• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KALENDAR HISTORIK- PERKUJTOJME KRYHEROIN E ARBERIT

January 16, 2013 by dgreca

545 vjetë MA PARË, VDIQ GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU/

Nga Fritz RADOVANI/

Shqiptarët nga i madhi Gjergj Kastrioti Skenderbeu, trashiguen Emnin Shqiptar, po edhe Flamurin me Shqiponjen dykrenare dhe identitetin e vet si Shtet Europjan. Ishte shpata dhe ajo perkrenare që perjetsuen në Trojet Ilire emnin Shqiptar. Ishin Shqiptarët që pa iu tutë syni nuk kanë kursye gjakun e vet, me shkrue Epopenë e Pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skenderbeut…

          Janë edhe sot gurët e Kështjellave heroike Shqiptare të daltuem me tehun e shpatave të Atyne Burrave, që per Lirinë e Atdheut, vdiqën si me lé per Idealin e naltë: “Atdhé e Fé”!

Janë mburojet e pathyeshme ku u perplasen luftat ma të rrebta e ma mizore që ka njohë historia, per me thye dhe me mposhtë Trimin e pashoq të Kështjellës së Krujës sonë Heroike.

Janë Trojet tona të njomuna me gjakun e Atdhetarëve, të pathame edhe sot!

Janë gurrat e lumejëve dhe të prrojeve, e janë edhe shpellat e errta të maleve tona ku edhe sot gurgullojnë vijat e pashterrshme të Gjakut të Shqiptarëve, e prap sot, nuk thirren “kufijë” të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit! Janë shtatoret e Trimit të Krujës, të ngrituna nder Shtetet ma të njohuna të globit, e prap ka nga tradhëtarët tanë që kerkojnë me e mohue e ndryshue historinë!

Janë pasuesit e Atij Burri që me shpaten e vet, i tha otomanëve: “Ndal…e jo, ma ndej!”, dhe, po prap… mbi gjurmët e Tij, Shqiptarët vazhduen luften per mbrojtjen e Lirisë së trojeve tona, e kur ua kerkoi Atdheu per Até dhane edhe jeten. E ku janë Varret e Tyne të bekueme!?

Ku janë Emnat e bashkluftarëve të asaj historie Shqiptare plot lavdi e dafina?!

Jo bré, kështu! Të mos e shuejmë Gjakun e Tyne me “harresë”, apo me një “vrasje” të dytë edhe ma mizore se e para! Per ké dha jeten Gjergj Kastrioti?! Per ké dha jeten Dedë Gjo’ Luli?!…Per ké dha jeten Shqiptari i Hotit, Grudës, Dardanisë, Maqedonisë, Çamërisë, Vorio Epirit..?! E Shteti Shqiptar, prej kujt mori jetë?! – Askush nuk di me tregue! Per ké dha jeten Prekë Cali!? Per ké dha jeten Trimi i Hotit Gjelosh Luli?! E Zalli i Kirit pranë Rrëmajit “heshtë” ku endè, gurtë e tij janë të skuqun…nga një Gjak i freskët dhe i paster i derdhun në mengjesin e një epoke gjakatare, të ardhun naten per hanë e groposë nga sherbëtorët e sllavokomunizmit, gjithnjë të etshëm dhe t’uritun si ujqit e para pesëqindvjetëve, që erdhën nga pyjet e Kaukazit…

Ku janë bré, trojet e harrueme të Atyne Trimave që në vitin 1911 trandën Stambollin, e sot Emnat e Tyne nuk i gjenë as nder librat e shkollave fillore?! Kush mundet me mohue Emnat e Atdhetarëve tanë që gati mbas 500 vjetësh, i thanë turqëve e malazezëve “shporruni këndej” në Hot dhe në Memorandumin e Gerçës, e sot këta Emna nuk permenden fare tue fillue nga Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Palok Traboini, Sokol Baci i Grudës,  Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Col Dedi i Selcës Këlmendit, Tomë Nika i Shkrelit, Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit, Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Gjeto Marku i Hotit, Martin Preka i Shkrelit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës, Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas, Bash Bajrami, Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Marrë nga Revista L.E.K.A. 1937).

Mohohen veprat e Don Nikollë Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Bajram Currit e të sa e sa Herojë dhe Heroinave Shqiptare, që nderuen me veprat e veta emnin e Kastriotit…

***

Me daten 17 Janar 1468, Gjergj Kastrioti vdiq në Lezhë. Mendohet se asht varrosë në Kishen Katedrale të Shen Kollit, që ishte ma e madhja e atij vend e rindertueme prej Tij.

Besniku i Tij Imzot Pal Engjëlli, nga historianët tregohet se ndodhej në Romë, ku me të mërrijtun lajmi i vdekjes së Prijsit të Arbënisë atje,  Gjergj Kastriotit, u nis për Shqipni… “per me marrë nga e veja dhe i biri i Skenderbeut të drejten e mbrojtjes, me garnizone venedikase, të Krujes dhe të kështjellave të tjera.” (Fan. S. Noli, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” fq. 148)

Ma vonë iku dhe e veja Donika e Gjoni, në mbretninë e Napolit mos me u kthye ma!

Në vitin 1478, “dhjetë vjet më vonë, kur pushtuan Lezhen, turqit hapën dhe varrin e tij, që të merrnin copëra të kockave të tija, si hajmali…” (F.S.Noli, po aty, fq. 148)

Sebeliku na informon se “valle vajzash shqiptare, midis buçitjes së betejës dhe zhurmës së armëve barbare, mblidheshin rregullisht çdo tetë ditë mbi kështjellat, ku kishte mbretëruar Skenderbeu, për t’i kënduar hymne Herojt të tyre të vdekur.” (F.S.Noli, fq. 149)

***

Iku Imzot Pal Engjëlli, iku e veja Donika dhe i biri Gjon Kastrioti, ikën gjeneralë, klerikë e laikë nga Arbënia, ikën e vazhdojnë me ikë… Kam lexue dhe jam interesue edhe per shkrime që nuk njihen endè në Shqipni, të dijetarëve dhe shkencëtarëve Fan S. Noli, At Athanas Gegaj, At Marin Sirdani, Milan Shufflay, At Zef Valentini S.J., At Gjergj Fishta, At Justin Rrota, At Daniel Gjeçaj, Prof. Zef Mirdita, Prof. Aurel Plasari e deri tek At Konrrad Gjolaj, dhe nuk kam mujtë me gjetë të shkrueme: “Tue dijtë të gjithë çka kam permendë ma siper se kur turqit do të pushtonin Lezhen, puna e parë e tyne do t’ ishte me shkatrrue kulm e themel Kishen Katedrale të Shen Kollit, si asht e mujtun që askush nuk shpjegon se çka u mendue dhe si asht veprue me Eshtnat e Heroit tonë Gjergj Kastrioti, per mos me i lanë me u dhunue nga turqit?!”

E prap…vazhdoj me mendue!

Emni i Gjergj Kastriotit asht Emni ma i shejtë dhe ma i bekuemi per çdo Shqiptar!

Ai vazhdon me kenë i gjallë edhe sot në boten e perjetëshme t’ Atdheut të vet, në boten e pavdekshme të Shpirtit Atdhetar Shqiptar.

 

Melbourne, 6 Janar 2013.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Gjergj Kastrioti, perkujtojme kryeheroin, Skenderbeu

Arben Rugova (PhaZe) takes Hip-Rock to the next level with new music video

January 16, 2013 by dgreca

By: Nora Kalaja, New York, Prishtina/

PhaZe’s triumphant return from “Jam Shqiptar” music video is followed by another new hit “Breakout”. The song is written by PhaZe (Arben/Benny Rugova), recorded at Soundloft Studios and produced by Hollywood Productions. The music video is directed by one of the best directors Edwin Escobar and was shot in Connecticut. (Watch “Breakout” Video: http://www.youtube.com/watch?v=LFoi1uNM2sU&sns=fb).
“Breakout” showcases PhaZe’s talent and versatility from singer to hip hop to hip rock. Hip Rock was pioneered by Run DMC, and Limp Bizkit took it to another level, with recent influences of Jay Z, Fort Minor and Lincoln Park.
“I like the high energy, the beat and the meaningful lyrics of the song. What hip rock means to me, which is also the vision behind my music video ‘Breakout’, it is about breaking out of the normal routine, without having to abide to any rules or laws of the music industry. I see hip rock as a way to promote individuality and build yourself as an original artist. Hip Hop and Rock is the ideal combination when you want to get the message across. My message is to live the dream. You don’t have to conform. Just be yourself!” said the talented artist PhaZe.
With this vision in mind, Benny Rugova in 2012 also co-founded a brotherhood called “The New World Outlaws” along with Koreality (Korey Sacipi). The New World Outlaws is a club that represents a unique music style, clothing style and lifestyle.
“Everything that happens in the video has a meaning. People are trying to hold me down. You see me breaking out, and as I do so, it leads others to break out as well. In the end we link up together to become a union, which leads to the “New World Outlaws”. A year ago I came to Korey with the idea and he jumped right in. We see the New World Outlaws as a club, a brotherhood, with no rules, no regulations. It is 110% loyalty. As individuals we are a one man army, but at the end of the day we come home to the New World Outlaws. There will always be a piece of clothing, a bandana and a gritty look that represents the New World Outlaws,” said co-founder of the New World Outlaws, PhaZe.
The New World Outlaws has built a reputation for creating its own music and support group. Artists and supporters of The New World Outlaws include PhaZe (Arben Rugova), Koreality (Korey Sacipi), AV (Avdi Rugova), Ray Wunda , Kamikazi Flow, Joey Roze, Bop (Sean Zuess), Driz (Driton Rugova), Gabriel Duke Fontes (Duke), Dorian, Arber, etc.
“When New World Outlaws are in the same room people know we are connected, we are brothers. It is the energy and the good vibe we have. The way we speak, the loyalty and respect we have for each other makes us stand out. We can fend for ourselves, but we choose to fend for each-other as well,” said co-founder of New World Outlaws and founder of KorealityTV.com, Korey Sacipi (Koreality).
In 2012 PhaZe released two music videos, “Jam Shqiptar” (nearly reaching 100,000 views in youtube: http://www.youtube.com/watch?v=LUOtf0Kecwk) and “When I’m Hurt” (http://www.youtube.com/watch?v=YIZElBH9iCs). His next project includes a mixtape, to be released before the 2013 summer, titled “The New Era”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Banny Rugova, Ermira Babamusta

DILEMA NË ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT

January 16, 2013 by dgreca

– DËGJUES TË VERBËR APO TË DËGJUAR – SOVRANË TË FATIT TË TYRE APO FATALISTË TË BINDUR/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Jemi në fillim të janarit dhe në Shqipëri ka nisur fushata elektorale, në një mënyrë anormale, duke paralajmëruar rigjenerim të gjuhës të dhunës dhe agresivitetit, ku gjithçka duket se do të fokusohet tek sulmet e ndërsjellta, dhe aspak tek standardet e demokracisë dhe të politikanit. 

Televizionet e shumta, të cilat janë shërbëtore të bindura të politikës, shpejt do të mbulojnë hapësira të pafundme të kohës publike, duke ushtruar dhunë psikologjike tek elektorati, për të krijuar huti, duke e detyruar atë të shkojë tek kutia e votimit me sy mbyllur, pra si skllav i partisë dhe jo si njeri i lirë që zgjedh atë politikan tek i cili beson se ka vlera dhe se do të mbajë premtimet.Të tillë klime, aspak të shëndetëshme për shoqërinë, ku konflikti verbal është shtylla kurrizore e fushatës, i shkojnë për shtat një seri shkrimesh për liderin, shkruar nga Deepak Chopra, titulluar «një stil i ndërgjegjshëm jete – një lider duhet të shohë, dëgjojë e zgjidhë konfliktet». Pra, diçka në antitezë të plotë me çfarë na shohin e na dëgjojnë veshët. Duket sikur Chopra  fokusohet në modelin e liderit të mbrapshtë që ka dalë përgjithësisht nga konfliktet ideologjike dhe fetare, ku demokracia është ëndërr e afërme, e largët apo shumë e brishtë e delikate, si tek ne, për shembull. Sepse lind pyetja, e si është e mundur, ne jetojmë në një rajon me Kroacinë dhe jemi larg kroatëve sa i përket performancës politike të liderit dhe lidershipit, i cili tek ne nuk e lejon, por e bllokon ecjen përpara të vendit dhe shoqërisë.

Mora si shembull Kroacinë, pasi shohim qartë se klasa politike e këtij vendi ka qasje shumë të ndërgjegjëshme ndaj shtetit të së drejtës, korrupsionit dhe mirëqenies së qytetarit, ndryshe me atë që ndodh tek ne. Dhe meqë stili i jetës së politikanëve të Tiranës ka efekt domino, në të paktën pesë shtete ku jetojnë shqiptarët, atëhere merret me mend edhe rreziku, edhe domosdoshmëria për ta luftuar këtë mënyrë sovjetike të të bërit politikë. Kështu do ta përkufizoja, nëse marrim në analizë këta 22 vite tranzicion, ku përfshihen edhe konfliktet në Kosovë, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës.

 

Një lidërship i sëmurë përbën rrezik për vendin. Chopra ka shumë të drejtë kur thotë se për një lider kuintessenca e të bërit politik është se ai duhet të shohë, të dëgjojë e të dijë se si t’i zgjidhë konfliktet. Nëse nuk e bën, nuk është lider, le të rrijë në shtëpi, të merret me punë private, të dalë në pension e të heqë dorë nga të bërit politikë surrogato, sepse rezultati që kemi këta 22 vjet tregon se ky lidërship ka gjeneruar konflikte dhe situata konfliktuale nga pozita autokratësh dhe të një klase politike pa standarde demokratike.

 

Deepak Chopra analizon fjalën L-E-A-D-E-R-S, që tashmë ka hyrë dhe huazuar në të gjithë fjalorët e botës, si një akronim, ku „L“ është baraz me Look and Listen – pra, Vështro dhe Dëgjo. Chopra që jeton në një vend me demokraci të konsoliduar si SHBA, shkruan se „në të shkuarën, kur liderët ishin autokratë, populli duhej të dëgjonte dhe t’iu bindej urdhërave, ndërsa liderët kishin monopolin e të dhënit urdhëra dhe të marrjes së vendimeve të rëndësishme“. Por ky realitet që përshkruan Chopra është tejet aktual për Shqipërinë sot. Le të marrim vetëm një shembull, atë të mos votimit të tri ligjeve, ku të dyja palët vazhdojnë të luajnë ping-pong e t’ia hedhin fajin njëra tjetrës. Siç e shihni, ishte politika ajo që mori vendimin e rëndësishëm për fatin e keq të shqiptarëve! Pra në Shqipëri klasa politike është në nivelin autokratik, sepse fati i vendit, varet nga vendimet e saj të gabuara.

 

Pastaj sipas rradhës Chopra vazhdon ta analizojë fjalën Leaders gërmë për gërmë: “L” Look and Listen – Shiko e Dëgjo, – „E“ – Emotional bonding – lidhje emocionale,“A”- Awareness –Vetëdije, „D“ – Dare to dream a new reality and do it- Guxo të ëndërrosh një realitet të ri dhe bëje atë, „E“ – Empowerment – Fuqizim, „R“ – Responsibility –Përgjegjshmëri dhe „S“- Synchronicity – sinkronizim.

 

Këto cilësi dhe veti të vyera për personalitetin e një politikani janë të panjohura krejt për politikanët shqiptarë. Ata s’kanë lidhje me ndjenjat. Ndjenjat nuk i njohin fare. Janë pragmatistë të pacipë. S’kanë vetëdije, ndjekin inercinë e njëri-tjetrit, edhe kur vihen përballë, shkëmbejnë akuza, jo se cili prej tyre është më i mirë, por se cili prej tyre është më i keq. Popullit i japin të zgjedhë midis të keqes dhe më të keqes dhe jo midis të mirës dhe më të mirës. Fuqizimin e shohin në planin e fuqizimit të tyre, nëpër klane dhe jo duke fuqizuar elementet dhe mjetet që të jep demokracia, ndërsa përgjegjshmërinë nuk e njohin fare. Mjafton të kujtojmë 1997 dhe 21 janarin e 2011. Edhe sinkronizimin, që do ta ilustroja me qëndrimet bipartizane për të mirën e vendit dhe në rastin konkret, “s” shpreh edhe shumësin e emrit lider, ky lidërship s’ka lidhje fare me të, janë konfliktualë deri në fund, nuk e njohin kompromisin, dialogun, komunikimin,  paçka se janë përdorues të forumeve sociale Facebook dhe Twitter dhe assesi marrëveshjen për të mirën e vendit, ndërsa kur është fjala për interesat e tyre bëjnë marrëveshje me djallin dhe pranojnë që të gjithë pështymat që kanë hedhur tek njëri tjetrin t’i lëpijnë. Pra nuk e njohin moralin.

 

Kjo është situata me të cilën do të përballen shqiptarët në zgjedhjet e ardhëshme. Pyetja është nëse do të mbeten vëzhgues amorfë dhe dëgjues shurdhanë, në mëshirë të fatit, që liderët dhe klasa politike të vazhdojnë e të mbajnë në mënyrë të paligjëshme monopolin e urdhërave dhe të vendimeve për jetën e tyre e shqiptarët të vijojnë e të jetojnë në mizerabilitetin e tranzicionit edhe gjysmë shekulli tjetër, apo do ta detyrojnë klasën politike të marrë rolin që i takon, e votuesi të marrë rolin e tij legjitim, sepse vetëm kështu shqiptarët do të dalin nga listat e padëshiruara për shkak të një klase politike që nuk e meriton votën e tyre. Freedom House lajmëron se, bashkë me Kosovën, në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira janë Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia, ku dihet se shtet pjesërisht i lirë, është ai që ka kufizim të respektimit të lirive politike dhe atyre civile.Dëgjues të verbër apo qytetarë të dëgjuar, sovranë të fatit të tyre apo fatalistë të bindur! Kjo është dilema dhe situata, të cilën duhet ta ndryshojmë, që Sovran për fatin e tyre të jenë vetë shqiptarët, jo një grusht njerëzish që shpërdorin pushtetin dhe nuk njohin asfare nocionin e liderit apo lidërshipit në një shoqëri demokratike, paçka se pretendojnë se janë liderë të një vendi anëtar të NATO-s. Problemi është se si Sovrani dhe politika të marrin rolet që u takojnë, që Sovrani të jetë “i dëgjuari” dhe lidërshipi “dëgjuesi”, që Sovarni të jetë vendimmarrësi dhe politika zbatuesi i vendimeve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: apo sovrane te fatit, degjues te verber, dilemat e 23 qershorit, Elida Buçpapaj, te tyre

Arben Rugova (PhaZe) me videoklip të ri të zhanrit Hip-Rock

January 16, 2013 by dgreca

Shkruan: Nora Kalaja, New York/Prishtinë/

Artisti i talentuar PhaZe befason fansat me një këngë të re në anglisht, pas publikimit të superhitit “Jam Shqiptar”. Kënga dhe klipi i ri titulluar “Breakout” është inçizuar nga Soundloft Studios në Connecticut, USA me prodhim të Hollywood Productions. Videoklipi është drejtuar nga regjizori i famshëm Edwin Escobar (Shiko Videonklipin ‘Breakout’: http://www.youtube.com/watch?v=LFoi1uNM2sU&sns=fb).
“Breakout” shfaq larminë e talentit Arben Rugova si këngëtar, reper dhe artist i zhanrit hip-rock. Hip Rock-u është krijuar nga i famshmi Run DMC. Artisti Limp Bizkit e ngriti këtë lloj muzike në një nivel më lart duke përfshirë dhe influencat e fundit Jay Z, Fort Minor dhe Lincoln Park.
“Më pëlqen energjia e klipit, muzika dhe lirika me kuptim e këngës ‘Breakout’. Vizioni pas videoklipit dhe i zhanrit hip-rock nënkupton mundësinë për t’u shkëputur nga rutina normale, pa patur nevojë t’i nënshtrohesh rregullave dhe ligjit të industrisë së muzikës. E shikoj hip rock-un si një rrugë për të promovuar individualitetin dhe për të ndërtuar veten si artist origjinal. Hip Hopi dhe Rock-u bashkë janë një kombinim ideal për të përcjellë një mesazh. Mesazhi im është të jetosh ëndërrën tënde. Mos u pajto me rrymën dhe je gjithmonë vetvetja!” tha artisti i talentuar, PhaZe.
Me këtë vizion në mendje Benny Rugova në 2012 themeloi bashkë më Koreality (Korey Sacipi) klubin “The New World Outlaws”. The New World Outlaws është një vëllazëri/klub, që përfaqëson një stil muzike të veçantë, me stil të ri veshjesh dhe një stil jete.
“Çdo gjë që ndodh në këtë video ka kuptim. Shikon që njërëzit po më hedhin poshtë. Pastaj më shikon që unë lirohem, dhe duke bërë kështu lirohen dhe të tjerët. Në fund lidhemi të gjithë duke formuar një bashkim që rezulton në ‘New World Outlaws’. Një vit më parë iu drejtova Korab Sacipit me idenë për të krijuar klubin dhe ai pranoi menjëherë. Ne e shikojmë New World Outlaws si një vëllazëri, pa rregulla, me 110% besnikëri. Si një person në vete jemi një ushtri me një person, por në fund të gjithë kthehemi tek vendi që na takon tek New Worl Outlaws. Do ketë gjithmonë një veshje, si një bandana, ose pamja jonë e veçantë që na dallon nga të tjetër dhe që përfaqëson New World Outlaws,” tha njëri nga themeluesit e New World Outlaws, PhaZe.

New World Outlaws ka krijuar një reputacion si një klub me muzikë të re dhe ka antarë artistë dhe përkrahës të shumtë si: PhaZe (Arben Rugova), Koreality (Korey Sacipi), AV (Avdi Rugova), Ray Wunda , Kamikazi Flow, Joey Roze, Bop (Sean Zuess), Driz (Driton Rugova), Gabriel Duke Fontes (Duke), Dorian, Arber, etj.
“Kur anëtarët e klubit New World Outlawas janë në një dhomë njerëzit e kuptojmë që jemi të lidhur si vëllezër. Është energjia që sjellim, respekti, dhe besa midis nesh, që na dallon nga të tjetër. Ne mund të kujdesemi për veten, por zgjedhim të kujdesemi për njëri-tjetrin,” tha Korab/Korey Sacipi, themeluesi i dytë i klubit New World Outlaws, dhe themeluesi i KTV (www.korealityTV.com).
Në vitin 2012 PhaZe lançoi dy videoklipe “Jam Shqiptar” (që ka arritur gati 100,000 shikime në youtube: http://www.youtube.com/watch?v=LUOtf0Kecwk) dhe “When I’m Hurt” (http://www.youtube.com/watch?v=YIZElBH9iCs). Arben Rugova planifikon të nxjerrë dhe mixtapin e ri nga vera e vitit 2013 me titull “The New Era”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Arben Rugovam PhaZe, Ermira Babamusta, Nora Kalaja

UDHËVE TË HAPËSIRAVE LETRARE TË KRISTAQ SHTËMBARIT

January 15, 2013 by dgreca

nga Albert HABAZAJ*/

Fluturuan pesë vjet pa njeriun që emetonte dashuri, mirësi, dituri, pa uratën e Perëndisë, dritërorin Kristaq Shtëmbari. Pesë vjet e kaluar sa pesë minuta e më pak! Ky imazh krijohet kur njeriu, të cilin kujton ka lënë pas emër të mirë, gjurmë të pastra, respekt të pashlyeshëm, falë punës fisnikërisht shëmbullore si model i qytetarit dhe intelektualit, që s’mund të harrohet. Më kujtohet kur u përkujtua në qytetin e Fierit Jeta dhe Vepra e Shkrimtarit dhe Mësuesit të Popullit Kristaq Shtëmbari. Në atë përkujtimore ishin të pranishëm shokë dhe miq të tij, por gjithashtu edhe përfaqësues të pushtetit dhe forcave partiake. Referuesit për jetën dhe veprën e tij sollën kujtime dhe mbresa nga veprimtaria dhe jeta e profesorit. Portreti i tij qe bërë si një pjesë e pandarë e jetës dhe shoqërisë fierake, e cila ngushëlloi përzemërsisht familjen Shtëmbari për humbjen e të dashurit të tyre, por dhe të njeriut që ka lënë gjurmët e tij në këtë qytet. Edhe Vlora, Berati, Lushja e ndjen këtë dhembje që shkakton mungesa e profesorit fjalëmbël e mendimkthjellët. Unë e kam patur mik të ngushtë dhe shkova me dhembje pranë familjes së tij për të vënë supin e nderimit nën trupin e MËSUESIT, për t’i lehtësuar sado pak familjarët në ngritjes e peshës së humbjes të njeriut më të dashur për ta dhe mora pjesë me gjithë qytetin kur e përcollën. Në veprimtarinë e nderimit kushtuar Atij kumtova këtë dedikim, të cilin kam dëshirë, që nëpërmjet gazetës “Dielli” t’ia përcjellë shqiptarëve kudo që janë për mesazhet e respektit ndaj mirësisë dhe diturisë që shpërndan zemrave njerëzore:

 

I paharruar kujtimi i Mësuesit të Popullit, profesor Kristaq Shtëmbari!

Kristaq Shtëmbarin, të mërkurën e 29 gushtit (2007: shën. i sotëm- A. H.), që në mëngjes e pashë të fluturonte për në Parajsë. Si aeroport përdori Londrën, sepse ishte tek fëmijët, tek djali dhe e bija, tok me Lenën, zonjën e tij të nderuar e tepër të përkujdesshme. Iku një dritan i diturisë, një burrë vital i gjelbërishtes së krijimit, një spaletë morale e kombit, një zambak i bukur i këtyre viseve të pastra pellazgo-iliriko-arbrore. E pabesueshme! E tmerrshme! E rëndë! Por hyjnisht fisnike! Po më ikin gjithë këta miq të vyer, visare që i kam flori e kaluar floririt. Më iku Jorgo Bllaci, më iku Frederik Reshpja, më iku Kadri Roshi – Ezopi shqiptar, më iku Sulejman Pitarka, më iku Teta Ollga – Violeta Manushi, më iku Nermin Vlora me Renzo Falaschin, më iku Azem Shkreli, më iku Dafina e Kombit – Ali Podrimja e rrjedh si Lumë  shpirtit tim (shën. i sotëm- A. H.), më iku bashkëmoshatari e shoku i klasës, Simon Kasa, si dikur, gati para 30 vjetësh Kastriot Gjini im i Tërbaçit, i Vithkuqit, i rinisë e gjithë Shqipërisë.
Ç’po ndodh kështu?…Jo, jo…Kjo është e padrejtë. Do të protestoj te Zoti. Nuk mund të bëj një shkrim të plotë për Mësuesin e Popullit Kristaq Shtëmbari, se po më veshin sytë lotët e dhembjes. Pse, o profesor Kristaqi? Pse e bëre këtë? Kaq shpejt… Si e lamë? Do të vije këtë vere tek unë, në shtëpinë time në Ujë të Ftohtë, (atje ku bashkohen e ndahen dy detet: Adriatiku dhe Joni) të kaloje verën me zonjën fisnikrisht brilante, Lenën që të deshi aq shumë. Qetësi, gjelbrim, ujë mali, ajër i pastër, jod deti, ishull, gadishull, Vlorë, Kaninë, Flamur, Pavarësi, ullinj, limon, portokalle e poezi, ashtu si i le në gusht të 2005-s e 2006-s, ashtu i ke dhe sot e mot, o i ndritshmi profesor! Fati më bëri nder të madh që ti personalisht e familjarisht ke qenë mik sipëror imi e fatmirësisht i familjes sime. Çdo fjali që shqiptonte gjuha e mendjes tënde qe një syth që zbukuronte lastar të gjelbër të kopshtit tënd dituror.
Profesor! Ikja jote s’më dhemb vetëm mua, familjes time, njerëzve të mi e miqve të letrave, Vlorës, Fierit, Lushnjës e Beratit. Ikja jote i dhemb gjithë Shqipërisë, kulturës sonë qytetare, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sepse ishe kryetar i LSHA për Fierin dhe anëtar i kryesisë së LSHA të Shqipërisë për një kohë të gjatë. Ti je një nga 87 delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Tok me Thoma Delianën, Androkli Kostallarin, Mahir Domin, Eqerem Çabejn, Idriz Ajetin, Dhimitër Shuteriqin, Aleks Budën, Rexhep Qosen, Shaban Demirajn, Emil Lafen, Jup Kastratin, Ali Abdihoxhën, Josif Ferrarin, Ajet Bytyçin, Bedri Dedjen, Besim Bokshin, Dalan Shapllon, Dritëro Agollin, Kol Ashtën, Jani Thomajn, Jakov Xoxen, Jorgo Bulon, Koço Bihikun, Lasgush Poradecin, Mehmet Çelikun, Petro Janurën, Qemal Haxhihasanin, Sofika Adhamin, Bajram Hajrullajn, Stefan Priftin, Sterjo Spassen, Shefqet Musarajn, Llazar Siliqin, Ismail Kadarenë, Zihni Sakon, Xhevat Lloshin, Fatmir Gjatën, Jorgji Gjinarin, Sefedin Sulejmanin, Mërkur Alimerkon, Anastas Dodin e të tjere mendimmençur të dëgjuar, në krye të faqes 32 të “Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe”, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 1973, lexoj se në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 25 Nëntor 1972, është firmëtar, i 53-ti në renditje, Kristaq Shtëmbari, përgjegjës i Kabinetit Pedagogjik, Fier.
Kristaq Shtëmbari la pas një emër diellor si njeri për brezat. Ai la një mendim sa shkencor aq dhe demokratik, sepse qe i lidhur përjetësisht me traditat tonaetnokulturore, artistike e letrare. Për dekada me radhë ka qenë ambasador i vërtetë i kulturës, por edhe konsull i letrave në qytetin e Fierit, siç e cilëson saktësisht edhe prof. dr.  Adriatik Kallulli. Tek ai shkriheshin në një masë organike të fortë Intelektuali, Krijuesi, Njeriu, sepse spikaste profesor Kristaqi për një virtyt të veçantë: ALTRUIZMIN JETËSOR. Ai la pas vepra me peshë për kulturën shqiptare si librin me gjurmime, studime e kritika “Udhëve të hapësirës letrare”, monografinë “Vite që shkuan…” për Jakov Xoxen, njerin nga etërit themelues të prozës moderne shqiptare, tok me Petro Markon. Me dashuri artistike shkroi dhe një libër tjetër të bukur “Djemtë e Apolonisë”. Ndjente përgjegjësi hulumtuese, kërkimore-shkencore, si studiues e krijues; ndjente dhe një detyrim të madh qytetar, ndoshta edhe nga thirrja e gjakut që i rridhte i pastër në deje që prej kulturës mesjetare të të parëve të tij: Muzakajve të Myzeqesë me Andrean II e Teodor Muzakën e dëgjuar në histori. E kishte merak shumë një monografi të mirë e të plotë për stërgjyshërit e tij e krenaria i qëndronte bukur, thjesht, madhërishëm në sy, në ballë, në tërë qenien e tij që e shquante si FISNIK të LETRAVE.

 

“Do t’i kushtoj rrënjëve të mia, Muzakajve, që dhe ti Berti po më ngacmon,  pjesën e jetës që kam përpara” – më thoshte ato ditë gushti të vitit 2005, kur më erdhi si Mysafir i Veçantë në shtëpinë time në Ujë të Ftohtë. Profesor Kristaqi qe fjalëmjalt e shpirtbehar dhe do të ngelet në kujtesën time si një bredh i ngarkuar me dituri. Fjala e tij do të ligjërojë e kthjellët, e kulluar e plot yndyrë arbrore. Ai do të kthehet nga Anglia, se mua më ka marrë malli. Këtë verë nuk më erdhi. Parvjet më la një libër të tij dhuratë, me atë shkrim kaligrafik: “Bertit…, poetit të veçantë me zë të përveçëm, me respekt Kristaq Shtëmbari (Firma) ”. Më la dhe disa mendime për vjershat e mia, të cilat me mirënjohje i vendosa si përshëndetje në fillim të vëllimit poetik “Mërgata e Luleve” që i mirënjohuri botues, poeti universal i Shqipërisë së Sotme, Petraq Risto më botoi më 30 Dhjetor 2006, në shtëpinë e tij botuese “Globus R.”

Më 28 Gusht 2006 kemi një kujtim të bukur, të papërsëritshëm: E gdhimë thuajse tërë natën me yje duke folur me zjarr e respekt për letërsinë me Koçi Petritin e Kristaq Shtëmbarin. Pimë raki rrushi shoqëruar me meze sinqeriteti. E mali na hidhte fllad. E deti na niste valë. Formohej një iso e magjishme sikur dilte nga Epi i Gilgameshit, nga Këngët e Kreshnikëve apo Labërishtja shumëzërëshe (Isopolifonia, si i thonë sot). Në fakt ajo harmoni krijohej nga Akrokeraunet pellazgjiko-ilirike, që janë, ja këtu, sipër, mbi ballë të Vlorës. Me nderim u këndon edhe Homeri vargmaleve të Vetëtimës – Akrokerauneve… E…,
po atë natë Aldi, djali im i madh na bëri një fotografi të treve. Një visar i paçmuar për mua, dalur me dy profesorë të nderuar.

E kishim lënë me shkrimtarin e njohur, të mirin Maku Pone, që kur të vinte Kristaqi në Fier, do të pinim të tre një kafe dashamirëse dhe do të bënim një bisedë për dukuritë e sotme letrare, në studion e TV Apollon, ku profesor Maku është shef i departamentit të informacionit.
Në celular kam emrin Kristaq Shtëmbari me numrin 0692920887. I bie. Nuk më del. Unë pres. Besoj se do të më përgjigjet. Sidoqoftë unë nuk do ta heq nga celulari im asnjherë numrin 0692920887…
FLAKADAN PRINCOR
                      -elegji për Mësuesin e Popullit, profesor Kristaq Shtëmbari-
nga Albert ABAZI
Muzakajt e famshëm kishin lënë në Myzeqe
Një pinjoll të ndritshëm për Principatën e Shkrimit.
Një ditë shkreptiu një rrufe në qiell pa re:
Dhe korifejt qenkan martir të Flijimit…

Një mik, sa zbrita nga shtëpia në Ujë të Ftohtë,
më dha një lajm, që m’u mblodh lëmsh në grykë:
Iku Kristaq Shtëmbari në Anglinë e largët sot.
Dritë la pas edhe kur ai mbylli sytë…

Pse u gdhi e lagur e Mërkura e 29 Gushtit?
Mjekra më dridhet si zemra e zogut në borë…
Pse zëri im do të klithë e del pa tingull?
Ç’stuhi e shoi flakadanin princor?

Dy detet e kripur të Vlorës më rrodhën faqeve
Dhe ndjenja m’u hollua si fija e barit,
Ulën petalet lulet lëndinave e parqeve,
Çdo qelizë e trupit tim ia plas të qarit!…

Se qe delegat hyjnor i Kongresit
të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe;
me Çabejn, Budën, Kostallarin

si vesa e mëngjesit.
Iku me shkëlqime të bardha e fisnike.

E pret atje Jakov Xoxa e Lasgushi.
Iku i qetë, se la dritanë dhe për ne.
Si shenjtor detyrat e tij i përmbushi.
Pishtarin e mban një Dritëro, një Kadare…

Dhe sot e gjthmonë emrin e profesor Kristaq Shtëmbarit e mban një shkollë e mesme në qytetin e Fierit. Kujtimin e Tij e kanë dritë të pastër jo vetëm njerëzit e Letrave, të Arsimit, por gjithë Shqiptarët që e njohën apo i dëgjuan emrin.

*/ Drejtor i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, ALBANIA

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Kristaq Shtembari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5615
  • 5616
  • 5617
  • 5618
  • 5619
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT