• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Autariatët , Amantët dhe Breukët

May 18, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Autariatët ,sipas gjeografit grek Strabos  ishin ndër fiset ilire më të fuqishme dhe më të mëdha. Sipas arkeologëve Autariatët kishin jetuar në jug-lindje të Bosnjës deri në jug-perëndim të Serbisë së sotme dhe në veriun e Malit të Zi  dhe automatikisht vazhdimësia e tyre shtrihej në Kosovë dhe Shqipëri. ose thënë ndryshe në ato territore ku u zhvillua grupi etnik i fuqishëm i kohës së Hekurit.. Edhe kultura e asaj kohe u quajt kultura e Glasinacit (rrafshirë afër Sarajevës) , por e njejta u zbulua edhe në luginën e Matit dhe si e tillë njihet Kultura e Glasinac – Matit.

Klasa e lartë e fisit Ilir të Autariatëve si dhe shoqëria e kohës e mbërrijti kulmin e zhvillimit ekonomik dhe gjatë shek.V-të pr.K .Kur Strabo shkruante” për popullin Ilir më të madh dhe më të fuqishëm “ sigurisht që mendonte për këtë kohë. Por maja e zhvillimit filloi të shuhet me ramjen graduale te Autarianëve duke përfunduar rreth vitëve 310 prK.

Nga Autariatët u trashëgua një  pasuri e madhe e të mirave. .Përndryshe mbi 100 kështjella të tyre të shkatërruara janë gjetur , si dhe me mijëra tumule të tyre. Çdo gjetje ( bizhuteri dhe armë) e ringjallë origjinalitetin etno-kulturor të Autariatëve. Ata e kishin një traditë të vazhdueshme në përpunimin e metaleve dhe keramikës. Kompleksiteti i traditës së tyre shquhej  në zbukurimet  e rrypave luksoz me ari dhe argjend.

Autariatët ishin popull “ malor” dhe si të tillë e tregonin edhe edhe mentalitetin e tyre”malor” ,duke i ruajtur me kujdes të madh besimet e tyre të vjetra Për tu përmendur është që Autariatët e ruanin me xhelozi traditën e tyre të djegëjes së të vdekurit në tumule, e cila nuk kishte ndryshuar deri në shuarjën e Kulturës së Glasinacit. Mbetjet arkeologjike tregojnë që jeta e tyre fetare ishte e ndikuar nga kulti i të parëve të tyre

dhe kulti i diellit. Në të gjitha territoret të banuara dhe të kontrolluara nga Autariatët shihen gjurmët e kultit të diellit.

Ekonomia e fortë e Autariatëve qëndronte në blegtori , punimin e metaleve , punim dore dhe tregti.  Fisi ilir i Autariatëve ishte partneri më i madh tregtar i Italikëve dhe Grekërve gjatë shekujve 7-të dhe 6-të prK.

Një karakter i posaqëm luftarak i Autariatëve ishte vrasja e shokëve të plagosur dhe të dobësuar të luftës ,nëse kuptohej se ata më nuk mund të vazhdojnë dhe si të tillë mos të biejnë në duar e fiseve armiqsore.

“ Disa elemente të punuara në stilin e Kulturës së Trebenishtit (rrethi i Ohrit) .janë gjetur gjithashtu edhe në lokalitetet e Shqipërisë e deri në Skodër; kultura materiale e gjetur në tumulet e shumta në luginën e Lumit Mat ( në Shqipërinë Veriore), karakteristike për kulturen ilirike të kohës së Hekurit  është shumë e ngjajshme me ate të Glasincit në Bosne.”( The Illyrians: history and culture, Aleksandar Stipčević) “

Në mesin e  popullit Ilirik , në veri të lumit Shkumbin ishin  fiset që ishin shumë konzervativ në praktikimin e ritualeve të tyre ,vitet 750-530 prK. Edhe në Zadrime  e edhe në luginën e Matit , varrosja në tumuluse që ishte  kryer në të kaluarën ,kishte vazhduar  deri në fillimin e shek.të tretë paraKrishtit.Tumulet ishin përdorur pë luftarakët dhe klasën aristokrate të kohës. Varrosja kryhej me të gjithë pajisjen ushtarake ;  kurse në varrezat e aristokrateve nuk mungonin as qaforet dhe rruazat prej qelibari . Në anën e Kukësit rreth Drinit (Driloni) ,në fashtrat e  Krumës dhe Kënetës tumuluset ishin të shekujve 7-të deri në shek  e 4 -të PrK ( N.G.L. Hammond “Illyria”) . Të gjitha këto të ngjashme me  ato të Glasinacit.

 

Fiset Ilire janë shumë ; në të vërtetë ato ishin shumë dhe na jemi sot . Edhe pse sot jemi shumë më pak se ata të parët tanë  ,por ne e kemi krijuar historinë . Shquheshim për trimëri ,dashuri ndaj dheut tonë.Shquheshim për të gjitha ato që  njerëzimi i trashëgoi prej nesh.Por natyra dhe historia nuk ishin mike për ne .

Për Amantët ,ka pak shënime ,por dihet që ishin fis Ilir , e sipas ndarjës së më vonëshme administrative të Romës ,ishin fis Ilir i Panonisë. Amantët ishin afër Sirmiumit(Mitrovica e Sremit,sot) por duke u thirrur në qytetin Amantia , atëhër duhet të kenë jetuar edhe në viset jugore ilirike. J.J. Wikeys në librin e tij  “The Illyrians(1992) “ shkruan se lufta me Romën ishte një egërsi . Amantët dhe Breukët ( fis tjetër ilir) e kishin luftuar aq shumë Romën sa që pas dështimit të tyre Amantët u shiten si skllevër  në Itali, dhe si të tillë edhe u zhdukën. Kurse Breukët e pësuan  një fat tjetër duke u shpërngulur me dhunë nëpër Daki ( Rumania e sotme; Ion Grumeza, Dacia: Land of Transylvania, Cornerstone of Ancient Eastern Europe)

Breukët , si ilir që ishin jetonin në tokat e tyre në Sllavoninë e sotme ( Kroacia) ;  në tokat e nënlumit Sava nga Novsko deri në Sllavonsko Gorje në veri ,në lindje deri te Bosuta ,si dhe shtriheshin në vazhdim në mes të lumit Vërbas dhe Drina ( Lumi “Ba(thinus)”- Bosna dhe Hercegovina e sotme ) Kufizoheshin me vëllezërit e tyre fiset Ilire të Andizetëve ,Kolapianëve ,Amantëve dhe Skordiskëve; të gjithë të njohur për qëndrueshmërinë e madhe ndaj pushtimeve të Romës.Shenimet e para për Breukët , sipas studjuesve kroat dhe boshnjak, gjenden shume vonë në shek  XIX, ku flitej vetem në mënyrë fragmentare . (Arkeologu i njohur C.Patsch në Enciklopedinë e tij të vitit 1897 ) .30 vjet më vonë  nga historianët i kushtohet plotësisht  një kujdes Breukëve ( fililogu Milan Branimir).  Për Breukët kishte folur edhe Herodoti  ,duke thën se ata ishin me origjinë Frigase .

Burimet e ruajtura antike thonë që Breukët kanë jetuar në territorin e Panonisë (Pannonia Inferior),  krahas rrjedhës  së Lumit Sava . Kurse Straboni  në Gjegrafinë e tij shënon që popujt panon ishin ilirët si Breukët Andizetët, Dicionët ,Pirustët dhe Mezejt e Desidatët. Kurse , sa i përket kufinjëve lindorë at shtriheshin deri në Frushka Gorë në kufi me Amantët e që shtriheshin deri në Sirmium. Sipas të gjitha shënimeve mund të përfundohet  që Breukët kanë jetuar në të dy anën e rrjedhës së Savës ,pra në Kroacinë dhe Bosnën e sotme.Kjo s`është e çuditëshme kur dihet se popujt parahistorik dhe protohistorik kanë jetuar në luginat e lumenjve , sepse ato lejonin drejtime të lira të komunikimit nga të cilat edhe janë formuar territoret etnike dhe finore ,kurse lartësitë malore ishin kufinjt në mes tyre. Rreth lumit Sava janë gjeturë  venbanime arkeologjike të periudhës së bronzit dhe asaj të hekurit  Mbetjet e Sirmiumit janë gjetur në lokalitetin e sotëm të quajtur Mitrovica e Sremit ,55 km në perëndim të Beogradit ( Singidunumit) dhe largë qytetit Kosolac (Viminacium) vetëm 145 km. Dhe ,gjetjet e vjetra mbi 5000 vjet prK tregojnë se aty kishte jetë të organizuar njerzore.

Gjakovë, 16.05.13

Filed Under: Histori Tagged With: autariatet, breuket, Fahri Xharra

SHUHET EDHE USHTARI I FUNDIT I BALLIT KOMBËTAR

May 18, 2013 by dgreca

Nga Enver Lepenica/ Imer Sheme Jazua, ushtari i fundit i Ballit Kombëtar i mbetur gjallë u shua më 17 maj, në moshën 97 vjeçare, pasi kishte kaluar një jete të gjatë, plot halle e dallgë të mëdha. Ai  kishte lindur në Lepenicë të Vlorës, në vitin 1917, atje shkoi jëtën e tij, atje në duar të fëmijëve të tij të shumtë e dorzoi edhe shpirtin e tij të bukur.

*    *    *

Ishte pinjoll i një familje atdhetare që kishte hyrë në histori që në atë vitin e largët 1908, kur gjyshi tij Jazua ra dëshmor në Qafë të Sinjës të Beratit në kryengritjet antiturkë, kur luftohej për Pavërsinë Kombëtare.

Dymbëdhjet vjet më vonë në vitin 1920, i ati Imerit, Sheme Jazua, apo Sheme Trimi siç i flisnin shokët e tij të armëve u zgjodh komandant i çetës së Lepenicës, për të luftuar kundër Italisë që kishte pushtuar vendin.Ai luftoi me trimëri në Luftën heroike të Vlorës, dhe ra dëshmor në  Qafë të Llogorasë.

Jehona e luftës dhe trimërisë së Sheme Jazos nuk u shua as në ditët tona. Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, Këshilli i Qarkut të Vlorës i dha ati titullin e lartë ”Nder i Qarkut të Vlorës”

*   *   *

Imer Shemja eci në udhën heroike të gjyshit dhe të të atit dhe e çoi më lart emrin e mirë të familjes tashmë të njohur e nderuar në të gjithë Lumin e Vlorës. Djalë i ri së bashku me vëllan Esatin, u përfshi që në fillim në Lëvizjen Antifashiste 1939-1944, në radhët e Ballit Kombëtar, përkrah komandantit famëmadh Hysni Lepenica.

Ne krah të Hysni Lepenicës e shpinte ideali luftës për liri si amanet i të parëve, por edhe lidhja e gjakut që kishte me të dhe fakti se kur i ati Imerit ra dëshmor në vitin 1920, të dy jetimet i mori në shtëpi familja e Hysni Lepenicës, i mbajti dhe i edukoi. Ishte një shmbull atdhetarie dhe dashurie njerzore që u shfaq në të gjithë krahinën e Mesaplikut, ndaj bonjakëve të dëshmorëve të vitit heroik 1920.

Tashmë në Lëvizjen Antifashiste 1939-1944, ishte radha e Imer Shemes që të dëftente vlerat e tij atdhetare dhe njerzore. Kështu ai u bë roja sy pa fjetur, ose siç thotë populli trimi i Hysni Lepenicës, krahas Sefer Imerit dhe çamit Elmas Emin, Filati. Imeri ishte si i ati, burrë i gjatë mbi dy metra. Me automatikun krah qafë, me koburen, thikën dhe bombat në brez dhe me dy radhë fishekë të kryqëzuar në gjoksin e tij, dukej si një gjigand i pa mposhtur, gjithmonë përpara komandantit, pa ju trembur syri asnjëherë para çdo situate.

Në të gjitha fitoret, në luftë, në krah të Hysni Lepenicës ai kishte meritat e veta.

Iku nga kjo botë me brengën e madhe se nuk ju ndodh pranë komandantit në ditën e zezë të 14 shtatorit 1943, kur ai ra heroikisht në fushën e betejës kunder hordhisë fashiste. Tundte kokën por nuk e nxirrte nga goja fjalinë: ”Ndofta do ta kishja shpëtuar!”

Pas çlirimit të vendit, në kohë paqie Partia Komuniste kërkonte të lante hesapet me kundështarët e saj politik. Hakmarrja kishte filluar që në nëntor të vitit 1943, kur bandat e Hysni Kapos kishin sekuestruar mallin dhe kishin djegur 12 shtëpi nga 40 që kishte i gjith fshati Lepenicës.

Edhe në kohë paqie, u arrestuan e dënuan shumë vetë, u pushkatuan, vdiqën burgjeve, apo vuajtën terrorin dhe dhunën komuniste. Imer Shemja i zgjedhur nga fshati kryetar kooperative, u arrestua në vitin 1960, me një kurth të ngritur nga bandat kriminale të Sigurimit të Shtetit, që më pas pjestarët e kësaj bande u dënuan me pushkatim dhe me burgime të rënda, por Imerin nuk e shpallën të pa fajshëm!

*    *    *

Imer Shemja ishte burrë krahine, i stolisur me vyrtytet më të mira të racës sonë, me dashurinë për atdheun, me trimërinë, me besnikërinë, me fisnikërinë dhe bujarinë. Ishte orator dhe të bënte për vete me fjalën e tij të rrjedhshme dhe të ngrohtë, i gjendej mikut dhe shokut në çdo rrethanë. Asnjë problem dhe hall i fshatit dhe fshatarëve të tij nuk ishte e huaj për të. Në detyrat e larta që pati në kshillin e fshatit dhe si kryetar kooperative deri në vitin 1960 kur u arrestua dhe dënua, ai la kujtime të pa shlyera dhe shembuj se si drejtohej e udhëhiqej një fshat.

Edhe pas daljes nga burgu ai mbeti një kryeplak i mirë i fshatit dhe krahinës në tërësi, i pa emruar zyrtarisht por i besur dhe nderuar nga njerzit e thjeshtë që kishin besim tek ai, dhe te kshillat e tij të vlefshme.

Ai u la fëmijëve të tij të shumë, gjithë fshatit dhe krahinës së Mesaplikut emrin dhe veprën e tij të mirë, si shembull për t`u ndjekur nga rinia.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Enver Lepenica, i fundit i Ballit Kombetar, shuhet ushtari

Spaç 21-23 Maj 1973- 40 vjetori i ngritjes së flamurit pa yll

May 18, 2013 by dgreca

Nga Bedri BLLOSHMI/

Për herë të parë në historinë e komunizmit barbar në Spaç të Rrëshenit u ngrit një flamur pa yllin e komunizmit.Mbas pushtimit të Shqipërisë nga terroristët komuniste të stërvitur nga Popoviçët e Mugoshët në 1944,këta barbar ja filluan krimeve mbarë duke ngritur burgje gjithkund në Shqipëri.Mbasi e rrethuan me tela dhe me gjëmba 28000 km2 e mbetura të Shqipërisë së copëtuar në vitin 1913,gjithëkund hapën burgje dhe kampe përqëndrimi .Një nga këto kampe shfarosës ishte dhe burgu i Spaçit.Arrestoheshin në masë familjet nacionaliste, u grabiteshe pasuria mbasi i varnin, pushkatonin dhe i burgosnin ata që mbeteshin gjallë,pjesa tjetër e çdo familje syrgjynosej në kampet e internimit .Më 21 Maj 1973 në Spaç të Mirditës, dhuna kishte kaluar çdo kufij ndaj të burgosurve politik dhe ndodhej ajo që pritej .Të gjithë të burgosurit e turnit të parë vendosën të mos dalin në punë dhe dolën në mbrojtje të Pal Zefit ,i cili mbasi e kishte mbushur muajin në izolim (birucë)dhe policia nuk po e nxirrte nga izolimi.Të gjithë të burgosurit ishin në një mëndje, ishin bërë tepër të revoltuar për ta mposhtur diktaturën komuniste.Biseduan, vendosën dhe ngritën flamurin me zhgabën dy krenare pa yllin komunistë “qëndisur nga dora e një të burgosuri Mersin Vlashi”.Kampi famkeq mbasi ishte rrethuar nga ushtria e civilë të armatosur, u prenë ujin e pijshëm dhe bukën duke mos pranuar thirrjen e zv.ministrit të brëndshëm Feçorr Shehut.Të burgosurit rezistuan duke i bërë nderim për tre ditë rrjesht flamurit shqiptar.Më në fund bijt e Stalinit u vërsulën si Hienat me hunjë e tuba gome dhe me çtë mundnin duke i dërrmuar e thyer këmb e duar,i prangosnin dhe i nxirrnin sipër për ti gjykuar. Ishte 12 dhjetshja e parë,ku nga këta 4 ishin të burgosur politik: Skënder Daja , Dervish Bejko , Pal Zefi dhe Hajri Pashaj. Duhej tu merrej jeta dhe ashtu bënë.Edhe sot e kësaj dite askush nuk e di ku jane groposur,pra ata heronje trima që dhanë jetën para 40 vjetëve.Nga shteti shqiptar askush nuk do të dijë apo të interesohet ti gjejn dhe tu bëjn një varr.Në spaç vazhduan grupe-grupe të dënoheshin me rastin e revoltës.Janë 5-6 grupe të cilët e kalojnë numrin 80 që janë ridënuar.Njëmbëdhjetë vjet me vonë po në muajin Maj ,gati në një datë dhe fiks më 22 Maj 1984 në një tjetër skëterrë të komunizmit në Qaf-Bari të Pukës dhuna solli dhunë.Komunistat të cilët jetonin vetëm me gjak njeriu dhe këtu në këtë kamp caktuan tre kurbanë. Vetëm se me një ndryshim se komunizmi dhe sigurimi i kishin perfeksionuar,kishin çuar përpara dy të dënuar me vdekje dhe të tretin e sakatuan me dru duke e thyer në mes. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja do dënoheshin me pushkatim në birucat e degës së brendshme të Pukës për ti pushkatuar më pas në qytetin e Shkodrës ,në vendin e quajtur “antena e radios” në Kuç. Të gjithë e dimë tani se Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja me këmbënguljen time ,jo më pak dhe të familjarëve u gjetën dhe u vendosën atje ku u takonte, madje kane secili varrin e vet e jo më gropën e përbashkët si më parë në livadhin e antenës në kuç të Shkodrës. Edhe me këtë rast qeveritarët e sotëm nuk u ndjenë fare për varrimin e këtyre trimave të persekutuar përballë dikaturës.Ndërsa Sandër Sokoli i cili dha shpirt në sheshin para mencës midis dhimbjeve dhe gjakut që i rridhte në çimenton e zezë të oborrit ,është groposur tek varrezat 500-600m larg kampit në buzë të një përroi bashkë me 8 të vrarët në galeritë e territ të Qaf-Barit.Për të mësuar më shumë për revoltën e Qaf-Barit dhe për ata që dhanë jetën, si ndodhi dhe si përfundoi duhet të prisni se së shpejti del libri që unë kam pergatitur të ilustruar me fakte dhe faksimile. Ndryshe është problemi i Spaçit ,sado që familjarët të interesohen për të gjetur njerëzit e tyre te vrarë barbarisht e te groposur mizorisht,nuk mund të bëjnë asgjë pa ndihmën e shtetit. Shteti i cili është formuar nga bijtë e komunisteve dhe nga oficerë që në vitin 1991 morën mbi shpinë bustin e diktatorit për ta vendosur përsëri.Kërcënonin se do bënin kërdinë duke vrarë ata që do mundoheshin ti pengonin. Shteti i sotëm është i fryrë me komuniste e neokomunistë të cilët grabisin pasuri kombëtare e vazhdojnë të pasurohen me shpejtësi marramëndëse.Shteti i sotëm ka përkrahur dhe vazhdon të përkrahë sigurimin kryetar të shoqatave të Enverit, llumra te mbledhur per skrap,famkeq,hetues,operativ dhe kryetarë degësh të punëve të brëndshme,spiuna e bashkëpunëtorë informator të fëlliqur.Pushteti i sotëm krejt i përbërë me komunista e sigurimsa madje dhe me vrasësa siç është rasti i Librazhdit,spiun po,hajdut po,vrasës po, caktohet kryetar partie zv.prefekt.Ja kjo është partia demokratike që të pranon nëse ke këto kritere.Prokuroria e Librazhdit me pak ryshfet mbyll çdo lloj krimi po e pate kryer e nëse bënë pjesë në partinë demokratike.Të gjithë prokurorët e përgjithshëm e dinë këtë problem të Librazhdit por askush nuk ka kurajon të hapi ngjarje të vjetra.Kur vine ne atë karrike premtojne se do luftojne krimin,se toleranca do jete zero dhe të japin pershtypjen se do zbatojne ligjin e tajlonit (zjarrit ti pergjigjem me zjarre) ndërsa ne realitet bejne te kunderten.Vine shohin,pasurohen dhe ikin pa u ndjerë.
Pushofshi në paqe ju të rënët e burgut në Spaç dhe Qaf-Bari.Dhe mos t’ju ngelet merak,se sjeni gjallë se po të ishit gjallë e të shihnit sot ku jemi ne ju do kishit vrarë vehten.Pushofshi ne paqe ju të tjrë që ratë për nje shqipëri etnike dhe pa komunista,ne do ju kujtojme gjithmon.Mos kini merak o heronjtë e Spacit se unë nuk do te rresht së kërkuari dhe do tu gjej se ku u ka groposur komunizmi.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Bedri Blloshmi, Revolta e Spacit

Kristo Kirka, “patrioti i dy Shqipërive!”

May 18, 2013 by dgreca

Shkruan:Prof. SAMI REPISHTI/
Ridgefield, CT. Këto ditët e fundit, miku dhe bashkëvuejtësi i im, Niko Kirka,më dërgoi një kopje të librit “Kristo Kirka”, të studjuesit Uran Butka, jetëshkrimi i një figure të njohun në botën shqiptare për dedikimin e tij idealit të demokracisë në Amerikë dhe në  Shqipëri. Libri, botue në Tiranë vitin e kaluem, përmban 296 faqe, dhe një seri fotografishë publike dhe familjare. Ashtë një punim që na gëzon.
“Ky bir i madh dhe i harruar”, patriot i dy Shqipërive, në Boston.Mass. para 1912-ës dhe ma vonë, në Shqipëri, martir  deri në fund të jetës, ashtë bir i Korçës qytet i traditës kombëtare shqiptare dhe djep i arsimit, kulturës dhe artit.
Kristo Kirka, i lindun në vitin 1886, trashëgoi atë që Korça kishte ma të mirë: përgatitjen e qytetarit të ndershëm dhe me shkollim. Në fillim të vitit 1904, në moshën 21 vjeçare emigroi në Amerikë, “… ku u ndez edhe më keq për punët e Shqipërisë”.(f.18), në një kohë kur Shqipëria ishte akoma një krahinë e humbun e një perandorie dekadente turke. Ashtë në këtë “Shqipëri të parë” ku refugjatët politikë përbajshin bërthamën e emigracionit, që Kristo Kirka gjeti pasionin e jetës tij: ai vijoi veprën e Petro Nini Luarasit, e përfaqësoi shoqëninë “Mall i Atdheut” në përpjekjet për themelimin e Vatrës. “Ideja dhe përpjekja e Kristos në atë kohë, përmblidhej tek fjala shqipe, tek lëvrimi i gjuhës shqipe, tek emigrantët shqiptarë”.(f.24) Kjo, mendonte ai, shprehte ndërgjegjen kombëtare për mbrojtjen e të drejtave kombëtare.
Një prirje e hereshme e Kristos bahet leitmotivi i jetës tij: arsimi, përsëri arsimi për të gjithë! Ai ishte një rilindës i vërtetë! “Ideja a nacionalizmit rrjedh nga një dëshirë, që çfaqet tek njeriu për të lartësuar mendësisht, moralisht, esthetikisht dhe teknikisht popullin prej kah ka dalë…në përkrahjen e interesave kolektive të kombit”(f.15)
Në Amerikën e largët, në qendrat mërgimtare të Europës, të Egjiptit, dhe Rumanisë, e sidomos në ShBA po ngrihej hap mbas hapi, një “Shqipëri e re”, e lirë, pararojë e Nanës Shqipëri për shqiptarët. Në këtë Shqipëri të largët nga Nëna Shqipëri, emigranti Kristo Kirka u inkuadrue  si patriot i rendit të parë, pa hezitim dhe pa rezerva, me “…atë shpirt-mohim dhe guxim që i priu tërë jetën si ushtar lirie në mërgim dhe në atdhe”, shkruente Qazim Prodani. Dhe vazhdon:”Mëmëdheu ishte kulti i Kristos dhe kombi e shqiptarizma- feja e tij, besimi i shpirtit fisnik që qëndronte në atë trup të pastër,. i pastër si dëbora e Gramozit”(f.27)
Shqiptaret orthodoks si Kristo Kirka ”…jo vetem qe ndjeheshin etnikisht dhe kombetarisht shqiptare, por qendronin ne rradhet e para te levizjes per te drejtat kombetare te popullit shqiptar”(f.29) Bashke me patriotet tjere ne Shqiperi, Kristo Kirka ishte legjoni i nderit kombetar qe “…vune themelet e Shqiptarizmit e te shtetit kombetar shqiptar.“(f.30) “Une jam orthodoks, dhe si e degjon flas mire greqishten. Por nuk jam grek, jam shqiptar i kulluar dhe e kam per nder qe jam i tille”, i deklaronte ai profesorit grek Kicos ne Boston. Kane qene patriote te ketill si Kristo Kirka qe u bane nismetare dhe themelues te Kishes Orthodokse Autoqefale Shqiptare ne Amerike. Per mendimin e tij edhe “Fan S. Noli pranoi te dorezohet prift per motive kombetare”!(f.38) Sepse, “…ai (Noli) besonte tek vetja e tij, se ne petkun e priftit e te predikimeve te tij, mund te sherbente shqiptaret e Amerikes, por edhe te Shqiperise, per te hyre ne rrugen e perlindjes dhe te qytetnimit”. (f.41) Shqiperia nuk ishte shtet ne ate kohe te veshtire. “Me 22 mars 1908, ne Kishen e Shen Gjergjit ne Boston, u tha e para meshe ne gjuhen shqipe ne një kishe orthodokse”. Hapi i pare u be ne Amerike!” (f.42)
Me  15 shkurt 1908, shoqeria “Besa-Besen” , e kryesueme nga Kristo Kirka, filloi botimin e gazetes “DIelli”. Deviza? Dielli eshte organ i shqiptareve kombetare, qe kerkojne veteqeverisjen per Shqiperi. Redaktori i pare: Fan S. Noli.
Tashti, te gjitha shoqenite e shumeta shqiptaro-amerikane kishin kthye koken drejt Shqiperise, dhe u ndergjegjsuen per detyrat kryesore: perkrahjen e levizjeve revolucionare ne Shqiperi, dhe mbrojtjen e çeshtjes shqiptare ne arenen nderkombetare, veçanerisht ne SHBA. “Ketu, thonte Kristo Kirka, jemi te lire te veprojme pa frike”. Dhe   ashtu bani!
Por u deshen shume perpjekje kambengulese te Komisionit te Bashkimit, i perbame nga vatranet patriote si Kristo Kirka, Elia  Tromara, Kostaq Kotta, Kostika Treska, Llambi Çikozi per te arritun deri ne themelimin e Federates VATRA. (Ashte shume domethanes fakti se te gjithe themelueset e VATRES jane shqiptare ortodokes. Një perbamje e ketill tregon qellimin fillestar te Vatres: ruejtjen e Shqiperise nga agresioni grek. Ne themelimin e Kishes Orthodokse Autoqefale Shqiptare ne Amerike ky qendrim merr edhe një forme ma konkrete, randesia e te cilit, dhe efekti i tij pozitiv jane jashtezakonisht te medha, dhe me një fryme patriotike te rralle ne historine e vendit tone)
Me 24 mars 1912, u vendos te formohet “Shoqeria Federale” Vatra me Diellin si organ te saj.  Dhe (me shume randesi!)”…gazeta te mbahet vetem me te ardhurat e saj, nen kontrollin moral te shoqerise”(f.56)
Një nga delegatet ishte Kristo Kirka. Me 31 mars 1912, u pagezue  Federata Panshqiptare e Amerikes “VATRA”. Ne mbledhjet e 9 dhe 14 prill 1912, u shqyrtue dhe u aprovue edhe Kanunorja e Federates Vatra, Me 28 prill 1912, u mbajt mbledhja perfundimtare, dhe quhet dita e themelimit te Vatres. Perseri, figuron ne dokument emni i Kristo Kirkes, patrioti i “Shqiperise se pare” ne mergim, i cili u zgjodh anetar i Pleqerise se Perkoheshme, dhe Managjer i Dielli-t. Me 12 maj 1912, u formue Dega a Bostonit, dhe Kristo Kirka u zgjodh kryetar.
Me pase një ide te entuziasmit shqiptaro-amerikan per Shqiperine ne ato vite, duhet te kujtojme mitingun e 27 prillit 1913, kur Peticioni i derguem Konferences se Ambasadoreve ne London ne mbrojtje te çeshtjes shqiptare te neperkambun, u nenshkrue nga ma shume se 30.000 veta.
Mbas shpalljes se pavaresise se Shqiperise, 28 nandor 1912, Kristo Kirka vendos te kthehet ne atdhe me bindjen e plote se një bashkepunim ne mes te shtetit te ri dhe Vatres – e cila ne ate kohe kishte afer 40.000 anetare-  ishte rruga ma e mire per çeshtjen tone kombetare. Kontributi i Vatres gjate ketyne diteve fatale njihet botenisht. Me 18 maj 1913, edhe Komisioni i Vatres vendosi qe Kristo Kirka te shkoje ne Shqiperi qe te percjelle atje mendimin dhe qendrimin e Vatres, dhe te ndihmonte ne punet e Shtetit te ri shqiptar. Ate dite, ai u vleresue per kontributin e jashtezakonshem se veprimtar i Vatres dhe suksesin e tij me Diellin qe dyfishoi abonimet.

Perseri ne Boston, Kristo Kirka ne Kuvendin e jashtezakonshem te Vatres, 17-18 korrik 1915, u zgjodh si N/Kryetar i Vatres (kryetar Fan S.Noli). Por Noli shkoi ne Europe, dhe Kirka mori detyren e Kryetarit te Vatres. Dielli shkruente:” I vetmi shpetim per ne eshte te perqafojme politiken europiane, dhe jo ate austriake, italiane, angleze, franceze veçmas. Detyra e jone eshte qe te tregojme Europes se ne duam vetem Shqiperine dhe simpatizojme vetem ata qe do te perkrahin vendin tone”. Ne nandor 1915, Kristo Kirka ka qene një nga promotoret kryesor te formimit te Komitetit “Miqt e Shqiperise”.

Me 4 janar 1919, Kuvendi i jashtezakonshem i Vatres luejti një rol te dores se pare per çeshtjen kombetare. Dielli shkruente se asnjë komb  tjeter nuk e ka ndihmue çeshtjen e vet ne kete mase sa ndihmojne punetoret shqiptare te Amerikes. Deri ne mesin e shkurtit 1919, ndihma e Vatres ka kalue 120.000 dollare(f.94)($8million)

Ne mes te ketij aktiviteti te madh, u formue edhe Kisha Orthodokse Autoqefale Shqiptare ne Amerike, si peshkopate autoqefale dhe prifti Fan S.Noli u shugurue si peshkop i kesaj Kishe, dhe si peshkopi i pare shqiptar. Ne Washington D.C. Kost Chekrezi e Kristo Dako perfaqesojshin interesat shqiptare, ndersa SHBA emnoi Robert Townsend si N/Konsull te Amerikes ne Korçe. Ky qendrim perkrahes dhe mirenjohes i Amerikes se Wilson-it ka qene rezultat i veprimtaise se Vatres ne SHBA. Ne mes te figurave kryesore qendron edhe ajo e Kristo Kirkes.

Edhe ma vone , ne nandor 1920 kryeministri shqiptar, I.Vrioni, emnoi Imzot Nolin Kryetar  te delegacionit shqiptar prane Lidhjes se Kombeve. Me 17 dhetor 1920, Shqiperia u pranue anetare e kesaje organizate botenore. (Keu duhet te njohim kontributin e britanikut Sir Cecil Roberts sekretar i L se K) Po ne ate kohe, Mit-hat Frasheri vjen ne Amerike dhe ne shoqenimin e Kristo Kirkes hape fushaten per “Huane Kombetare”. Njëkohesisht kerkohet hapja e një dege te një banke amerikane ne Tirane.. Deri ne shtator 1921,  u mbodhen 179.773 dollare,( aferisht $ 11 miljone me vleren e sotme) dhe u derguen ne Tirane.. Me 2 janar 1921, Vatra ngarkon Kristo Kirken me detyren e perfaqesuesit te saj te posaçem ne Shqiperi. Misioni kryesor ishte te formohej Partia Kombetare ne Shqiperi, e frymezueme nga “…iderat dhe parimet e Federates VATRA: te shohe burrat e shtetit shqiptar te bashkuar ne nje program, te forcuar ne nje parti, qe te mund te bejme balle rreziqeve te jashtme ne vitet e para te rilindjes sone kombetare” (f.114)

Kristo Kirka zen vend ne Korçe ku ndjehet shume nevoja e tij. Me 1921, ai harton programin (firmue nga 20 personalitete shqiptare) e një partie…qe u quejt “Partia Popullore” per shkak te prirjeve demokratie te saj” (f.121) Zgjedhjet e 1921-es i fitoi Partia Popullore. Kryetari u zgjodh Fan S.Noli. i sapo kthyem ne Shqiperi, ku u prit si “kryezot”., dhe u shpall qytetar nderi i Korçes..

Kristo Kirka u zgjodh deputet i Korçes. Pozita e re qeveritare i mundesoi atij punen me intensitet qe Fan S.Noli te kunorezohej peshkop i Korçes dhe i gjithe Shqiperise. Fati e deshi qe me 9 nandor 1921. Konferenca e Ambasadoreve njohu zyrtarisht shtetin shqiptar, dhe percaktoj definitivisht kufinjte e Shqipenise. Korça mbeti  ne Shqiperi.. Ne tetor 1922, Kisha Autoqefale Orthodokse  u njoh edhe nga Qeveria shqiptare. Anetar i Keshillit te Larte te Kishes ishte edhe Kristo Kirka.. Me kete cilesi ai autorizohet te shkoje si anetar i delegacionit kishtar prane Patriarkut te Istanbul-it me kerkese per njohjen e Kishes se re. “Ishte nje aksion i guximshem me koken ne torbe!” kujton ai. Patriarku refuzoi! Me 4 dhetor 1923, ne Kishen e Shengjergjit ne Korçe u organizue ceremonia  e fronezimit kanonik te Peshkop Nolit. Tashma ai ishte zyrtarisht Metropoliti Theofan, peshkop i Durresit (f.151) Ashtu si vite ma pare ne Boston, edhe ne Tirane, prezent ne krijimin ishte edhe Kristo Kirka.

Ai nuk u perfshi ne levizjen revolucionare te qershorit 1924, “…nuk ishte per permbysje revolucionare”.(f.153) Ky qendrim e ndihmoi te emnohet ne postin e konsullit te Shqiperise ne New York, qe ai e pranoi te punonte edhe per Vatren. Per arsye te kundershtimit te Traktatir shqiptaro-italian te vitit 1926, ai u denue me vdekje (ne mungese) Por ne SHBA ai u zgjodh anetar i Keshillit te pergjitheshem te Kishes Orthodokse Autoqefale Shqiptare ne Amerike. Ne vitin 1930, Kristo Kirka e konsideroi te perfunduem misionin e tij prej atdhetari dhe diplomati ne SHBA,   dhe me 1933,  bashke me familjen u kthye ne Shqiperi.

Ne vtitin 1936, per meritat e tia emnohet n/prefekt i Himares, një zone shume nevralgjike politikisht, dhe ma vone ne Bilisht.. Ne vitin 1938, shteti shqiptar ishte i interesuem me bashkue vatranet e perçare qe kishin humbe peshen e tyne prane qeverise amerikane.. Me kete detyre u ngarkue Kristo Kirka dhe Aqif Permeti”…per te sjelle një bashkim midis shqiptareve te Amerikes rreth Federates VATRA “(f.209)

Mbreti Zog kerkoi qe qendra e Vatres te mbetet gjithehere ne Boston, dhe te perdoren te gjitha fuqite qe qendra e Vatres, ketej e tutje te mbetet ne Boston”(Deklarate e Abdurrahman Matit(f.210)

Kohet e fundit, studjuesi Ilir Konomi, (“Faik Konica”), ka zbulue edhe kete fakt:” Misioni i tyre ishte te bindin Peshkopin (Noli) te kthehej ne Shqiperi per te kryesuar Kishen Orthodokse Autoqefale Shqiptare, e cila kishte fituar njohjen e Patrikanes se Konstandinopojes”.(f.156)

Kthimi perfundimtar i Kristo Kirkes ne atdhe u ba mbasi perfundoi misionin e tij ne Amerike. Perseri ne Bilisht,, me ardhjen e okupacionit Italian, ai u gjet perballe një levizjeje te elementeve komuniste. Ai u trondit, sepse “…e dinte mire se cili ishte thelbi i komunizmit:terrori!”(f.211)

Ai e kuptoi  zhvillimin e  gjendjes dhe shqetesohej shume. Lufta italo-greke e ashpersoi edhe ma shume situaten. Me hymjen e grekeve ne Korçe ai vendosi te mos largohej, megjithese njihej mire si anti-grek. Një dite, greket e arrestuen, dhe e derguen ne një kamp perqendrimi te quejtun Koqinja, afer Athines, ku gjeti edhe shqiptare te tjere, dhe u mbajt atje deri me 16 maj 1941, mbas kollapsit grek.

Me largimin e trupave greke, Kirka i dermuem, u kthye ne shtepi, dhe perseri ne detyre ne Bilisht. Por kesaj rradhe ai u perball me levizjen komuniste. Ne parim Kristo Kirka ishte anti-komunist i vendosun. Per kete, ai filloi te mbledh “fakte e prova” (influence e drejtesise amerikane) ne lidhje me veprimtarine komuniste, dhe jo te marre masa te pamotivueme. Por mbrenda vetes, ai kishte dyshimet e tia ne se detyra e N/prefektit e komprometonte. Ai tregon:”Ne kohe qe une kam qene ne Bilisht, kur ka qene okupacioni , per ata persona qe ishin ne sherbim te okupatorit, ishte një gabim’”(Dosja gjyqesore e KK) Ne vitin 1942, largohet nga Bilishti dhe emnohet Kryetar Bashkie ne Korçe, me funksione administrative e jo politike.

Por jeta bahej çdo dite e ma e veshtire. Ne fillim, dy forcat e rezistences, PKSH dhe B.K. i shikonte si “…dy anet alternative te luftes per çlirim” (f.225) dhe perpiqej te evitoje konfliktin. Por miqt e tij te ngushte ishin anetaret e Keshillit Qarkor te B.K. per Korçen.

Masakra e Ziçishtit, Devoll, ku u theren pabesisht 6 nacionaliste nga çetat e Dushan Mugoshes e tronditi shume. Si kryetar bashkie u perpoq qe skena te ketilla te mos perseriteshin ne Korçe, dhe qe aksionet kunder gjermaneve te mos baheshin ne qytet ose ne rrethina. “Detyra e çdo qeverisje, ne rradhe te pare, ashte te ruaj jeten e shtetareve te vet” thonte ai (f.230)dhe “Jemi vellezer, s’na ndani dot!!” ishte parulla kryesore. Me një seri fjalimesh dhe deklaratash publike ai u perpoq te zbute atmosferen e acarueme deri ne vellavrasje. Por pa sukses; Shqiperia po rreshqiste drejt shkaterrimit. Bashkepunimin me Levizjen Nac-Çlirimtare nuk e pranoi. Kristo Kirka, patriot i formuar, per te cilin ishte shume e qarte se ç’perfaqesonte levizja komuniste e maskuar si nacional-çlirimtare”(f.237) nuk mund te pranonte. Por, ai nuk u largue as nga Korça as nga Shqiperia!

Fitorja e komunisteve e mbylli Kriston ne shtepi, por u arrestue qe me 25 tetor 1944 dhe u lirue mbas 18 viteve. U vetembylle perseri ne shtepi. Ishte stina e gjyqeve ushtarake ne Korçe, si gjyqe te bujshme. Ne Tirane, ishin vatranet Kole Tromara, Bahri Omari, Aqif Permeti qe u denuen me pushkatim. Rrethi ngushtohej. Ma ne fund , me 12 maj 1946, u arrestue si “…armik i popullit e sabotator i pushtetit popullor…”  Terrori komunist nuk e kurseu ate qe nuk kurseu asgja per Shqiperine!

“Doli nga shtepia dhe nuk u kthye ma” tregon i biri, Niko Kirka. E mbyllen ne biruca plakun 63 vjeçar  dhe e torturuen per te pranue kauza te rrejshme. Me 17 dhjetor 1946, e denoine me 20 vjet burgim. Një nderhyjrje ne favor te tij nga Imzot Fan S.Noli nuk dha asnjë rezultat. Një muej mbas arrestimt te tij, u burgos edhe i biri, Niko Kirka, Bashkeshortja e tij,tani një nane e mjere, pa ndihme me dy foshnje u detyrue te mbijetoje pa burr e pa djale, te dy te burgosun per vite te gjata.

“Patrioti i dy Shqiperive,” Kristo Kirka, vdiq ne burgun e Burrelit me 27 prill 1955,  vetem, i smure, i harruem. Ky ishte shperblimi qe i jepte Shqiperia birit te saj qe i kushtoi jeten lirise dhe pavaresise se atdheut qe deshi pa kufi!

Një tragjedi shqiptare e shumfishte!

Maj 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: i dy Shqiperive, Kristo Kirka, patrioti, Sami repishti

FILOZOFIJA E JETËS KA KUPTIMIN E PLOTË NË VARGUN E DHURATA LEZO

May 18, 2013 by dgreca

-Këtë filozofi lexuesi do e gjejë në librin e saj met ë ri me peozi “Shiu i dashurisë”, qe e botoi shtëpia botuese Milosao-Gjirokastër/
Nga Sokol DEMAKU/

Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i poetës së re nga Kuçova, Dhurata Lezo, pas librit të parë ”Dhimbja e mosqeshjes” dhe atij prozatik ”30 vjet lumturi”.
Po të ndalemi në ditët e sotme intelektuali i vërtetë jeton në dy botë, atë të ideve dhe atë të realitetit konkret, sepse sipas Platonit ”E bukura është shkelqimi i së vërtetës”. Misioni i shkrimtarit është përshkrimi i relaitetit jetësor, atij realiteti në të cilin ne sot jetojmë. Ky është misioni i tij i shenjtë, një detyrim që e obligon dhe nderon jetën dhe vuajtjen, të arriturat dhe dëshirat. Jeta është e mbushur me befasi, por ne duhet të jemi të pregaditur që asnjë e papritur mos të na befasojë. Para nesh kemi njërën nga mërgimtaret tona që digjet për atdheun dhe fatin e tij, për familjen, të afërmit, farefisin, për dashurinë, baban e nënën. E në vargun e saj është fati i atyre që e braktisin vendlindjen, i atyre që u detyruan dhe ikën në kohë të pa kohë. Kur u reken shtigjeve të mërgimit, braktisën pragun e lindjes, braktisën çdo gjë që kishin krijua me vite. Kemi vargun e saj i cili paraqet dashurinë në format e saj me të buta por edhe me të ashpra kur është fjala tek dashuria dhe mërgimi. Autorja Dhurata Lezo na vjen para nesh me një tufë poezishë në librin e sajt ë radhës ”Shiu i dashurisë” duke i hymnizuar vlerat e jetës, familjes, dashurisë dhe duke i kujtua ditët e lumturisë rinore, ditët e hares familjare, duke i vu në pahë edhe kohët moderne të cilat i jetojmë larg atdheut.
Nga ajo që prezentohet në këtë libër, kuptojmë se e reja Dhurata Lezo shkruan me ndjenjën e dinjitetit personal duke prezentua ate çka ajo ndjen dhe mabanë në shpirtin e saj dhe me një stil të veçantë bënë përshkrim të gjithanshëm të gjërave të thjeshta e të bukura që njeriu përjeton në jetën e tij, por nuk mungon as ana tjetër e medlajes pra edhe vujatja, hidhërimi, sepse autorja është vetë përsonazhi i poezisë që në shpirt përjetoj këto çaste edhe hareje edhe deshprimi. Të njohësh, të përjetosh, të përjetosh poezinë e Dhurata Lezo, duhet të jesh me trup e shpirt me poezinë e saj në librin ”Shiu i dashurisë”, por duhet ta them edhe këtë se edhe një poezi e vetme do të mjaftonte për këtë njohje dhe për përjetim të poezisë së saj sikur poezia që i kushtohet (djaloshit të mrekullive) ”Shiu i dahsurise” nga e cila poezi edhe merre titullin buqeta poetike. ”E bukura nuk vdes kurrë, por shndërrohet në bukuri të tjera” thotë Thomas Bailey Aldrich, e unë mendoj se edhe ajo çka lexuesi do përjetoj në këtë buqetë poetike, dashurie të poetës Dhuata Lezo do jetë e përjetshme dhe e bukurë.
Para nesh kemi një autore që i jep rëndësi poetikës moderne shqiptare duke patur si personazh qëndror ne poezinë bashkëkohore dashurinë, familjen, mërgimin si një plagë shekullore e kombit e që si duket autorja është kryeprotagonistja.
Por përgjithëshmëria poetike e Dhurata Lezo, i tejkalon kufijtë e racionales dhe ka hyrë në zikzaket e një iracionalitetit, në nje vetecje të një ëndërre të kahmoçme, të një ëndërre që autorja mban në shpirtin e saj, të një ëndërre që ajo e zbulon përmes vargut, dhe ndjenjave që ajo shprehë përmes vargut të saj magjik, sepse vargu i shprehurë nga autorja është përjetuar nga vetë ajo dhe thotë shumë, thotë shumë për jetën, dashurinë, mërgimin, sakrificën. E lidhur me këtë do ndalem në një thënje të Rilindasit tonë të njohur i cili thotë: ”Çdo e bukur që ndihet në rruzullin tokësor, është homogjene me bukurinë e shpirtit”. (De Rada)
Folozofija e jetës ka kuptimin e plotë në vargun e Dhuratës. Ate njeriu e ndjenë në komponim dhe me metaforën e përdorurë për mrekulli nga autorja. E hasim këtë pothuaj në shumicën e poezive të këtij vëllimi.

Autorja i qaset jetës shpirt hapur, me entuziazëm të pashoq e këtë e vërejmë tek poezia “Jeta e vërtetë”. Qëndrimet janë kufizime, ashtu si autorja i pranon kufizimet në shijimin e jetës, në përvojën, në jetë dhe filozofin e jetës. Ku autorja thotë:
“Por një gjë është e sigurt;
Atëhere përqafimi më s`do ndërpritet
nga ankthi, pritja, rënkimi. Atëhere, për
herë të parë sytë do qeshin…”
Kjo nuk do të thotë se këtë ka për ta vërtetuar jeta, por mendja do të provojë të gjejë rrugëdalje e domethënie, argumente që e përmbajnë këtë, kjo është filozofija bashkëkohore e jetës dhe të jetuarit.
Kur ke qëndrim të caktuar ndaj jetës, atëherë edhe jetës i jep kuptimin . Jeta është e gjerë, e ka abticat dhye zbaticat e saj nga çfarëdo qëndrim që njeriu ka në kokë.
Këtë e shofim më së miri tek poezia:
Le të ketë
“Le të ketë ca diell
Pas shiut të ftohtë të fytyrës
Së lodhur nga pritja, monolgu, dimri i vetmisë
Le të ketë ca qeshje
Që fshijnë rudha mërzitjesh”.
Vazhdojnë ecjet e vargut, vazhdojnë, bezdisjet e protagonistës së vargut, pra autorës në shëtitje pa e larguar asnjëherë shikimin nga kjo ngjarjet magjepse, në dashuri, famililje, mërgatë, sepse ka frikë se edhe për një çast ta largoj shikimin do të i ikë madhështia nga sytë, do e humbas ate cka ajo mban në shpirt, ate cka e ndjen se duhet ta ketë pran. Sepse me shumë adhurim i këndon në vargun e saj dashurisë, të dashurit që ndoshta nuk i dihet… Por si duket autorja është pakëz sa e ndrojtur dhe e prekur nga kjo, sepse na shpreh një pesimizëm në shumë vargje të saj kur ajo i këndon dashurisë. Në përshtypje të parë të duket kjo një gjendje përhumbjeje, por jo, zbrazëti assesi, por, përmbushje, sepse autorja është reale me vargun e saj. Në një moment mundohet ta kapë këtë madhështi me vargun e saj, dhe se ia arrinë ta paraqes ashtu si ajo e ndjenë në shpirt gjendjen e saj, dashurinë, ndjenjen e miqesisë dhe humanizmit të shpirtit. Por nuk është e lehtë jeta. Gjithçka e bukur është vështirë të pasqyrohet ashtu siç është në esencë!…
Arrati
“Një gur zemrës po i vë
Për të ikur tutje sherrit, thashethemeve provinciale
Llafazanërisë banale, idiotizmit të kot fanatik…”
Qëndrimi optimist i autorës ndaj sfidave që na i parashtron jeta, pra prirja e individit për t’i parë gjërat nga këndvështrimi vetijak, për t’iu qasur jetës me plotë gjallëri e hare, me guxim e besim në vete, me siguri e vendosmëri, pa pasur frikë nga vështirësitë që mund t’i shfaqen si pengesa të mundshme gjatë rrugëtimit të tij drejt realizimit të qëllimeve të përcaktuara është një veprim i dobishëm, në harmonizimin e balancës shpirtërore si burimi i vetëbesimit me efekte shumë pozitive dhe të dobishme, sepse e tham edhe më herët filozoija e jetës teka autorja është në kulmim, është parësore, por na shprehete edhe përmes pesimizmit të saj nga frika se do e humbë gjenë më të dashurë, por prap në vargune saj mbizotëron arsya dhe optimizmi është mbi të gjitha.
Nga perendia
“Nga perendia do bëhet kjo
Dhe është e tmershme në sytë tanë
Bashkon familje, përmallon çifte
prej kohësh ndarë. Vëllazëri dhe mirëkuptim
dhe brenga s`ka më vend”.
Pra, autorja i gëzohet kësaj dhurate hyjnore, u gëzohet sikur lulja rrezeve të para të diellit, i qaset ditës së re, jetës, me plotë gjallëri, vullnet, besim e vendosmëri, sepse e vlerëson pambarimisht këtë dhuratë hyjnore dhuruar nga perendia dhe ajo ndjehet e disponuar, e gëzuar, e lumtur.
Kërkimi i lumturisë është po aq i vjetër sa njerëzimi. Poetë, filozofë dhe teologë kanë vrarë mendjen prej shekujsh për të përcaktuar çfarë është lumturia. Pra edhe e reja Dhurata Lezo në këtë buqetë poetike është në kërkim të lumturisë, të një lumturia të përbashkët, sepse vetmija e ka mudnur çdo ke deri më sot.
“Rrugëtoj natës. Vetëm s`jam
po t`i shtosh kësaj ore
edhe
një tok gjërash të harruara, që,
në mall të çmendur të shtien”…
Por malli nuk është një dukuri që njeriu e ndrynë në vbetne e tij, edhe pse pasojat e tij reflektohen fuqishëm në botën njerëzore, malli është ndjenjë, ndjenjë e thellë shpirtërore, dhembje dhe dashuri. Kot mundohet ta fsheh ndokush mallin, ai shpërthen në brendi me fuqinë e vullkanit dhe llava e derdhur prej tij është përvëluese. Atë e ndjen, e përjeton secili në botën e unit të tij, pavarësisht asaja se dikush dikush mundohet ta feshë! E autorja e shprehë në vargun e saj në menyrë të qartë mallin, sepse edhe ajo e ndjen në shpirt, e mundon edhe këtë dhe thotë:
“Tmershëm po gjëmojnë këmbanat e mallit.
Si e zura veten vetëm, qava dhe ika”…
Në kuadër të kësaj vepre ballafaqohemi me vargje të një ndjeshmërie të ëmbël për nënat tona si krijesat më të shtrenjta në botë, për baballarët tanë. Për prindërit tanë që na krijuan dhe rritën me vuajtje e mundime, me sakrificë dhe sot jemi larg naga ata, në momentet kur ndoshta më së shumti u duhemi atyre. Këtu defilojnë vargje kushtuar dashurisë ndaj prindërve, si një ndjenjë e bukur që e përlind botën dhe aurtorja shton:
“Sa kohë pa ndier gëzimin e jetës.
sa kohë, sa kohë…
sa kohë kish kalua pa qeshjen nën mjegull kur
lozje e fshiheshe gërzueshëm, nën prehrin e nënës.
& &
“Babai është pensionist
Flokët i ka ngjyer në dritën e hënës
Ecjen e shkujdesur të viteve të sjkuara
Koha ia ka shndërruar në tkurrje të këmbës”
Në këtë kontekst nuk mungojnë as vargjet për Shqipërinë tonë dhe shqiptar e shqiptare që ka kohë kanë lenë bjerrë tokën e atit dhe memës dhe bredhinë rrugëve të botës.
“Si u shpërngulen keshtu
Nëpër toka të huaja dhe njerëz të huaj
Si ikëm kështu
Prej zemrës dhe qiellit shqiptar
U shpërngulëm kaq larg…
Nga leximi i këtij libri mund të konstatojmë me plotë kuptimine e fjalës se kemi të bëjmë me një buqetë peotike të poetës Dhurata Lezo e cila me magjin e shpirtit të saj dhe ndjenjës që del dhe shpërthenë nga brendia e këtij shpirti nuk është thjeshtë një ndjenjë filozofike por një realitet në të cilin ka jetua dhe jeton edhe sot autorja. Ajo synon për të spikatur drejt një filozofie sociale të kohës e mbarsur me brengat dhe problemet e saj në kohën bashkohore, në kohën moderne. Ndaj dhe autorja e kësaj përmbledhjeje bazohet në përjetimet, pesimet, vuajtjet dhe që pasohet shpesh nga një meditim i thellë për hallet e te rinjëve sot e ku personazh i këtyre peripetive është vetë autorja e buqetës poetike.

Filed Under: Kulture Tagged With: Dhurata Lezo, Shiu i dashurise, Sokol Demaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5439
  • 5440
  • 5441
  • 5442
  • 5443
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT