• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NEW YORKU, PËRJETOI 56 DITËT E FERRIT

April 25, 2020 by dgreca

-DITËT MË TË GJATA NË BASHKËJETËSË DHE LUFTË ME KORONAVIRUSIN/

-KARANTIZIMI, SFIDA E KËSAJ GJENERATE/

NGA DALIP GRECA/

Kështu e ka cilësuar guvernatori i New York-ut karantizimin e detyrueshëm të njujorkezëve; si përballja më e efektshme me Koronavirusin dhe si sfidë për gjeneratat e sotme. 

  • Kjo është sakrifica që i imponohet gjeneratës së sotme, tha Cuomo.

Edhe pse New Yorku po jep shenja të qarta të rënies së kurbës të COVID -19; në qendrën e Epidemisë kanë filluar të kryhen testimet e antitrupave. Shteti i New Yorkut e ka marrë seriozizht testimin për antitrupa, pavarësisht se OBSH(Organizata Botërore e Shëndetsisë) doli të shtunën me një deklaratë me anë të së cilës u tërhoqi vëmendjen qeverive që kanë sugjeruar lëshimin e të ashtuquajturave “pasaporta të imunitetit” ose “çertifikatave që dëshmojnë​ mungesë rreziku”, të cilat do t’i lejonin njerëzit të ktheheshin në punë ose të udhëtonin me bindjen se antitrupat e tyre do t’i mbronin ata nga mundësia për t’u infektuar sërish…Kjo nuk ka prova shkencore. Një person që e ka kaluar infeksionin nuk do të thotë se është imun nga një prekje e dytë e virusit.

Gjithësesi testimi ka nisur fillimisht të shtunën për punonjësit e kujdesit shëndetsor në katër spitale në NYC: Montefiore, Elmhurst, SUNY Downstate dhe Bellevue. Punëtorë të tjerë të shërbimeve thelbësore, përfshirë punonjësit e tranzitit MTA, dhe policia e shtetit do të testohen javën e ardhshme. Të Shtunën, Guvernatori Andrew Cuomo njoftoi se të intervistuarit e parë, punonjësit e mjekësisë dhe punonjësit thelbësorë do të kishin të drejtë t’i nënshtroheshin testeve për koronavirus sepse ata kishin mbajtur barrën e kësaj lufte dhe ishin në kontakt direkt me të prekurit. Guvernatori tha gjithashtu se ai do të autorizonte rreth 5,000 farmaci për të shërbyer si vende ku mund të mblidheshin testet.

“Duke folur për nisjen e testeve për antitrupa tek kategoria e punonjësve të vijës së parë, guvernatori argumentoi: Këta njerëz kanë mbajtur barrën kryesore të luftës kundër koronavirusit dhe ata kanë qenë të ekspozuar ndaj publikut gjatë gjithë kësaj krize dhe janë përballur me publikun, përmes vështirsish” tha Cuomo ndërsa njoftoi kriteret e përzgjedhjes. 

Shteti do të vazhdojë përpjekjet e tij për testimin e antitrupave për të përfshirë punëtorët e tranzitit dhe zbatimin e ligjit.

Përpjekja e fuqishme e testimit vjen pasi të dhënat sugjerojnë se shteti i New York-ut mund të jetë në fundin e shpërthimit të epidemisë. Numri i personave ditorë që hyjnë në spitale për COVID-19 ra në fundjavë afro në 1.100, më i ulti që ka qenë në 21 ditë, njoftoi guvernatori. Ky është një lajm që duhet vlerësuar pozitiv, komentoi Guvernatori.

Vdekjet nga sëmundja, megjithatë, u rritën në 437 të Premten, nga 422 një ditë më pare, ndërsa të shtunën u raportuan 617 në rang shteti.

Cuomo komentoi në konferencën e së shtunës duke thënë se ai do të lëvizte duke përdorur maskë, duke dhënë kështu shembullin vetiak të përshtatjes dhe bashkëjetesës me koronavirusin, i cili duket se nuk do të largohet aq shpejt, sa ç’mendohet. Ai tha se kishte një koleksion të tërë maskash shumë të bukura, që i ishin dhuruara nga i gjithë shteti. Tashti po lulëzon Arti-Maskë, një specializim i ri i kohës së Koronës.

“Kanë kaluar 56 ditë të gjata”, tha Cuomo. 

Ai u bëri thirrje gjeneratave të bëhen të ndërgjegjshëm për të përballuar vështirësitë e kësaj kohe. 

Koha, tha ai, na ka thirrur që të merremi me këtë krizë. Dita 56!

 Ai i epitetoi si”ditë të gjata” 56 ditët e deritanishme të krizës panepidemike. Guvernatori kujtoi se  Pandemia e vitit 1918, nuk vazhdoi me ditë, as me muaj, por plot dy vjet. Ne jemi në ditën 56…. Ai u kujtoi gjeneratave të sotme se gjenerata e Luftës së Parë Botërore përballoi vështirësi të jashtzakonshme për katër vjet, sa zgjati lufta. Ai kujtoi depresionin e Madh që vazhdoi për katër vjet. 

Po ashtu gripi i tmerrshëm spanjolli mori 2 vjet kohë derisa u zhduk…

Duke iu drejtua bashkështetasve të tij ai tha: Ju doni të flisni për ankthin ekonomik? Ju dëshironi të flisni për njerëzit që humbasin shtëpitë, duke mos qenë në gjendje të ushqehen vetë, njerëzit që jetojnë në kampe, njerëzit që jetojnë në makina? Mos harroni se gjenerata e Luftës së dytë botërore, përballoi vështirësi të jashtzakonshme për gjashtë vjet sa vazhdoi lufta. 

Më pas në kujtesën e amerikanëve vjen Lufta e Vietnamit, një luftë e mbushur plot tragjedi, e cila vazhdoi për tetë vjet.

Apeli i guvernatorit duket se synon të përgatis brezat e sotëm për më shumë qëndresë dhe kurajo.

  56 ditë është një kohë e gjatë, dhe gjenerata e sotme po përjeton ndoshta situatën më të vështirë të kohës moderne. 

Guvernatori apeloi për më shumë kurajo dhe qndresë për të pritur një perspektivë më të mirë. Le të pajtohemi me situatën në të cilën po jetojmë. Kjo është një përvojë e vështirë, por që ne duhat ta kapërcejmë.

Guvernatori tha se “ne do ta menaxhojmë situatën, do ta trajtojmë dhe do të jemi më mire.”

“Pesëdhjetë e gjashtë ditë, gjithë kjo përballje. Mendoni për këtë në mënyrë pozitive: ajo që po bëjnë mjekët dhe të gjithë punonjësit e vijës së parë, po kursen jetë njerëzish. Kjo nuk është retorikë. Ajo që ne kemi bërë ka shpëtuar jetë. Ekspertët, çdo ekspert – CDC, task forcë e Shtëpisë së Bardhë, Universiteti Cornell, Universiteti Columbia, McKinsey, ai grup që Bill Gates financoi – të gjithë prej tyre parashikuan që do të kishte të paktën 100,000 infeksione të rënda  më shumë në shtetin e New York. Cfarë ndodhi? Ne bëmë atë që duhej të bënim, që ishte e vështirë dhe e jashtëzakonshme për ta bërë. Epo, çfarë arritëm? Njëqind mijë më pak infeksione serioze. Kjo është ajo që kemi bërë në 56 ditët e betejës, ku të afërmit tanë të prekur nga koronavirusi jetonin ferrin e vuajtjeve. Pra,100,000 më pak infeksione. Kjo nuk është pak!

BETEJA 24 ORËSHE NË SHIFRA

MBI 3 MILIONË TË INFEKTUAR NË TË GJITHË BOTËN, SHBA I AFROHET 1 MILIONSHIT

Bota preku shifrën e 3 milionshit të pacientëve bartës të COVID-19, duke patur një ritëm ditor në 24 orshin e fundit me 90 mijë e 731 të infektuar, ndërsa me 6 mijë e 96 të vdekurëve të së Shtunës, numri i viktmave në rang botëror shkoi në 202 mijë e 973. Italia me më shumë viktima në këtë pandemi, duket se po prek fundin e saj me 2 mijë e 357 të infektuar të rinj dhe 415 viktima në 24 orëshin e fundit. Edhe Spanja raportoi vetëm 378 të vdekur, dhe 3 mijë e 995 të infektuar; Franca e kishte më të ulët numrin e të infektuarëve me 1 mijë e 660, ndërsa viktimat 369. Më e prekur dhe më e zhytur në vorbullën e virusit është Britania e Madhe me 813 të vdekur në 24 orshin mes së Premtes pasditë dhe së shtunës në mesditë. Gjermania raportoi vetëm 1 mijë e 419 të infektuar dhe 113 viktima. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbyllën të Shtunën me 35 mijë e 419 të infektuar të rinj dhe me 2 mijë e 65 të vdekur, duke e çuar numrin e të infektuarëve afër 1 milionshit(960 mijë e 650) ndërsa numri i të vdekurve në total në 54 mijë e 256, më shumë se dyfishi i Italisë.

New Yorku si shtet raportoi 10 mijë të infektuar të rinjë duke e ngritur shifrën totale të të infektuarëve në 288 mijë e 313, ndërkohë që humbën jetën 617, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 21 mijë e 908.

Neë Jersey raportoi 246 të vdekur gjatë së Shtunës duke patur në total 5 mijë e 863 të vdekur, ndërsa numri i të infektuarëve të rinj shkoi në 3 mijë e 327(numri total 105 mijë e 553), Massachusetts me 2 mijë e 379 të infektuarit e rinj mbanë vendin e tretë ndër shtete me 53 mijë e 348, ndërkohë që raportoi për të shtunën 174 viktima (numri i përgjithshëm 2 mijë e 730); California ka regjistruar deri tani 42 mijë e 165 të infektuar(1,353 të rinj) dhe 1 mijë e 671 të vdekur(77 të rinj); Ilinoisi regjsitroi 79 të vdekur, Pannsylvania 68, Michigani 189, Lousiana 43, Connecticut 98, Indiana 44, Minesota 33, Ohio 21, Texasi 22, Meriland 27 etj.

New York, 25 Prill 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: 56 ditte e ferrit, dalip greca, New Yorku

NDIHME DHE SOLIDARITET

April 25, 2020 by dgreca

   Operacioni humanitar i Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës në zonën COVID-19 dhe zonat e dëmtuara nga termeti /

Intervistë ekskluzive për Gazetën “Dielli” e Drejtorit të Caritas Tirana Elidon Dodaj dhënë gazetarit Sokol Paja-  /

Kisha Katolike në Shqipëri dhe sidomos Caritasi Dioqezan Tiranë-Durrës po zhvillon përditë operacione humanitare bamirësie në zonën COVID-19 dhe zonat e dëmtuara nga termeti i nëntorit në Shqipëri. Ndihma në ushqime, në ilaçe, veshmbathje, mjete lëvizëse, çadra banimi, karroca me rrota për njerëzit me aftësi ndryshe etj.; janë një pjesë e punës së përditshme që misioni bamirës i Kishës ofron përditë në njerëzit në nevojë në këtë Dioqezë, pavarësisht besimit fetar.

       Drejtori Elidon Dodaj që drejton prej 4 vitesh Caritas Tirana na tregon për gazetën Dielli se nga kriza e termetit e deri deri tani në izolimin total çrej COVID-19 janë më shumë se 3 mijë familje që janë asistuar prej organizatës fetare-humanitare që ai drejton. NDIHMAT Sipas Elidon Dodaj drejtorit të Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës, vetëm brënda një muaji në sajë të punës së shkëlqyer të vullnetarëve, meshtarëve dhe murgeshave të famullisë janë shpërndarë për familjet në nevojë: 2500 kg miell, 1000 kg sheqer, 1000 kg oriz, 2000 kg makarona, 1000 kg vaj, 1000 kg fasule, 500 kg salce, 500 kg qumesht, djath, gjalp, caj, kafe,miseshte, 5000 kg detergjent, 500 kg sapun te lengshem, 1500 cope sapune 1000 kg embelsira e ndihma të tjera në veshmbathje duke lehtësuar jetën e vështirë të banorëve të prekur nga katastrofa natyrore.

                OPERACIONET

 Sipas Elidon Dodaj drejtorit të Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës operacioni humanitar në ndihmë të njerëzve në nevojë është shtrirë kryesisht në Tirane, Vore, Kamez, Bathore, Paskuqan, Sukth, Durres, Fushe Kruje, Mamuras, Thumane, Zheje, Lac e Milot zona këto të shkatërruara nga tërmeti i nëntorit por edhe të izoluara për shkak të COVID-19. ÇFARË ËSHTË CARITAS Caritas Dioqezan Tiranë Durrës është, organizatë baritore humanitare e Kishës Katolike që punon për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve më të varfër dhe më në nevojë në Arkidioqezen Metropolitane Tiranë Durrës. Në të gjitha veprimtaritë e tij, ka dy përfitues: Të varfëritë dhe komunitetin. Punonjësit e Caritas-it konsiderohen edukatorët e Bamirësisë dhe qëllimi i Caritas-it është që të përfshijë komunitetin për të rritur ndërgjegjësimin e të ndihmojë për të hapur sytë e tyre për vështirësitë që na rrethojnë. Misioni i tij kryesor nuk është një drejtimesh, domethënë i ndihmës direkte, konkrete, të menjëhershme për të varfëritë, por ajo është dykahesh dhe baritore: është një përvojë e jetuar nga takimi, bashkëndarja, pjesëmarrja, këmbimit të ndërsjellët që njerëzit dhe komunitetet të përfshihen dhe sensibilizohen ndaj nevojave të të varfërve. Misioni i tij gjithashtu është të përçojë vlerat e krishtera tek çdo individ, përkujdesje dhe ndihmë ndaj personave në nevojë duke përfshirë aspektet shpirtërore, sociale dhe materiale. Barazia ndaj çdo individi. Formimi i grupeve vullnetare.

              VLERAT 

Vlerat e Caritas Dioqezan Tiranë Durrë janë: Të jenë të frymëzuara nga besimi i krishterë: Bashkëndarje, përkujdes pa dallime; Besueshmëri; Transparencë; Dinjitet ndaj çdo personi; Bashkëpunimi; Miqësia. Nderko vizioni ynë është: Sensibilizimi i grupeve të arritura në promovimin e dashurisë së krishterë; Arritja e sa më shumë grupeve në nevojë; Bashkepunimi afatgjatë me entet lokale; Arritja e standarteve të përcaktuara. 

EMERGJENCA 

Dioqeza Tiranë Durrës në më pak se tre muaj u gjend para dy Emergjencash jashtë zakonisht të pa parashikuara. Në fund nëntorin 2019 një termet me magniturtë mbi 6.4 ballë përfshiu shumë zona të saj ku vatra e më e madhe ishin Laci, Thumani, Durrësi, Tirana dhe dhjetra zona të tjera urbane dhe rurale. Ndërkohë në fillim të marsit 2020 pandemia globale COVID19 fshin po ashtu Dioqezen me numrat më të mëdha edhe pse nisi me Durrësin qendra më kritike dhe me numrin më të madh sot është Tirana, e brënda dioqezes vijon me Krujën dhe Kurbinin. Qytete të fjetura. Gjumi letargjik i dimrit në këtë pranverë të thatë mesdhetare i ka kapluar të gjithe qytetarët. Jeta sikur ka ndaluar. Ka ndaluar në qytet, por edhe nëpër fshatra. Ndërkoha në zyrat tona në Caritas punohet cdo ditë. Punohet sepse sipas drejtorit Elidon Dodaj misioni ynë është për t’iu gjendur pranë të gjithë atyre që janë në nevojë. 

NGA EMERGJENCA NË EMERGJENCË

 Mbi 70 kontainer dhe qindra qadra, me qindra krevate, batanije, jorgane, dyshek, mijëra pako ushqimore e higjenike kudo nëpër dioqezë u shpërndanë gjatë muajit Dhjetor 2019 – Janar 2020 me ndihmën e Arqipeshkvit Imzot George Frendo dhe Caritas Shqipatar, por edhe me ndihmen e madhe të familjeve rregulltare të Kishes Katolike. Pasi në shkurt po punohej për vijimin e fazes së dytë të tërmetit cdo gjë stopoi. Coronavirus do mbërrinte edhe në trojet tona. Pacienti zero u zbulua në Tiranë, por direkt pas saj Durrësi e kështu me radhë. Vendi u kthye në shtet rrethim. Për disa ditë asnjë këmb njeri askund. Një moment edhe Caritas mbylli dyert, por për ti hapur direkt për tu qenë pranë gjithmonë e më shumë familjeve në nevojë. Sidomos të varfërve, të moshuarve të vetmuar, familjeve në nevoje e me persona me aftesi të kufizuar, nëna kryefamiljare, jetimëve. Larg cdo kamere e aparati fotografik, larg show e fondeve marramendëse. Por me aq sa bujaria e atyre qe nuk duan të di e majta cfare dha e djathta. Fale bashkëpunimit me Caritas Shqiptar dhe me Food Bank Albania nisem punën në terren me bashkëpunimin e meshtareve, motrave e vullnetareve duke shperndare kudo qytet e fshat pako ushqimore dhe higjenike të nevojshme, brenda jave 500 familje merrnin ushqimet e shportes se bashku me gjerat me te nevojshme e jetike. Përpos kësaj misionaret me shumë dashuri nuk i ndaluan vizitat edhe pse në distancë nuk i anuluan vizitat në familjet më në nevojë. 

FAMILJET NË NEVOJË

 Caritas vijon mbështetjen e familjeve ne nevoje me pako ushqimore e higjenike, por ne keto momente duam tu bejme thirrje qe te gjitheve sidomos bashkeatdhetareve tane qe te japin kontributin e tyre duke na mbështetur neve keshtu kemi mundesi tu vijme ne ndihme familjeve me te varfra ne Shqiperi. Ndërkohë që Caritas së bashku me Arqipeshkvine dhe me kongregat në muajt në vazhdim do të vijojnë të mbështesin familjet e përfshirë nga termetet. Ku mes të tjera mbështetjet konstatojnë në ndërtimet e shtëpive të banimit për familjet më të varfra, pagesa qerash, dhe mbështetja me bazë ushqimore nuk do të mungojnë asnjëherë derisa vendit ti kthehet jeta e zakonshme shpjegoi për gazetën Dielli, drejtori Elidon Dodaj.

Filed Under: Featured Tagged With: Caritas Tirana, Sokol Paja

QËNDRO, SHQIPËRI!

April 25, 2020 by dgreca

    Nga Frank Shkreli/

25 Prilli, 2020 shënon 27-vjetorin e vizitës së Papës Gjon Palit II në Shqipëri.  Vizita e Papës në Shqipëri, 27-vjet më parë, ishte një datë historike — dhe për brezin që ishte dëshmitar i asaj vizite do të mbetet përgjithmonë e paharrueshme, për një kohë të gjatë, për ta dhe për Kombin shqiptar.  Papa Gjon Pali i II, me atë rast, “shkeli në tokën shqiptare, duke e puthur e bekuar truallin e nepërkëmbur të shqipeve”, komenton radio Vatikani, duke shënuar këtë ditë historike në historinë e Kombit shqiptar dhe të marrëdhënieve të tij shekullore me Vatikanin. 

Ajo vizitë ndodhi pas një dimri të gjatë e të egër nën regjimin ateist të komunizmit.   I vetdijshëm dhe i mirë informuar për gjëndjen e shqiptarëve, nën pothuaj gjysëm shekull komunizëm, në vizitën e parë të një Pape në Shqipëri, me 25 Prill, 1993, Papa Gjon Pali i dytë, e cilësoi vizitën e tij në Atdheun e shqipeve, si “Një ditë që na e dhuroi Zoti”.  Ishte gjithashtu një ditë, që sadopak mundi të bindëte shqiptarët se bota nuk i kishte harruar ata, me gjithë vet-izolimin e Shqipërisë komuniste nga pjesa tjetër e botës, e sidomos izolimit nga Perëndimi, për pothuaj gjysëm shekulli.

Kudo që shkoi dhe me këdo që u takua, gjatë asaj vizite, Papa Gjon Pali II vetëm shprehi dashurinë, mirëkuptimin dhëmbjet e tij për vuajtjet dhe për martirizimin e njerëzve të pafajshëm gjatë periudhuës së komunizmit, ndërkohë që vuri në dukje edhe fisnikërinë e shqiptarëve tani dhe gjatë historisë, si popull e si komb.  27-vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit në Shqipëri, kujtojmë fjalët e tija dashamirëse drejtuar shqiptarëve: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur!  Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhëshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.  

Me të drejtë, Radio Vatikani e ka cilësuar vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, jo vetëm si historike dhe të paharrueshme, por edhe si fillimi i një shprese, që nuk zhgënjen.  Vizita e Papës Gjon Palit më 1993 në tokën arbërore, megjithë historinë e persekutimeve të regjimit komunist ndaj kundërshtarëve të tij, qofshin ato për arsye fetare ose politike, tregon se gjithçka ngjallet e përtërihet.

Duke dëshmuar entuziazmin e shqiptarëve për demokraci në fillim të 1990-ave, ai u tha shqiptarëve se, “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të ateizmi mbytës”.  Por, me atë rast, Papa Gjon Pali II pati edhe një porosi për shqiptarët, një amanet që është aq aktual edhe sot, ndërkohë që për arsye dhe rrethana krejt të tjera, Shqipëria, Kosova, shqiptarët në përgjithësi dhe bota mbarë, po kalojnë nepër një periudhë tepër vështirë e dramtaike, si përfundim i përhapjes së koronavirusit, në mbarë planetin:“Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, e thirrja për kujtesën e përhershme: “të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”, ”kjo liri e besimit fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Perëndinë është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë.Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet.  Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror”, ka porositur Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipër me 25 prill, 19, dhe ka theksuar se, sado të vështirat qofshin sfidat ato janë më të lehta për tu përballur me, kur sipas tij,”Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër”, është shprehur ish-udhëheqsi i Kishës Katolike.  

Në këtë përvjetor të vizitës së Papa Gjon Palit II, të dates 25 prill, 1993 le të kujtojmë porositë e asaj dite të paharrueshme, si tejet aktuale edhe përball realitetit të sotëm shoqëror të vendit dhe për aktualitetin e sotëm politik e shoqëror.  Ç’rregullimet politike, shoqërore dhe shëndetsore — përfshir edhe epideminë e koronavirusit, gjithëçka është më e lehtë për tu përballur me to, nëqoftse përballë këtyre sfidave sillemi si vëllezër dhe në bashkpunim me njëri tjetrin, siç porosiste Papa Gjon Pali II, 27 vjetë më parë në Shqipëri.   Kjo është e vetmja mënyrë për të ulur tensionet aktuale politiko-shoqërore në botën shqiptare dhe për të hapur shtigje të reja drejtë një demokracie të vërtetë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Ashtu që, shqiptarët, “të fluturojnë sa më lartë si shqiponjat, që nuk e lenë kurrë folenë e tyre”, — sipas fjalëve që Papa aktual – Papa Françeskut – deklaroi gjatë vizitës së tij në Shqipëri vite më vonë.  “Shqipëri, qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, sepse gjithçka ngjallet dhe përtërihet.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, qëndro!, shqiperi

Artikulli i J. Micheal Walker kundër popullit tim Dardan në “Washington Times” është anti-shqiptar dhe anti-shkencor

April 25, 2020 by dgreca

Përgjigje ndaj J. Micheal Waller/

NGA ALFONS GRISHAJ/

Për ne shqiptarët, gazetarët amerikanë dhe perëndimorë janë admiruar der në nivelin e adhurimit, sepse kemi menduar se shkruajnë gjithnjë të vërtetën. Por  pas njohjes dhe studimit të rasteve të shumta të deformimeve dhe fake news-ve,  adhurimi ndaj disa prej tyre është grisur keq. 

Duke lexuar artikullin anti-shqiptar dhe anti-shkencor të J. Micheal Walker ndaj popullit tim Dardan (që është i vjetër sa vetë njerëzimi), ndjeva një keqardhje që u shndërrua pastaj nëneveri. Si ka mundësi që një analist i tillë  të bjerë në batakun e një diletanti e të flasë për historinë e një populli pa e njohur atë?  Akuzat ndaj popullit tim shqiptar të Dardanisë, për xhihadizëm e përralla të tjera…  janë ushqyer nga tezat e gatuara në kuzhinën e propagandës antishqiptare të Serbo-Rusisë dhe jo në frymën e analizës politikës perëndimore. 

Sa për kujtesë  të Waller, xhihadistë janë rekrutuar më tepër nga perëndimi  (biles dhe nëSHBA ka pasur raste)  se sa nga  Dardania, ku është e vërtetë, se për arsye historike, shumica e popullsisë i përket besimit islam. Por për të gjithë ata që kanë nohuri në islamin shqiptar,  akuza që bën Waller është qesharake .

Nëse ai ka ndonjë gjë me bustin e Bill Klinton apo personalisht me të,  është puna e tij, por tënjollosë një popull të tërë me gënjeshtra të tilla, është e turpshme. Faktet qëndrojnë krejt ndryshe nga sa i paraqet ai. Nuk është vetëm kongresmeni Eliot Engel që e ka përkrahur Dardaninë, por dhe Sen. Bob Dole, Sen. MitchConell, Kongresmeni Gilman, Kongresistja Sue Kelly , Sekretari i Shtetit  James Baker, Senatori Domato, Presidenti Bush , i cili e paralajmëroi prerë Sllobodan Milosheviçin, “Larg duart nga Kosova!”, Xhorxh Bush Junior , Senatori Peters etj.

Lëvizja për dizintegrimin e ish Jugosllavisë filloi kohë më parë, pikërisht prej shkeljes së tëdrejtave të njeriut ndaj popujve të Federatës  Jugosllave, veçanërisht ndaj shqitarëve që banonin në trojet e tyre etnike. Serbia ishte promotorja e të gjithë urrejtjes etnike dhe lufta që u zhvillua ndaj republikave dhe popujve që donin të jetonin të pavarur, nuk ishte e paparajmëruar. Josip Broz Tito, në një nga Kongreset e Partisë Komuniste Jugosllave, duke parë ekstremizmin Serb, paralajmëronte: “Nëse doni një Jugosllavi të madhe, duhet një Serbi e vogël. Nëse doni një Serbi të madhe, do të keni një Jugosllavi të vogël”, çfarë nënkuptonte se Jugosllavia do shkatërrohej dhe do mbetej vetëm Serbia. 

Mendoj se analisti Waller e di paralajmërimin e Titos, se është analist politik. 

Lëvizja për dizintegrimin e Jugosllavisë e ka zanafillën para se  Engel e Klinton të përfshiheshin energjikisht për një proces që do të  vendoste paqen përfundimtare në rajon. Nisma kundër Serbisë nisi nga    kongresmeni William Broomfield (dhe jo nga Klinton)  i frymëzuar nga Ekrem Bardha (pas arrestimit të Pjeter Ivezaj) që bëri të mundur goditjen e parë për shkatërrimin e makinës antinjerëzore  Jugosllave. 

Në këtë kontekst, Klintonit i mbeti vetëm të firmoste ndëshkimin ndaj një krimi nëvazhdimësi që kishte thyer çdo ligj ndërkombëtar human, ndaj një çmendurie kolektive tëudhëhequr nga një  kriminel si  Sllobodan Milosheviç. 

I gjithë populli shqiptar, pavarësisht përkatësisë individiuale fetare,  i ruan dhe i kultivon parimet dhe vlerat e qytetërimit të krishterë. Tek shqiptarët janë të shenjta mikpritja, besa, burrëria, ndjenja e mëshirës, ndershmëria  etj. 

Përsëri sa për kujtesë të analistit Waller:

Populli shqiptar ka nxjerrë figura të rralla botërore që i shërbyen në kohë të ndryshme njerëzimit. Po i përmend z.Waller, vetëm dy figura: Atletin e Krishtit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbrojtësi i Perëndimit, dhe St. Nënë Tereza, nëna e botës  moderne.

Dardaninë nuk e ndihmuan vetëm Amerika, por pothuajse të gjitha shtetet e perëndimit: Anglia, Gjermania, Franca (aleatje shekullore e Serbisë), Italia etj, me udhëheqës të asaj kohe, Blair, Schroeder, Zhak Shirak, Dalema  etj, pa të cilët, ndërhyrja në Kosovë do të ishte e pamundur..

E vërtetë si drita e diellit është se, populli Shqiptar është populli më proamerikan në botë… dhe Waller  e përmend këtë në mënyrë ironike, pa u thelluar në thelbin e dashurisë ndaj Amerikës. Ai harron se para Klintonit  qe Presidenti Willson i cili ndaloi shpërbërjen e mëtejshme të Shqipërisë, pikërisht, prej Turkoshakëve dhe “Kristianëve” të tipit Milosheviç. Dhe një ndër karakteristikat fisnike dalluese të popullit shqiptar është mirënjohja.

I them J. Micheal Waller:Lufta për çlirimin e Dardanisë (Kosovës) nuk ishte luftë kundër kristianizmit, sepse ata që e çliruan qenë kristianë, duke luftuar kundër anti-Krishtit, që synonte realizimin e një plani historik djallëzor: spastrimin etnik të krahinës me anë të një genocidi masiv. Krishti ka predikuar paqen dhe jo genocid! 

Në mendimin nacional shqiptar por edhe në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve, parimi dhe ndjenja e nacionalitetit qendrojnë mbi sentimentet fetare. Shqiptarët e kanë kuptuar më herët se shumë kush tjetër se qarqet e huaja antishqiptare janë përpjekur dhe do të përpiqen edhe në të ardhmen ta paraqesin përbërjen fetare të tyre, si pengesë për unitet nacional, dhe orientimin e tyre euroatlantik si jo të natyrshëm dhe madje edhe të pasens.  Shqiptarët e dinë vetë rrugën e tyre e s’kanë nevojë t’ua mësojë kush. Ua kanë mësuar rilindasit këtu e njëqind e pesëdhjet vjet më parë. Ndërsa ata që duan të shkruajnë kundër shqiptarëve duhet ta njohin më parë kulturën e tyre. Duhet të dinë ç’ kanë menduar e ç’ mendojnë shqiptarët për veten dhe historinë e tyre. Sot po u themi vetëm dy vargje që Poeti rilindas Vaso Pashë Shkodrani, shkruante në vjershën e tij programatike “O moj Shqypni”, që i di çdo shqiptar “E mos shikoni Kisha e Xhamia, se feja Shqiptarit asht Shqiptaria!”

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Pergjigje J. Michael Waller

KUJTESA- RILINDJA PARA 15 VITEVE: KOSOVA E PAVARUR, VENDIM NDËRKOMBËTAR

April 25, 2020 by dgreca

KUJTESA- RILINDJA PARA 15 VITEVE: KOSOVA E PAVARUR, VENDIM NDËRKOMBËTAR/

-ARKIV/ Gazeta tradicionale e historike RILINDJA para 15 viteve – 25 PRILL 2005: BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE KA MARRË VENDIM QË KOSOVA TË JETË E PAVARUR/

-Në ballinë Rilindja bënte edhe ftesë publike: NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË LIRISË SË SHTYPIT  MË 3 MAJ 2005  NË ORËN 12 RILINDJA FTON NË VIZITË VENDIT TË SHKELJES MË TË RËNDË, BUNKERIT TË ERRËT E ME LAGËSHTI, KU ËSHTË MBYLLUR, NGUJUAR E SHKATËRRUAR GAZETA E PARË E KOSOVËS…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*/

 PRISHTINË, 25 Prill 2020/  Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dale në Prizren para 75 viteve – 12 Shkurt 1945,  pikërisht para 15 viteve – në ditën e 25 Prill 2005 në kryeartikullin që paralajmërohej në kryetitull në ballinë shkruante:

Deklarata, komente dhe qëndrime për Kosovën, të gjithë flasin për pavarësinë:

BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE KA MARRË VENDIM QË KOSOVA TË JETË E PAVARUR.

E kryelajmi në këndin lart te logoja ishte: PRESIDENTI RUGOVA NË BRUKSEL.

Rilindja në faqet e brendshme, mes tjerash, botonte: Një këndvështrim i ri për Kosovën – shkrim nga Riçard Holbruk në The Washington Post;

 Një Kosovë pezull është fitore për Milosheviçin – shkrim nga  Jonathan Steele në The Guardian.

Ndërsa tituj të disa shkrimeve tjera ishin:

GNK: Pavarësia e Kosovës është vetëm çështje kohe (Grupi Ndërkombëtar i Krizave);

Ekspertët serbë thonë se Kosova po shkon drejt pavarësisë;

Kryekuvendari i Shqipërisë angazhohet për zgjidhjen e statusit të Kosovës sipas vullnetit të popullit;

Rupel është i mendimit se duhet të shpejtohet procesi i bisedimeve për statusin e Kosovës;

Në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s u diskutua për Kosovën;

Presidenti Rugova hedh poshtë mundësinë e bisedimeve me presidentin serb;

Komisioni Evropian: Një e ardhme evropiane për Kosovën;

Statusi i Kosovës në epiqendër të bisedimeve.

NË VIJIM DY NGA SHKRIMET E GAZETËS RILINDJA TË 25 PRILLIT 2005:

Drejtori i Grupit të Krizave për Serbinë dhe Malin e Zi, Xhejms Llajon 


“PERËNDIMI E KA VENDOSUR PAVARËSINË E KOSOVËS” 

-Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur – Kosova do të jetë e pavarur! Pret vetëm që kjo të shpallet publikisht/

Kosova do të jetë e pavarur për më pak se pesë vjet, vetëm se është duke u diskutuar se nën cilat kushte do të ndodhë kjo, kur dhe në çfarë mënyre, tha në një intervistë për të përditshmen sebe “Veçernje Novosti”, drejtori i Grupit të Krizave për Serbinë dhe Malin e Zi, Xhejms Llajon. 


Kush ju ka thënë dhe pse keni vendosur që pikërisht në këtë moment ta bëni publike. Mos ndoshta ndërkohë janë dakorduar qëndrimet rreth statusit përfundimtar të Kosovës? 


Asgjë e re nuk ka ndodhur. Por, para disa ditësh më pyetën për këtë gjë dhe unë u përgjigja. Të gjithë e kanë të qartë se Kosova ‘de fakto’ është e pavarur dhe kurrë më nuk do të kthehet nën administrimin e Beogradit. Sinjale të tilla, Perëndimi disa herë i ka dërguar në drejtim të Beogradit. Por, disa në Serbi vazhdojnë të flasin se Kosova kurrë nuk do të jetë e pavarur. Siç duket, vetëm Serbia nuk e ka të qartë, por gjithë të tjerët e dinë. 

A është ky vendim i nivelit të lartë apo spekulim i kulisave? 


Vendimi është marrë. Çështja nuk është më se a do të ndodhë kjo apo jo, por në çfarë kushtesh dhe kur. 

Kush konkretisht e ka marrë këtë vendim? A është shkruar e zeza mbi të bardhë? 


Nuk ka: e zeza mbi të bardhë. Nuk kishte mbledhje ku kjo është shpallur. Por ka kaluar një kohë e gjatë e dakordimit të ideve dhe ky vendim është pjekur tek të gjithë faktorët relevantë. 

Njëqind për qind? Pa asnjë votë që e kundërshton? 


100 për qind është qëndrimi pro pavarësisë së Kosovës. 

Kush jua tha juve këtë gjë? Dikush nga Shtëpia e Bardhë? 


Nuk e kam thënë këtë gjë. Nuk dua ta zbuloj burimin. Në fakt janë shumë burime nga BE-ja dhe SHBA-ja. 


Si t’ju besojmë se e gjitha ka marrë fund? 


Nuk ka nevojë të më besoni. Më 20 prill, Komisioni Evropian ka dërguar një raport për Kosovën, në të cilin thuhet se “Kosova duhet t’i bashkohet BE-së në kuadër të programit të Stabilizim- Asociimit. Kjo është shumë interesante dhe indikative, sepse BE-ja këtë procedurë e përdor vetëm për shtetet sovrane. Secili që është pak i mençur, mund ta kuptojë se çfarë do të thotë kjo. Pra kjo do të thotë se BE-ja, edhe pse nuk dëshiron të flasë publikisht për këtë çështje, tregon se çfarë ka vendosur Brukseli për Kosovën. 

Domethënë, kështu i bie që nuk ka nevojë të vendoset dialogu për standardet dhe statusin, nëse e gjitha ka marrë fund… 


Beogradi duhet të përcaktojë interesat e tij dhe të gjejë se çfarë është për të më e përshtatshme, me rastin e realizimit të kësaj pavarësie… 

Çfarë mund të jetë këtu e përshtatshme? Të lusin shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare, që të mos i dëbojnë edhe ata pak serbë që kanë ngelur atje? 


Që të luftojnë për kushtet sa më të mira të jetesës së atyre serbëve që kanë ngelur dhe të atyre që eventualisht kthehen. 

Nëse Beogradi paraqitet me një strategji, që të fitojë të paktën një pjesë të Kosovës, a mund të ndryshojë kjo diçka? 


Jo. Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që Kosova të jetë e pavarur në kuadër të kufijve ekzistues. Ndarja do të ishte e mundshme vetëm nëse serbët dhe shqiptarët bien dakord që kjo të bëhet në mënyrë paqësore, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që kjo të ndodhë në mënyrë të dhunshme. Nëse nuk bien dakord, Kosova do të jetë e pavarur në kufijtë ekzistues. Kjo është shumë më e mundshme, sesa varianti ku shqiptarët do të pajtohen që ta japin një pjesë të Kosovës. 

Jeni shprehur se pavarësia do të ndodhë për pesë vjet. Pse pikërisht brenda kësaj periudhe? Dhe çfarë deri atëherë? Pavarësia e kushtëzuar nën ombrellën e protektoratit? 


Kjo nuk do të ndodhë brenda natës. Ende nuk dihet natyra e vërtetë e pavarësisë. Për këtë arsye politikanët serbë kanë mundësi të kenë rol në përcaktimin e saj. 

Çfarë mund të përfitojnë më së shumti në këtë përcaktim? Që Kosova të jetë Republika e tretë në kuadër të Serbisë dhe Malit të Zi? 


Kjo ende nuk është vendosur. Nuk dihet se çfarë mund të përfitojnë serbët nga kjo. Asgjë nuk është vendosur, kur është fjala tek procedura. Por, pavarësia e Kosovës në princip nuk do të vihet më kurrë në pikëpyetje. 

Pra, rrëfimi mbi standardet nuk ka më kuptim. Domethënë nuk ka më kurrfarë kuptimi… 


Me sa di unë, bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që parullën “standardet para statusit” ta zëvendësojë me formulimin “statusi me standardet”. Standardet para statusit është një rrëfim joreal, është një parullë dhe jo politikë. Sado që tingëllon shumë keq, bashkësia ndërkombëtare do të insistojë në standarde, por statusin nuk do ta presë për këtë gjë. 

Ndërsa para Beogradit do të lindë dilema e pranimit sa më të shpejtë në BE apo mbijetimit të Kosovës? 


Jo. Nuk është më çështja shpejt ose më ngadalë, por Serbia nuk do të futet në BE, nëse nuk heq dorë nga Kosova. Dhe pikë. 

EKSPERTËT SERBË THONË SE KOSOVA PO SHKON DREJT PAVARËSISË

Në shkollën e gazetarisë në Novi Sad është mbajtur një takim me temën “Çfarë do të ndodhë me Kosovën”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, por edhe të strukturave qeveritare dhe organizatave joqeveritare nga Beogradi. 
“Te bashkësia ndërkombëtare, pak a shumë tashmë është marrë vendimi që statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë pavarësia”, ka vlerësuar James Lion, drejtor i zyrës së Beogradit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave. 
“Tani nuk ka dilema nëse Kosova do të bëhet e pavarur apo jo, por çështja është se nën çfarë kushtesh, brenda cilit afat kohor dhe çfarë do të fitonin të dyja palët nga ajo pavarësi. Gjykuar sipas të gjitha gjasave, me siguri që ora do të fillojë të numërojë aty nga fillimi i vitit 2006 dhe kjo mund të zgjatë deri 3 vjet. Afatet kohore ende nuk janë përcaktuar”, ka thënë Lion. 
Beogradi një kohë të gjatë ka luajtur në letrën e ndarjes së Kosovës, dhe për këtë, partnerin e ka kërkuar në Tiranë, por në këtë fatmirësisht nuk ka patur sukses, ka deklaruar Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi. 
“Tashmë ekziston një atmosferë në rajon, e cila shkon në favor të pavarësimit të Kosovës , dhe mendoj se është shumë me rëndësi që Beogradi në këtë moment të përcaktojë një politikë konstruktive,” tha Biserko. 
Kemi elitë të papërgjegjshme të njerëzve, të cilët nuk e bëjnë publike të vërtetën e plotë për Kosovën, konsideron Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizimin. 
“Na gënjejnë për diçka, e cila kurrdo që të jetë, një ditë do të na kthehet mbi kokë. Këtu nuk është fjala vetëm për pushtetin, por edhe për opozitën,” tha Popov. 
Ndërkaq kryetarja e komisionit të Kuvendit të Serbisë për Integrime Evropiane Gordana Çomiq, konsideron se është e domosdoshme të jepen përgjigje në këto pyetje. 
“Kush e ka përgjegjësinë për dështimin evident të projektit, i cili nuk solli përmirësime as në Bosnjë 10 vjet pas Dejtonit, e as në Kosovë 6 vjet pas bombardimeve? Partitë politike në Serbi do të duhet të jenë partner i mirë në ato bisedime, madje edhe në bisedimet për të cilat askush nga ne nuk dëshiron të mendojë,” ka thënë Çomiq, në takimin në Novi Sad me temën “Çfarë do të ndodhë me Kosovën”. 

 ***

Gazeta Rilindja Para 15 viteve, në 26 Prill 2005, kishte edhe shumë shkrime të tjera e në ballinë  bënte këtë ftesë:

FTESË PUBLIKE

NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË LIRISË SË SHTYPIT  RILINDJA FTON NË VIZITË VENDIT TË SHKELJES MË TË RËNDË

NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË LIRISË SË SHTYPIT, MË 3 MAJ 2005 

NË ORËN 12

FTOJMË PËR VIZITË:                                                                               

GAZETËS RILINDJA NË BUNKERIN E PALLATIT TË RILINDJES,  ATJE KU ËSHTË SHKELJA MË E RËNDË NË KOSOVË, MBASE EDHE NË BOTË,  E TË DREJTËS DHE LIRISË SË SHTYPIT.

BUNKERIT TË ERRËT E ME LAGËSHTI, KU ËSHTË MBYLLUR, NGUJUAR E SHKATËRRUAR GAZETA E PARË E KOSOVËS, ME TRADITË 60-VJEÇARE – RILINDJA, E DËBUAR NGA SHTËPA E SAJ.

TË FTUARIT: MEDIAT E ORGANIZATAT GAZETARE, PËRFAQËSUESIT E INSTITUCIONEVE, TË ORGANIZATAVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, KOMISIONERI I MEDIAVE, OMBUDSPERSONI, KMDLNJ, ETJ.

NË VEÇANTI FTOJMË ATA QË E DËBUAN, NGUJUAN DHE E SHKATËRRUAN RILINDJEN, QË TË SHOHIN ÇKA KANË BËRË. QË JO VETËM TË BINDEN SE KANË BËRË KEQ E TË PENDOHEN, POR EDHE T’IA RIKTHEJNË RILINDJES TË DREJTËN LEGJITIME.

NUMRI I ARDHSHËM I RILINDJES I JASHTËZAKONSHËM DHE PROTESTUES

***

RILINDJA

GAZETA TRADICIONALE E KOSOVËS

To:  Mr. Robert Gillette

Temporary Commissioner of the Media

Very honorable Mr. Robert Gillette,

On the International Day of Freedom of Press –   

3 May 2005

at 12:00

 You are unvited for a visit to: 

Newspaper Rilindja – Press House, in which the worst kind of violation of freedom of press in Kosova, unprecedented in the free and democratic world occurred; 

The dark bunker of dampness and water leaks, there where the first newspaper in Kosova with a 60-year old tradition – Rilindja has been expelled from its own home as of 21 February 2002.

On this International Day of Freedom of Press, Rilindja has the following message:                                                                                                         There is no freedom of the press in Kosova while there is a newspaper that has been injustly shot down and evicted by authorities. 

Your visit would also mean support for the legitimate right of Rilindja as a traditional newspaper of Kosova.

With great regards and sincerely,                                                                                   President of the Managing Council and Editor in Chief of Rilindja  Behlul Jashari

Prishtina, 27 april 2005

*Me shume fotografi I gjeni ne fb dielli vatra  si dhe fb Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Rlindja e Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 621
  • 622
  • 623
  • 624
  • 625
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT