• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUSH E SHKATRROI SHKODREN, KOMUNIZMI A FANATIZMI ?

November 9, 2012 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

NE FOTO: ISH SHTEPIA MUZE E LUIGJ GURAKUQIT/

Isha tue ecë në bulevardin e Tiranës krejt vetem e tue mendue…mbeta i vogel pa e njoh as Baben nga lufta…mbetem pa shtëpi e shkollë…nën tehun e mprehtë të “Luftës së kllasave!” Kur nga larg më thirri një mik, B.S., me të cilin ishim njohë në 1965…Ai asht me origjinë nga Gjinokastra dhe mik i mirë i imi Musliman, jeton në Tiranë.

I tregova se ku po fluturonte e shkreta mendje! Më shikoi me keqardhje dhe gati tri orë kemi bisedue se kush e shkatrroi Shkodren, komunizmi, apo fanatizmi anadollak?!

Kur u themelue PKSh u eleminue grupi komunist i Shkodres dhe me ta edhe shumë komunistë Ortodoksë, se nuk pajtoheshin me qellimet shoveniste sllave. Ata që u pajtuen me politiken e Enver Hoxhës, si katolikë e muslimanë, pa kalue as tre – kater vjet, u zhdukën nga faqja e dheut e ngordhën ndër burgje e interrnime. Edhe ndonjë që mujti me shpetue shihej tue ecë e tue sjellë koken mbrapa se i dukej se po e ndiqte hija e vet.

Të vetmit që mbijetuen ishin ata që ishin të lidhun me sigurimin e shtetit. Ndersa pjesa tjeter vazhdonte ndër vende pune të rendomta e krejt pa vlerë. Mbizotnonte klasa puntore dhe ushtrija e arsimtarëve, që u shkoi jeta ndër biçikleta e fshatra…Vorfnia ishte e pranishme dhe e tejskajshme kudo në qytete e fshatra…Radhat e bukës nuk zhdukeshin, vazhdonin!..

Shkodra nuk u mjaftue vetem me 26 burgje e hetuesi…por edhe një farë dyndje oficerash sigurimi, policije, ushtrije nga Jugu dhe krahinat e Kukësit e të Peshkopisë, që u ishin krijue të gjitha kushtet e jetesës ndër shtëpijat e “anmiqëve të popullit”, tregtarëve, që ishin tue hanger dajak me dorzue arin, shtëpijat e kishës, po edhe nder banesa që atyne u pelqenin dhe ishin komode për atë kohë. Pronari lajmohej që mbrenda dite duhej lirue shtëpija ose dhomat ku do të banonin oficerët dhe të nesermen aty ishte “pronari i ri”. Ka edhe sot shtëpija në Shkoder, që njihen me emnat e atyne që erdhën me punë në sigurim, apo kuadro partije, si bie fjala “shtëpia e Hilmi Seitit”…etj. Pronari i vertetë u harrue pergjithmonë!

Mbas vitit 1946 – 48 elementi katolik pothuej u fshi nga të gjitha institucionet e sigurimit dhe të pushtetit lokal. As nuk bahej fjalë për sekretarët e parë të PPSh apo nder komitete ekzekutive me pasë në pozitat e randesishme shkodranë katolikë. Ndersa sigurimi i shtetit mbas viteve 1950 nuk kishte asnjë oficer katolik, ndersa në polici mund të kishte ndonjë fshatar që ishte sjellë nga ndonjë zonë e thellë malore ku kishte dhanë prova “besnikërije” tue spijunue ndonjë rrezikzi, që në tentativë arratisje prej tij, kishte perfundue në kampet e shfarosjes…

Nga elementi anadollak kishte edhe oficera hetues apo shefa seksionesh e ndonjë kishte mbërrijtë edhe nder podrumet e ministrisë së mbrendshme për kontributin e tij që kishte dhanë kur asht kenë hetues, torturues apo shef seksioni në sigurimin e Shkodres. Këta hora e vagabonda nuk i perkitshin familjeve shkodrane. Shumica ishin t’ardhun apo që me lidhje martesore i kishin futë në sherbim të sigurimit edhe miqtë e tyne.

Komiteti ekzekutiv, i rinisë, bashkimet profesionale etj. ishin pothuej të gjithë në duertë e turkoshakëve, që shtriheshin deri tek drejtorët e ndermarrjeve, sekretarët e partisë punës, shefat e kuadrit, pergjegjsat e reparteve dhe operativat e sigurimit të ndermarrjeve, që kur kishin rasen të bajshin gjamen e të fshinin nga faqja e dheut me 10 apo 20 vjet burg…

Në degen e mbrendshme të Shkodres kishte edhe një “Seksion Katolik”, që e pata mësue se ka kenë nga z. Gjon Ljarja aty nga viti 1993. Të gjithë shefat e atij Seksioni nga 1946 janë kenë oficera anadollakë, antishkodranë të betuem. Asnjë qytet tjeter, tue perfshi edhe kryeqytetin Tirana, nuk kanë pasë një Seksion të tillë, e per çudi nuk dihet se ka ekzistue një Seksion i tillë as per muslimanë e as per ortodoksë as nder qytete të tjera.

“Seksioni Katolik” i sigurimit të shtetit në Shkoder asht kenë i vetmi në Shqipni, ashtu si “Muzeu Ateist” i Shkodres, që ishte i vetmi në Botë…As “Seksion Katolik” nuk e besoj se ka kenë në ndonjë shtet tjeter komunist të Europës…Nuk shpjegohet prej ndokujt se kush e “krijoi”, por dihet se aty mendohej, trillohej, shpifej, krijohej, flitej, diskutohej, projektohej, aprovohej, planifikohej, vendosej dhe zbatohej çdo ide që mund t’i shkonte nder mend Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij kundër Klerit Katolik Shqiptar, inteligjencës Katolike, qytetarëve të thjeshtë apo fshatarëve të varfen, të cilet porsa hynin në projektin e zhdukjes nga “Lufta e kllasave”, ishin në programin e GJENOCIDIT që do t’i ndiqte për 47 vjet pa asnjë nderpremje nga dita që kishte fillue hapjen e “dosjeve” të para me të Ndjerin Dedë Coku… me 29 nandor 1944.

Me zhdukjen e inteligjencës Katolike ajo menjëherë u zevendsue nga një grup i njohun servilash anadollakë, që u ba aq i neveritshem, sa edhe sot në familjet tradicionale shkodrane të besimit Musliman, Ortodoks dhe Katolik të Shkodres, ata konsiderohen agjenta të sigurimit, të cilëve për kontributin e dhanun në këte institucion “partia” u dha tituj “dr.prof… e deri shefa të katedrave e docenta” të universiteteve apo mejtepeve të Enver Hoxhës. Këta u pajtuen edhe me vendimet e Kongresit të drejtshkrimit në 1972, ku bashkë me “vllaznit” kosovarë, eleminuen perfundimisht Gjuhën Gegënishte, vetem e vetem me zhdukë 70% të letersisë Gege. Shkollat e kuadrot e pergatituna në Perëndim u zhduken tue marrë me vete jo vetem Katolikët, por edhe Muslimanët e kryesisht ata studentë që shkollat e mesme i kishin krye në gjimnazet e Shkodres, kjoftë edhe até shtetnor. Ka pasë familje muslimane shkodrane që miqsinë apo lidhjet  tradicionale të qytetit i kanë pague aq shtrejtë, sa familjet katolike. Ka qytetarë Muslimanë që janë pushkatue vetem se kanë perfundue shkollat në shtetet Europjane Perëndimore. I Ndjeri Osman Kazazi, bani 42 vjet burg e interrnim pse kje dy vjet nxanës tek Gjimnazi i Fretenëve.

Perballë Gjenocidit komunist kunder Klerit Katolik Shqiptar, ku gjeten vdekjen mizore mbi 61 Klerikë dhe 70 tjerë u arrestuen e vuejten deri në 20, 25, 38 dhe 39 vjet burg, asht  shumë domethanës fakti që perballë këtij rrebeshi antikatolik, nuk u pushkatue asnjë nga Kleri Musliman i Shkodres dhe as nuk dihet se ka vdekë ndonjeni nder kampe shfarosje.

Si shpjegohet ky fakt sot nga historianët apo studjuesit e Gjenocidit antikatolik?

Nëse komunistët luftonin të gjitha Besimet njëlloj, si nuk u pushkatue të pakten një Hoxhë nga Besimi Musliman, në qytetin e Shkodres?

Nëse Kleri Katolik ishte “agjent” i Vatikanit a i ndonjë shteti Perëndimorë, Italisë, Francës etj., si shpjegohet që në 47 vjet diktaturë komuniste, asnjë hoxhallar nuk u akuzue agjent i Turqisë, Egjiptit, Iranit apo Afganistanit? Kush ishte që e mbështeti dhe nuk e preku me dorë Klerin Musliman në Shkoder, PPSh apo sigurimi i shtetit, që i sherbenin edhe shteteve fqinjë?..

Kjoftë PPSh apo sigurimi i shtetit, të dy institucionet që kanë ushtrue Gjenocidin kunder Katoliçizmit në Shkoder, ishin organe të diktaturës komuniste vetem në duert e elementave fanatikë anadollakë, që nuk kishin në trupin e tyne asnjë pikë gjak shqiptari.

Unë do të tregoj një ngjarje në burgun e Kishës së Fretenëve në Gjuhadol në vitin 1947. Mbasi hetuesi Pjerin Kçira torturon për vdekje Hafiz Dergutin, del nga biruca e tij dhe takohet në korridor me Dulaç Lekiqin, të cilit i thotë: “Merre Hafizin e hidhi një kovë ujë se asht pa ndjenja!…” Dulaçi i pergjegjet: Këte që ke ba sot mos e persërit ma, Pjerin, po deshte me torturue, shko e rrah ata Priftit tuej. Hoxhallarët mos i prek me dorë, se me ta merremi né e nuk asht nevoja me i torturue ti…A more vesht?” Këte dëshmi e dij nga një bashkvuejtës i asaj kohë, që asht torturue si pak kush, i Ndjeri Ragip Meta. Emnat e këtyne katilave mund t’i gjeni në rregjistrat e “të dekoruemëve hero i popullit ose nderi i kombit…” për veprat e tyne në sherbim të Gjenocidit antikatolik, që edhe sot prap vazhdohet vepra e tyne nga trashigimtarët… Ishte një llom i tanë që kishte invadue Shkodren. Disa nga fanatikët anadollakë shkodranë u ndihmuen dhe shprazen vnerin e tyne kunder elementit katolik të perkrahun dhe të siguruem nga një mori horash e terroristësh toskë, të sjellun në Shkoder nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Kadri Hazbiu, grupi vëlleh i gjykatësëve etj. Vandalizmi në qendrat kulturore, muzeumet dhe bibliotekat e institucioneve fetare e private, shpronsimet dhe vjedhjet e rezervave të arit, pasunisë private, shtetizimet, zhdukjet misterioze të tyne apo djegëjet e tyne bashkë me Pazarin e Vjeter, që ishte ndër tre ma të vjetrit në Ballkan, janë flaka zhdukëse e traditës kulturore e qytetare. Shkatrrimet e institucioneve fetare katolike nder ma të vjetrat dhe të pasunat në Europë e deri tek shembja e shtëpisë së Atdhetarit Demokrat Luigj Gurakuqi, të pashoq në Historinë e Popullit Shqiptar…në këta vitet e fundit të “Demokracisë” (u mbajshin mend)…Janë deshmija e pakundershtueshme se: Fanatiku Enver Hoxha me pasuesit e vet, të vjeter e të rijë…jo vetem ka krye Gjenocid kundër Katolikëve dhe inteligjencës Atdhetare, por edhe ndaj të Gjithë Shqiptarëve që kanë mendue dhe punue per një Shqipni Europjane.

Dhe në mbyllje me 14 korrik 1990 Ramiz Alia porositë “pasuesit e vet”: “Nuk ka qytet tjetër ku vepron më tepër agjentura e armikut se sa Shkodra. Në Shkodër agjentura vepron shumë e organizuar, e ndërthurur. Atje ka agjenturë serbe, italiane, gjermano-perëndimore dhe franceze. Vatikani ka hedhur agjenturën e vet, prandaj, duhet ndenjur gjithmonë në tension dhe të rritet vigjilenca.” Kjo porosi perforcon até dëshmi rrenqethëse që ka thanë komunisti Sh.S., një burrë i sinqertë nga Shkodra, një mikut të vet: “Ai më tha, duke me pyetur se sipas meje: në cilen zonë, në cilin qytet, komunizmi ka qenë ma i ashpër? Unë, i thashë, mendoj se Vlona. Jo, më tha, aspak, Vlona ka furnizue me komunista Shqipninë, por komunizmi asht zhvillue ma egersisht në Shkoder, tamam tamam në lagjet tuaja, më tha e më shikoi drejtë e në sy dhe mandej m’ u kthye: Nuk e kena marrë teseren e partisë se e deshtem komunizmin, që nuk e kuptueme kurrë, por e morem se na erdhi rasti me nxjerrë shpaten e me ju shkatërrue ju. Kjo ishte andrra e gjyshave e baballarëve tanë. Partia e punës na e dha këte mundësi.”

Melbourne, Nandor 2012.

Filed Under: Opinion Tagged With: fanatizmi, Fritz radovani, Komunizmi, Luigj Gurakuqi

KUSH E SHKATRROI SHKODREN, KRAJL NIKOLLA ME TOPA, APO ENVER HOXHA ME HORA ?

November 9, 2012 by dgreca

Në 100 vjetorin e Pavarsisë…

 Nga Fritz RADOVANI/

NE FOTO:KISHA E VAUT DEJES 1967 /

Gjuhej me top Shkodra, gjuhej me top Rozafa, gjuhej me top Katedralja…e gjylet binin ku u mbushej mendja, veç kur hapej gropa e copat e mishit të njeriut fluturonin me buca dheu…

Kam lexue tre libra per “Rrethimin e Shkodres” të viteve 1912 – 13 të shkruem nga Gjino Berri, Don Ndoc Nikaj dhe At Justin Rrota, ku tregohet me saktësi ajo që ngjau nga shteti fqinj i Malit të Zi kunder një grushti Shqiptarësh, të pushtuem 500 vjet nga turqit, po që ishin zgjue nga gjumi në Prillin e vitit 1911, atëherë kur Dedë Gjo’ Luli me Trimat e Tij, e jo me pak gjak, ngriti në maje të Deçiqit Flamurin e Gjergj Kastriotit me Shqipen dykrenare.

Me daten 11 Nandor 1912 filloi lufta nga malazezët. Shkodra fillon shek. XX me “racion buke”, ndoshta pa u kujtue se ashtu do t’a mbyllte atë të zi shekull. Gjithshka rrokolliset poshtë në mjerim, skamje, uri dhe frikë. Buka, drutë dhe qymyri kontrollohen nga shteti turk, i cili i jep ata tue perfitue ryshfete të panjohuna deri atëherë. Ftyrat e qeshuna të shkodranëve hyjnë nën hijen e zezë dhe të pashpresë të tymit të zi, që shperthen bashkë me flaken zharitëse të predhave.

Me 12 Mars 1913 gjuhet me 20 predha Kisha e Madhe ku ishin të strehuem mbi 1000 vetë e ku humbin jeten 9 shkodranë. Mbrendë bie edhe zjarri. Me daten 14 bienë poshtë edhe dy kumbonë nga kompanjeli i gjuejtun me top dhe i kapun flakë. Lypsit e bukës janë në çdo qoshe.

Me daten 23 Prill 1913 Shkodra, e shterngueme nga uria, dorezohet… Një shkodran po lypte bukë. Një roje malazeze e sheh dhe e pyetë: “Sa lypë, pse nuk vret veten?”…Qytetari e sheh dhe i pergjegjet: “Nuk kam armë!” Gjendari i tha: “Na armen time!”…Shkodrani merr armen dhe vret veten. Gjendari merr iken kur e sheh të shtrimë perdhe…Shkodrani thrret: “Jepni armen atij gjendarit dhe falnderonje prej meje!” Gjino Berri shenon: “Mbrojtja ma e madhe e nacionalizmit ishin gjokset e shkodranëve…Të ngjeshuna dhe të papushueme ndiheshin qitjet e mauzerreve ruse me të cilat ishin paisë ushtarët malazezë.” Njerzit marrin iken… Qyteti vazhdon i robnuem.

Krajl Nikolla nuk bani luftë pa një qellim të vetin! Deshira e tij ishte që Shkodra të ishte kryeqyteti i Malit të Zi dhe jo larg mbasi të kanalizohej Buna, me kenë edhe porti detar ma i madh dhe ma i randsishem në detin Adriatik. Ai vdiq pa e realizue andrren e vet. Pengesa e tij e pakapercyeshme kje Austro – Hungaria, e cila jo vetem ndihmoi në formimin e një inteligjencës së mirfilltë në qytetin e Shkodres, por edhe krijoi kushtet e Pavarsisë në vitin 1913.

Mbas tradhëtisë së Esad Pashë Toptanit dhe vazhdimësisë së rrugës së Tij nga Ahmet Zogu, Shkodra ra në doren e zaptuesëve ilegalë, por të njohun dhe të perkrahun nga sllavët.

Në kjoftë se Krajl Nikolla mendoi me varë bashkpuntorin e Dedë Gjo’Lulit, klerikun At Mati Prennushi dhe i fali jeten me nderhymjen e At Gjergj Fishtës, Ahmet Zogu vari Don Gjon Gazullin dhe ishte i pangopun me vuemjen në litar të vetem “një” kleriku katolik Shqiptar.

Në vitin 1941 kur Enver Hoxha krijon PKSh, me porosi e nen drejtimin e Titos, premtimi i parë ishte shkatrrimi dhe mjerimi i pashembullt i Qytetit Shkodres, tue u konsiderue si qender e nacionalizmit dhe e katoliçizmit, po i cilsuem nga të dy palët “pengesa kryesore per triumfin e komunizmit në Shqipni…” sepse Atdhetarët dhe Kleri Katolik nuk pajtoheshin as me pretendimet e shovenistëve sllavë, as me pushtimin e Shkodres nga dora e tyne anadollake me masken komuniste të Titos dhe të Stalinit, i deklaruem “baba i pushtuesëve bolshevikë” të Popullit Shqiptar. Në vitin 1913, një nder lagjet ma të damtueme ishte ajo e Badrave, pra rruga ku kam lé, ku numroheshin afro 100 te vdekun nga malazezët. Në janarin e vitit 1945 vetem në Luften e Kelmendit kunder Atdhetarit Prekë Cali,
mbrenda muejt, komunistët Mehmet Shehu, Shefqet Peçi etj., kanë masakrue dhe vra 118 Malësorë që ua kanë tretë dhe trupat e Tyne nder prroska “me urdhen të shokut komandant”, siç ka deklarue tradhëtari vrasës komunist Koçi Xoxe.

Në 1913 gratë shkodrane që do të lindnin fëmijë u larguen nga Shkodra, per mos me pasë raste vdekjesh nga zhurmat e topave të malazezëve…dhe një nder Ata që ka lé në Vaun e Dejës në atë vit asht kenë Imzot Ernesto Çoba. Ndersa mbas vitit 1944, shefi i sigurimit të rrethit Shkodres, Zoji Themeli i thotë në hetuesi Prof. Sami Repishtit që “kur të permendet emri komunist do të bëjmë që të dridhet foshnja në barkun e nënës!”…Prandej edhe në Shkodren e dy vjetëve të pushtimit komunist, në vitin 1946, kishim 26 burgje të diktaturës komuniste, ku vritej e torturohej inteligjenca, tregtarët, studentët, djelmë e vajza të familjeve Atdhetare Shkodrane pa dallim feje, veç mjaftonte deklarata e “urrejtjes” antiatdhetare dhe plumbi të çonte në gropat e zeza të Zallit të Kirit… Nuk do të hy me shpjegue se çfarë bahej me qindra familjarë të Atyne Burrave që moren malet apo u arratisen me shpetue nga plumbi. Ata që u privilegjuen aso kohe ishin agjentët e sigurimit të shtetit, të kudondodhun dhe ndonjë komunist që kishte mbetë mbrendë në kurthën e tyne gjatë viteve të luftës e që pothuej të gjithë u zhduken deri 1954.

Në vitin 1967 nen masken e luftës kunder Fesë, Shkodra peson rrenimin ma të madh që ka pasë nder shekuj, tue u rikthye në një qytet ku mbizotnonte vorfnia, frika, padija dhe terrori. Drejtuesi fanatik anadollak Ramiz Alia drejton këte “Revolucion kultural” tue shkatrrue të gjitha objektet fetare dhe kulturore, ndersa ndaj Klerit Katolik, me porosi nga Enver Hoxha, ai ka krye  Gjenocid ndaj një grupi fetar e shoqnor të caktuem tue pushkatue dhe mbytë nder burgje vetem mbas vitit 1967 edhe 12 Klerikë Katolikë dhe tue denue e ridenue me shumë vite burg dhe interrnim edhe 23 Klerikë të tjerë, prej të cilëve ka nga Ata si Don Nikollë Mazrreku apo Don Mikel Koliqi, që kanë ba ma shumë se 37 apo 38 vjetë burg e internim…

Mbas vitit 1967 në Shqipninë e Gjergj Kastriotit nuk kishte ma Asnjë Kishë Katolike…

Ndoshta, as turqit, as shovenistët sllavë, dhe as kinezët nuk e kanë mendue këte…

Atëherë..!?

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Fritz radovani, Kush e shkaterroi Shkodren

SKËNDERBEU I FSHEHUR NËPËR ARKIVAT GREKE

November 9, 2012 by dgreca

Nga Arben LLALLA*/

 Historia e popullit shqiptar është shumë e pasur me shkrime, libra, broshura që flasin për lavdinë e kombit tonë në luftë për ekzistencë. Ato janë të fshehura nëpër arkivat e ndryshme të botës. Viteve të fundit fal punës së palodhur të disa studiuesve shqiptar dhe të huaj kanë dalë në dritë gjëra të rëndësishme që lidhen me historinë e kombit shqiptar, por ende ka gjëra që nuk janë zbuluar dhe flenë diku nëpër bodrumet e shumë bibliotekave apo Institucionet e ndryshme në Itali, Austri, Francë, Turqi, Greqi etj.

Arkivat greke fshehin shumë dokumenta historike që lidhen me shqiptarët. Për mendimin tim nëpër arkivat shtetërore, kishat, manastiret, bibliotekat private mund të gjenden gjëra me vlera të larta për shqiptarët si në fushën e gjuhësisë ashtu edhe atë historike. Por ende asnjë studiues shqiptar nuk ka mundur të futet nëpër arkivat e shtetit grek sepse Greqia është kujdesur për konservimin e tyre për tu mbuluar nga pluhuri i harresës. Disa studiues kanë kërkuar dokumenta historike që i përkasin fillimeve të shek. XX, por revolucioni kulturor i rilindjes së vetëdijes shqiptare ka nisur në fillimet e shek. XIX. Me plot gojë mund të thuhet lirisht se ka shumë dokumenta historike, gjuhësore e kulturore që janë botuar në gjuhën shqipe dhe greke në fillimet dhe nga mesi i viteve 1800 në Greqi. Por siç dhamë më lart Greqia është kujdesur që këto gjëra me vlera të larta për kombin shqiptar të mos dalin në dritë.

Figura e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve Gjergj Kastrioti duke qenë një figurë madhështore që e kanë zili ende sot. Disa studiues po krijon turbullira tek që më shumë do të thosha që janë kopjac të këqij se sa studiues serioz. Të cilët duke shpikur apo hedhur dyshime mbi origjinën e tij shqiptare kërkojnë tu dëgjohet pak emrin nëpër media të ndryshme. Që Skënderbeu ishte shqiptarë nga babai dhe nëna e tij këtë nuk e luan as topi, por ende në shekullin e XXI ka njerëz që duke parë madhështinë, krenarinë dhe trimërinë e këtij njeriu të madh dua ta “përvetësojnë” qoftë edhe për pak çaste.

Në të vërtetë asnjë njeri nuk ka faj kur lexon vepra jo të trajtuara mirë, që më shumë i kanë shërbyer politikave ditore se sa historisë së vërtetë. Grekët e shekullit XIX duke mësuar për trimëritë Skënderbeut frymëzoheshin dhe luftonin kundër Osmanëve për të fituar pavarësisë. Ka shumë shembuj për heronjtë e Kryengritjes grek të 1821 që ishin shqiptar ose siç i thërrasin grekët arvanitas mbanin me krenari shenjën e Bricjapit që dikur e ka mbajtur Leka i Madh, Pirrua i Epirit dhe Skënderbeu.

Gjatë kërkimeve të mia nëpër disa biblioteka private dhe shtetërore gjeta shumë libra në gjuhën greke që flasin për historinë e kombin tonë të botuara në shek.XIX. Disa prej këtyre librave përmenden tek-tek si bibliografi e shfrytëzuar, por që nuk na janë sjellë të plota në botime. Edhe pse kërkimet e mia ka qenë private, të pa deklaruara munda të gjejë dhe të marrë gjëra me vlera të mëdha për kombin tonë. Emocione të forta ndjeva kur gjeta katër libra origjinalë në gjuhën greke që flisnin për trimëritë e Gjergj Kastriotit- Skënderbe. Edhe pse në këto libra bëheshin përpjekje për të faktuar që familja Kastrioti kishte origjinë greke ato kanë vlera sepse shkruhet për atë burrë që mbrojti pushtimin e Europës nga Osmanët. Që botërisht njihet dhe është vërtetuar shkencërisht që ishte shqiptar 24 karat. Grekët pretendimet e tyre për ta “Privatizuar” Skënderbeun më shumë i bazojnë tek emrat dhe mbiemrat e familjes Kastrioti që sipas tyre kanë kuptimësinë në gjuhën greke. Duhet të dimë se në shekujt e mëparshëm njerëzit e kombeve të ndryshëm emrat dhe mbiemrat i kishin fetarë. Në qoftë se do të mendojmë me logjikën e paditurisë që pretendojnë grekët atëherë do të themi se ish-Kryetari i Kubës Fidel Kastro është grek sepse ai mbiemrin e ka grek KASTRO (kala, kështjellë). Po të mendojmë me këtë logjikë të thjeshtë unë do të them se deputetët grek kanë mbiemra të kuptimësisë në gjuhën shqipe, sllavisht, turqisht dhe shumë pak greqisht. Pa folur që qytetet e greke kanë emërtime që zbërthehen në gjuhën shqipe. Edhe shumë emra të fesë ortodokse janë në gjuhën shqipe me disa ditë lutjesh fetare. Por kjo është temë më vete që duhet të shikohet.

Në qoftë se për një çast të mendojmë që Skënderbeu ishte grek. Atëherë pse Skënderbeu nuk luftoi për çlirimin e Greqisë? Pse Greqia e djeshme dhe e sotme nuk ka një bust të Skënderbeut për ta lartësuar figurën e tij?

Ish-sekretari në ministrin e jashtme italiane në vitet 1930 De Martiko do të shprehej për grekët: “Grekët janë të aftë, që të marrin një zezak të vërtetë amerikan, të zi si qymyri, dhe pasi ta punojnë gjashtë muaj me të, ta kthejnë përsëri në Amerikë me besimin e plotë tek vetja e tij se ai është pasardhës i drejtëpërdrejtë i Themistokliut”.

Pra tezat fëminore e studiuesve grek, sllavë dhe të disa studiuesve të djeshëm dhe të sotëm për origjinën greke apo sllave të familjes së Kastriotëve bien poshtë si teza të pavërteta të cilat nuk mbështeten tek shkenca, por tek politikat ditore.

Si përfundim Skënderbeu lindi shqiptar dhe vdiq shqiptar. Ai, ishte trashëgimtar i mbajtjes së shenjës së Bricjapit që e kishte mbajtur Leka i Madh dhe Pirrua i Epirit.

Skënderbeu lindi ortodoks, u bë me dhunë mysliman, përqafojë me dëshirë fenë katolike dhe vdiq UNIT. Shumë kush do të habitet me këtë përfundimin tim fetar të Skënderbeut UNIT. Por sot e kësaj dite shqiptarët(arbëreshët) që mërguan në Itali mbas vdekjes së tij besojnë ende në besimin fetar UNIT. Unitët janë për bashkimin e dy kishave kristjane, atë katolike dhe ortodokse. Arbëreshët në Itali falen në kishën e ritin ortodoks, por në vartësi të Vatikanit katolik. Në qytetin e Elbasanit, brenda në kalanë e vjetër ka qenë dhe është ende sot një kishë e rriti UNIT. Në fillim të viteve 1990 prifti i parë që shërbente në këtë Kishë ishte arbëresh.

Më 1439 në Sinodin e Florencës u bë bashkimi i Kishave të Romës dhe të Kostandinopojës. Më vonë kjo marrëveshje u nënshkrua edhe nga ortodoksë dhe katolikë të tjerë për bashkim në Romë dhe Brest në vitet 1595-1596. Kështu arbëreshët në Itali mbeten besnikë të besimit UNIT. Këtë na e dëshmon edhe arvanitasi i ndjeri Aristidh Kola. Studiuesi Aristidh Kola në librin e tij “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, shkruan: “Ndërkohë që të gjithë europjanët shkruanin për Skënderbenë, kronistët bizantinë ose e injoronin krejtësisht ose e përmendin diku dhe me një ftohtësi të madhe. Shkaku nuk është vdekja e tij e palavdishme, as fakti se ishte shqiptar dhe jo grek. Nuk është as lavdia dhe as kombësia kriteri i këtyre kronistëve. Është dallimi i besimit fetar të Skënderbeut, që nuk është i krishterë ortodoks, por katolik apo për të qenë më të saktë, ishte “UNIT”. Unitët ishin për bashkimin e dy kishave”.

 *Historian

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, greke, i fshehur, ne arkivat, Skenderbeu

E RRALLE- DY TE VDEKUR FITUAN ZGJEDHJET NE FLORIDA E ALABAMA

November 9, 2012 by dgreca

 Nga BEQIR SINA, New York/

  “Kjo është një situatë delikate. Kur ju jeni “duke sfiduar” një të vdekur dhe jeni duke kandiduar kundër tij – Në një kohë si ky rast kur ai është në varr ju janë të kufizuara të gjitha ato çka mund t’ju premtosh njerëzve, që do të votojnë por ty apo jo!? – përkatësisht, për atë që ju mund të thoni e premtoni përballë atij që nuk jeton më,” tha Walter Sansing, për gazetarët amerikan pas humbjes./

 MONTGOMERI – ALABAMA : Një demokrat dhe një republikan në zgjedhjet e përgjithëshme në Shtetet e Bashkuara edhe pse kan vdekur i fituan zgjedhjet , përkatësisht në dy shtetet e tyre. Në Florida demokrati i ndjeri Earl K. Wood dhe në Alabama republikani i ndjer Charls Beasley fituan zgjedhjet e tyre përkatëse, por ata nuk do të marrën detyrën e kongresisttit për të cili edhe votuesit u dhanë votën.

Të dy burrat vdiqën një javë para zgjedhjeve 6 nëntorit dhe arritë të mundën kundërshtarët e tyre të gjallë me një diferencë të “rehatshme” e cila nuk u a vuri asnjëherë në dyshim fitoren – megjithse ata i kishin thënë lamtumirë kësaj jete.

Wood vdiq më 15 tetor nga shkaqe natyrore në moshën 96, gjatë fushatës së tij për një mandat të 12-të si përfaqësues i Orange County Tax Collector, në Orlando, Florida.

Kritikuar shpesherë për mbajtjen e zyrës në këtë moshë duke marrë një rrogë të kongresistit me 150.000 dollar dhe 90.000 dollar pension, Wood fillimisht njoftoi se do të japë dorëheqjen, vetëm në se ka për të ndryshuar mendjen e tij, kur një “kundërshar” i vjetër politik, në atë Zonë elektorale, nuk kishte për bërë plane për të kërkuar vendin e tij në Dhomën e Ultë të Përfaqësueseve.

96 vjeçari “energjik” me një trup dhe shëndet të plotë, demokrati tashmë i ndjeri Earl K. Wood – kishte fituar respekt dhe njohje të gjerë në Florida, mbasi emri i tij kishte gati një gjysmë shekulli në zyrën e e kongresit – dhe kishte punuar aq mirë sa nuk kishte më pretendentët seriozë që mund t’ia zinin karrigen.

Sipas legjistacionit amerikan ka një përkufizim që emri i kanditatit nuk mund të hiqet nga lista jo më shumë se 30 ditë para votimeve . Emri i tij mbeti në fletën e votimit dhe ai mori 56 për qind të votave nga 44 për qind që mori kundërshtari i tij një republikan i cili premtoi për të “nxjerr zhag” nga zyra e tij nëse zgjidhej 96 vjeçarin demokratin e ndjerë Earl K. Wood.

 

Rasti tjetër që një kandidat megjithëse i vdekur  i fiton zgjedhjet është ai i në Alabama republikani i ndjer Charls Beasley. I ndjeri Beasley, i cili vdiq në moshën 77 vjeç,  më 12 tetor 2012, 25 ditë para zgjedhjeve të përgjithëshme në SHBA, ndoshta për shkak të një sëmundje e rëndë, vdekje natyrore, ndërsa ishte duke u përpjekur për të kërkuar vendin e tij edhe për një mandat tjetër në Bibb County Commission në Alabama qendërore.

  Emri i Beasley, gjithashtu mbeti në fletën e votimit dhe ai fitoi rreth 52 për qind të votave. Kundërshtarit i tij nga Partia  Demokratike, me detyrë Komisionerë në këtë Qarkë, zoti Walter Sansing, mori vota më pak se Beasley, megjithse, arivali i tij – tashmë i vdekur, dhe që kishte tre javë që i kishte “thënë lamtumirë” kësaj botë, ia bërë humbjen veçanërisht të vështirë Sansing-ut.

     “Kjo është një situatë delikate. Kur ju jeni “duke sfiduar” një të vdekur dhe jeni duke kandiduar kundër tij – Në një kohë si ky rast kur ai është në varrë, ju janë të kufizuara të gjitha ato çka mund t’ju premtosh njerëzve, që do të votojnë por ty apo jo!? – përkatësishtë, për atë që ju mund të thoni e premtoni përballë atij që nuk jeton më,” tha Walter Sansing, për gazetarët amerikan pas humbjes. 

     Në Orlando, Scott Randolph, një legjislatorë nga Partia Demokratike, në këtë shtet aktivist, u zgjodh nga partia e tij – pas këtyre zgjedhjeve – për të marrë votat e hedhura për Wood dhe ai do të marrë detyrën në Kongres, në janar. Në ndërkohë, në Alabama, e ka në dorë mandatin e Çarls Beasley, guvernatori i këtij shteti Robert Bentley i cili është ai sipas legjistacionit i cili do të emërojë një komisioneri të ri me të dhëna nga republikanët në atë Qarkë se kujt do ti jap mandatin e të ndjerit Charls Beasley .

 

Filed Under: Politike Tagged With: Beqir Sina, dy te vdekur, fituan zgjedhjet, ne Florida dhe Alabama

PARLAMENTI NE TRANZICION DO TE LEHTESONTE SHPIRTRAT E DEPUTETEVE ME NJE MINUTE HESHTJE PER LIRAK BEJKON

November 9, 2012 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Do të vijë dita kur gjesti vetëflijues i Lirak Bejkos do të kujtohet nga shqiptarët mbarë si sakrifica sublime e një njeriu për të zgjuar shoqërinë shqiptare nga gjumi i indiferencës ndaj një klase politike pa ndërgjegje politike dhe pa shpirt e zemër njerëzor.

Do të vijë dita, shumë shpejt, kur Lirak Bejko, të shpallet „dëshmor i demokracisë“ nga ai Parlament që heshti apo që akuzoi grevistët e urisë se ishin „dora e zgjatur e liderit të opozitës“.

Le të kujtojmë pompozitetin e grevës e urisë të organizuar nga PS në mes të bulevardit„Dëshmorët e Kombit“ përballë me dritaret e Kryeministrisë dhe çadrën e thjeshtë të 25 burrave, të gjithë vuajtës të burgjeve të diktaturës.

Kaq do të mjaftonte që deputetët e krahut politik, të votuar nga shtresa e të përndjekurve, të ishin në kontakt të vazhdueshëm me ata 25 burra të cfilitur nga jeta ferr gjatë diktaturës, që dalëngadalë nuk po i rezistonin pasojave të grevës dhe po mbeteshin gjithnjë e më pak, pasi kishin përjetuar të gjithë kalvarin e tmerrshëm të burgjeve e torturave mizore të regjimit kanibal totalitarist. Kaq. Ashtu si shkoi Ambasadori i SHBA, të cilit Lirak Bejko i tregonte protezën e dhëmbëve. Mjaftonte ajo skenë, që deputetët e PD të rendin menjëherë tek grevistët, të takoheshin me ta, të shkëmbenin me ta fjalë, vetëm fjalë të ngrohta, fjalë njerëzish. Jo më kot e para ishte fjala!

Por asgjë e tillë, asnjë reagim njerëzor, vetëm fyerje dhe akuza të stilit stalinist. Ndërkohë që vitet e burgjeve nuk ua hiqnin dot. Vitet e burgjeve staliniste mbeteshin të paluajtura, të patundura, dëshmia historike e atyre njerëzve, pjesa më e madhe e të cilëve tani nuk jeton më, por vuajtjet e tyre dhe të familjeve të tyre, të fëmijëve të tyre, nuk mund t’i çojë në harrim dot kurrë indiferenca e një klase politike të papërgjegjëshme, sjellja e së cilës është turp për ne të gjithë.

Gjestet e vetëflijimit të Ndrecës dhe Lirak Bejkos ishin të evitueshme. Humbja e jetës e Lirak Bejkos ishte e evitueshme. Mjafton që klasa politike që pretendon se përfaqëson edhe interesat e shtresës të të përndjekurve politikë t’u ishte afruar atyre njerëzve, t’u kishte dhënë dorën sepse ata njerëz ishin tmerrësisht të lodhur dhe të konsumuar fizikisht e psikologjikisht sa nga cfilitja e sa nga indiferenca e pashpirt gjatë atyre ditëve gjithë tension të grevës.

Po a mund ta kuptojë Ilir Rusmajli, deputeti i PD, i biri ish-Anëtarit të Komitetit Qendror të PPSH vuajtjet e Lirak Bejkos! Ju lutem, mos na bëni më moral, sepse PD e Shqipërisë ajo që pretendon se ka rrëzuar diktaturën, nuk mund të përfaqësohet në Parlamentin e Shqipërisë me të birin e një ish përfaqësuesi të nomenklaturës së kuqe! E përse akuzojnë deputetët e PD në Kuvend Edi Ramën se pranë tij ka ish të bijtë e nomanklaturës komuniste, e çfarë ndryshimi ka midis Ilir Rusmajlit të PD dhe Ilir Gjonit të PS-së! Të dy janë bij të ishzyrtarëve të lartë të nomenklaturës së kuqe!

Mos na shisni moral dhe mbani kokën ulur. Sepse e latë një njeri të vdesë dhe nuk shkuat që t’i jepni dorën sepse vetëm dorështrëngimi juaj, apo fjala juaj do ta shpëtonte jetën e Lirak Bejkos dhe Lirak Bejko sot do të ishte në mesin tonë!

Ditën e sotme gazeta Panorama kishte botuar lajmin se 202 ish-të përndjekur marrin këstin e dytë. Midis tyre ishin edhe emrat e shtatë ish-grevistëve. Midis tyre ishin emrat e Lirak Bejkos, Gjergj Ndrecës!

Po përse u botua kjo listë tani që Lirak Bejko nuk është më; po përse nuk iu tha atyre njerëzve se do të merrnin këstin e dytë që greva të merrte fund menjëherë, që të mos vetëflijohej as Ndreca dhe as Lirak Bejko ! Po përse nuk shkoi asnjë deputet i PD-së tek ish-grevistët që të shmangej tragjedia, që Lirak Bejko sot të ishte midis të gjallëve e ta gëzonte një pjesë të dëmshpërblimit bashkë me familjen e tij?

Po përse Parlamenti i Shqipërisë nuk mbajti asnjë minutë heshtje për të nderuar dëshmorin e tranzicionit Lirak Bejko!

Sepse të gjithë ata deputetë të atij parlamenti janë liliputë përpara Lirak Bejkos, pasi karriken e deputetit e kanë trafikuar me heshtjen dhe indiferencën e tyre ndaj këtij njeriu të dëshpëruar, shpresëhumbur, i cili për të zgjuar ndërgjegjen e ne të gjithëve i vuri flakën vetes dhe sot nuk është më, sepse ne të gjithë e lamë të vetëdigjej!

 

Filed Under: Featured Tagged With: 1 minute heshtje, Elida Buçpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5708
  • 5709
  • 5710
  • 5711
  • 5712
  • …
  • 5723
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MIRËNJOHJE PËRJETË PËR SENATORIN BOB DOLE, MIKUN E MADH TË KOSOVËS E KOMBIT SHQIPTAR
  • “Dijetari i fshehtësive”, një film befasues për Hasan Tahsinin
  • VEPRA E AKADEMIKUT MARK TIRTA DO MBETET GJATË NË KUJTESËN E ATYRE QË E DUAN KULTURËN SHQIPTARE
  • Dr. Riza Sadiku dhe kontributi në dokumentimin e historisë kombëtare
  • Kur pushteti humb besimin e qytetarëve
  • Karl Gurakuqi, mjeshtër i shqipes
  • NUMRI QË ASKUSH NUK E KA NUMËRUAR…
  • KUJTIM BUZA – NJERIU QË MA RRËFENTE SHKUPIN
  • Letter of Support for Prof. Dr. Bekim Sejdiu’s Nomination for President of the Republic of Kosovo
  • BEKIM SEJDIU PËR PRESIDENT – A PO I KTHEHET KOSOVA PROFILIT INSTITUCIONAL?
  • ANTON ÇEFA – NJË JETË NË SHËRBIM TË FJALËS SHQIPE DHE KUJTESËS KOMBËTARE
  • Kur dija hesht, konformizmi flet…
  • Albanians for America Welcomes the SRBIJA Act and Calls for Accountability from Serbia
  • “Malësia – studime e hulumtime”
  • Ago AGAJ – Vlonjati që e mori Kosovën me vete deri në vdekje!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT