Dokumenta, në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë- Duke hulumtuar nëpër tetë librat e Seit Alikajt/
Nga Enver Lepenica/
Seit Alikaj është i njohur si një nga agronomët e shquar të Shqipërisë dhe si drejtues dhe organizator i zoti i ekonomive bujqësore. Pas vitit 1990, ai na shfaqet si studjues i thellë i historisë së fshatit të tij Kuçit të Vlorës, duke botuar plotë tetë libra, sejcila mesatarisht prej 400 faqesh ose të tetë librat kapin 3186 faqe.
Këto libra përfshijnë 25.209 emrat e 136 fiseve të Kuçi, me 2900 fotografi, janë paraqitur skemat gjeneralogjike të 136 fiseve me 6 deri në 15 breza. Vetëm këto të dhëna mjaftojnë për të thënë se këtë punë voluminoze dhe të mundimshme mund ta bënte vetëm një njeri me vullnet të hekurt si Seit Alikaj.
Personalite të kulturës, si Prof.dr. Thoma Çomara, Dr. Pavllo Gjidede, Prof. Dr. Besnik Baraj, Prof. Dr. Vedat Shehu, poeti Izet Çuli etj kanë bërë vlerësime të larta për veprën e Seit Alikajt, sepse sipas Perandorit të Romës, Julian Qesarit “Kush merret me gjenealogjinë e fisit të tij, merret me gjenealogjinë e botës, ndaj meriton lavdinë”. Në tetë librat z. Alikaj ka përshkruar me hollësi me fakte dhe dokumenta historinë e një prej fshatrave më të mëdha të Shqipërisë.
Librat e Seit Alikajt janë shkruar e botur nga nje intelektual me interesa të gjera kulturore, pra që ka synuar të zbulojë, të ndriçojë dhe të evidentojë vlerat e ngjarjeve historike që paraqesin rëndësi jo vetëm për historinë e fshatit, por më gjerë, historinë e Labërisë dhe të Shqipërisë. Në këtë drejtim, përveç ngjarjeve të tjera historike, ai evidenton personalitete të shquara si Zenel Gjolekën (1812-1852), udhëheqësin e kryngritjeve të mëdha kundër Perandorisë Osmane, etj. Për herë të parë ka zbuluar e botuar në librin e tij të tretë, fotografinë e heroit tonë të madh Zenel Gjolekës.
* * *
Një nga këta personalitete të shquara, që Seit Alikaj ka përshkruar në librat e tij është edhe Sulejman Aliko Kuçi (1813 – 1880), i cili ka kryer “Zosimenë” e Janinës dhe më pas institutin e Stambollit “Huku Idare”.
Ky atdhetar e luftëtar i lirisë, së bashku me Myslym Gjolekën (1835-1880), kanë firmosur Memoradumin e Janinës, dokumenti i parë ku i është kërkuar Portës së Lartë autonomia e Shqipërisë.
Ai ka qenë një ndër figurat qëndrore të Lidhjes Shqiptare të prizërenit,1878, dhe ka qenë dy herë kryetar i delegacionit të kësaj Lidhje, në mbledhjet që u organizuan në Korfuz, ku është biseduar për të krijuar një ushtri shqiptaro-greke për të luftuar kundër Turqisë, por që marrëveshja nuk u arrit, për faj të palës greke.
Sulejman Alikua ka luftuar për liri kundër grekëve në Jug, në vitin 1852 ka luftuar në Veri kundër ushtrisë malazeze, ku ra heroikisht udhëheqësi tyre legjendar Zenel Gjoleka.
Në protestën që Lidhja Shqiptare e Toskërisë u bëri Fuqive të Mëdha, më 28 janar 1879, ku kundështohet ndryshimi i kufijëve në favor të Greqisë, krahas emrave të Abdul Frashërit, Mustafa Pashë Vlorës, Sheh Ibrahimit, Skënder Vrionit, etj gjejmë edhe emrin e Sulejman Aliko Kuçit.
Sulejman Alikua dhe Musa Bodua nga Dukati, me dyzet kuaj, kanë shoqëruar e përcjellë Abdul Frashërin në takimet që ai bënte me popullin, si në Fier, në takimin e Frashërit më 1879, në Kuvendin e Dibrës më 1880 etj.
Kështu vazhdoi udha e atdhetarit Sulejma Aliko Kuçi i shquar veçanërisht në vitin 1878 kur mbahet Lidhja e Prizërenit dhe lufta e popullit shqiptar hyri në një fazë të re të organizuar.
Shqetësimi këtij atdhetari dhe largpamësia e tij për fatet e atdheut duket edhe në letrën që ai i ka shkruar Kancelarit gjerman Otto Bismark, letra të cilat i ka zbuluar Seit Alikaj, që rrjedh nga ky gjak dhe i ka publikuar në librin e tij të tetë “Sulejman Aliko Kuçi”, Tiranë 2010, f. 75-76. Po që të kuptojmë rëndësinë dhe vlerën e këtij personaliteti të historisë sonë duhet të dijmë se cili ishte Otto Bismark (1815-1898) që i shkruan Sulejman Alikua?
Burrë shteti i gjermanisë, është quajtur ”Kancelar i Hekurt”. Si ministër-president dhe ministër i jashtëm i Prusisë në kohën e Vilhelmit I, nga viti 1862, Bismarku ka qënë në krye të përpjekjeve për bashkimin e Gjermanisë, duke bashkëdrejtuar luftrat me Danimarkën (1864), Austrinë (1866), dhe Francën (1870-1871) me qëllim që të arrihej ky synim. Si kancelar i Perandorisë së re Gjermane (1871-1890) vijoi të sundonte skenën politike, duke bërë të miratohen ligjet që synon të thyenin ndikimin e Kishës Katolike brenda vendit dhe duke përforcuar pozitën e Gjermanisë si fuqi europiane nëpërmjet krijimit të një sistemi aleancash. Bismarku u detyrua të jepte dorëheqie më 1890 pas një mosmarrëveshje politike me Vilhelmin e II. Për nder të tij kryeqyteti i Dakotës Veriore, në SHBA buzë lumit Misuri ka emërtimin Bismark.
Ja pra këtij burri të shquar të historisë botërore i shkruan, shqiptari nga Kuçi i Vlorës Sulejma Alikaj:
“Shkëlqesisë së tij: Princit Otto Bismark, Kancelar i Gjermanisë, BERLIN.
I nderuar Princ!
Unë që ju dërgoj këtë letër, të më falni, jam Sulejman Aliko Kuçi, qytezë e lashtë në Labëri të Albanias, nën sundimin e Sulltanit të Turqisë…
Ju e dini se ne, shqiptarët, kemi vendosur të mblidhemi, më 13 qershor 1878, në një kongres – lidhje që do ta quajmë “Lidhja e Prizërenit”, zonë me etnitet shqiptar në juridiksionin e Serbisë.
Siç e dini, Shkëlqesëia Juaj, grekët e vjetër, përmes filozofisë së tyre thoshin: “Kush kërkon të vertëtën mund ta gjejë përmes diskutimit në Agora”. Ne jemi të bindur të gjithë të dërguarit përfaqësonjës të Shqipërisë në Prizëren se, nga Ju do të mbrohemi e do të frymëzohemi për të hedhur hapat e para të pavarësisë nga Perandoria Osmane…
Jeta jonë në liri është kusht i dhuratës së natyrës dhe, të rrosh i lirë, duhet të bazohesh në urtësi e zgjuarsi gjë që ne nuk na mungon.
Kam bindjen e plotë se i ngarkuari Juaj për ndjekjen e punimeve të Lidhjes tonë, zoti Franshauer do t`ju japë sqarimet e duhura dhe ne shpresojmë se në Kongresin e Berlinit, që do të mbahet së afërmi Ju, Shkëlqesi, do t`ja bëni të qartë përfaqësisë së Stambollit.
Jemi në pritje të përgjigjes Tuaj, Shkëlqesi.
Me respekt të veçantë Sulejma Aliko Kuçi d.v.”
Kancelari Gjermanisë Otto Bismark i ktheu këtë përgjigje Sulajman Alikos:
“I nderuas Sulejman Aliko Kuçi,
Letra Juaj më frymëzoi së tepërmi. Me ta marrë, sekretaria e kabinetit tim, zonja Anna J. Skieber, ma dorëzoi brenda ditës…
Ajo letër ishte shkruar nga një atdhetar i madh i popullit të Shqipërisë, nga Sulejman Aliko Kuçi, bashkëshok e nxënës me shkëlqesinë Abdul bej Frashëri në “Zosimea” të Janinës. Të dy ju jeni mendjendritur, diplomatë e filozofë, me kulturë të gjerë…
Përpjekja e palodhur juaja, për të gjetur të vërtetën, nuk është një nevojë intelektuale, por një kërkesë morale. Liebingu, ka të drejtë për fjalët e tij rreth pasionit moral drejt së vërtetës, pa të cilën asnjë pengesë nuk frenon shoqërinë për të vënë në jetë interesat e çastit e të përspektivës.
Ju jeni shqiptar i madh. Respektet e Mija të veçanta. Otto Bismark d.v.”
Për Sulejman Aliko Kuçin, këtë atdhetar të madh siç e cilëson Bismarku, ende të pa vlerësuar kanë shkruar Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, studjuesi grek Panajotis Trugaros, arvanitasi kronikan Andreas Dhimitriadhis, historiani Antonio Beluçi, arvanitai Aristidhis Koljas, gazetari raguzian Gilio Loccini etj.
Për më gjerë e ftoj lexuesin tu drejtohet tetë librave të vlefshme të Seit Alikaj nga Kuçi.
* * *
Këto dy letra të pa njohura, që gjetëm në librin e Seit Alikaj ” Sulejman Aliko Kuçi”, me rëndësi për historinë e Labërisë dhe të Shqipërisë na tërhoqën vëmëndjen dhe prandaj vendosëm t`i bëjmë publike me anën e këtij artikulli. Nga ana jonë u pyet Seit Alikaj se cili është burimi këtyre letrave dhe ai na shpegoi se:
”Prof. Dr. Thoma Çomara nga Vunoi i Vlorës, pas vitit 1990, duke qenë se bashkëshortja e tij ishte rumune, martuar gjatë kohës që ai ishte student në Bukuresht, jeton në Bukuresht dhe merret me studime. Gjatë kërkimeve të tij në Arkivin Qëndror të Shtetit Rumun në arkivin Timishoara në dosjen M-16/3-4, Berlin, 28 qershor 1878 dhe M/163-4-5, Berlin, 30 qershor 1878, ka gjetur dy letrat e sipër përmëndura, të cilat m`i dhuroi mua me bujari, për t`i bërë publike në librat e mi.