• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Libri “Charles Telford Erickson” I Mal Berishës, në Biblotekën e Kongresit

March 20, 2013 by dgreca

Nga BEQIR SINA/

WASHINGTON D.C:  Mbas promovimit në kuadër të aktiviteteve për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, të librit “Charles Telford Erickson”, me autor Mal Berishën, dhe daljes në qarkullim të këtij libri interesimi dhe jehona që ka pas ky libër ka qenë jashtëzakonisht i madh në mesin e lexuesve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Bibloteka e Kongresit, librin “Charles Telford Erickson”, me autor Mal Berishën. e ka futur vet pa ndonjë “ndërhyrje” ne raftin e parë të pavionit të librit, dhe e ka ekspozuar me anë të një posteri në hyrje të kësaj bibloteke e cila çdo ditë vizitohet nga mijëra amerikan dhe turistë të huaj, përfshirë kongresmen, senatorë dhe poliitikan e shkrimtarë e artistë të mëdhenjë amerikan.

Libri “Charles Telford Erickson”, gjendet edhe në Dhomën e Referencave në Bibliotekën e Kongresit ne Washington DC, e cila shfrytëzohet për studime, kërkime dhe hulumtime, nga njerë qëduan të dinë më shumë rreth këtyre librave që gjenden në Dhomën e Referencave në Bibliotekën e Kongresit ne Washington DC, të cilat numërojnë mbi një mijëtituj dhe autor të ndryshëm nga mbarë bota.

Ndërkohë, mbrëmë, u transmetua edhe nga Top Channel emisioni Vitrina e librit, 17 Mars – një intervistë e plotë e Mal Berishës autorit të librit  “Charles Telford Erickson”, me gazetaren Beti Njuma – Intervisten e ndiqni ne youtube : (http://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=DIzpQhrEtNE)

Libri Charles Telford Erickson, jeta dhe vepra për Shqipërinë dhe në Shqipëri, nga Mal Berisha, gjendet tash në të gjitha biblotekat e Shqipërisë e Kosovës, si dhe pikat e shitjes dhe përhapjes së librit. Ky është një vëllim që përfshin veprën me dy vëllime “Shqiptarët, enigma e Ballkanit” të Charles Telford Erickson dhe “Jeta e jashtëzakonshme e amerikanit Charles Telford Erickson kushtuar Shqipërisë”, shkruar nga  shkrimtari, publicisti dhe studuesi Mal Berisha, ambasador i Shqipërisë në Londër.

Shtëpia e Librit :

 

Charles Telford Erickson, jeta dhe vepra për Shqipërinë dhe në Shqipëri (kopertinë e trashë, lidhje luksoze)
Origjinali: Charles Telford Erickson, jeta dhe vepra për Shqipërinë dhe në Shqipëri (kopertinë e trashë, lidhje luksoze)
Gjinia: Biografi, histori
Përgatiti: Mal Berisha
Shtëpia botuese: Edualba
Viti: 2012
Fq. 1040
Pesha: 2.02 kg
ISBN: 978-9928-12-157-8

Mbi librin

Në prag të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Mal Berisha vjen para lexuesit shqiptar me një vepër të re mjaft interesante rreth jetës dhe veprës së amerikanit Charles Telford Erickson. Pas botimit të dy veprave pararendëse me subjekte të përafërta: “Shqiptarët, lisa mbi truallin ilir” dhe “Shqiptarët, europianët më të lashtë e më të rinj”, ky libër duket se plotëson tanimë një seri e cila fillon me fjalën “Shqiptarët…”për të shprehur me fjalë njerëzish të mëdhenj, jo shqiptarë, vlerësimin për kombin tonë. Këto vlerësime mund të thuhet lirisht se kulmojnë me këtë vepër.

Ky vëllim përfshin veprën me dy vëllime “Shqiptarët, enigma e Ballkanit” të Charles Telford Erickson dhe “Jeta e jashtëzakonshme e amerikanit Charles Telford Erickson kushtuar Shqipërisë” të Mal Berishës.

Komente mbi Charles Telford Erickson

“Përkundër rrjedhës së gjatë dhe të mundimshme të historisë së saj, Shqipëria ka patur fatin të ketë miq të mëdhenj, të cilët i kanë kushtuar jetën, midis të cilës prin amerikani Charles Telford Erickson.”

Dr. Elez Biberaj

“Janë pak ato jo shqiptarë, nëse ka ndonjë që mund të maten për nga kohëzgjatja dhe kontributi në shërbimin ndaj Shqipërisë me Charles Telford Erickson. Nxjerrja në dritë pas një harrese shumë të gjatë të veprës së tij është shenjë e mirënjohjes shqiptare për këtë mik të madh.”

Nicholas C. Pano, professor emeritues i historisë, Western Illinois University

“Charles Telford Erickson përfaqëson një qytetar amerikan me zemër shqiptare, nga më të mëdhatë e gjysmës së parë të shek. XX – të. Veprat e tij do mbeten episode të rëndësishme, të shkëlqyera dhe të paharruara në historinë e vendit tonë.”

At Arthur Liolin, Boston

“Erickson jetoi gjatë në Shqipëri, u magjeps pas saj dhe i la trashëgim një vepër monumentale. Shqiptarët, në kthim të dashurisë së tij, në këtë 100 vjetor të pavarësisë dhe të shtetit tonë modern, sjellin në shqip biografinë dhe veprën e tij të jashtëzakonshme.”

Visar Zhiti, shkrimtar

“Ky botim i mrekullueshëm zbulon një figurë sa modeste, aq edhe madhështore dhe e nxjerr atë përgjithmonë nga pluhuri i harresës.”

Ilir Ikonomi, historian

“Kjo vepër na ndihmon të kuptojmë veç të tjerash edhe kontributin e Federatës Panshqiptare “Vatra” të Amerikës në çimentimin e themeleve të shtetit shqiptar në këtë jubile të 100 vjetorit.”

Dr. Gjon Buçaj, kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, New York

Filed Under: Kulture Tagged With: Charles Telford Erickson, Mal Berisha, ne biblioteken e Kongresit

DORORETA KONOMI, PËRFAQËSUESE E DENJË E FEMRËS VLONJATE

March 20, 2013 by dgreca

Ngritja e një familje të persekutuar/

Nga Enver Memishaj/

Që në fëmijërinë time kishja dëgjuar për familjen Konomi. I pari tyre Dhimitër Konomi kishte qënë një atdhetar i njohur, bashkëluftëtar i major Ahmet Lepenicës në Luftën e Vlorës 1920 dhe më pas i Hysni Lepenicës.

Por në atë kohë të terrorit për këto miqësi duhet të heshtje… Koha e solli që në vitin 1985 unë të punoja me të ndierin dhe të pa harruarin Ilia Konomi, djali i Dhimitrit. Shumë shpejt u afruam dhe u bëmë miq, e kuptonim njeri tjetrin në heshtje dhe fillimisht nuk guxonim të flisnim për të parët tanë. Ndryshe nga vëllezërit që e kishin çarë udhën e jetës me dituri dhe aftësi profesionale, Ilia e kishte çarë udhën e jetës me “shpatë” në dorë: punëtor i pa lodhur, shofer dhe mekanik i aftë, ishte i vetmi që bënte rrugën e rrezikshme të Himarës me një makinë të madhe, i pa përkulur para çdo vështirësie, kryelartë edhe pse ishte përjashtuar nga partia sepse vëllezërit e tij Bebi, Spirua dhe Astriti ishin dënuar si “armiq të popullit” dhe ai vetë ishte në përgjim nga Sigurimi i Shtetit… Miqësia me familjen Konomi, u shtua pas vitit 1990, ashtu si të parët tanë  u gjendëm në vijën e parë të luftës për të përmbysur diktaturën komuniste.

Vëllai vogël i Ilias, inxhinjer Fatos Konomi, kishte ecur sipas parimit që thonë italianët: “Gatë dhe qetë prej vendit tënd” kishte vajtur në Vuno dhe kishte zgjedhur Dorotean, vajzën më të bukur të fshatit, por që bukurinë e vërtetë e kishte në shpirtin dhe karakterin e sajë. Vajza nga Vunoi erdhi në Vlorë dhe ushtroi profesionin më fisnik nën diell atë të mësuesisë dhe shumë shpejt, u bë e njohur dhe e respektuar në qytet.

Pas vitit 1990, ajo tregoi fisnikërinë e familjes nga vinte por edhe të familjes ku kishte vajtur nuse dhe u bë përfaqësuese e denj e femrës vlonjate. Për këto gra duhet folur e shkruar.

*    *     *

Jeta e njeriut ngrihet mbi një bazë që nis të ndërtohet në fëmijeri. Dorotea kishte lindur në Vuno në vitin 1949, aty u rrit e hodhi shtat, së bashku me vëllan  Petraq Pavllo.

Familja Pavllo është me rrënjë të thella në fshatin Vuno, shtëpia e tyre e ndërtuar në vitin 1806, ka formën e një kalaje që tregon krenarinë dhe qëndresën ndaj rrebesheve të kohës.

Shkolla e Vunoit “Naqe Konomi”, me tradita atdhetare, si dhe prindërit, formuan tek Dorotea, vajza e tyre e bukur si një lule mali,  karakterin e femrës së vërtetë shqiptare, të përkushtuar ndaj familjes, besnike deri në vdekje, e etur për dije dhe shqiptare e vërtetë.

Studimet për histori-gjeografi përcaktuan të ardhmen e saj si arsimtare, pasi mundësitë për zgjedhje në atë regjim nuk ekzistonin.

Profesioni i mësuesit u bë pasioni vajzës së re, ku shfaqi aftësitë dhe talentin dhe me gjith rrethanat jo të favorshme politike ajo mbijetoj në arsim për afro 30 vjet.

Dorotea punoi për shumë vite në shkollen e Ujët të Ftohtë, si mësuese e histori-gjeografisë.

Lufta e klasave e kërcënonte çdo ditë të jetës, sepse tre vëllezërit e bashkëshortit të sajë Fatosit u burgosën si “armiq të popullit”, ndërsa i katërti Ilia u përjashtua nga partia për munges vigjilence sepse nuk kishte denoncuar vëllezërit e tij!

Dorotea dhe Fatosi e përballuan persekucionin me punë, me aftësi e kompetencë profesionale me ndershmeri dhe qytetari.

Dorotea që në fëmijëri kishte ndier pakenaqesinë ndaj sistemit çnjerzor që u kishte marrë pronat dhe i kishte lënë në vuajtje, por edhe atje ku vajti nuse kishte gjetur një familje po kaq fisnike që fillimisht kishin përkrahur komunistët, por kur e panë fytyrën e vërtetë çnjerzore të këtij sistemi u bënë kundështarë të vendosur të tij.

Kështu mësuese Dorotea u bë një kundështare e vendosur e komunistëve  dhe një luftëtare e heshtur.

*    *    *

Në këto rrethana Levizja Demokratike që nisi në vitin 1990, pasqyronte shpirtin, ndjenjat dhe idealin e saj, prandaj atë e thirri një zë i brendshëm: përpara. Dorotea dhe Fatosi nuk u ndalën asnjë çast por u ndodhën në krye të Lëvizjes Demoktratike në Vlorë sepse ata shihnin në këtë lëvizje realizimin e ëndrrave të tyre dhe asgjë nuk i ndaloi për të ecur përpara në udhën e vështirë dhe plot të pa pritura të demokracisë.

Pa u zgjatur shumë në këtë periudhë, do ta tregoj aktivitetin e Doroteas duke filluar nga pranëvera e përgjakur e vitit 1997, kur edhe shumë burra në atë periudhë u tërhoqën ose heshtën. Dorotea, gjatë vitit 1997 u gjend ashtu si në vitin 1990 e 1991 në ballë dhe në udhëheqie, duke u bërë shembulli për për femrën vlonjate. Kështu ajo eci nën shembullin e grave të shquara vlonjate që kishin luftuar me armë në vitin 1913 në qafë të Llogorasë, më 1914, më 1920 e gjatë pushtimit fashist 1939-1944.

Dorotea me thirrjen e Prof. Pëllumb Çelës, i deleguar i Partisë Demokratike në Vlorë, ju bashkua atyre vlonjatëve trima që rikrijuan në kushtet e terrorit të komunistëve të Vlorës Degën e Partisë Demokrative të këtij qyteti. Ajo u zgjodh në udhëheqie të kësaj Partie dhe mbeti aty deri në ditët tona:

— anëtare e kryesise se PD-së Vlore ku vazhdon te jetë deri në vitin 2013, kur duhet të bëhen zgjedhje të reja,

— nga viti 2001 deri ne vitin 2009, për dy mandate rrjesht, ka qenë  zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të  Shqipërisë, si e vetmja grua në politikë, përfaqësuese e qytetit të Vlorës për 8 vjet,

— ka qënë disa herë në projekt listën e kanidatëve për deputete në Kuvendin e Shqipërisë,

— në vitin 2003 u zgjodha anëtare e Këshillit të Bashkisë së qytetit të Vlores deri në vitin  2007, ku ka shfaqur vetitë e sajë si intelektuale e qytetare por e vendosur për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën dhe politikën e Partisë Demokratike që përfaqësonte,

— në vitin 2005, me fitoren e Partis Demokratike, u emërua Sekretare e Përgjithshme e Institucionit të Prefektit të Qarkut Vlorë, pozicion te cilin e ushtroi per kater vjet.

Kështu jeta politike ka zënë pjesën më të madhe të kohës së kësaj gruaje, raporti midis saj dhe jetës private që duhet t`i kushtonte familjes, bashkëshortit dhe dy djemve, tregon fare qartë përkushtimin e kësaj gruaje duke u bërë gjithnjë shembull për të gjitha femrat e veçanërisht të grave të qytetit të sajë dhe më gjerë.

Por edhe familja e sajë, vaçanërisht bashkëshorti Fatosi, ka qenë një prapavijë e sigurt nxitëse, inkurajuese e vendimtare për të përballuar dhe për të ecur përpara në detyrën dhe idealin e saj.

Ne vitin 2007, pas zgjedhjeve lokale, Dorotea Konomi ishte zëvëndësisht Prefekte e Qarkut të Vlorës,  qarku i tretë në Shqipëri për nga madhësia, detyrë të cilën e kreu me aftësi dhe kompetencë profesionale për një vit.

Ishte prefektja e parë femër në historinë e Qarkut të Vlorës dhe i duhej që të paraqiste veten si përfaqësuese të denj të femrës vlonjate, Dorotea thotë se: “Ne kryerjen e kësaj detyre të lartë për mua ka qenë  shumë me rëndësi motivimi dhe mënyra për të prezantuar pozicionin që mbaja. Jam përpjekur t’i jap dimensione të tilla në mënyrë që të krijoj hapesirë edhe për të tjerët dhe, për palën tjetër të pushtetit, të opozitës.

Vështirësitë dhe situatat problematike kanë qenë të shumta sidomos pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, në konstituimin e pushtetit lokal, këshillave të bashkive dhe komunave.

Lufta politike për t’i fituar aleancat, bëri që në pjesën më të madhe të tyre këto këshilla të fitoheshin nga Partia Demokratike. Mendoj se principet e qarta për detyrën më kanë dhënë mekanizmin për të zgjidhur problemet, sado vështirësi që paraqisnin.

Nga ana tjetër kam vlerësuar problemet e të tjerëve, u jam përgjigjur kërkesave të tyre duke përdorur një administrim të efektshëm, gjë që ka sjellë që shumë probleme konkrete të zgjidhen dhe shpesh të marr vleresimin e qytetarëve të Vlores.

Në tryezat e dialogut dhe të marrëveshjeve kam qënë këmbëngulese në zbatimin e politikave të tilla të cilat u kanë dhënë të dy palëve të pushtetit ekulibër, hapsirë veprimi, por asnjëherë nuk e kam lejuar devijimin, duke qenë edhe e ashpër por pa dalë jashtë vetes”.

Këto thotë Dorotea për vete, ndërsa shtypi e ka cilësuar se  “ Ka drejtuar prefekturën me thjeshtësi, dinjitet dhe mjaft cilësi”.

Një grua që synon të bëjë karrierë profesionale dhe politike duhet të jetë e kompletuar intelektualisht, por në të njëjtën kohë të ketë edhe idealin dhe bindjen për të arritur qëllimin, gjë që nuk i kanë munguar Doroteas. Shoqëria jonë ka nevojë për gra të tilla që përveç sa citova më lart të kenë edhe ndershmerine në kryerjen e detyrës dhe guximin.

Jeta e Dorotea Konomit, jetë aktive, shoqërore dhe politike ka bërë që të shërbejë si përvojë dhe vlerë për femrën vlonjate.

Prej tre vjetësh, Dorotea është drejtuese e Qëndrës Kulturore të Fëmijëve në qyetin e saj, duke shfaqur vlera si organizatore e punes.Kjo ka bërë që të ndryshoj dhe të gjallëroj jetën e kësaj qëndre ku gjejnë lulëzim talentet e femijeve.

Kur e pyet Dorotenë për politikën të përgjigjet: “Jeta politike vazhdon krahas punës dhe familjes, si mënyrë të jetuari, e pandarë nga jeta intelektuale së cilës i jap rëndësi të veçantë. Jam krenare për dy djemtë e mi të cilët ecin në udhën intelektuale dhe demokratike të prindërve të tyre“.

Kënaqësinë më të madhe Dorote Konomi e gjen tek vlerësimi i lartë i qytetarëve të sajë gjë që është shprehur midis të tjerave në një anketim në gazetën “Vlora“, ku midis drejtuesve dhe intelektualëve vlonjatë ajo është cilësuar me të drejtë:  “elita intelektuale e gruas në politikën vlonjate“ (Shih: Gazetën „Vlora“, dt. 26.6.2006; 3.7.2006)

Gra të tilla si Dorotea Konomi duhet të jenë kanidate për deputete  në zgjedhjet e 23 qershorit pasi vetëm këto janë vlera të vërteta të shoqërisë sonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dororeta Konomi, Enver Memishaj

Rusia dashurohet me filmin “Right to Love”

March 20, 2013 by dgreca

Nga Ermira Babamusta, New York/

Filmi “Right to Love” (E Drejta për të Dashuruar) gjatë premierës në Rusi i dha emocione një salle mbushur plot e përplot, një moment i veçantë për aktorin Luan Bexhetin dhe producenten Amina Zhanan, të cilët ishin prezent. Premiera e filmit u shfaq në teatrin e famshëm “Eldar” me 17 mars 2013 në Moskë. Premiera solli mbi 100 spektatorë, duke përfshirë edhe Vipat dhe yjet e njohur të Rusisë. Midis tyre ishin dhe aktorët e famshme ruse Ludmila Dmitrieva dhe Ksenia Berestnikova, ylli i muzikës Shamil, këngëtari i muzikës Balkar folk Ruslan Khasaitov, poeti çerkez Ratmir, etj.

Filmi u shfaq në gjuhën orgjinale, në aglisht, pa përkthim ose titra, që ishte e para herë për kinemanë ruse. Filmi u realizua me regji të Puaul Kurtit, me producentë Amina Zhaman (e cila ka shkruar skenarin dhe luan rolin kryesor, producente) dhe Marina Bolotokova, (producente & CEO e Oriental Pearl LLC).(Trailer i Filmit: http://www.youtube.com/watch?v=gHvAE53J-yA)

“Jam shumë e lumtur që audienca vendase dhe e huaj në Moskë u dashuruan me filmin “Right to Love”. Shumë nga spektatorët kanë qarë në fund të filmit gjatë shfaqjes, të gjithë ishin të emocionuar dhe u prekën nga historia e Tonit dhe Aminës. Nuk donin që filmi të përfundonte pa “happy ending”. Që nga premiera Amerikane në dhjetor 2012 shumë kritikë dhe shikues të filmit më tregojnë që duan të shikojnë më shumë dhe filmi të vazhdojë me një pjesë tjetër. Te them të drejtën nuk e prisja këtë lloj reagimi në Moskë, meqë audienca këtu rrallë emocionohet. Jam mahnitur me numrin e madh të personave si në New York edhe në Moskë që duan të më bindin të krijoj pjesën e dytë si vijim për filmin Right to Love,” tha skenaristja dhe producentja e filmit, Amina Zhaman.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dashuroget, Ermira Babamusta, me Right to Lovee, Rusia

“NJË GARDIAN PAKSA I PËRGJUMUR”!?

March 20, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues, këtë vështrim gazetaresk do ta ndërtoj duke iu referuar një deklarate të presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, i cili në fjalimin e tij në fund të vitit që lamë pas, veç të tjerash, tha: “…, në rajon ekzistojnë individë me ide radikale që mendojnë për shtete të mëdha! Edhe pse nuk përmendi emra konkretë, kryetari Ivanov si duket këto porosi ia përcolli kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, si përgjigje lidhur me deklaratën e tij për bashkimin e shqiptarëve në një shtet, si dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaçi, për zotimin e tij se Kosova do të jetë GARDIAN I TË DREJTAVE TË SHQIPTARËVE TË MAQEDONISË”! Si deklarata e parë, njashtu edhe e dyta, të krijojnë përshtypjen kinse përcjellin ca “selame kërcënuese”, kinse askush nuk guxon t’i ngucë shqiptarët që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, në Mal të Zi, si dhe në Luginën e Preshevës!? Unë si një qytetar i rëndomtë, jo se (nuk) dua t’u “besoj fjalëve” të presidentit Ivanov, por pse ma do “xhani” që të qeshem me shakanë e radhës të zotit Sali Berisha, për të cilin gojëkëqijtë dhe kundërshtarët e tij do të thonë me plot gojën se ai këtë “mot zgjedhor” e filloi duke ndryshuar fjalorin politik, ashtu thjesht duke bërë nacionalizëm provincial, nacionalizëm zyrash, nacionalizëm të trazuar a të rebeluar e tjera nacionalizma!? Në do më duhet të “zgërdhihem” me shakanë e zotit Berisha, njëkohësisht do më duhet ta “mbështes” idenë e z. Hashim Thaçi lidhur me të ashtuquajturin “gardian nga Drenica”! Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, fjala a nocioni “gardian” ka këtë kuptim: Rojtar i qelive të burgut. Gardian burgu.

Nga kjo deklaratë e presidentit Ivanov, unë do të bëj përpjekje të (ri) ndërtoj tri tregime. Tregimi i parë llafos ndodhitë e fundit që u hetuan në Shkup, kur huliganët e qelbur maqedonas, pa pikë faji rrahën të rinjtë shqiptarë…, ata këtë e bënë me porosi të politikanëve si dhe me urdhër të prindërve të tyre, të cilët në vijimësi “hiç pa pare” marrin leksione nga teoria e nacionalizmit dhe shovinizmit katundaresk, nga ata prindër që dekada të tëra kanë “akumuluar tepricë lirie të pamerituar, njerëz që kanë tepricë bukë, ata që kanë tepricë parash, ata që hanë me tepricë, kanë tepricë luks, tepricë urrejtjeje patologjike, tepricë megalomanie, tepricë qaramanie e rehatie, tepricë shovinizmi e të tjera mut teprica”.

Protagonisti i tregimit të dytë sipas meje do të duhet të jetë “gardiani komunist” i kasabasë sonë të viteve të gjashtëdhjeta (jo gardiani i kryeministrit kosovar). Unë, me sa mbaj mend, e di se ky “gardian” ishte goxha i sertë. Atij i mungonin dy dërrasa, ai asnjëherë nuk e vinte mendjen në punë, ai shprehej me shumë elegancë, ai aq shumë ishte i aftë sa që të burgosurve me shumë elegancë ua vidhte ushqimet e “thata” dhe cigaret e sjella nga familjarët e tyre. Ai “gardian” me emrin Tripun, lëre që ishte i trashë nga mendja, po njëkohësisht ishte tekanjoz, brekëçjerrë (brekëdhjerë), ishte një idhnak që të krijonte përshtypjen se mendjen e “kishte bruto a toptan” të rrjedhur…, një e kishte të përbashkët… me atë batutën që është “paksa fyese” ku, pos të tjerash, thuhet përafërsisht: “sikur mos të ishte kunji, ky gardiani i kasabasë sonë, kurrën e kurrës nuk do e shihte Stambollin”!? Ai fliste një sllavishte tejet të bastarduar, saqë nuk e merrje dot me mend se vërtet komunikonte bullgarisht, maqedonisht a ndonjë sociolekt të saj. Pavarësisht nga e  gjithë kjo, “gardiani Tripun” punën e bënte me përpikëri dhe pa hile…, ashtu siç e kishte mësuar disiplina komuniste!?

Tregimi i tretë shpjegon “një vaki” që i kishte ndodhur një fshatari të urtë dhe të pambrojtur! Dikur moti një “njeri shpellor” gjithmonë e kishte rrahur bashkëfshatarin e tij i cili kishte qenë shumë i urtë. Këtij fshatari dhe njeriu të qetë sikur i mungonte “integriteti fizik dhe ai moral”… dhe kur këto integritete i mungojnë njeriut, atëherë gjithsecili e ka shumë kollaj ta rrahë kur të dojë dhe sa të dojë…, madje njëkohësisht edhe ta ngarkojë me të shpifura shumë të neveritshme. Fshatari asnjëherë nuk ia kishte kthyer fjalën. Një ditë prej ditësh kishte kaluar atypari një mik i këtij që “hante dajakun”. Ky kishte mëtuar që t’i dalë zot. I ishte drejtuar “shpellorit duke i thënë: “…, hajde të të shoh se si do ta godasësh mikun tim…”!? Shpellori pa një pa dy, filloi ta godasë. Ky prapë iu drejtua, por tani më pyetje kërcënuese: “e po, hajde të të shoh se kësaj radhe a do të mund ta godasësh mikun tim”!? Shpellori nuk ia vuri veshin dhe prapë vazhdoi ta godiste. Çuditërisht fshatari i qetë dhe i urtë kësaj radhe mezi bëri një zë paksa lutës drejtuar mikut të vet: “I dashur miku im, të lus ta mbyllësh gojën se kështu si ke filluar ta kërcënosh “shpellorin me llafe bosh”, ai do të më rrahë derisa t’ia dojë qejfi”!? Duke e përfunduar këtë paragraf të këtij tregimi, më “shkoi mendja” te Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 8, ku, pos të tjerash, thuhet: 1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.., si dhe te z. Sali Berisha. A mos vallë kryeministri iu referua verbazi nenit në fjalë…, apo në instancë të fundit këto deklarata nacionaliste, këto ulërima, këto kërcënime a bërtitje, ishin rezultat i atij fiksimi të tij se s’ka njeri a shtet që do t’i ngucë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve!?? Se a ka apo nuk ka njeri a shtet në këtë Gadishull Ilirik që edhe në të ardhmen do t’i ngucë apo do t’i rrahë shqiptarët, unë nuk e di, por unë e di se të rinjtë shqiptarë, edhe sot e kësaj dite rrihen atypari në anën e djathtë të Shkupit dhe gjetiu. A mos vallë kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, me “gardianin” e tij do të duhet t’i mbrojë të rinjtë shqiptarë…, së paku ata përtej Urës së Gurit, a mos vallë mbrojtja e shqiptarëve do të bëhet me llafe kafenesh, me muhabete që bëhen nëpër “kapixhike”, me deklarata radikale, me intervista gazetash me tarafe. Së fundi, atdhetaria nuk duron improvizime. Është një fjalë jona e vjetër ku thuhet: “NUK BËHET STANI ME LEPUJ”…, por me dele, shqerra e me çobanë.

Ndërkombëtarët, që kohë pas kohe duken me e pa sebep këtej pari Shkupit, kësaj “vakie” do t’i thonë punë kalamajsh të përkëdhelur!?

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, i pergjumur, Nje gardian, per Luginen e Presheves

INAUGUROHET PAPA I TË GJITHËVE

March 20, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të martën Kisha Katolike zyrtarisht inauguroi Papën e ri Françeskun para qindëra mijëra pjesëmarrësish dhe në prani të përfaqsuesve nga më shumë se 132 vendeve, personalitete të larta politike dhe fetare, mbretër, kryetarë shtetesh dhe përfaqsues të feve të ndryshme, përfshirë edhe ata nga komuniteti mysliman dhe hebrej.   Media botërore vuri në dukje me interesim praninë e udhëheqsit botëror të ortodokësve të krishtërë, Patriark Bartollomeun, duke shënuar kështu herën e parë që një udhëheqës ortodoks merr pjesë në inaugurimin e një pape ç’prej përçarjes së madhe midis Ortodoksizmit dhe Katolicizmit, pothuaj një mijë vjetë më parë.Pasi përshëndeti dhe falenderoi udhëheqsit botërorë dhe delegacione të ndryshme nga mbarë bota si edhe trupin diplomatik, — në fjalimin e rastit — Papa Françesku foli për jetën e përditëshme, për jetën aktuale të të gjithë njerëzve, me të gjitha të mirat dhe vështirsitë, duke u bërë thirrje udhëheqsve botërorë dhe të gjithë popujve që të kujdesen dhe të mbrojnë të varfërit.   Ai pruri si shembëll, Shën Jozefin, si mbrojtsin dhe përkrahsin e familjes së shënjtë, duke thënë të pranishëmve se të gjithë duhet të jemi të tillë, “që të mbrojmë të tjerët, ashtuqë të mund të mbrojmë krijesën.”   Me një ton ekumenik, Papa Françesku u tha të pranishëmve nga e gjithë bota se, “Thirrja për të qenë ‘mbrojtës’ nuk u drejtohet vetëm të krishtërve”, pasi, sipas tij këjo fjalë “ka një dimension që është thjeshtë njerëzor dhe përfshinë të gjithë njerëzit…e që do të thotë mbrojtjen e të gjithë krijesave, e të bukurisë së botës…do të thotë respektim për secilin prej krijesave të Zotit, si dhe respektim për ambientin në të cilin jetojmë.”   Sipas Papës Françesk, ‘mbrojtës’ do të thotë gjithashtu “kultivim i miqësisë së sinqertë, në bazë të së cilës ne mbrojmë e përkrahim njëri tjetërin në besim, respekt dhe mirësi.   Sepse në fund të fundit, çdo gjë na është besuar neve që ta mbrojmë, dhe të gjithë jemi përgjegjës për mbrojtjen e krijesave të Perendisë.   Të bëhemi, pra mbrojtës të dhuratave të Perëndisë”, tha Papa i ri.

Duke theksuar që “të mos kenë frikë nga mirësia”, Papa Françesku u bëri thirrje, sidomos,  “atyre që janë në detyra përgjegjësie në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore si dhe të gjithë burrave dhe grave të vullnetit të mirë, që të gjithë së bashku të veprojmë si ‘mbrojtës’ të krijesës, si mbrojtës të planit të Perëndisë ashtu siç është skalitur në natyrë, dhe njëkohësisht, si mbrojtës të njëri tjetrit dhe të mjedisit në të cilin jetojmë.”

Duke iu drejtuar personaliteteve të shumëta të politikës dhe udhëheqësve botërorë, Papa tha se “nuk duhet të harrojmë se fuqia ose pushteti politik i vërtetë bazohet në shërbimin ndaj të tjerëve”, duke shtuar se, “vetëm ata (pushtetarë) që shërbejnë me dashuri mund të mbrojnë” njerëzit dhe mjedisin.   “Mos të lejojmë që shënjat e shkatërrimit dhe të vdekjes të shoqërojnë përparimin e kësaj bote”, u tha Papa përfaqsuesve botërorë në Vatikan me rastin e inaugurimit të tij si udhëheqës shpirtëror i Kishës Katolike

Fund javën që kaloi, Papa i ri u takua me përfaqësues të medias nga mbarë bota, dhe duke i përshëndetur ata me fjalët, “miqë të dashur”, ai foli për rolin e medias, si një rol i pazëvëndsueshëm që ajo luan në shoqërinë moderne në të cilën jetojmë.   Pastaj ai u foli mijëra gazetarëve botërorë – të cilët kishin shkuar në Vatikan për të mbuluar zgjedhjen e tij si Papë — mbi ato që ai cilësoi si “treshja e komunikimit”, që sipas tij janë: “E Vërteta, Mirësia dhe Bukuria”.   Papa Françesku u shpjegoi gjithashtu gazetarëve se si ai erdhi tek vendimi për të marrë emërin Françesk.   Ai u tha atyre se pasi u zgjodh nga konklava e kardinajve, kardinali brazilian, Claudio Hummes i përshpëriti në vesh duke i thënë: “Mos i harro të varfërit”   Fjala të “varfërit”, tha ai, “më mbeti në mendje dhe në zemër”, shtoi ai.   Papa u tha gazetarve se menjëherë më shkoi mendja tek Shën Françesku i Asisit, duke shtuar se, ‘’Shën Françesku ishte një njeri i paqës, njeri i varfër dhe një njeri që e donte dhe e mbronte mjedisin….Unë do të dëshiroja një Kishë të varfër dhe në shërbim të të varfërve”, u tha Papa gazetarëve botërorë.   Shën Françesku rrjedhte nga një familje aristokrate, nga jeta lluksoze e së cilës ai qe larguar për të jetuar me të varfërit e qytetit të tij.

Duke u uruar atyre çdo të mirë në punën e tyre dhe familjeve të tyre, Papa u kumtoi gazetarëve botërorë, bekimin në heshtje, për respekt shtoi ai, pasi “jo të gjithë të pranishmit i përkasin fesë Katolike dhe ka të tjerë që as nuk besojnë.   Unë respektoj ndërgjegjen e secilit prej jush, duke ditur se secili prej jush është fëmij i Perëndisë”, përfundoi Papa

Papa Françesku e përfundoi fjalimin me rastin e inaugurimit të tij dje, me një mesazh shprese për të gjithë, duke thënë se, “në mes të errësirës së madhe, ne sot kemi nevojë të shohim dritën e shpresës dhe të bëhemi burra dhe gra që sjellim shpresën për të tjerët.   Për të mbrojtur krijesat e Perëndisë, për të mbrojtur çdo burrë e grua, dhe duke i konsideruar ata me dashuri dhe dhemshuri, do të thotë të hapësh një horizont shprese për ta, si një dritë që depërton retë e zeza, e që sjellë ngrohtësinë e shpresës për të gjithë.”

Siç i tha gazetës Washington Post Arkipeshkvi Italian Giancarlo Maria Bregantini, Papa Françesku, “Nuk të le përshtypjen e një profesori.   Ai flet si një mik i yti.   Ai i thotë gjërat e mëdha me një ton të thjeshtë.’’  Si i tillë, shënjat e para – duke u bazuar në deklaratat e thjeshta por të sinqerta si dhe në sjelljet e deritanishme –janë se me inaugurimin dje të Papës Françesk, gjërat do të ndryshojnë në Vatikan për nga stili po se po, por duket se edhe nga përmbajtja.   Por vetëm koha do të tregojë se cili do të jetë roli që ai do të luaj dhe influenca që ai do të ushtrojë në të ardhmen, brenda Kishës që ai kryeson si dhe në mbarë botën.

Filed Under: Kronike Tagged With: Frank shkreli, Inagurohet Papa Frenacescu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5539
  • 5540
  • 5541
  • 5542
  • 5543
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT