• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JULIA GJIKA- Shoh një lajmëtar në këmbë, në diell-Apokalipsi XIX, 17…

June 6, 2013 by dgreca

VARGJE NGA JULIA GJIKA/

Shoh një lajmëtar në këmbë, në diell./

Apokalipsi XIX, 17/

Në sa e sa shtëpi lavdërohet emri i tij /

edhe i atyre që ecin me të./

Sa hapet dita, deri vonë kur mbyllet,/

Kur cdo gjë e gjallë shkon në gjumë të thellë./

Ata si lehonat që ruajnë foshnjat, nuk flenë. /

Në sa e sa shtëpi luten për ta, e në sa të tjera u hidhet balta./

Një tifozllëk i cmëndur ndodh në atë vend.

Të ecësh në rrugë të reja, në bulevarde të gjëra e të gjata

dhe të mos kujtohesh se kush i shtroi?

Të quash rrugë vdekje autostradat?

Aksidentet kanë ndodhur mbi glob,

duke ndenjur duarkryq ndodhin, do tëndodhin.

Garancitë janë përalla!

Të shpenzosh ditët për të lyer me furcë të zezë të mirën,

t’a mohosh atë,

kur ajo shkëlqen si diamanti në diell, në mes të ditës,

mosmirënjohje është, cmirë e mendjeve boshe,

T’i ngrehësh kurthe atij që kalëron në udhën e drejtë

Të mos dëgjosh këngën që këndon,

ai që është nga zemra e dheut,

ai që transplatoi zemrën e re për vendin.

Eshtë njësoj si të mos duash vehten.

Le ti bashkohemi këngës!

Atyre që ferrat dhe macet i gricin në bark

Ata që dinë të numurojnë vetëm humbjet,

Po digjen në ujra liqenesh të zjarrta zilish, pabesish,

Ata po vdesin, po humbin.

Në sa e sa shtëpi lavdërohen ata,

sepse mbajtën besën në udhën e sakrificave.

Tanimë dihet, nga i madh e i vogël ëndrra e tyre.

Ata s’kishin sekrete për atë vend që priste në agoni,

Ata i treguan të gjitha kur u nisën.

Ne i shohim gjurmët e shpresës, ecim në to.

Zogjtë e qiellit janë mblodhur për të festuar.

Bashkë me ta fëmijët, bari më i njomë, i dëndur.

Pranvera shpërtheu perfekte nën qiellin e hapur,

Vaditur nga ujra të pastra kristal të jetës.

Shohim një lajmëtar, në këmbë, në diell,

Si në një natë me re shohim yjet kur cfaqin shkëlqimin

ndricojnë udhën kalorësit dhe ushtrisësë tij

për të mos e ngatëruar udhën e dritës.

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julia Gjika, Shoh nje lajmetar ne kembe, vargje

PERKUJTOHET BEKIM FEHMIU NE NEW YORK

June 6, 2013 by dgreca

KONSULLATA E KOSOVES DHE KOMUNITETI I ARTISTEVE SHQIPTARE PERKUJTUAN NE NEW YORK AKTORIN HOLLIVUDIAN ME ORIGJINE SHQIPTARE, BEKIM FEHMIU/

Nga BEQIR SINA, New York City

EW YORK CITY : Tre vite nga vdekja, dhe 77 vite nga ditëlindja aktori Bekim Fehmiu kujtohet në Amerikë, në një mbrëmje përkujtimore. Me rastin e ditëlindjes së tij (1 qershor 1936), dhe përvjetorit të tretë(15 qershor 2010) të ndarjes nga jeta të aktorit me famë botërore Bekim Fehmiu, Konsullata e Përgjithëshme e Republikës të Kosovës në New York, në bashkëpunim me komunitetin e artistëve shqiptaro-amerikanë organizoi një mbrëmje përkujtimore në nder të aktorit të madh. Kjo mbrëmje për jetën dhe veprën e këtij artisti shqiptar, u mbajtë mbrëmë në Studion Fadil Berisha, vetëm një bllok larg nga Broadway – bulevardi i “Hollivudit” të Nju Jorkut, ndërsa e moderojë bashkëshortja e aktorit të njohur të komunitetit Luan Bexheti , zonja Rejhan Ismani-Bexheti

Shumëpersonalitete të nderuara të komunitetit tonë, diplomatë, artist, aktor, muzikant, gazetar, biznesmen, veprimtar dhe aktivist të shquar, televizionet e komunitetit shqiptaro amerikan, gazetat e komunitetit, u mblodhën së bashku për të kujtuar jetën dhe veprën e këtij gjiganti të kinematografisë, përmes diskutimeve, video klipeve dhe filmave në të cilat artisti magjik Bekim Fehmiu ka aktruar magjishm.

Në këtë “Mbrëmje Homazh” për aktorin shqiptar me famë botërore ka qenë i pranishëm edhe Ministrii për Kulturë Rini dhe Sport (MKRS), zoti Memli Krasniqi, i shoqëruar nga Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, të cilët gjenden në New York në kuadër të pjesëmarrjes së Kosovës në Forumin e Tretë Ndërkombëtar mbi Sportin për Paqe dhe Zhvillim, që po mbahet në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, nën organizimin e OKB-se dhe KON-it. Uran (Selimi) Fehmiu nipi i aktorit Bekim Fehmiu, dhe aktoria Leze Qena, të cilët e përshëndetën shkurtimisht me kujtime këtë mbrëmje kushtuar legjendës së kinemasë Bekim Fehmiut.
Përvjetori i tretë i vdekjes së Bekim Fehmiut dhe shtatëdhjetë e shtatë, vjetori i ditëlindjes së tij, u shoqërua me një Koktejl në Studion Berisha me verën Stone Castele e pronarit Rustem Geci , ku muret e së cilës përreth kanë qenë të mbushura me fotografi të skenave të filmave në të cilët ka luajtur ylli i kinematografisë. Ndërkohë që në ekranin e madh me vido-projeksion shfaqeshin insrete nga filma ku aktori me nam ka qenë protagonist, përgatitur nga producenti Adem Belliu.

Ambasadori Bekim Sjediu, Konsulli i Përgjithëshëm i Kosovës, tregojë qëllimin se përse ata kishin zgjedhur qershorin për të përkujtuar artistin tonë të madh, sepse, tha ai në këtë muaj ai ka lindur (1936) dhe ka ndërruar jetë (2010) .

“Kjo mbrëmje përkujtimore, tha ai është modeste, kundruall gjurmëve të pashlyeshme që personaliteti i Bekim Fehmiut ka lënë, jo vetëm në kinematografinë, por edhe në jetën dhe krenarinë kombëtare të secilit prej neshë .” Këtë mbrëmje e bëjnë edhe më domethënëse, sipas Sejdiut, prania e shumë personaliteteve të shquara, ku ai veçojë familjarët e Artistit Bekim Fehmiu, nipin Uranin dhe, sigurisht, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të RKS, z. Memli Krasniqi dhe Kryetarin e KOK-së, zotin Besim Hasani, dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë Dritan Mishto
“Ne kemi poashtu, tha ai një privilegj të veçantë që kemi ne mesin tonë , përveç familjarëve edhe disa personalitete të spikatura të artit, kulturës dhe gazetarisë shqiptare, në Kosovë dhe diasporë , do veçoja artisten tonë me nam znj. Leze Qena, të cilët kanë patur fatin e madh të njihen dhe bashkëpunojnë personalisht me Bekim Fehmiun.”

Ambasadori Sejdiu, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, në fillim të fjalës së tij ka treguar një histori personale shumë interesante nga fëmijëria tij me Artistin Bekim Fehmiu,

” Emri i Bekim Fehmiut, tha zoti Sejdiu tejkalon përmasat kombëtare dhe rajonale. Ai ka bërë emër që nuk do e shlyel asnjëherë pluhuri i harresës, në botën e filmit dhe kinematografisë. Ai ka aktruar në shtatë gjuhë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe së bashku me aktor të njohur si: Ava Garnder, Irena Papas, John Huston, Claudia Cardinale, James Coburn dhe të tjerë. Por për ne, emri i Bekim Fehmiu ka një vlerë dhe simbolikë edhe më të madhe, sepse ai ka lartësuar emrin dhe krenarinë tonë kombëtare në përmasa globale. Në vitet e 1960′ dhe 1970’ta, kur në kinematografinë e ish-Jugosllavisë filloi të ngritet furishëm ylli i quajtur Bekim Fehmiu, emri shqiptar asoconte me stereotipin e sharragjiut apo furragjiut. Ishte Bekim Fehmiu që theu keto klishe paragjykuese dhe i tregoi, së pari fqinjëve e pastaj edhe botës se ne jemi një komb i madh, pikërisht sepse kemi dhënë dhe mund të japim artist të mëdhenjë . Dhe nuk ishte vetëm preardhje e tij shqiptare, por edhe fakti se ai ka mbrojtur identitetin e tij shqiptar me këmbënguljen e një artisti dhe krenarinë e një shqiptari; siç patë dëshmuar në vitin 1987 kur në shënjë proteste për shkak të politikës disktriminuese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, barktis teartrin e Beogradit dhe karrierën artistike përgjithësisht.” tha Ambasadori Bekim Sejdiu.

Në fund të fjalës së tij Ambasadori Sejdiu, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, falënderoj pjesëmarrsit dhe një falënderim të veçantë për fotografin Fadil Berisha, për faktin se vendosi në disponim falas studion e tij për organizimin e kësaj mbrëmjeje. Zoti Sjediu falënderoj edhe aktorin Luan Bexheti dhe bashkëshortën e tij, Rejhanën, për përkrarhjën organizative dhe stafin e Konsullatës, sidomos Konsullin Zajmi që kishte bartur barrën kryesore organizative.

Ministri i Kulturës së Republikës së Kosovës Memlin Krasniqi tha se Kosova së fundmi ka akorduar çmimin me emrin e Bekim Fehmiut dhe ishte kënaqësi që në edicionin e parë të këtij çmimi trofeu ti jepej një miku të Bekimit një njeriu që e kishte ndjekur hap pas hapi dhe të cilin e kishte dhe shok edhe mik edhe model , Faruk Begollit.

“Fehmiu ka patur një vlerë të madhe në skenën tonë kulturore përkundër faktit që shpesh përmendet se ai veproi në të shumtën e kohës jashtë Kosovës dhe në kinematorgrafinë e vendeve të ndryshme, porse ai me të vërtetë krijoi një model të artsitit rreth të cilit për vite me rradhë në Kosovë janë edukuar breza të tërë të artistëve para së gjithash në Akademinë e Arteve të Kosovës. Prandaj unë mendoj se ne të gjithë si shoqëri duhet ta nderojmë jo vetëm në datat e caktuara por gjithmonë. Janë të shumtë ata të cilët në Ballkan do kishin dëshirë ta kishin Bekim Fehmiun të vetin por ai parasëgjithash është i yni, e më pas është i të gjithëve sepse ai me punën e tij ishte një njeri universal.”

Folësi kryesorë, gazetari Hys Shkreli, vëllai i Azem Shkrelit, poetit të madh të letërsisë shqipe të shekullit XX, tha se:” Bekim Fehmiu aktrojë jetën, aktrojë edhe vdekjen. Simolikisht, ai gjatë jetës vdiq shumë herë dhe gjithnjë u ngritë. Me vdekjen, ai shkojë, mirëpo ne e takojmë çdo ditë, nga faqet e gazetave revistave, librave e deri tek ekrani dhe çdo ditë flasim me të. Fehmiu, nuk vrau vehten, siç u tha, Bekimi nuk e vrau Bekim Fehmiun: Atë e vrau koha e ligë.”

Shkreli u shpreh se vdekja e Fehmiut, nuk ishte ndarje, nuk ishte vdekje, por ishte një protestë, ishte revoltë, vullkan. Mbasi, disa vite para vdekjes, ai zgjodhi heshtjen si armë, mirëpo edhe heshtja e tij fliste. Filmat e tij flisnin për një talent të pashëmbult, kurse heshtja për një mllef, pakënaqës e pezëm në ngjarjet që zhvilloheshin rreth tij, si në jetën personale ashtu edhe në ambientin e rrethin ku jetonte.

Bekim Fehmiu lindi e vdiq ne Qershor, tha Shkreli, shpirti i tij shkojë lartë në qiell, tek pushojnë yjet, kurse trupi rrodhi lumit shqiptar të Prizrenit për të u bashkuar me det e detra të kulturave të botës, ashtu siç rrjedhte filmi i tij dikur.

Në fund Shkreli konkludoi duke thënë se:”Në Kohën kur në Kosovë e Shqipëri po përpiqemi të hyjmë në Evropë, kariera e Bekim Fehmiut nxitë e inspiron në këtë udhëtim. Sepse, në Europë nuk hyhet vetëm me nënshkrime marrveshjesh, traktatesh,e liberalizim vizash. Në Europë, më së pari hyhet me kulturë. E Bekim Fehmiu, na bëri europjanë atëhere kur Europën e kishim shumë larg. Atëhere kur Europa na kishte harruar tërësisht” theksojë gazetari dhe poeti Hys Shkreli..

Aktrimi si një ‘mision dhe bekim’

Gazetari i RTK në Amerikë, Sulejman Gashi, duke folur për aktorin shqiptar me prejardhje nga Kosova, Bekim Fehmiu, i cili në kulmin e karrierës së tij do të konsiderohej si aktori më i njohur në Perëndim nga ish Jugosllavia dhe Evropa juglindore, me disa projekte mjaft të suksesshme filmike në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, tha se ai do të mbetet edhe në historinë e Hollywood-it dhe kinematografisë amerikane.

“Në komentet e ndryshme në Kosovë, tha zoti Gashi, pastaj në hapësirën e asaj që dikur quhej Jugosllavi, në të gjitha republikat tani shtete të pavarura, fjalia më e dëgjuar ishte ‘aktori më i madh, më i suksesshmi, më i miri i hapësirës sonë.’

Shqiptaro-amerikanët, vijojë Gashi, e kanë ndjerë dhembjen e ndarjes parakohe dhe tragjikisht nga jeta të aktorit që ishte krenari e tyre kombëtare. Ashtu siç ka deklaruar me një rast Bekimi se ‘me punën time doja të fisnikëroj popullin tim’ ai e arriti këtë duke na bërë të mburremi me emrin e tij, ndërkaq për veten e vetë ai shkoi në përjetësi sublime kur thotë ‘për mua aktrimi ishte një punë misionare dhe një bekim.’ Ashtu edhe ishte.”

Skenografi e piktori Andis Gjoni, regjizor i njohur, në atdhe e komunitet, për gazetën tonë thotë:” Sa më tepër kalon koha aq më tepër vlera merr figura e aktorit të shquar shqiptar Bekim Fehmiu të cilin e kujtojmë sot në tre vjetorin e ndarjes nga jeta. Në të vërtetë artistët e mëdhej kurrë nuk ndahen nga ne, ata i kemi në mes tonë me filmat dhe veprat që na kanë lënë. Kur shikon morinë e filmave dhe roleve të realizuara nga ky aktor botëror emocionohesh dhe mbushesh me krenari për talentin e shpirtit shqiptar të cilin më së miri arriti ta përcillte ky kolos i skenës dhe ekranit. Eshtë e vërtetë që pothuajse të gjitha rolet ai i realizoi jashtë kufijve të trojeve shqiptare, kjo si pasojë e kushteve politike të kohës, por nëse kemi parasysh kontekstin në të cilin u zhvillua jeta e këtij artisti mendoj se do kishte qenë një humbje shumë e madhe sikur ai mos kish patur mundësi të shpërfaqte ashtu siç diti talentin dhe karakterin e një mjeshtri të madh kudo që ishte. Përpara figurës së këtij artisti ne sot përkulemi me nderimin më të madh. Ashtu siç e pati jetën Bekim Fehmiu e pati edhe vdekjen, me një largim sa të dhimbshëm aq edhe spektakolar, në fund të fundit gjeniu nuk mund të gjykohet ai vetëm mund të falenderohet” tha Gjoni.

Aktori shqiptar që i dha fund jetës në shtëpinë e tij . Në 15 qershor të vitit 2010 ai u vetëvra në moshën 74-vjeçare. Bekim Fehmiu lindi më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë. Ka jetuar në Shkodër dhe Prizren, për të vazhduar studimet dhe karrierën në Beograd. Ai ka aktruar në 41 filma deri në vitin 1998. Ka pasur role në shqip, serbokroatisht, spanjisht, anglisht, në gjuhën frënge, italisht dhe maqedonisht. Fehmiu ka lënë një përshtypje të madhe me stilin e tij prej një intelektuali të madh dhe një aktori që ka ditur ta bëjë edhe jetën e tij një lojë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bekim fehmiu, nga Konsullata e Kosoves, perkujtohet ne New York

SHSHA i thotë Ilir Dedës se çështja shqiptare ende nuk është zgjidhur në Maqedoni

June 6, 2013 by dgreca

Nga Skënder Karaçica-Chikago/

Përkitazi me çështjet aktuale shqiptare në Ballkan,këso kohe sikur është bërë modë e ditës që nga qarqet e (analistëve)me tonet bulevardeske po dalin me ,,vlerësime,,të ngutshme dhe herë-herë jashtë kontestit politik,historik dhe shkencor të kohës,kështu e nis reagimin SHSHA-ja në Çikago që ka të bëjë me paratijen e tij publike të Ilir Dedës(Instituti për hulumtime politike-KIPRED).
Në vlerësimet hulumtuese politike që i kushtohen çështjes shqiptare në Maqedoni,Ilir Deda rreshqet mbi tezat e tij dhe mundohet të krijojë opinion kur thotë,,Shqiptarët do të themelojnë bashkësinë e komunave të tyre në Maqedoni,,.Nuk e dimë se a është në dijeni (analisti)i KIPERD-it në Prishtinë se populli shqiptar me 40 për qind të përberjes kombëtare nuk është pjesë shtetformues me Kushtetutën e këtij vendi si dhe statusi i komunave të pushtetit lokal sipas standardeve të Konventës Europiane.Sa për komentin tonë të SHSHA-së,fjala vjen,komuna e Strugës tash sa vjet ende nuk e ka të definuar statusin e vet (me ligjet e pashkruara)për pushtetin lokal,ndërkaq I.Deda duke mos e njohur mirë aktualitetin politik ndër vite të çështjes shqiptare në Maqedoni,del me kësofarë tezash që fund e krye janë,,modeli,,i regjimit serb në Beograd për pakicën serbe në Kosovë.
Tutje,ky asociacion politiko-kombëtar i SHSHA-së ia sheh për të madhe Ilir Dedës që bënë krahasime kuturu dhe që janë jashtë kontestit të kohës shqiptare.Si është e mundur,e pyesim I.D.që sipas tij kryeministri aktual(Nikolla Gruevski)nuk dëshiron që ta çojë vendin e tij në NATO,ndërsa shqiptarët dëshirojnë anëtarsimin në NATO(!).Kjo nuk i qendron kohës Ilir Deda,thotë SHSHA-ja në Çikago,
ndonëse populli shqiptar i ka problemet e veta të pazgjidhura kombëtare e sa për dëshirën për anëtarsim në NATO këtë po e thonë pajada disa nga udhëheqësit politik shqiptar sa për konsum të vagës politike!
Analisti Ilir Deda del para opinionit sa për të thënë diçka ashtu si e ka zakon ,,rrallë e për mall,,(!)dhe kur flet për marrëveshjen Beograd-Prishtinë,këtu ironia e tij kalon çdo kufi dhe shkon aq larg sa na kujton kohën kur regjimi serb i S.Millosheviqit tregonte,,rrezikun,,që u kanosej pakicës serbe me rastin e shpërnguljes (pa dhunë)nga Kosova.Paqartësitë e marrveshjes në Bruksel e kemi thënë publikisht Ilir Deda,do të jetë sherri të pragu i shtetit të Kosovës edhe për njëqind vjet.Mos u merakosni shumë se serbët nuk do të braktisin Kosovën Ilir Deda,kështu i thotë SHSHA-ja në Çikago.

Filed Under: Komente Tagged With: cehtja shqiptare en Maqedoni, e pazgjidhur, i thote Ilir Dedes, SHSHA, Skender Karacica

E FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT; ZYBA HYSEN HYSA

June 6, 2013 by dgreca

“NJË KRAH DRITË…”, CIKEL POETIK NGA ZYBA HYSEN HYSA/

PATINAZH MBI AKULL…/

Edhe mbi akull,/

Unë luaj patinazh mrekullisht,/

Në majë – hapat e mia,/

Që prekin faqet rrëshqitëse,/

Si një fllad pranvere shkarazi mbi degë,/

Unë mbjell pranverë,/

Përmes plasaritjeve,/

Si xham kristal të akullit,/

Çelin burbuqet e shpirtit,

Aroma e tyre,

Deh dhe rrëmben në krahët e mi,

Imazhin tënd,

E salla,

Kthehet oazë…

Ti,

Nuk di nëse më rrotullon,

Edhe në vallëzim patinazhi,

Unë me hap – flladin tim,

Ndjehem mirë,

Edhe kur vallëzoj mbi akull…

Pas dimrit,

Ka pranverë…!

 

 

NJË KRAH DRITË…

 

Në rrugëtimin

E udhëve të pjerrëta e të errëta,

Që përfundonin me hone,

Shpesh,

Një rreze dritë si vetëtimë,

Më shumë më verbonte,

Se më ndrinte…

Hapat hidhja…

Si një i verbër, kontrolloja udhën,

Me shkopin e intuitës,

Herë,

Pas një zëri,

Që pa e ndjerë dilte nga shpirti

E jehonën e dëgjoja përkarshi…

Ç’udhë e gjatë,

Udhë,

Ku asnjë nuk u bë krah,

Që të mbështetesha të mos bija,

Asnjë dorë nuk u dha,

Që, kur bija, të çohesha…

Pa pritur,

U shfaq një krah drite,

Që s’e kam krah të mbështetem,

As dorë të më ngrejë,

E kam dritë…

E kam dritë,

Për shpirt!

 

DHE STINET NGATËRROHEN…

 

Ka raste Maji nuk vjen fare,

Flladi nuk çel përmbi degë,

Nuk dëgjohet,

As këngë e zogjve nëpër brezare,

As dallëndyshja,

S’gjen dot folenë…

 

Shpërbëhen stinët,

Të katra në një,

Emrat e tyre si në tornado,

Aqsa dëgjohen… mbeten pa zë…

 

Raste të tjera…

Ku Maji vjen veçse pak ditë,

Me afshin e Majeve qe s’i la era,

Fryn fllad – flladi,,

Tërbohet pranvera,

Brenda gji – oazës – shpirt…

 

Tani… thonë që kalendari,

Shënon Qershorin – Verë,

Porse… Maji mbërthyer në degë,

Nuk do të kalojë…

Diçka që ia do shpirti,

S’e ka arritur,

Dhe nuk pushon,

Nën lutje fjalësh,

Ashtu si Marsi Shkurtit,

Disa ditë hua,

Qershorit – Verë i kërkon…

 

Prapë stinët ngatërrohen…

Kudo shikohet anomali…

Ashtu si njerëzit që dashurohen,

Dhe stinët… presin,

Një ditë të bien,

Në dashuri…

 

 

 

LEJLEKET

 

Sa herë lexoja tregime… poezi me lejlekë,

A përrallat që nëna më tregonte për ta,

Se ç’pësonte qenia ime, bëhej me fletë,

Ëndërroja jetën… si foletë e tyre… lart…

 

Kurrë nuk më kanë pëlqyer kanarinat,

As cër… cër – retë e trumcakëve në ferra,

Tmerrohesha, kur dëgjoja të klithnin grifshat,

Të mos përmend më, fluturakët harabela…

 

Dallëndyshet më sillnin ngazëllim pranvere,

Por trishtim më linin… kur larg shtegtonin,

O zot i madh, qyqen e dëgjoja me dhembje,

Më trimëronin shqiponjat, kur lart fluturonin…

 

Sot që vitet kanë rendur me mua, pa mua,

E zgjuar apo, në gjumin e detyruar letargjik,

Përherë si lejlekët folenë e tyre, kam luftuar,

Me thonjtë e mi jetën ta nxjerr lart në dritë…

 

Pse të fsheh burim dritën tënde mistike,

Që ne e emërtojmë me fjalën, Dashuri,

Më jep krahë e kthehem në masë drite,

Si lejlekët jetoj mbi tokë, atje… në lartësi…

 

NUK MUND TË URREJ…

 

Si s’ më mësove… që dikë të urrej,

Urrejtjen, o nënë, thoshe, mos e afro,

Të ligut, ligësinë, me mirësi t’ia kthej,

Veç të fshehtat, më këshilloje, mos i trego…

 

Të ligun… më mirë ta mbash ngjitur,

Në afërsi dhe vështrimin e syve i dallon,

Në ligësi … shkëlqejnë si ujk i uritur…

Në zhgënjimet e tij, suksesin tënd shiko…

 

 

NË MË KE TË SHTRENJTË,

MBRO TË SHENJTËN TIME

 

U këputet filli hyjnor i nënës,

Fiket drita e diellit, e hënës,

E shpirti im në errësirë,

Stalaktit i ngrirë…

 

I ndjen baba këto drithërime,

Kjo zemra ime si gjethe në erë,

Në më ke të shtrenjtë,

Mbro të shenjtën time,

Ku vite më parë,

Aty më strehove,

Për të më sjellë në jetë….

 

UNIVERSE…

 

Në universin tim treten,

Ashtu si floku i borës mbi det,

Miliarda të tjerë universe,

Veç universi ynë nuk u tret…

 

Çdo gjë në bote është e gjallë,

Papandehur gjallësia shteron,

Dashuri, e pse je veç një fjalë,

Je universi… që veç frymon…

 

ZJARRMI E UJEZUAR

 

Si vallë s’u çmall vala me bregun?

Është keq kur uji përfshihet në flakë,

Zjarrmi e ujëzuar kalon edhe zhegun,

Vala tërbohet e kthehet në dallgë…

 

Sulet drejt bregut ti hidhet në qafë,

Magjia e tij e shndërron në shkumë,

Vala nga dallgë, kthehet stërkalë,

Stërkalat – lot malli… det i pagjume.

 

FEMRA SHQIPTARE…

 

Kush me dëshirë të fal liri?!

As nëna foshnjës, për perëndi!

Ndaj gjithsecila, me thonj të zhvatë,

Rrjetën e dhunës që ka përqark!

 

Sa kohë të ketë pushtet mashkullor,

Dyfish e shtypur do të jesh në jetë,

S’ke pse e quan veten të gjorë,

Por ngriu… lufto me dinjitet!

 

LUMI SHKUMBIN…

Shkumbin…

Rrjedhën ndoqa,

Mbi shkrepa… hone,

Bashkë me ty,

Përgjakur… sfilitur…

Shkrep me shkrep… kokën goditur…

Çfarë s’ndjeva… çfarë s’pashë,

Gjer në prehrin… e detit rashë…!

Si varke mbi valë u preha pak,

Por vala me valën u bënë bashkë,

Në dallgë,

Mbi dallgë,

Nën dallgë nuk rashë…!

 

FEMRA…

 

Është e brishtë…

Natyra kështu e krijoi,

Për të thyer ashpërsinë e burrit,

Por jo burrërinë…!

Fali pak burrëri,

Të veshë me brishtësi!

 

EJA…

 

I kam kënduar dashurisë me zë bilbili,

Edhe ku përjetësisht e dënuar me burg,

Më shfaqeshin peizazhe lulesh… tërfili,

Ndër pyje simfoni zogjsh… gurgullima çurg….

 

Nuk më lodhi kënga… s’ishte këngë vaji…

Dashurinë s’e pengojnë telat me gjemba,

Ajo vjen e hyn mistershëm tek ne, si ajri,

Është ajri që frymon dhe jeton zemra!

 

Eja, pra, të besoj, se vërtet është dashuri,

Më pas, le ta lidhin, ta burgosin për jetë,

Se prangat, dashuria, këput si magji…

Udhën për tek zemrat e merr si shigjetë!

 

NGJYRAT E JETËS…

 

Ngjyra gri, nuk më pëlqen, por dua,

Grinë e jetës, si të grindtë ta jetoj…

Dhe ngjyra e zezë, duhet pranuar,

Që të çelurat ngjyra të dallojmë…

 

E zeza, grija, bashkë me nuancat,

Zgjojnë brenda nesh shqetësim,

I falem shqetësimit… maten forcat,

Drejt të çelurat ngjyra të arrijmë…

 

Nëse e zeza, grija… nuancat krejt,

Nuk do të ishin pjesë e jetës sonë,

Të çelura ngjyra… nuk do të ketë,

As jeta… jetën, s’do ta gëzojë…

 

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: e ftuar, ne Sofren Poetike te Diellit, Zyba Hysen hysa

JO INKUIZICIONIT ISLAMIK NE KOSOVE!

June 6, 2013 by dgreca

Çështja e shamisë është vetëm maja e Icebergut islamik në Kosovë, e kurrkush nuk e di se sa i madh është Icebergu (shkëmbi lundrues i akullt), askush nuk e di se çfarë vëllimi fshihet nën ujë. Jo, jo, shumë mirë e dimë dhe kuptojmë se ku qëndron e vërteta e kësaj dhembshurie për nënat, motrat dhe gratë tona/

Shkruan: Fahri XHARRA/

Jo, inkuzicionit islamik në Kosovë.!/

“Nuk ekziston popull tjetër në Ballkan, as ai i Greqisë së re, që mund ta ndjekë historinë e fisit të vetëm ashtu me rend kronologjik, qysh prej kohëve më të lashta gjer në ditët tona, sikurse populli shqiptar”. (Shkenctari hungarez Lajosh Taloci (1834-1916) )

Shteti duhet të bëjë infrastrukturën ligjore dhe fillimisht lënda e fesë islame të futet si lëndë në fakultete (Amir Ahmeti.) fillimisht dhe çdo gjë fillon fillimisht, kurse përfundimisht nuk dihet. Nuk dihet së paku publikisht se planifikuesit e dine mirë se deri ku e kanë qëllimin. Andaj, kërkuesit në emër të kërcënimit nëse nuk plotësohet ”dëshira” e tyre, nuk do të votojnë ligjet, do të ikin nga koalicioni, etj.

Braktisja e koalicionit

Pra, e kuptuat që fjalën e kam për komisionin qeveritar për shami në shkolla. Ku je Kosovë? ” Burimet e gazetave kanë thënë se kryeministri i vendit, vendimin për krijimin e një komisioni të tillë e ka marrë pas disa kërcënimeve që ai ka marrë nga deputeti i PD-së, Amir Ahmeti, dhe nga disa deputetë të tjerë të PD-së, se do ta braktisin koalicionin dhe nuk do t’i votojnë shumë ligje në Kuvend”, Shumë bukur! E vetëm edhe ketë e kemi mangu, se të gjitha punët e tjera janë rehatu, i tërë populli i Kosovës punon, të gjithë jemi të arsimuar me shkolla të mesme dhe fakultete. Po s’kanë faj këta, kur vijnë turqit që donë edhe historinë të na ndërrojnë e pse jo edhe të na kthejnë me qindra vite mbrapa. Por një gjë e di se fëmijët e mi nuk do të shkojnë në shkollë nëse u imponohet lënda nga feja, këtë e di shumë mire se kjo nuk do të ndodhë kurrë”, shkruan një lexues në një portal. Kurse tjetri brengoset edhe më shumë: ” Urime Kosovë urime shqiptari, lindja e errësirës dhe e mesjetës në Kosovë, Kosova po shkon me hapa të sigurt drejt mesjetës dhe urrejtjes fetare e me këtë edhe një lufte fetare (qytetare) lamtumirë përgjithmonë Kosovë jo vetëm nga unë, po edhe nga më shumë se 40% të rinisë ……” Brengë e madhe popullore!

Kosova, shtet laik

Kirsch Jonathan në librin e tij “The Grand Inquisitors Manual: A History of Terror in the Name of God.( Historia e terrorit në emër të fesë) e përshkruan kohën më të errët, atë të inkuizicionit në Evropë. Një doracak për inkuizitorët e shpjegonte qëllimin e dënimeve inkuizicionale…sepse dënimi nuk është i lidhur me korrigjimin e atij që dënohet, por për të mirën publike, në mënyrë që të tjerët të tmerrohen dhe të ikin nga e keqja që mund t`u vijë. Pra? Çka thoshte inkuizicioni dhe se kujt i drejtohej? Besimtarëve të vet me mundësi absolute për frenimin e çdo gjëje përparimtare. Ata nuk donin që të lëvizin gjërat me kohën. Prapambeturi. Dhe, falë kësaj periudhe të errtë, Evropa ngeli prapa mbi 300 vjet. Po neve a po na kanoset një inkuizicion islamik i llojit të vendeve më të errëta? Po. Çështja e shamisë është vetëm maja e Icebergut islamik në Kosovë, e kurrkush nuk e di se sa i madh është Icebergu (shkëmbi lundrues i akullt), askush nuk e di se çfarë vëllimi fshihet nën ujë. Jo, jo, shumë mirë e dimë dhe kuptojmë se ku qëndron e vërteta e kësaj dhembshurie për nënat, motrat dhe gratë tona.  “MASHT-i respekton Kushtetutën dhe ligjet që janë në fuqi. Në këtë rast, sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 8, thuhet se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. Në bazë të kësaj, MAShT-i me udhëzimin administrativ për Kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta ka përcaktuar rregullat e institucioneve arsimore të Kosovës. Kurrikula e Kosovës e cila është në fazën e pilotimit nuk përcakton ndonjë lëndë më karakter fetar”. Përfundimisht jo. Jo me J të madhe. Boll mo!

Gjuha fyese e imamit

Ende pa hyrë në jetë ligjet islamike në shoqërinë tonë na dalin paralajmëruesit me kërcënimet e tyre me këshilla për moralin. Dhe maja e Icebergut duket shumë e vogël.
Ja një përgjigje dinjitoze për atë se çka po na ”këshillohet”.
“Të dashur miq, kurrë në jetën time nuk kam dëgjuar të fliten kaq shumë fjalë fyese denigruese, të fëlliqura për gratë, vajzat, sa sonte në një video, ku një imam nuk lë gjë pa thënë kundër grave shqiptare. Është e paprecedent që një udhëheqës fetar të fyejë gjithë gratë e një kombi, t’i shpallë ato të pamoralshme, të përdorë gjuhë denigruese, fyese dhe gjuhë të urrejtjes, të bëjë thirrje që ato të hidhen në rruge si leckë, sepse qenkan të pamoralshme sipas kutit të tij. Kjo gjuhë fyese dhe urrejtjeje është shkelje e Kushtetutës, është thirrje për dhunim të lirive njerëzore. Kërkoj nga Bashkësia Islame që të distancohet publikisht nga ky imam dhe të gjithë ata udhëheqës fetare që në vend të edukojnë po helmojnë të ardhmen e këtij vendi, të rinjtë. Kërkoj gjithashtu nga mediet që të mos u japin hapësirë këtyre njerëzve të sëmurë, por të raportojnë me kriticizëm veprimtarinë e tyre. Besoj që edhe institucionet do t’ia japin përgjigjen e merituar”. (Alma Lama). 
Kreu i këtij komisioni për shami dhe mësim fetar, Amir Ahmeti, ka thënë se kërkesën për një komision të tillë ia ka paraqitur kryeministrit pas kërkesave të shumta që ai ka marrë nga elektorati i tij dhe nga qytetarët për këtë ndalesë që u është bërë me Udhëzimin administrativ që ishte nxjerrë nga MASHT-i. Sa i madh qenka ai elektorat?
Ishte vetëm maja e Icebegut islamik në Kosovë.
E dimë ne që po mundohen të na fusin në vorbullën e vrimës së zezë.
“Perëndi e trimërisë ishte mëm’ e Shqipërisë”, thoshte Naimi dhe vazhdon: “Gjithë ç’jemi shqiptarë, jemi një fis e një farë, kemi të tërë një shpresë, një gjak, një gjuhë, një besë, besë kemi perëndinë. Dhe ligë vëllazërinë, jemi gjithë shqiptarë. S’jemi të çar’ e të ndarë. Jemi shtëpi e fëmijë, At’ e mëm’ e bir e bijë”.

Fahri Xharra  05.06.13

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fahri Xharra, Jo inkuzicionit islamik, ne Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5411
  • 5412
  • 5413
  • 5414
  • 5415
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT