• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDËRROI JETË NË DETROIT RAMADAN SMAJA

June 11, 2020 by dgreca

[Gallery not found]

VATRA MGUSHËLLON FAMILJET SMAJA DHE GRISHAJ/

Redaksia e Gazetës “DIELLI” ka marrë këtë njoftim familjar: Me hidhërim të thellë , Familja Smaja lajmëron të afërmit dhe miqtë se, sot me datën 11 Qershor 2020, kaloi në jetën e përtejme , bashkëshorti dhe babai ynë, Ramadan Maliq Smaja. Lindur në Shkodër me, 5 Gusht 1946 . Ramadani ishte , bashkëshorti i Minire Smaja (Pateriku) , babai i Mirela Grishaj(Smaja), Erin Smaja.Vëllau i Dervish dhe Ruzhdi Smaja, Naxhije Bala(Smaja).
Vjehrri i Alfons Grishaj. Gjyshi i Almit , Gerhardi, Aurora dhe Kevin Grishaj.

Lajmërojmë se, pritja bëhet në Funeralin Wujek Calcaterra , me datën 13 nga ora 9 deri në 12 .
Adressa 54880 Van Dyke Avenue,Shelby Tvp,Mi 48316.
Më pas trupi i të ndjerit do përcillet për në banesën e fundit.
Adresa “Guardian Angel Cemetery” 4701 Rochester Road Mi 48307.
Shpirti i tij pushoftë në paqe!

Z. Elmi Berisha, në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, në emër të kryesisë, Këshillit, degëve dhe në emër të gjithë vatrannëve  përcjell ngushëllimet më të thella për familjet Smaja dhe Grishaj. I pushoftë shpirti në Paqë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Mirela Grishaj, Ramadan Smaja

LIDHJA E PRIZRENIT-FRYMËZIM PËR BREZAT

June 11, 2020 by dgreca

Trojet shqiptare “nuk janë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh/

                                                        Nga Frank Shkreli/

Sipas një numri burimesh historike, Kuvendi Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit u hap më 10 qershor 1878, por jo të gjithë pjesëmarrësit e krahinave shqiptare që duhej të ishin aty mundën të arrinin në kohë.  Sipas historianëve, nga ata që mungonin ditën e parë ishin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë, njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri, pasi të tjerët ishin ende në udhëtim.  Si rrjedhim nuk dihet numri i saktë i delegatëve që morën pjesë ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes së Prizrenit.

Thuhet se në hapjen e Kuvendit morën pjesë rreth 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës, sipas burimeve.  Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë.  Shënohen emra të njohur personalitesh të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Perandorisë Osmane ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të vendeve fqinje ballkanike.  Objektivi kryesor i pjesëmarësve në Kuvendin e Lidhjes mbarë Shqiptare të Prizrenit ishte përpilimi i një platforme politike me kërkesat e shqiptarëve, që do duhej t’i paraqitej Fuqive të Mëdha para se fillonte punimet Kongresi i Berlinit disa ditë më vonë. 

Në këtë përvjetor, po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar, si dhe pjesëmarrsit në atë Kuvend mbarë-kombëtar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit – me ndihmën e Poetit të Kombit, At Gjergj Fishtës, i cili i ka kushtuar Lidhjes së Prizrenit, Këngën e IX të veprës së tij madhështore, “Lahuta e Malcisë”.  Në këtë poemë, Fishta fton Zanën e maleve që së bashku me ‘të, të këndojë në “Lahutë”, ngjarjen historike të shqiptarëve, që është Lidhja e Prizrenit. Ai e fillon vjershën me thirrjen e Ali Pashë Gucisë, “Fill me dalun në Prizren, për me ngreh aty kuvend, e si motit për Atdhe, me lidhë besë me lidhun fe”.  Ali Pashë Gucia qet kushtrimin anë e mbanë trojeve shqiptare për të mbledhur në Prizren, burrat më në shenjë, “Krenët e Shqyptarisë”, të Gegërisë dhe Toskërisë.  Duke iu përgjigjur kushtrimit të Ali Pashë Gucisë, turren kreshnikët e Kombit në qytetin zëmadh të shqiptarëve:

                            M’ato maje të Prizrenit

                            Ku kanë ndejun rend pas rendit

                            Me Ali Pashën në krye të vendit…

                            …Ai nuk asht, more lum vasha

                           Tjetërkush veç se Ali Pasha

                           Që për të drejta të Shqyptarisë

                           Vet ia jep zjarmin shtëpisë,

                           E s’i dhimben nanë as djal:

                           Për to jetën vet e falë.

Në poemën e tij, “Lidhja e Prizrendit” Fishta përmend disa prej krerëve shqiptarë më në zë të asaj kohe, pjesëmarrës në kuvend dhe u këndon atyre si grup i dalluar dhe i zgjedhur ndër shqiptarët e asaj kohe dhe hapësire shqiptare:

                                      “Jo që ka aty burra të tjerë,

                                       Bajraktarë, Krenë e Beglerë

                                       Që për fjalë e për urti

                                       Për trimni, për bujari

                                       Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej

                                       As në Shqipni as ndër të huej…”

Ndër  pjesëmarrësit e njohur në Kuvendin e Lidhjs së Prizrenit, në poemën kushtuar Lidhjes së Prizrenit, Fishta i dedikon disa rreshta Vat Marashit, bajraktarit të fisit të Shkrelit:

                                        “E njaj tjetri ma përtej

                                        Me ata dy mustakë të mëdhej

                                        Me i prekë m’shoq që ka për bri vedi,

                                        Ai nuk ashtë, jo Diomedi,

                                        Por ashtë Bajraktari i Shkrelit,

                                        Si njaj pyrgu m’ball të kështjellit,

                                        Që s’e tremb as topi as shpata,

                                        E i thonë emnit Marash Vata…”

Në Epopenë Kombëtare të Fishtës, “Ora e bardhë e Shqipënisë”, i shef krerët e Shqiptarisë, “Trima në za, burra me nderë”, të mbledhur aty në Prizren – nga mrizet e lartësive të malit më të lartë, Lubotenit, ku e Mira ka ndejën e vet , ndërsa gëzohet dhe thërret Zanën e Sharit –

                                  “Në gjuhë të ambël të Shqyptarit,

                                   Thirrë i paska Zanës së Sharit”, dhe e pyet nëse i njihte ata burra të rreshtuar në Kuvendin e Prizrenit. Zana, disi e habitur para asaj pamjeje madhështore të homeridëve të rinj, kujton se Shqiptarët e mbledhur aty, mund të jenë Akejt e vjetër që dikur kishin “kallur” Trojën ose, ndoshta, mund të ishin Dardanët. Ban buzën në gaz Ora e Maleve dhe i shpjegon Zanës motër se ata nuk ishin:

                                     “As Akejë, as s’janë dardanë,

                                      as vigaj, as katallaj”,

Por ishin pjesëmarrësit heronj shqiptare, ndër ta: Ali Pasha, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Toptani, Zogolli, Gjetë Gegë Shllaku, Çun Mula, Mar’ Lula, Dod Preçi, Vrioni, Deralla, Shan Deda, Abdullah Dreni…

Ndërsa Abdyl Frashërit, At Gjergj Fishta i jep atij një vend të veçantë duke portretizuar atë kështu në poemën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit:

                            “A e she’ ‘i herë njat burrë zeshkan,
                           Me kollçikë e me fistan,
                           Që m’ a ka synin si zhgjeta,
                           Që m’ i bajn t’ gjith t’u ngjatjeta,
                           E që folka ashtû pa u zé,
                           Herë tue mâtë, mandej tue pré:
                          Që prandej njat fjalë që e flet,
                          Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
                          Pse edhè e tij bujare
                          Permendë âsht n’ tokë Shqyptare
                          Për kah pupla e për kah dija,
                          Pá të cilat s’ rron Shqypnija?
                         Ai âsht trimi Frashër Begu,
                         Që gjithkund, ku e qiti shtegu,
                        I la naâm aj Toskënís,
                        Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.”

Fishta përcjell në poemën e tij mbi Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit se, ndërsa Ora dhe Zana bisedojnë me njëra tjetrën, Abdyl Frashëri hap Kuvendin dhe flet me një gojtari të shquar, si i përket derës së tij letrare, mbi vjetërsinë e fisit shqiptar, kulturën e lashtë të tij, trimërinë e qëndresën gjatë shekujve, dashurinë për Atdhe dhe për luftërat e racës shqiptare për të ruajtur pavarësinë. Abdyl Frashëri vazhdon fjalën e tij duke bërë thirrje për daljen zot të trojeve shqiptare të sakatuara, për shpëtimin e tokave shqiptare, Hotit, Grudës e Plavë e Gucisë nga Mali i Zi. Ndërsa Bajraktari i Shalës, Mar’ Lula, në interpretimin e At Gjergj Fishtës, i thotë Kuvendit se për të dhe për shqiptarët mbarë, si shkjau, si turku, janë armiq të njëjtë. Në fund, sipas vjershtarit të “Lahutës së Malcis”, Ali Pashë Gucia propozon që nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit t’i dërgohej një letër Fuqive të Mëdha të asaj kohe dhe mbretit në Stamboll – “Të shtatë krajlave dhe Mbretit të Stambollës”, duke thekësuar se trojet shqiptare nuk janë as të italianëve, as të ‘hinglizvet, as e francezëvet’, as të gjermanëvet e as e sllavëve, grekëve dhe as otomanëve, këndon Fishta. Ai ka përfunduar vjershën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit, se Mbretit të Stambollit, i cili “do t’ia falë Shkodër e Malci”, Knjazit të Malit të Zi, t’i thuhet se Shqipëria nuk “ashtë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh:

                                “Por ashtë toka e t’Parvet tanë,

                                  Asht Atdheu, po, i Skanderbegut…

                                 Prandej s’ka as Krajl as Mbret

                                 Që ket tokë e falë a e shet…”

A ka sot burra Shqiptaria, që të frymëzohen nga burrat e Kuvendit Mbarëshqiptar të Prizrenit që — mbi të gjitha — të mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos shesin, as mos të falin tokat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike, për interesa afat shkurtra personale e partiake? Në këtë udhëkryq të historisë së Shqiptarëve dhe në këtë përvjetor të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit,

nga do t’ia mbajnë udhëheqsit e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë. Si e kanë ndër mend të dalin nga ky qorrsokak në të cilin e katandisur Kombin?  Nga do ta drejtojnë këta sot timonin e fatit të Kombit?  Drejt një rruge pa krye që çon në greminë, në të cilën duket se, me konfliktet aktuale politiko-ekonomike, ata janë nisur sot — apo do të frymëzohen nga bashkimi i burrave të Lidhjes së Prizrenit—duke hequr dorë nga dallimet e thekësuara politike dhe ekonomike drejt horizonteve të reja për shqiptarët, duke rënë dakort për një platformë të re moderne mbarëkombëtare, në përputhje me nevojat dhe interesat madhore të Kombit në shekullin 21.  Një prej kërkesave të Lidhjes së Prizrenit ishte edhe shpallja e një Bese të përgjithëshme në bazë të cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha konfliktet që çonin në hakmarrje midis banorëve të krahinave të përfaqësuara në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit.  A jeni ju gati të deklaroni një paqe politike midis jush, e të lidheni besa-besë, si burrat e Kuvendit dikur, që nam e nder t’i leni vetes dhe Shqipërisë?!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lidhja e Prizrenit

VENDIME TË RËNDËSISHME TË KRYESISË SË VATRËS

June 11, 2020 by dgreca

– Kryesia miratoi projektin e Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë: “FEDERATA PAN SHQIPTARE E AMERIKËS VATRA NË DOKUMENTET ARKIVORE HISTORIKE”, botim në 5 Vëllime nën drejtimin e akademik Prof. Dr. Beqir Meta-

– Kryesia diskutoi rreth disiplinimit të medias nën autoritetin e Kryeredaktorit të Gazetës Dielli, Dalip Greca, në konsultim me Kryetarin Elmi Berisha dhe nënkryetarin Alfons Grishaj.

-Vatra planifikon që të hapë pesë degë të reja në qyetete e shtete, ku nuk ka degë, si: Manhattan-NY, Ohio, Chikago,Teksas, Boston.

  • U diskutua për zhvillimet në ShBA, për zhvillimet politike në Shqipëri, Kosovë, rajon dhe qëndrimet e Vatrës.

          Të Shtunën me 6 Qershor 2020, në orën 10 e 30 paraditë, Kryesia e Vatrës, nën drejtimin e Kryetarit të saj z. Elmi Berisha, zhvilloi mbledhjen e saj përmes video-konferencës, që zgjati mbi 2 orë.

           Takimin e ka hapur nënkryetari i Vatrës z. Ervin Dine, i cili mundësoi teknikisht këtë takim në Zoom, ashtu siç mundësoi edhe video-konferencën kushtuar përkujtimit të Revoltave të Spaçit dhe të Qafë Barit.

           Z. Dine falenderoi kryetarin e Vatrës z. Berisha,i cili ka bërë të mundur mbajtjen bashkë të kryesisë dhe vatranëve gjatë Pandemisë, dhe ka prezantuar Vatrën në media përmes intervistave dhe prononcimeve. Po ashtu z. Dine përgëzoi editorin e Diellit, z. Dalip Greca,i cili së bashku me ekipin që  është bashkuar rreth Diellit, jo vetëm ka informuar me detaje për Pandeminë, por edhe ka bashkuar shqiptarët nga vendlindja e Diaspora; janë intervistuar mjekë shqiptarë, shkencëtarë,e personalitete të tjerë, të cilët kanë sjellë detaje nga Pandemia në shtetet e Amerikës së Veriut,Kanadaja, Australia dhe shtetet Europiane, si dhe kanë dhënë këshilla për kalimin e Pandemisë etj. Ai përgëzoi dhe Dr. Skënder Murtezani, nënkryetarin e Vatrës dr. Pashko Camaj, për informacionin e sjellë dhe intervistat e dhëna për median në trojet Kombëtare.

Nënkryetari Dine ia ka dhënë fjalën Kryetarit të Vatrës z. Elmi Berisha,i cili i ka falenderuar të gjithë pjesmarrësit për angazhimin në këtë takim dhe për kontributet e dhëna gjatë kësaj kohe të vështirë të koronavirusit. Ai ka falenderuar Presidentin e Nderit z. Agim Rexhaj, nënkryetarët, sekretaren e Vatrës, anëtaren e Kryesisë Merita B McCormack, kryeredaktorin e Diellit, Dalip Greca, editoren e anglishtes Rafaela Prifti e të tjerë.

1 MINUT HESHTJE PËR VATRANIN JONUZ NDREU

Kryetari Berisha, tha se gjatë kësaj pandemie kemi humbur njerëz të dashur, komuniteti ka përjetuar me dhimbje largime nga jeta të shumë bashkatdhetarëe. Një ndër vatranët e nderuar,që humbëm,ishte dhe z. Jonuz Ndreu, përfaqësues i një familje fisnike, që ka dhënë shumë për Kombin.Kryetari Berisha u kërkoi anëtarëve të kryesisë të ngriheshin në këmbë dhe me një minut heshtje u përkujtua vatrani veteran, Jonuz Ndreu, i cili për më shumë se 50 vjet ishte pjesë e rëndësishme e bordit të Vatrës, ishte një aktivist i palodhur dhe një kontributor bujar i saj.Ai do të mbesë në memorien vatrane si modeli i njeriut të mirë dhe atdhetarit të përkushtuar.

Z. Jonuz Ndreu, ndërroi jetë me 3 prill 2020 dhe u varros më 7 prill, në shtetin e Nju Xhersit nga familja dhe të afërmit.

    ***

Më pas kryetari i Vatrës ka prezantuar pikat e rendit të ditës dhe i ka hedhur ato në votim për miratim.Me vërejtjen e dr. Pashko Camaj, që mbledhjet të bëhen më të shpesht me qëllim, që rendi i ditës të mos jetë shume i mbingarkuar, rendi i ditës u miratua.

Z. Berisha ia ka dhënë fjalën nënkryetarit të Vatrës z. Alfons Grshaj, i cili ka përshëndeti pjesmarrësit,dhe ka përgëzuar të gjithë ekipin për funksionimin e Vatrës gjatë pandemisë. Fjalë përgëzuese ka përcjellë z. Grishaj për Kryeredaktorin e  Diellit, për të cilin tha se është sulmuar padrejtësisht, por ne në Shkodër themi”Taraboshi nuk ndien prej mollave”…

Nënkryetari Grishaj, ia ka dhënë fjalën z. Greca, për të prezantuar projektin e Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Prof. Dr. Beqir Meta, për botimin e Historisë së Vatrës përmes dokumenteve arkivore.

PROJEKT AKADEMIK PËR BOTIMIN E HISTORISË SË VATRËS

         Drejtuesi i gazetës Dielli,i ka falenderuar të gjithë për vlerësimet për rolin dhe funksionimin e Gazetës DIELLI gjatë perudhës së vështirë të karantinës. Ai përgëzoi të gjithë ekipin dhe bashkëpunëtorët e gazetës.

         Gjatë prezantimit të projektit të Prof. Dr. Beqir Meta”FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS VATRA NË DOKUMENTE HISTORIKE”, Greca tha se synohet që të botohet historia e plotë e Vatrës përmes dokumenteve të mbledhur nga arkivat brenda dhe jashtë Shqipërisë.Autorët e botimit synojnë që në pesë libra të ndriçohet e plotë historia e Vatrës historike, që ka një histori të ndritur mëse 100 vjeçare.Ajo ka qenë dhe mbetet një organizatë patriotike e emigracionit shqiptar të të gjithë brezave në Amerikë e Kanada, dhe ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në kohë të vështira. Autorët e projektit në relacionin e dërguar Vatrës, theksojnë se përmes botimit do të shfletohen dokumente origjinale, që dëshmojnë kontributin e spikatur të Vatrës në Pavarësinë tonë Kombëtare, dhe në mbështetjen efektive të shtetit shqiptar, kur ai ishte ende në pelena; roli i madh që ka luajtë Vatra në mbrojtjen e shtetit shqiptar në kohët kritike, veçanërisht në periudhën e Luftës së Parë Botërore, kur shteti shqiptar u ç’bë, dhe Vatra ishte ndër faktorët kryesorë që mori përsipër ringritjen e tij, madje ajo në periudhën e Luftës, zhvilloi një aktivitet kaq të ngjeshur politik e diplomatik, sa me të drejtë Faik Konica pohonte se ajo(Vatra) zëvendësoi shtetin e vdekur shqiptar.

         Kontributi i Vatrës vijoi edhe në procesin e sendërtimit të institucioneve kombëtare të shtetit shqiptar pas vitit 1920, duke u bërë kampion i futjes së frymës kombëtare dhe perëndimore në këto institucione dhe në të gjitha sferat e jetës shqiptare. Vatra dërgoi njerëzit e saj më të mirë për të bërë Shqipërinë me frymë Kombëtare(pjesa më e shumtë e tyre u burgosën, u vranë, u internuan nga diktatura komuniste), dërgoi Trupat Vullnetare të mbronin Shqipërinë, dërgoi bandën Muzikore të bënte zgjimin kulturor e kombëtar të bashkombasve, dërgoi libra shqip, etj.

    Vatra ishte kurdoherë dhe mbeti vatër shqiptarizmi dhe në mbrojtje të popullsisë shqiptare nën sundimin e huaj, duke u bërë një avokate e çmuar e kauzës së saj për liri dhe të drejta njerëzore. Kontributi i Vatrës u shfaq sërish me vlera, kur ajo u përpoq të mbështeste rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u bërë mbështetse e krijimit të një Fronti të Bashkuar Shqiptar dhe të një Qeverie Kombëtare në emigracion. Vatra ishte syri vigjilent dhe zëri i fuqishëm shqiptar në roje të Pavarësisë dhe tërësisë territorial të Shqiëprisë.

          Pas Luftës Vatra vijoi po me atë zell të mbështeste pavarësinë, integritetin territorial dhe u përpoq të ndihmonte materialisht familjet shqiptare të dëmtuara nga lufta.

        Vatra, ndonëse fillimisht e mbështeti qeverinë komuniste, gradualishte kuptoi karakterin e saj diktatorial dhe regresiv.Ajo qysh në fillim i kërkoi Qeverisë së E. Hoxhës të vendoste marrdhënie diplomatike me SHBA dhe të përimirësonte marrdhëniet me Perëndimin. Ky qëndrim, si dhe njohuritë më të plota për regjimin, e larguan Vatrën prej tij, derisa më në fund qeveria komuniste e shpalli ”Vatrën” një organizatë ”tradhtëtare” dhe lëshoi mbi të të gjitha bateritë e saj propagandistike e agjenturore për ta shkatërruar.

Edhe pas kësaj Vatra e lavdishme nuk u shmang nga trajektorja e saj historike. Ajo qëndroi gjithnjë në mbrjotje të Pavarësisë së Shqipërisë, të kufijëve të saj, në mbrojtje të institucioneve, kombëtare e fetare në SHBA e gjetkë, në mbrojtje të të drejtave të popullsisë shqiptare në Ish Jugosllavi.

          Nga ana tjetër, Vatra vijoi kritikat kundër regjimit komunist të E. Hoxhës, duke u bërë një zëdhënse e shquar e aspiratave demokratike pro perëndimore të popullit shqiptar, të cilit regjimi diktatorial ia kishte mohuar lirinë për t’u bashkuar me Perëndimin dhe për të ndjekur modelin e tij politik, social, ekonomik, kulturor e shpirtëror.

Vatra mbështeti me shumë energji ndryshimet demokratike që ndodhën në Shqipëri gjatë viteve ’90 e më tej. Ajo mbajti një qëndrim të vendosur kundër metastazave të shumta të komunizmit që mbijetuan në shtetin, institucionet, dhe në shoqërinë shqiptare, gjatë kësaj periudhe  dhe, sot e kësaj dite, vijon të kontribuojë me qartësi në këtë drejtim. Vatra do të mbahet mend në histori për ndihmën e gjithanshme propagandistike, diplomatike, material e ushtarake që i dha çështjes së Kosovës dhe luftës çlirimtare të popullit shqiptar kundër sundimit serb.

E gjitha kjo platformë do të konkretizohet përmes pesë vëllimeve dhe udhëhiqet nga drejtori i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, akademik Prof. Dr. Beqir Meta me bashkautorë, përmes dokumneteve arkivore.

Editori paraqiti edhe koston e projektit, të ndarë për çdo vëllim të Historisë së Vatrës. Më pas u kalua në diskutime.

       Kryetari Elmi Berisha shprehu vlerësim për projektin e Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një projekt mbarëkombëtar, që nuk i shërben vetëm Vatrës.

Presidenti i nderit i Vatrës, z. Agim Rexhaj, shprehu konsideratat më të larta për Prof.Dr. Beqir Meta, mik i Vatrës dhe anëtar Nderi i saj, autor i librit ”HISTORIA E VATRËS”. Kam besim të plotë, tha ai se ky projekt derisa ka në krye akademikun Beqir Meta, është i garantuar.Unë e mbështes dhe do të jem pjesë e donatorëve së bashku me miqtë e mi, tha z. Rexhaj.

Edhe studiuesi Idriz Lamaj, anëtar i kryesisë së Vatrës dha mbështetjen e tij për projektin, duke e cilësuar atë si një projekt me rëndësi të veçantë për Vatrën. Për herë të parë do të kemi dokumente origjinale të publikuara në 5 vëllime më vete. Botimet me dokumente nga arkivat europiane dhe amerikane kanë vlerë dhe i mbeten historikut të Vatrës.

Edhe Zef Balaj dha mbështetjen e tij. Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu, duke qenë e fushës së Historisë, tha se çmonte projektin dhe jepte mbështetjen e saj.

Merita Bajrktari, anëtare e Kryesisë së Vatrës, e vlerësoi projektin dhe dha miratimin e saj.

Nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj pasi e vlerësoi projektin kërkoi që të votohej nga Kryesia. U miratua në parim projekti. Tash Vatra ka përpara një detyrë të vështirë për të organizuar fushatën e mbledhjes së fondeve. Menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë, kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha, u lidh me akademik Beqir Metën dhe biseduan me detaje për projeketin.

                               ***

Dy pika të rendit të ditës, me ndërhyrjen e Kryetarit Berisha, u spostuan për t’i diskutuar me avokatin e Vatrës, para se të shtrohen për diskutim në kryesi.

 Nënkryetari i Vatrës z. Besim Malota raportoi për problemet e dokumentacionit që kishte ndjekë. Ai përgëzoi punën e Dr. Pashko Camaj, Dr. Skënder Murtezanit, editorit, nënkryetarit Ervin Dine, të cilët me veprimtarinë e tyre e kanë bërë aktive Vatrën

U diskutua edhe zhvillimet në SHBA dhe pozicionin e Vatrës, për proceset politike në Tiranë dhe në Prishtinë etj.

Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha tha se Vatra nuk është e kënaqur me zhvillimet politike në Tiranë dhe Prishtinë. Për këtë qëllim janë mbajtur qëndrime, janë hartuar deklarata dhe janë dhënë intervista, ku janë shprehur qëndrimet e Vatrës.

Kryetari i Vatrës tregoi dhe axhendën e Vatrës për takimet e ardhshme me ambasadoren amerikane në Tiranë dhe personalitete të tjerë të politikës amerikane që merren me Shqipërinë dhe Kosovën.

           Nënkryetari Grishaj e cilësoi të mjerushme gjendjen politike, veçanërisht në Tiranë. E majta në qeveria e ka varfëruar popullin shqiptar dhe ka bërë pakt me krimin.Të gjithë pushtetet janë përqëndruar në një dorë. Ai paralajmëroi bisedimet e degës së Vatrës me ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim.

Në Shqipëri, tha Grishaj, kemi Parti-Shtet, Parlament jo funksional e të komandushëm, Drejtësi të kapur etj… Gjithçka e paguajnë qytetarët, komentoi ai. Probleme dhe mungesë vizioni ka pasë edhe në Kosovë. Vatra duhet të bëjë më shumë për të ushtruar trysni ndaj atyre që me politika dritëshkurtra acarojnë marrdhëniet me Washingtonin. Ai informoi se dega e Vatrës në Michigan po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Amerikë dhe mendon, që të mbështesë fushatën e Presidentit Trump.

Anëtarët e kryesisë diskutuan edhe për strartegjinë për zgjerimin e Vatrës.

       Anëtarja e Kryesisë zonaj Merita B. MCcormak diskutoi për marrdhëniet e Vatrës me Washingtonin zyrtar dhe detyrat që i dalin Vatrës për të ardhmen.

Kur u diskutua për zhvillimet në Kosovë dhe Prishtinë, nënkryetari Besim Malota kërkoi që Vatra t’i kushtojë më shumë vëmendje zhvillimeve në Kosovë.

Dr. Skënder Murtezani, anëtar i Kryesisë dhe kryetar i degës së Vatrës në Queens, NY, u pajtua me projektin e Vatrës për të mbështetë Institutin e Historisë në Tiranë për botimin e dokumeteve arkivore të Vatrës, megjithëse më e drejtë do të ishte që Ministria e Kulturës ta mbështeste këtë projekt me fonde. Ndërsa për zhvillimet në Kosovë ai shfaqi mendimin se Vatra duhet të kërkojë më shumë transparencë në dialogun Kosovë-Serbi. Unë besoj tha ai që dialogu duhet të kthehet tek parimet e Presidentit Klinton, që kur u fillua lufta.

Nënkryetari Alfons Grishaj, shfaqi mendimin se ne shqiptarët i krijojmë prpbleme vetes. Washingtoni thotë publikisht se nuk ka shkëmbim territoresh, Europa po ashtu. Duhet të jemi më të ftilluar; nuk jemi ne që t’i tregojmë botës se si duhen bërë politikat, detyra jonë është që të krijojmë ura për të shkuar në ato politika që janë në favor të shqiptarëve.

        Një nga pikat e rendit të ditës ishte edhe: Rregullimi i medias, dhe propogandës së Vatrës, Websitit, nën autoritetin e Kryredaktorit të Gazetës “DIELLI” Dalip Greca, i mbikqyrur dhe ndihmuar nga Kryetari Elmi Berisha dhe nënkryetari Alfons Grishaj.

Kryetari i degës së Vatrës të Michiganit, anëtar i Kryesisë Mondi Rakaj, pasi falenderoi kryetarin për punën që ka bërë në krye të Vatrës pyeti për kohëzgjatjen e projektit për botimin e Historikut të Vatrës. Përgjigjen e dha kryetari Berisha.

Z. Rakaj tha se dega e Michiganit, duke pasë dhe ndihmën e nëkryetarit Grishaj, do të kontribuojë për ngritjen e degëve të reja në Çikago, Boston dhe në Teksas.

 Anëtari i Kryesisë z. Agustin Mirakaj, informoi se kishte gati degën e re të Vatrës në Manhattan-NY, ku po ndihmon edhe nënkryetari Ervin Dine. Gjithçka, tha ai, është gati. Së bashku me nënkryetarin Ervin Dine po punojmë për dokumentacionin. Shpresojmë që në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë të prezantojmë degën. Presim thjesht të bëhet rihapja e plotë dhe në selinë e Vatrës të bëjmë mbledhjen themeluse të degës dhe të zgjidhet kryesia.

Z. Mirakaj informoi se po bëhen përpjekje që të ngrihet dega e Vatrës në Ohio.

Arkëtari i Vatërs, z. Marjan Cubi, shprehu dakordsinë me pikat e diskutuara dhe me vendimet e marra.

Përshëndeti pjesmarrësit dhe nënkryetari Adriatik Spahiu, kryetar i degës së Vatrës North Florida(Jacksonville).

Përfundimet e mbledhjes i ka bërë kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha, duke i falenderuar pjesmarërsit dhe duke uruar që mbledhja tjetër të bëhet në selinë e Vatrës.

Morën pjesë në mbledhje: Kryetari Elmi Berisha, Presidenti i Nderit Agim Rexhaj,nënkryetarët- Alfons Grishaj, Ervin Dine, Dr. Pashko Camaj, Besim Malota, Adriatik Spahiu, Sekretarja-Nazo Veliu, arkëtari-Marjan Cubi..

Anëtarët e Kryesisë: Zef Balaj, Anton Raja, Agustin Mirakaj, Dr.Skënder Murtezani,Merita B McCormack, Idriz Lamaj, Mondi Rakaj dhe Dalip Greca.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, kryesia e Vatres, Vendime et rendesishme

Europa trojane

June 11, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi/

Flitet sot rreth të kaluarës, por në të shkuarën e shkuarës jo të gjithë mendojnë. Me imagjinatë ajo mund të vizitohet, dhe në një farë mënyre njeriu kupton se e kaluara tepër e largët jo vetëm që nuk është shuar, por në fakt është baza të asaj që sot quhet histori e dokumentuar.

Edhe pse të shkruarit në përgjithësi nuk ekzistonte, kujtesa e asaj që kishte ndodhur, u shpërnda brez pas brezi me përralla e këngë rapsodësh endacakë që përzienin çudira e trillime me faktet e kohës së tyre.

Pastaj, kur koha mori formë, e kaluara e afërt dhe e largët u përballën të hutuara; këngët u mbushën me gjigantë përrallorë e heronj legjendarë dhe u përfshinë në përpjekjet e të gjithë kombeve për të bërë historitë e veta. Nga ky akumulim i ngadaltë i loreve tradicionale dolën legjenda aq interesante sa që u përfshinë në trashëgimitë më të çmuara të popujve, pavarësisht sa të vërteta të ishin. Shumë nga këto histori ishin tepër të lashta edhe për vetë Homerin dhe Hesiodin, të cilët u dhanë atyre një formë gjithëpërfshirëse. Këta autorë u kthyen thellë në kohën primitive të folklorit dhe në vendet e largëta – Egjipt, Babiloni, Kretë, Palestinë dhe gjetkë – duke i sjellë legjendat në kohën e tyre të ngarkuara me përvojë së distiluar.

Bota klasike u edukua me Homerin, bashkëkohësit e Aristotelit kaluan Hellespontin – tani Dardenelet – gjatë rrugës për të luftuar persianët. Aleksandri e pa fushën e Luftës së Trojës si tokë të shenjtë, dhe hodhi valle lakuriq rreth varrit të Akilit – siç bëri romaku Karakalla, i cili e përsëriti këtë shfaqje dhe e imagjinoi veten se ishte Akili. Edhe Jul Cezari, kur kaloi nëpër fushat e Trojës antike, bëri homazhe para rrënojave të saj dhe iu fal perëndive. Shekuj më vonë, Kostandini mendoi të ndërtonte kryeqytetin e ri të Perandorisë lindore Romake në vendin ku dikur shtrihej Troja, por pastaj vendosi të zgjedhë qytetin e fortifikuar të Bizantit si kryeqytet dhe i vuri emrin e tij.

Qysh në kohërat e lashta romake, trojanët e mundur të epikës së Homerit u rimodeluan në heronj të virtytshëm, lavdia e të cilëve mbijetoi nga rënia e kështjellës së tyre. Vetë Homeri thotë se fuqia e Eneas, anëtar i familjes mbretërore trojane, “do të mbretërojë mes trojanëve, dhe fëmijëve të fëmijëve të tij”. Virgjili e bëri Enean heroin e epikës së tij, Eneida, shkruar për të festuar lavdinë e Romës perandorake, duke rrëfyer sesi Enea kishte shpëtuar nga katastrofa që ndodhi në Trojë dhe lundroi në Itali, për t’u bërë themeluesi i popullit romak. Pesë shekuj pas Eneidës së Virgjilit, kur madhështia romake po venitej, shtetasi romak Cassiodorus përgatiti një pemë gjeneologjike të familjes trojane për klientin e tij të ri, Theodorikun e madh, mbreti i Ostrogotëve. Në vitet që pasuan, mbretërit norman të Anglisë gjurmuan prejardhjen e tyre trojane dhe e lidhën atë me mbretin Arthur dhe britanikët.

Nga koha e Homerit, epikat e tij janë treguar dhe rrëfyer në variante të shumta, duke u dhënë theks të freskët dhe kuptime të reja. Për një kohë, gjatë ditëve të errëta që pasuan rënien e botës klasike, ata u lanë pas dore, por kurrë nuk u harruan plotësisht. Tregimtarët dhe artistët e Mesjetës së mëvonshme dhe Rilindjes, i ringjallën ato dhe i kaluan, duke i ri-forcuar, në botën moderne.

Troja mbeti një qytet i gjallë, por jo më pak i vërtetë sepse duhej të imagjinohej.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Europa Trojane

SI E RREZIKOI BOTËN PARTIA KOMUNISTE KINEZE

June 11, 2020 by dgreca

– MBAJTJA FSHEHTË E VIRUSIT  CORONA-19 NGA PARTIA
KOMUNISTE KINEZE SHKAKTOI PANDEMINË QË PO RREZIKON JETËN E
NJERËZVE NË GJITHË BOTËN/ – The Epoch Times sygjeron përdorimin e nji emni ma të përshtatshëm, jo koronavirus, por “Virusi i Partisë Komuniste Kineze”/
BOTOI: THE EPOCH TIMES/

Përktheu: Gjon Kadeli/
Kohët e fundit ka pasë kundërshtime se si me e quejtë këtë lloj
virusi,që ashtë përhapun në gjithë botën. Partia Komuniste Kineze
preferon me e quejtë këtë lloi virusi  “Koronanavirus”.Të tjerët e
quejnë “Wuhan virus.” dmth ,emnin e vendit ku e pat pikënisjen ky
virus,gja që asht e zakonshme me e emnue nji sëmundje.The Epoch Times
sygjeron përdorimin e nji emni ma të përshtatshëm dmth “Virusi i
Partisë Komuniste Kineze”.
Ky emën e mban P.K.K. përgjegjëse, për mosmarrjen parasysh jetën e
njerëzve,dhe si rrjedhim përhapjen e kësaj sëmundje në gjithë botën.
Kjo gjë ka krijue gjithashtu nji frikë të përgjithshme,dhe dame shumë
të mëdha ekonomike, në shumë vende të ndryshme, të cilët po përpiqen
të përballojnë këtë sëmundje.
Në të vërtetë, zyrtarët e P. K. K. e dijëshin që në fillim të
dhjetorit të vjetit të kalue, se sëmundja në fjalë ishte përhapun në
Wuhan; por ata për gjashtë javë, nuk morën masat e nevojshme kundër
kësaj sëmundje. Në të vërtet, autoritetet, ata që u përpoqën të ngrinin zanin, të vinin
në dukje rrezikun e kësaj sëmundje,i akuzuan se po përhapnin
“lajme të pavërteta” dhe përdorën censurën e rreptë të regjimit për
të mos lejue të shkruhej rreth kësaj sëmundje.
Masat për të ndalue përhapjen e virusit, nuk u morën sic duhej dhe
kështu sëmundja u përhap në gjithë Kinën. Qeveria nuk vuni në dukje
numrin e njerëzve që u prekën nga kjo sëmundje. Nga fundi i Kallnorit
kishte njoftime se qendrat e vorrimeve në Wuhan vepronin 24 orë në 7 ditët e javës për të vorrosun të vdekunit. Ndërkohë, masat për të
izolue dhe mjekue popullsinë e Wuhanit ishin shumë antinjerzore, e tuej
rrejtë rreth rrezikut ndaj Kinës. Partia komuniste e shpjegoi cështjen
tuej thanë  se “Partia asht madhështore, e lavdishme dhe e përpikët
(korrekte).”
Mospranimi i faktit, se, virusi në fjalë e pati pikëfillimin në Wahan
të Kinës asht i pa pranueshëm.Bota duhet të dijë prejardhjen e
tij. Megjithë këtë, Kina nuk ka pranue të bashkpunjojë dhe ekspertët
nga jashtë, nuk janë lejue të shkojnë në Wuhan. Pytjeve rreth
origjinës së virusit, Përkundrazi  P. K.K ka fillue fushatën e akuzave,
tuej thanë,se,gjoja Shtetet e Bashkueme janë përgjegjëse për virusin
në fjalë. Në nji mënyrë ose nji tjetër ky problem duhet të përballohet
nga bota.
Në të vërtetë, P. K. K. ka viktimizue popullin e saj , tuej mohue
virusin dhe tashti, don të viktimozojë përsëri, tuej zhvendsë tek të
tjerët përgjegjësinë për veprimet e saj. Kjo gja tregon ma së miri
sepse, emni “virus i P.K.K..” asht i nevojshëm, për të dallue viktimat
nga viktimizuesi.
Populli i Wuhanit dhe i gjithë Kinës janë viktima të arrognacës dhe të
paaftësisë që treguan autoritetet e vendit gjatë kësaj sëmundjeje tejet
helmuese.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, Virusi Partise Komuniste Kineze

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 534
  • 535
  • 536
  • 537
  • 538
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT