• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUNGESA E MADHE E DED GJO LULIT

November 27, 2012 by dgreca

Ismail Qemali e quante “Pushkë e ngrehun për Shqipërinë”/

Nga KOLEC TRABOINI/

 Shumçka në këtë 100 vjetor te Pavarësisë po vihet në vendin e merituar. Edhe shpata e përkrenarja e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut erdhi nga Vjena që shqiptarët të shohin nga afër armët e burrit më të madh të këtij kombi; erdhi dhe Meshari i të madhit Dom Gjon Buzuku; tashmë Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina janë në vendin që e meritojnë.

Mirë kish qënë të ishte edhe Dom Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi, sepse nuk mund të shkruhet historia pa këto burra. Por ndjehet mungesa e një tjetri që përbën lavdinë e kombit, flamurtarit të madh të 6 prillit 1911, bash e atij që Ismail Qemali e quante “Pushkë e ngrehun për Shqipërinë”, është kryefjala për kreshnikun e Malësisë së Madhe, burrin e panjollë, Ded Gjo Luli që u shkri megjithë familje për shqiptari dhe  i mungon dukshëm këtij jubileu të madh të shqiptarëve të gjithë botës.

Kur ka qënë puna për luftë ai është ndodhur i pari, madje duke dhënë jetën e vet dhe bijve të vet, por tash në paqe e në festime legjitime nuk është. Nuk ndjehet kurrkund. Nuk e përmënd kurrkush në asnjë fjalim a shkrim a thua se ai ishte vetëm heroi ynë, pra i Hotit dhe Malësisë. Por Ded Gjo Luli ka luftuar për Shqipërinë e jo vetëm për Malësinë. Se kështu i tha Deda ministrit të Perandorisë Otomane kur u shfaq në  Podgoricë duke u mburrur se erdha me ju takue:  “S’na ka marrë malli me të pa,  por meqë erdhe dëgjo”,-   e Ded Gjo Luli theksoi : “Ato pika të Librit të Kuq i duam jo veç për vedi e Malësi, por për tanë Shqypni”.  Ky ishte Ded Gjo Luli!

Tash Shqipëria feston e Ded Gjo Lulin po e harron, aq sa u darovitën në Kuvend Popullor plot tituj e ndere. Disa prej të cilëve për katragjyshët e vet, por nga ata luftëtarët e Ded Gjo Lulit asnjë. E vajtueshme kjo pamje. E turpshme përpara historisë. Vërtetë ju dha titulli “Nderi i Kombit”  Malësisë së Madhe, por malësia pa bijtë e vet nuk është gjë tjetër veç një grusht male. Eshtë njeriu pa është mali e fusha, lumenjtë e deti.

Mbi dhjetë vjet më parë, në nje polemikë me titull “Trumani apo Ded Gjo Luli” me milionerin shqiptaro-amerikan Ekerem Bardha,  kam ngritur zërin si hotian më shumë sesa si gazetar, që në atë shesh që ndodhet në rrugën “Ded Gjo Luli”, të mos ngrihet busti i Trumanit siç propozonte Ekerem Bardha, që do ta financonte, por busti i Ded Gjo Lulit. Prej presioneve edhe të malësorëve shqiptarë të Detroitit, Ekerem Bardha u konsultua me Ismail Kadarenë, i cili e këshilloi të tërhiqej duke thënë se aty në rrugën “Ded Gjo Luli” do të ishte mirë të ngrihej monumenti i tij e jo një tjetri. Ekerem Bardha atëherë deklaroi se hiqte dorë nga projekti Truman e madje do të kontribonte me njëmijë dollarë për bustin e Ded Gjo Lulit që do të ngrihej në atë shesh përpara restorant “Piazza” të tij. Qysh atëherë kanë kaluar shumë kohë. Herë pas here e kam ngritur këtë problem jo vetëm në shtyp por në çdo rast që kam patur mundësi, i kam kërkuar angazhim edhe Fondacionit Ded Gjo Luli në New York, por në vesh të shurdhër gjithçka. Edhe sot e kësaj dite ky shesh këndor prapa Muzeut Kombëtar mbetet me karrige kafenesh. Bardha, që tashmë merret me vreshta e prodhimin e verës e ka shitur Piazza-n tek një pronar tjetër, por busti i Ded Gjo Lulit nuk po vihet aty ku i takon. 
Po pse shqiptarët e Amerikës me origjinë prej Hotit e Malësisë së Madhe nuk po ndjehen kurrqysh për këtë punë të monumentit të Ded Gjo Lulit. Shoqata me emrin Ded Gjo Luli në New York bën organizime me shpenzime për turnamente sportive e nuk  po bën kurrnji veprim për të krijuar një fond për këtë monument. Edhe shoqata me të njëjtin emër në Tuz mund të angazhohej me këtë veprim atdhetar anipse Ded Gjo Luli e ka një shtatore në Tuz që sheh përballë malit të Deçiqit. Ndërsa shoqata Ded Gjo Luli në Shqipëri me çfarë kam konstatuar, pas vdekjes se kompozitorit Zef Leka që e mbante me veprimtari, tashmë është inaktive e thuajse nuk ekziston. Sot që Tirana është bërë një qytet i madh ku vijnë nga të gjitha trevat shqiptare, në mes tyre dhe bijtë e Malësisë së Madhe do të ndjeheshim bash mirë që krahas Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës të vizitonin e të vendosnin një tufë lule në shtatoren e Ded Gjo Lulit. Por ky monument për fat të keq nuk është në kryeqytetin e shqiptarëve të tërë botës.

Këtij kryeqyteti  mjerisht i mungon kryekreshniku i Malësisë së Madhe e i kryengritjeve që sollën Pavarësinë që gëzojmë sot.(Foto: Ded Gjo Luli me të birin Kolën)

 27 nëntor 2012

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: e Ded Gjo Lulit, e madhe, Kolec Traboini, Mungesa

VATRA 100 VJECARE FESTOI ME MADHESHTI 100 VJETORIN E PAVARESISE

November 26, 2012 by dgreca

NJU JORK : Shoqata Vatra, pararendësja e Pavarësisë së Shqipërisë kremtoi 100 Vjetorin me 500 pjesmarres/

Nga BEQIR SINA, New York/

Bronks – New York : Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetet ku më së shumti vitet e fundit janë të përqendruar shqiptarët, në këto ditët të javës që lamë pas – në lokalet shqiptare dhe vendet e zgjedhura nga ata për të festuar, së bashku me familjet, miqtë e tyre shqiptarë e amerikanë, kanë kremtuar me madhështi 100 – Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, që është njëhereshit edhe festa më madhore që i bashkon të gjithë shqiptarët nga të gjitha krahinat dhe trojet të tyre prej nga kan ardhur në SHBA.

Por, për dallim nga vitet e tjera, këtë vit tek shqiptarët e Amerikës, kjo festë ishte një ditë edhe më e shënuar se heret e tjera.100 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, u shoqërua me fjalime patriotike, duartrokitje, brohoritje e këngë e valle nga të gjitha trevat tona. Ngritjen e flamurit kuq e zi në sheshet qendrore të qyteteve më të mëdha Amerikane. Ndërkohë, që në New York edhe rrugët e qytetit të Bronxit janë hijeshuar me flamurin shqiptar vendosur në shtyllat e ndriçmit në dy anët e rrugëve, sikurse në, Vlorë, Prishtinë, Shkup, dhe Tiranë( një inisiativë personale kjo që pesëvjeçarin e fundit e kryen me shpenzimet e veta veprimtari i dalluar – anëtari i Kuvendit të New Yorkut zotit Mark Gjonaj)

Darka e Vatrës një manifestim qëndror dhe ai që i bashkoi të gjithë shqiptarët, nga Shqipëria, Kosova, dhe të gjitha trojet etnike shqiptare, u mbajt nën “ombrellën” e shoqatës PanShqiptare e Amerikës Vatra në New York, me pjesmarrjen e  më shumë se 20 grupimeve, shoqatave, enteve fetare në komunitet, organizatave të tjera politike dhe krahinore,organizuan mbrëmjen madhështore, në shenjë të përvjetorit të 100-të, të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ky manifestim u mbajtë të dielën më 25 Nëntor, në lokalin “Maestro’s” ne Bronks- Nju Jork, dhe morën pjesë rreth 500 shqiptarë.

Mes pjesmarrësve ishte dhe asamblameni i New Yorkut zoti Amrk Gjonaj, klerikët e dalluar të komunitetit si dhe shumë personalitete të rëndësishme, biznesmen dhe afaristë të njohur të komunitetit shqiptarë në Amerikë, diplomatët e Kosovës dhe Shqipërisë në New york dhe Washington.

Në New York, “kryeqendrën” e Shqiptarëve të Amerikës, shqiptarët të përbashkuar nga të gjitha trojet, Shqipëria, Kosova, Kraja Ulqini, Plavë – Gucia, Presheva, Bujanovci e Medvegja, Tetova e Gostivari, Struga, Kumanova e Dibra, Preveza, Filati – Çamëria, u mblodhën që të festojnë në mënyrën më madhështore 100 vjetorin e pavarësisë.

Një manifestim shumë inkurajues dhe me nivel plot shpresëdhënës për organizimin e bashkësisë sonë në SHBA, organizuar nga Komisioni i organizimit të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nga Vatra, Bashkësia shqiptare dhe Shërbimi Diplomatik Shqiptar në New York. Mbrëmjen festive të 100 vjetorit e përshëndetën në emër të Ambasadorit të Shqiperise ne Uashington diplomati Anton Koliqi dhe Ambasadori Ferit Hoxha Shef i Misioni i Perhershem i Shqiperise ne OKB. Në emër të qeverisë dhe kryeministrit Berisha tubimin e përshëndeti konsulli Përgjithëshëm i Shqipërisë në New York, zoti Dritan Mishto, sikurse me një mesazh të dërguar në emër të Ambasadorit i Kosovës në New York, zotit Bekim Sejdiu, konsulli i Konsullatës së Kosovës, në New York, zoti Fatmir Zajmi.

Shoqata Vatra, tha nënkryetari i saj zoti Agim Rexhaj me themelimin e saj “shtatë muaj para pavarësisë së Shqipërisë, ska dyshim që ishte pararendsja ose një lajmëtare e dritës dhe e simbolit të lirisë për shqiptarët, se po vinte ndarja nga vargonjët e robërisë, mbas pesë shekujsh – pra 28 Nëntori 1912 ngritja e flamurit nga Plaku i Vlorës i urtë dhe i mençëm – Islamil Bej Qemali “.

Duke hapur festën e flamurit nën/kryetari i Vatrës, zoti Agim Rexhaj, i cili tha se Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, është një simbol i indentitetit dhe bashkimit të gjithë shqiptarëve, simbol i krenarisë kombëtare dhe i dashurisë për Atdheun tonë të dashur tha ai. Kjo ditë e veçantë, vijojë Rexhaj mbledh se bashku të gjithë Shqiptarët dhe miqtë e tanë, kudo që jemi në nder dhe respekt të thellë për të gjithë Kombin Shqiptar. Po, qe se nuk do të kishte qënë kjo ditë, tha Rexhaj, s’ka dyshim që edhe “Nëntori i dytë i Shqiptarëve – Pavarësia e shejtë e Kosovës – nuk do të kishte qenë”.

Drejtuesia e këtij manifestimi zonjusha Nazo Veliu, prezantoi mysafirët e nderit dhe disa nga personalitetet e njohura të komunitetit . Lutjen fetare dhe bekimin e festës së 100 Vejtorit e kreu sipas traditës së kësaj feste – I përdershmi Josuf Balaj nga Qendra Islamike Shqiptaro – Amerikane për New York dhe New Jersey.

Hymnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë, u kënduan nga këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore Merita Halili, shoqëruar prej orkestres së drejtuar nga mjeshtri i firzamonikës Raif Hyseni. Më pasë me një minutë heshtje, për të nderuar kujtimin e dëshmoreve të kombit shqiptar, dhe për ushtarët amerikanë të rënë në luftërat për liri, paqe e demokraci, si dhe kundër terrorisimit ndërkombetar, u shoqëruan nga të pranishmit me qëndrim në këmbë, në shenjë nderi e respekti.

Në fillim të fjalës së tij kreu i Vatranëve në Amerikë, Dr. Gjon Buçaj, i urojë me këtë rast kremtimin të 100 vjetorit, ditës ma të shejtë të kombit shqiptar, Ditës së Flamurit që shënon pavarësinë e Shqipnisë, mbas përpjekjesh afër pesë shekullore,të gjithë pjesmarrësve.

“Etja për liri që nuk u shue kurrë, i shtyni shqiparët, tha Dr Buçaj, në kundërshtime e kryengritje të izolueme, derisa në Lidhjen e Prizrenit u krijue vetëdija e kombësisë së përbashkët që solli luftën e organizueme gjithëkombëtare, luftë e cila ushtarakisht humbi për mungesë mbështetje nga jashtë, por vazhdoi të frymëzojë kryengritje të herëmbashereshme. Ndërsa pushka kërciste dhe gjaku derdhej që nga jugu në veri nga Kosova në Çamëri në Malësi dhe pothuej në të gjitha trevat shqiptare, në kancelaritë e Europës e në Ëashington, memorandume e delegacione të ndryshme sillnin mesazhet e luftës për liri, ku dhe Vatra ka dhanë kontributin e saj të fuqishëm.”

Më pas ai vuri në pah faktin se e ushqyeme me gjak e sakrifica të mëdha në shtegtimin e gjatë, andrra shekullore e lirimit nga robnia u ba realitet, kur Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe nji plejade fatosash të tjerë të kombit nga të katër vilajetet, tue pasë mbrojtjen e armatosun të Isa Boletinit me luftarët nga Kosova, ngriti Flamurin e Gjergj Kastriotit Skanderbeut dhe shpalli Shqipninë shtet të pavarun me 28 Nandor 1912, në Vlorën historike.

Në fjalën e tij kryetari i Vatrës kujtojë që të mbledhun këtu me atë gëzim që po e përjeton e gjithë bota shqiptare në këto ditë, përkujtojmë ata të cilët na sollen si dhe ata që me gjak e sakrifica e mbrojtën pavarësinë dhe integritetin e shtetit shqiptar, ku Vatranët si u shpreh ai nxanë vend nderi përsëri por disa prej tyne që u riatdhesuen në shërbim të kombit, i persekutoi atdheu i tyre Shqipëria, ose regjimi në shërbim të ideologjisë së huej.

“Pra, i burgosi, i vrau dhe i quejti armiq të popullit, reaksionare, kuislinge e trathtarë; të gjithë ata që ecën pandërpremje drejt realizimit të aspiratës shekullore edhe për pjesën e lanun jashtë kufijve të 1913-ës, në veçanti elitën e kosovare t’udhehequn nga dr. Ibrahim Rugova dhe luftarët e popullit liridashës me komandant Adem Jasharin që i sollën Kosovës lrinë”.

Duke folur per shtresen e te perndjekureve politike, kryetari i Vatres theksoi: Shtresa që, me vuejtje të papërshkrueshme dhe vdekje në burgjet e në kampet e diktaturës komuniste, ruejti të pandërpreme frymën e trashigueme nga etënit e pavarësisë, mbajti gjallë shpresën e lirisë, forcoi vëllaznimin në mes shqiptarëve të nji gjaku dhe, me qendrimin e saj paqësor e jo hakmarrës në liri, i rriti kombit prestigjin dhe i tregoi rrugën drejt së ardhmes së përbashkët. 

Ndërsa, festojmë dhe me gëzim e krenari kombëtare përjetojmë arrijtjet e këtyne 100 vjetëve, tha Dr Gjon Buçaj, kujtojmë me mirenjohje të thellë edhe miqt të cilët na ndimuen, sidomos Shtetet e Bashkueme të Amerikës që na u gjetën në momentet ma të rëndësishme të historisë sonë dhe të ekzistencës sonë kombëtare.

Me këtë rast kryetari i Vatrës në emër të vatranëve tha se përshëndesim edhe kthimin e eshtnave të Mbretit Zog në Atdhe dhe përgëzojmë qeverinë dhe shtetin shqiptar për këtë akt kombëtar, duke shpresuar që ky të jetë ky fillimi i një procesi për riatdhesimin e shumë figurave të tjera dhe vëlerësimin objektiv të figuravet kombëtare, në vijim me porosinë e Kryeministrit Berisha dhënë Kimisionit Ndërministror për Pavarësinë.

Në fund të falës së tij Kryetari i Shoqatës VATRA, Dr. Gjon Buçaj tha se :”Urojmë që kjo festë e shejtë dhe e kujtimit të atyne që i kushtuen jetën kësaj dite, të jetë një 100 vjetorë i bashkimit tonë kombëtar, i frymëzimit për të gjithë shqiptarët që të bashkohen në harmoni drejt nji ardhmenije ma të mirë dhe ma të drejtë”.

Kjo shoqate me rastin e ditës së pavarësisë sipas traditës, së hershme të saj 100 vjeçare nderojë për këtë 100 vjetor me çmimin e nderit “Fan S. Noli”, ish kongresmenin republikan dhe mikun e dëshmuar të shqiptarëve në SHBA Beniamin Gillman, për kontributin dhe rolin e tij te madh në dobi të çështjes shqiptare.

Anëtari i Asamblesë së New Yorkut, në emër të kongresmenit demokrat Eliot L. Engel mori çmimin “Fan S. Noli” akorduar nga shoqata atdhetare VATRA. Eliot Engel është anëtar i Kongresit për New York-un që nga viti 1989, i cili shërben sot si Kryetar i NënKomitetit të Çështjeve të Jashtme për Hemisferën Perëndimore në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkohë që Shqiptarët e njohin më mirë si kryetar i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongres, si një luftëtar i hershëm për pavarësinë e Kosovës dhe si një mik i madh i shqiptarëve në Washington
Të përbashkuar tek Vatra, dje valle, kënge e melodi nga të gjitha trevat, kanë vijuar pbr gjatë gjithë mbrëmjes nën argëtimin e hareshëm të grupit muzikor, Grupi i mjeshtërve të muzikës popullore shqiptare Bilbili i këngës së “Shqipërisë së Mesme ” Merita Halilit me frizamonicistin e mrekullueshem Raif Hysenit,këngëtarin e njohur të komunitetit Mithat Salihu (Kino-Gara), si dhe këngëtarët të tjerë të komunitetit. – I ftuar special ka qenë këngëtari i ri i talentuar: Bledar Maqellara dhe me një preformancë mbresa lënëse këngëtari nga Struga – Haxhi Dauti – i cili këndoi dy këngë enkas për këtë 100 vjetor një për Pavarësinë e Shqipërisë dhe një për Vatrën.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: 100 vjecare, Beqir Sina, festoi 100, Vatra, vjetorin e Pavaresise

KRIJOHET NJË DEGË E RE VATRËS NË 100 VJETORIN E PAVARËSISË

November 26, 2012 by dgreca

Të dielën e 18 nëntorit u krijua dega e re e Vatrës në Jacksonville në Florida. Kjo është dega e dytë që krijohet në kufijtë e vitit 2012 në Florida, dega e parë është krijuar kohë më parë dhe drejtohet nga biznesmeni i suksesshëm, Kolec Ndoja, veprimtar i njohur, Pishtar i Demokracise, per kontribut te vecante ne proceset e para Demokratike ne Shqiperi.

Inisiator i krijimit të degës së re në Jaksonville është z. Adriatik Spahiu. Ideja për të krijuar degën e Jacksonville u shfaq që në aktivitetet e 100 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, ku Adriatiku së bashku më zonjën e tij dhe dy vajzat udhëtuan nga Florida në New York dhe u bënë pjesë e festimeve të Vatrës. Madje ai edhe përshëndeti në darkën madhështore të Vatrës me 29 prill në Chelsea Piers, Manhattan, NY. Në fjalën e tij të shkurtër ai pat thënë se ndjehej krenar që ishte pasardhës i një vatrani të hershëm, gjyshit të tij, dhe u zotua se do ta ngrinte bashkë me atdhetarë e tjerë në Jacksonville një degë të Vatrës dhe e mbajti fjalën.

Në takimin promovues të degës së Vatrës në Jacksonvill me 18 nëntor, grupi organizator, kishte ftuar pjesmarërs nga të gjitha viset shqiptare, që jetojnë në atë zonë. Ishin rreth pesëdhjetë vetë që ishin pjesë e promovimit të degës, ndërkohë që 26 anëtarë plotësuan formularët e anëtarësimit. Degën e ka përshëndetur gjatë takimit përmes linjës telefonike,që nga Nju Jorku, kryetari i Federatës Panshqiptare Vatra, dr. Gjon Bucaj, i cili i uroi anëtarët e rinj të Vatrës për mirëseardhjen në  Vatrën Kombëtare, Shoqatën më të vjetër të shqiptarëve të Amerikës, e cila në këtë 100 vjetor është riorganizuar dhe po krijon degë të reja.

Në takimin e parë u zgjodh edhe bordi drejtues i degës. Kryetar u zgjodh Adriatik Saphiu.

Dega e re do të promovojë vetën në një veprimtari masive, që do të organizohet me 28 nëntor, ku do të festohet 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.

Urime degës më të re të Federatës Panshqiptare të Amerikës, Vatra!

(NE FOTO: Te antaresuarit ne degen e Vatres ne Jacksonville me 18 Nentor 2012)

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, dega e re, ne Jacksonville

MIRENJOHJE NE 100 VJETORIN E PAVARESISE

November 26, 2012 by dgreca

100 vjetori i Pavarësisë, mirënjohje Shteteve të Bashkuara  të Amerikës/

 Në rast se shqiptarët për herë të parë në historinë e re janë të barabartë dhe krenarë në familjen  e popujve euroatlantikë, si anëtar të NATO-s apo si qytetarë të lirë të kontinetit të tyre, merita kryesore u takon SHBA-ve, të cilat në fillim të viteve ‘90-të, e nxoren Shqipërinë nga izolimi i vetëkërkuar, ekonomia e centralizuar dhe aleancat antikombëtare me bazë ideologjike, duke e orientuar atë në rrugën e lirisë dhe të begatisë për popullin e saj. Në rast se Shqipëria nuk do të dilte nga izolimi për të përshtatur në vend rregullat e  ekonomisë së tregut, lëvizjes së lire dhe hapjes ndaj botës, duke respektuar liritë  dhe të të drejtat themelore të njeriut, çështja jonë kombëtare kurrë nuk do mund të bëhej një çështje europiane dhe ndërkombëtare. Ruajtja e  miqësisë  me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është garanci për Shqipërinë demokratike të  100 viteve të ardhshme./

 Nga Mujë Buçpapaj (Tiranë)/

Presidenti Amerikan Barak Obama në telegramin dërguar Presidentit shqiptar, Bujar Nishani, konfirmoi edhe njëherë miqësinë e  popullit  amerikan me shqiptarët, duke  i bërë edhe më domethënëse kremtimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Ashtu siç kishte deklaruar në Tiranë sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, edhe presidenti Amerikan shprehu ndjenjat më bensike ndaj Shqipërisë dhe pavarësisë së saj, duke rishprehur një qëndrim të konfirmuar tashmë të politikës shtetërore amerikane, prej fillimit të shekullit të njëzetë.

Në rast se shqiptarët për herë të parë në historinë e re,  janë të barabartë dhe krenarë në familjen  e popujve euroatlantikë, si anëtarë të NATO-s apo si qytetarë të lirë të kontinetit të tyre, merita kryesore u takon SHBA-ve, të cilat në fillim të viteve ‘90-të, e nxorën Shqipërinë nga izolimi i vetëkerkuar, ekonomia e centralizuar dhe aleancat antikombëtare me bazë ideologjike, duke e orientuar atë në rrugën e lirisë dhe të begatisë për popullin e saj. Në rast se Shqipëria nuk do të dilte nga izlomi, për të përshtatur në vend rregullat e  ekonomisë së tregut, lëvizjes së lire dhe hapjes ndaj botës, duke respektuar liritë  dhe të të drejtat themelore të njeriut, çështja jonë kombëtare kurrë nuk do mund të bëhej një çështje europiane dhe ndërkombëtare.

Rivendojsa e aleancave natyrore me SHBA-të, dhe aleatët tjerë perëndimore dhe nderkombëtarë, bëri të mundur prezentimin e çështjes së Kosovës, dhe në përgjithësi të çështjes shqiptare në Ballkan, e cila rezulton të jetë çeshtja më e nderlikuar në Europë si një çeshtje e një kombi të ndarë padrejtësisht nga fuqitë europiane në vitin 1913. SHBA-të e inkurajuan Shqipërinë të linte pas të kaluarën diktatoriale duke shikuar nga e ardhmja, si një komb i cili dëshiron të konkurojë me dinjitet në rajon dhe Europë. Gjatë këtyre 22  vjetëve në liri, SHBA-të e kanë ndihmuar Shqipërinë financiarisht, dhe politikisht duke qënë sot në këtë 100 vjetor një vend në liri, krejt i ndryshëm nga ai i dy dekadave më parë, kur sekretari amerikan i shtetit, Xhejms Beker, na pati premtuar se liria punon, se liria jep rezultate, për t’u shndërruar sot në një demokraci, që, siç tha edhe zonja Klinton më 1 nëntor 2012,  fuksionin dhe ecën përpara.

Është krejt e qartë se në rast se  SHBA-të nuk do të kishin marrë në dorë çeshtjen shqiptare, ajo jo vetëm nuk do të ishte zgjidhur ndonjëherë, por as që do të shtrohej për zgjidhje. Spastrimi etnik i kryer nga shteti serb ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitet 1998-1999, është dëshmia më e mirë e këtij kërcënimi ndaj ekzistencës së kombit shqiptar, por edhe e vendosmerisë së sinqertë e SHBA dhe Presidentit Amerikan Bill Klinton për të mbrojtur shqiptarët në ditën e tyre më të veshtirë. Është thënë disa herë se kremtimi  100 vjetorit të Pavarësisë nuk do të kishte ndonjë emocion të madh në rast se Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur. Kolacioni ndërkombëtar i udhehequr nga SHBA-të bëri të mundur jo vetëm çlirimin e  Kosovës por edhe njohjen e pavarëisë së saj, integrimit të saj në strukturat ndërkomëbëtare. Vetëm falë mbeshtetjes së SHBA 100-vjetori i Pavarësisë tonë, festohet sot edhe në Shkup, me flamuj kuq e zi, me akademi përkujtimore, me veprimtari masive ku janë përfshirë mbi njëmilionë shqiptarë etnikë që jetojnë në Maqedoni.

Nuk duhet të harrojmë se pas çdo urimi dhe përshendetje  që ne  i japim njëri-tjetrit dhe miqve tanë në këtë 100 vjetor, qëndrojnë SHBA-të, Presidenti Uillson, Presidenti Regan, Presidenti Xh.H.Bush, Presindeti Bill Klinton, Presidneti Xh.W. Bush, Presidneti Barak Obama dhe mijëra zyrtarë amerikanë të të gjitha niveleve që mbrojten çështjen shqiptare në të gjitha kohërat, që lobojnë edhe sot anambanë botës për Shqipërinë për Kosovën dhe shqiptarët në rajon. Shqipëria në këtë 100 vjetor ka shumë sfida përpara. Konkurenca në familjen e popujve është e madhe, ndërsa kërkesat e ndërkombëtarëve ndaj shtetit shqiptar janë shumë më të mëdha krahasuar me dhjetë apo 20 vjet më parë. Shqipëria tashmë është një shtet 100 vjeçar, por ajo duhet ta reflektojë këtë pjekuri në institucionet e saj, në zbatueshmëinë e ligjit dhe fuknsionimin e institucioneve.

Vertetë, SHBA-të janë miq të shqiptarëve, por ne duhet të ruajmë dhe ta forcojmë edhe më tej këtë miqësi, duke krijuar lidhje edhe më të ngushta me shtetin amerikan, duke kryer gjithmonë detyrat tona të cilat janë shumë të rëndësishme për ecjen përpara të demokracisë bazuar tek ekonomia e tregut dhe garantimi i lirive dhe i  të të drejtave themelore të njeriut. Njëqind vjet më parë rilindësit tanë e patën të qartë vizionin për të  nxjerrë  Shqipërinë nga perendoria osmane dhe hedhur  themelet e një shteti të modelit europian, perëndimor, i takon këtij brezi të shqiptarëve që të dijnë të orientojnë Shqipërinë e 100 viteve të ardhshme, të sigurtë dhe krenare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mirenjohje, Muje Bucpapaj, SHBA

FESTA E MADHE DHE INSTITUTI I SHPRESËS

November 26, 2012 by dgreca

NGA BAJAME HOXHA-ÇELIKU-BRUKSEL/

Erdhi dhe festa e shumë pritur nga të gjithë shqiptarët që jetojnë në  trojet Shqiptare por  edhe për ata që jetojnë larg atdheut, në të gjitha vendet e botës.100vjet pavarësi! GEZUAR!

Tirana kryeqyteti i Shqipërisë është veshur kuq e zi duke shpërndarë  kudo atmosferërën festive. Sa bukur! Shpirti të thotë: Ndal e shiko! Shijoje  o shqiptar shekullin e pavarësisë! Dhe me mend ndërmjet flamurit lexon gjithë historinë e vërtetë, të trimave të vërtetë, të një shekulli të tërë mbushur me trimëri, me heroizma, me luftra, me heronj të vërtetë e të sajuar,  me liri të cunguar nga vet shqiptarët, dhe së fundi një Shqipëri me të vërtetë dinjitoze, të lirë demokratike me të gjitha dimensionet e saj. Përpara parlamentit të zë syri edhe institutin e integrimit të përndjekurve politik, dhe papritur përpara të hapet një dritë jeshile, një shpresë e madhe,  ku të duket se ky institut do të mbyll përfundimisht plagët që ende  rrjedhin gjak burgjesh, intërnimesh, të çdo lloji moshe. Sa të futesh në këtë oborr,  shikon gra, burra, të rinj e të reja që hynë e dalin në këtë derë me letra nëpër duar, por me shpresën e madhe  në zemër. Po, dihet, secili i burgosur  që nuk është më, plagët e pambyllura i mori me vete në banësën e tij të fundit, sepse s’ka kohë e s’ka  mjek që mundet të shëroj ato zemra aq të vrara, aq shumë të lënduara, aq shumë të fyera nga një rrebesh marramendës që sundoi për gjysëm shekulli. Pra, brenda këtij shekulli që ne po festojmë sot, ka sunduar  një diktaturë  sa shumë e gjatë, po aq e egër dhe e tmerrshme.  Ah, ndjehet psherëtima për atë dhimbje, për atë fëmijëri, për atë rini, për ata njerëz që s’guxuan të ishin të lirë për të shikuar përpara lirinë e për të mbrojtur dinjitetin e tyre njerëzor.Ndoshta jo rrallë hasim lotin e tyre që ju rrjedh nga një pikëllim, nga një brengë apo bulëzim i pafat, nga një padrejtësi e bërë dikur, e atyre u dhemb shpirti edhe sot  ndërmjet kujtimeve të hidhura, ndërmjet një humbje, apo ëndrre të parealizuar. Që në rinin e tyre të hershme  nuk ditën ç’është gëzimi dhe aq më tepër ç’është liria personale e ndërgjegjes, e fjalës së lirë në një pjese të konsiderueshme të popullit që trajtohej skllavë brenda vendit të tij. Në tërësinë e atyre viteve të nemura vjen e kaluara dhe të troket në çdo çast në zemër e të duket se të thotë : hej, mos më harro ! 100 vjet pavarësi! 50 vjet dhimbje!. Nis edhe mendoj krejt pa dashje apo ndonjë qëllim të caktuar e mendja më shkon te ajo plagë, te ai kamp në të cilin bëra dhe unë pjesë si viktima më e vogël e vitit 59,në kampin e savrës.Por më kujtohet: Rinia e asaj kohe brenda telave ku unë i ndiqja pas dhe i imitoja madhështitë, bukuritë e tyre brenda telave të shpirtit, brenda bukurive të shpirtit të tyre, brenda edukatës së tyre dhe gjithsesi edhe brenda kulturës së tyre të gjerë.Ata ishin të gjithë të bukur !Por ja, përsëri në këto çaste psherëtij dhe sytë më mbushen me lot, e dhimbja ka bërë një fole në zemrën time ku janë strukur brenda saj qindra fëmijë, burra, gra, e ajo rinia dinamike e asa kohe, që s’kërkoi kurrë lëmoshë apo mëshirë në ato vite të zeza fare të pashpresa. Por shpresa e vetme tek këta fisnikë në gjysëm shekulli,ishte dashuria për njeriun,respekti reciprok dhe mirënjohja e përshëndetjeve të tyre shoqëruar nga një buzëqeshje drite e dëlirësie.Tani ajo rini është e plakur fizikisht por e fortë si karakter, dhe me guxim e me fjalën e saj të lirë dhe me shpirtin e gjërë shikon dritën jeshile shoqëruar me shpresën e madhe të jetës, dhe të shoqërisë së re, e cila u ndërtua 20vjetët e fundit në demokraci. Po,është e vërtetë, vdiqën shumë prej tyre. Por ata vdiqën të lirë pa polici mbi buzën e lidhur, ku t’i pengonte edhe për të shkuar në banesën e fundit. Më kujtohet kur vdiq i nderuari Bajram Hoxha, ishte 27, dhjetori. Balta në kamp, të shkonte deri në gjunj dhe të ndjerin e zuri muzgu i ditës tjetër dhe nuk i jepni makinë apo karrocë e leje për ta varrosur në banesën e fundit. Dhe më e tmerrshmja ndodhi: kur ai kishte 5vjet që po prehej në parajsë,i komunikuan një mëngjes tek po bënin apelin te polici, një dënim tjetër shtesë, plus 5 vjet internim pas vdekjes për Bajram Tahir hoxhën I cili nuk kishte hypur asnjëherë në tren gjatë gjithë jetës së tij 53vjeçare, sepse pas vitit 1945,ishte i burgosur pastaj i internuar.

Ali Dema ndjesë pastë, me të birin e të nderuarit Bajram Hoxha, Ganiun, që bënin apelin atë mëngjes të ftohtë te polici, kuptuan mirë mes atij shqetësimi se kishin të bënin akoma me demonë e jo njerëz. Mjerisht, aty ishte ferri i Dantes, ku kishte vetëm një portë për të hyrë, dhe tjetër portë për të dalë, nuk kishin projektuar xhelatët.

Ëndrrat e tyre të pa arritura, të pa realizuara, të ndrydhura  dikur ndër pranga, tani janë zgjuar te fëmijët e tyre ; dhe janë ata që që po shpien përpara aspiratat e tyre.

Prandaj sot kur kaloj  përpara këtij instituti shpresëdhëns, vetvetiu të lind pyetja brenda trurit : A punohet aty brenda për t’i integruar plotësisht këto familje? A është integruar plotësisht në shoqërinë demokratike kjo pjesë e shumëvojtur ? Dhe brenda vetes përsëri e gjen përgjigjen tek pritja e ngrohtë e çdo dikasteri si dhe te ky institucion reabilitimi.Sa hynë në këtë portë duhet harruar porta e ferrit se tashmë, janë hapur faqe të reja në historine demokratike të Shqipërisë. Përshëndetjet e ngrohta i has që sa hynë në katin e parë, e pastaj,  kur shkel në shkallët e katit të dytë, ndjen lehtë një kërcitje të tyre ku mund të merren si një rënkim i thellë, i atyre që po përmenden ende pas vdekjes, për të çuar deri në fund amanetin, atë që ata fatkeqësisht, nuk arritën dot në  ditët e bukura të lirisë dhe në 100vjetorin e pavarësisë.

Në zyrë të pret gjithnjë me respekt Drejtori i përgjithshëm, djali i internimeve të gjata, Simon Miraka.Urtësia e tij, edukata e thellë të bënë instiktivisht të ulësh zërin kur pa dashur e ke ngritur shumë.Dua të shpreh : Këtij njeriu që në vitet e hershme të fëmijërisë së tij në kampin ugurzi të Tepelenës, e pastaj të rinisë së tij të vrarë së tepërmi nga diktatura, kishin formuar një djalë xhevahir ku në familjen e tyre vihej re një edukatë e gjërë, shprëndarëse, ku ata përcillnin te të tjerët një respekt dhe e mbështillnin atë respekt me një dashuri të madhe për njeriun në përgjithësi. Simoni të dëgjon me vëmëndje dhe shkruan çdo hall e breng të tyre, çdo kërkesë, dhe i nis ato këkesa e propozime, drejt në instancat përkatëse. Pra, duhet të themi :Faleminderit  Zotit, që erdhi kjo ditë dhe zëri ynë dëgjohet , po këtë herë dëgjohet për mirë, e jo si një zë armiku ku do të sabotojë, por si një krenari lashtësie për brezat që do të vijnë. Më mirë vonë se kurrë. Pak vonë, po erdhi. Erdhi me të gjitha të mirat e saj, duke u mbushur universitetet edhe me fëmijët e kësaj shtrese të shumë vuajtur, por të vlerësur  e nderuar në ditët e demokracisë.

Polikseni Argjendari, sekretare e drejtorit, është e përkushtuar në dhënien e plotësimin e bursave për fëmijët e kësaj shtrese.Në sytë e kësaj zonje, shkëlqen një buzëqeshje drite ku të gjithë që vijnë e ndjejnë këtë, dhe largohen të qetë duke i kryer punët e tyre nga Polikseni me qetësi.

Fatbardha Dosti ka vite që punon në këtë institut dhe ajo është e para që përballet me dhënien e statusit, dhe s’e dëgjon një herë që të ankohet nga lodhja,apo nga njerëzit.  Ajo është e fortë, e gatshme për  t’u shërbyer me devotshmëri ish klasës së saj të persekutuar. Fatbardha i ndihmon edhe moralisht dhe ndjehet e gëzuar që më në fund tregoi veten, familjen nga ku vjen, dhe cilësitë e saja fisnike.

Elma Ndreu, kjo punonjëse e denjë për detyrën e saj, e sheh gjithnje me pritjen e ëmbël që e karakterizon vetëm atë në zgjidhjen halleve e problemeve, në pregatitjen e dekumentave që u mungojnë.

Mimoza Çela,Kjo zonjë e pa lodhur, pritjet dhe përcielljen e çdo njërit nga të persekutuarit e bën me buzëqeshjen e saj afruese duke i dhënë çdokujt një pjesë nga dashuria njerëzore dhe forca e saj qëndron tek takti që ajo i përciell të gjithë të kënaqur.

Manjola Rakipaj,është nënpunëse, e gjen gjithnjë me krye mbi letra e ordinator duke punuar.Kjo vajzë e re, e bukur, që në pamjen e parë të lë të kuptosh se aty ndodhet për punë  të madhe, dhe për të, orari i punës  është i respektuar maksimalisht.

Myzejen Lulo, Arshiviste e pa lodhur në përsëritjen e dekumentave. Atë e gjen duke çfletuar dosje, shumë herë të përsëritura nga hallexhinjtë e ish-përndjekurve politik.

Sabrie Vladi, e pa lodhur, inspektore në këtë institut, Eva Bllaci, shefe e burimeve njerëzore, Esmerina Mustafaj, Specialiste statusi, Eriona Kulla, Shefki Çupi, Mark Lekgega, specalistë , janë model i punës së plodhur në ndihmë për të kryer në kohë detyrat e tyre. Pra ky institut i nderuar punon pa pushim e të gjithë të persekutuarit shpresojnë se vetem në atë derë duhet trokitur për hallet që nuk kanë të mbaruar. Qeveria ka premtuar e premton pë të bërë të pamundurën ,vetëm e vetëm për t’i ardhur në ndihmë e në kohë sa më të shkurtër të zgjidhet problemi i tyre, po jo vetëm qeveria po edhe presidenti i repuplikës ështe i interesuar dhe i preukupuar për shtresën e ish-perndjekur politik. Jo vëtëm kaq, po presidenti di t’i pres e t’u kryej  punë. Është mburrje, ndoshta dhe e pabesueshme : Dikur nuk e ktheje dot as kokën për të vështruar nga presidenca,sepse bëheshe i dyshimtë  dhe të shtynte ushtari që rrinte të porta me kallash, kurse sot, mund të ngjisë shkallët e saj çdo gazetar e hallexhi që kërkon të takohet me Presidentin. Punonjësit ,nënpunësit, janë të predisponueshëm në pritjen e popullit që te dera, dhe të sqarojnë si, Alfred Grabocka shërbimi i kontrollit të jashtëm, Djana Metaj, shërbimi i kontrollit të brendshëm,Kastriot Jahja, oficer i shërbimit  të iformacionit  pranë presidentit,Sefer Gjyriqi,Asistent pranë Presidentit, Amik Kasoruho, Shaqir Hasani,Këshilltarë juridik të presidentit, etj. Të gjithë këta titullarë të presin e të përciellin me ngrohtësi duke të kryer të gjitha ato mundësi që të lejon ligji. Kjo është një mburrje, një arritje  e madhe e demokracisë në Shqipëri dhe kjo arritje, bënë pjesë brenda këtij shekulli që po festojmë ne sot.

GEZUAR 100VJETORI I PAVARËSISË!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, Festa dhe, i Shpreses, Instituti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5683
  • 5684
  • 5685
  • 5686
  • 5687
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT