• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ENVER MEMISHAJ,PROFILI I NJE STUDIUESI NË NJË LIBËR

June 6, 2013 by dgreca

NGA QAZIM SHEHU/

Enver Memishaj gjithnje e me teper po dëshmon se puna përkushtuese, studimi hulumtimi dhe nxjerrja nga harresa e fakteve te mbuluara prej historiografisë së vjetër , jo vetëm është një moto e tij, pasion vullnet, por edhe nje detyre qytetare ,atdhetare, e cila kerkon kembëngulje skrupolizitet dhe lodhje.Pas librit të suksesshem për Ahmet Lepenicën ku ai vendosi raporte të reja njohje për Luftën e Vlorës,1920, dhe përmbysi larg çdo tendence ideologjike disa mite te sajuara prej komunizmit,Enveri vjen me një libër të ri :”Prefektet e Vlorës”.Botimi i autorit në këtë fushë, plotëson një boshësi njohjeje, dhe sjell duke shtruar nevojën e konfirmimit të vlerave të atyre personaliteteve të cilët e u gjendën në krye të njësive administrative të shtetit shqiptar në kohë të qeta dhe të vrullshme, për të dhënë ndihmeën e tyre në sendërtimin dhe përhapjen e ligjit në shtresa të popullsisë.

Nganjëherë historia e shtetit shqiptar kapet në kulmet e saj dhe figura të cilat janë vendosur në të, vetëm duke shikuar nivelet më të larta dhe harrohet se historia është më e gjërë, më verikale dhe ka nevojë të njihet e të kompletohet në krejt tablonë e saj.Një studiues serioz niset nga parime të veçanta nga metodologjia e kërkimit dhe ballafaqimit , pa fshehur gjë.Autori ka bërë një kombinim të shkëlqyer të jetës së këtyre figurave me fatet historike të kombit shqiptar,pra, ai e ka parë atë në dritën e fakteve dhe ngjarjeve historike të kombit dhe sidomos të Qarkut të Vlorës, një Qark i rëndësishëm ku është prodhuar histori e lavdishme në sendërtimin dramatik të shtetit shqiptar e ku tendencat e shteteve shoviniste kanë vërshuar gjithnjë drejt tij për sabotimin dhe prishjen e imazhit të shtetit tonë, por, dihet se popullsia patriote e kësaj treve i ktheu këto tendenca drejt shpërbërjes së tyre.

Vlora si një bastion i shqiptarizmës nuk mund të kuptohet edhe pa punën dhe përkushtimin e këtyre shtetarëve të cilët me mundësitë e shtetit shqiptar u munduan dhe ia arritën jo vetëm të shtrijnë ligjitn në indet e shoqërisë, pavarësisht rrethanave dramatike në kthesa të shpresave të mëdha ,por edhe të faktorizojnë një frymë shtetformuese me shembullin e tyre.Enver Memishaj e merr historinë e këtyre prefekteve që nga viti 1912 e deri më 1992.Nga viti 1947  deri më 1994 ky institucion i Ligjit u zevendësua me sekretarët e parë të partisë së punës,një institucion i diktaturës komuniste që ndërpreu traditën e shtetformimit duke e zevendësuar me partinë shtet.

Një pjesë e mirë e këtyre prefekteve u pushkatuan nga komunistët ,vetëm e vetëm se kishin shërbyer në regjimin e kaluar dhe kishin mbrojtur ligjin. Ishte një prirje e fuqishme e mendësisë dhe propagandës komuniste që të gogolizonin çdo gjë nga e kaluara e cila binte ndesh me traditën e ligjit dhe që vetiu sfumonte ideologjinë dhe urdhërin e pambështetur në ligj.Kjo propogandë i paraqeste prefektet si shërbëtorë të një fryme të vjetër antipopullore, kur në të vërtetë sekretarët e parë dhe kryetarët e komiteteve ishin ata që ishin vënë nëpër rrethe për të drejtuar jetën në frymën e ideologjisë së partisë dhe të urdhërave famëkeqe që merreshin nga zyrat e sigurimit.Duke lexuar me kujdes jetën e këtyre burrave të shquar si Refo Çapari, Osmën Haxhiu,Qazim Kokoshi,bindesh për kontributin e tyre të çmuar dhe për lartësimin e figurës së tyre në dritën e fakteve historike dhe lexuesi e bën krahasimin vetë, ndërsa e shikon sesi çdo baltosje propogandistike e komunizmit vjen një moment dhe hiqet dhe llumi i kësaj balte shkon vetiu tek hedhësit e saj.Duke përshkuar jetën e tyre autori na bind sesi ata punuan me përkushtim në këtë instancë të nderuar të shtetit shqiptar duke pranuar sakrificat e kohrave të vështira nëpër të cilat kalonte vetiu gjithë shteti shqiptar për shkak të turbulencave që sollën dy luftrat botrore e pastaj prej vetëpushtimit komunist.Ti shërbesh shtetit tënd me një devocion ligjor të admirueshëm dhe të presësh prej tij ndëshkimin e pamerituar kjo ndodhi vetëm në Shqipërinë komuniste, ku nga 30 prefektët që shërbyen në vitet 1912-1944, shumica pati një fat të hidhur,dy prej tyre u burgosën, shtatë u internuan nga fashistët dhe komunistët,u pushkatuan gjashtë prefektë,vdiqën në burgjet komuniste tre.”Drama e tyre mori përmasat e dramës kombëtare”, do thotë autori për ta, ndërsa më vjen në mendje thënia e gjeniut Mitrush Kuteli:”Duaje atdhenë edhe kur të vret”.

Kjo thënie nuk mund t`u shkojë më tepër për shtat veçse këtyre burrave të shquar të kombit shqiptar që mbrojtën ligjin, pavarësisht regjimeve, sistemeve dhe pushtimeve të herëpashershme që kaloi vendi jonë në atë kohë.Autori shpreh admirimin dhe njëkohësisht obligimin e tij për këta burra të shtetit shqiptar, që ata të mos mbeten figura të harruara po që njëkohësisht përmes këtij libri të kuptohet roli i tyre e njëkohësisht të kuptohet se historia e shtetformimit është edhe një histori ku ata vunë një gur themeli të fortë duke e sjellë fytyrën e ligjit dhe drejtësisë në konture sa më reale dhe natyrale, pranë jetës së njerëzve e duke modeluar përmes përgatitjes, përkushtimit dhe forcës e kurajos morale sesi mund t`i shërbehet shtetit tënd në mënyrë që jeta e njerëzve të bëhet më e mire, më e kuptueshme dhe zhvillimi social ligjor të ecë në parametrat e duhura.Duke pasë parasysh se ligji devijohet sot, kur shoqëria shqiptare ka kaluar një shkallë dhe disa nivele të mira të emancipimit kulturor përmes kalimit të kohës dhe grumbullimit të përvojave dhe sitjes së tyre , po atëherë sa vështirë e kanë pasur këta prefektë ndërsa Shqipëria doli nga një traditë vakum prej perandorisë osmane dhe kur mentaliteti i shtetit armik injektonte një mentalitet mosbesues ndaj shtetit në tërësi.

Po nganjëherë punët e mëdha bëhen në rrethana tekanjoze dhe të papritura dhe gjenden njerëz adekuatë të përshtatshëm dhe kurajozë për t`i realizuar pikërisht këto punë dhe për të përshpejtuar proceset jo vetëm të njohjeve ligjore po edhe të zbatimit të tyre.Në këtë kuptim libri i Enver Memishajt sjell një informacion të plotë dhe të bollshëm, ku duket se autori është mbështetur në një dokunentacion të sugjeruar e të verifikuar pa lënë të shpëtojë gjë ,gjithnë konform të vërteave të cilat duke u nxjerrë nga harresa marrin një vlerë të re ,pikërisht sot kur duhet të ndihesh krenarë për punën e këtyre njerëzve në mbrothësimin e mbarëvajtjes së punëve të shtetit shqiptar përmes ligjit dhe garancive që jep zbatimi i tij.Duhet thënë se trazirat e jashtme politike alternoheshin shumë herë me ato të brendshme që merrnin nganjëherë përmasa të frikshme për shkak të elementëve të indoktrinuar ose të vënë në prapaskenë nga dora e jashtme.Asnjëherë armiqtë e Shqipërisë nuk e kanë dashtë shtetndërtimin e etnisë shqiptare, për t`u justifikuar para botës me raprezaljet e tyre në popullsinë civile, pushtimet dhe orekset e tyre shoviniste janë paraprirë nga kjo propagandë dinake e cila zhvlerësonte aftësinë shtetformuesse të shqiptarëve dhe deridiku ia arrinte qëllimit.

Madje kjo teori vepron dhe sot. Kundër kësaj ngrihet lart modeli i shkëlqyer i këtyre burrave të mençuar që Enver Memishaj i zbërthen në libër , model që ndërtohet nga një punë vetmohuese në vënien e ligjit dhe kryerjen e punëve përmes tij ,larg çdo tendence korruptive apo shfrytëzimi të pushtetit për të realizuar qëllimet e tyre.Madje ka pasur edhe prefektë të cilët shkrinë pasurinë e tyre në dobi të Shqipërisë duke na e sjellë këtë pamje dhe gjest fisnik si një akt të lartë patriotizmi të pazhvlerësuar e që merr domethënie universlae në të gjitha kohrat.Kjo domethënie sillet si një akt i madh moral për të gjithë zyrtarët e shtetit të sotëm shqiptar, për të treguar patriotizëm të vërtetë modern, kur është fjala se vetëm ligji dhe zbatimi i tij nuk është vetëm një detyrë e atyre njerëzve që janë poshtë tyre, po së pari është një detyrë që u përket atyre që konsiderohen mbrojtës të ligjit në radhë të parë, dhe kjo më pas vazhdon duke u shtrirë në të gjitha indet e shoqërisë.Më lë mresë gjatë leximit se gjithë këta burrashtetarë, me ndonjë përjashtim vijnë nga një përvojë në administratat e huaja, po kur vihen në krye të punëve në Shqipëri këtë përvojë nuk e marrin si një plagjiaturë dhe ta aplikojnë motamo,veçse dinë ta infiltrojnë bukur në realitetet e reja, duke krijuar kështu traditën e administratës shqiptare, studimi i të cilës i kalon kufijtë e një shkrimi.Të pajisur me kulturë, dije, ata gjithashtu e njohin ligjin, po njëkohësisht dinë të shfrytëzojnë rrethanat të cilat favorizojnë zbatimin e tij për të treguar se çdo zbatim i ligjit është një inkurajim për një shoqëri më të qetë, më të kulturuar.Shumica e tyre vijnë nga familje me rrënjë në historinë e Shqipërisë, nga krahina të tjera dhe familjet e tyre kanë dëshmuar një aktivitet të ngjeshur patriotik në dobi të çështjes shqiptare në të gjitha kohrat.Kjo tregon se asgjë nuk krijohet as sajohet nga asgjëja, se familjet fisnike, ato që komunizmi u mundua t`i zhbënte duke i shpronësuar, dënuar dhe keqtrajtuar, janë ajo vlerë reale për të cilën duhet me u bindur se kjo vlerë ka qenë dhe mbetet një nder në historinë e Shqipërisë moderne.

Në librin e Enver Memishajt gjen një fluks informacioni të kontrolluar dhe sistemuar gjë e cila flet për punë të kujdesshme, dhe ky informacoion sa i hapur aq është edhe i ngjeshur ,duke dhënë gjërat më pikante të cilat japing portretin e prefekteve të Qarkut të Vlorës, të përbashkëtën e tyre që përcillet nga veprimtaria në dobi të shtetit, forcimin e rendit publik, ekonominë, sigurinë rajonale e përcjelljen e informacionit në qeveri në mënyrë të saktë e sa më dinjitoze.Memishaj vizaton portrete njerëzish të rëndësishëm me një gjuhë të thjeshtë ku argumenti ndodhet në rezonancë të plotë me faktin dhe ngjyresën lokale dhe kohore. Ky portretizim lakonik dhe me vlera nuk vizatohet pa njohur dhe pa pasur në dorë një lëndë të bollshme të cilën ai tashmë e zotëron.

Natyrisht kjo lëndë selektohet në dobi të ndriçimit të figurave të këtyre njerëzve të shquar të historisë së shtetformimit tonë nëpër kohëra të vështira dhe delikate atëhere kur vihej në provë jo vetëm struktura sociale, po gjithë historia e mbajtjes së shtetit në këmbë.Me një gjuhë të thjeshtë larg ndërlikimeve për të qenë sa më afër së vërtetës e njëkohësisht për ta shoshituar atë në përputhje me boshtin ideotematik të librit, autori ia ka arritur të shkruajë një libër sa njerëzor, aq edhe historik, duke zbërthyer në detaje historinë e rajonit të Vlorës për të kuptuar përmes saj edhe rrejdhat kombëtare dhe anasjelltas. Me këtë libër jo vetëm ndriçohet një pjesë e historisë kombëtare, përmes figurave të caktuara të saj, po njëkohësisht edhe plotësohet një vakum, e kjo është padyshim meritë e autorit, i cili, tashmë, në fushën e studimeve historike po lë gjurmët e veta, për të treguar se historia kombëtare ka ende faqe për të shfletuar, ka ende figura që duhen ngritur në këmbë dhe duhen vënë në vëmendje të lexuesit. Libri i Memishajt, pasqyron historinë e Vlorës si një trevë krenare me një rol përcaktues në historinë kombëtare, si një krahinë që u bëri ballë shovinizmave të kohrave, po edhe si një qytet, Mekë e patriotizmit, altar, aty ku duhet të falen shqiptarët sepse aty u ngrit flamuri, dhe sepse Vlora e meriton.

Filed Under: Kulture Tagged With: Enver Memishaj, portreti i nje studiuesi

LIRIA ËSHTË NË ZMBRAPSJE

June 6, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë botës, liria dhe demokracia janë në zmbrapsje, për të mos thënë në rrezik ekzistence.   Entuziazmi që pasoi ngjarjet e ashtuquajturës, “Pranverë Arabe” në Lindjen e Mesme, tashti është zëvendësuar me shqetësime serioze nga shumë ekspertë se lëvizjet islamiste kanë marrë peng aspiratat e popullit arab për liri dhe pothuajse njëkohësisht kanë zhdukur mundësitë dhe përspektivat për një zhvillim të vërtetë demokratik në atë rajon të botës.   Këjo vihet re më së miri në vendin më të madh arab, në Egjipt, por edhe në vende të tjera arabe, përfshirë Sirinë ku po zhvillohet një luftë e ashpër, tragjedia e së cilës po ndihet anë e mbanë rajonit dhe më gjërë.   Edhe në pjesë të tjera të botës, vala e anti-demokracisë dhe përpjekjet kundër lirisë janë në rritje e sipër.

Në Kinë, që është vendi me popullsinë më të madhe në botë, dhe që këtë javë shënon përvjetorin e masakrës në sheshin Tienenman të Pekinit 24 vjetë më parë, shtypjet kundër disidentëve dhe atyre që nuk pajtohen me regjimin komunist, janë shtuar dukëshëm vitet e fundit.   Me 4 qershor, që bie përvjetori i atij që autoritetet kineze e cilësojnë si “kryengritja kundër revolucionare” — sipas lajmeve — masat e sigurisë në Pekin ishin shumë të forta, në krahasim me vitet e kaluara. Me këtë rast, autoritetet kineze kanë ndaluar diskutimet, “online” në lidhje me ndërhyrjen ushtarake me 4 qershor 1989 në sheshin kryesor të Pekinit, ku thuhet se mund të jenë vrarë mijëra student nga ndërhyrja ushtarake.   Kështuqë, vërejtësit thonë se 24 vjet pas masakrës në sheshin Tiananman, mundësitë për reforma politike nën regjimin e Presidentit të ri kinez Xi Jinping, duken edhe më të këqia se në vitin 1989, pasi deri tani nuk ka asnjë shënjë se regjimi tij ka në mendë të ndërmarrë ndonjë reformë politike që do të kënaqëte mbështetsit e të drejtave të njeriut, lirisë së shtypit dhe demokracisë së vërtetë në Kinë.
Sipas organizatave që monitorojnë zbatimin e të drejtave të njeriut, edhe në Rusinë e Vladidmir Putinit është shënuar gjithashtu një rritje dramatike në përkeqsimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive në përgjithësi, në atë vend.   Sipas dy raporteve të reja nga organizatat e të drejtave të njeriut, Amnesty International dhe Human Rights Watch, gjëndja e të drejtave të njeriut nën regjimin e  Vladimir Putinit është më e keqja ç’prej kohës së ish-Bashkimit Sovjetik.

Shkeljet e të drejtave të njeriut nga teokracia iraniane janë të njohura mirë nga opinioni botëror dhe rasti i ditëve të fundit në Turqi, ku forcat e sigurimit dhe të policisë përdorën forcën, duke shpërndarë me dhunë protestuesit paqësorë në Parkun Gezi të Stambollit, habiti botën për nga masat e tepëruara të përdorura nga forcat e policisë dhe të sigurimit rë shtetit turk.  Parku është i njohur si vend për protesta, por i cili siç duket  po ndryshohet  me qëllim për këtë arsye, për të mos lejuar protesta në një hapësirë të tillë të qytetit.   Qeveria turke ka miratuar  një projekt-plan të madh  për ta këthyer parkun në një zonë ndërtimesh, gjë që ka habitur arkitektët vendas dhe është kritikuar ashpër nga publiku turk.   Me reagimin e saj ndaj protestave paqësore, qeveria e Kryeministrit Erdogan tregoi kundërshtimin e tij politik të dhunshëm ndaj pjesëmarrjes në proceset demokratike të bashkombasve të vet, me pikpamjet e të cilëve, ai nuk është dakort.

Përkeqësimi i lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës vitet e fundit është i lidhur ngushtë me shkeljen e lirisë së shtypit dhe të medias, pasi pa liri të shtypit nuk  ka as liri të tjera të njeriut, e si rrjedhim as demokraci.   Si shembull, nuk është e rastit që Turqia, sipas organizatës Freedom House, të ketë numërin më të madh të gazetarëve të arrestuar. Për më tepër, në vlerësimin e saj mbi gjëndjen e lirisë së shtypit në botë, këjo organizatë thotë se vetëm një person në gjashtë veta, jeton në një vend të botës që ka media të lirë.

Shpresat dhe entuziazmi i para 20-vjetëve, se rënja e komunzimit do të sillte një shpërthim lirie e demokracie anë e mbanë botës, janë venitur. Vërehet ajo që mund të quhet një ngadalësim i veprimtarive demokratike dhe lirive, ndërsa udhëdheqsit autoritarë anë e mbanë botës — megjithëse i bëjnë homazhe demokracisë me fjalë — në të vërtetë kanë mësuar nga njëri tjeri duke përfekcionuar mënyrat për të ruajtur pushtetin e tyre, ndërkohë që organizatat që meren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, regjistrojnë çdo vit rënje të lirive demokratike ose në minimum stagnim të këtyre lirive anë e mbanë botës.   Përfshirë fatkeqsisht edhe disa nga vendet ish-komuniste, që 20 vjetë më parë frymëzuan botën me përpjekjet e tyre për liri e demokraci, duke rrëxuar pushtetin komunist anë e mbanë Evropës Lindore.   Si rrjedhim, mendohej në atë kohë se me rënjen e Murit të Berlinit, diktatorët dhe regjimet autoritare anë e mbanë botës do të zhdukeshin gjithashtu me kohë.    Por këta diktatorë, nga Rusia, Kina, Turqia, Irani, në të vërtetë nga shumica  e vendeve në botë  — të vegjël e të mëdhej — duke parë “rrezikun” që u vinte nga liria dhe demokracia, u mobilizuan në luftë me kundështarët e tyre politikë, dhe njëkohsisht  kufizuan liritë e dhe zhvillimin e demokracisë.  Dëmin më të madh nga sjelljet jo demokratike të këtyre regjimeve e pësojnë, natyrisht, banorët e këtyre vendeve, por këto regjime dhe udhëheqës autoritarë, ashtu siç ndodhte  edhe në kohën e komunizimit, përpiqen të eksportojnë, deri diku me sukses, modelin e tyre të qeverisjes autoritare edhe në vende të tjera.

Por, si gjithmonë gjatë historisë, dëshira e popujve për të jetuar të lirë dhe për të vendosur vet fatin si dhe për të ruajtur dinjitetin njerëzor është një fuqi shtytëse e pa mposhtur që nuk shuhet kurrë.   Megjithë shtypjet dhe masakrat, pa marrë parasyshë nëse ato ndodhën në Turqi ditët e fundit ku një grua u pa duke u përplasur ball për ball me policinë, apo në Kinë më shumë së dy dekada më pare, ku një student doli para kolonës së tankseve, tregon se njerëzit, për të mos jetuar në robëri, janë të gatëshëm të përballen edhe me vdekjen, duke venë në dukje se dëshira e njeriut për liri e demokraci nuk do të vdesë kurrë.

Liria dhe demokracia, natyrisht janë jetike për banorët e çdo shteti, dhe për mirëvajtjen e çdo shoqërie normale, por zbatimi dhe respektimi i tyre nga të gjitha shtetet që janë angazhuar me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për t’i mbrojtur ato, janë gjithashtu të rëndësishme edhe për zhvillimin normal të marrëdhënjeve ndërkombëtare, për paqën dhe sigurinë në botë, pasi historia është dëshmitare se vendet demokratike nuk futen në luftë me njëra tjetrën.  Është e natyrshme që zhvillimet demokratike  të pasqyrojnë kulturën dhe traditat e çdo vendi, por ama kanë të përbashkët zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë e shtypit dhe  ekzistencën enjë opozite të aftë dhe të qëndrueshme.

Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs ka thënë pas sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara më 11 shtator, 2001, se, “Për 60 vjet tani, ne kemi menduar se do të mund të vendosnim sigurinë, pa lirinë në Lindjen e Mesme.”   Më në fund, shtoi ajo, në Lindjen e Mesme, “nuk ka as siguri as liri.”   Duhet ta dimë, shtoi ish-kryediplomatja amerikane, se në çdo rajon dhe vend të botës, “liria dhe demokracia janë të vetmet garanci për një stabilitet të vërtetë dhe siguri të qendrueshme.”

Në këtë botë, do të ketë gjithmonë diktatorë dhe regjime autoritare të cilat do të kundërshtojnë lirinë, të vendosura të kufizojnë dhe  të shtypin të drejtat bazë të njeriut dhe liritë demokratike.  Prandaj, parimet e lirisë dhe të demokracisë, si dhe dhe të lirisë së shtypit kudo duhet të mbështeten nga të gjithë dhe me të gjitha mënyrat politike, ekonomike, morale dhe pse jo edhe ushtarake kur është e nevojshme, pasi abuzimi me të drejtat dhe liritë demokratike, të një kinezi, turku, rusi, iraniani, arabi, ose cilit do popull në botë, është një abuzim dhe shkelje e të drejtave themelore të secilit prej nesh, pa marrë parasyshë se ku jetojmë.

Vetëm në këtë mënyrë do të bëhet e mundur përhapja e lirisë dhe e demokracisë në çdo vend, si dhe vendosja e paqës dhe sigurisë në botë dhe të anullohet, ose të pakën të ngadalësohet, ritmi në rritje e sipër i forcës së zmbrapsjes së lirisë dhe demorkacisë në çdo kënd të këtij planeti.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, liria eshte ne zmbrapsje

Guximi si të shprehësh lirshëm!

June 6, 2013 by dgreca

Shkruan: Faik KRASNIQI/

-T’i thuash JO një grupi që të shtyp/

-Të shprehësh një opinion të ndryshëm nga ai i njeriut që do/

-T’i rezistosh politikës, korrupsionit./

-T’i rezistosh vështirësive që të rezervon jeta./

Si ta bësh një gjë të tillë??? Kjo është çështja!/

Përsa i përket pikës së parë, këmbëngulja për diçka që beson dhe që mund të jetë kundër grupit ku bën pjesë apo normave të tij, mendoj se arrihet me forcën e argumentit. Nëse ajo që thua bazohet në argumente të shëndosha dhe fakte të vërtetuara, atëherë do të jesh në gjendje të mbështesësh dhe të mbrosh pozitën tënde.

Duhet bërë kujdes të mos kalojmë në ekstrem, dmth të jemi kundër për hir të të qenit kundër, apo ndryshe nga të tjerët, por edhe si formë për t’u dalluar nga të tjerët. E njëjta gjë vlen dhe me personin që do. Për pjesën e parë të pikës së tretë jam dyshuese. Pse ju dashka individit t’i rezistojë politikës?! Për mua, përkundrazi çdo njeri duhet të marrë pjesë në të, duke qenë se qeverisja që nga niveli më i ulët lokal e deri tek pushteti i lartë vendor kombëtar ndikojnë drejtpërsëdrejti tek jeta e këtij individi. Për korrupsionin jam dakort!!! T’i rezistojë vështirësive që i sjell jeta.

Unë do thoja t’i pranojë vështirësitë që i sjell jeta, të gjejë burimin e tyre dhe mënyrën për t’i kapërcyer. Pra, njeriu duhet të mbijetojë ndaj vështirësive, jo t’u bëjë atyre rezistencë!!! Duke folur në përgjithësi:për të fituar besim tek vetja, në mënyrë që të jesh në gjendje të flasësh para turmave, apo edhe një a dy personave të panjohur, si edhe një eprori duke mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga i tyre, njeriut i duhet që të edukohet që herët me këtë frymë. Pra, nëse jeni në një ambient miqsh, edhe një rri pa folur, pyeteni se çfarë mendon ai/ajo. Miqësia shton konfidencën se ajo që do thotë është muhabet kafeje mes miqsh dhe jo provim. Me fjalë të tjera, ushtrohuni duke u dhënë të tjerëve mundësi për të folur para grupit.

Kjo do të ishte më e organizuar në klasë, ku zysha/profi duhet t’i japin mundësi për të folur të gjithëve, shpesh edhe duke dhënë një detyrë për t’u përgatitur paraprakisht. Kjo do t’i japë mundësi atyre pa guxim të bëjnë prova dhe motivimi i notës do të mjaftojë për një performancë sa më të mirë, që të munden. Një metodë e përdorur në shkollat amerikane dhe që më thënë të drejtën më pëlqen shumë, është ndjekja e klasave të artit. Duke luajtur një rol, tipat e turpshëm kapërcejnë pragun e turpit dhe fillojnë të shprehen në publik.

 

Filed Under: Komente

LAMTUMIRË MANJOLA MIRAKAJ LIBOHOVA!

June 6, 2013 by dgreca

KOMUNITETI SHQIPTAR NË NEW YORK I DHA LAMTUMIRËN MANJOLA MIRAKAJ LIBOHOVA!/

Komuniteti shqiptar në New York ka përcjellë të mërkurën, me 5 ershor 2013, për në banesën e  fundit 44 vjecaren Manjola Mirakaj Libohova, bijën e Lekë dhe Doloreza Mirakaj, bashkëshorten e Agjah Libohoves, nënën e dashur të Anës dhe Emës,Manjola Miraka Libohova. Cdo vdekje është e dhimbshme, por ikja e Manjolës ishte tepër e rëndë, përballja me sëmundjen e  rëndë, ishte një betejë e vështirë, që Manjola nuk mundi ta fitojë me gjithë kurajon e madhe, me gjithë dëshirën për jetën. Manjola u lind në kampin e internimit të Gradishtës  më 24 janar 1969 dhe ndërroi jetë me 31 maj 2013. Fëmijëria e saj u përballë me absurdin e diktaturës, ku në vend të lodrave i afruan apelin e detyruar. Në bisedat e moshatarëve të saj Hakik Mena, Sokol Kupi e të tjerë, të cilët janë rritur bashkë,kanë shkuar bashkë në shkollë, e kupton se cfarë vajze e rrallë ishte Manjola.

Esseja që përcolli Eugen Mërlika përmes gazetës Dielli ishte një homazh shpirtëror i përkryer, ishte një homazh që përcillte Manjolën, por që përgjithësonte të gjithë rininë nacionaliste të lindur dhe të vuajtur në kampet e internimit, ishte mesazh për të gjitha vajzat si Manjola.

Leka dhe Dolorezi gjejnë forca që ta përmbajnë veten dhe të presin ngushëllimet edhe të mërkurën në mëngjes në Shtëpinë Mortore Moloney’s Hauppauge Funeral Home në Long Island. Është momenti ndarjes më bijën e tyre të dashur, që e deshën aq shumë, që i dhanë gjithcka për t’ia lehtësuar sëmundjen, por që ja në ato caste u duhet të ndahen prej saj dhe i thonë nja dy fjalë përmes dhimbjes duke u përkulur mbi arkivol.

Më pas kortezhi i gjatë me shumë pjesmarrës i drejtohet Kishës St. Thomas, ku mbahet Mesha e Dritës, ku do të përcillen lutjet për shpirtin e Manjolës. Meshën e drejtoi Dom Nikolin Përgjini, i cili edhe vetë e ka përjetuar internimin dhe fjalët e tij depërtojnë në cdo shpirt që është ulur aty në ndenjëset e sallës së lutjeve. Ai kujton se si para katër vitesh Manjola përcillte mesazhe shprese tek përcillte njeriun e dashur të familjes,por ja, sot lutjet bëhen për shpirtin e  asaj vete, Manjolës. Predikohet shpresa dhe besimi për të kapërcyer dhimbjen.

Pas meshës një orëshe kortezhi merr rrugën drejt Varrezave Saint Charles Cemetery at 2015 Wellwood Ave Farmingdale.

Dom Nikolin Përgjini aty mbi varrin e hapur, ku është vendosë arkivoli me trupin e pajetë të Manjolës mban lutjen e  fundit. Dënesa dhe lot, pshertima dhimbjeje dëgjohen në turmë. Të gjithë vendosin lule mbi arkivol. Sa shumë lule! Lule ishte dhe vetë vajza e bukur e kampeve të internimit. Nëna Dolorez, i ka ulur sytë e përlotur mbi arkivol dhe përcjell dhimbjen. Leka, i ati vajzës, që ka përballuar situata të vështira në hetusinë  dhe burgjet e diktaturës, në kampet e internimit, dhe ka treguar karate te forte, arrin ta mbajë veten dhe përcjell tek pjesmarrësit e shumtë në varrim mesazhe falenderimi e mirësie. Pas varrimit familja shtroi drekën e fundit për Mnajolën!

Lamtumirë Manjola, vajza me karakter të fortë e kampeve të internimit! Shpirti në Paqë!

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, Lamtumire Manjola Mirakaj, libohova

ABEDIN MULOSMANI,VARGMAL I QËNDRESËS MBRETËRORE

June 5, 2013 by dgreca

Ne Foto: Naltmadhnia e tij Leka I dhe Abedin Mulosmani ulur në të djathtë/

Shkruan:Eugen SHEHU/

Nëpër malet e lartë të trevës dardane,shekujt që shkuan,derdhën stuhi rrebeshesh të pandalur.Në supe të bjeshkëve,ndiçuan sa e sa vetëtima gjigante,duke dashur të mposhtin qëndersën e fisnikëve dardanë.Por as stuhitë dhe as vetëtimat,nuk mund të ulnin kokën e malit që merrte krenari prej krenarisë dhe trimërisë së bijve të vet.Në këtë vargmal qëndrese,do të lindej e rritej edhe Abedin Mulosmani,më 5 maj të vitit 1938,në Fang të Bujanit,të Krasniqes.Ai do të sihte i vogël 3 vjeç, atëherë kur kullat e famshme të gjyshit të tij,do të goditeshin prej artilerisë italiane,vetëm e vetëm pse Mulosmanajt,patën marrë pjesë aktive në rrezistencën e 7 prillit duke kundërshtuar me armë në dorë pushtuesin italian.Goditja me artileri dhe aviacion i kullave të Binak Alisë,do të thoshte se pat filluar lufta e hapur midis një grushti burrash kreshnikë dhe mijëra ushtarëve italianë.Një urdhër i komandës së lartë italiane të pushtimit,( i lëshuar në korrikun e vitit 1941) në bajnë me dije se ; “të arrestohen menjëherë dhe në rast të mos dorëzimit të pushkatohen rebelët Male Shaban Mulosmanaj dhe Zenun Ali Mulosmanaj,si organizatorë të gjakderdhjes më 7 prill 1939 “.

Male Shaban Mulosmanaj,i jati i Abedinit,mbante mbi supet e veta,një histori të tërë luftërash e përpjekjesh për pavarsinë e trojeve etnike shqiptare.Kur ai ishte ende i ri dhe sapo kish nisur të qëllonte me pushkë,babanë vet Shabanin e rrethojnë  brekushet turke dhe duke luftuar 20-25 ushtarë me trimin e vetëm,mundin ta kapin ate të gjallë.I njohur për trimërinë e tij,si kundra serbëve ashtu edhe kundër turqve,dy ditë pasi ishte burgosur,nga Porta e lartë shkon në Gjakovë fermani që urdhëronte varjen në litar të Shabanit.Kështu në tetorin e vitit 1910,në pazarin e Gjakovës,vartet Shaban Mulosmani,duke përcjellë heroizmin dhe shpirtin atdhetar,ndër djemtë e tij.

Mal Shabani merr,pjesë aktive në veprimet luftarake të shpalljes së pavarsisë shqiptare e më tej,drejton çetën e Fangut,për të ruajtur Krasniqen prej veprimeve ankesioniste të Serbisë.Për merita të shquara të tij,në lëvizjen kombëtare shqiptare,në vitin 1924,me nismën e ministrit shqiptar të luftës,Mal Shabani,merr detyrën e togerit në ushtrinë tonë kombëtare.Në këtë detyrë,në çdo moment,do të spikasin së bashku edhe devocioni për atdheun,edhe besnikëria e paluatshme e birit të Krasniqes për Mbretin Zog.Janë të njohura trimëritë Male Shaban Mulosmanit,sidomos në ruajtjen e kufijve verilindorë të Shqipërisë,në kuadër të Rojës Kufitare Shqiptare.I paisur me cilësi të larta luftarake,i jati i Abedinit,me një grusht burrash gjakovarë,bëhet tmerr i formacioneve luftarake serbe e bullgare.Është kjo arsyeja që më 28 nëndorin e vitit 1937,Male Shabani dekorohet prej Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare,Mbretit ,Zogu i Parë.

Ashtu siç kemi përmendur edhe më lartë,kullat e Mulosmanajve,gjatë viteve 1924-1939,u kthyen në vatra bujare jo vetëm për Ahmet Zogun,por krejt mbështetësit e monarkisë shqiptare.Duke parë tek kjo monarki,ndryshimin e madh të Shqipërisë në kahjen amtare,Mulosmanajt u shndrruan në karakolle trimërore të Mbretërisë Shqiptare.”Kur Italia fashiste okupoi pabesësisht vendin tonë,më 7 prill 1939,mulosmanajt i qendruan besnik atdheut,kombit dhe mbretit dhe për të mos iu nënmshtruar këmishëzinjëve të Romës,emigruan në Sarajevë,si major Zemin Ali Mulosmanaj edhe toger Male Shaban Mulosmanaj,bashkë me familjet”.(Gazeta”Atdheu”e diel,23 shtator 2001 ).

Në janarin e vitit 1944,familja e Male Mulosmanit kthehet sërish në vendlindje,në Fang të Krasniqes,me shpresën e madhe për të jetuar përgjithmonë në atdhe.Por edhe aty nuk gjetën qetësi,ngase lufta vëllavrasëse kish nisur të luante tragjedinë e madhe të shqiptarëve.Male Mulosmanaj,u rreshtua që në ditët e para të janarit me forcat nacionalsite të Krasniqes,nisur nga ideja e madhe se “krushqia” e komunistëve të Tiranës me ata të Beogradit,sish tjetër veç një ogur i zi për Shqipërinë Etnike.Male Mulosmani,gjatë vitit 1944,në krye të 20-30 burrave të Krasniqes bënë çfarë është mundur,për fitimin e kufijve etnike shqiptare,sipas ideve të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizërenit.Dhe vërtet,krushqia midis Beogradit dhe Tiarnës,nuk do të zgjaste shumë.Mijërat e djelmoshave të Kosovës e Maqedonisë shqiptare të vrarë prej pushkës tradhëtarë komuniste serbosllave e shqiptare,e vërtetojnë këtë.Ndërkaq,për kullat e Mulosmanajve,me fitoren e “madhe” të nacionalçlirimtarëve,nuk do të kishite paqë.Bollshevikët e Tiranës e patën mohuar kuvendin emblematik të Lidhjes të Dytë të Prizërenit dhe u vërsulën si bisha kundër pishtarëve të këtyre ideve.Në marsin e vitit 1945,kulla e Male Mulosmanit digjet e tërë prej forcave kinse të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit,të cilat,në fakt u shndrruan në tmerr për popullin nacionalist të trevave veriore shqiptare.Nuk mundet të jetë kurrsesi e rastit,që në krye të këtyre forcave bolshevike, komandonin gjakpirësit Shevqet Peçi dhe Hysni Kapo.

Meqenëse Male Mulosmani ish rreshtuar në forcat e rezistencës antikomuniste shqiptare,pasi i djegin kullën,komunistët internojnë familjen e tij,në një fshat të largët të beratit.Këtu Abedini 7 vjeçar,ndonëse në kushte tejet të vështira,duke dëgjuar këshillat e nënës së vet,do të ulej në bangat e shkollës.Bollshevikët e arësimit,edhe në shkollë,do t’i krijojnë një gjendje gati të papërballueshme “armikut të popullit”.Por djaloshi shtatëvjeçar i mësuar të emigrojë që kur ishte 3 vjeçar,do të qëndronte kurdoherë i heshtur,ai do të mësonte abecenë e dashur,përmes shikimeve të egra të bashkëmoshtarëve të vet,të indoktrinuar prej sëmundjes kanceroze të kmunizmit.

Në vjeshtën e vitit 1946,vriten në përpjekje me forcat komuniste,majori i zogizmit Zenun Ali Mulosmani,ndërsa Male Shabani arrestohet i tradhëtuar.Sigurimi famëkeq  shqiptar,bën të gjitha përpjekjet që t’a kalojnë Malen në anën e vet,por ky i fundit mban një qëndrim të prerë e burrërorë deri në çastin e mbramë.Kur e panë se loja e tyre nuk eci,oficerë të lartë të sigurimit shqiptar,në bashkëpunim edhe me ata rusë,përgaditën vdekjen makabre të burrit të Krasniqes,në birrucat e burgut të Shkodrës,duke iu trembur gjykimit dhe kalimit në burg të tij,sepse ai mund të fliste mbi poshtërsitë komuniste për “reabilitimin” etij.Në këtë mënyrë,në dhjetorin e vitit 1948 në një mëngjes gjendet pa jetë,trupi i Male Shabanit,i cili hidhet diku,ngase trupi nuk mund t’i dorëzohej familjes.Pa i lajmëruar fare për këtë kob,bollshevikët e Tiranës,nën preteksin se Mulosmanajt mund të jenë të rrezikshëm,në Berat,i dërgojnë ata familjarisht në kështjellën e Tepelenës,në një ferr të vërtetë,të ndërtuar sipas modeleve të shpikura nga Stalini.Një tjetër kalvari të rëndë,do t’i nënshtrohej këtu Abedini,tanimë 10-11 vjeçar,ku pos leximit të librave,ku pos leximit të librave të shkollës do t’i duhej të punonte edhe disa orë në ditë për të siguruar bukën e gojës,që të mos mbetej barrë e familjes.Në verën e vitit 1951,duke përfituar nga një leje disa ditore për të shkuar tek disa të afërm në Berat,familjet male Shaban Mulosmanit dhe Çele Shaban Mulosmanit,duke marrë parasysh edhe jetën etyre të rrezikuar,i drejtohen kufirit me jugosllavinë dhe pas dy tri ditësh vuajtjesh dhe sakrificash të mëdha,arrinë të lanë mbas shpinë ferrin  shqiptaro-bollshevik.Në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë,janë ende sot,një sërë shkresash të titullarëve bolshevikë të asaj kohe,dërguar UDB-së jugosllave për ekstradimin e Mulosmanajve.Por fati i shpëtoi këtë radhë burrat dhe djemtë e Krasniqes.Pala jugosllave,për shkëmbimin  e tyre,ka pas kërkuar disa prej bashkëpuntorëve të vet,të cilët ishin vrarë në birucat e hetuesisë shqiptare,këtu dhe mjerimi i Mulosmanajve mori fund.

Pas disa muajsh të marrjes së mësimeve plotsuese,Abedin Mulosmani,në vitin 1952,rregjistrohet në gjimnazin e lartë të Gjakovës.Mbiemri i tij në Gjakovë e rrethina,thirrej tanimë me respekt të madh nga mësuesit dhe nxënësit.Ky fakt e detyronte Abedinin të mësojë pa u ndalur dhe me vullnet të jashtëzakonshëm.Në verën e vitit 1958,dëftesa e notave të Abedin Mulosmanit do të dallohej ndër gjithë gjimanzistët e Gjakovës,sa për nota të larta aq edhe për sjellje shembullore në shkollë e jashtë saj.Në vitet 1960-1963,Abedini punoi si arsimtar në Istog të Pejës.Në tri këto vite,ai do të lidhej me nxënësit e vet,më parë se me udhët e dijes,me ato shfaqje të mrrekullueshme të shqiptarizmës së tij.Dikur,ndërsa thirrej nga utoritetet serbe dhe i hiqej vërejtja,pse shumë po përmend historitë e motit të shqiptarëve,ai i përgjigjej se ajo ish histori e tyre dhe askush s’kish të drejtë t’ua mohonte.Ngase mabnte një qëndrim të tillë,për 4 vjet me radhë,nga institucionet arsimore të Beogradit,do t’i mohoej birit të Krasniqes,vazhdimi i fakultetit.Vetëm në vitin 1965,me ndërhyrjen e disa prej personaliteteve shqiptare të arësimit,në Prishtinë,Abedin Mulosmanit,iu lejua,vazhdimi i Univeristetit në Fakultetin Ekonomik.Edhe këtu,në dy vitet e para,Abedini do të arrije rrezulltate tejet të larta,duke bërë që personaliteti i tij,të mëshironte po aq sa vullnetin për dije,edhe dëshirën e lume për të begatuar sa më shumë tokat e kosovës kreshnike.Por gjithsesi,shqiptarët e ardhur nga shteti amë për arsye politike,gjendeshin kurdoherë të rrezikuar,prej dhunës psikologjike dhe fizike,serbosllavomaqedonase.Është kjo arsyeja që në vitin 1967,Organizata e Kombeve të Bashkuara,ndërmorri nismën për largimin e shumë azilantëve politikë të shteteve komuniste,e sidomos ata të ardhur nga shteti amë,drejt vendeve perëndimore.Kështu duke marrë parasysh edhe dëshirat e tyre,shteti Amerikan,hap dyert,si për shumë shqiptarë,edhe për mulosmanajt.Në nëntorin e vitit 1967,Abedini tanimë 29 vjeçar,me një formim të plotë intelektual,përballet me metropolin perëndimorë pa iu dridhur aspak qerpiku.Në fillim ai merret me lloj lloj punësh,për të patur mundësinë më tej,të ndjek rrugën e madhe të shqiptarizmës.Kështu në fillim të viteve 70-të,së bashku me dhjetra e dhjetra bashkëkombas të tij,nacionalist dhe mbretërorë,organizon një sërë tubimesh në Amerikë,në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve,që jetonin nën kthetrat e bolshevizmit në Shqipëri,si edhe nën dhunën  serbosllavomaqedonase në Kosovë e Maqedoninë shqiptare. Për dy vjet me radhë 1975-1977,Abedin Mulosmani është editor i gazetës “Atdheu” që dilte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Me frymën e tij luftarake,me realizimin në përshkrimin e kohrave,me guxim në demaskimin e ideologjisë bollshevike,Abedin Mulosmani,u shndrrua në simbol të rezistencës shqiptare për liri dhe demokraci në krejt trojet etnike shqiptare.Qartësia e mendimit dhe thirrja e hapur për t’u bashkuar në frontin kundër komunizmit,për të çprangosur bashkëatdhetarët e vet,bënë që të rritej së tepërmi autoriteti dhe respekti për birin e krasniqes,për nipin e legjendës  Binak Alisë.

Pikërisht në verën e vitit 1977,mbas disa ideve të publikuara prej tij,lidhur me periudhën e ndritur të Mbretërisë shqiptare,Abedin Mulosmani thirret në Spanjë prej NMT Leka i Parë.Do të mjaftonin aty dy vjet pune dhe veprimtarie të madhe antikomuniste dhe atdhetare,që biri i Krasniqes,të ngjitej (gusht 1979) në funksionin e Ministrit të Oborrit,Abedin Mulosmani nuk do t’i kushtohej punës në zyrat komode.I pasur me guxim dhe energji të mëdha,në pranverën e vitit 1978,për 4 muaj me radhë,Abedini do të qëndronte në një anije të vogël ushtarake fare pranë brigjeve shqiptare,duke nisur nëpër disa thas¨üe plasmasi mijëra e mijära trakte,nëpërmjet të cilave,njoftoheshin shqiptarët se ishin formuar Këshilli Ushtarak për çlirimin e Shqipërisë Etnike,me në krye NMT Leka i Parë, dhe ku pos të tjerave,apelohej edhe kundër komunizmit enverian.E vërteta është se shteti shqiptar i asaj kohe,vuri në lëvizje forca të mëdha të rojeve bregdetare,për të rënë në gjurmët e kësaj anijeje,por asnjë grackë nuk mund të zërë burrin e Krasniqes.Ndërsa batalione të tëra ushtarësh,në vijën bregdetare Sarandë-Borsh,çdo mëngjez si në luftë kanë pritur traktet,i kanë mbledhur dhe djegur në fshehtësi,duke u trembur nëse do të binin në duart e popullit të thjeshtë,të prangosur në shpirt prej dogmave komuniste.Pas këtij akti,Abedin Mulosmani shkon në Spanjë dhe përgadit të tjera materiale propagandistike.Ai ka dhënë me dhjetra intervista nëpër radio,televizione dhe gazeta evropiane,duke iu bërë thirrje kombeve të qytetëruara,që të ndërhyjnë energjikisht dhe jo të bëjnë sehir,lidhur me dhinimin e të drejtave elementare të bashkëkombasve të vet në Kosovë,Shqipëri e Maqedoninë shqiptare.Dhe sërish në vitet e mëpastajme,ai është shfaqur në brigjet e Adriatikut, hedhur trakte në gjuhë të pastër shqipe dhe duke i bërë thirrje të hapura bashkëatdhetarëve të vet për t’u ngritur me armë në dorë kundër klikës komuniste.Ndonëse lufta e ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit kishte ligjet e veta të hekurta,Abedin Mulosmani,nëpërmjet këtyre trakteve ( ku shpesh i rrezikohej jeta) donte të përcillte nëpër Europë,mesazhin e madh se komunizmi ishte shndrruar nga një shpresë,në një realitet të tmerrshëm për popullin e vet.E trembur prej ringjalljes së imazheve mbretërore,klika komuniste e Tiranës,ndërmori një varg aksionesh diplomatike kundër egzistencës së Oborrit Mbretëror Shqiptar.Ishin pikërisht këto lëvizje diplomatike të Tiranës dhe Beogradit,të cilat çuan në vitin 1979,në refuzimin e qeverisë Spanjolle për rezidencën e NMT Leka i Parë,në Mdrid.Edhe në këto momente tensioni të madh,Abedin Mulosmani nuk u përkul.Krejt besnikërisht ai përballoi diplomatikisht e fizikisht shpërnguljen e Oborrit Mbretërorë,i bindur se kjo ishte një tjetër grackë midis zbulimeve lindore,për të mbajtur peng NMT Leka i Parë,si edhe krejt lavdinë mbretërore shqiptare.Ai ishte plotësisht i bindur se me largimin e Oborrit tonë Mbretërorë nga Spanja,kërkohej t’i jepej një goditje e fortë veprimtarisë nacionaliste shqiptare,por koha që rodhi më pas vërtetoi të kundërtën.

Me t’u instaluar në Afrikën e Jugut,Ministri i Oborrit Mbretërorë,Abedin Mulosmani,nuk vonoi të shkëmbejë informacione ide dhe protesta me familje të tjera mbretërore,duke kërkuar ndihmën e këtyre të fundit,lidhur me përpjekjet diplomatike dhe propagandistike kundër qeverisë Spanjolle. Duhet të them se ende ajo masë ekstreme e marrë prej Madridit,mbetet ende njollë e zezë e vetë mbretërisë spanjolle.Vitet 80 të shekullit që lamë pas.,mbeten vite intensive të Abedin Mulosmanit,sa në rrafsh të veprimeve propagandistike kundër komunizmit në Shqipëri,aq edhe ate diplomatik për të zbuluar dhunën e egër fizike nda Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare.

Natyrisht përmbysja e regjimit totalitar,në shtetin amë,në marsin e vitit 1992,do të përcillej përmes emocionesh të mëdha edhe në Oborrin Mbretëror,në Afrikën e Jugut.Qindra telegrame urimi mbërritën ato ditë prej besnikëve të monarkisë nga Shqipëria,Kosova,Maqedonia shqiptare,Franca, Belgjika dhe Amerika,duke i kujtuar NMT Leka i Parë,se rrugët për në atdheun e tij të dahsur ishin hapur përgjithmonë.Gjatë viteve 1992-1993,Abedin Mulosmani u ndodh përballë problemeve të mëdha,për të sjellë në Shqipëri,Mbretin e ri,duke anashkaluar me urtësi dhe pjekuri një varg mentalitetesh shqiptare të indoktrinuara prej diktaturës pesë deceniesh.Do të desha tju sjell në ke¨to radhë,një prej prononcimeve të tij,në prillin e vitit 1997,në Tiarnë,kur Agjencia Telegrafike Shqiptare,iu drejtua burrit të Krasniqes,të fliste diçka për 7 prillin e vitit 1939,pos të tjerave,në këtë fjalë,Abedin Mulosmani do të kumtonte : “Më 6 prill 1939,Italia fashiste kishte paraqitur kërkesat ultimative për nënshtrimin pa luftë të Shqipërisë.Zugu i Parë dhe qeveria shqiptare,përpara këtij ultimatumi të shemtuar të një shteti aleat,kishte dy rrugë : pranimin e ultimatumit dhe deklarimin e luftës kundër pushtuesit.Ai thirri Parlamentin,i parqiti qëndrimin e tij kundër këtij ultimatumi,gjë që parlamenti e miratoi njëzëri dhe kështu zgjodhën rrugën e nderit,që nuk mund të shmangte disfatën,mirëpo,shpëtonte nderin dhe krenarinë kombëtare”. ( Nga  fjala e  z.Abedin  Mulosmani i  dhënë  ATSH,  dt, 6 prill 1997 ).

Në turrin e madh veri jug,që NMT Leka i Parë,organizoi në pranverën e vitit 1997,shkëlqeu veç të tjerave,fjala dhe mendimi i pjekur i Ministrit të Oborrit Mbretërorë,Abedin Mulosmani.Kryemotivi i ligjërimeve të tij,nga Delvina në Koplik,nga Zerqani në Himarë,ishin fjalët paqë,bashkim,vllazërim. Rrebeshet e duartrokitjeve nuk do të pushonin sigurisht,kur në fund të çdo ligjerate,ai do të përmendete me veneracion lirinë e krejt trevave etnike shqiptare.Mendimi i tij për Shqipërinë Etnike,jo vetëm nuk do të zbehej,por gjithmonë e më shumë do të ndrinte nëpër çdo situatë.Në çdo moment,kur evokonte të kaluarën e familjes mbretërore,Abedin Mulosmani,në mënyrë të qartë,u kujtonte bashkëbiseduesve të vet,se lëvizja lineare e kohës,jo vetëm që nuk e zbehte shkëlqimin e Monarkisë Shqiptare,por përkundrazi ftonte rilindjen e asaj epoke të madhe në historinë tonë.E shoh të udhës,të nënvizojë këtë shkrim,dy tri pasazhe të fjalës së Ministrit të Oborrit mbretëror,në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Mbretit Zogu i Parë.

“Më 9 prill të vitit 1961,Zogu i Parë,ndërroi jetë në Paris të Francës dhe ai la për trashëgimtar të Dinastisë Zogiste,birin e tij,NMT Leka i Parë,Mbret i Shqiptarëve,i cili po ate ditë bëri betimin dhe mori mbi supet e tija barrën e rëndë të legjitimitetit të Monarkisë Shqiptare sipas Kushtetutës së vitit 1928, e cila në mënyrë të pakontestueshme shpreh dhe ruan Legjitimitetin dhe vullnetin e Kombit brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë politike,duke ja kushtuar jetën e tij Shqipërisë Etnike mirëqenies dhe të ardhmes,si dhe lumturisë së popullit shqiptar,për të qenë Zot dhe krenar në trojet e tyre Iliro-Dardane.Sovrani Ynë August,Mbreti Leka i Parë,duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën Kombëtare dhe ndërkombëtare,dhe duke parë rreziqet që u kërcënohen trojeve tona etnike, apelon për vigjilencë dhe kujdes për t’iu ruajtur rrezikut të marrjes së Qeverisë nga forcat e vjetra komuniste,duke u bërë thirrje mbarë bashkëkombasve,të mbështesin Lidhjen e Djathtë Shqiptare si edhe të gjitha forcat e djathta demokratike,për një mirëkuptim kombëtar në mesin e tyre.Gjendja e vajtueshme që po kalojnë motrat dhe vëllezërit tanë në Kosovë,mal të Zi dhe Maqedoni,si edhe në çamërinë martire,duhet të jetë  preokupim kryesorë i yni.Ky ka qenë qëndrimi i Mbretit Zog i parë,gjatë epokës zogiste në Atdhe,dhe gjatë viteve të mërgimit,dhe ky ka qenë dhe është aktualisht ideali dhe përkushtimi i NMT Mbreti Leka i Parë,Mbret i Shqiptarëve.

Duke përfunduar,ju shpreh kënaqësinë dhe përgëzimet më të sinqerta për këtë jubile të 100 vjetorit të Mbretit Zog i Parë,dhe ju sjell edhe njëherë përgëzimet dhe përshëndetjet më vëllezërore të NMT Leka i Parë,Mbret i Shqiptarëve.

Rroftë Shqipëria Etnike dhe rroftë populli shqiptar !

( Gazeta  “ Atdheu “ – Tiranë më 14 – 10 – 1998 ).

Hallet,vështirësitë e jetës,veprimtaria e përditshme intensive,do ta lodhnin zemrën bujare të Abedin Mulosmanit.Por për turp të historisë,ate do ta lodhte së tepërmi edhe një vendim i organeve gjyqësore shqiptare ( në duart e bollshevikëve të rinj shqiptarë) të cilët duke ecur në gjurmët e etërve,nëpërmjet një gjyqi farsë, e dënojnë në mungesë Ministrin e Oborrit Mbretëror Shqiptar,për kinse pjesmarrje në kryengritje të armatosur.Birin e kullës së famshme të Binak Alisë,të asaj kulle që u kriste ksulën shkijeve,që e rrethuan e dogjën turqit,që e bombarduan italianët,që i vunë dinamitit komunistët e Tiranës ,tanimë e kërkojnë ta prangosin,eurosocialistët,bashkëkombas të vet.

Por burri i Krasniqes nuk është friguar aspak.Ai sërish është bërë gati për  marrshim,si ushtar i mirë i Shqipërisë Etnike,ai është nisur,por vdekja se ka lënëAjo ka marrë në gjoks të saj të zi,personalitetin e paepur të lëvizjes mbertërore dhe legaliste në Shqipëri e diasporë,duke lënë në pikëllim reshtat e gjatë të mbretërorëve,të gatshëm të sakrifikohen për lirinë e trojeve etnike të tyre.

Bern-Zvicër

Filed Under: Komente Tagged With: Abedin Mulosmani, Eugen Shehu, Naltmadhnia Lek I

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5412
  • 5413
  • 5414
  • 5415
  • 5416
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT