• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NATA “ E ZJARRTË” E NIKAJ-MËRTURIT…

January 22, 2013 by dgreca

Shkruar nga: Prof. Murat  Z.Gecaj/

1.

Ndoshta, shumëkush nuk e di, se ku ndodhet krahina e Nikaj-Mërturit, por shpesh dhe e emërtuar “Lekbibaj”. Pa bërë shumë “gjeografi”, shënoj këtu se ato dy fise, me emrat Nikaj e Mertur, shtrihen në pjesën perëndimore të  Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Kufizohen, po në atë drejtim, me Dukagjinin e rrethit të Shkodrës. Në 12 fshatrat e asaj krahine, historikisht, jeton një popull me tradita të lashta dhe të njohura, si besa e burrëria, trimëria, respekti, vëllazërimi e dashuria për lirinë dhe virtyte  të shumta, të njohura të shqiptarëve. Si në  gjithë krahinat tjera, popullsisë së atyre anëve u është dashur që, ndër breza, të përballen jo vetëm me vështirësitë e natyrës së egër alpine, po dhe me sulme të njëpasnjëshme të armiqëve pushtues. Por kurrë nuk janë gjunjëzuar dhe prej andej janë kthyer me turp, komandantë ushtarakë të huaj,  krajla e pashallarë të Stambollit. Po, për fat të keq, përvoja të hidhura  provuan e përjetuan ata edhe në 50 vitet e regjimit monist, që kaluam të gjithë në Shqipëri. Prandaj ndodhi që, pas vitit 1990, shumë djem e vajza ose familje të asaj krahine, morën udhët  e largëta, për një jetë më të mirë. Disa qëndruan në krahina të tjera të vendit tonë, por dhe jashtë tij, pra në shtete të ndryshme të Europës dhe deri në Amerikë.

Për këto fakte, që përmendëm fare shkurt,  dëshmon historia, e shkruar ose jo; për këto të vërteta flasin këngë e rapsodi, që nga ato të Mujit e Halilit, që në Nikaj-Mërtur e kanë zanafillën ose burimin e tyre legjendar.

2.

Të largohesh nga vendlindja, është dhimbje e madhe dhe përjeton shqetësime të shumta, kudo që ndodhesh e punon dhe sado mirë të jetosh. Por është ende më tronditëse, nëse e harron truallin e të parëve tu. Për fat të mirë, “mërgimtarët” e rinj, të fiseve Nikaj e Mërtur, nuk ia kanë kthyer shpinën shtëpive e tokave të tyre, rudinave e pllajave me bimësi të rrallë, burimeve ujëkristalta e bjeshkëve me aha e  pisha shekullorë, ku bora nuk shkrin as në stinën e verës. Për këto, dëshmitare janë edhe faqet e ndryshme të Internetit, ndër të cilat “Facebooku”. Aty shpesh lexojmë njoftime dhe shohim, sa e sa fofografi të bukura, që flasin për udhëtimet e pandërprera të banorëve të atyre krahinave, sidomos nga të rinjtë e të rejat, bile edhe kur vijnë nga jashtë shtetit, nëpër gjurmët e vendlindjes së tyre ose të paraardhësve.

 

Por është edhe një “dëshmitar” shumë i fuqishëm i mos harrimit dhe i kujtesës së vendlindjes, nga nikajmërturasit. Ja, ka disa vjet që është formuar shoqata emërmirë, “Nikajmërturi”, me qendër në Tiranë. Natyrshëm, ndjen kënaqësi, kur mëson se degë të kësaj shoqate janë formuar, vitin e kaluar, edhe në Gjakovë e Shkodër. Sigurisht, ky proces afrimi, bashkimi e vëllazërimi ndërmjet tyre do të vazhdojë  më tej. Por kjo Shoqatë ka botuar edhe disa numra të gazetës mujore, që mban po atë emër dhe tani drejtohet nga arsimtari Dedë Qokaj.

3.

Sigurisht, kanë domethënien e tyre, ato që shkrova më sipër. Por nuk është ky qëllimi kryesor i këtij shkrimi. Pra, dëshiroj  t’i njoh shkurtimisht lexuesit me një përvojë shumë të bukur, që ka nisur pak vite më parë dhe që vazhdon me sukses tani. Nuk e harroj një takim, në Tiranë, me ish-kryetarin e komunës së Nikaj-Mërturit, Dedë  Malaj. Ai po projektonte mendimin për çeljen e një gazete të krahinës, si dhe organizimin e një shfaqjeje masive në kryeqytet, pikërisht kushtuar traditave atdhetare e kulturore të saj. Prandaj kërkonte mbështetjen e intelektualëve, biznesmenëve  dhe dashamirësve të Nikaj-Mërturit.  Pa u zgjatur, rikujtoj këtu se u organizuan dy shfaqje madhështore, me këngë, valle e recitime, njëra në Teatrin e Operas e Baletit dhe tjetra në Pallatin e Kongreseve. Ndërsa, gjatë vitit të kaluar, veprimtari të tilla masive u organizuan me sukses, nga kjo Shoqatë, në qytetin verior “Bajram Curri”, por dhe në qytetin e Gjakovës.

Tashmë, këto që tregova i përkasin së kaluarës. Por na vjen mirë, kur jemi dashmitarë të mbajtjes gjallë të kësaj tradite me shumë vlera, për të gjithë moshat, por sidomos për brezin e ri. Kështu, në mbrëmjen e datës 18 janar 2013, një natë tjetër magjike dhe “të zjarrtë”, përjetuan nikajmërturasit, por  dhe të ftuarit nga Kosova, si Gjakova e Peja dhe nga Tuzi i Malit të Zi. Në mes tyre ishin edhe personalitete të njohura, me origjinë nga ajo krahinë, si: Akademiku Mark Krasniqi, “Artistja e Popullit” Tinka Kurti, drejtori i Arsimit të Gjakovës, Zef Osmani, Ramiz Gërvalla, Gjokë Geci e të tjerë. Po kështu, kishte përfaqësues të shoqatave simotra, si nga ajo “Bytyçi”, me kryetar av.Agron Gjedia.

Shfaqja, e titulluar “Nata e  Nikaj-Mërturit”, ishte organizuar nga veprimtarët e palodhur të Shoqatës, po me këtë emër, që tani ka kryetar av. Gjin Niklekaj dhe me zëvendëskryetarë, Mëhill Gecaj e Dedë Malaj. Ajo ishte në vazhdim të veprimtarive kushtuar vitit jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ideja e shfaqjes dhe realizimi ishin nga Dedë Malaj, me udhëhqës artistik Kolë Susajn dhe skenar nga Marash Mëhilli, me koordinator Ndoc Malajn e koreograf Vis Hetën. Ndërsa kostumet ishin nga  Lek Pecnikaj, skenografia nga Pirro Pjetërnikaj dhe stiliste ishte gjakovarja Bora Balaj.

Për përgatitjen dhe realizimin e tërë shfaqjes kishin ndihmuar disa persona dhe sponsorë ishin: “Drita Travel&Tours, me president Pashk Prekën; Universiteti “Kristal”, baste live “Joy Lloto”, Hotel “Agron”, “Gurra Security”, me president Agron Qokën; Bar-Kafe “Oslo”, me pronar  Shpëtim Marvatën; live music, Club “Boleros”.

4.

Sipari i shfaqjes u hap me daljen në skenë të gupit të burrave, “Akapelo” dhe të drejtuesve, Marashit dhe Etlevës. Me aftësi të veçantë, ata i paraqitën në skenë, njëri pas tjetrit, të gjithë numrat e përgatitur, secili më i bukur e më tërheqës se tjetri. Të gjithë ata i përshkonin temat për traditat atdhetare, liridashëve e perparimtare, fryma e bashkimit kombëtar shqiptar etj. Sigurisht, vëmendja e të pranishmëve u përqendrua te gjurra e pashterrshme popullore, pra te foklori mjafi i pasur  i kësaj krahine, me larminë e luleve alpine shumëngjyrëshe.

Mund të përmendim mjaft numra të paraqitur dhe autorë të tyre. Ndër ta, u duatrokitën nxehtësisht këngëtarët Zef Beka, Gofile Papleka, Prekë Mrishaj e Lekë Pecnikaj, por dhe Nikolin Përpali, Gjin Pepkola, Gjergj Gjoni, Gjokë Mula, Fjoralba Syla, Bardhok Mehmeti, Ndue Nikolli etj. Këngët u kushtoheshin traditave të pasura të krahinës së njohur në histori, Nikaj-Mërtur, luftës së banorëve të saj shumëvjeçare, për liri e pavarësi dhe përparim të gjithanshëm. Por kishte edhe këngë lirike, si ajo e interpretuar nga Bardhok Prebibaj dhe  këngë ritmike të kohës së sotme, nga disa të rinj e të reja, si dhe ato luajtur me vegla të ndryshme, nga nxënësit e Liceut Artistik “Jordan Misja”, në kryeqytet. U duartrokitën nxehtësisht, gjithashtu,  trioja në këngën “Më pëlqen” dhe vajzat nga Gjakova,  motrat Bushi. Mjaft të bukura e me ngjyra të ndezura ishin kostumet popullore të krahinës, si të femrave dhe të meshkujve, të cilat u paraqitën në sfilatat e përgatitura me shijë artistike. Pas daljes në skenë të disa “zanave”, skenë, dy prej tyre u shpallën fituese, njëra nga Nikajt e tjetra nga Mërturi.

Larminë e kësaj veprimtarie e pasuroi edhe shpallja e vendimit të Këshillit të Komunës së Nikaj-Mërturit, e cila kishte vendosur t’u jepte titullin “Qytetar Nderi”, disa figurave të njohura, nga kjo krahinë ose me prejardhje prej saj. Me këtë rast, dëshmitë përkatëse iu dorëzuan me ceremoni dhe duartrokitje të nxehta: Përfaqësuesit të znj. Ahtifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës; z.Ramiz Gërvalla, Dr.Gjergj Papleka, z.Zef Osmani, z. Dedë Qokaj e z. Zef Doda.

Në mbyllje të shfaqjes artistike të nikajmërturasve, e cila e “ndezi” edhe një herë tjetër Pallatin e Kongreseve në kryeqytet dhe që zgjati mbi tri orë, qindra të pranishëm në sallë i ndoqën  me shumë kënaqësi  grupet masive të këngëtarëve e valltarëve, me flamuj kombëtarë ndër duar, të cilët interpretuan me mjeshtëri këngën kushtuar krahinës së bukur  Nikaj-Mërtur, si dhe atë me titullin “Jam shqiptar, kuqezi”.

…Pas kësaj shfaqjeve  mjaft mbresëlënëse, e cila e vazhdoi jehonën e saj edhe nëpër familjet nikajmërturase e më gjerë, për të ftuarit dhe artistët amatorë u shtrua një darkë, në Shtëpinë Qendrore të Kulturës së Ushtarakëve të Tiranës. Gjithashtu, aty vijuan deri vonë, gëzimi e hareja e pjësëmarrësve, me  këngë e valle popullore. Mendimi i organizatorëve, por dhe i dashamirësve të shumtë të veprimtarive të tilla, ishte se ato do të vazhdojnë përsëri edhe në të ardhmen.

Tiranë, 20 janar 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Murat Gecaj, nata e zjarrte, Nikaj-merturit

PERKRAHJE PER SHQIPTARET E LUGINES SE PRESHEVES

January 22, 2013 by dgreca

Shqiptarëve të Amerikës!

Organizatave shqiptare në  cdo qytet amerikan!

Institucioneve fetare të  komunitetit shqiptar të  Amerikës!

Të nderuar bashkëkombas!

Shoqata KOMBI e Worcester,Massachusetts dënon dhunën e përdorur nga regjimi serb me heqjen e lapidarit të  dëshmorëve shqiptarë në  Luginën e Preshevës!

Ne jemi të  indinjuar që  paqja në  Luginën e Preshevës është e kërcënuar dhe u jemi në krah vendorëve dhe popullsisë shqiptare, vëllezërve tanë të një gjaku që me dinjitet po përballojnë presionin militar dhe policor të Serbisë!

Në vijimësi do kërkojmë që, Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rikthjejnë dialogun midis vendorëve shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe Qeverisë së Beogradit dhe të monitorojnë ushtrimin e të drejtave njerëzore nga shqiptarët sa më parë!

Ftojmë të gjitha komunitetet shqiptare dhe Organizimet e tyre në Amerikë , ti bashkohen kësaj thirrjeje që ti drejtohemi me një Zë Qeverisë Amerikane për një  përkrahje unanime për vëllezërit tanë të Luginës së Preshevës!

Këshilli Drejtues i Shoqatës KOMBI

22 Janar 2013

Worcester, Massachusetts, SHBA

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Artur vreka, per Luginen e Presheves, perkrahje, Shoqata Kombi

BASHKIMI YNË I PARË, AI SHPIRTËROR…

January 21, 2013 by dgreca

(Mendime, pas dy ftesave, nga një koleg gjakovar dhe një arbëresh)

NGA MURAT GECAJ

Sidomos kohët e fundit, pas festimeve madhështore e të paharruara të  100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, po flitet në vijimësi për një temë “të nxehtë” të ditëve tona, pra për Bashkimin Kombëtar. Në këto çaste, kur po i shkruaj këto radhë, së pari, po më kujtohen vargjet e një kënge-kushtrim, të cilën e dëgjoj shpesh. Atë e kam në një kastetë dhe e vendosu në manjetofonin te koka e krevatit, në dhomën e fjetjes. Nuk më kujtohen tani me saktësi vargjet e saj, por njëra nga ato i drejtohet Europës, me fjalët e një atdhetari shqiptar: “ A i mban mend ti trojet e mia?”, të cilat janë copëtuar në disa shtete te Ballkanit!

Sigurisht, kjo temë shumë e rëndësishme e diteve të sotme për Kombin tonë, kërkon sa e sa shkrime dhe libra. Po unë u nisa për të shkruar këtë skicë nga fakti,  se këto ditë mora dy ftesa për të qenë në veprimtari, që organizohen, njëra në Gjakovë dhe tjetra në Durrës. E di fare mirë se dhe kolegët e mi marrin shpesh ftesa të tilla, për të shkuar në përvjetorë shtypi e ditëlindjesh, në përurime librash, ekspozita të ndryshme e tjerë.

Po, meqenëse këto dy ftesa i “lidha” me njëra-tjetrën, për të ilustruar sadopak mendimin e shprehur, që në titull, po i tregoj ato shkurtimisht. Kështu, u mbushën 5 vjet që, në qytetin e Gjakovës, nisi të dalë revista e ilustruar, me titullin “Gjakova Press” dhe me kryeredaktor Zeki Vehapin. Nuk e kam të saktë numrin e tyre, por mjaft nga ato revista i kam të ruajtura në bibliotekën time. Sepse m’i sjell, herë pas here në Tiranë, kolegu e miku im, arsimtari dhe publicisti Ibrahim Hajdarmataj. Meqenëse ai jeton familjarisht në fshatin Zogaj të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), pra vetëm  afër 5 km larg Gjakovës, shkon atje dhe kolegët e redaksisë i japin me dashamirësi kopje edhe për mua. Gjej rastin t’i falenderoj nga zemra për këtë gjest të bukur, pasi në ndonjë nga këto revista kanë publikuar edhe shkrime të mijat! Për të festuar këtë ngjarje të gëzuar, ata më dërguan dje ftesë në e-mailin tim, që të marr pjesë në ceremoninë e rastit. Ajo organizohet ditën e martë, datë 22 janar 2013, ora 14.00, në restorantin “Svis Bistri”(te stacioni i autobusëve të Gjakovës).

Rasti i dytë ka të bëjë me një mik paksa më të largët, me profesorin arbëresh, Luiss de Rosa. Së pari, atë e kam njohur përmes lidhjeve me Internet e ai më ka dërguar, rregullisht në PDF, numrat e revistës shqip-arbërisht, me titullin “Kumbora”, të cilën e drejton me dëshirë e profesionalizëm. Ndërsa vitin e kaluar erdhi në Tiranë, ku e takova bashkë me mbesën time të vogël 9-vjeçare, Dorelën. Me atë rast, me shkëmbyem libra tanë, pasi prof. Luiss de Rosa ka botuar disa të tillë, një ndër të cilët është një fjalor i dobishëm, shqip-arbërisht. Ndërsa sonte unë mora prej tij, përmes Internetit, një ftesë interesante. Ai njoftonte se, më datën 21 janar 2013, pra ditën e hënë, do të çelet në Galerinë e Artit Pamor të Durrësit, ekspozita “Fshati im, një fshat arbëresh”.

Sigurisht, dëshira ime është e madhe për të qenë i pranishëm në të dyja rastet dhe i falënderoj ata nga zemra. Por i përmenda këto ftesa për të theksuar mendimin se, kështu, duke marrë pjesë në veprimtari të tilla, kulturore e artistike e tjerë,së pari,  ne shqiptarët do të bashkohemi nga ana shpirtërore. Dhe, kur banorët e cilitdo vend qoftë ai, janë të bashkuar shpirtërisht, nuk ka asnjë focë në botë që t’i ndajë as t’i shkëpusë më ata nga njëri-tjetri. Kështu, në një farë mënyre, kjo është edhe përgjigja ime për kolegun e mikun tim, prof. Hulusi Hako,i cili më ka dërguar për ta lexuar shkrimin e tij me titull: “Me hyrjen në Bashkimin Evropian, a zgjidhet autormatikisht edhe çështja e bashkimit tonë kombëtar?” Se, që të hipësh në një shtëpi, nisur nga ajo më e ulta dhe deri te më e larta, mund e duhet të kalosh, vetëm shkallë-shkallë… Ndryshe, me përvojën e tij të mençur mijëravjeçare, populli ynë shprehet, se atëherë “thyen qafën!”

Tiranë, 19 janar 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: bashkimi shpirteror, Murat Gecaj

DITE TE HUMBURA

January 21, 2013 by dgreca

Nga Ndue Ukaj/

Çfarë domethënie të rëndësishme kanë ditët e humbura për një komb, shoqëri apo person, na difton bukur një tregim brilant i shkrimtarit italian, Dino Buxat-it. Ky shkrimtar, që shquhet për një letërsi magjike, në tregimin me titull Ditë të humbura, me pak rreshta, por me një rrëfim të ngjeshur, të shkruar me spirtuozitet e mjeshtëri, nëpërmjet një alegorie të mbrehtë e therëse, trajton ditët e humbura të një pronari të një vile luksoze. Ky pronar, ndërsa kthehej në shtëpi, vë re një burrë me një arkë në shpinë që del nga dera e murit të shtëpisë së tij dhe të njëjtën e ngarkon në një kamion. I habitur, e ndjek me makinë deri te një luginë, ku ndalet kamioni. Aty fillon një debat i ankthshëm mes burrit me arka dhe pronarit. Ky i fundit, pasi i shpjegon burrit arsyen pse e ndoqi, i intereson të dijë më shumë se çka kishte në arka. Burri, qeshet dhe i thotë pronarit se të tilla ka shumë në kamion. Burri i panjohur, e vazhdon punën e tij dhe e hedh arkën në përrua, ku ka shumë arka tjera. Kureshtar tej mase, pronari e pyet:

Çfarë ka brenda?

Burri e shikoi buzagaz: Në kamion kam plot të tjera që duhen hedhur. Ju nuk e dini ç’janë këto? Janë ditët tuaja të humbura.

Pronari i shikoi, ishte një sasi e madhe, ku kishte ditë të tij të humbura, kur ai duhej t’i plotësonte me diçka, kur ai duhej të ishte afër dikujt që kishte nevojë për të. Ai fillon t’i hap dhe vëren momentet të dhimbshme kur ai duhej të bënte ndonjë gjest të mirë, të ishte pranë të dashurve të tij. Ishin ato ditë të shumta që ai i kishte bjerrë kot. Këto ishin ditë të humbura. E në fund të tregimit, pronari i drejtohet burrit:

Zotëri, më jep leje të marrë të paktën këto tri ditë.

Bëhej fjalë për tri ditë të rëndësishme.

Pronari i thotë burrit të panjohur, që i kishte arkat, se, ai ka të holla dhe e paguan sa të donë.

Bartësi i arkave, bën një lëvizje për të treguar diçka që nuk mbërrihej dot dhe për të thënë se tani s’mund të bënte gjë, ngase ishte shumë vonë.

Shqiptarët po humbin ditë, muaj e vite, pa ndonjë arsye të kuptueshme e të justifikueshme, duke u surrogat pas budallaqeve të një kaste politike që është treguar e paaftë me çua këtë komb drejt lumturisë dhe me rreshtua krahas kombeve të qytetëruara. Ambiciet për një jetë më të lumtur dhe më të dinjitetshme, tashmë janë preh e kësaj politikë pa vizion. Ka një kohë të gjatë qyshkur jeta kombëtare vazhdon të vuaj nga një anomali politike e brendshme, ku edhe për gjërat ma banale, lypset ndërhyrja ndërkombëtare, për t’i qetësuar gjakrat e tendosura të politikës sonë. Kjo gjendje, ka pllakos një komb të tërë në një situatë të pashpresë dhe në dëshpërim të thellë.

Në planin historik, kemi humbur shumë dhe atë në mënyrë të pakompensueshme, duke u vonuar gjithmonë në procese tejet të rëndësishme për kombin. Faturën e kësaj, e paguajmë shtrenjtë edhe sot, ngase përmasat e këtyre humbjeve vazhdojnë të na hakmerren. Këtu mundemi me e përmend sidomos raportin tonë me të kaluarën. Ne ende s’ kemi arrit me vu drejtësinë historike mbi të kaluarën tonë. E pikërisht kjo, e ka rënduar ndërgjegjen tonë, edhe ashtu të plasaritur kombëtare. Po kjo ka penguar formimin e një shpirti të përbashkët e të unjësuar kombëtar. Dhe pikërisht kjo ishte dhe vazhdon të jetë njëra nga pengesat kryesore pse sot e kemi kaq vështirë të ecim të bashkuar drejt të ardhmes së përbashkët.

Historia shqiptare vritet qëllimisht dhe atë çdo ditë, sepse politikanët shqiptarë kudo mendojnë se prej tyre dhe me ta duhet të filloj çdo gjë. Kjo ka bërë që shqiptarët tash e një kohë të gjatë, edhe pse në liri, të vendnumërojmë. Në këtë amulli politikë, askund s’shihen shkëndija të ideve të fisme dhe e alternativave të shëndosha. Ndërkaq edhe ato pak debate që bëhen, të lënë përshtypjen se janë sajime që shpeshherë kontrollohen nga një politikë që zotërohet fund e krye nga padija.

Ndonëse një kohë të gjatë janë identifikuar sëmundjet e politikës shqiptare (nga shkrimtarë, publicistë, historianë), akoma s’mund të bëhet fjalë për ndonjë alternativë shpresëdhënëse ndër shqiptarë. Nga ky faj, pak kush mundet të amnistohet. Partitë politike, duke u shndërrua në oaza që prodhojnë të këqija, (kështu mendon opinioni dominues publik), ato s’kanë arrit asnjëherë të hyjnë në ndonjë proces të brendshëm demokratik. Pastaj, duke qenë në këso gjendje, nga to janë larguar gjithmonë njerëzit me identitet e dinjitet dhe kanë mbet militantë e palo politikan, që përtej liderit dhe karriges së tyre, s’shohin gjë. Kjo përshtypje për partitë politike, mund të jetë tepër e ekzagjeruar, por mbizotëron kudo hapësirave shqiptare. Është stërtheksuar fakti se kombit po i mungon një ide e shëndoshë, një ide shtytëse, një platformë unfikuese, e cila do të qartësonte pikësëpari, mbi çfarë principesh dhe parimesh mendohet të ndërtohet e ardhmja e kombit tonë.

Në mungesë të një ideje frymëzuese, shoqëria shqiptare e plagosur, vazhdon të vrojtoj teksa një kastë politikanësh tallet me fatin e një kombi.

Nëse e shtrojmë çështjen e kohës së humbur në kontekstin historik, atëherë e dimë fare mirë se në historinë tonë kombëtare, flitet për zgjimin e vonuar kombëtar, pas periudhës së gjatë e të errët të pushtimit osman. Si rezultat i këtij zgjimi të vonuar, pra ditëve të humbura, shqiptarët ishin të fundit që krijuan shtetin e tyre në Ballkan. Të plandosur në një letargji primitive, me disa sentimente të çoroditura pro pushtuesit, për shqiptarët shërimi i plagëve të rënda të së kaluarës, u bë i vështirë.

Nëse e marrim për bazë porosinë që del nga tregimi i lartpërmendur, shqiptarët s’duhet të lejojnë assesi të humbin ditë dhe t’i hedhin në përrua. Një ditë bëhet tepër vonë dhe ato ditë s’mund të kthehen, veçse për to do ta paguhet tepër shtrenjtë.

Shqiptarët po e humbim kohën kot, duke mos e plotësuar me punë të mira, më vepra të mira, me ide të fisme, me projekte të mira, në mënyrë që nesër pasardhësit të gjejnë një komb të plotësuar, të konsoliduar dhe të shëndoshë, në gjitha pikëpamjet. Entuziastët e paktë, që zakonisht janë pjese e oborreve politike, me ngazëllim thonë s’po humbim asgjë, ndërkaq vrojtuesit objektiv të jetës sonë kombëtare, ankthshëm thonë se po humbim kohë, madje shumë. Pikërisht për këtë, ka kohë qyshkur një pjesë e mirë e inteligjencies thërret për rizgjim kombëtar, duke dhënë alarmin se kambanat po bien për ne.

Duke i vështruar proceset politike nëpër hapësirat shqiptare, njeriu s’ka sesi të mos ndjej ankthshëm frikën e kohës së humbur. Kur shohim gjitha kombet europiane si jetojnë në paqe, të qeta e të lumtura, lulëzojnë ndër arte dhe sport, kanë mirëqenie dhe respekt ndërkombëtar, s’ka sesi mos të shqetësohemi për moslumturinë tonë, për gjendjen tonë të mjerë sociale, për imazhin e rënduar kombëtar dhe perspektivën e zymtë kombëtare.

Ne kemi një politikë që vazhdon paturpësisht avazin e vetëkënaqësisë dhe mburrjes. Ne kemi në skenë një politikë që s’e njeh autokritikën dhe përgjegjësinë për atë që bënë, por edhe për atë së s’e bën. Kësisoj çfarë është politika shqiptare e shkëputur nga jeta reale, ajo flirton me lirinë e këtij kombi, me historinë e këtij kombi, me të tashmen e këtij kombi dhe natyrshëm me të ardhmen e këtij kombi.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për historinë. Shqiptarët edhe pse tani një kohë të gjatë jetojnë në liri, siç e thamë më lart, ende s’kanë arrit të flasin për drejtësinë historike. Në mungesë të kësaj drejtësi, shqiptarët tashmë kanë humbur busullën e orientimit. Kjo ka shpërfaq edhe një krizë identiteti, sidomos të theksuar te disa qarqe neoosmane, që përpiqen ta ndërrojnë rrotën e historisë dhe ta përmbysin historinë reale shqiptare, në favor të një historie të sajuar nga politikanë halabakë dhe pseudohistorian.

Shqiptarët, s’kanë kohë më të humbin. Ata duhet të zgjohen dhe të luftojnë për çdo ditë të tyre, që të fitojnë kohën e humbur. Ata duhet me vendosmëri t’ju thonë jo degradimeve të brendshme. Një komb i lumtur, në paqe dhe harmoni të brendshme, mund të ndërtohet vetëm atëherë kur sendërtohen raporte të shëndosha brendapërbrenda tij. E dihet mirëfilli se asnjë komb s’e ka ndërtua të ardhmen e tij mbi rrënjë të kalbura dhe me ide utopike.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dite te humbura, Ndue Ukaj

KONGRESI I LUSHNJËS, FLATRA E NACIONALIZMIT SHQIPTAR

January 21, 2013 by dgreca

Nga Eugen Shehu/

  Viti 1919 do të ishte në Shqipëri përmes gjëmimeve të afërta të luftës,ç’ekuilibret politike të Ballkanit i ngjanin një tërmeti në shpërthim ku padyshim trojet shqiptare do të ishin epiqendra e tij.Për sa kohë do të zgjaste ky tërmet dhe çfarë dëmesh mund të pësonin popujt ballkanik kjo natyrisht vendosej diku gjetkë në Evropë.Dhe aspak në qendrat shkencore të sizmiografisë por përkundër,në tavolinat e strategëve ushtarakë.

  Kish mbaruar lufta e parë botërore dhe nëpër kancelaritë e Evropës,çështja shqiptare natyrshëm kërkonte një zgjidhje.Italianët e ulur këmbëkryq në Vlorë dhe rrethet e saja,mendonin të vendosin protektorat të drejtëpërsëdrejtë dhe për këtë u duhej një qeveri kukull.Kohë më parë,kishte qenë Sonino,ministri i jashtëm italian i cili pat urdhëruar që të formohej një qeveri shqiptare por : „… me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë dhe me autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej nesh me përjashtim të Vlorës dhe hinterlaudit të saj „.(I dokumenti diplomatik  italiani – Seria VI-volumi I,dokumenti 402 ).

Kësisoj u përgadit dhe u thirr Kongresi i Durrësit prej nga edhe doli qeveria e tij.Për hir të së vërtetës duhet thënë se kjo qeveri jo vetëm nuk u kujtua për hallet e popullit aq të mëdha në ato kohëra,por përkundrazi,ajo u kthye në një vegël të verbër në duart e pushtuesve italianë. Marrëveshjet e firmuara nga kjo qeveri me atë italiane ishin koncensusi dhe të hapura që  i bëheshin pushtimit të mëtejshëm italian. Dokumenta të tëra flasin për atë fakt makabër sipas të cilit vendosja e protektoratit italian ishte ndër prioritetet e qeverisë së Durrësit.Po,ishin pikërisht antarët e këtij kabineti që urdhëronin me anë të një telegrami,të gjitha organet vartëse,për të bërë ç’ishte e mundur që të përkujtohej 3 qershori i vitit 1917,ditë e cila sipas administratës italiane ishte shpallja e pavarsisë së shqiptarëve.Hidhej baltë kësisoj mbi përpjekjet titanike të popullit tonë për shpalljen e pavarsisë në nëntorin e vitit 1912.Përdhoseshin rrëkejtë e gjakut të derdhur,mohohej një epope e ndritur.Gjithësesi populli ynë asnjëherë nuk u pajtua me morri të tilla.“Dita e indipendencës së Shqipërisë është me 28 të vjeshtës së tretë“ – thuhej në një letër përgjigjeje të bashkisë  së  Elbasanit, e cila  e shikonte „ të panevojshme festëtimin popullarisht të çdo dite tjetër si ditë shpalljeje të vetëqeverimit shqiptar.” Edhe në rrafshin diplomatik ndërkombëtar,qeveria e Durrësit bëri gabime të mëdha.Ajo kurdoherë nuk dorëzoi qëndrimet aneksioniste italiane por u përpoq të zbuste protestat e popullit ndaj synimeve italiane.Vlen të përmendet këtu fakti që edhe delegacioni i qeverisë së Durrësit që vajti në Konferencën e Paqës në Paris,megjithëse foli shumë për kufijtë etnike,nuk tha asnjë fjalë për Italinë që po ashtu si fqinjët tanë të tjerë ishte gati të coptonte trojet shqiptare.

Parë në këtë kand,mund të themi se ka qenë e domosdoshme një zgjidhje tjetër politike.Rrethet përparimtare të djelmërisë shqiptare bërë gjithashtu të njohur marrëveshjes Titani-Venizellos e 29 korrikut 1919. Cetat e nacionalistëve në jug të Shqipërisë po përballeshin me sulme të mëdha të forcave të Zogratos. Korça e Gjirokastra,kishin muaj të tërë që kalonin nëpër  sulme e beteja ku nacionalistët me zjarrin kurdoherë ndezur të patriotizmës ndalnin ofensivat greke duke i falur atdheut dhe jetët e shtrenjta. Azem Bejta dhe H.Budakova,shkruanin në po këtë kohë epopenë e përgjakur të Kosovës në luftë me armikun shekullorë,serbinë.Malet e Dibrës,ujërat e Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë,ishin të mbushura me shungullimën e plumbave dhe të thirrjeve për liri të Elez Isufit dhe Isuf Xhelilit.

Po në këtë ditë, gazeta „POPULLI“ do të shkruante ; „Të gjithë të pasur,klerikë,intelektualë,patriotë, fshatarë e qytetarë,gra e vajza,kabnë detyrë me ju ka gati njasaj dite ku fati i Shqipërisë vjen dhe i mbështetet burrnisë dhe fisnikërisë së bijve e bijave të saj,për t’i tregue botës se duem me jetue, jena të zot me jetue e meriotojmë me jetue ne vedi“ (Gazeta „Populli“nr 31 datë 15,tetor 1919,artikulli „Dje dhe sot“).

  Në përgaditjen e Kongresit të Lushnjës,një rol parësorë natyrisht që ka luajtur edhe Komiteti „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“. I themeluar në 7 nëntorë 1918 në Shkodër,i drejtuar prej burit trim Hoxha Kadri Prishtina,ky Komitet prej kohësh kish demaskuar qëndrimet servile proitaliane të qeverisë së Durrësit si dhe kish bërë thirrje të hapura për një kuvend kombëtar që do të mund të rrëzonte qeverinë tradhëtare. Kryesia e këtij komiteti ishte ndër të parat që denoncoi urdhërin e ardhur prej Durrësi që në çdo institucion shtetëror të vendosej një komision politik italian.Sipas kësaj kryesie ky urdhër cënonte haptas dhe drejtëpërsëdrejti indipendencën kombëtare politike të Shqipërisë.Ndër të tjera,në këtë protestë publike thuhej se „këtë politikë antishqiptare të Italisë,atdhetarët e vërtetë nuk mund ta përkrahin pa tradhëtuar atdheun e tyre“.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi i Kosovës,Dokumenti 708.800 datë 14.12.1919).

Delegatët e Komitetit „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“,i dënon dhe aprovuan një sërë kërkesash gati ultimative që do të bëheshin që në seancën e parë të Kongresit më 21 janar 1921 të cilat kishin të bënin me rrezikun e qeverisë të Durrësit ku përpos të tjerave dy ishin akuzat më të rënda : Nuk ishte mbrojtur çështja e Kosovës dhe krejt trojeve shqiptare – si  edhe nuk ishte vënë në dijeni populli për asnjë veprim apo traktat të lidhur në kurriz të tij.Kësisoj në ditët e para të janarit të vitit 1921,megjithë pengimet e mëdha të pushtuesve Italianë si dhe veglave të tyre të verbëra,me gjithë përpjekjet e forcave esadiste për të trembur popullin,nga shumica e prefekturave,populli kish zgjedhur me votën e tij të lirë përfaqsuesit e vet,nacionalistët dhe atdhetarët e ndershëm të cilët shkonin në Lushnje,jo për të marrë kolltuqe por për të hedhur mbi supe një barrë të madhe,me peshë historike; të ruheshin kufijtë arbnorë,të luftohej për kufijtë etnike,për demokraci e shtet shqiptar të pavarur. Midis peripecive të panumërta,delegatët nga krejt Shqipëria udhëtuan në fund janarin e vitit 1920 drejt qytetit të Lushnjës.Orvatjet e qeverisë dhe forcave ushtarake italiane nuk i penguan kongresistët patriotë të çelin seancën e parë të Kongresit më 21 janar duke deklaruar së parri rrëzimin e qeverisë së Durrësit, e cila prej kohësh pat tradhëtuar interesat kombëtare. Forca vullnetare popullore nga Elbasani,Durrësi,Peqini,Berati,Muzeqeja dhe Vlora,bashkuan armët duke vënë në mbrojtje të Qytetit të Lushnjës dhe Kongresit.Ata pritën me entuziazëm ashtu sikundër i gjithë populli thirjen e Komiteti kombëtar të Kosovës se … „Shqiptarët janë gati me ba çdo lloj sakrifice,madje me derdhë pikën e fundit të gjakut të tyne,kundër çdo veprimi që mund të vinte në rrezik pavarësinë e Shqipërisë e të tanësisë së saj tokësore „.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi i Kosovës,dokumenti 708786).

Një vendim historik që pasoi ditët e këtij Kongresi ishte pikërisht edhe ai që hodhi poshtë planin e Konferencës së Paqës për vendosjen e Shqipërisë nën mandatin e një fuqie të huaj. Ky vendim iu bë i ditur menjëherë komandantit të përgjithshëm të trupave italiane në Shqipëri prej kryetarit të Kongresit Aqif Pashë Elbasanit. Delegatët gjithashtu u shprehën njëzëri për luftën e vazhdueshme për trojet etnike shqiptare.Kabineti i sapozgjedhur kryesohej prej Sulejman Delvinës.Përpos të tjerave,në këtë kabinet bënin pjesë Aqif Pashë Elbasani,Sotir Peci,Eshref Frashëri,Hoxhë Kadriu,ndërsa përfaqsues të tyre në Paris u zgjodhën ;Konica,Turtulli dhe Bumçi.

Jehona e Kongresit të Lushnjës u ndie në krejt trevat shqiptare.Mori tjetër hov lëvizja për indipendencë,pasi populli e ndjeu së thelli se qeveria do të mbronte tërësisht interesat kombëtare. Atdhetarët shqiptarë,në shkrimet e shumta të botuara,sidomos në  gazetat „Populli“,“Albania“,“Drita“ dhe „Shqipëria e Re“,vlersuan jo vetëm vendimet e mëdha të dala nga ky kongres,por edhe momentin e madh historik të shpalljes së tyre.Në hapësirat e krejt trevave shqiptare rilindën shpresat e mëdha. Në një manifestim në përkrahje të Kongresit që bëri populli i Gjirokastrës thirrja ushtoi fort në fjalët ; „Vëllezër shqiptarë ! Që kur u formua qeveria e Shqipërisë në Kongresin e Lushnjës,që kur u deklarua independenca e plotë e Shqipërisë dhe u vu në veprim,qeveria Italiane e kuptoi gjallë që jo vetëm nuk mundi të përdorë Shqipërinë si për pazarllëk midis shteteve ballkanike,po edhe Vlora e baza morale e saj humbi për të … shqiptarët pas veprave,pas punerave që shohin,gjykojnë dhe protestojnë rreptësisht.Zëri i tyre,në e lëntë shtetrrethimi i gjeneral Piaçentinit,do të arrijë mbase në vesh të popullit italian.(Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci,1917-1941.Tiranë,botimi i Arkivit Qendror të Shtetit 1959 faqe 32 ).

Kongresi i Lushnjës,vendosi gjithashtu që kryeqyteti i Shqipërisë të jetë Tirana.populli i Tiranës e priti me ovacion këtë vendim dhe rrëmbeu armët duke siguruar rrugën e ardhjes së qeverisë kombëtare.Ishin me dhjetra oficerë të xhandarmërisë shqiptare që nuk iu bindën urdhërave të eprorëve por u bashkuan me popullin duke paraparë tek ky kabinet prijësin drejt të  armes së tyre të lirë e të pavarur.

Kësisoj,Kongresi i Lushnjës,ky akt i kadh kombëtar,i shëmbëllen një agimi të ri që hodhi dritë paprerë mbi situatën dramatike në Shqipërinë e asaj kohe.Përpos një akti të madh ajo mbeti edhe një vizion modern i së nesërmes shqiptare.

 

SHTOJCË DOKUMENTASH TË ARKIVIT LIDHUR ME KONGRESIN E LUSHNJËS

 

– Në prag të Kongresit të Lushnjës,Hysen Zhyra i dërgon Bedri Pejanit kopjen e besës së lidhur ndërmjet shtatë bajraqeve të Pukës më 15-11-1919,ku ndër të tjera theksohet :

1 – Sikur  tërë populli,edhe ne kemi lidhur besë dhe nëse paraqitet nevoja kemi me derdh gjakun për atdhe.

2 – Vrasja me qëllim me marr gjak ashtë ndaluar,e nëse ndesh,shtëpia e gjaksorit digjet dhe bagëtia dhe malli i merret.

3 – Nëse ndokush sjell ndonjë vendim tjetër ne nuk  do ta përfillim.

4 – Me vjedh ose me fyer dikend  morralisht asht e ndalueme

5 – Ai që nuk hyn në këtë besë me tërë familjen do të dërgohet jashtë shtatë bajraqeve në një vend që do t’ia cakton qeveria.

6 – Kjo besë zgjat deri në Shen Gjergj”

( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi 846 , dosja nr 3 , dokumenti nr.703 / 211 ) .

“Prej çdo ane vinin kërkesa për një kongres,por kabineti i Durrësit e italianët bënin ç’është e mundur të pengonin,se Komiteti Kombëtar i Kosovës përpiqej të nxirte leje nga francezët që kongresi të mblidhej në Shkodër,por ata nuk e lejuan”.

( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi Hoxha Kadriu – fleta e kujtimeve , faqe 42-42 ) .

Ishte bërë e qartë se shpëtimi i Shqipërisë mund të bëhej vetëm po të kishte një qeveri kombëtare që të përfaqsonte interesat e popullit në luftë për liri dhe pavarsi.Këtë qeveri ajo nuk e kishte.Një qeveri e tillë mund të formohej vetëm nga një mbledhje e re kombëtare.Ideja e thirrjes së kongresit kishte pushtuar mendjen e njerëzve patriotë gjatë gjithë muajve të fundit të vitit 1919,por akoma nuk qe kristalizuar mendimi unik për të dalë me një thirrje nga një qendër e vetme siç ndodhi më vonë në Lushnjë.Masat organizative për mbledhjen e kongresit në fillim qenë të dobëta.Në këtë drejtim do të ketë ndikuar edhe fakti se kishte akoma elementë brenda dhe sidomos jashtë vendit,të cilët megjithëse ishin kundër Qeverisë së Durrësit, e konsideronin “Vetvrasje” rrëzimin e saj.Elementë patriotë,të mbledhur në Lushnjë,pas diskutimesh më 31 dhjetor 1919 vendosën të thirrej një kongres.Në vendimin përkatës thuhet ; “Tue parë se në këtë kohë në konferencën e paqës do të caktohet fati i atdheut tonë,nga ana tjetër duhet parë se turbullirat e brendshme dhe paqetësia në vend janë të dëmshme për të ardhmen e Shqipërisë e në dobi të synimeve lakmitare të fqinjëve,të gjithë krahinat e Shqipërisë çfaqin dëshirën e plotë për një mbledhje kombëtare të përgjithshme edhe në vendin e mbledhjes kanë pëlqyer Lushnjën,që ndodhet në kufitë e Shqipërisë së Veriut e të Jugës.Lushnja me gjitha krahinat e saja është antare e plotë e kësaj mbledhjeje”.

( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi “Konferenca e Paqës “ dokumenti  51110, datë 31-XII 1919 ) .

Thirja për një Kongres të ri u prit me entuziazëm nga populli shqiptar.Aty ku qenë mundësitë,zgjedhjet e delegatëve u bënë me solemitet dhe u përcuall për në Lushnjë po me të njejtën mënyrë.Në përgjigje që bënte katundaria e Tiranës katundarisë së Lushnjës, p.sh. thuhet ;

“Nisjen patriotike për të mbajtur në qytetin e zotërisë suaj një kongres kombëtar populli i Tiranës i madh e i vogël e priti me gëzim të madh dhe iu falet nderës”.

( Arkivi Qendror i Shtetit, fondi Konferenca e Paqës, dokumenti 51131, data 12-I-1919) Përgjigje e katundarisë së Tiranës thirrjes së Lushnjës për të zgjedhur delegatë .( Ne Foto: Qeveria e Lushnjës parakalon para popullit)

Bern-Zvicër, Janar 2013

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Flatra Kombetare, Kongresi i Lushnjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5608
  • 5609
  • 5610
  • 5611
  • 5612
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT