• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nënshtrimi që vjen nga keqqvererisja

May 22, 2020 by dgreca

Nga Silvana BEGAJ/ Suedi*/ Shikoj çdo ditë lajmet e vendit tonë dhe çdo ditë bindem me thënien e Penn: Bëni që njerëzit të mendojnë se po qeverisin e do të nënshtrohen. Me sa kujtoj, u rrit nafta në Greqi me 10 cent dhe u dogj Athina, Franca po ashtu… Unë nuk dua të digjet Tirana. Ajo nuk ka faj… Unë dua të digjet mizoria që ne po tregojmë çdo ditë, çdo protestë, çdo reagim… Ne kemi vrarë mirësinë, dashurinë, e po e vrasim çdo ditë e më shumë. Çfarë na ndryshoi kaq shumë? Dikur dhe një të njohur e kishe vëlla, sot dhe vëllain e ke më pak se të njohur… Kam menduar se çdo gjë erdhi si pasojë e ndryshimit të sistemit nga centralizim në sipërmarrjen e lirë. Kush e di sa njerëz janë vrarë vetëm sepse dega e pemës së fqinjit binte mbi pjesën e tokës ku ndan gardhi i tij. Por këto nuk janë gjëra që ju nuk i dini. Për këtë u dashurova me Aleksandin e Madh i cili para se të vdiste kërkoi që në rrugën ku do kalonte, pa jetë, t’i linin duart jashtë që të gjithë të shikonin që Mbreti i Botës vdiq me duar bosh. Si idealistë që jam mendoja se njerëzit nuk e dinin se nuk kishin lexuar mbi Aleksandrin e Madh. Kujtdo i sugjeroja që të lexonte dhe t’i bëja të kuptonin që askush nuk fiton dot as parajsën dhe as përjetësinë me mizori dhe etje për pasuri që nuk na përkasin. Por të jesh i pasur nuk është as krim dhe as mëkat dhe as nuk të bën automatikisht njëri të keq. Ka shumë mënyra për t’u pasuruar. Deri këtu e kam kuptuar. Ajo që nuk kuptoj dot akoma është si mund të idealizosh dhe të ushtrosh dhunë e të veprosh në emër të një partie ku drejtuesit apo pjesëmarresit e saj janë pasuruar në mënyrë të beftë dhe të dyshimtë. Si popull të gjitha fatkeqësitë na kanë ardhur për shkak të politikave të gabuara ndër vite. Ne mund t’i mbyllim hesapet me të shkuarën, por a i mbyll ajo me ne? Ndryshimi i ligjeve për pronat për shembull rriti krimin në familje e në shoqëri. Ligjet me dy standarde na kanë lënë të pasigurt për sigurinë, qetësine, jetën etj. Dhe keto nuk kanë ardhur nga asgjëja. Kanë ardhur nga drejtuesit, përfaqësuesit, të zgjedhurit tanë për interesat e tyre. Sepse ata, të gjithë së bashku, për interesat e tyre ngrenë dhe pllakat e bulevardit. Sa bukur e thashë! Për interesat e tyre! Po ju, unë, ku jemi? Unë, ju, ne vritemi, vrasim, dhunohemi, dhunojmë dhe mbi të gjitha përdoremi për të mbrojtur interesat e tyre. I kemi zgjedhur të na përfaqësojnë dhe në të vërtetë dalim dhe i përfaqësojmë duke i ndjekur verbërisht se mos cenohen dhe të fitojnë pushtet. E kështu, historia përsëritet… Por kam një ngushëllim në fakt se e di që pas një përballje elektorale njeri nga ata do të humb. Sa keq! Shqipërinë e kane mbuluar militantët. Zërat e militantëve nuk janë për popullin. Janë për kryetarin, kryetaret! Janë ata që flasin për asgjë duke qenë e vetmja gjë mbi të cilën dinë gjithçka. Kryetarëve të partive nuk iu preket as një qime floku, iu bëjnë njeri-tjetrit favore me miliona euro, kanë formuar familjet klanore ku bëjnë favore dhe marrin favore. S’kanë nevojë për të zhvilluar konceptin lidership sepse këto janë Qeveri që mbahen dhe mbështeten tek njeri-tjetri. Ata që humbin jemi ne, ata që ikim (një milion vitet e fundit) jemi ne, duke na hequr sigurinë për jetën, nuk ka drejtësi, nuk ka zhvillim ekonomik, sepse nuk ka shpresë. Sepse në Shqipëri nuk ka opozitë. Duhet, sot, të vrasim frikën dhe të përfaqësojmë veten. 

Sot duhet të jemi bashkë për jetën tonë, për fëmijët tanë, për të ardhmen dhe për Shqipërinë dhe të recitojmë vargjet e Nolit: 

Dhe një zë vëngon nga lumi, 

Më buçet, më zgjon nga gjumi, 

Se mileti po gatitet, 

Se tirani lebetitet, 

Se pëlcet, kërcet furtuna, 

Fryhet Vjosa, derdhet Buna, 

Skuqet Semani dhe Drini, 

Dridhet Beu dhe zengjini, 

Se pas vdekjes ndriti jeta, 

Dhe kudo gjëmon trumbeta: 

Ngrehuni dhe bjeruni, 

Korrini dhe shtypini, 

Katundar’ e punëtorë, 

Që nga Shkodra gjer në Vlorë.

  • Publikoi Gazeta Dielli www.gazetadielli.com

Filed Under: Analiza Tagged With: keqqeverisja, Nenshtrimi, Silvana Begaj

SHQIPTARËT NË KROACI DHE BETEJA E SHTETIT KROAT NDAJ COVID-19

May 22, 2020 by dgreca

Shoip Shoipi doktor në qendrën klinike “Spitali i Motrave Bamirëse“ në Zagreb, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli New York, Kroacinë në betejën ndaj Covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja.*

SITUATA E COVID-19 NË KROACI 

Që nga fillimi i epidemisë, në rreth 4 milionë banorë sa ka Kroacia, deri më sot janë konfirmuar 2232 raste të COVID -19 dhe 96 persona të ndjerë. Gjithsejt 1967 pacient janë shëruar, ndërsa deri me ditën e sodit aktiv janë 169 individ. Kroacia, ashtu edhe si shtetet e tjera ballkanike, patën fatin e mirë që nuk i përjetuan skenat tash më të njohura në Itali, Spanjë dhe Francë, por nuk u përballuan me të njëjtën situatë si vende ku qasja ndaj shenjave të para të pandemisë nuk ishte në nivelin e duhur (si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar). Ndoshta edhe nga përvoja e shteteve të lartpërmendura, institucionet kompetente të shtetit kroat reaguan në kohë dhe nuk lejuan përhapjen e pakontrolluar të infeksionit. Me kalimin e kohës,  si kusht për zbutjen  e masave restriktive të vendosura kah mesi i muajit mars (ndalim i grumbullimit të njerëzve, punës së shitoreve, ngjarjeve sportive, ndalim i mundësisë të lëshohet vendi i përhershëm i banimit pa leje speciale nga autoritetet etj) ishtezvoglimi i numrit të ri të të infektuareve në një afat stabil prej 5-7 ditësh. Edhe pse kishte sinjale se prezenca e virusit në Kroaci bie, zbutja e ndalesave të numërta u zgjat deri më 11 maj, për faktin se u vërejt rritje e të infektuarve brenda  shtëpive të specializuara për të moshuar, që dukshëm e rriti lakoren e numrit të përgjithshëm tëtë infektuarve dhe, për fat të keq, edhe numrit e të ndjerëve. Sigurisht që ky numër relativisht i vogël i të infektuarve dhe të ndjerëve ka efektet e veta anësore të lidhur me masat restriktive. Veprimtaria e ngadalësuar ekonomike, që direkt lidhet me vendet e punës, ishte një nga arsyet që javën e fundit këto masa të shfuqizohen, duke u përpjekur të vëndoset një ekuilibër midis shëndetit nga njëra anë, dhemirëqenies ekonomike nga ana tjetër. Çerdhet dhe shkollat me fëmijë prej klasës së parë deri klasën e katër (me kusht që të dy prindërit të jenë të punësuar) janë të hapura, transporti publik përsëri është aktiv etj. Edhe pse të gjithë bashkë jemi në pritje të gjetjes së vaksinës dhe barit adekuat për shërim të infeksionit, në kontekstin kur këto të dyja mungojnë, metodat mesjetare (karantina dhe izolimi) u treguan si hap i parë i suksesshëm për ballafaqim serioz me pandeminë. Duke vazhduar të mësojmë për sëmundjen (por edhe duke ulur numrin e të infektuarve), masat e ndërmara gradualisht janë duke u zbutur.

MASAT QË MORI QEVERIA KROATE

Kur shfaqet një virus për të cilin nuk dime asgjë dhe popullata duhet mbrojtur, reagimi i parë është shpesh tejet ekstrem dhe konservativ, ashtu si edhe ndodhi në shumicën e vendeve të prekur nga pandemia. Siç përmenda edhe më lartë, nisur nga përvoja e vendeve të tjera që kishin numër dukshëm më të madh dhe përhapje të vrullshme të të infektuarve, sjellja e shtetit kroat ishte e përgjegjshme, çka rezultoi me përhapje të ngadalshme të infeksionit dhe një shkallë të ulët të vdekshmërisë. Infeksioni depërtoi nga Italia dhe nga kroatët që i kaluan pushimet dimërore në qendrat e skijimit në Austri. Do kisha dasht të potencoj se Kroacia ka një traditë relativisht të gjatë të funksionimit të qendrave të shëndetit publik. Me ndihmën e fondacionit Rockefeller, më 1926, në kuadër të fakultetit të Mjekësisë në kryeqytetin kroat është krijuar Shkolla e Shëndetit Publik “Andrija Shtampar”. Shkolla që atëherë luan një rol të rëndësishëm në edukimin e popullatës dhe ndërmer aktivitete specifike në favor të shëndetit publik, e nga 1982 ajo është edhe qendër bashkëpunimi e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kujdesin  primar shëndetësor. Punën dhe parimet e shkollës e kanë ndjekë dhe kultivu shtetet ballkanike, por edhe më gjërë në Europë, SHBA dhe Kinë, ku Andrija Shtampar jetoi dhe riorganizoi shërbimin e shëndetit publik gjatë viteve 1933-36. Kroatët kanëedhe një historik të hershëm me epidemitë.  Dubrovniku, tash i njohur si qytet bregdet, në mesjetën e vonshme (si Republika e Dubrovnikut, apo Raguzës më saktësisht) ka qenë port i rëndësishëm dhe me vizitorë-tregtarë nga tërë bota, më 1377 si i pari në botë prezanton karantinën, si masë mbrojtjeje ndaj sëmundjeve infektive, veçanërisht nga murtaja. Ky vendim, publikohet nëstatutin e Republikës, në të ashtuquajturin Libri e Gjelbër (Liber Viridis) dhe thotë:Veniens de locis pestiferis non intret Ragusium nel districtum (Kushdo që vjen nga zonat e infektuara, nuk do të hyjë në Dubrovnik ose territorin e tij).Percaktohet që as vendasit dhe as të huajt që vijnë nga zonat e infektuara të murtajës nuk mund të hyjnë në qytet nëse nuk kalojnë 30 ditë në ishujt Mrkan, Bobari dhe Supetar afër Cavtatit, gjegjësisht Dubrovnikut. Paralel me luftën me pandeminë, në mars Zagrebin e goditi një tërmet i cili, për shkak të frikës nga përsëritja e goditjes, rezultoi me zhvendosje të popullatës larg kryeqytetit kroat, në brendi të shtetit dhe qytetet bregdetare. Institucionet reaguan me kufizim të lëvizjes së qytetarëve, nga një vend në tjetër dhe nga adresa e përhershme e banimit.  U ndërpre qarkullimi publik, brenda dhe ai mes qyteteve të ndryshme. Po ashtu, çdo instuticion ose ndërmarje publike apo private u desh të kufizon  numrin e të punësuarve në minimum. Edhe pse kishte pakënaqësi për kufizimin e lëvizjes, masat u respektuan. Në parim, qytetarët kroat janë të disiplinuar dhe kjo vjen nga kultura relativisht e lartë politike dhe vetëdija qytetare, e cila në situatën konkrete me pandeminë gjeti reflektim në respektimin e masave të ndërmara.

SHQIPTARËT NË KROACI 

Në Kroaci zyrtarisht ka të regjistruar rreth 18.500 shqiptarë, nga vise të ndryshme shqiptare, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Pjesa më e madhe e tyre merren me hotelieri dhe gastronomi, por dy dekadat e fundit shqiptarët janë prezent në çdo sferë të jetës shoqërore, ekonomike dhe politike dhe luajnë rol të dallueshëm në këtë kontekst. Pandemia i prek shqiptarët aq sa i prek fqinjët e tyre kroat. Brengos fakti se, meqë një pjesë e konsiderueshme e tyre meren me gastronomi, sezoni turistik që pritet të jetë dukshëm më i dobët këtë vit, të reflektohet edhe tek suksesi i bizneseve shqiptare. 

E ARDHMJA E PANDEMISË NË KROACI 

Numri i të infektuarve javën e fundit jep shpresë për kahje pozitive në tentimin për mposhtjen e pandemisë. Këto ditë regjistrojmë nga 2-3 në nivel ditorë të infektuar dhe nga 10-15 të shëruar, kurse numri i të ndjerëve është 1-2 persona. Numri më i madh i të ndjerëve ka qenë me moshë mbi 70 vjeçare dhe me ndonjë sëmundje paraprake kronike. Ka edhe shumë gjëra që akoma mbeten të panjohura për virusin COVID-19, dhe si profesionist mundohemi që, brenda konturave të punës së përditshme, të kuptojm logjikën e zhvillimit të sëmundjes dhe mënyrën më të mirë për të fituar luftën. Besoj që me çdo provë të rradhës, riten edhe njohuritë tona dhe aftësia që sa më parë të gjendet vaksina dhe bari. Lehtësimi i masave të fundit është rezultat i një dëshire të madhe për të qenë në gjendje të jetojmë përsëri jetë normale, si një dëshirë shumë e arsyeshme, por sigurisht edhe si rezultat i përmirësimit të dukshëm të pasqyrës me të infektuar. Tani më është e kuptueshme që ekziston një tregues i qartë se mund të vazhdohet me heqjen e karantinës, në mënyrë që shumë biznese dhe kompani që varen nga kontakti me njerëzit të mund të funksionojnë në treg. Si do të rezultoje e gjithe kjo në fund, për të qenë të sinqertë, është herët për të thënë.E dijmë që një pjesë e masave akoma mbeten në fuqi, si distanca fizike, pastrimi ose dezinfektimi i duarvepërdorimi i domosdoshëm i maskave në hapësira publike apo largimi i mundësisë që njerëzit të shtrëngojnë duart apo përqafohen, pa mare parasyshë afërsinë emocionale. Këto masa mund të vazhdojnë të rezultojnë në zvoglimin e përhapjes së virusit ose eliminin e tij gradual.  

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA 

Do kisha dasht të përcjell përshëndetjet më te përzemërta lexueseve të Diellit, bashkatdhetarëve si dhe Federatës Panshqiptare Vatra për misionin e tyre. Është kënaqësi të jesh i vetëdijshëm dhe vazdosh të dëgjosh për punët që janë bërë dhe bëhen për të drejtat dhe interesat tona individuale dhe kolektive dhe promovimin e vlerave tona të veçanta. Si mjek dhe individ që meret me punë shkencore, lidhur me pandeminë, do kisha porositur si vijon: nuk është mjaft çka porosit politika apo institucionet, shtabi emergjent apo cilat janë masat e tyre të preferurara; është kyç respektimi i rregullave të duhura. Çdo individ mund të bëjë një ndryshim të madh nëse e kupton se këto rregulla vlejnë për të gjithë, duke mos anashkaluar asnjë individ në veçanti dhe se rezultati përfundimtar është në dobi dhe kënaqesi të të gjithë neve. 

KUSH ËSHTË SHOIP SHOIPI

Shoip Shoipi është me origjinë nga Gostivari i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Studimet e mjeksisë i ka kryer në Univesitetin e Zagrebit, ku edhe jeton 30 vitet e fundit. I punësuar është në qendrën klinike “Spitali i Motrave Bamirëse“ në Zagreb. Me profesion është specialist-urolog, subspecialist në onkologji urologjike dhe subspecialist për urolitiazë. Ka doktoruar në shkencat biomedicinale në temën e karcinomit te fshikzës urinare. Në kohën e pandemisë, klinika ku është i angazhuar, drejt për së drejti ka qenë dhe është e inkuadruar në intervenimet dhe operimet e të semurëve me virusin SARS- CoV-2. Është anëtarë i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare të qytetit të Zagrebit, si dhe anëtarë i Shoqates së Urologëve të Kroacisë dhe Shoqatës së Urologëve të Europës. 

*Per me shame fotografi shine ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Opinion Tagged With: dr, Shoip Shoipi, Sokol Paja

AMANETIN E MBAN TOKA – GËZUAR DITËLINDJEN PROF. ERNEST KOLIQI!

May 22, 2020 by dgreca

20 Maji (1903) shënon ditëlindjen e Profesor Ernest Koliqit.  Gëzuar Ditëlindjen i dashur Profesor Koliqi!  /

Nga Frank Shkreli*? Unë e konsideroj veten të privilegjuar që kam pasur fatin të njihja megjithëse për një kohë të shkurtë, Profesor Koliqin, gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1970.  Deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra, të pakën, dy tre herë në vjet.  Detyrimi im për ta kujtuar atë, rrjedhë nga një letër që Profesor Koliqi më ka dërguar në vitin 1972.  Letra e tij erdhi pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim.  Ishte një letër me këshilla tepër të nevojshme për një të ri nga një personalitet si Ernest Koliqi, por që njëkohësisht përmbante edhe një amanet. Ai shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”.  Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe.  Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime.  Mbaje mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’.  Avit moshatarë sa ma shumë që të mundesh.  N’ ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”. Ishte ky, pra, amaneti i tij, një amanet që jam munduar ta mbajë me atë kapacitetin tim të vogël, duke e kujtuar atë kur kam pasë mundësi me gjithë kufizimet e mia në fushën e veprimtarisë së tij të gjithanëshme – brenda dhe jashtë Atdheut — duke filluar nga viti 1918 e deri në vitin 1975, kur ndërroi jetë në Romë të Italisë.

Përveç kujtimeve nga disa takime me të dhe respektit të madh që kam për veprat dhe jetën e Ernest Koliqit, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë në mënyrën time më modeste, nga koha në kohëdhe në raste siç është ditëlindja e tij, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por megjithë kontributin e tij të madh në fushën e letërsisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare, i përjashtuar dhe denigruar nga regjimi komunist shqiptar, mbetet pothuaj i harruar dhe i kritikuar edhe sot — nga pseudo-historianët nostalgjikë të komunizmit ndërkombëtar — 30-vjet pas shembjes së regjimit komunist.  Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë dhe të tjerët autorë si ai, të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në herë, amanetin e tij, për të mos e harruar atë dhe autorët e tjerë të përjashtuar nga komunizmi.

Por, pasi jeni ende në një gjëndje shokuese shpirtërore  në lidhje me  shembjen e Teatrit Kombëtar të 17 majit, si një prej ngjarjeve më brutale dhe më të dhìmbshme në historinë kulturore të Shqipërisë, ia vlenë të kujtojmë Ernest Koliqin edhe me këtë rast, pasi siç duket, historikisht, ai dhe shumë  të tjerë të dalluar të historisë shqiptare kanë pasur lidhje me Teatrin Kombëtar, në një mënyrë ose një tjetër.  Ernest Koliqi ishte prëparimtar.  Besoj se ai do të kishte qenë për ndërtimin e një teatri të ri dhe më të mirë të standardeeve evropiane, pasi ai nga ajo kulturë vinte. Por nuk besoj se do të kishte miratuar shembjen përgjithmonë të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, pasi ai ishte edhe një ruajtës, mbrojtës dhe kultivues i historisë dhe identitetit Kombëtar të shqiptarëve, kudo dhe kurdoherë.

Mund të jem gabim, por besoj se kjo foto historike është një takim i mbajtur në i ish-Teatri Kombëtar — i rrënuar brutalisht më 17 Maj nga autoritetet e qeverisë socialiste pseudo-demokratike të Shqipërisë së sotëme—në të cilin, në vitin e 1942 strehohej edhe Instituti i Studimeve Shqiptare, i kryesuar nga Profesor Ernest Koliqi.  Në këtë Institut ka filluar botimi i vëllimeve të mëdha, “Studime e Tekste”, ku bashkpunuan linguistët, juristët dhe folkloristët si the albanologët më të njohur të asaj kohe. Në “Numrin Përkujtimuer” të revistës Shëjzat, me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, në vitin 1975, shënohet se pas largimit të tij nga Ministria e Arsimit, në vitin 1942, Profesor Koliqi emërohet Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare,(Shih foton më lartë) me qellim për të vazhduar vepren e ndërmarrë nga Kongresi i Manastrit.  Aty shënohet se gjatë kësaj periudhe Profesor Koliqi bashkpunoi me Mustafa Merlika Krujën, Karl Gurakuqin, Asdrenin, Ali Asllanin, Lasgush Poradecin, Anton Logorecin, Ismet Toton, e tjerë.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe Ernest Koliqi, si Ministër i Arsimit luajti rolin kryesor dhe historik të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe duke hapur shkolla anë e mbanë trojeve shqiptare, nën ish-Jugosllavinë e vjetër.  “Këto shkolla”, sipas Dr. Rexhep Krasniqit, ish-Kryetarit të “Komitetit Shqipëria e Lirë” në Nju Jork, “U bënë baza me rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe të kulturës shqiptare në Jugosllavinë”, e atëhershme.  E kam thënë edhe më përpara se nga kjo politikë e Ernest Koliqit, ka përfituar edhe brezi im në krahinën e Ulqinit, pasi mësuesit e mi dhe të bashkmoshatarëve të mi të shkollave fillore në ato zona, ishin trajnuar nga arsimtarët dhe mësuesit nga Shqipëria që kishte dërguar atje Ernest Koliqi.  Ia kemi borxh atij, sepse, po të mos ishte për këta emisarë të Koliqit dhe për shkollat shqipe që ata hapën në trojet shqiptare, ndoshta as shqip nuk do flisnim sot — unë as të tjerët bashkmoshatarë të mi, e si rrjedhim as brezat pas nesh.

Dëshiroj ta mbyllë këtë kujtim me rastin e ditëlindjes së Ernest Koliqit me disa vargje nxjerrë nga poemthi me titull, “Symfonija e Shqipevet”, kushtuar lashtësisë shqiptare një prej veprave të tija që frymëzon atdhetarizmin dhe lartëson shpirtin e lexuesit edhe sot e kësaj dite.  Sidomos në këtë periudhë historike kur në horizontin shqiptar po duken disa re të zeza, Koliqi ka shkruar se qëllimi i këtij poemthi —është për të forcuar në çdo kohë të vështirë besimin në Atdhe me një krijim mitesh shqiptare, të cilat sipas tij, dëshmojnë se asnjë pengesë dhe shkatërrim gjatë historisë nuk mundi të shuante palcin gjallnues të rodit tonë.  Qëllimi tjetër i botimit të kësaj simfonie valvitëse fjalësh fantastike, sipas autorit, është “për të ndjellë agime ma të këthjellta popullit shqiptar”, në të ardhmen.

Kur fliste e shkruante për Shqipëri, Ernest Koliqi nuk kishte në mend vetëm Shqipërinë e kufijve të sotëm, por një Shqipëri që përfshinte shqiptarët e të gjitha trojeve autoktone në Ballkan.  Nepërmjet tre poetënve imagjinarë në “Symfoninë e Shqipevet”, ai shprehë besimin e tij në një Shqipëri e cila megjithë, “errësitë e natës” – Koliqi prapseprap shpreson dhe beson se virtytet e mëdha të Kombit shqiptar, do t’i mbeten trashëgimi brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm, anë e mbanë trojeve shqiptare, duke shprehur besimin e tij me tre poetët e “Symfonisë së Shqipevet” –megjithë problemet me të cilat përballet sot Kombi shqiptar — në një Shqipëri të lirë dhe me drejtësi, në vëllazërim dhe hare, drejt agimeve të reja dhe më të drejta të barabarta, duke deklaruar se:

“BESOJMË në Shqipni edhe në virtytet e mshefta që ruen gjaku illyro-thrak i bijve të saj.

BESOJMË në misjonin e naltë që Perendia, siç do kombit në botë, i shënoi edhe kombit të vogël shqiptar, mot e sot, në vallen e shekujve të palindun.

BESOJMË në vëllaznimin e madh të Shiptarëve që tue u forcue, ka me i falun fisit t’onë agime ma të drejta.

BESOJMË në punën e Shqiptarëve të vëllaznuem e në lumninë që ka për t’i sjellë kombit parmenda e bujkut, veli i detarit, penda e dijetarit, kullma e farkatarit, buza e poetit, spata e druvarit, mësimi i fetarit, kur këto të lëvizin e të kumbojnë tue veprue n’emnat e ngjitun e të pandamë të Perëndisë e të Shqipnisë.

BESOJMË në fisnikinë e gojdhanave stërgjyshore dhe në lulzimin e ri të këtyne, ndër breznina që ecin prej territ kah drita.

BESOJMË në Flamur t’onë edhe në frytin e vuejtjeve që për Të u bajten në dobinë e gjakut që për Të u derdh.

BESOJMË në drejtësinë vëllaznore që Flamuri i Shqipnisë ka me sigurue tue rrah i lirë në qiejt që presin diella ma të ndritshëm and’e kand n’atë tokë, ku na përkundi në djep kanga e nji nane arbënore dhe në gji të së cilës shpresojmë me u dhanë pushim këtyne eshtënave të lodhun.”

Ky është Besimi në Atdhe i Ernest Koliqit, ishprehur nepërmjet poemthit “Symfonija e Shqipevet”.  Ky është edhe Besimi që duhet të ketë çdo shqiptar kudo, e sidomos elita politike aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë — pa marrë parasyshë vështirsitë me të cilat përballet sot Kombi.  Ky është edhe amaneti i mbajtur nga unë në kujtim të një burri të madh, por të përjashtuar e të harruar të Kombit shqiptar.

Faqja e parë e Symfonisë së Shqipeve, dedikuar nga vet Ernest Koliqi –një kujtim dhe dhuratë e paçmueshëme!

Filed Under: Featured Tagged With: Ernest Koliqi, Frank shkreli

Ilir Zhiti- Zili do ta kisha dhe një murg

May 21, 2020 by dgreca

Nga Bajame Hoxha-Çeliku,Bruksel/

Në çantë të futa një libër të bukur të një patriotit tonë, e di që e ke për zemër dhe besoj se do kënaqesh. Do të t’i hajë nja dy pasdreke kohë por ia vlen, më beso!

         Sakaq më përshëndeti dhe u largua duke më lënë mua ashtu të futur nëpër kujtimet e kohërave.

         Eh, psherëtiva, dhe në mendje më shkrepi mbiemri “Zhiti” Visari, thashë me vete. Ishim mësuar tashmë me krijimtarinë brilante të Visar Xhiti, të cilin e njihja prej kohësh, jo si Visar, por së pari për një gjimnazist të bukur, e më vonë një student jo vetëm i bukur, por tepër tërheqës në shoqëri. Tashmë kush nuk e njeh Visarin, thashë me vete. Në autobus vështrimi gjëkundi s’më ndalej, por mendja më kishte fluturuar larg, shumë larg: 

         Eh, psherëtiva përsëri, dhe brenda psherëtimave të mia pashë jo vetëm Visarin e ri, por dhe të atin e Visarit, aktorin dhe poetin e madh Hekuran Zhiti. Diktatura e egër do ta godiste deri në fund si një intelektual, artist dhe poet. Por, në çast po vështroja përsëri Visarin ndër vite: Visarin student, Visarin në Kukës, Visarin në burg, Visarin e lirë e të suksesshëm ku po i buzëqeshte fati në çdo hap që hidhte në ditët e demokracisë. Visarin e martuar me një vajzë të shkëlqyer, Visarin që çau shtrëngatat, dhe… ah që ah! 

         – Sytë mu mbushën me lot sa me zi hapa derën dhe hyra brenda duke hedhur çantën mbi krevat me mendimin se, si e mërzitur që ndihesha vetëm aty do të shfletoja librin e Visarit.

         Oh, bëra pa dashje kur pashë se në kopertinën e librit vërtet qëndronte mbiemri ”Zhiti” por jo Visari. Qëndrova e befasuar disa çaste, e rrotullova librin disa herë në duar, dhe së fundi lexova me zë të lartë: Ilir Zhiti.

Ç ‘surprizë! Libër voluminoz! Krejt pa dashje, librin e hapa nga faqja e fundit dhe aty mbeta. Çuditërisht më mbështollën ca fjalë të urta ku shumëkush do t’i quante filozofike ku autori e kishte shkrirë talentin e tij. Ishin aq të forta dhe përcjellëse sa nuk më lëshonin. Kështu po e vazhdoja leximin nga faqja e fundit për ta mbyllur në faqen e parë. S’ka gjë, thashë me vete, edhe kështu lexohet shpesh poezia. 

         Fjalët e mençura, që poeti i ka quajtur: “Mendime të lira”, zinin disa faqe të mira në libër. Pikërisht, ishin ato faqe që jo vetëm s’më linin t’i braktisja, por më shtrëngonin gjithnjë e më fortë.  Duke qenë kaq tërheqëse edhe unë ashtu e vazhdova leximin deri sa mbërrita te faqet e poezive, të cilat nuk ishin të një shkalle më poshtë por përkundrazi të jepnin një frymëzim të gjallë. 

         Te poezitë e Ilir Zhitit, gjeta dhimbje e brenga, dashuri dhe lot, gjeta psherëtimën dhe lotin e nënës, dhimbjen dhe rinin e motrës, gjeta burgje e sakrifica, po mbi të gjitha qëndronte nëna! Ah, nëna kreshnike dhe babai i tyre fisnik me ballëlartë. 

 ZËMRA E NËNËS

Rruga e lodhshme,

e gjatë…

Plakë e sëmurë;

fuqi e paktë,

çehrja e zverdhur,

shpirti si trung.

Nëna nëpër ecje,

i biri në burg.

Kaq dëshpërim,

kaq sfilitje,

kaq mall,

kaq pritje,

kaq dëshirë,

kaq drithërim,

kaq torturë,

kaq poshtërim,

kaq brengë…

Dhe një zemër vajze

njëzetvjeçare

do plaste pa frikë

si shalqi i pjekur

kur i vëmë thikën.

Po zemra e nënës,

(plakë e sëmurë)

si e duron vallë,

gjithë këtë torturë ?

Oh, vetëm zemra

e nënës, e brishtë,

mund të thyejë ligjet

e bushtrës diktaturë.

ËNDËRROJ NJË BOTË …

Ëndërroj një botë 

që për veprimet e mia të gjykohem 

dhe jo për ato që s`kam bërë 

të paragjykohem.

A ISHA UNË NJË ËNDËRR ?!

A isha unë një ëndërr,

a Zoti pa një ëndërr,

që ishte

Jeta ime !?

“ HAKMARRJE “

Jeta pa ty,

një moçal trishtimi.

Fytyra jote

si një detektiv

më ndjek në mëngjes.

Edhe në drekë më ndjek.

Në mbrëmje më vdes.

RROTA E FATIT

Në një kohë,

që ishte vetëm në atë kohë,

një i ditur po mendonte :

-Njeriu bëri shpikjen më

gjeniale, shpikjen e rrotës,

por me siguri

nxitjen fillestare e pati

kur pa rrokullisjen

e fateve njerëzore.

IU MBURRA TIM ETI …

Iu mburra një herë babait 

se isha i mirë në mësim.

Por më pas fytyrën vrenjti

se për shokun shfaqa nënvleftësim .

-Askush s`është i pa rëndësishëm,

çdokush ka aftësinë e tij;

në botën ku jemi të pranishëm

nuk janë të gjithë gjeni.

Pa punën e “ të rëndomtëve”,

ku jemi dhe ne pa dyshim,

gjenitë e mëdhenj të Botës,

do vdisnin, patjetër, për ushqim.

         Ilir Zhiti është i vëllai i Visarit, por ai ka ditur të ngjitet në pied me këmbët e veta e jo me të vëllait. Poezia e tij ka një stil krejt tjetër, një ngjyrë dhe një aromë trëndafili. Të bën ta rilexosh ta duash poezinë dhe ta dashurosh atë, atë, poezinë e Ilir Zhitit. 

         Shumë poezi të ngrinin peshë, disa të qëllonin në zemër, disa të mësonin se si jetohet dashuria, disa të tjera të rrëqethnin shpirtin e disa të trokisnin në telat e zemrës. Që të flasësh për poezinë duhet ta ndjesh atë, të dish ta trajtosh, dhe të ndjekësh me shpirt aty ku e kanë burimin e kthjellët. Aty ku është freskia e fjalës, freskia e vargut, dhe tërë poezia të duket se është një udhëtim i gjatë ku dallgët e saj të rrëmbejnë dhe të nxjerrin në bregun tjetër të lehtësuar, të dashuruar me jetën. Dhe këtë e bënë libri: “ Zili do ta kisha dhe një murg”, i poeti Ilir Zhiti.

Po ju përcjell disa thënie brilante:

         “309. Sikur veprën më të mirë në Botë të bësh, as mos e mendo, se do ta pëlqejnë të gjithë.

         312. Ja logjika e agresorit : Kosova për Serbinë është e Serbisë , kurse banorët e saj, kosovarët, janë shqiptarë që duhen vrarë.

         285. Gruaja ka aq aftësi sa t`ia përcjellë të gjithë dokrrat e saj edhe burrit më të zgjuar.

         271. Njeriu nuk e fiton dashurinë gjatë jetës, sepse ata kanë lindur së bashku.                         

302. Gjithmonë do të ëndërrojmë për një botë më të mirë, sepse ajo asnjëherë s`do të jetë aq e mirë sa duhet »

         Në tërësi libri është i një niveli të lartë poetik. Fjalë e vargje të duken se kanë shpërthyer e po fluturojnë nga një shpirt i bekuar, i prekur, bujar, nga një shpirt që ka provuar trysnin e mendimit, të fjalës së lirë, dhe që kishte ditur të donte jetën dhe poezinë në ditët më të vështira. 

         Mu kujtua familja Shtraus që u quajt: “Mbreti i valsit.” Po këta tre kolosë babë e bij? Si mendoni t’i quajmë? Mendoj sa familja Zhiti, meriton të quhet: Mbretëria e Artit dhe e poezisë.

Me nderime të thella për familjen Zhiti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku

FRIKA E NDESHKIMIT

May 21, 2020 by dgreca

Frika e ndëshkimit/
Nga Astrit Lulushi/

Pse i shmangemi të vërtetës?
Miti i famshëm mbi fëmijën, sopatën e tij, qershinë dhe të vërtetën ka kapur imagjinatën e brezave. Biografia; Jeta e Uashingtonit, u botua për herë të parë në vitin 1800. Sidoqoftë miti i pemës së qershisë nuk u shfaq deri në botimin e pestë, më 1806.
Kurrë Odisea i mençur nuk u mundua më shumë me Telemakun, sesa Washingtoni i vjetër me birin e tij George, për ta frymëzuar atë me një dashuri të hershme për të vërtetën.
“E vërteta, Xhorxh, është cilësia më e dashur e rinisë. Dhe sa bukur shfaqet një fëmijë i tillë në sytë e çdo prindi!
Por, Oh! sa i ndryshëm është Xhorxh, rasti me djalin që i jepet aq shumë gënjeshtrës, sa që askush nuk mund të besojë një fjalë që thotë! Ai shikohet me neveri kudo që të shkojë, dhe prindërit kanë frikë ta shohin atë të vijë midis fëmijëve të tyre….- Po unë, baba (tha George shumë seriozisht) a them ndonjëherë gënjeshtra? – Jo, Xhorxh, falënderoj Zotin që nuk e bën, biri im, dhe gëzohem me shpresën që nuk do ta bësh kurrë”.
Shumë prindër, me të vërtetë, madje i detyrojnë fëmijët e tyre në këtë praktikë të ndyrë, duke i rrahur në mënyrë barbare për çdo gabim të vogël; Prandaj, në veprën tjetër, fëmija i tmerruar rrëshqet në gënjeshtër, vetëm për t’i shpëtuar thuprës.
Kjo anekdodë është një rast tipik – shumë e vlefshme për t’u humbur, dhe shumë e vërtetë për t’u dyshuar.
“Baba, e kam prerë unë pemën me sopatën time”, tha Xhorxh të vërtetën – “Biri im, një veprim i tillë heroizmi vlen më shumë se një mijë pemë, megjithëse me lule argjendi dhe fruta ari të pastër.”
Nga frika e dënimit, njeriu sot i shmanget të vërtetës, dhe mbi gënjeshtra ngreh themelet e jetës, tigra prej letre, si mbi rërë kështjella, madhështia e të cilave merr fund sapo vjen vala tjetër – I abuzuar për një gabim të vogël në fëmijëri, kur merr pushtet abuzon mbi njerëzit që qeveris, dhe kjo bëhet traditë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Atrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 572
  • 573
  • 574
  • 575
  • 576
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT