• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ENERGJIA KRIJUESE E SHPIRTIT SHQIPTAR

March 25, 2013 by dgreca

/Dedë Preqi, Lot atdheu, Meditime mërgimtare, Kushtrime nga mërgimi,

Amanda Edit, Bukuresht, 2013/

Nga Baki Ymeri/Bukuresht/

 Intelektuali i vërtetë jeton në dy botë, atë të ideve dhe atë të realitetit konkret. Misioni i shkrimtarit është rimarrja e flamujve të humbur nga njerëzit e politikës, si dhe përfitimi i betejave të humbura nga të tjerët. Ky është misioni i tij i shenjtë, një detyrim që e obligon dhe nderon në trojet e bekuara të historisë. Jeta është e mbushur me befasi, por ne duhet të jemi të pregaditur që asnjë e papritur mos të na befasojë. Fillimi i mençurisë është frika ndaj Zotit dhe frika ndaj fjalës. Kështu thekson Bibla, ndërsa familja, atdheu dhe kombi qëndrojnë mbi të gjitha, së bashku me nderin dhe dinjitetin. Fjalët e poetit janë diamante shkëlqimtare që mund të ndriçojnë shpirtërat dhe jetën e njerëzve me mendime të kristalta. Para nesh kemi njërin nga mërgimtarët tanë që digjet për atdheun dhe fatin e tij. Ky është fati i atyre që e braktisin vendlindjen. Kur u reken shtigjeve të mërgimit, ata marrin me vete edhe atë ishull magjik që quhet Kosovë apo Shqipëri. Autori vjen para nesh me tri antologji publicistike që s’kanë të bëjë me poezinë, por me një turmë subjektesh morale, meditative, fetare, historike dhe politike. Politika është arti kompromisit, ndërsa Dedë Preqi e përshkruan politikën shqiptare nga këndvështrime të ndryshme, duke i hymnizuar vlerat e demokracisë parlamentare europiane mënjanë, dhe duke i fshikulluar ata që e frenojnë historinë dhe demokracinë tonë, në anën tjetër.

Dedë Preqi është një zë i veçantë në poezinë e sotme të diasporës shqiptare. Krijimtaria e tij letrare dhe publicistike, poezitë, analizat, komentet, opinionet, esetë dhe reportazahet, janë një dëshmi e gjallë e punës së tij, thekson Ramiz Dërmaku në kuadrin e një komenti. Optimizmi dhe dashuria ndaj njeriut janë parimet elementare të këtij krijuesi të palodhur. Mënjanë kemi grandomaninë e atyre që nuk i besojnë Zotit, ndërsa në anën tjetër vlerat morale dhe krijuesit e projekteve magjike që dinë të mbëltojnë energji pozitive në shpirtin tonë: “Me filozofinë e saj të bamirësisë, Nënë Tereza dha një shembull të lartë të humanizmit, duke fituar një respekt të plotë ndaj secilit, me një shembull të përsosur të harmonisë mes indianëve, myslimanëve dhe të krishterëve. Ilaçin më shërues dhe më të përshtatshëm, Nënë Tereza e kishte dashurinë, ngrohtësinë dhe shpresën. Ajo gjithnjë i lutej Zotit, për këta njerëz të lënë pas dore.” Apo bombardimet e NATO-s (1999), kur “Ishte dita më e shenjtë, kur shkëlqeu qielli dhe nëpër atë shkëlqim u duk liria e Kosovës.“ Zemra troket derisa shuhet, sepse ajo është si kandili, dhe nëse ti i beson Zotit, ai ta ndez kandilin përsëri në Qiell.

Sipas Biblës së Shenjtë, frika ndaj Zotit është një koncept pozitiv, një ndjenjë e thellë konsiderate ndaj krijuesit të botës. Bota pa libra është si një shtëpi pa nuse, apo si livadhi pa lule. Ja, pra, edhe një spektër të ri vlerash interesante, që vjen në bibliotekat e sentimenteve tona nga gjiri i diasporës shqiptare. Deda është jo vetëm një poet i mirë, por edhe një publicist artikujsh të panumërt me subjekte esenciale. Nëna Tereze, 100 vjetori i Pavarësisë, Kosova, Ukshin Hoti, Ibrahim Rugova, respekti ndaj Amerikës dhe Bill Clintonit (Engjëlli shpëtimtar i Kosovës), bombardimet e NATO-s kundër kuçedrës militariste serbe, Pavarësia e Kosovës, korupcioni, fanatizmi fetar, roli destruktiv i kishës ortodokse serbe, diaspora dhe bashkimi kombëtar, Gjergj Kastrioti dhe nëntorët e lavdisë sonë, liberalizimi i vizave, integrimet europiane, meditime mbi jetën, janë disa nga subjektet preliminare që defilojnë në faqet e këtyre tre librave. Veprat respektive kanë karakter publistik. Subjektet janë të rradhitura në bazë të parimit kronologjik e me kritere dhe interpretime e sqarime të përshtatshme që reflektohen në kuadrin e titujve dhe përmbajtjes.

Nga veprat e Dedë Preqit kemi shansin të mësojmë se ç’është patriotizmi. Subjektet janë të rëndomta, disa të njohura nga lexuesit tanë, por duke i shfletuar ato me kujdes, konstatojmë se patriot është ai që e do atdheun, që përkujdeset për të, që din të respektojë rendin publik, që nuk i hedh mbeturinat në rrugë, që din të ndihmojë të varfërit, që din të respektojë ligjet dhe gjuhën amtare, që din ta mbrojë atdheun, familjen dhe kombin. Për fat të keq, ideja e patriotizmit është konfiskuar ekskluzivisht nga diskursi i liderëve të demagogjisë sonë politike, apo nga disa butakë të gazetarisë që s’i njohin normat elementare të shqipes letrare. Jo për të gjithë e kemi fjalën, por vetëm për ata që shkelin interesat nacionale për interesa personale, familiare, nepotiste dhe karieriste. Shqiptarët kanë nevojë për vepra konkrete e jo për maskaradë politike sa për të përfituar votat e elektoratit. Atdhetarizmi nuk ndërlidhet me gazetari neurotike e patologjike, me vetëlavdërime apo me beneficione e majmëri personale, por me shembujt e rilindësve tanë, me sakrificën e martirëve të kombit, me ndjenja qytetare, dinjitet, integritet dhe moralitet.

Autori shkruan me durim e koshiencë, dhe nuk e hedh fjalën pa e matur mirë. Gjatë analizës së artikujve, konstatojmë se ai nxjerr në pah ide fisnike dhe origjinale, duke i kundruar dukuritë, fenomenet, evenimentet, me syrin kritik, duke thyer kornizat e përshkrimit të rëndomtë. Autori i këtyre veprave shquhet për një gamë subjektesh historike dhe aktuale që i trajton duke i dhënë prioritet ndërgjegjes kombëtare, Kosovës shqiptare dhe tendencave të huaja për shkombëtarizimin e kombit tonë, dhe jo vetëm kaq. “Ka kaluar koha e luftave, Kosova ka nevojë të bashkohet në paqë”, thekson autori duke na vënë në kontakt me trashëgiminë tonë historike, kulturore dhe konfesionale. Librat e Dedë Preqit paraqesin një impuls të ri për freskimin e memorjes sonë, për përhapjen e diturisë dhe forcimin e vetëdijes kombëtare shqiptare.

******

Dedë Preqi u lind më 1955, në fshatin Doblibare (BallëDrini) komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Klinë. Mbaroi studimet në SHLP, Gjuhë dhe Letërsi shqipe, në Gjakovë. Vjershat e para i botoi në revistën “Shëndeti”, në vitin 1975, dhe pastaj në “Zëri i Rinisë”,„Pionieri”, „Rilindja për fëmijë”, „Gazeta e Pionierëve”,„Drita“ (Shkup), “Republika” (me pseudonim), si dhe në gazetën “Bota sot”. Prej vitit 1981 jeton dhe krijon në Zvicër. Shkruan prozë dhe poezi. Në ndërkohë, në letërsinë shqipe, në krijimtarinë letrare dhe në kujtesën e lexuesit ka hyrë duke prurë dymbëdhjetë libra me krijimtari për fëmijë e për të rritur, përkushtime për Nënë Terezën, krijime për vendlindjen e tij dhe për çdo pëllëmbë të Kosovës sonë. Bibliografi letrare: “Jeta frymon përsëri” (botim i autorit, Gjakovë 2004), “Kur zgjohet dielli” (poezi për të vegjël, Gjakovë 2004), “Jam unë” (poezi, Gjakovë 2007), “Jeta është agimi” (poezi, Gjakovë 2007), “Ti ishe një porosi, poezi”(përkushtim për Nënën Tereze, Botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë, 2008), “Fshatit tim Ballëdrin” (Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë 2011), „Gjyshi dhe Adinisi“ (poezi për fëmijë, Klubi letrar „Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2011), „Etje e ngjyrave“ (poezi, Klubi letrar „Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2011), „Binecuvantarea lacrimilor/Bekimi i lotëve” (Amanda Edit, Bukuresht, 2012). “Lot Atdheu”,“Meditime mërgimtare” dhe “Kushtrime nga mërgimi” janë tre antologji vlerash publicistike që e panë dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë (2013).

Filed Under: Kulture Tagged With: Baki Ymeri, Dede Preqi, Lot Atdheu, meditime mergimtare

ZGJEDHJET NE MAQEDONI: SHQIPTARET FITOJNE KERCOVEN, DIBREN, CAIRIN, NE BALOTAZH STRUGA, TETOVA

March 25, 2013 by dgreca

Fitoren në Kërçovë, ku zhvillohej betejë mes koalicioneve në baza etnike e shpalli vetë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai tha se për herë të parë me këtë qytet do të udhëheqë një kandidat shqiptar. BDI-ja  ka fituar gjithashtu në Çair, Dibër, Zhelinë, Bogovinë, Saraj, Likovë dhe Pllasnicë. Ndresa PDH e Thacit ka shpallur fitoren në dy komunat në atë të Tearcës dhe në komunën e Strugës,e cila kalon te balotazh./

Nga Zërijeta Hajro Jajaga/

Sipas rezultateve të para të KSHZ-së, partia  e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO- DPMNE, prin me numrin më të madh të komunave të fituara. Po sipas KSHZ- së, pjesëmarrja  e votuesve gjatë ditës së djeshme ka qenë 61 për qind.
Kryeministri Nikolla Gruevski, njëherësh dhe lider i VMRO DPMNE,  pak pas mesnateka shpallur fitoren bindëse të kandidatëve të partisë së tij, duke bërë të ditur se VMRO DPMNE, ka fituar në 25 komuna që në raundin e parë, derisa në 35 të tjera prin para opozitës maqedonas.
“VMRO DPMNE dhe ‘Koalicioni për Maqedoni më të mirë’ ka shënuar fitore bindëse. Do të thosha se fitorja është më e madhe edhe se pritjet tona”, është shprehur Gruevski
Ndërkohë, lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, duke komentuar zgjedhjet e djeshme, ka numëruar parregullsitë e shumta, të cilat sipas tij, nëse nuk përmirësohen nga institucionet, LSDM-ja nuk do të marrë pjesë në rrethin e dytë zgjedhor.
Cërvenkovski u ka bërë thirrje simpatizantëve të partisë së tij se beteja për fitore finale ndaj Gruevskit vazhdon, duke këmbëngulur për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Dua të porosis se të gjitha parregullsitë, të cilat ishin regjistruar, nëse nuk zgjidhen nga institucionet, për ne të gjitha opsionet janë të hapura, përfshirë këtu edhe mospjesëmarrjen opozitës në raundin e dytë zgjedhor”, është shprehur Cërvenkovski.
Ndërkaq, fitoren në Kërçovë, ku zhvillohej betejë mes koalicioneve në baza etnike e shpalli vetë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai tha se për herë të parë me këtë qytet do të udhëheqë një kandidat shqiptar.
“Kjo fitore u takon të gjithë qytetarëve të Kërçovës, sepse kryetarët që janë zgjedhur dhe që do të zgjidhen, kanë obligim të kujdesen dhe punojnë për të gjithë ata njerëz, për të gjithë komunitetin që punon aty. Të jemi sa më të përmbajtur në shprehjen e ndjenjave tona. Ne nga viti 2002 deri më sot vazhdimisht kemi siguruar fitore”, ka deklaruar Ahmeti.
Ahmeti, pasi falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për fitoren e BDI-së, ka thënë se në këto zgjedhje lokale, BDI-ja  ka fituar gjithashtu në Çair, Dibër, Zhelinë, Bogovinë, Saraj, Likovë dhe Pllasnicë.
“BDI fitore të shkëlqyeshme ka shënuar në Tetovë, gati 4 mijë vota epërsi. Epërsi të lehtë kemi edhe në Gostivar, Haraçinë, Studeniçan, Bërvenicë, Vrapçishtë dhe Dollnen”, ka thënë Ahmeti.
Gjithashtu, kreu i BDI-së shtoi se BDI në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve e ka humbur Strugën, me ç’rast është zotuar se partia e tij në raundin e dytë do t’i dalë në ndihmë kandidatit të PDSH-së për Strugën, Zijadin Selës.
“Kandidatit të mundshëm për kryetar të Strugës, ne do t’i urojmë sukses dhe shfaqim gatishmërinë dhe thërrasim elektoratin tonë të dalë në mënyrë masive në përkrahje për Komunën e Strugës”, është shprehur Ahmeti.
Fitoren e BDI në Gostivar e ka kontestuar RDK. Nënkryetari i RDK-së, Artan Dika, ka thënë se partia e tij është në epërsi në Gostivar. Sipas tij, RDK-ja nga 14 mijë vota të numëruara në këtë qytet, ka siguruar mbështetjen e 52 për qind të qytetarëve, ndërsa BDI-ja, sipas tij ka siguruar mbështetjen e 40 për qind të votuesve. Nga RDK-ja gjithashtu kanë thënë se listat e tyre për këshilltarë, kanë siguruar mbështetje të konsiderueshme edhe në Strugë dhe Studeniçan.
Kurse, kandidatja fituese në raundin e parë nga radhët e BDI-së në Tetovë,Teuta Arifi, ka falënderuar të gjithë ata që kanë treguar vullnet gjatë tërë kohës sa ishin në fushatë.
“Sipas rezultateve të mbi 80 për qind të votave të numëruara, kandidati dhe lista e BDI-së ka udhëhequr në pjesën më të madhe në të gjitha vendvotimet. Dëshiroj të tregoj se diferenca që kemi ndaj oponentit tim është e madhe, pra me mbi 3600 vota”, është shprehur Arifi.
Derisa, edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, mbrëmë ka  pranuar humbjen ne komunën e Tetovës me dallim prej 2 apo 3 mijë votave, ndërsa ka shpallur fitoren e PDSH-së në dy komunat në atë të Tearcës dhe në komunën e Strugës.
Sipas Thaçit, partia e tij ka dalë fituese në këto zgjedhje duke rritur trupin votues për 21 mijë vota plus,  krahasuar me zgjedhjet e 2011-s.
“Kjo është një fitore për partinë tonë. PDSH-ja do të shkojë në raund të dytë edhe në komunën e Vraçishtit, Studeniçanit, Likovës, dhe do të mundohemi të fitojmë këta komuna”, ka deklaruar Thaçi.
Ndërkaq, kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, ka thënë se dita e djeshme ka kaluar pa dhunë dhe incidente fizike, megjithëse sipas njohurive dhe informacioneve të shumta që kanë arritur në KSHZ, janë regjistruar parregullsi të shumta si në vendvotimet dhe jashtë vendeve të caktuara për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Duke pasur parasysh natyrën dhe përmbajtjen e vërejtjeve, të cilat janë regjistruar në më shumë këshilla komunalë, shpresoj që KSHZ-ja të njëtat me seriozitet do t`i shqyrtojë dhe do t’i verifikojë në tërësi”, ka deklaruar Kondarko.
Për një varg parregullsish ka njoftuar dhe Asociacioni qytetarë “MOST”, si dhe organizata qytetare “CIVIL”, si ndërprerje të votimit, votim në grupe dhe lexim në zë të emrave të votuesve si dhe prani e personave të paautorizuar, të cilët  u kanë ndihmuar votuesve.

Filed Under: Kronike Tagged With: Cairin, Dibren, Kercoven, shqiptaret fitojne, Struga ne balotazh, Tetoven, Zgjedhjet ne Maqedoni

Në Teqen Bektashiane të Baba Rexhepit u festua Sulltan Nevruzi

March 25, 2013 by dgreca

Pjetër Jaku/

Me datën 24 mars 2013, ditën e dielë nga ora 4:00 Pm deri afer ores 8:00 Pm besimtarë bektashianë jo vetëm nga Detroiti, festuan  Ditën e Sulltan Nevruzit.

Këtë festë që bie njëkohshëm me Ditën e Pranverës, ose Ditën e Luleve, në Teqen Bektashiane të Baba Rexhepit në Detroit, e vetmja Teqe në Amerikë, u  mblodhën më shumë se  pesëqind besimtarë besktashianë dhe miqtë e tyre nga besimet e tjera. Baba Rexhepi, një ndër ish klerikët më të njohur në Amerikë, i cili shërbeu për më shumë se 50 vjet në këtë Teqe, është kleriku i parë dhe i vetëm që gëzoi respektin e të gjitha besimeve,  jo vetëm në Komunitetin Shqipitar të Michiganit por, edhe te gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Amerikë. Vendvarrimi i Tij, tashmë është bërë vend i njohur peligrinazhi, jo vetëm në ditë festash, por, pothuajse në të gjitha ditët e vitit. Në këtë festë u fol më së shumti për bashkëjetesën ndërfetare, ku shembujt konkret nuk mungonin dhe nuk munguan as në këtë ditë. Pjesëmarrja e Kryetarit të Shoqatës “ Kastrati”, Nikollë Vneshta, Kryetarit të LDK-së Dega Michigan Nikollë Pepës, aktivistëve vatranë Pal Rakaj, Lush Popaj e Marjana Popaj, Kryesisë së degës së Vatrës për Michiganin etj e tregoi këtë.

Kryetari i Këshillit të Teqes, aktivisti dhe biznesmeni i njohur, Konsulli i Nderit, Ekrem Bardha e hapi dhe e drejtoi festën. Fillimisht ia dha fjalën Baba Arshiut ( 107 vjeçar ) që për dekada të tëra punoi në këtë Teqe me Baba Rexhepin. Baba Arshiu foli shkurtimisht për historikun e  kësaj feste, ku më pas u plotësua edhe nga Dervishi, tashmë i njohur Elidon Pashaj.

Famullitari i Kishës “Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, Dom Ndue Gjergji përshendeti në emër të dy famullive Katolike të Michiganit, Kishës së Shën Palit dhe Kishës së tij, pasi Don Franit iu desh të udhëtonte për Kanada. Në përshëndetjen e tij ra në sy bashkëpunimi ndërfetar dhe, sidomos në kohën e  Baba Rexhepit, Don Prenk  Ndrevashës dhe Imam Vehbi Ismailit, çka nënvizoi folësi duhet vazhduar edhe më tej në ditët e sotme dhe në  kohët që do vijnë.

Më pas, Kryetari i Degës së Vatrës  për Michiganin, “ Pishtari i Demokracisë” dhe  Editori i Revistës “ Kuvendi”, Alfons Grishaj përshëndeti të pranishmit me shprehjet paqësore dhe rrugët që duhet të ndjekin klerikët e sotëm për një bashkëpunim në të mirë të komunitetit dhe të besimtarëve në përgjithësi.

Aktivisti i njohur Kujtim Qafa, me nota shumë prekëse solli kujtime të bashkëpunimit me Baba Rexhepin dhe mirësinë që sillte fryma e tij në komunitetin shqiptar të Amerikës. Ai, – tha Kujtimi,- është edhe sot këtu, midis nesh e po feston me ne, sepse fryma e Tij ka qënë dhe është e përjetshme.

Dervish Elidon Pashaj lexoi më pas letrën përshëndetëse që kishte dërguar Ambasadori Shqiptar në Amerikë, Gilbert Galanxhi, ku dhe ai e theksonte më të madhe frymën e  bashkëpunimit ndërfetar, çka është dallimi favorizues dhe dukshëm frytëdhënës në vendin prej nga vijmë.

Profesori i Universitetit “ Marmara” të Stambollit, Dr. Prof. Mehmet Ali Balkanologiu, veç përshëndetjes , foli edhe për historikun e kësaj Feste, duke filluar me Mekën dhe Baba Aliun, për të ardhur të misticizmi i njohur që e dallon këtë fe dhe që e bënë shumë më të pranueshme  se shumë fe e sekte  të tjera.

Baba Arshiu bekoi darken, ndërsa Ekrem Bardha edhe njëherë bëri thirrje për bashkëpunim dhe  mirëkuptim ndërmjet njëri tjetrit, për harmoni e paqe, që sa më shumë të afrohemi e të kuptohemi larg ekstremiteteve dhe nxitjeve të panevojshme. Nëse nuk duam Zotin, – tha folësi,- s’kemi si ta duam as njëri tjetrin.

Filed Under: Kronike Tagged With: festoi, Pjeter Jaku, Sulltan Novruzin, Teqeja Bektashiane

ZHITI – VISAR I LETËRSISË BASHKËKOHORE SHQIPTARE

March 25, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/

“Jo të dish të bësh poezi pa jetën, por të sjellësh jetën me poezinë…”/

Visar Zhiti/

Kohët e fundit Shtëpia botuese italiane Diana – edizioni vuri në qarkullim një libër me poezi të shkrimtarit Visar Zhiti, të titulluar “Confessione senza altari” (Rrëfim pa asnjë altar). Vëllimi është përgatitur për botim nga studjuesi i njohur i gjuhës shqipe, ish  nxënës i të madhit Ernest Koliqi, Elio Miracco. Në libër poezitë jepen në origjinal dhe në përkthimin italisht të studjuesit të mësipërm. Vëllimi hapet me një parathënie të kritikut letrar të gazetës “Corriere della Sera”, Sebastiano Grasso, të titulluar “Soltanto poeta” (Vetëm poet). Pasohet nga një paraqitje e gjatë e shkrimtarit, veprës së tij dhe tematikës së poezive të vëllimit, e shkruar nga Dr.Miracco dhe e titulluar “La pena di vivere” (“Mundi i të jetuarit”). Vëllimi paraqet në fund të tij, si pasthënie, një shkrim të një tjetër kritiku italian, Giovanni Ruggiero me titullin “Zhiti e la letterattura bicefala” (“Zhiti dhe letërsia dykokëshe”). Ky vëllim është një sukses i mëtejshëm i poetit të mirënjohur shqiptar në Itali e në Evropë.

“Rrëfim pa asnjë altar” është një bisedë e gjatë e poetit me veten, në të cilën spikat prirja e njeriut për të vënë në pikpyetje gjithshka, të shkuarën dhe t’ardhmen, moralin dhe zgjedhjet e ndryshme në udhëkryqet e jetës, çastet sublime dhe ata të tmerrit, luftën e përherëshme mes dëshirave e mundësive, brishtësisë njerëzore e ëndrrave të parealizuara, gabimeve, fajeve, mëkateve, që janë elementë bashkudhëtarë të jetës njerëzore. Kjo bisedë vetmitare të cilën poeti e quan një “rrëfim në asnjë altar”, bashkon idealisht të gjithë njerëzit, zhduk dallimet në kombësitë, kulturat, besimet fetare e merr formën e një mbifeje që ka si shtylla mbajtëse dy koncepte të njohura – Liri e Drejtësi – që, për poetin, janë të vetmet që i shpëtojnë një bote mëkatesh e dyshimesh që nuk kursejnë as vetë diellin. Dhe ky kryen gabimin e përditshëm të perëndimit të tij, duke shkëmbyer jetën me vdekjen, natën me ditën, dritën me errësirën.

Poeti nis një rrugë të gjatë, një udhëtim që nuk njeh kufij kohorë e gjeografikë, por e gjen burimin e frymëzimit dhe arsyen e qënies në tokën e tij, në dukuritë e veçanta të saj, në një përvojë që bashkon fatin e saj me atë të birit vjershëtar. Poezitë e këtij libri janë ndalesa në pika të ndryshme të shtegtimit të fantazisë, që përshkon humnerat e pashembullta të një jete që ka zënë fill në një kohë të vështirë, në një Vend të trazuar nga ide vrastare që kanë kthyer njerëzit në hiena t’etura për gjak. Ky është  Atdheu, katër vargje të një fuqie madhore nga nis rrugëtimi : “Atdheu : jeton me të vdekurit dhe vdes mes të gjallëve,  ndonjëherë”.

Jeta dhe vdekja në vëndlindjen e poetit kanë humbur kuptimin e termave, janë kërleshur kaq shumë me njëra tjetrën, janë shkrirë në një qënie mitologjike, të llahtarëshme, që njëjtësohet me të dytën. Por nga ky atdhe kufomash ngrihet një zë që shkon kundër rrymës, që predikon dashurinë si shpëtimtare, dashurinë në kuptimin e gjërë të fjalës, atë që i kundërvihet botës së urrejtjes. Është zëri i brëndshëm i poetit që ushton edhe në kthetrat e qënies së llahtarëshme, që ndriçon edhe në errësirën më të kobshme, sepse për të “është e tmerrshme të gjesh kohë për urrejtjen”. Ai zë është linfa e jetës që rrjedh në damarët e tij, që i jep fuqinë për të dalë nga gërmadhat e për të shkuar përpara.

Visar Zhiti i përket atij brezi shqiptarësh që lindi dhe u rrit në diktaturën e cila mohoi çdo të drejtë njerëzore për shtetasit e saj. Atij vetë i u dhunua liria, u bë një nga viktimat e asaj vdekjeje të atdheut që, në shëmbjen e tij, rroposi gjithshka, të shkuarën dhe t’ardhmen, traditën dhe pritmërinë. Në këtë shkatërrim të përgjithshëm, në atë errësirë mbytëse, n’atë shkretëtirë asgjësuese vlerash e jetësh njerëzore, triumfon vetëm ëndrra e poetit, e ruajtur në thellësi të genit të qenies.

Udhëtimi i poetit mbi Pegasin e fantazisë e frymëzimit të saj kapërcen kohët e hapësirat. Ai kalon nga lashtësia e Egjyptit me sfinksat e tij të pazbërthyeshëm, simbole të mistereve të përjetëshme të krijesës njerëzore, tek arenat e gladiatorëve të Romës, me gjakun që thithet nga trupat e prerë të tyre prej “pleqve të shquar” e ndalet në legjendën e tiranit që luan shah mbi trupin e skllaves, diku në mbretëritë e Lindjes. Ai fluturim bashkon në një hark kohor të shkurtër, sa ç’është frymëzimi, përvojat shekullore të perandorive, qëndrat e pushteteve të mëdha, që poetit nuk i ngacmojnë zilinë për madhështinë e tyre, por krrupën për imoralitetin e tyre. Dhe historia vazhdon deri në ditët tona, të mbushura me terma të bukura që shoqëria bashkëkohore vazhdon të prodhojë me të tepër për të mbuluar, në një farë mënyre, mizorinë e lashtë të veshur me rroba të reja.

Në rrugëtimin e tij poetik që kalon nëpër qytetet e ndryshme t’Evropës, së zbuluar  mbas një jete të kaluar në kafazin e hekurt të dhunës e padijes së regjimit lirivrasës së Vendit të tij, poeti njëjtësohet me vlerat e qytetërimit, të cilat i ka kultivuar thellë në botën e tij të mbrendëshme, qëndrim për të cilin i ka takuar të paguajë një çmim shumë të lartë.

Poezitë e Visar Zhitit vërtiten në shumë boshte, interesat e tij janë të gjëra e të shumanëshme. Hyjnë në to kultura, në shfaqjet e saj të ndryshme, spikasin personazhe si kompozitori Wagner, si shkencëtari Giordano Bruno, ndihen si pika riferimi Shekspiri, Gëteja. Si formim poeti është prodim i leximeve të artit të madh, prandaj dhe poezia e tij ka frymëmarrje të gjërë, i shmanget provincializmit të mjedisit nga del, mbetet një pasuri që i kalon kufijtë e atdheut, kthehet në një dëshmi e mesazh të fuqishëm për popuj të tjerë, fillon të flasë e të kuptohet në gjuhë të tjera.

Në konceptimin 360° të botës e dukurive të saj gjejnë vënd në të dhe bimët dhe kafshët. Përbëjnë mjedisin që rrethon njeriun, simbas autorit qëndron shpesh më lart se ky i fundit, shfaq më pak hipokrizi e më shumë vlera.

“Njeriun sa pak e gjej tek njeriu

Prandaj u drejtohem pemëve

Mësoj nga heshtja plot me fruta….”

Është fillimi i një poezie që dëshmon besimin e autorit, jo më te të ngjajshmit e tij, por në natyrën e papërdhosur prej ligjeve të njerëzve. Në poezitë e këtij cikli gjejnë vënd lotët e kalit që përkulet para të burgosurit të vrarë nga roja në një kamp të punës së detyruar, një skenë e pakrahasueshme që nxjerr në pah  mizorinë njerëzore përballë fisnikërisë së kafshës, dallëndyshet që, me cicërimat dhe foletë e tyre, paralajmërojnë fundin e dimrit, xhirafat, më të hijshmet e botës së kafshëve. Ka një vjershë të thurur për kopshtin zoologjik të Tiranës që mbyllet me fjalët : “Me lirinë e gjallë të të gjithëve   Dhe un jam më i lirë.”

Nuk përballemi me një prirje të vonë romantike, as me një shfaqje të një mode që, në botën e sotme, gjen mjaft përkrahës. Është diçka më e thellë, ka në bazën e saj bindje të krijuara, si pasojë e të jetuarit në një rend gjërash, në të cilat të gjitha vlerat njerëzore janë asgjësuar, ku nuk shihet as hija më e zbehtë e një shoqërie që t’i afrohet sado pak dhe njerëzve të Neandertalit apo të Kromanjonit. Ky është burgu i regjimit enverist shqiptar, ku është mbyllur, në vitet më të mira të rinisë, poeti. Simbas akuzuesve të tij poeti Visar kishte shkruar poezi “hermetike” që “rrezikonin” pushtetin e popullit !?

Ajo botë e vogël në të cilën u lind e u rrit shkrimtari dhe ajo pjesa e saj më shprehëse e më përfaqësuese, në të cilën u mbyll forcërisht në një çast dramatik përcaktues të jetës, janë një realitet, përballë të cilit bota e kafshëve, xhungla me të gjitha veçoritë e rregullat e saj, ku zotëron ligji i më të fortit, mund të quhen modele morali për t’u marrë si shembull. Nëse rendi i vlerave është përmbysur në dobi të së keqes, nëse njerëzimi, në gjysmën e dytë të shekullit të atomit, polli përbindësha të pashembulltë, për nga mizoria e tyre, si komunizmi shqiptar, të mbijetuarit e atij proçesi historik kanë vetëm një detyrë : paditjen deri në imtësi t’atij sistemi, arkitektëve e zbatuesve të tij, si shprehje e një përvoje historike që meriton të mbyllet “në bodrumet e errëta të historisë”, siç shprehet autori.

Drama e brëndëshme e tij, ai proçes i gjatë shnjerëzimi që, me mjetet më të dhunëshme e më të pamoralëshme u ushtrua mbi të, ashtu sikurse mbi qindra e mijra bashkëvuajtës të tij për gjysëm shekulli është edhe boshti qëndror, filli drejtues i një veprimtarie letrare, që mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të një epoke të zezë, autorësia e së cilës i u ngarkua vetëm një njeriu. Ndërsa ajo shoqëri, në shumicën dërmuese të saj, edhe sot priret nga anashkalimi i përgjegjësive të përgjithëshme e të përveçme në tragjedinë më të madhe të kombit.

Poezitë që i kushtohen asaj periudhe të jetës, që lidhen me çastet e pafund të dhimbjeve, poshtërimeve, dhunës fizike e psikologjike, t’ushtruar në bazë të një strategjie të hartuar përsosmërisht në instanca të larta të krimit botëror, janë edhe pjesa më e qenësishme dhe më prekëse e vëllimit. Që nga “E shtuna e parë e arrestit” deri tek poezia e fundit e ciklit në këtë vëllim që titullohet me një pyetje “Ç’kohë është, e njeriut apo e skeletit të tij?”, lexuesit, si në një film të gjatë, i dalin parasysh skenat e një jete që e ka humbur edhe kuptimin e termit. Ajo vazhdimësi dukurish të jetës së qelisë apo të kampit, ato skena të mjedisit të jashtëm që rrethojnë në çdo çast përsiatjet e heshtura të poetit të prangosur, borërat e bardha që mbulojnë qetësisht të gjitha gjurmët, figura e një vajze mësuese që çdo ditë, larg telave të kampit, zgjon tek çdo banor i tij stimujt e jetës, mundi i përditshëm i punës së skllavit në minierë, vdekja që herë mbas here troket në derën e të burgosurvet, thesi i tyre në depo që mbetet simboli i së vetmes shenje të diçkaje të tyre, të privatësisë, mesazhi i një rrëkeje uji në qetësinë vdekëse të një vetmie në frontin e punës së galerisë, janë disa nga skenat e atij filmi rrënqethës që e bëjnë lexuesin bashkëjetues të fatit të autorit.

Por Visar Zhiti nuk është një fotograf i thjeshtë që filmon e shfaq çdo gjë që ndodh rreth tij, ai e shoqëron dëshminë e tij me bluarjen e mendimit, me përgjithësimin e tij, me padinë qytetare që e kthen atë në një tribun, jo vetëm të vetes, por të gjithë brezit të tij, kryesisht atij bashkëvuajtës.

Autori i “Rrëfim pa asnjë altar” është një poet i lindur. Ndoshta poezia e tij, për t’u kuptuar, në gjithë shtrirjen dhe thellësinë e saj, ka nevojë për një mundim të mëtejshëm. Por aty ku ai arrin maja të artit të tij janë ato rrjeshta që i kushtohen botës intime, në këtë vëllim e ndërthurur me tragjedinë e atdheut dhe me fatkeqësinë e vetë poetit. “Ditëlindja ime në qeli” është rrëfimi i një çasti të dhimshëm, një përsiatje e thellë e një gjëndjeje, në të cilën është përmbysur gjithshka, së bashku me vetë kuptimin e jetës, një vdekje klinike e autorit të cilit Zoti i dërgon si varkë shpëtimi talentin e tij, poezinë, (prostitutë dhe Shën Mëri) në vetminë e qelisë. Lexuesi normal i Evropës së sotme, ku futet dhe ai shqiptar, fatmirësisht i shkëputur nga yzengjitë e vlerësimit të artit të partisë, gjen në këtë lloj poezie një vërtetim të idesë se deri në ç’pikë njeriu krijon artin dhe, anasjelltas, deri ku arrin aftësia e këtij të fundit për të formuar vetë njeriun. Por asnjë prej këtyre lexuesve nuk mund të futet në shpirtin e vërtetë të krijimit poetik, në thelbin e gurit filozofal të saj, si ata njerëz që kanë patur fatkeqësinë të festojnë ditlindjet e tyre në vetminë e qelive t’akullta të hetuesive shqiptare…..

Në këtë kuadër, një vënd të veçantë në vëllim, zënë dy poezitë kushtuar prindërve, të titulluara “Perëndesha e mbrojtjes” dhe “Im atë i verbër”. Janë yjet më të ndritshëm të yllësisë poetike zhitiane, të denja për cilëndo firmë të poezisë botërore, dhe asaj më eprore. Nuk është thjesht dithirambi poetik i mirënjohjes për ata që e sollën në këtë jetë, është hymnizimi deri në ngazëllim i funksionit dhe rolit të gruas në jetën njerëzore, kryesisht në figurën e nënës, në të cilën ajo, sigurisht, meriton skeptrin e botës. Nuk po futem në ftillimin e imtë të këtyre perlave poetike shqiptare, nuk dua të prek, sado pak, shkëlqimin e tyre. Lexuesit i kumtoj me sinqeritet kënaqësinë e jashtzakonshme që kam provuar me leximin e tyre dhe mikut poet i shpreh falënderimin, besoj edhe n’emër të mijra bashkëvuajtësve, që ka ditur të përjetësojë, nëpërmjet vargjeve të tij, çastet tragjike të jetëve tona dhe flijimet sublime të nënave, grave e motrave tona, heroinat e vërteta  të qëndresës shqiptare në gjysëm shekullin më të zi të historisë së këtij populli.       

Diku më sipër vura në dukje se, në jetën e trazuar të shkrimtarit, triumfoi vetëm ëndrra e poetit. Analiza, qoftë edhe shkurt e përciptas si kjo e imja, e poezive të Visar  Zhitit, nuk mund të anashkalojë një nga përbërësit e saj më të rëndësishëm : ëndrrën. Ka një lidhje organike, në gjithë personalitetin e tij, mes prodhimtarisë letrare e motiveve shtytëse të brëndëshme të saj. Me gjithë praninë e elementëve racionalë poezia e autorit tonë i përket më shumë gjinisë emotive, botës së ndjenjave të holla e të fantazisë së ndezur që, ndonjëherë krijon figura e koncepte, vështirësisht të kapshme për lexuesin e thjeshtë. Ajo botë nuk do të mund të jetonte e t’ishte prodhuese pa elementin kryesor themelor të saj, ëndrrën.

Vetë poeti, në vargjet e tij, ka dëshirë t’a theksojë këtë shtytëse e nxitëse të gjithësisë krijuese të tij. Madje ëndrra është diçka më tepër, është përbërësja më e rëndësishme e vetë qënies krijuese : “Njihuni me skeletin tim – Jam unë pa ëndërrat e mija”. Për të ëndërra është gjithshka, sinonim i vetë jetës, i ngrohtësisë, i dritës, i shpresës. “Ëndrrën t’a zhvesh që të më mbetej guri i ngrohtë i jetës…” Lexuesi e ka të vështirë të përcaktojë nëse poeti është prodhim i ëndrrave të tij, apo ëndrrat e kthyera në poezi janë thelbi qenësor i vetë veprës së tij. Klithma e dëshpërimit, që del nga thellësia e shpirtit në çastin më dramatik të jetës së tij, n’atë të arrestimit, pasqyrohet në një varg të vjershës së shkruar n’atë rast : “ do të  rrëzohen ëndrrat “.

Është ky tmerri i shkrimtarit n’ata çaste, një gjë e pakuptueshme për vdekëtarë të thjeshtë n’ata kushte, por kjo është vlera e shtuar e artistit krijues, e cila i jep atij fuqinë, guximin dhe energjinë për të përballuar vite të tëra të një vegjetacioni në kufijtë e vdekjes. Ëndrra e shoqëroi e paprekur poetin në vështirësitë e panumurta të ditëve e netëve në minierat e Spaçit apo Qafë – Barit, në zonat e thella të nëntokës, ku ai mbushi e shtyu vagonat në dritën e një kandili, në temperatura të larta e në një ajër të ngarkuar me avuj uji e squfuri, në përplasjen me të ftohtit therës të maleve të Mirditës në dalje të galerisë. Ajo mbeti pasuria e vetme e tij në një mjedis ku i a kishin rrëmbyer të gjitha, ku ishte kthyer në një numur, i vlefshëm vetëm për të nxjerrë mineral, që shteti fuqiplotë i tiranëve do t’a përdorte për të mbajtur në këmbë “ekonominë” e tij të bunkerëve dhe të të paaftëve.

Në çastin kur makthi mbaron e poeti kthehet në jetën “normale”, ëndrra bëhet edhe më e rëndësishme, sepse do të jetë përsëri ajo që do t’a drejtojë ecjen e tij drejt objektivash të tjera, që për të janë ata të krijimtarisë artistike. Në këtë rast ajo merr funksionin e misionit që duhet të marrë përsipër “poeti i ëndrrave”, mbasi koha i ve mbi shpinë detyrën e përjetësimit letrar të një përvoje të hidhur, t’errët, tragjike, nëpër të cilën kaloi ai dhe shumë bashkatdhetarë të tij.

“ Do të marr prej dore ty ëndërr

Dhe do të shëtis zgjimeve të mija

                                                                   si një i çmëndur”

          Kjo është besojma e re e shkrimtarit, i vetëdijshëm se tashmë jeta e tij nuk i përket vetëm vetes apo familjes, i përket edhe një shoqërie që pret prej pendës së tij vepra që do të përjetësojnë bëmat e asaj epoke historike plot vdekje, dhimbje, mohim lirish e të drejtash, padrejtësi e dhunë të çdo forme. Vëllimi “Rrëfim në asnjë altar” i qëndron besnik këtij misioni të shkrimtarit. Vlerësimi që i bëhet nga kritika e një Vendi që mbahet si djepi i poezisë, është mjaft shpresëdhënëse.

Kritiku Ennio Grasso pohon në gazetën “La voce” (Zëri), të 29 janarit 2013, në lidhje me botimin e librit të Visar Zhitit  se “pa dyshim është ndër më të mëdhenjtë poetë evropianë në mënyrë absolute”, ndërsa kritiku Giovanni Ruggiero, në shtyllat e “Avvenire” (E ardhmja) shprehet : “Poeti konsiderohet në atdhe e jashtë tij, si zëri më i fuqishëm i gjithë poezisë bashkëkohore shqiptare…”  Më poshtë vazhdon : “Mesazhi poetik i Zhitit universalizohet dhe kalon kufijtë gjeografikë të dhimbjes shqiptare. Poeti është dëshmitar i vuajtjeve të njerëzimit, sepse këto i shkaktojnë më shumë dhimbje se çështja e tij vetiake.” Ndërsa studjuesi i njohur i botës shqiptare, Robert Elsie, e përkufizon kështu : “Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit janë pasqyra më e mirë e historisë së kombit të tij…”

Këta janë disa nga vlerësimet për shkrimtarin tonë. Përkthimi dhe botimi i veprave të tij në Evropë e më gjërë, njohja dhe përhapja e tyre sa më shumë n’opinionin publik e artdashës të botës, vlerësimi në rritje i meritave të tij në fushën e letrave, na bëjnë t’a shohim me optimizëm përfaqësimin e populliti tonë në fushën e kulturës botërore dhe shpresën që, në galerinë e kandidatëve për Çmimin Nobel për letërsinë, krahas I. Kadaresë të rrjeshtohet edhe emri i nderuar i Visar Zhitit.

Itali, Mars 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Eugjen Merlika, shqiptare, Zhiti-Visar i Letersise bashkekohore

Dua t’i sfidoj mitet për verbërinë

March 25, 2013 by dgreca

Nga Carrie Hooper/ Elmira/ New York

Disa njerëz që shohin menojnë se ne që jemi të verbër jemi më trima dhe më guximtarë sepse arrijmë qëllimet tona, dhe na trajtojnë si heronj. Spesh dëgjoj njerëz që thonë, “Më frymëzon. Sa më mahnit!” Në të kaluarën nuk mendoja shumë për këtë dukuri por që nga koha që e kam njohur shokun tim, Tim Hendel, edhe ai i verbër, kam reflektuar më shumë për këtë temë. Duke e vizituar, kam kuptuar një pjesë të njëmendësisë së verbërisë që unë, edhe pse jam vetë e verbër, nuk kuptoja më parë. Qëllimi i këtij shkrimi është t’u pikturoj lexuesve realitetin të plotë të jetës së të verbërve. Mendimi im as nuk është të ankohem as të luaj rolin e viktimës por thjesht t’i arsimoj njerëzit dhe t’i korrigjoj keqkuptimet që shkaktohen nga moskuptimi i gjendjes së vërtetë të të verbërve.

Nuk sfidoj ose kapërcej verbërinë, jetoj me të. Verbëria nuk më bën më trime ose më guximtare. Guximi i vërtetë tregohet kur njeriu ka një zgjedhje dhe bën atë që është e drejtë. Shqiptarët tregonin guxim duke i shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke qenë i verbër, nuk ke zgjedhur kushtet e tua. Duhet t’i përshatesh situatës sate dhe të bësh gjithëçka sa mundesh për të mbijetuar.

Disa njerëz thonë se unë shikoj botën më mirë se njerëz që shohin dhe se kompensoj për mungesën e shikimit me shqisat e tjera. Prapë, s’ka zgjedhje tjetër. Duhet t’i përdor shqisat e tjera (dëgjimi, prekje, etj. për t’u orientuar dhe për ta përrceptuar botën. Më tej kur nuk shoh dhe një nga shqisat e tjera nuk funksionon siç duhet, mund të shkaktojë probleme. Në rastin e shokut tim, Timit, ai ka humbur shumë nga dëgjimi dhe kjo i vështirëson orientimin dhe bisedat me njerëz të tjerë dhe nuk mund të kënaqet me aktivitetet që e gëzonin më parë, për shembull dëgjimin e radios ose mësimin e gjuhëve të huaja. Nuk do të thoja se shikoj botën më mirë se ata që shohin, por e përjetoj në mënyrën time. Ata të shohin do të mund të përjetonin botën me shqisat e tjera por varen shumë nga sytë kështu se nuk zhvillojnë shqisat e tjera siç do të mundnin.

Kur je i verbër, nuk do të thotë se dhuntitë që i ke janë më të spikatura. Verbëria nuk ka ndikuar në aftësinë time si muzikante ose në prirjen për t’i mësuar gjuhë të huaja. Jam e sigurt se do të kisha pasur këto dhunti po të shikoja. Për t’i zhvi;luar dhuntitë e mia kërkohej shumë punë dhe Mund. Meqë ra fjala, jo të gjithë të verbërit kanë vesh për muzikën siç mendojnë disa.

Spesh mahniten njerëzit se si mbaj mend gjithëçka, veçanërisht kur më shohin duke kënduar në kor ose solo. Duhet t’i mbaj mend këngët sepse s’ka rrugë tjetër dhe prapë më duhet shumë punë për t’i mësuar. Nganjëherë harroj tekstet dhe harroj gjëra të tjera, si, për shembull, numra telefonike që i shkruaj.(Te plote do ta lexoni ne Diellin e printuar)

 

Filed Under: Editorial Tagged With: carrie hooper, dua t'i sfidoj, mitet per verberine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5531
  • 5532
  • 5533
  • 5534
  • 5535
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT