• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MEDITIM NË KARANTINË

April 23, 2020 by dgreca

Nga K.P. TRABOINI/* Amerika padyshim e ka cilësisht të shkëlqyer sistemin shëndetësor. Kanë teknikë të përsosur. Aparaturat mjekësorë me të sofistikuara në botë. E kam provuar të paktën tre herë kur jam shtruar në spitale, e megjithatë këto ditë po vdesin mijëra njerëz nga kjo flame e zezë Corona Virus Covid 19. Problemi mendoj duhet të ketë qenë (nëse na lejohet të kemi një mendim në kushtet e shtetrrethimit botëror), se nuk u morën masat me kohë si në Itali dhe në Spanjë. Edhe Anglia e vonuar. “Trimëria” e kryeministrit britanik Boris Johnson që në fillim u pa se ishte një aventurë e rrezikshme, si punë kaubojsi. Rrezikoi veten por nisi në atë botë të tjerë nga pakujdesia në qeverisje. Edhe Amerikës ju duk i largët kumti i zi Bergamos. Vonesa nuk mund të mos sillte tragjedinë. Vetëm në lëvizjet e trenave gjatë ditës në New York udhëtojnë miliona njerëz, pra nëse një njeri është i infektuar e ai e ka raportin 1 deri më 1.5 ,siç mund të jetë në disa vende me rritje infeksioni të ngadaltë, kjo shifër shkon e dyfishuar apo trefishuar në qytete me qarkullim të madh. Pra ka një rritje me progresion gjeometrik të llahtarshëm. Kësisoj ndodhi në qytetin e New York-ut ku ka miliona banorë, në një kohë shumë të shkurtër, por kësisoj nuk ndodhi në Vermont, as Maine apo New Hamshire, ku popullsia është më e pakët dhe e shpërndarë. Ndodh edhe një fenomen për tu vënë në dukje, në Veri të shtetit të New Yorkut, që kufizohet me Kanadanë, ka shumë pak të prekur 3 % të prekurve të shtetit, por në qytetin e New Yorkut 97 %, një tmerr i vërtetë. Edhe New Jersy po kështu, sepse është një qytet fare afër, nder komunikues, dhe shumë kush që punon në New York banon në New Jersey. Kam lexuar që në janar-shkurt, sepse isha i interesuar të shkoja në Amerikë në Mars, se nëse kjo epidemi kap Amerikën llogariten miliona të vdekur. Prognozë e zezë. Ndaj që në fund të shkurtit thashë nuk do të shkoj. Dhe nuk e preva biletën sepse mendoja lëvizjet e avionëve që padyshim ishin kthyer në transmetues të virusit vdekje-prurës, që ishte ndezur në Kinë e do ti vinte flakën gjithë globit. Pikërisht prej qarkullimit të madh e pësoi edhe New Yorku, ky metropol i botës që nuk fle as natë e as ditë. Aeroporti “Kenedi” priste miliona pasagjerë nga gjitha vendet. Ja dhe një vatër e nxehtë. Dikush bën kritizerin për mjekësinë amerikane, por dua të them, ani pse për fat kemi pak vdekje në Shqipëri, as mos e krahasoni mjekësinë shqiptare me atë amerikane, as italiane, as spanjolle pavarësisht vdekjeve të shumta që kanë. Se fundja tështima (alegorike) e një elefanti nuk është e barabartë me tështimën e një milingone. Megjithese të dyve u duhet thënë shëndet. Në Shqipëri kemi 200-300, ja na u bënë 500 shtretër a më shumë qofshin. Sikur të mos bllokohej qarkullimi, të mos karantinoheshin e distancoheshin njerëzit me vendim të rreptë qeveritar do të kishte edhe këtu mbase deri në mijëra jetë të humbura. Nuk dua të bëj Kasandrën, por kjo do të ndodhte pa as më të voglin dyshim. Përrallat që ne shqiptarëve “heroikë” (siç u thanë budallallëqe në ca intervista televizive), se ne nuk na bën dot gjë virusi, janë për sarahoshët. Apo ndonjë farë panelisti që u ka marrë koka erë e çajnë dërrasa në TV, tashmë nëpërmjet “Skype”, që kërkojnë hapje kur ata vetë nuk kanë asgjë për të hapur veç gojës së vet të azdisur që nuk di të pushojë kurrë, madje as në gëzime e as në morte. Por qytetet e mëdha të shteteve me potenciale të mëdha ekonomike nuk është e lehtë ti karantinosh. Ligjet e botës i bëjnë kompanitë e mëdha kombëtare apo shumëkombesh qofshin, që shohin interesat e tyre e as e tundin fort për popullin e thjeshtë kudo në botë. Edhe hapja, siç po trumbetohet, nxitur e nën presionin e bosave të mëdhenj të ekonomisë botërore që po ju pakësohet fitimi, do të jetë jo pa rrezik. Çfarë është kjo ngutje në hapje kur nuk kanë idenë se çfarë do të ndodh nesër. Kur nuk kanë asnjë ilaç shërues. As vaksinë. Vetëvrasje më duket. Ca thonë vjen frika e urisë, prandaj. Nuk besoj të jetë kështu. Po fundja më mirë i uritur se i vdekur. Kemi mbetur me sy në qiell. Atë pak qiell që ma lejon ballkoni i shtëpisë së rrethuar me kulla të larta që nuk të lënë të shohësh as diellin. Dhe nuk kam ndërmend të dal rrugëve edhe sikur qeveria ta lëshojë lirinë e daljes me kut a me metër, me ose pa fasha në orar. Se populli ka një fjalë të urtë që thotë “shkoi dhia me nxjerr brirët e la edhe leshtë”. Dhe ec e mos e dëgjo popullin po deshe. Vajte për lesh parlamentar. *Foto autori në karantinë, prill 2020

Filed Under: ESSE Tagged With: meditim

Sulmet e komunistëve shqiptarë ndaj “Muajit të Ramazanit” në shtypin ateist

April 23, 2020 by dgreca

Shkruan:Dr. Sokol PAJA/

Propaganda ateiste e komunistëve shqiptar në luftën ndaj fesë përfshiu të gjitha mediat e shkruara, radion, televizionin, kinemanë, letërsinë, teatrin, dramën e deri te shfaqjet në koperativat e fshatrave. Gjithçka ishte nën kontroll absolut të partisë-shtet dhe mediat ishin noterë të vendimeve të Komitetit Qëndror të Partisë.

Pasi i zhduken fizikisht klerikët dhe institucionet e fesë, me qëllim ndërtimin e shtetit ateist, komunistët ndërmorën çdo hap për ta futur propagandën antifetare në çdo qelizë të shoqërisë së kohës ku synohej të zhdukej dhe ideologjikisht feja. Për të pasur sa më shumë sukses në luftën ndaj fesë dhe për të bindur praktikantët fetarë dhe mbarë popullin, sistemi diktatorial me anë të propagandës sulmonte vendet e pelegrinazhit të besimtarëve, kishat, xhamitë dhe teqetë. Lufta ndaj fesë, sipas propagandës ateiste të komunistëve, ishte luftë ndaj regjimeve të kaluara, luftë për pastrimin dhe çlirimin e ndërgjegjes së njerëzve, luftë për zhdukjen e besimeve të kota dhe koncepteve prapanike të trashëguara nga e kaluara. Ritet fetare sipas propagandës antifetare, ishin forma që errësonin  mendjet e njerëzve, sidomos të punonjësve komunistë dhe organizatave bazë në rrugën e tyre për zhvillim ekonomik e shoqëror të shtetit diktatorial. Komunistët e akuzonin fenë se synonte mbajtjen në kontroll dhe errësimin e botës psikologjike dhe shpirtërore të besimtarëve duke i gënjyer dhe duke i ushqyer me iluzione të kota hyjnore. Sipas gazetës “Zëri i Rinisë”, të datës 10 shkurt 1962 në shkrimin “Të gjitha thëniet për agjërimin bien poshtë”, thuhet se Allahu ua ka përcaktuar fatin njerëzve si për mirë, si për keq, dhe se pa vullnetin e tij s’mund të bëhet asgjë dhe nga ana tjetër thuhet se pas vdekjes Allahu dënon ata që kanë vepruar keq dhe autori pyet si mundet që Allahu të dënojë atë për të cilin vetë ka parashtruar fatin e tij? Në kuadër të revolucionit kulturor dhe ndryshimeve rrënjësore, që sistemi totalitar po kryente në shoqëri, ritet fetare sipas komunistëve duheshin ndaluar se gjoja mbanin në robëri e skllavëri të masave të popullit revolucionar. Muajin e Ramazanit, muajin e sakrificës në besimin Islam, komunistët e akuzonin se “Ramazani” i kishte ndihmuar klasat sunduese që njerëzit t’i mbanin të nënshtruar dhe në skllavëri. Komunistët në shtyp e quanin muajin e Ramazanit si një praktikë hipokrite pasi besohet se një mijë e një të këqijat e bëra gjatë vitit, t’i fal Perëndia nëse agjëron, atëherë shkrimi ateist i kohës pyet po meqë është kështu pse u dashka të agjërojnë edhe ata që s’kanë bërë keq? Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit, sipas propagandistëve ateistë ishte një praktikë e dëmshme dhe duhej zhdukur pasi dëmtonte shëndetin e njerëzve, krijonte dobësi të madhe deri në çrregullime në stomak dhe në shumë raste edhe ulçër. Mbajtja e Ramazanit, sipas komunistëve shkatërronte ekonominë familjare, ekonominëkooperativiste dhe vetë shtetin komunist pasi një njeri i pangrenë e i papirë, nuk është në gjendje që të punonte dhe ndërtonte shtetin komunist.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Partia Komuniste

ARGUMENTA TË TJERA SE KORONAVIRUSI ËSHTË ARMË BIOLOGJIKE

April 23, 2020 by dgreca

Opinion nga Asllan Bushati/Në vitin 1995 , në një dokument zyrtar SHBA-të, deklaruan se 17 shtete në botë kanë program ushtarak për prodhimin e Armëve Biologjike. Në këtë dokument përmendet edhe Kina si një nga vendet  që planifikon prodhimin dhe përdorimin e kësaj arme të dëmtimit në masë (ADM).

Një raport i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i vitit 2019, ka nxjerrë në pah se qeveria kineze  dukshëm po punonte prej disa vitesh për krijimin e armës biologjike në laboratorin  e Uhanit (Instituti i Virologjisë). Këtë fakt  e pohojnë edhe një grup shkenctarësh amerikanë të cilët deklarojnë se: ”viruset e këtij laboratori janë shumë vdekjeprurës dhe se ata janë  një armë e mundëshme biologjike”

Dany Shoham, një ish officer i zbulimit ushtarak izrelit i specializuar në fushën e Armëve Biologjike, i ka deklaruar gazetës amerikane Washington  Time se: ”Laboratori i Uhanit,është i kualifikuar për të trajtuar patogjenet më të rrezishme në natyrë.. Koronavirusi është studiuar në këtë institut dhe këtë mund ta them me siguri të plotë… Ky virus ka aftësinë për të mbijetuar, por edhe për tu përhapur me shpejtësi. Kjo tregon se ai është modifikuar nga njeriu”. 

Dhe më pas Shoham nënvizon se:” Akademia e Shkencave Mjeksore Ushtarake e Kinës, më parë vërtet zbuloi një vaksinë kundër EBOLAS e quajtur JK-05, por ajo asnjëherë  nuk tregoi asnjë detaj të vetëm se si mundi ta zbulonte atë.  Kjo ka ndezur shumë spekulime se virusi i EBOLAS mund të ketë qenë pjesë e arsenalit të armës biologjike kineze.

EBOLA klasifikohet  aktualisht si një nga agjentët më të rrezikshëm i listuar si “kategoria A” e bio-terrorizmit. Kjo nënkupton atë që ajo mund të transmetohet lehtësisht nga një person tek tjetri dhe mund të shkaktojë nivele të larta vdekshmërie e panik masiv. Kurse koronavirusi është absolutisht shumë herë më i rrezikshëm se Ebola.

Programi i Kinës për Armët Biologjike besohet të jetë  në një fazë të përparuar që përfshinë hulumtime por dhe arsenal armatimi të gatshëm. Laboratori në Uhan është tani për tani depoja më e madhe  e gjendjes gjenetike të Kinës. Kështu kuptohet se cdo rrjedhje nga ky laborator mund të kthehet në rrezik potencial (kombëtar e më gjërë) sic realisht ndodhi.

Shpërthimi (përhapja) e koronavirusit  mund të ketë ndodhur  qoftë si rrjedhje  qoftë si një infeksion i një personi që mund të ketë hyrë e dalë jashtë objektit në fjalë. Por nuk kam asnjë dyshim se koronavirusi ka dalë nga ky laborator. E vetmja pikpyetje është  se përse?”- përfundon  eksperti Shoham.

Studiuesi amerikan James Giordano (bashkpuntor i vjetër në Komandën e Operacioneve Speciale të SHBA-së) thotë se: ”Investimi në rritje i Kinës  në bio-shkencë dhe reduktimi i geneve përbën jo pak shqetësim se patogjene të tilla mund të kthehen lehtë në armë biologjike… Kjo mund të nënkuptojë  atë që një mikrob i modifikuar të nxirret jashtë laboratorit, mikrob për të cilin vetëm Kina njeh trajtimin (kurimin) ose vaksinimin. Kjo nuk është lufta e vërtetë, sepse  domethënia e saj është ideja të nxjerrë në pah aftësinë e Kinës  si shpëtimtare e globit”.

Eksperti amerikan Francis Boyle (Profesor në Universitetin e Illinosit) ka thënë se: “Koronavirusi është një armë lufte biologjike dhe është krijuar në një laborator të Uhanit. Organizata Botrore e Shëndetsisë është në dijeni të këtij fakti… Virusi mund të jetë krijuar edhe në laboratorin BSL-4 në Uhan që për ironi është gjithashtu qendër kërkimore edhe e Organizatës Botrore  të Shëndetit”.

Vec sa më lart Presidenti i SHBA-së Trump, (sic dihet tashmë botërisht),  pa as më të voglin ekuivok e quajti “virusi kinez”. Në këtë vazhdë Senatorët Ted Cruz dhe Rand Paul, dhanë detaje të reja se koronavirusi është armë biologjike.

Të gjitha këto na japin argumenta shtesë se kjo pandemi vrasëse botrore nuk na erdhi nga forca natyrore (sic pretendojnë kinezët) e jashtë mendjes e dorës së njeriut. Përkundrazi erdhi nga mentaliteti komunist kinez, që përpiqet të paraqitet si elita e mendimit më të përparuar botror. Erdhi nga perpjekja e tyre  për pushtimin ekonomik të pjesës më të madhe të globit. Erdhi si përplasje midis dy botëve:  atyre të demokracive e shoqrive të lira të  hapura  dhe totalitarizmit komunist kinez.

Teoricieni më i madh i luftrave, Klauzevich ka thënë se :”lufta është vazhdim i politikës me mjetet e dhunës”.  Por kinezët kanë bërë një gabim strategjik, ku pa i shterruar tërësisht mjetet politike për realizimin e qëllimeve të tyre , hodhën koronavirusin, pra filluan Luftën Biologjike. 

Por asgjë nuk ka përfunduar akoma, sepse jemi në fillim të luftës. Ata kanë krijuar një farë avantazhi  duke shfrytëzuar befasinë, por beteja vendimtare do të bëhet pas pak kohe. Ajo do të ndodh, kur laboratori i Uhanit të investigohet nga një panel specialistësh ndërkombëtar  dhe kur Kina të dalë përpara një gjykate  ndërkombëtare për krime kundër njerzimit. Të paguaj për jetët e humbura, bizneset e vendet e punës të shkatërruara, të paguaj qindrafish më shumë për cdo cent të humbur nga bota demokratike. Mësimi më i madh i historisë së luftrave është se: “ kush gabon strategjikisht, humbet luftën dhe paguan cmim për të”.

Shpresoj dhe dëshiroj që thirrjet e Senatorve Cruz e Paul, thirrjet e gazetarve, medias e personaliteteve në Gjermani, Francë, Mbretëria e Bashkuar, Itali e kudo, të ngrenë në këmbë opinionin publik botror (përfshi edhe atë shqiptar). Kërkohet ballafaqim me argument në të gjitha fushat kundër dëmeve e poshtrimit që na u bë  me koronavirusin- Armën Biologjike kineze.

Filed Under: Analiza Tagged With: Arme Biologjike

Shqiptarët në mbështetje të “Lëvizjes Xhonturke” për shpalljen e Kushtetutës në vitin 1908 në Perandorinë Osmane

April 23, 2020 by dgreca

Shkruan: Dr. Paulin MARKU/

Në fillim të shek. XX Perandoria Osmane gjendej e trazuar nga faktor të jashtëm dhe të brendshëm. Sundimi i sulltanit Abdyl Hamiti II kishte rritur pakënaqësi në popull për mënyrën se si po drejtonte Perandorinë dhe ishte kundërshtuar nga popujt me kombësi si ato turke, arabe, shqiptare, kurde e armene. Abdyl Hamiti II ishte i ndërgjegjshëm për humbjet që po pësonte Perandoria Osmane, ku sipas tij nuk ishte shkaku kryesor vetëm politika e brendshme me kundërshtarë Turqit e Rinj, por ishte edhe për pasojë  të shfrytëzimit politiko-ekonomik të Fuqive Evropiane.

 Kushtetuta Osmane e vitit 1876 ishte një burim frymëzimi për Komitetin “Bashkim e Përparim”. Lëvizja xhonturke ishte kundërshtari kryesor ndaj sundimit të sulltanit dhe synonte me çdo kusht për shpalljen e Kushtetutës, e cila kishte mbetur në sirtarin perandorak, së bashku me legjislacionin përkatës, ku përfshihej shpallja e zgjedhjeve, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre me votë në popull, për në parlamentin e Stambollit. Xhonturqit fillimisht synonin miratimin e Legjislacionit, pastaj të hidheshin në fushatë zgjedhore, të merrnin shumicën për në parlament, në mënyrë që të kishin të drejtë të formonin qeverinë parlamentare kushtetuese. Ardhja e tyre në qeveri dhe kapja e pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare, iu jepte mundësi për të kontrolluar Portën e Lartë, dhe në rastin e volitshëm të kërkonin dhe abdikimin nga froni perandorak të Abdyl Hamitit. 

Lëvizja xhonturke fillimisht organizohej në organizata të fshehta, nën emërtimin “Bashkim e Përparim” dhe operonin jashtë Stambollit. Komiteti synonte që të përfshinte të gjitha lëvizjet, klubet e organizatat anti-Hamiti an nën një kupolë të vetme me moto të përbashkët “barazi për të gjithë popujt e perandorisë Osmane; vendosjen e paqes dhe rendit publik si dhe shpalljen e Kushtetutës”. Lëvizja “Bashkim e Përparim” e shtriu veprimtarinë në krahina të ndryshme perandorake, përfshirë dhe viset shqiptare. Xhonturqit krijonin lidhje me komitetet revolucionare shqiptare dhe përhapnin propagandën e tyre nëpërmjet anëtarëve xhonturq, oficerëve të huaj e shqiptar si dhe në radhët e ushtarëve të huaj e shqiptarë. Shqiptarët kishin ngritur krye që herët me anë të protestave dhe lëvizjeve të armatosura kundër regjimit perandorak, për të fituar të drejtat e tyre. Ata kishin shfaqur kundërshtitë e tyre nëpër qytete të ndryshme shqiptare si në Strugë, Shkup, Manastir, Prizren, Ferizaj Mitrovicë, Shkodër, etj., por kërkesat e tyre ishin refuzuar apo shtyrë për një moment tjetër, pa gjetur zgjidhje. Gjendja në Perandorinë Osmane u tensionua në verën e vitit 1908, pasi ekspeditat ndëshkimore kishte mungesa të madhe të trupave ushtarake dhe disa prej tyre nuk i zbatonin urdhrat e sulltanit për të shtypur lëvizjet kundër regjimit të Sulltanit. Rebelimet që shpërthyen në korrik të vitit 1908, në Manastir, Serez, Shkup, Ferizaj, etj., udhëhiqeshin nga oficerë, të organizuar nga Turqit e Rinj . 

Në këtë situatë të tensionuar, Komiteti “Bashkim e Përparim” përpiloi kërkesën për Shpalljen e Kushtetutës, më pas u nënshkrua nga 180 firma dhe e dërguan me telegram për në Stamboll, adresuar për Jilldizit (Pallati i sulltanit), Vezirit të Madh (Kryeministrit) dhe Meshihatit (Selisë së kryesisë fetare myslimane në Perandorinë Osmane). Po ashtu pranë Portës së Lartë mbërritën telegrame nga vilajetet e provincat e Kosovës, Selanikut, Manastirit, etj., të cilët kishin të njëjtën kërkesë. Por Sulltani hezitonte në shpalljen e Kushtetutës pasi ishte i vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej nga ky akt, nga ana tjetër, Ai ishte i detyruar të vepronte sa më parë pasi kërcënimet në drejtim të Stambollit ishin serioze. I gjendur para një zgjidhje të detyruar dhe imediate, Abdyl Hamiti II thirri në mbledhje Vezirin e Madh (Kryeministrin) dhe ministrat përkatës para se të shpallte Kushtetutën. Sulltani mori vendim të ndërrojë kabinetin qeverisës së bashku me njeriun e tij të besueshëm, Vezirin e Madh, Mehmet Ferid pasha (Vlora) shqiptar. Ai mbante postin e Vezirit të Madhe prej datës 15 janarit 1903 deri më 22 korrik 1908 kur sulltani e shkarkoi për rrjedhojë të trazirave. Shkak tjetër që shkaktoi pakënaqësi tek sulltani ishte  mbështetja e shqiptarëve në krah të xhonturqve dhe letra që ata i dërguan Pallatit Mbretëror për se mbështesni shpalljen e Kushtetutës. Zëvendësimi i Mehmet Ferid pashë (Vlorës)  me Seit Pashën dhe ndryshimet e tjera në kabinetin e qeverisë, justifikoheshin për dy arsyet kryesore: së pari, sulltani të mos humbiste ndikimin e tij në popujt e ndryshëm të Perandorisë, së dyti, si ndëshkim ndaj Mehmet Ferid Pashës për shkak se nuk arriti të kishte nën kontroll situatën si dhe të mbante bashkëkombësit shqiptarë besnikë ndaj sulltanit. Por sipas vlerësimit të studiuesit Sulejman Kylçe, shkaku i shkarkimit të Ferid Pashë Vlorës ishte se ai përkrahte shpalljen e kushtetutës. Pas ndryshimit të kabinetit qeverisës, Abdyl Hamiti II shpalli Kushtetutën me të gjitha aktet ligjore perandorake, përfshirë hapjen e parlamentit osman në Stamboll me përfaqësues nga të gjitha krahinat perandorake, si dhe krijimin e qeverisë parlamentare. Akti i Shpalljes së Kushtetutës u publikua me njoftimin zyrtar në gazetat e Stambollit. 

Në përfundim mund të pohohet se, zbatimi i Kushtetutës se mbetur në sirtarin për 32 vite, solli ndryshime të mëdha në sferën e politikës së brendshme shumë partiake në Perandorinë Osmane dhe ky Akt i rëndësishme u mirëprit nga turqit dhe nga popujt me kombësi të ndryshme, përfshirë dhe shqiptarët, pasi u arrit hapja e sistemit zgjedhor gjithëpërfshirës parlamentar, ku përfaqësuesit e tyre, mund të zgjedhin dhe të zgjedhshin për në parlamentin e Stambollit, si dhe ngritjen e një qeverie parlamentare në Perandorinë Osmane. 

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Paulin Marku, Levizja Xhonturke, shqiptaret

Sot dhe dikur

April 22, 2020 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI/ Në kohën e tanishme, çdo gjë artizanale preferohet sepse është dëshmi e inteligjencës, shijes dhe individualitetit. Shteti, megjithatë, nuk ndalet së reklamuari mirësitë dhe sipërmarrjet e veta, me të cilat zgjeron kontrollin, shantazhin dhe shton sundimin. Sa i përket bamirësisë, kur kujtohet koha e shkuar dhe i gjithë zemërimi, qeveria bëhet më e zgjuar, për t’u shtirur më lehtë se pamja e saj ka ndryshuar.
Gjërat ishin aq të njëjta atëherë, megjithëse dukshëm të ndryshme, kur shumica u kthye tek të keqmenduarit. Dhe ashtu si ishët dilnin kundër, kështu edhe “tradhtarët i vijës” dënoheshin si në kohë Inkuizicioni. Duke hequr dorë nga thjeshtësia, ata morën lavdi nga përdorimi i politikës së momentit dhe të bërtiturat i bënë modë, sepse emri i mirë për ‘ta kishte rëndësi, por nuk e kuptonin se shpreheshin në përputhje me kategorinë e tyre mendore.
Duhej të ishin ata që nisnin devijime të tilla, që gjërat të dukeshin të reja, pavarësisht nëse ishin të tilla ose jo. Në art, si në shoqëri e politikë, emrat e rinj janë të domosdoshëm (në shumë aspekte ata, në mendësi, janë vërtet të vjetër). Kështu nga mosha në moshë një lloj realizmi i ri social rilind si reagim ndaj atij që ishte admiruar dikur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 625
  • 626
  • 627
  • 628
  • 629
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT