Ngritja e një familje të persekutuar/
Nga Enver Memishaj/
Që në fëmijërinë time kishja dëgjuar për familjen Konomi. I pari tyre Dhimitër Konomi kishte qënë një atdhetar i njohur, bashkëluftëtar i major Ahmet Lepenicës në Luftën e Vlorës 1920 dhe më pas i Hysni Lepenicës.
Por në atë kohë të terrorit për këto miqësi duhet të heshtje… Koha e solli që në vitin 1985 unë të punoja me të ndierin dhe të pa harruarin Ilia Konomi, djali i Dhimitrit. Shumë shpejt u afruam dhe u bëmë miq, e kuptonim njeri tjetrin në heshtje dhe fillimisht nuk guxonim të flisnim për të parët tanë. Ndryshe nga vëllezërit që e kishin çarë udhën e jetës me dituri dhe aftësi profesionale, Ilia e kishte çarë udhën e jetës me “shpatë” në dorë: punëtor i pa lodhur, shofer dhe mekanik i aftë, ishte i vetmi që bënte rrugën e rrezikshme të Himarës me një makinë të madhe, i pa përkulur para çdo vështirësie, kryelartë edhe pse ishte përjashtuar nga partia sepse vëllezërit e tij Bebi, Spirua dhe Astriti ishin dënuar si “armiq të popullit” dhe ai vetë ishte në përgjim nga Sigurimi i Shtetit… Miqësia me familjen Konomi, u shtua pas vitit 1990, ashtu si të parët tanë u gjendëm në vijën e parë të luftës për të përmbysur diktaturën komuniste.
Vëllai vogël i Ilias, inxhinjer Fatos Konomi, kishte ecur sipas parimit që thonë italianët: “Gatë dhe qetë prej vendit tënd” kishte vajtur në Vuno dhe kishte zgjedhur Dorotean, vajzën më të bukur të fshatit, por që bukurinë e vërtetë e kishte në shpirtin dhe karakterin e sajë. Vajza nga Vunoi erdhi në Vlorë dhe ushtroi profesionin më fisnik nën diell atë të mësuesisë dhe shumë shpejt, u bë e njohur dhe e respektuar në qytet.
Pas vitit 1990, ajo tregoi fisnikërinë e familjes nga vinte por edhe të familjes ku kishte vajtur nuse dhe u bë përfaqësuese e denj e femrës vlonjate. Për këto gra duhet folur e shkruar.
* * *
Jeta e njeriut ngrihet mbi një bazë që nis të ndërtohet në fëmijeri. Dorotea kishte lindur në Vuno në vitin 1949, aty u rrit e hodhi shtat, së bashku me vëllan Petraq Pavllo.
Familja Pavllo është me rrënjë të thella në fshatin Vuno, shtëpia e tyre e ndërtuar në vitin 1806, ka formën e një kalaje që tregon krenarinë dhe qëndresën ndaj rrebesheve të kohës.
Shkolla e Vunoit “Naqe Konomi”, me tradita atdhetare, si dhe prindërit, formuan tek Dorotea, vajza e tyre e bukur si një lule mali, karakterin e femrës së vërtetë shqiptare, të përkushtuar ndaj familjes, besnike deri në vdekje, e etur për dije dhe shqiptare e vërtetë.
Studimet për histori-gjeografi përcaktuan të ardhmen e saj si arsimtare, pasi mundësitë për zgjedhje në atë regjim nuk ekzistonin.
Profesioni i mësuesit u bë pasioni vajzës së re, ku shfaqi aftësitë dhe talentin dhe me gjith rrethanat jo të favorshme politike ajo mbijetoj në arsim për afro 30 vjet.
Dorotea punoi për shumë vite në shkollen e Ujët të Ftohtë, si mësuese e histori-gjeografisë.
Lufta e klasave e kërcënonte çdo ditë të jetës, sepse tre vëllezërit e bashkëshortit të sajë Fatosit u burgosën si “armiq të popullit”, ndërsa i katërti Ilia u përjashtua nga partia për munges vigjilence sepse nuk kishte denoncuar vëllezërit e tij!
Dorotea dhe Fatosi e përballuan persekucionin me punë, me aftësi e kompetencë profesionale me ndershmeri dhe qytetari.
Dorotea që në fëmijëri kishte ndier pakenaqesinë ndaj sistemit çnjerzor që u kishte marrë pronat dhe i kishte lënë në vuajtje, por edhe atje ku vajti nuse kishte gjetur një familje po kaq fisnike që fillimisht kishin përkrahur komunistët, por kur e panë fytyrën e vërtetë çnjerzore të këtij sistemi u bënë kundështarë të vendosur të tij.
Kështu mësuese Dorotea u bë një kundështare e vendosur e komunistëve dhe një luftëtare e heshtur.
* * *
Në këto rrethana Levizja Demokratike që nisi në vitin 1990, pasqyronte shpirtin, ndjenjat dhe idealin e saj, prandaj atë e thirri një zë i brendshëm: përpara. Dorotea dhe Fatosi nuk u ndalën asnjë çast por u ndodhën në krye të Lëvizjes Demoktratike në Vlorë sepse ata shihnin në këtë lëvizje realizimin e ëndrrave të tyre dhe asgjë nuk i ndaloi për të ecur përpara në udhën e vështirë dhe plot të pa pritura të demokracisë.
Pa u zgjatur shumë në këtë periudhë, do ta tregoj aktivitetin e Doroteas duke filluar nga pranëvera e përgjakur e vitit 1997, kur edhe shumë burra në atë periudhë u tërhoqën ose heshtën. Dorotea, gjatë vitit 1997 u gjend ashtu si në vitin 1990 e 1991 në ballë dhe në udhëheqie, duke u bërë shembulli për për femrën vlonjate. Kështu ajo eci nën shembullin e grave të shquara vlonjate që kishin luftuar me armë në vitin 1913 në qafë të Llogorasë, më 1914, më 1920 e gjatë pushtimit fashist 1939-1944.
Dorotea me thirrjen e Prof. Pëllumb Çelës, i deleguar i Partisë Demokratike në Vlorë, ju bashkua atyre vlonjatëve trima që rikrijuan në kushtet e terrorit të komunistëve të Vlorës Degën e Partisë Demokrative të këtij qyteti. Ajo u zgjodh në udhëheqie të kësaj Partie dhe mbeti aty deri në ditët tona:
— anëtare e kryesise se PD-së Vlore ku vazhdon te jetë deri në vitin 2013, kur duhet të bëhen zgjedhje të reja,
— nga viti 2001 deri ne vitin 2009, për dy mandate rrjesht, ka qenë zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, si e vetmja grua në politikë, përfaqësuese e qytetit të Vlorës për 8 vjet,
— ka qënë disa herë në projekt listën e kanidatëve për deputete në Kuvendin e Shqipërisë,
— në vitin 2003 u zgjodha anëtare e Këshillit të Bashkisë së qytetit të Vlores deri në vitin 2007, ku ka shfaqur vetitë e sajë si intelektuale e qytetare por e vendosur për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën dhe politikën e Partisë Demokratike që përfaqësonte,
— në vitin 2005, me fitoren e Partis Demokratike, u emërua Sekretare e Përgjithshme e Institucionit të Prefektit të Qarkut Vlorë, pozicion te cilin e ushtroi per kater vjet.
Kështu jeta politike ka zënë pjesën më të madhe të kohës së kësaj gruaje, raporti midis saj dhe jetës private që duhet t`i kushtonte familjes, bashkëshortit dhe dy djemve, tregon fare qartë përkushtimin e kësaj gruaje duke u bërë gjithnjë shembull për të gjitha femrat e veçanërisht të grave të qytetit të sajë dhe më gjerë.
Por edhe familja e sajë, vaçanërisht bashkëshorti Fatosi, ka qenë një prapavijë e sigurt nxitëse, inkurajuese e vendimtare për të përballuar dhe për të ecur përpara në detyrën dhe idealin e saj.
Ne vitin 2007, pas zgjedhjeve lokale, Dorotea Konomi ishte zëvëndësisht Prefekte e Qarkut të Vlorës, qarku i tretë në Shqipëri për nga madhësia, detyrë të cilën e kreu me aftësi dhe kompetencë profesionale për një vit.
Ishte prefektja e parë femër në historinë e Qarkut të Vlorës dhe i duhej që të paraqiste veten si përfaqësuese të denj të femrës vlonjate, Dorotea thotë se: “Ne kryerjen e kësaj detyre të lartë për mua ka qenë shumë me rëndësi motivimi dhe mënyra për të prezantuar pozicionin që mbaja. Jam përpjekur t’i jap dimensione të tilla në mënyrë që të krijoj hapesirë edhe për të tjerët dhe, për palën tjetër të pushtetit, të opozitës.
Vështirësitë dhe situatat problematike kanë qenë të shumta sidomos pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, në konstituimin e pushtetit lokal, këshillave të bashkive dhe komunave.
Lufta politike për t’i fituar aleancat, bëri që në pjesën më të madhe të tyre këto këshilla të fitoheshin nga Partia Demokratike. Mendoj se principet e qarta për detyrën më kanë dhënë mekanizmin për të zgjidhur problemet, sado vështirësi që paraqisnin.
Nga ana tjetër kam vlerësuar problemet e të tjerëve, u jam përgjigjur kërkesave të tyre duke përdorur një administrim të efektshëm, gjë që ka sjellë që shumë probleme konkrete të zgjidhen dhe shpesh të marr vleresimin e qytetarëve të Vlores.
Në tryezat e dialogut dhe të marrëveshjeve kam qënë këmbëngulese në zbatimin e politikave të tilla të cilat u kanë dhënë të dy palëve të pushtetit ekulibër, hapsirë veprimi, por asnjëherë nuk e kam lejuar devijimin, duke qenë edhe e ashpër por pa dalë jashtë vetes”.
Këto thotë Dorotea për vete, ndërsa shtypi e ka cilësuar se “ Ka drejtuar prefekturën me thjeshtësi, dinjitet dhe mjaft cilësi”.
Një grua që synon të bëjë karrierë profesionale dhe politike duhet të jetë e kompletuar intelektualisht, por në të njëjtën kohë të ketë edhe idealin dhe bindjen për të arritur qëllimin, gjë që nuk i kanë munguar Doroteas. Shoqëria jonë ka nevojë për gra të tilla që përveç sa citova më lart të kenë edhe ndershmerine në kryerjen e detyrës dhe guximin.
Jeta e Dorotea Konomit, jetë aktive, shoqërore dhe politike ka bërë që të shërbejë si përvojë dhe vlerë për femrën vlonjate.
Prej tre vjetësh, Dorotea është drejtuese e Qëndrës Kulturore të Fëmijëve në qyetin e saj, duke shfaqur vlera si organizatore e punes.Kjo ka bërë që të ndryshoj dhe të gjallëroj jetën e kësaj qëndre ku gjejnë lulëzim talentet e femijeve.
Kur e pyet Dorotenë për politikën të përgjigjet: “Jeta politike vazhdon krahas punës dhe familjes, si mënyrë të jetuari, e pandarë nga jeta intelektuale së cilës i jap rëndësi të veçantë. Jam krenare për dy djemtë e mi të cilët ecin në udhën intelektuale dhe demokratike të prindërve të tyre“.
Kënaqësinë më të madhe Dorote Konomi e gjen tek vlerësimi i lartë i qytetarëve të sajë gjë që është shprehur midis të tjerave në një anketim në gazetën “Vlora“, ku midis drejtuesve dhe intelektualëve vlonjatë ajo është cilësuar me të drejtë: “elita intelektuale e gruas në politikën vlonjate“ (Shih: Gazetën „Vlora“, dt. 26.6.2006; 3.7.2006)
Gra të tilla si Dorotea Konomi duhet të jenë kanidate për deputete në zgjedhjet e 23 qershorit pasi vetëm këto janë vlera të vërteta të shoqërisë sonë.