• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jeta dhe trashëgimia e Margaret Thatcher-it

April 9, 2013 by dgreca

Gazetari britanik, John O’Sullivan, ka punuar për ish-kryeministren Maragaret Thatcher nga vitit 1986 deri më 1988 si këshilltar i saj special dhe jozyrtarisht si fjalimshkrues. Pasi Thatcher ka lënë zyrën, O’Sullivan ka qenë njëri nga dy shkrimtarët që ka punuar me të në meomarët e saj: “The Downing Street Years” më 1993 dhe “The Path to Power” më 1995. /

Nga Heather Maher/

Kryeministri britanik David Cameron i ka thënë BBC-së se Margaret Thatcher “jo vetëm që ka udhëhequr vendin tonë, por edhe e ka shpëtuar”. Si e ka shpëtuar ajo Britaninë?
JOHN O’SULLIVAN- Ajo ka shpëtuar Britaninë ekonomikisht. Koha kur ka marrë postin e kryeministres, ka qenë menjëherë pas “dimrit të pakënaqësisë”, më 1979. Nëse kujtoni atë kohë, ka pasur shumë greva në Britani.
Të vdekurit mbeteshin të pavarrosur në Liverpool, mbeturinat mbeteshin nëpër rrugët e Londrës, veçanërisht në Leicester Square, kurse pacientë të sëmurë nga zemra ktheheshin prapa nga spitalet që gjendeshin në grevë.
Këta janë tre shembuj, por në përgjithësi, shumica e njerëzve ndjenin se Britania po rrëshqiste në një kënetë të dëshpërimit dhe për ta shpërtuar atë, kërkohej një veprim i fuqishëm. Ajo ka bërë tre gjëra. Para së gjithash, ka ndryshuar ligjin në mënyrë që sindikatat tregtare të silleshin nën kontroll. Së dyti, ka vendosur detyrime të mprehta në zgjerimin monetar; ka stabiluzuar monedhën dhe ka krijuar një lloj stabiliteti të nevojshëm financiar për bizneset.
Dhe, së treti, ajo ka nisur një revolucion të privatizimit dhe lirisë ekonomike, i cili është imituar në mbarë botën. Kur njerëzit flasin për privatizimin, ata nganjëherë harrojnë se ka qenë zonja Thatcher në Britani ajo që i ka hapur rrugë atij.
Dhe, duke bërë një gjë të tillë, ka krijuar edhe një klasë të re të aksionarëve në mesin e njerëzve që kurrë nuk kanë pasur prona të tilla. Pra, mbi të gjitha, ishte një ndryshim i shquar në shoqëri dhe ka bërë që, gjatë 10 vjetëve të saj në fuqi, Britania të bëhet ekonomia e katërt më e madhe në botë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ajo ka qenë tejet e sigurt në veten dhe bindjet e saj. Shpesh ka thënë: “Unë nuk jam politikane e konsensusit. Jam politikane e bindjeve”. Çfarë vlerash personale kanë përçuar këto?

JOHN O’SULLIVAN
Ajo është rritur në Anglinë provinciale. Ka qenë vajza e një shitësi ushqimesh dhe gjithmonë ka thënë se kjo ka ndikuar në pikëpamjet e saj ekonomike. Nëse keni punuar në një dyqan ushqimesh, keni ditur se mallrat vijnë nga e gjithë bota dhe jeni bërë kurreshtare të mësoni se si ndodh kjo.
Ajo do të thoshte se ka qenë puna prapa banakut në dyqanin e babait të saj që i ka dhënë aluzionet e para ekonomike. Natyrisht se më vonë i ka zhvilluar teoritë e saj në një mënyrë më akademike.
Së dyti, ajo ka qenë metodiste. Në rininë e saj në Angli, kjo ka qenë një formë pak më e ashpër e krishterimit, i cili theksonte veprat e mira. Ajo ka praktikuar këtë formë të krishterimit dhe ishte metodiste mjaft e fortë. Ka qenë fetare gjithë jetën dhe një nga thëniet e saj të preferuara ka qenë ajo e John Ëesley-t: “Fito gjithçka që mundesh, ruaj gjithçka që mundesh, dhuro gjithçka që mundesh”. Mendoj se ka jetuar me këtë lloj urdhri të krishterë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ajo është admiruar nga shumë, por edhe urryer nga shumë. Ka qenë një figurë tepër e polarizuar. A keni menduar ndonjëherë se duke qenë aq e papëlqyer, madje edhe nga disa në partinë e saj, është dëmtuar?

JOHN O’SULLIVAN
Kishte të luftonte shumë beteja. E dinte dhe i luftonte ato. Nuk e ka shkatërruar personalitetin e saj; ka qenë e drejtë në sipërfaqe dhe shumë luftarake; ka përlqyer debatin e mirë dhe argumentin e mirë dhe ka qenë e bindur se ka të drejtë.
Dhe, ndonëse ka paguar çmimin, ai nuk ka qenë një çmim i thellë psikologjik; ka qenë më shumë një çmim i jetës së përditshme, që vërtet e ka përfaqësuar dhe ajo ishte e mirë në këtë drejtim.

Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan, 1984

RADIO EVROPA E LIRË

Ajo ka qenë mike e mirë me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan. Njëherë e ka quajtur: “Burri i dytë më i rëndësishëm në jetën time”, pas bashkëshortit Dennis. A ju kujtohet si ka nisur miqësia?

JOHN O’SULLIVAN
Miqësia ka nisur më 1975, praktikisht një javë ose dy pasi është bërë udhëheqëse e partisë konservatore. Ronald Reagan ka qenë në Londër dhe ka shkuar ta vizitojë. Ka qenë e planifikuar të kalojnë gjysmë ore së bashku, por kanë kaluar një orë e gjysmë ose dy. Pra, kështu ka nisur.
Por, vërtet është bërë formë e lidhjes politike më 1981, kur ka qenë nën presion të madh në vend dhe në vizitën e saj të parë në Uashington, pjesa më e madhe e stafit të Reaganit ka dashur që ai të distancohet nga ajo.
Megjithatë, ai nuk e ka bërë. I ka bërë një bujë të madhe. Jo vetëm që i ka ofruar drekën shtetërore, por ka pranuar ftesën kthyese – që presidentët zakonisht nuk e bëjnë. Kjo ka qenë kundër protokolit. Ai ka vënë dorën në krahun e saj për t’i treguar se “jemi duke bërë të njëjtën gjë dhe kemi të drejtë”.
Kjo, për të ka qenë fillimi i një miqësie të bukur, por edhe për Reaganin po ashtu. Ata shpesh edhe nuk janë pajtuar. Kanë ardhur edhe të mosmarrëveshje reale dhe, për aq sa ka qenë e mundur, i kanë mbajtur jashtë vështrimit publik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni kaluar vitet e fundit duke punuar në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku shumë njerëz, në vitet 1980, Thatcherin e kanë parë si mbështetëse të tyre për lirinë. A është kjo ende e vërtetë?

JOHN O’SULLIVAN
Ajo ka qenë kampione e lirive të tyre dhe shumë njerëz, me të cilët kam folur, janë të lumtur teksa pranojnë këtë fakt – faktin se ajo ka qenë dikush që u ka dhënë mbështetje të fuqishme për solidaritet.
Ajo ka mbështetur disidentët kudo që është shfaqur mundësia. Ka qenë udhëzimi i saj që ministri i Jashtëm britanik – i pari që bën një gjë të tillë – të marrë aeroplanin për në Poloni dhe të vizitojë varrin e Atit Jerzy Popieluszko, i cili ka qenë martir i regjimit.
Pra PO, këto gjëra kanë ndodhur. Ajo po ashtu ka qenë forca lëvizëse brena Qeverisë britanike, për kritika të forta ndaj Bashkimit Sovjetik dhe natyrisht për deklarata të fuqishme anti-komuniste.

Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: jeta dhe trashegimia, Margaret Thacher

VISAR ZHITI: E DJATHTA, E LEHTËSUAR NGA LARGIMI I LSI PREJ ALEANCËS ME PD

April 9, 2013 by dgreca

Shkrimtari: Si më propozoi Berisha për ministër./

Një shkrimtar në postin e ministrit, çfarë i jep letërsia politikës./

  • “Prioritetet e mia, nga Burgu i Spaçit te libri”
  • “Qeveritë e majta kanë qenë indiferente me të përndjekurit, për të mos thënë prapësuese”/

Për poetin dhe shkrimtarin Visar Zhiti, tashmë ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nuk ka shumë rëndësi se sa do ta mbajë atë post.  “Mjafton edhe një ditë”, thotë ai. Pas tërheqjes së LSI-së nga koalicioni qeveritar, lindi nevoja për zëvendësimin e vendeve të mbetura bosh nga ministrat “aleatë” në Këshillin e Ministrave. Me zhvendosjen e ish-ministrit Aldo Bumçi drejt portofolit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, posti i ministrit të TKRS-së iu ofrua shkrimtarit Visar Zhiti. Në një intervistë për “Panoramën”, ministri Zhiti sqaron që nga momenti i propozimit, tek pranimi i ftesës, largimi i LSI-së, besimi tek e djathta dhe gjithçka që ai do të donte të bënte në kulturë, me gjithë kohën e paktë.

Për kuriozitetin e të gjithëve, si ju erdhi propozimi për t’u bërë ministër i MTKRS-së dhe pse e pranua atë? Patët hezitime?

Vërtet ka kuriozitet për këtë? Ndodhi natyrshëm, megjithëse do të thosha se të papriturat dhe befasitë e bëjnë jo vetëm punën, por edhe jetën më tërheqëse, më interesante. Sipas rregullit propozimi erdhi nga Kryeministria për këtë detyrë të lartë, pikërisht nga Drejtuesi. Nuk e prisja dhe mëdyshja, që kujtoni ju, ishte si shkak se mua menjëherë më vetëtiu në mëndje përgjegjësia e madhe e përzierë me mirënjohjen time për besimin që po më jepej.

E kam parim që nuk duhet të tërhiqesh, po të përballesh me ato që të sjell realiteti, sidoqofshin. Kur janë për mirë, duhet të mendohesh më  mirë. Në nderim të saj, kisha nevojë të bisedoja me veten time të dytë. Mos do të duhej të pyesja dhe bashkëvuajtës, ata do të donin të kishin një përfaqësues në qeverisje? Do të ishte një apel për të qenë dhe zëdhënës i tyre. Nuk do të doja të zhgënjeja kurrkënd, as Propozuesin dhe punën. Me dëshirën që të bashkohesha me ata që punojnë për kulturën tonë, shpalosjen e saj, krijimin, mbrojtjen, zhvillimet e promovimin e Shqipërisë së mrekullueshme, gjithë rini dhe sportivitet. Programi i qeverisë është i denjë për vendin, me ambicie të bukura, energjiçliruese, zbatimi i të cilit sjell begati e mirëqënie të mëtejshme shpirtërore dhe ekonomike. Dhe mëdyshja u harrua.

A nuk është një kohë e shkurtër për të përmbushur objektivat e institucionit apo që mund t’i keni vënë vetes?

S’ka gjë, e pashë si mision, qoftë dhe një ditë. Pastaj unë shkoj atje që të vazhdojë puna, pararendësi punoi me përkushtim dhe pasion. Që të vazhdojnë arritjet dhe përmbushjet e objektivave në institucionin e ministrisë ka plot emra, që i dinë dhe s’i dinë, me përvojë e të rinj, drejtues e specialistë, që kanë dhënë e po japin, që e duan punën dhe dinë të punojnë, që dinë të ëndërrojnë dhe ta bëjnë ëndrrën realitet. Të kujtojmë së fundmi festimet e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit dhe të themelimit të shtetit modern shqiptar, dëshimtë janë gjithandej nëpër Tiranë e Shqipëri. Se mund të kesh në dispozicion dekada dhe mund të mos bësh asgjë, apo ta bësh keq dhe mund të kesh një ditë dhe të bësh atë që duhet, të vazhdosh ecjen përpara.

Mos menduat se e djathta do të fitojë sërish dhe kështu mund të qëndroni në postin tuaj?

Jo, nuk kam menduar kështu. Sidoqoftë unë do ju thosha se kredoja ime, kudo ku kam qënë, në burg dhe jashtë tij, në atdhe dhe jashtë atdheut, liria dhe krijimi dhe me të djathtën tradicionalisht Shqipëria ka patur identitet më shumë, kulturë më shumë, liri më shumë, drejtësi me shumë, prosperitet më shumë. Me të majtën kemi patur kryesisht izolim, varfëri dhe sharje me botën, si përfundim diktaturën më të rëndë në Europë. Nga ky bagazh shtypës e majta jonë nuk shpëton dot, prandaj dhe e ka persekutuar të djathtën, ku vendosi tiraninë e vet. Gjithçka ka ndryshuar. Ju thashë, iu futa një misioni, që shpesh del mbi të gjitha dhe ka forcë përbashkuese.

Do ta pranonit një propozim për deputet për të djathtën?

Kam qenë dhe deputet. Kur është dashur, e kam ndërprerë me marrëveshje për të shkuar në detyrë tjetër. Në qoftë se do të duhet që edhe unë të jem deputet, është nder dhe do t’i përkushtohesha. Në fund të fundit çdo njeri është deputet, përfaqëson veten, të tjerë, ideale. Vizione.

Propozimi ju erdhi në një kohë kaotike, LSI tërhiqët nga koalicioni me PD-në dhe krijon një tjetër me PS-në, nuk do kishit dashur të ishte një periudhë tjetër?

Njerëzit bëjnë kohë dhe koha bën njerëz. Nëse u krijua një situatë kaotike, siç po thoni ju, do të desha t’i përgjigjesha për normalizim. Mendoj se u krijua një kohë për më mirë që gjërat të gjejnë veten. Lëvizje të natyrshme, do të thosha. Bëhen kur u duhet atyre që i bëjnë. Meqënëse lidhet me votimet, votuesi sovran do të tregojë se sa të drejtë e me sa moral është vepruar. Kurse kultura është një koalicion i gjithkohshëm me të gjithë njerëzit, me ata që janë dhe ata që kanë qënë e që do të jenë. Është pasuri e vëndit, e krijuar në shekuj, në vështirësi edhe më të mëdha, nën pushtime, nën diktaturë, ka sakrifikuar nga vetvetja, ka rritur vetveten.

Dhe kultura, ku fus artet, turizmin, sportet, nuk duhet të ketë të majtë dhe të djathtë në thelbin e saj, por duhet të jetë si ajri, nuk ka ajër të majtë e të djathtë, republikan e mbretëror. Ka smog, ka lagështirë, ajër burgjesh, tym intrigash, pluhur, ndotje, edhe me kuptimin metaforik të tyre, etj, t’i heqim ato. Ne duam ajrin e pastër, atë ajër të shëndetshëm të Shqipërisë si perlë e Mesdheut. Dhe kjo kërkon një program. Tashmë demokratët e kanë.

Sa ka humbur e dhjathta nga kjo lëvizje politike?

Jo, pse ka humbur, mbase e kundërta, unë them, si qytetar, se po rendin gjërat drejt vetvetes për të qënë ato që janë. Është fituar një përvojë bashkëpunimi dhe e ndëprerjes së saj, qoftë dhe befas, pa alarm e shqetësime. Të rritet kultura e mirëkuptimit dhe e kompromisit.                   Edhe përmes kontakteve që kam pasur, më thonë se ndihet një lloj lehtësimi. Në fund të fundit e majta majtas, e djathta djathtas. Shqipëria e përjetëshme.

Nuk mendoni se është koha për rrotacion?

Sapo ndodhi, do të thosha. Rrotacioni është i nevojshëm, është shpikje demokratike, e theksoj, por nuk duhet të ndodhë si në futboll, me atë logjikë, 45 minuta në këtë portë e 45 minutat e tjera në portën tjetër. Ai duhet t’i shërbejë prosperitetit të vendit dhe jo arithmetikës së interesit vetanak. Nëse shkohet për më keq, për hir të rrotullimit, s’ka pse të ndodhë. Nëse po shkohet për më mirë, na duhet vazhdimi i asaj force që po e kryen.

Dhe kjo është e djathta apo jo?

Me të djathtën, dihet,  Shqipëria mori frymë e lirë, e përsëris, u vendos demokracia, u hap ndaj botës, konkretisht u futëm në NATO, u renditëm me të përparuarit dhe të atyre që mbrojnë liritë dhe së shpejti në Europën e Bashkuar, familja e natyrshme. E majta, nëse nuk ndihmon në këtë proces, është e lutur të mos pengojë, për hir të çdo qytetari dhe interesit të tij.

Propozimi që ju bë, mos ishte një vendim strategjik për të marrë votat e të përndjekurve?

Të përndjekurt janë deputët moralë të popullit, në një farë mënyre, ata e kanë ditur me kohë se ç’duhet të bëjë vendi e ku duhet të jenë. Dinë të votojnë për një Shqipëri të lirë e demokratike, për ata që kanë bërë për të persekutuarit e në vazhdim do të bëjnë më shumë. E pse të mos jesh strategjik në zbatim të programit të madh të vëndit?

Çfarë duhet të bëjë më shumë e djathta kundrejt të përndjekurve?

Pse pikërisht e djathta dhe jo e gjithë shoqëria shqiptare?! Mua më vjen mirë që pyesni kështu, sepse në këto 20 vjet vetëm e djathta ka bërë për ne. Qeveritë e majta kanë qenë tërësisht indiferente, për të mos thënë prapsuese a më keq. As duhet të përdoremi dhe as duhet të shpërdorohemi. Dinjitetin sublim që të jep vuajtja dhe qëndresa, të përndjekurit e kanë natyrshém. Dhe pakënaqësitë për përmirësim të mëtejshëm të jetës, konkretisht në përshpejtim të dëmshpërblimit të gjithanshëm, për më shumë drejtësi e gjyq moral, janë kundrejt asaj force që bën, që i beson dhe do. Dhe unë them se meritohet më shumë.

Çfarë?

Dëmshpërblimi do të vazhdojë të kryehet më me përparësi. Dëmshpërblimi ideal është kryer, e thamë më lart, Shqipëri e lirë, e tregut të lrë, e të drejtave të njeriut, etj. Gjithnjë e më shumë po merr forcë kujtesa ndaj tyre duke u instutucionalizuar, letërsia e tyre, ku kishin fshehur shpirtin,  ka dalë, po bëhet pjesë e kulturës, etj, etj. Vështirësitë ekonomike që ka shtresa jonë e të persekutuarve nuk duhen të zmadhohen dhe as të konsiderohen të pa qëna, por të zgjidhen, dua të them. Realiteti i të persekutuarve nuk ka patur ato barazi e ato mundësi si e të të tjerëve, jeta e tyre vjen nga mungesat e rënda e nga balta e nga telat me gjëmba e errësira. Si rrjedhim ka nevojë për vëmendje permanente. Siç meritojnë mirënjohjen, u duhet dhe shtëpia më e mirë, shkollimi, puna, përfaqësim më i tepërt. Vazhdimet e premtimeve të vazhdojnë të realizohen me projekte dora-dorës. Që të thonë dhe ata gjithnjë e më shpesh: “Bacë, u krye”.

Po le të flasim për kulturë, çfarë do mund të bënit më mirë?

Unë shkoj në një institucion që nuk fillon tani, e përsëris. Atje ka traditë, programe, projekte, struktura, stategji, talente e të përkushtuar, realizime, arritje, marrëdhënie, etj, etj.

Unë po shkoj me mision të vazhdoj një punë, që nuk nis dhe nuk mbaron me mua. Atje është dhe përvoja e pararendësve. Do të punojmë që sipas programit të Qeverisë Berisha, të gjitha objektivat që ka vetë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të gjejnë zbatim, aty prioritetet janë të caktuara. Shqipëria është një vend me resurse të mëdha, shpirtërore, kulturore, turistike, art dhe sport, të zhvillohen e të mbrohet tradita kulturore, të prodhojmë kulturë, art, letërsi, të mbështet libri, autori, lexuesi, të forcohen lidhjet mes tyre, veprimtaritë.

Ndërkaq jemi në prag të sezonit turistik. Është kaluar nga njohja dhe joshja rajonale në atë europiane e më tej, që krahas të tjerave, të nxitet dhe ai turizëm që rrit punësimin, pra mirëqënien. Përmirësim infrastrukturor, nxitje e gjallërim të mëtejshëm, njohje dhe vizione dhe përhapje.

Ditën e shtunë ju morët pjesë në përurimin e një monument kulture në Gjirokastër, është ky një sinjal, që i keni më për zemër monumentet e kulturës?

Pjesë e prioritet institucional. Ishte planifikuar dhe u bë. Unë pata fatin që të shkoja si rishtar. Përururam shtëpinë madhështore të Babametove, ku fondacioni “Trashëgimia kulturore pa kufi” dhe Organizata për ruajtjen dhe Zhvillimin e qytetit të Gjirokastrés etj.. kishte realizuar një kryepunë, do të thosha, duke ruajtur traditën në gjithçka dhe duke futur modernen në funksionimin e tanishëm, të hapur për qytetarët, ku të rinjtë sidomos mund të organizonin veprimtaritë e dëshiruara. Falenderuam dhe ambasadorin e Suedisë, i pranishëm në ceremoni dhe më pas vizitova Gjirokastrën dhe shtëpinë e bukur të Ficove dhe atë të Kadaresë, shkrimtarit që i ka kushtuar disa nga kryeveprat qytetit të tij dhe ka përhapur imazhin e Shqipërisë nëpër botë. Shtëpia e tij do të bëhet së shpejti ajo që dëshirojmë, është në përfundim. Përkujdesin e duhur do të kenë dhe shtëpitë e Profesor Çabejit dhe të Musine Kokalarit, shkrimtares së parë grua shqiptare, disidentes së parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, e cila konfliktin e pati hapur me diktatorin, ndërkohë dhe bashkëqytetar të saj.

Shkuam në Kalanë e famshme të Gjirokastrës, vizituam mjediset dhe Muzeun e Armëve, ku ka nevojë për përmirësime dhe për më shumë nisma. Duke kuptuar më mirë se duhet edhe armA  e guximit.                                                                                                                       Nuk kuptova atje pavionin e burgut të Kalasë, që e kishte Bashkia, si dhe pse dhe pse ashtu, i mbetur si në kohën e socializmit, me emra të të burgosurve gjatë Luftës II Botërore nga nazi-fashistët, një pjesë e të cilëve më pas i vranë bashkëluftëtarët e tyre dhe mungonte dëshmia e të burgosurve të diktaturës atje. Kalanë ajo e bëri burg ende më të tmerrshëm.

Kur e vërteta është përgjysmë, ajo nuk është më e vërtetë, në rastin konkret është shpërdorim i historisë, mashtirim, fanatizëm i një ideologji tashmë të vdekur, shantazh. Përgjegjësit dhe specialistët duhet të veprojnë, se ka shumë e shumë më tepër rëndësi se ndriçimi i kështjellës, nga lart apo nga poshtë, kur me kokëposhtë lihet e vërteta historike.

Meqë jemi tek monumentet, është një ndër ta që mund t’ju prekë personalisht. Bëhet fjalë për burgun e Spaçit, i cili po shkatërrohet e po shitet për skrap, çfarë do bëni ju për ta ruajtur?

Shpresoj shumë që projekti dhe dëshira për ta kthyer Burgun e Spaçit në një muze, të realizohet. Kjo kërkon ndihmesën e bashkëvuajtësve të mi, idetë e tyre e të profesionistëve të historisë, të arkitekturës, urbanistikës. Ky monument dhe shumë të tjera janë dëmtuar, janë vjedhur. Vjedhja nuk hyn në kulturë, por në antikulturë dhe nuk i takon më vetëm Ministrisë së Kulturës, por gjithë shqërisë, çdo qytetari, edukimit të tij. I takon moralit të një vendi, pra po aq shumë dhe opozitës, që duhet të jetë pushteti moral i një vendi. Opozita dhe kushdo, nuk duhet t’u gëzohen dëmeve të tilla, por të veprojmë bashkarisht. Kur vidhet apo dëmtohet një vepër e të gjithëve, jemi vjedhur e dëmtuar të gjithë.

Nëse ka vlera kulturore dhe ka, patjetër që ka, ato nuk duhen parë si një pronë të qeverisë aktuale, por pasuri jona e do përkushtimin e të gjithëve. Po, po, edhe edukim dhe syçelësi. Jam për sensibilizim të mëtejshëm dhe ndëshkim të keqbërësve. Media duhet të japë ndihmesën e saj në këtë drejtim. Të bashkëpunojmë. Natyrisht do të shtohen mjetet e sigurísë në objektet e rëndësisë së veçantë.

Një tjetër temë që e keni shumë të afërt, është libri. Ç’duhet bërë që të kemi botime më të mira dhe përfaqësim më të mirë të librit shqip jashtë vendit?

Botime më të mira kemi dhe përfaqësim të librit shqip jashtë vendit kemi. Do të vijojnë për më mirë bashkëpunimi institucional autor botues lexues dhe investimet e librit jo komercial, që ka vlera kombëtare e albanalogjike, që i shërben kujtesës kolektive, këtij lloj arkivi. Janë me shumë interes pjesëmarrja e botuesve shqiptarë në panaire të mëdhenj së bashku me autorët. Do të vazhdojë të thellohet tradita e mbështetjes për të qenë të pranishëm në to.

Veç të tjerash është koha të ngrihen edhe struktura të brendshme, komisione, që të propozojnë librin shqiptar që duhet të përkthehet siç e kanë dhe vende të tjera. Të shkojë tek lexuesi i kudogjendur shpirti shqiptar. Por së pari tek lexuesi ynë. Kemi një Bibliotekë Kombëtare me rëndësi.

Cili është mendimi juaj për çmimet letrare, gjithmonë ka pasur debate mbi to…?

Dhe do të ketë gjithmonë si kudo. Që nga koha e Homerit e deri tek Homerët e ardhshëm do të ketë debate dhe për çmimet letrare. Në përgjithësi ato shërbejnë si vlerësim dhe publicitet të mëtejshëm të vlerave, janë dhe mirënjohje institucionale për arritjet, por nuk janë gjithçka, nuk janë vetë letërsia. Çmimet miratohen nga ata që e japin dhe nga ata që e marrin, mirëpriten nga opinioni, por dhe krijojnë pakënaqësi. Lexuesi ka nevojë për shenjime të tilla, por ai jep çmimin e vet siperan. Në fund të fundit vlerësimet duhet dhe do té vazhdojnë.

Duhet të merret Ministria e Kulturës me çmime të këtilla?

Pse Jo? Ministria e Kulturës ka zemërgjerësinë që krijon një grup pune, investon për të dhe më pas nuk ndërhyn. Për to vendosin juritë, që përbëhen nga emra të njohur, kritikë letrarë studiues të letërsisë, shkimtarë përkthyes, etj. Mendoj se duhet parë dhe përvoja e disa vëndeve të zhvilluara, ku përfshihet dhe lexuesi, votimi bëhet hapur, shoqëruar me spektakle të librit, lexime, etj.

Jam i sigurtë që Ministria e Kulturës po të mos organizonte dhënien e çmimeve kombëtare në letërsi dhe arte, do të bëhej gjithë shqetësim dhe akuzë që pse Ministria e Kulturës shmanget apo rri indiferente.

I keni parë ndonjëherë si monopol klanesh?

Nuk përjashtohet. Është dhe subjektive siç janë dhe vetë çmimet. Po s’ka pse të ndëshkohet në vetvetet dhënia e çmimeve.

Përpara se të bëheshit ministër cilat ishin ato gjëra, për të cilat keni thënë shpesh: Sikur të isha…?

Sigurisht si qytetar i këtij vendi kam dashur një bregdet më të mirëmbajtur aty-këtu, më joshës, duke ruajtur natyrën dhe duke krijuar komoditetin në harmoni me të, si spektator kam kërkuar të shoh edhe një dramë tjetër më të bukur, një teatër më të mirë, më modern, një opera më bashkëkohore, panaire librash në sa më shumë qytete, prani në ato ndërkombëtare, festivale gjithandej, biblioteka aktive, stadiume dhe fitore më shumë.

Po rendet drejt kësaj, dëshira të tilla kërkojnë përligjie dhe përligjia kërkon përkushtim dhe bashkëpunim të institucioneve, intelektualëve, autoriteve në një punë të përbashkët. Më vjen mirë që jam në punë midis tyre.

Po fatkeqësisht ju do të drejtoni një ministri shumë të varfër financiarisht…

Është një ministri shumë e pasur, ka pasurinë shpirtërore të të gjithë popullit të saj.

Një përgjigje prej poeti.. Çfarë i jep dhe i merr politika letërsisë dhe anasjelltas?

Politika është veprimtari shoqërore, së cilës nuk duhet t’i trembemi. Përderisa politika merret me ne dhe ne duhet të merremi me politikën. Njeriu merret me politikë edhe kur nuk duket se po bën politikë apo është politikan. Pavarësisht se bëhet nga profesionistët, ajo vepron mbi qytetarët dhe qëndrimi ynë, veprimet tona janë pjesëmarrje. Në këtë drejtim edhe letërsia merr nga politika, jo vetëm  subjekte e  çështje e  përgjigje, por dhe nga filli i brendshëm dhe i padukshëm i saj. Absolutisht që janë dy fusha të ndryshme, shpesh në kundërshti, në luftë të pafalshme dhe me viktima. Eskili ka mërguar me detyrim, Ovidi është internuar, janë burgosur e pushkatuar dhe shpesh më e rénda pér letërsinë, është vënë në shërbim të diktaturave si me realizmin socialist. Të gjitha i përkasin pérkohësisë. Letëria është e pérjetëshme. Do të ishte fat që politika të merrte nga letërsia, sa më shumë nga kultura dhe humanizmi i saj dhe të mos ia çmagjepsë asaj lëndën e parë, Fjalën, aq më keq ta zhvleftësojë  e shpërdorojë. Morali intelektual është i domosdoshëm për të dyja.

Për këtë të fundit është folur shumë këto ditë. A ka moral dhe a duhet të ketë moral politika?

Më tmerron pyetja. Si nuk duhet të ketë moral politika? Politika është arti i së mundurës dhe e mundshme është vetëm ajo që ka moral, të pamoralshmet nuk duhet të jenë të mundshme, por duhet fituar mbi to, duhen mundur. Patjetër që politika do moral të lartë e të fortë.  Nëse duket i tepërt, këtë e përhapin ata që s’kanë moral, për të justifikuar veprimet e tyre. Politika ka dhe duhet té ketë si objektiv dhe shéndoshjen morale të shoqërisë.

Një debat që ka gjalluar së fundmi ka qenë ai i peticionit kundër ndryshimit të teksteve të historisë në Kosovë. Ju jeni një ndër firmëtarët, pse iu bashkuat kësaj nisme?

Ne nuk duhet ta ndryshojmë historinë për interesa jashtë të vërtetës dhe jasht historike. Latinët kanë një shprehje që thotë: Sa do i pasur qofsh, nuk e blen dot të kaluarën tënde. Pra ndryshimet duhet të jenë té pamundura. Natyisht porosité që mund të vijnë nga e kaluara, mund të shtohen, të jenë për mirëkuptimin dhe paqen dhe bashkëpunimin, por faktet, dukuritë ashtu si  datat historike dhe emrat nuk zhbëhen dot. Ato do të mbeten ashtu siç rezulton e vërteta. Qofshim të zotë për të rregulluar të tashmen dhe të ardhmen, dakort, e shkuara duhet shndërruar në përvojë, por jo të ndryshohet dhe të lëvizë. Skënderbeu është ai që ka qenë.

Por a ka nevojë historia jonë për t’u riparë, qoftë dhe në rrafshin terminologjik?

Bashkohem me ata profesionistë që thonë se ka nevojë për thellim. Gjithmonë ku ka zbulime të reja, rizbulime, këndvështrime dhe interpretime të reja, pa harruar dhe pa shpikur. Në dobi të përparimit. Të ndjekim llogjikën historike. Dhe, edhe kur nuk ka qënë e mirë, të bëjmë historinë e së mirës.

Bisedoi per Panorama:  Ama Mile(Ne Foto:Caption: Ministrat e rinj me Presidentin, Kryeministrin dhe kryetaren e Kuvendit gjatë betimit në Presidencë)

Filed Under: Featured Tagged With: Alma Mile, E djathta, e lehtesuar, Interviste, nga ikja e LSI, Visar Zhiti

LDD NE SUEDI PUSHON AKTIVITETIN

April 9, 2013 by dgreca

KOMUNIKATË PËR OPINION*/

Kryesia, dhe tërë anëtarësia e degës së LDD-së në Suedi, është tejet e indinjuar dhe shprehë zhgënjimin e saj  për mos informimin, konsultimin me rastin e lidhjes së kualicionit në mes LDD-së dhe AAK-së.

Për gjithë këtë ”buj” Ne jemi informuar vetëm përmes mjeteve të informimit dhe asesi nuk jemi kontaktuar nga Akademik Daci.

Andaj, befasohemi se si Akademik Daci merr një vendim të tillë në formë arbitrare pa u konsultuar me degët të cilat e kanë përkrahur dhe i kanë qëndruar pranë edhe në ditët më të vështira dhe tani Ne anashkalohemi dhe injorohemi.

Ne do të jemi pro grupimit të “paknaqurve” me në krye nënkryetarin e LDD-së Mr. Fadil Geci, vëllezërve Geci dhe të tjerë.

Andaj, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Dardanisë-Dega në Suedi, në konsultë për vendimin e kualicionit LDD-AAK, del me këtë vendim:

Pushon aktivitetin e saj politik që nga data 9 prill 2013

Förslöv/Suedi, 9 prill 2013

Për Kryesinë e LDD-së, dega në Suedi,

Hysen Ibrahimi, kryetar.

*Komunikata u dergua per gazeten Dielli nga kryetari, z. Hysen Ibrahimi

Filed Under: Politike Tagged With: LDD ne Suedi, pushon aktivitetin

Feniksat e rilindur

April 9, 2013 by dgreca

Nga RESHAT KRIPA/

Sipas mitologjisë feniksi ishte një zog që, pasi mbushte pesëqind vjet, digjej dhe nga hiri i tij rilindte përsëri. Kjo legjendë m’u kujtua kur mora pjesë në ceremoninë e përurimit të bar restorant “Feniks” në komunën e Remasit të Lushnjes. Kjo ngjarje më solli njëzetedy vjet më parë, atëherë kur populli i tërë thërriste:

– E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

M’u kujtua kjo thirrje pasi në atë restorant, për nga stili i ndërtimit dhe eleganca e shërbimit, m’u duk sikur isha në një restorant të Europës. Por, ajo që është më e rëndësishmja,  si në pothuajse gjithë vendët e qytetëruara të botës, ky restorant nuk është ndërtuar as me drogë dhe as me trafiqe të pista si shumë të tjerë.  Pronari i saj, Emir Çoku, nipi i Azem Çokut, “Qytetar Nderi’ i komunës, ish i burgosur politik së bashku me tre djem të tij, Esatin, Bedriun dhe Caushin, me 65 vjet burg mbi shpinat e tyre, për vite të tëra punoi në emigrim për një jetë më të mirë. Nuk u hodh pas qejfeve të shfrenuara dhe punëve të pista. Punoi për të ardhmen e tij dhe të familjes dhe me kursimet e mbledhura mundi të ndërtonte këtë restorant të modelit europian. Aty është djersa e tij dhe e familjes së tij.

Së fundi mbërriti edhe dita e përurimit të tij. Midis shumë të pranishmëve pata nderin të isha edhe unë. Nuk mungonte as muzika. Ajo gjëmonte duke filluar nga vallet e bukura popullore dhe deri te roku amerikan. Në mesin e kërcimtarëve dalloheshin feniksat e rilindur të familjes Çoku që i jepnin një pamje të mahnitshme gjithë atmosferës së kësaj feste. Unë i shikoja me admirim dhe më dukej sikur në fytyrat e tyre rilindte Azem Çoku, luftëtari nacionalist që jetën tij ia kushtoi atdheut. Por, në fytyrat e tyre shikoja edhe si rilindnin nacionalistët e tjerë të rënë për liri gjatë viteve të gjata të sundimit të terrorit komunist apo të tjerë burra që nuk mundën të shohin ditën e madhe të demokracisë për të cilën kishin ëndërruar dhe luftuar pa kursyer asgjë.

Qëndroj në karriken time duke vështruar por mendja ka fluturuar. Ka fluturuar ndër vegimet e së kaluarës së hidhur. Në ato ditë të trishta kur donim të mësonim dhe nuk na linin  për të mësuar, donim të punonim dhe nuk na linin për të punuar, donim të jetonim dhe nuk na linin as për të jetuar. Më kujtohen 65 bujqit e Myzeqesë që u ekzekutuan nga krimineli Mehmet Shehu vetëm e vetëm pse ishin nacionalistë. Por më kujtohen edhe korbat e zinj të sotshëm që çirren dhe këlthasin për të ringjallur atë që ka perënduar me kohë. Midis tyre edhe shumë të ashtuquajtur intelektualë, të mbushur me tituj dhe dekorata që arrijnë deri aty sa kriminelin e sipërpërmendur ta konsiderojnë si një burrë shteti që gjoja historia e Shqipërisë nuk e paska parë kurrë.

Oh, fatkeqë! Si nuk arrini të kuptoni se historia juaj përfundoi që me përmbysjen e ideve tuaja totalitare. Ju sot mund të jeni deputetë, funksionarë, pedagogë, biznesmenë që keni arritur majat e pasurimit tuaj, apo çfardo gjëje tjetër, por kurrë nuk mund të jeni njerëz në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ju jeni vetëm hije të së kaluarës që më kot mundohen të ringjallen. Ndoshta mund të keni mbaruar kushedi sa shkolla të larta, ndoshta mund të keni mbrojtur kushedi se sa mastera dhe doktoratura jashtë shtetit, ndoshta mund të keni fituar kushedi sa tituj dhe dekorata, por derisa nuk keni moralin për të hedhur poshtë të ligën që i bëri gjëmën këtij vendi, ju nuk mund të jeni gjë tjetër veçse mbeturina që duhen hedhur në koshin e plehrave të historisë.

Në këto ditë të fushatës elektorale që praktikisht ka nisur, dëgjojmë zërat tuaj të ngjirur të thërrasin se gjoja paskemi mbetur pa bukë dhe pa ujë,  pa shkolla dhe pa spitale, pa drita dhe pa strehë. Me korin tuaj janë bashkuar edhe disa që  e quajnë veten të përndjekur politik. Dua t’i pyes ata:          – Çfarë  heroizmi keni bërë kundër diktaturës që paskeni fituar këtë emërtim? Mos vallë vjedhjet, shpërdorimet dhe përdhunimet e familjarëve tuaj dhe që më vonë, për t’i shpëtuar ndëshkimit u detyruat të  tentoni të arratiseni jashtë shtetit dhe që regjimi komunist, për t’ju mbajtur më tepër në burg ju dënoi, përveç neneve ordinere edhe me nene politike si agjitacion e propagandë apo tentativë për arratisje?

Çfardo që të shpikni, çfardo që të thoni ju nuk mund të bëni me vete shtresën e gjërë të të përndjekurve politik. Këtë nuk mund ta bëjnë as media e shkruar dhe ajo vizive që ju keni në dispozicion. Me ju ne nuk na ndan vetëm plotësimi i detyrimeve që shteti shqiptar i ka kësaj shtrese. Ne na ndajnë parimet tona që janë të kundërta me tuajat. Ne na ndan historia jonë që është e kundërt me atë tuajën. Ne na ndan këndvështrimi ynë se si i shikojmë ngjarjet historike të ndodhura në vendin tonë me këndvështrimin tuaj. Këtë mos e harroni!

Ceremonia   vazhdon.  Këngët   dhe   vallet  ndjekin  njera-tjetrën. Feniksit  e  rilindur  vazhdojnë  të lodrojnë. Entusiazmi arrin kulmin kur në sallë buçasin vargjet e këngës:

 

Xhamadani vija-vija,

Është Kosova, është Shqipëria.

 

Gjithë salla është ngritur në këmbë dhe këndon me plot zërin:

 

Sa e madhe është shqiptaria!

Unë, plaku 78 vjeçar, qëndroj i mahnitur në qoshkun tim duke vështruar. Dëgjoj këngën dhe para syve më shfaqen vargjet e mrekullueshme të Mjedës:

Por nuk u shujt, ende jo, shqyptaria!

Jo, shqiptaria nuk ka për t’u shuar kurrë dhe kjo, jo për meritë të lakejve të komunizmit që kanë gllabëruar emrin e ngjyrave të flamurit tonë kombëtar, por të feniksave të rilindur që do të dinë t’i dalin zot këtij vendi. Do të vijë dita kur ju do të zhdukeni nga arena shqiptare pasi ju jeni të humburit dhe ne fitimtarët. Sot në Shqipëri kanë fituar parimet tona demokratike, parime që ju u munduat më kot t’i ndaloni dhe që ne u sakrifikuam për to. E ardhmja u përket feniksave tanë të rilindur. Ata kanë rilindur nga hiri i tyre.

Filed Under: Featured Tagged With: Bedri, Caush, esat, Familja Coku, Feniksat e Rilindur, reshat kripa

Cështja çame, kërkon zgjidhje – jo heshtje dhe variante te reja

April 9, 2013 by dgreca

Nga GANI QARRI, Zvicer/

Nga lajmet e fundit të mediave, mësojmë se partitë politike shqiptare dhe deputetët e kuvendit të Shqipërisë, tentojnë që votimin e të vetmes Rezolutë çame ta ndryshojnë, t’i japin forma tjera alternative, apo edhe ta përdorin si kusur me pak vlerë, të ulët deri në poshtërim -për pazaret e tyre politike,pasi që primatin në orekset e pangopura të tyre e mbajnë ofertat për koalicione me partitë grekofile, nga të cila kanë frikë që në vendin e tyre dhe Kuvendin shqiptar ta përmendin apo mbështesin qoftë edhe një rezolutë të vetme për Çamërinë e cila nuk është pothuajse fare politike por më tepër kufizohet në pasurit e grabitura dhunshëm të çamëve që nga pushtimi dhe aneksimi gjenocidial i trojeve të tyre nga shteti dhe qeveria greke.

Madje,për aq më keq, politikanët më të fuqishëm shqiptar, kanë filluar të mos e trajtojnë seriozisht dhe as si duhet, kërkesën e përfaqësuesve çam, për votimin e Rezolutës së përgatitur e cila edhe ashtu nuk kërkon shumë në krahasim me atë që do të kërkonte cilido popull tjetër për pjesëtarët e tij, po tu kishte ndodhur një dhunë dhe gjenocid i ngjashëm si ai që përjetuan vëllezërit tanë shqiptarë të Çamërisë,nga ushtria e Napolon Zervës dhe andartëve kriminel grek.

Ndaj, edhe sjellja e deputetëve nuk është vetëm për keqardhje, dhe për çdo kritikë por edhe e dënueshme e cila duhet kundërshtuar nga të gjithë shqiptarët kudo me të gjitha mundësit që ata kanë, ngase ndaj çështjes së pazgjidhur çame, nuk guxon të mbahet një qëndrim kaq i pa përfillshëm i padrejtë dhe aspak kombëtar, nga politika e pa- dinjitetëshme që edhe në rate të tilla, guxon të luhet në Shqipëri.

Mbajtja e qëndrimeve si këto, për dhjetëra e dhjetëra vite kanë quar deri aty sa që Çështja çame dhe spastrimi etnik i shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore në Çamëri, të vendnumëroj,që nga koha kur ajo nisi me aq dhunë e trishtim. Madje,në mënyrë kaq të pa kuptueshme,pothuajse gati pahetueshëm dhe për shumë dekada,u heshtën pothuajse të gjitha masakrat dhe gjenocid i ushtruar grek mbi shqiptarët, të zhvilluara nga koha në kohë, sa herë që grekëve i`u dha rasti dhe mundësia jo vetëm në Çamëri por edhe në Shqipërinë e Jugut, për të shkaktuar tragjedi e gjakderdhje përmasash të mëdha dhe mbjellë vdekje pa kursim kudo që ata arritën në vendet ku frymohej shqip.

Kjo pazotësi e përsëritur e udhëheqësve shqiptar dhe politika e tyre e luajtur me dyshim e shpesh herë edhe me nuanca antikombëtare, ka bërë që çështja e dhembshme çame qysh nga nisja e shfryrjes gjenocidiale-greke, ndaj shqiptarëve të pa fajshëm dhe të pa mbrojtje në Çamëri, të mbetet pezull dhe e pazgjidhur, në asnjë formë as mundësi e lëre më sipas peshës që ka dhe mënyrës se si ajo do ta meritonte.

Problemi çam ,është problem etnik i cili si për nga numri i banorëve edhe për nga tokat e grabitura pa të drejtë nga grekët, përfaqëson rreth një të tretën e kombit shqiptar në Ballkan, ndaj kjo çështje e tërhequr zvarrë për rreth 100 vite, më në fund duhet të zgjidhet edhe politikisht ashtu siç edhe ka filluar që nga nisja e gjenocidit të planifikuar grek, për organizimin e spastrimit të tërësishëm të të gjithë shqiptarëve autokton nga Çamëria.

Fajtor për atë që u ndodhi shqiptarëve atje,nuk janë çamët e pa mbrojtur, por ata që lejuan spastrimin etnik të bashkëkombësve tanë nga vatrat e tyre stërgjyshore, i cili pa të drejtë, dhe me cinizëm të pa shpjeguar është shtyrë në heshtje-deri në ditët tona, ndaj Problemi çam kërkon ndërkombëtarizim dhe jo heshtje të mëtejme as anashkalim siç po tentohet edhe kësaj radhe, por internacionalizimin e tij – për zgjidhje të drejtë, sa më parë dhe me korrektësi.

Ata mjaft kanë vuajtur dhe keqtrajtuar,edhe nga vet shqiptarët duke mos u ofruar ndihmë sa duhet dhe kushtuar vëmendjen e merituar, ndaj është koha e fundit, që të drejtat e tyre njerëzore ,pronësore dhe kombëtare si të drejta të pamohueshme të çdo njeriu dhe pjesëtari të cilitdo komb,më në fund të organizohet me mbikëqyrje dhe mbrojtje ndërkombëtare, edhekthimi i shqiptarëve të pambrojtur çamë të shpërngulur me dhunë e terror … në vatrat e veta shekullore, në pasurinë dhe shtëpitë e grabitura me forcën e plumbit, shpatës dhe hanxharëve, duke ushtruar gjenocid të paparë ushtarako-kriminel,për shumë vite ndaj tyre.

Ndaj, çështja madhore çame, nuk guxon të kufizohet dhe përmbyllet në një rezolutë “famoze” vetëm për dëmshpërblim pasurie ,por duhet trajtuar si çështje e pazgjidhur kombëtare dhe ndërshtetërore me Greqinë, duke bërë së pari regjistrimin e detajuar dhe me kujdes të secilit të vrarë e të shpërngulur nga gjenocidi i ushtruar grek mbi ta dhe pasardhësve të mbijetuar, të cilëve me vendosjen në vatrat e veta, për fillim duhet tu ofrohet një autonomi politiko- territoriale e pastaj me referendum demokratik, t`u mundësohet deklarimi i lirë në mënyrë që të vendosin ata vet sipas dëshirës së tyre se cilit vend duan ti takojnë.

Qëndrimi agresiv dhe sjelljet cënuese të Greqisë e cila edhe pas rreth 70-vitesh të luftës me Italinë,në njërën anë mbanë në fuqi gjendjen e luftës me Shqipërinë, kurse në anën tjetër kërkon eshtra ushtarësh pushtues grek në tokat shqiptare, madje edhe atje ku ato nuk ishin asnjëherë dhe nuk mund të gjenden as sot, duke e mbushur mungesën e tyre me eshtra të vjedhura banorësh vendor, për të ngritur memorialë greke në shumë vendbanime të Shqipërisë së Jugut, duhet të shkaktoj frikë dhe pasiguri tek secili shqiptar për kërcënimin e së ardhmes që në këtë mënyrë i përgatitet tërësisë së Atdheut të tyre.

Veprime kaq të pashembullta, nuk ndodhin në asnjë vend tjetër në rajon. Ndaj populli ynë kudo,duhet ta dijë se ndërhyrjet greke në territorin e lirë të shtetit amë, janë sjellje të rrezikshme që kanë të bëjnë me parapërgatitje të fakteve dhe atmosferës për luftë me shqiptarët si dhe pushtimin e Shqipërisë së jugut , në rastin më të mirë që mund ti epet Greqisë kurdo që ai të vij.

Në të njëjtën kohë edhe Serbia vazhdon të përdor metoda të përafërta me qëllim krijimi bastionesh në Kosovë,për pushtime të mundshme në të ardhmen, duke kërkuar bashkësi komunash dhe autonomi me fuqi ekzekutive për hiq më shumë se 30 mijë serbë, një numër i konsiderueshëm i të cilëve janë të ardhur nga pjesë të ndryshme të Kroacisë dhe Bosnjës në tokat tona, të cilët vetëm pak vite më parë, patën shpërngulur jo më pak se 10-12 mijë banor autokton shqiptar nga veriu i vendit, bile për të qenë fatkeqësia edhe më e madhe, e gjitha kjo pati ndodhur para syve tanë dhe disa vjet pas çlirimit të Kosovës nga pushtimi i Serbisë.

Pra, nëse nisemi vetëm nga shembujt e lartcekur, pa hyrë në detaje tjera më të thella, çështja çame nuk mund as guxon të trajtohet si problem i kufizuar dhe vetëm i pasurisë së njerëzve dhe familjeve të spastruara me dhunë e gjenocid.

çështja çame nuk mund të shndërrohet në një shpagim të thjeshtë monetar sa për sy e faqe,të atyre që mbijetuan siç e dinë vetëm ata- nga holokaustet greke, por ajo duhet trajtuar si çështje e mirëfilltë Kombëtare, ashtu siç edhe në fakt është, e cila më në fund,medoemos se duhet zgjidhur sipas parametrave ndërkombëtar për të drejtat e popujve dhe territoreve të shkëputura kombëtare nga kufijtë etnik të Shtetit Amë.

Ndaj është e pafalshme dhe tërësisht e pakuptueshme sesi deri më tani,Problemi Etnik çam, jo vetëm se ende nuk mundi të ngjitej në tavolinën e bisedimeve për zgjidhje politike, por edhe Rezoluta çame, hezitohet të votohet në Parlamentin e vendit, kur dihet botërisht se Çamëria u copëtua nga trojet shqiptare vetëm në vitin e mbrapsht-1913,pas konferencës së Londrës e cila bëri padrejtësitë më të mëdha në histori ndaj popullit tonë, duke lënë edhe çamët, si shumë troje tjera shqiptare ,nga atëherë me të drejta të mohuara njerëzore e kombëtare për më shumë se 100 vite.

Shqipëria edhe me kushtetutë, si shtet amë që është,ka për detyrë dhe obligim të pa kalueshëm kombëtar që të kujdeset për bashkëkombësit dhe tokat e tyre të mbetura jashtë kufijve aktual shtetërorë. Ndaj edhe problemi i pazgjidhur çam,nuk guxon të anashkalohet nga askush dhe të bëhet i pa qenë nga cilido politikan i shitur apo antikombëtar,të cilët për përfitime të tyre, pa të drejtë, çështjen çame duan ta hedhin tërësisht në harresë,dhe atë njëherë e përgjithmonë.

Vendet tjera për rreth apo edhe ato më larg, për ruajtjen e bashkëkombësve dhe pjesëve të tyre etnike,mbetur jashtë kufijve shtetëror edhe nëse janë në pyetje interesa bukur të mëdha, refuzojnë me këmbëngulje këmbimin e çështjes kombëtare, qofshin ato edhe ofertat për inkuadrim në BE, apo organizma tjerë ndërkombëtar, me rëndësi, siç vepron tani Serbia,në bisedime me Shqiptarët, për mbajtjen me çdo kusht të kolonistëve dhe ardhacakëve serb në veriun e Kosovës, edhe pse shumica prej tyre nuk janë banorë autokton në vendin tonë.

Ndaj, unë assesi ta kuptoj se si Greqia e cila as sot nuk pranon se ka një Komunitet çam,dhe mohon tërësisht dhe pa asnjë turp, ekzistencën e Problemit të Çamërisë, atëherë me çfarë të drejte guxon ajo të kërkoj “ri-ngjalljen” e eshtrave të ushtarëve- okupator grek, në Shqipëri, të rënë e të pa rënë në luftimet me Italinë,eshtrat e të cilëve aty ku mungojnë- mbushen në mënyrë të paligjshme,me eshtra fëmijësh e pleqësh të vdekur shqiptar në fshatrat dhe vendbanimet etnike -gjithmonë shqiptare.

Kurse Shqipëria, në anën tjetër për kaq vite të mos guxojë të votoj as një Rezolutë të vetme përÇamërinë dhe ngritë e internacionalizojë Problemin e madh çamë-për zgjidhje, për hir edhe të shqiptarëve çamë që ende sot janë gjallë, vetëm pse Greqia dëshiron ti vdes ata para kohe, pa rend dhe me çdo kusht,në mënyrë që ti bëjë të pa qenë edhe kur ata ekzistojnë,dhe mbuloi rrejshëm, grabitjet me dhunë të territoreve tona etnike si dhe të fshehë krimet dhe gjenocidin shtetëror të ushtruar dhe përsëritur për shumë vite mbi shqiptarët në Çamëri… kjo vërtetë është e pa kuptueshme.

Madje qëndrimi i deputetëve shqiptar dhe partive tona politike, është tërësisht i pa justifikueshme edhe për faktin se,jo vetëm në Çamëri por krimi grek nuk kurseu shqiptarët pothuajse në tërë Shqipërinë e Jugut – ku sot fatkeqësisht jo shqiptarëve të masakruar nga ta- në vendin e tyre por ushtarëve pushtues grek që kryen edhe masakra mbi banorët vendës, u ngritën përmendore dhe memoriale gjigante,kur dihet se gjenocidi dhe masakrat greke-ndaj shqiptarëve, në të gjitha kohët ishin të atyre përmasave sa që edhe Edit Durham, e tmerruar nga masakrat e tilla, do të shkruante:

“Grekët edhe sikur të bëjnë një shekull pendesë s’kanë si t’i lajnë krimet e trishtuara ndaj shqiptarëve…”

Ndaj çfarë politike na qenka kjo, kur edhe një Rezolutë e vetme s`guxuaka apo u “hezituaka” të votohet, në vend se të mbështeten njëzëri të gjitha kërkesat e natyrshme deri te ngritja e çështjes së pazgjidhur çame nga Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë e pse jo edhe në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që pas kaq vitesh të internacionalizohet,bëhet publik dhe vihet në tavolinën e shqyrtimit ndërkombëtar edhe zyrtarisht, spastrimi etnik i shqiptarëve për mes gjenocidit grek, në Çamëri.

Ky gjenocid antinjerëzor,nuk u hesht dhe mbulua vetëm nga helenët,por edhe nga vet shqiptarët,pasi që sipas përjetuesve të mbijetuar të atij holokausti të tmerrshëm, dihet se në cilën do kohë që ai ndodhi, nuk u kufizua vetëm ndaj shqiptarëve në Çamëri por u zgjerua edhe në shumë fshatra e qytete të Shqipërisë Jugore, por megjithatë- që nga ajo kohë, pothuajse pak kush foli dhe shkroi seriozisht për të.

Sipas historianit Hyqmet Zane, njëri nga shembujt më të dhembshëm të gjenocidit grek në Shqipërinë e Jugut, ndodhi në Panaritin e Korçës në të cilin qysh më 1914, u ndez dhe shkrumbua çdo gjë përfshi edhe njerëzit e gjallë e të pafajshëm, vetëm pse ishin shqiptar, ani pse ata jetonin në trojet e tyre stërgjyshore, dhe të parët e tyre ekzistonin aty shumë kohë përpara “bërjes gjallë” të grekëve në Ballkan.

Ndaj, njëjtë si në Çamëri ashtu edhe në çdo kënd të Shqipërisë së Jugut,u ushtrua gjenocid dhe spastrime etnike me djegie e shfarosje shqiptarësh autokton-kudo, përmes ekspeditave të njohura fashiste greke të tokës së djegur, të cilët kishin si synim krijimin artificial të të ashtuquajturit ” Vorio-Epir” me grekë të ardhur dhe kolonizator të sjellur nga thellësia e Greqisë.

Shih, për këtë qëllim, qeveria e Venizelosit në emër të spastrimit të shqiptarëve nga pjella e dyshimtë e ashtuquajtur Vorio-Epir në atë kohë do të mobilizonte edhe kriminelët e burgosur në burgun e Kretës,të cilët përveç gjenocidit në Çamëri,flakët e gjenocidit do ti shtrinin gjithandej në krahinat e Kolonjës, Përmetit, Korçës dhe vendbanimeve tjera etnike shqiptare,nga ushtarët dhe andartët grekë.

Madje,sipas autorit Hyqmet Zane-në shkrimin me titull: “Gjenocidi grek, jo vetëm në Çamëri” që nga data 2 deri më 10 korrik të vitit 1914, këta ushtarë dhe kriminel të tërbuar grek, therën me thika, sëpata e hanxharë mese 375 burra, gra, pleq dhe fëmijë, dogjën mbi 150 shtëpi si dhe shkatërruan çdo gjë shqiptare që u dilte përpara, kudo që shkeli këmba e tyre vrastare. duke prerë pjesë pjesë gjymtyrët e trupit të shqiptarëve, hequr kokat djemve të mitur, përdhunuar vajza dhe gra të reja, dhe çarë barkun shtatzënave, për masakrimin edhe të fëmijëve ende të palindur, vetëm pse ata ishin shqiptar.

Siç e thotë edhe z. Zane,në shkrimin e lartcekur autorial, mizoria e gjenocidit të zhvilluar mbi shqiptarët në Panarit, ishte aq e madhe sa që kishte tërhequr edhe vëmendjen e Fuqive të Mëdha, me ç`rast Lordi Lamington më 28 korrik të vitit 1914 do ti bënte thirrje Qeverisë Angleze që të ngrinte zërin kundër masakrave greke të cilat kryheshin në përmasa marramendëse ndaj shqiptarëve,jo vetëm aty por gjithandej në Shqipërinë e Jugut.

Në atë kohë,edhe gazeta prestigjioze “Times” do ti dënonte hapur aktet e trishta kriminale të gjenocidit grek mbi shqiptarët e cila në kryeartikullin e saj,me shkronja të mëdha, do të shkruante:

“Vendasit e fshatrave të Shqipërisë së Jugut po shuhen nga grekët”.(H.Zane)

Por në kohën kur kombi ynë,kishte politikan të sinqertë, dhe atdhetar të vërtetë e të devotshëm,ndërhyrjet e tyre të vendosura,do të bënin që trojet shqiptare të shpëtonin nga shkëputja e copëtimi dhe aneksimet e huaja, siç ishte rasti atëbotë me Çamërinë e Abedin Pashë Dinos, njërit nga Patriotët më të shquar shqiptarë i cili që në vitin 1879,me guximin e një burrështetasi të sprovuar,përpjekjet e pareshtura të një atdhetari të vërtetë dhe dinjitetin burrëror të një Intelektuali të mirëfilltë, detyroi edhe Kongresin e Berlinit,me argumente dhe mençuri që të anulonte vendimin e sjellur më parë nga Fuqitë e Mëdha të kohës për ndarjen e Çamërisë nga trojet etnike shqiptare.

Ai do ti kundërshtonte fort, i pathyeshëm dhe me sukses,vendimet e pa drejta të Kongresit të Berlinit, për dhënien e Çamërisë-shqiptare, shtetit grek, duke ua kujtuar pjesëmarrësve të atij Kongresi, se në një kohë jo fort të largët, mbi gjysma e Greqisë banohej me shqiptar përfshi edhe vet Athinën dhe vendbanimet përreth saj,në të cilat gjuha shqipe flitej kudo,bile edhe pas formimit të shtetit helen, ajo do të bëhej gjuha e parlamentit të parë grek.

Ndaj, edhe Çamëria si të gjitha trojet tona etnike,deri në vitin e mbrapsht 1913,ishte dhe mbeti Tokë Shqiptare, me ç`rast Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër, do të bënte padrejtësinë më të madhe në historinë ekzistencës së popullit tonë deri atëherë,me vendimin e sjellë për copëtimin e tokave shqiptare,duke i prerë mbi gjysmën e tyre, përfshi edhe Çamërinë-si me gërshërë nga Shteti-Amë.

Pra,vetëm në këtë vit,me forcën e armëve mundën ta pushtonin atdheun e çamëve, grekët të cilët duke parë dhe shfrytëzuar edhe mosorganizimin e duhur të popullit tonë, si dhe pafuqinë e tij,këta pushtues të pështirë, pollën në mënyrë artificiale edhe të ashtuquajturin “vorio epir” lufta për të cilin nga grekët, vazhdon edhe sot me cinizëm të pashembullt tanimë edhe në vet Shqipërinë.

Kjo shihet dhe vërtetohet çdo ditë në përpjekjet e tyre për ndryshimin sa më efektiv dhe të gjithanshëm të strukturës së popullsisë në treva jugore shqiptare edhe brenda shtetit amë.

Shteti grek,nuk ndaloi përpjekjet cinike ndaj Shqipërisë asnjëherë, të cilat i vazhdon me ngulmë dhe në mënyra nga më të ndryshmet edhe tani, duke filluar që nga vendosja me prapavijë e Janullatosit në krye të Ortodoksisë -shqiptare,për greqizimin e çdo gjëje të mundshme në Shqipërinë e jugut,sikur të mos ishin vrarë e helmuar gjithë ata patriot ortodoks-shqiptar,si Naum Veqilharxhi,Papa Kristo Negovani,Themistokli Gërmenji e shumë të tjerë për ruajtjen dhe shkruarjen e gjuhës shqipe si dhe përdorimin e saj në shkollat dhe kishat shqiptare, edhe pse ishte punuar aq shumë nga shqiptarët ortodoks për arritjen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, me shumë flijime, mund dhe përpjekje.

Priftërinjtë e Greqisë dhe përfaqësuesit konsullor, organizojnë ngritjen e monumenteve ushtarëve të rënë dhe atyre të pa rënë grek në territorin e Shqipërisë me eshtra të vjedhura të fëmijëve, pleqve dhe banorëve autokton shqiptar, hapjen e shkollave greke edhe atje ku nuk ka pasur kurrë grek,vizatimi i krahinave dhe vendbanimeve shqiptare si territore greke, vendosja e sa më shumë priftërinjve ekstrem-grek, në kishat ortodokse shqiptare etj….

Bile ata nuk i pengon fare as fakti që dihet mirë nga secili se edhe pjesëtarë e pakicës greke që sot jetojnë në Shqipëri, janë pasardhës të argatëve ardhacak grek të vendosur në tokat tona etnike dhe pasuritë e patundshme të Bejlerëve vendas shqiptar të Shqipërisë.

Në anën tjetër,po ky shtet grek as sot e kësaj dite, jo vetëm se nuk denjon ta pranojë gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë, por nuk u njeh atyre as kombësinë dhe as të drejtat e pronësisë stërgjyshore të trashëguara ndër shekuj, e mos të flasim për të drejtën e shkollimit në gjuhën e tyre amtare dhe administratën ne gjuhën shqipe, aty ku ata jetonin e disa edhe sot jetojnë, pa guxuar ta deklarojnë përkatësin kombëtare shqiptare.

Mjerisht,këto veprime antishqiptare,me apo pa dashje, në një formë apo tjetër, po gjejnë edhe mbështetjen e atyre deputetëve shqiptar,të cilët sot nuk janë në gjendje të votojnë as një Rezolutë të vetme për vëllezërit e tyre çamë të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre, duke u hyrë kështu në hak dhjetëra mijëra,shqiptarëve të pafajshëm që pësuan nga gjenocidi grek mbi ta.

Rezoluta Çame paraqitur parlamentit kombëtar për miratim, përmban vetëm pjesën më të vogël të të drejtave të tyre legjitime, të cilat duhet të përkrahen fuqishëm dhe miratohen pa asnjë hezitim nga të gjithë deputetët pa dallime partiake në parlamentin e Shqipërisë,nga të gjithë ata deputet që sadopak e ndjejnë veten shqiptar.

E nëse ndodhë që edhe kësaj radhe, deputetët tanë të mos veprojnë ashtu siç pret kombi prej tyre, atëherë patjetër- shqiptarët kudo,duhet organizuar një peticion mbarëkombëtarë,në të gjitha anët ku i thonë Bukës-Bukë e Ujit-Ujë- dhe kudo që flitet e jetohet – shqip, në mënyrë që të mos befasohemi pa këndshëm edhe kësaj radhe nga përfaqësuesit e tillë të popullit tonë.

Mjerisht, siç e ka treguar praktika e deritanishme, politik-bërësve shqiptar nuk mund tu besohet aq lehtë, sidomos kur janë në pyetje vendime të mëdha siç është çështja kombëtare përfshi edhe çështjen çame, e cila nuk mund dhe as nuk do duhej të guxonte që të kufizohej vetëm si çështje pronash…..përderisa dihet se çamët-shqiptarë,nuk ishin ardhacak në Çamëri, siç janë grekët në Shqipëri apo kolonët serbo-malazez në Kosovë, por banor autokton shekullor në trojet e tyre etnike.

Ndaj,Rezoluta çame, medoemos duhet votuar edhe për faktin se- gjenocidi i ushtruar grek mbi pjesëtarët e popullit shqiptarë në trojet tona kombëtare-kudo qofshin ato, me gjithë përpjekjet helene apo nga kushdo tjetër, nuk mund të shlyhen kurrë nga kujtesa e një kombi ndër më të vjetërit në këto anë, siç është kombi ynë.

Por nëse megjithatë, ajo as kësaj radhe edhe ashtu siç është ofruar, nuk votohet nga Parlamenti Shqiptar, atëherë është i pakalueshëm organizimi i një peticioni gjithëkombëtar, për zgjidhjen e Problemit të Çamërisë!

 

 

Filed Under: Editorial Tagged With: ceshtja came, Gani Qarri, kerkon zgjidhje, rezoluta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5500
  • 5501
  • 5502
  • 5503
  • 5504
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT