• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QEVERIA SHQIPTARE KRIJON KOMITETIN E DIASPORES

January 4, 2013 by dgreca

TIRANE- PDIU ka pershendetur vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e Komitetit të Diasporës shqiptare. Vendimi është prezantuar nga kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë, duke e quajtur këtë “një detyrim te madh, moral”, ndaj shqiptarëve kudo që janë. PDIU në deklaratën e saj thotë se ky vendim erdhi si pasojë e kërkesës së saj të vazhdueshme. Ngritja e këtij Komiteti, thekson më tej PDIU është pasqyrim i një objektivi themelor të Programit të saj për të cilin ka luftuar që në fillim të ekzistencës si parti politike.

“Më shumë shqiptarë jetojnë jashtë sesa brenda dhe si e ka treguar historia jonë e afërt dhe e re, siç e ka treguar historia e vendeve me diasporë të madhe, kjo pjesë e kombit ka luajtur rol kyç në rilindjen, rimëkëmbjen e vendit. Kombi shqiptar nuk e ka luksin të mohojë ekzistencën e një pjese kaq të madhe të trupit të vet të gjymtuar kombëtar. Në gjykimin tonë politik, diaspora shqiptare është një, pavarësisht kohës kur është larguar nga vendi, apo nga cili troj etnik i saj vjen. Në këtë kuptim, problematika e saj është dhe problematika e kombit. Brenda kësaj diaspore, popullsia me origjinë çame jashtë vendit është një përbërëse mjaft aktive dhe problematika e saj duhet trajtuar me synim vendosjen e drejtësisë dhe përfshirjen e kontributeve të saj.”- thuhet në deklaratë.

Ndërkaq, sipas Berishës, fati na bëri që të kemi më shumë diaspore se shqiptarë në trojet shqiptare.

“Në këtë aspekt, u duhet kërkuar ndjesë shqiptarëve kudo që janë se nuk ka qenë e mundur të kenë mbështetjen e merituar të Shqipërisë, por i garantoj se realizimi i saj është përparësi madhore. Komiteti i Diasporës do të bëjë çdo gjë, për t’u gjendur afër shqiptarëve në të katër anët e planetit, nga Zelanda e Re, Alaska e Poli i Veriut. Dikush më bëri një mesazh, ku më thoshte: Ju përshëndes nga Poli i Veriut në Finlandë”- tha Berisha.

Ai theksoi me tej se Komiteti i Diasporës do të përpunojë praktikat e skemat më të mira në mënyrë që qeveria te gjendet më pranë tyre.

“Diaspora ka një rol historik, të jashtëzakonshëm, në jetën dhe në betejat e shqiptarëve për liri e zhvillim. Të mos harrojmë se edhe Rilindja jonë, në tërësinë e saj, me ndonjë përjashtim, lindi jashtë trojeve shqiptare. Ky ishte fati ynë. Për të mos numëruar të gjithë aktet e avokatisë së jashtëzakonshme që i ka bërë kombit, diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që, ndonëse nuk është më e madhja dhe më e pasura, është absolutisht më zemërzjarrta për Shqipërinë e kombin shqiptar.”- tha ai.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: komiteti i Diaspores, PDIU, Qeveria shqiptare

Ku po e çon mushka lidershipin e Kosovës?

January 4, 2013 by dgreca

Nga Nexhmedin Spahiu/

Gazeta më e madhe amerikane “New York Times” botoi artikullin e agjencisë më të madhe në botë “Reuters” me titull: “Kosova, imazh i Perëndimit të egër për investitorët” (http://www.nytimes.com/reuters/2012/12/31/world/europe/31reuters-kosovo-investment.html?smid=fb-share). Artikulli bën fjalë për atë që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka tërhequr në mënyrë të paligjshme 4 nga 5 licencat sa i kishte dhënë kompanisë britanike “Fox Marble” për industrinë e gurit në Kosovë.

Artikulli linte mëdyshjen nëse kjo ka të bëjë me korrupsionin në Kosovë, të cilin e trajton edhe me raste të tjera (tenderi me pasaportat biometrike) apo me prapavijë politike.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, citohet të ketë deklaruar se është shumë i shqetësuar për këtë dhe se shefi i tij, ministri i Jashtëm britanik, William Hague, e ka ngritur këtë çështje në nivelet më të larta të Kosovës.

Artikulli trajton joseriozitetin kulmor të kryetarit të Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale, Ahmet Tmava, i cili i përgjigjet “Reutersit”, se obligimin ligjor që ky komision e ka pasur që ta njoftojë me shkrim kompaninë e licencuar e ka kryer, duke e njoftuar atë gojarisht.Deri më tani çdo veprim korruptiv që ka larguar investitorë nga Kosova, është arsyetuar me kinse politikën që Kosova e ka për ta rezervuar tregun e saj për shtetet aleate që e çliruan Kosovën.

Skandali me rumunët

Kur, p.sh., një kompanie rumune i janë plaçkitur mjetet e punës nga partnerët kosovarë dhe kësisoj i është djegur investimi i saj milionësh, mosreagimi i institucioneve të Kosovës është arsyetuar me atë se Rumania nuk po e njeh Republikën e Kosovës, dhe punë e madhe që digjen investitorët rumunë!

Skandali me sllovakët

Edhe kur Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës i nxjerr telashe banale shefit të Zyrës Diplomatike Sllovake në Kosovë (de facto ambasadorit sllovak në Kosovë) edhe ky veprim skandaloz arsyetohet me atë se Sllovakia nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, dhe kush po ua var sllovakëve!Në vend që prezenca në Kosovë e misioneve diplomatike të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën të shfrytëzohet për afrim me këto vende dhe lobim për njohje edhe nga këto vende, veprohet në mënyrë të kundërt, veprohet në stilin e diplomacisë, Zullu, sipas tregimit të Faik Konicës.

Skandali me britanikët

Skandali i fundit i përket një fushe krejtësisht tjetër. Tani loja e fëlliqur korruptive apo politika abuzive bëhet ndaj një kompanie të një prej vendeve më meritore për çlirimin e Kosovës, Britanisë së Madhe, sa detyron edhe sekretarin (ministrin) e saj të Jashtëm William Hague të shprehë shqetësim. Shtrohet pyetja: Ku po e çon mushka lidershipin e Kosovës?. Kjo shprehje përdoret nga populli i Tiranës, për dikë që nuk e di se kah është duke shkuar, por i vihet pas tekeve të tij jo të arsyeshme.

Shqelmim aleatit të madh në momentin vendimtar

Skandali i fundit është gjëja që më së paku i duhet Kosovës në momentin kur Kosova është në fazën finale të bisedimeve me Serbinë. Në fakt, bisedimet për veriun e Kosovës nuk janë asgjë tjetër, pos pazar se deri në çmasë Kosova, formalisht e pavarur, do të jetë realisht e varur nga Serbia.

Atëherë kur Kosovës i duhet t’i koncentrojë të gjitha energjitë që këtë pazar të kalojë sa më mirë e sa më lehtë, kur i duhet që edhe dreqin edhe të birin ta bëjë aleat për të nxjerrë një pazar sa më të favorshëm, Kosova shqelmon vendin, kryeqyteti i së cilit, Londra, është epiqendra e të gjitha pazareve politike në botë.

Tri kryeqytetet e botës: Stambolli, Parisi dhe Londra

Jo më kot thuhet se bota ka 3 kryeqytete: Stambollin që është pazari më i madh në botë i gjësendeve (veshmbathjeve, ushqimeve etj), Parisin që është pazari më i madh në botë i vlerave artistike, dhe Londrën, ku bëhet pazari kryesor: ai politik, ku vendoset për fatet e kombeve. Dhe lidershipi i Kosovës shqelmon hiç më pak se në Londër, dhe e bën Kosovën objekt të trajtimit negativ të agjencisë më të madhe në botë dhe gazetës më të madhe në Amerikë dhe shumë gazetave tjera në botë.

Varri për investitorët, tragjedi për Kosovën

Shkrimi i lartcekur me të drejtë citon Christopher Gilbert-in, drejtuesin e kompanisë britanike “Fox Marble”, tek thotë se kjo punë është një varr për kompaninë e tij, por një tragjedi për Kosovën.

Fati i “Trepçës”

Duhet pasur parasysh që Kombinati “Trepça” nuk është privatizuar deri më tani pikërisht ngaqë ende nuk ka përfunduar çështja e veriut. Britanikët janë ata që e kanë nisur “Trepçën” në kohën mes dy luftërave botërore dhe interesimi i tyre për të vazhdon të jetë i lartë edhe sot. Tani kur po vendoset fati i “Trepçës”, veriut të Kosovës dhe më ketë i gjithë Kosovës, të shqelmosh britanikët për çfarëdo arsye: korruptive, budallallëku apo çfarëdo tjetër është një vetëvrasje ekonomike e politike.

Epilogu i korrupsionit apo budallallëkut

Epilogu i këtij veprimi mund të jetë që kompania britanike ta padisë Komisionin e Pavarur për Miniera e Minerale, dhe t’ia marre nja 20-30 milionë euro. Apo mos ndokush shpreson se ky Komision ka juristë të aftë që ta fitojnë gjyqin kundër kompanisë britanike?! Por, për këtë si duket nuk mërzitet Ahmet Tmava, ngaqë ky ndëshkim paguhet jo nga xhepi i tij, por nga xhepi i taksapaguesve të Kosovës.

20-30 milionë euro ndëshkim mund të jetë fatura më e vogël për Kosovën, për faktin që Ahmet Tmava e mentorët e tij “i kanë hipur mushkës”. Dëmi për imazhin e Kosovës si Perëndim i egër për investitorët është katastrofik, ndërsa imazhi për Kosovën që shqelmon aleatët më të mëdhenj të saj është vetëvrasës.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: lidershipi i Kosoves, New York Times, Nexhmedin Spahiu

ZERI I AMERIKES:Një koleg mbyll karrierën profesionale

January 4, 2013 by dgreca

70 vjetori i Zërit të Amerikës përkon edhe me 70 vjetorin e ditëlindjes së njërit prej kolegëve tanë të Shërbimit Shqip, i cili së shpejti largohet nga ekipi pas një kariere të larmishme. Ai është Shaqir Salihu, i cili filloi punën në Zërin e Amerikës në fillim të viteve 80, pasi kishte ardhur në Amerikë si refugjat politik nga Kosova.

Kur Shaqiri erdhi të punojë për Zërin e Amerikës në Uashington, Shqipëria ishte e izoluar, ndërsa në Kosovë vazhdonte shtypja dhe diskriminimi ndaj popullatës shqiptare.
“Në kohën kur unë fillova karrierën time si gazetar, Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës kishte mbetur vetëm me pesë vetë, pasi brezi i parë kishte dalë në pension. Unë pata fatin e madh të punoj në këtë shërbim gjatë disa prej zhvillimeve më të rëndësishme në historinë shqiptare, duke filluar që nga lufta e Kosovës për pavarësi, përmbysja e komunizmit në Shqipëri dhe tranzicioni drejt demokracisë.”
Kur Shaqiri filloi punën këtu, Zëri i Amerikës transmetonte vetëm në radio.
“Televizioni hyri më vonë, në vitin 1999 dhe kjo ishte një sfidë për të gjithë ne. Teknologjia ishte e re dhe më e vështirë se sa radioja. Unë u bëra producent dhe mu desh të punoja shumë më tepër se më parë. Por puna këtu ka qenë kënaqësi e madhe. Ne gjithmonë jemi përpjekur të ruajmë një nivel të lartë profesionalizmi, që është tipari dallues i Zërit të Amerikës.”
Shaqiri thotë se është krenar që po përmbush një mision të gjatë, të cilin ai e quan mbi të gjitha fisnik.
“Ndihem me të vëretë i bekuar që kam patur mundësinë të punoj për një institucion që gëzon një shkallë të lartë besueshmerie dhe besnikërie tek shikuesit dhe dëgjuesit. Dua të falenderoj me këtë rast kolegët e mi këtu në Uashington dhe korrespondentët që ne kemi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Për mua ka qenë kënaqësi të punoj me një grup kaq të përkushtuar profesionistësh.”
Me një ceremoni plot emocione, me pjesmarrjen e drejtuesve kryesorë të Zërit të Amerikës, kolegët i uruan Shaqirit fat të mbarë tani që ai po mbyll karrierën profesionale. Urime i erdhën edhe nga korrespondentët në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni me të cilët ai punon çdo ditë si producent i emisionit Ditari.
Arben Xhixho, shef i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, përmendi disa cilësi që i kanë bërë përshtypje te kolegu i tij:
“Për mua është kënaqësi dhe nder i veçantë që kam punuar me Shaqirin për kaq shumë vite. E kam njohur që nga viti 1992. Gjatë gjithë këtyre viteve, që kemi punuar si kolegë te Zëri i Amerikës, dy gjëra më kanë lënë përshtypje të veçantë: e para është përkushtimi i tij ndaj punës dhe e dyta, gatishmëria, vullneti, këmbëngulja e tij për t’u përshtatur me të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në trasnmetimet radiotelevizive gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit.”
Djali i Shaqirit, Ilir Salihu, punon prej disa vitesh në departamentin e teknikës të Zërit të Amerikës dhe shpesh i takon të punojë edhe për programin Ditari, ku Shaqiri është producent. At e bir kanë rast të takohen në punë disa herë gjatë ditës.
“Do të më mungojnë drekat që hanim bashkë çdo ditë dhe puna e përditshme krahas tij. Kemi kaluar disa vite bashkë në këtë punë por tani është koha për pension. Ne kemi marrëdhënie shumë të ngushta dhe jetojmë afër kështuqë do të shihemi shpesh.”
“Dua t’u uroj gjithë shqiptarëve kudo që janë 100 vjetorin e pavarësisë, që u arrit me aq mund e përpjekje. U uroj gëzuar vitin e Ri 2013, qoftë i mbarë e i suksesshëm për të gjithë”, thotë Shaqiri.(Kortezi Ilir Ikonomi, Zeri i Amerikes)

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Ilir Ikonomi, Shaqir Salihu, zeri i amerikes

HASHIM THACI, JO ME KRYEMINISTER, I VE SYRIN PRESIDENCES

January 4, 2013 by dgreca

Hashim Thaçi ka deklaruar se nuk do të kandidojë më për postin e Kryeministrit, duke hapur kështu dilema rreth të ardhmes së tij politike. Në PDK nuk japin përgjigje se ku do të vazhdojë karrierën Shefi i tyre. Por, analistët parashikojnë se Lideri i PDK’së do të shkojë në postin e Presidentit ose do të tërhiqet përkohësisht nga politika.

As zyrtarët e PDK’së nuk e dinë se ku do të vazhdojë karrierën politike Kryeministri aktual, Hashim Thaçi.Lideri i PDK’së ka thënë se nuk do të kandidojë më për të udhëhequr Qeverinë, por nuk ka treguar se a do të vazhdojë të mbetet në politikë apo do të pushojë përkohësisht.Zyrtarët e PDK’së thonë se përgjigjen se çka do të bëjë Thaçi duhet kërkuar tek vetë ai.

“Veç Kryeministri e di atë përgjigje”, ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK’së Adem Grabovci, kur është pyetur se ku do të shkojë Kryeministri pasi ta përfundojë mandatin.Në një intervistë për mediet e shkruara, Lideri i PDK’së ka konfirmuar se nuk do të jetë më Kryeministër i Kosovës.“Një gjë është e sigurt, se PDK’ja do t’i fitojë zgjedhjet edhe në mandatin tjetër, por unë nuk dua të jem kandidat për Kryeministër”, ka thënë Thaçi.Për dallim prej zyrtarëve PDK’së, analistët politikë tregojnë se Kryeministri aktual ka dy opsione para vetës – të shkojë në Presidencë ose të pushojë përkohësisht nga politika, në mënyrë që të shpëtojë i pastër nga skena aktuale politike e përfshirë në skandale.

“Thaçi është qe gati pesëmbëdhjetë vjet aktiv në skenën politike. E ka mbuluar një periudhë të rëndësishme historike dhe shumë aktivitete. Vendimi për të mos kandiduar për Kryeministër ka dy tehe: e para, nuk dëshiron të jetë më Kryeministër dhe të distancohet nga politika aktuale dhe e dyta, mund të jetë se ai ka synime të bëhet Kryetar i Kosovës me mandat pesëvjeçar dhe të mbetet edhe më tej në politikë. Pas atij mandati të Kryetarit të vazhdojë karrierën ngjashëm si Milo Djukanovic në Mal të Zi, që gjithnjë po del si i pazëvendësueshëm”, parashikon Shkëlzen Maliqi, analist politik.

Më herët, Hashim Thaçi pati thënë se një mandat është pak për të qenë Shef i Qeverisë, ndërsa dy mandate shumë.

Po ashtu është përmendur mundësia që Thaçi të bëhet President në një koalicion të mundshëm me AAK’në.

Por, ky opsion është mohuar nga Kryeministri aktual.

Megjithëkëtë, është mbetur e hapur mundësia që ai të shkojë në postin më të lartë shtetëror.

Marrjen e postit të Shefit të shtetit, analisti Ardian Arifaj e sheh si fundin e karrierës politike të Hashim Thaçit.

“Nëse shkon President, atëherë është fundi i karrierës politike sepse duhet të tërhiqet nga posti politik. Hashim Thaçi është i ri edhe në moshë për me u tërheq prej politikës kaq shpejt. Për dikë që ka qenë në postin e Kryeministrit nuk është më tërheqës asnjë post tjetër”, ka thënë Arifaj për Express.

Sipas tij, në Kosovë posti më i rëndësishëm është ai i Kryeministrit dhe në këtë situatë është vështirë të parashikohet se ku mund të shkojë Lideri i PDK’së.

“Z.Thaçi politikisht kurrë s’ka qenë më i fortë. Nuk ka post më të lartë se ai i Kryeministrit. Posti i Presidentit është post më shumë ceremonial dhe jo politik për shkak të përfaqësimit të unitetit të popullit. Për nga pushteti, për nga fuqia posti i Presidentit është shumë më i dobët në raport me Presidentin”, ka thënë ai.

Hashim Thaçi ka ardhur në pushtet në vitin 2007, duke udhëhequr Qeverinë e parë me LDK’në, ndërsa aktualisht është në koalicion me AKR’në dhe minoritetet.

Nga mandati i parë vetëm një ministër ishte akuzuar për korrupsion, ndërsa në këtë mandat ka pasur aktakuza edhe për një Zëvendëskryeministër.

Krejt këto zhvillime, analisti Shkëlzen Maliqi i sheh si mundësi që Thaçi të reflektojë.

“Një moment tjetër është se ndoshta në një periudhë shumë të shpejtë mund të ngrihen akuza për figura të rëndësishme të skenës politike, ndoshta Thaçi vlerëson që është më mirë që përkohësisht të pushojë ose të ndërrojë pozitën dhe të dalë eventualisht më i pastër, sepse akuzat ndaj tij janë shumë të rënda që ka udhëhequr Qeverinë ku ka korrupsion në shkallë brengosëse”, ka thënë Maliqi.

Sikurse Arifaj, edhe Maliqi nuk dëshiron të parashikojë se kush mund të jetë pasardhësi i Hashim Thaçit.

Megjithatë, Maliqi thotë se Kadri Veseli është një opsion për zëvendësimin e Thaçit.

“Veseli gjithmonë ka qenë figurë në prapavijë e fuqishme që e ka mbajtur unitetin e PDK’së. Ai mund ta luajë këtë rol edhe në të ardhmen”.

Ndërkohë, Arifaj thotë se gjithçka do të sqarohet në Kongresin Zgjedhor të PDK’së, ku do të dihet për pozicionet e secilit zyrtar të partisë në pushtet.

“Më 26 janar do të sqarohen shumë gjëra. Aty e kanë Kuvendin e Përgjithshëm dhe aty dihet se kush po mbetet në parti, kush po bëhet Kryetar. Gjithçka do të sqarohet aty”, ka thënë Ardian Arifaj.(Kortezi Faton Ismajli Expressi)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Hashim Thaci, i ve syrin, Presidencez

Klubi i Patriotëve të Rinj reagon ndaj Agimit te Arte grek

January 4, 2013 by dgreca

Deklarata e fundvitit nga Agimi i Artë shashkë për tensione artificiale/
KPR i bën thirrje qeverisë të ndalojë hyrjen e çdo personi të lidhur me Agimin e Artë/
Nëse shteti nuk vepron, do t’i ndalojmë vetë/
Trimërinë e tyre të shtirur e pamë gjatë provokimit në Këlcyrë/
Deputeti neonazist u kthye kur u përballë me rininë patriote shqiptare/
I njëjti fat do të jetë edhe për këdo neonazist tjetër që do tentojë të hyjë në Shqipëri/
Nëse shteti nuk funksionon, do ta vendosim vetë dinjitetin e kombit tone;\
Çdokush të bashkohet me KPR që të bëhemi barriera e antishqiptarëve/
Ata që Agimi i Artë zotohet t’i mbrojë të distancohen nga neonazistë/
Në të kundërt do të marrin përgjigjen e merituar edhe “të mbrojturit”/

Deklarata e fundvitit e grupimit neonazist Agimi i Artë është një tjetër shashkë që hidhet për të prodhuar tensione artificiale. Klubi i Patriotëve të Rinj i bën thirrje qeverisë shqiptare që të ndalojë hyrjen në Shqipëri të çdo personi që është pjesë e këtij grupimi terrorist neonazist. Nëse shteti shqiptar nuk vepron, atëherë ne, rinia shqiptare, do të ndalojmë çdo tentativë të Agimit të Artë për të hyrë në vendin tonë. E kemi parë edhe përpara dy muajsh trimërinë e tyre të shtirur, kur deputeti i kësaj organizate-parti tentoi të shkonte në Këlcyrë dhe u kthye nga mesi i rrugës, i trembur nga bllokada e patriotëve të rinj. Të njëjtin fat do të kenë edhe përfaqësuesit e tjerë të neonazistëve që do të tentojnë të hyjnë në Shqipëri. Klubi i Patriotëve të Rinj zotohet që, nëse shteti shqiptar nuk funksionon ashtu siç duhet, do të jemi ne ata që do të vendosin në vend dinjitetin kombëtar përballë neonazistëve grekë. KPR dëshirën të ftojë çdo bashkombas, që të bëhemi barriera e pakalueshme e antishqiptarëve dhe të japim përgjigjen tonë evropiane ndaj atyre që duan të na nëpërkëmbin. Gjithashtu, u bëjmë thirrje atyre që Agimi i Artë “zotohet që do t’I mbrojë“ që të distancohen në mënyrë të menjëhershme ndaj neonazistëve. Në të kundërt edhe ata do të gjejnë përgjigjen e merituar.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5632
  • 5633
  • 5634
  • 5635
  • 5636
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT