• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOFRA POETIKE E DIELLIT: LUGA IME LEGJENDARE

December 27, 2012 by dgreca

Nga Vullnet Mato/

Qëkur ngjita moshën për armë,/
deri tani vonë, kur jetës i zbres,/
isha dhe mbeta përjetësisht ushtar, /
me lugën time legjendare në brez./

Luftëtar garde i Batos së lashtë,/
pas çdo beteje të fituar me gjak,/
lugën e uritur kruaja në trastë,/
por nuk u ngjesha kurrë në bark./

Roje i Pirros burrëror të Epirit,/
përpara goditjes në kokë me tullë,/
lugën e futja në torbën prej liri,/
një herë në ditë te gaveta me qull./

Adjutant i Aleksandrit të madh,/
kryshpatar në krejt Maqedoninë,/
lëpija kockat e tepruara në darkë,/
kur kopileshat lakuriq ngrinin sininë. /

Teuta iliriane më mbante pas kalit,/
korrier sekret për pergamene dashurie,/
por lugën ma linte, në pikën e hallit,/
veç kur më shihte në gjendje vilanie./

Skënderbeu më kish mprehës shpate, /
pas kthimit nga lufta në kështjellë,/
urdhëronte sejmenët, pas mesnate,/
të më mbushnin gavetën me gjellë./

Mbreti Zog nga Burgajeti i Matit, /
më pati xhandar të pallatit në Sauk./
Ditë e natë me dyfekun pas shtatit,/
vetëm makarona italie haja me lugë./

Krah Mehmetit në brigadën e pare/
marshova nga Jugu në Çermenikë./

Ndërkohë Shtabi rrugën kish marrë, /
për mua mbeti vetëm gjak dhie në thikë./

Enveri gjëmëmadh, gjysmë shekull,/
më mbajti vigjilent te dera e bllokut,/
më vuri triskën, për të mos vdekur, /
sa të bëheshin gjithë bunkerët rrotull./

Kur kalasë Lindore i mbeti hiri,/
më nxorën në ballë të protestimit,/
duke më premtuar një lugë floriri,/
në tenxheren plot të Perëndimit. /

Por atëherë lugën time legjendare,/
ma nxorën në një pension skandal./
Dhe prapë gjithë qeveritë shqiptare,/
lugën në brez ma lanë gjer në funeral./

Filed Under: Kulture Tagged With: Luga ime legjendare, Vullnet Mato

Abdulatif Arnauti: Opusi im poetik mbetet Shqipëria, edhe pse kam lindur e jetuar në Siri

December 27, 2012 by dgreca

Pengu më i madh i jetës sime: Djegia e bibliotekës personale dhe dorëshkrimeve pa fund, që gjendeshin në pritje të dritës së botimit./

    Kush është Abdulatif Arnauti?/

 Abdulatif Arnauti është një nga personalitet më të rëndësishme të botës arabe, ai njihet gjerësisht si shkrimtar, poet, studiues i gjuhës dhe i letërsisë arabe, publicist dhe mbi të gjitha ai mban kurorën e meritës si përkthyesi i parë i letërsisë shqiptare në gjuhën arabe.

Origjina e prindërve të tij është nga Kosova dhe që prej vitit 1913, ata kanë emigruar drejt Sirisë, si shumë shqiptarë të tjerë, të cilët u shpërndanë anekënd për t’i shpëtuar represionit serb të kohës.

Edhe pse ka lindur dhe vijon të jetojë në Damask të Sirisë, Abdulatif Arnauti, sot 81 vjeç, vazhdon të krijojë dhe njëherësh të përkthejë autorët më të mirë të letërsisë shqipe, si Ismail Kadare, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Azem Shkreli etj. Firmën e tij të prurjeve artistike e shkencore e mbajnë 61 vepra të zhanreve e llojeve të ndryshme të krijimtarisë. Pavarësisht se krijimet e veta i ka shkruar në arabisht dhe paçka se ai është rritur në një mendësi dhe kulturë të ndryshme nga ajo shqiptare, veprat e Abdulatif Arnautit mbartin kryekëput  frymën shqiptare dhe botëkuptimin e kombit tonë. Këtë e pohon edhe shkrimtari Ismail Kadare, në parathënien e hartuar me rastin e publikimit në gjuhën shqipe të vëllimit poetik “Zjarri i mallit” (Sh. B. “Naim Frashëri, 1985), ku motiv mbizotërues në këtë libër me poezi është dashuria për rrënjët e kombëtarësisë dhe vajtimi i fatit të shqiptarit që endet në emigrim.

Për herë të parë, Abdulatif Arnauti jep një intevistë për mediat shqiptare dhe posaçërisht për emisionin “Kontakt letrar” në radio Kontakt. Intervista vijuese paraqet fakte tronditëse nga jeta e shkrimtarit, që nga djegia e dorëshkrimeve të fundit të tij prej bandave rebele siriane e deri tek peripecitë jetësore të familjes së tij. Ai flet edhe për përvojën përkthimore dhe takimet me Kadarenë e Agollin, që prej vitit 1981.

Në këtë intervistë është të zgjeruar ai rrëfehet në tre plane: profesor Abdulatif Arnauti mes familjes, shqiptarëve të Sirisë dhe letërsisë. Për më shumë, ju ftojmë të lexoni intervistën vijuese:

Përse gjendeni në Tiranë profesor Arnauti, në një kohë kur në Damask trazirat po marrin çdo ditë jetë njerëzish dhe po djegin e plaçkitin gjithçka, mos vallë keni vendosur të ndryshoni vendbanimin tuaj?

Së pari, ju falënderoj për interesimin që shprehët ndaj meje, por edhe për këmbënguljen që treguat për të realizuar këtë intervistë, sepse në Shqipëri kam ardhur shpesh, por për herë të parë po jap një intervistë. Më vjen mirë që po flas shqip, sepse ka tre vjet që nuk kam pasur mundësi të flas në këtë gjuhë, për shkak se gruaja ime është arabe dhe fëmijët e mi nuk dinë shqip.

Unë gjendem në Tiranë për të përjetuar nga afër atmosferën e festimeve që po bëhen për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, por edhe për të marrë pjesë në një seminar kulturor, që organizoi Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), në të cilin unë fola për fatin e shqiptarëve të Sirisë sot, duke qenë se edhe familja ime është pjesë e këtij komuniteti të madh.

Në lidhje me vendbanimin, vërtet do të kisha dëshirë të jetoja në Shqipëri, por jam i detyruar të kthehem në Damask, sepse atje kam shtëpinë, gruan, djalin, vajzën dhe kam sakrifikuar shumë gjithë jetën, e nëse unë e lë shtëpinë atje mund të ma marrin rebelët sirianë.

Kur ka emigruar familja juaj drejt Sirisë?

Në vitin 1913 im atë pati ndërmend që të shkonte në Arabi Saudite (afër Mekës e Medinës), por kur mbërritën në Siri, u ndalën aty sepse gjetën mikpritjen e popullit sirian. Duke qenë se shqiptarët ishin njerëz punëtorë, sirianët i punësonin ata dhe për këtë arsye, edhe i respektonin shumë, duke u krijuar kushte të përshtatshme jetese.

Si ikën prindërit e tu deri në Siri?

Rrugën nga Kosova deri në Siri, prindërit e kanë bërë me këmbë dhe ky udhëtim ka zgjatur gati tre muaj. Pasi janë vendosur në Siri, ata kanë bërë dasmën. Pas 15 vjetësh martesë kam lindur unë, pra në vitin 1931 dhe më pas erdhën në jetë dy motrat e vëllai im Abdul Kadri.

Cili ishte profesioni i prindërve tuaj dhe a e patën të vështirë integrimin në Damask?

Babai im ishte nëpunës në Shkup dhe dinte të lexonte e këndonte Kuranin. Ndërsa nëna ime ka qenë mësuese, por kishte shumë pasion të shkruarit. Kur u vendosën në Siri, u detyruan të merren me punë të ndryshme. Megjithatë, nëna e vijoi të ushtruarit e profesionit të mësueses për pasion, duke u mësuar leximin e Kuranit grave shqiptare që jetonin në Siri.

Çfarë raportesh kishin me letërsinë familjarët tuaj, sepse ne dimë që rridhni nga një familje artistësh?

Është e vërtetë që në familjen time ka shumë artistë. Gjyshi im quhej Abdulla Ferizaj dhe ka shkruar disa vepra letrare e fetare. Para se të vdiste, ai më la amanet disa vepra, por unë nuk pranova t’i mbaja fletoret me shënimet e tij, duke i thënë: “Gjysh, ju keni edhe shumë jetë përpara dhe nuk duhet të flisni për amanete”. Ky ka qenë gabimi më i madh i jetës sime, sepse unë fletoret e tij nuk i gjeta më, pasi ai u largua nga kjo botë, përveç disa poezive dhe shënimeve letrare.

Gjithashtu nëna ime, ka shkruar shumë poezi, veçanërisht me temë atdhetare, por nuk ka botuar, thjesht ua lexonte fëmijëve dhe grave të bashkësisë shqiptare në Siri.

Motra ime Hatixheja ka qenë po ashtu poete, por pasi u martua lindi shtatë fëmijë dhe iu përkushtua atyre dhe jetës me bashkëshortin e saj në Francë. Ndërsa motra tjetër Aishja ka shkruar katër vëllime me poezi dhe një roman. Vëllai im Abdyl Kadri, ka qenë piktor shumë i njohur në tërë Sirinë dhe konsiderohet si një nga personalitetet e kësaj fushe. Ai është ndarë nga jeta 20 vjet më parë, por edhe sot kritikë dhe dashamirës të artit i referohen veprës që ai ka lënë pas.

Gjyshi juaj ka shkruar shumë mevlude, a keni dorëshkrime të tij në këtë zhanër?

Gjyshi im ka shkruar shumë mevlude dhe poezi shqipe, por me alfabet arab dhe kjo është e veçanta, sepse ai ndiqte traditën e bejtexhinjve si në formë, ashtu edhe në përmbajtje.

Njëri prej mevludeve të krijuar prej gjyshit lexohej në festën e mevludit çdo vit, saqë thuajse të gjithë i dinit përmendësh vargjet e tij. Më vjen shumë keq, që si për ironi të fatit, unë nuk e disponoj këtë mevlud, edhe pse deri para disa vitesh e kisha.

Çfarë ndodhi, pse nuk e keni më tani?

Kur isha në Kosovë takova poetin Latif Berisha, i cili asokohe po bënte një studim rreth mevludeve në arabisht. Me këtë rast, unë i dhashë kopjen e vetme të mevludit, në mënyrë që të përfshinte edhe gjyshin në këtë studim. Unë ia dhashë me të drejtë kthimi, sepse atëherë nuk kishe fotokopje. Kur u zhvillua lufta në Kosovë, në vitin 1999, Latifin e vranë forcat serbe duke zbritur shkallët e shtëpisë së tij dhe shtëpinë ia dogjën, e kështu mevludi humbi.

Cila është muza juaj e frymëzimit dhe kush ju ka inkurajuar për  ta parë botën me syrin e artistit?

Padyshim është nëna ime. Ajo më ka dhënë zemër për të shkruar, por më ka ushqyer me edukatën që të jem pro gruas dhe jo kundra saj. Këshillat e nënës dhe marrëdhënia e mirë me të më kanë ndihmuar që të ndërtoj një jetë të qetë edhe me bashkëshorten time, me të cilën kam kaluar pesëmbëdhjetë vjet dhe një jetë shumë të mirë. Ne e kemi shtyrë jetën, e ndonjëherë dhe ajo na ka shtyrë neve, por e rëndësishme është që bashkëshortja ime më ka ndihmuar dhe pas nënës, ajo ka qënë burimi i frymëzimit tim.

Po me bashkëshorten tuaj si jeni njohur?

Unë isha inspektor arsimi në Damask, ndërsa ajo ishte drejtoreshë e një shkolle, ku kishte nën varësi 40 mësues. Ajo ishte 31 vjeç dhe kishte mbaruar studimet për histori. Kur shkova për kontroll në shkollën që drejtonte Mona, unë u magjepsa nga rregullsia e saj në punë dhe menjëherë, mendova se ishte një njeri i denjë për të kaluar jetën me të.  Dhe kështu ndodhi, unë i propozova asaj menjëherë që të martoheshim bashkë dhe pas një jave, ajo erdhi në zyrë time dhe më tha që ishte dakord. Që prej asaj dite, ne nuk jemi ndarë kurrë nga njëri-tjetri dhe së bashku kemi dy fëmijë: një djalë dhe një vajzë, të cilët sot kanë krijuar familjet e tyre dhe janë bërë me fëmijë.

Cilat janë profesionet e fëmijëve tuaj, a kanë lidhje me të shkruarit?

Jo, fatkeqësisht asnjëri prej fëmijëve të mi nuk ka lidhje botën e letërsisë, por ndjehem krenar për ta, sepse ata janë bërë të aftë në fushën që kanë zgjedhur. Djali im Ahmeti është inxhinier  dhe asnjëherë nuk ka shprehur interes për të lexuar ato gjëra që shkruaja unë, por çuditërisht vajza e tij që është 12 vjeç, pra mbesa ime ka shumë dëshirë të lexojë dhe madje edhe të krijojë vjersha.

Si e mësuat gjuhën shqipe?

Herën e parë, gjuhën shqipe në versionin e folur e kam mësuar nga nëna dhe babai, të cilët gjithnjë na flisnin shqip. Në lagjen ku jetonim kishte shumë shqiptarë dhe mbaj mend që flisnim shqip kur luanim me fëmijët e tjerë, madje unë deri kur kam nisur shkollën nuk dija asnjë fjalë arabisht.

Më pas kur shkova në shkollë fillova të shkruaja e të lexoja arabisht. Mësuesit e mi u habitën nga shkrimi im dhe nga përvetësimi i shpejtë që i bëra gjuhës arabe dhe që prej asaj kohë, njëra prej mësuese të mia më tha se në të ardhmen do të bëhesha shkrimtar.

Cila ka qenë fusha juaj studimore më tej?

Unë kam studiuar në fakultetin e Gjuhës dhe të Letërsisë Arabe. Më pas kam kryer studimet kam pasuniversitare për këtë fushë. Temën e diplomës e kam mbrojtur me temën “Çështje gjuhësore jonormative në gjuhën arabe”, saqë kur përfundova studimin shumë shokë e kolegë të mitë bëni çudi sesi një shqiptar ka ardhur për të na mësuar gjuhën arabe.

Në cilën moshë keni filluar të shkruani?

Kam nisur të shkruaj poezi për dashurinë që kur isha 16 vjeç. Ndërsa rreth moshës 18-vjeçare kam shkruar romanin me titull “Aroma e Hyrit”. Ky roman lindi nga dashuria e madhe që ndjeja unë për një vajzë, e cila nuk pranoi të lidhje me mua, por u martua me një mjek, sepse ai ishte më i pasur se unë. Këtë histori reale nga jeta ime unë e bëra subjekt romani, por kur e shoh tani mendoj se romani im i parë nuk ka vlerë.

Pjesa dërmuese e krijimeve tuaja kanë qenë në gjuhën arabe, sepse ajo është gjuha me të cilën jeni formësuar, po në shqip kur keni nisur të shkruani?

Herën e parë unë kam bërë përkthime, nuk kam krijuar në shqip. Fillimisht kam përkthyer këngët shqip se ishin më të lehta për përkthim dhe këtë proces e kam nisur rreth viteve ’60. Pastaj vendosa që t’i dërgoj për botim në shtypin periodik arab, ato këngë popullore që përktheja. Në vendet arabe u pëlqyen shumë dhe botuesit më kërkonin të tjera materiale poetike nga krijimtaria e shqiptarëve. Ndërsa unë vetëm kam krijuar disa poezi në gjuhën shqipe, sidomos pas viteve ’80, ku edhe kam botuar një përmbledhje poetike me titullin “Zjarri i mallit”.

Ju jeni i pari që keni prezantuar letërsinë shqipe përballë botës arabe. Cili është viti që keni nisur të përktheni në arabisht dhe cilët janë autorët e parë që përzgjodhët?

Siç thashë, përkthimet e para i kam nisur herët, duke sjellë në arabisht këngë popullore që mua më pëlqenin dhe i dija përmendësh. Ndërsa autori i parë që kam përkthyer ka qenë Ismail Kadare me veprën “Përse mendohen këto male?”. Në vitin 1964 kam përkthyer disa nga poezitë e Kadaresë dhe më pas edhe romanin “Gjeneralin e Ushtrisë së vdekur”.

Të 5 mijë kopjet e para të këtij romani janë shitur brenda 6 muajsh në vendet arabe, sepse Ministria e Kulturës së Sirisë shprehu konsideratë për vlerat e kësaj vepre.

Më tej, po nga Kadareja kam përkthyer romanet: “Kështjella”, “Dasma” “Dosja H” etj.

Gjithashtu kam përkthyer veprën e Dritëro Agollit: “Njeriu me top’’, dramën ”Ato male” të Vath Koreshit, veprën “Toka jonë” të Kolë Jakovës etj. Në gjuhën arabe kam përcjellë 100 poezi të 100 poetëve më të mirë të historisë së letërsisë shqiptare. Një rëndësi të veçantë i kam dhënë edhe përkthimit të vjershave për fëmijë, të cilat kryesisht i merrja nga revistat e kohës si “Fatosi’ dhe “Pioneri”.

Si i siguronit këto materiale të letërsisë shqiptare?

Librat unë i merrja me postë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia. Këto materiale m’i dërgonin Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, apo institucione të tjera, si redaksitë e gazetave “Zëri i popullit”, “Bashkimi” etj. Pra, çdo material më mbërrinte në pesë kopje zakonisht dhe unë një kopje e mbaja për vete, të tjerat i shpërndaja ndër biblioteka universitare. Fatkeqësisht, asnjë prej këtyre librave nuk i kam më.

Çfarë ka ndodhur me bibliotekën tuaj?

Ah mos më pyesni më mirë…(përlotet teksa flet). Kam pasur një bibliotekë shumë të madhe, të cilën e kisha ngritur në një apartament të ri që bleva në Damask. Çdo ditë unë shkoja punoja në këtë bibliotekë dhe në mbrëmje kthehesha në shtëpi. Ai mjedis ishte streha ime shpirtërore e përditshme, në të cilën më shoqëronte shpesh edhe gruaja ime. Kjo gjë ndodhte përditë deri para një muaji e gjysmë, kur një mëngjes e gjetëm të shkrumbuar nga zjarri. Rebelët sirianë kishin shkatërruar gjithçka në atë apartament dhe librave u kishin vënë zjarrin. Aty gjendeshin të gjitha shënimet, përkthimet dhe krijimet e mia. Aty gjendeshin librat që i kisha të trashëguar prej gjyshit dhe babait tim dhe libra të tjerë në gjuhë të ndryshme. Aty gjendej pjesa më e vyer e jetës sime dhe e shpirtit tim. Unë tani kam mbetur i shokuar dhe nuk di nga t’ia nis. Projektet e mia e prenë në mes dhe puna ime shumëvjecare humbi brenda pak çastesh.

Profesor, u kuptojmë gjendjen tuaj, por duhet të kuptoni se pavarësisht se jua kanë djegur librat, nuk mund të fshihen apo të digjen ato gjëra që ju keni në mendje dhe për të cilat keni punuar gjithë jetën, prandaj presim të tjera botime nga ju?

Eh…shpresoj! Por e kam shumë të vështirë, më kuptoni, jam i dërrmuar.

A keni informacione se si kanë emigruar shqiptarët nëpër në Siri?

Emigrimet shqiptare në Siri kanë nisur përpara 200 vjetësh, kur ushtarët shqiptarë të Ibrahim Pashës, djalit të sunduesit shqiptar të Egjiptit Mehmet Ali Pashës, nuk u kthyen me ushtrinë në Egjipt, por u vendosën në Siri. Pjesa më e madhe e tyre e ruajtën gjuhën dhe traditat, por pati nga ata që u përzien me vendasit dhe nuk arritën të ruajnë as gjuhën dhe madje as mbiemrat e tyre. Por, megjithatë ata edhe sot e kësaj dite ata janë të vetëdijshëm për origjinën e tyre shqiptare dhe nuk e harrojnë atë. Emigrimet e tjera të shqiptarëve në Siri ishin ato të viteve 1912-1913 (ku bën pjesë edhe rasti i emigrimit të familjes sime) për t’i shpëtuar represionit serb të kohës dhe të viteve 1945-1948 dhe për t’i shpëtuar përndjekjes së pushtetit komunist në Shqipëri e Jugosllavi. Por këta të fundit, më pas emigruan drejjt Amerikës dhe shumë pak prej tyre qëndruan në Siri.

Një veçori e shqiptarëve të Sirisë është se ata kanë qenë tepër të lidhur me njëri-tjetrin. Ata mblidheshin bashkë në  kuvendime dhe falnin namaze dhe më pas, gjithsecili shkonte në shtëpitë e veta. Nëse dikush nuk dilte në xhami, mendonim se ka ndonjë problem dhe menjehërë i shkonin për vizitë në shtëpi, pra imagjinoni nuk rrinin dot një ditë pa u parë me njëri-tjetrin.

Po brezi pasardhës a i ka ruajtur traditat dhe sa flitet sot gjuha shqipe ndër shqiptarët e Sirisë?

Brezi pasardhës nuk i ka trashëguar pothuajse fare as traditat dhe as gjuhën. Në vitin 40-të shqiptarët filluan të shpërndaheshin, nuk jetonin në të njëjta lagje. Nëpër shkolla mësonin arabisht dhe shumica prej tyre martohen me arabë, e normalisht që gjithçka është zbehur, për të mos thënë që cdo gjurmë e shqipes është zdukur.

Në Siri nuk ka shkollë shqipe, madje edhe një që u hap para disa vitesh u mbyll, për shkak se nuk kishte asnjë nxënës të interesuar për të mësuar shqipen.

A keni miq shqiptarë, të cilët i keni njohur që nga fëmijëria juaj?

Po, kam shumë miq shqiptarë, por shumë prej tyre e kanë harruar gjuhën shqipe.  Shumica e miqve të mi, sot janë figura me kontribut madhor në kulturën dhe artin arab, si romancieri Maaruf Arnaut, piktori Abdulkadir Arnaut, dijetarët Muhamed Nasiruddin Albani, Abdulkader Arnauti, Vehbi Gavoçi etj. Gjithashtu, shumë vite më parë kanë ekzistuar edhe klubet e arnautëve në Siri, ku të gjithë mblidheshim e diskutonin cështje të ndryshme sociale e kulturore

Keni kontakte me shqiptarët sot dhe si po e përjetojnë kohën e trazirave?

Për shkak të situatës në Siri nuk është se tani kam shumë kontakte me shqiptarët atje.
Cilat janë profeisonet dhe zanatet e shqiptarëve në Siri?

Janë inxhinierë, mësues, nënpunës dhe punëtorë. Ata janë të përfshirë dhe janë integruar mirë në Siri.

Si e shihni ju shtetin shqiptar në këtë 100-vjetor?

Më ka pëlqyer shumë Shqipëria. Dëshiroj që Shqipëria të ketë sukseset e saj. Unë e shoh të stolisur bukur dhe aroma festive ndjehet ngado. Sa i takon politikës, unë nuk dua të merrem fare me këtë pjesë, por thjesht dua ta shoh Shqipërinë si burimin pozitiv të forcës sime krijuese e jetësore.

Në çfarë moshe keni ardhur për herë të parë në Shqipëri?

Ka qenë viti 1963 kur unë vizitova për herë të parë Kosovën. Isha 32 vjeç dhe vendosa të vija vetëm në Kosovë për të njohur nga afër vendin ku kishte lindur babai dhe nëna ime dhe gjithashtu të takoja kushërinjtë e mi. Unë isha marrë vesh me letra me kushërinjtë dhe me miqtë e mi dhe ata e dinin që unë dija shqip dhe kisha dëshirë t’i takoja.

Ndërsa në Tiranë kam ardhur në vitin 1971 me ftesë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të cilët kishin dëgjuar për përkthimet e mia dhe dëshironin të më njihnin nga afër.

Mbaj mend që te “Hotel Dajti” në atë vizitë jam takuar për herë të parë me Ismail Kadarenë dhe me Dritëro Agollin.

Çfarë mban mend nga takimi me Kadarenë dhe Agollin, për çfarë biseduat?

 Ata më falënderuan për përkthimin që u kisha bërë veprave të tyre në arabisht. Ata ishin të interesuar rreth faktit se si ishte pritur letërsia shqiptare në kulturën arabe.

Islamil Kadareja më inkurajoi që të botoja poezitë e mia në gjuhën shqipe dhe madje më hartoi edhe një parathënie për vëllimin që u botua më vonë me titullin ‘’Zjarri i mallit”. Në fillim këto vjersha i kisha shkruar në arabisht, ndërsa më vonë i përktheva e botova në shqip, megjithësi ka prej tyre që janë shkruar direkt në gjuhën shqipe.

Sa njihet letërsia shqipe në vendet arabe?

Në vendet arabe nuk e kanë ditur fare se çfarë është letërsia shqiptare. Unë kam filluar të përkthej duke bërë përkthime të materialeve letrare dhe të studimeve mbi historinë e Shqipërisë. Libri shqiptar atje ka qenë tërësisht i panjohur, por tashmë situata ka ndryshuar, sepse përveç meje ka edhe shumë të tjerë që përkthejnë si Dr. Muhamed Mufaku, apo përkthyes nga gjuhët e tjera si Affif Imashkija që ka përkthyer romanin “kështjella” prej frëngjishtes në arabisht me titullin “Tamburet e shiut”.

Çfarë pikëtakimesh ekzistojnë mes kulturës shqiptare dhe asaj arabe, përderisa urat e komunikimit po shtrihen kaq dendur?

Lidhja që i bashkon këta dy popujt është shumë e fortë. Lidhja më e fuqishme është  çështja e  besimit fetar mysliman, që ka lënë gjurmë të mëdha për hedhjen e bazave të kulturës së dy popujve. Muslimanët janë të njësishëm, pavarësisht vendit të botës ku ata jetojnë. Gjithashtu një tjetër ngjashmi mes kombeve, une e shoh tek gjendja sociale e politike, e shoh tek dhimbja e te shpresat e përbashkëta të njerëzve, por edhe te persekutimet, me të cilat u ballafaquar popujt përkatës.

Shqiptarët emigruan në vendet arabe nën gjurmët e faktorëve të panumërt, por ajo që e bën më të fortë lidhjen mes kombeve është fakti se emigrantët shqiptarë jetuan në vende të ndryshme të Arabisë Saudite. Vendet arabe u kanë hapur dyer vijimësisht për shqiptarët, duke u ofruar miqësinë e vëllazërinë dhe duke mos e kthyer ardhjen e tyre për përfitime meskine, por duke baskëpunuar në mënyrë njerëzore të shkëlqyer, gjë e cila shëmbëllen fisnikërinë e popullit arab. Unë  personalisht, ndjehem në Siri si një ndër  qytetarët e Damaskut dhe për asnjë cast nuk jam ndjerë i paragjykuar, apo nuk më janë mohuar të drejtat dhe mundësitë qytetare.  Prandaj gjithë kjo klimë miqësore e gjithë këto gjëra të përshkakëta nuk janë rastësi, por janë një element që lexuesinm arab e bën të pranojë natyrshëm frutet e kulturës shqiptare. Ata përqafojnë me dashuri letërsinë dhe kulturën shqiptare, ashtu siç përqafuan dhe pranuan komunitetet shqiptare që të bashkëjetojnë pranë tyre.

Cili është një nga shkrimtarët më të vështirë për t’u përkthyer?

Nuk mund të them kush është më i vështiri, por mund të pohoj se për mua një nga zhanret më të vështira për t’u përkthyer është poezia, e cila kërkon jo vetëm përkthimin e kuptimit, por edhe ruajtjen e muzikalitetit të vargut.

Cilin çmoni më shumë nga poetët shqiptar të Kosovës dhe të Shqipërisë?

Çdo poet e ka vlerën e vetë. Megjithatë për mua më të dashurit janë Llazar Siliqi, pasi ka një poezi të veçantë dhe gjithashtu Ismail Kadarenë.

Me çfarë po merreni kohët e fundit?

Tani nuk po shkruaj më, sepse jam ende shumë i turbulluar nga djegia e dorëshkrimeve. Shpresoj që të rikrijoj librin me poezi, që ia kam dedikuar bashkëshortes sime.

Duket sikur në krijimet tuaja i jepni një rëndësi  të veçantë çështjes së gruas. Çfarë synoni të përcillni, duke përzgjedhur femrën si figurë bosht në letërsi?

Unë kam siguri të plotë se me të vërtetë femra ka nevojë dhe e meriton të jetë në qendër të veprave letrare, por edhe në qendër të veprimtarive jetësore. Kur shoh gra të poshtëruara apo femra që diskriminohen vetëm prej gjinisë së tyre natyrore, më vjen vërtet shumë keq dhe mendoj se secili prej nesh mund të japë kontributin e vet për ta ndryshuar situatën dhe të triumfojë barazia gjinore. Burri dhe gruaja duhen parë si dy gjini që plotësojnë njëri-tjetrin dhe lidhja midis tyre është lidhja e harmonisë dhe e tolerimit dhe jo e çjerrjes, inferioritetit dhe e obligimeve që shihen vetëm në formë të njëanshme.

Cilat është vepra që ju vlerosoni më shumë nga ato që kanë shkruar deri tani?

Në fakt, e kam shumë të vështirë të veçoj, sepse veprat që krijon janë si puna e fëmijëve, ku e ke vështirë t’i dallosh nga njëra-tjetra, për shkak se të gjitha i kam krijuar me përkushtim dhe dashuri të veçantë. Megjithatë, përderisa kanë qenë edhe më të vlerësuarat nga kritika, do të përmendja romanin “Aroma e Hyrit” dhe romanin “Druvari”. Subjektet e këtyre romaneve lidhem me historinë e shtegtimit të shqiptarëve, por sigurisht janë veshur me elementi dhe trillin artistik.

 

Më parë, ju keni përkthyer korifenjtë e letërsisë shqiptare. Po sot që ka kaq shumë botime në Shqipëri, si orientoheni në përzgjedhjen e autorëve për përkthim?

Pothuajse u kam mbetur besnik emrave ë konsoliduar të letërsisë shqipe dhe të them të drejtën nuk marr përsipër të përkthej nëse nuk më pëlqen dicka. Përveç kësaj, larmia e botimeve dhe mungesa e një kritike të mirëfilltë në Shqipëri, më krijon vështirësi edhe kur dua të marr një libër të mirë për ta lexuar për kënaqësi. Kjo larmi krijimesh e botimesh mua më përgjithësisht më duket pozitive, sepse tregon zhvillimin dhe pasurinë e letërsisë e kulturës shqiptare.

Për çfarë ndjeheni më tepër krenar që jeni shqiptar?

Ndjehem krenar për mbiemrin tim, për gjuhën dhe traditat që i kam ruajtur me fanatizëm dhe patjetër ndjehem krenar për dinjitetin që e karakterizon figurën e shqiptarit në çdo kohë.

Cili është mesazhi juaj për të gjithë shqiptarët?

T’i rikthehen vlerave më përfaqësuese të tyre si bujaria, ndershmëria dhe puna. Gjithashtu, u them të gjithë bashkëkombasve të mia që ta duan librin dhe kulturën, sepse kjo është rruga më e sigurtë dhe më e bukur për të ecur në jetë.

Intervistoi:Jolanda Lila

Dhjetor 2012

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Abdulatif Arnauti, Jolanda Lila

PERSE DUHET TE VRITET NJE FEMER?

December 27, 2012 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/

Nëse një vëlla, një baba, një bashkëshort apo i dashur vret një motër, një vajzë, një grua apo të dashurën e tij, pse nuk e shikon situatën paraprake me gjakftotësi, por me vrullin e parë i vë lakun në fyt. Ligji, policia e gjykata meren me dënimin e fajit, e jo dikush që nuk është as ligji e as gjykata. Çfarë do lloj gabimi apo faji ajo të ketë kryer, ata mund ti drejtohen drejtësisë e jo pushkës e sopatës sikur therrin një bagëti.

Shumë tronditëse janë faktet e shifrat e fundit për vrasjet mbi vajzat e gratë në Shqipëri. 118 viktima vetëm për vitin 2012. Një tmerr i vërtetë, si në kohën e inkuzicionit. Organizata Mbarëkombëtare Pajtimit të Gjaqeve ngre zërin, organizon takime, konsulta, biseda mes familjarëve, por përsëri shifrat rriten pa asnjë efekt. 1208 familje të ngujuara për këtë vit. Mijra fëmijë të izoluar, e pa shpresë për jetën. Edhe pleq po vriten për hakmarrje kohëve të fundit. Ku po shkon kështu vendi ynë, ç’është kjo kasaphanë në njerëz, e kur do ti vijë fundi.

Përsse duhet të vritet një femër? Nëse nuk e do, ndaje. Nëse të tradhëton përsëri ndaje, por mos e vrit e mos e masakro. Ti zotni x apo y që i mer jetën asaj kushdo qoftë, nuk je as ligji as drejtësia, por një kriminel që ke lyer duart me gjak, e duhet të marësh dënimin që meriton. Por edhe nëse krimineli mer dënimin, viktima përsëri nuk kthehet më, nuk vjen më në jetë. Vrasësi vret e largohet në drejtim të pa ditur. Shpëton. Po pse i trembet dënimit kur kryen një vrasje, pse nuk dorëzohet. Atij i dhimbset jeta, po për atë që vret pse nuk mendon, po i pret kokën si një pulë e përpiqet ta fshehë ku të mundet.

Një mashkulli me formim të ulët edukativ, i pëlqen të kalojë disa orë me një femër, por përfolja ndaj saj tek te tjeret përbën “argëtimin” më të madh të tij, veprim ky ofendues për femrën, por një prezantim i ulët i karakterit të  mashkullit. Gruaja nuk eshtë vetëm për të lindur e rritur fëmijë, por një bashkëudhëtare e mirë e jetës  së një bashkëshorti, prandaj ajo duhet trajtuar me respekt e dashuri njerëzore.

Këto janë ngjarje që duhet të trondisin jo vetëm familjarët e viktimave, por mbarë shoqërinë tonë, e duhet të meren masat më ekstreme për një vrasje të kryer me ose  pa paramendim. Akte të tilla dhune ose vrasje kemi patur jo vetëm në veri të vendit, por edhe në qendër të Kryeqyetit të Tiranës. “Shqipëria është anëtare e NATO-s me të drejta të plota –  më tha një ditë një grua e mbijetuar nga dhuna e te shoqit – e përderisa këto shifra po rriten dita ditës – vijoi ajo – ti kërkohet ndihmë NATO-s që të ndalohen vrasjet e dhunimet tek vajzat e gratë”

Kishte të drejtë, kërkonte shpëtim për vete, e fëmijët e saj, si dhe për mbarë shoqërinë tonë. Eshtë një femër inteligjente, por fati  e lidhi me një burrë që abuzon ndaj saj, e rrihte, ishte edhe alkolist. Si pasojë e këtij mentaliteti të trashëguar edhe në Amerikë nëpër familjet shqiptare kemi patur akte e fenomene të tilla, ku burri ka vrarë gruan për motive të dobta, ose pa motiv fare, vetëm sepse ai është sipas tij “ligji” e ajo duhet ti bindet atij deri në vdekje. Marrëzi e sëmurë, e injorancë pa fund. Në një rast burri pasi ishte grindur me të shoqen në sy të fëmijëve e urdhëron atë që të dalë në rrugë në mes të dimrit e dëborës, e të qëndronte atje deri në mëngjes. Ç’janë këto dënime, ç’janë këto masa ndëshkuese për një grua, për një bashkëshorte, nënë e fëmijëve të tij? E më pas kur ai mer vesh se një i afërm i familjes e kishte strehuar kërkon ta vrasë, vetëm e vetëm se nuk kishte qëndruar gjithë natën jashtë në acarin e ftohtë, në mes të rrugës, poshtë godinës ku jetonin edhe fëmijët e tyre. Kjo është një ngjarje e jetuar, e njohur, e vërtetë. Po sa të tilla kemi, e të panjohura akoma….

Femra është vërtetë nga natyra si seks – më e dobët se mashkulli, por ai nuk duhet të masë forcat e tij me femrën. Le të përballet me drejtësinë për krimin e fajin që kryen. The Women’s Organizatin Hope & Peace, një organizatë jo qeveritare që meret me të drejtat e grave, po i shikon me kujdes këto raste e është duke dhënë ndihmesën e duhur për familjet me probleme të tilla.

New York, Dhjetor 2012

Filed Under: Opinion Tagged With: Mimoza Dajci, perse, vriten femrat

DUHET TE KESHE ENERGJI TE MADHE PER TE SHKRUAR

December 27, 2012 by dgreca

Vite mërgimesh në Irlandë, qëndrime në Spanjë dhe tani shumë artistë të famshëm si Depardiei po largohen nga Franca dhe nga taksat e saj, ndërsa Michel Houellebecq po kthehet në Paris. Sigurisht –thotë ai- jo për të dhënë një ndihmë patriotike për politikën. Motivi është personal : kisha dëshirë të flisja frëngjisht në jetën e çdo dite, pasi arrita një nivel të mjaftueshëm të gjuhës angleze. Po kthehem jo për militantizëm. Poeti 56 vjeçar po rifillon nga e para në vendlindjen e tij, në Francë dhe me dashurinë e tij të parë, poezinë. Libri im i ardhshëm do të dalë në pranverë dhe do të jetë një përmbledhje me vargje. Është gati në të mbaruar, me rreth një qind faqe. Që prej dhjetë vjetësh që nuk botoja poezi –vazhdon ai. Një lamtumirë tjetër për gjininë e romanin pas Rothit? Jo, asgjë përfundimtare, nuk e di se çfarë do të bëj në të ardhmen. Dikur J.M. Coetzee tha një gjë shumë të drejtë: që të shkruash një roman i ngjan një atlasi që mban mbi shpatulla botën. Është 72 vjet dhe ndoshta nuk ka më forcë. Ndoshta edhe Rothi ndjen të njëjtën gjë. Ka gjasa që të më ndodhë edhe mua, por romani nuk ka vdekur. Thjesht duhet të kesh energji të madhe për të shkruar. Pas veprave Letra dhe Territori ishte zhdukur, një largim prej botës disi shqetësues kur një vit më parë nuk u paraqit në takimin e promovimit të romanit në Hagë, Amsterdam dhe Bruksel. E prisnin, por nuk erdhi. Panik në Paris, zëra për rrëmbim, më pas se alarmi ishte fals. Ishte mirë, pa telefon, as email, në jug të Spanjës. Çfarë bëri në këto muaj? Udhëtova, fotografova, shkrova-përgjigjet. Jashtëtokësor i ulur në letërsinë franceze 20 vjet më parë, një lloj shkrimtari rokstar, prandaj ishte i dashur dhe i urryer, një rast kurioz i një foleje që bëhet i njohur që shet deri dhe një milionë kopje në të gjithë botën. Pak poezi zjgënjyese, kështu i përcakton ai vargjet më të fundit. Përballem me temat e mia të zakonshme, vuajtja dhe vetmia. Disa janë poezi të shkruara kohë më parë të pabotuara, sepse nuk ishin të përshtatshme në përmbledhjet e mëparshme. Por motivi që vendosa t’i botoja është se pjesa më e madhe janë krijime të reja. Vargje më të shkurtëra sesa zakonisht, të shkruara kudo në Paris gjatë udhëtimit të gjata me makinë në Francë apo Irlandë. Kërkojnë më pak punë sesa romani, por kështu ndryshon edhe gjini. Nuk ka një rend të përcaktuar. Manifesti poetik i tij përmblidhet në vargjet Në Kërkim të lumturisë të shkruara në debutimet e tij, urrjetje për të tjerët, përbuzje për vetveten dhe përzjerrje e gjithçkaje, sinteza, si të bëhesh poet dhe të çmësohesh të jetosh. Por tash poeti duket se e ka mësuar zanatin e jetës. Doli nga frazat e tij të fundit të mbylljes, po kthehet në atdheun e vet, në një shtëpi që sheh çatitë dhe qiellin e Parisit, i trajton me dashuri bashkëbiseduesit. Për autorin që ka shkruar se Bota është një vuajtje e shpalosur apo Zbrazëtia dridhet nga dhimbja deri tek të jesh në një parosizmi të pështirë, Micheli është sot një burrë që buzëqesh shpesh. E ka kuptuar dhe themeluesja e Art Pressit Caterinë Millet dhe shkrimtare intensive e bestsellerëve që në dhjetë vjet ka shitur 2 milionë kopje të librit Jeta seksuale  që paraqet një anteprima të një filmi prej 10 minutash me skenar të shkrimtarit Houellebecq dhe i nxjerrë nga vargjet e veprës Në kërkim të lumturisë, me dëshmi të shumë përsonave që thonë se mbijetojnë sesa jetojnë. Shkrimtares Millet i duket njeri me dhembshuri, larg famës si njeri i lig. Joshoqëror, por jo i lig – saktëson ai. Dhembshuria më bën të shkruaj dhe që do të më kishte bërë një psikiatër të mirë. Njerëzit ndajnë shumë biseda me mua, kanë ndjesinë se më flasin pa i gjykuar. Jam lexues i Shopenhauerit dhe mendoj se dhembshuria është e vetmja përgjigje. Pra mizantropi Houellebecq nuk u përgjigjet mesazheve, por bisedon me shumë prej tyre që ndihen në limite dhe që i dërgojnë tekste, fragmente dhe vepra vizuale si fotografi. Nuk kam frikë të mbetem i mbërthyer në lidhje të vështira, këta persona janë të kënaqur nga vëmendja që u kushtoj, për faktin se i lexoj apo i shoh gjërat e tyre dhe më pas u përgjigjem. Vargjet e mia kanë një sukses të madh në spitalet psiqike. E ndiej se ka një marrëdhënie me të braktisurit. (vazhdon)

 

Houellebecq : Unë tashmë i kam lexuar të gjitha ose gati të gjitha

 

Disa prej librave të tij janë bërë dhe po bëhen skenarë për filma në Europë dhe ai më i fundit nga një treshe hollandeze. Sigurisht është një shfaqje disi dëshpëruese, shpresoj të gjej financuesit – thotë Houellebecq, si gjithmonë me ironi. Nëse vargjet e vjetra dalin nga fillesa e origjinës, ka vuajtje, poezitë e reja nuk flasin më për urrjetje ndaj të tjerëve dhe përbuzje për veten, sepse dhembshuria ndërkohë është bërë rrugë, por problemi është po ai i çudisë që gjendesh në këtë botë. Në disa vargje të tij lexojmë : Vdiq më i pastri, çdo gëzim u gjymtua, gjoksi është si i zbrazët, mjaftojnë disa sekonda që të zhdukësh botën. Libri i ri premton të nxjerrë jehonën e autorit në origjinë, ai që shkroi mrekullisht për Lovecraftin dhe vizionin e përbashkët të një universi të reduktuar në “grumbull dinak të qelizave bazë” .

Një figurë tranzicioni drejt kaosit i destinuar që të triumfojë. Do ta ndiejmë mungesën e fytyrës tjetër të Mishelit, atë të vëzhguesit të shoqërisë. Midis miteve të tij është Balzaku që i përdori romanet për të përshkruar botën bashkëkohore dhe ndonjëherë si profet t’i paraprinte së ardhmes: shtrirje e logjikës kapitaliste dhe liberale në raportet seksuale dhe sentimentale, kapërcimin e njeriut në sajë të gjenetikës, terrorizmin islamik, refuzimin e pleqërisë, klonimin deri tek përshkrimi i Francës si një hibrid i çuditshëm me galeritë e artit dhe parqe lojrash për turistë të pasur të vendeve që tashmë janë afirmuar.

Në Bibliotekën kombëtare, Art Press-i ekspozon disa fotografi të bëra nga vetë shkrimtari : Nuk kam pretendime të mëdha, por fotografia luan një rol në jetën time. P.sh kur shkruaj një roman, ulem përballë murit dhe vendos para meje imazhet e vendeve në të cilat ambientohet historia: është një mjet që më ndihmon. Disa syresh i bëra verën e kaluar në Bulonjë sur Mer dhe janë një zgjerim i vepërs Letra dhe Territori. Flasin për transformimin e Francës në një lloj muzeu nga njëra anë dhe dominimi i fushave nga ana tjetër. Më pas foto diodash në autostrada deri tek imazhet tipike të autorit mes shtëpive dhe pemëve, apo markete me parkim etj. Mishelit i pëlqen vendi ku vendosi të kthehet, duhet marrë në konsideratë se tre vjet më parë i paraprinte rënies, duke e parë si një park lojrash. Çfarë efekti të ngjall? Më duket se Franca këmbëngul që ta refuzojë fatin e vet, edhe pse unë besoj se s’ka më shpëtim. Prodhimi botëror po organizohet dhe fatmirësisht vendet e pasura joshen nga ajo që u ofrojmë si artizanati, turizmi, kuzhina. Italia ndodhet në të njëjtën situatë. Unë nuk kam preference, por ndoshta duhet pranuar realiteti dhe ta braktis idenë se vetëm industria është veprimtari fisnike dhe vendimtare për të ardhmen e një vendi. Për qeverinë dhe presidentin më popullor në Francë se në atdhe, shkrimtari është disi skeptik. Nuk ka besim tek presidenti, denoncon paradoksin e një vendi gjithmonë e më djathtas që ka një president të majtë. Unë nuk votoj në zgjedhje, vetëm në referendume, e kam si parim, por çudia e situatës është e dukshme. Nuk pajtohet edhe me arsyet e betejave ndaj Google dhe Amazonit me anë të ministrit të Kulturës. Cili është problemi? Mbijetesa e botuesve tradicionalë? Nuk më duken të kërcënuar. Libri dixhital në Francë është një dështim total, askush nuk e ble lexuesin e ebook-ut. Një tekno-entuziast si ju nuk e ka një Kindle? Jo, versioni tablet është një produkt i neveritshëm, nuk krahasohet me librin në letër. Nuk lexohet mirë, jam një klient i Amazonit. Po e gjithë retorika romantike mbi libraritë e vogla që nuk duhet të zhduken? Nuk e di, kufizohem të vërej se për lexues të fortë si mua, Amamzoni është i pazëvendësueshëm. Unë tashmë i kam lexuar të gjitha ose gati të gjitha, kur shkoj në një librari tradicionale nuk më tërheq më asgjë dhe nuk gjej atë që kërkoj. Supermerkatot e mëdha të kulturës do të sillnin homologimin përmes bestsellerësve? E kundërta. Në Amazon gjej gjërat e rralla. Ai vëren rreziqet e abuzimit të shkeljeve të syrit, referimeve, ironisë dhe shkallën e dytë në shfaqjet artistike dhe në komunikimin mes personave : gjithçka zhvillohet si shprehje e drejtpërdrejtë e një ndjenje, emocioni, ideje se është e pamundur, sepse është shumë vulgare. Gjithçka duhet të kalojë përmes filtrit deformues të ironisë dhe ndarjes. Sipas Mishelit nuk kuptohet asgjë dhe humori i qëndrueshëm del si heshtje tragjike. Prandaj si patrioti më pak i tillë ndaj shkrimtarëve të tjerë francezë, mund të flaës gjatë për poezinë, dhembshurinë, psikiatrinë, Francën, presidentin dhe supërmerkatet. Me të njëjtën çiltërsi dhe zero ironi.

Përgatiti Arjan Th. Kallço

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Michel Houellebecq

PARA SHTATORES SË KRYETRIMIT ADEM JASHARI…

December 27, 2012 by dgreca

Nga: MURAT  GECAJ/ Këto ditë janë festë, në Tiranë dhe në qytete tjerë të Shqipërisë, por edhe më gjerë, në Kosovë e trojet tjera shqiptare dhe në disaporë. Vërej se udhët gumëzhijnë e janë të mbushura plot. Njerëzit lëvizin të qetë, dikush më këmbë dhe të tjerë me makina.  Bashkëkombësit tanë, kudo që  jetojnë e punojnë, i shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre edhe përmes urimeve. Në ditët e festave, tashmë, ato praktikohen në rrugë e me mjete të ndryshme. Ka nga ata, që e parapëlqejnë të shkojnë fizikisht dhe të takohen me familjarë, kolegë, miq e dashamirë. Disa të tjerë përdorin telefonin e shtëpisë ose celularin,i cili edhe  ka oferta të  përshtatshme, për ta realizuar një gjë të tillë. Është kjo një praktikë e mirë, që i lidhë, o afron dhe i miqëson njerëzit tanë.

Kaloj nëpër kryeqytetin Tiranë dhe ndalem para shtatores së Hasan Prishtinës, në afërsi të Muzeut Historik Kombëtar. Nuk ka shumë ditë, që u përurua dhe ende ka këtu  kurora  e buqeta me lule. Njerëz të ndryshëm ndalen e fiksojnë  fotografi, që t’i kenë kujtim. Sjell ndërmend, se pikërisht në ditët e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, aty isha bashkë me një grup kolegësh e miqësh, të cilët kishin udhatuar me autobus që nga Suedia, në Kosovë, Vlorë e kthim.  Aty bëmë së bashku disa fotografi…Më tej, udhëtoj nëpër “Rrugën e Durrësit”. Pa shkuar ende te Sheshi “Rilindja” (njihej më parë, “Zogu i Zi”), ndalem  para një shtatoreje të bukur, e cila të fton ta nderosh dhe ta respektosh. Ndoshta, nuk duhet ta shkruaj këtë gjë, por unë nuk e di emrin e autorit të saj. Prandaj i kërkoj atij falje dhe e përgëzoj për punimin e bukur, që ka bërë. Pra, ndiej kënaqësi, kur e shikoj, me atë shprehjen e saj krenare, burrërore e trimërore. Eshtë shtatorja e kryetrimit Adem  Jashari, komandantit legjendar të UÇK-së, para kujtimit dhe veprës të të cilit përulemi të gjithë. Armët i ka ngjeshur dhe vështrimin e mban larg, drejt Kosovës martire…Ndërkaq, nxjerr aparatin fofografik dhe e shkrepi për disa poza.

Ndërkaq, në kujtesë sjell vizitën, që kam bërë në Kullën e Jasharjve, në Prekaz të Drenicës, në fundvitin 2000. Kam dëgjuar asaj here për sakrificat mbinjerëzore të kësaj familjeje heroike, nga e cila u flijuan mbi 20 veta, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në shenjë respekti të veçantë për atë trung të rrallë familjar, aty bëra një fofografi me bacën Rifat, vëllain e Adem Jasharit dhe me djalin e tij, Lulëzimin. Unë e di, se ata kanë sa e sa fofografi të tilla, me vizitorë të shumtë. Ndërsa për mua ajo ka mbetur gjithnjë e paharruar dhe e kam fiksuar në disa botime të mijat.

Por, kur qendroj  në heshtje para shtatores së Adem Jasharit, sjell në kujtesë edhe vizitën time disaditore në Kosovë, në korrikun e atij viti. Me bashkëshorten time dhe  i shoqëruar nga miku nga Deçani, Qerim Pepshi, bëmë vizita në disa qytete e fshatra. Ishim edhe në Gjakovë e Pejë, Prizren e Prishtinë, në Gllogjan e Novoselë etj. Kudo gjetëm gjurmët e heroizmit masiv të popullit kosovar, në përleshje me pushtuesit gjakatarë serbë. Bëmë një vizitë edhe në shtëpinë e komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, ku u takuam me babanë e tij. Por ishim edhe në zonën e Junikut, ku kishte bërë vizitë diplomati i shquar amerikan,  Riçard Hollbruk. Kudo na ranë në sy varre, mbuluar me kurora dhe lule të freskëta. Ishin në nderim të atyre, që e dhanë jetën e tyre të re, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të gjitha ato mbresa unë i përmblodha në librin, “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000).

Ndërsa meditoj për ato, që shkrova më sipër, kujtesa më shkon te gjithë të rënët, në luftërat shumëvjeçare  për mbrojtjen e vatanit, të tokës së shenjtë të të parëve tanë. Se vërtet është e natyrshme të festojmë së bashku, por dhe të mos harrojmë sakrificat mbinjerëzore, që na është dashur të bëjmë  gjatë historisë, për liri e pavarësi. Se është fakt i njohur, që populli ynë gjithnjë ka qenë paqësor dhe jo sulmues e agresiv ndaj të tjerëve, pra as ndaj fqinjëve tanë. Ndërsa të huajtë na kanë rënë në qafë me pa të drejtë. Me forcë e diplomacy të padrejtë, ata na i kanë copëtuar e marrë nga trungu amtar, disa pjesë të tokave tona dhe, gjoja, me to kanë krijuar “minishtete”. Ndërsa  tani atyre u duket e habitshme, kur ne kërkojmë bashkimin e Kombit Shqiptar, ashtu si të gjithë kombet e tjerë, në Ballkan e më gjerë. Sepse ky ishte një ideal i kahershëm i rilindësve tanë dhe platformë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por edhe e Qeverisë së parë shqiptare, të kryesuar nga Ismail Qemali, me vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, më 28 Nëntor 1912. Me këtë mendim, në shpirt e në zemër, ranë kryetrimi Adem Jashari dhe pjesëtarët e familjes së nderuar të tij; u flijuan edhe trimat e tjerë të Kosovës, që  ajo të ishte e lirë dhe e pavarur.

Historinë tonë të lavdishme, ne e kemi dhe duhet ta kemi kurdoherë në mendje e në zemër. Për atë është shkruar në sa e sa libra, ruhet në muze dhe përjetësohet në lapidarë e shtatore të atdhetarëve e të luftëtarëve tanë, të mendjes e të pushkës. Prandaj, lipset të jemi krenarë dhe t’ua transmetojmë brezave pasardhës, si gjënë më të shenjtë, duke ua treguar luftën, përpjekjet dhe gjakun e derdhur për mbijetesë. Me këto ideale të larta, ne duhet të ecim të bashkuar përpara, duke ruajtur lirinë e pavarësinë, duke e begatuar e përparuar çdo pëllëmbë të tokës amtare shqiptare. Kështu do të hyjmë  me ballin lart në Bashkësinë Europiane, të nderuar dhe të respektuar nga shtete aleate e mike, me ShBA në krye.

Tiranë, 25 dhjetor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Adem Jashari, Murat Gecaj, para Shttaores

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5644
  • 5645
  • 5646
  • 5647
  • 5648
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT