dhe pjesmarrja e tij në dhjetëra debate televizive përballë përfaqësuesve të mazhorancës socialiste.
Në qeverinë e re të Kryeministrit Berisha, Bashës iu besua fillimisht detyra e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në këtë detyrë ai nisi punimet për ndërtimin e Rrugës së Kombit, autostradës Durrës-Kukës-Morinë, vepra më e madhe infrastrukturore e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri e cila bashkoi Shqipërinë me Kosovën.
Në maj 2007, Basha u zgjodh Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në një kohë kur për herë të parë Shqipërinë e vizitoi një President në detyrë i SHBA-së, Xhorxh W. Bush. Gjatë drejtimit të diplomacisë nga Lulzim Basha, Shqipëria mori ftesën dhe një vit më pas u antarësua në NATO, hapi negociatat për liberalizimin e vizave me zonën Shengen, iu pranua aplikimi zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kosova u shpall e pavarur.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Lulzim Basha kryesoi fushatën elektorale në Qarkun e Elbasanit ku Partia Demokratike shënoi një rezultat historik duke marrë 7 nga 14 mandate në krahasim me 2 mandate në vitin 2005.
Në qeverinë e re Bashës iu besua portofoli i Ministrit të Brendshëm. Nën drejtimin e tij u përmbushën të gjitha kriteret teknike për liberalizimin e vizave në zonën Schengen, si dhe u arritën standarte të reja në luftën kundër krimit, aseteve kriminale dhe bashkëpunimit në fushën e rendit dhe sigurisë. Këto hapa bënë të mundur vendimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë në dhjetor 2010. Në vitin 2011, Lulzim Basha kandidoi kundër kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Fushata e Tiranës u konsiderua fushata më e mirë që Partia Demokratike kishte zhvilluar ndonjëherë. Fitorja e Bashës riktheu Partinë Demokratike në pushtet në Bashkinë e Tiranës pas 11 vitesh.
Gjatë më pak se dy viteve në drejtim të Bashkisë Tiranë, kryebashkiaku Basha ka udhëhequr një proces transformimi të kryeqytetit shqiptar. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, permirësimi i cilësisë së jetës për qytetarët e Tiranës dhe zbatimi i një numri projektesh strategjike për ta shndërruar Tiranën në një qytet modern dhe Europian janë shtyllat kryesore të këtij transformimi të përditshëm dhe të prekshëm për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë vizitorët e kryeqytetit shqiptar.
Në qershor 2012 Basha u zgjodh Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
OLLDASHI: PROCESI I ZGJEDHJES SË KRYETARIT I DEFORMUAR, POR NUK LARGOHEM NGA PARTIA
Sokol Olldashi, kandidati i cili humbi përballë Lulzim Bashës për postin e kreut të PD-së pas shpalljes së rezultati shprehu pakënaqësinë ndaj procesit teksa e cilësoi të deformuar. Në një konferencë për shtyp, Olldashi tha theksoi se para garës atij ishte premtuar se nuk do kishte ndikime nga jashtë, por në realitet pati.
“Përzgjedhja e kreut te ri te PD u bë përmes një procesi të deformuar. Nuk u qartësua transparenca e listave dhe nuk u vunë ne dispozicionin ti. Ditën e votimit mijëra demokratë nuk gjeten emrin në lista. Procesi që mu premtua se do ishte jashtë ndikimeve, nuk ishte i tillë. Frika u krye me fletët e votimit qe ishte e identifikueshme”, u shpreh Olldashi.
Olldashi denoncoi përfshirjen në mënryë të njëanshme të krerëve lokalë, teksa shtoi se ai gjatë fushatës së tij kishte identifikuar faktin se PD duhet të korrigjonte gabimet duke uruar që të jetë në gjendje ta bëjë të ardhmen.
“Kjo ishte një energji e tepërt brenda nesh që duhej harxhuar në 23 qershor. Unë gjatë fushatës time kam evidentuar faktin se PD duhej të ngrihej mbi gabimet, shpresoj se do jetën inteligjencën ta bëjë”, tha Olldashi.
Olldashi u shpreh i bindur se pavarësisht hatër mbetjeve dhe prishjes së rregullave brenda familjes së PD-së do të qëndrojë krah militantëve në misionin opozitar.
Ftoj demokratët që PD është ndërtuar si shtëpi e madhe dhe mund të prishen dhe rregullat, por ne mbetemi anëtarë të PD. Mbetem i vendosur të përfaqësoj militantët e PD në misionin e tij opozitar”, tha Olldashi i cili tha se nuk pendohet se ka kandiduar për kreun e PD.
TOPALLI: UROJ QË BASHA TË NA COJË DREJT FITORES
Jozefina Topalli ka uruar zgjedhjen e Luzim Bashës në krye të PD-së. “Në një moment të vështirë të Partisë Demokratike, demokratët u ngritën për t’i dalë zot partisë së tyre! Me pjesëmarrjen e tyre në çdo takim, gjatë dy javëve të fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, me qytetarinë dhe emancipimin e tyre, demokratët dëshmuan shpirtin e idealeve, mbi të cilat u lind dhe punoi kjo parti. Të vetëdijshëm për nevojën e ringritjes, të vendosur për t’i dalë zot asaj, në ditë të vështira, të bindur se Partia Demokratike kishte nevojë më shumë se kurrë për anëtarësinë e saj, demokratët e bënë garën një proçes emancipues, të veçantë, të civilizuar dhe demokratik. Sot, Partia Demokratike ka një kryetar të ri dhe uroj që ai t’i çojë sa më shpejt demokratët drejt fitores! Mirënjohje të thellë anëtarëve dhe antareve të Partisë Demokratike për shpirtin e tyre të paepur, zemrën e tyre të madhe, besimin dhe vullnetin e fortë për t’u ringritur!”, shkruan Topalli në “Facebook”.
BERISHA: BASHA, HISTORI E VËRTETË SUKSESI, FILLIM I RI I FUQISHËM PËR PD
Kreu i PD-së në detyrë njëherësh lideri historik i së djathtës Sali Berisha nga selia blu në një konferencë për shtyp, ka uruar pasardhësin e tij teksa e ka vlerësuar arritjen e tij si histori suksesi të një të riu në liri.
“Kryetari i ri u zgjodh në një votë plebishitare të anëtarësisë së PD-së në votimin e djeshëm një anëtar një votë. Z.Lulzim Basha përfaqëson suksesin e të riut shqiptar, i cili në një moshë shumë të re, gjimnazist do të meritonte të përfaqësonte në KQZ partinë e tij, PD-në, në zgjedhjet e para pluraliste të vendit. Më pas si qindra të rinj shqiptar që dolën në liri, studioi në një nga universitetet më të njohura të Europës”, deklaroi Berisha
Duke i bërë edhe një rezume jetës politike gjatë këtyre viteve, Berisha tha se Lulzim Basha është historia e vërtetë e suksesit të vërtetë të shkëlqyer të PD-së. Berisha theksoi ndër të tjera fitoren e Bashës ne krye të Bashkise se Tiranes, ndaj rivalit Edi Ram.
Ai përmbushi me një vendosmëri, aftësi dhe përkushtim të madh çdo mision që iu ngarkua. Së pari, Rrugën e Kombit, u emërua Ministër për atë mision dhe e realizoi në mënyrë të shkëlqyer. U emërua në krye të diplomacisë shqiptare kur vendi po bënte çdo përpjekje për anëtarësim në NATO, fitoli simpatinë, respekti dhe dashurinë e kolegëve të tij dhe u shndërrua në një promotor të vërtetë të këtij procesi. U emërua në krye të Ministrisë së Brendshme për të përmbushur një premtim elektoral konkret të heqjes së vizave me BE-në. Është ministri dhe personaliteti që së bashku me shumë të rinjtë shqiptarë mbërritën në Bruksel si maratonomak i heqjes së vizave për shqiptarët.U caktua nga PD për të garuar për Bashkinë e Tiranës, mundi Kryetarin e PS-së dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe drejton sot Bashkinë e Tiranës”, theksoi ai.
Më tej, ne fjalën e tij, Berisha vlerësoi edhe procesin e votimit për kreun e ri të PD-së, duke shtuar se ai ishte një provë që demokratët e kaluan në mënyrë të shkëlqyer.
“Partia Demokratike është parti e vlerave, parimeve, më të shkëlqyera, më të larta dhe ajo jo se ka pasur shkop magjik, por se ka pasur një program me vlera dhe parime. PD-ja ka arritur të shënojë në biografinë e saj suksese dhe arritje të mëdha. PD-ja ka mbetur në Europën ish-komuniste forca e themeluar në vitet 90 më e fuqishme. PD-ja faktoi dje para shqiptarëve se është një forcë e vlerave. Dje votuan mbi 41 mijë anëtarë duke befasuar, duke dëshmuar që pavarësisht nga rezultati i 23 qershorit demokratët mbeten të pathyeshëm. Ndaj dhe unë do të shpreh edhe mirënjohjen time më të thellë ndaj tyre”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu Berisha, vlerësoi edhe ministrin aktual të Transporteve, Sokol Oldashin për rolin e tij në këtë garë.
“Roli i Olldashit është shumë i madh.Olldashi është deputet i PD-së dhe çdo deputet i PD-së, ka një rol shumë të madh në parlamentin shqiptar.Beteja e fillimit të ri, kërkon një mbështetje të fuqishme, një opozitë më të fuqishm në parlamentin shqiptarë”, përfundoi Berisha.