• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQETËSIMET E NJË MIKU

April 30, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

”Ne jemi shumë të shqetësuar nga ato që kemi parë.  Ekziston një nivel i lartë tensionesh në këtë periudhë parazgjedore.”Kështu u shpreh për median shqiptare, Xhonatan Mor, Drejtori i Zyrës për Punët e Evropës Jug-Qendrore në Departmentin amerikan të Shtetit (DASH) gjatë vizitës që ai bëri kohët e fundit në Shqipëri.

Zoti Mor nënvijoi interesimin dhe shqetësimin e Uashingtonit zyrtar për mbarvajtjen e punëve në Shqipëri në përgjithësi dhe të zgjedhjeve të Qershorit në veçanti, duke kujtuar vizitën dhe fjalët e ish-Sekretares amerikane të Shtetit Hillari Klinton në Tiranë, Nëntorin që kaloi, e cila sipas Zotit Mor foli me këmbëngulje për interesimin e fortë të Shteteve të Bashkuara se Shqipëria duhet të bëjë përparim drejtë antarësimit në Bashkimin Evropian dhe të zhvillojë zgjedhje të suksesshme këtë vit.   Zoti Mor deklaroi gjatë vizitës së tij në Tiranë se ato që Zonja Klinton tha në kryeqytetin shqiptar për miqët shqiptarë, përkrahen edhe nga “Sekretari i tanishëm i Shtetit Xhon Kerri, nga të gjithë ne në qeverinë amerikane si dhe nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.”   Në takimet e tij me udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë, pozitë dhe opozitë, Zoti Mor theksoi interesimin e Shteteve të Bashkuara për mbarvajtjen e zgjedhjeve të Qershorit duke paralajmëruar një numër diskutimesh publike, përfshirë edhe seanca në Kongresin amerikan, mbi zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri.

Njëra prej mbledhjeve të njoftuara tanimë për të diskutuar mbi atmosferën parazgjedhore në Shqipëri, është ajo e Komisionit Amerikan të Helsinkit, seancë e titulluar “Demokracia në Shqipëri: Ritmi i Progresit”, e cila do të mbahet të hënën më 6 Maj, në një prej sallave të Senatit amerikan në Uashington.   Komisioni prej nëntë anëtarësh nga Senati, Dhoma e Përfaqsuesve dhe nga një përfaqsues i DASH, Departmentit të Mbrojtjes dhe të Tregëtisë, i cili kontribon në përpilimin e politikës së jashtme amerikane, në këtë séance, ka ftuar ekspertë, përfshirë Zëvëndës Ndihmës Sekretarin për Çeshtjet Evropiane dhe Euro-aziatike, në DASH, Filip Riker, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Uashington Gilbert Galanxhi, Dr. Elez Biberaj, Dejtor i Zërit të Amerikës për Euroazinë dhe Besa Shahini, analiste e Iniciativës për Stbilitetin Evropian.

 

Në njoftimin e Komisionit Amerikan të Helsinkit thuhet se megjithëse para vitit 1991, Shqipëria sundohej nga njëri prej regjimeve më shtypëse komuniste të botës, dhe ishte i vetmi vend evropian që refuzoi të merrte pjesë në proesin e Helsinkit — në 20vitet e fundit vendi ka shënuar përparime të mëdha si një shtet demokratik ku respektohen të drejtat e njeriut, dhe si një shtet që është pjesëmarrës aktiv në punët evropiane, përfshirë edhe antarësimin në NATO në vitin 2009.   Por megjithë progresin e shënuar gjatë dy dekadave të fundit, Komisioni Amerikan i Helsinkit thotë në njoftimin zyrtar të seancës në Kongres, se “megjithë arritjet, Shqipëria vazhdon të përballet me vështirsi në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, përfshirë edhe respektimin e ligjit”.   Komisioni vlerëson se, ndërkohë që Shqipëria po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të Qershorit, seanca në Kongresin amerikan, “shpreson të vlerësojë nivelin në të cilin përparimi ka nisur të bjerë në krahasim me ato që priten, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, si dhe ç’mundë të bëhet drejtë përshpejtimit të reformave të mëtejshme, sa i përket qeverisjes së mirë”.

 

Interesimi zyartar amerikan mbi zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri u pasqyrua edhe nga një takim ditët e fundit midis Kongresistit Geri Peters, anëtar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongres dhe ambasadorit shqiptar në Uashington, Gilbet Galanxhi.   Kongresisti Peters, pasi vlerësoi marrëdhënjet e shkëlqyeshme midis dy vendeve, shfaqi besimin e tij se është e rëndësishme që, në lidhje me ato që po ndodhin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, të zbatohet ligji, me qëllim që të ruhet legjitimiteti i zgjedhjeve të ardhëshme.  Edhe Kongresmenë të tjerë amerikanaë kanë shprehur pikpamje të njëjta.

 

Marsin që kaloi një delegacion i Institutit Demokratik Amerikan (NDI) i kryesuar nga ish-governatori i shtetit Vermont dhe ish kandidat për president i Shteteve të Bashkuara qëndroi në Shqipëri për të “vlerësuar në mënyrë të paanshme përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, klimën e përgjithshme politike që i jep form ciklit zgjedhor, të shqyrtojë faktorët e veçantë që favorizojnë ose pengojnë shprehjen demokratike të vullnetit të popullit dhe për të bërë rekomandimet për rritjen e besueshmërisë në procesin zgjedhor.”

 

Shfaqja jo vetëm e interesimit, por edhe e shqetsimit amerikan në lidhje me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të këtij viti në Shqipëri nuk është dhe nuk duhet të interpretohet si një ndërhyrje në procesin zgjedhor të Shqipërisë, por si këshilla të një miku që Shqipërisë dhe shqiptarëve ua do të mirën.  Këto shqetësime i janë paraqitur të gjithë klasës politike shqiptare pa dallim, qoftë pozitës qoftë opozitës, por edhe të tjerëve, pasi të gjithë kanë  rolin e tyre për të luajtur  për një fushatë të përgjegjeshme elektorale dhe  në  përfundimin me sukses dhe pranimin përfundimtar të zgjedhjeve, me fjalë të tjera të mos rrezikohet integriteti zgjedhor.  Historikisht, zgjedhjet e lira, fatkeqsisht kanë qenë gjithmonë si një çështje kundërshtuese,  si një asht ose kockë në fyt,  në marrëdhënjet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke filluar që nga viti 1945, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës refuzoi të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira, gjë që çoi në mbylljen e misionit diplomatik amerikan në Tiranë, duke përfunduar kështu në prerjen e marrëdhënjeve prej pothuaj 50-vjetësh midis dy vendeve.   Sot, pas 20-vjetë marrëdhënjesh miqësore, mbajtja e zgjedhjeve të lira nuk duhet të jetë shkak për –ruajna Zot — ftohjen e marrëdhënjeve midis dy kombeve mike.  Por, siç tha edhe ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillari Klinton me rastin e 20-vjetorit ë rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis dy vendeve, këjo miqësi e dy dekadave të fundit, të shërbejë për zhvillimin e një partneriteti të vazhdueshëm, të na kujtojë përparimet e bëra deri tani dhe njëkohësisht të nënvijojë shpresat për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe Shqiptarët, por edhe për marrëdhënjet shqiptaro-amerikane.  Këjo është përgjegjësi e pozitës dhe opozitës si edhe e të gjithë faktorëve politikë, por edhe e medias që i shërben interesave partiake, si dhe e shoqërisë në përgjithësi. Është vështirë, për të mos thënë e pamundur, të mendohet ndryshe, pas më shumë se 20-vjetë demokraci dhe në fillim të shekullit 21!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Jothanan More, shqetesimet e nje miku

CFARË BËRI LEF NOSI ME AKTIN E PAVARËSISË?

April 30, 2013 by dgreca

Disa shqyrtime për aktin e pavarësisë/

Ne Foto: Ministrat ne Qeverine e ismail Qemalit/

NGA GËZIM LLOJDIA/

Ditën e arrestimit kohë zhegu 8 gusht 1945 Lef Nosi ortodoks studiues, intelektual, politikan rreth 75 vjeç, nuk mund të mbante me vete aktin origjinal të pavarësisë,ato dy fije letre ku 40 burra firmëtar kishin sigluar nënshkrimet e tyre në vjeshtën e fundit të vitit’12 në selamllëkun e Xhemil Vlorës. Arsyeja të shtyn të mendosh se Lef Nosi i vënë në shënjestër nga regjmi ri i paslufte për tu kurthuar brenda mureve,ai kishte njohu më parë këto përvoja të hidhura lufte:ishte arrestuar nga turqit,internuar në Bursë,internuar nga italianët në kampet e internimit, në 1943 mori pjesë në Asamblenë u zgjodh Anëtar i Regjencës me këtë përvojë jete politikani ai nuk mund ta dorëzonte aktin origjinal në duart të panjohura. As në bankën e shtetit dhe as gjëkundi. Regjimi i ri i vendosur në fund të ‘44 ishte kundërshtari i tij i luftës,ndonëse ai e kishte humbur luftën,parulla e tyre ishte një Shqipëri etnike. Zërat se jugosllavët krijuan PK në Shqipëri ,kishin krijuar bindjen se këta ishin të shitur tek sllavët,kishin krijuar premisa të forta dyshimi,që ky dokument nuk duhej të binte në duar e atyre,të cilët mund tua jepnin atë “vëllezërve sllavë”, nga miqësinë e lidhur në luftë. Një personalitet si Nosi vallë duhej tu besonte lehtësisht regjimtarëve, kur ai tu binte në dorë ata do ta asgjësonin në mos falsifikonin. Dyshimi që ka shprehur Nosi duke mos e dorëzuar vërtetohet tek dokumenti i vitit 1937 ,që u falsifikua duke vendosur fotografi në vend të nënshkrimit të disa firmëtarve të Kuvendit historik të Vlorës. Symprehtësia e L.Nosit për të parë përtej shekullit të tij,u gjet e vërtetë vetëm pas një kohe prej një shekulli .Kështu gjykojmë se L.Nosi nuk e ka dorëzuar atë dokument asgjëkund. Ai ka marrë masa që ky dokument të fshihej sa më larg dhe sa më thellë për të mos rënë në duart e atyre që kërkonin burg dhe plumba për firmëtarin e pavarësisë. Një arsye tjetër që duhet të ketë qenë është se: të ardhurit nga malet, pa përvojë dhe njohuri për shtetin në mendjen e një politikani,studiuesi, të stërvitur do të linin përveçse një shije të keqe edhe do ta bënin të besonte se ky akt nuk duhej dorëzuar kurrsesi .Ose do të humbiste,do të grisej për hiçgjë,do të falsifikohej. Nga dyshimet e L.Nosit,duhet pranuar vizoni i tij ,ky dokumenti u falsifikua. Çdo të ngjiste me origjinalin?I njëjti ritual .Do të prihej e retushohej,do vendoseshin fotografi,sipër nënshkrimeve të firmëtarëve të pavarësisë. Askush sot duke u gjendur përpara këtij fakti nuk mund të pohoje se ky veprim nuk mund të kryhej. Edhe nëse L.Nosi do ta kishte dorëzuar atë,fati që i priste ato dy fletë ishin ose do të asgjësoheshin ose do të retushoheshin dhe origjinali do të shkrumbëzohej për të zhdukur kështu gjurmët e krimit. Fakti që ndodhi apo si ngjau me dokumentin që kishte lënë që L.Nosi aty nga viti 1937 janë si dallgë të atij deti,që godisnin brigjet dëshmitare. Pasqyrimi i saj na lejon të qartësojmë, thellësinë nën syprinën e ujit. Brenda këtyre kontureve, d.m.th brenda këtyre gjejmë shumë arsye për të mospranuar faktin si ai dokument u dorëzua diku kur L.Nosi nuk ja dorëzoi as kohës kur mbretëronte Zogolli. Kështu edhe thelbi i vetë përmbajtjes së këtij dokumenti, që ishte produkti i firmëtarëve për shpalljen e pavarësisë, një akt madhor ka shqyrtuar urtësinë e këtij politikani,studiuesi atdhetari që ky dokument kurrsesi s’duhej dorëzuar në duar të panjohura. Nëse gjykojmë faktet pra duke kryer kështu një rrugëtim sërish nëpër tablo për rrugë-gjetjen e aktit të pavarësisë,dokumenti origjinal Ecjen e bëjmë si nëpër kalldrëm. Çdo reshtë ka një shtresë pllakash të çimentuara mirë,harmonike me njëra-tjetrën. Këto janë shtigje të rrugë-jetës së këtij atdhetari.“Kontributet e para të Lef Nosit, shkruhet në gazetën Panorama në veprimtarinë atdhetare, politike dhe shoqërore datojnë në fundin e shekullit të XIX. Në vitin 1909 ai themeloi shoqërinë “Afërdita”. Në 1910 botoi të parën gazetë të qytetit të Elbasanit,“Tomorri “. Më 28 nëntor 1912, firmos Aktin e Pavarësisë dhe emërohet ministër i Postë-Telegrafave. Bën pjesë në delegacionet e qeverisë së Vlorës në Konferencën e Paqes për kufijtë e Shqipërisë, si dhe në delegacionet e pritjes së Princ Vidit. Më 1919 merr pjesë në Kongresin e Durrësit. I ndodhur jashtë vendit përshëndet me telegram Kongresin e Lushnjës. Si mik i Fan Nolit tërhiqet nga jeta politike dhe i kushtohet studimeve gjuhësore, historike, etnografike, albanologjike, si dhe fushave të filatelisë, numizmatikës e mbledhjes së shprehjeve e fjalëve të urta,dokumenteve e librave të rrallë me vlerë për historinë e popullit tonë..”.Gjykimi i L.Nosit për aktin origjinal është se ai nuk e ka dorëzuar asgjëkundi. As në bankë as nuk i është sekuestruar dhe as ta kenë marrë jugosllavët. Janë shkruar e janë hedhur mendime edhe për dhënie të këtij akti Margaret Hasluck,mirëpo ai ishte një koleksionist i shkëlqyer qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, ku më interesanti ishte ai i pullave të vulosura me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin “Shqipënia”. (Pulla me vlerë 50 piastër, nga e cila janë emetuar vetëm 16 copë, është shitur në ankandin Chrystone të pullave të rralla 26 000 euro në vitin 2008 ka pohuar për gazetën Panorma, S.Kosturi,prandaj ai si koleksionit i rrallë këtë akt nuk e ka dorëzuar gjëkundi. Ai e ka fshehur për të mos rënë në gjurmët e kërkuesve të tij të cilët synon të transformonin gjithshka madje edhe rendin ekonomik që do qeveriste vendin. Kërkimet ,që do të mund tërhapeshin do të përfshinin banesën në materialet e tij,ose vendet që ndoshta pak njerëz i kanë njohur në banesën e tij të atëhershme. Duhet të konstatojmë me keqardhje se edhe kjo shenjë e pavarësisë është zhdukur.

3 shenjat e Motit të madh

1-Flamuri origjinal.2-Akti i shpalljes së pavarësisë.3-Banesa ku u krye akti i pavarësisë.

Ka pasur një arsye të thellë. Armiqtë e kombit kanë kryer gjithshka. Pas kirurgjisë që i kryejnë trupit shqiptar,Fuqitë e Mëdha, funksiononte një prapavijë e fuqishme e nxitur dhe orientuar nga armiqtë kombit tonë,për ti zhdukur atij edhe shenjat dalluese që shpallën pavarësinë. Duket sikur fati i shqiptarëve ka qenë një lëmsh i ngatërruar. Duke qenë një popull i vogël,shkruan një shkrimtar kosovar, gjithmonë na i kanë prerë rrobat popujt e mëdhenj. Mirëpo le të bëhemi pak koshient .Dikur ka ekzistuar një shekull në historinë tonë të ndritur.Diku aty ,nga shekulli i XV. Atëherë rrobat e të tjerëve pas krahëve tanë,ishin në duart tona. Ç’masë do të merrnim ne,do të vishnin ata.D.m.th “sizmografi”,që përcaktonte lëvizjet e kohës ishte shqiptar. Ndërkaq ,shumë nga kancelarit evropiane, sot e kanë haruar këtë. Shqipërisë i lënë vend përtej kësaj porte. Koha skënderbejane. Mos vallë perandoria,që kishte vënë nën thundrën e saj fatin tonë,kishte ndërmend të tërhiqej ?Kurrsesi jo.

U ngrit fati i Shqipërisë.. shkruan Naimi,ringritja-Por koha përjetësisht s’e priti kohën. U ngrit fati i Shqipërisë….D.m.th i zhytur,i strukur,i rrëzuar qenkësh, që kur kjo ëndërr e ëndërruar .Pra u ngrit nga e kishin gremisur. Si vdekuri nga varri….Sy të verdhë vdekje. Nxinte. Kobëzestë dhe mellanbërësit e kishin kallur,atëherë shtatë pashë ndë dhe. Do mos bëhej më,ëndërronin të liqtë. Thirrje tinzarësh,nga njerëz magjilidhës. Flamuri origjinal u shkrumbëzuar pas luftës së parë të përbotshme .Lef Nosi mori dokumentin si koleksionist i rrallë,ndërsa flamuri humbi origjinal humbi çuditërisht. E vetmja ndërtesë e që i përkiste fisit Vlorjave( selamllëku) për aktin e madh që u krye brenda saj në Motin e madh, vjeshta e vitit 1912,u shemb për të ndërtuar lulishten e qytetit. 25 vjetori i pavarësisë .Në këtë kuadër Lef Nosi ka shpërndarë aktin e fotografuar të pavarësisë. Ku gjendet origjinali? Kjo pyetje si luzmë,ka vite ,që rëndon në shpirt. Vazhdimisht cepat e saj zgjaten. Është një lloj treguesi për shkrumbëzimin e valëve. Ka një ngurosje faktesh. Ndonëse jo nga rastësia. Kujtime vijnë më tepër në vend të rrugë-kërkimit të studiuesve. Çfarë ngjau me aktin e pavarësisë, atë dyfletëshen ku vunë firmën e rëndë 40 burra patriotë?Besoj se ngjau ajo çfarë ndodhi me floririn shqiptar Ç’praj asaj kohe u fsheh përgjithmonë një sasi jo e vogël floriri. Shurdhëria,që e shoqëroi jetët e mbetura nuk sollën ndonjë rezultat. Kështu besoj ka ngjarë edhe me aktin e pavarësisë .U fsheh por rigjetja e tij do të na mundoi sepse koha se pret më kohën as minuti-minutën Njerëzit këtu,brezat duke qenë vdekatarë të zakonshëm kanë vdekur përgjithmonë dhe janë harruar, por nuk harrohet Ismail Qemali dhe ka për të rrojtur emri dhe vepra e tij deri në historinë e fundit të kësaj toke.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, Lef Nosi, minsitrat e Ismail Qemalit

DEGA E VATRES NE UASHINGTON DC, VIRGINIA DHE MARYLAND

April 30, 2013 by dgreca

Uashington DC, 29 prill 2013

Anëtarët e Federatës pan – Shqiptare të Amerikës “VATRA” – Dega e Uashington DC, Virginia dhe Maryland pershendesin perfundimin me sukses te Kuvendit dhe urojnë përzemërsisht Dr. Gjon Bucaj për zgjedhjen e tij si Kryetar i Federates ne Kuvendin e 27 Prillit 2013.

Ndërmarrja e rëndësishme për ta përgatitur e drejtuar “Vatrën” në përpjekje për zhvillim, adaptim e përparim në këto kohë te ndryshimeve demografike, adaptimeve e sfidave të reja me te cilat përballet komuniteti shqiptaro-amerikan ka nevojë për personalitete si Dr. Buçaj, që me largpamësinë, dëshirën, vullnetin dhe punën e pandalur i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin “Vatrës” fizionominë, bazen dhe energjinë e duhur per t’u zhvilluar dhe ecur perpara. Ky passion dhe dedikim ka evidentuar sukseset dhe sfidat e shekullit të kaluar dhe ato të shekullit të ri.

Dega e Uashington DC, Virginia dhe Maryland premton të vazhdojë punën e saj për të përmbushur misionin e Vatrës, promovimin vlerave të saj historike, angazhimin për të plotësuar platformën e Kryesisë nën drejtimin e Kryetarit të sapozgjedhur si dhe detyrat e objektivat e vendosura në Kuvendin e Vatrës më 27 prill 2013.

Me respekt,

Anëtarët e degës së VATRES në Uashington DC, Maryland dhe Virxhinia.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dega e Vatres, Uashington

Një emër që i bën nder Italisë

April 30, 2013 by dgreca

Emma Bonino lindi më 9 mars 1948 në Itali. Është poltikane italiane, aktualisht Ministre e jashtme e Italisë në qeverinë Letta. Është një prej figurave më me ndikim e radikalizmit liberal Italian./

Nga Arjan Th. Kallço/

 Më në fund edhe odiseja e zgjedhjeve në Itali duket se po i drejtohet konkretizimit të një qeverie me bazë të gjerë, duke bashkuar në një qeveri dy polet e kundërta të politikës italiane. Kanë qënë muaj të vështirë për vetë politikën, pas rezultatit të bujshëm të Lëvizjes 5 yjet e cila me qëndrimin e vet rrezikoi dhe më pas dështoi në synimet e veta. Përvoja e pakët në politikë dhe moskapja e momentit të duhur bëri që këtë dobësi ta shfrytëzonte klasa e vjetër politike e të dy krahëve. Kështu lëvizja që gati nuk fitoi zgjedhjet 2013 tani gjendet jashtë lojës politike e prirur të bëjë opozitë për një periudhë 5 vjeçare. Nëse do të kishin pranuar të bënin koalicion me Pd, partia e Berluskonit tash do të ishte në opozitë dhe kjo do t’i jepte mundësi Grilos që ta forconte pozicionin e vet në elektoratin Italian. Kape çastin – është thirjja që partia më e re duhet ta kishte shfrytëzuar në dobi jo vetëm të vetën, por edhe të vetë Italisë, pas krizës së thellë ekonomike dhe të besimit që përfshiu gadishullin përballë nesh. Por gabimet janë pjesë e jetës politike, jo vetëm në itali, pasi kur të vinë mendtë, nuk t’i hanë as qenjtë. Megjithatë duhet thënë se Griloja dhe partia e tyre bënë zgjedhjen që ata e menduan më të mirë dhe tani do t’ju duhet punë e jashtëzakonshme që të ridalin konkurrues në zgjedhjet e ardhshme lokale. Tani t’i kthehemi qeverisë së sapokrijuar me kryeministër Enriko Leta e cila sot kërkon votbesimin në Parlament. Sipas deklaratave të dy partive më të mëdha, nuk duhet të ketë pengesa për miratimin e qeverisë së re. Kështu i jepet fund një kaosi që duket se i uli jo pak pikë vendit fqinj në arenën ndërkombëtare. Paqëndrueshmëria politike italiane ka një histori gati 70 vjeçare dhe asgjë nuk të gjen të papërgatitur. Në listën e 21 ministrave është edhe një emër besoj shumë i dëgjuar edhe në politikën shqiptare dhe bëhet fjalë për Ema Boninon që do të mbajë portofolin e Ministres së jashtme. Është një emër që vërtet të ngjall kërshëri, por edhe admirim, jo sepse është femër, këtë herë qeveria italine do të ketë shumë femra në gjirin e vet, por sepse është një përvojë kaq e gjatë e poltikanes që nuk mund të lihej jashtë vëmendjes së një vendi që është ndër 10 vendet më të fuqishëm të botës. Mendoj se është një zgjedhje tepër e merituar, pasi bota sot ka më shumë se kurrë nevojë për zgjedhjen e elementëve cilësorë në drejtimin e punëve dhe vërtet znj. Bonino qëndron në krye të listës së elitës italiane dhe europiane. Dje tek lexoja emrin e saj në gazetat më të mëdha italiane, nuk mund të mos i hidhja një sy të gjithë veprimtarisë së saj në disa drejtime: italian, europian dhe botëror. Me disa rreshta po sjell disa nga momentet më të spikatura të karrierës së saj deri në çastin kur mori drejtimin e një prej ministrive më të rëndësihme të marrëdhënieve me botën, të promovimit të vendit dhe të bashkëpunimit ndërkontinental. Zgjedhjet tona janë tek dera dhe do të ishte e udhës që në përzgjedhjen e parlamentit të ri që do të dalë nga 23 qershori, të mbahet fort mirë parasysh leksioni Italian i përzgjedhjes. Diplomacia shqiptare e di se ku e ka vendin e vet dhe peshën, por skandalet me emërimet neopotiste dhe me njerëz që nuk kanë patur ndonjëherë lidhje me diplomacinë e vërtetë, tregojnë se mentaliteti shqiptar i këtyre dy dekadave vështirë se mund ta çrrënjosë atë. Do të duhej një radikalizëm i qartë, i guximshëm, si shembulli i Boninos, jo thjesht si radikaliste, por si nismëtare e vendosur e një politike radikale edhe në nivel global. Kush është Ema Bonino? Pasi ta lexoni veprimtarinë e saj, do ta kuptoni se është një emër që i bën nder Italisë.

Pas shkollës fillore dhe të mesme në vendlindje, shkoi në Milano ku frekuentoi fakultetin e Gjuhëve të Huaja në universitetin Bokoni dhe ku u diplomua në vitin 1972. Në vitin 1975 hyri në politikë dhe një vit më vonë nën siglën e Partisë radikale zgjidhet për herë të paë në moshën 28 vjeçe në Parlamentin Italian. Në vitin 1979 u zgjodh deputete në Parlamentin europian. Në cv e saj numëron edhe anëtarësi në komitetin ekzekutiv të International Crisis Group, ideatore dhe promovuese e Gjykatës penale ndërkombëtare, profesore nderi e Universitetit amerikan të Kajros, delegate e Italisë në OKB lidhur me dënimin me vdekje etj. Në vitin 1980 promovon fushata të shumta për referendumin lidhur me të drejtat civile në Europën lindore dhe një vit më vonë një apel kundër shfarosjes nga uria duke kontribuar në krijimin e shoqatës Food and Disarmement International, me qëllim koordinimin e veprimtarive dhe nismave të informacionit ndërkombëtar dhe më vonë u bë sekretare. Në vitin 1986 organizon një konferencë ndërkombëtare duke dalë me manifestin e kryetarëve të shteteve kundër shfarosjes nga uria, në mbrojtje të së drejtës për jetën dhe jetës së të drejtës. Këtë nismë ia paraqiti edhe papës Gjon Pali i II. Në janar 1987 manifeston në Varshavë kundër diktaturës së gjeneralit Jaruzelski në favor të Solidarnostit. U arrestua dhe u përjashtua nga Polonia. Në vitin 1989 u bë kryetare e Partisë radikale transkombëtare deri në vitin 1993. Në nëntor 1990  arrestohet edhe në Nju Jork, pasi denoncoi ligjin për shitjen e siringave me recetë të mjekut. Në maj 1991 është firmëtarja e parë e mocionit kundër përhapjes së armëve jo konvencionale dhe në veçanti të minave antinjeri. Në vitin 1993 promovon një fushatë në favor të krijimit të Gjykatës penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë me një apel me 25 mijë firma nga e gjithë bota. Po në atë vit pas takimit me Dalai lamën hedh idenë e një mobilizimi për të drejtat dhe lirinë e popullit tibetian dhe për demokraci në Kinë. Në vitin 1995 u bë Komisare europiane për politikën e konsumatorit, peshkimit dhe për ndihmat humanitare. Më 26 janar 1995 është e para komisare që shkoi në Sarajevë pas fillimit të luftës, duke denoncuar pafuqinë e Europës, dhe mosinteresin e OKB-së para pastrimit etnik e më pas votën e saj prondërhyrjes ushtarake në Kosovë. Në vitin 1996 pas genocidit në Ruanda udhëtoi drejt disa vende të Afrikës në mbështetje të së drejtës së refugjatëve për ndihmë humanitare e më pas në Somali, Sudan, Kurdistan, Afganistan. Në vitin 1997 dukë qënë mes nismëtarëve firmos në emër të Komisionit europian Konventën e Oktavës kundër minave. Pas mandatit në Europë kthehet në politikën italiane dhe në zgjedhjet europiane arriti një rezultat historik, duke u bërë forca e katërt politike kombëtare. Në vitin 2001 pas një tjetër suksesi në zgjedhjet në Itali shkoi në kairo më synimin q ëtë mësonte gjuhën dhe kulturën arabe. Në vitin 2004 rizgjidhet në Parlamentin europian, duke iu bashkuar grupit Aleanca e demokratëve dhe liberalëve për Europën dhe në 2005 shkon përsëri në Afganistan si kryetare e misionit të vëzhguesve të B.E-së në zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Në vitin 2008 u zgjodh si kryelista e PD në Piemont dhe mori 107 vota duke u zgjedhur zv/kryetare e Senatit.Në zgjedhjet e këtij viti nuk arriti të fitonte një mandate në Parlamentin Italian. Emri i saj u përzgjodh si candidate për presidente pas mbarrimit të mandatit të Napolitanos dhe më 14 prill Partia socialiste e propozoi zyrtarisht atë, e ndihmuar nga sondazhi që e bënte fituese me 32% të konsensusit.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Kallco, Emma Bonino

Pse shqiptarët mercenarë ?

April 30, 2013 by dgreca

” Djema! Ju më shikoni si prift, por unë nuk u linda kësisoji, por shqiptar dhe shqiptar dua të vdes” ( At Stath Melani) */

”E vërteta të mbyt ! Por , thuaje te vërtetën.(F.Xh)”/

Nga Fahri  Xharra/

Emri mercenarë i pershkruan nga prejardhja të gjithë ata që afrojnë ndonjë shërbim ne kundërshpërblim-pagesë. Mercenarius vjen nga latinishtja, rrjedh nga fjala merces – rrogë, pagë, pagesë. Një mercenar është një luftëtar i huaj në një konflikt të huaj; “i rekrutuar në shtetet e huaja” dhe i cili “merr pjesë drejtpërdrejt në një armiqësi”. Ky luftëtar duhet të ketë “përparësitë vetjake” që të marrë pjesë ne atë konflikt apo atë luftë duke qenë “shumë mirë i paguar, bile shumë më mirë” sesa të obliguarit e asaj lufte apo konflikti. Një mercenar është një luftëtar i zanatit të luftës  i rekrutuar me para nga një Shtet, një ndërmarrje apo ndonjë lëvizje politike në mënyrë të ligjshme apo jo, jashtë sistemit të rregullt të ndonjë vendi.

Përditë e më tepër po jemi dëshmitarë të një dukurie e cila na bën që si komb të jemi më largë botës së civilizuar. Jo pse ata na largojnë, por ne po  ia kërkojmë vetes këtë largim  nga e vërteta  pa të drejtë ankese   dhe pa të drejtë   arsyetimi ndaj brezave që do të vijnë.

Po,  për kë? Po, për çka? Për cilin atdhe?

“Shërbimi i mercenarëve në përgjithësi kërkon njerëz të aftë qoft për një operacion ushtarak dhe për një kohëgjatësi të kufizuar, qoftë për një tip të shërbimit të specializuar. Kohëzgjatja e angazhimit është e karakterit të përkohshëm ose të përjetshëm”.

Pse jemi aq të lehtë, që të rekrutohemi? Për kë? Kush po na rekruton? Çfarë lakmije e dreqit të mallkuar, na shtyn që të lidhemi më forcat më të errëta e më të urryera të botës? Ku janë fajet? Duhet të dihet një gjë. Krejt propaganda fetare është në duart e Serbisë. Të vetëdijshëm apo jo, me para apo pa to, të gjithë jemi në kurthin e atyre që të ardhmen tonë e shohin ndryshe e jo ashtu se si e duam ne. Ne vetëm jemi duke i shkuar mbrapa një të papriture e cila do të na kushtojë
shumë shtrenjtë. Brezat kanë për të na mallkuar.

Më 8 Korrik 1977, Konventa e Gjenevës  ratifikoi definicionin (përkufizimin) e një mercenari  (neni 47): “Mercenari nuk e ka te drejtën e një luftëtari apo të një të burgosuri të luftës”. Përgjithësisht termi mercenar e ka një konotacion shumë negativ për shkak se motivimi për këtë mënyrë të luftës për të huaj e nxitë paraja. Të jesh mercenar duhet të jesh edhe nga zemra i prishur. Vrasës. Në rastin tonë vrasës i ardhmërisë sonë. Mercenarët janë vegla për kompletimin e një kauze të huaj. Kjo kauzë, kauzë e mercenarëve tonë, që aspak nuk është në nderin e kombit e as të familjes së tyre e as të atyre që janë kyçur në te, nuk është rastësi, për këtë janë bërë përgatitjet që moti. Është dijtur se lufta do të fitohet, është ditur se Kosova do të jetë e pavarur, e mu për këtë kanë pas filluar përgatitjet nga ana e humbësit (në bashkëpunim me dashamirët tonë që na njofin shumë mirë) që luftën tonë, herët a vonë ta qesim në errësirë; herët a vonë ta njollosim me njollat më të shëmtuara, dhe këtë shkatërrim të mundit tonë qindravjeçar, dhe ndihmës historike të botës së civilizuar të bëjnë me njerëzit tonë. Po, po me njerëzit tanë.

Ku janë intelektualët që nuk flasin? Pse janë pseudointelektualët (intelektualët e rrejshëm) aq të zëshëm në mohimin e çdo gjëje që vlen? Vallë, çfarë lloji i mbinjeriut janë ata që kënaqen duke na ngrehur zvarrë në errësirën e ë së kaluarës tragjike? Mercenar është edhe ai që me shkrimet dhe paraqitjet e tij publike lufton për kauzën e tjetërkujt. Ai merr pjesë në një armiqësi, për të përfituar më shumë materialisht. Heu mos kofshin! Kush po i ndjell këta mercenarë të së keqes që t`i qesin hije të keqe e të pashlyeshme tërë kombit? Kush krekoset me shkrimet qëna ndajnëidentitetin tonë? Kush njollos figurat e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Nënës Tereze vetëm e vetëm të njollosë kombin, historinë, arritjet dhe më e keqja, të na lërë pa ardhmëri? Të dalësh në anën e kurrkujt për një grusht parash, apo nga një infeksion patogjen të shpëlarjes së trurit, i përngjan mercenarit të hapësirës (film vizatimor), me dëshirë e i bindur në  agjësimin e Planetit X, diku larg, në Galaktikën e Don Kishotit. Mercenarët (henchmen) janë vegla të pa vlera, që nuk i dhimbsen as dreqit, e që shërbejnë vetëm për të kryer detyrën e dhënë, e pastaj nëse mbijetojnë mbyten nga vetë paguesi. Ata kanë uniformë të cilën duhen bartur, ata kanë ide qe shkon përtej shpirtit të predikuar nga vetë zoti i tyre.

Mohuesve të historisë ju rikujtoj fjalët : ”Ilirët kanë krijue të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyne e morën nga ilirët, çka dëshmon se ishte aq e lavrueme sa edhe shkruhej, se ishte themeluesja e atij alfabeti që bota mbarë sot e quen “alfabeti latin”, se ajo zë vend si degë e veçantë në kuadër të trungut të gjuhëve indoevropiane dhe si e tillë ajo konsiderohet se qysh në fazat ma të hershme parahistorike ishte gjuhë folëse pellazgo-ilire me elemente karakteristike të mëvetësishme.(Daniel Gazulli) ”

At Donat Kurti jep edhe një të dhënë të mrekullueshme për marrëdhëniet e vendit tonë me atë revolucion teknologjik që e tronditi botën kulturore me fuqinë e jashtëzakonshme shtytëse që u dha botimeve dhe kulturës në tërësi: për lidhjet me shtypshkronjën. Ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot “fill mbâs të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti, njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dhá vendit të vet dhe botës prodhimin më të famshëm të krijesës së tij.Tridhjetë e tetë vjet për atë kohë janë si tridhjetë e tetë ditë sot, ndoshta më pak. Ai përmend edhe shtypshkronjën tjetër të Shkodrës, që njihet më 1563, por nuk përjashtohet që edhe kjo të jetë më e hershme. Kush i zhduki këto shtypshkronja ? Përgjegjja  dihet .

Nuk jemi ne ata  e as që na takon neve të bëhemi pjesë e mohuesve dhe shtrembëruesve të historisë sonë. Le t`i mbajnë ata, ato mashtrime përveti se e kemi tokën tonë e cila ka nevojë më shumë se kurrë për ne. Ne kemi mbirë gjithmonë aty ku na kanë shkulur , dhe po të na shkulin përsëri , ne përsëri do të mbijmë .  Edhe kur na kanë shkelur trupin tonë gonxhet tona përsëri kanë qelur . Për kundër përplasjeve të tmerrshme mbi popullin tonë gjithmonë ka qelur një syth këtu , një syth aty , ku ata më së paku e kanë pritur .  Me sulme biologjike të mortajës së zezë , të variolës vdekjeprurëse , të helmimeve me gazërat toksike , të vrasjeve masive , të dhunimeve të panumërta , të shpërnguljeve të mëdha ne përsëri jemi kthyer dhe ikur nga buza e greminës .

 

Heeeej ! Nuk po kam zë më shumë që të thërras e të kthjelli mendjen e mykur e të shitur të atyre që nuk janë të vetëdijshëm për vepren e madhe të shqiptarëve në shpëtimin , në kohë të duhur të popullit historikisht të përndjekur hebrejve të cilët gjetën strehim në tokat iliro-shqiptare gjatë shekullit të dytë para krishtit , në shekullin XVII-të  hebrejve të ikur nga Inkuizicioni në Spanjë dhe gjatë luftës së dytë botërore. Hebrejtë na janë mirënjohës dhe kemi vendin e nderit si populli i vetëm në Europë që iu ka dalur krah në qaste të vështira . ”Sikur të ishin të gjithë të njejtë me shqiptarët , bota do të ishte ndryshe” thoshte  John Withers II .

Ne shqipëtarët ,krenarinë tonë e mbështesim përveq në historinë tonë antike të vjedhur edhe në katër shtyllat që na mbajnë fortë në mesin e popujve të civilizuar të Europës : Gjergj Kastrioti – Skenderbeu , Nënë Tereza , Ismail Kadare , dhe shpëtimi e strehimi i hebrejve gjatë historisë .

(* Stathi Melani ishte një prift ortodoks shqiptar, pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit, i cili vendimet e marrura në kongres për përhapje e gjuhës së njësuar letrare shqipe i zbatonte në fshatrat e Shqipërisë së jugut. Për veprimtarinë e tij patriotike ai u përndoq nga autoritetet turke që sundonin në atë kohë në Shqipëri. Edhe përkundër faktit që turqit ia dogjën tri herë shtëpinë, ai nuk e ndali veprimtarin e tij. Në të njëjtën kohë veprimtaria e tij përcillej edhe nga priftërinjtë ortodoksë grekë të cilët organizuan edhe vrasjen e tij. Kështu, më 24 Dhjetor 1917 banda e kusarëve të Josif Suropullos i zuri pritën e vrau dhe i masakroi kufomën duke i prerë kokën për t’u tërhequr vërejtjen dhe frikësuar veprimtarët e tjerë shqiptarë ortodoksë. Megjithatë vrasja dhe masakrimi i tij te të rinjtë e Shqipërisë së jugut ishte vetëm një vërtetim për rendësinë e gjuhës shqipe.)

Pse jemi aq të lehtë, që të rekrutohemi? Për kë? Kush po na rekruton? Çfarë lakmije e dreqit të mallkuar, na shtyn që të lidhemi më forcat më të errëta e më të urryera të botës? Ku janë fajet? Duhet të dihet një gjë. Krejt propaganda antishqiptare është në duart e Serbisë. Të vetëdijshëm apo jo, me para apo pa to, të gjithë jemi në kurthin e atyre që të ardhmen tonë e shohin ndryshe e jo ashtu se si e duam ne. Ne vetëm jemi duke i shkuar mbrapa një të papriture e cila do të na kushtojë shumë shtrenjtë.

Fahri  Xharra ,27.04.13

Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, mercenare, pse shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5468
  • 5469
  • 5470
  • 5471
  • 5472
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT