• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ELITA SHQIPTARE,DETYRA DHE PËRGJEGJSIA E SAJ

May 15, 2013 by dgreca

Shkrimi është një mesazh për intelektualët dhe ata të cilët pozicionojnë vehten në etalonin e quajtur elitë politikanësh të sodit.Ky shkrim është shkruajtur në gazetën „Përpjekja Shqiptare „ e vitit 1936,nga i madhi Mit’hat Frashëri,që i përkon kohës së sodit,kur mendjemadhësia e politikanëve,kryetar partish por edhe ata intelektuale ende s’gjejnë gadishmëri uniteti përballë rreziqeve që i kanosen shqiptarëve dhe trojeve shqiptare,gjithmonë në emër të disa„integrimeve“ çudibërëse.(Eugjen Shehu) ***

… Elitë thuhen njerëz të zgjedhur,por të zgjedhur jo prej ndokujt.Më mirë t’u themi të shquar,me një cilësi që na duket më e madhe,më e bukur,më e dobishme se e të tjerëve.Persona të tillë të heqin respekt,kanë një influencë morale që na detyron të dëgjojmë opinjonin e tyre dhe t’u bindemi me bindje morale vullnetare.Ata imponohen shpirtërisht,bëhen udhëheqës se janë si një fener,si një yll,si një dritë që na rrëfen udhën.Ndër ata gjejmë një thesar dëshirash dhe aspiratash dhe ideali dhe prirjet e tyre na duken sikur janë tonat.Ndër ata kthejmë sytë kur kemi nevojë dhe kërkojmë ndihmë.
Por edhe kur s’kemi nevojë,kurdoherë ngrejmë vështrimin drejt tyre – ata imponohen vetë,na janë pranë : fryma dhe afshi i tyre na prijnë,na ngrohin,na tregojnë shtegun,pa e ndjerë ne,pa e parë.
Ai veprim formon fuqinë tonë,bën rojtjen tonë të vërtetë.Elita,jo vetëm përfaqson pjesën më të vlefshme të një kombi por është udhëheqëse e shoqërisë për die,për gjykim,për estetikë,për jetën kolektive dhe tendenca historike,për besim dhe fillozofi.
Tani vjen pyetja : A kemi një elitë ne ? Më pëlqen përgjigjja pohimiste,se ashtu i do njeriut shpirti.
Por,duke kapërcyer këtë trap,themi ; Duhet të kemi,meqenëse është një nga konditat kryesore të jetës.Dhe atëherë vjen vetiu : Si do ta formojmë ? Më parë të kujtohet kushti themelorë : ata njerëz nuk formohen kur na pëlqen neve ;as e krijojmë dot ;as e kemi në dorë që të lindin.Bëhen vetiu,i bën Fati,Zoti,Natyra.Dhe bëhen vetë,me një durim të gjatë,ose më mirë akoma në qoftëse gjenia,naltësi e jashtëzakonshme e intelegjencisë është një dhuratë që vjen së sipërmi,puna e vetë njeriut,vullneti i tij i pareshtur,kur s’e kemi në dorën tonë fatin,atëherë na mbetet vetëm mjeti i dytë,atë i cili mvaret nesh,që mvaret nga intelegjencia dhe karakteri ynë.Edhe të dy këmbët mbi të cilat ngrehet elita,s’janë veçse inteligjencia dhe karakteri ,kjo e fundit më parë akoma se tjatra; e para duhet të jetë në shërbim të së dytës,si një ndihmesë,një skllave e bindur : me këto kondita mund të fitojë elita atë autoritet moral,intelektual dhe shoqëror.Mos më thotë kush në vesh,mos t’i shkojë kujt mendsh se „qeveria“ o „ministria“ mund të krijojë e mbryjë një Elitë për vendin tonë. Kjo do të ishte sikur të vërë kush buallin përpara qeres.A supozojmë se ata që janë në ofiqet zyrtare,formojnë batalione dishekujsh ? kjo do të ishte një send ideal.Por,të qe kështu,atëherë s’do të kishim nevojë të lodheshim.Të ishte e mundur që me një urdhër,me një dekret të krijoheshin merita,zotësia,vlefta dhe intelegjencia,atëherë do të ishim njerëzit më të lumturit të dheut.Nuk do të detyroheshim të mejtohemi,të kemi brengë,të ndjejmë mungesën e një gjëje të nevojshme,nga e cila pothua se varet gjithë rrojtja jonë,nga çdo kënd,nga çdo pikëpamje që ta shikojmë.Më parë a e kemi besimin e fortë se,merita,vlefta janë sendet e brendshme të shpirtit dhe jo shkëlqime të jashtme ? A jemi vërtetë të bindur – dhe duhet medoemos të jemi – se vlefta është intrenseke dhe joekstrensike,se kujdes i kujdo duhet të jetë për të qenë dhe jo për tu dukur ?Vetëm ky besim,ky konviktision,e bëjnë njeriun të punojë me seriozitet,të njohë detyrën dhe përgjegjsinë e tij,të kuptojë se ka një barë mbi supet,një peshë të madhe për të bartur.Dhe kjo vleftë e vërtetë e bën njeriun të jetë modest,larg demagogjisë.Elita s’ka të bëjë me pozitat zyrtare e shkallët e larta.Ajo s’ka nevojë për fuqi materiale.Forca e saj është krejt morale,me besimin që frymëzon te opinioni i të tjrëve,vlefta e tyre shpirtërore.Jo fjalët,por sjelljet,karakteri,integriteti i tyre,i bëjnë ata superioritet të padukshëm.
Duke mejtuar udhën e gjatë bërë prej popujve fatbardhë në fushën e gjërë të përparimit dhe të lumturisë,nuk mundim të mos ndjejmë thellë në zemër një melankoli dhe të kuptojmë më mirë përgjegjsinë tonë.Studimi dhe meditimi duhet ti japë njeriut çelsat e virtytit dhe të karakterit.I lumturi që gjen një shkëndijë drite,duhet ta konsiderojë veten e tij jo si viktimë,por si misionar,jo i hedhur në këtë lëmë për të vuajtur,por i lindur për të mbushur një detyrë.Ai që me djersën e tij,me durimin e vazhdueshëm të tij,ka fituar,ka fituar një shkallë në dijeni e në moral,ai s’ka dyshim se duhet ta shohë të lumtur veten.Ndërgjegjja e një vlefte së vërtetë a nuk është shpërblimi më i madh që mund të ketë ? Ku mund të mbijnë hithrat e ankimit a të dëshprimit,kur çdo agim i bie dritën e kënaqësisë shpirtërore ? Duke u larguar nga lotët dhe klithjet e viktimit,misionari gjen fuqinë e tij : duron,punon.
Vini re si punohet ; A harrojmë se,edhe më e vogla e aftësisë,e zotsisë,lyp një studjim,një lodhje,një vuajtje,një punim të gjatë,a nuk e dimë se asgjë në botë s’fitohet pa e merituar,pa e blerë me djersën dhe rënkimin tonë të përditshëm ? Në qoftë se jemi bindur se asgjë s’na zbret qiellit e gatitur dhe e gatuar,atëherë dëshprimi s’gjen vend te ne,por kënaqësi,qetësi dhe gëzim në jetën e njeriut,t’i provojë se lumturia është kur mbushim detyrën dhe përpiqemi të arrijmë qëllimin ? A nuk është njeriu mjaft krenar në këto kondita dhe kjo krenari modeste dhe e mbrendshme a nuk është rroga jonë më e madhe,më e ndershme ? Mësoni shqiptarët të punojnë me gëzim,të jenë gazmorë dhe optimistë dhe do t’u kini bërë më të madhin e shërbimeve.Mund të thuhet se vetëm ky shërbim do të jetë mjaft për të pasur lumturinë,se atje do të jetë burim i vërtetë i fuqisë shpirtërore ….
Meqenëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyreve që ,së bashku,formojnë kombin,do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër orë dhe të hetojë nga thellësi e vetes së tij ç’shërbim ka bërë për shoqërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që e quajmë komb.Do t’ish një ushtrim shpirtëror,me rezulltat të madh për neve dhe për të afërmit tanë.Elita,a nuk duhet të ketë për qëllim të parë përmirësimin e vetes së saj,fitimin e virtytit,të karakterit dhe të diturisë ? Misionari a nuk duhet të ketë në çdo minutë parasysh shembëllën dhe jetën e të shenjtit që ka zgjedhur për model,dhe a nuk përpiqet t’i afrohet modelit me durim,respekt dhe disiplinë ?
A nuk është e mundur që njeriu,kjo krijesë që i thotë vetes me mend,të rojë e hequr zvarrë prej rrethanash materiale,prej dorës së verbër të ngjarjeve,pa ndjerë,pa manifestuar asnjë reaksion,asnjë sforcim,pa mbrojtur veten ? A ëstë e mundur të rrojë njeriu,të themi më mirë : të rrojmë ne,pa parë,pa vështruar,pa mejtuar,pa gjykuar,pa punuar ?
Ata që ngrihen makar dy gisht mbi nivelin ordiner,duhet të kuptojnë përgjegjsinë e tyre…LUMO SKËNDO
(Përgaditi Eugen SHEHU)

Filed Under: Kulture Tagged With: elita, Eugjen Shehu, Lumo Skendo, Mithat Shehu

PËRUROHET LIBRI MONOGRAFIK DHE PËRKUJTIMOR,“PREKJA E PIKËLLIMIT”

May 15, 2013 by dgreca

Kushtuar Adem Berishës-Gjurgjeviku/
Nga Xheladin Mjeku/ Prishtinë/
Më datën 13 maj 2013 në sallën e Kuvendit Komunal, në kuadër të “Javës përkujtimore të dëshmorëve të Rahovecit” dhe në njëvjetorin e ndarjeës tragjike nga jeta të krijuesit të paharruar Adem Berisha-Gjurgjeviku, në prani të familjarëve, strukturave politiko-shoqërore, bashkëveprimtarëve e shumë qytetarëve të Rahovecit dhe rrethinës, u përurua libri monografik e përkushtimor ,“Prekja e pikëllimit”, të cilin e hartuan Xheladin Mjeku dhe Halil Xani.
Pas një recitali, me poezi të përzgjedhura nga kjo përmbledhje dhe hapjes së ceremonisë së përurimit, u dha një biografi e Adem Berishës. Pastaj, fjalën e rastit për librin e mbajti Xheladin Mjeku, ku shpalosi idenë e hartimit dhe ecurinë e realizimit të kësaj vepre të përbashkët, nga më se 85 bashkautorëve, me shkrimet dhe komentet e tyre të përmbledhura në një libër, që ka rreth 180 faqe. Organizimi i librit në katër kapituj sjell për lexuesin veprimtarinë e Adem Berishës, përmes shkrimeve monografike, analizave dhe vështrimeve letrare për librat e botuara, në të gjallë të autorit. Kapitulli i dytë sjell poezitë e rreth pesëdhjetë autorëve, duke vazhduar me kapitullin e tretë të homazheve nga miq, bashkëveprimtarë dhe dashamirës të tij, gjithandej në trojet shqiptare e në mërgatë. Edhe “Albumi” i përzgjedhur nga veprimtari të tij, vjen dëshmi e punës së parreshtur e të përkushtuar në krijimin e urave miqësore dhe bashkëpunimit bdërmjet miqëve, në veprimtari të ndryshme, letrare dhe kulturore.
Një fjalë përshëndetëse e mbajti edhe bashkëhartuesi i dytë, Halil Xani. Ai solli kujtime për Adem Berishën dhe shprehu falënderimin e tij që, më në fund, miq e shokë të Ademit ia dolën ta realizojnë këtë vepër-“monument letrar” për mikun e tyre, vepra dhe veprimtaritë e të cilit nuk do të harrohen kurrë.
Në mbyllje të kësaj ngjarjeje, me mbresa dhe emocione për të gjithë të pranishmit, sollën kujtimet e tyre edhe të afërm të Adem Berishës, bashkëveprimtarë dhe krijues të Rahovecit. Një fjalë mirënjohjeje, në emër të familjes së tij, e dha biri Agroni. Ai shprehu falënderimet e përzemërta për të gjithë pjesëmarrësit dhe për të gjithë ata, që dhanës ndihmesën e tyre të pakursyer, me shkrimet dhe përkrahjen material, në realizimin dhe botimin e këtij libri. Në veçanti, falënderoi dy hartuesit e librit, Xheladin Mjekun dhe Halil Xanin, duke nënvizuar që, deri në përmbylljen e realizimit të librit, nuk kursyen kohën dhe mundin e tyre, që botimi të dilte nga shtypi, në kohën e paraparë.
Përveç krijimeve të lartpërmendura, për krijuesin e paharruar Adem Berisha u kënduan edhe këngë. Në këtë rast, për të pranishmit u dha njëra prej tyre, e realizuar nga krjuesi, poeti dhe rapsodi Agim Gashi. Gjatë këtij programi u deklamuan edhe poezi nga krijimtaria letrare e Adem Berishës, që e bëri më të larmishëm dhe emocionues këtë ngjarje përkujtimore e përuruese.
Prishtinë, 14 maj 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Adem berishes, Gjurgjevikut, kushtuar, liber, Xheladin Mjeku

ALUSH LLESHANAKU, PARAROJA E ANTIKOMUNIZMIT

May 15, 2013 by dgreca

Shkruan Eugen SHEHU/

Është shkruar dhe thënë shum për antikomunizmin e shqipatrëve.Tek e mbramja kjo ndjenjë atdhetare,kur vendi yt dhe i të parëvet të tu,viren si kryefjalë,kur përpara trojeve etnike shqiptare,përthyhen e shpërbëhen të gjitha „imzat“ e tjerë,ka mundur të triumfojë,në më shumtën e bashkëkombasve të mij.Kjo edhe për faktin e thjeshtë,që në këtë antikomunizëm natyror të shqiptarëve,janë jeta dhe vepra e qindra bijëve të thjeshtë të këtij kombi.Dhe padyshim emri i nderuar i Alush Lleshanakut është në pararojë të kësaj gjenerate.
Lindi në fshatin Bradashesh, në këmbë të Malit të Krabës,jo larg qytetit të Elbasanit,në vitin 1913.Ende nuk ka mbushur dy vjet kur i vdes e ëma dhe Alushi do të rritej më tej,nën dashurinë e përhershme të babait të tij,Shuaipit.Fëmijëria e tij,sidoqoftë do të njihte gëzimet e veta ngase familja e Alushit kishte të ardhura të mira me ç’rast djalit jetim nuk do t’i mungonte gjë.Kur Alushi arrin moshën e shkollës,i jati blen një shtëpi në qytetin e Elbasanit.Ai do që djali i tij të mësojë në shkollën e qytetit sepse parasheh tek Alushi vullnetin për dije.Kështu jeta e birit të Bradadeshit ndryshon rrjedhën papritmas dhe në shtatorin e vitit 1920,ai shkon në shkollën fillore të Elbasanit.Qyteti në zemër të Shqipërisë,asaj kohe pati një sadisfaksion të veçantë.Ndonëse i varfër,ky qytet hapi zemrën për të parën shkollë Normale në Shqipëri dhe aty për vite me radhë,do të përgaditeshin breza të tërë mësuesish të talentuar.Pas mbarimit të shkollës qytetëse me rrezulltate shumë të mira,Alush Lleshanaku nis studimet në shkollën Normale të qytetit të vet të dashur.Tashmë shtati i tij ishte hedhur mjaft dhe që në vitin e parë të Normales,Alushi prezantonte një fizik dhe forcë të admirueshme edhe për nxënësit e viteve më të larta.Por forca askurrë nuk e krenoi ate.Trupi prej atleti ,muskujt e formuar,gjallëria lëvizëse,dukej se humbisnin përballë një shpirti të butë të djaloshit prej Bradadeshi.Mandej përveç fizikut të bukur,në Normalen e Elbasanit,Alush Lleshanaku ka mundur të lartësojë vetëdijen nacionale.Në çdo ndeshje sporti,shokët janë mësuar të shohin Alushin se si vrapon të vendos diku flamurin kombëtar,duke dashur tu jap këtyre ndeshjeve kurdoherë një soleminitet sa më të madh.Pos vatër dijesh,në fillim të viteve 30 ( të shekullit që lamë pas ) Normalja e Elbasanit,ishte edhe vatër e ndezur e mendimit atdhetar.Alush Lleshanaku,do të sihte nxënës i denjë i Ahmet Gashit,Vasil Andonit,Mid’hat Frashërit etj,të cilët me sakrificat e tyre vetmohuese do të ushqenin idetë e vyera kombëtare në zemrat e normalistëve.Me mbarimin e shkollës Normale,për Alush Lleshanakun,hapen dyert e shkollave në të gjithë shqipërinë.Ai është i vendosur për një mision të tillë,ndonëse babait i kumton se ka shumë dëshirë të vazhdojë mësimet në kulturën fizike.I drejtohet për këtë shtetit shqiptar dhe shumë shpejt përgjigjja i vjen pozitive.Sportet ishin natyra e dytë e Alushit ndaj edhe gëzimi me këtë rast ka qenë i madh.Ai e ndan këtë gëzim me shokët e shkollës,me ç’rast i siguron këta se do të kthehet sërish në Elbasanin e dashur.
Në vitet 1913-1917,Alush Lleshanaku kryen studimet e larta në kulturën fizike,në Universitetin e romës.Edhe aty dallon nga të tjerët për vullnetin në studime dhe fizikun e vet të përkryer.Merr pjesë në mjaft veprimtari sportive të Univeristetit të Romës ku veç simpatisë së miqve dhe pedagogëve,është edhe fitues i disa medlajeve.Ka mësuar të flasë një italishte të pastër dhe gjithsesi nuk harron që miqve të tij italianë,t’u flasë për vendin e vet të mrekullueshëm e sidomos për Elbasanin.“Kur mabron universitetin e Romës e emërojnë mësues në Vlorë dhe pas një viti në Elbasan.Pushtimi fashist e gjen Alushin mësues në gjimnazin e Shkodrës“(Gazeta55,më 15.3.2000)
Në vitin 1939,gjimnazi i qytetit të Shkodrës pat qenë i gjalluar prej ideve atdhetare.Ndonëse influenca italiane në qytet ishte e madhe,gjimnazistët dhe intelektualët e qytetit,parashihnin në frymën ushtarke fashiste,rrezikun që i kanosej vendit të tyre.Në 4 prillin e vitit 1939,në qytetin e Shkodrës, u shpërnda një trakt prej nacionalistëve të qytetit,ku flitej qartë se po pregaditej pushtimi i Shqipërisë.Në këtë grup të nacionalistëve,së bashku me Zef Palin dhe Jup Kazazin,bënte pjesë edhe mësuesi i talentuar i edukimit fizik,Alush Lleshanaku.Nxënësit e gjimnazit,(disa ende janë gjallë në shtetin amë) kujtojnë se pikërisht në 7 prill,mësuesi i edukimit fizik Alushi,u ka prirë gjimnazistëve të bojkotojnë shkollën duke u kumtuar atyre me ate zë burrëror : „Atdheun mund ta duash me fjalë të bukura,por edhe me vepra të bukura.Ne sot duhet me bashkue fjalët dhe veprat“. Nga këtu Alushi u bashkua me formacionet nacionaliste dhe ato të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, në rezistencën që iu bë fashistëve italianë në këmbët e malit të Taraboshit.Por tri-katër qind ushtarë e vullnetarë të lirisë nuk mund të zbrapseshin dot mijëra ushtarë italianë të armatosur deri në dhëmbë,të shoqëruar me tanke dhe aeroplanë.
Natyrisht shërbimi sekret italian (SIM) kishte kryer punën e vet edhe më 7 prill 1939.Mësuesi i edukimit fizik të gjimnazit të Shkodrës,Alush Lleshanaku pushohet nga puna me motivacionin se „pat përhapë frymë antiitaliane ndër nxënësit e vet“.I qetë,i heshtur ai këshillohet me miqtë e vet dhe këta i thonë të shkojë për pak kohë pranë familjes,në qytetin e Elbasanit.Por edhe këtu nuk mund të gjeje qetësinë e duhur.e thërrasin disa herë nën komandën e xhandarmërisë duke i kërkuar spjegime dhe gjithmonë Alush lleshanaku i është përgjigjur se me ndërgjegje ka kundërshtuar pushtimin ushtarak dhe se në rolin e mësuesit të edukimit fizik,ai nuk përjashtonte edhe adukimin kombëtar për nxënësit e vet.Shpërblimi ? Një normalist i shkëlqyer,një universitar I Romës që pat marrë disa medalje në kryeqytetin e imperatorisë,këtej e tutje do të sihte një i papunë në qytetin e vet të dashur,në Elbasan.E megjithatë ai do të rreshtohej nga dashuria e vatrës familjare,nga miqtë e vet nacionalistë të qytetit të Elbasanit e sidomos nga urtësia e Vasil Andonit.Duhet thënë se gjatë vitit 1941,italianët patën filluar të vendosnin në krye të forcave të ruajtjes së rendit shqiptarë të cilët gëzonin reputacion në popull.Ata fillimisht në Elbasan thirrën edhe Alush Lleshanakun por ky nuk pranoi.Kanë qenë pikërisht miqtë,mësuesit dhe nxënësit e tij,që duke i njohur ndershmërinë dhe përkushtimin, e këshilluan të merrte këtë detyrë prej italianëve.Kështu me vendim të Mëkëmbësisë së përgjithshme datë 4 maj 1941,“Alush Lleshanaku emërohet nënpunës federal i Qarkut të Elbasanit“.Kur një miku i tij e takon pas disa ditësh dhe i tha se nuk pëlqente këtë vendim,Alushi i qe përgjigjur me ate zërin e qetë : „Unë e di fare mirë se nuk duhet të qendroj në këtë funksion,por nuk mund t’i shmangem një detyrimi moral.Një gjë të keni të qartë,se une nuk po i shërbej fashizmit por mundohem me të gjitha forcat të shpëtojë popullin nga gjakderdhja“.
Ende sot në qytetin e Elbasanit,janë dhjetra bashkëkohës të Alushit të cilët dëshmojnë drejtësinë dhe shqiptarizmin e thellë të tij.Sa herë që në birucat e xhandarmërisë së qytetit,futej ndonjë nacionalist,Alush Lleshanaku ka qenë i pari që ka biseduar.Mandej mbasi i ka mbushur mendjen për „gabimet“,ka pas dhënë urdhër të lëshonin menjëherë duke njoftuar komandën eprore për parrezikshmërinë e këtij personi.Por kjo sjellje e ky qëndrim nuk ishte vetëm për nacionalistët,madje në mbledhjet e këtyre të fundit kishte marrë pjesë në dy-tri raste.Por Alush Lleshanaku edhe në marëdhëniet me grupet apo personat komunistë ka qenë tejet i kujdesshëm,duke iu përmbajtur plotësisht idesë për të mos lejuar të derdhet gjak shqiptari.Në shtetin tonë amë,janë me dhjetra e dhjetra njerëz të moshuar të cilët mund të rrëfejnë me dhjetra episode se si Alush Lleshanaku në funksionin që kishte në Elbasan,mundi të shpëtojë jetën dhjetra të rinjëve të cilët ishin molepsur nga ëndrrat komuniste.Madje përmendim këtu rastin e shpëtimit të 24 burrave nga lagja „Fushë Mbret“ e qytetit,të cilët do të pushkatohehsin pse në ate lagje ishte kryer një aksion ku patën gjetur vdekjen tri ushtarë italin.Ka qenë Rexhep Drishti i cili duke u shpëtuar italianëve ka vrapuar tek Alush Lleshanaku duke i spjeguar situatën.Madje fjala autoritare e tij,guximi në marrjen e vendimeve bëri që të falej jeta e 24 burrave.Pas kësaj ngjarjeje emri i Alush Lleshanakut përcillej me respekt jo vetëm në qytetin e Elbasanit por deri në fshatrat më të largëta të këtij qarku.Ka qenë kjo arsyeja që ai është thirrur në Tiranë 3-4 herë dhe është këshilluar nga autoritetet italiane për „zemërgjërësinë“ e tij.Madje në fakt,italianët kanë falur edhe persona të „rrezikshëm“ të marrë në mbrojtje prej tij.Alushi është përgjigjur i prerë se përpara se të jetë një kuestor i mirë,ai është një elbasanas.Me këto veprime Alushi bie në sy të milicisë fashiste dhe kështu pushohet nga puna.Për më tej miqtë e tij e këshillojnë të largohet nga qyteti pasi mund të përfundonte në kampet e përqëndrimit në Itali.Pikërisht në fundvitin,1942,Alush Lleshanaku bie në kontakt me organizimet e para ushtarake nacionaliste.Ngase njihej prej kohësh me Zef Palin,Hamit Matjanin,Skender Muçon e Abaz Kupin,Alushi do të bisedojë me ta për të marrë mbi vete përgjegjsitë e organizimit të këtyre formacioneve edhe në zonën e Elbasanit.Trupi i tij prej atleti i ngjante një ushtaraku të vërtetë dhe emri i mirë që pat fituar bënë që brenda tri katër muajve në Elbasan të organizohehsin disa grupe nacionalistësh,për tu ingranuar më pas në çetën e komanudar pre Alush Lleshanakut.Madje kjo çetë u bë e njohur për veprimtarinë e vet antifashiste në fshatrat Bradashesh,Balter,Belsh,Labinot e deri në qytetin e peqinit.Në këtë qytet në bahskëpunim edhe me forcat nacionaliste të Hamit Matjanit dhe Isa Manastirliut,në verën e vitit 1943,ata sulmuan garnizonin italian dhe e muarën ate pas luftimesh të rrepta.Në traktatin që u shpërnda në gushtin e vitit 1943 në Elbasan e rrethina,thuhej pos të tjerave; „Djemtë që e duan Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë,ata që nuk e marrin parasysh vdekjen kur është fjala për lirinë e dheut tonë,kryen me sukses aksionin e Peqinit.U shqua për trimëri biri ynë Alush Lleshanaku dhe çeta e drejtuar prej tij“.(Arkivi Qendror i Ushtrisë.Fondi Organizata tradhëtarë e Ballit Kombëtar,dokumenti 79 / 1 ).
Me kapitullimin e okupatorit italian,çeta nacionaliste e udhëhequr prej alushit nuk i flaku armët,përkundrazi radhët e saj erdhën duke u shtuar dhe bijtë e Elbasanit disponuan tanimë edhe armatime moderne të rrëmbyera prej italianëve.Ngjarjet e luftës së Dytë Botërore ishin tejet të turbullta dhe në shtatorin e vitit 1943,në kufijtë e Shqipërisë u dukën kolonat e para të ushtrisë gjermane.Prita e parë antigjermane në fshatin Barmash si edhe rrjedhojat tragjike të shtëpive të djegura,kërkuan një vlersim sa më real të situatës prej atdhetarëve,ideatorë dhe ushtarakë të Ballit Kombëtar,formacion i krijuar që në prillin e vitit 1939.Kështu në shtatorin e vitit 1943,Alush Lleshanaku duke bashkëpunuar edhe me çetën nacionalçlirimtare „Dajti“ organizon një pritë model për nga pikpamja ushtarake,kundër një autokolone gjermane që vinte nga Elbasani,Bashkëpunimi me komunistët ishte një ogur i bardhë për shqiptarët,të cilët shihnin aty flakën e pashuar të bashkimit,por në muajt që rrodhën më pas ky bashkëpunim i sinqertë u sabotua me urdhër të Beogradit.Prita e organizuar më së miri ka dhënë dhe rrezulltatet e veta.Të gjendur në terren të panjohur,natën në pamundësi të zbulonin vendosjen e forcave shqiptare,gjermanët u detyruan të kapitullonin.E vërteta ëhstë se shumë ushtarë dhe oficerë gjermanë duke mos ditur se kundër kujt luftonin,u dirëzuan.Tashmë për të gjithë ne,është i qartë qëndrimi strategjik i ushtrisë gjermane në trevat shqiptare.Përkundër urdhërit të komandnatit të çetës komuniste „Dajti“ për pushkatimin e rrobërve,Alushi mbajti qëndrim të prerë duke i mbajtur e trajtuar robërit në kushtet e duhura.Më pas,kur ushtarët dhe oficerët gjermanë u shoqëruan për në Tiranë,4eta e nacionalistëve të Elbasanit,u përmend kurdoherë për disiplinë dhe rregullin që e karakterizonte.
Në nëndorin e vitit 1943,disa ditë pasi ishte formuar qeveria e re shqiptare,e dalë prej të parës Asamble të Përgjithshme,e cila përbëhej prej deputetëve shqiptarë nga të gjitha viset tona etnike,Alush Lleshanakun e thërret në zyrën e vet,ministri Xhafer Deva.burrat kanë shkëmbyer dy-tri orë muhabet dhe më pas Alushi është nisur drejt vendlindjes,Elbasanit.Ai është shmallur me njerëzit e shtëpisë,me miqtë e shokët duke u treguar atyre për një tjetër detyrë që po merrte mbi supe.Me urdhër të Ministrit të Brendshëm Xhafer deva,më 29 nëndor 1943,Alush Lleshanaku emërohet me detyrën „Komandant i xhandarmërisë për qytetin e Elbasanit,me gradën major“. (Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë,fondi MPB, dokumenti 30,datë 28 nëndor 1943 ).
Tashmë një tjetër përgjegjsi e madhe binte mbi supet e elabasanasit trim.Kur miqtë e thërrisnin majo ! ai u ka pas thënë me zë të ulët se ishte Alushi i mëparë,normalisti që dilte i pari në çdo garë dhe asgjë tjetër.Komunistët e qytetit i kërkuan bashkëpunim Alushit për t’i ndihmuar ata në aktet terroriste ndaj oficerëve gjermanë të qytetit.Ky jo vetëm që nuk pranoi këtë bashkëpunim por në intimitet mundi t’u bëjë të qartë atyre dy reziqet e mëdha që mund të vinin.E para, ata mund të zbuloheshin lehtë në qytet dhe të pushkatoheshin pa gjyq.E dyta nëse atentatorët largoheshin,sipas ligjeve të luftës së deklaruar qysh më aprë,gjermanët do të pushkatonin popullsinë civile të pafajshme.Por kjo logjikë nuk ju pëlqeu komunistëve elbasanas.Nuk vonoi shumë dhe në komunikatën e tyre,në shkurtin e vitit 1944,ata nuk harruan të vënë në listat e armiqve të tyre Alush Lleshanakun si bashkëpuntor të Mid’hat Frashërit,Xhafer Devës dhe Abaz Kupit.Sidoqoftë këta trakte që kërkonin gjak vëllai,nuk e friguan Alushin.Ai vazhdoi të mbante rendin në qytet duke u përpjekur të mos përzihet në punët e komunistëve dhe duke dashur të ndihmojë në çdo rast bashkëqytetarët e vet.Raste të tilla ka patur me djetra,por do të përmendim vetëm një ;“Po ajo që e kujtojnë shumë elbasanas,ishte një natë,kur mbas vrasjes terroriste të dy ushtarëve gjermanë,ata arrestuan mbi 100 qytetarë të pafajshëm dhe i patën futur në shkollën e Dekalit,për t’i pushkatuar.Ndër ta ka qenë edhe vëllai i Adem Jahjës i cili dinte gjermanisht dhe gjermanët e falën.Ai sapo u lirua shkon si era dhe lajmëron Alushin për çka po ndodhte.Alushi merr një dhjet trima të tij dhe i porosit :Unë do të futem në komandanturën gjermane,në rast se nuk u mbush mendjen gjermanëve për gjysëm ore,atëherë do të jem rob i tyre,nadj na sulmoni për të më rrëmbyer“.Fati deshi që gjermanët të binden,që të arrestuarit nuk ishin komunistë dhe Alushi bashkë me kolonelin gjerman,shkuan tek qytetarët e arrestuar dhe i liruan ata“.
( Gazeta 55“ –Tiranë , më 15 . mars . 2000 ).
Në ato muaj aq të turbullta për Shqipërinë,maj-shtator 1944,Alush lleshanaku provoi mbi supe barra shumë të vështira që lidheshin sa me urdhërat e komandës ushtarake gjermane,aq edhe me luftën e egër të ndezur nBeogradi që komunistët shqiptarë bënin kundër forcave nacionalsite.Por burri i mençur e trim,u orientua kurdoherë nga interesash madhore të kombit të vet.bashkëpunimi i tij me trupat gjermane në Shqipëri,vlen të shikohet kurdoherë përmes faktorëve konkret kur shqiptarët u kthyen në zotër të trojeve të tyre etnike ashtu sikur decenie më parë.A mund të luftoje kundër gjermanit,kur në qershor të vitit 1944,përpar hotel „Dajtit“ në Tiranë,janë nisur forcat nacionalsite me këngë në gojë për të luftuar kundër forcave pushtuese çetnike serbo-malazeze në kufijtë tanë etnike ? të mos harrojmë se ndër këta dyqind trima,ishin edhe vëllezërit e idealit të Alush Lleshanakut.
Tetori i vitit 1944,do të hynte në Shqipëri,përmes tymit të luftërave të valëve të një terrori të kuq,të pashembullt.“Dënimi“ kapital i nacionalistit Alush lleshanakut,tanimë ishte firmosur në zyrat e Beogradit dhe Tiranës bollshevike,ndaj për te ishte e sigurtë barikada që e priste.Mbasi u takua me njerëzit e shtëpisë,me optimizmin që e karakterizonte,ai u tha prerë se do të vazhdonte luftën.“Unë nuk besoj,i tha të jatit,se ka ndonjë dallim të madh midis fashizmit dhe komunizmit.Por,ndërsa me të parët unë bashkëpunova për hir të interesave të popullit tim,këta të dytët më kanë shpallur kriminel e duan gjakun tim“.
Në dhjetorin e vitit 1944,çeta e Alush Lleshanakut e përbërë prej 10-12 djemve trima të Elbasanit,kërkon të ndërthurë veprimte luftarake me forcat e Muharrem Bajraktarit.Por ende pa vendosur këto lidhje,ata bien në rpitë të nacionalçlirimtarëve shqiptarë të cilët sihin nisur të luftonin në Jugosllavi,në ndihmë të „vëlezërve“ të tyre serbo-sllav.Lufta u zhvillua në muzg,në brigjet e Drinit të Bardhë,përleshja ishte erreptë por krejt e pabarabartë,ndonëse Alushi,luftonte në drejtimin kryesorë,ai nuk mund të përballej me 1 togë nacionalçlirimtarësh që kalonin për të ndihmuar vëllezërit internacionalistë duke shkelur mbi gjakun e vëllezërve të tyre shqiptarë.Patën rënë në luftime 7 shokë të Alushit,tri të tjerë mundën të largohen nga nata dhe Alushi mbajti me heroizëm largimin e tyre.Madje edhe një plagë në shpatull.Kur epa se ishte e pamunudr të rrezikonte më,mori vendimin e fundit të kalonte Drinin e Bardhë.Të kalosh këtë lum në muajin dhjetor është më shumë se aventurë por burri i Elbasanit kish ende besim në fizikun e tij.Dhe falë këtij fiziku,falë trimërisë,ai mundi të kalojë Drinin e Bardhë,pikërisht në 30 dhjetorin e vitit 1944, nacionalçlirimtarët,të bindur se trupin e tij e patën përpirë dallgët e lumit,pas dy-tri ditësh me anë të një komunikate suhtarake,njoftuan se kish vdekur „armiku“ Alush Lleshanaku.Atë natë,Alushi bujt tek shtëpia e një gjakovari i cili i afron përkujdesje të veçantë.Një muaj në ate shtëpi,i rrethuar nga dashuria karakteristike e shqiptarit për ,mikun,trimi i Elbasanit,mund të kalojë plagën e marrë në shpatull.Por të vështirë e ka plagën që ka marrë në shpirt.Si fituan komunistët ? Si do të jetë fati i Shqipërisë tanimë ?.e mundojnë këto pyetje.Pasi lidhet me miqtë e mbetur gjallë prej asaj nate dhjetori,Alush Lleshanaku provon të ndërmarrë dy-tri aksione të vogla.Por sheh se është e pamundur të luftohet kundër të ashtuquajturave Divizione të Mbrojtjes së Popullit,ngase këto formacione ishin Divizione të Vrasjes së Popullit,në emër të internacionalizmit proletar.
Në janarin e vitit 1946,shkon fshehurazi në fshatin e lindjes,në Bradashesh,Aty strehohet ndër miq të ngushtë e për ca kohë mund të hyjë edhe në shtëpinë e vet,në qytetin e Elbasanit.Por e sheh rrezikun shumë afër dhe sërisht,fshehurazi largohet nga Elbasani.Ushtarak i lindur,ndonëse vetëm,Alush Lleshanaku në vitin 1946 kalon në Greqi ku e çojnë në kampet e refugjatëve shqiptarë.Më pas ai dërgohet në kampin Santa Fara të Italisë ku bashkëpunon ngushtë me instruktorë amerikanë për përgaditjen e djemve nacionalistë që do të mund të luftonin të nesërmen në Shqipëri.Alushi merr pjesë në grupin e parë të parashutistëve nacionalistë që hidhen në Shqipëri në vitin 1947,së bashku me Ndue Mylyshin dhe Ndue Gjon Markën.Por veprimtaria e tyre ishte e pamundur ngase grupi „pritej“ prej Divizioneve të Ndjekjes të komanduar prej emisarëve sovjetikë,të cilët ishin të lidhur me punën agjenturore të Kim Filbit.Në pamundësi për të vepruar Alushi largohet përsëri nga Shqipëria,ndonëse në ndjekje të tij janë qindra ushtarë dhe oficerë.Ai vazhdon stërvitjen në Itali për të desantuar sërisht në pranverën e vitit 1950,në krye të një grupi nacionalistësh.Me vetmohime dhe sakrifica,mund të nrerë disa grupe të rezistencës antikomuniste në zonën e Gramshit dhe Elbasanit por shpejt diktohet dhe ndiqet këmba këmbës.
Në vendin e quajtur Papër,buzë brigjeve të lumit Shkumbin,çeta prej 4 trimash,rrethohet prej 700-800 forcash të ndjekjes.Nuk munguan edhe në këtë rast përforcimet me helikopterë,nata e 26 dhjetorit 1950,do të mbetet në kujtesë të krejtë fshatarëve të Paprit,të cilët e dinin se luftonte biri i tyre Alush Lleshanaku .Por ata s’mund t’i vinin në ndihmë pasi diktatura komuniste do t’i varroste edhe ata të gjallë.
Në mëngjezin e 27 dhjetorit,kur të tri shokët i ishin vrarë,në urën e lumit Shkumbin,dhjetra plumba do ta gjenin zemrën fisnike të nacionalistit trim Alush Lleshanaku,antikomunistit të vendosur deri në flijimin e mbramë.
Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Alush Leshanaku, Eugjen Shehu

TIRANË: PËRUROHEN LIBRA (SHQIP-ANGLISHT),PËR KRIMET SERBE NË KOSOVË

May 15, 2013 by dgreca

Nga Prof.MURAT GECAJ/
Në sallën kryesore “Aleks Buda”, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u bë përurimi i librave (shqip-anlisht) të autorit nga Prishtina, prof.dr.Jusuf Osmani, drejtor i Arkivave të Kosovës. Ishin të pranishëm profesorë e akademikë, punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike. Kishin ardhur edhe përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë dhe studiues nga Prishtina etj.
Tubimin për përurimin e librave: “Krimet e Serbisë në Kosovë”,1998-1999 (nr.1 e nr.2) dhe “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve, në Kosovë”(1998-1999), me mbi 1.300 faqe, në format të madh dhe shkruar nga prof.dr. Jusuf Osmani, për një kohë të gjatë drejtor i Arkivave në Kosovë, e hapi drejtori I Institutit të Historisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof.dr. Beqir Meta. Ai u ndal posaçërisht në përmbajtjen kryesore të këtyre veprave voluminoze,e dokumentare e cilësore dhe nënvizoi se ato e pasqyrojnë mjaft mirë historinë më të re dhe tragjike të Kosovës. Në to, ka dokumente e fakte të panumërt dhe të pakundërshtueshëm, marrë nga arkivat dhe organizatat e ndryshme shoqërore e organet shtetërore, sidomos ndërkombëtare, si nga Kryqi i Kuq, OSBE e NATO, nga institucione fetare dhe shtypi shqiptar, por dhe ai serb etj. Dokumentet e paraqitura janë klasifikuar sipas kritereve të rrepta shkencore. Ndër to, bien në sy krimet e bëra ndaj fëmijëve, që nga helmimet masive dhe deri te vrasjet e pamëshirshme e çnjerëzore. Po kështu, janë dokumentuar mirë shkatërrimet në qytete e fshatra etj. E gjithë kjo dëshmon se organeve gjyqësore përgjegjëse ndërkombetare u vihen në dorë fakte të shumta e bindëse, për ta vënë në bankën e të akuzuarëve regjimin gjakatar serb, me krimet e shkaktuara në Kosovën martire.Me interes u ndoq edhe parashtrimi i paraqitur, rreth këtyre librave, nga studiuesi, prof.dr. Marenglen Verli. Ndër të tjera, ai theksoi punën e përkushtuar në drejtimin e arkivave të Kosovës, nga autori i këtyre librave, prof. J.Osmani, sidomos për përgatitjen dhe kualifikimin e arkivistëve sa më të aftë nga ana profesionale. Ndërsa, duke u ndalur në librat e përuruar, tha se ata përmbajnë dokumente nga burime të sigurta dhe interpretimet e tyre janë bërë me profesionalizëm të lartë, shkencor e metodik etj. Kështu, jepet edhe paraqitja teorike e çështjeve, për 100 vjet krime në Kosovë, pra si për ato të vjetrat, por dhe të rejat, në vitet 1998 e 1999. Pushtuesit serbë ndoqën politikën e kolonizimit dhe të shpërnguljeve masive të shqiptaravë nga trojet amtare stërgjyshore, por dhe të shfarosjes masive të tyre. Kështu, nga 30 komuna shqiptare të kësaj krahine, janë shpërngulkur më shumë se 300 mijë shqiparë, janë djegur e shkatërruar 100 mijë shtëpi banimi e institucione të ndryshme etj. Në vazhdim, prof.d. Përparim Kaba trajtoi, posaçërisht, se si janë dokumetuar në librin e përuruar krimet ndaj fëmijëve, të cilët përbëjnë 20 përqind të të gjitha krimeve serbe në Kosovë, të dëshmuara më tepër në krahinat e Skënderajt, Drenasit, Gjakovës etj. Gjithashtu, ai u ndal në keqtrajtimet ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, si nga paramilitarët, ushtria dhe policia serbe. Ata bënë keqtrajtime të pamëshirshme dhe organizuan dëbime masive të popullsisë civile të pafajshme, burgosje dhe vrasje nga më çnjerëzoret. Në fund edhe ai theksoi se mesazhi nga këta libra është: Asnjëherë mos të harrohen dhe as mos të zvogëlohën e anashkalohen krimet serbe në Kosovë, sidomos në vitet 1998 e 1999, gjë që i takon t’i gjykojë me drejtësi dhe paanësi edhe Tribunali i Hagës.
Po në këto linja, diskutoi edhe studiuesiiI njohur Uran Butka, I cili e përgëzoi autorin për punën e madhe studimore dhe për sistemimin e dokumentacionit të shumtë, nga të gjitha burimet e mundshme. Kështu, ato janë bërë një pasuri e paçmuar në duart e lexuesve të sotëm, por dhe atyre, që do të vijnë.
“Mësuesi i Popullit” Gani Demiri, i afërm i autorit të këtyre librave, solli dëshmi për traditat atdhetare të familjes së tij dhe nënvizoi përkushtimin, në këtë udhë, të J.Osmanit, në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Kjo gjë është pasqyruar më së miri edhe në këto botime të reja të tij, me dokumente e dëshmi të panumërta, për krimet serbe në Kosovë, gjë që u theksua gjerësisht edhe nga parafolësit.
Në fund, prof.dr. Jusuf Osmani i falënderoi nga zemra, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në përurimin e këtyre librave. Ai përmendi edhe synimin kryesor të tij, me këto botime, që krimet serbe në Kosovë t’i bëjë sa më të njohura, jo vetëm në botën shqiptare, por edhe para opinionit publik ndërkombëtar. Prandaj dhe këta libra janë përkthyer në gjuhën angleze. Ne e urojmë nga zemra autorin e tyre, për tërë këtë punë të madhe e frytdhënëse dhe i dëshirojmë shëndet të mirë, jetëgjatësi dhe lumturi familjare!(Ne Foto: Autori, prof.dr.J.Osmani, duke folur…)

Tiranë, 15 maj 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Jusuf Osmani, Murat Gecaj, ne Kosove, per genocidin serb, promovohen libra

NË DASMËN E MADHE TË DEDVUKAJVE NË NEW YORK

May 15, 2013 by dgreca

Nga Beqir SINA/

NEW YORK CITY : Në Detroit dhe New York, ku jetojnë edhe pjesa më e madhe e komunitetit shqiptarë, atyre që kan emigruar nga Malësia në Amerikë, dasëmat e malësorve bëhen madhështore. Dasma më e vogël tregojnë shqiptarët e Amerikës, e malësorëve, ka të paktën 500 vetë, dhe, më e madhja mbi 1500 vetë. Kjo, është një traditë e kahershme e këtyre malësorëve, të cilët këtë gëzim e hare, në çdo mënyrë duan t’a ndajnë me të gjithë farefisin e tyre, miqt, shokët e dashamirët.
Dasëmorë nga te gjitha trojet shqiptare nuk mungojnë në këto dasëma dhe gazmende, ndërsa nuk ka dasëm malësore, pa bajrakun siç e quajn ata flamurin kuq e zi. Në çdo dasëm në ballë të saj – qëndron flamuri Kuqezi dhe ai Amerikan, të cilin e mbajnë dy djelmosha veshur me kostume popullore të kësaj treve. Pastaj hynë çifti i ri i shoqëruar nga çifitet e reja të veshura bukur dhe plot shije, mes këngëve e valleve dhe fëmijëve të luleve.
Një miku im në këtë dasëm, më tha : “Nese jeni të interesuar të mësoni më shumë rreth dasëmave te malësorve, për të parë një festë martesë të vërtetë, ashtu siç mund të keni dëgjuar, urojë që t’ju bie rasti të jeni i ftuar në një mundësi të tillë të mrekullueshme, si kjo e dasëmës, së djalit të Kolë Mirit, dasëm tipike e malësoreve.”
Dasma – Malësore, nisë qysh nga zbukurimi me simbolet kombëtare të shtëpisë, pritjen nga të zotët e dasëmës, prej tek porta, gostitjen sipas zakoneve, e rite të tjera ku çdo gjë është shqiptare. Festa martesore vazhdon me ceremoninë fetare, e cila mbahet në ambjentet e Kishës, në Altar, aty ku bëhet bekimi dhe kurorëzimi i çiftit. Natyrisht, që çdo gjë kulmon në mbrëmje zakonisht, duke e ndezur më në fund lokalin – ku mbahet dasëma . Të zotët e dasëmës janë ata që do të bëjnë, me respektin që tregojnë, ndaj çdo mysafiri, tavolinë më tavolinë, të kalosh çastet më miqësore dhe më të gëzuar të jetës suaj.
Çka pa dyshim do t’ju lë një kujtim të çmuar, për ju dhe të gjithë mysafirët e kësaj dasëme. Guzhina dhe menuja janë të zgjedhura sipas traditës, ku nuk mungon mishi i pjekur në hell, mezeja e bollshme dhe rakija e bërë vetë. Këngë e valle popullore të kësaj treve, ku dallohen këngët kushtuar heronjëve dhe ato të kreshnikëve të këtyre anëve, ose ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, të gjitha së bashku plotësojnë ambjentin e hareshëm, gazmor e festues të kësaj feste martesore, dasëmen mbresalënse.
Mirëpo, ngaqë çdo dasëm shqiptare, sidomos këto që bëhen këtu në diasporë, ka edhe të veçantën e saj – e vogël apo e madhe qoftë ajo, nga Veriu, Shqipëria e Meseme apo Jugu, janë dasëma tradicionale shqiptare, që të kënaqin zemrën.
Kurse, Dasëma e Dedevukajve, lidhet edhe më atë të tragjedisë së 11 shtatorit 2001, ngjarje, e cila kjo tashmë, është kthyer në shpresë dhe frymëzim për brezat e tjerë, mbasi 11 Shtatori 2001, është bërë simbol i bashkimit, dinjitetit dhe krenarisë, së çdo qytetari në SHBA.
Djali i Marash Kolë Mirit, Simon Dedevukaj – stërnipi i kryetrimit DedëGjoLulit, i cili udhëhoqi kryegritjet e para për pavarësinë e Shqipërisë, është një nga tre heronjët shqiptarë që vdiqën më 11 shtator 2001.
Ai, vdiq në moshën 26 vjeçare, duke u bër një prej viktimave të sulmit terrorist,12 vjet më parë, teksa po punonte në katin e 95- të, të Kullës veriore në Qëndrën Ndërkombëtare të Tregëtisë , tragjedisë, ku humbën jetën afro 3 mijë njerëz të pafajshëm. Në ndërkohë, që të shtunën familja Dedvukaj, në New York, pas atij kumti – 12 vjet më pas, pati një gëzim të madh – martoi me një dasëm të madhe, djalin e tyre – Kolë (Calin) Dedëvukajn .
Vatë Marashi Dedvukaj, në emër të babës së dhëndrrit Marash Kolë Mirit Dedvukaj me vëllëzër e familjen e gjerë iu drejtua mysafirëve të shumtë, me një ftesë ku thuhej se, pjesmarrja e çdo njerit prej tyre në dasëmën e djalit të tyre, u a shtonte atyre gëzimin familjarë, dhe ua rritëte nderën si thonë malësorët. Në ftesën e tyre, ata për këtë dasëm, thonin se :” Kemi nder dhe kënaqësin të veçantë që në emën të Familjes së Kolë Mirit, t’ju ftojmë të merrni pjesë në martesën e djalit tonë Kolë(Calit), i cili me këtë rast fillon jetë të re bashkëshortore, me zonjushën Valbona. E bija, e të nderuemit Zef Marash Kolës Sinishtaj(Malësi)”
Dasëma e madhe e Dedvukajve, nisi simbas zakonit të tyre fetar, të cilit çifti i mrekullueshëm i përket, atij Katolik ” Kunora dhe Mesha e Shejtë”, të cilat, u celebruan në mesdrekë, të shtunën më 11 Maj 2013, në orën 2:00 – PM (pasdite) në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, nga i përndershmi Dom Viktor Dedaj .
Ndërsa ceremonia e dasëmës filloi në orën 7:00 PM (në mbrëmje) në lokalin e njohur për dasëma e gazmende të shqiptarëve në këtë qytet, “Eastwood Manor” në Eastchesters Bronx – New York, me një bekim të ushqimit dhe lutjes fetare nga i përndershmi Dom Nikolin Pergjini. Grupi muzikor me këngëtarët e njohur nga Malësia, Liria Dedvukaj dhe Lek Dedvukaj e bënë edhe më të hareshme dhe më të gëzueshme këtë dasëm karateristike e Malësorëve në Amerikë.
Foto : Amir Sukalic – Studio AlbaPro

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, ne dasmen e dedvukajve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5444
  • 5445
  • 5446
  • 5447
  • 5448
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT